22.5 C
Tirana
E hënë, 5 Maj, 2025

Spiropali kritikohet për përdorimin e Kuvendit si trampolinë për takime elektorale

“KuvendOn”, platforma më e re e ndërmarrë nga kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, ngre shqetësime për keqpërdorim të institucionit dhe vendosjen e burimeve publike në funksion të fushatës politike të partisë në pushtet.

Nga Blerina Gjoka

E veshur me xhaketë të bardhë përkrah një ekrani me sfond të kuq, ku shquhej slogani “KuvendON”, kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali nisi më 22 tetor nga Berati një fushatë takimesh, e prezantuar për publikun si një nismë për të afruar institucionin më të lartë të vendit me qytetarët.

Megjithatë, në tribunë përkrah Spiropalit u ul kryetari i Bashkisë së Beratit, Ervin Demo, njëherazi drejtues politik i Partisë Socialiste për qarkun, ndërsa në sallë ishin të pranishëm deputetë të tjerë socialistë të qarkut.

I prezantuar si një aktivitet i Kuvendit të Shqipërisë, takimi u dominua gjithsesi nga qëndrimet dhe premtimet politike, të tilla si rritja e pensioneve apo ndihma për grupe të ndryshme të shoqërisë.

Kuvendi e përshkruan nismën si “një program i cili do të shtrihet në të gjithë Shqipërinë si një platformë “llogaridhënieje” gjithëpërfshirëse, ku qytetarët nxiten t’i shprehin shqetësimet drejtpërdrejt Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë”, në kuadër të “Javës së Gjelbër”.

“Java e Gjelbër” është një mekanizëm i krijuar prej kohësh për të vendosur komunikimin e deputetëve me qytetarët – ajo parashikon një javë në muaj pushim nga aktivitetet parlamentare për t’u lënë hapësirë deputetëve që të takohen me qytetarët në zonat e tyre elektorale.

Ky mekanizëm nuk e ndalon kryetaren e Kuvendit në rolin e saj si deputete për takime në zonën zgjedhore përkatëse. Mregjithatë, përdorimi i këtij mekanizmi në cilësinë e kryetares së Kuvendit ka ngritur shqetësimin për keqpërdorim të institucionit dhe të burimeve publike në funksion të fushatës së ardshme elektorale.

“Nisma e fundit ‘KuvendOn’, ku kryetarja e Kuvendit shoqëruar nga deputetë të mazhorancës dhe nga zyrtarët lokalë, po ashtu të mazhorancës, përbën më shumë aktivitet elektoral politik sesa një aktivitet të Kuvendit,” i tha BIRN Afrim Krasniqi, drejtor ekzekutiv i Institutit të Studimeve Politike.

“Nëse Kuvendi dëshiron të bëjë bisedime publike dhe transparente, së pari duhet të përmbushte detyrimet ligjore, që nuk i ka përmbushur, dhe standartet e transparencës, që nuk i ka përmbushur, përmes informimit publik dhe elementëve të tjerë ligjore,” shtoi ai.

Aktivistët e shoqërisë civile u shprehën kritikë edhe për nismën “Java e Gjelbër”, që sipas tyre nuk ofron mekanizma realë ndërveprimi mes ligjvënësve dhe qytetarëve, por shërben më së shumti si platformë politike.

Për Rigels Xhemollarin, drejtor ekzekutiv i “Qendresa Qytetare”, kryeparlamentarja Spiropali ka nisur qartazi fushatën elektorale në qarqet e vendit, duke “përdorur platformën e Kuvendit, resurset e Kuvendit dhe postin e Kryetares” në shkelje sipas tij të parashikimeve të Kodit Zgjedhor.

“Është e turpshme, e paligjshme, joetike dhe joserioze keqpërdorimi i postit më të lartë të Kuvendit të vihet në dispozicion të partisë dhe fushatës,” tha Xhemollari për BIRN.

“…Mesa duket, znj.Spiropali e ka të vështirë të ndahet nga posti i ministres apo aktivistes partiake, duke folur nga një kostum që Kushtetuta ia ka veshur për tjetër detyrë,” shtoi ai.

Spiropali u emërua në korrik të këtij viti në postin e Kryetares së Kuvendit, duke zëvendësuar Lindita Nikollën pas dorëheqjes së kësaj të fundit. Ajo ka marrë edhe më herët kritika për përdorimin e burimeve publike në shpërndarjen e takimeve të saj partiake në kanalet zyrtare të Kuvendit.

Spiropali dhe zyra e komunikimit e Kuvendit nuk iu përgjigjën kërkesës për koment të BIRN deri në publikimin e këtij shkrimi. Ndërkohë, Kuvendi e trajtoi kërkesën për koment si kërkesë për të drejtë informimi.

Përfaqësuesit e shoqërisë civile i kërkojnë kryeparlamentares Spiropali që të mos e përdorë Kuvendin si trampolinë për aktivitete partiake.

“Kuvendi duhet t’i kthehet rolit kushtetues, të përmbushë detyrimet e veta, të rregullojë mekanizmat e brendshëm dhe të heqë dorë nga praktika e keqpërdorimit të institucionit për qëllime elektorale,” përfundoi Krasniqi.

“Edi Rama rrëzohet vetëm nga një alternativë morale e besueshme”/ Namir Lapardhaja: Nevojë urgjente për unifikimin e një fronti të përbashkët përballë sistemit të korruptuar 30-vjeçar

Në një postim në rrjetin social facebook, gazetari Namir Lapardhaja shprehet se Edi Rama drejton qeverinë më të korruptuar në Evropë, mirëpo ai nuk mund të rrëzohet duke i nxirë jetën shqiptarëve anembanë vendit.

“Në më pak se një vit përpara zgjedhjeve të përgjithshme, çdo opozite në botë do t’i duhej të përgatitej, duke u shndërruar në një alternativë morale, duke promovuar figura e fytyra të reja, duke paraqitur programin dhe zgjidhjet, duke diskutuar me grupet e interesit, me shoqërinë civile, me botën akademike dhe me biznesin e vogël dhe të mesëm, duke u treguar njerëzve se do të jenë zëri i nevojave dhe i halleve të tyre.” – shkruan Lapardhaja.

Më tej ai thotë se është nevojë urgjente krijimi i një fronti të përbashkët përtej Ramës, Berishës dhe Metës në mënyrë që qytetarët të kenë një alternativë morale dhe të besueshme.

“Ndaj është nevojë urgjente që opozita përtej Ramës, Berishës dhe Metës të mblidhet në një front dhe në një alternativë të përbashkët. Është e vetmja rrugë shprese dhe mënyrë që mund ta trondisë këtë sistem të kalbëzyer. Nëse e kanë seriozisht luftën kundër Edi Ramës dhe korrupsionit, duhet të ulin urgjentisht hundën dhe të shohin përtej interesave personale, duke u ofruar një dritë shprese shqiptarve. Në të kundërtën, nëse nuk bashkohen në një front të përbashkët, do jenë zgjatime të lojërave të politikës së vjetër korruptive.” – përfundon ai.

Më poshtë postimi i plotë:

Edi Rama drejton qeverinë më të korruptuar në Evropë, por ai nuk rrëzohet duke i nxirë jetën qytetarëve shqiptarë. Përkundrazi, shkakton efektin e kundërt.
Në më pak se një vit përpara zgjedhjeve të përgjithshme, çdo opozite në botë do t’i duhej të përgatitej, duke u shndërruar në një alternativë morale, duke promovuar figura e fytyra të reja, duke paraqitur programin dhe zgjidhjet, duke diskutuar me grupet e interesit, me shoqërinë civile, me botën akademike dhe me biznesin e vogël dhe të mesëm, duke u treguar njerëzve se do të jenë zëri i nevojave dhe i halleve të tyre. Por ky nuk është rasti i opozitës shqiptare, e cila është marrë peng dhe nuk lejon asnjë narrativë politike dhe qytetare të ngrejë kokë, duke sulmuar gjithçka që nuk rritet në oborrin e tyre të kalbur nga korrupsioni 30-vjeçar. Në këto kushte, Edi Rama as nuk ikën, as nuk ka arsye të iki, as nuk rrëzohet, as nuk bie vetë. Pavarësisht se vitet e gjata në pushtet, e kanë lëkundur tërësisht besimin tek ai, vijon të drejtojë një qeverisje ku gjysma e ministrave janë në burg, ndërsa pjesa tjetër, pret të futet në burg, e vetmja zgjidhje është që përballë kësaj qeverisje të korruptuar të vendosësh një alternativë morale dhe të pastër. Shqiptarët nuk mund të zëvendësojnë të korruptuarit e sotëm me ata të djeshëm.
Ndaj është nevojë urgjente që opozita përtej Ramës, Berishës dhe Metës të mblidhet në një front dhe në një alternativë të përbashkët. Është e vetmja rrugë shprese dhe mënyrë që mund ta trondisë këtë sistem të kalbëzyer. Nëse e kanë seriozisht luftën kundër Edi Ramës dhe korrupsionit, duhet të ulin urgjentisht hundën dhe të shohin përtej interesave personale, duke u ofruar një dritë shprese shqiptarve. Në të kundërtën, nëse nuk bashkohen në një front të përbashkët, do jenë zgjatime të lojërave të politikës së vjetër korruptive.

“Pensionistët viktimat e keqqeverisjes dhe korrupsionit të qeverisë Rama”, Basha shpalos alternativën e Demokratëve Euroatlantikë për pensionet

Kryetari i PD-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, shprehet se shfaqjet elektorale të Edi Ramës me pensionistët janë tallja e një politikani që prej 11 vitesh ka patur të gjitha pushtetet në dorë për t’u përmirësuar atyre jetën, por që zgjodhi të qeverisë për t’i shërbyer veç pushtetit të tij politik dhe ekonomik.

Sipas tij, pensionistët janë të pambrojtur dhe po përballen me varfëri për shkak të korrupsionit dhe politikave që kanë favorizuar interesat private për 11 vite rresht.

Basha thekson se programi i demokratëve euroatlantikë synon të reformojë skemën e pensioneve, duke ofruar rritje prej 20% për pensionet dhe indeksim të përvitshëm sa dyfishi i inflacionit. Programi parashikon gjithashtu një bonus të përhershëm për pensionet e ulëta dhe rimbursim të barnave për të ulur shpenzimet e larta për ilaçe.

Postimi i plotë i Bashës:

Shfaqjet elektorale të Edi Ramës me pensionistët janë tallja e një politikani që prej 11 vitesh ka patur të gjitha pushtetet në dorë për t’u përmirësuar atyre jetën, por që zgjodhi të qeverisë për t’i shërbyer veç pushtetit të tij politik dhe ekonomik. Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, fatura e dëmit ekonomik si pasojë e shpërdorimit të financave publike nga qeveria Rama shkon mbi 10 miliardë euro.

Pensionistët shqiptarë janë viktima e keqqeverisjes dhe korrupsionit të qeverisë Rama, sepse taksat e larta të këtyre viteve nuk u vendosën në shërbim të tyre, por të inceneratorëve inekzistentë, të koncesioneve korruptive në shëndetësi, të vjedhjeve të “5D-së” dhe dhjetra skandaleve që kanë çuar mundin dhe djersën e shqiptarëve në xhepat e pushtetarëve.

Një qeveri që nuk i ka shërbyer shqiptarëve në 12 vjet, nuk ka më çfarë të premtojë, përveç thellimit të mëtejshëm të varfërisë dhe korrupsionit.

Pensionistët shqiptarë meritojnë më shumë dhe përmes programit të Demokratëve Euroatlantikë ne jemi të vendosur të trajtojmë në themel problemet e skemës së pensioneve, që sot është në prag të falimentimit, për shkak të largimit masiv të shqiptarëve dhe rënies së kontributeve.

Ne angazhohemi për rritje me të paktën 20% të pensioneve dhe indeksim të përvitshëm me dyfishin e vlerës së inflacionit, ndërsa për pensionet e ulëta do të ketë një bonus të përhershëm prej 250 mijë lekësh të vjetra.

Rimbursimin e barnave jetike për pensionistët në mënyre që të mos çojnë pjesën me të madhe pensionit për të blerë ilaçe.

Shërimi i sistemit të pensioneve dhe rritja ekonomike e garantuar nga ulja e taksave, mirëqeverisja dhe lufta e gjithëanëshme kundër korrupsionit, do të na mundësojë t’u japim pensionistëve shqiptarë hakun e mohuar për dekada që meritojnë.

Shqipëria meriton më shumë!

Qeveria e Kosovës rrit pagat për sektorin publik nga janari! Albin Kurti: Rrogat do shtohen deri me 20%! Nga mësuesit, tek zjarrfikësit, ja kategoritë që përfitojnë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të martën se Qeveria e tij ka vendosur t’i rrisë pagat në sektorin publik për 55 euro nga janari i vitit 2025.

 

“Do të bëjmë një rritje substanciale të pagave në sektorin publik në fillim të vitit të ardhshëm, duke ruajtur qëndrueshmërinë afatgjate të buxhetit dhe sipas ligjit në fuqi”, tha Kurti në një konferencë për media.

Ai theksoi se po e bën këtë për t’i mbështetur ata që kanë paga më të ulëta dhe për ta ngushtuar hendekun mes pagës më të ulët dhe asaj më të lartë.

“Ne kemi shkuar në maksimumin e lejuar të rritjes buxhetore për pagat dhe kemi vendosur të mos e rrisim vlerën e koeficientit, por ta rrisim koeficientin për një njësi. Pra, vlera e një koeficienti mbetet 110 euro. Mirëpo, rritet sasia e koeficienteve për njësi”, shpjegoi ai.

Sipas Ligjin për Pagat, niveli i koeficienteve është nga 2 deri në 18. Niveli shumëzohet me vlerën dhe përcakton pagën.

Kurti shpjegoi se “duke filluar nga janari i viti të ardhshëm koeficienti do të rritet për 0.5 njësi, pra për gjysmë njësie dhe pastaj nga korriku 2024 edhe për 0.5 njësi të tjera. Pra, dikush që e ka koeficientin 5.6, në janar i bëhet 6.1, kurse në korrik 6.6. Ngjashëm edhe për dikë që e ka koeficientin 10.5, në janar i bëhet 11 dhe pastaj 11.5″.

Ai tha se do t’i rrisë pagat edhe një herë verën e ardhshme, por vendi do të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare në shkurt 2025.

“Me fjalë të tjera, pagat për të gjithë të punësuarit në sektorin publik do të rriten për 55 euro duke filluar nga janari dhe për 110 euro nga korriku 2025. Kështu, rritjen buxhetore e shpërndajmë proporcionalisht tek ata që kanë paga më të ulëta, duke zvogëluar hendekun mes pagës më të ulët edhe asaj më të lartë”, tha ai.

Ai tregoi se Qeveria e tij ka planifikuar buxhet për shpenzim për vitin e ardhshëm në vlerë mbi 3.6 miliardë euro, që është më shumë se buxheti i vitit të kaluar prej 3.3 miliardë eurosh.

Nga kjo rritje do të përfitojnë mësimdhënësit, policët, ushtarët, infermierët dhe zjarrfikësit, të cilëve do t’u rriten pagat për 18 deri 20 për qind, sipas Kurtit.

Për pagat më të larta, tha ai, rritja do të jetë 6-7 për qind.

Kjo rritje e paralajmëruar nga ai do t’i kushtojë buxhetit rreth 120 milionë euro në vit, sipas Kurtit.

Ky njoftim i Kurtit u bë vetëm rreth dy muaj pasi Qeveria e tij i rriti për 20 për qind pensionet që financohen nga shteti.

Rritja e pensioneve hyri në fuqi në tetor.

Ai, gjithashtu, njoftoi në shtator se pensionet e përcaktuara me Ligjin për kategoritë e luftës, do të rriten për 20 për qind nga muaji janar 2025./REL

Sakrificë dhe teknikë tek Interi, Zielinski i prish punë Asllanit dhe mund të jetë pasardhësi i Çalhas

Goditje qendrore dhe gol. Goditje në kënd dhe gol. Dhe shumë punë “e pisët” në mesfushë. Piotr Zielinski është futur me “dhunë” mes protagonistëve të ndeshjes Inter-Juventus, për të cilën do të flitet gjatë.

 

Polalu u zgjodh nga trajneri Inzagi për të mbushur boshllëkun e lënë nga Hakan Çalhanoglu dhe e ka superuar me nota të larta provën e parë në “regji”. Pas aktivizimit nga stoli në Bernë duke u alternuar me Barelën përpara mbrojtjes në Champions, Zielinsku u impenjua për herë të parë si titullar në kampionat. Dhe në fakt bëri që Çalhanoglu të mos ndihej si për punën në mesfushë ashtu edhe për saktësinë nga pika e bardhë e penalltisë.

ORGANIZATOR- “Kam luajtur në këtë rol edhe në kombëtare, por roli im natyral është pak më përpara. Trajneri ma kërkoi dhe pranova. Sigurisht që preferoj të luaj diku i avancuar”, ka thënë polaku pas ndeshjes. Paraqitja e Zielinskit mund të konfirmohet pikërisht nga këto fjalë. Sakrificë. Një fantazist që duhet të luajë përpara mbrojtjes nuk është e lehtë.

Por ai ka kualitetin për të dalë nga situata të tilla. Interi për këtë e zgjodhi dhe bëri gjithçka për të parakaluar konkurrencën. Disa probleme fizike e kanë ndërlikuar së tepërmi nisjen e sezonit të tij me fanellën e Interit dhe ky është motivi pse nuk ka qenë shpesh titullar. Edhe ndaj Juventusit u largua nga fusha sepse kishte probleme fizike. Megjithatë, Interi ka një organizator më shumë.

ASLLANI- Një lëvizje taktike që në fakt nuk mund të lërë kurrsesi të kënaqur Kristjan Asllanin. Pavarësisht se sipas mediave, Simone Inzagi e shihte atë si titullar kundër Juventusit, duket se mesfushori i Kombëtares shqiptare nuk ka qenë gati fizikisht. Ai ka humbur shansin në 3 ndeshje për të zëvendësuar Çalhanoglunë dhe ndoshta në të ardhmen mund t’i vështirësohet nga prezenca e Zielinskit. Megjithatë, Kristjan ka besimin e Inzagit dhe të klubit kampion të Italisë.

Tezja e Monika Kryemadhit paraqitet në GJKKO për të tërhequr vendimin e plotë

Motra e Fatime Kryemadhit, ose tezja e Monika Kryemadhit, u paraqit në Gjykatën e Posaçme Antikorrupsion për të tërhequr vendimin e plotë të dhënë nga gjyqtari Erjon Çela.

Vendimin e zbardhur e tërhoqi mesditën e kësaj të marte në sekretarinë e Gjykatës.

Të mërkurën e kaluar, gjyqtari i hetimit paraprak, Erjon Çela, vlerësoi masën e sigurisë “arrest në burg” për Ilir Metën dhe caktoi masën ‘detyrim paraqitje” për babain e deputetes Erisa Xhixho, Pirro Xhixho, Ema Çokun dhe Monika Kryemadhin.

Që nga marrja e vendimit fizikisht, palët kanë 5 ditë afat për ta ankimuar në Apelin e Posaçëm.

Rreziku i populizmit/ Analiza e DW: Paraqesin veten si liderë të fortë e karizmatikë, por i shpallin gjykatat armiq të popullit! Çfarë e mbron demokracinë?

 

Partitë populiste, si AfD në Gjermani, po gëzojnë popullaritet në rritje në mbarë botën. Ato i shpallin luftë shoqërisë së hapur, pluraliste, e gjithmonë flasin për elita që punojnë kundër popullit. Çfarë pritet më tej?

Populizmi ka shumë fytyra, por modeli është gjithmonë i njëjtë. Pavarësisht nëse është botëkuptimi i Donald Trump në SHBA, Narendra Modi në Indi apo politikani iAfDBjörn Höcke në Gjermani- gjithmonë flitet për të ashtuquajturat elita që punojnë kundër popullit. Flitet për zhvlerësim të pjesëve të shoqërisë si gjoja armiq të popullit. “Ata” kundër “neve”. Ata “atje lart” kundrejt nesh “këtu poshtë”.

Kriza klimatike, luftërat, digjitalizimi i përshpejtuar – lëvizjet populiste i premtojnë shpëtim një shoqërie për një kohë të shkurtër. Votoni për ne dhe gjithçka do të jetë më mirë, gjithçka do të kthehet në kohët e së shkuarës gjoja më të mirë. Ata e paraqesin veten si liderë të fortë, karizmatikë që do të rregullojnë të gjitha dhe gjithçka. Kur bëhet fjalë për sundimin e ligjit dhe të drejtës, ata i shpallin gjykatat dhe institucionet e tjera demokratike armiq të popullit.

Dëshira për një lider

Drejtuesi i Alternativës për Gjermaninë, AfD, për Tyringi Björn Höcke flirton edhe me rolin si “shpëtimtar i Gjermanisë”. Dëshira e gjermanëve për një person historik që një ditë do të shëronte të gjitha plagët e njerëzve, do të kapërcente ndasitë dhe do t’i vendoste gjërat në rregull, është ngulitur thellë në shpirtin tonë. Unë jam i bindur për këtë, shkruan Höcke në librin e tij “Kurrë në të njëjtin lum dy herë”. Höcke bëri edhe një film për të, që e stilizon si perandorin e paqes Friedrich Barbarossa, i cili është kthyer dhe është zgjuar pas një gjumi të gjatë në një shpellë në Kyffhäuserberg, për të shpëtuar perandorinë me ndjekësit e tij besnikë.

Rritja e partive populiste është kthyer në një sfidë serioze për shtetet demokratike. Kështu mendon edhe politologu i shquar gjerman Hans Vorländer. “Ajo që shohim është se vlerat qendrore të populistëve të krahut të djathtë vihen në pikëpyetje, si barazia, dinjiteti njerëzor apo e drejta për liri nga diskriminimi”, thotë ai.

Vorländer ka shumë vite që studion fenomenin e populizmit. “Është e nevojshme që të kuptojmë se partitë populiste të djathta nuk do të zhduken thjesht. Duhet të mësojmë të përballemi me to,” analizoi ai në një intervistë për DW. “Në Gjermani është më e vështirë se në vendet e tjera, sepse ne kemi parë që forca të tilla mund të shkatërrojnë demokracinë,” thotë ai.

Rreziku për institucionet demokratike

Shkencëtarët, politikanët dhe vëzhguesit politikë në mbarë botën paralajmërojnë për cenueshmërinë e shoqërive të hapura. Sulmi në Kapitol në Uashington nga mbështetësit fanatikë të Trump më 6 janar 2021 tregoi se sa aktuale ishin këto paralajmërime.

Në Gjermani, ka gjithnjë e më shumë dëshmi se sa e rrezikshme mund të jetë AfD për shtetin kushtetues. Në fillim të shtatorit, AfD, një parti ekstremiste e djathtë, u zgjodh për herë të parë në historinë e Republikës Federale si forca politike më e fortë në Tyringi, pra më e forta në një land. Björn Höcke u festua nga mbështetësit e tij.

Në seancën e parë parlamentare pas zgjedhjeve, partia tregoi se si do të sillej në rast fitoreje. Takimi i parë u drejtua nga një politikan i AfD-së, i cili nuk e përfilli vullnetin e deputetëve. Kjo u ndal më pas nga Gjykata.

Por pavarësisht nga të gjitha hulumtimet mbi rreziqet dhe pavarësisht të gjitha raportimeve në media për gënjeshtra, teori konspirative dhe propagandë të rrezikshme të përhapur nga populistët, rritja e tyre vazhdon. Pra, çfarë duhet të bëhet?

Investimet – një zgjidhje për problemin?

Instituti për Ekonominë Botërore nga Kieil ka propozuar një zgjidhje interesante për Evropën – investimet. Instituti analizoi ndikimin e investimeve publike në rajonet ekonomikisht të dobëta të Evropëstek partitë populiste të krahut të djathtë. Rezultati i studimit të prillit 2024 është: Në rajonet e mbështetura, pjesa e votave të partive populiste të krahut të djathtë ra me 15 deri në 20 për qind. E thënë thjesht, autorët e studimit arrijnë në përfundimin: “100 euro e financimit rajonal të BE-së për kokë banori, redukton përqindjen e votave të partive populiste të krahut të djathtë në një rajon mesatarisht me 0,5 pikë përqindjeje”.

Studiues si Hans Vorländer i Universitetit Teknik të Dresdenit pajtohet, se duhet të investohet shumë më tepër në edukimin politik, nëse duam të mbrojmë të rinjtë në veçanti nga ofertat populiste në mediat sociale. Sipas Vorländer, do të jetë më e vështirë për partitë demokratike të arrijnë votuesit në zgjedhjet paraprake, sepse ato do të humbnin fuqinë e tyre të integrimit.

“Ne duhet të shohim se demokracia partiake po humbet strukturën dhe fuqinë e saj. Demokracia partiake po shndërrohet në demokraci të lëvizshme, e cila është shumë më e paqëndrueshme.”

Në vitin 2020 kjo shifër ishte 44 për qind. Katër vjet më parë, kur Donald Trump mundi kandidaten demokrate Hillary Clinton, një shumicë prej 55 për qind e republikanëve besonin në zgjedhje të drejta dhe të legjitime.

“Nëse kandidati juaj fiton, ju prireni të besoni se gjithçka ka shkuar mirë në zgjedhje”, thotë Cobb.

Që besimi republikan ka rënë ndjeshëm që nga viti 2020, vjen për shkak se Trump dhe mbështetësit e tij janë të bindur se zgjedhjet e vitit 2020 u janë “vjedhur”. Ata thonë se Trumpit iu hoq nga dora fitorja përmes manipulimit të rezultateve. Këto mite konspirative u rrëzuan nga rinumërimet e përpikta dhe nga shumë vendime gjyqësore, por Trump vazhdon të refuzojë të pranojë se ai pati humbur.

Angazhimi i qytetarëve

Ekspertët kërkojnë që njerëzit të përfshihen më shumë në vendimmarrjen politike edhe në kohën ndërmjet zgjedhjeve. Sociologu Steffen Mau, për shembull, është në favor të të ashtuquajturve këshilla qytetarësh, në të cilët qytetarët bashkërisht merren me një çështje politike për një periudhë të gjatë kohore dhe bëjnë propozime konkrete për zgjidhjen e problemeve. Kjo synon të zbusë pozicionet ekstreme.

Gjermania po diskuton edhe masën përfundimtare kundër kërcënimeve ndaj demokracisë: procedurat ligjore për ndalimin e AfD. Gjykatat, shërbimet e sigurisë dhe organizatat civile kanë vite që konfirmojnë dhe mbledhin prova për rrezikun që paraqet kjo parti. Një ndalim i tillë partiak ka pengesa të mëdha ligjore në Gjermani. Ajo duhet të kërkohet nga Bundestagu, Bundesrati ose qeveria federale. Më pas shqyrtohet në gjykatën më të lartë të Gjermanisë: Gjykatën Kushtetuese. Në historinë e Republikës Federale, partitë janë ndaluar vetëm dy herë. Hera e fundit ishte në vitin 1956.

Politologu Hans Vorländer beson se një kërkesë e tillë është e justifikuar: “Partitë demokratike duhet ta bëjnë të qartë se janë të gatshme të tregojnë kufijtë e tyre.”/DW

Dialogu Kosovë-Serbi, Lajçak optimist pas takimit të kryenegociatorëve në Bruksel: Ka përparim në disa çështje me rëndësi

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, ka thënë të martën se ndihet optimist për pak përparim të arritur në disa çështje me rëndësi gjatë një takimi të kryenegociatorëve javën e kaluar në Bruksel.

 

Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, nuk arritën pajtueshmëri gjatë për mënyrën se si të ecet përpara në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve fqinje gjatë takimit të tyre trepalësh me Lajçakun të enjten në Bruksel, por u pajtuan në disa çështje të tjera.

Lajçak tha të martën në Facebook se, derisa nuk u arrit ndonjë rezultat për rrugën drejt zbatimit të Marrëveshjes së viti 2023, “jam optimist për pak përparim të arritur në disa çështje të rëndësishme, për të cilat do të vazhdojmë punën në javët në vijim”.

Pas takimeve të së enjtes, Bislimi njoftoi se palët ishin pajtuar për disa çështje, përfshirë themelimin e një grupi punues, i cili do t’i harmonizojë rreth 20 certifikata veterinere, të cilat përdoren për kalimet kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.

Kosova e ka akuzuar Serbinë në të kaluarën se i ka penguar mallrat dhe bizneset kosovare që kalojnë transit nëpër territorin e Serbisë, pasi Beogradi nuk njeh certifikatën fitosanitare të lëshuar nga Republika e Kosovës.

Ai tha gjithashtu se Lajçak i njoftoi gjatë takimit se Serbia është zotuar se deri në fund të muajit të ardhshëm do të lëshohen linjat e interkoneksionit, që ka qenë marrëveshje e energjisë e vitit 2022.

Takimi i së enjtes ishte i pari trepalësh pas më shumë se tre muajve mes Bislimit dhe Petkoviqit, por ata përsëri dështuan të arrijnë pajtueshmëri për mënyrën se si të ecet përpara në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve fqinje.

Duke folur pas takimit, Bislimi tha se në fokus të takimit ishte gjetja e një mënyre për zbatimin e plotë të Marrëveshjes Bazë, për të cilën Kosova dhe Serbia u pajtuan në fillim të vitit 2023.

“Fatkeqësisht për temën kryesore që jemi mbledh, nuk ka rezultat. Serbia me gjasë ende po ngul këmbë në zbatim të pjesshëm, pra sipas idesë, ‘ne bëjmë diçka ju bëni diçka’”, tha Bislimi.

Kryenegociatori serb Petkoviq tha se Beogradi “nuk po ikë” nga detyrimet që dalin nga Marrëveshja Bazë, por se Prishtina duhet të jetë e para që do të fillojë, duke nisur me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kosova ngul këmbë se kjo marrëveshje duhet të nënshkruhet së pari, edhe pse BE-ja thotë se ajo është detyruese për palët pavarësisht nënshkrimit, dhe e ka akuzuar Serbinë edhe në të kaluarën se dëshiron vetëm zbatimin e pjesshëm të saj./rel

Ceremonia e “Topit të Artë”, pse Ronaldo nuk mori pjesë dhe bojkotoi votimin

“Topi i Artë” zhvilloi mbrëmë ceremoninë e zakonshme dhe nuk zhgënjeu. Të gjithë folën për eventin në Francë, që në fund pa fitues Rodrin para Vinicius.

 

Një nga figurat më të shfaqura ndër vite është Ronaldo, që e ka fituar 5 herë si çmim. Dje nuk ishte i pranishëm, teksa as nuk ka shfrytëzuar të drejtën e votës për çmime të caktuara.

Vinsent Garsia, që është redaktor në “France Football”, zbuloi se Ronaldo nuk ka votuar. Po ashtu dhe foli për një arsye të mundshme të mungesës së portugezit.

“Fituesit kanë të drejtën të kthehen në të gjitha ceremonitë e ardhshme, por nuk vijnë të gjithë, disa janë të mërzitur me ne. Nuk e di nëse dhe Kristiano është, nuk flas me atë direkt, por e di që fituesit e mëparshëm votojnë për “Trofeun Kopa”, për lojtarin e ri më të mirë, dhe Kristiano nuk ka votuar në asnjë nga dy vitet e fundit”, u shpreh Garsia për “The Times”.

Agjencia e OBK u ndalua të operonte në Izrael, Guterres: Mund të ketë pasoja shkatërruese për refugjatët palestinezë në Gaza dhe Bregun Perëndimor

Parlamenti i Izraelit votoi dje për ndalimin e agjencisë së OKB-së për ndihmë dhe punë për refugjatët palestinezë (UNRWA) nga vendi brenda 90 ditëve.

Knesset e ndaloi agjencinë të kryejë “çdo aktivitet” ose të ofrojë ndonjë shërbim brenda Izraelit, duke përfshirë zonat e Jerusalemit Lindor, Gazës dhe BregutPerëndimor.

Një votim i dytë e shpalli grupin një organizatë terroriste.

Legjislacioni do të hyjë në fuqi 60 deri në 90 ditë pasi ministria e jashtme e Izraelit të njoftojë OKB-në, sipas zëdhënësit të politikanit Dan Illouz, një nga bashkësponzoruesit e një prej projektligjeve.

UNRËA ofron arsim, kujdes shëndetësor dhe shërbime të tjera bazë për miliona refugjatë palestinezë në të gjithë rajonin, duke përfshirë Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres tha se ligjet e reja “mund të kenë pasoja shkatërruese” për refugjatët palestinezë në Gaza dhe Bregun Perëndimor.

Shefi i UNRWA, Philippe Lazzarini, ka paralajmëruar se ndalimi “vetëm do të thellojë vuajtjet e palestinezëve, veçanërisht në Gaza”.

UNRWA është  sulmuar vazhdimisht  nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, i cili thotë se ka lidhje me Hamasin dhe grupet e tjera militante, diçka që grupi e kundërshton.

Kur Izraeli ngriti për herë të parë akuzat kundër UNRWA-s, fillimisht bëri që vendet kryesore donatore të pezullonin fondet e tyre për agjencinë.

Mbretëria e Bashkuar  rifilloi financimin e agjencisë në korrik, vetëm disa javë pasi Partia Laburiste u zgjodh.