21.5 C
Tirana
E enjte, 17 Korrik, 2025

Ministri i Jashtëm në bandën që ka kryer 40 vrasje!

Banda e Bajrave, sipas mediave holandeze dhe belge, ka kryer rreth 40 vrasje, ndërsa në Shqipëri po zbardhen lidhjet e saj me krerët e politikës. Një nga anëtarët e kësja bande që i garantonte imunitet është ministri i jashtëm, Ditmir Bushati. Vetë Safet Bajri në përgjimet që i janë bërë është shprehur vetëm pak orë para arrestimet se “shefat e tij të mëdhenj nuk po i hapin telefonat”, duke bërë të qartë se kush ishin mburoja e tij politike.
Kryetari i PD, Lulzim Basha, akuzon ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati se ndodhet në përgjimet me bandën e Bajrëve.
Në emisionin ‘Open’, Basha tha se, makinat e blinduara të Bajrave ishin badigartë të Bushatit në fushatë.
Kreu i opozitës gjithashtu shprehet se Bushati vendosi marrëdhënie me Bajrët falë ndërmjetësinë se Pëllumb Gjikës.
‘Sot bandat bëjnë ligjin. Pse nuk na tregojnë ne përgjimet me Bajrat?! Kush del në përgjimet me ta? Del Ditmir Bushati. E di gjithë Shkodra që makinat e blinduara të bajrave ishin bodigardët e Ditmir Bushatit në fushatë. Dihet që nën ndërmjetësinë e Pëllumb Gjikës dhe tq tjerëve Ditmir Bushati vendosi marrëdhënie të drejtpërdrejta me Bajrët.
Dhe kërkoi prej atyre ndihmë në fushatë në këmbim për tju hapur krahun dhe për të kontrolluar interesat në qytetin e Shkodrës. Jo njëherë por dhjetëra herë. Ka dy ditë që Ditmir Bushatit i janë drejtuar pyetje nga Partia Demokratike. Sa herë ka komunikuar me Bajrat?
Sa herë është takuar me ta. Çfarë porosie u ka dhënë në emër të Edi Ramës ? Çfarë falenderimesh u ka përcjellë në emër të Edi Ramës? Cili ka qenë komunikimi i tij i fundit me Bajrat?’, tha Basha.

Basha i përgjigjet Taulant Ballës: Shpifës i dënuar nga Gjykata
Pas akuzave në emër të mazhorancës, nga kryetari i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla se lideri i PD-së ishte gjobaxhiu më i madh, vjen reagimi nga Lulzim Basha. I ftuar në emisionin ‘Open’ Basha e cilësoi Ballën një shpifës të dënuar me vendim gjykate. Ai mohoi akuzat, ndërsa theksoi se familja e gruas së tij dhe familjarët nuk asnjë kompani konsulence.
“Taulant Balla është një shpifës i dënuar me vendim gjykate dhe kjo dihet tashmë botërisht. Megjithatë unë u garantoj juve dhe gjithë shqiptarëve se as bashkëshortja dhe as një familjar tjetër i imi, nuk ka kompani të tilla konsulence. Edi Rama dhe shpifësi i tij, Balla kontrollojnë çdo institucion në vend, ndaj unë i ftoj të provojnë akuzat e tyre ndaj meje, ose në të kundërt, të heshtin dhe të mos shpifin akoma”, tha Basha.
Kreu i PD-së solli edhe njëherë në vëmendje faktin që Taulant Balla ka lidhje të drejtpërdrejta me persona të botës së krimit, siç ishte rasti i Edmond Begos, ndërsa akuzoi se në grupin e PS-së ka ende politikanë të lidhur me krimin, si Fatmir Xhafaj dhe Jurgis Çyrbja.
Sot gjatë kohës që demokratët prezantonin paketën e re antimafia, Balla tha se, “Basha s’mund të flasë për oligarkët pas është gjobaxhiu më i madh i tyre. Kompania e kunatit e bashkëshortes së Bashës jep konsulenca oligarkëve. A është kjo gjobë z. Basha? Unë mendoj që po. Të sqarojë Luli si fillim marrëdhëniet e tij me oligarkët. S’dihet ende kush paguan faturat e mbledhjeve të tua nëpër hotele”.

A do të djegë opozita mandatet e deputetëve dhe kur?

Opozita këmbëngul në nismën e saj për vettingun në politikë, ndërsa Edi Rama e ka thënë haptas se është kundër këtij propozimi.
Por çfarë do të ndodhë nëse mazhoranca nuk e pranon këtë vetting.
Sipas kreut të PD-së, opozita do të shkojë drejt radikalizmit dhe të gjitha variantet janë në tryezë.
Pjesë nga intervista e kreut të PD, Basha:
Eni Vasili: Gjasat janë që mazhoranca të mos e pranojë vettingun në politikë, cili do të jetë hapi juaj i radhës?
Basha: Nëse kjo masë nuk pranohet apo futet në kalendat greke, ne na lind detyra që të bëjmë një konsultim mbarëkombëtar me qytetarët, për hapin tjetër që duhet të hedhim.
Vasili: A është opsion djegia e mandateve?
Basha: Të gjitha janë opsion. Momentin që mazhoranca hedh poshtë, mënyrën ligjore dhe kushtetuese për të larguar politikanët e lidhur me krimin dhe të gjithë ata që nuk justifikojnë pasurinë, në kushtet ku ndodhet vendi dhe që po qeveriset nga bandat dhe ku ekonomia është në dorë të bandave, ku kryeministri dhe ministrat janë kthyer në kukulla të bandave, atëherë ajo që shtrohet për zgjidhje është çfarë është detyra dhe vendi i opozitës në raport me këtë gjendje.
Dhe ajo që mund të ju them sot, duke filluar nga ditët e ardhshme, opozita, PD dhe unë personalisht do të jemi në një konsultim me qytetarët për të marrë vendimin që duhet të marrim të gjithë sëbashku, nëse Edi Rama e bën realitet atë që tha një javë më parë tek studio e Blendi Fevziut, që bllokon vettingun politik, pra vazhdon të mbajë politikanë të lidhur me krimin të marrin vendime në emër të shtetit.

Cilat pasuri të bizneseve që vjedhin qytetarët do të sekuestrohen

Prej kohësh PD-së i është kërkuar të flasë me emra dhe sot ajo ka bërë një hap serioz në këtë drejtim. Në një tubim, ku ka shpalosur idetë e saj për “Çlirimin e ekonomisë nga oligarkët”, PD ka hartuar edhe një listë se kë cilëson ajo si biznesmenët më të mëdhenj që kanë përfituar para publike nga Rama, duke i kushtuar xhepave të shqiptarëve plot 2,2 miliardë euro.
Ata sipas PD janë:
Vilma Nushi – përfituese e koncesionit të Check-Up it (120 milionë euro);
Shefqet Kastrati dhe Pëllumb Salillari – përfituesit e koncesionit të ndërtimit dhe mirëmbajtes së rrugës Milot- Morinë;
Shkëlqim Demir Fusha – përfituesi kryesor nga Ligji për prishjen e Teatrit Kombëtar
Klodian Zoto – përfitues i koncesioneve të ndërtimit dhe menaxhimit të inceneratorëve të Tiranës (128 milionë euro), Fierit (28 milionë euro) dhe Elbasanit (22 milionë euro);
Bashkim Ulaj – përfitues i koncesionit të ndërtimit të rrugës Tiranë- Thumanë- Vorë (225 milionë euro);
Idajet Ismailaj – përfituesi i ndërtimit të stadiumit kombëtar dhe kullës 24-katëshe;
Gentian Sula – përfitues i koncesionit të kontrollit të instrumenteve matës të karburantëve dhe gazit të lëngshëm;
Arjan Leskaj – përfitues i ndërtimit të hekurudhës Fier- Ballsh- Vlorë
Edmond Bego – përfitues i lejeve minerare në Elbasan;
Rrok Gjoka – përfitues i ndërtimit dhe menaxhimit të Rrugës së Arbrit (268 milionë euro);
Ilir Rrapaj – përfitues i koncesionit të sterilizimit (77 milionë euro);
Jani Karathano – përfitues i koncesionit të shërbimeve laboratorike (104 milionë euro).

Kryetari i opozitës, Basha i ftuar në emisionin “Open”, ka folur me emra direkt për të gjithë abuzuesit me koncesionet dhe tenderat e përfituara në mënyrë korruptive nga qeveria. Lista është e gjatë dhe në atë nuk kursehet askush. Nuk kursehen as ata që nga Rama në mënyrë djallëzore konsiderohen si të PD-së.
Basha ka përmendur shkeljet dhe pse pasuritë e tyre të përfituara padrejtëisht do të sekuestrohen duke nisur nga Vilma Nushi dhe Fusha dhe deri tek Bahskim Ulaj, I cili ëhstë përfshirë në këtë listë për shkak të koncesionit të fundit skandaloz të rrugës Thumanë-Kashar, e cila do ti kushtojë shqiptarëve 335 milionë euro, ose 16 milionë euro për çdo kilometër.
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Bashagjatë intervistës në një moment i ndërpreu bisedën gazetares Eni Vasili për të kërkuar leje që të heqë xhaketën, pasi kishte vapë.
“Nëse me lejoni ta heq xhaketën se më duket shumë vapë, keni vapë jo apo vetëm unë? ”, tha Basha me humor.
“Është një moment i mirë televiziv. lejen time dhe të publikut e morët, kështu që jeni… opozita gjithmonë dhe më sportive duhet të jetë”, u shpreh Eni po në të njëjtën mënyrë.

Kreu i Partisë Demokratike i ftuar në emisionin “OPEN” me gazetaren Eni Vasili në Top Channel ka folur për ligjin Anti-Mafia që sipas tij do të ndalojë shpërdorimin e fondeve të shtetit.
Ky ligj sipas Bashës do të bëjë që lekët e shqiptarëve të shkojnë për problemet e tyre dhe jo për njerëzit e afërt të pushtetit.
“Vendi po kalon një situatë të rëndë. Shqiptarët pavarësisht se cilës shtresë i përkasin e ndjejnë darën e shtrëngimit ekonomik. Kjo do të thotë se pasuritë publike s’po prodhojnë vende pune, mirëqënie.
Kjo ndodh sepse ligji shkelet, kemi kompani që krijohen dhe pas 48 orësh kanë fitime marramendëse.
Kemi kompaninë e Klodian Zotos. Kjo kompani 48 orë pasi u krijua, pa asnjë punonjës, merr 170 milionë euro.
A mund të pranojmë ne që paratë e shqiptarëve të zhvaten, të shpërdorohen. A mund të durojmë ne që nga njëra anë mos të kemi para për librat, të mos kemi para për ndihmën ekonomike, a mund të pranojmë që pensioni të rritet me përqindje qesharake dhe në njërën anë kemi një kompani që merr llokmën 170 milionë euro.
Ligji Anti- Mafia ka pikërisht këtë mekanizëm, që në këtë situatë dramatike të marrim një masë dramatike”, u shpreh Basha.

Çmimi i dekoderave shkon në 60 mijë lekë, bëhen gati për në Janar

Një dekoder që nuk kushton më shumë se tre dollarë aktualisht po shitet në dy kompanitë kryesore që e tregtojnë këtë produkt në treg me një çmim akoma dhe më të lartë sa u shitën 10 ditë më parë kur edhe u fikën televizorët. Çmimi i një dekoderi sot në treg arrin në 60 mijë lekë dhe qytetarët do të jenë të detyruar që të paguajnë këtë shumë duke nisur nga muaji Janar.
Qeveria e shtyp vendimin për dekoderat për në Janar për një arsye mjaft banale. Rama ju gjend pranë oligarkëve të tij që tregtonin produktin në një moment që ata nuk ishin më në gjendje të furnizonin tregu pasi nuk kishin në dispozicion dekodera.
Kjo bëri që Rama tu lërë më shumë kohë importuesve të këtyre produkteve që të mbushin tregun dhe të rinisin biznesin e grabitjes së qytetarëve duke nisur nga Janari. Nuk dihet nëse çmimi do të ndryshojë apo do të jetë i njëjtë sikurse është sot i këtyre dekoderave, por ajo që pritet të ndodhë është se shumica e shqiptarëve do të fikin televizionet në pamundësi për të paguar dekoderat.
Situata do të jetë mjaft problematike dhe e ngjashme me atë të para viteve ’90. Por edhe atëhere njerëzit kishin mundësinë të shikonin TVSh-në, ndërsa me dekoderat e rinj, Rama ju ka hequr mundësinë qytetarëve të shikojnë falas edhe TVSH-në ndonëse paguajnë një taksë vjetore me detyrim për këtë televizion, të cilin nuk do të lejohet më ta shikojnë falas.

“Duam shkollën tonë”, autobusat nisen bosh drejt Elbasanit, banorët bllokojnë rrugën, ndërhyn policia

Vijon protesta e banorëve dhe fëmijëve të fshatit Mengel të Elbasanit për shkollën. Siç raportojnë burime për Fax News, pas hapjes së shkollës së mbyllur këtë herë banorët kanë bllokuar aksin rrugor Elbasan –Librazhd.
“Duam shkollën”, dëgjohen fëmijët teksa protestojë, të cilët për këtë vit nuk kanë bërë asnjë ditë shkollë dhe vazhdojnë të bojkotojnë mësimin prej disa ditësh. Siç mësohet edhe sot autobusat janë nisur bosh drejt shkollës në Elbasan, ku fëmijët detyrohen të zhvillojnë mësim me dy turne.
“Me u prish kjo shkollë nuk kemi rrugë tjetër veçse të rrijmë rrugëve të Elbasanit, atje ku çfarë nuk pritet.Siç po shohim sot po vjen e keqja jo vetëm e fëmijëve, por mjerë familjarët që do kenë fëmijët që do shkojnë atje”, është shprehur për Fax News një nga banorët e fshatit.
Ndërkaq ka ndërhyrë edhe policia, e cila siç duket nga pamjet e siguruara në Fax News po diskuton me deputetin e PD-së, Luçiano Boçi i cili prej ditësh është shfaqur si mbështetës i banorëve të fshatit Mengel.
Banorët e fshatit Mengël kanë bllokuar aksin rrugor Librazhd -Elbasan dhe shkak është bërë mbyllja e shkollës 9-vjeçare në këtë fshat. Ata kërkojnë hapjen e shkollës 9-vjeçare të mbyllur vitin e kaluar. Rreth 300 nxënës të fshatit kanë bojkotuar procesin mësimor prej nisjes së vitit shkollor.

SHBA, lufta politike për Gjykatën e Lartë

Ligjvënësit amerikanë po debatojnë si të reagojnë ndaj akuzave të ngritura kundër personit të emëruar nga Presidenti Trump për anëtar i Gjykatës së Lartë.
Kjo temë është shndërruar në betejë politike mes dy partive kryesore.
Ka një numër arsyesh përse kjo kandidaturë po zgjon kaq shumë përçarje mes demokratëve dhe republikanëve. Brett Kavanaugh është i emëruari i dytë i Presidentit Trump për Gjykatën e Lartë. Ashtu si i emëruari i mëparshëm Neil Gorsuch, Kavanaugh është zotuar se vendimet e tij nuk do të ndikohen nga rrymat politike. Por në shekullin e 20-të, të nëntë anëtarët e Gjykatës së Lartë kanë votuar gjatë viteve në përputhje të qartë me ideologjinë politike.
Nga viti 1969-1986, mesatarisht 17% e lëndëve gjyqësore u vendosën me shumicë të ngushtë prej 5 votash pro e 4 kundër. Në vitet në vijim, ky raport u vërejt në 20% të lëndëve dhe më pas në 22%.
Në fillimet e Gjykatës së Lartë vendimet merreshin shumë më ndryshe. Nga 1801-1940, vetëm në 2% të rasteve kishte vendime me një shumicë prej vetëm një vote. Kjo dëshmon se me kalimin e viteve gjykatësit e kanë pasur gjithnjë e më të vështirë të bien dakord për çështje të ndryshme. Po ashtu, vërehen grupe të caktuara brenda gjykatës me një mendim identik mes tyre.

Për shembull, në mandatin e fundit të Gjykatës së Lartë që përfundoi në qershor, i njëjti grup i përbërë nga pesë gjykatës dha vendimin në 13 lëndë; i njëjti grup prej katër gjykatësish përfaqësoi mendimin opozitar. Grupi në shumicë, i përbërë prej pesë gjykatësish, konsiderohen si antarët konservatorë të institucionit, ndërsa katër të tjerët konsiderohen si anëtarët liberalë.
Kjo ndarje në pikëpamje mes anëtarëve aktualë të gjykatës duket se ka ndërlikuar edhe procesin e konfirmimit për gjykatësin Brett Kavanaugh. Zoti Kavanaugh konsiderohet si gjykatës me pikëpamje konservatore dhe konfirmimi i tij shihet si një konsolidim i krahut konservator të Gjykatës së Lartë.
Përçarja politike
Kjo përçarje në vija partiake lidhur me gjykatën pasqyron përçarjen e përgjithshme politike në Shtetet e Bashkuara. Gazetari Alan Greenblatt shkruante në 2004 për revistën Congressional Quarterly se në fillim të viteve 2000, votuesit ishin të ndarë thuajse baraz në grupe me pikëpamje përgjithësisht konservatore dhe grupe me pikëpamje përgjithësisht liberale. Për të fituar vota, tha zoti Greenblatt, politikanët filluan të përqafojnë qëndrime më ekstreme.
Një artikull i vitit 2014 në revistën New Republic mbështet idenë e zotit Greenblatt. Në artikull thuhet se gjatë gjysmës së dytë të shekullit të 20-të, ligjvënësit që konsiderohen si politikanë me pikëpamje të moderuara janë pakësuar nga 45% në 10%.
Gazetari Greenblatt thotë se kjo rënie në numrin e politikanëve të moderuar ishte pjesë e një plani politik. Sipas tij, në mes të viteve 1990, ligjvënësit në Partinë Republikane u angazhuan në sulme personale ndaj demokratëve, duke mbytur zërat e moderuar dhe duke ndëshkuar zyrtarët që bashkëpunonin me partinë opozitare. Plani i tyre dha rezultat pasi u siguroi republikanëve më shumë vende në Kongres. Demokratët u përgjigjën duke përdorur të njëjtat metoda.

Amerikanët besojnë se përfaqësojnë pikëpamje të qendrës
Amerikanët sot nuk janë aq të përçarë në vija partiake sa ç’i prezanton media dhe politikanët thonë studiuesit në Qendrën Kërkimore Pew. Një anketë e fundit arrin në përfundimin se më shumë se gjysma e amerikanëve e konsiderojnë veten të moderuar. Edhe ata që e shohin veten si të lidhur me një parti të caktuar politike besojnë se janë më të moderuar se partia së cilës i përkasin.
Megjithatë, anketuesit zbuluan se amerikanët i konsiderojnë pikëpamjet e partisë opozitare si ekstreme. Pra amerikanët i shohin ata që përqafojnë pikëpamje kundërshtare si tepër partiakë, megjithëse ai person mund të besojë se vetë është i moderuar.
Si ndikon kjo përçarje tek Gjykata e Lartë?
Klima politike në Amerikë ka marrë tipare gjithnjë e më partiake. Në këtë vazhdë, shumë amerikanë po e shohin edhe Gjykatën e Lartë si një institucion politik.
Në 1987 doli haptaz ideja se anëtarët e Gjykatës së Lartë mund të shiheshin si pasqyrues të bindjeve politike të një partie. Në atë kohë po zhvillohej procesi i konfirmimit të gjykatësit Robert Bork. Demokratët e bllokuan kandidaturën e tij, pjesërisht pasi ishin kundër bindjeve të tij mbi abortin dhe të drejtat civile.
Bork paralajmëroi se nëse të emëruarit për Gjykatën e Lartë trajtoheshin si kandidatë politikë, do të dëmtohej besimi i publikut tek ky institucion. Por në fillim të shekullit të 21-të, një numër votuesisht kërkonin gjykatës që reflektonin bindje të caktuara në vendimet e tyre.

Kompania e anketimeve Gallup pyeti amerikanët për këtë ide në 2005 dhe 2018. Gjysma e tyre besonin se ligjvënësit mund të refuzonin një kandidat nëse nuk ishin dakord me pikëpamjet e tij për tema të nxehta si armëmbajtja apo aborti.
Një opinionist që shkruan për gazetën San Francisco Chronicle shkruante në fillim të vitit mbi arsyet përse emërimet për Gjykatën e Lartë janë kthyer në një betejë kaq të ashpër. Opinionisti Jonah Goldberg vë në dukje se fuqia e Gjykatës së Lartë është rritur ndjeshëm në qeverisjen e vendit. Ai thotë se në shekullin e 20-të, liberalët filluan ta shfrytëzojnë gjykatën për të krijuar politika e ligje që duhet të ishin në dorë të presidentit, të ligjvënësve, ose qeverisjes vendore.
Elementët partiakë në të djathtë të spektrit politik reaguan duke i shndërruar emërimet në Gjykatën e Lartë në betejë politike. Në 2016, gjatë fushatës presidenciale, kandidati Donald Trump premtoi se do të emëronte gjykatës konservatorë për Gjykatën e Lartë. Ky premtim ishte një ndër arsyet që i siguroi zotit Trump fitoren në zgjedhje, thotë opinionisti Goldberg.

Opozita drejt vendimit final, çfarë do të ndodhë?

Kryetari i opozitës, Basha ka paralajmëruar mbrëmë nga studio e “Open” se opozita është në prag të një vendimi final që do të marrë në lidhje me mazhorancën dhe reagimin ndaj saj. Opozita ka vendosur një marrëdhënie të kushtëzuar me Parlamentin dhe nuk ka marrë pjesë në asnjë seancë të fillimit të këtij sezoni të ri politik. Kushtet janë vendosur. I pari është miratimi i ligjit të vettingut politik. Basha ka thënë se nëse nuk do të miratohet një ligj i tillë ashtu sikurse u bë edhe për gjyqtarët dhe prokurorët atëhere kjo do të konsiderohet si fundi i marrëdhënies institucionale të opozitës.
Kushti i dytë që pritet të jetë më i nxehti në dittë dhe javët e ardhshme është ai i shembjes së Teatrit. Në rast se Rama do të këmbëngulë ti shkojë deri në fund projektit të tij personal për të ngritur kullat mbi Teatrin, atëhere kjo do të sjellë fillimin e një radikalizimi të plotë të opozitës, e cila së bahsku me qytetartë do të vihen në mbrojtje të Teatrit. Basha po pret gabimin final të Ramës për të ndërmarrë edhe vendimin final të opozitës. Cili do të jetë ky vendim?
Basha nuk përjashton mundësinë e djegies së mandateve, gjë që do të nënkuptonte edhe fundin e bashkëjetesës institucionale me mazhorancën. Kjo do të sillte një opozitë që do ti drejtohej popullit për një përballje të fortë në shembjen e diktaturës së krimit dhe të oligarkisë. Basha tha mbrëmë se do të jetë ai në krye bashkë me grupin parlamentar në mbrojtje të Teatrit, ndërsa më parë ka paralajmëruar se shembja e Teatrit do të sillte deri edhe konflikt civil. “Nuk mbetet gjë tjetër pas këtij vendimi të marrë në kushtet e rrëzimit të Gjykatës Kushtetuese vetëm që të futen njerëz kot në burgje”, tha Basha. Jemi në prag të një vendimi final të opozitës dhe kjo do të vendoset vetëm brenda pak ditësh, kohë e cila korrespondon me vendimin final të farsës së tenderit me Teatrin.

Teatri
Kreu i opozitës, Lulzim Basha nuk ka ndryshuar mendim për Teatrin Kombëtar. Duke folur në studion e ‘Open’, Basha u shpreh se, ‘Teatri është vija e kuqe! Nëse bie Teatri, nesër do të bjerë shtëpia e çdo shqiptari’.
Basha theksoi faktin se edhe kullat që do të ngrihen tek Teatri, të njëjtin fat do të kenë, shembjen.
“Teatri është vija e kuqe! Nëse bie Teatri, nesër do të bjerë shtëpia e çdo shqiptari.
Afera e Teatrit Kombëtar, shkon përtej propozimit të Ligjit Antimafia. Afera e Teatrit Kombëtar, përveçse është një aferë korruptive është dhe rënia përfundimtare e shtetit.
Duke bërë një ligj special për të grabitur pronën publike dhe shkatërruar një pjesë të memories historike të qytetit dhe të trashëgimisë kulturore kombëtare, siç është Teatri Kombëtar, në mungesë të Gjykatës Kushtetuese, duke përdorur deputetët e ntij si dele për të vjedhur 200 milionë euro dhe pastruar paratë e pista të drogës, Edi Rama ka kaluar Rubikonin.
Ka kaluar vijën e kuqe, që do të thotë se këtu, në mungesë të Gjykatës Kushtetuese, me një vendim të jashtëligjshëm të Parlamentit, popullit i lind e drejta të përgjigjet me të gjitha format dhe mënyrat që gjykon të arsyeshme. Me të gjitha format dhe mënyrat që gjykon të arsyeshme!
Nuk jam as unë dhe askush tjetër këtu që mund të japë leksion se e bën këtë, por një gjë është e vërtetë: Kur hidhen hapa të tillë, kur qeveria vepron jashtë Kushtetutës, jashtë ligjit, ajo kthehet në Tirani dhe përpara Tiranive përdoren të gjitha mjetet që sovrani vendos të përdorë.

Por se çfarë do të venosë të përdorë këtë do ta shohim kur të vijë përballja me teatrin.
Një gjë ju them: kur të vijë përballja me teatrin, aty do të jem unë i pari bashkë me grupin e PD krah për krah artistëve, sepse tek teatri nuk përcaktohet vetëm fati i asaj godine, por përcaktohet fati i kësaj Republike”, u shpreh Basha.
Pjesë nga intervista e Bashës
Lulzim Basha: Ata që do prishin teatrin, të bëhen gati se do t’i prishet shtëpia e tij. Nëse i vënë minat teatrit, do t’u vëmë buldozerët në pronat e tyre.
Eni Vasili: Ju po i kërcënoni këta njerëz?
Lulzim Basha: Po sigurisht që i kërcënojë dhe hapur.
Eni Vasili: Po flisni për një revolucion?
Lulzim Basha: Dëgjo këto që them këtu, jo çfarë mund të ndodh më pas. Kur të vij përballja tek Teatri, unë do jem i pari dhe do përballen me mua.
Eni Vasili: Ligji kaloi dhe ju ishit në Vlorë?
Lulzim Basha: Ligji kaloi dhe ne nuk kishin çfarë të bënim në atë Kuvend. Ne nuk kishim asnjë mundësi që të pengonim ligjin. Por ne kemi mundësinë që t’u themi shqiptarëve se si po vidhet Teatri. Teatri është vija e kuqe.

Zv.Kryeprokurori anti-Trump drejt largimit, kërkoi përgjimin dhe shkarkimin e Presidentit

Shtëpia e Bardhë tha se Zëvendës Prokurori i Përgjithshëm Rod Rosenstein do të takohet me Presidentin Donald Trump të enjten, pas njoftimeve se zyrtari i lartë i Departamentit të Drejtësisë ishte në pritje të largimit nga posti.
Njoftimi vjen disa ditë pas lajmit të gazetës New York Times se vitin e kaluar zoti Rosenstein kishte sugjeruar ta regjistronte fshehurazi Presidentin Donald Trump dhe se kishte ngritur idenë e përdorimit të Amendamentit të 25 për shkarkimin e Presidentit si i paaftë për të qeverisur.
Zoti Rosenstein e mohoi njoftimin e gazetës javën e kaluar.
Sot, sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Sarah Sanders bëri të hënën këtë deklaratë: “Me kërkesën e Zëvendës Prokurorit të Përgjithshëm Rod Rosenstein, ai dhe Presidenti Trump kanë patur një bisedë të gjerë për të diskutuar mbi njoftimet e fundit. Për shkak se Presidenti është në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara dhe ka takime të shumta me udhëheqës nga e gjithë bota, ata do të takohen të enjten, kur Presidenti të kthehet në Uashington.”
Disa njoftime në mediat amerikane thanë se zoti Rosenstein kishte diskutuar për dorëheqjen ndërsa sipas disa të tjerave, ai refuzon të largohet nëse nuk shkarkohet.

Pas njoftimit të së premtes zoti Rosenstein tha: “Lajmi i gazetës New York Times është i pasaktë dhe jokorrekt përsa u përket fakteve. Nuk dua të komentoj më shumë për një artikull të bazuar në burime anonime të cilat janë të anshëm ndaj Departamentit të Drejtësisë dhe avancojnë axhendën e tyre personale. Më lejoni të jem i qartë: në bazë të marrëdhënieve personale me Presidentin, nuk ka asnjë bazë për t’iu referuar Amendamentit të 25-të”.
Amendamenti i 25-të përcakton procesin me të cilin zëvendëspresidenti dhe shumica e kabinetit shkarkon presidentin nga detyra nëse ai ose ajo nuk është në gjendje të kryejë detyrat zyrtare.
Zoti Rosenstein më vonë bëri një deklaratë të dytë duke mohuar akuzat me terma edhe më të forta: “Unë kurrë nuk kam kërkuar ose autorizuar regjistrimin e Presidentit dhe çdo sugjerim se jam përpjekur ndonjëherë për heqjen e Presidentit është absolutisht i rreme”.
Një burim i cili ishte në dhomë kur zoti Rosenstein bëri komentin për regjistrimin e presidentit, tha në një deklaratë për Zërin e Amerikës se komentet ishin bërë në formë shakaje. Burimi tha se “nuk u diskutua asnjëherë për ndonjë synim për të regjistruar ndonjë bisedë me presidentin”.
Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm mbikqyr hetimin e Prokurorit të Posaçëm lidhur me ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet e 2016-ës. Nëse ai shkarkohet ose jep dorëheqjen, kjo do të kishte ndikim për çështjen se kush do ta mbikqyrte hetimin për Rusinë.

“Mbretërit” e Europës: Surpriza më e madhe vjen nga Anglia

Kampionët vijojnë të qëndrojnë “kampion” edhe pse për momentin janë të përkohshëm.
Liderët e Premier League, League 1, Seria A kanë fituar të gjitha ndeshjet e luajtura dhe në Gjermani, Francë dhe Itali, respektivisht Bayern Munich, Paris Saint-Germain dhe Juventus vijojnë dominimin.
Përjashtim bën Liverpool. Skuadra e Jurgen Klopp qëndron në krye të Premier Leagues, edhe pse “të kuqtë” nuk e kanë fituar këtë titull që nga viti 1992. Ata kanë pasur një sezon të mirë duke marrë kështu edhe pikët maksimale. Ndeshjet e radhës në Angli do të jenë vendimtare, me Manchester City-n dhe Chelsea-n që qëndrojnë të dytët, me vetëm 2 pikë diferencë nga “kampionët” e përkohshëm. Mohamed Salah me shokë do të kenë një përballje “kokë më kokë” me “Blutë e Londrës”, më pas do të bëjnë një vizitë në stadiumin “San Paolo” ku do të luajnë kundër Napolit të Elseid Hysajt.
Nëse në Angli ka një konkurrencë shumë të fortë, nuk ndodh e njëjta gjë në Francë. PSG i Thomas Tuchel qëndron i pashqetësuar në krye të tabelës me 5 pikë larg nga vendi i dytë. Kjo është hera e parë në historinë e klubit francez që kanë fituar 6 ndeshjet e para të Ligës. Ato kanë vendosur një rekord në shtëpi, e ndërsa në Europë e nisën me humbje në “Anfield”.

E njëjta panoramë paraqitet në Gjermani dhe Itali, ku si Bayern ashtu edhe Juve janë në kërkim të titullit të shtatë dhe të tetë respektivisht. Niko Kovac ka sjellë një ndryshim në skuadër. Ekipi i tij është i vetmi që ka arritur të fitojë katër ndeshje radhazi në Bundesligë, teksa qëndron dy pikë larg Hertha Berlin dhe katër pikë nga Borussia Dortmund dhe Werder Bremen.
Nëshkrimi i Cristiano Ronaldos ka thelluar hendekun me “Zonjës së Vjetër” dhe ekipeve të tjera të Seria A. Massimiliano Allegri ka fituar 5 ndeshjet e para me një Ronaldo që ka qenë vendimtar në 2 takimet e fundit, kundër Sassuolo dhe Frosinone.
Surprizë nuk ka as në La Liga, por ndryshe nga 4 ekipet e sipërpërmendura, Barcelona dhe Real Madrid, rivalët e drejtpërdrejtë ndajnë mes njëri tjetrit kreun klasifikimit me nga 13 pikë secila; në 5 ndeshje të luajtura numërojnë 4 fitore dhe një barazim. Të tretët qëndrojnë Alaves, e ndërsa Atletico Madrid nuk ka pasur një sezon shumë të mirë me dy barazime, dy fitore dhe 1 humbje.

Presidentja e Kroacisë kundër Thaçit për shkëmbimin e territoreve

Kundër idesë së presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për shkëmbimin e territoreve, apo siç po e quan ai “korrigjim të kufijve”, tashmë ka dalë edhe Kroacia. Presidentja e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviç, gjatë takimit me Thaçin në New York, ia ka kujtuar këtij të fundit “parimin e Komisionit të Badinterit që kufijtë në territorin e ish-Jugosllavisë duhet të mbesin të gdhendur në gurë”.
Dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit dhe ideja për korrigjimin e kufijve ishin temë diskutimi në takimin mes Presidentes së Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviq dhe Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
E Kitaroviç gjatë këtij takimi i ka kujtuar edhe një herë presidentit Thaçi ne New York, parimin e mosndryshimit të kufijve.
“Ishte interesante të flisja me presidentin e Kosovës, Thaçin, për marrëdhëniet mes Beogradit dhe Prishtinës dhe për temën që po dëgjohet së fundmi rreth mundësisë së shkëmbimit të territoreve. Këtu, ne jemi shumë të kujdesshëm dhe i kam treguar argumentet dhe qëndrimet tona si dhe faktin e parimit të Komisionit të Badinterit që kufijtë e ish-Jugosllavisë duhet të mbeten të gdhendura në gurë”, ka thënë presidentja Grabar-Kitaroviq, raporton Hina.
Sipas agjencisë kroate të lajmeve, Hina, thekson se Grabar-Kitaroviq është takuar edhe me sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, me të cilin “ka ndarë shqetësimin rreth situatës në Evropën Juglindore në lidhje me proceset e rëndësishme që do të pasojnë brenda një kohe të shkurtër”.
“Ishte një takim shumë produktiv. Vlerësoj faktin se ai në këto ditë do të ketë 128 takime dhe jemi pajtuar se do të vazhdojmë dialogun. Ndamë shqetësimet për gjendjen në Evropën Juglindore, proceset që do të hapen në të ardhmen, duke filluar nga zgjedhjet në Bosnje e Hercegovinë dhe faktin se nuk ka ndryshuar ligji i zgjedhjeve, nëpërmjet bisedimeve mes Beogradit e Prishtinës, deri në pritjen e rezultateve të referendumit të Maqedonisë për emrin e shtetit”, ka thënë Grabar-Kitaroviç.