Kreu i Prokurorisë së Përgjithshme Adriatik Llalla, ka mbërritur me urgjencë paraditen e djeshme në Prokurorinë e Vlorës. Kjo lëvizje e kryeprokurorit vjen pas sekuestrimit të tonelatave të drogës në Babicë të Vlorës, e cila i përket bandës së Habilajve. Në dalje nga zyrat e Prokurorisë së Vlorës, duke iu përgjigjur shkurt interesit të medias, kryeprokurori tha se, Prokuroria ka hetuar disa muaj me partnerët ndërkombëtarë për tonelatat e drogës në Babicë. “Prokuroria prej disa muajsh kishte në hetim rastin konkret. Bashkë me partnerët tanë ndërkombëtarë u finalizua me rezultate konkrete. Në vijim do të kemi të dhëna më të sakta”, u shpreh Llalla. Situatën në Qarkun e Vlorës, kryeprokurori e cilësoi shqetësuese, ndaj paralajmëroi zhvillime në vijim.
Më pas, Llalla zhvilloi një takim edhe me prokurorët e Lushnjës. Llalla qëndroi për afro 30 minuta në zyrtën e kreut të Prokurorisë lokale, duke u dhënë të gjithë mbështetjen për zbardhjen e maskarës së Lushnjës para dhjetë ditësh ku mbetën të vrarë dy persona.
Llalla theksoi se Prokuroria e Përgjithshme ndjek me shqetësim të veçantë situatën dhe ngjarjet kriminale në të gjithë vendin, për zbardhjen e të cilave theksoi nevojën e bashkëpunimit të qytetarëve. Llalla tha për mediat se, në fokus të takimit ishte vrasja e dyfishtë e 11 tetorit të këtij viti, autorët e së cilës vijojnë të jenë në kërkim. “Ka lidhje me ngjarjet e fundit të ndodhura në qytetin e Lushnjës. Kemi ardhur për të ndjekur nga afër situatën, për t’i ofruar mbështetje stafit të Prokurorisë së Lushnjës, njëherazi të ndihmojmë të gjithë së bashku në zbulimin e autorëve të këtyre veprave penale”, u shpreh Lllalla.
Llalla: Një vit hetim me ndërkombëtarët për drogën e Habilajve në Babicë
Konfiskohet skafi i Tahirit
Konfiskohet skafi i ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Ish-kryeministri Berisha shkruan në një postim në Facebook se gjatë aksionit policor në Babicë të Vlorës ku u sekuestruan 4.5 ton drogë, u bllokua edhe skafi i ish-ministrit Saimir Tahiri. Në një status në faqen e tij të ‘Facebook-ut, Berisha shkruan se që nga viti 2013 kur Tahiri bleu skafin e trafiqeve, ai ua la në “përdorim” tezakëve famoz.
“Konfiskohet në Babicë skafi i Saje qorrit!
Të dashur miq, skafi i konfiskuar mbrëmë në Babicë është i Saimir qorrit, të cilin njëlloj si makinën pas denoncimit që i bëmë si skafoministër dy vite më parë, ai ia “shiti” me notere Moisi Habilajt.
Që nga viti 2013, kur Saje bleu skafin e trafiqeve, ai ua la në “përdorim” tezakëve famoz.
Qytetarë, Ky është Narko-shteti, pra në këtë rast shteti nuk ka dështuar në luftën kundër trafiqeve, por i bënë vetë ato. Ministri i ngarkuar me luftën e tyre bëhet organizator kryesor trafiqesh, dhe kur denoncohet me dhjetëra herë nga opozita, ai shpallet si ylli i qeverisë nga Noriega.
Sërish drogë nga Vlora në Itali, sekuestrohen 2 ton në Ferrara
Nuk ka të ndalur trafikimi i drogës nga Vlora për në Itali. Karabinierët e rajonit Ferrara në një operacion të gjerë kanë zbuluar dhe sekuestruar një ngarkesë prej mbi 2 ton marijuanë dhe hashash. Nëse kjo sasi do të hidhej në treg, trafikantët do të përfitonin mbi 20 milionë euro. Lajmi bëhet i ditur nga mediat italiane që shkruajnë se, lënda narkotike ka mbërritur në vendin fqinj nga Shqipëria përmes detit. Vlora konsiderohet nga mediat italiane si një ndër portet shqiptare nga ku transportohen “lumenj droge”.
“Është një nga sekuestrimet më të mëdha, në 20 vitet e fundit, në këtë zonë”, shkruajnë mediat e vendit fqinj. Arrin në më shumë se 2 tonë sasia e drogës së kapur nga karabinierët e Komandës Provinciale të Ferrarës, të Bërthamës Operacionale dhe Radiomobile të Comacchio, së bashku me karabinierët e Pyjeve të Zyrës Territoriale të Biodiversitetit të Casal Borsetti (RA). Sekuestrimi u bë si rezultat i shërbimeve specifike të kontrollit territorial që synonin luftën kundër kontrabandës, gjuetisë dhe peshkimit të paligjshëm. Mbrëmjen e të martës është vënë re lëvizja e dyshuar e dy furgonëve që kalonin në një rrugë jo shumë të populluar në zonën e pyllëzuar afër Bagno Piramidi, ku vazhduan të kontrollonin automjetet.
Kur kanë parë ushtrinë, automjeti i parë është bllokuar në mes të rrugës dhe dy personat u arratisën për të humbur gjurmët e tyre, falë edhe se ishte natë, duke u fshehur në pyll. Automjeti i dytë, me dy persona të tjerë në bord, pasi kishte bërë kthim pas, po ikte duke përshkuar rrugën nga e cila kishte ardhur. Menjëherë, u organizua një ndjekje dhe kërkim me ardhjen e katër patrullave të karabinierëve të Comacchio (FE), e cila, pak më pas, gjeti në një rrugë dytësore automjetin e dytë të braktisur dhe pa asnjë person.
Pas inspektimit në bord të automjeteve u gjet 2.051 kilogramë lëndë narkotike, nga ku 6 kilogramë hashash, 4 kilogramë brumë hashashi dhe kilogramët e mbetur ishin marijuanë, të cilat ishin të mbushura brenda 90 pakove të mëdha, me peshë të përafërt 20 kilogramë një pako, ku secili përmbante 4-5 pako me peshë të ndryshme.
Ndërkohë, që kontrollet vazhdonin në automjet, ushtarë të tjerë vazhduan të kërkonin të arratisurit. Vetëm një është identifikuar dhe u ndal dje në mëngjes, nga karabinierë të Comacchio, i fshehur në një fushë pranë Lido Spina, plotësisht me shenja në krahë nga gërvishtjet e ferrave, brenda të cilave kishte gjetur strehë për disa orë të natës. Në ngarkim të të riut, një 19-vjeçar shqiptar pa dokumente të parregullt, janë mbledhur të dhëna serioze dhe të rakorduara për praninë në furgonin e përdorur për të transportuar lëndë të paligjshme, përfshirë zbulimin e kartës së tij të identitetit, që i kishte rënë në kabinë ndoshta në kohën e arratisjes dhe e njohjes së tij nga personeli ushtarak që po shikonte kamerat e vëzhgimit në zonën ku u braktis mjeti. I riu është vënë nën arrest policor për veprën penale të trafikimit të lëndëve narkotike dhe është transportuar në Burgun e Ferrarës.
Në operacion morën pjesë rreth 30 karabinierë të Departamentit të Hetimeve të Repartit Operativ të Ferrarës, të forcave të Comacchio, kompetentë në territor dhe stafit të Shtabit të Karabinierëve të Pyjeve në Zyrën Territoriale të Mbrojtjes së Biodiversitetit të Casal Borsetti (RA).
Përcaktues edhe në këtë rast ishte edhe bashkëpunimi me karabinierët e Pylltarisë Speciale të kësaj province, të futur në Trupat e Pyjeve të Shtetit, në qytetet e Comacchio dhe Bosco Mesola.
Janë zhvilluar aktivitete të rëndësishme teknike dhe rikualifikimi brenda automjeteve të vëna nën sekuestro për të gjetur materiale me interes për hetime të mëtejshme, ndërsa hetimet janë drejtuar drejt gjetjes së materialeve të reja, përveç identifikimit të “korrierëve”, në veçanti për të përcaktuar rrugën e ngarkesës (për të mos u përjashtuar edhe nëse ka ardhur nga deti) dhe destinacioni i saj, si dhe për të siguruar elementë që mund të vendosin nëse Ravenna-Ferrara është rruga aktuale e drogës.
Tahiri nis të qajë: Lorenc unë po arrestohem, po shkoj në burg
Me lot në sy Tahiri është prekur në emision kur ka kujtuar se nesër do ti vihen prangat, “Lorenc unë po arrestohem, unë po shkoj në burg”, kanë qenë thirrjet e Tahirit në emisionin “Opinion”
Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ka deklaruar se Prokuroria për Krimet e Rënda, ka kërkuar arrestimin e tij, por jo hetimin.
Tahiri tha se kjo Prokurori po bën atë që se ka bërë kurrë me asnjë politikan tjetër.
Sipas tij, ajo po kërkon direkt arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm, por pa hetuar lidhjet e tij me grupin kriminal të Habilajve.
“Kuvendi është thirrur të votojë, nëse unë do shkoj në burg apo jo. Dhe jo nëse do hetohem apo jo. Nëse do arrestohem apo jo dhe jo nëse do hetojë Prokuroria.
Furtunë politike në Shqipëri
Tiziana Colluto, Il Fatto Quotidiano
Opozita në Parlamentin e Tiranës kërkon dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, pas hetimit siçilian që heton për narkotrafik dy kushërinjtë e ish-ministrit të Brendshëm
Një operacion antidrogë në Siçili ka sjellë një stuhi politike në Shqipëri. Dy kushërinjtë e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri janë ndër emrat kryesorë në hetimin për narkotrafik ndërkombëtar që po zhvillohet nga Gico (grupet e hetimit të krimit të organizuar) e Guardia di Finanza e Katanias. Një nga ata implikon politikanin në bisedat e përgjuara mbi borxhe që duhet të paguajnë për ata që i ndihmojnë. Dhe në Itali arrin në drejtimin e një “Audi A8” në emër të Tahirit, në atë moment, në mars të 2014, është ende ministër, detyrë që e ka mbajtur deri pranverën e shkuar, kur ai u shkarkua edhe për shkak të thashethemeve shumë këmbëngulëse rreth tij.
Përtej Adriatikut lajmi shkoi me shpejtësi dhe ushqeu dyshimet: kërkesa për dorëheqje e kryeministrit Edi Rama është nënshkruar në orët e fundit nga partitë shqiptare të qendrës së djathtë dhe të majtës në opozitë. Jo një realitet i zakonshëm, kjo e fundit, Lëvizja Socialiste për Integrim, ku themelues është Ilir Meta, që nga korriku President i Republikës. Është marijuana, edhe një herë tjetër, pika e përplasjes. Sepse “Kanabistan”, siç është pagëzuar Vendi i Shqiponjave, është thelbi jo thjesht i prodhimit të madh të barit që prej aty shkon në të gjithë Europën, por ka dyshime të mëdha edhe për sistemin e madh të korrupsionit të policisë dhe bashkëpunimit me politikën. Dyshime që, sipas të dhënave të lexuara nga një pjesë e Parlamentit në Tiranë, pasqyrohen plotësisht në operacionin “Rosa dei venti” të së hënës së kaluar.
Midis shtatë të arrestuarve nga struktura e Guardia di Finanza, Fiamme Gialle, është edhe Moisi Habilaj, 39 vjeç, ndërkohë që një mandat arresti ka edhe për vëllain Florian, i ashtuquajturi Lolo, 37 vjeç, përveç edhe tre bashkëkombësve. Moisiu dhe Floriani janë dy nga katër “vëllezërit Habilaj”, të cilët lajmet shqiptare e lidhin prej kohësh me kontrollin e trafikut të drogës në zonën e Vlorës.
“Janë kushërinj të shkallës së dhjetë”, tha Tahiri pas tërmetit me epiqendër Katanian, duke shtuar se nuk ka pasur me ata “asnjë raport, aq më pak të jashtëligjshëm” dhe tha se ishte i gatshëm për të hequr dorë nga imuniteti për t’u vënë nën hetim. Posti që ka mbajtur deri pak kohë më parë në qeveri vë në vështirësi kryeministrin Edi Rama: “I kam dhënë gjithnjë mbështetjen time Tahirit për integritetin e tij. Por sot, shkroi në Facebook, shqiptarët kanë nevojë të dinë vetëm të vërtetën. Por drejtësia duhet të shkojë deri në fund të kësaj historie pa humbur kohë dhe të hedhë dritë mbi faktet”.
Me masën gjyqësore të gjykatëses për hetimet paraprake Loredana Pezzino, rindërtimi është i qartë: “Organizata, shkruhet, nuk ka organizim fillestar, përkundrazi është e organizuar plotësisht me një ndarje të qartë të roleve. Përkundrejt referencave të vazhdueshme, nga ana e anëtarëve, individëve që brenda saj luajnë një rol thelbësor, si Moisi Habilaj, person i padiskutueshëm i grupit”. Është ai, sipas hetuesve, deus ex machina i aktivitetit të organizuar dhe kompleks të mbajtjes dhe importimit nga Shqipëria në Itali të sasive shumë të mëdha të substancës narkotike të tipit marijuanë”. Ai është në drejtim të grupit të përbërë edhe nga vëllai i tij Florian, nga kushërinjtë Maridian e Armando Sulaj, nga Nezar Seiti e Fatmi Minaj (respektivisht dhëndër dhe vjehërr), përveç tre italianëve Vincenzo Spampinato, Angelo Busaça e Gianluca Passavanti. Pika e referimit e Habilajt për Katanian është Antonino Riela.
Për të arritur në Siçili, marijuana, së bashku me kallashnikovët, përshkuan të gjitha rrugët: vjen nga rruga, në makina që kalojnë nga portet e Barit dhe Brindisit; arrin kryesisht nga deti, në bord të anijeve të peshkimit që zbarkojnë në brigjet e Capo Passero dhe rrethinat e saj. 3.500 kilogramë drogë në dy vjet, sipas Guardia di Financa, kanë arritur në Siçili përmes kanalit të furnizimit të drejtuar nga Habilaj, kontaktet e të cilit në Raguzë dhe Katania janë konsoliduar prej vitesh në sajë të emigrantëve shqiptarë apo korrierëve lokalë. Kështu, ishte vënë në qarkullim një biznes prej 20 milionë eurosh.
Ç’hyn Tahiri? “30 (mijë lekë, ed) duhet t’ia sjell Saimirit”, i tha Moisi Habilaj Sabaudin Çelajt, ndërsa me makinë po shkojnë drejt Katanias. Është 3 marsi i 2014. Të dy numërojnë borxhet që duhet të paguajnë me bashkëpunëtorët në Shqipëri, “ti mendo, përveç borxheve që ne kemi … me përjashtim të borxheve që morën … kemi 75 mijë lekë (75 mijë euro) që janë automatikisht borxh. 30 janë të ‘xhaxhait’, 30 duhet t’ia shpie Saimirit… bëjnë 60. Dhe 15 të anijes që na duhet domosdoshmërisht. Dhe janë 75 mijë lekë […] duke hequr edhe këto të shtetit që i kemi”. Hetuesit theksojnë se Habilaj aludon “me shumë mundësi për kushëririn i tij Saimir Bashkim Tahiri, ministër i Brendshëm në Republikën e Shqipërisë, gjithashtu edhe për njerëz të institucioneve shqiptare, me siguri bashkëpunëtorë të tyre”. Financierët e Gico (grupet e hetimit të krimit të organizuar) shtojnë se, “Habilaj dhe Çelaj kishin mbërritur në Siçili në bordin e një ‘Audi A8’ në emër të Saimir Bashkim Tahiri”.
Hetimi italian vë gishtin në plagë: në vitin 2015 ishte ish-zyrtari i Policisë së Fierit, Dritan Zagani, i cili denoncoi publikisht lidhjet e mundshme midis vëllezërve Habilaj dhe oficerëve të zbatimit të ligjit, me mbulimin e supozuar të ministrit të atëhershëm, i detyruar të pranojë publikisht se makina e skandalit, “Audi A8” në dispozicion të kushërinjve të tij, ia kishte shitur në vitin 2013. “Ky ishte gabimi im i madh dhe i vetëm, duke mos verifikuar më parë se kujt ia kisha shitur makinën. Përveç kësaj, asgjë tjetër nuk më lidh me ta”, tha Tahiri.
Halimi: Ruçi vegël e Ramës, po shkatërrohen provat
Pas përpjekjeve të forta për të penguar mbledhjen e Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit për heqjen e mandatit dhe arrestimin e Saimir Tahirit, Ruçi u detyrua dje nga opozita që të mbledhë pasdite Këshillin. Megjithatë, sërish ai nuk pranoi miratimin e kërkesës së Prokurorisë, ndërsa shtyu mbledhjen për ditën e sotme në orën 11:00.
Deputeti i Partisë Demokratike, Eduard Halimi, ka komentuar shtyrjen e mbledhjes së Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit, ku do të shqyrtohet kërkesa e Prokurorisë për heqjen e mandatit dhe arrestimin e Saimir Tahirit. Halimi tha se, Rama nuk e do drejtësinë dhe Ruçi është vegël e tij.
“Kemi pritur mbledhjen e Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imuniteteve lidhur me kërkesën e Prokurorisë për arrestimin e Saimir Tahirit. Edi Rama nuk e do drejtësinë prandaj qëllimisht e vonon mbledhjen e Këshillit për t’i hapur rrugën për hetimin, arrestimin e Saimir Tahirit. Dënojmë ashpër qendrimin e Gramoz Ruçit, i cili tregoi edhe njëherë se është një vegël në duart e Edi Ramës për ta përdorur në ditë të vështira si kjo e sotmja, kur kërkon kohë vetëm e vetëm që të shkatërrojë provat e krimit që lidhin Saimir Tahirin me Edi Ramën. Çdo minutë që kalon është në favor të krimit. Çdo minutë që kalon është kundër drejtësisë dhe kundër qytetarëve. Kjo është e vërteta. Nesër do jemi patjetër në orën 11.00”, tha Halimi.
Praditen e djeshme, menjëherë pas depozitimit të kërkesës së Prokurorisë në Kuvend, anëtarët e PD në Komisionin e Rregullores, Imunitetit dhe Mandateve u paraqitën në Kryesinë e Kuvendit, ku kërkojnë mbledhjen urgjente të këtij komisioni, pasi çdo minut që kalon, Edi Rama dhe Tahiri e shfrytëzojnë për prishjen e provave të krimit. “Kërkojmë menjëherë që tani mbledhjen e Këshillit për Rregulloren Imunitetin dhe Mandatet, për të shqyrtuar kërkesën e Prokurorit të Përgjithshëm për arrestimin e Saimir Tahirit. Çdo minutë që kalon shërben për të shkatërruar provat e krimit që lidhin Tahirin me Edi Ramën. Çdo minutë që kalon i shërben krimit dhe është kundër drejtësisë dhe kundër qytetarëve. Ndaj i bëjmë thirrje Gramoz Ruçit që të fillojë menjëherë mbledhjen e Këshillit të Rregullores, Imunitetit dhe Mandateve për të shqyrtuar menjëherë, tani kërkesën e Prokurorit të Përgjithshëm”, u shpreh Eduard Halimi.
Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi mbajti peng orën e mbledhjes së Këshillit të Rregullores, ku do të vendosej për imunitetin e deputetit të PS, Saimir Tahiri. Për këtë situatë të pazakontë, Edi Rama është detyruar të nxjerrë përpara mediave kreun e grupit parlamentar, Taulant Balla, i cili ka kërkuar nga Ruçi të mos ketë vonesa, por të mbledhë sa më shpejtë Këshillin.
Mediat e huaja jehonë kërkesës për arrestimin e Tahirit
Mediat e huaja dhe më prestigjioze nga ato europiane tek ato amerikane i kanë bërë jehonë lajmit për kërkesën mbi arrestimin e Saimir Tahirit. Euronews jep lajmin: Prokurori i Përgjithshëm kërkon arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm për korrupsion dhe trafik droge. Miami Herald, duke ju referuar “Associated Press” shkruan: Prokurori i Përgjithshëm kërkon heqjen e imunitetit të ish-ministrit. Media italiane “Il Fatto Quatidiano” shkruan: Arrestimi i trafikantit të drogës përfshin edhe ish-ministrin e Brendshëm dhe qeverinë… News Paper of Sicily shkruan: Droga nga Shqipëria në Siçili, kërkesë e re: Arrestimi i ish-ministrit të Brendshëm. Media franceze “Courier des Balkans” shkruan, Mafia shqiptare: Kushëriri i ish-ministrit të Brendshëm është arrestuar në Itali.
Si po shkatërrohen provat e krimit në shtëpinë e Tahirit
Rama është vënë në lëvizje të shpejta për të zhdukur menjëherë provat dhe faktet që kompromentojnë Tahirin me bandën e habiljave dhe bandat e tjera të drogës, teksa ka vënë në shërbim të shkatërrimit të provave të krimit edhe punonjës të administratës.
Një denoncim i rëndë u publikuar nga kreu i PD, Lulzim Basha, i cili i referohej një denoncimi të ardhur nga një qytetar, i cili është dëshmitar se në shtëpinë e Saimir Tahirit ka lëvizje të dyshimta.
Denoncuesi bën të ditur se Ernest Dimashi, drejtor i IT është futur me urdhër të Ramës në shtëpinë e Saimir Tahirit për të pastruar laptopin dhe telefonin e tij celular. Në të dyja këto mjetet dyshohet se Tahiri mban dokumente që kompromentojnë dhe faktojnë lidhjet direkte të Ramës me bandat e drogs dhe krimit.
“Ja si Edi Rama blen kohë për ushtarin e tij ndërkohë që shkatërrojnë provat e krimit:
Zoti Basha, prej 3 netësh në darkë tek shtëpia e Tahirit janë mbledhur shumë njerëz që kanë hyrë e kanë dalë. Shumë prej tyre tipa të fortë e të veshur në të zeza! Shtëpia po pastrohet e po krefet me thasë. Ernest Dimashi, drejtori i IT po pastron laptopin dhe celularët e Saimirit”, shkruan denoncuesi në postimin e Bashës.
Po dje, ish-kryeministri Sali Berisha ka publikuar mesazhin e një qytetari në “Facebook”, i cili tregon se si Rama fliste i nxirë në kafene, teksa i tregonte dikujt në telefon se kanë ardhur materiale të reja implikuese në lidhje me dosjen e trafikut të drogës që është i përfshirë edhe emri i Tahirit.
“Noriega shet Saje qorrin në kafene! Lexoni mesazhin e sapoardhur të qytetarit dixhital!! “Përshëndetje Doktor. Isha ulur në një lokal ku qëlloi të hynte Rama, i cili nxinte i tëri dhe po fliste në telefon. Nuk vuri re se kishte njerëz apo e bëri me qëllim, por po thoshte që kishin ardhur materiale të reja shumë implikuese në lidhje me hetimet”.
Tahiri në burg për trafik droge dhe korrupsion
“Trafik i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim, në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal dhe “Korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë shtetërore dhe të zgjedhurve vendorë”, parashikuar nga nenet 283/a/2 dhe 260 të Kodit Penal, këto janë akuzat që rëndojnë mbi ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri.
Prokuroria e Krimeve të Rënda ka paraqitur kërkesën për heqjen e imunitetit dhe ushtrimin e kontrollit për deputetin Saimir Tahiri.
Po a do ta zbatojë menjëherë kërkesën Policia, pasi ende Tahiri gëzon imunitetin e tij?!
Fillimisht duhet të jetë Komisioni i Mandateve që duhet të pranojë kërkesën.
Në shkresën dorëzuar në zyrat e Kuvendit i kërkohet Komisionit të Mandateve miratimin e kërkesës së Prokurorisë së Krimeve të Rënda për dhënien e autorizimit për arrestimin dhe kontrollin personal dhe të banesës së deputetit Saimir Tahiri.
Veprat penale për të cilat dyshohet ish-ministri i Brendshëm janë:
Trafikimi i narkotikëve kryer në bashkëpunim, në formë të posaçme të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 283/a/2 dhe 333/a të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.
“Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë’’, parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal.
DETAJET E PLOTA:
Prokuroria për Krime të Rënda kërkon heqjen e imunitetit për deputetin Saimir Tahiri, Prokuroria për Krime të Rënda kërkon nga Kuvendi i Shqipërisë autorizimin për heqjen e imunitetit të deputetit Saimir Tahiri, në vijim të një hetimi të nisur për veprat penale të “Trafikut të narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal dhe “Korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë shtetërore dhe të zgjedhurve vendorë”, parashikuar nga nenet 283/a/2 dhe 260 të Kodit Penal.
Prokuroria për Krime të Rënda po zhvillon hetime, në bashkëpunim me autoritetet italiane, për një grup kriminal, i cili ka trafikuar sasi të mëdha lënde narkotike kanabis sativa nga Shqipëria në drejtim të Italisë. Në bazë të të dhënave të përftuara në kuadër të këtij hetimi, Prokuroria për Krime të Rënda kërkon nga Komisioni i Mandateve në Kuvendin e Shqipërisë dhënien e autorizimit për “arrestimin, heqjen e lirisë dhe kontrollin personal e të banesës”, për deputetin Saimir Tahiri.
Tahiri rrezikon deri 27 vite burg
Dy akuzat e Prokurorisë ndaj Saimir Tahirit, për trafik droge dhe korrupsion pasiv të zyrtarëve të lartë shtetërorë, parashikojnë dënim me burg nga 11 deri në 27 vite. Janë dy nenet e Kodit Penal, 260 dhe 283, të cilët parashikojnë dënimin me burg për dy veprat penale për të cilat akuzohet ish-ministri i Brendshëm. Akuza e parë për Tahirin është ajo për trafik droge vepër për të cilën ai rrezikon 7-15 vjet burg (neni 283).
Neni 260 i Kodit Penal, për korrupsionin pasiv të funksionarëve të lartë shtetëror, parashikon dënim 4-12 vite burg. Më herët, Prokuroria e Krimeve të Rënda iu drejtua Kuvendit përmes një shkrese, duke kërkuar heqjen e imunitetit me qëllim arrestimin e Tahirit, pasi në bazë të hetimeve italiane rezulton i përfshirë në trafikun e drogës Shqipëri-Itali.
(Neni 260 i Kodit Penal) Dënimet për dy veprat Penale: Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike (neni 283), 7-15 vjet burg. 2/3 Korrupsion pasiv i funksionarëve shtetërorë (neni 260), 4-12 vjet.
Enton DACI
Brenda bandës së Moisi Habilajt
“BIRN”
Më 25 tetor 2013, ora 10:00 e darkës, katër shqiptarë po udhëtonin me dy makina në Itali shumë të mërzitur. Ata e konsideronin veten financiarisht të rrënuar, pasi policia u kishte kapur një ngarkesë të stërmadhe droge në Augusta, në bregun jug-perëndimor të Siçilisë, rreth 50 kilometra larg Katanias. Ata nuk e dinin se bisedat e zemëruara në brendësi të dy makinave ishin duke u përgjuar nga policia italiane dhe se, pikërisht këto biseda bëjnë provat për lidhjen e tyre me ngarkesën e Augustës.
Sipas transkriptimit të bisedave të tyre të përfshira në dosjen e policisë italiane, ata ishin pjesërisht të lumtur që i patën shpëtuar arrestimit dhe pjesërisht të mërzitur se kishin humbur sasi të mëdha malli dhe gjendeshin efektivisht “në krizë financiare”, se nuk kishin para as për t’u kthyer në Shqipëri dhe se tani i nevojitej “të merrnin borxh për të organizuar një rrugë tjetër”.
Një natë më parë, një tentativë e organizatës së drejtuar nga vëllezërit Habilaj nga Babica e Vlorës për të dërguar një sasi të stërmadhe kanabisi me një gomone nga Shqipëria për në bregdetin e Siçilisë pati dështuar. Policia italiane thotë se ngarkesa u kap rastësisht, pas një njoftimi në numrin 112 për praninë e një gomoneje të dyshimtë në breg. Karabinierët ndërhynë dhe kapën 65 thasë me një peshë të përgjithshme prej 1,650 kg.
Policia italiane po i përgjonte makinat e tyre për të vërtetuar praninë e tyre në pikën e zbarkimit si dhe lidhjen e tyre me ngarkesën e sekuestruar të drogës.
“Bisedat e përgjuara vërtetojnë praninë e Moisi Habilajt, Sabaudin Çelajt dhe Maridian Sulajt në vendin e zbarkimit, arratisjen e tyre të vështirë nga vendngjarja si dhe lëndimin në këmbë të Sulajt gjatë arratisjes”, shkruhet në dosjen e policisë italiane, dosje e cila u publikua fillimisht në Shqipëri nga kreu i opozitës Lulzim Basha.
“Nuk kemi para as për t’u kthyer [në Shqipëri]”, dëgjohet t’i thotë Sabaudin Çelaj Maridian Sulajt, ndërsa të dy falënderojnë Zotin që kanë shpëtuar si dhe diskutojnë dëmet që kanë pësuar. “Kam vetëm 100 euro, ndërsa Moisiu ka 200”, vijon Sulaj, i cili ka pseudonimin Dajo.
“Mos u bëj merak, do të bëjmë rrugë tjetër, do të marrim para borxh”, thotë Dajo.
Në makinën tjetër, një anëtar tjetër i organizatës, Mariglen Alimuçaj, i cili më 25 tetor gjendej në një makinë “Fiat Bravo” me Moisi Habilajn, thotë se ka marrë para borxh, sepse kishte mbetur edhe pa cigare. Më 26 tetor 2013, me një makinë “Mercedes E Class” Moisi Habilaj, Mariglen Alimuçaj dhe Sabaudin Çelaj u nisën me traget nga Brindizi për në Vlorë. Sipas policisë italiane, sipas gjasave, ata po ktheheshin në Shqipëri për t’i raportuar një personi, të cilit i referohen si “shefi i madh” për humbjen e ngarkesës së drogës.
Edhe disa muaj më vonë, Moisi Habilaj shprehej i mërzitur nga humbja. Duke folur me një të dyshuar tjetër me emrin Eneo Sulaj më 9 janar 2014, ai thotë: “Atë natë mbetëm keq, çfarë kam hequr do t’ia tregoj varrit”.
Trafiku i marijuanës
Trafiku i marijuanës është një aktivitet fitimprurës dhe me rrezik të lartë. Organizimi i transportit të një sasie të madhe prej mbi 1 mijë kilogramë mund të kërkojë gjysmë milioni euro investim, ndërsa nëse del me sukses, droga mund të shitet në Itali për 1500-1600 euro për kilogram. Një ngarkesë tipike prej 1 mijë apo 1,500 kg nëse mbërrin në Itali me sukses siguron 1.5 deri në 2 milionë euro të ardhura bruto dhe fitime neto që mund të arrijnë në 1 milion euro. Megjithatë, çdo kilogram duhet të paguhet së paku 200-300 euro nga prodhuesit në Shqipëri, ndërsa skafi, korruptimi i policisë, makinat dhe jeta luksoze e trafikantëve hanë një pjesë të konsiderueshme të fitimeve.
Moisi Habilaj ia shpjegoi pak a shumë gjendjen Sebastiano Greco-s në një bisedë, që policia italiane e përgjoi më 20 nëntor 2013. Sipas tij, nëse bën një ‘punë’ me 1 mijë kilogramë, 600 janë të tijat, ndërsa 400 janë miqtë dhe nderet.
Ngarkesa të tilla të stërmëdha droge përfshijnë një numër të madh njerëzish. Fillimisht janë kultivuesit, të cilët kanë nevojë për shumë tokë, (për të prodhuar së gjysmë kile kanabis nevojitet së paku 2-4 metra katrorë tokë, ndërsa për të prodhuar një ton nevojiten 2-4 dynym). Pastaj nevojiten një ushtri me njerëz që duhet të kujdesen për krasitjen e bimës për ta mbajtur atë të shëndetshme dhe cilësore. Nëse nuk kujdesesh për bimën, marijuana mund të dalë me cilësi të keqe dhe çmimi i saj në treg të ulet në mënyrë dramatike.
Kërkohen minimalisht tre muaj që bima të bëhet gati për t’u vjelë dhe puna nuk mjafton këtu, pasi ajo do të duhet të thahet në hije para se të presohet dhe të bëhet gati për rrugë.
Sipërfaqja e konsiderueshme e tokës, bashkë me infrastrukturën vaditëse dhe imputet bujqësore si dhe numri i lartë i punëtorëve që duhen për krasitjen e punimeve të tjera, e bën kultivimin e drogës një punë që vështirë se mund të mbahet e fshehtë nga sytë e fshatarëve, zyrtarëve vendorë apo policisë. Për këtë arsye, si kultivimi ashtu edhe trafikimi kërkojnë bashkëpunimin apo heshtjen e një numri të madh zyrtarësh.
Viti 2013, besohet se ka qenë një vit veçanërisht ‘i mirë’ për lulëzimin e marijuanës në Shqipëri. Fushata elektorale e tensionuar e atij viti si dhe muajt e ndërmjetëm që kalojnë nga humbja e zgjedhjeve nga një qeveri te krijimi i qeverisë së re, i mundësojnë kultivuesve dhe trafikantëve liri veprimi më të madhe se sa zakonisht. Në muajt e fundit të vitit 2013 dhe në fillim të 2014, sipas përgjimeve, banda e vëllezërve Habilaj qe në gjendje që të organizonte trafikimin e disa ngarkesave me sasi të konsiderueshme.
Përgjimet e policisë italiane sugjerojnë se, organizimi i një trafiku në përmasa të tilla kërkon burime financiare që nuk disponohen as edhe nga një organizatë e vjetër trafikimi si ajo e Habilajve. Në një bisedë të përgjuar në shkurt 2014, Moisi Habilaj dhe Sabaudin Çelaj diskutojnë se atyre u kanë mbi 1.7 milionë euro borxhe dhe kanë nga ana e tyre mbi 600 mijë euro borxhe te një numër i madh shqiptarësh, të cilët supozohet se janë furnizues ose financues të operacioneve të tilla të mëdha të qindra kilogramëve marijuanë njëherësh.
Lulzimi i biznesit të Habilajve
Vetëm pak muaj pasi humbën mallin në Augusta, fati i organizatës kriminale duket se u përmbys, nga financiarisht të falimentuar në njerëz që nuk dinin çfarë t’i bënin paratë. Përgjimet tregojnë se, Moisi Habilaj dhe bashkëpunëtorë të tij qenë përgjegjës për shpërndarjen e drogës në Itali dhe rekuperimin e të ardhurave nga shitja e saj, ndërsa vëllezërit e tij rezultojnë të angazhuar nga Shqipëria.
Trafikantët përdornin disa makina me të cilat udhëtonin nëpër Itali, më së shumti në segmentet nga Brindizi ose Bari për në ishullin e Siçilisë, në Katania. Policia italiane duket se arriti të vendosë çimka përgjimi në secilën prej këtyre makinave, gjë që i mundësoi nga njëra anë të dëgjonin të gjitha bisedat e të dyshuarve dhe nga ana tjetër, të ndiqnin përmes sistemit të pozicionimit global lëvizjet e tyre hap pas hapi, përfshirë banesat ku qëndronin dhe mjediset ku shisnin mallin. Përgjatë përgjimeve bëhet e qartë se, Moisi Habilaj dhe drejtuesit e tjerë të bandës, ndonëse prisnin shkarkimin e mallit nga gomonet në Itali, nuk merreshin vetë me transportin detar nga Shqipëria në Itali.
Kjo nuk do të thotë se, policia italiane kishte nën kontroll të përhershëm dhe tërësor aktivitetin e bandës. Shumica dërrmuese e përgjimeve janë kryer në territorin italian dhe janë përgjime ambientale të realizuara nga çimkat e vendosura në makinat e grupit. Anëtarët e organizatës duken të vetëdijshëm për rrezikun e përgjimit të telefonave dhe vazhdimisht shmangin diskutimet në telefon, përdorin nofka të pakuptueshme për njëri-tjetrin, përdorin numra telefoni të blerë nën emrat e personave të tjerë. Vetëm përgjimet mjedisore, të cilat vijuan përgjatë tre viteve, i mundësuan policisë italiane faktimin e përzjerjes së Moisi Habilajt dhe të të tjerëve në trafikimin e këtyre sasive të drogës si dhe faktimin e funksionimit të këtij grupi si një organizatë kriminale, me një bazë të sigurt në Shqipëri ku gjendej droga dhe financimet e nevojshme për operacione të tilla të kushtueshme dhe rrjeti i blerësve me shumicë në përgjithësi në zonën e Katanias në Siçili.
Në dhjetor 2013, Moisi Habilaj dhe Sabaudin Çelaj përgjohen në Katania, duke u shprehur të lumtur se një rrugë që kishin bërë kishte dalë me sukses dhe se ata tashmë mund t’i lejonin vetes të shpenzonin. Më 16 dhjetor, të dy pasi morën një pagesë 20 mijë euroshe nga shitja e drogës, filluan t’i shpenzonin menjëherë për të blerë rroba të shtrenjta. Moisiu thotë se ka blerë dy byzylykë, një për gruan e Saimirit dhe një për nënën. Sabi pyet se sa kanë kushtuar. Moisiu thotë: 2 mijë euro. Moisiu thotë se kishte parë një rolex të bukur 6 mijë euro. Në këtë pikë, ai del në konkluzionin e trishtueshëm se pavarësisht se sa para shpenzojnë, problemet e tyre nuk përfundojnë kurrë.
Moisi Habilaj i thotë Eneas më 11 janar 2014, se një rrugë në Itali i kushton 7 mijë apo 8 mijë euro, sepse pesë mijë i harxhon për të blerë rroba. “Po mos bli rroba çdo herë se nuk është se je pa rroba”, i thotë Enea Moisiut. “Jo, po thjeshtë për fiksim”.
Gjatë dhjetorit dhe janarit 2014, paratë e drogës fillojnë të rrjedhin lum. Habilaj dhe Çelaj, kur flasin me njëri-tjetrin shpesh ngatërrojnë lekët me eurot. Flitet për porosi 100 deri në 500 kilogramëshe nga shpërndarës të fuqishëm në Katania.
Më 10 janar, Moisi Habilaj dhe Eneo Sulaj komentojnë për veshjet që kanë blerë te Hugo Boss. Moisiu ankohet se një palë çorape i kanë kushtuar 320 euro. Ata flasin për pagesa prej 100 mijë apo 200 mijë euro si dhe komentojnë me njëri-tjetrin për shlyerjen e borxheve që organizata ka marrë në persona të ndryshëm në Shqipëri në rendin e qindramijëra eurove.
Në shtator 2014, banda shqiptare dhe bashkëpunëtorët e blerësit e tyre italianë vendosin të përdorin një peshkarexhë me emrin Fatima, për të transportuar një sasi të panjohur droge nga Shqipëria. Gjithsesi, përdorimi i peshkarexhës, e cila duhej të bënte një udhëtim konsiderueshëm të gjatë nga brigjet e Siçilisë deri në brigjet e Shqipërisë, nuk eci mirë. Për shumë muaj me rradhë, nga shtatori 2014 deri në verën e vitit 2015, peshkarexha u nis disa herë dhe e la udhëtimin përgjysmë për shkak të kohës së keqe apo defekteve. Vetëm më 6 maj 2015, peshkarexha arriti të kryejë udhëtimin deri në brigjet shqiptare, ku pasi hyri në ujërat territoriale të Shqipërisë, u prit nga një mjet lundrues i Habilajve për t’i treguar rrugën deri në vendin e takimit.
Koha e gjatë e kalimit nga vendimi për të përdorur pershkarexhën Fatima deri te udhëtimi i saj për në Shqipëri, duket se i mundësoi policisë italiane ta vinte këtë mjet lundrues nën përgjim. Kur Fatima mbërriti në Shqipëri, Moisi Habilaj i priti italianët Giuliano dhe Greco në Porto Palermo. Italianët zbulojnë se Habilajt kishin kontroll pothuajse të plotë të territorit dhe të forcave të rendit në Shqipëri. Sipas bisedave të përgjuara, Moisi Habilaj nuk kishte frikë policinë në tërësi, por vetëm ndonjë element policor, i cili mund të gjendej i transferuar rishtazh në Vlorë. Për më tepër, Habilaj duket se ka nën kontroll jo vetëm policinë, por ka njerëz të infiltruar në sistemin e monitorimit të detit me radar. Ai dëgjohet, duke i dhënë instruksione italianëve që të dalin nga ngushtica e Korfuzit, duke përdorur ujërat territoriale shqiptare para se të kalojnë në det të hapur me qëllimin që të shmangin me çdo kusht qëndrimin në ujërat territoriale greke. Sipas informatorit që Moisi Habilaj thotë se, kishte te sistemi i radarëve, peshkarexha kishte gabuar gjatë mbërritjes, duke qëndruar në ujërat territoriale greke, aludohet duke rrezikuar në këtë mënyrë që autoritetet greke të vepronin. Ata duhej të largoheshin jo më shumë se sa 2 milje nga bregu dhe të vijonin përgjatë bregdetit shqiptar drejt veriut deri sa të dilnin në Karaburun para se të merrnin kthesën drejt perëndimit për në brigjet italiane. Sa për autoritetet shqiptare, ato nuk gjendeshin asgjëkundi atë ditë të majit 2015.
Peshkarexha në fjalë rezulton të jetë ankoruar në brigjet shqiptare në Porto Palermo, policia italiane identifikon koordinatat 40.063083, 19.7926733. Këtu është ekzaktësisht moloja ushtarake në Porto Palermo.
Pershkarexha kur mbërriti në brigjet e Italisë, pritej nga dy varka më të vogla, të cilat do të duhej të transportonin drogën nga deti në tokë para se Fatima të hynte normalisht në port e shtirur sikur po kthehej nga një udhëtim i zakonshëm peshkimi. Problemi qe që rrugës së kthimit, moti u përkeqësua ndjeshëm dhe peshkarexha nuk arriti të kontaktojë varkat e vogla pritëse. Në pamundësi për të zbarkuar mallin në det, ata u futën në port bashkë me ngarkesën. Policia, e cila priste në port ndërkohë që kishte nën monitorim edhe plazhin e përcaktuar për zbarkim dhe makinat pritëse, konfiskoi 880 kilogramë marijuanë natën e 8 majit 2015. Policia dyshon se një pjesë e drogës qe hedhur sakaq në det.
Në janar 2017, policia italiane nisi një seri të re përgjimesh, pasi u vu re se Moisiu dhe të tjerët po punonin për ngarkesë të re nga Shqipëria. Policia dallon kësaj here se, Habilajt ia kishin dalë të transferonin drejtpërsëdrejti në Siçili me skafe shqiptare sasi të panjohura marijuane, një operacion i vështirë ky nëse marrim parasysh autonominë e kufizuar në karburant të një skafi tipik. Përgjimet tregojnë se skafet e përdorura në trafik harxhojnë rreth 60 litra karburant për orë udhëtim dhe se për të vajtur deri në Siçili mund të nevojiten deri në 600 litra.
Arrestimet e shumta të korrierëve dhe kapjet e përsëritura të drogës kanë bindur bandën, ndërkohë se përgjimet, veçanërisht ato të telefonit, janë një rrezik i përhershëm. Ata zgjedhin të mbajnë telefonin fikur me bateri të hequr gjatë udhëtimeve, si dhe ndërrojnë numrat e telefonat vazhdimisht. Ata vendosin të përdorin celularë të caktuar vetëm për komunikim me njëri-tjetrin dhe një grua me emrin Brunilda Alikaj rezulton se i ka dhënë këshilla se si të shmangin përgjimet telefonike. Trafikantët fillojnë të mbështeten gjithnjë e më shumë te makinat e marra me qira, por policia arrin me lehtësi të vendosë së paku sinjalizues GPS për të pasur mundësi ndjekjen e vendndodhjes së tyre.
Laku për këtë organizatë kriminale u mbyll më 12 tetor 2017. Hetuesit italianë iu drejtuan Gjykatës së Katanias për të kërkuar masat e arrestit për 11 të dyshuar, shtatë shqiptarë dhe katër italianë. Mes të arrestuarve janë dy vëllezërit Habilaj, Moisi dhe Florian, 39 dhe 37 vjeç, dy vëllezërit Sulaj, Maridian dhe Armando, 29 dhe 33 vjeç si dhe Sabaudin Çelaj, 49 vjeç e Fatmir Minaj, 55 vjeç.
Roli i Tahirit
Dokumenti i policisë italiane e përmend ish-ministrin e Brendshëm, Sajmir Tahiri si gjatë përgjimeve, ashtu edhe gjatë komenteve në tre raste. Në njërin rast, (faqja 100), dy të dyshuarit, Moisi Habilaj dhe Sabaudin Çelaj diskutojnë me njëri-tjetrin se çfarë ka më shumë se sa ata Saimir Tahiri. Moisiu beson se, Saimiri ka bërë 5 milionë euro brenda një muaji, ndërsa Çelaj thotë se këto janë para të parëndësishme për të, pasi atij 20 milionë nuk i mjaftojnë në një fushatë elektorale. Në kohën e zhvillimit të kësaj bisede, 16 dhjetor 2013, Tahiri kishte vetëm tre muaj në postin e ministrit të Brendshëm, por ai pati qenë deputet që nga viti 2009.
Në rastin tjetër, (f 93) Moisiu thotë se ka blerë dy byzylykë, një për gruan e Saimirit dhe një për nënën. Sabi pyet se sa kanë kushtuar. Moisiu thotë: 2 mijë euro.
Në rastin e tretë, (f. 193-194) policia italiane shënon se më 3 mars 2014, Moisi Habilaj dhe Sabaudin Çelaj patën mbërritur në Siçili me makinën A8, nën pronësinë e Saimir Tahirit. Ata u kthyen në Shqipëri më datë 24 mars po me makinën e Tahirit.
Në rastin më problematik për Tahirin, ai përmendet si përfitues i mundshëm i një shume parash nga trafiku i drogës.