37.5 C
Tirana
E mërkurë, 13 Gusht, 2025

146 milionë euro paguan shqiptarët për rrugët në 2018, tani do paguajnë taksë shtesë për koncesionarët

Shqiptarët paguan nëpërmjet blerjes së naftës rreth 18.3 miliardë lekë ose 146 milionë euro taksa gjatë vitit të kaluar. Sipas të dhënave zyrtare nga Tatimet, të ardhurat tatimore nga Taksat e Qarkullimit dhe Karburantit, të cilat janë programuar 16.4 miliard lekë, janë arkëtuar 18.3 miliard lekë, me një tejkalim prej 1.9 miliard lekë ose 11.5% më shumë. Tejkalimi erdhi për shkak të çmimeve më të larta të naftës në tregjet ndërkombëtare dhe për rrjedhoje edhe në tregun vendas.

Taksa e qarkullimit, që vilet aktualisht në shitjen me pakicë të naftës në nivelin 32.4 lekë për litër me gjithë TVSH për çdo litër karburant dhe parimisht është vënë për të mbuluar shpenzimet e qeverisë për mirëmbajtjen e rrugëve. Taksa u është ngarkuar direkt përdorëseve të rrugëve, të cilët e paguajnë gjatë blerjes së karburantit.

Mirëpo të ardhurat nga taksa e qarkullimit janë disa herë më të larta se sa shpenzimet vjetore të qeverise për mirëmbajtjen e rrugëve. Gjatë vitit 2018 u shpenzuan 1.5 miliardë lekë ose 12 milionë euro sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Infrastrukturës ose rreth 12 herë më pak se sa taksa e grumbulluar e qarkullimit.

Vitin e kaluar opinioni publik u përfshi në debatin se barra fiskale me destinacion mirëmbajtjen e rrugëve ishte e lartë, teksa qeveria po vjel taksa direkte në rrugët kombëtare, duke nisur me rrugën e Kombit dhe në plan janë dhe rrugë të tjera kombëtare.
Tatimi që parimisht ka për destinacion mirëmbajtjen e rrugëve dhe që paguhet nga përdoruesit e automjeteve te çmimi i karburantit kalon disa fish nevojat e mirëmbajtjes që kërkon infrastruktura rrugore.

Shqipëria ka nivelin e taksimit më të lartë në rajon për naftën, për rrjedhojë vendi ka edhe e çmimin më të lartë të produktit në tregjet e pakicës.

Struktura e të ardhurave tatimore tregon se, TVSH-ja vazhdon të jetë kontribuuesi kryesor në të hyrat publike me 34% të të ardhurave tatimore, Tatimi mbi të ardhurat personale përbën 22 % të të ardhurave tatimore, Tatimi mbi fitimin zë 22 % të të ardhurave tatimore dhe Taksa e qarkullimit mbi karburantin zë 10% të të ardhurave tatimore.

Ish Ministri i Financave kishte Arben Ahmetaj kishte komentuar se Taksa e qarkullimit nuk shkon në destinacionin e përdorimit. Shkon për ndërtim rrugësh, shlyerjen e borxhit të trashëguar, për financimin e shëndetësisë dhe ndihmës ekonomike.

“Monitor”

“Eh mer ministër Lleshi, si do të ikësh”!

Oerd BYLYKBASHI

Kur Rama te hoqi spaletat dhe graden e gjeneralit per te te bere minister, ti pranove te te hidhnin poshte nje karriere te tere ushtaraku deri ne majat e saj. T’i heqesh gradat nje gjenerali eshte si t’i marresh burrnine. Po ti s’e pate problem mer Minister Lleshi.

Pas kaq zullumesh qe ke bere per llogari te urdheruesit tend ne kurriz te qytetareve qe mbrojne shtepite apo protestojne per te drejtat e tyre, mendo ndonje pune ne privat. Nje gjeneral i mire kundershton urdherin e paligjshem, por ti pranove te heqesh gradat per te zbatuar urdherat e paligjshem.

Mos harro, vetem me 6 muaj denim me kusht per zullumet e tua, ty te ndalohet te punosh per te pakten 5 vjet edhe si specialist i thjeshte. Se me buke ne traste nga pas do te na kesh.

Në rrezik pensionet për pensionistët, mungojnë 110 milionë euro

Në fund të vitit 2018 borxhet e akumuluara në tatime në formën e sigurimeve shoqërorë të papaguara arritën në 13.8 miliardë lekë ose 108 milionë euro. Sipas të dhënave zyrtare nga tatimet këto detyrime u zgjeruan me 20 milionë euro gjatë 2018 ose me 18%.

Burimet nga tatimet pohuan se një pjesë e madhe e këtyre detyrimeve u përkasin enteve publike dhe pushtetit lokal, pasi për bizneset private janë marrë masa shtrënguese.

Nëse bizneset nuk paguajnë në kohë detyrimet për punonjësit, llogaritë bankare të tyre bllokohen. Për institucionet shtetërore, puna ndryshon. Llogaritë bankare të ndërmarrjeve të ujësjellësit është vështirë të bllokohen për shkak të funksionit strategjik që kanë në shërbimet ndaj publikut.

Toleranca ndaj enteve të shtetit është “zyrtarizuar” pasi shteti presupozohet që të shlyejë detyrimet në një moment të dytë, pasi ka krijuar borxhin.

Ekspertët të ISSH pohojnë se ndryshe nga detyrimet e tjera që shtetit mund t’i krijohen nga mospagesa e taksave të tjera, efektet negative që ka borxhi i sigurimeve shoqërore janë të shumëfishta. Dëmi në përfitime në vlerë monetare është shumë më i madh se pagesa e kryer tani dhe, nga ana tjetër, pasojat sociale që u krijohen personave janë të pamatshme.

Ndryshimet që janë bërë në ligjin e proceduarve tatimore lejojnë pagesën me këste të detyrimeve të prapambetura të bizneseve. Por kjo praktikë nuk vlen për pagesën e borxheve të sigurimeve shoqërore.

“Marrëveshja për pagesë me këste mund të lidhet për detyrime tatimore të vendosura nga administrata tatimore për një vlerësim tatimor të kryer, sipas nenit 68, si dhe për detyrime tatimore të vetëdeklaruara nga tatimpaguesi.

Përjashtimisht, administrata tatimore nuk hyn në një marrëveshje të pagesës me këste për detyrim tatimor të vetëdeklaruar nga tatimpaguesi, i cili është llogaritur, ose mbledhur, ose mbajtur prej tij, përfshirë kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore” thuhet në ligjin e procedurave tatimore.

Gjendja e detyrimeve tatimore të papaguara në afat arriti në 107.7 miliardë lekë në fund të vitit 2018, nga 95.5 mld lek që ishte në fillim të vitit.

Krahasuar me fundin e vitit 2017, gjatë 2018 detyrimet e TAP kanë qëndruar në të njëjtin nivel, ndërkohë që TVSH është rritur me 4.7 mld lekë, Tatim Fitimi me 3.4 mld lekë, Sigurimet Shoqërore dhe Shëndetësore me 2.6 mld lekë dhe zëri të tjera me 1.4 mld lek..

Në stokun e borxhit të ndarë sipas llojit të tatimit, TVSH zë peshën më të madhe me 37%, e ndjekur nga Tatim Fitimi me 28%, zëri Të Tjera me 21%, Sigurimet Shoqërore & Shëndetësore me 13% dhe TAP me 1%.

Fabrikimi i Ramës dhe Lleshit, ja raporti që zbulon mashtrimin, asnjë polic në spital

Të paktën 50 qytetarë u arrestuan nga policia gjatë protestës së të shtunës. Përfaqësuesit e Avokatit të Popullit, kanë konfirmuar në një raport se të ndaluarit nga policia janë dhunuar, keqtrajtuar dhe në disa raste edhe torturuar. Raporti i publikuar dje, flet për rrahje në qelitë e komisariateve, lënie pa ushqim, si dhe lidhje e protestuesve me pranga edhe gjatë kohës që ishin duke u mjekuar në spital.

E gjithë kjo dhunë e Policisë së Shtetit mbi policinë nga kryeministri Edi Rama dhe Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, u justifikua me atë që ata e quajtën plagosje të policisë. Por në këtë pikë, institucioni i Avokatit të Shtetit zbulon dhe mashtrimin.

Inspektorët e Avokatit të Shtetit që kanë vizituar gjithë spitalet ditën e shtunë dhe të dielën, raportojnë se nuk kanë pasur kontakt me asnjë prej policëve që qeveria tha se janë plagosur. E thënë ndryshe, në urgjencë apo dhe pavionet e gjithë spitaleve në Tiranë asnjë efektiv i policisë së shtetit nuk është shtruar për kurim.

‘Të ndaluarit apo arrestuarit e tjerë nuk patën pretendime për trajtim të papërshtatshëm prej forcave të policisë veç disa raportimeve sporadike. Përfaqësuesit e Avokatit të Popullit kanë kërkuar të vihen në kontakt edhe me përfaqësues të forcave të rendit të cilët u raportuan të lënduar gjatë protestës, por në momentin e vizitës në spital nuk ishte i pranishëm asnjë prej tyre’, thuhet në raportin e Avokatit të Shtetit.

Një fakt i tillë, i konfirmuar nga një institucion kushtetues, do të thotë që: Ose efektivët e policisë nuk kanë pasur nevojë për trajtim, pasi dëmet nga protestuesit kanë qenë të pa konsiderueshme, ose çfarë është dhe më e keqja, Qeveria ka mashtruar dhe asnjë efektiv i policisë nuk është plagosur.

Ministria e Brendshme foli të shtunën për 5 policinë të plagosur, por kjo taktikë e qeverisë ka pasur si qëllim që qytetarët të mos njihen me anë tjetër të medaljes, dhunën dhe torturat që protestuesit kanë pësuar këto ditë në qelitë e komisariateve, madje dhe në spitale nga ana e policisë.

Raporti i Avokatit të Popullit për dhunën në protestën e 13 prillit:

Institucioni i Avokatit të Popullit ka vëzhguar me vëmendje edhe protestën e mbrëmjes së djeshme ashtu si edhe çdo protestë tjetër të mëparshme javët e fundit. Mandati i Avokatit të Popullit shtrihet mbi veprimtarinë e autoriteteve shtetërore e konkretisht të forcave të rendit për të verifikuar zbatimin me rigorozitet prej tyre të legjislacionit në fuqi e per te garantuar mbrojtjen e te drejtave te njeriut.

Ekipe monitoruese të Avokatit të Popullit kanë qenë në terren prej orës 18.00 deri në përfundim të protestës për të parë dhe dokumentuar nga afër çdo zhvillim. Avokati i Popullit ka konstatuar se protesta është zhvilluar përgjithësisht në mënyrë paqësore dhe se episodet e dhunës apo të kundërshtimit të forcave të policisë nga ana e protestuesve kanë qenë në një shkallë të menaxhueshme. Por pavarësisht sa më sipër Avokati i Popullit nuk pajtohet me veprime të dhunshme të çfarëdo shkalle apo natyre të drejtuara ndaj individit, institucioneve shtetërore apo pronës private.

Sikurse është parë edhe në protesta të tjera edhe në vende të ndryshme të Europës, disa akte të kufizuara por të dënueshme dëmtimesh janë konstatuar në disa godina isntitucionesh por edhe prona (makina apo qepena dyqanesh) të individëve privatë jashtë institucioneve ku po protestohej, ndërsa u vu re se grupe qytetarësh kanë çarë kordonin policor për të përdorur shkallët e godinës së kryeministrisë si tribunë për të brohoritur.

Avokati i Popullit megjithatë, edhe kësaj radhe gjen rastin të bëjë thirrje ndaj autoriteteve shtetërore që të garantojnë të drejtën kushtetuese të qytetarëve për tubim paqësor, pa e kufizuar këtë të drejtë në asnjë mënyrë, as të drejtpërdrejtë e as të tërthortë.

Gjithashtu, Avokati i Popullit shpreh shqetësimin që sjelljet e jashtëligjshme apo të dënueshme të individëve apo grupimeve të vogla e të veçuara, vazhdojnë të përdoren si pretekst nga ana e institucioneve tona ligjzbatuese për të kufizuar të drejtën për tubim, edhe për qytetarët e tjerë të papërfshirë në shkelje ligjore.

Për përdorimin e gazit lotsjellës apo përbërësve të tjerë irritues vazhdon te mos bëhet publik protokolli apo manuali i hetueshëm i përdorimit, me anë të të cilit rregullohen specifikisht rastet kur ai mund të përdoret, sasia, shpeshtësia, dendësia dhe lloji i tij.

Për këtë arsye, mbetet në gjykimin subjektiv të opinionit dhe pjesëmarrësve në protesta, të vlerësojnë se përdorimi i gazit lotsjellës jo vetëm që vazhdon të jetë në shpërpjesëtim me shkallën e rrezikshmërisë që paraqet turma e protestuesve, por ai është shndërruar tashmë në një instrument të preferuar për pengimin e vetë së drejtës kushtetuese të qytetarëve për tubim paqësor.

Përdorimi në masë i gazit lotsjellës përveçse është konstatuar nga grupet në terren është raportuar me shqetësim edhe nga një numër gazetarësh dhe përfaqësuesish të pavarur të medias, si kufizues për ushtrimin e detyrës së tyre në raportimin e protestës.

Ekipet e gazetarëve kanë raportuar se Policia e Shtetit në vazhdimësi ka vazhduar të përdorë metoda të ndryshme për t’i dekurajuar apo shmangur ata nga pasqyrimi i ngjarjeve. Në të paktën një rast është raportuar se ekipet e përfaqësueve të medias janë goditur edhe me ujë të pompuar apo mjete të tjera të rezervuara për përdorim në raste kur grupime të dhunshme protestuesish kërcënojnë sigurinë publike.

Trajtimi i medias dhe gazetarëve si një kërcënim i sigurisë publike, konsiderohet nga Avokati i Popullit si një nga sinjalet më shqetësuese për një situatë ku liria e shtypit është vënë në dyshim.

Përfaqësues të Avokatit të Popullit gjithashtu kanë mbledhur të dhëna në lidhje me një numër ndalimesh dhe shoqërimesh të pjesëmarrësve në protestë pas përfundimit të saj. Ka informacione se disa nga shoqërimet e qytetarëve janë kryer pa ndonjë arsye të posaçme duke krijuar një psikozë se pjesëmarrja në tubime është e kundraligjshme.

Përgjatë gjithë ditës së sotme, tre grupe të Avokatit të Popullit kanë marrë takime me të gjithë të ndaluarit e ndodhur në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës, si dhe komisariateve nr.1, nr.2, nr.3 dhe nr.6.

Në Drejtorinë e Policisë së Tiranës është vënë kontakt me 2 shtetas të shoqëruar dhe 16 të arrestuar. Asnjë nga këta shtetas nuk ka pranuar të ketë kryer veprime aktive gjatë protestës apo të kenë dëmtuar pasuri. Në deklarimet e tyre ata pohojnë se kanë qenë pjesëmarrës në një protestë për të drejtat e tyre dhe në mbështetje të subjektit politik që e organizon. Kryesisht të arrestuarit janë në moshë të re, por ka edhe persona të moshuar.

Dy vëllezër të shoqëruar nga Miloti deklarojnë se nuk u është komunikuar arsyeja e shoqërimit. Pas kontaktit të Avokatit të Popullit në Drejtorinë e Policisë së Tiranës ata janë shoqëruar fillimisht në Komisariatin e Policisë nr.1 dhe më pas janë liruar.

Në ambientet e ndalimit të DVP Tiranë është vënë re mes të arrestuarve një shtetas 19 vjeçar, nga Fushë-Kruja, me probleme mendore. Njëri nga të arrestuarit ka kërkuar në vazhdimësi të komunikonte me familjen e tij, pasi kishte tre fëmijë të vegjël, por kjo nuk u lejua nga Policia as pas ndërmjetësimit të Avokatit të Popullit.

Në ambientet e Komisariatit të Policisë nr.1 është kontaktuar shtetasi A.G, i cili paraqitej me shenja të dukshme dhune në trup. Është marrë deklarimi i tij si dhe janë dokumentuar shenjat e dhunës. Sipas tij është ushtruar dhune fizike nga disa efektivë të komisariateve të Policisë nr.1 dhe nr.4. Po ashtu ai deklaron se i është mohuar trajtimi ushqimor. Qytetari ankohet për dhembje në të gjithë trupin dhe nga mjekët i është komunikuar se ka shembje.

Shtetasi në fjalë është shoqëruar fillimisht në komisariatin nr.4, pastaj po mbrëmë me insistimin e një mjeku është dërguar në spitalin ushtarak, ku ai deklaron se është mbajtur i lidhur me pranga ndërkohë që merrte trajtim mjekësor. Pamje ku ky qytetar shfaqet i lidhur me pranga në shtratin e spitalit janë publikuar edhe në disa rrjete sociale. Ky shtetas ka qenë me statusin e personit të shoqëruar gjatë kohës që ndodhej në spital dhe se vendimi i marrjes së masës së arrestit në flagrancë është marrë dhe i është komunikuar vetëm në orën 2 pas mesnate.

Avokati i Popullit, në linjë me qëndrimet dhe interpretimet që Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut i bën Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, konstaton se mbajtja e të dënuarve (e aq më pak e të shoqëruarve) të lidhur me pranga në kushte spitalore përbën një rast te trajtimit denigrues e çnjerëzor në kuptim të kësaj konvente dhe do të kërkojë marrjen e masave energjike dhe të menjëhershme për nxjerrjen e përgjegjësisë për këtë rast pas rekomandimeve të mëparshme për raste të tjera të ngjashme e të bëra publike.

Gjithashtu gjatë vizitës në spital përfaqësuesit e Avokatit të Popullit kanë kontaktuar qytetarin A.K. i cili shpjegoi se ishte tërhequr zvarrë nga punonjësit e FNSH 30-40 metra duke u ofenduar në vazhdimësi prej tyre. Ai deklaroi se ishte goditur me grushta, shkelma dhe me shkopinj në pjesë të ndryshme të trupit dhe ankohej edhe për dhimbje të veshit të djathtë. Avokati i Popullit ka marrë në administrim foto të dëmtuarit dhe të kartelës.

Në Komisariatin nr.6 ishin të arrestuar 5 persona së bashku me shtetasin A.K ku ky i fundit ishte pyetur jo nën hetim por si person që kishte dijeni për ngjarjen. Në komisariatin nr.3 janë konstatuar 8 persona të arrestuar dhe është marrë dokumentacioni. Në komisariatin nr.2 janë konstatuar 4 persona të arrestuar por ndër ta veçohen 2 persona, një nga të cilët me prapambetje mendore dhe motorike ndërsa tjetri me insuficiencë renale.

Të ndaluarit apo arrestuarit e tjerë nuk patën pretendime për trajtim të papërshtatshëm prej forcave të policisë veç disa raportimeve sporadike. Përfaqësuesit e Avokatit të Popullit kanë kërkuar të vihen në kontakt edhe me përfaqësues të forcave të rendit të cilët u raportuan të lënduar gjatë protestës, por në momentin e vizitës në spital nuk ishte i pranishëm asnjë prej tyre.

Sa më sipër janë konstatime paraprake të cilat do të verifikohen gjatë hetimit e në përfundim do të paraqiten rekomandimet përkatëse.

Avokati i Popullit mbetet i dedikuar që të raportojë me paanësi dhe rigorozitet profesional mbi marrdhënien mes së drejtës së qytetarëve për të protestuar në tubime paqësore dhe menaxhimit nga ana e institucioneve tona shtetërore të ruajtjes së rendit publik pa e cënuar këtë të drejtë’.

Skandali i Ramës me kapjen e Universitetit, pa dekretuar Presidenti shkarkimin e Konit, emëron të riun!

Sipas ligjit dhe Kushtetutës, duhet të shprehet presidenti i vendit Ilir Meta. Por Edi Rama dhe ministria e tij e Arsimit nuk kanë duruar dhe kanë gjetur emrin, për të zëvendësuar rektorin e Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni.

Pas pezullimit të këtij të fundit pa ditë më parë, sot Shahini, ka komanduar Bernard Dostin në këtë detyrë.

Dosti, aktualisht zëvendës rektor në Universitetin e Tiranës, do të mbajë këtë pozicion deri në përfundim të çështjes dhe dhënies së vendimit të formës së prerë.

“Caktohet Z. Bernard Dosti, me detyrë Zëvendësrektor në Universitetin e Tiranës, që të zëvendësojë rektorin e pezulluar deri në përfundimin e çështjes me vendim të formës së prerë”, shkruhet në urdhrin e ministres së Arsimit, Besa Shahini.

Reagimi i PD

Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi ka reaguar ashpër pas urdhrit të Ministres së Arsimit, Besa Shahini, për pezullimin e Rektorit të Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni.

Në reagimin e saj Vokshi shkruan se atë që Rama nuk arriti ta bënte me Shullazin para 3 vjetësh po e bën sot me Besa Shahinin.

Postimi i plotë i Vokshit

PEZULLIMI I REKTORIT TË UNIVERSITETIT TË TIRANËS CËNON RËNDË AUTONOMINË UNIVERSITARE

Atë që Rama nuk arriti të bënte para 3 vjetësh me Shullazin, ka vendosur ta bëjë tani nëpërmjet Ministres së Arsimit Besa Shahini.

Pezullimi dhe kërkesa për shkarkim e Rektorit të Universitetit të Tiranës është antikushtetuese! Ajo bie ndesh me nenin 57 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe nenin 3 të ligjit për Arsimin e Lartë, që garantojnë #Autonominë #Universitare.

Edi Rama nuk shqetësohet aspak për ligjet që shkel vetë çdo ditë ai dhe ministrat e tij për të vjedhur qytetarët dhe për të dhunuar të drejtat e tyre.

Edi Rama është hipokrit. Shqetësimi i tij i vërtetë nuk është shkelja e ligjit, sepse ai e ka lënë vendin pa Gjykatë Kushtetuese dhe pa Gjykatë të Lartë funksionale. Edi Rama kërkon të uzurpojë çdo pushtet, si çdo i ngjashëm i tij autoritarist, i korruptuar dhe arrogant.

Edi Ramës nuk i intereson aspak mirëfunksionimi i universitetit më të madh në vend, sepse nuk e ka pasur asnjë moment arsimin prioritet.

Qëllimi i vetëm është largimi me të gjitha mjetet dhe format i çdokujt që atij i bëhet pengesë dhe më tej, interesi i tij është të marrë kontrollin edhe të Universitetit më të madh në vend, duke vënë në krye militantë politikë.

Urdhri i Ministres Shahini për pezullim të rektorit Mynyr Koni minon #autonominë #universitare dhe dëmton rëndë këtë institucion kaq të rëndësishëm për jetën akademike në vend.

Autonomia universitare duhet mbrojtur me çdo kusht për të mos e lënë edhe Arsimin e Lartë, edhe jetën akademike në duart e një Kryeministri që kontrollon gjithçka tjetër: Gjykatat, prokurorinë, mediat dhe të ashtuquajturën shoqeri civile.

Thirrja ime është për studentët dhe pedagogët që të bëj ë rezistencë kundër të keqes me emrin Edi Rama, qe e ka burimin tek blerja e votës dhe mosdhënia e llogarisë.

Kallëzohet penalisht kryebashkiaku i Kavajës, 15 ditë pas paralajmërimit të Ramës!

Ekzaktësisht 15 ditë pas paralajmërimit të kryeministrat Edi Rama, vijnë masat konkrte ndaj kryebashkiakut të Kavajës Isa Sakja. 

Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, në një postim në rrjetet sociale ka bërë me dije kallëzimin penal për kryetarin e Bashkisë së Kasvajës, Isa Sakja. Krahas kryetarit IKMT ka kallëzuar penalishe dhe dy zyrtarë të tjerë të bashkisë së Kavajës. Sipas IKMT-së, kallëzimi penal është bërë për shpërdorim detyre.

“Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit kallëzon penalisht pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kavajë, kryetarin e Bashkisë, Isa Sakja.

Kryebashkiaku i Kavajës akuzohet per veprën penale të shpërdorimit të detyrës. Së bashku me Kryetarin e Bashkisë, IKMT ka kallëzuar penalisht edhe drejtoreshën e Drejtorisë së Kontrollit, Zhvillimit Urbanistik dhe Pronave, Dëshira Qato si dhe Kryeinspektorin e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) Bashkia Kavajë, Dritan Kazazi.

Gjatë kontrolleve periodike që ushtron IKMT në bazë të ligjit në të gjitha bashkitë e vendit, ka vërejtur se në Bashkinë e Kavajës, personat e akuzuar, duke vepruar, apo mosvepruar në dhënien e lejeve të ndërtimit, apo kontrollit të ligjshmërisë, kanë cënuar interesin publik dhe territorin publik në të paktën shtatë objekte shumëkatëshe të ngritura në territorin e bashkisë Kavajë. IKMT shpreh vendosmërinë e saj, në mbrojtjen e territorit kundër abuzimeve të paligjshme, apo “’ë kopsitura’ nga zyrtarë që shkelin ligjet dhe besimin e qytetarëve”, thuhet në njoftimin e IKMT.

Policia e Lleshit nuk përmbahet, arreston edhe jetimin Bledar Dule pse protestoi të shtunën

Ky është Bledar Dule.
I arrestuar në orën 01:45 si dhunues i policisë gjatë protestës së 13 prillit. Dulja (si e thërrasim ne) është rritur jetim, nuk ka patur kurrë kujdesin e familjes, nuk ka patur kurre një dhomë të vetme të tijën, madje dhe sot e kësaj dite nuk ka një televizor.

Dulja shet lule nëpër Tiranë dhe shum prej jush mund ta ken hasur, si dhe ndihmon të gjitha dyqanet e lagjes me punë të vogla për tu ushqyer.

Një zonjë të cilen ai e quan Nëna, kujdeset për ta larë, gatuar etj.

Dulja nuk ka qenë kurrë pjesë e strukturave të Partisë Demokratike dhe nuk është as sot.

Dulja proteston sepse disa vite më parë u nxorr ne rrugë të madhe nga Bashkia Tiranë, së bashku me shumë fatkeq të cilët janë në të njëjtat kushte.

Ata jetonin që prej fëmijërisë së tyre në disa ambiente pranë pallatit me shigjeta, u nxorën në rrugë dhe kurrë nuk u konsideruan si të denjë për banesat e famshme sociale, të cilat i përfitojnë ata qe kanë 3-4 të tilla në pronësi.

Nuk ka një televizor në dhomën e marre me qira, i sheh ndeshjet e Juventusit dhe telenovelat në të njëjtin lokal ku shohim Interin ne, në një tavolinë të cilën pronari ja ka lënë të lirë cdo natë, bashkë me cajin e kamomilit.

Sot ndodhet në ambientet e komisariatit nr.2 Tiranë, si dhunuesi forcave të rendit.

O, si nuk kam një grusht të fortë
t’i bij m’u në zemër malit që s’bëzanë,
ta dij dhe ai se ç’domethanë i dobët –
n’agoni të përdihet si vigan i vramë.
#Grupseksioni9 #Ergini

PD padit Llesh kimikun për hedhjen e gazit helmues ndaj protestuesve  

PD ka paditur sot ministrin e Brendshë, Sandër Lleshaj dhe Policinë për hedhjen e gazit lotsjellës ndaj protestuesve.

Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, ka shkuar në Prokurorinë e Tiranës për të ngritur padi nga ana e PD-së kundër Ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj dhe Policisë për përdorimin kriminal të gazit lotsjellës në protestë.

Pritet që në në përfundim, Bardhi të ketë një komunikim me mediat.

Kush është 80 vjeçarja nga Mati që iu bashkua protestës madhështore të 13 Prillit

Në protestën madhështore të ditës së shtunë kanë marrë pjesë të moshuar dhe të vegjël duke treguar se revolta popullore ndaj Ramës dhe qeverisë së tij sa vjen e rritet.

80 vjeçarja Mine Koka nga Mati iu bashkua protestës madhështore ditën e shtunë para Kryeministrisë duke sfiduar moshën dhe shiun.

Denisa Vata, kryetare e Forumit Rinor të PD për Matin, tregon se nëna 80 vjeçare kishte dëshirë që të vinte në protestë për të shprehur revoltën e saj kundër kësaj qeverie të korruptuar dhe kriminale.

Ajo ka udhëtuar mbi 100 kilometër rrugë për t’iu bashkuar protestës dhe këtë gjë e ka bërë me dëshirë dhe do të vijojë ta bëjë edhe në protestat e tjera.

Ish-dekani përfundon me 8 qepje në spital, pas dhunës barbare

Ish-Dekani i Fakultetit të Shkencave të Natyrës, Ilo Mele, njëkohësisht dhe nënkryetar i shoqatës “Kolonja” është rrahur duke përfunduar në spital me 8 qepje në kokë.

Sipas burimeve policore Mele është rrahur brutalisht nga 2 persona, deri më tani shkak janë konfliktet e pronësisë.

Për kë ngjarje policia ka arrestuar dy persona në Kolonjë pasi dyshohet se janë autorët e dhunimit të ish-dekanit.

A.M, dhe Gj.M, banues në fshatin Qinam të Kolonjës janë vënë në pranga.
Pas ngjarjes I.M u transportua menjëherë në spitalin e Korçës ku dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Njoftimi i policisë
Specialistët e Seksionit për Krimet në Komisariatin e Policisë Kolonjë, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve:

A.M, dhe Gj.M, banues në fshatin Qinam, Kolonjë.

Arrestimi i tyre u bë pasi në fshatin Skorovot, këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, për motive pronësie, dyshohet se kanë goditur me sende të forta në trup shtetasin I.M, banues në Tiranë, i cili ndodhet në Spitalin e Korçës, jashtë rrezikut për jetën.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë për veprime të mëtejshme.