20.5 C
Tirana
E martë, 12 Gusht, 2025

Çfarë paralajmëroi drejtuesi i Merkel në Bundestg për hetimin ndërkombëtar të bandës “Rama”

Kryetari i komisionit të Çështjeve Europiane në Bundestag, Gunther Krichbaum, ripërsëriti kërkesat e ndërkombëtarëve për qeverinë shqiptare. Para pak muaj më parë, përmes një interviste në media, Krichbaum foli për hetime ndërkombëtare për Ramën. Ndërkohë, konfirmohet zyrtarisht që arrestimet e fundit të bandës së drogës janë bërë me ndërhyrjet e ndërkombëtarëve.
Ai propozoi edhe hetime ndërkombëtare për rastet e përfolura të deputetëve shqiptarë që kanë rekorde kriminale. Të rëndësishme, sipas tij, mbeten progresi në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe reformimi i sistemit të drejtësisë.
Kreu i Bundestagut tha se, pa realizuar këto reforma nuk mund të kërkohet hapje e negociatave për Shqipërinë.
Intervista me Gunther Krichbaum, kryetar i Komisionit të çështjeve Europiane në Bundestag
Pyetje: Sa e vështirë është të bindeni kolegët tuaj në Bundestag për hapjen e negociatave të Shqipërisë, kur thuhet se në Parlamentin shqiptar ka 19 raste deputetësh me të dhëna kriminale?

Gunther Krichbaum: “Ne jemi në favor të zgjerimit, sepse kjo ofron më shumë stabilitet në rajon. Së shpejti, do të shqyrtojmë hapjen e kapitujve 35 dhe 32 në kuadrin e negociatave të anëtarësimit me Serbinë dhe jam optimist që kjo do të realizohet në fund të vitit. Pika tjetër e axhendës është Shqipëria. Shqipëria është një vend kandidat, por vendi duhet të realizojë reformat, pasi hapja e negociatave nuk është automatike. Qeverisë i kërkohet të bëjë progres të dukshëm në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe reformimin e sistemit të drejtësisë. Ne duam të shohim një sistem drejtësie të pavarur, krijimin e strukturave të besueshme dhe forcimin e shtetit ligjor. Në të gjitha këto, ne jemi shumë larg hapjes së negociatave. Qeveria shqiptare duhet të tregohet ambicioze në realizimin e reformave, që ne të konsiderojmë hapin e ardhshëm të integrimit. Ajo që përmendët në pyetjen tuaj përbën një pikë shumë të ndjeshme për ne. Në duam të shohim dekriminalizimin e Parlamentit të Shqipërisë. Prezenca e deputetëve me të dhëna kriminale në Kuvend është e papranueshme. Këto raste duhet të trajtohen nga drejtësia. Pëndryshe hapja e negociatave nuk mund dhe nuk do të ndodhë”.

Pyetje: Deputetë të Parlamenti Europian janë shprehur se lajmet që vijnë shpeshherë nga Shqipëria janë shokuese dhe se situata në Shqipëri ngjan me filmat me kauboj: Një deputet shqiptar që shtin mbi qytetarët, një tjetër që ka qenë i burgosur për drogë dhe i akuzuar për vrasje, një tjetër që godet deputetët e opozitës në Kuvend, për mos t’u ndalur te akuzat e korrupsionit. Si janë parë këto ngjarje në gjirin e Bundestagut?
Gunther Krichbaum: “Sigurisht që duket shumë e çuditshme. Kjo është e qartë. Por nga ana tjetër, është e rëndësishme të zhvillohen hetime neutrale, objektive dhe të besueshme. Në rastet kur autoritetet nuk janë në gjendje që të kryejnë hetime të tilla, atëherë lind nevoja për hetime ndërkombëtare. Ne duhet të dijmë ekzaktësisht se ç’ka ndodhur për çështje të ndryshme dhe c’është më e rëndësishmja që fajtorët të çohen para drejtësisë”.
Pyetje: Ju përmendët hetim ndërkombëtar në rastin e dekriminalizimit ? E keni fjalën për një mbështetje ndërkombëtare për të hedhur dritë mbi ngjarjet apo flisni vërtet për hetim?
Gunther Krichbaum: “Kam dyshimet e mia për rezultatet që paraqiten aktualisht nga qeveria. Nëse tregohem i drejtpërdrejtë, ato kanë ngjyrime jo bindëse. Ne nuk duam të shohim një mjegullnajë, por një tablo të qartë të rrethanave . Madje, besoj, që edhe qytetarët e Shqipërisë duhet të jenë të interesuar për të pasur një rezultat të besueshëm dhe si rrjedhim ndoshta është në interesin e vetë qeverisë për të kërkuar hetime ndërkombëtare nga institucione apo organizata ndërkombëtare që merren me verfikimin dhe vëzhgimin e proçesit”.
Pyetje: Për të marrë vendimin tuaj në Bundestag për hapjen e negociatave të anëtraësimit, ju bazoheni në raportin e Komisionit Europian. A është ky raport që përcakton vendimin tuaj, pasi shpeshherë krijohet përshtypja që shtete anëtare janë shumë më të ashpra sesa Komisioni Europian në qëndrimin e tyre?

Gunther Krichbaum: “Ne mbledhim informacionet tona, gjatë vizitave në Shqipëri, përmes kontakteve me institucionet apo organizatat joqeveritare. Raporti i Komisionit Europian është një prej raporteve të shumta mbi të cilat ne bazohemi. Ne marrim në konsideratë raportin e Bankës Botërore për klimën e biznesit në Shqipëri apo Transparency International për luftën kundër korrupsionit si dhe raportet tona. Pra, duke u bazuar në të gjitha këto, ne krijojmë një tablo të plotë për vendin, në bazë të të cilës vendosim nëse duhen hapur ose jo negociatat. Pra, raporti i Komisionit Europian nuk është i vetmi, ndonëse i rëndësishëm por sërish jo i vetmi raport i rëndësishëm. Janë parlamentet e shteteve anëtare që vendosin, nëse duhet dhënë drita jeshile apo jo për hapjen e negociatave,. Qeveria gjermane duhet të kërkojë aprovimin e Bundestagut për hapjen e negociatave me Shqipërinë. Unë aktualisht nuk mund t’i rekomandoj kolegëve të mi në komisionin e çështjeve europiane, që jep edhe orientimin e qëndrimit të Bundestagut dhe as kolegëve të mi të tjerë në Bundestag hapjen e negociatave me Shqipërinë për arsyet që përmenda. Dhe pa aprovimin e komisionit tonë nuk mund të ketë hapje negociatash. Qeveria gjermane është e detyruar të kërkojë aprovimin e Bundestagut gjerman për hapjen e negociatave.
Pyetje: Ka patur një komunikim nga autoritetet shqiptare që Gjermania ofron mundësi për punëtorët e kualifikuar shqiptarë në Gjermani? Kryeministri shqiptar para pak javësh deklaroi se ka një ofertë për 200 shqiptarë të kualifikuar që të punojnë në Gjermani.

A do të thotë kjo që ne mund të shkojmë drejt një përcaktimi të kuotave për qytetarët e kualifikuar shqiptarë, apo është një ofertë e vlefshme vetëm për një herë? 
Gunther Krichbaum: Së pari, azikërkuesit shqiptarë nuk kanë asnjë lloj perspektive që të pranohen në Gjermani. Ata refuzohen në 99,9 % të rasteve. Kjo pasi ne na duhet të krijojmë kapacitetet nevojshme për personat që vijnë nga luftrat dhe konfliktet dhe kanë të drejtë për mbrojtje ndërkombëtare siç është rasti i refugjatëve në Siri. Bombat ruse po prekin dhe civilët në Siri. Lidhur me kuotat, duhet të bëjmë të qartë, që nëse ka vende pune të lira në Gjermani për qytetarë jogjermanë, këto vende i rezervohen qytetarëve të kualifikuar të shteteve anëtare.
Shqipëria nuk është shtet anëtar. Do të duhen vite derisa Shqipëria të bëhet anëtare. Gjatë kësaj kohe është shumë e rëndësishme përgatitja e Shqipërisë për anëtraësimin, pasi kur bëhesh anëtar ka një konkurrencë shumë të madhe brenda. Shqipëria duhet të forcojë stukturat shtetërore dhe të krijojë klimën e nevojshme të biznesit dhe sigurinë ligjore për të thithur investime e huaja. Mua më duket, se ajo që i shërben interesit të Shqipërisë nuk është që të dërgojë punëtorët e saj të kualifikuar në Gjermani, por të mos lejojë rrjedhjen e trurit, duke tërhequr bizneset e huaja të vijnë në Shqipëri për të krijuar vende të reja pune.

Erdhi… fitoi… iku…!

Cristiano Ronaldo ka marrë një duartrokitje të ngrohtë nga tifozët e Manchester Unitedit në përfundim të takimit mes “Djajve të kuq” dhe Juventusit në “Old Trafford”.
Ish-ylli i Unitedit u rikthye në Mançester me skuadrën e tij të re, Juventusin, në takimin e mbrëmshëm të Champions League.
Ronaldo u përfshi në golin e fitores të shënuar nga Paulo Dybala, pasi e harkoi një top nga krahu i djathtë, i cili e gjeti sulmuesin argjentinas pasi Chris Smalling nuk ishte në gjendje ta largojë atë nga zona.
Edhe Manchesteri humbi 1-0, tifozët në ‘Old Trafford” duartrokitën ish-heroin e tyre në fund të takimit.
Madje një tifoz u fut në fushë për ta takuar Ronaldon, por u kap nga sigurimi pak para se të mbërrinte te portugezi. Megjithatë, ai përsëri ai doli të bëjë selfie me ish-yllin e skuadrës së tij.
Kjo u vlerësua nga Ronaldo, i cili i fitoi tre tituj në Premierligë dhe një në Ligën e Kampionëve në mesin e shumë trofeve gjatë qëndrimit të tij 6-vjeçar tek United para se t’i bashkohej Real Madridit më 2009.
“Fitore e rëndësishme dhe ndeshje shumë emocionale për mua. Të luaja përsëri në ‘Old Trafford’ ishte madhështore”, shkroi Ronaldo në Instagram.
“Faleminderit të gjithë tifozëve për mikpritjen dhe përkrahjen”, shtoi portugezi.

10 kg më pak në një muaj, dieta për të cilën po flasin të gjithë

Dieta ketonike, heq sheqernat nga trupi për të nxitur një proces kimik që detyron organizmin të djeg më shumë yndyrë.
Dikush u tërhoq nga emri, dikush tjetër u tërhoq nga mundësia e humbjes së shpejtë në peshë, të shumta janë arsyet që i tërheqin njerëzit rreth kësaj diete. Ndaj, është kryefjala e çdo bisede mes njerëzish që kanë probleme me peshën e tyre!
E ashpër në kalori, fillimisht kjo dietë është miratuar në një mjedis klinik dhe pastaj është eksportuar në pjesën tjetër të popullsisë si një kurë dobësimi efikase.
Duhet të pranojmë se fuqia e dobësimit të kësaj diete tashmë është e konsoliduar dhe e certifikuar, por a jemi të sigurt se çdokush mund ta ndjekë atë pa probleme?
Dhe sa kohë mund ta bëni? Ja çfarë thotë bashkësia shkencore në lidhje me të.
Çfarë ka brenda dietës ketonike?
Krahasuar me udhëzimet e shoqërisë italiane të ushqyerit e njeriut, përqindjet e ushqyesve të përditshëm kanë ndryshuar në mënyrë drastike: kërkesa e karbohidrateve është reduktuar në 10% (krahasuar me 45-60%), dhe e proteinave arrin rreth 20% (në vend të 12-15%) e ajo e yndyrave shkon në 70% (kundrejt 25-35%).

Në dietën ketonike, marrja e sheqernave është e kufizuar dhe, në disa raste, madje eliminohet plotësisht. Në këtë mënyrë trupi, i cili është i detyruar për të gjetur burime alternative të energjisë, në mënyrë që të mbijetojë, fillon të djeg yndyrë dhe krijon substanca që ofrojnë lëndë djegëse të re në mendje dhe trup dhe që pengojnë ndjenjën e urisë.
Pse shumë veta bien në dashuri me këtë dietë?
Ata që ndjekin dietën ketonike e bëjnë kryesisht për një arsye: ju lejon të humbasin peshë shumë shpejt (pa sakrifica të pamundura).
Pas kësaj diete për një muaj, në fakt, ata humbasin rreth 2 kilogramë në javë, shkruan Class. Rezultati: brenda 30 ditësh ne gjejmë veten me 8-10 kg më pak.
Cilat janë ushqimet e lejuara dhe të ndaluara?
Për sa kohë karbohidratet janë reduktuar ose eliminuar, ju duhet të moderoni apo të eliminoni bukën, makaronat, biskotat, frutat, salcat, pijet energjike, ëmbëlsirat, uthullën balsamike, etj.
Perimet, megjithatë, duhet të jenë të zgjedhura me kujdes, por kryesoret janë ato me fletë të mëdha, lakër, lulelakër, kopër, selino, kungull i njomë, zarzavate si asparag, speca, domate, qepë, fasule, kunguj, patate, karota të gatuara dhe panxhar.

Kush mund ta bëjë këtë?
Ashtu si me të gjitha dietat, ka një lloj hezitimi të fuqishëm. Por, kjo dietë konsiderohet si një ilaç që vepron me peshën tuaj, por natyrisht vjen edhe si një gjetje për sistemin nervor qendror. Ajo është e përshtatshme për ata që duan të kthehen në formë dhe janë dispozicion për të ndjekur rregulla pak a shumë të rrepta dhe të gatshëm për të shmangur dëmtimin.
Disa specialistë e rekomandojnë atë edhe në rast të migrenës së rëndë, mbipeshës së rëndë (e cila ka tendencë në shëndoshje) dhe diabet tip 2.
Kush nuk duhet ta bëjë këtë!
Dieta ketonike është e ndaluar fort tek gratë shtatzëna dhe me gji, në njerëz me çrregullime mendore dhe të sjelljes, në ato me probleme në zemër dhe tek ata që pinë shpesh alkool.
Cilat janë pikat kritike?
Efektet anësore kryesore janë dhimbje koke dhe të përziera, të cilat megjithatë, kanë tendencë të zhduken brenda 48-72 orëve. Për më tepër, për shkak të marrjes së reduktuar të sheqernave, vitaminave dhe mineraleve, ngërçet e muskujve dhe presioni i ulët në gjak mund të ndodhin, gjë që mund të jetë problem veçanërisht për ata që ushtrojnë aktivitet fizik.
Duhet ta dini, pra, se trupi është programuar për një regjim ketonik të kufizuar në kohë, që do të thotë se dieta është efektive vetëm për një kohë të shkurtër. Vazhdimi për të bërë atë përtej parametrave të rekomanduar mund të mos ketë efekt në trup.

Studimi: Kripa e tepërt ju çon në vdekje të parakohshme

Konsumimi i tepruar i kripës dhe konsumimi shumë i vogël i kaliumit janë recetë për vdekje të parakohshme, pohojnë amerikane. Hulumtimi i ri i publikuar në “Archives of Internal Medicine” në veçanti ka analizuar problematikën e konsumimit të lartë të kripës në organizëm dhe konsumimit të ulët të kaliumit. Është treguar që gjendja e tillë është receta e vërtetë për vdekje të parakohshme.
Në hulumtimin i cili ka zgjatur 15 vjet kanë marrë pjesë më shumë se 12.000 njerëz. Deri në fund të hulumtimit kanë vdekur 2.270 persona; 825 raste të vdekjes janë shkaktuar nga problemet e zemrës, ndërsa 433 nga sulmet në tru dhe bllokimi i enëve të gjakut.
Të përsërisim, grupi më në rrezik i njerëzve ishte ai tek i cili ishte i madh niveli i natriumit nga kripa, ndërsa shkalla e kaliumit shumë e vogël. Ata njerëz i janë ekspozuar për 50 për qind rrezikut më të lartë nga vdekja se cilado sëmundje më serioze, ndërsa madje 200 për qind për rrezikut më të lartë nga sulmi në zemër.
Megjithatë, kjo mund të parandalohet. Duhet të reduktohet konsumimi i kripës dhe të rritet konsumimi i kaliumit.Në kalium është shpëtimi – hani pemë dhe perime të freskëta (veçanërisht spinaq, hekur, rrush, karota, patate të ëmbël, qumësht dhe jogurt me përqindje të ulët yndyre).
Kur flasim për konsumin e tepruar të kripës, kjo nuk është gjithmonë e lidhur me kripën të cilën e përdorni në shtëpi.
Burimi më i shpeshtë dhe më i madh i kripës është ushqimi të cilin e porosisim të na e sjellin në adresën ku jemi, ai që e hamë në restorante dhe ushqimi i përpunuar industrialisht. Prandaj është e rëndësishme që efektin e natriumit ta neutralizojmë me kalium – natriumi do të rrisë, ndërsa kaliumi do të ulë tensionin e gjakut.
Nëse natriumi përmban ujë, kaliumi do t’ju ndihmojë ta hiqni qafe. Dhe në vend që vetëm të përqendroheni në reduktimin e konsumit të kripës, është e nevojshme të rrisni konsumin e kaliumit. Njëra pa tjetrën nuk shkon.

Përgatituni për një “luftë të re të ftohtë”

Presidenti Trump i bëri një favor Presidentit Putin duke braktisur një marrëveshje që kufizonte disa armë bërthamore, i thotë një analist i Rusisë DW. Botës mund t’i duhet të përgatitet për një luftë të re të ftohtë.

Pavel Felgenhauer është një analist i pavarur ushtarak dhe politik në Moskë.
DW: Sa serioz është për sigurinë globale vendimi i SHBA për ta braktisur marrëveshjen bërthamore të forcave me rreze të mesme veprimi (intermediate-range nuclear forces, INF)?
Pavel Felgenhauer: Është si kthim pas në vitin 1983. Atëherë dukej se lufta bërthamore mund të niste në çdo çast dhe në fakt mund të niste. Ne pak a shumë jemi kthyer në nivelin e parë të kësaj.
Këto marrëveshje (INF dhe marrëveshjet e tjera të çarmatimit) ndodhën në fund të Luftës së Ftohtë dhe i dhanë një kuadër ligjor situatës, që u paraqit në fund të Luftës së Ftohtë, kur pësoi kolaps rendi komunist në Rusi dhe kur pësoi kolaps Traktati i Varshavës.
Tani ne kemi një Luftë të re të Ftohtë, kështu që marrëveshjet, që u dhanë fund atyre të mëparshme janë të parëndësishme, sepse i referohen një situate krejtësisht tjetër. Kjo do të thotë se ka shumë gjasa që ato të prishen.

Shtetet e Bashkuara kanë lënë të kuptohet se ato do të shqyrtojnë rinegociimin e marrëveshjes, nëse ajo zgjerohet që të përfshijë edhe Kinën. A është ky një opsion realist?
Putini foli publikisht për këtë në tetori 2007, kur tha se Rusia do ta braktisë marrëveshjen, po nuk ndihmoi Amerika që ajo të bëhet ndërkombëtare, sepse Rusia dhe Kina nuk i kanë këto raketa — por Kina i ka. Tani, i njëti pretekst po përdoret nga amerikanët me Kinën.
Nëntëdhjetë përqind e raketave të Kinës preken nga marrëveshja INF, kështu që nëse bëhen pjesë e marrëveshjes, do t’u duhet të shkatërrojnë 90 përqind të raketave të tyre, gjë që kanë refuzuar ta bëjnë dhe refuzojnë ta bëjnë. Kështu që ky nuk është opsion.
A e ka Rusia interes për një marrëveshje të re INF?
Në një të ardhme të afërt, Amerika nuk çfarë të fitojë ushtarakisht duke e denoncuar INF, por Rusia ka shumë ç’të humbasë. Rusia ka zhvilluar dhe me sa duket ka stacionuar raketa kryqëzori me koka shpërthyese të bazuara në lëshues të modifikuar, megjithëse ato nuk janë testuar duke u lëshuar nga toka. Ne i kemi testuar dhe jemi të gatshëm t’i stacionojmë ato sapo të mos jetë më e vlefshme marrëveshja bërthamore për forcat me rreze të mesme veprimi. Amerikanët nuk kanë se çfarë të stacionojnë, të ndaluar nga marrëveshja. Në të ardhmen, SHBA mund të nisin të zhvillojnë sisteme të reja raketash, por kjo do të kërkojë vite për t’u realizuar.
Rusia ka stacionuar tashmë të njëjtin tip raketash në fregata, në kryqëzorë, në korveta dhe në nëndetëse, por nëse INF merr fund, ajo do të jetë në gjendje t’i vendosë ato në automjete. Dhe një kamion është më i lirë se një raketë dhe mund të fshihet më kollaj. Për Rusinë ka shumë kuptim braktisja e INF. Putini dhe gjeneralët rusë e kanë denoncuar atë që në vitin 2007.
Presidenti i SHBA Donald Trump i bëri Rusisë dhe Presidentit rus Vladimir Putin një favor tjetër, duke e marrë mbi vete turpin e denoncimit të INF.

Tërbohet Mourinho, tregon 3 gishtat

Juventus triumfon në “Old Trafford” me rezultatin 1-0 kundër Manchester United falë golit të realizuar në minutën e 17’ nga Paulo Dybala, pas asistit të Cristiano Ronaldo. Një ndeshje me sens unik, teksa topi ka folur vetëm përmes ngjyrave bardhezi. Ndonëse kishin udhëtuar nga Italia, bardhezinjtë u bënë zotërinj të shtëpisë në Manchester, duke dominuar vendasit e drejtuar nga Jose Mourinho, që tashmë nuk arrin dot më të administrojë tensionin e këtij momenti mjaft negativ.
Në përfundim të takimit, sikurse raportojnë mediat e huaja, skuadra e United është vërshëllyer nga publiku i saj. Nga ana tjetër, ekipi i Allegri konsolidon pozitat në krye të grupit, duke rritur epërsinë në +5 pikë ndaj anglezëve. Në minutat finale të ndeshjes, nga sektori i dedikuar tifozerisë bardhezi kanë nisur një seri koresh tallje në adresë të trajnerit Jose Mourinho. Ky i fundit nuk është kufizuar aspak në reagimin e tij, përkundrazi ka nxituar t’u përgjigjet ngacmimeve me tre gishta, që mund të nënkuptojnë shumë mirë tripletën e fituar prej tij me Inter gjatë kohës në Seria A, por gjithashtu edhe fitoren e portugezit kundër bardhezinjve.

Mourinho: Juve nuk është vetëm Ronaldo dhe Dybala
Manchester United është mposhtur nga Juventus në Old Trafford me rezultatin 1-0. Ishte një ndeshje e dobët e Djajve, sidomos në pjesën e parë, me Juve-n që dominoi plotësisht, sikur të luante brenda.
Pas ndeshjes, gjëja e parë që tha Mourinho ishte se: “Luajtëm ndaj një prej kandidatëve për të fituar titullin e Champions League.”
“Kundërshtari kishte kualitet të madh. Ndonjëherë njerëzit shohin vetëm Ronaldo dhe Dybala por në një ekip të madh ka edhe lojtarë si Chiellini dhe Bonucci.
“Mendoj se Juventus është një kundërshtar shumë i vështirë, por këtë e kupton kur e ke përballë.
“Nuk mendoj se i dhamë më shumë respekt sesa duhet. Juventus ndryshon nga Chelsea, për të qenë i sinqertë. Ata kanë kualitet, eksperiencë, qëndrueshmëri.
“Mbrojtja e mirë që ka lejojn Dybala dhe Ronaldo të luajnë të qetë përpara. Mund të kishim merituar një gol në pjesën e dytë por nuk ndodhi.
“Nuk ankohem, kam një ndjesi pozitive për atë që dhanë në fushë.
“Lukaku? Nuk është duke kaluar një moment të mirë. Jo vetëm me golat që nuk po shënon, por nuk po arrin të lidhet me ekipin. Por ai mbetet sulmuesi ynë dhe ne kemi besim tek ai”.

Katër lidhjet e forta të bandës së Avdulajve me PS, cilin po shpëton Rama

Avdulajt e Shijakut konsiderohen një prej grupeve më të fuqishme kriminale në vend. Ata u goditën së fundmi, falë insistimit të autoriteteve gjermane, të cilët kishin identifikuar këtë grup si një prej furnizuesve të tregut të vendit të tyre me droga të forta, kokainë dhe heroinë.
Policia shqiptare, pavarësisht se ka njohuritë e duhura për aktivitetin e këtij grupi kriminal, nuk ka ndërhyrë asnjëherë gjatë 5 viteve të fundit të qeverisjes së “Rilindjes”. Detajet nga dosja hetimore e Prokurorisë për Krime të Rënda në ngarkim të tyre zbulojnë arsyen e vërtetë se përse Avdulajt, megjithëse ishin tepër aktiv në trafikun e narkotikëve, nuk u goditën nga Policia e Shtetit.
“Sekreti” i suksesit të Avdulajve qëndron në faktin se ata kanë bashkëpunuar me zyrtarë të ndryshëm të Partisë Socialiste, e cila kontrollon në çdo qelizë Policinë (e pavarur, sipas ligjit) të Shtetit.
Në bazë të elementëve hetimorë, të publikuar deri më tani, rezultojnë se Avdulajt kanë pasur kontakte me zyrtarë dhe eksponentë të rëndësishëm të Partisë Socialiste në 4 drejtime të ndryshme:
1. Hetimi për Avdulajt ka nisur zyrtarisht kur, me urdhër dhe insistim të Prokurorisë së Kavajës, policia e atij qyteti arrestoi në automjetin e kryetarit të degës së Partisë Socialiste, Gentian Daja, dy persona të kërkuar për shitje dhe tregtim lëndësh narkotike të forta, Ramadan Shabani dhe Endrit Duka.
Në momentin e arrestimit, në mjetin Audi të Gentian Dajës ishte në timon i kërkuari Shabani. Të arrestuarve iu gjet në flagrancë edhe një sasi lënde narkotike kokainë. Nga ky episod nisi hetimi për bashkëpunëtorët e dy të arrestuarve në Kavajë, ku u arrit deri tek Avdulajt e Shijakut. Por, natyrisht, hetimi i autoriteteve shqiptare u bazua më së shumti në të dhënat e mbërritura nga autoritetet gjermane, ku Avdulajt dyshohet se trafikonin lëndën narkotike.

2. Gjatë hetimit për Avdulajt, prokuroria arriti të identifikonte edhe përfshirjen në korrupsion të ish-drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Arben Çuko. Ky i fundit, ish-deputet i Partisë Socialiste deri në qershor të vitit 2017, u emërua nga ministrja e Drejtësisë, me porosi të Kryeministrit Edi Rama, në krye të Burgjeve.
Nga përgjimet mbi Avdulajt, rezultoi se një anëtar i bandës kishte ndërhyrë tek Arben Çuko për transferimin e një të burgosuri nga burgu i Burrelit në një më afër me Tiranën. Në këmbim të këtij “favori”, Çuko do të paguhej me 3 mijë euro.
3. Po gjatë hetimit të Avdulajve, prokurorët zbuluan një lidhje të tyre me familjen Ndoka nga Lezha, e cila ka si personazh kryesor Arben Ndokën, ish-deputet i Partisë Socialiste. Ndoka humbi mandatin e deputetit për shkak të ligjit “Për dekriminalizimin”. Por, gjithësesi, ai vijoi aktivitetin e tij politik për Partinë Socialiste në Lezhë dhe u pa shpesh, në daljet publike, në krah të kryeministrit Edi Rama.
Nga përgjimet e Avdulajve, rezultoi se dy anëtarë të familjes Ndoka janë arrestuar për mbajtje narkotikësh, të cilën e kishin siguruar nga Avdulajt. Gjithashtu, disa anëtarë të tjerë të Ndokave, përfshirë ish-deputetin, u arrestuan në bazë të përgjimeve për Avdulajt, si të dyshuar për tjetërsim të pronave në bregdetin e Lezhës.
4. Lidhja e katërt dhe më e fuqishme e Avdulajve është ajo me kryetarin e Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako. Gjithësesi, për këtë pistë, Prokuroria për Krime të Rënda dhe Policia e Shtetit nuk dhanë asnjë informacion në konferencën e tyre për media, ku, triumfatorë, paraqitën rezultatet e këtij operacioni të gjerë.
Partia Demokratike ka deklaruar shpesh se Avdulajt i kanë shërbyer Vangjush Dakos dhe Partisë Socialiste për të siguruar vota për maxhorancën gjatë zgjedhjeve të fundit parlamentare, të zhvilluara në qershor 2017. Për të mbështetur këtë qëndrim, opozita, krahas informacioneve që posedon, ka publikuar pak kohë më parë edhe një video, ku Vangjush Dako dhe deputeti i ri, Jurges Çyrbja, festonin me Avdulajt fitoren e Partisë Socialiste në votimet e vitit të kaluar.

“Boldnews.al

Basha: Zgjedhjet parlamentare bashkë me zgjedhjet vendore

Kryetari i opozitës, Lulzim Basha ka deklaruar sot se zgjedhjet vendore mund të jenë edhe zgjedhje të përgjithshme. Basha foli gjatë takimit me fermerët e Kosmaçit në Vaun e Dejës.
“Një test i madh po afron: vitin e ardhshëm do të kemi zgjedhjet vendore, të cilat mund të jenë fare mirë në të njëjtën kohë fare mirë edhe me zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme, do të jenë një shans i jashtëzakonshëm që ju të ushtroni të drejtën që keni për të vendosur se çfarë qeverisje doni. Unë jam këtu për t’ju komunikuar bindjen time se gjithë problemet mund të zgjidhen nëse ushtroni me mençuri zgjedhjen e drejtuesve të duhur si në nivel lokal edhe qendror”, deklaroi Basha ndër të tjera.
“Kemi qeverinë e gabuar, qeverinë që mendon vetëm për xhepat e saj. Këtë duhet ta ndalim, këtë e keni në dorë ju. Mjafton t’i shkatërrojmë mekanizmin me të cilin kanë sunduar këto 5 vite. Ju marrin juve taksat, ju lënë në mëshirë të fatit, ju lënë me sytë se kush po vjen e kush po na sjell dhe pastaj ju lëshojnë babanët e tomdoshët e ditmirbushatët ditën e zgjedhjeve për t’jua prishur mendjen me një 50 mijë lekësh apo 20 mijë lekësh apo 100 mijë lekësh. Kjo duhet të marrë fund.
Dhe do të marrë fund. Shqiptarët janë vetëndërgjegjësuar. Unë e shoh këtë kudo. Dhe ju do të keni prapë mundësinë të zgjidhni qeverinë që doni dhe ta mbani përgjegjëse për premtimet. Jo të rrini kështu, sa herë të ketë fushata të vijnë e të bëjnë gallata e të zhduken”, theksoi kreu i opozitës në takim.
“Jemi futur në një rreth vicioz. E blejnë pushtetin me lekë dhe e përdorin për të vjedhur më shumë. Në këtë rreth vicioz janë një grup pushtetarësh që përfitojnë, por humb i gjithë populli. Në asnjë vend nuk janë braktisur fermerët si në Shqipëri, ka qeveria e Edi Ramës, as Kosova, sheti më i ri, as Bosnja se Maqedonia jo e jo”, u shpreh me tej Basha në takimin me fermerët.

Basha në bashkëbisedimin që ka nisur me fermerët e fshatit Kosmaç vërejti se problemet aty ishin thuajse të ngjashme si në Myzeqe vetëm për shkak të mungesës së vëmendjes shtetërore.
“Këtu vij për herë të parë, tha Basha, por paska disa ngjashmëri me Myzeqenë, e kam vizituar disa herë. Kushtet klimaterike janë të favorshme, tereni është i favorshë, kultura e punës është e mirë, prodhimi i bollshëm. Por ka dy probleme, problemi i parë që nuk ka asnjë lloj mbështetje financiare nga shteti dhe problemi i dytë, aksesi në treg jo vetëm nuk ndihmohet, por pengohet nga shteti dhe mungesa e vëmendjes shtetërore”, u shpreh Basha.
Një specialist i bujqësisë me përvojë i tha Bashës se, e kemi pritur tre herë kryeministrin këtu në Kosmaç dhe na ka premtuar, por nuk ka bërë asgjë nga ato që tha. Pas tij kanë ardhur edhe deputeti i zonës, edhe ministri i Bujqësisë, por asnjë zgjidhje nuk ka ardhur prej tyre. Ndaj për çdo gjë janë detyruar t’i drejtohen kryetarit të bashkisë që u ka afruar tre mjete për ndihmë dhe çdo gjë tjetër të nevojshme për të zgjidhur problemet.

Berisha: Pakti Thaçi-Vuçiç, synohet zhbërja e pavarësisë së Kosovës

Hashim Thaçi i ka tërhequr fjalët e rënda që i kishte thënë në muajin gusht pasi Sali Berisha e kishte kundërshtuar ashpër çështjen e ndryshimit të kufijve. Thaçi po e mohon kategorikisht se Berishës i ka thënë “strehues i Bin Ladenit”, “i dëbuar politik” e “furnizues me naftë i makinerisë së Millosheviqit”, duke thënë se këto janë shpifje. Por, Berisha nuk është zmbrapsur. Ai, në një përgjigje për Gazetën Express, duke aluduar në Thaçin, ka thënë se Beogradi ua ka vënë kumonat në qafë argatëve në Prishtinë në përpjekje për ta krijuar Serbinë e Madhe.
Thaçi e Berisha kishin zhvilluar polemika të ashpra nëpër rrjete sociale e studio televizive pa u ballafaquar ballë për ballë me njëri-tjetrin. Berisha i kishte pritur në zyrën e tij liderët e Luginës së Preshevës, duke e kundërshtuar fort lëvizjen e kufijve si një zgjidhje ndërmjet Kosovës e Serbisë duke thënë se një ide e tillë është ide serbe.
Kjo kishte nxitur reagimin e Thaçit kundër Berishës, me të cilin viteve të fundit kishte kultivuar raporte shumë të mira.
“Institucioneve të Republikës së Kosovës sot më së paku iu duhen këshillat e të dëbuarve me votë masive nga skena politike. Veçanërisht të atyre që në mes viteve 1992 – 1997 tregtonin dhe bënin që me punët e tyre të pista të mbijetonte makineria ushtarake dhe policore e kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq. Ata duke mbushur xhepat e tyre, u kujdesën me devotshmëri që rezervuaret e tankeve dhe autoblindave të jenë të mbushur plot, përkundër faktit se bashkësia ndërkombëtare kishte vënë sanksione kundër Millosheviqit.

Nuk i duhen këshillat e atyre që strehuan Bin Ladenin, vrasësin e civilizimit botëror si dhe Arkanin, vrasësin e shqiptarëve të Kosovës”, kishte shkruar Thaçi.
Por, tani presidenti i Kosovës në mënyrë amatoreske po e mohon që ky postim ka pasur të bëjë me Sali Berishën për faktin që aty nuk është përmendur emri i tij.
Ai me gjasë e ka dëshiruar me çdo kusht paqen me Sali Berishën, i cili pas deklaratave të Thaçit nisi një luftë frontale, duke thënë se presidenti i Kosovës me idenë e ndryshimit të kufijve, ndër të tjera është bërë argat i Beogradit.
Duke e komentuar për Express paqen e shpallur nga Thaçi, Berisha nuk ka dhënë asnjë shenjë tërheqjeje.
Ai ka thënë se qëndrimet e tij janë denoncime ndaj projektit të Serbisë së Madhe, që ka për qëllim ta zhbëjë pavarësinë e Kosovës.
“Ideja e ndarjes, copëtimit, shkëmbimit të territoreve apo quaje si të duash, korrigjimit të kufijve është ide e Beogradit, e servirur publikisht dhe jopubliksht, me dhjetëra e dhjetëra herë, që nga fillimi i viteve ’90 dhe gjer në vizitën e fundit të Aleksandër Vuçiqit në Gazivodë, Liposaviq, veri të Mitrovicës”, ka thënë ish-presidenti shqiptar.
Berisha nuk ka dhënë asnjë shenjë zmbrapsjeje. Ai ka thënë se Thaçi po e mban kumonën e Beogradit në qafë.
“Unë e kam kundërshtuar dhe e kundërshtoj këtë ide si antishqiptare, pavarësisht se tani Beogradi kumboret e saja ua ka varë në qafë, flamurin e saj ua ka besuar kësaj radhe argatëve të tij albanofobë në Prishtinë.

Këta të fundit në dhunim flagrant të Kushtetutës së Kosovës, pa asnjë mandat kushtetues servirin, tregtojnë për llogari të serbomadhisë këtë ide si origjinale të tyre”, ka thënë Berisha.
Berisha ka refuzuar të përgjigjet direkt rreth tërheqjes së Thaçit nga beteja, duke thënë se nuk ka asgjë personale me askënd.
“Ne rast se ndiqni kronologjinë e reagimeve të mia lidhur me ndarjen, shkëmbimin apo korrigjimin e kufijve të Republikës së Kosovës, ju do të gjeni se ato nuk kanë absolutisht asnjë lidhje me fjalë të rënda, sulme personale të ndokujt ndaj meje as dhe nuk janë polemike me ndokënd”, ka thënë ai.
“Qëndrimet e mia janë denoncime të hapëta, të prera, të projektit të Serbisë së Madhe dhe zhbërjes së Republikës së Kosovës, integritetit të saj territorial, sovranitetit në të gjithë territorin e saj, zhbërjes së pavarësisë, Kushtetutës, njohjeve, dhe dokumenteve ndërkombëtare mbi bazën e të cilave qëndron Kosova shtet i lirë i pavarur”, ka shtuar Berisha.
Ish-kreu i shtetit shqiptar nuk ka kursyer fjalët e mira për skenën politike, e cila po u reziston përpjekjeve të Thaçit për ndryshim kufijsh.
“Me këtë rast përshëndes forcat politike të Kosovës për qëndrimin e tyre ndaj kësaj ideje tejet të rrezikshme në radhë të parë për Kosovën dhe kombin shqiptar. Duke dalë përsëri te pyetja e juaj, mendoj se Beogradi për momentin i përballur me qëndrimin e prerë të forcave politike të Kosovës dhe të komunitetit ndërkombëtar kundër kësaj ideje mund të bëjë një tërheqje, por do t’i duhen dekada dhe ndoshta nuk do të ndahet ndonjëherë prej saj”, ka theksuar Berisha.

Qeveria gjermane detyroi Ramën për arrestimet e grupit të drogës me deputetë

Operacioni i kapjes së një organizate të dyshuar për trafikun e drogës me qendër në Shijak duket se është kryer me kërkesë dhe nën trysninë direkte të qeverisë gjermane.
Të gjithë personat e arrestuar duket se janë pjesë e një organizate të drejtuar nga anëtarët e familjes Avdyli në Shijak, që kryente trafik droge mes Shqipërisë dhe Gjermanisë.
Duket se edhe ngarkesa prej 613 kilogramë kokainë e kapur nga policia në shkurt 2018, pasi kishte hyrë në Portin e Durrësit nga Kolumbia, me pritës Arbër Çekajn, ka qenë pjesë e aktivitetit të të njejtit grup.
Arben Çekaj u largua duke u fshehur në Gjermani ku u kap nga policia vendase, e cila refuzoi ekstradimin e tij për shkak të një hetimi në Gjermani.
Burime të besueshme të prokurorisë pohuan për Exit.al se Çekaj ka vendosur të bashkëpunojë me drejtësinë gjermane dhe ka nxjerrë detaje dhe emra të personave të përfshirë në trafikun e heroinës dhe kokainës drejt Gjermanisë.
Pas këtij informacioni, qeveria gjermane ka ushtruar trysni ndaj qeverisë shqiptare për arrestimin e personave të këtij grupi kriminal—katër nga drejtuesit më të lartë të policisë, hetuesisë dhe qeverisë gjermane kryen vizita blic në Tiranë në fillim të tetorit për të detyruar qeverinë shqiptare të godiste një nga organizatat kryesore që realizonte trafikun e drogës nga Shqipëria në Gjermani.
Kjo trysni çoi në dy operacionet e fundit të policisë shqiptare për zbulimin dhe asgjesimin e laboratorit të heroinës në Has dhe goditjes së organizatës Avdyli në Shijak.
Për t’i dhënë operacionit ngjyrat e një goditje frontale ndaj krimit nga policia shqiptare duket se në të është përfshirë edhe një operacion fasadë për arrestimin e Klement Balilit, i palidhur me organizatën Avdulaj.

Por një fakt tjetër i rëndësishëm po mbahet sekret. Organizita Avdyli është grupi kriminal për të cilin Prokuroria e Krimeve të Rënda ka një hetim në ngarkim të kryebashkiakut të Durrësit Vangjush Dako. Edhe pse nuk është bërë asnjëherë publike zyrtarisht nga prokuroria, prokuria ka përgjime të bisedave të Dakos me Avdylajt për blerje dhe sigurim votash në shkëmbim të kontratave për punë publike të Bashkisë Durrës.
Ky fakt u denoncua në publik nga Partia Demokratike para një viti. Vangjush Dako paditi në gjykatë PD-në për shpifje, por gjykata vendosi në maj 2018 kundër Dakos, pasi duket se siguroi të dhëna për ekzistencën e hetimit.
Duket se kërkesa gjermane ka qenë shpëtim për Prokurorinë e Krimeve të Rënda, pasi ajo ka gjetur një rrugëdalje që të arrestojë Avdylajt pa prekur Dakon dhe për të varrosur kështu hetimin mbi Dakon. Gjithsesi, kjo mbetet për t’u parë në javët e ardhshme.
Më poshtë është kronologjia e ngjarjeve që çuan në arrrestimin e antërave të grupit Avdyli, përfshi trysninë gjermane për këtë operacion.
4 Maj 2018 — Arbër Çekaj u arrestua në Duseldorf të Gjermanisë.
Gusht 2018 — Gjermania bllokon ekstradimin në Shqipëri të Arbër Çekajt, duke informuar palën shqiptare se ai ishte nën hetim për trafik droge mes Shqipërisë dhe Gjermanisë.
Shtator 2018 — Arbër Çekaj pranon të bashkëpunojë me policinë gjermane për të hetuar grupet kriminale që trafikojnë drogën drejt Gjermanisë përmes Shqipërisë.
3 tetor 2018 — Sekretari i Shtetit në Ministrinë e Brendshme Federale të Gjermanisë Stephan Mayer vizitoi Tiranën dhe takoi Ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj. Tema kryesore e bisedimeve ishte shkëmbimi i informacioneve për të luftuar bandat e krimit të organizuar që vepronin në Shqipëri dhe Gjermani.

8-11 Tetor 2018 — Zëvendës Presidenti i Zyrës Federale të Krimit (BKA), Peter Henzler dhe drejtuesit të lartë të policisë kriminale të Gjermanisë zhvilluan një vizitë pune në Shqipëri. Ata takua Ministrin Xhafaj dhe drejtuesit më të lartë të policisë dhe prokurorisë shqiptare dhe nënshkruan fillimin e një projekti bashkëpunimi për hetimet e përbashkëta të titulluar ORCA. Në konferencën e shtypit me Zv. Drejtorin Henzler, Ministri Xhafaj konfirmoi hetimet e përbashkëta gjermano-shqiptare në lidhje me trafikun e drogës ku përfshihet edhe Arbër Çekaj:
“Ka një ndryshim në këtë gjë, nuk është çështje ekstradimi më, por është çështje hetimi të përbashkët.
…Kemi disa operacione të suksesshme të realizuara gjatë këtij viti dhe kemi disa hetime të përbashkëta në proces, të cilat janë diskutuar midis përfaqësuesve të Policisë Kriminale gjermane dhe Policisë shqiptare dhe janë të nivelit operacional.”
17 tetor 2018 —Drejtori i Përgjithshëm i Policisë gjermane, Dieter Romann vizitoi Tiranën dhe takoi Ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj. Në konferencën e përbashkët për shtyp, Romann dhe Xhafaj njoftuan se mes dy vendeve do të ketë bashkëpunim të ngushtë dhe shkëmbim informacionesh për të luftuar krimin e organizuar. Gjatë së njejtës konference për shtyp, Ministri Xhafaj njoftoi se në ditët në vazhdim, policia e shtetit do të bënte arrestime të rëndësishme.
19 tetor 2018 — Policia e Hasit zbuloi një laborator të përpunimit të heroinës dhe kokaine në Has. Policia sekuestroi 182,5 kilogramë morfinë dhe 22 litra lëndë të lëngshme që përdoreshin për prodhimin e heroinës. Gjatë operacionit policia arrestoi të paktën 10 persona, por emrat e tyre nuk u bënë publikë.
21 tetor 2018 — Në një operacion në Durrës e Shijak, policia arrestoi pesë anëtarë të familjes Avdyli, me në krye Flamur Avdylin, Gjevi Ndokën dhe 14 persona të tjerë si pjesë e një grupi të strukturuar që prodhonin dhe trafikonin heroinën dhe kokainën e prodhuar në laboratorin e Hasit.

Gjevi Ndoka, i njohur me pseudonimin “Xhevi” është vëllai i ish-deputetit Arben Ndoka, i cili po ashtu u arrestua dje. Deri më tani policia ka raportuar se ish-deputeti Ndoka është arrestuar për “tjetërsim pronash” përmes falsifikimit të dokumenteve dhe nuk ka lidhje me trafikun e drogës.
Policia arrestoi, gjithashtu, ish-deputetin e PS dhe ish-drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve Arben Çuko. Sipas gazetares Klodiana Lala, Çuko u zbulua, se merrte rryshfete nga të dënuarit në këmbim të lejes, nga përgjimet e anëtarëve të bandës Avdylaj. Po sipas Lalës, Arben Çuko dhe Arben Ndoka janë kapur në përgjimet e të njëjtës bandë, megjithëse zyrtarisht Ndoka akuzohet për “tjetërsim pronash”.
Po më 21 tetor 2018, policia e Durrësit ndërmori një operacion në Durrës për të arrestuar Lulzim Berishën, të liruar nga burgu në dhjetor 2016. Urdhërarresti për Berishën ishte lëshuar nga prokuroria si pjesë e bandës së Avduljave. Sërish Lala pretendon se Berisha kishte marrë përsipër trafikimin e drogës nga Hasi, përmes portit të Durrësit drejt Gjermanisë, ku ndodhet edhe biznesmeni i arrestuar për 613 kilogramë kokainë Arbër Çekaj.
22 tetor 2018 — Në një konferencë të përbashkët shtypi prokurori–polici, Shefja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda Donika Prela pohoi se ish-deputeti Ndoka akuzohet për tjetërsim pronash. Por ajo fshehu faktin se vëllai i tij u arrestua në të njejtën ditë arrestuar si pjesë e bandës Avdulaj.
Po më 22 tetor 2018, policia la të lirë Flamur Avdylin, pa dhënë arsye se pse. Flamur Avdyli njihet si pronari i disa bizneseve në Durrës dhe Shijak, mes të tjerash dhe një hotel luksoz me emrin “Germany” në Durrës.