32.5 C
Tirana
E enjte, 19 Qershor, 2025

“Operacioni i SPAK, i pritshëm”/ Klodiana Lala për grupin e Suel Çelës: Aktiviteti brenda vendit ishte eliminimi fizik i kundërshtarëve! Kishte shënjestër Ardian Çapjan

Gazetarja Klodiana Lala ka zbardhur detaje lidhur me dosjen e SPAK për grupin kriminal të Suel Çelës.

Lala: Ishte e pritshme se SPAK prej një vitit e gjysme po godet organizata për shkak të një bashkëpunimi me autoritetet e huaja ligj zbatuese. Janë goditur disa organizata kriminale, ku janë identifikuar dhe elementë të ndryshëm të sistemit të drejtësisë dhe policisë të implikuar në këto grupe kriminale. Në vazhdën e këtyre hetimeve që janë duke u hetuar, në muajt në vijim do të ketë goditje të reja. Pra, ishte një lajm i pritshëm.

SPAK është ndalur ne disa episode të organizatës së Suel Celës, i cili u bë shumë i përfolur për incidentin te tregu agroushqimor, ku u përplas me policinë. Ai arriti tia hidhte drejtësisë në atë kohë dhe është përfolur për shumë ngjarje. Pas dëshmive të Nuredin Dumanit ai u shpall në kërkim për vrasjen e disa personave.

Aktiviteti i tij brenda vendit ishte eliminimi fizik i kundërshtarëve dhe jashtë ishte trafikimi i kokainës nga Amerika e Jugut.

Në shënjestër të tij ishte Ardjan Capjan. Çapja doli në oborr dhe u qëllua me snajper në një distancë të largët, prej afro 400 metra. U gjet edhe automjeti. Çapja i mbijetoi atentatit sepse snajperisti nuk kishte më fushëpamje.

Dyshohet e Suel Çela kishte pajtur një snaperist shumë të rrezikshëm, Prek Kodrën, i dyshuar dhe për ngjarje të tjera kriminale, si vrasja e Kastriot Recit. Ky person merr përsipër të kryente vrasjen dhe organizata e vëzhgonte jo vetëm përmes anëtarëve të grupit, por edhe me kamera statike.

Njihet si “vrasësi i heshtur”, cilat janë simptomat e kancerit të pankreasit! Zbuloni faktorët e rrezikut

I njohur si “vrasësi i heshtur”, kanceri i pankreasit është jashtëzakonisht i vështirë për t’u dalluar.

Kërkimet tregojnë se një tumor që rritet në pankreas mund të zgjasë 12 deri në 15 vjet përpara se të bëhet invaziv.

Sipas kërkimeve të fundit, ekzistojnë gjashtë mutacione të gjeneve specifike që lidhen me kancerin e pankreasit. Këto mutacione mund të ndodhin edhe tek njerëzit pa histori familjare të sëmundjes.

Për fat të keq, shumica e rasteve me këtë lloj kanceri nuk mund të parandalohen, por ju mund të zvogëloni rrezikun duke ndjekur një mënyrë jetese të shëndetshme.

Ju njohim më poshtë me simptomat dhe faktorët e rrezikut që duhet të shmangni.

Problemet e tretjes

Oreksi i dobët, dispepsia dhe të vjelljat janë të zakonshme tek njerëzit me këtë lloj kanceri.

Disa ose të gjitha këto simptoma mund të ndodhin kur një tumor në pankreas shtyp stomakun ose pjesën të zorrëve të vogla.

Nëse kjo ndodh, ushqimi mund të mbetet në stomak dhe të shkaktojë vështirësi në tretje, të përziera dhe të vjella.

Shqetësimet në tretje mund të ndodhin edhe për shkak të bllokimit të kanalit të pankreasit, nëpër të cilin rrjedhin enzimat e pankreasit, ose për shkak të ndryshimeve në prodhimin e këtyre enzimave.

Humbje peshe

Pankreasi është një organ i vendosur në bark, prapa stomakut pranë zorrës së hollë, fshikëzës së tëmthit dhe duodenit.

Ai ka një rol të rëndësishëm në shndërrimin e ushqimit që hamë në lëndë djegëse për qelizat e trupit.

Ushqimi mund të mos tretet siç duhet nëse pankreasi nuk funksionon për shkak të kancerit, dhe kjo mund të çojë në humbje peshe dhe lodhje.

Dhimbje barku

Dhimbja në pjesën e sipërme të barkut është një nga shenjat më të zakonshme të kancerit të pankreasit.

Ajo mund të fillojë në zonën e stomakut dhe të përhapet përreth në shpinë. Dhimbja është më e keqe kur shtrihesh dhe lehtësohet nëse ulesh. Ajo mund të shfaqet edhe pas ngrënies.

Pirja e duhanit

Konsumi i duhanit është i lidhur ngushtë me kancerin e pankreasit. Duhani është i vetmi rrezik i faktuar për shfaqjen e kancerit.

Njerëzit që pinë duhan kanë dy herë më shumë gjasa të zhvillojnë kancer në pankreas në krahasim me ata që nuk e pinë.

Lajmi i mirë është se lënia e duhanit mund të bëjë një ndryshim të menjëhershëm.

Mbipesha

Obeziteti është një faktor rreziku për kancerin e pankreasit. Pesha e tepërt rreth belit mund të jetë një faktor rreziku edhe tek njerëzit që nuk janë shumë mbipeshë.

Sulmi në Ibër-Lepenc, policia e Kosovës arreston 8 persona! Sekuestrohen armatime dhe eksploziv

Autoritetet Kosovare i kanë arrestuar tetë të dyshuar dhe kanë konfiskuar armatim, përfshirë eksploziv, pas një operacioni të gjerë të shtunën në lidhje me një shpërthim në kanalin e Ibër-Lepencit në veri të Kosovës, njoftoi ministri i Brendshëm i Kosovës.

 

Shpërthimi mbrëmjen e së premtes i shkaktoi dëme të konsiderueshme kanalit të ujit të Ibër-Lepencit në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut, duke i nxitur autoritetet kosovare ta akuzojnë Serbinë për sulm “kriminal dhe terrorist” ndaj infrastrukturës jetike të vendit.

Duke folur në një konferencë të jashtëzakonshme për media në Mitrovicën e Jugut, Sveçla tha se shpërthimi ndaj kanalit të Ibër-Lepencit, i cili furnizon disa pjesë të vendit me ujë, ishte më i rëndë ndaj infrastrukturës kritike të vendit që pas luftës në Kosovë më 1998-1999.

Ky sulm terrorist nuk është sulm i rëndomtë, por i bashkërenduar nga organizatat terroriste… synimi ka qenë që dëmi të jetë maksimal ndaj shtetit të Kosovës dhe qytetarët të tij”, tha ai.

Sulmi ndaj kanalit të Ibër-Lepencit, reagon BE: Akt terrorist dhe sabotimi! Duhet të hetohet

Bashkimi Evropian (BE) e ka cilësuar si sulm “terrorist” si dhe akt “sabotimi” një shpërthim ndaj kanalit të Ibër-Lepencit të premten në veri të Kosovës, i cili rrezikoi furnizimin me ujë dhe energji elektrike për qindra mijëra qytetarë të Kosovës.

 

Shpërthimi mbrëmjen e së premtes i shkaktoi dëme të konsiderueshme kanalit të ujit të Ibër-Lepencit në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut, duke i nxitur autoritetet kosovare ta akuzojnë Serbinë për sulm “sulm kriminal dhe terrorist” ndaj infrastrukturës jetike të vendit.

Përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, e dënoi sulmin në një komunikatë për media të shtunën pasdite.

“BE-ja e dënon ashpër sulmin terrorist të kryer të premten në kanalin ujor në Ibër-Lepencit në Zubin Potok në veri të Kosovës. Është një akt i neveritshëm sabotimi në infrastrukturën kritike civile të Kosovës, e cila siguron ujë të pijshëm për një pjesë të konsiderueshme të popullsisë së Kosovës dhe është një komponent jetik i sistemit energjetik të Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Borrell nënvizoi se ngjarja duhet të hetohet, ndërsa autorët e sulmit duhet të vihen para drejtësisë.

“Këto mesazhe solidariteti dhe mbështetje ia kam përcjellë drejtpërdrejt kryeministrit Albin Kurti pasditen e sotme”, tha Borrell.

Ai u bëri thirrje të gjitha palëve që të bashkëpunojnë plotësisht me autoritetet e Kosovës dhe theksoi se BE-ja do të vazhdojë t’i ndjekë nga afër zhvillimet.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Serbia është përgjegjëse për “sulm kriminal dhe terrorist”, i cili, sipas tij, ka synuar “ta dëmtojë infrastrukturën mbase më të rëndësishme” të vendit.

Serbia i ka mohuar akuzat e autoriteteve kosovare.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se Beogradi nuk ka asnjë lidhje me atë çfarë ndodhi në kanal i ujit i Ibër-Lepencit, duke shtuar se “këtë e di edhe Prishtina”, raporton transmetuesi shtetëror serb, RTS.

Borrell gjithashtu ka konfirmuar se BE-ja u ka ofruar mbështetje autoriteteve të Kosovës dhe vazhdon të koordinojë hapat e ardhshëm me partnerët përkatës, duke përfshirë këtu edhe KFOR-in.

Misioni civil i BE-së për sundimin e ligjit, EULEX, sipas tij, gjithashtu po ofron ndihmë për autoritetet e Kosovës në përputhje me mandatin e tij.

Kurti njoftoi të shtunën se disa të dyshuar janë arrestuar dhe se janë gjetur prova materiale në lidhje me shpërthimin.

Shpërthimi ndaj kanalit në fshatin verior nuk shkaktoi viktima, por e krijoi një çarje të madhe në murin anësor të tij, duke shkaktuar rrjedhe të ujit që rrezikoi furnizimin me ujë dhe rrymë në një pjesë të madhe të vendit.

Ministrja e Ekonomisë e Kosovës, Artane Rizvanolli, tha një ditë pas sulmit është siguruar furnizimi i rregullt me energji elektrike për vendin dhe ngrohje qendrore për qytetarët e kryeqytetit, Prishtinë.

Sulmi ndaj Ibër-Lepencit ishte i treti brenda 72 orëve të fundit në veri të vendit, i banuar me shumicë serbe, pas shpërthimeve që ndodhën në një stacion policor dhe në ndërtesën e Komunës në Zveçan.

Kjo i nxiti autoritetet kosovare t’i rrisin masat e sigurisë.

Këshilli i Sigurisë i Kosovës ndërmori masa emergjente për zbutjen e pasojave dhe për ta ruajtur sigurinë e infrastrukturës kritike të vendit gjatë një mbledhjeje në orët e hershme të mëngjesit të shtunën.

Të premten, Policia e Kosovës tha se i ka shtuar masat e sigurisë në vend, përfshirë në pjesën veriore të shtetit, ku ditëve të fundit kanë ndodhur “disa sulme apo incidente serioze kriminale”./rel

Shkaktuan dëm mbi 2 mln euro, dërgohet në gjyq shtetasi izraelit dhe 38 shqiptarët! Skema e mashtrimit, bindnin klientët të investonin shuma të mëdha parash dhe…

Prokuroria e Tiranës ka dërguar në gjyq një shtetas izraelit dhe 38 shqiptarë të përfshirë në një skemë mashtrimi me call center, ndërsa akuzohen se kanë shkaktuar një dëm prej 2 milion euro.

Raportohet skema e mashtrimit drejtohej nga shtetasi izraelit me iniciale R. G., dhe një grup punonjësish.

Sipas Prokurorisë, shtetasi çek me iniciale J. L., ka deklaruar se në periudhën Janar-Shkurt 2021 është kontaktuar në telefon nga ndërmjetës financiar të cilët e kanë udhëzuar të bëjë investime në bitcoin dhe pas investimeve të bëra nga ana e tij në një shumë prej 285.000 CZK.

Sipas denoncuesit, pas kësaj ndërmjetësi financiar i ka ndërprerë komunikimet me të duke humbur paratë e investuara në në BTC.

Pastrimi vlerave monetare eshte kryer nepermjet transfertave fiktive me fatura fiktive ne banka të shteteve si Lituania, India, Singapori, Hungari, Estoni, Malte etj, vende qẽ jane me risk per aktivitetin e pastrimit te parave nepermjet sistemit bankar të tyre.

Njoftimi i plotë:

Krijuan skemë mashtrimi me call- center, Prokuroria Tiranë dërgon në gjyq shtetasin Izraelit dhe 38 shqiptarë për ‘Mashtrim Kompjuterik’ dhe ‘Pastrim i produkteve

Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të përgjithshëm, Tiranë, përfundoi hetimet dhe dërgoi në gjyq,  procedimin penal penal nr. 6055 viti 2021 për kryerjen e veprës penale “Mashtrim kompjuterik”, kryer në bashkëpunim, më shumë se një herë, e parashikuar nga neni 143/b-2 të Kodit Penal dhe ‘‘Pastrimi i Produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale“ të parashikuar nga neni 287 i K.penal.

Hetimi tre vjeçar i kryer me metoda speciale, u realizua në bashkëpunim me shërbimet partnere te vendeve europiane dhe dëmi i shkaktuar kap vlerën mbi 2 milionë euro.

Hetimi u iniciua në bashkëpunim me autoritetet gjermane të Braunscweig për mashtrim kompjuterik për arsye përfitimit me anë të platformave fictive “CFD-Tradingplattform” dhe “FX-Leader” etj. Gjatë hetimit u vërtetuan se transferta në vlera të larta monetare  u kryen  drejt një qëndre thirrjesh (call center) me emërtimin “Capital SHPK 1001” me adresë Rruga Him Kolli, pas Golden City Hotel, Tiranë, ku vetëm në një rast u transferuan gjithsej 254.990.00 euro në llogari të ndryshme të platformës “fx-leader.com”.

Të gjutha transfertat e kësaj skeme, u  nxitën nga autorët e kësaj vepre penale të konsideronin investimin e pasurive të tyre në një mënyrë fitimprurëse, ndër të tjera përmes reklamave në internet dhe në rrjetet sociale.

Sapo viktima regjistrohej në platformën e mashtrimit me emër, mbiemër, email dhe numrin e telefonit, autorët i kontaktonin menjëherë në telefon dhe krijohej një lidhje besimi me “klientin” e pretenduar. Fillimisht viktimat tundohen të investojnë në sasi të vogla me premtimin se ndërmjetësi (broker) i pretenduar i faqes së investimeve, do të realizonte një fitim të madh me investimin e aksioneve dhe kripto valutave.

Faqja e internetit “fx-leader.com” merrej në mënyrë fiktive me biznes në fushën e trasanksioneve financiare me të ashtuquajtura opsione binare. Për këtë qëllim krijoheshin posaçërisht qëndra thirrje (call center), me anë të të cilave “klientet” kontaktoheshin nga një konsulent financiar personal, për t’i joshur që të bëjnë investime të larta.

Të gjitha fitimet dhe humbjet stimuloheshin virtualisht. Një algoritëm përkatës bënte që fitimet e fillimit t’i shtynin pjesmarrësit për të investuar shuma të mëdha parash. Në momentin që personi i prekur kërkonte që të merrte fitimet e tij apo depozitat, kjo gjë nuk mundësohej. Sipas qëllimit fillestar, sistemi ishte i ndërtuar në formë të tillë që t’i mbante varur personat e prekur deri sa tu merrej  mjaftueshëm para në mënyrë të paligjshme, dhe më pas faqet mbylleshin.

Nga hetimet u arrit të dokumentohej e gjithë veprimtaria e paligjshme kriminale duke evidentuar edhe mënyrën e operimit të kësaj qendre ku janë konstatuar llogari përdoruesi në serverat https://www.paypal.com dhe https://www.coinbase.com servera të cilët shërbejnë për të krijuar dhe menaxhuar një profil/llogari online me qëllim kryerjen e transfertave të ndryshme ne valuta të ndryshme drejt profileve/llogarive të tjera online, në aplikacionin ‘’TradingView’’ që shërben për analizimin e ideve tregtare në tregjet globale, ne aplikacionin Binance dhe Coinbase i cili është portofol kriptomonedhash, në serverat https://www.binance.com dhe https://www.coinbase.com, në aplikacionin ‘Crypto.com’ i cili shërben si një portofol ku mund të tregtohen kriptovaluta të ndryshme.

Gjithashtu u ssekuestruan skedarë me dokumenta në formatin excel të cilat përmbajnë lista emërore , kontakte (email, nr telefoni) të shtetasve të huaj dhe që përdoren për ti telefonuar dhe joshur per investime fiktive.

Skema e mashtrimit drejtohej nga shtetasi izraelit R.G., dhe një grup punonjësish.

Gjithashtu u përpiluan 12 Letër Pororsi në vende të ndryshme të Europës dhe prej tyre me interes për hetimin është ajo e ardhur nga  Republika Çeke ku nga deklarimet e marra shtetasve çekë të cilët dyshohet se janë kontaktuar nga subjekti RG Capital, veçojmë ate të shtetasit çek J L i cili ka deklaruar se ai në periudhën Janar-Shkurt 2021 është kontaktuar në telefon nga ndërmjetës financiar të cilët e kanë udhëzuar të bëjë investime në bitcoin dhe pas investimeve të bëra nga ana e tij në një shumë prej 285.000 CZK. Pas kësaj ndërmjetësi financiar i ka ndërprerë komunikimet me të dhe shtetasi çek J L nuk i ka marrë paratë e investuara në BTC.

Pastrimi i ketyre vlerave monetare eshte kryer nepermjet transfertave fiktive me fatura fiktive ne banka të shteteve si Lituania, India, Singapori, Hungari, Estoni, Malte etj, vende qẽ jane me risk per aktivitetin e pastrimit te parave nepermjet sistemit bankar të tyre.

Për këtë arsye u vunë para përgjegjësisë penale shtetasi izraelit R. G., me shtetësi dhe kombësi izraelite, për kryerjen e veprës penale Mashtrim kompjuterik”, kryer në bashkëpunim, më shumë se një herë, e parashikuar nga neni 143/b-2 të Kodit Penal dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose i veprimtarise kriminale“ neni 287 i K.penal si dhe 38 shtetas shqiptarë për “Mashtrim kompjuterik”, kryer në bashkëpunim, më shumë se një herë, e parashikuar nga neni 143/b-2

500 mijë dele më pak/ Nga 2019 ka një rënie të fortë, të rinjtë nuk duan të merren me blegtori

Të rinjtë nuk duan të merren me blegtor, sepse sipas tyre kjo është një punë që kërkon shumë pak dhe të sjell pak fitime.

Braktisja e fshatrave ka sjellë dhe rënie drastike të numrit të blegtorisë, nga viti 2019 deri në vitin 2023 sipas të dhënëve nga INSTAT në vendin tonë ka gjysmë milioni dele më pak.

Bujar Musa sot punon si bari në Çajë të Gjirokastrës, dikur ai ka pasur tufën e tij të dhenve, po çmimi i lirë i qumështit e detyroi atë që t’i dhesë të imtat, dhe histori si kjo e Bujarit gjen në çdo fshat të Shqipërisë

Nga ana tjetër dhe ata që duan të mbarështojnë bagëti e kanë të vështirë të gjejnë bari, edhe pse rroga e bariut varion nga 500 deri në 1 milion lekë të vjetra. Kjo punë sipas barinjve nuk përbuzet vetëm nga të rinjtë, por edhe nga vetë moshatarët e tyre.

Transumanca, prej një viti është pjesë e UNESCOS, migrimi i deleve tashmë është pjesë e trashëgimi kulturore, por ky fakt nuk ka ndryshuar skemat e subvencionimit nga ministria e bujqësisë, edhe pse numri i gjësë së gjallë është gjithnjë në rritje.

Shpërthimet në veri, presidentja Osmani takon ambasadorët e QUINT-it dhe komandantin e KFOR-it

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka biseduar me ambasadorët e vendeve të QUINT-it dhe ambasadorin e BE-së, për të biseduar për zhvillimet e fundit në vend, një ditë pas sulmit kundër kanalit të ujit të Ibër-Lepencit në veri të vendit, njoftoi Presidenca.

 

Ajo e takoi ndaras edhe Enrico Barduanin, komandantin e KFOR-it, misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë.

Osmani theksoi në takim me ambasadorët se ky ishte “një sulm terrorist ndaj infrastrukturës jetike të Kosovës, i cili e cenon sigurinë kombëtare të Kosovës”

“Në takim u diskutua për reagimin e institucioneve përgjegjëse karshi kësaj situate, me ç’rast si presidentja Osmani, sikurse edhe ambasadorët kanë bërë vlerësimin më të lartë për menaxhimin dhe punën e bërë”, thuhet në njoftim.

Shpërthimi mbrëmjen e së premtes i shkaktoi dëme të konsiderueshme kanalit të ujit të Ibër-Lepencit në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut, duke rrezikuar furnizimin me ujë dhe rrymë në vend.

Osmani i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare ta dënojë sulmin dhe “të qëndrojë e bashkuar kundër çdo përpjekjeje për të minuar paqen dhe sigurinë në Kosovë”.

Shtetet e QUINT-it përbëhen nga Shtetet e Bashkuara, Franca, Gjermania, Italia dhe Mbretëria e Bashkuar.

Në takim me Barduain e KFOR-it, Osmani tha se “sulmi terrorist” ndaj infrastrukturës vitale “dëshmon qëllimet e Serbisë për destablizimin e Kosovës dhe gjithë rajonit”.

Autoritetet e Kosovës e kanë akuzuar Serbinë se qëndron pas këtij sulmi, gjë që është mohuar nga Beogradi zyrtar.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi të shtunën se disa të dyshuar janë arrestuar dhe se janë gjetur prova materiale në lidhje me shpërthimin.

Ky kanal furnizon me ujë nga Liqeni i Ujmanit disa qytete të vendit, si dhe Korporatën Energjetike të Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj.

Nuk pati viktima, por kanali ka pësuar dëme.

Si pasojë e dëmtimit të kanalit, Kurti kishte deklaruar të premten vonë se shumë pjesë të Kosovës mund të mbeten pa energji elektrike në mëngjesin e 30 nëntorit, ndërsa disa qytete dhe një pjesë e kryeqytetit, Prishtina, mund të mbeten pa ujë të pijshëm.

Megjithatë, Qeveria të shtunën ka njoftuar se është siguruar furnizimi i rregullt me energji elektrike për vendin dhe ngrohje qendrore për qytetarët e kryeqytetit.

Sulmi ndaj Ibër-Lepencit ishte i treti brenda 72 orëve të fundit në veri të vendit, i banuar me shumicë serbe, pas shpërthimeve që ndodhën në një stacion policor dhe në ndërtesën e Komunës në Zveçan.

Më herët, KFOR-i e dënoi sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit, dhe tha se është e rëndësishme gjetja e fakteve dhe sjellja para drejtësisë e personave përgjegjës.

Misioni paqeruajtës tha se nga e premtja në mbrëmje, kur ndodhi sulmi, ka ofruar sigurinë përreth kanalit të ujit dhe zonave në afërsi, si dhe ka ndihmuar institucionet e Kosovës me logjistikë dhe mjete të tjera.

KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë në Kosovë, pas Policisë së Kosovës që është e para dhe pas misionit të BE-së për sundim të ligjit, EULEX./rel

“Bota serbe po riaktivizohet” – Mesazhi kërcënues për rajonin!

Duket se sanksionet dhe përfshirja në ndikimin malinj i Rusisë në rajonin e Ballkanit nuk po i bën më përshtypje Aleksandër Vulin–it e as krerëve në Serbi. Megafoni i presidentit Aleksandër Vuçiç i angazhuar për promovimin e ‘Serbisë së Madhe’, ka kërcënuar sërish me bashkimin e të gjithë serbëve nën krijimin siç pretendon ai të ‘Botës serbe’.

Nga Banja Lluka kjo ëndërr e nisur nga presidenti serb dhe ai i RS do të jetësohet. Ai i çoi një mesazh kërcënues edhe ndërkombëtarëve.

Serbia ende vazhdon të mburret dhe të përkujtojë ngjarje tragjike. Kështu ka vepruar edhe Banjka Llukë ditë më parë, duke festuar kështu hyrjen e ushtrisë serbe para shumë vitesh në atë qytet.

Natyrisht pjesëmarrës në ngjarjen provokuese ishte edhe njeriu i dytë i Qeverisë së Serbisë, Aleksandër Vulin.

I deleguar nga Serbia për të mbajtur raportet e mira me Rusinë dhe serbët e Republikës Serbe, Vulin nga Banja Lluka mbushi serbët me premtimin e krijimit siç e quajnë ata të ‘Botës serbe’.

Nënkryetari i Qeverisë së Serbisë dhe senatori i Republikës Srpska, Vulin ‘premtoi’ në bashkimin e gjithë serbëve.

“Serbët janë një popull politik unik dhe kurrë nuk duhet të lejojnë të tjerët të vendosin për ta. Serbët nuk duhet të ndalojnë së ëndërruari ëndrrën e të parëve të tyre për krijimin e botës serbe. Ne do ta krijojmë atë me mjete politike dhe kurrë nuk do të heqim dorë nga ëndrra për të jetuar së bashku dhe për të qenë ajo që jemi – një popull”, tha zëvendëskryeministri i Qeverisë së Serbisë dhe senatori i Srpska Vulin.

Duke u viktimizuar se Serbia humbi shumë ushtarë bë vitin 1918, ngjarje edhe për të cilën ishte i pranishëm në Banja Llukë, Vulin e pranoi se Serbia me dhunë ka marrë gjithçka që ka tani.

“Sakrifikuam gjithçka, të ndarë, të copëtuar, pa kufi, duke mos ditur se çfarë është e jona, duke pritur që të tjerët të na caktojnë se ku dhe si do të jetojmë”, ishte deklarata e tij.

Vulin gjithashtu e pranoi hapur se pas krijimit siç pretendojnë ata ‘Botës Serbe’ qëndron drejtpërdrejt presidenti serb Aleksandër Vuçiçi dhe homologu i tij nga RS Milorad Dodik.

“Kur të dy presidentët vendosën që ne të festonim së bashku datat më të rëndësishme nga e kaluara jonë e përbashkët”, tha ai.

Në vitin 2023, administrata amerikane e ndëshkoi Vulin me sanksione, duke e cilësuar atë përgjegjës për aktivitetet korruptive dhe destabilizuese që mundësonin ndikimin malinj të Rusisë në rajonin e Ballkanit.

Pas kësaj, presidenti serb Aleksandër Vuçiç e shkarkoi atë nga pozita e drejtorit të agjencisë së inteligjencës BIA dhe e emëroi ministër pa portofol dhe zëvendëskryeministër në praktikë përgjegjës për marrëdhëniet me RS-në dhe Rusinë.

Kujtojmë se vizita e Vulin ndodhi veç një ditë pasi presidenti nacionalist i Republikës Srpska, Milorad Dodik ka treguar se është ndërtuar një tempull i ri në Banja Lluka të Bosnjë e Hercegovinës nga Rusia e Serbia dhe tha se ndërtimi i këtij tempulli “serbo-rus është një tjetër dëshmi e suksesit dhe angazhimit të përbashkët të Serbisë dhe Rusisë”.

Këtë objekt e ka vizituar edhe kleriku nga Kisha Ruse Mitropolitit Anthony të Volokolamsk.

Kleriku rus ka qëndruar edhe në Serbi, ku përcolli “mirënjohjen e përzemërt” për Kishën Ortodokse Serbe për mbështetjen e saj të palëkundur në lidhje me çështjen kishtare të Ukrainës.

Rusia përdor një sërë mjetesh për të ndikuar në rrjedhën e ngjarjeve në Serbi, Mal të Zi dhe Bosnje-Hercegovinë dhe Kisha Ortodokse është arma e saj më e fortë përmes së cilës përhap narrativat e saj në këto shtete.

Kisha Ortodokse Serbe ruan lidhje të ngushta me Kishën Ortodokse Ruse, e cila është e lidhur ngushtë me Kremlinin dhe e ka paraqitur veten si një mbështetëse solide e politikave të jashtme të Rusisë, përfshirë pushtimin e saj në Ukrainë.

Kisha i ka dhënë mbështetje të heshtur agjendës secesioniste të Milorad Dodik në Bosnje dhe Hercegovinë, ndërsa Patriarkun Porfirije merr pjesë haptas në paradën e ndaluar që e mban Republika Srpska.

Salah: Jam i zhgënjyer, është pothuajse dhjetori nuk kam marrë ofertë rinovimi nga Liverpool-i

Mohamed Salah ka shprehur hapur zhgënjimin e tij lidhur me situatën kontraktuale te Liverpool-i. Sulmuesi egjiptian, i cili ka qenë një ikonë e klubit për shumë vite, ka kontratë që i skadon më 30 qershor, teksa pasiguria rreth së ardhmes së tij po rritet.

Në një deklaratë të raportuar nga “Liverpool Echo”, Salah tha: “Jemi pothuajse në dhjetor dhe ende nuk kam marrë asnjë ofertë për rinovim. Ndoshta jam më pranë largimit sesa qëndrimit… Kam qenë këtu për shumë vite dhe nuk ka klub si ky, por çështja nuk është plotësisht në duart e mia.

Siç thashë, jemi afër dhjetorit dhe nuk kam dëgjuar ende asgjë për të ardhmen time. I dua tifozët dhe ata më duan mua, por nuk vendosim ne. Tani për tani po presim, le të shohim. Sigurisht, është zhgënjyese të mos kem marrë ende një ofertë”.

Salah gjithashtu shtoi: “Për momentin, jam i fokusuar te loja. Këtë sezon synojmë të fitojmë Premier League dhe, shpresojmë, Champions League. Jam i zhgënjyer për mungesën e rinovimit, por do të shohim.

Jam profesionist, të gjithë mund ta shohin etikën time të punës. Dua të vazhdoj në nivelet më të larta, sa më gjatë të jetë e mundur. Do të jap më të mirën, sepse kjo është mënyra se si funksionoj unë. Pastaj, do të shohim se çfarë mund të ndodhë”.

Kur u pyet për mundësinë e transferimit në Arabinë Saudite, Salah u përgjigj shkurt: “Nuk dua të flas për këtë tani. Jam i fokusuar vetëm te skuadra”.

Kjo situatë ka ndezur spekulime mbi të ardhmen e Salah, ndërsa tifozët e Liverpool-it shpresojnë që një marrëveshje të arrihet për të vazhduar historinë e tij të suksesshme me klubin.

Ermela Kripa: Buxheti i ri për arsimin, ende shumë larg standardeve europiane

Prof. Asoc. Dr. Ermela Kripa

Arsimi konsiderohet sot, jo vetëm një nga të drejtat themelore të njeriut, por një mjet i pazëvendësueshëm me anë të të cilit realizohen të drejtat e tjera të njeriut. – “Edukimi është mjet i më i fuqishëm për të ndryshuar botën“, – thoshte Nelson Mandela.

Arsimi është padyshim një prej investimeve më të mira që mund të ndërmarrë një vend, pasi një mendje aktive, e shkolluar, e aftë të mendojë në mënyrë të lirë, është një përfitim i jashtëzakonshëm për njerëzimin.

E drejta për arsim duhet të jetë mjeti i parë me anë të të cilit çdo individ mund të përmirësojnë kushtet e jetesës dhe të kontribuojnë në komunitet.

Buxheti i arsimit për 2025-ën

Në prezantimin e ri të projektbuxhetit të vitit 2025 për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, ajo që bie më shumë në sy është rritja e tij me 9.4 miliardë lekë me shumë se vitin e kaluar, por sërish një shifër kjo larg objektvit 5 % të PBB.

Me pak fjalë, për vitin që vjen buxheti i Ministra e Arsimit dhe Sportit (MAS) parashikohet të jetë 62 miliardë e 20 milionë lek. Në mbledhjen e Komisionit të Ekonomisë, ministrja Ogerta Manastirliu prezantoi planin e investimeve në këtë sektor me një projektbuxhet që ka pësuar rritje me mbi 18%. Sipas MAS, investimet në arsim janë 3.4% PBB dhe po njohin rritje të konsiderueshme vit pas viti.

Sipas MAS, buxheti 2025 konsiderohet si buxheti më i lartë historik për arsimin. Kjo padyshim që mund të jetë e vërtetë, por është shumë larg investimeve që qeveria duhet të bëjë për një arsim cilësor në vend.

Po sipas MAS ky buxhet garanton nivelin e pagave në 950 euro në muaj mesatarisht, investime të reja dhe vazhdim të infrastrukturës arsimore dhe digitale. Po ashtu, financim për ndërkombëtarizimin e universiteteve dhe kërkimin shkencor duke mbështetur nxënësit dhe studentët.

Arsimi bazë do të marrë pjesën më të madhe të parave, ndjekur nga arsimi universitar dhe ai i mesëm. Pjesa tjetër e parave do të shkojë për shkencën dhe zhvillimin e sportit.

Por a janë të mjaftueshmë këto para për arsimin e lartë?

Sipas shifrave, vetëm 13.030.000 e parave do të shkojnë për arsimin e lartë. A mjaftojnë këto para, për të adresuar problematikat dhe problemet e arsimit të lartë aty ku duhen? Dhe në fakt problematikat janë shumë duke nisur nga cilësia e mësimdhënies nëpër universitete, me kurrikula të vjetra e mungesë investimi në infrastrukturë e kapital njerëzor; mungesa e projekteve e kërkimi shkencor, largimi i konsiderueshëm i popullsisë së diplomuar, kushtëzimet financiare, mungesa e autonomisë, mungesa e tregut të punës për shumë degë. Me sa duket as rritja e parashikuar nuk do të ndryshojë shumë gjëra.

Shqipëria është vendi me nivelin më të ulët të shpenzimeve për arsimin në rajon në raport me PBB. Kosova kryeson me 4.6 përqind të PBB ndjekur nga Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia. Nga ana tjetër sipas të dhënave të Bankës Botërore një vend Europian shpenzon sot mesatarisht 4.9 për qind të GDP për arsimin.

20 vitet e fundit kanë patur natyrshëm një rritje masive të kërkesës për arsim të lartë. Ky trend i njohur globalisht, ka qenë edhe më i mprehtë në Shqipëri si rrjedhojë e mbylljes agresive të sistemit gjatë regjimit, por edhe si rrjedhojë e moshës së re të popullatës në vend.

Pavarësisht numërit në rritje të të rinjve që vazhdojnë studimet e larta, cilësia e arsimit mbetet e ulët duke çuar në zvogëlimin e përfitimeve nga arsimi dhe uljen e cilësisë së kapitalit njerëzor.

Sipas vlerësimit të Bankës Botërore në Shqipëri, më shumë se gjysma e studentëve nuk arritën aftësitë minimale në lexim dhe matematikë në testin PISA.

Sipas BB, Shqipëria ka vuajtur e vazhdon të vuaj nga një përqindje shumë e ulët e popullsisë që vazhdon arsimin e lartë. Po sipas këtij raporti shtetet që kanë një përqindje të vogël të popullsisë me arsim të lartë kanë edhe emigrimin më të lartë të trurit. Shqipëria ka 13% të popullsisë me arsim të lartë, në një kohë që 45% e tyre kanë emigruar./Liberale.al