40.5 C
Tirana
E hënë, 11 Gusht, 2025

Tensionet në rritje me Rusinë, Gjermania harton një listë të bunkerëve që mund të ofrojnë strehim emergjent për civilët

Gjermania po harton një listë të bunkerëve që mund të ofrojnë strehim emergjent për civilët, tha ministria e brendshme, në një kohë të tensioneve në rritje me Rusinë.

 

Lista do të përfshijë stacionet e trenave nëntokësore dhe parkingjet e makinave, si dhe ndërtesat shtetërore dhe pronat private, tha një zëdhënës i ministrisë, raporton The Guardian.

Do të hartohet një drejtori digjitale e bunkerëve dhe strehimoreve emergjente në mënyrë që njerëzit t’i gjejnë ato shpejt duke përdorur një aplikacion të planifikuar telefoni. Njerëzit gjithashtu do të inkurajohen të krijojnë strehimore mbrojtëse në shtëpitë e tyre duke konvertuar bodrumet dhe garazhet, tha zëdhënësi në një konferencë për shtyp.

Ai nuk pranoi të jepte një plan kohor, duke thënë se ishte një projekt i madh që do të kërkonte pak kohë, duke përfshirë Zyrën e Mbrojtjes Civile dhe Ndihmës ndaj Fatkeqësive dhe autoritete të tjera.

Vendi me 84 milionë banorë ka 579 bunkerë, kryesisht nga Lufta e Dytë Botërore dhe epoka e Luftës së Ftohtë, të cilët mund të ofrojnë strehim për 480,000 njerëz, nga rreth 2,000 bunkerë më parë.

Zëdhënësi tha se pikat kyçe të planit u ranë dakord në një konferencë të zyrtarëve të lartë në qershor dhe një grup i posaçëm po e shqyrtonte atë.

Që nga pushtimi i plotë i Rusisë në Ukrainë në vitin 2022, shqetësimet janë rritur në lidhje me potencialin e Moskës për të synuar anëtarët e tjerë të NATO-s. Në tetor, shefat e inteligjencës gjermane paralajmëruan se Rusia ndoshta do të jetë në gjendje të nisë një sulm ndaj aleancës ushtarake deri në vitin 2030.

Zyrtarët gjermanë thonë se vendi tashmë po përjeton një rritje të mprehtë të aktiviteteve të spiunazhit dhe sabotimit rus. Javën e kaluar presidenti rus, Vladimir Putin, tha se konflikti në Ukrainë kishte karakteristika të një lufte “globale” dhe ai nuk përjashtoi sulmet ndaj vendeve perëndimore.

SPAK goditi grupin kriminal/ Gazetarja: Biznesmeni Bujar Shega lidhje krushqie me ish-deputetin, ka përfituar një sërë tenderash

Marsel alias Bujar Shega është një ndër emrat kryesorë të bandës kriminale të Suel Çelës që u godit sot nga SPAK.

 

Bujar Shega, administrator i dy kompanive Viola Green dhe Wonder Green u arrestua në Milano.

Kompanitë e tij, kanë fituar tendera për pastrimin e disa qyteteve dhe Shega njihet për njohje dhe lidhje të forta në politikë.

Lidhur me këtë person, gazetarja Klodiana Lala, tha sot në emisionin Open se Bujar Shega ka lidhje të forta me politikën. Ajo trego se biznesmeni Bujar Shega ka një lidhje krushqie me ish-deputetin e PDIU-së, Aqif Rakipi.

Lala: Bujar Shega ka një lidhje krushqie me ish-deputetin e PDIU-së, Aqif Rakipi. Ai është i përfshirë jo vetëm në çështjen e trafikut të drogës, por edhe pastrimit të parave. Ai ka dy kompani, ndërsa ka qenë ish-ortak me Zihni Demon, babain e Kryebashkiakut të Beratit.

Vendimi i Gjykatës Kushteteuse nuk hoqi asnjë imunitet të asnjë deputeti

Nga Fitim Zekthi

Ka vite, por të paktën që nga viti i kaluar ky diskutim ka hyrë në një fazë tjetër, që imuniteti parlamentar bëhet çështje debati. Pavarësisht rastit konkret të arrestit shtëpiak të ish kryministrit Berisha kjo është një çështje me rëndësi shumë të madhe për mënyrën se si do të veprojë drejtësia në Shqipëri dhe për mënyrën se si ne si shoqëri do të shohim dhe kuptojmë politikën dhe qeverisjen. Rasti i Sali Berishës mund të shërbejë si mundësi e mrekullueshme për ta zgjidhur, dhe duket se Gjykata Kushteteuse e beri mirë dhe me themel këtë çështje që ti jepet vendi që i takon politkës, imunitetit politik dhe drejtësisë.

Shqipëria është një fazë kapërcyelli të fortë. Askush nuk e di me saktësi se çdo do të ndodhë me rrugën tonë politike. Askush nuk mund të thotë nëse do të fitojë sistemi politik i ngritur në 30 vite, sistemi i një aleance të biznesit klientelist, krimit të organizuar dhe politikanëve kryesorë dhe grupimeve të tyre apo do të fitojë lufta ndaj këtij sistemi. Askush nuk mund të thotë me siguri nëse do të dalë vendi nga “tranzicioni”, nga kultura e pandëshkueshmërisë dhe askush nuk mund të thotë se do të hyjmë në një fazë të re ku politika do të jetë një institucion që jep llogari dhe e fut vendin në një fazë të re të sundimit të ligjit. Shumëçka do të varet nga fati i drejtësisë, nga fati i prokurorisë speciale, nga lufta ndaj pandëshkueshmërisë që ka nisur.

Sistemi politik ka reaguar me egërsi ndaj drejtësisë dhe nisjes së ndëshkueshmërisë. Pika bazë është mospranimi i politikanëve të lartë të hetohen, është sulmi i ashpër i tyre me gjithçka se ata po hetohen politikisht. Imuniteti është një nga gjërat në qendër të këtij debati apo kësaj lufte. Sigurisht lufta ndaj drejtësisë që po arrin të godasë njerëz dhe subjekte të paprekshme në 34 vite është shumë më e gjerë dhe shumë më e egër se sa ajo që shfaqet me çështjen e imunitetit. Gjithsesi tek rasti i imunitetit drejtësia dha shenja të forta se gjërat nuk do të shkojnë në drejtimin e pushtetarëve të lartë dhe njerëzve të fuqishëm. Lufta për imunitet është në radhë të parë në interes të qeverisë dhe kryeministrit. Mjafton të shohim se si ai mbrojti me forcë dikur ish ministrin e brendshëm. Opinioni publik mund të jetë zhurmuar apo edhe helmuar nga propaganda mbi çështjen e imunitetit apo çështjen e gjasme anësisë politike të prokurorisë. Po si qëndron kjo çështje, çfarë është imuniteti dhe nga se i mbron ai deputetët?

Për të kuptuar më qartë këtë situatë po hyjmë në një rravgim pak më të gjerë mbi natyrën e imunitetit parlamentar dhe mbi arsyet e ekzistencës për të parë nëse kemi të bëjmë me thyerje të parimeve dhe arsyeve të ekzistencës së imunitetit parlamentar.

Imuniteti parlamentar ofron mbrojtje në dy drejtime për deputetët: njëra është mbrojtje nga hetimi, dënimi apo ndjekja penale për ato që ai thotë në diskutimet në parlament dhe tjetra është mbrojtja nga ndjekja, hetimi dhe arrestimi për një krim që ai ka kryer. Imuniteti parlamentar ndonëse njihet që në Romën e vjetër ku senatorët kishin një mbrojtje të posaçme rrënjët e tij i ka në traditën anglosaksone.

Në shekullin 14-të në Angli anëtarët e parlamentit ishin të lirë të flisnin dhe diskutonin në debatet parlamentare si të donin dhe ata nuk mund të merreshin në pyetje apo të niste një procedurë shkarkimi në një vend tjetër veç parlamentit. Në vitin 1689 kjo normë u përfshi në “Kartën e të Drejtave” në Angli. Ndërkohë Anglia ka një traditë të njohur edhe në mbrojtjen e deputetëve për një krim që ata mund ta kenë kryer e cila thotë se se deputetët “mbrohen nga arrestimi” në disa raste të veçanta.

Njëqind vjet pas Kartës së të Drejtave në Angli kjo traditë mori formë të shkruar në Kushtetutën e SHBA e cila thotë se “anëtarët e Kongresit janë të mbrojtur nga arrestimi – përveç rasteve të tradhtisë, krimeve serioze, dhe prishjes së paqes,- gjatë pjesëmarrjes në sesion në secilën nga dhomat (e përfaqësuesve apo senat) dhe gjatë në kongres apo kthimit për në shtëpi nga kongresi…” Pra anëtarët e kongresit mund të arrestohen pa leje të kongresit për akuzën e tradhtisë, atë të krimeve serioze (që përfshin vrasjet, vjedhjet me dhunë, përdhunimin etj) dhe thyerjen e paqes që mund të jetë nxitje për dhunë, prishje e rendit publik, demonstrata të paligjshme etj. Për akuza apo krime të tjera duhet leja nga kongresi.

Më e rëndësishme se sa renditja e krimeve për të cilat kryhet arrestimi pa leje apo me leje të kongresit është arsyeja doktrinare e këtij neni në kushtetutën e SHBA-së. Laurence Tribe, një konstitucionalist i njohur amerikan thotë se ky lloj imuniteti nuk i takon anëtarit të kongresit por institucionit. Në traditën anglosaksone, që në shekullin e 14-të, për të mos lejuar mbretin të pengojë mbledhjen e parlamentit duke urdhëruar gjykatat të arrestojnë deputetë, u pengua arrestimi i deputetëve kur ata janë nisur nga shtëpia e tyre për në parlament dhe në kthim për në shtëpi. Pra tradita anglosaksone mbron parlamentin nga mbreti, mbron mbledhjen e tij në seancë, mbron kuorumin e parlamentit nga prishja e këtij nga kuorumi nga mbreti me anë të arrestimit të deputetëve. Për këtë shkak edhe kushtetuta e SHBA-së thotë tekstualisht se “ndalohet arrestimi i kongresmenëve gjatë pjesëmarrjes në sesion dhe gjatë rrugës për në kongres apo kthimit në shtëpi, përveç rasteve të tradhtisë, krimeve serioze dhe thyerjes së paqes…” Kjo pasi mund të ndodhë që gjykata apo mbreti (qeveria, presidenti, guvernatori) arreston një, disa apo shumë deputetë sa për të prishur balancën parlamentare që aty të merret vendimi që ai do.
Të nesërmen deputeti mund të lirohet por vendimi në parlament u mor. Pikërisht për këtë shkak tradita anglosaksone i ka lënë parlamentit të drejtën që të japë leje për arrestim.

Veç traditës anglosaksone ka edhe një traditë tjetër të imuniteteve parlamentare. Është tradita e që buron nga Asambleja Kombëtare e Francës në vendimin e saj të 23 qershorit të vitit 1789 i cili thotë se “personi anëtar i asamblesë nuk mund të preket nga asgjë.” Bëhet fjalë për asamblenë që lindi në revolucionin e frikshëm dhe të poshtër jakobin, e cila me anë të këtij akti për imunitetin synonte të tregonte superioritetin e saj mbi organet e tjera të cilat nuk ishin ende revolucionare.

Gjithashtu akti kërkonte ti jepte mbrojtje të plotë anëtarëve të asamblesë në një kohë trazirash dhe dhune ekstreme. Europa dhe pas viteve 1990 Europa lindore dhe ajo qendrore kanë zgjedhur për arsye kulturore dhe historike modelin francez. Sigurisht që imuniteti sot në Europë nuk është ai i kohës së revolucionit jakobin por gjithsesi imuniteti ose mendësia e përdorimit të imunitetit është shumë më e fortë se sa në traditën anglosaksone.

Për të kuptuar se sa shumë ka ndryshuar koncepti mbi imunitetin në Europë po themi që parlamenti europian i hoqi imunitetin kryetares së partisë Fronti Kombëtar Marinë Le Pen pak vite pas një kërkesë të prokurorisë franceze. Prokuroria franceze nuk paraqiti prova në parlamentin europian por vetëm një kërkesë ku tha se Le Pen ka publikuar krime të mynxyrshme të ISIS në llogarinë e saj në Instagram dhe kjo u pa si nxitje e dhunës dhe ekstremizmit. Po ashtu parlamenti i Saksonisë në Gjermani i hoqi imunitetin drejtueses së partisë AFD Frauke Petry sepse ajo akuzohej se i kishte kërkuar një anëtari të partisë që të financojë partinë ndryshe nuk do të kandidonte. Edhe në këtë rast prokuroria nuk shkoi në parlament dhe të debatonte me deputetët për provat por paraqiti kërkesën.

Shqipëria e cila mori një nismë për të hequr imunitetin e deputetëve disa vite më parë zgjodhi variantin anglosakson duke i dhënë parlamentit vetëm të drejtën për të dhënë leje për arrestim, për kontroll personal dhe për kontroll banese. Pra, sot Shqipëria nuk lejon arrestimin e një deputeti (veç rasteve flagrante) duke e menduar këtë mbrojtje si mbrojtjen ndaj institucionit.

Ligji jonë thotë, me fjalë të tjera, se parlamenti nuk lejon arrestimin e deputetit kur kërcënohet vajtja e tij në mbledhje apo prania në seancë, kur kërcënohet mbarëvajtja e tij e seancës apo komisioneve, kur kërcënohet kuorumi. Pra, parlamenti nuk duhet ta lejojë prokurorinë dhe gjykatën të prishë balancën parlamentare apo vendimmarrjen e parlamentit. Nuk ka mbrojtje për deputetin. Pra nuk u hoq asnjë imunitet në fakt. Në rastin tonë, në Shqipëri, masa e marrë nga SPAK apo nga GjKKO, më herët dhe nga Gjykata Kushteteuse pak ditë më parë, nuk prek fare funksionimin e parlamentit, të mbledhjeve të tij, të kuorumit të tij. Pra, parë në një kënd të djathtë, në një kënd konservator në rastin tonë nuk kemi asnjë lloj shkelje të parimeve themelore të së drejtës. Parë në një kënd tjetër, në një kënd të vlerave të revolucionit francez kemi të bëjmë me shkelje të parimeve themelore të së drejtës.

E keni njohur Kosovën! Nervozohet Vuçiç: Nuk është thënë kurrë, nuk dua “Serbinë e Madhe”

Një intervistë jo e lehtë ka qene ajo për presidentin Aleksandër Vuçiç, i cili në disa raste është vënë në vështirësi nga gazetari i BBC Stephen Sackur ne programin “Hard Talk”.

Vuçiç nuk e fshehu dot nervozimin kur Sackur përmendi se Serbia ‘de facto’ e njeh Kosovën, pasi prej vitesh po dialogon me këtë vend për normalizimin e marrëdhënieve.

“Kjo nuk është e vërtetë. Nuk është thënë apo shkruar askund. Normalizimi do të thotë që ne të jetojmë në paqe, stabilitet, qetësi, të kemi qarkullim të lirë të mallrave, kapitalit, njerëzve, shërbimeve, të zhvillojmë ekonomitë tona, të fillojmë të diskutojmë çështje të ndryshme dhe të përpiqemi t’i zgjidhim ato”, u shpreh Vuçiç.

Sipas tij, paqja dhe stabiliteti në Kosovë janë çështje për ata që “hapën kutinë e Pandorës”. Gazetari i kujtoi Vuçiçit rininë si pjesëtar i partisë radikale serbe dhe përqafimin e ideologjisë së “Serbisë së Madhe” gjatë shpërbërjes së ish-Jugosllavisë.

“Nuk kam turp të them se kam ndryshuar”, tha Vuçiç, edhe pse shton se nuk dakordësohet me të sa i përket atyre që ishin përgjegjës për konfliktet apo gjakderdhjet në Ballkan.

Ai e cilësoi të pavërtetë pretendimin se po përpiqet të rikthejë Serbinë e Madhe, pas kuvendit gjithëserb gjatë verës.

“Kjo është një histori e fabrikuar e njerëzve që donin të dëmtonin Serbinë dhe interesat kombëtare serbe. Sepse po citoni diçka që e keni nxjerrë jashtë kontekstit. Deklarata thotë se ne mbështesim plotësisht marrëveshjes e paqes që u nënshkrua në vitin 1995. Unë gjithashtu kam thënë një mijë herë, dhe e përsëris tani, se ne mbështesim integritetin territorial të Bosnje dhe Hercegovinës”, tha Presidenti serb.

Vuçiçit ju desh të jepte llogari edhe për lidhjet e forta me Rusinë dhe faktin që nuk i bashkohet sanksioneve të BE-së, edhe pse aspiron të bëhet pjesë e bllokut. Serbia vendos vetëm, tha Vuçiç, që theksoi se ishte i ulur në një karrige dhe jo dy të tilla.

I arrestuar si truri financiar i organizatës së Suel Çelës, kompania e Bujar Shegës kontrollon tenderat e pastrimit në Elbasan, Peqin dhe Berat

Një operacion i SPAK u pasua nga 21 masa sigurie, 18 prej të cilave janë “arrest me burg”. Mes të arrestuarve është edhe biznesmeni Bujar Shega, i cili është arrestuar në Milano.

Bujar alias Marsel Shega konsiderohet si truri financiar i organizatës kriminale që drejtohet nga Suel Çela, një prej emrave më të njohur të botës së krimit, i shpallur me herët në kërkim në kuadër të operacionit Plumbi i Artë.

Shega është pronar i dy kompanive, por gjithashtu ai ka qenë ish-ortak në një biznes me babain e Kryebashkiakut të Beratit, Ervin Demo.

Kryesisht tenderat e fituar nga kompanitë e Bujar alias Marsel Shega kanë fituar tendera për pastrimin në Elbasan, Berat dhe Peqin.

SPAK njoftoi se operacioni për ekzekutimin e masave të sigurisë është në vijim dhe po mbështetet nga Europol dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese shqiptare.

Goditja e organizatës kriminale ka ardhur pas zbërthimit të komunikimeve në SkyEcc, si dhe provave të tjera të sjella nga autoritetet belge, të cilat kanë hetuar prej vitesh në trafikun e kokainës dhe pastrimit të parave.

Pse po hetohen nga SPAK gazetarët Artan Hoxha dhe Elton Qyno?

Prokuroria e Posaçme njoftoi caktimin e 21 masave të sigurisë në kuadër të një hetimi ndaj një organizate kriminale, pa dhënë detaje të tjera. Mes personave në hetim edhe një zyrtar i lartë policie, një ish-gjyqtar dhe dy gazetarë.

Nga Edmond Hoxhaj

Gazetarët Artan Hoxha dhe Elton Qyno u fotografuan pasditen e së hënës teksa hynë në godinën e Prokurorisë së Posaçme në Tiranë dhe dolën gati një orë më vonë me dokumente në duar.

Sipas një njoftimi të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata ka caktuar masën e sigurisë “detyrim për paraqitje” ndaj dy gazetarëve si dhe masa më të rënda sigurie ndaj 19 personave të tjerë, mes të cilëve anëtarë të një organizate kriminale, një zyrtar i lartë policie, një ish-gjyqtar dhe një avokat.

SPAK nuk sqaroi arsyet e hetimit ndaj dy gazetarëve dhe personave të tjerë, ndërsa deklaroi se të dhënat do t’i publikojë të martën.

“Me qëllim ruajtjen e integritetit të këtij operacioni, Prokuroria e Posaçme do të publikojë më shumë të dhëna rreth këtij hetimi ditën e nesërme,” tha SPAK në njoftim.

Gazetarët Hoxha dhe Qyno nuk ishin të arritshëm për koment. Përfaqësuesi ligjor i Qynos, Dorian Matlija tha se nuk mund të komentonte, pasi nuk ishte njohur ende me vendimin e caktimit të masës së sigurisë.

Gjatë dy viteve të fundit, Prokuroria e Posaçme ka ndërmarrë disa operacione kundër krimit të organizuar mbi bazën e një sasie të madhe komunikimesh të siguruara nga deshifrimi i aplikacionit Sky ECC.

SPAK bëri me dije se edhe operacioni i fundit ishte ndërmarrë në kuadër të një hetimi të një organizate kriminale me shtrirje ndërkombëtare dhe se ishte mbështetir nga Europol dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese shqiptare dhe evropiane./BIRN

Basha: Dënimi i Dakos fillim i mirë, por i pamjaftueshëm, duhet të hetohet për lidhjet me krimin e organizuar

Kreu i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka reaguar për dënimin e ish-kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako.

Në një postim në facebook, Basha e cilësoi Dakon si një “hajdut të dobishëm” për Edi Ramën, duke akuzuar se ai ka shndërruar Bashkinë e Durrësit në një vatër korrupsioni dhe ka shërbyer për interesa elektorale dhe kriminale.

Ai shkruan se sanksionimi i Dakos nga SHBA dhe dënimi i tij nga GJKKO janë tregues të degradimit të pushtetit të Ramës, por se hetimet duhet të shkojnë më thellë për lidhjet e Dakos me krimin. Ai kërkoi që hetimet për dosjen famëkeqe 339 të vazhdojnë, duke theksuar nevojën për ndarje të politikës nga krimi dhe luftë të fortë kundër korrupsionit.

Reagimi i plotë i Bashës:

Vangjush Dako është një nga hajdutët e dobishëm të Edi Ramës, përmes të cilit e ktheu Bashkinë e Durrësit në një vatër korrupsioni, në shërbim të interesave ekonomike dhe elektorale të pushtetit dhe krimit të organizuar.
Sanksionimi i tij si “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe dënimi nga GJKKO, janë tregues të degradimit të pushtetit të Edi Ramës, i cili ka përdorur Dakon për vjedhjen e zgjedhjeve dhe shkatërrimin e Durrësit, e po ashtu ka qenë një nga mbrojtësit më të ethshëm të ish-kryebashkiakut, duke i krijuar ndër vite një imunitet të paligjshëm.
Vendimi i sotëm i GJKKO është një hap i parë pozitiv, por i pamjaftueshëm. Vangjush Dako duhet të hetohet për lidhjet e tij me krimin dhe përdorimin e pushtetit në funksion të organizatave kriminale në këmbim të votave.
E gjithë bota e ka dëgjuar përmes BILD se si Dako bashkëpunonte me krimin e organizuar për të përfituar vota në Durrës. Dosja famëkeqe 339 nuk mund të harrohet, por duhet t’i shkohet deri në fund hetimeve.
Ndarja e politikës nga krimi dhe lufta kundër korrupsionit janë kusht për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe për një qeveri që i shërben qytetarëve.
Shqipëria meriton më shumë!

Gjykata e Posaçme dënon me burg ish-kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dako

Gjykata e Posaçme ka dënuar me 2 vite e 8 muaj burg Vagjush Dakon, ish-kryetarin e Bashkisë së Durrësit.

Ndaj ish-kryebashkiakut socialist, SPAK kërkoi dënimin e Vangjush Dakos për “shpërdorim detyre” në dy raste dhe ka kerkuar 4 vite burgim.
Por, për shkak të gjykimit të shkurtuar Vangjush Dako u dënua me 2.8 vite burg.

Dako u përfaqësua nga avokati i tij, Petrit Ismaili, i cili gjatë konkluzioneve përfundimtare kërkoi pafajësi ose në rast të shpalljes fajtor kërkoi pezullim te ekzekutimit të dënimit me burg.

Ish-kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako akuzohet se ka kryer veprën penale “shpërdorim detyre”, në dy raste.

Njëri rast, ka të bëjë me ndërtimin e një pallati në Durrës 11 vite më parë, i cili u shemb nga tërmeti në nëntor të vitit 2019 dhe rasti tjetër ka të bëjë me një tender për ndërtimin e një shëtitoreje në vitet 2014-2015, që i ka shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej 18 milionë lekë.

Zyrtari i NATO-s: Ushtria ruse më e madhe se dy vite më parë, por ka humbur cilësinë

Forcat tokësore të Rusisë janë më shumë në numër sot se sa ishin në kohën fillimit të pushtimit rus të Ukrainës në shkurt 2022 , por cilësia e tyre ka rënë që atëherë, tha sot një oficer i lartë ushtarak i NATO-s.

Shefi i Komitetit Ushtarak të NATO-s, Admirali Rob Bauer: “Cilësia e këtyre forcave është ulur. Tani për tani rusët nuk paraqesin të njëjtin kërcënim si në shkurt 2022, kështu që ne kemi pak kohë për t’u përgatitur ,” tha kryetari i Komisionit Ushtarak të NATO-s, admirali holandez Rob Bauer , teksa komentoi për gjendjen e pajisjeve të forcave dhe nivelin e stërvitjes së ushtarëve, shkruan Reuters.

Ai tha ndër të tjera se kjo do të thotë se duhet të rriten investimet në industrinë e mbrojtjes.

“SPAK të mos vonojë hetimet për lidhjet e politikës me krimini”, Basha: Opozita duhet të luftojë për qytetarët e jo për Berishën e Metën

Kreu i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, në një intervistë për gazetën “Panorama” theksoi se qëndrimi i gjatë i mazhorancës në pushtet vjen për shkak të drejtësisë së munguar në këtë vend për 34 vjet. Ai e cilësoi jetike forcimin e drejtësisë për të ndëshkuar korrupsionin, shitblerjen e votave dhe lidhjet e qeverisë me krimin.

Basha gjithashtu tha se një shkak tjetër është edhe dobësimi i opozitës, duke theksuar se qytetarët kanë nevojë për një opozitë që lufton për interesat e tyre, jo për kryetarët e vetëshpallur.

Sipas tij, qeveria aktuale mbahet në pushtet nga pazaret mes mazhorancës dhe një pjese të opozitës. Ai shprehu besim se zgjedhjet e ardhshme qytetarët do të mundësojnë ndryshimin që vendi ka nevojë.

Pjesë nga intervista:

Pjesë nga intervista e kreut të Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, për gazetën “Panorama”:

Pyetje: Një mazhorancë së cilës i janë arrestuar ishministra dhe deputetë, e akuzuar për lidhje me krimin dhe korrupsionin, me skandale të herëpashershme, sipas jush si qëndron ende në pushtet…?

Lulzim Basha: Për shkak të drejtësisë së munguar në këtë vend për 34 vjet. Sepse është drejtësia, ajo që çon pas hekurave ata që abuzojnë me pushtetin dhe zgjedhjet, jo partitë politike. Është drejtësia, ajo që pamundëson një qeveri të mbajë pushtetin përmes lidhjeve me krimin dhe shitblerjes së votave. Prandaj për ne, një drejtësi e fortë është jetike për vendin. Po ju kujtoj përsëri dosjen “Çyrbja”, si etalon të mënyrës me të cilën kjo mazhorancë vepron përmes krimit për të rrëmbyer vota, duke përdorur po ashtu korrupsionin qeveritar për të blerë vota, përdor burimet shtetërore për të ndikuar në zgjedhje.

Kjo mënyrë e të vepruarit nuk është as meritë dhe as vlerë për ata që fryhen nga maja e malit të korrupsionit për fitore të korrura padrejtësisht. Dhe gjej rastin t’i bëj një thirrje SPAK-ut për të mos vonuar hetimet e abuzuesve me zgjedhjet e po ashtu, e mbështes dhe inkurajoj në ngritjen e pritshme të strategjisë që kanë shpallur për hetimin e krimeve në zgjedhjet që po afrojnë. Por, kjo është vetëm një pjesë e problematikës, ndonëse në 2021-shin ishte më përcaktuesja. S’ka shqiptar që nuk e di se PD-së iu vodh fitorja më 2021. Sot Edi Ramën po e mban në pushtet Sali Berisha.

Z. Rama ka investuar vitet e fundit te mbajtja e hapur e “plagës” që lëndoi opozitën, përmes mediave dhe oligarkëve të tij. Por, tashmë edhe kjo është në sytë e të gjithëve, sepse pazaret e përbashkëta mes “revolucionarëve” dhe “rilindasve” janë më të shumta se protestat. Kam besim të plotë se ky do të jetë fundi i tyre. Për pak muaj qytetarët do të kenë mundësi që të përdorin me përgjegjësi votën e tyre, duke pasur parasysh se diferenca mes atyre që duan që Shqipëria të mos ndryshojë dhe atyre që kanë bërë gjithçka për t’i dhënë një alternativë më të mirë vendit, nuk ka qenë kurrë më e qartë dhe u takon atyre të përcaktojnë me votë në cilin drejtim duan që të shkojë vendi.

Pyetje: Çfarë e rrëzon Edi Ramën nga pushteti?

Lulzim Basha: Një opozitë që lufton për qytetarët e jo për kryetarët e vetëshpallur të saj.