Deputeti i PD, Agron Shehaj i ka bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen protestës së nesërme. Shehaj shkruan në një postim në Facebook se, protesta është mjeti që shërben për ndalimin e së keqes dhe largimin e politikanëve të korruptuar.
“Të dashur bashkatdhetarë. Të ngresh zërin, të protestosh për të drejtat dhe dinjitetin njerëzor, është i vetmi mjet për të ndryshuar gjërat. Shqipëria bëhet vetëm duke i treguar pushtetarëve se qytetarët kanë pushtetin dhe qeveritarët janë në shërbim të tyre”, shkruan Shehaj ndërsa shton se nëse nuk ngrihemi, e keqja do të na varfërojë më shumë.
“Duke protestuar ndalim të keqen dhe largojmë politikanët e korruptuar. Vetëm duke ngritur zërin do ndalim hajdutët e kriminelët që në politikë dhe në rrugë. Nëse duam që Shqipëria të bëhet, që të rriten punësimi e mirëqenia, që të kthehet rendi e siguria, të ndalet braktisja e vendit, duhet të ngrejmë zërin e të protestojmë masivisht. Unë nesër do protestoj. Ju pres të gjithëve në shesh!”, përfundon Shehaj.
Unë nesër do protestoj! Ju pres të gjithëve në shesh!
Reagimi i Trump, nuk flet për ndryshim kufijsh dhe kërkon prerë: Serbia të njohë Kosovën
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, u bëri thirrje presidentëve të Kosovës dhe Serbisë që të punojnë për normalizimin e marrëdhënieve si një hap thelbësor për të ardhmen e tyre.
Thirrjet ishin pjesë e një letre që presidenti Trump i dërgoi presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi me rastin e 11 vjetorit të pavarësisë së Kosovës dhe një letre dërguar presidentit serb Aleksandër Vuçiç, me rastin e ditës së shtetësisë së Serbisë.
Ne letrën dërguar presidentit Thaçi, thuhet se “marrëdhëniet e fuqishme dypalëshe janë të rrënjosura në vizionin e përbashkët të një Kosove dhe Ballkani Perëndimor të qëndrueshëm, të sigurt dhe të begatë. Tani kur Kosova po fillon dekadën e saj të dytë si një vend i pavarur dhe sovran, unë i inkurajoj qytetarët e Kosovës që të përqendrohen në ruajtjen e parimeve demokratike, në forcimin e sundimit të ligjit dhe në avancimin e mundësive ekonomike dhe tregtare. Më e rëndësishmja, Kosova dhe Serbia duhet t’i normalizojnë marrëdhëniet, që është thelbësore për integrimin perëndimor të Kosovës. Ne e shohim njohjen e dyanshme si themel të marrëdhënieve të normalizuara dhe si bazë për çfarëdo zgjidhje gjithëpërfshirëse”.
Shtetet e Bashkuara, thuhet në letër, “u mbesin partner të gjithë atyre të cilët ndajnë këto vlera dhe janë të gatshëm të kryejnë punë të rënda të nevojshme për suksesin e tanishëm dhe të ardhshëm të Kosovës”.
Ndërkaq në letrën dërguar presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, presidenti Trump thekson se “Shtetet e Bashkuara mbeten të
palëkundura në përkrahjen ndaj angazhimit tuaj për të thelluar bashkëpunimin rajonal dhe në veçanti për përpjekjet tuaja për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Ndërsa u takon palëve që të arrijnë një marrëveshje që mund ta mbështesin të dyjat, vlerësojmë se njohja e ndërsjellë duhet të jetë element thelbësorë i normalizimit afatgjatë të marrëdhënieve. Një marrëveshje e tillë historike me njohje të ndërsjellë në thelbin e saj, do të ndërtonte rrugën për synimet e Serbisë për integrime evropiane dhe rritje ekonomike”, thuhet në letër.
Në dhjetor të vitit që lamë pas presidenti Trump u kishte shkruar të dy presidentëve duke bërë thirrje që të shfrytëzojnë kohën e duhur për të arritur një marrëveshje pajtimi ndërmjet tyre, duke theksuar se “do të mirëpriste të dy presidentët në Shtëpinë e Bardhë, për të kremtuar atë që do jetë një marrëveshje historike”.
Por, bisedimet ndërmjet të dyja palëve mbetën të pezulluara për shkak të tensioneve politike dhe tarifave ndaj mallrave serbe që vendosi qeveria e Kosovës.
Shtetet e Bashkuara disa herë kanë bërë thirrje për pezullimin e tarifave dhe kanë marrë e paralajmëruar veprime dënuese për shkak të refuzimit të qeverisë për ta bërë një gjë të tillë.
Trysnia amerikane ka bërë që të shtohen përpjekjet në Kosovë për të gjetur një zgjidhje që do të shmangte dëmtimin e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara roli i të cilave vlerësohet i pazëvendësueshëm në proceset politike përfshirë edhe shpalljen e pavarësisë së Kosovës 11 vjet më parë.
Kamza do t’i bashkohet nesër masivisht uraganit popullor kundër Ramës
Shqiptaret nesër do të jenë në shesh kundër qeverisjes së mjerimit, rrënimit të vendit. Nuk ka se si kur kjo protestë thirret nga PD, të mos mungojnë qytetarët nga Kamza, e kur bëhet fjalë për kushtet në të cilat është komunikimi mes qeverisë dhe bashkisë së 6-të në vend e diskriminuar nga Rama, të mos ketë super pjesëmarrje nga Kamza.
Kreu i bashkisë ndërkohë dhe kreu i PD, së Kamzës Xhelal Mziu pohon se nesër Kamza do ti bashkohet masivisht uraganit popullor kundër Ramës
Reagim i Xhelal Mziut
Kamza kanë qenë pararoja e çdo proteste të PD prej themelimit të saj. Për protestën më 16 shkurt, qytetarët e Kamzës kanë shumë arsye për të qenë përballë Ramës e Rilindjes!.
1- Banorët e Kamzës janë diskriminuar që ditën e parë që Rama është ngjitur në pushtet.
2- Rama u “betua” nga Kamza për legalizimin (madje falas) të ndërtimeve pa leje, rezultoi gënjeshtar.
3- Rama i terrorizoi qytetarët në aksionin e energjisë elektrike duke burgosur padrejtësisht me qindra veta.
4- Rama iu ka hequr edhe bukën e gojës. Nga 7500 familje që trajtoheshin me ndihmë ekonomike në vitin 2013, sot nuk janë as 500 familje.
5- Do të jenë në shesh sepse kjo qeveri nuk ka financuar ndërtimin e asnjë shkollë, kopsht dhe çerdhe të cilat do të jenë për fëmijët e tyre sot dhe brezat në të ardhmen.
6 -Do të protestojnë pasi bashkisë së 6-të më të madhe në vend nuk i ndërtuan një qendër shëndetësore ku të marrin ndihmën mjekësore edhe pse bashkia e ka ofruar ambientin!
7- Do të protestojnë sepse për një tullë që mund të kenë vënë, janë burgosur pa të drejtë!.
8- Do të protestojnë se qeveria nuk akordon numrin e duhur të bursave për fëmijët e tyre, as gjysmën që i takon Kamzës.
9- Do të protestojnë 700 familjet e përmbytura të vitit 2018 që nuk kanë marrë ende dëmshpërblimin.
10- Do të protestojnë ndaj kryeministrit mashtrues që nuk ka financuar në ndërhyrjen e 3 kolektorëve që sjellin përmbytje për ta si dhe nuk ka akorduar asnjë mjet për pastrimin e tyre!
11- Do të protestojnë se kjo qeveri duke mos i kaluar kompetencat Bashkisë, shoqëruar me mjete dhe fonde, duke e lenë pa asnjë automjet zjarrfikëse, e për rrezik duhet t’i kërkohet ndihmë Tiranës!
12- Do të protestojnë për fyerjen që Rama i ka bërë banorëve të Kamzës, duke i etiketuar për prejardhjen.
13- Do të protestojnë sepse janë mbi 140 projekte që flenë në sirtarët e ministrive të linjës dhe nuk financohen nga qeveria Rama. Nga viti 2013, zero fonde i ka akorduar qeveria Bashkisë Kamëz, e për këtë diskriminohen qytetarët ndaj dhe ata nuk kanë pse të mos jenë të gjithë në shesh.
#16ShkurtProtestojmëSëBashku
#KamzaBashkimPopullorNëShesh
#KamzaBluTëGjithëNëProtestë
Basha te Unaza e Re: Bashkim në protestën e madhe
Kreu i opozitës, Lulzim Basha i ka cilësuar banorët e Unazës së Re si heronj të qëndresës 105 ditore.
Basha ka përshendetur edhe bashkimin me banorët e kësaj zone të studentëve dhe qytetarëve të tjerë.
Basha kujtoi sesi pa asnjë letër dhe pa asnjë akt ligjor, u lajmërua 105 ditë më parë se shtëpitë e këtyre banorëve që do të prisheshin.
Ishin ditë të zeza tha Basha, i cili tha se me mijëra qytetarë kanë kaluar ditë të zeza në këto 6 vite të qeverisë Rama.
Basha kujtoi hallet dhe problemet e pronarëve, të përndjekurve, pensionistëve dhe shtresave të tjera të këtij populli që Rama e urren me shpirt.
“Arroganca dhe paturpërsia që ai u vërsul mbi shtëpitë e këtyre banorëve, është treguesi se kush është Rama. E bëri këtë për t’i falur 18 milion euro një kompanie që nuk ekziston, devijoi Lanën që një trafikant droge të ndërtonte me 60 milion euro. Rama u ka hyrë në hak qindra e mijëra shqiptarëve.
Por atij i ngeli sharra në gozhë pikërisht këtu në Unazën e Re.
Para 105 ditëve njerëzit ishin të tmerruar, të frikësuar. Arrogant, fjalëpisët, i dhunshëm ishte Rama i cili i cilësonte kadrinj e shpellarë, banorët e Unazës.
Por falë bashkimit të gjithë banorëve të Unazës së Re dhe qytetarëve, 105 ditë më vonë shikoni ku jemi, shtëpitë e tyre nuk arriti ti prishë”, tha ndër të tjera Basha.
Basha u bëri thirrje atyre që nesër t’i bashkohen protestës së madhe përpara kryeministrisë.
Basha: Shqiptarët do të vijnë të bashkuar nesër në Tiranë! Përgjegjësia për çdo pengesë do bjerë mbi qeverinë hajdute dhe kryehajdutin e saj
Kreu i PD, Lulzim Basha shprehet se, shqiptarët do të vijnë të bashkuar në Tiranë në protestë ditën e nesërme. Në një postim në Facebook, Basha shkruan se, përgjegjësia për çdo pengesë që i bëhet të drejtës së shqiptarëve për të protestuar do bjerë e gjitha mbi këtë qeveri.
“Shqiptarët do të vijnë të bashkuar dhe të vendosur nesër në Tiranë! 16 shkurti është dita kur një popull që është vjedhur, është tradhëtuar, është poshtëruar nga një klikë që e varfëron përditë, ngrihet të marrë në dorë fatet e tij si çdo popull Europian.
Në Europë ku duam të shkojmë, kur qeveria kapet duke vjedhur, ndëshkohet qeveria, ikin hajdutët në burg! Nuk vuan populli!
Përgjegjësia për çdo pengesë që i bëhet të drejtës së shqiptarëve për të protestuar kundër pushtetit të vjedhur me votat e krimit do bjerë e gjitha mbi këtë qeveri hajdute dhe kryehajdutin e saj! Sovrani në Republikën e Shqipërisë është populli shqiptar!”, shkruan Basha.
“Po s’erdhe në takim me Ramën, mos hajde më në punë…”, reagon Berisha për kërcënimet që i bëhen administratës
Ish-Kryeministri Berisha ka reaguar pas presioneve që po i bëhet administratës së Vlorës për të marrë pjesë në takimin e Ramës ditën e nesërme në Vlorë.
Ish-Kryeministri Berisha ka publikuar mesazhet e qytetarëve nga Vlora duke shkruajtur: Lexoni dokumentat që faktojnë se si po përdhos Sheshin e Flamurit me antimitingun e tij të turpit, Edvin Kristaq Mbatharaku. Ai po detyron të gjithë administratën të shkojë nesër në Vlorë”.
Në mesazhet e publikuara nga Berisha, vërehet porosia që në mitingun e Ramës “me përgjegjësi të plotë kërkohet pjesëmarrja e të gjithëve!”
“Nën kujdesin e veçantë të kryetarit të bashkisë Vlorë, z. Dritan Leli, ditën e shtunë, datë 16 shkurt 2019, ora 10:30, në Sheshin e Flamurit do të zhvillohet aktiviteti “Për Vlorën që duam” me pjesëmarrjen e kryeministrit z. Edi Rama. Ju mirëpresim. Kabineti, bashkia Vlorë. Përshëndetje, lajmëroni gjithë stafin tuaj për të qënë pjesë e aktivitetit. Me përgjegjësi të plotë kërkohet pjesëmarrja e të gjithëve!”
Ndërsa, në një mesazh tjetër, një punonjës i shtetit në Poliçan, tregon çfarë po organizohet deri në qelizat më të vogla të administratës, për të goditur me antimiting në Vlorë, protestën kombëtare në Tiranë.
Përshëndetje doktor!
Jam një punonjës në bashkinë e Poliçanit me rrogë të përgjysmuar, 170 mijë në muaj. Na mblodhi dje përgjegjësi i komunales dhe na tha “kush nuk vjen në Vlorë të shtunën, të hënën të mos vijë në punë. Është i pushuar.
Unë e urrej atë kryeministër sa s’ka ku të veje, por ç’të bëj, më heqin nga puna. Po u bëjnë të gjithëve presion për të ikur në Vlorë. Falemnderit në qoftë se e publikon. Dhe mos të dalë emri im, se jam në hall se më heqin nga puna. Respekte doktor.
Një ditë para protestës!…
Nga Julian DEDA
Sot është një ditë e qetë dhe e sigurtë për të gjithë ata që do protestojnë nesër.
Çdo njeri prej nesh e di se çfarë do, e di se për çfarë duhet protestuar dhe nuk ka asnjë arsye për të qenë i frikësuar, i tensionuar e të tjera gjendje si këto, përkundrazi duhet të jetë i frymëzuar, sepse po bën një akt civil që duhet ta bëjë sa herë që i shkelet dinjiteti, po proteston.
Të vetmit të frikësuar për të nesërmen janë Rilindasit.
Ata janë të vetmit të interesuar që te ketë dhunë. Mos u çudisni që ata të kujdesen seriozisht, me anë të skuthave të paguar prej tyre të futur në turmë për të bërë lloj, lloj incidentesh dhe për të akuzuar pastaj opozitën për dhunë.
Kjo ndodh sepse janë të trembur, jo sepse mund të ketë veprime dhune nesër, sepse ata e dinë mirë që s’ka, janë të trembur sepse e dinë mirë se e kane dhjerë.
Janë fajtorë për regresin e shpejtë të ekonomisë së vendit të tyre dhe e dinë mirë.
Janë fajtorë për shpopullimin, për ikjen masive të shqiptarëve, që përveç se të mbillnin hashash nuk kishin asnjë mënyrë tjetër të jetuari në këtë vend, edhe këtë e dinë mirë.
Janë fajtorë për çdo premtim të marrë përsipër para 6 vitesh dhe asnjë të mbajtur deri me sot, për llumin që futën në parlament, për talljen karshi nesh, për vjedhjet, për gjithçka. Ata e dinë mirë sesa e kanë qelbur dhe s’ka nevojë t’ia thotë askush.
Prandaj janë të trembur, prandaj kanë rrethuar me mjete mbrojtëse atë tendën idiote dhe atë kërpudhën budallaqe, sepse ajo që i dhimbset më shume është fasada, ajo të mos prishet.
Kësaj i thonë ta humbësh fillin, të mos kesh ndjesi për gabimet që bën, të mos kesh më lidhje me realitetin e popullit tënd.
Me pak fjale është fiks kohë të marrësh valixhet dhe të largohesh nga pushteti. Është tamam ai momenti ‘që të ikësh vetë, pa i lënë njerëzit të nervozohen dhe të të heqin me shkelma’.
Nesër është ditë proteste, dite e shprehjes së demokracisë dhe e të drejtës për t’i kërkuar llogari atij që i jep votën, sepse herët a vonë pushteti që shtetari merr nga populli duhet patjetër t’i kthehet popullit.
Tjetër shuplakë nga Gjermania për Ramën: Qeveria të respektojë parlamentin dhe pavarësinë e gjyqësorit
Ministri gjerman Christian Schmidt, Reporteri për Shqipërinë i CDU/CSU në Bundestagun gjerman, një ditë para protestës së opozitës, i ka bërë thirrje qeverisë shqiptare se ‘matës për hapat e mëtejshëm drejt BE do të jenë zgjedhjet lokale së afërmi. Ato duhet të mbahet të lira dhe pa blerje votash.’
Po ashtu, i ka tërhequr vëmendjen se para gjykatës duhet të japin llogari, kapobandat e kriminalitetit të organizuar dhe jo vetëm “peshqit e vegjël”.
Christian Schmidt tha: “Rruga drejt anëtarësisë në BE eshtë plot sfida. Qeveria e sotme duhet të dëshmojë se është në gjendje të respektojë parlamentin dhe pavarësinë e gjyqësorit.
Rruga e nisur me vetingun po jep frutet e para. Por duhet avancuar në mënyrën e duhur pasi ka shumë për të bërë. Në mënyrë të veçantë duhet të japin llogari para gjykatës, kapobandat e krimit të organizuar dhe jo vetëm “peshqit e vegjël”.
Matës për hapat e mëtejshëm drejt BE do të jenë zgjedhjet lokale së afërmi. Ato duhet të mbahet të lira dhe pa blerje votash. Kjo kërkon transparencë nga qeveria e partia në pushtet përkundrejt opozitës dhe zgjedhësve. Unë i uroj sukses të gjitha forcave të angazhuara për një Shqipërinë në BE”.
Ronaldo, nga një fëmijë i llastuar në një lider i Juventusit
Më herët ishte kritikuar për personalitetin e tij individualist, mirëpo tani portugezi e ka dëshmuar veten se mund të punojë për ekipin, që nga transferimi i tij në Juventus nga Real Madridi.
Cristiano Ronaldo u transferua në Juventus për t’i ndihmuar klubit italian ta fitojë titullin e Ligës së Kampionëve. Megjithatë, vetëm 30 minuta pasi e filloi ndeshjen e parë evropiane për klubin e tij të ri, ai ishte në lot, pasi që ishte ndëshkuar me karton të kuq, shkruan goal.com, transmeton Gazeta Express.
Kjo ishte një shfaqje habitëse e emocioneve, një që sugjeronte se Ronaldo ishte thellësisht i lënduar. Ai ishte i zhgënjyer që nuk kishte arritur ta dëshmonte vlerën e tij menjëherë në klubin e ri, saqë edhe pengesa më e vogël ishte shumë e madhe për t’u përballuar.
Vendimi i tij për të mos shkuar në ceremoninë e UEFA-s, në gusht, pasi që e kishte mësuar se çmimi për lojtarin më të mirë do t’i jepej Luka Modricit ishte një dëshmi tjetër se Ronaldo dëshironte gjithçka për vete dhe nuk mund ta pranonte refuzimin.
Juventusi ishte në dijeni për këtë personalitet të Ronaldos. Ai ishte parë duke iu bërtitur bashkëlojtarëve të tij që nuk ia pasonin topin. Një herë, ai kishte reaguar i zemëruar pasi Gareth Bale e kishte shënuar një gol. Ai i kishte fajësuar bashkëlojtarët e tij për disfatën ndaj Atletico Madridit në vitin 2016.
“Nëse do të ishin të gjithë në nivelin tim, ndoshta ne do të ishim liderë”, kishte thënë Ronaldo.
Megjithatë, gjërat duket se kanë ndryshuar në Juventusit. Portugezi është bërë njëri ndër liderët në zhveshtore, jo për shkak të reputacionit të tij, por për shkak të veprave dhe sjelljes së tij.
Së fundi, ai e dëshmoi se është lider duke e kujtuar Paulo Dybalan, pasi shënoi gol kundër Sassuolos.
Edhe menjëherë pas transferimit në Itali, Ronaldo kishte bërë të ditur se ai ndihej më mirë në Juventus sesa në Real Madridi, pasi që, për të, Juventusi ishte më shumë si familje dhe të gjithë janë më të sjellshëm.
Përkundër famës së tij, ai hyri me një sjellje të përulur në zhveshtoren e Juventusit, i pyeti bashkëlojtarët e tij të rinj për vende të mira dhe restorante, si dhe u interesua për historinë e klubit.
Kolegët e tij të rinj u shprehën të mahnitur nga etika e tij e punës, por Ronaldo i habiti edhe me zemërgjerësinë, duke i festuar golat e shënuara nga bashkëlojtarët, po aq sa të tij. Ai tani i ka nëntë asiste, një më shumë se në të gjithë sezonin e tij të fundit në Spanjë. Vetëm Suso ka më shumë asiste se Ronaldo në Serie A.
Ai tani është lider për “Këpucën e Artë” të Serisë A, me 18 gola, mirëpo edhe në fillim kur e kishte pasur të vështirë ta gjente rrjetën e portës, nuk dukej se ishte tejet i pakënaqur me veten.
Duket se Ronaldo dhe Juventusi po jetojnë në simbiozë dhe janë duke e nxjerrë më të mirën nga njëri-tjetri.
Trajneri Massimiliano Allegri e ka lavdëruar Ronaldon duke thënë se ai sillet si një lider, ndërsa mesfushori Blaise Matuidi ka thënë se portugezi i frymëzon të gjithë futbollistët rreth tij.
Ronaldo mund të jetë njëri ndër sportistët më të famshëm në botë, por duket se falë transferimit në Juventus, tani po del në pah një anë e re e super yllit portugez.
Talenti shqiptar rinovon me Barcelonën me superklauzolë
Labinot Kabashi ka rinovuar kontratën për dy vitet e ardhshme me Barcelonën, me opsionin për ta zgjatur edhe për dy të tjera. Në kontratën e tij të re klauzola e largimit të tij do jetë 40 milionë euro, ndërsa nëse aktivizohet me ekipin e parë shkon automatikisht në 100 milionë euro.
Kabashi aktivizohet si mesfushor me ekipin U19 në akademinë e “La Masia”, me të cilët arriti të fitojë Champions League për të rinjtë sezonin e shkuar. 18-vjeçari ka lindur në Finlandë, por ka marrë nënshtetësinë e Kosovës duke luajtur për përfaqësuesen dardane.
Aktualisht Kabashi vuan nga një dëmtim në gju dhe së shpejti pritet të kryejë një operim afatgjatë në gjurin e majtë, teksa me 28 shkurt mbush 19 vjeç.
“Unë dua të falënderoj FC Barcelona për besimin dhe që ka qenë gjithmonë pranë meje, pavarësisht lëndimeve që kam pësuar në vitet e fundit. Klubi ka qenë gjithmonë në anën time dhe dua të ua kthej me punë, përpjekje dhe futboll gjithë këtë besim”, tha Kabashi.