32.5 C
Tirana
E diel, 15 Qershor, 2025

Tension tek Universiteti Bujqësor, Veliaj përplas studentët me militantët e PS dhe zyrtarët e Bashkisë

Tension mes studentëve të Universitetit Bujqësor i Tiranës dhe militnatëve të PS, banorë të Kodër Kamëz dhe punonjës të Bashkisë së Tiranës.

Ata shprehen se janë pro ndërtimit të shkollës dhe mbështesin kryetarin Erion Veliaj. Në ambientet e këtij universiteti ku janë mbledhur studentë që protestojnë dhe banorë që kërkojnë ndërtimin e shkollës 9-vjeçare ka pasur dhe përplasje fizike mes tyre.

“Jam që të fillojë puna. Unë e njoh Universitetin. Studentët e kanë vendin e praktikave në Valias. Në atë territor duhet  të ndërtohet kjo shkollë. Paguajmë shumë që të shkojnë fëmijët në shkolla, rreth 3 mijë lekë”, tha njëri nga banorët.

“Shyqyr Erion Veliajt iu dha mundësia të kompensojë pronarët, dhe të ndërtojë këto shkollë. Janë tre pronarë që janë dëmshpërblyer. Studentët ikin mbarojnë ciklin e tyre por ne jetojmë këtu dhe kemi nevojë për ndërtimin e një shkollë. Të fillohen punimet, kam qenë dhe tre herë të tjera në këtë protestë. Duhet të fillojnë menjëherë punimet.”

Ndërkohë studentët janë shprehur se nuk janë kundër ndërtimit të shkollës, por spostimit të godinës së re 200 metra më tej, duke mos prekur kësisoj dhe territorin e UBT-së.

“Këta po na bëjnë të përplasemi mes njëri tjetrit, por zgjidhja është shumë e thjeshtë spostimi 200 metra më tutje. A është e moralshme, a është e rregullt që një 20-vjeçar të jetë në një ambient me një 20-vjeçar”, tha njëri prej studentëve.

Bashkëpunëtori i Ballës dënohet nga gjykata

Sot gjykata penale e shkalles së parë dënoi me shpifje Romeo Karaj për shpifje të kryer botërisht ndaj Shkelzen Berishës dhe e dënoi atë me 500.000 lekë gjobë. Kjo është hera e tretë që Romeo Karaj dënohet për konsumin e vepres penale të shpifjes ndaj Shkelzen Berishës. Romeo Karaj ka pasur probleme me ligjin dhe me herët.

Kujtojmë një vendim i gjykatës së Apelit nuk e lejon atë t’i afrohet familjareve të tij për shkak të dhunës që ka ushtruar ndaj tyre. Megjithatë kjo nuk e pengoi Taulant Ballën të përdorte një njeri me këto “kredenciale” si dëshmitar në komisonin e ngritur për CEZ.

Dënimet e një pasnjëshme për shpifje të Romeo Karaj më shumë se dëshmitarin dëmtojnë Ballën, duke treguar nivelin e bashkepunëtorëve të tij, si dhe provuar si shpifje dhe montime politke akuzat qe ky komsion ngriti ndaj Shkelzen Berishës bazuar mbi thëniet e Romeo Karaj që sot është dënuar tre herë për shpifje para gjykatës pikërisht për dëshmite e dhëna para komisionit.

Flet i vëllai i të vrarit: Organizatorët janë të tjerë, vëllai im vegël

Admiri është vegël dhe jo organizatori i grabitjes së parave në Rinas. Kështu u shpreh vëllai i Admir Muratajt, që ka mbetur i vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë, disa minuta pas grabitjes së ndodhur në pistën e aeroportit të Rinasit. 

Murataj është identifikuar nga familjarë të tij, ndërsa policia më parë foli për ngjashmëri mes viktimës dhe Admirit.

Ndërkohë që familjarët presin tërheqjen nga morgue i Tiranës të trupit të pajetë, Cen Murataj ka hedhur poshtë versionin që vëllai i tij, Admiri, të ishte organizatori i grabitjes.

“Do t’i gjejmë ata që kanë hedhur në rrugë vëllain tim. E kanë hedhur shokët, nëse nuk e zbulon policia, do e zbulojmë ne. Ai është vegël, nuk është organizator i grabitjes”, u shpreh Cen Murataj. Vëllai  i Admir Murataj, Ceni ka dhënë një deklaratë të fortë për mediat, nga morgu ku ndodhet trupi i personit të vrarë gjatë ditës së djeshme në Rinas.

Vëllai i viktimës ka hedhur akuza të forta në drejtim të shokëve të Admirit, pasi ata e lanë të vdiste në mes të rrugës.

-Ju tha policia se si u vra, nga policia apo shokët?

Nuk kemi asgjë të saktë, dimë që thonë e kanë hedhur shokët e vet.

-Vëllai jetonte në Kamëz, por ishte në kërkim?

Nuk e besoj, unë prej dy vitesh nuk komunikoja më vëllanë.

Mashtrimi i rradhës i Ramës për bursat e studentëve

Studentët përfitues të bursave të cilët për arsye të ndryshme nuk kanë bërë ende aplikimin për përfitimin e tyre, kanë mundësi të përfitojnë nga një shtyrje e afatit nga bordet e administrimit të universiteteve. Sipas ministres së Arsimit Besa Shahini, shumica e studentëve nuk arriti të përfitonte për arsye se nuk hapën një llogari bankare. Ajo i bëri thirrje studentëve të aplikojnë duke përfituar nga fondi prej 2.3 mld lekësh të vënë në dispozicion për disbursimin e tyre.

Por ky arsyetim është hedhur poshtë nga nënkryetarja e komisionit Parlamentar të edukimit dhe mjeteve të informimit publik, Milva Ekonomi, ku ministrja ishte thirrur për të raportuar mbi “paktin për Universitetin”.

Shahini u ndal edhe në maturën shtetërore duke thënë se risi për këtë vit është kontrolli i testit në mënyrë dixhitale.

Ndërsa për  pajisjen e studentëve me kartën e studentit, një premtim  i bërë prej vitesh Shahini u shpreh për një afat përfundimtar i cili është shtatori i viti 2019.

Tentativa për t’i hedhur tym publikut me gjoja “shkëmbime zjarri” është po aq kriminale sa grabitja e miliona eurove

Ish-Presidenti Bujar Nishani, aktualisht kryetari i Këshillit Kombëtar të PD, përmes një komenti në rrjet ka reaguar lidhur me grabitjen e djeshme në aeroportin Nënë Tereza.

“Çështja themelore është sepse bandat dhe terroristët e këtij lloji siç ishte dhe ai i fundit, nuk kanë frikë nga askush”, shkruan Nishani.

Sipas tij, tentativa për t’i hedhur tym publikut me gjoja “shkëmbime zjarri” nga policia me bandën terroriste që grabiti avionin Austrian Airlines, është po aq kriminale sa grabitja e miliona parave prej bandës, që tashmë do të paguhen nga taksat e njerëzve të thjeshtë.

Postimi i Nishanit

Tentativa për t’i hedhur tym publikut me gjoja “shkëmbime zjarri” nga policia me bandën terroriste që grabiti avionin Austrian Airlines, është po aq kriminale sa grabitja e miliona parave prej bandës, që tashmë do të paguhen nga taksat e njerëzve të thjeshtë.

Nëse do të kishte patur një shkëmbim zjarri, ai do të kishte ndodhur përpara se banda të mbërrinte tek avioni.

Por në fakt ky nuk është problemi i vërtetë e më madhori. As ai i mosmarrjes së masave pas disa grabitjesh spektakolare në mes të ditës, e në mes të kryeqytetit.

Këto probleme mbeten në hije nga thelbi i revanshit të krimit dhe terrorit. Çështja themelore është sepse bandat dhe terroristët e këtij lloji siç ishte dhe ai i fundit, nuk kanë frikë nga askush.

As nga shteti, as nga ligji, as nga policia, as nga ruajtja e as nga siguria. Sepse ata askush nuk i ndjek, askush nuk i heton, askush nuk i shqetëson, askush nuk i turbullon. Një qeverisje e ardhur nga krimi pjell vetëm krim, bashkëjeton vetëm me krimin dhe prodhon veç terror”.

Kandidati i listës së PD refuzon mandatin, Albert Loçi: Nuk pranoj të bëhem pjesë e këtij turpi!

Nga Albert LOÇI

Demokratët e Lezhës besuan tek ju z.Basha!

Teksa Shqipëria është futur në një rrugë të vështirë për demokracinë e vendit,e ndjeva të nevojshme që të bëja këtë shkrim si një nga kandidatët për deputet nga lista e PD-së të qarkut Lezhë. Muajt e fundit politika shqiptare ka pasur zhvillime të rëndësishme, madje dhe me rastin e paprecedentë të djegies së mandateve nga ana e opozitës. Sigurisht që është një akt sakrifice për hir të një demokracie të munguar.

Por menjëherë pasi opozita la parlamentin, duke u shkëputur një herë e mire nga personat me preçedentë penale, nga bleresit e votave, nga të paarsimuarit, etj, një pjesë e kandidatëve të listave të opozitës pranuan të futeshin në atë parlament. Arsyet se përse pranuan të marrin mandatin në fakt as që i di dhe as që dua ti di në të vertetë. Para disa ditësh më erdhi një kërkesë nga KQZ për t’u bërë pjesë e parlamentit duke zënë kështu vendin e deputetëve që dhanë dorëheqjen.

Por kë do të përfaqësoja unë kur të gjithë demokratët janë më të bashkuar se kurrë me faktin se demokracia dhe liria në këtë vend ka vdekur me kohë dhe goditjen më të madhe ai institucion e mori kur vendosi kryetar parlameti persukutorin e 4 djemve të rinjë Shkodran në 2 prillin e 1991. Për hir të ish-të përndjekurve dhe ish-viktimave të atij sistemi asnjëri nga ne s’duhej të futej në atë parlament.

Po për çfarë të hyj unë si një i ri, për të përfaqësuar të rinjtë vallë? Të hysh që të rrish në një sallë me Kryeministrin që në 6 vite qeverisje largoi me mijëra të rinjë dhe vrau shpresën për pjesën tjetër që vazhdon të jetojë akoma në këtë vend. Apo me MB Sandër Lleshaj që në çdo protestë urdhëron arrestimin e protestuesve kryesisht të rinjtë duke i marrë zvarrë dhe dhunur fizikisht.

JO, FALEMINDERIT, por unë nuk pranoj të bëhem pjesë e këtij turpi! Por sigurisht gjej rastin të falenderoj dhe miqtë e mijë demokratë ku secili u tregua dinjitoz dhe i vendosur duke na bërë krenar te gjithëve në nivel qarku, faleminderit Aldo, Lindita, Andon, Preç, Martin, Luigj, Enkelejda dhe Klajti!

Edhe një herë treguam se demokratet e Lezhës janë të bashkuar dhe interesi i tyre është interesi qytetar para atij personal dhe funksionimi normal i institucioneve në nje shtet aspirant për të hyrë në BE.

Ka një kufi që u tejkalua dje në sy të gjithë botës!

Erl KODRA

E vështirë të shkruash dhe të sistemosh mendimet në këtë situatë të pabesueshme. Ka diçka që tejkalon argumentat dhe thyen linjat e mendimit racional, në çastin që “shteti” yt të sulmon me formacion ushtarako-policor në shtëpinë tënde, me qëllimin kriminal për të të shembur shtëpinë, dhe e realizon këtë qëllim, live në media. Ndërsa mediat bëjnë sehirë, gazetarët raportojnë ftohtë, super gazetarët reagojnë vakët, ndërsa politikanët mbajnë fjalime elektorale.

Vetëm kaq, ndërsa krimet kundër njerëzimit vazhdojnë, të ftohta, brutale, sadiste dhe me metoda terroriste.

Ajo çfarë ka ndodhur dje; ajo çfarë po ndodh prej shumë muajsh, në të vërtet është një krim shumëdimensional dhe masiv, ku ndërthuren pastër krime kushtetuese dhe krime kundër njerëzimit. Por e gjitha nuk ndalon këtu, sepse është diçka tjetër që të futë tmerrin, teksa sheh shoqërinë tonë se si është kthyer në një masë gri që nuk reagon.

Unë nuk e di se si mund të vazhdohet jeta normale në këto rrethana. Domethënë, është diçka mes reales dhe sureales çfarë sheh me sy, ndërkohë që reagimi katandiset në tjetër gjë, në fjalë dyzuese dhe dyshuese, diçka e ngjashme me keqardhjen.

Imagjinoni për një moment sikur ajo që u ndodhi dje atyre qenieve njerëzore të të ndodh ty, saktësisht ty që po i lexon këto rradhë. Imagjino për një moment sikur shteti, me formacion ushtarako-policor të sulmojë me rradhë shtëpinë e Artur Zhejit, Mustafa Nanos, Sokol Ballës, Eni Vasilit, Blend Fevziut, Mentor Kikisë, Erl Muratit, Henri Çilit, Rezar Xhaxhiut, Adi Krastës, Vasjarit, Minxhozit, Nazarkos, Bazes, Carlo Bollinos, Anila Bashës e shumë korifejve të tjerë të medias tonë të lavdishme. Mendojeni pak që të hidhej gaz brenda banesës së këtyre gazetarëve, aty ku fëmijët e tyre sapo kanë hapur sytë.

Cili do të ishte reagimi?!

Nuk ka pikë rëndësie arsyeja e mosarsyes (!!) se gazetarët e mësipërm nuk ndodhen në të njëjtat rrethana me ato qenie që dje ua shembën përdhe shtëpinë dhe ua përdhunuan ëndrrat. Shtëpia e çdo qenie njerëzore është e paprekshme, atë e mbron Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, e mbron Deklerata Universale e të Drejtave të Njeriut, e mbron Konvenda Evropiane e të Drejtave të Njeriut, e mbron Konventa Ndërkombëtare për të Drejtat Ekonomike Sociale dhe Kulturore, e mbron Karta Sociale e Këshillit të Evropës; e mbron Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë, e mbron Kodi i Procedurës Penale të Republikës së Shqipërisë.

Shtëpitë dhe jetët e atyre qenieve njerëzore i mbron çdo ligj që është shkruar nga dora e njeriut.  Çdo veprim që është kryer kundër, dhe çdo veprim që po kryhet edhe në këtë moment që po i shkruaj këto rradhë është krim kundër jetës dhe pronës.

Merreni vesh njëherë e mirë, se këtu nuk ka asgjë për të dyshuar; domethënë të dyshosh nëse sulmi i shtetit është i ligjshëm apo i paligjshëm. Sulmi ushtarako-policor i shtetit jo vetëm që është i paligjshëm, por në vetvete ky sulm është i një sulm i turpshëm dhe antinjerëzor.

Merreni dhe lexoni të gjitha dokumentat ndërkombëtare që citova më sipër, ku do të mesoni se si ato përkufizojnë si të Drejtë Universale Njerëzore paprekshmërinë e shtëpisë, saktësisht vendit ku fëmija yt fle gjumë dhe ha bukë, pikërisht vendit ku ai ka parë për herë të parë dritën e diellit.

Merreni me mend se si do të jetë gjykimi që mund t’i bëjë kësaj çeshtje Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, si si mund të jetë gjykimi i Komitetit për të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore. Imagjinoni se si mund të justifikohet gazi i hedhur brenda në shtëpi, në mëngjes, aty ku jetojnë fëmijë, gra dhe burra. Ky agresion i neveritshëm lirisht do të përkufizohej si terror. Terror shtetëror me formacione ushtarako-policore.

Gazetarët përgjithësisht heshtin, dhe në ato raste që ata thonë diçka, poshtërsisht nuk e thonë ashtu siç duhet, por ndryshe, me njëfarë trajtimi mediokër, ku gjithmonë flitet për ligjshmërinë e ndërtimit, thua se 28 vjet nuk mjaftuakan që paligjshmëria e tyre të parashkruhet, dhe se, ata njerëz janë viktima të një shteti që nuk ka funksionuar për të mbrojtur territorin, dhe për të disiplinuar ndërtimet. Gazetarët asnjëherë nuk e thonë pa dyshime, se barazia para ligjit është themeli i paqes sociale dhe i funksionimit të një shoqërie.

Merreni me mend se kush dhe çfarë përkujdeset për opinionin publik të shoqërisë. Shikoni si bëhet sulmi ushtarako-policor, i njëjtë me sulmet që zakonisht behen nga ushtritë e huaja pushtuese, dhe media përkujdeset të flasë dhe shkruaj për grabitjen e 10 milion euro në Aeroportin e Rinasit, për Matthew Palmer, për mandatet në Parlament, për Reformën në Drejtësi, në një kohë kur, saktësisht edhe në këto momente po ndodh shkleja më masive e të Drejtave të Njeriut, në mes të Tiranës, hapur, brutalisht dhe egërsisht.

Presidenti i Republikës reagoi, por jo ashtu siç duhej, jo me forcën dhe me vetëdijen që i jep posti i Presidentit, jo me gjuhën adekuate ligjore, që me siguri ai duhet të ketë dijeni se ekziston një Korpus i Jashtëzakonshëm Ligjor që i mbron ata njerëz nga sulme të tilla të neveritshme.

Reagoi edhe opozita shqiptare, ish deputet të saj u penguan fizikisht të shkojnë në mbështetje të atyre njerëzve. Por vetëm kaq, sa u krijua përshtypja se edhe opozita u dorëzua para forcës brutale ushtarako-policore që dje demonstroi Gjeneral Sandër Lleshaj dhe Kryeministri Edi Rama.

Në të vertetë, dje u shemb diçka shumë më e madhe se ato shtëpi. Ka një vijë që askush nuk e ka tejkaluar, domethënë, ajo vija e qartë mes shtetit tënd që e ka për detyrë kushtetuese të të mbrojë, dhe shtetit të huaj si fuqi ushtarake pushtuese, që djeg dhe shkatërron shtëpitë e popullatës, territorin e së cilës e ka pushtuar.

Ky kufi u tejkalua dje, faqe gjithë botës. Turpi dhe frika ka pushtuar shoqërinë shqiptare, mediat, intelektualët, qytetarët dhe institucionet.

Nesër priteni në shtëpitë tuaja, sepse për njëmijë arsye, me siguri të ngjashme me ato të cilat u shembën ato shtëpi, ushtria policore e Gjeneral Lleshajt, për interesa nga më të paarsyeshmet, nesër do të shfaqet në derën tuaj, do t’u hedhë një bombë tymuese bash në krevatin tuaj bashkëshortor, do ju thyej këmbë e duar, dhe do t’ua përdhosë fletoren e ëndrrave tuaja sublime.

 

Përshkallëzohet protesta në Universitetin Bujqësor, 50 forca policore rrethojnë studentët

Protesta e studentëve dhe pedagogëve të UBT-së ka hyrë sot në ditën e pestë të saj dhe vijon bojkotimi i mësimit. Më shumë se 50 forca policore kanë rrethuar studentët, ndërsa krimi bën ligjin në të gjithë vendin.

Sot në orën 12.00 pritet ardhja e kryebashkiakut Veliaj në UBT në një diskutim me pedagogët  dhe studentët e këtij univerisiteti. 

Ndërkohë që ftesa për Kryetarin Veliaj ka ardhur nga rektori Bahri Musabelliu, studentët shprehen se ai është një shoëmen që fokusohet vetëm në bërjen e performancave. “Këtu do jemi dhe presim orën 12 00 që të na bashkangjitet në diskutim dhe Veliaj.

Pezullimi i mësimit ka vijuar në një pjesë të madhe të Univeristetit dhe gjithnjë e më tepër po na bashkohen studentë. Epidodi i djeshëm ishte një revoltim i momentit, nuk ishte i planifikuar. Po presim orën 12.00” është shprehur një student.

Ndërkohë një tjetër student tha që në diskutimin që u bë dje me studentët dhe Veliajn për çështjen e ndërtimit të shkollës në ambientet e Universitetit, të pranishëm mund të kenë qenë studentë të fakluteteve të tjera por jo nga UBT-ja. Takimi u zhvillua në sallë COD në kryeministri.

“Ky është një kampus dhe ne që jemi në moshën 20 nuk mund të rrijmë në një ambient me moshen 15 vjeçare. Jemi kundra ndërtimit të kësaj shkolle në këtë territor.

Po presim Veliaj në një bashkëbisedim me pedagogët, studentëve dhe Kryetarit të Bashkisë. Ne nuk kemi qenë të informuar për ardhjen e Veliaj në universitet. Në mbledhje që u bë dje nga disa studentë pjesa më e madhe e studentëve nuk kanë qenë të UBT. Sepse nëse do ishte një student i yni nuk do rrintë të dëgjonte paturpësitë e shoë-menit bashkiak. Dje aty bëhej vetëm shoë dhe performancë. Rektori ynë është një zë i fuqishëm dhe është mbrojtës i vërtestë i kauzës së studentit”, u shpreh studenti.

Aktualisht situata paraqitet e qetë në ambientet e Universitetit dhe duket që punëtorët nuk kanë shkuar sot në punë.

Gepostet von Abi Malltezi am Mittwoch, 10. April 2019

“Për 10 milion eurot e grabitura në Rinas drejtohuni Platformës qeverisëse”!

Ish-zyrtari që u shkarkua nga detyra pikërisht për shkak të ironisë së tij në rrjetet sociale lidhur me ministrin e ri në detyrë të marrëdhënieve me jashtë, Genc Cakajn, Ylli Dylgjeri ka goditur sërish qeverinë.

Përmes një statusi në Facebook ai ka irnizuar grabitjen e bankave të nivelit të dytë paratë e të cilave u vodhën pikërisht në rrugën e Rinasit gjatë ditës së djeshme.

Ai i bën thirrje  Ministrit të Brendshëm dhe Policisë, që të bashkëpunojnë me Kryeministrin e vendit, dhe portaleve të tij në funksion të qeverisjes pasi vëtëm kështu do të gjejnë se ku janë 10 milion eurot.

“Ju lutemi për 10 milion eurot e vjedhura në Rinas drejtohuni PLATFORMËS QEVERISËSE!”, shkruan Dylgjeri në Facebook.

Grabitja në Rinas, gazeta e madhe gjermane: Krimi i organizuar problem i madh në Shqipëri!

Gazeta e madhe gjermane, Bild ka pasqyruar grabitjen e ndodhur ditën e djeshme në Rinas. Bild pasi e cilëson si një skenë dramatike atë që ndodhi në pistën e aeroportit, ku grabitës të armatosur rëndë bastisën një avion të kompanisë ajrore austriake Austrian Airlines teksa po ngarkoheshin thasët me para, shkruan se krimi i organizuar është një problem i madh në Shqipëri.

“Bandat shpesh organizohen në struktura klanore, që e bën të vështirë për t’u depërtuar nga agjencitë e zbatimit të ligjit. Së fundmi, tre vjet më parë, një automjet me para u plaçkit në mënyrë të ngjashme në aeroportin e Tiranës”, shkruan Bild.

Ja çfarë shkruan Bild

Skena dramatike në aeroportin e Tiranës! Grabitës të armatosur rëndë bastisën një avion të kompanisë ajrore austriake Austrian Airlines teksa po ngarkoheshin thasët me para. Mendohet se ata morën 10 milionë euro, ndërsa në bord ishin 134 pasagjerë që po prisnin fluturimin e tyre për në Vjenë.

Një zëdhënëse e AUA e konfirmoi grabitjen në kryeqytetin shqiptar. Autorët u futën përmes zonës së aksesit për shërbimin e zjarrfikëses dhe shkuan deri në pistë ku gjendej avioni Airbus A320 me numër fluturimi OS848 dhe me motorët e ndezur tashmë.

Dëshmitarët përshkruan se si tre burra të maskuar me kostume luftarake detyruan punëtorët e ngarkimit që të shtrihen përtokë.

Duket se autorët e dinin shumë mirë se çfarë synonin: mediat shqiptarët thonë se tre banka po fluturonin sasinë e parave drejt Austrisë.

Grabitësit morën thasët me para, që sapo ishin shkarkuar nga një automjet i transportit të vlerave monetare, dhe u arratisën.

Policia u vu menjëherë në ndjekje dhe pas 800 metrash pati një shkëmbim zjarri. Hajdutët hapën zjarr, sipas hetuesve, kurse policia reagoi. Një prej kriminelëve u godit për vdekje. Të tjerët e hodhin trupin e tij nga makina.

Të vrarit iu gjet një pushkë sulmi, disa revista dhe një granatë. Më vonë policia gjeti një furgon të djegur të bandës, që pavarësisht ndjekjes me helikopter, u zhdukën. Policia ka nisur një kërkim në shkallë të gjerë.

Se sa para është vjedhur, nuk bëhet e ditur zyrtarisht. Mediat shqiptare thanë fillimisht se janë 2 milionë euro. Më vonë u tha, nga burime policore, se plaçka ishte pesëfish më e madhe.

Krimi i organizuar është një problem i madh në Shqipëri. Bandat shpesh organizohen në struktura klanore, që e bën të vështirë për t’u depërtuar nga agjencitë e zbatimit të ligjit. Së fundmi, tre vjet më parë, një automjet me para u plaçkit në mënyrë të ngjashme në aeroportin e Tiranës.

Pasagjerët e Austrian Airlines shpëtuan nga ky tmerr. Avioni i tyre u ul në Vjenë dy orë e gjysmë me vonesë.