17.5 C
Tirana
E hënë, 5 Maj, 2025

Agjencia e OBK u ndalua të operonte në Izrael, Guterres: Mund të ketë pasoja shkatërruese për refugjatët palestinezë në Gaza dhe Bregun Perëndimor

Parlamenti i Izraelit votoi dje për ndalimin e agjencisë së OKB-së për ndihmë dhe punë për refugjatët palestinezë (UNRWA) nga vendi brenda 90 ditëve.

Knesset e ndaloi agjencinë të kryejë “çdo aktivitet” ose të ofrojë ndonjë shërbim brenda Izraelit, duke përfshirë zonat e Jerusalemit Lindor, Gazës dhe BregutPerëndimor.

Një votim i dytë e shpalli grupin një organizatë terroriste.

Legjislacioni do të hyjë në fuqi 60 deri në 90 ditë pasi ministria e jashtme e Izraelit të njoftojë OKB-në, sipas zëdhënësit të politikanit Dan Illouz, një nga bashkësponzoruesit e një prej projektligjeve.

UNRËA ofron arsim, kujdes shëndetësor dhe shërbime të tjera bazë për miliona refugjatë palestinezë në të gjithë rajonin, duke përfshirë Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres tha se ligjet e reja “mund të kenë pasoja shkatërruese” për refugjatët palestinezë në Gaza dhe Bregun Perëndimor.

Shefi i UNRWA, Philippe Lazzarini, ka paralajmëruar se ndalimi “vetëm do të thellojë vuajtjet e palestinezëve, veçanërisht në Gaza”.

UNRWA është  sulmuar vazhdimisht  nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, i cili thotë se ka lidhje me Hamasin dhe grupet e tjera militante, diçka që grupi e kundërshton.

Kur Izraeli ngriti për herë të parë akuzat kundër UNRWA-s, fillimisht bëri që vendet kryesore donatore të pezullonin fondet e tyre për agjencinë.

Mbretëria e Bashkuar  rifilloi financimin e agjencisë në korrik, vetëm disa javë pasi Partia Laburiste u zgjodh.

Pentagoni: 10 mijë trupa koreane janë dislokuar në Rusi për t’u trajnuar! Një pjesë e tyre janë zhvendosur afër Ukrainës, shqetësohemi se…

Pentagoni thotë se Koreja e Veriut ka dërguar rreth 10,000 trupa për t’u trajnuar në Rusi. “Ne besojmë se DPRK-ja ka dërguar rreth 10,000 ushtarë për t’u trajnuar në Rusinë lindore”, u tha gazetarëve të hënën zëdhënësja e Pentagonit Sabrina Singh, duke iu referuar inicialeve të emrit zyrtar të Koresë së Veriut.

ushtare lufte

“Një pjesë e ushtarëve tashmë janë zhvendosur më afër Ukrainës dhe ne jemi përherë e më të shqetësuar se Rusia synon t’i përdorë ata në luftime ose për të mbështetur operacionet luftarake kundër forcave ukrainase në rajonin rus të Kurskut, pranë kufirit me Ukrainën”, shtoi ajo.

Më herët, NATO-ja konfirmoi se trupa koreano-veriore janë dërguar në Rusi për të ndihmuar Moskën në luftën kundër Ukrainës dhe se një pjesë e tyre është dislokuar në rajonin Kursk të Rusisë, ku forcat e Kievit ndërmorën një sulm të befasishëm në gusht dhe ku ende mbajnë nën kontroll një pjesë të territorit.

“Thellimi i bashkëpunimit ushtarak mes Rusisë dhe Koresë së Veriut përbën kërcënim për sigurinë e Indo-Paqësorit dhe atë Euro-Atlantike,” u tha gazetarëve në Bruksel Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte, pasi zyrtarët dhe diplomatët e NATO-s u informuan nga një delegacion i zbulimit i Koresë së Jugut, si edhe nga zyrtarë ushtarakë.

Zoti Rutte tha se vendosja e 3,000 trupave të Koresë së Veriut përfaqësonte “një përshkallëzim të ndjeshëm” të angazhimit të Phenianit në “luftën e paligjshme të Rusisë” në Ukrainë, një shkelje të rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe një “zgjerim të rrezikshëm” të luftës.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s tha se dërgimi i trupave të Koresë së Veriut ishte një shenjë e “dëshpërimit në rritje” nga ana e presidentit rus Vladimir Putin.

“Mbi 600,000 ushtarë rusë janë vrarë ose plagosur në luftën e Putinit dhe ai nuk është në gjendje ta përballojë agresionin ndaj Ukrainës pa mbështetje të huaj”, tha zoti Rutte.

Pentagoni nuk dha më shumë hollësi mbi trupat apo pajisjet që Koreja e Veriut ka dërguar bashkë me trupat. Kur u pyet nga Zëri i Amerikës se çfarë aftësish shtetesë kanë trupat, zonja Singh tha se “ishin forca shtesë në fushën e betejës”.

“Nëse shohim trupat e DPRK-së që lëvizin në dhe drejt vijës së frontit, ata janë bashkëluftëtarë në luftë”, paralajmëroi ajo.

Kremlini i kishte hedhur poshtë njoftimet për trupat e Koresë së Veriut si “lajm të rremë”. Por Presidenti Putin nuk e mohoi javën e kaluar që trupat e Koresë së Veriut ndodheshin aktualisht në Rusi dhe tha se i takon Moskës të vendosë se si t’i dislokonte ato si pjesë e një pakti sigurie të mbrojtjes reciproke që ai ka nënshkruar me udhëheqësin e Koresë së Veriut Kim Jong Un në qershor.

Në kundërshtim me komentet e presidentit rus, një përfaqësues i Koresë së Veriut në Kombet e Bashkuara në Nju Jork i karakterizoi javën e kaluar njoftimet për vendosjen e trupave të Phenianit në Rusi si “thashetheme të pabaza”.

Goditje me dronë

Në frontin e betejës, ushtria e Ukrainës tha të hënën se forcat ruse sulmuan gjatë natës me 100 dronë duke vënë në shënjestër zona në të gjithë vendin.

Forcat ajrore ukrainase thanë se rrëzuan 66 dronë, shumica mbi rajonet Cherkasy, Khmelnytskyi dhe Kiev. Mbrojtja ajrore e Ukrainës rrëzoi gjithashtu dronë mbi Chernihiv, Dnipropetrovsk, Kharkiv, Kirovohrad, Mykolaiv, Poltava, Rivne, Ternopil dhe Zhytomyr.

Guvernatori i Khersonit, Oleksandr Prokudin tha në Telegram se sulmet ruse goditën ndërtesat e banimit në qytetin Kherson, duke vrarë të paktën dy persona.

Në Kharkiv, zyrtarët njoftuan për sulme me bomba dhe granata ruse, përfshirë sulme që dëmtuan një ndërtesë apartamentesh dhe një shtëpi.

Kryetari i bashkisë së Kharkivit, Ihor Terekhov tha në Telegram se të paktën 13 persona u plagosën në sulmet ndaj tre lagjeve të qytetit.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë njoftoi të hënën se shkatërroi 21 dronë ukrainas. Ministria tha se mbrojtja ajrore ruse shkatërroi 13 dronë mbi rajonin Belgorod, gjashtë mbi Byransk, një mbi Voronezh dhe një mbi Kursk. Guvernatori i Voronezhit Alexander Gusev tha se dronët dëmtuan dy biznese dhe plagosën dy persona./VOA

90 mln euro taksa shtesë në vitin 2025

Të ardhurat shtesë që do të vijnë nga ndryshmi i legjislacionit tatimor në vitin 2025 do të jenë rreth 9,1 miliardë lekë, ose rreth 90 milionë euro, sipas të dhënave nga projektbuxheti 2025.

Ministria e Financave pohoi se për vitin 2025 nuk është hartuar një paketë e re fiskale, e cila do të gjenerojë të ardhura shtesë për buxhetin e vitit 2025. Ndër masat e politikave fiskale të parashikuara në këtë buxhet janë ligje tatimore të miratuara në paketat e mëparshme dhe që sjellin efekte në të ardhura në vitin 2025, si dhe të ardhura nga efekti i politikave buxhetore.

Së pari në zbatim të ligjit për akcizat, lidhur me cigaret dhe duhanet, ka një kalendar 2022-2026 lidhur me rritjen e nivelit të akcizës çdo vit. Për vitin 2025 janë parashikuar të ardhura shtesë nga zbatimi i kalendarit të rritjes së akcizës në shumën prej 852 milionë lekësh si dhe 20% TVSH mbi këtë shumë të rritur akcize.

Së dyti, në buxhetin e të ardhurave të vitit 2025, janë parashikuar të gjenerohen 2 miliardë lekë shtesë nga zbatimi i ndryshimeve në ligjin “Për lojërat e fatit dhe kazinotë”.

Të ardhurat shtesë të parashikuara, përfshijnë si taksat nacionale të programuara të regjistrimit të operatorëve që do operojnë në fushën e basteve sportive, edhe të ardhurat nga tatimi mbi lojërat e fatit-baste sportive online që do paguajnë subjektet që do licencohen.

Së treti, nga data 1 korrik 2024 u zbatua reforma e dytë buxhetore e rritjes së pagave në administratën shtetërore. Rritja e fondit të pagave për administratën shtetërore ka efekt në të ardhurat nga tatimi mbi pagën dhe kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.

Për vitin 2025, janë parashikuar që 7 muajt e parë, efekti në të ardhura do të jetë 6.3 miliardë lekë, nga të cilat 2 miliardë lekë janë të ardhura nga tatimi mbi pagën dhe 4.3 miliardë lekë janë të ardhurat nga kontributet.

Në kuadrin makroekonomik për vitin 2025 është parashikuar rritja e Prodhimit të Brendshëm Bruto prej 3.9%, dhe indeksi i çmimeve 3%.

Këta tregues janë analizuar të kenë efekte në mënyrë të integruar me faktorë të tjerë për çdo taksë në veçanti, të ndërlidhur me të dhënat historike dhe projeksionet e çmimeve në tregjeve ndërkombëtare tek taksat ad-valorem si tatimi mbi vlerën e shtuar, renta minerare dhe taksa doganore me rreth 21 miliardë lekë të ardhura shtesë. /Monitor

Media Malazeze: Lindja, zhvillimi dhe fundi i “botës serbe”

Projekti i madh shtetëror i Serbisë zyrtare, e cila edhe një herë ndjeu se mund të bëhej mini-Rusi në Ballkan me mbështetjen e fortë të FSB-së ruse, kishte të gjitha shanset për të pasur sukses. Nacionalizmi i zgjuar pan-serb, komunitetet e shumta minoritare serbe në Bosnje, Mal të Zi, Kosovë dhe Maqedoni, marrëveshja e mossulmimit me Ramën në Shqipëri dhe qëndrimi pasivi i SHBA-së dhe BE-së, përfaqësuesit e të cilave në rajon nuk janë në nivelin e forcës politike dhe ekonomike të atyre sistemeve – formoi bazën e këtij plani djallëzor.

Media Malazeze: Lindja, zhvillimi dhe fundi i “botës serbe”

Ashtu si në BRSS të gjitha kombet dhe gjuhët ishin të barabarta, por të gjithë flisnin rusisht, ashtu edhe në “botën serbe” do të zbatohej rregulli – një shtet, një komb, një udhëheqës. Nuk do të kishte vend për malazezët, boshnjakët dhe të tjerët, përveç atyre si Milojko Spajiç, Bakir Izetbegoviç apo Dritan Abazoviç – të verbuar përjetësisht nga dritat vezulluese të Beogradit, të pazotët për momentin politik dhe forcën e vendit dhe të popullit që përfaqësojnë.

Plani u hartua në FSB dhe u publikua përmes megafonit Rakoviç të BIA-s, ndërsa ekzekutuesi ishte Vulini dhe shërbëtorët e tij. Si Vulini ashtu edhe Vuçiç u rekrutuan nga Shërbimi kur ishin ende studentë, dhe nëse pyeteni pse Vulini është pjesë e pazëvendësueshme e sistemit qeveritar në Serbi, pavarësisht dëmit të madh që po shkakton brenda dhe jashtë vendit, si dhe të fuqisë së papërfillshme elektorale prej më pak se 0.5 për qind – përgjigja është e qartë. Në sistemin e Shërbimit, Vulini ka gradë më të lartë se Vuçiç.

Media Malazeze: Lindja, zhvillimi dhe fundi i “botës serbe”

Rënia e Ballkanit të Hapur         

Projekti vendosi si model të tij ekonomik “Ballkanin e Hapur”. Serbia do të merrte të gjithë Bosnjën dhe Hercegovinën, Malin e Zi, Kosovën veriore dhe pjesën maqedonase të Maqedonisë. Shqipëria do të merrte pjesën tjetër të Kosovës dhe pjesën shqiptare të Maqedonisë, e cila do të shndërrohej në shtet federal. Me Dritanin për të përfunduar punën në Mal të Zi – qe bërë rrezik real që ky projekt i rrezikshëm të realizohet.

Krisja e parë shfaqet aty ku lindi ideja e Serbisë së Madhe – në Kroaci. Serbët e atjeshëm, banorë të BE-së që prej tre vitesh udhëtojnë pa viza në SHBA, nuk ishin të gatshëm të ktheheshin në konfrontim me fqinjët kroatë, sidomos pas përvojës së “Blesak”-ut dhe “Olluja”-s… Një tjetër disfatë e tillë do të thoshte fundi përfundimtar i jetës për të gjithë serbët e mbetur në Kroaci. Kjo është arsyeja pse Pupovac vendosi me mençuri që, pavarësisht se është serb, nuk është as serb i Vuçiçit as i Serbisë, por banor i vendlindjes së tij, Kroaci.

Media Malazeze: Lindja, zhvillimi dhe fundi i “botës serbe”

 

Problemin e radhës e bëri Kurti, i cili po tregon potencial të madh të burrështetasi. Refuzimi i një marrëveshjeje që do të sakrifikonte një pjesë të territorit të Kosovës për hir të bashkimit mbarë shqiptarë është një veprim që do ta bëjë atë të qëndrojë përkrah Ibrahim Rugovës si një nga baballarët e kombit. Krijimi i Asociacionit të Komunave Serbe do të ishte hyrje në Republikën Srpska, një element i përhershëm që bllokon zhvillimin e Kosovës, ashtu siç entiteti i RS-së po bllokon BeH-në. Element i mjaftueshëm është që banorët e BeH-së dhe Kosovës nuk mund të hynin pa viza në këto dy vende, për shkak të refuzimit të RS-së për të nënshkruar ndonjë marrëveshje me Kosovën. Kurti në mënyrë të njëanshme anuloi regjimin e vizave për Bosnje-Hercegovinën një muaj më parë, ndërsa në RS mbesin serbë më të mëdhenj sesa në Serbi.

Më vonë edhe maqedonasit etnikë e kuptuan mjerimin dhe zëvendësuan qeverinë e paaftë të LSDM-së, duke e kthyer nacionalisten VMRO-DPMNE. Projekti i Ballkanit të hapur u braktis nga ky ndryshim. Edhe më keq për botën serbe – BDI-ja shqiptare e Ali Ahmetit (opsioni i Ramës) gjithashtu humbi shumicën në pjesën e Maqedonisë të banuar me shqiptarë etnikë, kështu që partia e Kurtit (VLEN) zuri një vend në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut.

Muajt e fundit të sundimit të Vuçiçit në Mal të Zi

Malazezët ia siguruan disfatën e plotë. Kur na dhemb, atëherë jemi më të fortët. Dështimi i çdo detyre të caktuar nga BIA në regjistrimin e popullsisë, për çka kemi shkruar disa herë, krahas pamundësinë së formimit të qeverisë në Budva pas zgjedhjeve, edhe pse Vuçiç tha se do ta “zgjidhte” me humbjen e sigurt të Podgoricës dhe Kotorrit, çon në shpërbërjen e përshpejtuar të qeverisë, e cila në letër ka 54 mandate në Kuvend, dhe më pak se 40 për qind të votave në shtet.

Me 66 për qind të mandateve, 32 ministra, të gjithë qeverinë që punësoi 7000 serbë etnikë në sektorin publik në vetëm katër vjet, me mijëra votues nga Serbia dhe RS që votuan si turistë, me 80 për qind të qeverive lokale nën kontrollin e tyre, me 12 televizione nën kontrollin e tyre – sundimi i Vuçiçit në Mal të Zi po numëron muajt e fundit.

Pasojnë dy shuplaka të dhimbshme. Budva dhe Berana. Një analizë të detajuar për të dy qytetet do të bëjmë javën e ardhshme (pasi Aktuelno ishte i pari që publikoi tekstin se Mikijeli dhe Jovanoviçi nuk do të pajtohen), por është e sigurt që Spajiçi duhet t’ua kthejë mandatin qytetarëve pas këtyre disfatave.

Është e sigurt se së bashku me zgjedhjet lokale në Nikshiq do të kemi edhe zgjedhje parlamentare ku duhet të presim një rikompozim të qeverisë në nivel shtetëror. Ai skenar do ta shkatërrojë tërësisht “botën serbe” që do të shfaqet herë pas here në një formë apo në një tjetër. Por kurrë më si një rrezik serioz për vendet e Ballkanit dhe qytetarët e tyre./ Aktuelno.me

Aksident me vdekje në Tiranë! Makina përplas të moshuarën, 63-vjeçarja ndërron jetë në spital

Një aksident i rëndë me pasojë vdekje ka ndodhur në Tiranë.

Policia bën me dije se një 24-vjeçar duke drejtuar automjetin , ka aksidentuar shtetasen L. B., 63 vjeçe, banuese në Tiranë, dhe më pas është larguar nga vendi i aksidentit. Si pasojë e dëmtimeve të marra, 63-vjeçarja ka ndërruar jetë në spital.

Pas aksidentit policia ka vënë në pranga shoferin 24-vjeçar.

Qeveria u “shpall luftë” pensionistëve, rrit pensionet me 200 lekë në muaj

Qeveria ka paraqitur në Parlament projektbuxhetin për vitin e ardhshëm, i cili edhe pse rritet në vlerë me 500 milionë euro krahasuar më këtë vit nuk jep para për rritjen e pensioneve, përvec indeksimit dhe bonusit të fundvitit.

Niveli i ulët i pensioneve që marrin të moshuarit në Shqipëri është shndërruar në një nga çështjet më të nxehta të debatit publik. Të dhënat zyrtare nga Eurostat, tregojnë se aktualisht një pensionist shqiptar përfiton rreth 2 herë më pak pension se sa fqinjët.

Aktualisht pagesa mesatare e pensionit në Shqipëri luhatet rreth 131 euro në muaj. Në vendet fqinje të rajonit pensionet janë minimalisht dy herë më të larta se në Shqipëri. Në Bosnje, pensionistët paguhen 237 euro në muaj. Në Serbi ata përfitojnë 276 euro në muaj, ndërsa në Malin e Zi pagesa mesatare mujore për pensionist është 291 euro.

Pensioni mujor ne Europe

Megjithatë këto janë vetëm shifrat absolute. Diskriminimi real i pensionistëve shqiptarë është shumë më i madh nëse matet sipas fuqisë reale blerëse që u garanton pensioni i tyre.

Aktualisht një pensionist shqiptar paguhet 244 euro në muaj sipas fuqisë blerëse. Në Bullgari, shifra është 437 euro, ndërsa në Bosnje 456 euro.

Pensionet sipas fuqise blerese

Në të gjitha vendet e ngjashme të Ballkanit Perëndimor, pensionistët mund të blejnë me pensionin që u paguan qeveria të paktën dy herë më shumë mallra dhe shërbime se sa të moshuarit në Shqipëri.

Buxheti
Pavarësisht kësaj situate dramatike, ku Shqipëria i paguan pensionistët dy herë më pak edhe se sa vendet e ngjsshme fqinje, qeveria ka vendosur që të mos i rrisë ato as për vitin tjetër.

Në buxhetin e vitit 2025, qeveria ka parashikuar vetëm 1.6 miliardë lekë ose 16 milionë euro si fond për indeksimin e pensioneve. Ky fond është 2 herë e gjysmë më i ulët se sa ai që qeveria dha për indeksimin e pensioneve gjatë këtij viti dhe sipas llogarive mjafton vetëm për të indeksuar pensionet me diçka më shumë se 1 për qind.

Kjo do të thotë se nëse gjatë këtij viti qeveria i indeksoi pensionet duke i rritur me 500 lekë në muaj, gjatë vitit të ardhshëm rritja do të jetë rreth 200 lekë në muaj.

Ndërkohë për bonusin e përvitshëm të pensionistëve, atë që qeveria jep çdo vit për festat e fundvitit, për vitin e ardhshëm janë parashikuar 37.5 milionë euro, po aq sa ishin parashikuar në buxhetin e këtij viti.

Pensionet shtetërore në Shqipëri do të vijojnë të mbeten qesharake, duke mos u garantuar pensionistëve as shpenzimet më bazike të jetesës teksa qeveria ka prioritete të tjera buxhetore duke e lënë armatën e mbi 700 mijë pensionistëve në kthetrat eë varfërisë permanente./Kapitali.al

Amnisti për politikanët e dënuar? Ngjela: Tradhtia më e madhe që mund t’i bëjë SPAK, shqiptarëve!

Avokat Spartak Ngjela në Dritare TV deklaroi se SPAK nuk duhet të pranojë amnisti për politikanët e dënuar, pasi në të kundërt, Shqipëria nuk do të shpëtojë kurrë nga korrupsioni dhe krimi i organizuar. Zoti Ngjela sqaroi se nëse miratohet një ligj për amnistinë e politikanëve, atëherë vendi ynë për dekada të tëra, nuk do t’ia dalë të ndërtojë një shtet ligjor.

“SPAK-un nuk e drejtojnë shqiptarët. Ata që flasin dhe sulmojnë drejtësinë, janë të trembur nga SPAK-u. Le të tremben, mos t’i fusin duart në paratë e shqiptarëve. SPAK është ndërtuar si institucion juridik kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri.

Nëse SPAK pranon amnisti për politikën, nuk është me Shqipërinë. Nuk falen krimet. Kush nuk ka bërë korrupsion të rijë i qetë, por kush ka vjedhur pasurinë e popullit do ndëshkohet. Ka ardhur koha që Shqipëria të ndërtojë një shtet ligjor, me qeveritarë jo të korruptuar. Po këta pse e bënë këtë?

Më lejoni të them diçka: “Kur deti bëhet kos, po të kesh një lugë ta ta futësh. Këtu shteti u bë kos”.

Por ja që shteti u kthyer, unë i kisha lajmëruar edhe me shkrimet e mia. Gjithmonë kam thënë; ruajeni dinjitetin. Tani do vuajnë ndëshkimin e korrupsionit. SPAK-u është i ndërtuar me ekspertë të huaj. Atëherë, çfarë duhet më? Prisni dhe shikoni”, tha avokati për gazetarin Ermal Peçi.

GJKKO sekuestron një apartament të ish-ministrit Ilir Beqaj në Vlorë

GJKKO ka sekuestruar një apartament të ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqajt, me sipërfaqe 90.8 m2, me vendodhje në Lungomare, Vlorë.

 

Apartamenti, në muajin korrik është kontrollua nga agjentët e BKH nga ku janë përftuar të dhëna me interes për hetimin.

Sipas SPAK, kjo pasuri apo shpenzimet/investimet e kryera për mobilimin e saj nuk rezultojnë të jenë deklaruar nga Beqaj apo personat e lidhur me të.

” Në vitin 2016, me kontratën e porosisë lidhur mes shoqërisë ndërtuese R…K… shpk dhe shtetasit I.F është prenotuar apartamenti në vlerën 6,700,000 (gjashtë milionë e shtatëqind mijë) lekë.

Në vitin 2017 ka nisur investimi dhe mobilimi i apartamentit nga ana e personit nën hetim I.B dhe bashkëshortes së tij, proces i cili ka zgjatur deri në fillim të vitit 2019. Sipas aktit të ekspertimit vlerësues, vlera totale e investuar shkon deri në 5,064,700 (pesë milionë e gjashtëdhjetë e katër mijë e shtatëqind) lekë.

Në shkurt të vitit 2020 është lidhur kontrata e qerasë mes shtetasit I.F (lidhje e ngushtë shoqërore e I.B) dhe A.B (bashkëshortja e I.B). Pavarësisht këtij fakti ka rezultuar se personi nën hetim I.B dhe familjarët e tij e kanë poseduar lirisht pronën dhe janë sjellë si pronarë të sendit të paluajtshëm deri në fillim të vitit 2019″, thotë SPAK.

Të gjitha këto fakte, sipas Prokurorisë së Posaçme, në tërësinë e tyre vërtetojnë ekistencën e dyshimit të arsyeshëm mbi fiktivitetin e veprimit juridik, me qëllim fshehjen e origjinës së pronës.

Njoftimi i SPAK:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar po kryen hetime në kuadër të procedimit penal me nr. 190, të vitit 2023.

Nga tërësia e veprimeve proceduriale të kryera deri në këtë fazë të hetimeve paraprake për llogari të këtij procedimi penal, është identifikuar një pasuri e paluajtshme e llojit apartament banimi me vendodhje në Lungomare, Vlorë, si pasuri e lidhur me personin nën hetim I.B. Me vendim gjykate është lejuar kontrolli i kësaj pasurie në muajin korrik të vitit 2024, nga i cili janë përftuar të dhëna me interes për hetimin.

Kjo pasuri apo shpenzimet/investimet e kryera për mobilimin e saj nuk rezultojnë të jenë deklaruar sipas legjislacionit në fuqi nga personi nën hetim I.B apo personat e lidhur me të.

Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera rendisim faktet si më poshtë:

Në vitin 2016, me kontratën e porosisë lidhur mes shoqërisë ndërtuese R…K… shpk dhe shtetasit I.F është prenotuar apartamenti në vlerën 6,700,000 (gjashtë milionë e shtatëqind mijë) lekë.

Në vitin 2017 ka nisur investimi dhe mobilimi i apartamentit nga ana e personit nën hetim I.B dhe bashkëshortes së tij, proces i cili ka zgjatur deri në fillim të vitit 2019. Sipas aktit të ekspertimit vlerësues, vlera totale e investuar shkon deri në 5,064,700 (pesë milionë e gjashtëdhjetë e katër mijë e shtatëqind) lekë.

Në shkurt të vitit 2020 është lidhur kontrata e qerasë mes shtetasit I.F (lidhje e ngushtë shoqërore e I.B) dhe A.B (bashkëshortja e I.B). Pavarësisht këtij fakti ka rezultuar se personi nën hetim I.B dhe familjarët e tij e kanë poseduar lirisht pronën dhe janë sjellë si pronarë të sendit të paluajtshëm deri në fillim të vitit 2019.

Të gjitha këto fakte në tërësinë e tyre vërtetojnë ekistencën e dyshimit të arsyeshëm mbi fiktivitetin e veprimit juridik, me qëllim fshehjen e origjinës së pronës.

Bazuar në faktet e mësipërme, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, bazuar në nenin 274 të Kodit të Procedurës Penale ka kërkuar pranë Gjykatës së Posaçme së Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosjen e masës së sigurimit pasuror “sekuestro preventive” ndaj pasurisë së mësipërme.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me Vendimin Nr. 539, datë 20.09.2024, ka vendosur:

Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar;

Caktimin e masës së sigurimit pasuror “sekuestro preventive”, parashikuar nga neni 274 i Kodit të Procedurës Penale, mbi pasurinë e paluajtshme (apartament), me sipërfaqe 90.8 m2, sipërfaqe verande 61.2m2 dhe sipërfaqe të përbashkëta 13.7m2, me vendodhje në Lungomare, Vlorë, si pasuri e lidhur me personin nën hetim I.B.

Hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit, në bashkëpunim me oficerë të policisë gjyqësore pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë kanë kryer ekzekutimin e vendimit të Gjykatës.

“Berisha bashkon votat me PS-në për shkrirjen e SPAK-ut?!”

Avokati i njohur Spartak Ngjela në DritareTV foli lidhur me deklaratën e ish-kryeministrit Sali Berisha për shkrirjen e SPAK. Zoti Ngjela theksoi se prova më e madhe që kanë shqiptarët për fatin e kësaj strukture të posaçme është deklarata e Blinken, i cili ka thënë: “Ne do t’ia heqim Shqipërisë, korrupsionin”.

“Berisha dhe të gjithë politikanët e dinë që SPAK-un e kanë ndërtuar ndërkombëtarët. Deklarata më e fortë është dhënë nga figura e dytë e botës, Blinken i cili tha: “ Ne do t’ia heqim Shqipërisë, korrupsionin”.

SPAK është votuar nga 140 vota në Parlament. Nuk forcë në Shqipëri që të godasë SPAK-un. Që të shpërbëhet SPAK-u, duhet të jetë dakord mazhoranca. PS ka 2/3 e Parlamentit sot. A mund të ketë një marrëveshje mes PS dhe Rithemelimit, për të eliminuar SPAK-un? Kjo nuk ka mundësi sepse bie politika. Kjo edhe për faktin se SPAK është ngritur si strukturë nga ndërkombëtarët.

SPAK-u nuk eliminohet me ligj në Parlament, këto janë broçkulla. Reforma në drejtësi dhe lufta anti-korrupsion do të vazhdojë, pasi Shqipëria ishte duke u shkatërruar nga korrupsioni i lartë shtetëror. Nuk mendoj që do të jetë numër i vogël i politikanëve që do të arrestohen. Ata që flasin dhe sulmojnë drejtësinë, janë të trembur nga SPAK-u. Le të tremben, mos t’i fusin duart në paratë e shqiptarëve.

SPAK është ndërtuar si institucion juridik kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri”, tha zoti Ngjela për gazetarin Ermal Peçi.

Të protestosh dhe të bllokosh rrugët për “korrupsionin” e Berishës dhe Metës është çmenduri

Nga Rigels Seliman

Protestat janë një e drejtë e shenjtë, por bllokimi i rrugëve për t’i dalë në mbrojtje “korrupsionit” të Sali Berishës dhe Ilir Metës është si të kërkosh drejtësi përmes një guri të rëndë. Si mund të besosh se ata që thonë “ndal korrupsionit” janë ata që e kanë ushqyer këtë sistem ndër vite, sikundër e thotë edhe Prokuroria e Posaçme (SPAK) që po heton çiftin Meta-Berisha? Ndërsa opozita ka paralajmëruar bllokimin e akseve kryesore pasditen e sotme në orën 17:00, një pyetje e thjeshtë lind: A janë këto protesta të sinqerta apo thjesht një mënyrë për të tërhequr vëmendjen nga skandalet?

Imazhi i një proteste me flamuj në duar, por me fytyra që mbajnë maska të hipokrizisë, është një skenë e njohur në politikën shqiptare. A mos ndoshta bllokimi i rrugëve është një akt i guximshëm, apo një shfaqje e dëshpëruar për të rikthyer vëmendjen tek ata që kanë tallur trapin me popullin në këto 30 e kusur vite demokraci? Në vend që të adresojnë problemet e vërteta, militantët duket se  preferojnë teatrin e protestës së thirrur nga “Non-Grata” Berisha për hallin e tij dhe të aleatit të tij Like Meta.

Dhe çfarë ironie! Të protestosh për korrupsionin, kur vetë ideatorët e këtij tubimi kanë pasur rol aktiv në këtë histori. Këto bllokime janë si të thërrasësh për paqe në mes të një lufte. Opozita që njëherë kishte pushtetin, tani kërkon mbështetje popullore duke bllokuar rrugët, sikur qytetarët kanë harruar të kaluarën e tyre.

Përveçse e pabesueshme, kjo strategji është gjithashtu një dëshmi e paaftësisë për të gjetur zgjidhje të qëndrueshme. A është e mundur që, përpara se të bllokosh rrugët, të mendosh për mënyra më konstruktive për të ndihmuar vendin? Ose ndoshta, për disa, protestat janë më shumë për spektaklin sesa për rezultatet.

Në fund të fundit, është e çuditshme që bllokimi i rrugëve është parë si një formë e lirisë së shprehjes, kur në të vërtetë po pengon lirinë e të tjerëve. Protestat nuk mund të jenë vetëm për të shkaktuar kaos, ato duhet të jenë një thirrje për ndryshim, dhe jo një përmbledhje e dështimeve të kaluarës dhe për hallin e binomit Berisha-Meta.