23.5 C
Tirana
E martë, 8 Korrik, 2025

“Rezultatet e censusit nuk janë ruajtur”/ KLSH ngre alarmin: Asnjë siguri për të dhënat e shqiptarëve!

Të dhënat e shqiptarëve të mbledhura për censin 2023 nuk janë ruajtur siç e kërkon ligji.

Mjedisi i kontraktuar për grumbullimin e materialeve ka qenë një garazh me qira mujore 420 mijë lek dhe të dhënat e popullsisë kanë pasur risk të lartë keqpërdorimi. Ky është përfundimi që arrin KLSH pas auditimit të kryer ndaj INSTAT, ku në raport thuhet se skuadra e ngritur në këtë proces për sigurimin e një ambienti me qira për vendosjen e pajisjeve elektronike të cilat shërbejnë për mbledhjen e të dhënave të popullsisë dhe banesave ka rrezikuar në mënyrë të ndjeshme parimet e sigurisë së të dhënave sensitive si dhe konfidencialitetin e tyre.

Instituti i Statistikave i kërkoi ministrisë së Mbrojtjes si fillim një hapësirë prej 650 m2 minumimi të ndarë në 3 dhoma, ku nënvizonte që ‘materialet është shumë e rëndësishme që të ruhen në kushte larg lagështirës, dëmtimit dhe aksesit të pa autorizuar dhe ruajtje fizike 24 orë”. Mirëpo në mungesë të një vendi të tillë të lirë, INSTAT lidhi  kontratë me një subjekt tregtar për një magazinë me qira që auditimi i KLSH e vlerëson si hapësirë të papërshtatshme; e cila është monitoruar nga ora 22:00-6:00 për 8 orë nga një roje fizike.

“Nga auditimi i Projektit të Cens-it 2023 u konstatua se INSTAT ka detyrimin të marrë të gjitha masat e duhura për të parandaluar hyrjen e paautorizuar në instalimet ku të dhënat personale të censit mbahen. INSTAT-i duhet t’i trajtojë të dhënat e mbledhura, të përpunuara e të ruajtura të censit si rreptësisht konfidenciale duke mos lejuar individët dhe njësitë e tjera statistikore të identifikohen në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë.

Grupi i ngritur nga titullari i INSTAT cenon parashikimet ligjore. INSTAT nuk i është përmbajtur specifikimeve të sipërfaqeve sipas kërkesës fillestare drejtuar Ministrisë së Mbrojtjes, si dhe gjatë procesit të marrjes me qira të ambientit nga lidhja e kontratës bashkë me amendimin e kryer, i gjithë procesi ka qenë i pa argumentuar dhe i pa studiuar. Njësia ku magazinoheshin tabletat ambienti nuk ishte i pajisur me sistem kondicionimi kishte lagështirë në një pjesë të saj, si dhe objekti i marrë me qira aksesohej nga disa hyrje”, thuhet në raport, raporton “Top Channel”.

Në raport theksohet se KLSH ka kryer verifikimin e hapësirës të kontraktuar me qira, dhe është vënë re në kundërshtim me ligjin për censin, se njësia garazh është përdorur si parkim gjatë dorëzimit të të dhënave për procesin e CENS 2023; ndërsa aktualisht ky mjedis nuk ka asnjë material brenda dhe nuk përdoret më nga INSTAT por vazhdon të paguhet qira mujore…

“Nga ana e Titullarit të Institucionit në bashkëpunim me strukturat drejtuese në INSTAT të merren masat e nevojshme për ngritjen e një grupi pune me qëllim analizimin e problematikave të konstatuara në lidhje me procesin e përzgjedhjes së ambienteve dhe pas evidentimit të mangësive në lidhje me kushtet e sigurisë, të kryhen përmirësimet konkrete duke rishikuar kushtet e kontratës së qirasë, me qëllim parandalimin në të ardhmen për rreziqet e mundshme nga humbja e të dhënave sensitive në kuadër të Projektit të Cens-it 2023, si dhe të nxirren përgjegjësitë përkatëse mbi mospërputhjen e specifikimeve teknike”, thuhet në raportin e auditimit.

Nga 7700 tableta të blera në kuadër të CENSIT 2023, auditimi zbulon se 737 pajisje elektronike vijojnë të jenë në përdorim për projekte të tjera dhe nuk është finalizuar ende procesi i mbledhjes totale të tyre./Pamfleti

Moti i keq në SHBA, priten reshjet më të mëdha të dëborës të regjistruara në vend gjatë 10 viteve të fundit

Një valë dëbore, akulli, erërash dhe temperaturat në rënie krijuan kushte të rrezikshme për udhëtimin në disa pjesë qendrore të Shteteve të Bashkuara të dielën, pasi një stuhi dimërore pritet të sjellë mundësinë e “reshjeve më të mëdha të dëborës prej një dekade” në disa zona.

 

Bora dhe akulli mbuluan rrugët kryesore në pothuajse të gjithë Kansasin, Nebraskën perëndimore dhe pjesë të Indianës, ku Garda Kombëtare e këtij shteti u aktivizua për të ndihmuar udhëtarët e bllokuar në makina.

Pritej të paktën 20 cm dëborë, pasi Shërbimi Kombëtar i Motit qarkulloi paralajmërime për stuhi dimërore për shtetet Kansas dhe Missouri. Paralajmërimi u shtri edhe në Neë Jersey për të hënën dhe deri në orët e para të së martës.

“Për vendet në këtë rajon që do të kenë sasitë më të mëdha të borës, mund të jenë reshjet më të mëdha në të paktën një dekadë“, tha shërbimi i motit të dielën herët.
Rreth 63 milionë amerikanë banojnë në zonat që mund të preken të dielën, sipas specialistit Bob Oravec, me Shërbimin Kombëtar të Motit.

Vorbulla polare e ajrit tepër të ftohtë zakonisht rrotullohet përreth Polit të Veriut. Njerëzit në Shtetet e Bashkuara, Evropë dhe Azi e përjetojnë të ftohtin e tij intensiv kur rrymat e ajrit zhvendosen drejt jugut.

Studimet tregojnë se ngrohja e shpejtë në Arktik është pjesërisht shkaku për frekuencën në rritje të vorbullës polare që zgjeron ndikimin e saj të akullt.

Stuhia pritet të përfshijë edhe kryeqytetin Uashington dhe rrethinat e tij. Shërbimi Kombëtar i Motit parashikoi nga 20 deri në 30 centimetra dëborë për zonën e Anapolisit, Maryland, me temperatura të mbetura nën zero gjatë gjithë fundjavës.

Në një deklaratë në rrjetin X, guvernatori i Virxhinias, Glenn Youngkin shpalli gjendjen e jashtëzakonshme të premten në mbrëmje përpara stuhisë dhe i inkurajoi banorët të votojnë përpara zgjedhjeve speciale që mbahen për këtë shtet të martën.

Deklarata të ngjashme për gjendjen e emergjencës u bënë në Kansas, Kentaki, Mariland dhe në qytetet qendrore të Illinoisit.

“Është vërtet serioze”, tha meteorologu John Gordon në një konferencë shtypi në Louisville, Kentucky./VOA/

Të shtëna me armë zjarri në qendër të qytetit! Sherr mes të rinjve, përfituan nga ndërprerja e energjisë elektrike dhe…

Një sherr mes  disa të rinjve është regjistruar mbrëmjen e sotme në bulevardin “Ismaiil Qemali” në Vlorë.

Burime bëjnë me dije se sherri ka agravuar deri në përdorimin e armës së zjarrit. Në konflikt e sipër është qëlluar me armë në ajër.

Për fat të mirë nuk raportohet për të lënduar.

Në momentin që ka ndodhur konflikti mes tyre në qytet nuk ka patur energji elektrike. Mësohet se të rinjtë kanë përfituar nga errësira dhe janë larguar.

BIRN: Krimi i organizuar ka implikuar nivelet drejtuese të Policisë shqiptare

Nga Klodiana Lala

Policia e Shtetit në Shqipëri përmbylli një cikël të ri ndryshimesh në dhjetor, duke filluar nga drejtori i Përgjithshëm dhe deri tek shefat e komisariateve të vendit. Ndryshimi i të gjithë zinxhirit drejtues u motivua publikisht me nevojën për të përmirësuar imazhin e policisë, po aq sa për të rritur parametrat e sigurisë dhe rezultatet në luftën kundër krimit.

Kjo është një betejë e vjetër për Policinë shqiptare, imazhi i së cilës u dëmtua edhe më shumë gjatë dy viteve të fundit nga arrestimi i një duzine oficerësh të lartë, të cilët akuzohen se u vendosën në shërbim të rrjeteve të krimit të organizuar.

Niveli i depërtimit të krimit të organizuar në strukturat e Policisë së Shtetit doli në sipërfaqe përmes komunikimeve të aplikacionit Sky ECC, të cilat iniciuan disa operacione dhe hetime të Prokurorisë së Posaçme.

Sipas Adriatik Agos, ish-drejtues i strukturave të policisë dhe ekspert për sigurinë, këto komunikime ekspozuan implikimin në nivele të larta të Policisë së Shtetit.

“Panoramat e reja, të dhënat inkriminuese që sollën këto platforma të komunikimeve elektronike vërtet janë të dhimbshme, kur dëgjon për nivele të larta, për funksione menaxheriale që janë të implikuar. Nga rastet e hetimeve të SPAK-ut, është mëse e qartë që nivele të larta apo funksione të veçanta si në nivelet vendore, ashtu edhe në nivele qëndrore janë të implikuar,” tha Ago.

Mes zyrtarëve të arrestuar, ish-shefi i Forcës Operacionale, Oltion Bistri akuzohet për rrjedhje të informacioneve sekrete për llogari të rrjeteve të krimit të organizuar, ndërsa ish-drejtori i Policisë së Lezhës, Henerigert Mitri akuzohet për lejimin e kultivimit të kanabisit në shkallë të gjerë.

Drejtues të tjerë policie akuzohen se u përfshinë drejtpërdrejt në planet për të eliminuar rivalët apo në kultivimin e kanabisit gjatë viteve 2019-2021.

Drejtuesit e institucioneve që kontrollojnë integritetin e efektivëve të policisë në Shqipëri i quajnë rastet të izoluara, ndërsa pohojnë se kanë ngritur një sërë filtrash për vetëpastrimin e radhëve të uniformave blu.

“Nuk bëhet fjalë për një numër shumë të madh për hir të së vërtetës, janë raste sporadike dhe të izoluara po sigurisht që meritojnë vëmendjen jo vetëm të Prokurorisë së Posaçme, por sigurisht edhe të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore,” thotë drejtori i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Florian Sulejmani.

“Për vitin 2024 ne kemi një sërë rezultatesh në këtë drejtim, me qëllimin e vetëm pastrimin e strukturave të Policisë së Shtetit nga elementë të inkriminuar dhe që turpërojnë uniformën e Policisë së Shtetit,” shtoi ai.

Vetëm gjatë vitit të fundit, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore raporton se ka bërë 272 referime penale për 425 punonjës policie të dyshuar për shkelje të rënda disiplinore që lidhen kryesisht me vepra të shpërdorimin e detyrës, korrupsionin apo ushtrimin e ndikimit të paligjshëm.

Edhe kreu i Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit, Dhimitraq Ziu thotë se janë marrë të gjitha masat që sistemi të vetëpastrohet përmes testeve të integritetit dhe procedimeve disiplinore.

“Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka marrë një sërë masash dhe po aplikon një sërë detyrash për vetëpastrimin e Policisë së Shtetit. Ato orientohen drejt dhe qartë mbi detyrimet që rrjedhin mbi planin e integritetit të Ministrit të Brendshëm… ku ka për qëllim parandalimin e korrupsionit në strukturat e policisë, promovimin e transparencës, rritjen e profesionalizmit, rritjen e besimit dhe forcimi i mekanizmit të kontrollit të Brendshëm të Policisë së Shtetit,” thotë Ziu.

Megjithatë, ekspertët e sigurisë i shohin me dyshim masat antikorrupsion në radhët e Policisë Shqiptare.

“Nuk ka besim Policia te masat antikorrupsion që janë duke u marrë, për assye sepse punonjësit e Policisë nuk shohin ndonjë shembull pozitiv tek drejtuesit e tyre në nivel vendor apo kombëtar dhe pak a shumë edhe me shifra, në një masë shumë të konsiderueshme, strukturat më të korruptuara janë nivelet drejtuese dhe zyrtarët e lartë të policisë në nivel vendor apo kombëtar,” shpjegon Sotiraq Hroni, drejtor i Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim me qendër në Tiranë.

Hroni thekson se faktori kryesor që ndikon në inkriminimin e policisë së Shtetit lidhet me korrupsionin e gjithëpërhapur në shoqërinë shqiptare. Një rol qëndror negativ duket se luan edhe ndikimi i politikës.

“Në masën 74% punonjësit e policisë mendojnë se një nga faktorët kryesorë, ndër më të rëndësishmit në fakt, për nivelin e inkriminimit është edhe ndikimi i politikës,” theksoi ai.

Faktorë të tjerë lidhen sipas tij me procesin e rekrutimit, kulturën e punës apo mungesën e meritokracisë në radhët e Policisë së Shtetit.

Defektet në linjat elektrike lënë pa drita Durrësin, Lushnjen, Fierin dhe Vlorën

Shkëputja e energjisë elektrike ka prekur disa qytete të Shqipërisë, duke lënë pa furnizim me energji disa zona të mëdha.

Burime bëjnë me dije se qyteti i Durrësit ka mbetur pa energji elektrike për shkak të një problemi në rrjetin elektrik që ka ndodhur në zonën e Rrashbullit, duke prekur linjë 220kW.

Po ashtu, edhe qytetet e Lushnjës dhe Fierit janë pa energji elektrike, ndërsa situata duket më e rënduar për të gjithë qarkun e Vlorës, që gjithashtu është pa furnizim elektrik.

Batërdia e trarëve

Në vitin 2015 qeveria shqiptare pajtoi një kompani të njohur greke për të hartuar strategjinë kombëtare të rrugëve me pagesë. Për 6 muaj, Egnatia Odhos studioi të gjithë rrjetin rrugor kombëtar dhe në fund dorëzoi raportin me rekomandimet përkatëse se cilat akse duhet të bëheshin me pagesë dhe se sa duhet të paguanin qytetarët për kalimin në to.

Sipas raportit, tarifat e kalimit në rrugë duhet të varionin nga 0.01 euro për kilometër deri në 0.035 euro për kilometër. Kjo e fundit ishte gjykuar nga konsulenti si nivel maksimal i tarifës së kalimit që mund të përballonin qytetarët shqiptarë pa cënuar në mënyrë domethënëse jetesën e tyre. Por korrupsioni e çoi rekomandimin në kosh. Që në muajt e parë.

Kur vendosi traun në rrugën Durrës-Kukës, qeveria miratoi një tarifë kalimi 5 euro për automjet. E gjithë gjatësia e kësaj rruge është 114.5 kilometër, që do të thotë se tarifa mesatare e kalimit u vendos 0.044 euro për kilometër. Pra 26 për qind më shumë se sa niveli maksimal i përballueshmërisë që kishte rekomanduar konsulenti.

Dhe kjo nuk ishte e gjitha. Në rrugën Milot-Morinë nuk tarifohet me kilometra, por pagesa është fikse. Pra edhe një automjet që përshkon vetëm 20 kilometër të rrugës paguan sërish 5 euro. Rezultati i kësaj batërdie tani nuk fshihet dot më as në bilancet e koncesionarit.

Vitin e kaluar kompania Albanian Highway Concession arkëtoi 19.6 milionë euro nga tarifa e kalimit. Kjo shifër ishte 20 për qind më e lartë edhe se sa skenari më optimist i kontratës së koncesionit.

Kontrata koncesionare sanksionon se çdo tejkalim të ardhurash mbi skenarin bazë të parashikuar në kontratë do të ndahet në masën 60 për qind me 40 për qind mes qeverisë dhe kompanisë koncesionare. Sipas bilancit zyrtar, vitin e kaluar të ardhurat e mbledhura nga tarifa e kalimit të rrugës ishin 3.8 milionë euro më të larta se sa limiti i parashikuar në kontratë. Rrjedhimisht qeveria përfitoi 2.3 milionë euro nga tejkalimi i të ardhurave. Pra rrjep koncesionari, rrjep dhe qeveria.

E megjithatë Durrës-Kukës ishte vetëm fillimi. Pas saj erdhën koncesionet e tjera. Tek të gjitha ato, tarifat e kalimit kanë kapur qiellin. Në aksin Thumanë-Kashar të ndërtuar tashmë, tarifa e kalimit është 0.12 euro për kilometër. Në aksin tjetër nga Miloti në Balldrenë tarifa e kalimit do të jetë po 0.12 euro për kilometër. Pra 3.5 herë më shumë se sa niveli maksimal i përballueshmërisë që pati rekomanduar konsulenti ndërkombëtar në vitin 2015.

Tani çfarë ka ndodhur, që tarifa u katërfishua? A e beson Edi Rama se të ardhurat mesatare të shqiptarëve janë 4-fishuar krahasuar me vitin 2015? Që kjo të ndodhte rritja ekonomike e Shqipërisë duhet të ishte minimalisht 40 për qind në vit.

Pra të ardhurat nuk janë katërfishuar, që mund të rrisnin nivelin e përballueshmërisë së familjeve. Ajo që është katërfishuar është korrupsioni. Dhe ai është galopant. Merrni vetëm një rast.

Një qytetar shqiptar që duhet të udhëtojë nga Tirana në Balldrenë të Lezhës duhet të paguajë 5.6 euro vetëm në një drejtim. Rruga është vetëm 51.7 kilometër e gjatë. Një qytetar grek që udhëton nga Kosturi në Selanik paguan 3.8 euro tarifë kalimi. Rruga është 195 kilometër e gjatë. Bëni shumëzimet vetë dhe llogarisni se sa ju vjedhin.

Por mos prisni që SPAK-u të kapë hajdutët. Kjo është vjedhje me ligj, që nuk ka vepër penale. Kjo ndalohet vetëm me votë./Kapitali.al

“Dhjetë muaj në arrati kishte qëndruar në një shpellë me një ujk”- Dëshmia e rrallë e fratit të famshëm: Në kampin e Kënetës së Maliqit njoha një të burgosur nga Kurbini, i cili…

Nga At Zef Pllumi

-KËNETA E MALIQIT-

N’e nesret në mëngjes, hyni aty komandanti. Tha se aty do të rrijshin, deri t’i paraqitshin nji kerkesë komandës, në të cilën të theksohej zotimi për të realizue normën çdo ditë. U diskutue shumë në mes nesh. Un ishem kundra çdo deklarate, por shumica ishin të lodhun e të këputun, nuk mund të jetojshin ma, me 400 gr. bukë thatë e, nji gjysë litër ujë. Si ma i shkolluemi që ishem, më ngarkuen me shkrue deklaratën. E shkrova, por nuk mora kurrnji zotim për normën, vetëm se vuna aty që; “zotohemi të punojmë sa kemi fuqi“. Kur i shkrova emnat e u desht që të firmoste secili, e shumta ishin analfabetë dhe u dojte me vu gishtin. M’erdhi çudi dhe i pveta të madhe:

-“Po të gjithë jeni të dënuem për politikë”?!
-“Po”.
U turbullova shumë: nuk kishem mundsi me e kuptue, se ku ishin politikanët e popullit shqiptar. Lutja u nis. Kur shkrova emnat e secilit, vuna re se aty ishin edhe dy katolikë tjerë. Ma vonë iu avita njanit dhe e pveta.
-“Prej ka je ti”?

-“Prej Kurbinit” – m’u përgjegj.

-“Po qysh kur ke ra në burg”?

-“Tash more djalë, tash kam ardhë un. Me çka mora vesh ti je prift”?!

-“Po”.

-“Ku ke shërbye, në Mirditë apo Dukagjin”?

-“Nuk kam shërby kurrkund, se posa mbarova shkollën, kta më prunë ktu mbrendë. Po ty pse të kanë pru këtu? A ke strehue ndonji të arratisun”?

-“Jo, jo, un ishem vetë i arratisun”.

-“Ti i arratisun? Po a thu ke njoftë nji dajë timin, Fran Mirin, se andej afër Kurbinit asht sjellë edhe ai”?

-“Pse nipi i Fran Mirit, je ti? Franin jo vetëm se e kam njoftë, por në fillim kam ndenjë me te pak kohë në mal, ishte e vështirë me ndenjë me te. A ke ndigjue se ka vdekë”?!

-“Po, tash pak kohë e mora vesh”.

-“Ai e ka kërkue vdekjen vetë, se nuk rrinte rehat. Ai, lene se kishte thye burgun e Tiranës e, kishte dalë në mal, mbasi ishte kenë i dënuem me vdekje: ai kërkonte me vra sa ma shumë komunista, ndërsa un, ishem xhandar dhe dola në mal vetëm me mujtë me shpëtue, që të mos më mbysnin në valën e parë.

Kur jam nda prej Franit, kam pregatitë nji shpellë, që e dijshem vetëm un: aty çova disa enë, nji mokën të vogël edhe mjaft krypë, se kur vidhshim ndonji dash a, ndonji cjap, për me tha mishin duhej shumë krypë. Zuna vend në atë shpellë e, u ruejshem që mos të më diktojë kurrkush: Shkojshem me vjedhë kallamboqa nëpër ara e, i barshem në shpellë, i varshem tuba-tuba, për me u tha.

Kshtu ishem sigurue me gjithshka: mish boll, misra boll, krypë po, kishem shti edhe mjaft dru. Shi atje edhe nji puçik uj, që nuk shterrej kurr: aty delte e aty hupte. Aty rrishem un. Aty më zuni dimni. Ti e shef se tash disa vjet, dimnat po janë shumë të vështirë e, plot borë.

Në nji kso netësh, un kishem ndezë aty mbrenda shpellës, nji zjarr të mirë me dru lisi, ndërsa jashtë kishte nji gju bore. Vazhdonte me ra borë e, frynte veri me të këputë. Te zjarmi kishem vu bukën me u thekë e, mishin me u pjekë. Po ndjej zhurmë hapash që aviten. Ah, thashë, këta partizantë, janë vetë djalli: duen me ndjekë ravet nëpër borë.

Kapa pushkën në dorë e, i hoqa siguresën: M’erdh çasti i vdekjes. Nuk kishem kah iki: aty m’u donte me dekë si burrat, pa dashtë un. Por hapat që hynë në shpellë, nuk kjenë njeriut: u duk nji ujk. Hajde, hajde, edhe kjo m’u desh. Me shprazë në ujkun, nigjojshin partizanët. Ndeja gati. Ujku kur pa zjarmin u ndal.

Kqyri gjatë e gjatë: u ndeshëm sy për sy; e ndjeva vedin të fortë: kishem zjarrin në mes e, pushkën në dorë. Ujku u shtri barkas. Ndej ashtu për disa minuta, mandej u çue, bani edhe pak hapa para, ma afër zjarrit. U shtri barkas e uli kryet, si për me fjetë. Un aty roje, me pushkë ngrefë. Por ujku nganjiherë i hapte sytë, mandej i mbyllte përsëri. Kur i hapi, ndeja gati e i hodha nji copë bukë të ngroftë. U çue, u avit, e nuhati dhe u largue.

Vetëm atëherë u kujtova, se ujku nuk han bukë. I hodha nji copë mishi të pjekun. U çue, u avit dhe e përlau si ujk. I hodha edhe copën tjetër, që kishem për vedi; e përlau edhe atë. U avit nja tre hapa larg zjarrit, u shtri përdhe e, u shtri me fjetë. Ai fjeti i qetë, gjithë natën e gjatë, ndërsa un, roje me pushkë në dorë, pa mbyllë sy. Ai besohet ujkut?! Për fat, sa zbardhi dita, duel ujku. Iu fala nderes Zotit, që më shpëtoi prej tij dhe rashë e fjeta: ishem kputë për gjumë.

Njatje vonë u zgjova; dishka po lëvizte nëpër shpellë. Pushkën në dorë e u vuna me shikue. Shof atë ujkun, që po tërhiqte zvarrë nji kec. Kur mbrrijti në gjysë të shpellës, e lshoi dhe iku me vrap. Un atëherë me shpejtsi, nxora thikën e mpreftë, e rrjepa, e ndava, e krypa dhe e vara me u tha në tym. Më kishte marrë malli për mish të freskët dhe e vuna në zjarm, me pjekë nji copë të mirë.

Por, mbasi u err, ujku kthei përsri në shpellë. Hangri çka gjet përtokë. Erdh e u shtri afër zjarmit si natën e parë. Kur hangra mishin e pjekun, pjesën ma të madhe, ia hodha atij: u çue me vrap, jo vetëm që hangri mishin, por u mundue me blue edhe kockat, porsi qen. Kishte me të vërtetë oreks. E para herë në jetë, që rrijshem aq afër ujkut. Mbasi hangri, u shtri bri zjarmit e, fjeti përnjimend. Ndeja zgjuet deri vonë: ujk ishte ai, a mund t’i besohej? Por dikur më kapi gjumi me pushkë në dorë.

N’e nesret mbramje, ujku erdh përsri dhe hangri mish të pjekun me shije të madhe e, kah i ngulte dhambët, me kqyrte si qen. Në të tretën dite, pruni në shpellë përsri nji ftujë të mirë. Me ujkun u bamë miq e, dashamirë. Javë për javë, e shpesh edhe dy herë në javë, më binte në shpellë, nji kec o nji qingj, e kanjiherë, edhe desh e cjep.

E kaluem dimnin bashkë, për bukuri. Kur duel pranvera e vera, ai aty se aty, por nuk avitej ma tek zjarmi, por rrinte te hymja e shpellës. Thojshem me vedi; a thue asht ujk i vërtetë apo, ndonji qen që ma ka pru Sh’Martini e Shna Rroku?! Lidhëm bashkë nji miqsi të çuditshme, por kurrë nuk u avitëm, me përkdhelë shoqi-shojnë.

Kështu vazhduem për rreth 10 muej. Ishte tue u ndie ardhja e vjeshtës, me stuhi të trazueme. Ndjeva se në mal, krisi nji pushkë. Edhe mue dishka më krisi në zemër. Pata nji shqetsim. A thue – thashë me vedi – ma vranë ujkun tem?! Ujku nuk kthei në shpellë atë natë. Fjeta pak, se ishem shumë i shqetësuem. As n’e nesret, ujku nuk u duk.

Vendosa me dalë e me e kërkue. Por, me dalë prej shpelle, ku ta kërkojshem ujkun në mal?! Nuk mujshem me ndejë ma i vetëm, pa ujkun tem. Vendosa: në rasë se më kanë mbytë ujkun, un do të dorzohem. U nisa me kërkue ndonji shpi a ndonji stan. Kishte dy vjet që ishem shkëputë fare prej njerzve e, tash jetojshem me nji ujk.

E pveta:

-“Keni vra në kto dit, nji ujk”?

-“Çka don me thanë ti, me kto fjalë”?!

-“Un due me thanë: a keni vra ndonji ujk, ju, ose ndonji i afër”.

-“E kujt i thue ti ujk”?!

-“Ujkut. Ujku i malit”.

-“Ujkut?! Po kjo fjalë asht me dyshim”?

-“Si me dyshim?! Ujku asht ujk, ai që mësyn berret e dhitë, i shkyen e i han”.

Ai kqyrte pushkën që kishem mbi sup, por nuk e kishte të kjartë, se kush isha un: o nji i arratisun, a por nji spiun i Sigurimit, që gjurmon të arratisunit. Prandej dyshonte në fjalën “ujk” mbasi të dyja palët, e përdornin për kundërshtarin e vet.

-“Due me dijtë – i thashë – a asht vra në këto dy-tri dit, ndonji ujk që han beret”?

-“Ujk, tamam ujk”?

-“Po pra ujk, me katër kambë”.

-“Për çka dij un, ndër këto shpijat tona, jo, se e kishem marrë vesht. Megjithktë në shpatin atje përtej, kanë stanet disa çobej, a t’i thrras”?

-“Po, thirri”.

Atëhere ai aviti dy duerët afër gojes dhe thirri me të madhe, me sa za kishte:

-“Ooo o o ju çobanet e Gallatës, a jini aty more..e..e”! – tri herë thirri kështu. Prej shpatit tjetër të malit, erdh jehona:

-“Po ç’thue more..e..e”?!

-“O..o o o erdha more…” – atëherë u suell e më tha – hajde të shkojmë, se nuk janë fjalë, që me i ndie gjithkush.

Un i thashë:

-“Nuk vij me ty: shko ti vetem e pveti: a thue kanë vra nji ujk në këto dy-tri dit? Un po të pres shi këtu”.

Ai më tha:

-“A e din se, me shkue e me ardhë prej andej, të duhen dy-tri orë”?!

-“Pres un, mos u ban merak”.

Ai u nis. Në shpatin përtej luginës, ndigjojshem cingaret e dhive e kumbonët e berreve. Ndigjojshem edhe fyellin e çobanit e, kangën mbas krahit. Kundrojshem për karshi tufat që dalëkadalë, zbrisnin në luginë: jetë e bukur, jetë e lirë e, jo si ajo e ujkut të shpellave.

Mbas pak orësh kthei e, më tha:

-“Po, more, me të vërtetë ata para tri ditësh, e kishin vra nji ujk. Bile, më thanë se ishte kenë ujku ma i rrezikshëm i atyne maleve e, që kishte ba dame shumë të mdha. Po ku i din ti kto punë”?!

-“Un?! Po, un ishem çoban i ujkut”!

-“Si, çoban i dreqit”?!

-“Ec e e…ti nuk din gja: ai ishte ma besnik, se çdo njeri.

Ndigjo – i thashë atij burrit – ti nuk më njef, as un nuk të njof. Un jam nji komit. Jam arratisë tash disa vjet. Po bahen gadi 10 muej, që kam jetue bashkë me kët ujk. Tash që nuk asht ma ai, un duhet të dorzohem. Më dërgo te posta ma e afërt, e partizanve të Ndjekjes, a e din ku asht”?

-“Po kush je ti”?!

-“Mos më pvet. Asht ma mirë për ty, e për mue, që na mos të njifemi. Un kam dalë në mal, vetëm me shpëtue jetën time e, jo me luftue me ndokënd”.

-“As un – tha – nuk kam ndonji lidhje me partizanët: un drue me të dorzue te ata, se përndryshej, janë të zotët me më thanë: ‘Sa kohë e ke mbajtë’? e ‘çfarë lidhjesh keni pasë’. Prandej, mos më shtjer n’ato punë. Ti don me u dorzue? Dorzoju! Por un, nuk të paraqes. Nuk mundem”.

-“Si nuk mundesh?! Ti fiton pikë. Të quejn patriot të mirë”.
-Jo, nuk due shpërblim, prej kurrkuj: nuk due me më dale zani, as për mirë, as për keq. Aman mos i thuej kurrkuj, se jemi takue bashkë. Un kam me të përcjellë, derisa ta shofish përkundruell komandën partizane, atëherë, asht punë për ty: në daç dorëzoju, në daç mos; mue mos më përziej, as për të mirë, as për të keq. Ban se nuk jemi pa kurr”.

Kur u dorzova, menjiherë filloi hetuesia: Ku ke ndejë? Me kë ke ndejë në mal? Kush u ka furnizue me ushqim? Çfarë lidhjesh organizative e politike e, njiqindmij pvetje të kota. Un u tregova të vërtetën, se nuk kishem dalë në mal për trimni, por për frigë, për me shpëtue vedin, se kishem ndejë me ujkun, për nji kohë aq të gjate, etj. Ata nuk më besuen e më thojshin:
-“Pse femij jemi na, që të na gënjesh ti me prralla”!

Por, mbasi un nuk kishem fjalë të tjera e, kërkojshem që puna të delte në shesh, u thashë se atje në shpellë, un kishem ushqime reserve, edhe për gjashtë muej, por ishem dorzue, mbasi më kishin mbytë ujkun, mikun tem. Nji ditë prej ditësh, më shoqnuen me nja gjashtë vetë partizanë e, dy oficera. M’u desh me i çue deri te shpella. U çuditën, kur panë me sy të vet, ato misra të vjerruna, gjithë atë mish të thatë e të krypun e, tana ato lkura e postiqe.

Më kthyen në hetuesi. Ai hetuesi më tha: Shokët kanë vërtetue fjalët tueja. Megjithkëtë, un nuk i besoj dhe, që ta dijsh, ti do të dalish në gjygj e, do të dënohesh 20 vjet formalisht, sepse për ty, tash fillon hetuesia e vërtetë, se na nuk kemi pasë ndër lista tona, kurrkund emnin tand.

Mbasi u dënova, më prunë këtu si të tjerve. Mbeta gojëhaptë. Çka ishte kjo?! Prrallë, mrekulli o histori?! Thuej si të duesh. Por jeta që kam kalue ma vonë, më ka vërtetue se shtazët e kanë ndjenjen e dashunisë, ma shumë se shumë njerz të kësaj epoke, që e thrrasin; “e kulmit të përparimit”!

Më kishin mbetë pak muej për me krye dënimin, por ishem mërzitë aq shumë, se dyshojshem a mund ia mbrrijë asaj ditës së lirimit. M’erdh ndër mend, me ba nji lojë. Kishem vu re, se ata ushtarakët që ishin të ngarkuem, me mbajtë regjistrat e evidencat, ishin aq injorantë, sa nuk dijshin me dallue muejt: Dhetorin prej të dhetëtit (Tetorit).

Ishte si rregull, që dy muej para se të vinte dita e lirimit, duhej me i ba nji kërkesë komandës së burgut, ku ishe efektiv. Un ia bana nji kërkesë Burgut të Shkodrës, tue i thanë që; më 14 të dhetëtit plotsoj dënimin e, duhej të më lironin, pamëvarsisht se un, e kishem më 14 Dhetor. Ia lexova kërkesën At Donatit e, At Aleksit. Ata më bërtitën të dy. Më thane; aman, mos ban marina, se të mbysin. Por un e bana marrinë. E nisa letrën. Pritshem ndonji përgjigje. E kotë. Mërzia më shtohej përditë. E si mos me u shtue?! Nuk mund shifshem ma keq. Puna ishte randue aq shumë: trajtimi i Komandës, nuk bahej ma i egër; njerzit ishin shterrë fuqish: Çadrat e Vdekjes, ishin dhetëfishue; kapanonet plot me njerz të smundë. Nji pjesë e madhe, ishin ajë kambësh e mucatë fëtyret.

Ashtu zharg, i nxirshin në punë. Çdo mëngjes, ishte nji terror i tërbuem. E vërtetë që thohej se; mbas dënimit të Koçi Xoxes, ishte ndalue shkopi e rrahja, por qe se, për sherr, kishte teprue aty ndonji bisht lopatet, që duhej provue, a thue mund thehej për shpinë të njeriut!

Pisllëku, mizerja, mizat, morrat, era e qelbte e kënetës, uji i ngjelmët e i amshtë, bile me krymba, bukën, po nuk e hanger, sa ta merrshe në dorë, ishte rrezik, se ta vjedhshin, natën e ditën. Kishin mbarue ato takimet, e bisedat grupe-grupe. Të merrte malli, me e pa nji mikun tand e, nuk dijshe ku me e gjetë.

Nji ditë, nji djalë i ri po më thonte:

-“E din ti kanalin e Dunavecit”?

-“Posi nuk e dij? Aty rash un dëshmor”.

-“Uu, me të vërtetë, ti nuk ndigjove me punue aty, na u zhgatrruem fare. Sa të marrë që u treguem: këta janë babai i rrenës. Aty pra, afër Dunavecit, asht Vloçishti. Në vjetin që shkoi, kam punue atje. Ishte kampi ma i tmerrshmi, që mund mendohet. Sa vetë kanë vdekë, ndër tortura të punës!

E kam pa me sy të mij priftin katolik, Papa Josif Papamihalin, kur e kanë mbulue për së gjalli me llucë, aty në mes të kanalit. Shumkush u dëshprue e, nuk mundi ta durojë ma gjatë vdekjen. Shokët e mij, para se me fjetë, vijshin me u falë, me marrë hallallin e thojshin: “U pafshim n’atë jetë”! e u hidhshin te telat e rrethimit, për me u pushkatue. Por, edhe ky kamp, po vjen tue marrë pamjen e tij: pak gja ndryshon. Drue se edhe këtu, për së shpejti do të filloje hudhja ndër tela. Jeta nuk durohet ma, në kët mënyrë”.

E pashë se ishte dishprue. U mundova t’i jap zemër. Po çka t’i jap: un ishem keq për vedi, vetëm shpresojshem se po më vjen ndonji përgjegjë. Përgjegje nuk erdh. At Donati, kishte mbrrijtë aq keq, sa mezi mbahej në kambë. I bani nji letër Mehmet Shehut, i cili kishte marrë Ministrinë e Brendshme në dorë, ku i kërkonte, me e transferue për në Burrel.

-“Si, – i thashë un, – për në Burrel?! Po a din që atje thonë se asht e shkrueme: Burrel, ky hynë e nuk del”?!

“Më thanë se për atje, ashtu thohet, ndërsa ketu, nuk asht shkrue gja, por desin përditë, ma shumë se atje”.

Mbas disa kohe Mehmet Shehu ia pranoi lutjen. Por mue, nuk më erdh nga Shkodra kurrnji përgjigje. Atëherë hodha gurin e fundit. Me nji letër, lajmova se; më dt.14 të dhetëtit, kishem ditën e lirimit”! /Memorie.al

U zbulua në vitin 2001, por ende s’ka vaksinë/ Çfarë është virusi HMPV që po tremb Kinën, ja ngjashmëritë me Covid-19

Pesë vjet pas shpërthimit të pandemisë vdekjeprurëse Covid-19 që shkaktoi mbi 7 milionë vdekje globalisht, Kina raportohet se po sheh një rritje të metapneumovirusit njerëzor ose HMPV – një sëmundje respiratore me simptoma të ngjashme me ato të gripit.

Kjo ka ngjallur shqetësime serioze për një tjetër krizë shëndetësore pas COVID-19, duke bërë që vendet fqinje të monitorojnë nga afër situatën.

Disa raportime në media dhe postime në mediat sociale sugjerojnë se virusi po përhapet me shpejtësi në vend. Madje disa pohojnë se spitalet janë duke u mbingarkuar.

Disa përdorues të mediave sociale pretendojnë se viruse të shumta, duke përfshirë gripin A, HMPV , Mycoplasma pneumoniae dhe Covid-19, po qarkullojnë në Kinë. Madje ka pretendime se Kina ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme, megjithatë nuk ka asnjë konfirmim zyrtar.

Rritja e HMPV në Kinë ngjall shqetësim

Sipas një raporti të Reuters, rritja e infeksioneve të frymëmarrjes – të shkaktuara nga gripi A, Mycoplasma pneumoniae, Covid-19 dhe tani HMPV – ka ngritur alarmin. Si përgjigje, autoriteti i kontrollit të sëmundjeve të Kinës kohët e fundit pilotoi një sistem monitorimi posaçërisht.

Raporti theksoi një prirje në rritje të rasteve të HMPV në provincat veriore, veçanërisht në mesin e fëmijëve nën moshën 14 vjeç.

Megjithëse raportet e mediave sociale përshkruajnë një situatë kritike, as zyrtarët kinezë dhe as Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) nuk kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme në këtë fazë. I identifikuar për herë të parë në 2001, HMPV i përket familjes Pneumoviridae, i lidhur ngushtë me Virusin Syncicial të frymëmarrjes (RSV). Virusi zakonisht shkakton simptoma të lehta të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes.

Megjithatë, tek fëmijët e vegjël, të rriturit më të rritur dhe individët me sistem imunitar të dobësuar, HMPV mund të çojë në komplikime të rënda, duke përfshirë pneumoninë, bronkitin dhe përkeqësimin e sëmundjeve kronike të frymëmarrjes si astma ose COPD.

A është virusi HMPV i ngjashëm me Covid-19?

HMPV shkakton simptoma të ngjashme me gripin. Virusi zakonisht prek sistemin e sipërm të frymëmarrjes, por ndonjëherë mund të shkaktojë infeksione të rrugëve të poshtme të frymëmarrjes. HMPV është më e zakonshme në dimër dhe në fillim të pranverës.

Ndërsa HMPV dhe SARS-CoV-2 (virusi përgjegjës për Covid-19) i përkasin familjeve të ndryshme virale, ato ndajnë ngjashmëri të habitshme:

Sëmundje të frymëmarrjes: Të dyja synojnë kryesisht sistemin e frymëmarrjes, duke shkaktuar infeksione të lehta deri në të rënda.

Transmetimi: Përhapja ndodh përmes frymëmarrjes dhe kontaktit me sipërfaqet e kontaminuara.

Simptomat: Ethe, kollë, dhimbje të fytit, frymëmarrje e rënduar.

Grupet vulnerabël: Fëmijët, të moshuarit dhe individët me imunitet të kompromentuar janë në rrezik më të lartë.

Parandalimi: Masat standarde si higjiena e duarve, mbajtja e maskave dhe distancimi social ndihmojnë në frenimin e transmetimit.

Sidoqoftë, ndryshimi kryesor midis HMPV dhe Covid qëndron në vaksinimin. Ndërsa ekzistojnë vaksina efektive për Covid-19, asnjë vaksinë nuk është aktualisht e disponueshme për HMPV. Përveç kësaj, trajtimet antivirale janë të kufizuara për HMPV, ndryshe nga Covid-19, i cili ka trajtime si Paxlovid.

Zëri i Amerikës: Çfarë ndodhi në takimin e gjatë të Melonit meTrump, në Mar-a-Lago

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni bëri një udhëtim të papritur në Florida për t’u takuar me Presidentin e zgjedhur Donald Trump të shtunën në mbrëmje, në një përpjekje të një prej udhëheqësve kryesorë evropianë për të forcuar lidhjet me zotin Trump para se ai të marrë detyrën më 20 janar.

Detaje nga bisedimet nuk janë bërë publike, por Zëvendëskryeministri italian Matteo Salvini tha të dielën se ato mbuluan një sërë çështjesh, përfshirë gjendjen e rëndë të Cecilia Salas, një gazetare italiane e arrestuar muajin e kaluar në Iran.

“Të lumtë Giorgia Meloni që takove Donald Trumpin për të folur për paqen, bashkëpunimin në industri dhe tregëti, sigurinë dhe lirimin e Cecilia Salas,” postoi zoti Salvini, kreu i partisë së koalicionit Liga, në platformën X.

Zonja Meloni u prit me duartrokitje në Mar-a-Lago, pas një prezantimi të saj nga presidenti i zgjedhur, sipas videove të shpërndara në mediat sociale nga gazetarët dhe të pranishëm të tjerë.

“Jam shumë i lumtur që jam këtu me një grua fantastike, kryeministren e Italisë. Ajo vërtet ka triumfuar në Evropë,” tha zoti Trump, sipas një njoftimi në media.

Zonja Meloni konsiderohet si një partnere e fortë e mundshme për zotin Trump, duke pasur parasysh kredencialet e saj konservatore dhe stabilitetin e koalicionit të krahut të djathtë që ajo udhëheq në Itali që nga fundi i vitit 2022.

Kryeministrja Meloni ka krijuar gjithashtu një marrëdhënie të ngushtë me miliarderin Elon Musk, një aleat i ngushtë i Trump.

Tommaso Foti, ministri italian i çështjeve të BE-së dhe rajonale, tha të dielën se takimi, i cili nuk ishte njoftuar paraprakisht, tregoi se Italia mund të shërbejë si “një urë diplomatike midis dy botëve: Bashkimit Evropian dhe SHBA-së”.

Udhëtimi i zonjës Meloni vjen disa ditë përpara se ajo të takohet me Presidentin amerikan Joe Biden gjatë një vizite në Romë nga 9 deri më 12 janar.

Zoti Trump dhe zonja Meloni ndoqën shfaqjen e një dokumentari që vë në pikëpyetje hetimet penale dhe sfidat ligjore me të cilat u përball John Eastman, një ish-avokat i zotit Trump, i cili luajti një rol qendror në përpjekjet e pasuksesshme të tij për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020.

Një nga sfidat më të mëdha me të cilat përballet Meloni është arrestimi i gazetares Sala në Teheran më 19 dhjetor. Ajo u arrestua tre ditë pasi Mohammad Abedini, një biznesmen iranian, u arrestua në aeroportin Malpensa të Milanos me urdhër të SHBA-së nën akuzat se kishte siguruar pjesë dronësh që Uashingtoni thotë se u përdorën në një sulm janarin e kaluar që shakttoi vdekjene e tre ushtarëve amerikanë në Jordani. Irani ka mohuar të ketë pasur rol në sulm.

Zonja Meloni është udhëheqësja e fundit e huaj që viziton Presidentin e zgjedhur Trump në Florida që nga zgjedhjet e 5 nëntorit.

Ai është takuar me presidentin argjentinas Javier Milei, kryeministrin Viktor Orban të Hungarisë dhe kryeministrin kanadez Justin Trudeau./VOA

Masa ajrore të ftohta dhe dëborë në zonat malore, parashikimi i motit për javën që vjen

Për javën që presim vendi ynë parashikohet të ndikohet nga kushte atmosferike kryesisht të paqëndueshme për shkak të masave ajrore të ftohta e të lagështa me origjinë veriperëndimore.

 

Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak ditën e hënë, ditën e enjte e pjesërisht ditën e martë moti pritet që moti të jetë me kthjellime dhe alternime vranësirash.

Ditën e mërkurë, dhe ditën e premte moti pritet të jetë i vranët e intervale kthjellimesh të herëpashershme.

kkkkkkkkkkkkkkkVranësirat pritet të pasohen me reshje shiu me intensitet të ulët në pjesën më të madhe të territorit ndërsa në zonat veriperëndimore e jugperëndimore reshjet pritet të jenë me intensitet mesatar e hera –herës të lartë shoqëruar me shkarkesa elektrike.
Në lartësitë mbi 1000-1200m reshje bore me intensitet të ulët, ndërsa në Alpe me intensitet deri mesatar.

Era pritet të jetë me drejtim verilindje- juglindje me shpejtësi mesatare deri në 8m/sek, ndërsa përgjatë vijës bregdetare hera-herës era fiton shpejtësi deri në 14m/sek.