30.5 C
Tirana
E martë, 12 Gusht, 2025

Vesi i Rilindjes për t’u marrë me drogë do t’u dalë bashkë me shpirtin!

Nga Ylli Manjani

Vesi i Rilindjes për t’u marrë me drogë do t’u dalë bashkë me shpirtin! Ndaj kushdo që pret të veprojë drejtësia e ka gabim!
Sajmiri nuk ishte e as është i vetëm në këtë projekt katastrofë kombëtare. Ai ishte dhe mbeti besnik i Rilindjes, grupit politik më anti-shtet, anti-demokraci e anti-komb që na kanë parë sytë!
Prokuroria e Republikës ka gabuar rëndë në trajtimin e çështjes ndaj tij. Ajo dështoi paq të mbledhë e të ruajë provat, dëshmitarët dhe aktorët që realizuan kanabizimin, projektin më kriminal të shoqërisë sonë.
Prokuroria dhe policia dështuan kontrollin në flagrancë të banesës; dështuan të mbrojnë Naser Seitajn, të cilin e ekstraduan në mënyrë mafioze; dështuan të arrestojnë dhe të hetojnë drejtues të policisë së shtetit, të cilët i lanë të arratisen; dështuan të lidhin me prova disa ngjarje e personazhe…
Dështuan ta trajtojnë Sajmirin si gjithë të tjerët para ligjit që kanë miratuar vetë.
Dështuan të ngrenë akuza të provueshme, por nxituan të bëjnë akuza absurde!
Gabuan se deshën vetë apo se i shërbyen Rilindjes, kjo ska shumë rëndësi. Pasoja është njësoj e rëndë!
Na kërkohet të kërkojmë ndjesë?!
Po pse? Ç’borxh i kemi?!
Të kërkojmë ndjesë ne për akuzat që Prokuroria (vetja e tyre) ju bën? Pra për akuza që ata i bëjnë vetes?!
Jo mo jo!
Ndjesë duhet t’i kërkojë Rilindja këtij vendi, që e mbyti në drogë, krim e borxhe. E mbyti në propagandë e mashtrime.
Ndjesë duhet të kërkojë Rilindja çdo shqiptari që ndjehet i përzënë nga vendi i tij.
Duhet ti kërkojë çdo shqiptari që e ka marrë votën e që sot po i merr taksat, shtëpitë dhe shpirtin…
Të kërkojnë ndjesë e të hapin rrugë, sa na e shpifën!

Qeveria piramidë po e fut në greminë Shqipërinë

Kreu i Grupit Parlamentar të LSI, Petrit Vasili ka komentuar ekonominë e vendit, duke e cilësuar si një problem kritik jo vetëm për sot, por edhe për të ardhmen e vendit.
Vasili teksa kërkon reagimin e qytetarëve shprehet se borxhi publik nuk është 70 % ashtu siç është thenë fillimisht, por 72%, ndaj edhe qytetarët sipas tij duhet të dinë që ndodhen para një katastrofe ekonomike.
“Do të thotë në ç’greminë borxhesh futet ekonomia shqiptare për shkak të një qeverie të kriminalizuar dhe të bërë njësh me interesat më të errëta dhe për këto interesa dhe në funksion të këtyre interesave, ajo nuk mund të ndalet asnjë ditë duke e thelluar këtë situatë në mënyrë kritike. Borxhi publik i deklaruar sipas saj shkon 70%, ndonëse do ta shtjellojmë më pas, është edhe më i lartë se kaq, ndërsa borxhi publik i verifikuar dhe i konstatuar nga një organ kushtetues siç është Kontrolli i Lartë i Shtetit është 72%. Vetëm për këtë çështje dhe vetëm për këtë moment, shqiptarët duhet të dinë që janë përpara një katastrofe ekonomike financiare të pashembullt”, u shpreh Vasili.
Vasili thekson ndër të tjera se kjo qeveri “piramidë”, siç e cilëson vetë ai nuk i ka lënë zgjidhje tjetër popullit vetëm të të dalë në sheh të kërkojë të drejtën e tij.

“Shqipëria sot ndodhet për shkak të një qeverie piramidë, përpara një piramide financiare të përmasave të frikshme, ndërkohë që organet e drejtësisë shqiptare të cilat duhet të ishin ato në krye të hetimit, që të kryejnë në emër të popullit këtë hetim të thelluar dhe nxjerrjen e këtyre puçistëve ekonomiko-politikë përpara drejtësisë, nuk mbetet asgjë tjetër dhe është e vetmja mënyrë zgjidhje që populli vetë të përballet në shesh të hapur, ballazi, në të drejtën e tij, në të drejtën e mbrojtjes së interesave të veta ekonomike, të interesave të veta shoqërore, të cilat janë të kërcënuar përpara një grupi aventurierësh kriminelë, të cilët kanë planifikuar që të mbushin torbat e tyre me para, të largohen nga vendi në momentin e katastrofës dhe rrënimin dhe mjerimin ekonomik t’ja u lënë shqiptarëve mbi kurriz, për ta vuajtur me dekada e dekada të tëra ata dhe fëmijët e tyre”, tha ai.

Pse nuk arrestohet Dako? PD: Dosja 339 po mbahet e kyçur në sirtarët e prokurorisë nga Edi Rama

Deputetja e PD, Albana Vokshi në një dalje për mediat ka kërkuar arrestimin e kreut të Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako. Vokshi nuk kursen akuzat ndaj Ramës, teksa shprehet se është ai që po mban të kyçur në sirtarët e prokurorisë provat që mund të çojnë në burg Dakon.
Deputetja e PD, e cilëson iligjetime qeverinë aktuale dhe Ramën kryeministër të paligjshëm. Vokshi thekson se dosja 339 është prova që zbulon se zgjedhjet e 2017-ës janë blerë. 
“Dosja 339 që Edi Rama po e mban të kyçur në sirtarët e prokurorisë është prova që mund të çojë në burg Vangjush Dakon dhe bandat e Durrësit. Dosja 339 kanë faktuar që Vangjush Dako është në komunikim të vazhdueshëm me bandat para dhe pas zgjedhjeve. Shqiptarët nuk votuan të lirë, por u shantazhuan dhe kërcënuan nga bandat.
Dosja 339 është ajo që faktuan vëzhguesit ndëkombëtar që vota në Shqipëri u ble. Vangjush Dako duhet të arrestohet menjëherë, çdo ditë në liri ai shkatërron provat dhe manipulon dëshmitarët i ndihmuar nga kryeministri Edi Rama. Dosja 339 tregon pa hezitim që zgjedhjet në vitin 2017 u blenë bashkë me krimin. Rama është kryeministër i paligjshëm. Në Shqipëri nuk do të ketë as drejktësi as luftë kundër krimit, asnjë zhvillim normal pa ndëshkuar krimin elektoral qqë mban në pushtet qeverinë iligjitime të Edi Ramës”, tha Vokshi.

Deklarata e plotë e deputetes Albana Vokshi
Përgjimet e dosjes 339 kanë faktuar se Vangjush Dako është në komunikim të vazhdueshëm me bandat para, gjatë dhe pas zgjedhjeve, duke shkëmbyer me pasuri dhe pushtet votat e blera për tepsinë e Edi Ramës.
Dosja “339-a” është faktimi i asaj që panë vëzhguesit ndërkombëtarë të zgjedhjeve, kur raportuan se vota në Shqipëri u ble, se qytetarët nuk votuan të lirë dhe votuesit u kërcënuan dhe u shtrënguan nga bandat, siç është rasti i Durrësit.
Faktet e krimit elektoral të Vangjush Dakos janë të qarta dhe për këtë krim ai duhet të jetë në burg! Vangjush Dako duhet të arrestohet pa vonesë.
Çdo ditë në liri ai shkatërron prova dhe manipulon dëshmitarët, i ndihmuar plotësisht nga kryeministri i vendit Edi Rama.
Dosja “339” vërteton pa asnjë dyshim më :
-Se zgjedhjet e 2017-ës u blenë bashkë me krimin,
-10-15 deputetë u blenë nga krimi,
-Se ky Parlament është i paligjshëm dhe
– Se Edi Rama është një kryeninistër i paligjshëm dhe provat për këtë Prokuroria i ka në dosjen “339”!
Në Shqipëri nuk ka për të patur as drejtësi, as luftë kundër krimit dhe asnjë zhvillim normal pa u ndëshkuar krimi elektoral që mban në pushtet qeverinë ilegjitime të Edi Ramës!

Policia arreston protestuesin me megafon te Unaza e Re, deputetët e PD në komisariatin nr.6

Policia ka shoqëruar personin që e mbante megfonin gjatë protestës së banorëve.
Ndërkohë disa deputetë të PD janë nisur për në Komisariatin nr. 6, ku është i ndaluar nga policia protestuesi që mbante sot megafonin në protestën e banorëve të zonës së Unazës së Re.
Edhe dy ditë më parë deputetë të opozitës shkuan të interesohen për banorët e ndaluar në komisariatin Kombinatit. Ishin 10 persona të shoqëruar, në mes tyre edhe një grua shtatzënë.
Protesta e banorëve të Unazes së re hyri sot në ditën e 8-të të saj.
Në dy krahët e rrugës nga Pallati me Shigjeta deri tek Sheshi Shqiponja do të zhvillohet projekti për zgjerimin e rrugës që paraprihet nga shembja e 317 godinave, shtëpi dhe biznese.
Banorët protestojnë ndaj qeverisë dhe bashkisë së Tiranës duke u shprehur se nuk janë kundër zgjerimit të rrugës por kërkojnë 100 pqrqind dëmshpërblim. Gjatë protestës së sotme, ata nuk kanë lejuar kalimin e autojeteve dhe kanë debatuar me shoferët e disa mjeteve që kanë tentuar të anashkalojnë protestën e tyre.
Protesta e banorëve mbështetet nga opozita. Kryetari i PD, Lulzim Basha u takua dje me shumë prej tyre.

Xhepa: Rreziku më i fshehtë dhe më serioz i buxhetit janë PPP-të

Nga Selami Xhepa*

Projektligji për buxhetin e shtetit për vitin 2019 dhe perspektiva makrofinanciare 2019-2021, reflekton zgjidhjet shumë të vështira me të cilat përballet qeveria në vitet në vazhdim. Problemi madhor dhe pa zgjidhje është mënyra e realizimit të konsolidimit fiskal: reduktimi i deficitit fiskal vjetor dhe për pasojë i borxhit publik, nën 60% të PBB-së deri në vitin 2021.
Pikërisht ky problem krijon dhe çoroditjen më të madhe pasi, reduktimi i deficitit, pa prekur shpenzimet publike, kërkon rritjen e të ardhurave buxhetore. Në fakt, të ardhurat buxhetore do të bien sërish në kufijtë e 27% të PBB-së. Detyrimi për reduktimin e borxhit publik mund të arrihet në këto kushte nëpërmjet reduktimit të shpenzimeve qeveritare, të cilat do të jenë edhe më pak se 29% e PBB-së deri në vitin 2021. Kjo është mënyra më e keqe e konsolidimit fiskal.
Konsolidimi duhet të vinte vetëm nga krahu i të ardhurave, në mënyrë që të mundësoheshin rritja e investimeve në sektorët problematikë të vendit, si në arsim e shëndetësi, në sektorët e mirëqenies sociale, përfshirë pensionet, në infrastrukturë, etj. Siç del e qartë nga programi ekonomik, investimet publike në të gjithë sektorët vijnë në rënie. Investimet në arsim dhe shëndetësi do të bien nga nivelet aktuale me gati 1 pikë të PBB-së, po kështu dhe bujqësia dhe sektorët e tjerë. Kjo nënkupton se perspektiva edhe më afatgjatë e vendit nuk është fare interesante.
Buxheti, vetëm për vitin 2019, ka një dimension të qartë elektoral: rritje pagash (me rreth 30 milionë dollarë shtesë buxhetore) dhe ulje taksash, disa prej të cilave mund të jenë pozitive për rritjen ekonomike, por disa të tjera, përveçse nuk kanë efekte pozitive në rritjen ekonomike, kanë efekte të forta negative në të ardhurat buxhetore.

Rreziqet e fshehura
Ndoshta rreziku më serioz që mbetet i fshehtë, por që brenda dy-tre viteve të ardhshme do të shfaqet qartazi dhe brutalisht, është implikimi që sjellin kontratat afatgjata koncesionare dhe Partneritetit Publik-Privat.
Të projektuara në kufijtë e 2 miliardë eurove kontrata për tre vitet në vazhdim, efektivisht borxhi publik do të rritet dhe jo të ulet. Kur themi “të projektuara”, shifrat reale që do të rezultojnë në përfundim të kontratave të lidhura do të jetë shumë më e lartë se kjo shifër.
Problemet me këtë formë prokurimi janë të shumta. Së pari, kostot e projekteve të tilla është provuar nga studime serioze (madje, të organizatave ndërkombëtare që i mbështesin PPP-të, si Banka Botërore dhe EBRD) se janë mjaft më të larta krahasuar me alternativën e realizimit të këtyre projekteve me financim të rregullt buxhetor.
Një statistikë e revistës “Monitor” raportonte se që prej viti 2009 kur kostoja e një kilometër autostradë e tipit A1 ishte vetëm 1 milion euro, në vitin 2017 arriti në 8 milionë euro, ndërsa të buxhetuara në paketën 1 miliard euro, kjo kosto ishte 16 milionë euro! Një rritje me 16 herë vetëm brenda një dekade! Së dyti, edhe pse prokurohen me kosto të tilla, në fund të periudhës së realizimit të veprave, kostot finale do të rezultojnë me të paktën 20-30% më të larta.
Të paktën kjo ka ndodhur në përvojat e vendeve të tjera. Për pasojë, ndikimi i vërtetë i këtyre projekteve me PPP në borxhin publik është krejt i panjohur dhe shifra e 2 miliardë eurove, mund të bëhet ndoshta edhe 2.5 miliardë apo më shumë! Kjo do të kishte pasoja shumë serioze për stabilitetin e financave publike dhe mund ta fuste vendin në një rrugë pa krye! Nëse mandati i qeverisë përfundon në vitin 2021, ky afat nuk duhet konsideruar edhe datë skadence për buxhetin e vendit. /Monitor/
*Dekan i Fakultetit të Ekonomisë në Universitetin Europian të Tiranës

Urgjenca kërkon “urgjencë”: “Gjej një makinë të të sjellë në spital, se këta shoferët tanë nuk dinë me ardh!”

“A ke ndonjë makinë tek lagja jote që të të sjellin në spital, se këta shoferët tanë nuk dinë me ardh!”, Ky ka qënë shërbimi “i shpejtë dhe korrekt”, që i ka ofruar mbrëmjen e djeshme një qytetari, Spitali Rajonal i Shkodrës.
I sëmuri, që arriti t’i mbijetojë me forcat e veta sëmundjes dhe pa ndihmën e “shëndetësisë falas”, e ka denoncuar sot skandalin tek ish-kryeministri Sali Berisha, që ka nxjerrë këtë konstatim: “Ky është shërbimi i urgjencës në Narkoshtetin e Noriegës! Lexoni mesazhin e të sëmurit dixhital,” shkruan Berisha në Fb.
Postimi i plotë i ish-Kryeministrit Berisha
Ky eshte sherbimi i urgjences ne Narkoshtetin e Norieges!
Lexoni mesazhin e te semurit dixhital. sb
Mirmengjes zoti Berisha, une dua te denocoj nje rast tek ti se je e vtmja rruge. Si mundem te shprehem, mbreme isha i semure ne gjendje te keqe e thirra ambulancen e spitalit rajonal te Shkodres, aty m’u pergjigj nje grua. I thash jam i senure kam nevoj per ambulanc, me tha a ke ndonje makine tek lagja jote qe te sjellin ne spital se kta shofert tane nuk dine me ardh. Une i thashe nuk ma hap njeri telefonin ne kete ore e me duhet ambulanca se jam i semure, ajo me mbylli telefonin.

Buxheti që projekton katastrofën financiare

    Përtej një buxheti modest në dukje, me rritje të ulët të ardhurash, shpenzimeve të kontrolluara dhe uljeve të ndjeshme të borxhit, po projektohet ajo që ekspertët e quajnë katastrofa financiare e së ardhmes. Përmes formulës së koncesioneve po fshihet borxhi, ndërsa barra do t’u kalojë jo vetëm qeverive të ardhshme, por të gjithë shqiptarëve që do ta paguajnë nëpërmjet taksave. Ekspertët japin alarmin për standardet e raportimit të borxhit publik dhe besueshmërinë e shifrave zyrtare.

Nga Ornela Liperi
Blerina Hoxha

Në janar 2014, në programin e parë makroekonomik fiskal të hartuar nga qeveria socialiste pas ardhjes në pushtet, parashikohej që në 2017-n, borxhi publik të zbriste në 65.6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Vitet kaluan dhe 2017-a u mbyll me një borxh faktik të raportuar nga Ministria e Financave prej gati 70% të PBB-së, ndërsa sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, nëse llogariten dhe detyrimet e prapambetura, stoku real arrin në 72% të PBB-së.
Sipas të njëjtit program, por të miratuar në vitin 2016, borxhi në 2018-n duhej të kishte zbritur në 62.1% të PBB-së, por financat presin, sipas relacionit të projektbuxhetit 2019, që ai edhe këtë vit të vijojë të luhatet në rreth 70% të PBB-së. Ashtu si një fëmijë që nuk është i përgjegjshëm për premtimet, edhe qeveria nuk e ka problem që të mos u përmbahet angazhimeve të saj dhe, çdo vit, të relaksojë kriteret që i ka vënë vetes për objektivat e borxhit.
Historia vazhdon të përsëritet, por skenari sa vjen e bëhet më i frikshëm dhe pasojat nuk do të vonojnë të ndihen. Në 2019-n, financat kanë premtuar që të ulin borxhin në rreth 65% të PBB-së, por ndërkohë janë angazhuar për të paktën “një miliard euro” investime përmes kontratave të Partneritetit Publik Privat, teksa janë njoftuar për tu dhënë gjatë vitit që vjen edhe 2 miliardë euro të tjera. Sipas standardeve të raportimit të borxhit nga Ministria e Financave, vlera e kontratës nuk shtohet në borxh, por vetëm pagesat që parashikohen të kryhen sipas viteve, duke qenë në këtë mënyrë, një borxh i fshehur, që pritet të shpërthejë më vonë.
Profesor Arben Malaj, ish-ministër i Financave, është i alarmuar për standardet e raportimit të borxhit publik, pasi sipas tij, për herë të parë gjatë viteve të tranzicionit, Ministria e Financave dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit, nuk kanë rënë dakord për nivelin e deficitit buxhetor e për rrjedhojë, borxhit publik. Sipas tij, standardet e raportimit të detyrimeve publike janë cenuar dhe kjo së pari është shkelje e ligjshmërisë së procesit të buxhetimit. Malaj tha se qeveria ka akumuluar detyrime të prapambetura, sidomos në rimbursimin e TVSH, të cilat nuk janë kontabilizuar në borxh, por janë një faturë që duhet të shlyhet. Ish-ministri i Financave sheh vështirësi në shërbimin e borxhit vetëm pak vite më vonë, për shkak të keqkombinimit të faturës së lartë të koncesioneve dhe detyrimeve të prapambetura.
Malaj pohon se analiza e risqeve potenciale në vendin tonë duket se është zgjeruar, ku ndër më kryesoret ai përfshin rritjen me ritme të shpejta të borxheve potenciale, përfshirë edhe detyrimet ndaj PPP-ve në fushën e infrastrukturës fizike si dhe zhvillimet negative demografike po reduktojnë popullsinë aktive për punë. LEXO INTERVISTEN E PLOTE: http://www.monitor.al/malaj-rritja-me-borxhe-eshte-joproduktive-rrezikohet-te-kalojme-situate-te-veshtire-ekonomike-dhe-sociale/

Borxhi real, gati 80% e PBB-së?
Gjatë rishikimit rutinë të marrëveshjes me Shqipërinë në fillim të këtij viti, Fondi Monetar Ndërkombëtar, njoftoi në një raport zyrtar se detyrimet e prapambetura të qeverisë shqiptare kishin arritur në 26.7 miliardë lekë në fund të vitit 2017, ku 65% e detyrimit i përkiste qeverisë qendrore dhe 35% pushtetit lokal. Në fund të vitit 2017, totali i borxheve të papaguara ishte 1.7% e PBB-së, e cila nuk u përfshi në llogarinë zyrtare të borxhit publik. Borxhi faktik i certifikuar nga qeveria shqiptare për vitin 2017 ishte 69.9% e PBB, por nëse do të përfshiheshin detyrimet e prapambetura, vlera e detyrimeve do të ishte 71.6%.
Të njëjtën përllogaritje bëri edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit, i cili gjeti shkelje të rënda si në përllogaritjen e deficitit buxhetor, ashtu edhe në raportin e borxhit me PBB. KLSH në raportin e buxhetit faktik 2017, gjeti se qeveria ka disbursuar kredi të huaja në vlerën mbi 3.7 miliardë lekë, të cilat nuk i ka përfshirë në llogaritë e deficitit 2017, duke i transferuar në llogaritë e 2018, në shkelje të ligjit organik të buxhetit të shtetit.
Sipas KLSH-së, deficiti buxhetor vjetor faktik më 2017 është -2.3% e PBB-së, teksa Ministria e Financave e ka raportuar -1.99% e PBB. Duke përfshirë edhe detyrimet e prapambetura që, sipas KLSH, për vitin 2017 janë më shumë se 19 miliardë lekë, borxhi publik është shumë më i lartë se 71% e PBB-së.
Më herët FMN ka tërhequr vëmendjen për rreziqet domethënëse fiskale që përmbajnë projekttet e partneritetit publik privat (PPP). Fondi ka kërkuar vazhdimisht që ndikimi i këtyre projekte, ndryshe nga sa veprohet aktualisht, të reflektohet në llogaritë fiskale dhe borxhin publik në mënyrë transparente dhe në linjë me normat ndërkombëtare.

Aktualisht qeveria e reflekton borxhin vetëm si detyrim korrent të vitit kur ndodh, ndërsa standardet ndërkombëtare kërkojnë dhe llogaritjen e pjesës së detyrimit të shtetit në totalin e borxhit publik. FMN e ka shprehur me parë se është e rëndësishme që çdo projekt PPP të bëhet transparent, të ketë një analizë të qartë kosto përfitime dhe një analizë të plotë rreziku.
Në një deklaratë zyrtare të FMN në fund të vitit të kaluar, vlerësohej se borxhi ose detyrimi i mundshëm që vjen nga investimet e financuara nga PPP-të mund të arrijë deri në 7% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Nëse këtë ia shtojmë borxhit aktual prej rreth 72% të PBB-së, atëhere niveli real i tij mund të ngjitej në gati 80% të PBB-së (koment i Monitor).
Ekspertët e Ekonomisë janë të shqetësuar për mungesën e seriozitetit të qeverisë për transparencën mbi raportin e borxhit real. Eksperti Selami Xhepa tha se ndoshta rreziku më serioz që mbetet i fshehtë, por brenda dy-tre viteve të ardhshme do të shfaqet qartazi dhe brutalisht, është implikimi që sjellin kontratat afatgjata koncesionare dhe Partneritetit Publik-Privat në borxhin publik dhe detyrimet e akumuluara. Të projektuara në kufijtë e 2 miliardë eurove nëpërmjet kontratave PPP për tre vitet në vazhdim, efektivisht borxhi real publik do të rritet dhe jo të ulet. “Kur themi ‘të projektuara’, shifrat reale, që do të rezultojnë në përfundim të kontratave të lidhura, do të jenë shumë më të larta se kjo shifër”, pohoi Xhepa. LEXO INTERVISTEN E PLOTE: http://www.monitor.al/xhepa-rreziku-me-i-fshehte-dhe-me-serioz-i-buxhetit-jane-ppp-te/
Llogaritë e deritanishme tregojnë se borxhi real i shtetit shqiptar është më i lartë se raportimet zyrtare të qeverisë, çka e bën pak të vërtetë projeksionin për këtë tregues edhe në vijim.

Koncesionet, fatura shkon 3 miliardë euro
Ajo që tashmë shqiptarët e njohin si paketa 1 miliard euro e koncesioneve me Partneritet Publik-Privat, me kontratat e reja që pritet të financohen gjatë vitit 2019, do të arrijë më shumë se 3 miliardë euro. Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave, të azhurnuara në projektbuxhetin e vitit 2019, vlera e kontratave në fuqi, që tashmë financohen dhe që pritet të nënshkruhen gjatë vitit të ardhshëm, është 382 miliardë lekë (3 miliardë euro). Nga kjo shumë, mbi 120 miliardë lekë (947 milionë euro) u takojnë 11 kontratave në zbatim që përfaqësohen nga 3 koncesione në sektorin e shëndetësisë, 4 landfille të mbetjeve, 2 kontrata rrugësh bashkë me koncesionin e skanimit në doganë dhe markimit të karburanteve për të cilat financimet kanë nisur.
Ndërsa vlera e 10 kontratave të programuara për t’u zbatuar me koncesion PPP arrin në 262 miliardë lekë, ose më shumë se 2 miliardë euro. Nga këto, 5 kontrata janë shkruar dhe do të hyjnë në fuqi për financim dhe 5 të tjera janë të reja. Në projektbuxhetin e vitit 2019, qeveria ka programuar të kontraktojë me PPP, 5 akse rrugore, 2 aeroporte, 6 shkolla në Tiranë dhe 1 spital rajonal në Fier. Kontratat në fuqi dhe ato të projektuara për 2019 arrijnë një vlerë sa 21.8% e PBB-së. Kjo shumë nuk është përfshirë në llogaritë e borxhit publik, por qeveria, nëpërmjet buxheteve vjetore, përllogarit pagesat vjetore të cilat nuk duhet të jenë më shumë se 5% të të ardhurave tatimore.
Ministria e Financave ka njoftuar se vlera e parashikuar për financimin e kontratave të koncesioneve për vitin 2019 është 2.7 miliardë lekë dhe përbën vetëm 3% të totalit të të ardhurave tatimore të pritshme të vitit 2018, prej 419.4 miliardë lekësh. Por kur të gjitha kontratat të hyjnë në fuqi, pagesa vjetore pas vitit 2021 rritet në mënyrë të pashmangshëm, duke e bërë nul kufirin 5%. Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, pohon se ruajtja e kufirit 5% do të jetë e pamundur vetëm pak vite më vonë, për shkak të vlerës së madhe të kontrata me PPP. Malaj tha se ulja e borxhit publik këtë vit i dedikohet nënvlerësimit të euros, por nëse në vitet në vijim kthehet normaliteti në tregjet e këmbimit dhe normat e interesit i kthehen rritjes, shërbimi i borxhit do të vështirësohet deri në krijimin e një situate kolapsi.

Si u dyfishua kosto e koncesioneve PPP në rrugë në një vit
Qeveria ka nisur të raportojë vlerën e kontratave koncesionare në dokumentet zyrtare që shoqërojnë buxhetet vjetore. Por që nga programi i vitit 2018 dhe në projektbuxhetin e vitit 2019, vlera e kontratave me PPP, sidomos në akset rrugore, rezulton të jetë e dyfishuar.
Sipas të dhënave zyrtare në buxhetin e vitit 2018, kosto e aksit Kashar – Rrogozhinë ishte raportuar 41,5 miliardë lekë, ndërsa në projektbuxhetin 2019, vlera është rritur me 103%, duke arritur në 84,7 miliardë lekë.
Autostrada Tiranë – Durrës pritet të jepet me koncesion, me një vlerë 49 miliardë lekë, teksa një studim fizibiliteti i prezantuar nga Autoriteti Rrugor më 2017 ishte rreth 21 miliardë, vlera është rritur me 134%. Autostrada Thumanë – Vorë, e cila në buxhetin e vitit 2018, ishte përllogaritur me 34 miliardë lekë, në buxhetin e vitit 2019 përllogaritet me 45 miliardë lekë. Kontrata për ndërtimin e këtij aksi është në fazën e negocimit.
Autostrada Orikum – Himarë, në buxhetin e vitit 2018 ishte përllogaritur 17 miliardë lekë, ndërsa në buxhetin e vitit 2019 është parashikuar me 9.4 miliardë lekë, teksa në kontratën me kompaninë që tashmë ka fituar koncesionin, vlera e punimeve është 6.6 miliardë lekë.
Rruga e Arbrit, në buxhetin e vitit 2018 ishte llogaritur me 24 miliardë lekë, ndërsa në buxhetin e 2019 me 33 miliardë, afërisht sa vlera e kontratës e cila është në proces të punimeve. Rruga Milot – Balldren rezulton me një vlerë 39% më të lartë në buxhetin e 2019, ndërsa projekti i shkollave në Tiranë, nga 6.2 miliardë lekë, që ishte programuar të financohej në vitin 2018, më 2019 llogaritet 10.1 miliardë lekë.
Burimet nga Ministria e Infrastrukturës pohuan se superstrada Tiranë-Durrës dhe ajo Kashar-Rrogozhinë do të financohet nga privatët dhe do të shlyhen nga tarifat që do të vihen në këto akse.

Të njëjtat burime shpjeguan se shifrat mbi vlerën e projekteve në buxhetet vjetore janë hamendësime, teksa sqaruan se vlera e saktë projektohet në momentin kur nënshkruhet kontrata. Mirëpo rastet e përmbyllura të kontratave koncesionare kanë rezultuar mjaft problematike në drejtim të kostos. Kështu, për shembull, Rruga e Arbrit sipas projektit të fizibilietit të dorëzuar në Autoritetin Rrugor Shqiptar më 2005 ishte programuar të ndërtohej për 150 milionë euro. Qeveria e programoi në buxhetin e vitit 2018 me 24 miliardë lekë. Ndërsa në kontratën koncesionare me kompaninë Gjoka Konstruksion, vlera e punimeve është 34 miliardë lekë, ose rreth 250 milionë euro.
Në dy dekadat e fundit, kosto për një kilometër autostradë është rritur në mënyrë të frikshme, teksa indeksi i çmimeve në ndërtim, inflacioni dhe rritja e pagave nuk i justifikojnë vlerat e larta që po “fluturojnë” pa logjikë vit pas viti.
Në vitin 2009, një kilometër autostradë me katër korsi, me gjerësi 25 metër, me trotuare dhe ndriçim, ka kushtuar 135 milionë lekë, ose 1 milion euro, ndërsa një e tillë me projektin “One Billion” do të kushtojë mesatarisht 10-11 milionë euro, sipas të dhënave që janë publikuar nga Ministria e Financave në raportet vjetore të monitorimit ndaj Ministrisë së Transporteve. Ndërsa sipas INSTAT, indeksi i çmimeve në ndërtim, nga viti 2008 deri më 2017, është rritur me vetëm 4.8%.
Qeveria shqiptare ka në zbatim një strategji sektoriale për transportin rrugor, e cila ka hyrë në fuqi në vitin 2016 dhe do të jetë e vlefshme deri në vitin 2020. Në dokument parashtrohen për financim 10 projekte të infrastrukturës, 3 prej tyre hekurudha të cilat e ndihmojnë Shqipërinë të lidhet me rajonin. Mirëpo projektet e Paketës 1 miliard nuk përputhen me 10 prioritetet e infrastrukturës të miratuara 2 vite më parë, përveç aksit Thumanë-Kashar.

Protestuesit shpërthejnë ndaj deputetes së PS: Ku je Gjylameti, erdhe si qen të na kërkoje vota, tani fshihesh!

Banorët që po protestojnë tek Unaza e Re kanë lëshuar thirrje me megafon duke kërkuar ata pushtetarë që duhej të ishin sot pranë tyre, duke filluar nga deputetja e PS, Blerina Gjylameti.
“Ku je deputete Gjylameti?! Ku je?! Erdhe si qen për të na kërkuar vota! Ne e duam rrugën, nuk jemi kundër rrugës, por na dëmshpërblemi 100%. Thjesht mungon vullneti, se kjo mund të bëhet.
Ku je, o Avokate e Popullit?! Ku je o Shoqëri Civile?! Ku jeni?!
Protestuesi me megafon ka njoftuar se protestës së tyre i janë bashkuar sot protestuesit që mbrojnë Teatrin Kombëtar dhe i ka falenderuar ata. Edhe ne do ta mbrojmë Teatrin, ka thirrur ai në megafon.
Që në orët e para ka nisur protesta e banorëve të Tiranës që banojnë në dy krahët e rrugës nga Pallati me Shigjeta deri tek Sheshi Shqiponja, aty ku do të zhvillohet projekti për zgjerimin e rrugës që paraprihet nga shembja e 317 godinave, shtëpi dhe biznese.
Banorët kanë shënuar sot ditën e tetë të revoltës ndaj qeverisë dhe bashkisë së Tiranës. Ata nuk kanë lejuar kalimin e autojeteve dhe kanë debatuar me shoferët e disa mjeteve që kanë tentuar të anashkalojnë protestën e tyre.
Protesta e banorëve mbështetet nga opozita. Kryetari i PD-së Lulzim Basha u takua dje me shumë prej tyre.

Noka: Banorët kërkojnë kompensimin, Erion Veliaj të vijë t’i dëgjojë!
“Asnjë nga këta banorë nuk është kundër ndërtimit të rrugës, ata po protestojnë se po nxirren në rrugë. Ata kërkojnë të vlerësohen e të kompensohen e të mos nxirren në rrugë.”
Ky ishte qendrimi i deputetit të PD, Flamur Noka, lidhur me protestën që po zhvillojnë sot banorë të Unazës së re në Tiranë që preken nga projekti i zgjerimit.
“Erion Veliaj të mos i bëjë dëgjesat me stafin e tij, tha Noka, por me këta banorë që kanë probleme.”
Banorët kanë ngritur një komision nismëtar për protestën dhe PD-ja është në mbështetje të tyre.
Erion Veliaj kujdeset të gjejë strehë për qen, kurse për këta banorë asgjë. Kjo është çnjerëzore.”
Ndërkohë, drejtuesi i lartë i LSI, Endrit Braimllari i ka bërë thirrje Edi Ramës që të vijë të përballet me banorët.
“Edi Rama të vi të përballet me banorët dhe jo të fshihet skutave si frikacak. Qytetarët duhet të dëgjohen, shkruan Braimallri në një postim ne rrjetin social facebook.
“Edi Rama të vi të përballet me banorët dhe jo të fshihet skutave si frikacak. Qytetarët duhet të dëgjohen.
Jemi pro zhvillimit të zonës por duhet transparencë dhe konsultë publike. Duhet gjetur zgjidhje për këto banorë që kanë 28 vite që paguajnë taksat.
Pse ka frikë Edi Rama të përballet me banorët e Unazës së Re?!”, shkruan ai.

Modeli ekonomik i rilindjes, i dështuar!

Jorida TABAKU

Çfarë ka ndodhur në këto pesë vitet e fundit nuk përbën habi as për ne, as për ekspertët e ekonomisë. Në këto pesë vite nuk ka pasur asnjë vizion ekonomik dhe asnjë model ekonomik përpos uzurpimit dhe shfrytëzimit të burimeve në interes të një grushti njerëzish.
Në këto pesë vite në Shqipëri ka pasur rritje taksash prej pothuajse 5 miliardë euro dhe kjo ka rënduar mbi shtresën e mesme dhe shtresën më të varfër. Nga politikat e papërgjegjshme fiskale sot 90% e shqiptarëve paguajnë ngarkesën më të lartë të taksave të rritura. Mungon mobiliteti social, ka një pabarazi më të lartë.
Në fushën e biznesit, favorizimet fiskale për një numër të vogël biznesesh janë përkthyer në një treg të kontrolluar nga shumë pak kompani. Një treg monopolesh apo oligopolesh ndërsa ka një mungesë të theksuar konkurrence në ekonomi, rreth 45 biznese në ditë janë mbyllur nga janari 2014 deri më sot.
Parlamenti funksionon si noter i ligjeve me emra biznesesh që sjell qeveria. Tenderat, koncesionet dhe PPP-të u shkojnë vetëm një grupi njerëzish, ligji i Investimeve Strategjike është shkruar për interesat e ngushta klienteliste pasi asnjë investitor i huaj i rëndësishëm nuk ka ardhur në Shqipëri. Investimet e Huaja mbahen nga dy investime serioze dhe të fuqishme që janë mundësuar nga qeverisja e PD, siç u përmend dhe këtu nga zoti Basha.
Janë larguar partnerë strategjikë dhe janë afruar partnerë qe sigurisht nuk i bëjnë keq ekonomisë por që nuk mund të jenë kurrsesi strategjikë. Është e palogjikshme që të zëvendësohen partnerë strategjikë si Gjermania, SHBA nga biznese të vendeve që nuk janë partnerët tonë strategjikë.
Përse janë larguar partnerët e vendeve strategjike?
Ka dy arsye kryesore:

E para, përkushtimi i qeverisë për të favorizuar me politika fiskale biznese të caktuara. Për rrjedhojë kemi më pak konsum të popullsisë dhe një vend që nuk ka mendjen të punojë por të ikë nga Shqipëria.
E dyta, armiqësia e qeverisë ndaj bizneseve të huaja dhe risive që ato mund të sjellin. Rregullatorët e shumtë por edhe mos-fokusimi i instancave qeveritare në shërbim të Investimeve të Huaja.
Sot praktikisht kemi një situatë dëshpëruese për investitorët shqiptarë dhe investitorët e huaj seriozë dhe këtë e shprehin të gjitha sondazhet dhe raportet e Dhoma e të Tregtisë duke filluar nga DIHA gjermane e deri të Dhoma Amerikane e Tregtisë ku përmendet së pari korrupsioni i nivelit më të lartë që bëhet sot në Parlament, që bëhet pa frikë dhe me ligje, burokraci dhe të gjitha kanë një emër.
Mënyrën e qeverisjes dhe sistemin që kjo qeveri ka ngritur. Pa u ndryshuar kjo nuk ka asnjë zgjidhje. As për shqiptarët as për investitorët e huaj.
Kjo mungesë konkurrence, kjo rritje dhe thellim i pabarazisë, rritja e taksave për shtresën e mesme dhe shtresën e varfër qe duhej te ishin gjeneratori dhe stimuli kryesor për te krijuar punësimin për t’u mbështetur në politika fiskale ka sjellë në Shqipëri një situatë me të vërtetë shqetësuese.
Të ardhurat në arkën e shtetit bien, qeveria kërkon të ngarkojë me barrë fiskale qytetarin, monopolet dhe oligopolet nuk paguajnë taksat. Buxheti në këtë drejtim nuk sjell asnjë gjë të re dhe nuk sjell asnjë ndryshim. Kështu që ne mendojmë që rikonceptimi i të gjithë modelit ekonomik dhe mënyrën se si ka funksionuar në këto 5 vite do të jetë zgjidhja e vetme.
Kemi arritur në një moment ku nuk ka më mundësi për arnime. Duhet ndërhyrje e drejtë për drejtë në problemin e krijuar në këto pesë vjet. E vetmja rrugë për të shpëtuar vendin është ndërhyrja kirurgjikale e përpiktë për të shpëtuar pjesën më të mirë dhe për ta pastruar nga ajo ç’po ndodh. Ndaj gjithë angazhimet tona si në platformën ekonomike të paraqitur para disa javësh por edhe në amendamente kanë qenë të përqendruar në këtë pikë.

Situata ka nevojë për të ri konceptuar duke filluar me një sistem fiskal që është i bazuat tek taksa e sheshtë, që siguron ekonomi dhe konkurrencë të lirë, dhe që heq monopolet të cilat sot janë duke përqendruar pasurinë në një grup të caktuar njerëzish.
Për herë të parë ndodh në Shqipëri që investitorët e huaj qe po marrin pasuritë publike, janë me aksionerë te panjohur, kompani “Off-shore”. Kemi investitorë të cilët e krijojnë kompaninë enkas për të marrë një tender publik apo një pasuri publike, që nuk ka asnjë eksperiencë në sektor.
Kemi investitorë të cilët sot konkurrojnë, marrin një tender, e shesin atë deri në 1 deri në 10 euro tek investitorë shqiptarë te cilit i ishte caktuar ky tender.
Kjo mungesë dëshire vërehet edhe për Procesin e Berlinit që në të vërtet është një mundësi shumë e mirë për të lidhur të gjithë vendet e rajonit në shumë fusha.
Fatkeqësisht Shqipëria nuk është duke përfituar nga procesi i Berlinit.
Kemi marrë vetëm tre draft-projekte ndërkohë qe fqinjët tanë janë duke përfituar projekte në infrastrukturë.
Qeveria i ka hedhur në koshin e plehrave të gjitha projekt propozimet e gatshme për strategjitë e zhvillimit rrugor që lidhen me akset kryesore, me aeroportet dhe portet. Të gjitha të përgatitura dhe të lëna mbi tavolinën e punës në shtator 2013 kur kryeministri Rama erdhi në pushtet. Sot, qeveria që mund të përfitonte ndoshta më shumë nga Procesi Berlinit, ka marrë asgjë!
Procesi i Berlinit qe do të lidhë vendet e Ballkanit Perëndimor mes tyre dhe me BE, sot është duke izoluar Shqipërinë.
Ky nuk është faji as i Gjermanisë, as i KE-së, as i partnerëve tanë shumë të rëndësishëm Europian, por kjo është mungesa e vullnetit të qeverisë dhe për t’i vënë një emër, kjo quhet “Korrupsion i nivelit më të lartë”, sepse qeveria po preferon qe këto projekte t’i japë me koncesione, me PPP dhe nuk përfiton nga mundësitë qe përfitojnë partnerët tanë të përhershëm strategjikë.
Ky shqetësim, rritja e korrupsionit në nivelin më të lartë, është pengesa kryesore për ekonominë, është pengesa për investime, zhvillim dhe ndryshimin e jetës së çdo shqiptari.
Dua të falënderoj të gjithë ekspertët e Partisë Demokratike që kanë punuar dhe përditë prodhojnë dokumente, informacione, me burime të kufizuara dhe të manipuluara informacioni, dhe jam e sigurt që nuk do të jetë e largët dita që ju të vini këtu dhe të diskutojmë bashkë se si ta kthejmë në një plan pune programin ekonomik të Partisë Demokratike dhe të hartojmë bashkë mënyrën më të mirë për të dalë nga kjo krizë.

”Të paftuarit” u mbajtën larg, masa të rrepta sigurie gjatë varrimit të Edison Harizajt

Edison Harizaj, i quajtur ndryshe dhe “Edi Faqedjeguri”, apo “Il Padrino” është përcjellë në banesën e fundit dy ditë më parë, në Vlorë, me një pjesëmarrje shumë të lartë të të afërmve dhe miqve të tij.
Miqtë e tij janë kujdesur që të mbajnë larg jo vetëm mediat, por edhe persona që mund të cënonin lamtumirën e fundit për Harizajn, që duhet thënë se ka qenë një nga njerëzit më me ndikim në qytetin e Vlorës.
Ceremonia ka qenë tërësisht private dhe larg ‘të paftuarve’, madje në rrugën ku ka kaluar kortezhi nuk ka pasur asnjë makinë tjetër.
Të paktën 500 persona morën pjesë në ceremoninë e varrimit, ndërsa vargu i makinave të kortezhit shkoi në 2-3 km.
Harizaj u ekzekutua në një atentat të tipit mafioz mbrëmjen e së martës, së bashku me mikun e tij Genti Caca, nga persona që ende nuk janë identifikuar nga ana e policisë.
Derimë tani nuk ka asnjë person të dyshuar lidhur me ngjarjen, ndërsaa burime bëjnë me dije se porositësi mund të ketë qenë nga Belgjika, dhe dyshohet për larje hesapesh, apo hakmarrje për zhdukjen e Albano Xhaferrit.