29.5 C
Tirana
E shtunë, 16 Gusht, 2025

Rusia miraton sanksione të reja kundër Ukrainës

Rusia ka vendosur sanksione të gjera financiare ndaj 322 anëtarëve të elitës ukrainase dhe 68 kompanive në pronësi të biznesmenëve të njohur ukrainas.
Në mesin e personave në shënjestër të sanksioneve janë:
djali i Presidentit Petro Poroshenko, Oleksiy
ministri i Brendshëm Arsen Avakov
shefi i Shërbimit të Sigurisë Vasyl Hrytsak
zëvendës kryeministrja Ivanna Klympush-Tsintsadze
biznesmeni Viktor Pinchuk
ish-kryeministrja Yulia Tymoshenko
ish-kryeministri Arseniy Yatsenyuk
ish-kreu i Grupit Ultranacionalist i Sektorit të Djathtë Dmytro Yarosh
Sanksionet u njoftuan me një dekret të nënshkruar nga kryeministri Dmitri Medvedev, botuar në faqen e internetit të qeverisë më 1 nëntor.
Në dekret thuhet se qëllimi i masës është “kundërvënia ndaj aktiviteteve jo miqësore të Ukrainës ndaj shtetasve dhe subjekteve ruse si dhe normalizimi i marrëdhënieve dypalëshe”.
Në listën e sansioneve përfshihen gjithashtu:
sekretari i Këshillit për Sigurinë Kombëtare dhe Mbrojtjen Oleksandr Turchynov
ministri i Mbrojtjes Stepan Poltorak
zëvendësministri i Mbrojtjes Anatoliy Petrenko
shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Viktor Muzhenko
nënkryetarja e parlamentit Iryna Herashchenko
udhëheqësi veteran i Tartarëve të Krimesë Mustafa Dzhemilev

Sanksionet përfshijnë ngrirjen e pronave në territorin e Rusisë. Ndër të prekurit janë edhe gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese të Ukrainës, ligjvënës, oligarkë, punonjës të zyrës presidenciale, zyrtarë qeveritarë dhe kompani të mëdha ukrainase.
Masa e kryeministrit rus Medvedev vjen 10 ditë pasi presidenti Vladimir Putin nënshkroi një dekret që përgatiti terrenin për “masa të posaçme ekonomike” kundër Ukrainës, duke udhëzuar qeverinë të hartojë një listë të firmave dhe individëve në shënjestër të sanksioneve ekonomike.
Në dekretin e presidentit Putin të 22 tetorit, thuhet se masa ndëshkuese mund të anulohen nëse Ukraina heq të gjitha kufizimet që ka imponuar ndaj qytetarëve dhe kompanive ruse.
Ukraina ashtu si Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, ka vendosur sanksione ndaj biznesmenëve, kompanive dhe organizmave të tjera ruse si përgjigje ndaj konfiskimit të gadishullit të Krimesë nga Moska në marsin e 2014 dhe mbështetjes që ajo u jep separatistëve të armatosur në Ukrainën lindore.
Më 23 tetor, zoti Medvedev njoftoi se Moska po përgatiste sanksione që do të ndalonin importin e disa produkteve ukrahinase në Rusi. Ai nuk specifikon se për çfarë produktesh bëhej fjalë.
Në muajin qershor zoti Putin nënshkroi një ligj për t’u hakmarrë ndaj Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera që kanë vendosur sanksione kundër Rusisë.

Koha e lirë e tepërt mund të shkaktojë dëme

Në morinë e obligimeve familjare dhe tensionit në punë shumë njerëz ndjejnë që nuk kanë mjaft kohë për veten.
Por, sipas hulumtimeve, edhe koha e lirë me shumicë i kontribuon stresit njëjtë edhe si pak kohë e lirë.
Ekspertët nga tri Universitete amerikane kanë kryer anketën me 1.329 adoleshentë duke i pyetur për kohën e lirë dhe ndjenjën e lumturisë.
Ata që konsiderojnë që kanë pak kohë të lirë shpesh kanë qenë të prekur, ndërsa hiç më mirë nuk kanë qenë as ata që e kanë pasur me bollëkv. Kështu shkencëtarët kanë konkluduar që mesi, si zakonisht, është më i miri.
“Jetojmë në epokën kur koha është thelbi. Perceptimi i mungesës së kohës logjikisht është i lidhur me nivelin më të ulët të lumturisë”, kanë thënë hulumtuesit.
Prandaj rekomandohet që në këtë kohë të shoqërisë konsumuese, sa më shumë të mundemi, të ndalojmë së vrapuari pas të mirave materiale për të gjetur kohë edhe për veten, dhe në rastin e kohës së tepërt të lirë, të gjejmë ndonjë interesim të ri.

Provat në krim që fshehu Tahiri dhe që s’mund të vijnë nga Italia

Saimir Tahiri doli të enjten para medias për të dhënë konferencën e paralajmëruar, anuluar dhe komentuar që prej fundjavës së kaluar. Ai e anuloi daljen para medias të shtunën e javës së mëparshme, me shumë mundësi për faktin se kishte një lajm më të rëndësishëm që do e eklipsonte atë-dorëheqja e Fatmir Xhafaj.
Tahiri doli para medias, pa asgjë të re. Ai publikoi vendimin e prokurorisë së Katanias për pushimin e hetimeve ndaj tij. Ky vendim ishte trafikuar prej njerëzve të tij që në fillim të kësaj jave.
Tahiri doli para medias dhe përsëriti atë që kishte thënë edhe një vit më parë- faktin që hetimi i nisur ndaj tij në Shqipëri është politik.
Ai përsëriti gjithashtu që, si një qytetar i lirë, ishte në pritje të përfundimit të hetimeve nga Prokuroria Shqiptare.
Tahiri përsëriti për të disatën herë se familja e tij ka qenë e shqetësuar dhe e ka mbështetur gjatë kësaj periudhe. Ka shumë të drejtë në këtë qëndrim, por nuk është as e re dhe as e papritur fakti që mbështet nga familja.
Tahiri tha që prokuroria e Katanias ka verifikuar në dyqanet ku dyshohet se Habilajt kanë blerë bizhuteri e kostume të shtrenjta për atë dhe familjen e tij, në vitin 2014. Dhe, sipas vendimit që ka në dorë Tahiri, hetimet e prokurorisë së Katanias në këto dyqane nuk kanë zbuluar asgjë.
Ai, natyrisht, nuk e përmendi faktin që prokurorët italianë nuk kanë arritur të sigurojnë pamjet e kamerave të sigurisë, për faktin se ka kaluar një kohë e gjatë dhe ato nuk ruhen në serverat kompjuterikë të dyqaneve.

Tahiri përsëriti faktin se nuk ka udhëtuar asnjëherë me Habilajt. Këtë e mbështeti edhe në vendimin e prokurorisë së Katanias, e cila ka kryer verifikimet në Interpol dhe nuk u ka rezultuar që ish-ministri i Brendshëm ka udhëtuar në zonën Shengen me kushërinjtë e tij trafikantë. Por, Tahiri nuk e përmendi faktin se ai, për shkak të pushtetit të tij, ka udhëtuar me Habilajt jashtë Shqipërisë, duke mos u regjistruar në hyrje-dalje.
Prokuroria e Katanias nuk ka në dorë informacionet e autoriteteve greke, në bazë të të cilave, Saimir Tahiri ka kryer pushimet me Artan Habilaj në gusht 2014. Nuk kanë as faktin që një skaf shqiptar, i drejtuar nga një punonjës policie, ka dalë i paregjistruar nga Shqipëria dhe i është vënë në dispozicion Tahirit për të shëtitur në brigjet greke e më pas, po i paregjistruar, ka hyrë në Shqipëri.
Nuk e kanë prokurorët e Katanias as informacionin që ky skaf, pasi është ankoruar në Sarandë, është marrë nga Artan Habilaj dhe është dërguar në Vlorë, e, prej aty, kreu i bandës, Moisi Habilaj, po me këtë skaf, gjithnjë i paregjistruar, ka udhëtuar drejt Italisë.
Prokuroria e Katanias nuk ka pasur dhe as nuk ka informacione, pasi ato u takojnë autoriteteve shqiptare, se si drejtues të lartë të policisë së Vlorës janë shpallur në kërkim, për shkak të bashkëpunimit me trafikantët Habilaj.
E, megjithatë, Tahiri nuk i përmendi dhe nuk dha asnjë qëndrim për këto prova. Ai, si edhe më parë, përmendi Edi Ramën, pa kritika.
Tahiri, si edhe më parë, përsëriti sulmet politike ndaj Sali Berishës, Lulzim Bashës, Ilir Metës, opozitës në përgjithësi, njëlloj siç ka bërë dikur nga foltoret politike.
Kushdo që priste që Saimir Tahiri të fliste diçka për pasardhësin e tij, Fatmir Xhafaj, i cili e goditi politikisht dhe institucionalisht atë vetë dhe taborin e tij të shefave të policisë, mbeti i zhgënjyer.
Kjo ishte e vetmja e reja e vjetër në konferencën për media të Saimir Tahirit-ai, njëlloj si edhe të tjerët, nuk ka forcën dhe as dëshirën për të goditur brenda gardhit të Rilindjes.
Ai po pret dhe shpreson që shokët e Partisë ta ndihmojnë me hallin që e ka zënë dhe ai të rikthehet në jetën politike.

“Boldnews.al”

Sa fytyra mund të mbajë mend truri i njeriut?

Në shohim njerëz të panumërt çdo ditë – nëpër dyqane, në palestër, në televizion si dhe gjatë udhëtimeve.
Por, sa fytyra mund t’i njohim në të vërtetë? Për herë të parë gazeta Proceedings of the Royal Society B, është përgjigjur me: 5,000 fytyra ose më pak.
Natyra ndonjëherë është e paparashikueshme. “Duket se aparati mental që na lejon të dallojmë njerëz të ndryshëm, gjithashtu të dallojmë mijëra njerëz të ndryshëm,” thotë Rob Jenikns, psikolog në Univesity Of New York në Angli.
5,000 fytyra
Grupe të hulumtimit nga The York ka testuar 25 studentë në dy universitete në Skoci.
Në sesione të ndryshme, studentët kanë shkruar një listë të njerëzve që ishin në gjendje t’i njohin në ditët e tyre të përditshme. Lista ka përfshirë familjarët, shokët, banorët e rrethit dhe komshinjtë, dhe njerëz të zakonshëm. Vargu i njohjes ishte mes 167 dhe 524. Mesatarja ishte 362 njohe të fytyrave.
Ky numër është ngritur kur hulumtuesit pyetën pjesëmarrësit të shkruajnë njerëzit që njohin në media, duke përfshirë politikanët, të famshmit, sportistët, muzikantët dhe të tjerë. Në fund, kuptuan se memoria është e ndryshueshme, hulumtuesit i’u kanë treguar pjesëmarrësve fotografi të njerëzve të famshëm për ti nxitur kujtimet. Ky rrejt është zgjeruar edhe më shumë me njohje të fytyrave.
Pas mbledhjes së gjitha të dhënave, ata kanë gjetur se studentët kanë njohur mes 1,000 dhe 10,000 fytyra, me një mesatare prej 5,000.
Softueri i njohjes së fytyrave
Gjetjet e grupit ishin gjetje praktike, thotë Jenkins. Shumë kompani të sigurisë po zhvillojnë softuer për njohjen e fytyrës. “Një kuptim më i mirë i njohjes së njohur të fytyrës tek njerëzit duhet të informojë modelimin më të mirë të atij procesi në makina,” thotë ai.
Gjithashtu, pasi që 24 ishte mesatarja e moshës së studentëve pjesëmarrës, janë rritur pyetjet se njerëzit më të moshuar kanë një njohje më të mirë apo më të keqe të fytyrave.
Kjo mund të jetë një fushë e studimeve në të ardhmen. “Njerëzit nuk janë lindur duke i njohur 5,000 fytyra, kështu me sa duket aty janë disa zgjerime të shpejta, thotë Jenkins. “Por nuk kemi ndonjë ide se si kjo stabilizohet ose nëse vazhdon të rritet gjatë gjithë jetës.

Pse kandidati i Ramës ka ndryshuar mbiemrin dhe çfarë pozicioni mban? Meta nuk e dekreton

Skandali duket se nuk priti sa të fillojë detyrën e re Ministri i Brendshëm, i zgjedhur me nxitim nga Kryeministri Rama. Kandidati për ministër ka një handikap që i ka “shpëtuar” syrit të Kryeministrit Edi Rama, i cili ka nxjerrë në Twitter propozimin e tij. Të shohim nëse do i shpëtojë edhe Presidentit Ilir Meta, apo nëse dhe ky i fundit me vetëdije do të vendosë të mbyllë njërin sy para të kaluarës së errët të ministrit të skandaleve të rradhës.
Sandër Lleshi, gjenerali i ushtrisë i propozuar për ministër dhe në pritje të dekretimit, në fakt quhet Sandër Lleshaj. Po flitet këto ditë mbi këtë gjeneral, se si është vlerësuar nga Ismail Kadare apo si ka kryer me dhjetra kurse në Gjermani, që e bëjnë të ketë cilësi dhe prirje të veçanta perëndimore. Por kush është ky person në të vërtetë? Çfarë gjeneralitetesh ka?
Sandër Lleshaj, i biri i Ndues dhe i Davës, ka lindur në Mirditë në 25 Janar 1963, i martuar, baba i dy fëmijëve dhe bashkëshortja, ashtu si gjithë familja e tij, kanë mbiemrin Lleshaj.
Atëherë përse ky gjeneral paraqitet dhe prezantohet kudo me emrin dhe mbiemrin Sandër Lleshi, kur autoritetet që vetë pretendon se do drejtojë, e kanë identifikuar si person me mbiemër tjetër, dhe jo atë që Kryeministri e propozoi për Ministër të Brendshëm?!
Mbetet për t’u parë veprimet e ardhshme të Presidencës, pasi ky mund të shënojë rastin e parë deri më sot, kur Presidenti kthen me të drejtë propozimin e Kryeministrit për shkaqe procedurale, deri në verifikimin e saktë të identitetit të një kandidati për ministrinë më të rëndësishme të kabinetit qeveritar, atë përgjegjëse direkte për rendin publik.

PD i kërkon Prokurorisë të arrestojë Tahirin

Këshilltari ligjor pranë PD-së, Gazmend Bardhi ka reaguar pas deklaratës së ish-ministrit Saimir Tahiri, i cili u shpreh se Italia ka mbyllur hetimet ndaj tij. 
Përmes një deklarate për mediat, Bardhi u shpreh se Saimir Tahiri i ka kryer krimet në Shqipëri dhe jo në Itali. Ai kërkoi nga Prokuroria të arrestojë ish-ministrin, pasi ka kërcënuar punonjësit e drejtësisë.
“Italia nuk ka juridiksion për vepra penale të bëra në një shtetas i huaj në një shtet të tjetër. Qëllimi polik i Ramës është që Saimir Tahiri t’i shpëtojë drejtësisë. Saimir Tahiri nuk i ka kryesor krimet në Itali, por në Shqipëri. Vuri në dispozicion 127 punonjës policie në dispozicion të Habilajve. Makina e Tahiri u përdor për trafik droge. Saimir Tahiri është simboli i politikanit mafioz, i trimëruar nga mbrojta e Arta Markut dhe Donika Prelës. Tahiri kërcënoi sot edhe të gjithë ata që dëshmuan dhe kanë prova kundër tij. Prokuroria duhet të kërkojë masën arrest me burg për Tahirin, pasi ka kërcënuar punonjësit e drejtësisë. Është momenti që partnerët e huaj të mbajnë premtimin dhe të mos lejojnë që një kriminel si Tahiri të shpëtojë pa u ndëshkuar”, tha Bardhi.

Xhafaj ulet në fund të sallës në Kuvend, ja çfarë deklaroi për gazetarët

Ish-ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj është rikthyer për herë të parë sot në Kuvend pas dorëheqjes së tij si ministër i brendshëm.
Gjatë gjithë seancës Xhafaj është parë që të qëndrojë i ulur në rreshtin e fundit të sallës.
E megjithatë gazetarët kanë insistuar që ta pyesin ish-ministrin në dalje të Kuvendit, pasi ka ende pikëpyetje lidhur me vendimin e tij, por Xhafaj nuk dha asnjë koment.
“Nuk kam më asgjë për të folur, nuk është faji im që nuk kuptoni”, është shprehur Xhafaj në dalje të seancës plenare, teksa ka nxituar që të hyjë në makinën e tij.
Dy ditë më parë Xhafaj u shfaq në krah të kryebashkiakut Erion Veliaj, duke iu kërkuar qytetarëve një mandat të dytë për të në krye të Tiranës.

Alkooli i Ramës!

Luçiano Boçi

Sa herë i është dashur Ramës të dalë nga situatat e vështira në parlament gjatë replikave, në mungesë të argumentave, si armë të fundit, në formë batute bajate të rradhës, i ka përmendur kundërshtarit “gotën e rakisë”. Jo në pak raste.
E gjitha kjo me qëllim shmangien e problemit të vërtetë të debatit.
Ndërsa “vizat” e veta për të cilat është akuzuar publikisht, është munduar gjithmonë t’i paraqesë si normalitet.
Kështu ngjan pak a shumë dhe nisma kundër përdorimit të alkoolit në shkolla.
Thjeshtë Një batutë të cilën po e paraqet si nismë.
Kërkon të bëjë zhurmë e të marrë pozën e edukatorit, për të shmangur realitetin dramatik të drogës mes të rinjve te këtij vendi.
Akooli duhet ndaluar, por ky nuk është problemi kryesor i nxënësve deri në 18 vjeç në shkollat tona.
Shqetësimi themelor i mësuesve e i prindërve nuk është tekja e fërrnetit, apo jagerit, por është cigarja e hashashit, doza e kokainës dhe luga e heroinës.
Droga ka pushtuar shkollat tona të mesme dhe tashmë po përhapet me shpejtësi marramendëse në 9 vjeçare.
Ajo po vret e shkatërron çdo ditë të rinjtë e familjet e tyre.

Ministria e arsimit rri e vështron dhe ndonjëherë dërgon ndonjë polic.
E gjen jo vetëm tek bari, por dhe tek pallati, tek lagja, pse jo tek dyqani i elektronikës, i mishit, i zarzavateve e kudo.
Ka të bardhë, të kuqe, jeshile po dhe të zezë e ngjyra-ngjyra. E do pluhur, tabletë, kristal, me zhavor apo të pastër, vetëm hap gojën dhe e ke gati.
Mund ta marrësh në rrugë, në autobuz, në kinema, madje dhe pa dalë fare nga shkolla, pa kamarier e pa bufetier.
E gjen në qytet, në fshat po se po, në qendër e në periferi.
Qarkullon kaq shumë hashash sa një cigare prej tij kushton vetëm sa një teke uiski.
Pastaj Rama e di mirë dhe e ka provuar që moda e qerasjes ka ndryshuar.
“Respekti” nuk është më me pije, se ndryshe je jashtë mode.
“Respekti” sot shprehet me “mall”.
Shih rrushi kryerrushin e piqu i thonë kësaj pune!
Ky pra është problemi sot që Rama nuk e sheh dhe nuk kërkon ta zgjidhë, sepse është vetë problemi.
Rama e ka të pamundur të luftojë drogën për mijëra arsye.
Mbi të gjitha, jo se i ka ngel sahati tek alkooli, por sepse e ka të pamundur të kapërcejë thelbin e narko-qeverisjes së vet, fjalët çelës të së cilës janë krim, drogë e tallava.

Dokumenti italian/ Ja pse Tahiri nuk është i pafajshëm

Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, nën hetim për trafik droge me kushërinjtë e tij Habilaj dhe nën hetim për korrupsion të zyrtartëve të nivelit të lartë, sot i mashtroi live shqiptarët.
Tahiri sot bëri publik një dokument të Prokurorisë së Katanisas (fotot më poshtë) në të cilin thuhej se ndaj tij ishin pushuar hetimet në Itali.
Ky fakt është i vërtetë që Prokuroria e Katanis ka pushuar hetimet për Tahirin, por ish-ministri i Brendshëm nuk sqaroi faktin se pse është pushuar hetimi ndaj tij.
Tahirit sot nuk sqaroi se hetimi ndaj tij është pushuar pasi Prokuroria e Antimafias Italiane nuk ka gjetur një vepër penale që ish-ministrit ta ketë kryer në Itali e për këtë shkak ndaj tij nuk mund të merrej asnjë masë.
Por në dokumentin e bërë publik nga Saimir Tahirit shprehet qartësisht se Moisi Habilaj fliste në telefon dhe me anëtarët e organizatës së trafikut të drogës, pikërisht për kushëririn e tij, ministër të Brendshëm.

Ja çfarë shkruhet në dokumentin e Prokurorisë së Katanias:
‘Në lidhje me pozicionin e Saimir Tahirit, ndërmjet të gjithave duhet saktësuar fakti se në bisedat e përgjuara në të cilat të hetuarit e tjerëflisnin në mënyrë të qartë për të njëjtin person të hetuar, Tahirin, ministër i Brendshëm i Republikës së Shqipërisë dhe kushëri i Moisi Habilajt’.
Ndërsa më poshtë në të njëjtin dokument të Prokurorisë së Katanias, vërtetohet i gjithë fakti se Moisi Habilaj ka blerë byzylykë për bashkëshorten dhe nënën e Saimir Tahirit.
Gjithashtu konfirmohet edhe fakti se Habilaj i ka dhënë Tahirit të paktën 30 mijë euro.
Ja çfarë shkruhet në dokumentin e Prokurorisë së Katanias:
‘Në bisedat e para të regjistruara brenda makinës së Moisi Habilajt mes këtij të fundit dhe Sabaudin Çelaj të datës 16 dhjetor 2013 dhe me këtë rast ai thotë se kishte blerë byzylykë për bashkëshorten dhe nënën e Saimir (biseda me numër protokolli 558 në orën 12:05) dhe pak më vonë (me numër protokolli 559 në orën 12:15) ata të dy komentojnë për çmimin e byzylykëve dhe konfirmon se do ti japë 30 mijë euro Saimirit’.
/Syri.net/

Rrethimi amerikan, pse ish ministri sulmoi ambasadën?

Kryeministri Edi Rama dhe Ministri i Brendshem Saimir Tahiri, gjate nje takimi me struktura te policise se Shtetit, ku jane prezantuar rezultatet e dy muajve te fundit te Komisariatit Digital./r/n/r/nPrime Minister Edi Rama and Minister of Interior Saimir Tahiri, during a meeting with the State Police structures, which are presented the results of the last two months of Digital Station.

Bledi KASMI

Saimir Tahiri doli në një konferencë shtypi për të treguar se ishte i “virgjër” në lidhje me hetimin ndaj tij për lidhjet me bandën e Habilajve për trafikun e drogës. Ai paraqiti prova nga gjykata italiane , e cila sipas tij ka mbyllur hetimet për Tahirin. Po çfarë hetimesh nga kryet Italia? Këtë Tahiri nuk e tha.
Hetimet italiane për Tahirin nuk kanë të bëjnë aspak me trafikun e drogës dhe bashkëpunimin e tij me grupin e Habilajve. Italia ka thënë se e ka hetuar Tahirin për vetëm dy episode.
Episodi i parë ka të bëjë me blerjen e një argjendarie të kushtueshme nga grupi i Habilajve për gruan e Tahirit dhe episodi i dytë ka të bëjë me blerjen e një kostumi për Tahirin po në Itali.
A mundet këto dy episode qesharake të mbulojnë trafikun e drogës të Tahirit?
Këtë nuk e beson askush, madje as vetë Tahiri dhe as Rama, por ata po mundohen që ta përdorin për të mbuluar subjektin kryesor të hetimit që është trafiku i drogës, lidhjet e bandës së Tahirit me Habilajt dhe se si është përdorur pushteti i tij si ministër i Brendshëm për të mbjellë të gjithë vendin me drogë.
Dalja e Tahirit sot në konferencë për shtyp na jep një sinjal të qartë të një bashkëpunimi të ri të tij me Ramën. Pas largimit të Fatmir Xhafës, Tahiri ka lëshuar të gjitha bateritë e tij kundër opozitës me një fjalor të huazuar nga Rama. Por, bashkë me opozitën Tahiri ka sulmuar edhe Ambasadën amerikane.
Po pse Rama dhe Tahiri në aleancë me njëri tjetrin po sulmojnë ambasadën amerikane?

Kjo është e thjeshtë për tu kuptuar. E para, ka të bëjë me faktin se shpëtimi i Tahirit pengohet direkt nga ambasada amerikane dhe qëndrimi i është bërë i qartë Ramës dhe Arta Markut nga qeveria amerikane në lidhje me këtë hetim. Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar direkt Ramën publikisht dhe zyrtarisht se nëse do të mbyllen hetimet për Tahirin dhe Shullazin, atëhere ata do të merren direkt me vetë Ramën dhe Markun.
Prova e qartë se amerikanët e kanë seriozisht kësaj here është ndjekja e seancave gjyqësore ndaj Shullazit nga përfaqësues të ambasadës amerikane që në fakt është një nga rastet e rralla në praktikat diplomatike, por është një dëshmi se amerikanët nuk kanë asnjë besim në kushtet e reja të krijuara me një drejtësi të komanduar politikisht.
E dyta, ky hetim që nuk mbyllet e tremb Ramën, sepse nëse Tahiri shkon në burg, ashtu sikurse pritet të ndodhë, atëhere bashkë me Tahirin rrezikon edhe Rama.
Të gjendur në kushte të një rrethimi amerikan si Rama dhe Tahiri po kërkojnë të përdorin një përgjigje rutinore të Antimafias italiane në lidhje me hetimin e episodeve terciale të dosjes së drogës së bandës Habilaj-Tahiri. Në fakt as kjo strategji nuk mund ti hedhë hi syve as opinionit public në Shqipëri dhe as amerikanëve mbi provat në dosjen për Tahirin dhe prej këtej as mund të shpresohet që të shpëtohet Rama.
Për të kuptuar se përse Tahiri sulmoi sot ambasadën amerikane duhet të kujtojmë deklaratat që bëri ish ambasadori një ditë përpara se Gjykata të lironte nga arrseti shtëpiak Tahirin.
“Kemi dëgjuar disa raportime nga burime të pavarura për presione serioze në këtë çështje, përfshirë edhe ryshfete që u janë ofruar gjykatësve. Ne i bëjmë thirrje shoqërisë civile dhe medias që ta vëzhgojnë këtë çështje me vëmendje, në mënyrë që vendimi të bazohet mbi provat dhe ligjin dhe jo mbi presione, kërcënime apo para. Askush nuk është mbi ligjin”, tha Ambasadori Donald Lu. Ambasada më pas reagoi duke u shprehur se i qëndronte deklaratave të dhëna nga ambasadori Donald Lu.