26.5 C
Tirana
E premte, 15 Gusht, 2025

Paralajmërohet edhe arrestimi i Haki Çakos?

Prokuroria për Krime të Rënda kërkon nga Kuvendi i Shqipërisë autorizimin për heqjen e imunitetit të deputetit Saimir Tahiri, arrestimin e ish-ministrit dhe kontrollin e banesës së tij.
Kërkesa e Prokurorisë vjen pas një hetimi të nisur për veprat penale të “Trafikut të narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal dhe “Korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë shtetërore dhe të zgjedhurve vendorë”, parashikuar nga nenet 283/a/2 dhe 260 të Kodit Penal.
“Prokuroria për Krime të Rënda po zhvillon hetime, në bashkëpunim me autoritetet italiane, për një grup kriminal, i cili ka trafikuar sasi të mëdha lënde narkotike kanabis sativa nga Shqipëria në drejtim të Italisë.
Në bazë të të dhënave të përftuara në kuadër të këtij hetimi, Prokuroria për Krime të Rënda kërkon nga Komisioni i Mandateve në Kuvendin e Shqipërisë dhënien e autorizimit për “arrestimin, heqjen e lirisë dhe kontrollin personal e të banesës” për deputetin Saimir Tahiri”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda.
Ndërkohë burime nga Prokuroria e Krimeve të Rënda se janë gati 12 urdhër-arreste për ish-zyrtarë, policë e zyrtarë të lartë shtetërorë si të implikuar në trafikun e drogës Shqipëri-Itali.
Vendimi i Prokurorisë vjen pas dosjes së grupit të organizuar “Habilaj” në Vlorë, të cilët u arrestuan nga policia italiane, pas hetimeve 4-vjeçare. Në përgjimet e policisë italiane, rezulton se të arrestuarit shqiptarë, që janë dhe kushërinjtë e ish-ministrit Saimir Tahiri, pranojnë se bashkëpunojnë me ministrin në trafikun e drogës.
Ata përmendin se ministri është paguar 5 milionë euro në një muaj për mbështetjen që u ka dhënë në trafikun e drogës.
Në konferencën e fundit për shtyp, LSI ka hedhur akuza të forta ndaj drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Haki Çako. Vasili tha se Çako duhej të ishte shkarkuar shumë kohë më parë, ashtu si edhe i gjithë sistemi drejtues i Policisë në Elbasan. Përgjimet italiane kanë njollosur policinë, e cila është vënë tërësisht në shërbim të klanit të Habilajve deri në mbushjen e thasësve me drogë në ngarkesat drejt Italisë, sipas përgjimeve.

E.D

Gazetari Hoxha në lojën e Tahirit dhe avokat i krimit, po keqpërdoret nga Rama

Gazetari Hoxha që shtëtit nga një studio lajmesh në studion tjetër për të dhënë lajmet mbi atë çfarë ndodh me krimin ka një problem ditët e fundit. Miku i tij Saje Qorri prej të cilit përtyp një pjesë të informacioneve të krimit është në vështirësi dhe ai ka vendosur që ta ndihmojë.
Hoxha në çdo studio që del mundohet të relativizojë peshën e skandalit më të madh në historinë e shtetit shqiptar atë të kapjes së qeverisë nga mafia. “Ja sot doli ky skandal ku përmendet Tahiri, nesër do të harrohet”, thotë gazetari që i shërben Tahirit në çdo dalje të tij.
Sipas tij, nuk mund të flitet për një kosto të qeverisë në këtë aferë të krimit, sepse Tahiri nuk është ministër tani, por deputet. Gazetari bëhet edhe qesharak në këtë avokati të djallit, sepse koha kur ka ndodhur skandali është ajo kur Rama dhe Tahiri kanë qenë bashkë në qeveri dhe Rama nuk mund t’i ikë qeverisë.
Përgjegjësinë mundohet ta kalojë tek drejtësia, duke gënjyer trashë se sipas tij nuk ka hetim ndaj Tahirit, ndërkohë që dosja e ardhur nga Italia e ka në qendër të hetimit ish-ministrin.
Gazetari ka një instruktor dhe ai është Fatos Klosi, ish-shefi i SHIK, i cili dy ditë më parë deklaroi “Pse italianët do të besojmë ne në këtë skandal?”
Sot i ka bërë një tjetër shërbim policisë që komandohet nga Habilajt dhe të gjithë të inkriminuarit. Sipas burimeve të tij aksioni për kapjen e tonelatave të drogës në Babicë ishte dekonspiruar nga Prokuroria, kur në të vërtetë është krejt e kundërta. Sipas burimeve, policia ka refuzuar që të ishte në operacion dhe i është dashur Prokurorisë së Krimeve të Rënda që të marrë peshën kryesore në organizimin e aksionit.
Gazetari Hoxha duhet të çlirohet nga kapja e Tahirit dhe keqpërdorimi që po i bën Rama që të jetë i vërtetë. Dje në media kishte edhe një lajm që gazetari Hoxha ishte kërcënuar nga një betoniere, por i kishte shpëtuar jeta. Më qesharak se kaq nuk mund të jenë ndjekësit mediatikë të njeriut që përpunohet nga Tahiri.

 

Dy spiunë në pranga për përgjimet

Dy agjentë të lartë të Policisë Sekrete maqedonase janë arrestuar në Selanik të Greqisë, në bazë të një fletarrestimi të lëshuar nga Ministria e Punëve të Brendshme lidhur me akuzat për përfshirje në aferën e përgjimeve. Lajmi është bërë i ditur nga zyrtarë të Lidhjes Social-Demokrate në pushtet, ndërsa pritet konfirmim edhe nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Të arrestuarit janë, Goran Grujevski dhe Nikolla Boshkovski, të cilët u kapën mbrëmë vonë, por nuk janë dhënë detaje të tjera.
Ata janë të ngarkuar me akuza për shpërdorim të detyrës dhe shkatërrimin e pajisjeve me të cilat dyshohet se janë bërë përgjimet e paligjshme. Këto akuza janë ngritur nga Prokuroria Speciale në rastin e koduar “Titanik”. Gjykata Penale tre muaj më parë u kishte caktuar atyre masën e paraburgimit, por menjëherë pas këtij vendimi ata janë arratisur në drejtim të panjohur.
Duke komentuar procedurat e mëtejme, përfshirë edhe ekstradimin e tyre, eksperti për çështje të sigurisë, Lubomir Gjurçevski tha se, tani duhen ndjekur procedurat që parashihen për ekstradim.
“Fillimisht duhet të presim që Ministria e Drejtësisë, nëpërmjet ndihmës juridike Ndërkombëtare apo nga shërbimet e INTERPOL-it, të njoftohet se personat me identitetin e caktuar janë arrestuar në Selanik. Kjo me qëllim të fillimit të procedurës së vërtetimit, fillimisht të identitetit të tyre të vërtetë. Këtu përfshihen dokumentet që i posedojnë institucionet vendase dhe të dhënat për personat në fjalë. E gjithë procedura mund të zgjasë deri në 30 ditë”, tha Gjurçevski.
Veç kësaj, policia në dy ditët e fundit ka ndaluar edhe disa persona të tjerë, të përfshirë në dhunën më 27 prill në Kuvendin e Maqedonisë. Ata akuzohen për tentim vrasje të kryetarit të Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela. Arrestimet vijnë dy ditë pas përfundimit të rrethit të parë të zgjedhjeve lokale, të cilat u fituan nga partia e kryeministrit, Zoran Zaev.
Profesori i së Drejtës Kushtetuese, Osman Kadriu, thotë se arrestimet mund të kenë lidhje edhe me zgjedhjet e fundit, pasi ato ndodhën menjëherë pas fitores së LSDM-së. Kadriu vlerëson se gjyqësori, duke e parë se më nuk është nën presionin e elementëve të qeverisë së kaluar, ka nisur të bëjë kthesë serioze në punën e tij.
“Gjyqësori nëse është në krye të detyrës, gjithmonë duhet të bëjë ndjekje penale për të gjithë kryerësit e veprës penale. Këtë gjithashtu duhet ta bëjnë edhe organet e tjera, përfshirë edhe policinë. Vlerësoj se momenti kur janë bërë arrestimet, tregon se për këtë edhe janë krijuar kushtet që personat në fjalë janë të kapshëm për organet e ndjekjes penale”, thotë Kadriu.
Sipas tij, ky zhvillim “flet për një kthesë shumë të rëndësishme në gjyqësor”.
Arrestimet e fundit që ndërlidhen me dhunën në Kuvend si dhe arrestimet në Selanik, besohet se kanë një emërues të përbashkët, aferën e përgjimeve të publikuar nga kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev, në shkurt të vitit 2015, që kishte shkaktuar krizën më të madhe politike, e cila kulmoi me protesta e tensione të shumta. Atë kohë tensionet politike ishin ngritur dukshëm, po ashtu edhe proceset gjyqësore, ndërkohë që gjendja e tensionuar sikur i kishte “shtyrë” partitë politike shqiptare të arrinin marrëveshje. Krejt këto zhvillime, patën dërguar Maqedoninë në zgjedhje të parakohshme parlamentare në dhjetor të vitit 2016, kur edhe ra nga pushteti i VMRO DPMNE-së së Nikolla Gruevskit.
Ai akuzohet për përgjimin e dhjetëra mijëra qytetarëve të Maqedonisë, përfshirë edhe personalitete të shumta të jetës politike. Përmbajta e bisedave telefonike të zyrtarëve nxori në sipërfaqe ndërhyrjen e pushtetit të kaluar në gjyqësor, mashtrime zgjedhore, presione ndaj mediave, afera korruptive, e shkelje të tjera ligjore.

Sfida serioze për Kinën dhe botën

Në çelje të Kongresit të 19-të të Partisë Komuniste të Kinës, Presidenti i Kinës, Xi Jinping u shpreh kundër të gjitha përpjekjeve për t’i vënë pikëpyetje udhëheqjes së partisë. “Secili nga ne në parti duhet të bëjë më shumë, për ta ruajtur udhëheqjen e partisë dhe sistemin socialist kinez dhe të luftojë me vendosmëri kundër të gjitha shprehjeve dhe veprimeve, që i minojnë ato, i shtrëmbërojnë ose i mohojnë”, tha Xi para rreth 2300 delegatëve nga e gjithë Kina. Me fjalimin e Presidentit nis në Kinë Kongresi i partisë, i cili përcakton kursin për pesë vitet e ardhshme.
Xi u bëri thirrje 89 milionë anëtarëve të partisë që t’i shtojnë përpjekjet për të krijuar mirëqenie në Kinë dhe që ta bëjnë “socializmin e tipit kinez” të suksesshëm “për një epokë të re”. “Shanset janë të mira, por sfidat janë serioze”, tha Xi, i cili pati hyrë më parë në Sallën e Madhe të popullit i shoqëruar nga paraardhësi i tij në post, Hu Jintao (74) dhe Jiang Zemin (91). Si Kina, ashtu edhe bota ndodhen në “ndryshime të thella dhe të ndërlikuara”. 64-vjeçari lëvdoi ndikimin në rritje të Kinës në botë dhe përpjekjet e qeverisë për të luftuar varfërinë dhe pabarazinë në Kinë.
Xi tërhoqi veç kësaj vëmendjen për politikën e “tolerancës zero” përballë korrupsionit në parti. Fushatën kundër korrupsionit Xi e mori në duart e tij, së bashku me vendimet për politikat e përgjithshme ekonomike dhe e ka konsoliduar me këtë pushtetin. Më shumë se një milion nëpunës shtetërorë janë ndëshkuar, dyzina ish-nëpunësish të lartë janë arrestuar.
Në përfundim të Kongresit, delegatët do të zgjedhin 205 anëtarët e Komitetit Qendror të PKK. Vëzhguesit presin që Xi të vendosë në Kongres bazën që të qendrojë në pushtet më gjatë se dhjetë vjetët e zakonshëm. Me këtë do të merrte fund “udhëheqja kolektive”. Delegatët do ta fiksojnë në Kushtetutën e partisë trashëgiminë ideologjike të Xi. Nëse në statut shënohet edhe emri i tij, Xi do të ngrihej në të njëjtën shkallë historike si themeluesi i shtetit Mao Ce Dun dhe arkitekti i reformave ekonomike Ten Hsiao Pin.

Strategu i çiftit Clinton hedh poshtë akuzat ndaj Trump

Fausto Carioti

Hillary Clinton ka ndërtuar një alibi tek e cila ndoshta beson seriozisht: gjithçka ka qenë faj i Vladimir Putinit. Sikur të mos kishte qenë për ndërhyrjet e rusëve në zgjedhjet presidenciale amerikane, për paratë e Kremlinit, për hakerët, për llogaritë false të krijuara në Facebook dhe në rrjetet e tjera sociale, tani në Shtëpinë e Bardhë do të ishte ajo, jo Donald Trump. Me këtë dalldisje, ajo ka mbushur një libër. Në faqet e sapodala prej shtypit të “What Happened”, rusët janë kudo. «Tani që na kanë infektuar dhe kanë parë sesa janë të dobëta mbrojtjet tona, do të vazhdojnë ta bëjnë prap. Do të marrin në shënjestër armiqtë dhe aleatët tanë. Qëllimi final i tyre është të minojë bile ndoshta të shkatërrojë vetë demokracinë perëndimore». Shumë janë me të: besimi se Donald Trump është vënë aty nga Putini është ngushëllimi i fundit i mbetur demokratëve.
Por edhe midis mbështetësve të Hillary Clinton ka që i ka ardhur në grykë ky miti i fitores së mohuar dhe të paktën njëri prej tyre nuk është votues i çfarëdoshëm. Quhet Mark Penn, është 63-vjeçar dhe ka qenë kryestrategu i fushatës elektorale me të cilën në vitin 1996, Bill Clinton fitoi mandatin e dytë në Shtëpinë e Bardhë, i fushatës me të cilën Hillary Clinton siguroi vendin në Senat në 2000 dhe i asaj që humbi 8 vite më pas primaret e Partisë Demokrate, duke u përplasur me Barack Obama, që edhe u bë President.
Pikërisht për këtë motiv, artikulli që ka shkruar në “Wall Street Journal”, i titulluar «Nuk mund ta blesh presidencën me 100000 dollarë», i ka dhënë një goditje në zemër armiqve të Donald Trump. «Fake news për fake news janë praktikisht të pafundme», thekson Penn. Edhe pse nuk e lidh unazën e fundit, ajo çfarë nënkupton është e qartë: shpërndarësja e vërtetë e «fake news», në këtë rast është Hillary Clinton. «Amerikanët e preokupuar për influencën e Rusisë», shkruan ish-krahu i djathtë i çiftit Clinton, «përqendrohen mbi një grusht njoftimesh në Facebook», vlera e të cilave shkon në 100 000 dollarë, «sikur të mos kishte pasur edhe 3 përballje televizive 90 minutëshe secili, dy konventa partishë të transmetuar në televizion dhe 2.4 miliardë dollarë të shpenzuar për fushatën elektorale e vitit të kaluar».
Buxheti total i Hillary Clinton shkonte në 1.4 miliard dollarë, kurse ai i Trump në rreth 1 miliard: nëse vërtet rusët patën investuar pothuajse 100 000 dollarë në Facebook, «do të kishin hequr 0.025% të avantazhit të saj». Pas «40 vitesh përvoje politike», Penn mund të thotë me përgjegjësi profesionale se «duhen dhjetëra miliona dollarë për t’i dhënë mesazhe domethënëse pjesës së kontestuar të elektoratit». Gjithsesi, kujton ai, nuk është hera e parë që një fuqi e huaj hedh para në pjatën e zgjedhjeve amerikane. Në vitin 1996, qeveria kineze «pompoi qindramijëra dollarë në fushatën e rizgjedhjes së Bill Clinton». U zhvilluan hetime nga ana e Kongresit në Washington, por rezultuan me një hiç të madh dhe «jeta eci përpara». Tamam për ta pasur në mendje edhe këtë, sepse çifti Clinton dhe jetimët e pangushëllueshëm të tyre duket se e kanë harruar.

“Libero Quotidiano”|

Përgatiti
ARMIN TIRANA

Fabrikimi i turpshëm i ligjvënëses demokrate

Presidenti Donald Trump e mohoi thënien e ligjvënëses Frederica Wilson, se ai i kishte thënë të vesë së një ushtari të vrarë në Niger, se i shoqi “e dinte ç’e priste kur ishte regjistruar për të shkuar në luftë”.
“Ligjvënësja demokrate i ka fabrikuar plotësisht fjalët që unë i thashë gruas së ushtarit të vrarë në detyrë (dhe unë kam provë për këtë). E dhimbshme!” komentoi të martën në Twitter Presidenti Trump.
“Presidenti gënjen”, tha ligjvënësja Wilson në një intervistë që dha të mërkurën në CNN. “Ai as që di të shprehë keqardhje ndaj njerëvze, thjesht të thotë: “Jemi të pikëlluar”, – shtoi ajo.
Ligjvënësja Wilson tha se kishte mësuar të martën për bisedën mes zotit Trump dhe vejushës Myeshia Johnson, ndërsa ajo po shkonte drejt Aeroportit Ndërkombëtar të Miamit, për të pritur mbërritjen e trupit të të shoqit, rreshterit La David Johnson. Ai ishte në mesin e katër ushtarëve amerikanë, anëtarë të forcave speciale, të vrarë më 4 tetor në një pritë që ju bë në Niger.
Ligjvënësja Wilson tha se në makinë ishte ajo dhe anëtarë të tjerë të familjes.
“Ai as që di t’u shprehë njerëzve pikëllimin. E turpshme për të që shkruan mesazhe në Twitter për një gjë të tillë”, tha zonja Wilson.
Mamaja e reshterit Johnson’s mother, Cowanda Jones-Johnson, i tha gazetës “The Washington Post” se edhe ajo ishte në makinë gjatë telefonatës dhe se “Presidenti Trump tregoi mungesë respekti ndaj djalit dhe vajzës së saj, si edhe ndaj asaj vetë dhe bashkëshortit të saj”.
Më pas Presidenti Trump, Later, para një takimi me disa senatorë, e hodhi përsëri poshtë versionin e familjes për telefonatën dhe la të kuptohej se anëtarja e Kongresit Wilson, do ta tërhiqte deklaratën e saj.
“Unë nuk e thashë atë që tha ligjvënësja; aspak. Ajo e di. Dhe tani ajo nuk po e thotë më”, tha ai.
“Unë pata një bisedë të mirë me atë grua, me bashkëshorten, që dukej se ishte një grua shumë e mirë. Nuk thashë atë që tha ligjvënësja”.
Ligjvënësja Wilson, reagoi në Twitter duke shkruar: “Unë nuk tërhiqem nga varianti im për telefonatën e (Presidentit) Trump me Myesha Johnsonin. Ky është emri i saj, zoti Trump dhe jo ‘ajo gruaja’ ose ‘e shoqja’”, shkruante zonja Johnson.
Ligjvënësja më parë sugjeroi që Trump “duhet të mësojë nga presidentë të mëparshëm, si Presidenti Obama, psh dhe duhet t’u kishte thënë fjalë të mira familjarëve të ushtarit të rënë në detyrë dhe më pas t’u çonte atyre një letër”.
Të hënën, 12 ditë pas vrasjes së ushtarëve, Presidenti Trump foli për ngjarjen në një konferencë shtypi në Shtëpinë e Bardhë.
“E ndjeva veten shumë keq, tha ai. – Për mua telefonatat për ushtarët e vrarë janë më të vështirat”.
Në konferencën e shtypit Presidentin Trump e pyetën përse nuk kishte komentuar për vdekjen e katër ushtarëve amerikanë. Ai tha se u kishte shkruar familjeve të tyre, se letrat do t’ju çoheshin atyre së shpejti dhe se më vonë kishte ndërmend t’i telefonte ato.
Presidenti Trump tha në konferencën e shtypit se presidentë të mëparshëm nuk i kishin kontaktuar familjet e ushtarëve të vrarë në detyrë dhe se këtë ai e dinte nga gjeneralët që shërbjenë në adminsitratën e tij.
Kjo deklaratë e zotit Trump shkaktoi debate dhe i detyroi ndihmësit e dy presidentëve të fundit amerikanë t’i kundërshtojnë ato.

Madridi do ti heqë autonominë Katalonjës

Qeveria e Madridit kërkon të veprojë me masa detyruese ndaj përpjekjeve për pavarësi të rajonit autonom të Katalonjës. Kryeministri Mariano Rajoy reagoi me këtë pas refuzimit të qeverisë së Katalonjës për t’i dhënë të enjten një përgjigje ultimatumit të tij.
Në një prononcim të qeverisë thuhet, se qeveria qendrore është në dijeni të “Jo”-së nga Barcelona. Prandaj do të fillohet të ndërmerren hapa për zbatimin e nenit 155 i Kushtetutës për të rivendosur ligjshmërinë në Katalonjë. Të shtunën është parashikuar një takim i Këshillit Ministror për të vendosur masat konkrete.

Masat e mundshme të qeverisë qendrore

Kushtetuta spanjolle i lejon qeverisë të “ndërmarrë masat e nevojshme” për të detyruar një rajon që të përmbushë detyrimet ligjore. Ajo mund të largojë nga detyra kryetarin e qeverisë rajonale, Carles Puigdemont si edhe qeverinë rajonale apo të shpallë zgjedhjet e reja në rajon. Kryeministri katalan e la të skadojë edhe një ultimatum deri në orën 10:00 të enjten për të shpallur ose jo pavarësinë. Puigdemont publikoi vetëm një deklaratë, ku theksonte gatishmërinë për dialog dhe kërcënonte sërish me shpalljen e pavarësisë.
Konflikti mes Barcelonës dhe Madridit është ashpërsuar javët e fundit pas referendumit në Katalonjë. Qeveria katalane e organizoi referendumin kundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese që ndalonte shprehimisht mbajtjen e tij. Me një pjesëmarrje prej 42,3% në referendum, 90,1% kërkoi shkëputjen nga Spanja.

A do t’i kthejë krahët NATO-s Gjermania?

Ekspertë të rëndësishëm të sigurisë në Gjermani nuk e shikojnë më SHBA-në si aleaten më të rëndësishme dhe mendojnë që Berlini duhet të përqendrohet në çështjet e mbrojtjes më tepër te BE-ja në vend të NATO-s. Ky është rezultati i një anketimi të 200 ekspertëve të mbrojtjes nga radhët e politikës, sipërmarrjeve, organizatave ndërkombëtare dhe mediave, të cilat i ka publikuar Qendra Kërkimore e Brukselit “Friends of Europe” së bashku me një libër. Në të pohohet se vendi më i fuqishëm ekonomikisht i Evropës, në çështjet e mbrojtjes ka jetuar deri tani me shpenzimet e partnerëve të tjerë dhe tani duhet të bëjë më tepër për mbrojtjen e vet.
Autori i studimit, gazetari Paul Taylor, mendon se bota e Angela Merkelit, ka ndryshuar në vitet e fundit në atë masë sa nuk njihet më, dhe tani duhet të ndryshojë vetë kancelarja. “Dy goditje të rënda në formë shoku e nxorën Merkelin nga një lloj gjendje vetëkënaqësie në politikën e mbrojtjes, po në të njëjtën mënyrë ato tronditën Gjermaninë në pozicionin e saj të rehatshëm në mes të Evropës, të rrethuar nga aleatë të NATO-s dhe partnerë të BE”, thotë Taylor për DW. Këto dy goditje në formë shoku qenë aneksimi prej Rusisë i Krimesë në vitin 2014 dhe kriza e refugjatëve e vitit 2015.
“Merkeli mori me këtë rast vendime, që rrezikuan karrierën e saj politike, por edhe që ndryshuan vështrimin e saj ndaj Evropës”. Taylor pohon se, Merkeli kishte porositur dhe i kishin përgatitur harta me një zonë Shengeni të shenjuar me ngjyrë, kështu që për secilin binte menjëherë në sy, që “kufijtë” e Gjermanisë në të vërtetë janë ato me Rusinë dhe Ukrainën, me Afrikën e Veriut dhe me Lindjen e Afërt dhe të Mesme

Pa investuar më shumë para nuk bëhet

Taylor-i thotë se Merkeli vuri re që ushtria gjermane, Bundeswehri, përmes shkurtimeve me vite të tëra të buxhetit, është dobësuar. Në vitin 2016, sipas Taylorit, ajo nisi një kthesë. Megjithatë, sipas tij do të zgjasë shumë, rreth 15 vjet, për ta sjellë aviacionin për shembull në nivelin e duhur. Taylori beson se problemi nuk janë paratë, por mentaliteti. “Hija e historisë ua vështirëson punën shumë gjermanëve, por njëkohësisht ua rehaton”.
Merkeli ka lënë të kuptohet se mund të ketë një ndryshim kursi. Fjalia e saj e famshme “Ne evropianët duhet ta marrim vërtet fatin në duart tona” kishte lidhje me deklaratat me dy kuptime të Donald Trumpit për mbrojtjen kolektive të NATO-s, të cilët ai duket se po e vinte në dyshim.
Ulricke Francke nga Qendra Kërkimore European Council on Foreign Relations mendon që, presioni nga Uashingtoni nxit një orientim të ri në politikën e sigurisë të Gjermanisë: drejt BE. “Qeveria Trump e minon gatishmërinë në rritje në popullin gjerman për të shpenzuar më shumë për mbrojtjen dhe për t’u angazhuar më shumë”, thotë Francke, “sepse Trumpi konsiderohet si luftënxitës dhe gjermanët janë të shqetësuar se SHBA nën Trumpin mund të nisin një luftë dhe NATO-ja të tërhiqte në të edhe Gjermaninë”.

BE-ja si rrugëdalje?

Taylor mendon se gjërat në Gjermani duhet të ndryshojnë rrënjësisht. Ai për shembull propozon që Bundestagu t’i aprovojë paraprakisht në bllok misione të caktuara të Bundeswehrit në NATO dhe në njësi të tjera multinacionale, në vend që të veprojë si tani për çdo mision të veçantë. Taylor shprehet edhe për një zbutje të rregullave të eksportit të armëve dhe e quan më efektive, kur përcaktimet e eksportit të armatimit të formulohen dhe të zbatohen në kuadër të BE.
“Në letër, në 12 muajt që prej referendumit të Brexitit BE ka avancuar më shumë se sa në 25 vitet e shkuara”. Fundi i bllokadës britanike për shkak të Brexitit do t’i përshpejtojë proceset vendimore në të ardhmen. Por Taylor e këshillon Berlinin dhe Parisin që ta kërkojnë edhe më tej bashkëpunimin me Britaninë e Madhe, e cila nga të gjitha vendet e Evropës shpenzon më shumë për mbrojtjen.

Livaja: Jam i dashuruar me Interin

Sulmuesi kroat i AEK-ut të Athinës, Marko Livaja (ish-lojtar i Inter) ka folur për “Gazzetta dello Sport” në prag të ndeshjes kundër Milan në “San Siro”, e vlefshme për Europa League. “Jam tifoz dhe i dashuruar me Interin. Aty kam filluar karrierën dhe kam shënuar golat e parë në “San Siro”. Kam debutuar me Stramaccioni-n, me të cilin jam bashkuar përsëri në Greqi. Duhej të largohesha për të fituar eksperiencë. Por Inter mbetet në zemrën time dhe kam një arsye më shumë për të kërkuar një gol kundër Milan-it”, u shpreh ai.
Në vazhdim, Livaja ka zbuluar edhe një prapaskenë: “Në moshën 16 vjeç, kur nuk isha transferuar akoma tek Inter, më ka kërkuar Milan. Unë kisha qenë më parë në Milano për të folur me drejtorin sportiv Ausilio, por më pas u ktheva në Kroaci, sepse kontrata ime me Huajduk nuk kishte skaduar akoma dhe nuk mund të nënshkruaja me një klub të ri. Milani filloi të më telefononte dhe të më ofronte më shumë para. Por, kur unë jap fjalën time nuk kthehem më mbrapa. As për paratë”, ka thënë sulmuesi.
“Kalinic? Njihemi shumë mirë. Kemi luajtur të dy me ekipin e moshave të Hajduk Split, por nuk jemi takuar asnjëherë, sepse ai është më i madh. Është shumë i mirë, e ndjek me vëmendje si të gjithë futbollistët e tjerë kroatë që jetojnë këtu në Milano. E konsideroj akoma qytetin tim dhe jam shumë i lumtur që jam kthyer. Kam shëtitur shumë në karrierë, nga Italia në Rusi, nga Zvicra në Spanjë. Por në Athinë ndihem shumë mirë dhe e ndiej se mund të qëndroj për një kohë të gjatë. Po paraqitemi mirë në Europa League dhe Milan do ta kuptojë këtë. Ne jemi një ekip simpatik, që mund t’i imponohemi skuadrës së Montellës, në mënyrën tonë, ndaj kam besim se do të marrim diçka nga kjo transfertë”, ka përfunduar ish-sulmuesi zikaltër i AEK-ut.
Skuadër e re, jetë e re. Geoffrey Kondogbia, i cili është transferuar te Valencia verën e kaluar, pjesë e operacionit që ka dërguar Joao Cancelo tek Inter, duket se e ka harruar shumë shpejt aventurën zhgënjyese me zikaltrit dhe është kthyer të shkëlqejë në La Liga, aty ku ka bërë paraqitje shumë të mirë edhe me Sevilla para se të blihej nga Monaco. Në gjashtë ndeshje, në të cilat kanë ardhur edhe dy gola (1 në 56 sfida me Inter, 3 në 54 me Francën), francezi është kthyer në një idhull.

Tabu për Interin

Të shtunën e ardhshme në San Paolo do të luhet sfida për kreun e Serisë A, Napoli-Inter. Skuadra e Sarrit do të tentojë suksesin në kampionat për të lënë pas shijen e hidhur të disfatës në Champions përballë Manchester Cityt, nga ana tjetër, përballë do të jenë zikaltërit e Interit që vijnë nga suksesi në derbin milanez, prandaj formacioni i Spalletit do të jetë përpara një prove të rëndësishme që do të konfirmojë ose jo statusin e tyre si kandidatë potencial për titullin e Serisë A.
Gjithsesi, statistikat nuk flasin në favor të Interit fitorja e të cilëve në San Paolo është kthyer në një tabu, me ziklatërit që numërojnë vetëm një fitore në 20 vitet e fundit, pikërisht në 18 tetor të vitit 1997. Falë golit të Galantes dhe autogolit të Francesko Turrinit, në ndeshjen e largët, Interi mundi Napolin e Mazzones, edhe pse më pas këta të fundit zbritën në Serinë B. Nga ai moment Napoli ka një histori suksesesh ndaj Interit me 8 fitore dhe 3 barazime në San Paolo, ku triumfi i fundit është shënuar dhjetorin e shkuar. Sfida e luftuar do të ndiqet nga më shumë se 50.000 mijë spektatorë.
Mauro Icardi është njeriu derbi, teksa me tre golat e tij ka mposhtur i vetëm Milanin, që shënoi vetëm dy herë në portën e Handanoviç. Pas javës së 8-të, Inter mbetet në vendin e dytë të renditjes, vetëm 2 pikë larg Napolit dhe 3 pikë para Juventusit e Lazios, që e ndjekin. Javën e ardhshme zikaltrit do udhëtojnë në Napoli, për t’u përballur me dominuesit absolutë të Serisë A.
Ndërkohë, Interi fillon të lëvizë që tani për merkaton e dimrit. Mediat italiane e bëjnë fakt të kryer kalimin e mesfushorit brazilian Ramires te zikaltërit në janar. Ish-futbollisti i Chelsea-it aktualisht pjesë e Jiangsu Suning, klubit kinez që është në pronësi të Zhang Jindong njeriut që ka blerë Interin, do të transferohet në Milano në formë huazimi deri në verën e ardhshme. Ramires është një lojtar me eksperiencë dhe mund të konsiderohet një vlerë e shtuar për trajnerin Luçiano Spalletti. 30-vjeçari, i cili vuan nga një dëmtim e ka mbyllur përpara kohe kampionatin kinez dhe me shumë gjasa ai do t’i bashkohet Interit që në muajin nëntor në stërvitje për të qenë gati për debutimin e tij në janar.
Është sfida mes dy skuadrave pa humbje në Serinë A. Napoli-Inter nuk vendos përballë njëra-tjetrës vetëm të parën dhe të dytën e klasifikimit, por më shumë se kaq. Sepse numrat e arritur deri tani nga të dyja skuadrat i vendosin ato në majën e klasifikimit të kampionatit elitar të futbollit italian. Të kaltrit kanë sulmin më të mirë të sezonit me 26 gola të shënuar dhe një mesatare 3.25 për ndeshje. Ashtu si Napoli zikaltrit kanë mbrojtjen më të mirë, (edhe Roma, por kjo e fundit ka një ndeshje më pak të luajtur) me vetëm 5 rrjeta të pësuara, praktikisht duhen dy ndeshje për të ndëshkuar Handanoviç-in.
Humbja e fundit e të kaltërve daton në javën e 26-të të sezonit 2016-2017, Napoli-Atalanta 0-2, dhe më pas vijnë 20 rezultate pozitive të ndara në 18 fitore dhe vetëm dy barazime. Humbja e fundit e zikaltërve ka qenë në javën e 36 të sezonit të kaluar, Inter-Sassuolo 1-2, dhe më tej vijnë 10 rezultate pozitive, të ndara në 9 suksese dhe 1 barazim. Krahasimi mund të vazhdojë për shembull me portat e paprekura, me Inter-in dhe Napoli-n në kuotën 4 (barazohen vetëm nga Juve dhe Roma). Pra, numra për të prezantuar sfidën e të shtunës ka me shumicë.