28.5 C
Tirana
E enjte, 17 Korrik, 2025

“Pogboom” nga Italia: Kampioni i botës do të rikthehet te Juventusi

Paul Pogba, mesfushori francez i Manchester United, mund të kthehet në Seria A sezonin e ardhshëm, te kampionët italianë, ku ka luajtur dy sezone më parë. Këtë e konfirmon sot, në ballinën e saj, gazeta “Tuttosport”. Sipas edicionit të së martës, kampioni i botës do ta kishte të lehtë për të zgjedhur fatin e tij, duke u rikthyer te Juventusi.
Mesfushori ka qenë edhe në “radarin” e Barcelonës, por informacioni i mbledhur nga gazeta torineze, shumë pranë bardhezinjve, është se francezi “do vetëm Juven”. Marrëdhëniet mes Pogba dhe Jose Mourinhos vazhdojnë të jenë temë debati çdo ditë në mediat angleze, por jo vetëm, me trajnerin portugez që është munduar të mohojë gjithçka në këtë drejtim.
Sidoqoftë, “shigjetat” mes njëri-tjetrit nuk kanë munguar. Së fundi ishte futbollisti francez, që e kritikoi trajnerin e tij për qasjen mbrojtëse në përballjen në Premier League, kundër Wolverhampton, në “Old Trafford”.
Këto situata, sipas “Tuttosport”, tregojnë se Pogba po ecën drejt Torinos. Çka do të ishte një rikthim për të, në një mjedis ku shkëlqeu dhe u bë transferimi më i shtrenjtë në historinë e futbollit, para se Neymar të bënte të njëjtin veprim në aksin Barcelonë-PSG.

Shtypi botëror lartëson Luka Modriç: Mbyllje e epokës “Messi-Ronaldo”

Luka Modric fitoi çmimin “The Best 2018” përpara Cristiano Ronaldos dhe Mohamed Salah. Kroati i Real Madridit shfaqet sot në të gjitha faqet e para të mediave të botës. Në Angli përqendrohen te mposhtja e Salah, i cili duhej të ngushëllonte veten me “golin e vitit”.
Në Itali dhe Portugali, qendra e vëmendjes është ylli i Juventusit, i cili “shkëlqeu” me mungesën e tij. Nga ana tjetër, në Kroaci dominon fotoja e madhe e Modric, me kryetitull: “Të lumtë kapiten!” Në një nga artikujt e medias kroate kujtojnë se si “Florentino Pérez nuk e donte atë fillimisht, sepse ishte një trill i José Mourinhos”.
Këto janë disa nga titujt e shtypit botëror:
Angli
Mirror: “Salah shënon golin e sezonit, por Modric merr çmimin e madh”.
“The Sun”: “Modric mundi Salah dhe Ronaldon për çmimit “lojtarit më të mirë të vitit”, pasi udhëhoqi vendin e tij drejt finales së Kupës së Botës dhe ishte lojtar kyç në Ligën e Kampionëve, të fituar nga Real Madrid”.
“Daily Mail”: “Modric privon Salah për të qenë lojtari më i mirë i FIFA-s në botë dhe përfundon një dekadë dominimi mes Ronaldos dhe Messit”.
“Telegraph”: “Luka Modric shpallet lojtari më i mirë i vitit në mungesë të Ronaldos dhe Messit”.

Itali
“La Gazzeta dello Sport”: “Triumfon Modric në çmimin e më të mirit për vitin 2018. Mposhten CR7 dhe Salah”.
“Corriere dello Sport”: “Ronaldo i mërzitur, Modric më i miri”.
“Tuttosport”: “Triumfon Modric, ndërsa Salah është “goli më i bukur”.
Portugali
“Record”: “Modric, më i miri në botë. Cristiano i dyti”.
“A Bola”: “Ronaldo, i dyti në përzgjedhjen e “The Best”.
Francë
“L’Equipe”: “Më i miri është Modric”.
“Le Parisien”: “Topi i Artë”, kujdes nga Modric!”
Kroaci
“24sata”: “Të lumtë kapiten”.
Gjermani
“Bild”: “Fitorja e Modricit, mungesa e Ronaldos”.
“Kicker”: “Modric përmbyll një epokë”.
Argjentinë
“Olé”: “Modriç më i miri, mposht Salah dhe Cristiano Ronaldon. Mungon në ceremoni Messi, i cili përfundoi i pesti”.
Brazil
“Globoesporte”: “Modric “driblon” me çmimin e lojtarit më të mirë në botë”.

Shtatë arsyet pse ndiheni vazhdimisht të lodhur

Lodhja mund të shkaktohet nga stili i jetesës, ndaj disa përshtatje të vogla mund të sjellin një ndryshim të madh.
Ngriheni me zor nga shtrati? Ju mungon energjia gjatë gjithë ditës? Nuk jeni të vetmit, pasi një në pesë njerëz ankohen se ndihen të lodhur gjatë gjithë kohës. Mirëpo, vetëm gjysma e njerëzve që ankohen nga letargjia diagnostikohen me një problem mjekësor, si për shembull, mungesa e hekurit në gjak dhe gjëndra tiroide.
Shpesh, lodhja mund të shkaktohet nga çështjet e lidhura me stilin e jetesës dhe mund të kapërcehet vetëm me ndryshime të vogla. Ekspertët japin shtatë arsye pse mund të ndiheni pa energji.
1. Jeni perfeksionist
Perfeksionistët mund të ndihen pa energji, pasi shpenzojnë më tepër kohë sesa të tjerët duke u shqetësuar për vendimet e tyre. Sipas Prof. Irene Levine, ata flenë edhe më pak, pasi “shqetësohen nëse i bëjnë gjërat siç duhet, apo nëse janë duke bërë gjërat e duhura”.
“Në vend që të merren me një punë, ata qëndrojnë në vend duke menduar sesi po performojnë. Kjo mënyrë e papërshtatshme e përballimit të stresit mund t’i pengojë të arrijnë qëllimet dhe t’u shkaktojë lodhje. Po ashtu, ata kanë objektiva të paarritshme, si p.sh., të duken të përsosur, ose t’i bëjnë gjërat në mënyrë të përsosur”, thotë ajo për “MailOnline”.
2. Kafja e tepërt
Kafja është një simulant dhe konsumimi i saj dërgon mesazhe te gjëndrat adrenale, të cilat prodhojnë hormone stresi (adrenalinë dhe kortizol). Trupi prodhon të njëjtën përgjigje, sikur të jetë duke u larguar nga një rrezik. Pas një filxhani kafeje, ose çaji, mund të ndihemi plot energji dhe vigjilentë. Mirëpo, Dr. Marilyn Glenville, thotë se më pas, niveli i sheqerit priret të bjerë dhe ne ndihemi edhe më të lodhur. Kjo bën që ne të kërkojmë të konsumojmë më tepër, duke e rinisur ciklin nga e para.
“Kafeina duket si një përgjigje ndaj lodhjes, por është një mike e rreme”, thotë Dr. Glenvile. “Ajo nuk është një mënyrë e qëndrueshme e energjisë”. Ndaj, duke reduktuar sasinë e kafeinës, mund ta shtojmë energjinë në periudha afatgjata.

3. Sasia e tepërt e karbohidrateve
Makaronat, buka, orizi, biskotat, çokollata, patatinat shkaktojnë rënie të nivelit të sheqerit dhe rrjedhimisht, lodhje gjatë pasditeve.
Marrja e këtyre ushqimeve mund të mos shoqërohet nga të tjera, çka bën që të mos marrim vlerat e nevojshme ushqimore. Ndaj, ekspertët rekomandojnë pakësimin e konsumimit të karbohidrateve, ose konsumimin e tyre nga pak, disa herë në ditë. Sigurisht, nuk duhen harruar frutat dhe perimet!
4. Çrregullimi i të ngrënit i lidhur me menstruacionet
Shumë gra nuk flenë dot gjatë ciklit menstrual, sipas disa studimeve. Zakonisht, gratë që vuajnë nga një shqetësim i tillë, i merr gjumi gjatë ditës, rreth 11 ditë para fillimit të ciklit. Kjo vjen për shkak të ndryshimit hormonal. Ndaj, këto gra përjetojnë pagjumësi (insomni), bëjnë më tepër gjumë (hiptersomni), ose vuajnë nga parasomnitë (të ecurit në gjumë, paraliza gjatë gjumit dhe makthe në gjumë).
Ky problem mund të trajtohet me pilula kontraceptive, të cilat balancojnë hormonet.
5. Sasia e pakët e proteinave
Shumë njerëz janë pa energji, veçanërisht pak orë pas drekës, ose para darkës. Kjo, për shkak të sasisë së pakët të proteinave që marrin. Nicola Shubrook, nutricioniste në klinikën “Urban Wellness” në Londër thotë se trupit i duhet më tepër kohë që t’i shpërbëjë proteinat, kështu që edhe energjia çlirohet më ngadalë dhe qëndron më gjatë në trupi. Kjo është arsyeja pse mund të ndiheni të lodhur dhe pa energji.
Rekomandohet që proteinat të konsumohen gjatë gjithë ditës, që niveli i energjisë të mbahet i paqëndrueshëm. Burime të mira të proteinave janë mishi, peshku, djathi, fasulet, thjerrëzat, kosi, arrat dhe farat (drithërat).

6. Diabeti i Tipit 2
Lodhja, e shoqëruar zakonisht edhe nga problemet e shikimit, një etje e vazhdueshme dhe urinim i shpeshtë, por edhe nga infeksionet e shpeshta, mund të jetë shenjë e diabetit të Tipit 2. Ai shfaqet kur trupi nuk prodhon mjaftueshëm insulinë, që të funksionojnë në mënyrë të përshtatshme, ose kur qelizat e trupit nuk reagojnë ndaj saj, një fenomen që njihet si rezistenca ndaj insulinës.
Trajtimi për këtë lloj diabeti përfshin ushtrime të vazhdueshme, një dietë të shëndetshme dhe mjekime për parandalimin e niveleve të larta të sheqerit në gjak.
7. Nivele të ulëta testosteroni
Te burrat, letargjia mund të shkaktohet nga nivelet e ulëta të testosteronit (hormonit seksual). Kur nivelet e tij bien, kjo mund të shkaktojë rënie të masës muskulore, ndaj personi mund të ndihet i lodhur kur kryen aktivitet fizik.
Lodhja te burrat mund të shoqërohet edhe nga rënia e flokëve, humbja e energjisë seksuale dhe vështirësi në përqendrim. Testosteroni i ulët prek rreth 1000 burra dhe mund të ketë shkaqe gjenetike. Trajtimi mund të kryhet me terapi të zëvendësimit të testosteronit.
Dhoma e pastër, kusht për gjumë të qetë
Për një gjumë të mirë, duhet adoptuar edhe një higjienë e mirë e gjumit. Higjiena e gjumit kërkon shmangien e kafeinës pasditeve dhe të qëndruarit larg laptopit dhe telefonave celularë para gjumit, pasi ato emetojnë dritë blu, e cila na mban zgjuar.
Nëse keni vështirësi me gjumin, pa arsye mjekësore, ose shëndetësore, pastrimi i dhomës mund t’i pakësojë simptomat. Pastrimi i dhomës krijon ndjesi relaksi dhe është kusht për një gjumë të mirë.

Ligji për Teatrin/ Ruçi urdhëron Presidentin Meta: “Shikoje dhe firmose”!

Ditën e sotme posta e Kuvendit ka dorëzuar në Presidencë, ligjin e ndryshuar për Teatrin, por këtë herë vetëm me “urdhrin” ndaj Ilir Metës, për të hedhur firmën e dekretimit.
Presidenti Ilir Meta e kishte kthyer ligjin për rishqyrtim në Kuvend, por mazhoranca pasi ka ndryshuar vetëm “pikën e garës” (pas insistimit të BE) për ndërtimin e objektit të cilin më herët ja kishte paracaktuar kompanisë “Fusha”, tani pretendon se i ka reflektuar të gjitha amendimet që bëri presidenti dhe se ligji është i njëjti, prandaj ai nuk ka të drejtë që ta rikthejë edhe një herë.
Loja që kanë bërë përfaqësuesit e mazhorancës dhe që është denoncuar nga opozita është, se ligji për teatrin që u votua ditën e hënë i ka shkuar presidencës me të njëjtin numër, si ligji i parë për Teatrin. Pikërisht për këtë çështje, opozita nuk bie dakord.
Partia Socialiste e konsideron ligjin e rivotuar si të njëjtë, pasi mban të njëjtin numër me të vjetrin dhe si pasojë e kësaj, presidenti Meta nuk ka të drejtë që ta rikthejë sërish, por thjesht të vihet në dijeni dhe ta dekretojë.
Në bazë të Kushtetutës, Presidenti i Republikës, ka të drejtë që ta kthejë për rishqyrtim të njëjtin ligjin vetëm një herë dhe se këtë duhet ta bëjë brenda 20 ditëve. Por opozita dhe mjaftë juristë të njohur, pretendojnë se pavarësisht trukut të socialistëve, duke i lënë ligjit të njëjtin numër me ndryshimet që ju bënë, ai është një ligj i ri dhe presidenti ka të drejtën e tij ta rikthejë.
I vetmi organ që mund ta ndante këtë debat është Gjykata Kushtetuese, por ajo aktualisht rezulton e shkrirë.
E gjithë kjo situatë nënkupton, se debati për Teatrin do të vazhdojë të mbetet i nxehtë edhe në ditët në vijim. /Syri.net/

“Gjatë kohës që ti flet, gruas time i morën 500 euro ryshfet”, qytetari demaskon Ramën

Ish-Kryeministri Berisha ka publikuar reagimin e një qytetari në Facebookun e Ramës. Qytetari i shkruan Ramës se “gjatë kohës që ti flet, gruas time i morën 500 euro ryshfet”!
Postimi i ish-Kryeministirt Berisha në Facebook
Një përshendetje live për Kallam Dështakun! sb
“Gjatë kohës që ti flet, gruas time i morën 500 euro ryshfet”!
Po ashtu Berisha denoncon në faqen e tij sociale edhe korrupsionin galoponat në OSHEE.
Postimi i Berishës në Facebook
Ne shembullin e Kallam Deshtakut!
Ja si vjedhin narkodrejtoret e Kallam Deshtakut ne OSHEE-ne e falimentuar. sb
“Pershendetje! Doktor Berisha uroj te jeni mire.Une jam nje punonjes i oshee Peqin dua te bej nje denoncim per kte shtet hajdutish dhe drejtus hajdutnish.Drejtori i agjencise se oshee Peqin Lorenc Tosku dhe njekohesisht kryetari i partise socialiste te rrethit te peqinit Biznesin e te vellait e faturon me 3400 leke te vjetra kurse ne neper shtepia na vjen fatura e dritave 70-80 mi leke a thua se kemi fabrika neper shtepia ne…plus qe drejtori njekohesisht dhe kryetar i PS Peqin ben presione per vendet e punes kerkon 3mi euro per nje vend pune”.

Paralajmërimi i ish-Presidentit: Vendi po shkon drejt një përplasje të fortë civile

Ish-presidentin Bujar Nishani u shpreh se, Shqipëria është në një situatë të rëndë, ekonomike e politike. Gjatë një interviste në emisionin ‘Debati në Channel One’, nga gazetari Roland Qafoku, ish-presidenti ka paralajmëruar se vendi po shkon drejt një përplasje të fortë civile.
Pjesë nga intervista
-Zoti President, si iu duket sot politika shqiptare jashtë institucioneve të shtetit , është më e mirë apo më e keqe?
– Nuk mund të thuash është më e mirë apo më e keqe por gjithmonë është koha për të bërë analiza, vlerësime, gjykime, dhe për të adresuar mendime të cilat mund të ndikojnë ose mund të mos ndikojnë por në fund të fundit përgjegjësia e një individi , aq më tepër e njerëzve që kanë pasur përgjegjësi publike dhe kanë ushtruar aktivitet publik duhet të jenë pjesë edhe në vijimësi e kësaj situate.
Unë mendoj që situata sot është më delikate se kurrë më parë dhe mund të them që për fatin e keq Shqipëria po shkon drejt një përplasjeje serioze civile.
-Zoti President, po na frikësoni…
-Mund të duket si një deklaratë apo retorikë e ekzagjeruar, por unë mund tua shpjegoj pse nuk është as retorikë dhe as e ekzagjeruar. Kemi një situatë në gjykimin tim përsa i takon aspektit kryesor të kolonës së shtetit që është siguria dhe rendi. Pa siguri dhe pa rend asnjë nga kolonat e tjera të ngrehinës së shtetit nuk mund të funksionojë. Opozita para pak ditësh dhe gazetarë investigativë konfirmuan faktin që vetëm në Vlorë janë 19 persona të zhdukur. Persona të zhdukur do të thotë të asgjësuar. Do të thotë që janë 19 familje në një qytet, 19 rrethe miqësore dhe shoqërore njerëzish në një qytet të cilëve u është zhdukur dhe asgjësuar njeriu i tyre. Por paralelisht me këtë, më e keqja është se institucionet e shtetit nga njëra anë, policia e para dhe vetë familjarët kanë rënë në një kod heshtje.

Kjo do të thotë që nuk presin më drejtësinë nga institucionet e shtetit, por të gjitha gjykimet të çojnë që ngjarja do të vazhdojë dhe do të rrjedhë në vetëgjyqësi. Unë jam i gjykimit që njerëzit e afërt të këtyre personave të zhdukur e dinë shumë mirë se kush i ka zhdukur. Ashtu siç jam i bindur që edhe policia e di. Dhe nëse ne kemi mbërritur në një pikë që kodi i heshtjes, që është kodi i mafias, qoftë nga ana e policisë apo dhe nga ajo e qytetarëve konvergon te forma më e sofistikuar e krimit, e zhdukjes pa lënë gjurmë. Kemi 19 persona në një qytet kështu që do presësh vazhdimin e kësaj përplasjeje që është përplasje për asgjësim. Kjo situatë nuk është vetëm në Vlorë. Kjo nuk është një logjikë e retorikës politike, nuk është një logjikë e ekzagjeruar por po them kur janë 20 apo 30 persona në rang vendi të zhdukur, kur dihet se kush i ka zhdukur dhe ata do jenë targeti i hakmarrjes dhe shteti nuk ndërhyn sepse e mban të fshehtë, praktikisht do të thotë që qeverisë i ka dalë situate e rendit dhe sigurisë nga dora …
-Zoti Nishani, a i besoni ju Lulzim Bashës si kryetar i Partisë Demokratike?
– Patjetër! Unë besoj te zoti Basha dhe kam arsye. Së pari, z. Basha i takon një brezi të ri politikanësh i cili ka një formim perëndimor, një kulturë perëndimore që në çdo situatë jam i sigurt që instikti do e çojë në kah pozitiv. E dyta, me gjithë këtë përkatësi të një kontributi apo të një angazhimi jo shumë të gjatë në politikë ka arritur të marrë dhe të fitojë disa eksperienca ekzekutive. Ka qenë i suksesshëm si ministër i jashtëm, ka qenë i suksesshëm si ministër i brendshëm, dhe natyrisht që në krye të opozitës mendoj që do t’i duhet patjetër edhe më shumë eksperiencë, edhe më shumë mësime do të nxjerrë, do t’i duhen edhe bashkëpunëtorë më të zotë…

-Kur të marrë Rama mandatin e tretë?
-Nuk besoj se ka shans… Sot qytetarët shqiptarë janë më shumë sesa në majë të hundës të mbushur… Opozita patjetër duhet ta kapitalizojë. Si qytetar i thjeshtë do të doja ta shikoja çdo ditë, opozitën pranë qytetarëve, që nga Vermoshi në Konispol.
-Nëse PD humb zgjedhjet të vitit 2019, Lulzim Basha duhet të largohet nga drejtimi i saj?
-Ajo është një çështje që i takon strukturave të Partisë Demokratike. Unë nuk jam arbitër, nuk jam gjyqtar, duhet të gjykojë dhe vendosë Partia Demokratike në bazë të rrethanave . Kam respekt për të gjithë ata që nuk janë më pjesë e PD. Ata janë personalitete që i kanë shërbyer kësaj partie, i kanë shërbyer edhe shtetit shqiptar dhe jam i sigurtë që do iu jepet mundësia të vazhdojnë të kontribuojnë sepse janë të nevojshëm, nuk janë të panevojshëm, jo vetëm për PD por tashmë kjo parti ka strukturat e saj dhe sidoqofshin ato do të vendosin.
-Zoti President, lidhur me çështjen e shkëmbimit të territoreve në Kosovë, si ka mundësi që arrihet në një tezë të tillë, të frikshme, të keqe, sepse ne nuk kemi kontrollin në Mitrovicë atje ku është tokë shqiptare dhe vetëm rezervat pa llogaritur pjesën që është tokë shqiptare është 1 miliardë dollarë.
-Unë mendoj që duhet të jemi shumë të kujdesshëm dhe të mos përdorim në mënyrë spekulative ndjesitë e një grupimi njerëzish, e një komuniteti shqiptarësh të cilët janë më të persekutuarit sot në të gjithë Evropën dhe ndër më të persekutuarit edhe në rang global. Gjatë kohës që kam qenë president kam vizituar Bujanovcin dhe Preshevën dhe kam parë që atje nuk ka nje genocid në kuptimin e dhunës fizike por ka një platform djallëzore të një spastrimi etnik duke aplikuar platformë varfërimi, izolimi, fyerje dhe mungese zhvillimi.

Përgjegjësia kryesore sot e situatës së shqiptarëve në Luginën e Preshevës është e qeverisë së Tiranës dhe asaj të Prishtinës. Këto dy qeveri sot e kësaj dite nuk kanë një platformë lidhur me shqiptarët e Luginës se Preshevës. Kanë retorikë dhe nuk kanë aksion. Nuk është e pamundur për qeverinë shqiptare që të ketë në buxhetin e shtetit një zë të veçantë për të alokuar fonde për ndërtimin e shkollave, spitaleve, për të trajtuar me asistencë sociale familjet që janë në nevojë në Luginë.
Shkëmbimi i territoreve është absolutisht një tezë e kah hershme e Serbisë e cila ka pësuar një ridimensionim të një frekuence të lartë, të cilat janë arsye tërësisht politike por kanë si burim një mentalitet të një hegjemonie serbe mbi të gjithë rajonin dhe shkëmbimi i territoreve nuk do të thotë as më pak e as më shumë përveç se anulimi i procesit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe njohjes së saj nga shtetet kryesore sot të botës. Serbia mund të kërkojë edhe rikthimin e Kosovës në pikën zero, para shpalljes së pavarësisë. Nëse flasim për shkëmbim territoresh pse nuk kërkohet rikthimi i Jugosllavisë? Sepse Kosova është produkt i një procesi të një shpërbërjeje jo konsensuale madje me luftëra të ish-Jugosllavisë. Patjetër që këtu ka një synim shumë të mbrapshtë për të rinisur nga e para proceset e federalizmit të Ballkanit me një fuqi hegjemoniste siç është Serbia duke nisur nga Kosova dhe suke e shtrirë në Bosnjë – Hercegovinë, në Mal të Zi, në Maqedoni dhe patjetër edhe në procese të tjera nëse realizohet.
Mendoj që ka pasur një presion shumë të fortë nga lobet pro serbe mbi përfaqësuesit e shtetit të Kosovës. Jam i bindur që ka një reflektim nga ana e presidentit Trump. Kontaktet që unë kam pasur me përfaqësues të Kongresit Amerikan, janë për një rikthim të angazhimit dhe prezencës amerikane në më frekuente në Europë dhe rajonin e Ballkanit.

Serbia e nuhat patjetër këtë gjë dhe kërkon që ta bëjë fakt të kryer atë projekt që ajo të paktën ka 10 vjet që e mendon. Në vitin 2008, në disa takime Serbia përfaqësohej me Ivica Daçiç që në atë kohë ishte ministër i brendshëm dhe ideja e shkëmbimit të territoreve me Kosovën dhe jo vetëm ka qenë që në atë vit.
Këtë e ka shprehur në formën më të drejtpërdrejtë. Nuk duhet të ankohemi pse Serbia punon për interesin e saj. Duhet të analizojmë veten tonë, a po punojmë ne për interesat tona? Ai shkëmbimi i territoreve do të thotë që ne t’i dorëzojmë sërish Serbisë varrin e Isa Boletinit. Ne varet tona i kemi të gjitha në tokat tona.
-Trajneri i Kombëtares, Kristian Panuçi kërkon 100 mijë dollarë nga ju sepse i keni thënë sharlatan. Komenti juaj?
-Unë po pres të njihem me padinë sepse nuk e kam marrë ende. Jam njohur me këtë çështje vetëm nga mediat. Patjetër që unë do të respektoj procesin dhe ligjet e shtetit tim dhe të vendit tim, do ta ndjek me seriozitet në gjykatë procesin. Do marr avokat. Nëse flasim për edukatë apo shpërthime emocionale, nëse do klikonit në internet dhe do shikonit fjalorin që përdor zotëria është një fjalor që shokon çdo familje dhe çdo fëmijë.
-Mendoni se e keni tepruar me atë fjalë?
-Absolutisht jo. Kam shprehur një opinionin tim dhe nuk kam pasur për synim ta fyej personalisht.

Zëvendësuesit më të mirë natyrorë për kripën

Kripa është ndoshta përbërësi më i përdorur në kuzhinat e mbarë botës dhe shumë besojnë se shija e saj është e pazëvendësueshme. Shumë ushqime të pëlqyera janë të konservuara me një sasi të konsiderueshme të kripës.
Megjithatë, kripa është një komponent për shkak të të cilit njerëzit vuajnë nga sëmundje të ndryshme. Ne ju rekomandojmë zëvendësime të shëndetshme.
Natriumi është elementi kryesor i cili gjendet në kripë, ndërsa, në anën tjetër, atë e gjejmë në shumicën e bimëve natyrore të cilat i përdorim në kuzhinë në baza ditore. Shumica e ushqimeve përmbajnë një sasi të konsiderueshme të natriumit në shijen e tyre natyrore, ndërsa shumicën e ushqimeve që përmbajnë natrium e përdorim jo vetëm për përmirësim të shijes, por edhe për veçori mjekuese.
Për ta rritur shijen e ushqimit tuaj pa shtuar kripë, gjeni zëvendësime natyrore dhe të shëndetshme. Ja disa prej tyre:

Kanella është një nga erëzat më të vjetra të njohura, veçanërisht në Indi, Sri-Lankë dhe shumë pjesë të tjera të Azisë. Kanella është një zëvendësues shumë e mirë për kripë, dhe ka aftësinë për ta niveluar nivelin e sheqerit në gjak dhe për ta ulur kolesterinën.
Kardamomi njihet prej kohësh si një zëvendësim i shkëlqyer për kripë, edhe pse shija është mjaft e fortë dhe e ndryshme, veçanërisht kur përzihet me qimnon dhe koriandër.
Borziloku është një erëz e cila zakonisht përdoret në Indi, ka pak shije të hidhur dhe të ëmbël, dhe përveçse është i njohur për vetitë shëruese, njihet edhe si një alternativë e shkëlqyeshme për kripë.
Speci i kuq, i njohur edhe si speci djegës, është gjithashtu një zëvendësues i shkëlqyeshëm për ta shijuar shijen e ushqimit pa kripë. Më shpesh përdoret në kuzhinën spanjolle, meksikane dhe indiane. Çili i jep gjellës shije pikante gjë që mund ta zëvendësojë kripën pa problem.
Dafina është një bimë e cila zakonisht shtohet në racione me mish. Ajo është shumë aromatike dhe e ëmbël, ndërsa në formë të thatë ka aromë edhe më intensive, ndërsa shija e saj pa asnjë problem mund ta zëvendësojë shijen e kripës, por bëni kujdes të mos e teproni.
Hudhra pluhur jo vetëm që mund ta përmirësojë shijen e ushqimit, por ajo është shumë e dëshirueshme për shkak të vetive të saj të njohura mjekuese. Është e përkryer për përgatitjen e mishit, peshkut dhe makaronave.

Piperi i zi, përveç kripës, është padyshim një nga erëzat që përdoret zakonisht në gatim. Në vend të kripës, rriteni pak dozën e piperit dhe do ta fitoni një shije intensive dhe aromatike të ushqimit tuaj. I njohur edhe si piperi i zi i artë, ai është një zëvendësim i shkëlqyeshëm për kripën.
Nëse nuk mund të hiqni dorë nga shija e njelmët, salca e sojës është gjëja e duhur për ju. Ajo përmban sasi të konsiderueshme të kripës dhe përmirëson shijen e ushqimit, dhe ka edhe vlera të larta ushqyese dhe nuk është e dëmshme për shëndetin, përkundrazi.
Qepa pluhur është e njohur për shijen e saj karakteristike të hidhur dhe të fortë. Në qoftë se e përdorni si një zëvendësim për kripën, bëni kujdes të mos e teproni, sepse përveç se mund ta përmirësojë, shija e saj e fortë edhe mund ta prishë gjellën.
Lëngu i limonit është i mirënjohur si një konservues natyror dhe si i tillë është një zëvendësues i përsosur për kripë. Lëngu i limonit ndihmon në ruajtjen e freskisë së frutave, parandalon kalbjen e tyre dhe thekson aromën pikante të gjellës.
Farat e lulediellit kanë një vlerë shumë të pasur ushqyese dhe janë një zëvendësim i shkëlqyeshëm për kripën në shumë gjellë.
Mundohuni të gatuani pa kripë, qëndroni më të shëndetshëm dhe zbuloni shije krejtësisht të reja

Çfarë është dieta “ketogjenike” dhe përfitimet shëndetësore

Ju mund t’i keni dëgjuar edhe më parë termat “ketozë” ose “dieta ketogjenike” në artikuj të ndryshëm të shëndetësisë, ose që kanë të bëjnë me humbjen e peshës apo performancën sportive.Dieta ketogjenike është duke u rritur me ritëm shumë të shpejt në famë – e veçanërisht në këto fusha.
Nëse nuk e keni dëgjuar ende ndonjërën apo nuk e dini se çfarë është ketoza, ja një informacion i përgjithshëm:
“Ketoza mund të definohet si gjendje metabolike që ndodh kur konsumoni sasi shumë të ulëta të karbohidrateve, sasi të moderuar të proteinave dhe sasi të mëdha të yndyrës që e shkaktojnë trupin ta zëvendësojë përdorimin e glukozës si burim primar i energjisë me ketone. Ketonet vetvetiu prodhohen kur trupi djegë yndyrë, dhe kryesisht përdorën si alternativë e burimit të energjisë kur trupi nuk ka glukozë”.
Me fjalë të tjera, me dietën ketogjenike, në vend se të digjni sheqer, ju digjni yndyrë apo dhjam.
Por, përse duhet ta keni në konsideratë një dietë të tillë?
Më poshtë i keni të listuara disa përfitime që i sjell dieta ketogjenike, e që janë dëshmuar edhe nga shkenca:
– Dieta ketogjenike ju ndihmon të humbni peshë
– Funksionon kundër plakjes
– E ulë sheqerin në gjak
– I rregullon problemet kardiovaskulare dhe sindromën metabolike
– Dieta ketogjenike ju ndihmon t’i qartësoni mendimet, ta forconi memorien, të mësoni më shpejt, etj.
– Ju rritet performanca e qëndrueshmërisë
– Keni më pak dhimbje dhe inflamacion më të ulët
– Keni nivele më stabile të energjisë
– E trajton migrenën
– Ndihmon te personat që vuajnë nga sëmundja e Parkinsonit
– Është shumë e mirë për trajtimin e epilepsisë
– Mund ta parandalojë dhe të ndihmojë në trajtimin e Alzheimerit
– E parandalon dhe mund ta shërojë kancerin
– Ndihmon në shëndetin e përgjithshëm.

Cili është ministri i Ramës që ka lidhje me grupin kriminal “Bajri”, është fotografuar

Një ministër i Ramës ka lidhje të forta me lidhje me grupin kriminal “Bajri”. Deklarata u bë nga gazetari Basir Çollaku, i cili u shpreh se brenda pak ditëve do të publikohen foto të grupit kriminal “Bajri” me eksponentë të lartë të qeverisë socialiste.
Çollaku tha në studion e emisionit “Opinion”, se një ministër i kësaj qeverie është fotografuar me grupin kriminal në fjalë dhe pritet që fotot të dalin brenda pak ditëve.
“Unë kam pyetur goxha njerëz jo vetëm në polici që i dinë mirë këto ngjarje por edhe më së shumti në terren.
Ata thonë se në Shkodër ka shumë biznesmenë që janë larguar pas gjobvënieve të këtij grupi. Ka hsumë femra të zhdukur të cilat janë trafikuar jashtë Shqipërie.
Në atë që di unë ka lidhje politike. Kjo është dhe arsyeja që u godit pas ndërhyrjes së ndërkombëtarëve dhe jo pas deklaratës së ministrit të Brendshëm.
Policia shqiptare ka ndërhyrë pasi kanë bërë presion ndërkomëbtarët. Kishte lidhje poltikën, me maxhorancën në pushtet, me një minister”.
Ndërkohë, ditën e sotme pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda po zhvillohet një tjetër seancë me anëtarë të klanit Bajri, të cilët janë arrestuar pak ditë më parë në Tiranë dhe në Shkodër.
Bëhet fjalë për Ismet Idrizin, të arrestuar në Shkodër, Denis Brajoviq, të arrestuar në Tiranë dhe Klaudio Hoxhalliun, të arrestuar gjithashtu në Tiranë.
Por Safet Bajri i cili u përball dje në dy gjykata do njihet sot me një masë të tretë sigurie nga Krimet e Rënda. Safet Bajri ka dy masa sigurie, një nga Apeli i Shkodrës dhe një Krimet e Rënda.

Hetimi, si i dha Rama vëllezërve Bajri 362 mijë m² plazh-pronë shtetërore në Velipojë

Dalin të dhënat e para të hollësishme, nga dosja voluminoze pas një hetimi 6 mujor nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për klanin “Bajri”
Mësohet se një nga bizneset më të mëdha të këtij grupi është ngritur në një nga zonat turistike në plazhin e quajtur “Pulaj”, ku vëllezërit Bajri pasi kanë uzurpuar disa qindra mijë metra katrorë pronë shtetërore, e kanë “pastruar” nëpërmjet procesit të legalizimit, vetëm 1 vit pas ardhjes së Rilindjes në pushtet, në muajin Shtator të vitit 2014.
Ky biznesi dhe kjo pronë gjigante e uzurpuar dhe legalizuar nga qeveria e Rilindjes, figuron në emër të nënës 80-vjeçare të vëllezërve Bajri.
Gjatë hetimeve është zbuluar, se grupi kriminal paratë e fituara nga një aktivitet i gjerë kriminal brenda dhe jashtë vendit i ka financuar në Shqipëri dhe kryesisht në zonën e qarkut të Shkodrës, në aktivitete tregtare dhe pasuri të paluajtshme. Pikërisht vepra penale e “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” është një nga akuzat e shumta, që pritet të ngrejë Prokuroria e Krimeve të Rënda për këtë klan të rrezikshëm.
Shumë prej këtyre aktivitete, rezultojnë të regjistruara në emër të Servete Rustemit (Bajri), nëna e Behar dhe Enver Bajrit, e cila aktualisht është në moshën 80-vjeçare. Hetuesit kanë zbuluar se në një rast, Servete Rustemi është regjistruar me statusin “Person Fizik” dhe ky biznes ndodhet në një nga zonat më të lakmuara turistike në Velipojë, në pasurinë nr.802, në zonën kadastrale nr. 3072.
Nga verifikime më të thella rezultoi se kjo pasuri, sipas librit të ngastrave shkurt 2002, ndodhur në zonën Pulaj, Plazh Shkodër me sipërfaqe 362 mijë e 843 metra katror e llojit Rranishtë, ka qenë me pronar SHTET.
Në praktikën për legalizim të bërë nga Bajrët në Shtator 2014, figuron që porositësi i projektit (Hotel-Bar-Restorant) rezulton të jetë shtetasi Enver Bajri. Sipas dokumentacionit tashmë të sekuestruar, për këtë objekt rezulton se janë bërë dhe dy kërkesa të tjera nga vetë e moshuara, nëna 80 vjeçare e vëllezërve Bajri, Servete Omer Bajri.

Seanca gjyqësore
Ditën e sotme pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda po zhvillohet një tjetër seancë me anëtarë të klanit Bajri, të cilët janë arrestuar pak ditë më parë në Tiranë dhe në Shkodër.
Bëhet fjalë për Ismet Idrizin, të arrestuar në Shkodër, Denis Brajoviq, të arrestuar në Tiranë dhe Klaudio Hoxhalliun, të arrestuar gjithashtu në Tiranë.
Por Safet Bajri i cili u përball dje në dy gjykata do njihet sot me një masë të tretë sigurie nga Krimet e Rënda. Safet Bajri ka dy masa sigurie, një nga Apeli i Shkodrës dhe një Krimet e Rënda.
Pas masave për gjashtë anëtarë të arrestuar si pjesë e klanit “Bajri”, sot tre të tjerë pritet të njihen me masën e sigurisë. Ata janë Ismet Idrizin, i arrestuar në Shkodër dhe Denis Brajoviq, Klaudio Hoxhalliun, të arrestuar në Tiranë.
Ditën e djshme Krimet e Rënda kanë lënë në burg Safet Bajrin dhe 5 anëtarë të tjerë të grupit kriminal “Bajri”, të cilët janë; Ilir Rustemin, i arrestuar në ndërhyrjen e datës 6 shtator në Shkodër; Emrah Plakun, i arrestuar në ndërhyrjen e datës 6 shtator në Shkodër; Astmer Bilalin, i arrestuar në ndërhyrjen e datës 6 shtator në Shkodër; Armir Grimajn, arrestuar në Shkodër dhe Fabiol Rexhepin, të arrestuar në Shkodër.
Mësohet se të arrestuarit kanë ofruar garanci për një masë më të butë duke pretenduar gjykim në gjendje të lirë ose arrest shtëpiak, por kjo nuk është pranuar.