Monika Kryemadhi ka kërkuar ndjesë publike në emër të LSI për koalicionin me Ramën në vitin 2013 që e bëri atë Kryeministër. “Koha provoi se ishte gabim, ndaj them se e meritova gazin helmues në protestë për shkak të gabimit që bëmë në 2013 kur e bëmë Ramën, Kryeministër.
Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi e ftuar në “360 Gradë”, në Ora News, komentoi vendimin e opozitës për djegien e mandateve, duke e quajtur këtë vendim si rrugën e vetme demokratike që i ka mbetur opozitës.
“Vendimi erdhi si rezultat i gjithë agjendës opozitare ku për hir të së vërtetës, opozita e bashkuar konsumoi të gjitha mjetet apo lëvizjet e saj me mazhorancën ku për hir të së vërtetës, arroganca apo euforia apo kapja e institucioneve, arriti kulmin. Kam renditur disa problematika që na janë bërë si mirëmëngjes dhe mirëmbrëma. Ajo që sot mund të duket radikale, nuk është e tillë. Është i vetmi element demokratik që i ka mbetur opozitës”, u shpreh Kryemadhi.
Kryemadhi u pyet se pse u mbyll protesta pasditen e së shtunës.
“Nuk ishte sinjal. Ishte agjendë shumë e qartë e opozitës. Mos të harrojmë që pjesëmarrja e protestuesve ishte e jashtëzakonshme. Mbi 20 herë janë hedhur lëndë helmuese ushtarake. Kjo gjë ndodhi në mënyrë permanente. Qëllimin protesta e arriti. E para, tregoi se shumica e shqiptarëve janë kundër Edi Ramës, jo se janë me Lulzim Bashën apo Monika Kryemadhit. Janë kundër Edi Ramës, kundër çmimeve të energjisë elektrike. Shqiptarët kanë të njëjtën rrogë sot por paguajnë më shtrenjtë. Opozita po të donte, brenda 10 minutave e merrte godinën e Kryeministrisë dhe ia hidhte surratit Edi Ramës”, u shpreh Kryemadhi.
Kryemadhi kërkon ndjesë: E meritova gazin helmues se e bëmë Ramën Kryeministër në 2013
Sulmi me armë helmuese ndaj protestuesve, Avokati i Popullit nis hetimin
Përdorimi i gazit lotsjellës helmues gjatë protestës së 16 Shkurtit dhe dhuna e ushtruar nga policia ndaj të arrestuarve në përfundim të protestës, kanë vënë në lëvizje institucionin e Avokatit të Popullit.
Përmes një deklarate për mediat, ky institucion shprehet se, “Një ekip i zgjeruar ekspertësh të Avokatit të Popullit ka qenë i angazhuar në ndjekjen nga afër të zhvillimeve duke kryer të gjitha verifikimet e nevojshme në përputhje me mandatin e sanksionuar nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë për institucionin e Avokatit të Popullit. Në përfundim të monitorimit, Avokati i Popullit ka konstatuar se protesta e 16 shkurtit është zhvilluar përgjithësisht brenda standardeve normale të një tubimi paqësor”.
Më tej shtohet se, nisur edhe nga ankesa të ardhura prej qytetarëve të pranishëm në protestë, Avokati i popullit ka ngritur pyetje në lidhje me proporcionalitetin e përdorimit të gazit lakrimogjen apo edhe të pajisjeve të tjera shpërthyese që u hodhën nga forcat e ruajtjes së rendit mbi masën e qytetarëve gjatë protestës.
Reagimi i plotë i Avokatit të Popullit:
Institucioni i Avokatit të Popullit ka monitoruar në mënyrë të kujdesshme tubimin e qytetarëve më datë 16.02.2019 si dhe sjelljen e autoriteteve tona ligjzbatuese gjatë dhe pas zhvillimit të këtij tubimi.
Një ekip i zgjeruar ekspertësh të Avokatit të Popullit ka qenë i angazhuar në ndjekjen nga afër të zhvillimeve duke kryer të gjitha verifikimet e nevojshme në përputhje me mandatin e sanksionuar nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë për institucionin e Avokatit të Popullit.
Në përfundim të monitorimit, Avokati i Popullit ka konstatuar se protesta e 16 shkurtit është zhvilluar përgjithësisht brenda standardeve normale të një tubimi paqësor.
Qytetarët kanë qenë të pranishëm të shumtë në numër dhe – përveç një numri të vogël e të veçuar individësh – në një shumicë dërrmuese qytetarët janë shfaqur të qetë dhe të paangazhuar në akte kërcënuese për rendin, qetësinë dhe sigurinë publike.
Avokati i Popullit çmon se sado i parëndësishëm qoftë numri i qytetarëve që e injorojnë ligjin dhe përfshihen në veprime të dhunshme, cenimi i pronës publike si dhe veprimet në kundërshtim të sigurisë dhe rendit publik janë te papajtueshme me të drejtën kushtetuese të protestës dhe dëmtojne jo thjesht pasurinë publike por edhe të drejtën e qytetarëve të tjerë për të protestuar paqësisht.
Gjithsesi, roli i Avokatit të Popullit ka të bëjë me garantimin e sjelljes së autoriteteve shtetërore në respekt të ligjit dhe të drejtave civile të qytetarëve.
Nga verifikimet paraprake të ekipit monitorues është konstatuar se forcat e ruajtjes së rendit në përgjithësi e kanë menaxhuar me rregullsi protestën, pa u angazhuar në ushtrim dhune mbi qytetarët protestues.
Gjithsesi, nisur edhe nga ankesa të ardhura prej qytetarëve të pranishëm në protestë, Avokati i popullit ka ngritur pyetje në lidhje me proporcionalitetin e përdorimit të gazit lakrimogjen apo edhe të pajisjeve të tjera shpërthyese që u hodhën nga forcat e ruajtjes së rendit mbi masën e qytetarëve gjatë protestës.
Avokati i Popullit, në datë 17/2/2019 u ka drejtuar kërkesa zyrtare autoriteteve të Policisë së Shtetit dhe Gardës së Republikës, për të dhënë sqarime mbi llojin, sasinë, përqendrimin, përbërjen dhe prejardhjen e këtyre lëndëve.
Gjithashtu Avokati i Popullit ka kërkuar të informohet zyrtarisht mbi protokollin zyrtar që zbatohet për përdorimin e këtyre lëndëve, llogaritjet sipas të cilave administrohet sasia e duhur për një numër të caktuar qytetarësh dhe të dhëna të tjera që do të përcaktojnë nëse sasia e përdorur e lëtyre lëndëve nga ana e forcave të rendit synonte vetëm neutralizimin e grupit të vogël të dhunuesve, apo intimidimin dhe privimin e një numri të madh protestuesish paqësorë nga ushtrimi i së drejtës së tyre kushtetuese për tubim.
Po ashtu, Avokati i Popullit ka ndjekur zyrtarisht edhe procedurat e ndalimit të një numri pjesëmarrësish në tubim nga ana e organeve ligjzbatuese gjatë orëve të mbrëmjes në vijim.
Përfaqësuesit e Institucionit kanë marrë informacione pranë autoriteteve drejtuese të Policisë së Shtetit dhe u janë vënë në dispozicion dokumentet shoqërues me anë të të cilave janë kryer këto arrestime.
Avokati i Popullit ka kërkuar dhe i është lejuar të zhvillojë takime me të 16 qytetarët e ndaluar nga Policia e Shtetit pas përfundimit të tubimit.
Të pyetur individualisht nga Avokati i Popullit, 15 prej qytetarëve nuk kanë shprehur pretendime për ushtrim dhune apo për shkelje të procedurave standarde të ndjekura nga Policia e Shtetit në ndalimin e tyre.
Në një rast, dhe posaçërisht qytetari F.H. ka raportuar një seri shkeljesh nga ana e Policisë së Shtetit gjatë operacionit për ndalimin e tij, pamje filmike të të cilit janë publikuar edhe në disa media.
Sipas deklarimeve të qytetarit por edhe pamjeve filmike të publikuara në media, një numër i madh forcash policore janë angazhuar për të kryer ndalimin në orët e mbrëmjes në banesën e tij. Sipas Avokatit të Popullit, ky raport kaq i shpërpjesëtuar angazhimi i një numri kaq të lartë anëtarësh të organeve ligjzbatuese për thjesht arrestimin e një qytetari të vetëm, mund të përbëjë një formë demonstrimi të panevojshëm represiviteti.
F.H. ka denoncuar edhe se hyrja e forcave të rendit në mënyrë të dhunshme pa kërkuar më parë as akses normal në mjediset familjare është në shkelje të procedurave standarde. Në mënyrë të veçantë ekspozimi i armëve në brendësi të banesës dhe në prani të fëmijëve të tij të mitur si dhe përdorimi i fjalëve fyese dhe degraduese ndaj tij përbëjnë shkelje të ligjit nga ana e efektivëve që kanë ekzekutuar urdhërin e arrestit. Sipas deklarimeve, bashkëshortja e qytetarit si dhe të dy fëmijët e mitur 12 dhe 5 vjeç kanë pësuar shok psikologjik nga ky manifestim i panevojshëm brutaliteti.
Si nga pyetja e shtetasit F.H. ashtu edhe nga pamjet filmike të bëra publike në media, rezulton se sjellja e efektivëve që kanë ekzekutuar mandatin e arrestit është në kundërshtim me procedurat e ndalimit dhe shoqërimit dhe jo vetem kaq, por gjithashtu rezulton se nga ana e tyre ka edhe pasur ushtrim dhune verbale e fizike.
Pasi është dërguar në ambientin e shoqërimit të DVP Tiranë, qytetari është vizituar nga mjeku i këtij institucioni i cili ka rekomanduar që të dërgohet në Spitalin Ushtarak të Traumës për të marrë ndihmë mjekësore, sepse sipas atij goditjet në pjesën e kafkës prapa veshit ishin të rrezikshme për jetën.
Pas rekomandimit të mjekut ai është dërguar në Spitalin Ushtarak dhe ka bërë ekzaminimet përkatëse ndërmjet të cilave skaner, si dhe ka marrë serum. Mbasi ka përfunduar ekzaminimet është shoqëruar në DVP Tiranë ku Oficeri i Policisë Gjyqësore në pranë të avokatit të tij i ka komunikuar arrestimin në flagrancë.
Ndërkohë u konstatua se nga mjeku i institucionit të policisë ishte bërë shënimi në regjistrin e vizitave të personave të arrestuar/ndaluar duke pasqyruar pretendimet e tij për ushtrim dhune fizike, si dhe konstatimin e hematomave në pjesën e kokës prapa veshit të djathtë.
Gjithashtu, sipas deklarimeve të avokatit të qytetarit F.H dhe familjarëve të tij, në banesën e tyre është kryer edhe një kontroll (i pasuar edhe nga një i dytë në orët e natës), gjë për të cilën nuk është paraqitur asnjë dokumentacion justifikues.
Nga ana e Avokatit të Popullit do të vazhdojë kryerja e veprimeve të mëtejshme hetimore administrative duke pyetur efektivët që kanë bërë shoqërimin e shtetasit F.H., si dhe të dëshmitarëve të mundshëm që kanë dijeni rreth pretendimeve të tij, si dhe të dokumentacionit të administruar lidhur me atë dhe personat e tjerë nga organet e Policisë dhe Prokurorisë Tiranë.
Përtej dhunës verbale dhe fizike të evidentuar në pamjet filmike, raportet mjekësore dhe kontaktin fizik vizual me shtetasin F.H., verifikimi i pretendimeve për shkelje të procedurave në ndalimin e këtij shtetasi si dhe i kryerjes së kontrolleve në kundërshtim me procedurën ligjore të parashikuar nga ligji, cenon rëndë të drejtat e tij kushtetuese.
Topalli: Ngjarje e shëmtuar të sulmosh Ramën me bojë
Jozefina Topalli vazhdon të reagojë në mënyrë të çuditshme duke dalë në krah të Ramës, atëhere kur të gjithë shqiptarët janë ngritur kundër tij. Topalli nuk flet për armët kimike me të cilat u sulmuan protestuesit, por ndjen keqardhje për bojën që është hedhur mbi Ramën.
Ish-kryetarja e Kuvendit ka komentuar aktin e deputetit të PD-së, Edi Paloka i cili një javë më parë spërkati me bojë kryeministrin Edi Rama në sallën e seancave plenare. Ajo është pyetur nga fëmijët e programit “Në kurthin e Piter Pan” në Tv Klan për këtë ngjarje. Topalli tha se kjo ishte një ngjarje e shëmtuar.
“Unë jam e bindur që në parlamentin e fëmijëve nuk ndodhin kurrë gjëra të tilla. Parlamenti është tempulli i demokracisë dhe nuk thuhen gjëra të papranueshme dhe nuk bëhen gjëra të papranueshme”, tha Topalli.
Ajo u pyet edhe se si ndihet tashmë që është jashtë politikës.
“Kjo është pyetja më e vështirë. Është më mirë që jam sonte me ty këtu dhe me këta fëmijë të mrekullueshëm sesa diku tjetër”, e kaloi Topalli me një batutë.
“Unë do të doja të kishim një parlament me të rinj dhe të reja të talentuar që i përkushtohen interesit të përgjithshëm dhe jo atij personal. Nuk është e thjeshtë”, tha ajo.
Rama drejt fundit të pashmangshëm…
Orjola PAMPURI
Rama perfundimisht i vetem, drejt fundit te pashmangshem…
Ne gjashte vite te opozites, faktet e denoncimet per aferat korruptive, bashkepunimin me krimin e blerjen e votave, kane qene te njepasnjeshme, por nga ana tjeter ka munguar reagimi i mazhorances, madje eshte mohuar cdo denoncim i Partise Demokratike.
Ne gjashte vite e rrenuan kete vend, asnje km rruge, asnje rritje pensioni, asnje rritje rroge, rriti numrin e te papuneve, rriti e nivelin e varferise ne vend, rriti taksat, cka falimentoi me qindra biznese, asnje kest per ish te perndjekurit, perzuri mjeke, inxhiniere, te rinj e profesioniste te mire. Ç’nuk beri ne keto 6 vite. Rrenoi sistemin shendetesor e arsimor. U denoncuan skandale qe perfshinin ministra e deputete ne afera korruptive, trafik nderkombetar droge e deri bashkepunim me bandat per shitblerjen e votes ne zgjedhjet e vitit 2017, ku fale dosjes 339 dolen ne pah emra kryebashkiakesh, deputetesh e ministrash, pergjimet e se ciles u publikuan edhe ne Zerin e Amerikes.
Trumbetoi vettingun e reformen ne drejtesi, por deshtoi, pasi tentoi te ndertonte nje drejtesi te njeanshme, qe ta vendoste ne sherbim te tij dhe bashkepunetoreve te tij.Kjo ishte Rilindja, e cila prodhoi vetem mjerim. Mjerim i cili do t’i kthehet ne boumerang cdo deputeti, ministri apo klienti/kliente te tij qe ne kurriz te qytetareve u pasuruan e nuk u ngopen kurre. Opozita ne 6 vite ishte zeri i qytetareve, sot unanimisht lenia e mandateve ishte vendimi i qytetareve. Ne do te jemi me qytetaret ne largimin e se keqes se madhe te ketij vendi.
E kam thene dhe e them, ai Parlament nuk mund te na perfaqesoje. Ne jemi te gjithe bashke per nje te ardhme me te mire per ne e femijet tane. Mandati i deputetit eshte i qytetareve, e nese nuk u sherben me qytetareve, s’ka me vlere. Edi Rama, ka rene. Ai nuk eshte me kryeministri i ketij vendi. Me 16 Shkurt, qindra mijera qytetare vendosen ta largojne.
Skandal/ Tenderi 350 mijë dollarë që burri i Spiropalit i dha vëllait të Spiropalit
Një trekëndësh biznesi ndërmjet Salarjon Totaj (bashkëshorti i Spiropalit), Enkli Spiropalit (vëllai i Spiropalit) dhe Marjus Memushajt (krushku i Spiropalit) ka shënuar ndoshta një prej skemave më arbitrare të konfliktit të interesit me tenderat bazuar në disa dhjetëra dokumente të hetuara ekskluzivisht nga BoldNeës.al. Të paktën 350 mijë dollarë është shifra e përfitimeve që ka realizuar ky trekëndësh, që tabanin e vet e ka të mbështetur në karrierën politike të zonjës Spiropali.
Por le ta nisim nga fillimi këtë histori.
Elisa Spiropali ishte një prej dy drejtoresha beqare, të cilave kryeministri Edi Rama u besoi drejtoritë më të rëndësishme fiskale shqiptare, menjëherë pasi mori mandatin e tij të parë, pas zgjedhjeve të vitit 2013.
Sot, Elisa Spiropali ka ecur shumë në karrierë. Ajo u emërua pak kohë më parë në postin e Ministres së Shtetit dhe qëndron në krahun e majtë të Kryeministrit Edi Rama në ulëset e Parlamentit.
Spiropali, bashkëpunëtore e ngushtë e Erion Veliajt në organizatën “Mjaft” iu bashkua ekipit të Edi Ramës në postin e Drejtoreshës së Përgjithshme të Doganave. Zgjedhja e saj u pa me shumë skepticizëm, si nga qytetarët, por edhe nga vetë socialistët, për shkak të moshës, përvojës dhe lidhjeve të pakta me Partisë Socialiste.
Megjithë skepticizmin, Spiropali e mori me zell detyrën e re. Ajo angazhoi strukturat e hetimit doganor për të nisur një valë kontrollesh, sidomos ndaj biznesit të madh, me argumentin zyrtar për të luftuar kontrabandën dhe informalitetit. Kundërshtarë të saj, por edhe biznesmenë të ndryshëm flisnin se fushata kundër kontrabandës, ishte më shumë një fushatë “gjobvënieje”.
Por, përtej akuzave publike apo nën zë, Elisa Spiropali nuk u përball asnjëherë me organet e drejtësisë.
Paralelisht me zhvillimet pozitive në karrierën zyrtare, Elisës po i ecnin mbarë punët edhe në aspektin personal. Ajo ishte një prej atyre vajzave, tek e cila shprehja “me fat në punë, pa fat në dashuri” nuk qëndron.
Spiropali u emëruar nga Edi Rama si drejtuese e Doganave për shkak të statusit të saj civil, beqare. Megjithatë, njerëz pranë saj e dinin se ajo kishte një lidhje të qëndrueshme disa-vjeçare me një djalosh me origjinë nga Tepelena, por që familja e tij kishte vite që jetonte në Fier, Salarjon Totaj.
Elisa dhe Salarjoni janë njohur në ditët e vështira të grevës së urisë që Partisë Socialiste zhvilloi në vitin 2010. Thonë që “dashuritë e lindura në kushte ekstreme nuk i qëndrojnë kohës”. Sërish Elisa është një prej atyre vajzave, e cila i thyen këto klishe.
Lidhja e tyre u forcua më shumë pas ardhjes në pushtet të Partisë Socialiste. Salarjoni, si shpërblim për angazhimin e tij politik, emërohet Drejtor i Ujësjellësit të Fierit, një institucion shumë i rëndësishëm në një prej qyteteve më të mëdha të Shqipërisë.
Këto ishin lëvizjet publike të çiftit të pa-zyrtarizuar Spiropali-Totaj. Ndërkohë, edhe familjarët e tyre kishin nisur të lëviznin, për të siguruar benefitet nga pushteti i ri.
Në Gusht 2013, pak javë para se Elisa të merrte postin e premtuar të Drejtoreshës së Doganave, vëllai i saj mendon që t’i hyjë botës së biznesit.
Vëllai dhë krushku
Enkli Spiropali, një djalosh 25-vjeçar që pëlqente jetën e Bllokut, një ditë të bukur del nga Tirana dhe regjistrohet si biznesmen në Fier. Kompania e emërtoi “Solomon Constuction” dhe kishte për objekt “Import-eksport të artikujve industrialë dhe ushqimorë, makineri dhe materiale ndërtimi”.
Kapitali fillestar i “Solomon Construction” ishte 100 mijë lekë të reja dhe dukej e paqartë se ku do të gjendeshin fondet për të vënë në lëvizje këtë sipërmarrje të madhe.
Skema Totaj-Spiropali vendoset menjëherë në lëvizje. Në 27 Mars 2014, kompania e Enklit shpallet fituese e një tenderi të zhvilluar nga Ujësjellësi i Fierit, me vlerë 6.6 milionë lekë të reja për “Blerje materiale për ofiçinë”.
Organizatorët e kësaj skeme e kishin të qartë që ky tender mund të ishte fundi i shpejtë për të gjithë, pasi mund të përballeshin me pasoja ligjore. Ndaj morën menjëherë masat për të fshehur gjurmët. Vetëm 4 ditë pasi Enkli Spiropali fitoi tenderin ai vendos të shesë kompaninë e tij.
Por edhe ky operacion i shitjes ishte menduar me kujdes. Paratë e fituara në tenderin nuk duhet të largoheshin nga duart e atyre që e organizuan. Dhe zgjidhja u gjet shumë shpejt.
Më 1 Prill 2014, Enkli Spiropali i shet kompaninë një bashkëmoshatari të tij nga Frakulla e Fierit, Marjus Memushaj. Pronari i ri i kompanisë “Solomon” ishte një njeri i besuar i Salarjon Totës, kushëriri i dytë i tij. Babai i Salarjonit dhe babi i Marjusit janë djalë halle-djalë daje me njeri-tjetrin.
Skema e shitjes së kompanisë funksionoi. Askush nuk mund të dyshonte në lidhjen ndërmjet Salarjon Totaj dhe Marjus Memushaj, për shkak të mbiemrave të ndryshëm.
Marjus Memushaj pagoi për kompaninë “Solomon” 100 mijë lekë, aq sa ishte vlera që Enkli Spiropali e kishte regjistruar biznesnin e tij në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit. Ndërkohë, blerësi i ri mori bonus edhe tenderin 6.6 milionë lekë. I cili, nuk ishte i vetmi që “Solomon Construction” ka fituar nga Ujësjellësi i Fierit, që drejtohej nga Salarjon Totaj.
Në 8 Janar 2015, “Solomon Construction” fiton tenderin e organizuar nga Ujësjellësi i Fierit, për “Blerje elektromotori pompe”, me vlerë 700 mijë lekë,
Në Prill 2015, kompania “Solomon Construction” fiton tenderin e zhvilluar nga Ujësjellësi i Fierit për “Blerje materiale ndërtimore” me vlerë 4.4 milionë lekë të reja;
Në Qershor 2015, “Solomon” fiton tenderin e zhvilluar nga Ujësjellësi i Fierit për “Blerje materiale ofiçine”, me vlerë 6.3 milionë lekë të reja;
Në Janar 2016, kompania “Solomon” përfiton nga Ujësjellësi i Fierit shumën 1.2 milionë lekë të reja, si shtesë e kontratës për blerje materiale ofiçine.
Në Maj 2016, “Solomon” fiton tenderin e Ujësjellësit të Fierit për riparimin e elektromotorëve dhe pompave. Vlera e tenderit ishte 7.4 milionë lekë të reja.
Po në Maj 2016, kompania “Solomon” fiton edhe një tender tjetër të zhvilluar nga Ujësjellësi i Fierit për “blerje materiale ofiçine”. Vlera e tenderit ishte 6.7 milionë lekë të reja.
Në Shtator 2016, kompania “Solomon” merr edhe një fond prej 1.4 milionë lekë nga Ujësjellësi i Fierit, si shtesë kontrate për riparimin e elektromotorëve dhe transformatorëve”.
Kërkimi i “Boldneës.al” për tenderat e zhvilluar nga Ujësjellësi i Fierit përfundon në këtë periudhë. Në Shtator 2016, Salarjon Totaj largohet nga drejtimi i këtij institucioni.
Ai u largua, pasi i kishte siguruar kompanisë së kushëririt të tij, Marjus Memushaj të fitonte tendera në vlerë totale prej rreth 35 milionë lekë (350 mijë USD) në rreth dy vjet.
Një vëzhgim në regjistrin e prokurimeve publike tregon se kompania “Solomon” ka fituar dhe disa dhjetëra tendera të tjerë në institucione të ndryshme publike, çka shton dyshimet se influenca politike e zonjës Spiropali ka funksionuar gjithandej, por implikimi në ujësjellësin e Fierit, është gjurma që kryqëzon trekëndëshin ndërmjet bashkëshortit, vëllait dhe krushkut të saj.
“Boldnews.al”
Basha me aletatët: Nuk e njohim më Ramën Kryeministër të shqiptarëve
Opozita e bashkuar ka marrë sot një nga vendimet më të forta politike. Pas vendimit për djegien e mandateve, Basha dhe aleatët kanë deklaruar para mediave se opozita nuk e njeh më Ramën si Kryeministër të shqiptarëve.
“E gjithë opozita ka marrë një vendim për djegien e mandateve, duke iu bindur urdhrit të sovranit pas protestës mbarëkombëtare të 16 shkurtit. Çdo gjë tjetër thuhet për të devijuar të vërtetën se Edi Rama është kapur si hajduti i zgjedhjeve. Ai nuk është më kryeministri i shqiptarëve”, tha Basha pas takimit me krerët e opozitës.
DEKLARATË E KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE PAS TAKIMIT ME ALEATËT
Pyetje: Cili është komenti juaj mbi deklarimet e kryeministrit se opozita po luan bllofin me mandatet, pasi, nëse ajo do ta kishte seriozisht, do duhej t’i digjte që sot mandatet dhe jo të përfshihej në teknikalitete
Lulzim Basha: Mos humbisni kohë me budallalliqet e një njeriu të ç’ekulibruar. Sot ka ndodhur një akt i paprecedentë në historinë 28 vjeçare të pluralizmit. E gjithë opozita ka marrë një vendim për t’iu bindur urdhrit të qytetarëve shqiptarë, që u derdhën me trajtën dhe formën e sovranit në protestën mbarëkombëtare të 16 shkurtit. Të tjerat janë budallallëqe për të devijuar të vërtetën. E vërteta është kjo: Edi Rama nuk është më kryeministri i shqiptarëve. Është kapur nga prokuroria shqiptare dhe demaskuar nga Zëri i Amerikës si hajduti i zgjedhjeve të 2017-s. Parlamenti nuk është legjitim dhe ky është shkaku për pasojat që mblodhën qytetarët në shesh.
Këto pasoja janë reale. Është papunësia, është varfëria e ulur këmbëkryq nga qendra e Tiranës e deri në skajin më të largët, keq e më keq. Është kolapsi total i sistemit arsimor, përfshirë atë universitar, është gjendja e shëndetësisë shqiptare… Është pra ekonomia, kriza sociale, emigracioni, që po zbraz Shqipërinë dhe këto probleme kërkojnë zgjidhje. Edi Rama nuk mund t’i japë këto zgjidhje për arsyen e thjeshtë se ai dhe qeveria e tij janë produkt i bashkëpunimit me krimin dhe me oligarkët. Janë të kapur nga krimi dhe oligarkët dhe u shërbejnë vetëm krimit dhe oligarkëve. Asgjë tjetër nuk e shpjegon se pse, pasi është kapur duke vjedhur 30 milionë euro tek Unaza, me një kompani që nuk ekziston, nuk shkon askush në burg. Asgjë tjetër nuk e shpjegon sesi mund të zhvendoset Lumi i Lanës, pak më tutje, për të mbrojtur pronën e një trafikanti droge, me projekt 60 milionë euro, dhe askush nuk penalizohet. Ky është një shtet i kapur nga krimi. Ky nuk është shteti që shqiptarët duan, ky nuk është shteti që shqiptarët meritojnë. Dhe këtë shqiptarët e treguan me protestën më të madhe në Shqipërinë më të rrudhur demografikisht në 28 vite.
Ndaj, ju ftoj të mbani vëmendjen, sepse keni edhe ju një përgjegjësi të madhe, tek ky moment kyç i historisë tonë, që është mbi të gjitha një moment bashkimi, vetëdijësimi dhe qëndrese. Do të ketë një të ardhme për shqiptarët dhe kjo e ardhme nuk i përket as krimit, as oligarkëve, as pupacëve të tyre në parlament e në qeveri. U përket shqiptarëve të ndershëm, u përket njerëzve punëtorë të këtij vendi dhe fëmijëve të tyre dhe ne jemi të vendosur t’i prijmë betejës për t’ua dhënë këtë të ardhme Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Në protestën e opozitës edhe drejtorët e Veliajt, hakmerret duke i shkarkuar
Kryetari i Bashkisë sëTiranës Erion Veliaj ka vendosur që të shkarkojë nënkryetaren e bashkisë Kozeta Mesiti e propozuar nga rradhët e PDIU-së.
Burimet nga Bashkia e Tiranes shprehen se veç Mesitit u shkarkua edhe drejtori i tregjeve, Sokol Hysa, po ashtu i propozuar nga radhet e PDIU.
Shkak për ketë dyshohet se ishte pjesmarrja e Hysës dhe Mesitit në protestën e organizuar nga opozita me datë 16 shkurt, ku sipas bashkisë ishte e dhunshme.
Mesiti dhe Hysa ishin ende ne Bashki pas koalicionit ne zgjedhjet e 2015. Shkarkimi i tyre ka ardhur qe ne orët e para të mëngjesit, firmosur nga kryebashkiaku Veliaj.
Lubonja mbështet djegien e mandateve: Të rrethohet Prokuroria, Rama e keqja e vendit
Analisti i njohur Fatos Lubonja ka mbështetur vendimin e PD dhe opozitës për lënien e mandateve. I ftuar në News 24, Lubonja theksoi se opozita nuk mund të jetë fasadë e këtij rregjimi autokratik. Ai theksoi se me lënien e mandateve deligjitimohet më shumë dhe demaskohet para ndërkombëtarëve kjo Shqipëri që Rama e paraqet si demokraci.
Lubonja tha se në këtë mënyrë, çështja del jashtë këtyre ambasadorëve të korruptuar që kemi këtu dhe ndërgjegjëson faktorin ndërkombëtar.
“Kemi nje regjim autoritarist qe kerkon te kape gjithe institucionet. Opozita nuk mund te jete fasade e ketij regjimi autokratik, kete la te kuptohet edhe Basha.
Me lenien e mandateve delegjitimohet me shume dhe demaskohet para nderkombetareve kjo lloj Shqiperie qe paraqitet nga Rama si demokraci. Ne kete menyre ceshtja del jashte ketyre ambasadoreve te korruptuar qe kemi ketu dhe ndergjegjeson faktorin nderkombetar.
Rama eshte e keqja kryesore qe e ka cuar vendin ne kete situate”, u shpreh Lubonja.
Lubonja është i mendimit se, djegia e mandateve nuk është rruga e vetme për rrëzimin e Edi Ramës.
Gjatë një intervite për News 24, Lubonja u shpreh se, e keqja më e madhe e vendit është kryeministri Rama dhe se duhet të rrethohet Prokuroria e Krimeve të Rënda tashmë.
“E keqja kryesore e këtij vendi është Rama, ai i poshtëron çdo ditë, ju thotë deputetëve të opozitës se janë qenë që lehin, pra për të je i vrarë, i papërfillur. Në këtë situatë jemi përballë të panjohurave, ndaj unë shkoj në prokurori dhe ju rrethoj zyrat, se i kanë provat për vjedhjen e votave në zgjedhje. Çfarë ndodh në botë? Në një rast të tillë kryeministrit i hapet një proces për vjedhje votash dhe le të thotë ky pastaj Dako do zgjidhet prapë se këto të përgjimeve janë veç llafe. Unë rrethoj Prokurorinë dhe nuk e lë këtë të dalë pa e marrë një vendim. S’ka nevojë fare të reflektojë Rama, shkoj atje e rrethoj Prokurorinë”, u shpreh Fatos Lubonja.
Zëri i Amerikës: Opozita e bashkuar në djegien e mandateve, kërkohen zgjedhje të lira
Në Shqipëri, grupi parlamentar i Partisë Demokratike iu përgjigj sot unanimisht propozimit të Kryetarit të partisë Lulzim Basha për djegien e mandateve të deputetëve. Këtij vendimi iu bashkuan dhe aleatët e tjerë të partive të vogla të së djathtës, dhe në mbrëmje edhe Lëvizja socialiste për Integrim, forca e dytë më e madhe e opozitës
“Duke mbështetur plotësisht zgjidhjen politike të ofruar nga opozita e bashkuar të një qeverie tranzitore, të gatshme për të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm, që do të garantojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe zhbllokimin e procesit të integrimit europian të Shqipërisë dhe hapjes së negociatave me Bashkimin Europian, përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme të parakohshme parlamentare, vendosi unanimisht djegien e mandateve parlamentare të Partisë Demokratike në Kuvendin e dalë me votat e krimit dhe mafias në zgjedhjet e manipuluara të 25 qershorit 2017”, njoftoi zoti Basha në përfundim të një mbledhjeje të gjatë të Grupit parlamentar të partisë së tij, i cili i dha mbështetje propozim të bërë nga ai një ditë më parë.
Kryetari demokrat pati pasdite një takim dhe më drejtuesit e partive të vogla opozitare, disa prej të cilëve janë anëtarë të parlamentit, duke marrë dhe prej tyre mbështetje për vendimin ekstrem.
“Mendoj se është detyrim i secilit prej nesh që t’i përgjigjet atij zëri dhe thirrje të qytetarëve shqiptarë, pra të kemi një qëndrim të përbashkët që ka të bëjë me djegien e mandateve të deputetëve”, deklaroi kryetari republikan Fatmir Mediu..
Më herët zoti Basha u takua dhe me kryetaren e LSI-së Monika Kryemadhi, partia e dytë më e madhe e opozitës dhe me një numër të konsiderueshëm deputetësh. Në mbrëmje, dhe LSI-ja ju bashkua të njejtit qëndrim. “Grupi Parlamentar i LSI-së vlerëson se djegia e mandateve është rruga e vetme për të rikthyer shtetin e së drejtës dhe legjitimitetin e qeverisjes përmes votës së lirë”, njoftoi në përfundim të mbledhjes me deputetët e saj zonja Kryemadhi.
Shumica nga ana e saj është shprehur e pashqetësuar nga vendimi i opozitës, dhe gjatë mbledhjes së grupit parlamentar socialist kryeministri Edi Rama ka kërkuar që të gjithë të fokusohen të përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme vendore.
Tensioni politik në vend kulmoi të shtunën me protestën e opozitës para kryeministrisë ku u rregjistruan episode të dhunshme, me grupe protestuesish që disa herë me radhë sulmuan hyrjen qëndrore të godinës, por u sprapsën nga forcat e sigurisë që përdorën pompat e ujit dhe gazllotsjellësh.