25.5 C
Tirana
E hënë, 7 Korrik, 2025

Si do t’i trajtojë Gjermania refugjatët sirian pas rrëzimit të regjimit të Bashar al-Assadit? Plani me 4 pika, disa do të mund të qëndrojnë të tjerët jo

Rreth një muaj nga rrëzimi i regjimit të Bashar al-Assadit në Siri, ministrja e Brendshme e Gjermanisë, Nancy Faeser (SPD) prezantoi një plan për trajtimin e refugjatëve nga Siria, i cili përfshin edhe heqjen e të drejtës për mbrojtje dhe largimin e disa prej tyre nga Gjermania.

 

“Siç parashikohet me ligj, Zyra Federale për Migracionin dhe Refugjatët do të kryejë kontrolle dhe do të anulojë mbrojtjen për ata që nuk kanë më nevojë, pasi situata në Siri është stabilizuar”, u tha Faeser gazetarëve të grupit mediatik Funke.

“Kjo do të zbatohet më pas për ata që nuk kanë të drejtë të qëndrojnë për arsye të tilla si puna apo arsimimi dhe nuk duan të kthehen vullnetarisht në Siri”, shtoi ministrja e  Brendshme.

Ministritë po shqyrtojnë situatën e sigurisë

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe ministria e saj po punojnë së bashku me autoritetet e tjera për të sqaruar gjendjen dhe për të pasur një pamje sa më të qartë të situatës aktuale të sigurisë në Siri pas përmbysjes së Bashar al-Asad nga milicitë islamike më 8 dhjetor 2024.

Para së gjithash, ne jemi të fokusuar në çështjet e sigurisë”, tha Faeser. “Përveç kësaj, gjithçka që bëjmë ndodh në marrëveshje me partnerët tanë evropianë dhe ndërkombëtarë.”

Faeser paraqiti një plan me katër pika

Faeser përmendi katër pika të rëndësishme për të: “Së pari: të gjithë ata që janë të integruar mirë, që flasin gjuhën, punojnë dhe që kanë gjetur një shtëpi të re këtu, duhet të lejohen të qëndrojnë në Gjermani”.

Së dyti, ata që dëshirojnë të kthehen duhet të mbështeten dhe t’u mundësohet kthimi. Për këtë qëllim, programi i kthimit vullnetar i qeverisë federale do të zgjerohet.

Së treti, duhet të dëbohen sa më shpejtë kriminelët dhe islamistët. Ne i kemi zgjeruar shumë opsionet ligjore për këto procedura dhe do t’i përdorim ato sa më shpejt që situata në Siri të lejojë.

Shpresa për vendosjen e paqes

Për herë të parë pas më shumë se një dekade mbretërimi terrori dhe dhune, ka shpresë për vendosjen e paqes në Siri, theksoi Faeser. “Nëse kjo shpresë për paqe bëhet realitet, atëherë shumë refugjatë mund të kthehen.”

Pas rrëzimit të Asadit, Faeser fillimisht pezulloi vendimin e kërkesave për azil për njerëzit nga Siria, “deri në sqarimin e situatës”, siç tha ajo në fillim të dhjetorit.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme, në fund të tetorit në Gjermani ishin 974.136 persona me nënshtetësi siriane. Më shumë se dy të tretat e tyre janë njerëz që kanë kërkuar mbrojtje.

India nuk mbështet një monedhë të përbashkët për vendet e grupit BRICS

Sipas analistëve në Nju Delhi, India nuk mbështet krijimin e një monedhe të përbashkët për organizatën BRICS të përbërë nga nëntë vende, por po përpiqet të nxisë tregtinë në monedhën e saj.

 

Siç njofton nga Nju Delhi, korrespondentja e Zërit të Amerikës, Anjana Pasricha, Presidenti i ardhshëm amerikan Donald Trump, paralajmëroi rishtazi vendet e BRICS-it që të mos bëjnë përpjekje për ta zëvendësuar dollarin me një monedhë alternative.

India nuk dëshiron krijimin e një monedhe të përbashkët BRICS, një iniciativë e mundshme që është përballur me një reagim të fortë nga Presidenti i sapozgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Ai ka kërcënuar me vendosjen e tarifave 100% për produktet nga nëntë vendet anëtare të BRICS-it, nëse ky grup zëvendëson dollarin amerikan me një monedhë tjetër, ose mbështet një alternativë tjetër në vend të monedhës amerikane.

Analistët thonë se mosbesimi dhe dallimet ndërmjet anëtarëve kryesorë të BRICS-it, si India dhe Kina, janë një pengesë e madhe për të kaluar drejt një monedhe të përbashkët.

“India nuk e mbështet këtë iniciativë. Një monedhë e përbashkët nuk do të ndihmojë askënd; thjesht do të diktonin vendet dominuese si Kina. Pra, është shumë e vështirë të krijohet një konsensus për të patur një monedhë të përbashkët”, thotë eksperti Chintamani Mahapatra, nga Instituti Kalinga për Studimin e Indo-Paqësorit.

Grupi kryesor i BRICS-it – ku merrnin pjesë Kina, Rusia, India, Brazili dhe Afrika e Jugut – u zgjerua këtë vit me Iranin, Emiratet e Bashkuara Arabe, Etiopinë dhe Egjiptin. Ideja e një monedhe për grupin BRICS zuri vend në vitin 2022, pasi Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj Rusisë pas luftës në Ukrainë dhe tensioneve në rritje mes Perëndimit dhe Kinës.

Por aleanca e vendeve në zhvillim është shumë e larmishme për ta bërë të zbatueshme një monedhë të përbashkët.

“Nuk kemi një treg të përbashkët. Nuk kemi ndonjë politikë të përbashkët tregtare. Nuk kemi asgjë të përbashkët”, thotë për grupin BRICS eksperti Mahapatra.

Megjithatë, India dhe disa vende të tjera të BRICS-it kanë shtuar përpjekjet për të bërë tregëti në monedhat e tyre, për të ulur varësinë nga dollari amerikan.

“Janë 17 vende që janë identifikuar nga qeveria e Indisë, me të cilët India dëshiron të bëjë tregëti në monedhën rupi, ose në një monedhë dypalëshe”, thotë analisti për tregtinë Biswajit Dhar.

Ndër këto vende është edhe Rusia. Nju Delhi, i cili nuk iu bashkua sanksioneve amerikane, po paguan për importet masive të naftës ruse në monedhën rupi. Por edhe tregtia në rupi paraqet probleme.

“India ka një deficit të madh tregtar me Rusinë, që do të thotë se kur India blen shumë naftë dhe paguan në rupi, Rusia nuk di se çfarë të bëjë me sasinë e madhe të rupive që zotëron tashmë”, thotë analisti Dhar.

Ministri i Punëve të Jashtme të Indisë, Subramanian Jaishankar, ka thënë se largimi nga dollari amerikan nuk është pjesë e politikës ekonomike të Indisë. Kjo, thonë analistët, është për shkak se interesat strategjike të Indisë janë përgjithësisht në linjë me Shtetet e Bashkuara.

U ekzekutua me breshëri plumbash brenda mjetit, misteri i vrasjes së Ramazan Matajt! 33-vjeçari po kthehej në banesë kur… Trupi i pajetë u gjet rreth 8 orë pas krimit

 Ramazan Mataj quhej i riu që u gjend i pajetë mëngjesin e djeshëm në mjetin e tij, në një fshat të Shkodrës në Postribës.

 

Trupi u konstatua nga një banor i zonës, i cili ka parë makinën të bërë shoshë me plumba dhe ka lajmëruar policinë. Kjo e fundit u gjend në vendin e ngjarjes rreth 8 orë me vonesë, ndërsa si gjithnjë mblodhi gëzhojat në vendin e krimit ku edhe u konstatua se ndaj të riut është qëlluar me dy armë automatike.

Ngjarja e rëndë dyshohet të ketë ndodhur mbrëmjen e së shtunës, ndërsa jo vetëm që nuk ka gjurmë autorësh, por për fatin e keq nuk ka asnjë pamje filmike, për shkak se vrasja ka ndodhur në një rrugë dytësore, në të cilën nuk gjenden banesa e as biznese.

Nga verifikimet dhe dëshmitë e para viktima e pritës fatale rezulton pa precedent të mëparshëm, ndërkohë që policia s‘ka asnjë pistë dhe madje asnjë të dyshuar për krimin e rëndë, që tronditi Shkodrën sërish në këtë fillim viti, ashtu siç pak kohë më parë, tronditi Dobraçin me masakrën me 4 persona të vrarë!

NGJARJA

Policia njoftoi mëngjesin e djeshëm se Ramazan Mataj është ekzekutuar në Shkodër në një antenat mafioz në zonën e Dragoçit, teksa ishte duke udhëtuar me mjetin e tij për në shtëpi. Viktima u tha se është 33 vjeç dhe rezulton i vrarë me breshëri kallashnikovi, që dyshohet të jetë qëlluar me dy armë.

Viktima sipas të dhënave ka qenë duke u kthyer për në shtëpinë e tij kur i është zënë
prita, ndërkohë që i ati i tij, në një dalje për mediat dje, tregoi se kishte komunikuar më herët me të birin dhe se nuk ishte në dijeni të asnjë problemi që mund të kishte në jetën e tij.

Të njëjtën linjë ka mbajtur edhe një i afërm i tij, i cili ka hedhur poshtë të gjitha dyshimet dhe alibitë për viktimën, pasi sipas tij ai ishte një djalë punëtor dhe se nuk kishte asnjë konflikt të njohur në zonë dhe as në vendin ku punonte aktualisht, në Ulqin si murator. Policia ka kryer krehje zone, ka marrë disa dëshmi dhe ka nisur verifikimet e së shkuarës së viktimës së atentatit të së shtunës mbrëma për të mësuar të paktën shkaqet e vrasjes së tij.

HETIMET

Ramazan Mataj mësohet se ishte kthyer rreth një vit më parë nga Belgjika. Ai kishte qëndruar atje pasi në Belgjikë jeton dhe punon i vëllai. Më pas kishte ardhur në Shqipëri dhe kishte nisur punë sezonale në Malin e Zi në ndërtim, si murator. Verifikimet mësohet se janë shtrirë në tri pista që lidhen me aktivitetin e viktimës, ku dyshimet e para që lipsen të hetohen shkojnë në Belgjikë, te aktiviteti i tij apo edhe i vëllait të tij.

Po ashtu mësohet se grupi hetimor i ngritur për të hetuar ekzekutimin e Matajt, po verifikon nëse viktima është i përfshirë në grupet kriminale të Shkodrës, apo të ketë lidhje me ndonjë person me precedent kriminal. Po ashtu, sipas burimeve hetimore, mësohet se po hetohen edhe konflikte në zonë mes tij dhe
ndonjë personi, që mund të ketë çuar në ekzekutimin e tij.

Nga të dhënat bëhet me dije se Mataj nuk ka pasur asnjë procedim të mëparshëm, përveç një hetimi për prerje të paligjshme të pyjeve, ndërsa priten dëshmi të tjera nga familja për të mësuar ndonjë detaj nga jeta e të riut. Policia nuk dihet nëse ka mundur të sekuestrojë telefonin e viktimës, për të mësuar të paktën itinerarin e tij, para se sa të vritej, pasi ekziston dyshimi që Mataj të jetë ndjekur për orë të tëra në lëvizjet e tij.

Tragjedia me 12 të vrarë në Cetinje, mijëra protestues kërkojnë përgjegjësi nga autoritetet në Mal të Zi

Mijëra qytetarë protestuan të dielën në qytetin e Cetinjes dhe kryeqytetin Podgoricë në Mal të Zi, duke kërkuar përgjegjësi nga udhëheqësit politikë dhe autoritetet e sigurisë, pas vrasjes së 12 personave më 1 janar në Cetinje.

 

Demonstruesit ndezën qirinj dhe mbajtën heshtje për të vrarët, ndërsa mbanin pankarta dhe hidhnin thirrje të zemëruara, duke akuzuar politikanët në Malin e Zi për tragjedinë e Cetinjes dhe duke kërkuar dorëheqjen e tyre.

Vrasja e shumëfishtë, ndër më të rëndat në vend, ndodhi të mërkurën pasdite, kur 45 vjeçari Aco Martinoviç qëlloi viktimat në Cetinjë pasi kishte konsumuar alkool. Ai arriti t’i shmanget policisë për orë të tëra.

Në mesin e të vrarëve është edhe motra e tij. Më pas ai vrau veten dhe vdiq nga plagët e marra në orët e hershme të së enjtes.

Kjo ishte vrasja e dytë në masë brenda më pak se tre vitesh në Cetinjë, që gjendet 38 kilometra në perëndim të Podgoricës. Në gusht të vitit 2022, një i armatosur vrau 10 persona, përfshirë dy fëmijë, para se të vritej.

Protestuesit kërkuan dorëheqjen e Ministrit të Brendshëm, Danilo Sharanoviç dhe Zëvendëskryeministrit për Siguri dhe Mbrojtje, Aleksa Beçiç, i cili është edhe në krye të sigurisë dhe mbrojtjes.

Shumë banorë të Malit të Zi janë të zemëruar me ato që i konsiderojnë reforma të ngadalshme të policisë, e cila ka mungesë punonjësish dhe fondesh dhe grindjeve burokratike dhe politike brenda qeverisë.

Kërkesa të tjera kanë të bëjnë me çmilitarizimin e shoqërisë dhe konfiskimin e armëve, së bashku me rishikimin e të gjitha lejeve të dhëna në periudhën e kaluar, ngritjen e policisë komunitare, rikthimin e edukimit qytetar si lëndë e detyrueshme në shkollat fillore dhe të mesme, shpalljen e moratoriumit për dhënien e lejeve të reja të armëve deri në ndryshimin e ligjit etj.

Protesta u organizua nga grupi i studentëve “Kamo Sutra” (Kah Nesër), të cilët theksuan se nuk kanë lidhje me asnjë parti politike dhe se protestat po i organizojnë pa asnjë ndikim partiak./VOA/

Vendi rrezikon të zbrazet më tej nga popullsia, 28% e shqiptarëve kanë plane për të ikur

Shqipëria rrezikon të zbrazet më tej nga popullsia vendase në krahasim me vendet e tjera të rajonit.

Anketa që zhvillua nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC) rreth çështjeve të sigurisë zbuloi se shqiptarët në një përqindje më të lartë se rajoni kishin zhvilluar plane për lënë vendin.

Pyetjes “Unë kam zhvilluar një plan për të lëvizur” iu përgjigjën pozitivisht 11% të shqiptarëve. Kjo ishte përqindja më e lartë në rajon, gati dy herë më shumë se mesatarja në Ballkan.

Sipas tabelës bashkëngjitur rreth 28% e shqiptarëve kanë zhvilluar plane largimi. 11% kanë një plan, por jo ende të qartë, 11% kanë zhvilluar tashmë një plan emigrimi, teksa 6% kanë afate të qarta largimi, ndërsa 66 duan të largohen.

Nga ata që duan të largohen 67% po shfrytëzojnë rrjetet me afërmit dhe miqtë jashtë vendit.

Një pjesë tjetër 10% do të ikin për studime. Shqipëria dhe Kosova kanë nivelin më të ulët të atyre që emigrojnë jashtë për studime.

Te pjesa që ka në plan të largohet 22% po ndjek gjuhët e huaja si parakusht për t’u larguar. Në Rajon ka përqindje më të larta të popullsisë që po ndjek gjuhët e huaja si parakusht për t’u larguar.

Nga pjesa e atyre që kanë plan të largohen 18% po aplikojnë për programet e vizave blu dhe kartave jeshilë, ndërsa 3% kanë siguruar kontrata pune në panairet e punësimit të zhvilluara jashtë.

29% e atyre që kanë plane për të ikur kanë gjetur punë nëpërmjet aplikimeve në internet.

Sipas të dhënave, shqiptarët që kanë në plan për të ikur kanë zhvilluar më shumë se një plan.

Ndonëse Shqipëria ka krijuar një imazh pozitiv për zhvillimet në turizëm dhe vendi ka rritje ekonomike mbi mesataren e dekadës që shkoi, qytetarët kanë ende potencial të lartë për të emigruar.

Tendenca për emigrim tani është përqendruar në shtresën e mesme dhe tek të punësuarit me paga të larta të cilët preferojnë të ikin për një arsim më të mirë për fëmijët dhe infrastrukturë më të mirë jetësorë në tërësi./Monitor

Rezultatet e censit përfundojnë në garazh, KLSH jep alarmin: Asnjë siguri për të dhënat e shqiptarëve!

Të dhënat e shqiptarëve të mbledhura për censin 2023 nuk janë ruajtur siç e kërkon ligji.

Mjedisi i kontraktuar për grumbullimin e materialeve ka qenë një garazh me qira mujore 420 mijë lek dhe të dhënat e popullsisë kanë pasur risk të lartë keqpërdorimi. Ky është përfundimi që arrin KLSH pas auditimit të kryer ndaj INSTAT, ku në raport thuhet se skuadra e ngritur në këtë proces për sigurimin e një ambienti me qira për vendosjen e pajisjeve elektronike të cilat shërbejnë për mbledhjen e të dhënave të popullsisë dhe banesave ka rrezikuar në mënyrë të ndjeshme parimet e sigurisë së të dhënave sensitive si dhe konfidencialitetin e tyre.

Instituti i Statistikave i kërkoi ministrisë së Mbrojtjes si fillim një hapësirë prej 650 m2 minumimi të ndarë në 3 dhoma, ku nënvizonte që ‘materialet është shumë e rëndësishme që të ruhen në kushte larg lagështirës, dëmtimit dhe aksesit të pa autorizuar dhe ruajtje fizike 24 orë”. Mirëpo në mungesë të një vendi të tillë të lirë, INSTAT lidhi  kontratë me një subjekt tregtar për një magazinë me qira që auditimi i KLSH e vlerëson si hapësirë të papërshtatshme; e cila është monitoruar nga ora 22:00-6:00 për 8 orë nga një roje fizike.

Nga auditimi i Projektit të Cens-it 2023 u konstatua se INSTAT ka detyrimin të marrë të gjitha masat e duhura për të parandaluar hyrjen e paautorizuar në instalimet ku të dhënat personale të censit mbahen. INSTAT-i duhet t’i trajtojë të dhënat e mbledhura, të përpunuara e të ruajtura të censit si rreptësisht konfidenciale duke mos lejuar individët dhe njësitë e tjera statistikore të identifikohen në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë. Grupi i ngritur nga titullari i INSTAT cenon parashikimet ligjore. INSTAT nuk i është përmbajtur specifikimeve të sipërfaqeve sipas kërkesës fillestare drejtuar Ministrisë së Mbrojtjes, si dhe gjatë procesit të marrjes me qira të ambientit nga lidhja e kontratës bashkë me amendimin e kryer, i gjithë procesi ka qenë i pa argumentuar dhe i pa studiuar. Njësia ku magazinoheshin tabletat ambienti nuk ishte i pajisur me sistem kondicionimi kishte lagështirë në një pjesë të saj, si dhe objekti i marrë me qira aksesohej nga disa hyrje”, thuhet në raport, raporton “Top Channel“.

Në raport theksohet se KLSH ka kryer verifikimin e hapësirës të kontraktuar me qira, dhe është vënë re në kundërshtim me ligjin për censin, se njësia garazh është përdorur si parkim gjatë dorëzimit të të dhënave për procesin e CENS 2023; ndërsa aktualisht ky mjedis nuk ka asnjë material brenda dhe nuk përdoret më nga INSTAT por vazhdon të paguhet qira mujore…

Nga ana e Titullarit të Institucionit në bashkëpunim me strukturat drejtuese në INSTAT të merren masat e nevojshme për ngritjen e një grupi pune me qëllim analizimin e problematikave të konstatuara në lidhje me procesin e përzgjedhjes së ambienteve dhe pas evidentimit të mangësive në lidhje me kushtet e sigurisë, të kryhen përmirësimet konkrete duke rishikuar kushtet e kontratës së qirasë, me qëllim parandalimin në të ardhmen për rreziqet e mundshme nga humbja e të dhënave sensitive në kuadër të Projektit të Cens-it 2023, si dhe të nxirren përgjegjësitë përkatëse mbi mospërputhjen e specifikimeve teknike”, thuhet në raportin e auditimit.

Nga 7700 tableta të blera në kuadër të CENSIT 2023, auditimi zbulon se 737 pajisje elektronike vijojnë të jenë në përdorim për projekte të tjera dhe nuk është finalizuar ende procesi i mbledhjes totale të tyre.

Një ‘dashnor’ i tradhtuar: pse Putin e konsideron pushtimin e Ukrainës “një qëllim historik të arritur”

Putin humbi, Putin fitoi, Putin barazoi. Kaq shumë teste praktike të të menduarit magjik rreth Rusisë. Të gjithë reflektojnë mbi shpresat dhe zhgënjimet e tyre. Për të tretin vit me radhë, emri më i kërkuar në internet ishte ai i presidentit që ka jetuar, figurativisht, në Kremlin që nga 31 dhjetori 1999, kur mori detyrën si i përkohshëm në vend të Boris Jelcinit të rraskapitur për 25 vjet. Dhe për të thënë se viti 2024 pa edhe rikthimin e Donald Trump, njeriut që premton të zgjidhë luftën që po copëton Europën “në një minutë”.

E megjithatë, gjithmonë ai, në qendër të mendimeve tona. Në fund të marsit 2014, në ndalimin e çdo ndërhyrjeje perëndimore në Ukrainë të sapo pushtuar nga “njerëzit e gjelbër”, presidenti i atëhershëm amerikan Barack Obama e justifikoi zgjedhjen e tij duke e përcaktuar Rusinë si “një fuqi rajonale”, prandaj nuk është një përparësi për Amerikën dhe aleatët e saj.

Por në atë kohë, nëse politika ndërkombëtare matej kundër vëmendjes që i kushtonte media disa situatave, ajo kishte themelin e saj. Sot, për Perëndimin, Rusia është një obsesion, dhe vetëm kjo do të mjaftonte për të përjashtuar pa vonesë opsionin fillestar, të tre të listuarve në fillim të këtij artikulli.

Putin dhe njësia e matjes së historisë

Ndoshta Rusia duhet mposhtur, “por pa e poshtëruar atë” siç e përsëriti Emmanuel Macron deri kohët e fundit dhe siç argumentojnë privatisht diplomatët nga shumë vende, përfshirë edhe tanët. Ky tashmë është një dallim i disa peshave. Por nëse për Vladimir Putinin e vetmja njësi matëse që ka rëndësi është ajo e historisë, qëllimet e tij tashmë janë arritur me pushtimin e përgjakshëm të Ukrainës në shekullin e njëzetë.

Gjithashtu, sepse nuk e fsheh të na shikojë si një term krahasimi, i kënaqur me centralitetin e tij të sapogjetur. Duke u ndier i hedhur poshtë, ai ka zhvilluar një lloj fiksimi. E quajnë sindroma e përjashtimit. Nëse Putin është me të vërtetë një viktimë, ai nuk bën asgjë për ta fshehur atë.

Pjesa më e madhe e intervistës së tij në fund të vitit me Tass, ishte një lloj rrjedhe ndërgjegjeje në këtë kuptim. “Sapo potenciali i Rusisë u zvogëlua dhe vendi u dobësua, i ashtuquajturi Perëndim i qytetëruar filloi t’i jepte atij grushtin e shtetit de grace, në vend që ta bënte atë një partner dhe pjesëmarrës të barabartë në këtë të ashtuquajtur botë të qytetëruar“, tha ai.

E drejtë apo e gabuar, dhe këtu mbështetemi drejt hipotezës së dytë, është arsyetimi i dashnorit të tradhtuar. “Për fat të keq, bota sot është kështu. Dhe ne, nëse rifillojmë marrëdhëniet me ta, do t’i ndërtojmë ato vetëm në bazë të interesave të Shtetit tonë“. Të gjitha të thëna me një ton që shpreh një keqardhje që nuk është lënë kurrë të kuptohet kur presidenti rus i drejtohet popullit të tij. Sepse do të ishte pranimi i një dobësie.

Në koktejin shpërthyes që ai i propozoi Rusisë së thellë, keqardhja është një përbërës i ndaluar, që do të shkonte kundër të tjerëve: ne jemi një vend i madh, jemi kthyer për të trembur botën, do të heqim qafe armiqtë tanë te dera.

Çfarë ka humbur Rusia dhe çfarë mendojnë rusët

Viti që sapo ka përfunduar ka parë rënien e monedhës kombëtare, rritjen e normës së inflacionit, degradimin e mëtejshëm të nivelit të arsimit dhe kulturës shkollore, tani të asfiksuar nga izolimi, dhe së fundi edhe kthimin e një kërcënimi të brendshëm, sepse masakra e Bashkisë Crocus ka rikthyer në lajme çështjen e pazgjidhur të Kaukazit. Çarja e përjetshme në murin e pushtetit rus. Ludmila Petranovskaya, një psikologe e njohur, po përditëson vazhdimisht një listë të gjatë të gjithçkaje që populli rus ka humbur në këto tre vite lufte, që nga mbyllja e kufijve deri te pamundësia e udhëtimit, deri te ngushtimi i horizontit të ardhshëm të të rinjve.

Por siç shkruan historiani Sergej Çernyshev, i cili jo çuditërisht jeton në Novosibirsk të largët, në Siberinë më pak ekstreme, nëse konsiderojmë se dy të tretat e popullit rus jetojnë larg dhjetë qyteteve më të mëdha, në hapësirat e pafundme të mëmëdheut të tyre, atëherë populli rus nuk ka asnjë perceptim për dëmet e pësuara, ata kurrë nuk kanë humbur asnjë nga këto. Për arsyen e thjeshtë se ai kurrë nuk kishte një të tillë.

Karta trumpiste e Putinit vazhdon të jetë një realitet që ne perëndimorët luftojmë ta kuptojmë. Moska dhe Shën Petersburgu, nëse duam edhe Jekaterinburgun apo Kazanin, janë një flluskë. Sigurisht, çmimet në dyqane janë rritur. Por kush llogarit në dyqane, kur vetëm tetëdhjetë kilometra nga kryeqyteti “populli” grumbullon patate dhe kastraveca në kavanoza për dimër, duke i grumbulluar në bodrumet e tyre, si në historitë e Çehovit? Kur e vetmja dritare në botë është një televizion që u përsërit të rinjve se baballarët e tyre që u nisën për në Ukrainë janë heronj që luftojnë kundër një armiku të pamëshirshëm.

Respektimi i thellë i Rusisë ndaj kauzës së Putinit është i sinqertë, edhe nëse e kemi të vështirë ta pranojmë atë. Gjithashtu për shkak se krenaria nacionaliste është e vetmja e mirë e konsumatorit në dispozicion në treg. Ekonomia në kolaps nuk do ta zbusë Putinin. Rusia do të vazhdojë të jetë një sistem i qëndrueshëm, por i ngurtë dhe nëse ligjet e fizikës mësojnë diçka, e pakorruptueshme do të ndodhë pa paralajmërim. Nëse viti 2025 është me të vërtetë viti i negociatave, rezultati i tyre do të varet nga forcat jashtë Rusisë, dhe aftësia e tyre për të treguar unitet. Por ky është një rrugëtim që, si gjithmonë, që në fillim të Operacionit Special Ushtarak, na shqetëson, kuptohet si Perëndimi i dashur, i vjetër. Ai për të cilin edhe Vladimir Putin pendohet në zemrën e tij. /Përshtatur nga “Corriere Della Sera”

I ka fituar të gjitha në Shqipëri, Rubin Hebaj del i lirë në merkato dhe është pranë firmës me kampionët

Rubin Hebaj është aktualisht lojtar i lirë. Sulmuesi shkodran ka ndarë rrugët me Sfaxien në Tunizi dhe për të pritet një rikthim në Uzbekistan.

Janë kampionët e Nasaf Qarshi, që kërkojnë shërbimet e Hebajt. Gjithçka mbetet në dorën e 26-vjeçarit, që në Shqipëria i ka fituar të gjithë trofetë duke qenë pjesë e Partizanit dhe Tiranës.

Viti 2024 pa Hebajn të mbante veshur fanellën e tri skuadrave të ndryshme. Fillimisht të Andijon ku dhe spikati në Uzbekistan, më pas firmosi me Al Orobah ku asgjë nuk shkoi si duhet.

Në shtator firmosi me Sfaxien, një eksperiencë që po ashtu nuk zgjati shumë.

Xhenxhefil dhe kanellë për shëndet të fortë dhe trup në formë, ja vlerat ushqyese

Ginger and lemon tea in glass cup

Çdo përbërës i kuzhinës siç janë frutat, erëzat, perimet dhe barishtet është aleati ynë për të forcuar organizmin dhe për të qenë në formë.

Dy erëza në veçanti konsiderohen të plotfuqishme për t’i dhuruar fuqi organizmit tuaj dhe për t’ju furnizuar me energji.

Kur bashkohen në një, xhenxhefili dhe kanella krijojnë diçka me të vërtetë magjike.

Në këtë artikull do të mësoni më shumë për vlerat e unifikuara të tyre në ndihmë të largimit të plogështisë dhe gjallërimin e organizmit.

Vlerat e Provuara Të Kanellës.

Shumë prej qytetërimeve të lashta të kësaj bote i kanë thurur lavde kanellës, duke e cilësuar atë si Mbretëreshën e Erëzave.

Kanella është përdorur për shëndetin e njeriut që 3000 vjet më parë.

Kjo erëz aromatike është shumë e mirë për të luftuar mbipeshën.

Ajo ul përqendrimin e glukozës në gjak dhe rrit ndjeshmërinë ndaj insulinës.

Kjo do të thotë se sa herë që konsumoni karbohidrate ose sheqerna të thjeshtë, kanella shmang rritjen e menjëhershme të sheqerit në gjak.

Metabolizimi i sheqerit në dhjamë ngadalësohet, bashkë me ritmin e shtimit në peshë.

Kanella është aq e fuqishme, sa mjafton përtypja e saj për të përmirësuar përqendrimin, vëmendjen, kujtesën dhe funksionet e trurit.

Kanella ul rrezikun e shfaqjes së kancerit të zorrës së trashë dhe të mëlçisë.

Vlerat e Provuara Të Xhenxhefilit

Xhenxhefili është përdorur në mjekësinë popullore që 2000 vjet më parë. Ai është i famshëm falë përbërëve terapeutikë dhe antioksidantëve.

Xhenxhefili është i rekomandueshëm kundër inflamacionit, të vjellave, të përzierave e të tjerë. Ai përmirëson metabolizmin dhe rrjedhimisht shmang akumulimin e yndyrës në organizëm.

Pija më e mirë për të humbur në peshë.

Kombinimi i xhenxhefilit dhe kanellës në një pije terapeutike, jo vetëm që rregullon nivelin e sheqerit në gjak por edhe përshpejton metabolizmin.

Kjo pije, përmirëson qarkullimin, ndihmon në pastrimin e zorrës së trashë, pastron sistemin tretës nga bakteret dhe përmirëson shëndetin dentar.

Si Të Përgatisni Pijen Me Kanellë dhe Xhenxhefil

Përbërësit:

1 shkop kanelle

2 lugë çaji me xhenxhefil të grirë hollë

Përgatitja:

Grijeni xhenxhefilin në rende, njësoj siç do të bënit me karrotën.

Mbushni dy lugë me xhenxhefil trë grirë dhe bashkë me kanellën vendosini në një çajnik me ujë të valuar.

Lërini të qëndrojnë së bashku për 10-15 minuta. Kullojeni çajin dhe më pas sapo të jetë ftohur mjaftueshëm pijeni. Për një shije më të ëmbël përdorni mjaltë dhe jo sheqer./AgroWeb.org

Viti i zgjedhjeve dhe sfidave drejt stabilitetit

Nga Bekim Bislimi REL

Zgjedhjet e rregullta parlamentare, që do të mbahen më 9 shkurt, si dhe zgjedhjet lokale në 38 komuna të vendit, që pritet të organizohen në vjeshtë, do të jenë ndër ngjarjet kryesore në Kosovë përgjatë vitit 2025, vlerësojnë analistët politikë në Kosovë dhe Serbi.

Analistët nga Prishtina, Lulzim Pecin, nga Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave (KIPRED) dhe Njomza Arifi nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, vlerësojnë se rezultatet që do të dalin nga zgjedhjet, qoftë parlamentare, qoftë lokale, do t’i diktojnë dinamikat e zhvillimeve të mundshme politike dhe të sigurisë në vend.

Mendim të përafërt kanë edhe analistët nga Beogradi, politologu, Ognjen Gogiq dhe Dushan Janjiq nga Forumi për Marrëdhënie Etnike. Megjithatë, ata i shohin si të mundshme incidentet në veri të vendit dhe cenimin e situatës së sigurisë, në rast se nuk parandalohen ato.

Zbatimi i obligimeve që dalin nga marrëveshjet e arritura në Bruksel, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, do të jetë sfidues gjatë vitit 2025, për Qeverinë e ardhshme të Kosovës, por edhe për atë të Serbisë, vlerësojnë analistët.

Zgjedhjet parlamentare do të përcaktojnë edhe fatin e ardhshëm të liderëve në skenën politike të vendit, vlerëson Lulzim Peci.

Kjo është arsyeja pse ai pret që fillimi i vitit 2025 të karakterizohet me fushatë zgjedhore agresive të partive politike.

Megjithatë, sipas tij, qeveria e re, kushdo që do ta drejtojë, do të përballet menjëherë me kërkesat që partnerët nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë parashtruar tash e sa kohë.

“Kushdo që bëhet lider i qeverisë së ardhshme, do të përballet me kërkesat për ecjen përpara me dialog (për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë) dhe sidomos me kërkesën për dorëzimin në Gjykatën Kushtetuese të draft-statutit për Asociacionin e komunave me shumicë serbe”, thekson Peci.

Në tetor të vitit 2023, BE-ja ua dorëzoi Kosovës dhe Serbisë një “draft-statut modern” për formimin e Asociacionit. Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Franca dhe Italia – e mbështetën atë.

BE-ja dhe SHBA-ja i kanë bërë thirrje vazhdimisht Kosovës që ta dërgojë këtë draft-statut në Gjykatën Kushtetuese.

Njomza Arifi nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike në Prishtinës, vlerëson se zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit do të shpërfaqin edhe performancën e subjekteve të reja politike serbe.

Pjesëmarrjen në zgjedhje e kanë paraqitur në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve gjashtë subjekte politike serbe: Demokracia Serbe, Lëvizja Popullore Serbe, Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Partia e Serbëve të Kosovës, Nisma Qytetare Drejtësia Popullore, si dhe Lista Serbe.

“Ne konsiderojmë se nëse do te thyhej monopoli politik i Listës Serbe kjo do te kontribuonte në rikthimin e normalitetit në Kuvendin e Kosovës, si dhe përmirësimin e marrëdhënieve ndëretnike në Kosovë”, thekson Arifi.

Lista Serbe, është partia më e madhe e serbëve të Kosovës, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar. Në dhjetë vjetët e fundit, ajo ka fituar zgjedhjet dhe ka përfaqësuar komunitetin në nivelin qendror dhe atë lokal.

Në mbledhjen fillestare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), më 23 dhjetor, kjo parti nuk është certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhje, pas kundërshtimeve të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, me arsyetimin se Lista Serbe nuk e njeh shtetësinë e Kosovës.

Kjo parti është ankuar më pas në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), i cili e ka urdhëruar KQZ-në ta certifikojë këtë parti.

Më 31 dhjetor, KQZ-ja ka thënë se vendimi i PZAP-së për certifikim të Listës Serbe për zgjedhjet e 9 shkurtit, është i plotfuqishëm dhe duhet zbatuar.

Deputetët e Listës Serbe, në legjislaturën e fundit, kanë bojkotuar shumicën e seancave të Kuvendit të Kosovës.

Në katër komunat në veri – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan – Lista humbi pushtetin, pasi kryetarët e komunave atje hoqën dorë nga mandatet, si pjesë e dorëheqjes kolektive të serbëve nga institucionet e Kosovës, në nëntor të vitit 2022, përfshirë edhe policinë dhe gjyqësorin.

Në vend të tyre, pushtetin e morën kryetarë nga partitë politike shqiptare, të cilët dolën nga zgjedhjet lokale në ato komuna, në prill të vitit 2023.

Ata u kundërshtuan nga serbët lokalë dhe ishin shkas për tensione dhe përplasje të grupeve të serbëve më Policinë e Kosovës dhe pjesëtarët të misionit të NATO-s në Kosovë – KFOR.

Politologu nga Beogradi, Ognjen Gogiq, vlerëson se raportet e partive politike serbe dhe atyre shqiptare do të fillojnë të përcaktohen gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

Një fushatë e ashpër, sipas tij, do t’i ashpërsonte edhe raportet ndërmjet tyre.

Këto raporte, sipas tij, do të varen edhe nga fakti se kush do t’i prijë qeverisë së ardhshme të vendit, dhe a do të ketë bashkëpunim të partive serbe me atë qeveri.

“Ky është faktori kryesor dhe këtë do ta kuptojmë në shkurt. Kjo do ta ruajë tonin gjatë tërë vitit. Më pas, vijnë zgjedhjet lokale, të cilat sërish janë më të rëndësishmet për serbët dhe për veriun, për shkak se përmes tyre do të mund të arrihej deri te kthimi i serbëve në institucione”, tha Gogiq.

Në shtator, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një adresim para kombit, kërkoi shpalljen e zgjedhjeve të reja lokale në veri të Kosovës, kthimin e serbëve në Policinë e Kosovës dhe gjyqësor, si dhe tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga rajoni i veriut.

Lulzim Peci vlerëson se zgjedhjet lokale të rregullta që do të mbahen në vjeshtë, do të kenë ndikim të madh në konfigurimin politik të Kosovës, përfshirë edhe veriun e saj të banuar me shumicë serbe.

Ai konsideron që përfaqësuesit politikë të serbëve do të marrin pjesë në ato zgjedhje.

“Do të kemi një situatë interesante, sepse në aspektin politik do të jenë përfaqësuesit serbë të popullatës lokale serbe në veri. Ndërkaq, në anën tjetër, shumica e policëve atje do të vazhdojnë të jenë të komunitetit shqiptar. Të njëjtën gjë e kemi edhe në drejtësi”, thekson Peci, i cili shtoi se kthimi i serbëve të veriut në polici dhe gjyqësor kërkon zgjidhje politike, në mënyrë që të ecet para drejt stabilizimit të Kosovës në përgjithësi.

Edhe Gogiq e sheh pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhjet parlamentare, e sidomos në ato lokale në komunat veriore të Kosovës, si një rrugë që mund të çojë drejt uljes së tensioneve ne atë pjesë të vendit.

“Ato zgjedhje bartin shansin. Se a do të kuptohet ky shans, është e vështirë të thuhet në këtë moment. Mbase (zgjedhjet) mund të jenë edhe pretekst për përplasjet e reja”, thekson Gogiq.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media, më 24 dhjetor, ka komentuar mundësinë e veprimeve dhe incidenteve që mund ta sfidojnë sigurinë në Kosovë.

“…pritet të ndodhin edhe në të ardhmen e afërt, dhe veçmas para dhe pas Vitit të Ri”, ka thënë Kurti.

Ai ka komentuar sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit, që ndodhi më 29 nëntor 2024 në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut, duke thënë se urdhrin për kryerje e ka dhënë Millan Radoiçiq, ndërkaq përgjegjës për financimin, planifikimin dhe logjistikën e sulmit është shteti i Serbisë.

Radoiçiq ka pranuar përgjegjësinë për organizimin e sulmit në Banjskë të Zveçanit , më 24 shtator 2023, ku mbeti i vrarë rreshteri policor Afrim Bunjaku. Në përleshje e sipër më pas janë vrarë edhe tre sulmues serbë.

Radoiçiq aktualisht po hetohet në Serbi, ndërkaq autoritetet e Kosovës kërkojnë që ai t’i nënshtrohet drejtësisë në Kosovë.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vazhdimësi u kanë bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që t’i kthehen dialogut dhe të shmangin veprimet që tensionojnë situatën.

Njomza Arifi shpreh mendimin se pas ndryshimeve në institucionet e Bashkimit Evropian dhe ardhjes në krye të diplomacisë evropiane të Kaja Kallasit, mund të pritet që viti 2025 të jetë më pozitiv në kontekstin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në krahasim me vitin 2024.

“Mund të presim një ekip ndërmjetësues më pozitiv nga BE-ja, ndërsa administrata (e presidentit të zgjedhur amerikan, Donald) Trump me shumë gjasë do t’ia lë barrën e ndërmjetësimit Brukselit”, u shpreh Arifi.

Por, kështu nuk mendon Dushan Janjiq nga Forumi për Marrëdhënie Etnike në Beograd.

Ai konsideron se dialogu i lehtësuar nga Bashkimi Evropian është rrënuar, për shkak se vetë BE-ja nuk ka një politikë të qartë të “menaxhimit të konfliktit”, e cila do të merrej me qetësimin e tensioneve dhe situatave që çojnë drejt destabilizimit.

Janjiq konsideron se “kriza e sigurisë”, do të vazhdojë edhe në vitin 2025.

Duke iu referuar sulmeve në Banjskë dhe në kanalin Ibër-Lepenc si “akte terroriste”, Janjiq thekson se incidentet janë bërë pjesë e politikës ose të konfliktit brenda marrëdhënieve politike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Kjo do të thotë që do të kemi forma të ndryshme (të incidenteve), sikurse forma që kishte sulmi i fundit terrorist në kanalin Ibër-Lepenc, e para saj edhe në Banjska. Pra, nuk përjashtohet një seri e ngjarjeve të tilla deri në maj apo qershor”, theksoi Janjiq.

Ai shtoi se tashmë është e qartë që nëse të dyja vendet, Kosova dhe Serbia dëshirojnë t’i normalizojnë marrëdhëniet dhe të hyjnë në Bashkimin Evropian, atëherë ato duhet të bëhen pjesë e NATO-s.

Në pozicionet e tanishme, të dyja vendet, sipas tij, janë “të ekspozuara ndaj ndikimit rus dhe ndikimeve tjera negative”.

Por, përderisa pritja, që gjatë vitit 2025 të dy vendet të anëtarësohen në NATO, nuk është reale, Janjiq beson që së paku do të arrihet një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë “për pakon e sigurisë”.

“Mendoj se qysh moti ekziston vetëdija për një gjë të tillë në Londër. Është e qartë se ideja e tillë është e afërt edhe për mënyrën e qeverisjes së Trumpit. Kjo, sigurisht se do të vijë në radhën e prioriteteve. Nuk do ta bëjnë këtë përmes këtyre mekanizmave që thonë ‘më mirë 100 vjet bisedime’, sikurse BE-ja. Kjo bëhet me grupin e QUINT-it dhe NATO-n. Nuk ka aty ndërmjetësues dhe të tillë të ngjashëm”, theksoi Janjiq.

Ai shtoi se një marrëveshje e tillë do t’i definonte raportet e ndërsjella të institucioneve të sigurisë dhe të drejtësisë të të dyja vendeve, pa hyrë në pikëpamjet delikate dhe të kundërta të tyre lidhur me statusin e Kosovës.

“Duhet të menaxhohet me sigurinë, për shkak të luftërave, të cilat është e mundur të zgjerohen edhe në Ballkanin Perëndimor”, përfundoi Janjiq.