32.5 C
Tirana
E premte, 20 Qershor, 2025

Lirimi i Berishës, Lapardhaja: Do të inkurajojë votën kundër tij, gara elektorale bëhet më e lehtë për Ramën

Lirimi i Sali Berishës është sipas analistit Namir Lapardhaja mundësi e shtuar për fitoren e zgjedhjeve nga socialistët. Në studion e MCN TV, Lapardhaja tha se rikthimi i Berishës në fushën e lojës politike favorizon Ramën. Sipas tij, Berisha është shkaku pse sot Partia Demokratike është e përçarë.

“Berisha edhe kur nuk ishte i lirë, ishte në ekrane 24 orë. Ai zotëron minutazhin më të lartë të kohës mediatike. Ashtu siç e përmenda edhe më parë, ai do të inkurajojë votën anti-Berishë.

Berisha është shkaku kryesor pse sot opozita është e përçarë. Në tre vite, sot jemi më keq se tre vite më parë. Demokratët janë më të dekurajuar se 3 vite më parë. Me Berishën në fushën e lojës politike, Rama e ka më të lehtë garën elektorale.”

Lapardhaja tha më tej se lirimi i Berishës duhet parë thjesht si revokimi i një mase të vënë një vit më parë, ndërsa për demokratët që e kanë kthyer në kauzë këtë çështje është thjesht humbje kohe.

“Për Sali Berishën nuk ka ndryshuar asgjë. Thjesht është hequr një masë. Ka kaluar një vit kohë, i hedhur dëm, për t’u kthyer në pikën fillestare. Nëse Berisha do të kishte zbatuar vendimin e parë të gjykatës, ndaj tij nuk do të kishte ardhur masa e arrestit shtëpiak.

Çështja ndaj tij ka shkuar për gjykim, ndaj masa e arrestit shtëpiak mund të rrëzohej lehtësisht siç bëri. GJKKO nuk ka bërë asgjë veçse ka revokuar një vendim të një viti më parë.

Berisha e trajtoi si një vendim të çështjes së tij. Por ky vendim nuk ka të bëjë as me fajësinë, as me pafajësinë e tij. Pra 330 e ca ditë që mbështetësit i kanë ardhur Sali Berishës, mund të ishte respektuar detyrimi i paraqitjes dhe nuk do të kishim ardhur në këtë pikë.

Sulmi ndaj SPAK dhe GJKKO është një sulm që nuk ka ngjyra politike. Janë të dyja kahet e politikës ato që e kanë trysnuar dhe vendosur përballë sistemin e drejtësisë. Unë mendoj që ky vendim favorizon Edi Ramën, sepse në të gjitha variantet, të qenit e Sali Berishës në fushën e lojës me kohë të plotë do të inkurajojë votën ndaj tij.”

Gjykata e “Ramës” apo gjykata e pavarur e liroi shtetasin Berisha?

Nga Kreshnik Spahiu

Sali Berisha sot ligjërisht është i lirë por nuk është shpallur i pafajshëm nga akuzat.

Sigurisht 90% e publikut nuk e kuptojnë ndryshimin e gjykimit në “gjendje të lirë” dhe në shpalljen “i pafajshëm.”

Dhjetra politikanë janë hetuar të lirë por janë deklaruar fajtorë dhe dënuar me burg si në rastin e Saimir Tahirit, Ervin Saljanit, Vangjush Dakos etj

Gjithsesi kjo analizë juridike nuk vlen pë militantët por për profesionistët.

Vendimi i gjykatës për zëvendësimin e masës sigurimit për Sali Berishën ka më shumë efekte proçedurale të praktikës me raste anologe sesa me vetë Sali Berishën për këti arsye:

– nga sot, çdo i akuzuar për korrupsion pasiv me vlera të mëdha apo të vogla duhet kërkoj të hetohet i lirë njësoj si shtetasi Berisha

– nga sot, ish-presidenti Meta duhet kërkoj zëvendësimin e masës sigurimit nga arrest me burg, në detyrim për paraqitje njësoj si Berisha.

– nga sot, Arben Ahmetaj duhet kërkoj heqjen e arrestit dhe hetimin në gjendje të lirë sepse çështja ka kaluar për gjykim dhe nuk rrezikohen provat.

– nga sot, Gjykata duhet të mbaj një standard proçedural për masat e sigurimit për subjekte që akuzohen për korrupsion dhe nuk duhet arrestojë asnjë prej tyre sepse sipas Kushtetutës të gjithë janë të barabartë përpara ligjit.

– nga sot, nuk ka rëndësi mosha për të akuzuarit sepse Berisha ishte më i qetë në shtëpi sesa në rrugë dhe masa e gjykatë ishte justifikuar me pleqërinë.

– nga sot, gjykara provuan se për të njëjtën çështje vendosin tre herë në tre mënyra të ndryshme.

– nga sot, Berisha duhet tërheq padinë e Strasburgut sepse s’ka objekt sepse gjykata shqiptare ja njohu të drejtën dhe ai është i lirë.

Gjykata e “Ramës” apo gjykata e pavarur e liroi shtetasin Sali Berisha?

Përgjigjen duhet ta jap vetë Berisha por qartazi që nga dita që u firmos pakti PD-PS kemi disa vendime pro Berishës dhe grupit të tij:

– Vula e PD

– Rroga 3500 euro e deputeteve të PD

– Listat e mbyllura të deputeteve

– Amnistia penale e të korruptuarve

– Lirimi i Berishës

A është ndikuar gjykata nga marrveshja PD-PS?

Padyshim edhe gjyqtarët janë shqiptarë dhe jo amerikanë. Ata jetojnë në një “fshat” të vogël ku të gjithë njohin njëri-tjetrin.

Thjesht gjyqësori ka një nuhatje të zhvilluar për të kuptuar luftën apo teatrin politik.

Sot meqë ra fjala u mblodh Komisioni Anti-Korrupsion dhe sigurisht mbledhja e rradhës do zhvillohet pas një muaji ku pjesë e luftës anti-korrupsion do jetë koalicioni PD-PS.

Me pak fjalë “të pandehurit” do kërkojnë që SPAK dhe GJKKO të shkojnë të jap llogari para tyre.

Vendimi i gjykatës për lirimin e shtetasit Berisha është i drejtë por me një kusht, nëse sot hapen burgjet dhe lirohen të gjithë të paraburgosurit për korrupsion.

Nëse gjykata do të lirojë të gjithë si Berisha, atëherë është e pavarur. Në të kundërt ajo është gjykatë politike e varur nga Berisha, Rama dhe mga establishmenti politik.

Berisha në liri, Rama tek komisioni Xhafaj/ Rastësi apo koordinim anti-SPAK?

Në të njëjtën ditë që Gjykata e Posaçme firmoste lirimin e Sali Berishës, në Komisionin Xhafaj zbarkoi Edi Rama, i cili nuk i kurseu mesazhet për institucionet e drejtësisë.

Në mbështetje të këtij komisioni, që nuk i ka fshehur ambiciet për të vënë nën kontroll institucionet e drejtësisë dhe kryesisht SPAK, kryeministri deklaroi se “Kuvendi bëhet një udhëkryq ku të gjitha forcat që veprojnë dhe ndërveprojnë në emër të shtetit pikëtakohen dhe të gjitha këto forca mund të japin llogari sepse mund t’ju kërkohet llogari.”

Kryeministri, për herë të parë, ka artikuluar tezën e vartësit të tij, Fatmir Xhafaj, se “Nëse përparon qeveria dhe jo një x institucion, strukturë që nuk është nën urdhrat e qeverisë, cili është instrumenti që ky institucion të vihet përballë përgjegjësisë publike dhe patriotike për të dhënë llogari.”

Thënë ndryshe, për herë të parë, drejtuesi i mazhorancës është shprehur qartë dhe pa ekuivok se SPAK (dhe institucionet e tjera të drejtësisë) duhet të japin llogari në Komisionin Xhafaj. Është e paqartë se kujt i referohet Edi Rama kur citon “përgjegjësi patriotike,” ndërsa veprimet e fundit të SPAK, ndalimet apo hetimet e tij, kanë shkuar shumë afër zyrës së kryeministrit.

Sigurisht, përtej mbështetjes publike për drejtësinë e re, Edi Rama duket i shqetësuar për mungesën e kontrollit në pjesën dërrmuese të Prokurorisë së Posaçme, lëvizjet e së cilës tashmë duket të jenë akti i vetëm i vërtetë për luftën kundër korrupsionit qeveritar. Sa për vullnetin e qeverisë për të luftuar korrupsionin që prodhon ajo vetë, ky është një fakt kaq i prekshëm dhe i dukshëm për publikun, sa komentet janë të tepërta. Sikurse, “rastësia” e lirimit të Sali Berishës dhe deklaratat për kontroll të SPAK nga Rama në të njëjtën ditë mund të jenë shenja të qarta se të shqetësuarit nga Prokuroria e Posaçme mund të mos jenë shumë larg aleancës anti-SPAK./vna.al

Nuk ka lirim me kusht për Robinjon, ish-sulmuesi i Milanit do të qëndrojë në burg. Ja reagimi i Federatës së Brazilit

I arrestuar që nga marsi i këtij viti, ish-sulmuesi i Milanit, Robinjo po vuan dënimin në Brazil pasi u dënua me 9 vjet burg nga drejtësia italiane për një përdhunim në grup që ndodhi në Milano në 2013.

11 gjyqtarë të Gjykatës së Lartë Federale të Brazilit duhet të votojnë për të vendosur nëse ai do të lirohet ose duhet të mbetet në paraburgim. “UOL Esporte” zbuloi se 9 gjyqtarë kishin shprehur tashmë mendimet e tyre dhe 7 prej tyre kishin votuar pro mbajtjes së paraburgimit.

Ednaldo Rodrigues, president i Federatës së Brazilit deklaroi se është “një nga kapitujt më katastrofikë në futbollin brazilian”.

“Është e turpshme që një lojtar të ndihet rehat duke bërë këtë lloj perversiteti, duke përfituar nga ajo që ka arritur dhe duke menduar se përmes sportit do të mbrohet disi nga çdo ndëshkim. Drejtuesit dhe komisioni teknik i skuadrës braziliane, solidarizohen me viktimat dhe burrat duhet të jenë në vijën e parë për të luftuar jo vetëm dhunën seksuale, por të gjitha llojet e krimeve”, tha ai.

Intervista/ “Mund ta kaloni pa simptoma, më i shpeshtë te femrat”- Ataku në zemër, kardiokirurgu: Ja shenjat që jep trupi kur jeni në prag të një infarkti dhe sa zgjat dhimbja në gjoks

Ataku i zemrës është një prej sëmundjeve më të rrezikshme kardiovaskulare, duke u cilësuar si një prej shkaktarëve kryesorë të vdekshmërisë në botë.

 

Çdo minutë është e artë për të vepruar te një pacient që pëson atak kardiak, pasi shpëton jetën e të sëmurit. Shëndeti i zemrës përmirësohet nëse ushqeheni mirë si dhe kryeni aktivitete fizike. Megjithatë, ju duhet t’i vini veshin trupit tuaj që është në gjendje të japë paralajmërimet e një problemi me zemrën. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, mjeku kardiokirurg Sabjan Memishaj tregon se cilat janë simptomat kryesore që duhet të na çojnë te mjeku për kontroll. Ai thekson se kategoritë më të riskuara nga problemet kardiake janë ata mbi 60 vjeç, diabetikët, si dhe personat që vuajnë nga kolesteroli, hipertensioni apo mbipesha.

Cilat janë simptomat kryesore që sinjalizojnë problemet kardiake?

Disa shenja të zemrës nuk kanë lidhje fare me dhimbjen e gjoksit dhe nuk është e lehtë për të gjetur se çfarë po ndodh. Nëse paraqitni shenja të ngjashme, është mirë të shkoni te doktori. Dua të them se jo të gjitha problemet e zemrës vijnë me shenja të dukshme.

Mund të na tregoni se cilat kategori janë më të rrezikuara?

Kategoritë më të riskuara janë personat mbi moshën 60 vjeç, mbipeshë, ata që kanë diabet, kolesterol të lartë, ose tension të lartë të gjakut.

Çfarë sinjalizon diskonforti në zonën e kraharorit? Po ndjesia e të vjellit apo dhimbjet e stomakut, a lidhen me problemet kardiake?

Nëse keni një arterie të bllokuar ose po përjetoni infarkt në zemër, ju mund të ndjeni dhimbje, shtrëngim ose presion në gjoks. Çdo njeri mund ta përjetojë në forma të ndryshme këtë ndjesi. Parehatia është shenja më e shpeshtë e problemeve me zemrën. Disa e tregojnë si shpim, disa të tjerë e paraqesin si djegie. Ndjesia zgjat më shumë se disa minuta. Ajo mund të ndodhë kur jeni duke pushuar ose kur jeni duke ushtruar një aktivitet fizik.

Nëse është një dhimbje e shkurtër ose nëse është një dhimbje e lokalizuar që shtohet nga shtypja, me shumë mundësi nuk është një dhimbje nga zemra. Ndjenja e të vjellit, dhimbjet në stomak, tretja jo e mirë e ushqimit janë disa nga shenjat që paraqesin disa persona gjatë një ataku në zemër. Ata gjithashtu mund të vjellin. Femrat e paraqesin këtë ankesë më shumë se sa meshkujt. Nëse keni të tilla ankesa, sidomos të shoqëruara edhe me ankesat e tjera, duhet të paraqiteni menjëherë te doktori.

Po marramendja dhe dhimbjet në krahë, çfarë na tregojnë?

Një shenjë klasike e infarktit në zemër është edhe dhimbja që përhapet në krahun e majtë të trupit. Zakonisht kjo dhimbje fillon në kraharor dhe përhapet në krahë. Por ka edhe raste kur shfaqet vetëm si dhimbje e krahut. Ka shumë gjëra të cilat mund t’ju bëjnë të humbni drejtpeshimin ose të keni ndjesinë e të fikëtit. Kjo mund të shkaktohet në rastet kur nuk keni ngrënë mjaftueshëm apo kur çoheni në mënyrë të menjëhershme.

Por nëse në mënyrë të menjëhershme ndiheni pa ekuilibër dhe gjithashtu ndjeni edhe diskonfort në gjoks dhe vështirësi në frymëmarrje duhet menjëherë të paraqiteni te doktori. Kjo gjë tregon që presioni i gjakut ka rënë dhe zemra nuk po funksionon siç duhet. Dua të theksoj se edhe dhimbjet në nofull apo në grykë, përveç faktit që mund të shkaktohen nga i ftohti apo nga ndonjë problem muskulor, mund të tregojnë se mund të pësoni infarkt në zemër. Në këto raste rekomandohet t’i drejtoheni menjëherë mjekut.

Po lodhja, a mund të jetë një simptomë e sëmundjeve të zemrës?

Nëse ndiheni i lodhur pasi keni bërë një aktivitet fizik të cilin më përpara e bënit shumë lehtë si: ngjitjen nëpër shkallë ose transportin e gjërave për në shtëpi, atëherë duhet të drejtoheni te doktori. Këto shenja janë më domethënëse se sa dhimbjet në kraharor. Lodhja e tepërt dhe e pashpjegueshme ndonjëherë për disa ditë me radhë mund të jetë një shenjë e sëmundjeve të zemrës, sidomos te femrat.

Është normale të gërhisni kur jeni duke dremitur, por një gërhitje me zë të lartë mund të jetë shenjë e apne së gjumit. Apne e gjumit është ndalimi i frymëmarrjes gjatë gjumit. Kjo gjë ndodh për disa momente gjatë gjumit të natës dhe shkakton mbingarkesë në zemër. Duhet të drejtoheni tek doktori për vlerësim të mëtejshëm në rast të këtyre shenjave. Djersitja pa asnjë lloj shkaku në kohë të ftohtë mund të jetë një shenjë e infarktit në zemër.

A mund të pësojmë infarkt pa pasur dhimbje gjoksi?

Duhet të keni parasysh që mund të kaloni infarkt pa pasur dhimbje gjoksi. Kjo gjë është më e shpeshtë te femrat dhe të sëmuret me diabet.

Cilat janë momentet ku duhet të tregojmë më tepër kujdes lidhur me shqetësimet kardiake?

Në shumicën e rasteve, një kollë që nuk ndalon nuk është një shenjë e zemrës. Por nëse keni sëmundje të zemrës apo keni faktor të rrezikut për t’u prekur nga sëmundjet e zemrës, atëherë kjo shenjë nuk duhet të neglizhohet. Nëse keni një kollë që zgjat për një kohë të gjatë dhe që ka përmbajtje të mukusit të bardhë ose ngjyrë rozë mund të jetë një shenjë e pamjaftueshmërisë së zemrës. Ndërkohë këmbët, duart dhe nyjat e këmbëve të ënjtura mund të jenë një shenjë që zemra juaj nuk pompon gjakun në mënyrë të mjaftueshme.

Kur zemra nuk rreh siç duhet, gjaku mbetet nëpër vena dhe kjo shkakton ënjtje. Pamjaftueshmëria e zemrës mund të shkaktojë mbajtje të ujit në organizëm dhe mosfunksionim të veshkave dhe kjo më pas shkakton fryrje dhe ënjtje. Është normale që zemra juaj të rrahë shpejt kur jeni i nervozuar apo kur jeni duke u marrë me një aktivitet fizik. Ndonjëherë mund të shkaktohet nga përdorimi i tepërt i kafesë, por mund të jetë një gjendje e quajtur fibrilacion atrial, i cili duhet mjekuar, sepse mund të japë komplikacione siç është tromboza e enëve të gjakut në tru dhe/ose në periferi. Por nëse zemra juaj rreh jashtë radhe shpesh, atëherë duhet të paraqiteni te doktori.

GJKKO lë në fuqi masat e sigurisë për të arrestuarit e bandës së Suel Çelës, ndryshon masa vetëm për avokaten Blerina Beqiri

GJKKO ka lënë në fuqi masat e sigurisë për të arrestuarit e bandës së Suel Çelës. 

 

Trupa gjykuese ndryshon masën e sigurisë për avokaten Blerina Beqiri nga arrest ne shtëpi ne detyrim paraqitje.

Kujtojmë se operacioni i bujshëm, që kishte në fokus goditjen e organizatës kriminale me në krye Suel Çelën, ka çuar në pranga e nën hetim një mori personash dhe emrash të njohur jo vetëm të botës së krimit.

Që nga vrasjet me paramendim e deri të pastrimi i parave, grupi i përmbledhur në një procedim penal, sipas SPAK ka konsumuar 9 vepra të rënda penale. Nën derigjimin e Suel Çelës, i cili kishte mundur të sillte nën urdhrat e tij një ‘snajper’ nga Shkodra, një biznesmen nga Peqini, gjyqtarë, avokatë e drejtues të lartë policie, por madje, ai kishte nën urdhrat e tij edhe dy djem, motra e të cilëve mban një nga postet më të rëndësishme në institucionet shtetërore të vendit.

SPAK, i cili ka vepruar në bashkëpunim me një sërë agjencish së huaja, ka mundur të faktojë një sërë ngjarjesh të rënda kriminale, mes të cilave vrasjen e Bledar Muçës në Belgjikë, nipit të Çapjave, atentatit me snajper ndaj Ardian Çapjas, atentateve ndaj E.K., disa rasteve të trafikut të kokainës, i faktuar. Në organizatën që drejtohej nga Çela dhe që mbrohej nga njerëzit e sistemit të drejtësisë, bien në sy edhe emrat e djemve të familjes Çopja, një tjetër grup i fuqishëm kriminal, i cili u godit pak kohë më parë nga SPAK, një operacion për të cilin pati të dhëna edhe për rrjedhje të informacioneve.

SPAK

Në njoftimin e SPAK thuhet se: “Shtetasi Marsel Lulaj (alias Suel Çela) është identifikuar si drejtuesi i organizatës, përgjegjës për menaxhimin dhe koordinimin e aktiviteteve kriminale, përfshirë vrasjet, trafikimin ndërkombëtar të drogës, kryerjen e veprimeve korruptive dhe organizimin e skemave të pastrimit të parave. Ndërkohë disa nga anëtarët me role kyçe si; Mario Çela. Fuad Verzivolli, Bujar Shega, Klaus Matishi (alias Klaus Çopja alias Kledjan Çopja), Xhino Roka etj., ishin pjesë operative e organizatës, të angazhuar në planifikimin dhe ekzekutimin e veprave të rënda penale, përfshirë vrasje me paramendim dhe trafikun e narkotikëve”!

Organizata ka zbatuar një skemë komplekse të mbyllur të trafikut të kokainës nga Amerika Latine drejt vendeve të Europës, duke bashkuar me grupe të ndryshme kriminale me lidhje të forta në Amerikën Latine. Organizata e porosiste lëndën narkotike nga grupe të strukturuara kriminale shqiptare të lidhur me grupe kriminale vendase në Amerikën Latine. Më pas, sasia e lëndës narkotike transportohej e fshehur në produkte të ligjshme dhe tranzitohej në disa porte europiane me destinacion shtetet si; Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Italia, Belgjika dhe Holanda, nga ku nxirrej, trafikohej dhe shitej me shumicë nga anëtarët e organizatës në tregun e narkotikëve në Evropë. Pjesa më e madhe e ngarkesave lëvizte me kontejnerë në porte të mëdha si Antverp, Roterdam etj., të cilët shpesh shërbenin si pika kyçe për trafikun e saj në tregun evropian.

Gjithashtu ka pasur tentativa për të kryer transport të lëndëve narkotike përmes aeroporteve të Belgjikës dhe Holandës. Një pjesë e të ardhurave nga ky aktivitet kriminal investohej: Në blerjen e lëndës narkotike; në gjendje cash-i në Shqipëri; në biznese në dukje të rregullt; për të mbështetur infrastrukturën operative të organizatës dhe blerje influence në segmente të veçanta të sistemit të drejtësisë, policisë, medias dhe biznesit.

ARREST ME BURG

Marjus Lulaj (alias Suel Çela)

Mario Çela

Xhino Roka

Klaus Matishi (alias Klaus Çopja alias Kledjan Çopja)

Sergej Hasanpapaj

Bruno Hazizolli

Ledio Zabeli

Marsel Roka

Ado Xhika (alias Elkier Cerriku alias Ado Cerriku)

Prekë Kodra

Fuad Verzivolli

Metin Mehjam

Renato Hasani

Skender Sufaj

Pajtime Fetau

Dedan Gjoni

Marsel Shega (alias Bujar Shega)

Hajdar Lala (alias Hajdar Xaka alias Hajdar Sefa)

DETYRIM PARAQITJE

Elton Qyno

Artan Hoxha

Blerina Beqiri (avokate)

Biseda në SKY ECC e miqve të Suel Çelës: Balla na do për vota!

Bashkëpunimi i Taulant Ballës me bandën e Suel Çelës është një sekret publik, të cilin prokurorët e SPAK e kanë ruajtur me sa kanë mundësi, duke përjashtuar nga hetimi (deri më sot) lidhjet e bandës me ish-drejtuesin politik të Partisë Socialiste në Elbasan.

Megjithatë në faqen 171 të dosjes, që Lapsi.al e ka lexuar të plotë, ku janë zbardhur përgjimet nga SKY ECC, prokurorët kanë harruar të fshijnë një bisedë ku përmendet Balla dhe interesi që ka ai për të mbledhur vota në Elbasan nëpërmjet kriminelëve të Suel Çelës.

Komunikimi është mes Klaus Matishit, mik i ngushtë i Suel Çelës në njërën anë të telefonit me Megi Fetahun, vajza e gjyqtares Pajtime Fetahu. Në një moment kur është kthyer në shtëpi, e lodhur pas pune, gjyqtarja që i di lidhjet e vajzës së saj me bandën ka shprehur disa pakënaqësi, sepse ata nuk kanë qenë falenderues sa duhet për vendimet favorizuese në gjykatë.

Kur Megi Fetahu i thotë këtë pakenaqësi të së ëmës, Klaus Matishi i përbetohet për të kundërtën. Në një moment sinqeriteti, për të shpjeguar vlerësimin e veçantë që banda ka për gjyqtaren, ai tregon diferencën e saj me gjykatësit e tjerë dhe pushtetarët e Elbasanit.

Ndryshe nga të tjerët, Pajtime Fetahu nuk ka kërkuar asnjëherë para, por ajo ka ndihmuar për hir të miqësisë. Për të qenë I besueshëm ai tregon se gjykatësi Ben Vrioni merr “kafe”, ish-kryebashkiaku Qazim Sejdini e ka të qartë se fundoset bashkë me bandën dhe tjetri thotë “Balla na do për vota”.

Më poshtë pjesë nga dosja:

Ne orën 21.59 Klaus Matishi komunikon me Megi Fetah të cilën e bën me dije për konsideratën e veçantë që ka Marjus Lulaj, vetë Klausi dhe lidhjet e tyre për Pajtime Fetah.

Klaus Matishi: “…Ngjo mam ka ber shum per ne pervec tmires fakti qe na do dhe e dim qe e kemi njeriun ton aty na e thot trroc e bardha e bardh ezeza e zez vlen me shum se kafet respekti mamit dhe ndima mam nuk blihet me lek per kok tate shoku un e japim jeten per ate luft me ramen bejm pa mendu fare se ajo meriton shum e me shum esht nder te vetmit qe mundohet me shpirt per ne fhe na ndimon ok dhe boll me idjotsina…

Ti di cdo gie tonen ti kam then te rezultonna nji ta ndimoj se na do ?? O leket o interes balla na do per vota ben virioni fiton kafe landi mer leket ben sikur na do ndimon dhe katnaret me peshore ne dor kurse mam jot esht burrnesh dhe me njerez si mam sja kufi ska rezerva…Apo qazimi na ndimon se ka frik se po humem ne e di qe han karin. Cdo jeri esht me laps po nesjemi budallej…Ne i hym halleve pa shum lek pa shum mig me zemer ne hecim drrejt ne vrasim ballore jo me intrriga…Ato me shtet e miq jan me te fort se ne se kan gjith jeten me giygje ishin te pregatit jan me te fort se ne ni kte drejtim ne jemi ne drrejtimin e luftes me mtir se tqim ropt te qerojm zbejm lloge… Ato si mam jot kan shum miq ne srejtsi ne vetem mam tat kemi te drrejt e sinqert qe na do me shpirt qe shef miqsin jo interesin shuqe ajo sikur kurr mos bej me gje per ne te ne e ka vlersimin 1000000000…”

Biseda është bërë në vitin 2020, kur banda e Suel Çelës ishte në kulmin e fuqisë së saj, pasi kishte kapur në Elbasan gjykatat, prokurorinë, policinë dhe kishte mbështetjen e politikës. Në qarkun e Elbasanit, drejtues politik i Partisë Socialiste në atë kohë ishte Taulant Balla.

Biseda në SKY ECC e miqve të Suel Çelës: Balla na do

Pak ditë para zgjedhjeve në lagjen 5 Maji në Elbasan ndodhi një përplasje me armë ku mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani. Në vendin e ngjarjes ishin disa nga njerëzit e Suel Çelës që punonin për të mbledhur vota për partinë Socialiste. Taulant Balla rezulton të jetë sot deputeti më i votuar në parlament me 21591 vota./lapsi.al

“14 lojtarë aktivë? Nuk sjell kot të rinj në skuadër”, akuzon Tiago Mota: Dëmtimet s’janë rastësi

Me vetëm 17 lojtarë, nga të cilët vetëm 14 janë aktivë në fushë (nuk përfshihen portierët), Juventusi përballet me transfertën e vështirë në Birmingam ndaj Aston Vilës në javën e pestë të Ligës së Kampioneve. Në prag të kësaj sfide, Tiago Mota ka dhënë përshtypjet e tij mbi pritshmëritë që ka për ndeshjen.

 

Do të firmosje për një barazim?

Nuk e di se çfarë tha Emeri, por unë po ju pyes nëse ai qëndroi i qetë kur tha se barazimi i rinte mirë? Ne do të përballemi me një ekip të madh që luan mirë. Ne do të jemi të përulur dhe respektojmë kundërshtarin tonë. Do të japim gjithçka për një ndeshje të madhe.

Çfarë doni ndryshe nga ekipi?

Dua vazhdimësi për atë që bëmë kundër Milanit, për të mos lejuar që ata të kundërsulmojnë. Ata janë të rrezikshëm në kundërsulme, ne duhet të jemi solidë në mbrojtje dhe duhet të dimë të presim mirë pa lënë hapësira. Ne duhet dimë të mbrohemi së bashku.

Shumë dëmtime, rastësi apo luani shumë?

Nuk është rastësi dhe nuk na ndodh vetëm neve, por të hyjmë sot dhe të flasim për arsyet, krijojmë një debat që nuk është i nevojshëm. Situata jonë duhet të trajtohet vetëm duke dhënë diçka më shumë duke menduar për të mirën e ekipit. Çdo gjë tjetër ka pak rëndësi.

Vetëm 14 lojtarë të disponueshëm, sa e vështirë është?

Sot të sjellësh një djalë nga ekipi i të rinjve pa e lënë të luajë është e kotë. Kushdo që vjen duhet ta meritojë, jo për shkak të situatës, për respekt për djalin dhe klubin. Jam i bindur dhe i qetë sepse kam besim total te djemtë që janë thirrur.

A do të luajë Ueah në sulm?

Nëse luan Ueah, ai do të japë gjithçka, nëse dikush tjetër luan do të jetë njësoj. Unë kam besim te kushdo që do të marrë pjesë në ndeshjen e nesërme, sepse ata do të japin gjithçka.

A ka ndonjë fjalë kyçe që do t’i thuash lojtarëve?

“Jo, por ka shumë gjëra që e bëjnë një grup të fortë. Përkushtimi nuk duhet të mungojë kurrë, që në ditën e parë të punës. Çfarëdo që të ndodhë, e rëndësishme është të japin më të mirën si në mbrojtje dhe në sulm.

Si është Kopmeiners?

Edhe me grip ai është i mrekullueshëm dhe do të luajë. Ju tashmë keni një lojtar titullar së bashku me Kambiazon.

Roli i kapitenit?

Është padyshim i rëndësishëm sepse është një lider, por të gjithë në fushë duhet të jenë lider për të kuptuar se çfarë të bëjnë.

Kosova nis procesin për hapje të fabrikës për prodhim të municioneve! Kurti: Hedhim hapat e parë për ngritjen e industrisë ushtarake

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se ka nisur procesin drejt hapjes së një fabrike për prodhimin e municionit dhe për laboratorë për dizajnim të fluturakeve pa pilotë, të njohur si dronë.

 

Në fillim të mbledhjes të së mërkurës të Qeverisë së Kosovës, Kurti bëri të ditur se është nënshkruar vendimi për themelimin e një komisioni ndërministror që ka për qëllim vlerësimin dhe nisjen e këtij procesi.

Ai tha se ky është “një hap i domosdoshëm për të garantuar zhvillimin e qëndrueshëm të ushtrisë”.

“Një ushtri që për një kohë kaq të shkurtër është armatosur kaq shumë sa kjo e jona ka nevojë për ta siguruar e garantuar operacionalitetin e plotë dhe qëndrueshmërinë tërësore. Sot hedhim hapat e parë për ngritjen e industrisë ushtarake”, tha Kurti.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, tha se për këtë projekt janë koordinuar me partnerët ndërkombëtarë, përfshirë SHBA-në, dhe se Ministria e Mbrojtjes e Turqisë ka asistuar me një “raport fizibiliteti”.

“Për hapjen e fabrikës shtetërore të municionit, kemi pranuar një raport fizibiliteti nga Ministria e Mbrojtjes e Turqisë. Jemi në fazën e finalizimit të këtij projekti”, tha Maqedonci.

Ai shtoi se municionet e prodhuara se do të jenë sipas standardeve të NATO-s.

Verën e kaluar, Kosova bleu dronë Bayraktar TB-2 nga Turqia. Kurti tha asokohe se me blerjen e tyre, Kosova “është edhe më e sigurt”, dhe shtoi se oficerët e Forcës së Sigurisë së Kosovës janë trajnuar tashmë për përdorimin e dronëve.

Se sa dronë ishin blerë, nuk ishte bërë e qartë atë kohë.

Buxheti për Ministrinë e Mbrojtjes për vitin 2025 është paraparë të jetë 207.8 milionë euro, apo 54 milionë euro më shumë sesa këtë vit.

Sot në Kosovë shënohet Dita e Forcës, që simbolizon themelimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK). Kjo forcë u themelua më 1 janar të vitit 2009, pas shpërbërjes së Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK).

FSK-ja është aktualisht në proces të transformimit në ushtri të rregullt. Deri në fund të këtij procesi, më 2028, FSK-ja pritet t’i ketë mbi 7.500 pjesëtarë aktivë dhe rezervistë nga mbi 4.000 sa i ka aktualisht.

Në konferencën pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, Maqedonci tha se iniciativa e fundit është pjesë e fazës së dytë të procesit të transformimit të FSK-së në ushtri të rregullt.

“Ne së bashku me komandantin e FSK-së jemi të përkushtuar që planin për tranformimin e FSK-së ta arrijmë brenda afateve kohore”, tha Maqedonci./REL

Dëshmia e rrallë e historianit: Në nëntor 1912, kryeministri i Rumanisë, me origjinë shqiptare, i dha Ismail Qemalit 500 mijë franga ari për… Historiku i flamurit kombëtar të ngritur në Vlorë

Ismail Qemali, me dorën e tij ngriti Flamurin e Pavarësisë, të qëndisur me fije ari. Pra, Ismail Qemali ngriti Flamurin e qëndisur rretheve me gjethe nga Marigoja, në të cilin flamur ishte shkruar dhe parulla: ‘Rroftë Shqipëria’. Ky flamur simbolizon bashkimin e popullit shqiptar kudo që jeton si një komb i vetëm midis Ballkanit. Ky Flamur më vonë u dogj nga grekët. Me këtë akt kombëtar u shpall Pavarësia e plotë e Shqipërisë Etnike. Pas këtij akti, Kryetari i Qeverisë së Përkohshme të Vlorës, më 29 nëntor 1912, me telegram iu drejtua konsujve të Vlorës, të parin telegram njoftimi i bëri për konsullin e Austro-Hungarisë, pastaj Italisë, Francës, Gjermanisë e Rusisë, me anën e të cilit njoftonte për shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë dhe u kërkonte njohjen zyrtare nga ana e tyre.

HISTORIKU DHE ORIGJINA E FLAMURIT KOMBËTAR I NGRITUR NË VLORË, MË 28 NËNTOR 1912

Me aktin e Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare më 28 nëntor 1912; thuhet se; Marigo Pozio brenda natës ka qëndisur vetëm thekët e flamurit (jo krejt flamurin), që e kishte sjellë z. Spiridon llo nga Bukureshti.

Ndërkaq, Vangjo llo (djali i Spiridon Ilos) në kujtimet e tij, thotë se; “flamuri që ka sjellë i ati i tij, nga Bukureshti në Vlorë, ishte i stampuar, jo i qëndisur dhe me përmasa, ka qenë 1 metër, me 80 cm. Ky flamur nuk ishte i qëndisur me fije ari, siç është pohuar deri më tani, por ka pasur thekë të verdha, të cilat, siç u tha më lart, i ka qëndisur Marigo Pozio.

Ekziston edhe një version tjetër rreth prurjes së flamurit në Vlorë, e që lidhet me emrin e Marigo Pozios. Shpeshherë mes komunitetit shqiptar, që jeton në Amerikë, pikërisht në ditën e shpalljes së Pavarësisë, përflitet se flamuri që u ngritë në Vlorë, është qëndisur në Boston të Masacusest-it, ku ka vepruar edhe Kristo Dako.

Për këtë çështje ka shkruar edhe gazeta “Dielli”, që botohej në SHBA-ës. Në një shkrim të Qerim Panaritit, thuhet si vijon: Ne e dërguam flamurin nga Bostoni në Korfuz, një vit më parë se të ngrihej në Vlorë, nga z. Ismail Qemali.

Të gjitha shpenzimet për qëndisjen, paketimin dhe dërgimin e flamurit, u bënë nga shoqëria jonë “Besa –Besë”. Më tutje z. Panariti thotë se; ”detyra e mbajtësit të flamurit, iu ngarkua z. Naçi Nuçi, ky i fundit ishte edhe anëtar i Komitetit të Fshehtë Shqiptar, për Lirinë e Shqipërisë, themeluar në Manastir, në vitin 1905, po ashtu edhe ish anëtar i klubit “Bashkimi”.

“Ky po ashtu, nga organet qeveritare turke, u akuzua si drejtor shkolle, me pretekstin se drejtoria e vajzave të shkollës së Korçës, kishte kërkuar nga konsulli August Kral, që të siguronte për shkollën hartën Shqipërisë, të përpiluar nga Faik Konica. Po ashtu, ishte edhe bashkëveprimtar i ngushtë i një shkolle tregtare në Korfuz dhe ndihmonte tregtarët shqiptarë”.

Po ashtu, z. Naçi, ishte një mik i çiftit tregtar, Pozio nga Vlora, të cilëve iu besoi flamurin që ta shpinin në Vlorë dhe ta mbanin fshehur, derisa t’iu kërkohej nga patriotët, të cilët kishin vendosur që Shqipërinë, ta ndanin nga Turqia.

Flamuri ishte i tëri mëndafsh i kuq, rrethuar me thekë ari dhe në mes kishte shqiponjën me dy krerë, në ngjyrë të zezë. Shtiza mbajtëse qe prej bambuje dhe e lyer me ar, në majën e së cilës gjendej një shqiponjë, me dy koka prej fildishi…”!

Për hollësi të tjera se si Marigoja e solli flamurin në Vlorë, ka shkruar edhe shtypi në Tiranë, bazuar në rrëfimin e kryetarit të shoqërisë “Shqiptaro-Amerikane”, Koli Rodhe. Aty vihet në pah se Marigo Pozio nga Hoçishti i Korçës (grua e një tregtari vlonjat), ndonëse atë ditë ndodhej në Korfuz, në pamundësi që ta fuste një mashkull flamurin në Shqipëri (për shkak të pengesave të mëdha doganore nga autoritetet turke), këtë gjë e bëri Marigo Pozio, e cila e mbështolli brenda veshjeve të sipërme dhe e solli në Vlorë.

CILA ËSHTË E VËRTETA PËR FLAMURIN QË U NGRITË NË VLORË?

Çështja e origjinës së ardhjes së Flamurit Kombëtar: Marigo Pozio, Qamil Panariti, Spiridon Ilo, Eqërem bej Vlora, – varianti i fundit, duket me i besueshëm dhe pikërisht këtu menduam te ndalemi: Në Arkivin Qendror të Shtetit, gjendet një shkresë e kryeministrit Koço Kota, datuar 10 shkurt 1930, drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë Shqiptare, ku thuhet: “Ministria e Punëve të Brendshme, e mbështetur në hetimet e bëra prej Prefekturës së Vlorës, me shkresën e saj Nr. 8431/1, datë 29.01.1930, njofton se i pari flamur që është ngritur në Vlorë, më 28 XI. 1912, ndodhet në duart e Z. Eqrem Vlora, Ministër i Mbretërisë në Athinë”

Dëshmi tjetër: është dhe ajo e Rauf Ficos, ministër i Jashtëm, ku thuhet; “Ministria e Punëve të Brendshme, me një shkresë, na bën të ditur se, si mbas hetimeve të bëra prej Prefekturës së Vlorës, i pari Flamur që është ngritur në Vlorë, më 28. XI. 1912, ndodhet në duar e z. tuaj, me qenë se, Qeveria jonë ka vendosur mbledhjen e sendeve historike në Muzeumin Kombëtar, do të jetë një gjest patriotik shumë i çmuar, nëse kini mirësinë t`ia dhuroni muzeumit në fjalë, ku vizitorët të venë të shohin simbolin e parë të shenjtë të Independencës sonë kombëtare”.

Në letër, pasi e falënderon Ministrinë e Jashtme, që më në fund është kujtuar për ta kthyer flamurin e ngritur në Vlorë, në material muzeor, me keqardhje thotë se; ai flamur nuk ekziston më!

Më poshtë në letër, z. Vlora thekson se ky flamur, pas përfundimit të Kuvendit të Vlorës (28. XI. 1912), u rikthye në shtëpinë e tij dhe ka vazhduar ta mbajë atë, si të shenjtë. Mirëpo, në vitin 1914, kur në Vlorë hynë forcat rebele të Shqipërisë së Mesme, nga frika se do ta gjenin flamurin (sepse shtëpitë e bejlerëve shqiptarë, që kishin orientime perëndimore, u dogjën tërësisht), zonja Delvina, një grua patriote që kishte qëndruar në shtëpinë e tij, gjatë largimit nga Vlora, për në Delvinë, e merr me vete edhe flamurin.

Znj. Delvina këtë flamur e ruan me kujdes (si sytë e ballit), së bashku me gjësendet e saj personale. Në këtë situatë të nderë, kur në vitin 1914, hynë në Jug të Shqipërisë forcat greke “Verio-Epirote”, të cilat pretendonin bashkimin e kësaj pjese shqiptare me Greqinë, sulmojnë Delvinën dhe meqë familja e znj. Delvina ishte në fokus për të persekutuar, detyrohet të shpërngulet në Korfuz, duke lënë gjithçka kishin në shtëpinë e tyre.

Gjatë operacioneve pushtuese, ushtria greke, pasi kishte plaçkitur, djegur e shkretuar Delvinën, ia vuri zjarrin edhe shtëpisë së delvinjave dhe së bashku me gjësendet e mbetura brenda në shtëpi, u dogj edhe flamuri.

Si përfundim, duke u bazuar në këto dokumente, duket se janë zbehur të gjitha versionet që kanë të bëjnë me fatin e flamurit historik, i cili më 28 Nëntor 1912, qe ngritur nga Ismail Qemali në ballkonin e shtëpisë, ku u mbajt Kuvendi i Vlorës 28 nëntori 1912 dhe u shpall pavarësia me 37 delegatë dhe më pas 63 (shkaqet). (28. XI- 7. XII).

KUSH ËSHTË ATDHETARI FUAT DIBRA, QË SHKRIU TËRË PASURINË PËR KOMBIN DHE SHQIPËRINË ETNIKE?

Me këtë rast, nuk duhet harruar ndihmën e madhe financiare që ka dhënë atdhetari i palodhshëm Fuad Dibra, i cili vullnetarisht, i kishte dhënë Ismail Qemalit mbi 30 mijë napolona floriri, që të operonte nëpër oborret diplomatike të Evropës. Ky atdhetar i madh, i paguante edhe gazetat që botonin artikuj në dobi të çështjes sonë kombëtare. Fuat Dibra, personalisht ka harxhuar vetëm për delegacionin shqiptarë që qëndroi në Paris, mbi gjashtë muaj, mbi 500 mijë franga floriri.

Ky atdhetar i shkriu për të mirën e çështjes kombëtare, 5 hotele të tij në Paris. Ky atdhetar i palodhshëm i çështjes kombëtare Shqiptare, rrjedh nga një familje atdhetare, babi i tij, Ismail Hoxha, kishte funksione të larta në Perandorinë Osmane, financoi Kongresin e Manastirit dhe të Dibrës.(V.Xh).

Fuat Dibra ka bashkëpunuar ngushtë pos Ismail Qemalit, edhe me Dervish Himën, (Ibrahim Temon), Rexhep Mitovicën, Bedri Pejanin, Lev Nosin, Mit’hat Frashërin dhe Shefqet Shkupin. Ky ka luajtur një rol tejet pozitiv, me rastin e bashkimit kombëtar në tokat e liruara nga Tetova, Struga deri në Dibër.

Më 16 tetor 1943, u mblodh në Tiranë Kuvendi Kombëtar, i cili shpalli “Këshillin e Lartë të Regjencës” të përbërë nga Mehdi Frashëri, Fuat Dibra, At Anton Harapi e, Lef Nosi dhe më 5 nëntor 1943, Regjenca emëroi qeverinë me Kryeministër Rexhep Mitrovicën, të cilit iu besua edhe detyra e Ministrit të Kulturës Popullore.

Po ashtu Fuat Dibra, Ka qenë Komandant i Përgjithshëm i Forcave Vullnetare Shqiptare, i emëruar nga Komiteti Lidhjes së Dytë të Prizrenit. Për këto merita, Kryetari i Komunës së Tetovës, Shuaip Kamberi, me rastin e vdekjes së këtij atdhetari të madh, në vitin 1944 në Tetovë, me rrethinë, shpalli tre ditë zi. Por pas luftës, edhe pse shkriu tërë pasurinë e tij për të mirën e Kombit, komunistët e nxorën nga varrezat e qytetit në Tiranë.

TAJAR TETOVA-DERRALLA, NË KUVENDIN E VLORËS

Me këtë rast duhet theksuar se në Vlorë, ka marrë pjesë edhe oficeri shqiptar, Tajar bej Tetova. Ky, gjatë revolucionit xhonturk, vriste e priste për Turqinë. Por më në fund u bindë, se më mirë është të luftosh për kombin, se sa për Turqinë. (Prandaj është mirë kur shqiptarët binden më në fund “se kombi është mbi gjithçka”.).

Ky oficer i larë tetovar, në qershor të vitit 1912, braktisi ushtrinë turke dhe doli në mal. Dalja në mal e Tajar Tetovës dhe ushtarakëve të tjerë, ndikoi me të madhe në zgjerimin e kryengritjes në rrethin e Manastirit dhe të Dibrës, deri në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë.

Në bazë të dokumenteve më të reja, Tajar bej Tetova, ka dhënë një kontribut të madh edhe në shpalljen pavarësisë së Shqipërisë, në vitin 1912, kur Ismail Qemali e dërgon në Dibër me një delegacion, me qëllim që krahina e Dibrës, t’i bashkëngjitet Qeverisë së Vlorës. E cila e kishte ngrit flamurin me 27 nëntor 1912.

Kjo ishte arsyeja pse këta fanatikë, e kërkonin Tajar Tetovën që ta burgosin, pasi këta dogmat që luftonin për rikthimin e Turqisë në vendet tona, e shpallën Tajarin anti-turk dhe kërkonin kokën e tij. Për këtë arsye, Tajar Tetova do të rikthehet në Elbasan, duke u fshehur për t’i shpëtuar ndjekjeve të rebelëve të Haxhi Qamilit, të cilët e kërkonin për ta vrarë, si person me ide anti-turke.

ISMAIL QEMALI ME DORËN E TIJ E SHPALLI PAVARËSINË E SHQIPËRISË NË EMËR TË KATËR VILAJETEVE: TË KOSOVËS-MANASTIRIT-SHKODRËS DHE JANINËS

Vlora heroike i priti delegatët me entuziazëm të madh dhe me një atmosferë të pa përshkruar, në mbrëmjen e 26 nëntorit. Pra delegacioni shqiptarë nuk ka arritur në Vlorë më 25, si është shkruar deri tani, por më 26 nëntor.

Me të arritur në Vlorë, Ismail Qemali filloi parapërgatitjet në qytetin e tij të lindjes, për shpalljen e Pavarësisë. Në qytet ende valonte flamuri turk dhe funksiononte administrata e saj. Puna e parë e udhëheqësit kombëtar, ishte organizimi i forcave të armatosura.

Për këtë qëllim, ai formoi një komision organizues dhe u dërgoi pleqësive të fshatrave një qarkore, me anën e së cilës porositeshin që të mobilizoheshin njerëzit e aftë, për mbrojtjen e Qeverisë së ardhshme shqiptare, që do të shpallej së shpejti.

Në këto rrethana të jashtëzakonshme, kur ushtria serbe mbante të rrethuar Durrësin, delegatët që kishin arritur në Vlorë, mbajtën një këshillim në mbrëmjen e 27 nëntorit, ku vendosën që shpallja të bëhej ditën e nesërme, pra më 28 nëntor.

Deri në atë kohë, nuk kishin arritur akoma përfaqësuesit e disa krahinave. Sipas njoftimeve që kishte marrë Ismail Qemali, një numër i madh i delegatëve, ishte ende në lëvizje e sipër, nëpër rrugët e vështira të Shqipërisë.

Ka pasur raste kur shumë delegatë, për të kaluar kurthin e ushtrisë serbe, është dashur të veshin edhe ferexhe grash, siç është rasti me atdhetarin e njohur nga Dibra, Sherif Langun, i cili deri në rënien e Kosovës dhe Dibrës, në duart e ushtrisë serbe, mbante postin e kryetarit të Myftinisë në Dibër. Ky për të shkuar në Vlorë, ka udhëtuar nga Dibra, Elbasani, më se 10 ditë, për të arritur në Vlorë, në aktin e Shpalljes së Pavarësisë.

Pasi në këtë kohë Manastiri, Struga dhe Ohri, ndodheshin në duart e ushtrisë serbe. Ky atdhetar pas Luftës së Dytë Botërore nga pushteti komunist u dënua me 10 vjet burg, edhe atë në pleqëri të thelë kur i kishte mbushur mbi 70 vjet. “Këto dëshmi Sherif Langu i deklaroi në burg para Mehmet Shehut. Unë kur kam qenë për Shqipëri, babai yt mendonte për Baba Dovlet” (V.Xh).

PARIA E OHRIT PËRKRAHU AKTIN E PAVARËSISË

Madje kryeministri (me origjinë shqiptare) i asaj kohe në Rumani, Taqe Junesku, një shqiptar me origjinë nga Ohri, i dërgoi Ismail Qemalit, 500 mijë franga ari, për të përballuar shpenzimet e udhëtimit. Për shkak të rrethanave të vështira të shkuarjes në Vlorë, edhe paria e Ohrit dhe Strugës, më 27 nëntor, i ka dërguar Ismail Qemalit një telegram, me të cilin e njoftojnë se: “Solidarizohen për Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë Etnike”.

Telegrami është i nënshkruar: Myderisi Sheh Ismaili, Sheh Hasan Abdullahu, Emurlla Nexhati Abdylqerim, Kadiu i vendit Hysni Huseini, Mehmet Fehmiu, Haxhi Jaha dhe Hajdar Pasha, në emër të të gjitha mëhallëve të Ohrit.

Edhe pse Kosova dhe trevat tjera lindore në këtë kohë, ishin të pushtuara nga ushtria serbe, në Kuvendin e Vlorës, morën pjesë; Rexhep Mitrovica, Sali Gjuka e, Bedri Pejani, si përfaqësues të Gjakovës, Pejës e Gucisë. Pasi Hasan Prishtina, ditën historike të shpalljes së pavarësisë kombëtare, ndodhej i mbyllur në burgun Beogradit, së bashku me Idriz Seferin, Nexhib Dragën dhe disa udhëheqës tjerë të njohur, pas Kryengritjes Shqiptare të Kosovës 1912. (Shih librin e Vebi Xhemailit, ‘Shqiptarët e Maqedonisë së sotme’ 1843-1913).

REXHEP MITROVICA, E NOMINOI I PARI ISMAIL QEMALIN PËR KRYE PARLAMENTAR

Në gazetën “Përlindja e Shqipërisë”, është shkruar se; “Në hapjen solemne të Kuvendit të Madh të Vlorës, para delegatëve dhe burrave të ardhur nga të gjitha trojet etnike shqiptare, (është fjala për katër vilajetet shqiptare), pas verifikimit të mandatit, e mori fjalën Rexhep Mitrovica, i cili propozoi që për kryetar të Kuvendit të Parë Kombëtar të emërohet Ismail Qemali, si shkronjës i parë të emërohet Luigj Gurakuqi, ndërsa për shkronjës të dytë, Shefqet bej Daiu. Delegatët e pranuan njëzëri këtë propozim, me të përplasur duarsh”.

Më vonë, Aktin e Pavarësisë, e shënoi edhe Lef Nosi në përmbledhjen e “Dokumenteve historike”, por regjimi komunist i Enver Hoxhës, i falsifikoi këto dhe shumë dokumente të tjera, duke mbuluar kështu emrat e Rexhep Mitrovicës, Mit’had Frashërit, Lef Nosit, Dervish Himës, Fuat Dibrës, Mehmet Derrallës dhe disa nacionalistëve tjerë ,që luftuan tërë jetën për bashkimin e kombit. Këta u fshinë, jo vetëm nga dokumenti përkatës por, edhe nga historia kombëtare. Memorie.al