25.5 C
Tirana
E enjte, 14 Gusht, 2025

OECD: Kryeministri ka superpushtet, problemet që po sjell në sistem

Shqipëria aplikon një model tipik për vende me kabinete të forta qeveritare apo kancelarish, ku funksionet janë të përqendruara te zyra e Kryeministrit, por kjo nuk është garanci për sukses, madje për Shqipërinë vihet theksi se ka mangësi në funksionim.
Një raport i Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD) për funksionimin e qendrave të qeverive në Ballkanin Perëndimor, të këtij viti, e vë theksin në disa aspekte.
“Në terma të përgjithshëm, dy modele të ndryshme mund të identifikohen: i pari, modeli që përfaqësohet nga Shqipëria dhe Kosova, ku shumica e funksioneve është e përqendruar tek Zyra e Kryeministrit. Vetëm dy detyra kyçe mbeten në ministri të tjera, siç është Ministria e Financave për pjesën e politikave financiare dhe Ministria e Integrimit që menaxhon marrëdhëniet me BE. Ky model është tipik për vende me një kabinet të fortë apo kancelari, siç janë Britania e Madhe, Finlanda, Suedia, Hungaria apo Estonia.
Koherenca institucionale apo fragmentarizimi nuk janë përcaktues sesa mirë funksionon sistemi për tre arsye. E para, edhe brenda një institucioni bashkëpunimi mund të jetë i varfër. Për shembull nga raportet e SIGMA-s për vende të ndryshme nxjerrin në pah se, sfida e bashkërendimit brenda zyrave të kryeministrave në Shqipëri dhe Kosovë po çojnë drejt mangësive në funksionimin efektiv të sistemit”, nënvizohet në raport.
Ky i fundit i referohet strukturës dhe funksionimit deri në fund të vitit 2016, ndërkohë që struktura me qeverinë e re ka ndryshuar edhe më shumë ku është hequr Ministria përkatëse për Integrimin.

Shumë dokumente, por pak harmonizim mes tyre

Shqipëria mban rekord për dokumente e strategji të planifikimit qendror, por që ka një ngërç në harmonizimin mes tyre. Të paktën kështu thuhet në raportin e OECD.
“Është më e vështirë të sigurosh koherencë të përmbajtjes dhe shtrirjes së objektivave, kur ka një numër të madh dokumentesh. Shqipëria dhe Kosova kanë numrin më të lartë të dokumenteve të planifikimit qendror, duke e bërë më të vështirë për to që të sigurojnë planifikim koherent dhe të qëndrueshëm.
Veçanërisht në vitet e fundit planifikimi ka qenë një fushë eksperimentale për disa vende, duke çuar në plane të reja ‘ad hoc’, që nuk janë të harmonizuara me dokumente të tjerë të planifikimit qendror. Shembull i kësaj janë 56 përparësitë ministrore të Shqipërisë dhe një plan 4-vjeçar i Kosovës dhe një Plan Veprimi për zbatimin e programit të qeverisë në Serbi. Të gjithë këto plane u zhvilluan paralelisht me sisteme planifikimi që ishin në funksion”, thuhet në raport.

Kryemadhi: Bashkë kundër Ramës të rikthejmë besimin tek shqiptarët

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, paralajmëroi të tjera tryeza të opozitës së bashkuar kundër krimit për t’i bërë ballë siç tha ajo rrezikut që i kanoset demokracisë nga krimi dhe bandat të lidhura me shtetin.
Kryemadhi tha se në krye të narkoshtetit është Edi Rama dhe kjo është këmbanë alarmi për gjithë shoqërinë.
“Narkoshteti përfaqësohet dhe drejtohet nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Të gjitha partitë që morën pjesë ishin shumë të shqetësuara për situatën në të cilën ndodhet Shqipëria, rreziku që i kanoset demokracisë shqiptare, që çdo ditë e më shumë po dobësohet dhe po del jashtë kornizave të saj, inkriminimi i çdo strukture shtetërore, i policisë, i shtetit, i zyrave të shtetit, inkriminimi i besueshmërisë. Njerëzit kanë filluar të mos besojnë më dhe kërkojnë zgjidhjen tek bandat dhe jo tek policia e tek shteti. Kjo është këmbanë e fortë për të gjithë shoqërinë shqiptare. Dua të theksoj se kjo ishte tryeza e parë do të vazhdojmë me të tjera; e rëndësishme është të konvertojmë në një pikë, kapjen e shtetit nga krimi i organizuar dhe më në fund jemi bashkë në një pikë të përbashkët”.
E pyetur nëse opozita do të largojë Ramën përmes protestave, ajo u përgjigj:
“Sa për protestat, ato nuk vijnë nga partitë politike, por nga populli, vijnë nga përbrenda. Është momenti që së bashku të gjithë të veprojmë, se jemi në fund të tranzicionit politik. Jemi një nga vendet e fundit ish-komuniste që po kalojmë tranzicionin politik. Ka ardhur momenti të bëjmë një gjë të mirë për Shqipërinë dhe shqiptarët”.

Aksion i fuqishëm opozitar deri në përmbysjen e qeverisë

“Aksioni politik i opozitës, i kryesuar nga PD dhe që pasohet nga LSI do të vazhdojë deri në përmbysjen e qeverisë”, kështu tha deputeti i PD, Flamur Noka, në një intervistë televizive. Sipas Nokës: “Të dhënat e deritanishme tregojnë se ky pushtet nuk mund të qëndrojë më në këmbë, sepse ky pushtet është me votat e asaj bande dhe të dhjetërave banda të tjera, ky pushtet është me paratë që ka marrë nga ajo bandë, pra me para droge. Ky nuk është pushtet që ka ardhur nga vota e qytetarëve, prandaj nuk mund të rrijë. Ne do të sinkronizojmë aksionin opozitar me të gjithë faktorët opozitarë dhe me të gjithë aktorët e shoqërisë shqiptare për të nxjerrë Shqipërinë nga kthetrat e krimit dhe për ta vendosur Shqipërinë pranë Europës. PD do të ndërmarrë aksionin e saj politik në bashkëpunim me të gjithë forcat e tjera. LSI është forca kryesore pas nesh që është në opozitë, sigurisht edhe me faktorë të tjerë për të përmbysur një qeveri të bandave. Në lidhje me përgjimet e Moisi Habiljat, Noka duke hedhur poshtë pretendimet e Tahirit tha se makinë nuk është shitur, por është përdorur për trafik droge. “Ajo makinë nuk është shitur, ajo makinë ka qenë imunitetit diplomatik për ushtarët e bandës për të bërë trafik droge. Ju është dhënë nga Saimir Tahiri kushërinjve ta përdorin për trafik se ishte imunitetet diplomatik. Ajo makinë është bërë me letra është shitur kur doli skandali që një ish-oficer policie, Zagani e përmendi i pari dhe u bë zhurmë. Në atë kohë për të larë duart, ia shiti kushërinjve. Por, ajo makinë ishte e mbajtur për 2 vjet për trafik. Përgjimet e Prokurorisë së Katanias kanë zbardhur të zezën në të bardhë që makina AA 003 GB është përdorur për trafik droge nga Shqipëria në Itali”, tha Noka. Noka tha se, deklaratat e Ramës për distancim bëhen për të shpëtuar veten: “Çdo bandit kur i ngushtohet laku, ia hedh lakun shokëve përpara, sepse kërkon të shpëtoje veten. Pra, kjo është me ja hedh lakun Saje Qorrit, sigurisht dhe për të larë duart. Por nuk mund t’i lajë duart, sepse është i zhytur”. Po dje, edhe deputetja e PD-së, Albana Vokshi, ka kërkuar dorëheqjen e deputetit Saimir Tahiri dhe kryeministrit Edi Rama pas publikimit të skandalit ‘Habilaj’. Duke folur në ‘Këndin e Ekselencës’, në News 24, Vokshi tha se Tahiri do i bënte nder vetes nëse do jepte dorëheqjen, ndërsa cilësoi Ramën si përgjegjësin e parë të mbushjes së vendit me kanabis. “Është një minë që po plas. Ky është vetëm fillimi. Pasazhi që tregon se 5 milionë euro do i shkojnë Tahirit në një muaj. Imagjinoni sa muaj ka viti dhe sa vite kanë kaluar nga përgjimi. Shpresoj, që Saimir Tahiri të jap dorëheqjen, të heq imunitetin dhe të hetohet. Do i bënte nder vetes. Edhe kryeministri duhet të dorëhiqet, sepse nuk mendoj se pa miratimin e Edi Ramës, Saimir Tahiri dhe ministrat e tjerë do të kishin guximin të mbushnin vendin me kanabis”, tha Vokshi. Deputetja demokrate vlerësoi lidershipin e kryetarit Lulzim Basha në drejtimin e Partisë Demokratike, që sipas saj po vijon të japë rezultate të larta dhe kjo konfirmohet nga denoncimi prej vitesh i skandalit Habilaj-Tahiri.

Borchardt kritikon qeverinë: Nuk i ndiqni denoncimet për shfrytëzimin e fëmijëve

Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Bernd Borchardt, mori pjesë në Konferencën Kombëtare kundër Trafikimit të Personave, të mbajtur sot në Tiranë në kuadër të Muajit të Luftës kundër Trafikimit të Personave. Në fjalën e mbajtur në këtë veprimtari, Ambasadori Bernd Borchardt tha: “Deri më sot, ka pasur përpjekje madhore në Shqipëri për të trajtuar aspektet shumëdimensionale të trafikimit të qenieve njerëzore; për të përmirësuar si legjislacionin dhe politikat, duke bashkëpunuar me komunitetin ndërkombëtar për rritjen e aftësive dhe kapaciteteve të profesionistëve në nivele të ndryshme. Por ka ende shumë për të bërë”. Ai shtoi: “Prezenca e OSBE-së është angazhuar në mënyrë aktive për trajtimin e fenomenit të të miturve që punojnë dhe të fëmijëve në situatë rruge. Fatkeqësisht, kemi vënë re raste denoncimesh tek autoritetet ligjzbatuese për fëmijë të shfrytëzuar, të cilët nuk janë ndjekur. Këto fëmijë vazhdojnë të jenë nëpër rrugë dhe çka nuk dallohet nga statistikat është dhimbja dhe vuajtja që pëson çdo viktimë e trafikut të qenieve njerëzore. Gjatë dy viteve të fundit, janë trajtuar më shumë se 500 raste të fëmijëve në situatë rruge në të gjithë vendin, por vetëm një numër i vogël trafikuesish dhe shfrytëzuesish janë vendosur pas hekurave”. Ambasadori Borchardt gjithashtu nënvizoi se: “Sot është Dita Evropiane Kundër Trafikimit, e cila përkon me përvjetorin e krijimit të Koalicionit Kombëtar të Strehëzave Antitrafik. Më lejoni të përgëzoj personelin e këtyre strehëzave për kontributin e tyre të mrekullueshëm, duke ofruar mbështetje dhe ndihmë të pakushtëzuar për viktimat e trafikimit. Puna që keni bërë shërben si frymëzim dhe meriton mbështetjen e secilit prej nesh. Jemi krenarë që para pak vitesh e vlerësuam kontributin tuaj të vyer me Çmimin e OSBE-së për të Drejtat e Njeriut. E nxisim qeverinë të vazhdojë mbështetjen financiare për këto strehëza. Gjithashtu, nxisim qeverisjen vendore të caktojë fonde buxhetore dhe burime njerëzore të përshtatshme për mbrojtjen sociale të grupeve të personave më të cenueshëm ndaj trafikimit, në mënyrë që të parandalohet trafikimi i qenieve njerëzore brenda dhe jashtë Shqipërisë”.

KE: Shqipëria me nivelin më të lartë të kredive të këqija në rajon

Teksa Shqipëria ka ulur me gati 9 pikë përqindje nivelin e kredive me probleme nga fundi i vitit 2015 deri në gusht të këtij viti, sërish bashkë me Serbinë mbetet një nga vendet me nivelin më të lartë të kredive me probleme në rajon. Komisioni Europian, në raportin periodik për Shqipërinë, vuri në dukje dje se Shqipëria dhe Serbia po vazhdojnë të regjistrojnë raportet më të larta të NPL në rajon përkatësisht me 15-16% të totalit të kredive, pasuar nga Bosnja dhe Hercegovina me 11.1% dhe Mali i Zi 8.8%. Në të gjithë rajonin, raporti i NPL-ve u ul lehtësisht në 3.3% në tremujorin e dytë të vitit, nga 3.4% në tremujorin e parë të vitit 2017. Në Shqipëri, kredia me probleme është ulur si rezultat i fshirjes së huave të këqija të mbartur më shumë se tre vite në bilance. Raporti i kredive me probleme (NPL) ndaj totalit të kredive ka vazhduar të vijë në rënie në muajt e fundit. Niveli i NPL-ve qëndroi në 15.1% në gusht 2017, nga 21.4% në gusht 2016. Në tremujorin e dytë të vitit 2017, huadhënia bankare vazhdoi të mbështeste rritjen e rajonit të Ballkanit Perëndimor. Rritja e kredisë u përshpejtua në mënyrë të moderuar, krahasuar me tremujorin e mëparshëm, në Bosnje dhe Hercegovinë dhe në ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, ndërkohë që u rrit ndjeshëm në Malin e Zi. Nga ana tjetër, rritja e kredisë u ngadalësua në Serbi dhe Kosovë, dhe ishte negative në Shqipëri (e parregulluar për ndryshimet në kursin e këmbimit). Kreditimi i ekonomive familjare po rritet më shpejt sesa kreditimi i korporatave. Komisioni Europian vë në dukje se rritja e kredisë po kufizohet nga niveli i lartë i kredive me probleme.
Rritjet e larta të kredive me probleme në shumicën e vendeve vazhdojnë të përbëjnë një sfidë të stabilitetit financiar për rajonin. Në përgjithësi, kreditë joperformuese përbëjnë deri në një të pestën e totalit të kredive dhe progresi në reduktimin e tyre nuk konsiderohet i mjaftueshëm nga KE. Gjithashtu, Banka Qendrore Europiane e ka cilësuar nivelin e lartë të kredive një rrezik për stabilitetin financiar në rajon.

KLSH: Mjedisi në gjendje të mjerë, rrezik për shëndetin dhe integrimin në BE

Shkatërrimi i mjedisit në Shqipëri mund të jetë një rrezik serioz për jetën e qytetarëve shqiptarë, por edhe për integrimin e vendit në BE. Këto janë rezultatet e auditimit 2-vjeçar në sektorin e mjedisit të bëra nga KLSH. Nga gjetjet rezulton se ka pamjaftueshmëri të veprimit nga ana e qeverisë. “Ne kemi konkluduar nga ky auditim se shkatërrimi i parqeve natyrore, ndotja e ujërave të lumenjve dhe deteve, ndotja e tokës, zhdukja e pyjeve dhe zhdukja e shpejtë e biodiversitetit dhe ekosistemeve mund të jenë të pakthyeshme, nëse vazhdohet me ritmin aktual dhe mund të rezultojë në një rrezik serioz për jetën e shqiptarëve në terma afatgjatë si dhe një pengesë në integrimin e suksesshëm të Shqipërisë në strukturat europiane”, u shpreh kryetari i KLSH, Bujar Leskaj. Sa i përket trajtimit të mbetjeve në vend KLSH konstaton se ka përmirësime minimale dhe madje shpeshherë edhe përkeqësim. “Konstatuam se megjithëse nga ana strukturore, mjedisi në Shqipëri ka institucione të mirëorganizuara kemi me dhjetëra hot-spote vende me ndotje të lartë të dokumentuara dhe të padokumentuara, të trashëguar nga sistemi diktatorial i mëparshëm si dhe me dhjetëra hot-spote ambiente me ndotje të lartë për probleme të tjera mjedisore të krijuara nga industritë ndotëse në këto 20 vitet e fundit”, tha më tej Leskaj. Këto të dhënë u prezantuan në një aktivitet me temë “Auditimi mjedisor” në të cilin morën pjesë përfaqësues nga 27 institucione auditi nga një sërë vendesh.

Qeveria, 175 milionë euro borxhe bizneseve

An employee of GSA Austria (Money Service Austria) holds wads of new 500 euro banknotes at the company's headquarters in Vienna July 22, 2013. The GSA delivers new and collects old currency for the Austrian National Bank. REUTERS/Leonhard Foeger (AUSTRIA - Tags: POLITICS BUSINESS TPX IMAGES OF THE DAY) - RTX11V1K

Nga verifikimet dhe krahasimi i kontratave ka rezultuar se, deri në fund të tetëmujorit, borxhet e papaguara ndaj kompanive private që kanë ndërtuar rrugë janë 54 milionë euro, ndërsa 11 milionë euro të tjera u përkasin investimeve në ujësjellësa.
Sipas verifikimit, pjesa më e madhe e detyrimeve janë krijuar në periudhën janar-gusht të këtij viti, veçanërisht gjatë muajve të fushatës elektorale dhe periudhës së tranzicionit politik.
Por Ministria e Transporteve nuk është e vetmja që ka krijuar borxhe të papaguara ndaj biznesit. Sipas Fondit Monetar, edhe Tatimet kanë rreth 30 milionë euro detyrime ndaj kompanive private, për TVSH të parimbursuar.
Nëse këtyre u shtohen edhe rreth 80 milionë euro të tjera detyrime të pushtetit vendor, të trashëguara prej shumë vitesh, atëherë borxhet e papaguara që sektori publik ka ndaj biznesit llogariten në rreth 175 milionë euro, ose gati 1.7 për qind e prodhimit kombëtar.

Taksa e pronës, do paguhet 21 milionë euro më shumë në 2018-ën

Qeveria ka bërë publik planin për të ndryshuar taksimin mbi pronën, nga fikse, në bazë të vlerës, ndonëse ende nuk është bërë i qartë projekti final. Në projektbuxhetin 2018, pritshmëria për të ardhurat nga taksa e pronës është rritur ndjeshëm në raport me programin afatmesëm të financave. Arkëtimi nga taksa e pronës pritet të rritet me 54%, për të arritur në 8.1 miliardë lekë në raport me pritshmëritë e 2017-ës. Pra, shqiptarët do të paguajnë rreth 60 milionë euro taksë për pronën, apo rreth 21 milionë euro më shumë se këtë vit. Në raport me prodhimin e brendshëm bruto, të ardhurat nga taksa e pronës pritet të arrijnë në 0.5% të PBB-së, në linjë me rekomandimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar. Në programin fillestar afatmesëm, parashikimi për të ardhurat nga taksa e pronës ishte 5.6 miliardë lekë (pothuajse njësoj me 2017-ën), në rreth 0.3% të PBB-së. Të ardhurat nga taksat lokale pritet me rënie në krahasim me 2017-ën, me 11.3% më pak, për të arritur në 10.3 miliardë lekë. /Monitor

 

Dy udhëtimet e Tahirit me makinën e drogës së Habilajve pas “shitjes”

Moisi Habilaj, personi i arrestuar sot në Itali, është një nga tre vëllezërit Habilaj, të cilët u bënë të njohur për publikun për shkak të akuzave publike ndaj tyre për trafik droge në drejtim të Greqisë dhe Italisë.
Fillimisht, akuzat ndaj vëllezërve Habilaj u bënë nga Dritan Zagani, ish-punonjës i shërbimit anti-drogë në Policinë e Fierit dhe më parë punonjës i Policisë Kufitarë në Vlorë. Zagani ishte informuar dhe si rrjedhojë, kishte kryer hetime ndaj vëllezërve Habilaj për përfshirjen e tyre në trafik droge. Për të kryer këto hetime duket se, Zagani ndau dhe kërkoi informacion nga oficerë të misionit të Gurdia di Finanza në Shqipëri. Të gjitha faktet e mbledhura, ai ia kaloi eprorëve të tij.
Në mënyrë të pashpjeguar, në vend që faktet e grumbulluara prej tij të referoheshin në Prokurori nga Policia e Fierit dhe e Vlorës, Dritan Zagani u akuzua nga Policia për dekonspirimin e aksioneve të saj, duke pretenduar ndër të tjera se, shkëmbimet e informacionit me oficerët e Guardia di Finanza ishin bërë në shkelje të ligjit.
Për këtë arsye, ai u arrestua nga Prokuroria dhe u la në arrest shtëpie nga Gjykata në pritje të mbylljes së hetimeve ndaj tij.
Zagani theu arrestin shtëpiak dhe u arratis nga Shqipëria. Ai kërkoi strehim politik, i cili iu dha nga autoritetet zvicerane.
Pas largimit nga Shqipëria, Zagani deklaroi se akuzat dhe arrestimi ishin hakmarrje ndaj tij nga ministri Saimir Tahiri, për shkak se ai kishte hetuar tre vëllezërit Habilaj. Sipas Zaganit, Habilajt ishin kushërinj të Sajmir Tahirit dhe kishin mbrojtjen e tij për trafikimin e pangacmuar të drogës. Zagani akuzoi se, Tahiri kishte vënë në dispozicion të tyre makinën e tij vetiake, makinë tip “Audi” me targë AA 003 GB, me të cilën Habilajt kryenin trafikun e drogës drejt Greqisë, duke qenë se policët kufitarë nuk guxonin të kontrollonin makinën personale të ministrit të tyre.
Saimir Tahiri u përgjigj se, ai nuk kishte asnjë lloj lidhje me vëllezërit Habilaj dhe makinën ua kishte shitur atyre, mbasi ishte bërë ministër dhe nuk i njihte dhe nuk kishte asnjë lidhje me ta.
Pas kësaj deklarate, në media u publikuan të dhëna që tregonin se makina “Audi” AA 003 GB që përdornin vëllezërit Habilaj ishte në fakt e regjistruar në emër të ministrit Tahiri.
Përballë këtyre dëshmive, ministri Tahiri u detyrua të pranonte se makina ishte ligjërisht ende në pronësi të tij dhe e regjistruar zyrtarisht në emër të tij. Këtë gjë, ai e shpejgoi duke thënë se: Tahiri nuk e kishte deklaruar ligjërisht shitjen-dhe për pasojë nuk kishte kaluar letrat në emër të Habiljave-sepse nuk donte që të ardhurat nga shitja t’i sekuestroheshin nga Përmbarimi gjyqësor, pasi me vendim gjykate ai duhet t’u paguante dëmshpërblim për shpifje ndaj fëmijëve të ish-Kryeministrit Berisha, të cilin nuk donte ta paguante, duke deklaruar se nuk kishte para.
Ky deklarim ishte pranim i shkeljes së ligjit dhe evazionit fiskal nga ministri Tahiri, por kjo gjë nuk u hetua nga askush.
Pas disa ditësh, në media doli një e vërtetë tjetër: Ministri Tahiri kishte udhëtuar të paktën dy herë në Greqi me makinë “Audi” AA 003 GB muaj, pasi ai kishte deklaruar që e kishte shitur makinën tek Habilajt.
Këtë fakt të ri, Tahiri e shpjegoi me justifikimin se udhëtimet e tij në Greqi ishin private dhe duke mos dashur të përdorte makinën zyrtare për qëllime private, u kishte kërkuar Habiljave t’ja linin makinën për këto udhëtime. Kjo deklaratë e re e tij hodhi poshtë deklaratën e mëparshme, se ai nuk kishte lidhje me Habilajt, përtej faktit që u kishte shitur atyre një makinë.
Nën trysninë e këtyre fakteve publike dhe akuzave të vazhdueshme të opozitës, Prokuroria e Fierit nisi hetimin në lidhje me kushërinjtë Habilaj dhe përdorimin e makinës së tyre për trafik droge. Por hetimi u pushua pas pak muajsh me arsyetimin se nuk u gjetën prova për akuzat kundër tyre.
Pas këtij vendimi, ministri Tahiri përshëndeti ndërprerjen e hetimeve ndaj kushërinjve të tij me një mesazh në faqen e tij në Facebook:
“Tani që Prokuroria vërtetoi gënjeshtrat e policit në arrati, Shqup-it i humbi edhe llumi i rrenave. Ky është nga ato rastet kur gënjeshtra të përplaset në fytyrë, e shqupistave u është nxirë faqja tashmë. Politika që ndërtohet mbi të vërteta, ka vlerë gjithmonë. Gënjeshtra është grykëse, nuk ngop kurrë. Kjo vlen dhe për shqupistat”.
Arrestimi i njërit prej vëllezrve Habilaj si pjesë e një grupi kriminal të trafikimit të drogës hedh dritë të re mbi akuzat e vjetra për aktivitetin e dyshuar kriminal të vëllezërve Habilaj dhe lidhjet e dyshuara të ministrit Tahiri me ta dhe aktivitetin e tyre.
Nga aksioni i policisë italiane, sot është bërë i ditur edhe një fakt interesant, që në pamje të parë duket se mund të konfirmojë një akuzë të hershme ndaj grupit të Habiljave. Policia italiane pohoi se, grupi i arrestuar në Itali, ku bën pjesë Moisi Habilaj, ka dërguar në maj të vitit 2015 një sasi prej 800 kg marijuanë nga Shqipëria, sasi e cila u sekuestrua nga policia italiane në atë kohë.
Në të njëjtën periudhë, në maj 2015, deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj akuzoi vëllezërit Habilaj se kishin vjedhur nga Komisariati i Vlorës një furgon me 800 kilogramë kanabis sativa të sekuestruar, dhe ministrin Tahiri që kishte krijuar lehtësira për mundësimin e kësaj vjedhjeje.
Ministri Tahiri e hodhi poshtë akuzën e opozitës dhe policia, si në të gjitha rastet e tjera kur janë akuzuar vëllezërit Habilaj, nuk ndërrmori asnjë veprim.
Arrestimi i Moisi Habilajt në Itali ndoshta do të shërbejë për fillimin e zbardhjes jo vetëm të aktivitetit të dyshuar kriminal të vëllezërve Habilaj, por edhe të pozicionit të ish-ministrit Tahiri në lidhje me ta. Dyshimet ndaj tij nuk u zhdukën asnjëherë dhe ndoshta ato do të sqarohen përfundimisht.

 

1.7 milionë euro nga trafiku me katanezët

“MeridioNews”

Në brigjet e Ballkanit, në kohën e ngarkimit të drogës, organizata e drejtuar nga Moisi Habilaj, kushëri i ish-ministrit shqiptar, ka pasur bashkëpunimin e policisë. Ndërsa destinacionet e plazheve zgjidheshin pas inspektimeve të kujdesshme, duke përfshirë Riposto, Acireale dhe Sirakuze.
“A e pe furgonin e policisë që kaloi?”. “Atë me dritat e bardha? A është i yni?”. “Të gjithë janë tanët këtu!”. Është nata e 6 majit të vitit 2015 dhe përballë bregdetit shqiptar, në brigjet e Porto Palermos, anija e peshkimit “Fatima” është gati për të ngarkuar një ngarkesë të rëndësishme me marijuanë që do të transportohet në Siçili. Në bord është Moisi Habilaj, kushëri i ish-ministrit të Brendshëm shqiptar që konsiderohet nga hetuesit italianë kreu i grupit kriminal që organizonte trafikun e drogës, përpiqet të qetësojë Rosario Giuliano, pronari i varkës që është nisur nga Riposto për të marrë 880 kilogramë drogë. Habilaj hip tek “Fatima” dhe jep urdhra, me saktësi dhe qetësi. Një qetësi që, duke iu referuar përgjimeve të bëra nga Guardia di Financa siçiliane, lind nga vetëdija se policët shqiptarë, të cilët duhet të kontrollojnë janë bashkëpunëtorët e tij. Burri, në veçanti, paralajmëron Giuliano-n mbi rrugën që duhet të ndjekë pa shkelur në Greqinë fqinje. “Më thirri polici, i cili më shpjegoi, që të mos iu afrohesh ujërave greke … duhet të shkosh gjithnjë drejt, pas 6-7 milje nuk duken më dritat, duhet të ecësh edhe 2-3 milje, pastaj hyn. Nuk duhet të gabosh, vëllai im”.
Biznesi në boshtin Shqipëri-Siçili shkonte kështu: një vajtje-ardhje e vazhdueshme midis vendit ballkanik dhe juglindjes së ishullit nga ana e Habilajve dhe pjesëtarëve të tjerë të grupit. Takime me blerës nga Katania dhe Raguza, si Antonio Riela dhe Angelo Busacca. I pari ishte përfaqësues në Katania për disa familje mafioze të interesuara në blerjen e marijuanës. I dyti është një tregtar për fruta-perime me shumicë në tregun e Vittorias, i arrestuar muajt e shkuar pasi ka shfrytëzuar punëtorët në serrat e tij. Dhe është pikërisht në mes të Katanias, Lentinit, Augustas, Modikas dhe Vittorias që lëvizin subjektet që u arrestuan dy ditë më parë nga Gico e Guardia di Finanza e Katanias, me urdhër të prokurorit siçilian.
Një biznes në lulëzim, i cili është vënë në krizë nga sekuestrimet e vazhdueshme nga ana e policisë italiane. Është vetë Moisi Habilaj, që në një pikë, është duke bërë llogaritë e të ardhurave dhe shpenzimeve. Paratë që pret prej katanezëve arrijnë shifrën e 1 milion e 670 mijë euro, ndërsa borxhet që duhet të shlyejë në Shqipëri, arrijnë në 600 mijë euro. Dhe midis atyre që quhen më “problematikë” janë “Renato dhe shteti”. I pari është një nga furnizuesit shqiptarë. Por është mbi të gjitha në të dytën që u fokusua kureshtja e hetuesve, sipas të cilëve, pas fjalës “shtet” janë fshehur forcat e policisë shqiptare të paguar nga Habilajt.
Por ka edhe më shumë. Gjithnjë duke shfletuar borxhet që duhet të paguhen, udhëheqësi i dyshuar i organizatës përmend emrin e Saimirit. “Tridhjetë, thotë Habilaj, duhet t’ia shpie Saimirit”. Magjistratët italianë theksojnë se aludohet me shumë mundësi për kushëririn e tij Saimir Bashkim Tahiri, ish-ministër i Brendshëm dhe deputet. Një emër i rëndësishëm që rikthehet edhe në një tjetër pasazh të çështjes, kur kujtohet një nga udhëtimet e Habilajt, në shoqërinë e mikut të ngushtë Sabaudin Çelaj, midis Shqipërisë dhe Siçilisë që është bërë në bordin e një “Audi A8” në emër të vetë Tahirit, kur ishte ministër. E njëjta akuzë ishte ngritur në të kaluarën e afërt në Shqipëri, për një udhëtim të trafikantëve në Greqi dhe në atë rast politikani pohoi se ai vetë ia kishte shitur makinën në të zezë kushëririt të tij.
Vizitat e përsëritura në Siçili, përveç takimeve për të negociuar (që zhvillohen kryesisht në parkingun e spitalit në Lentini, në tregun e Vittorias, në Modika dhe në lagjen Pigno të Katanias), janë përdorur për të bërë inspektime të dobishme për të gjetur plazhet dhe portet më të mira ku të zbarkonin. Një shqetësim i ardhur nga dështimi i dërgesës që arrin në Augusta, në natën e 25 tetorit të 2013. Një gomone me në bord katër burra duhet të shkarkojë 1.650 kile marijuanë në plazhin e quajtur Baia del Silenzio (Gjiri i Heshtur), midis Brukolit e Agnone Bagni. Por për të prishur planet e shqiptarëve vijnë karabinierët, të cilët janë njoftuar nga një sinjalizim. Nis një arratisje midis shkëmbinjve që i kushton një prej trafikantëve, Çelaj, plagosjen në një nga këmbët dhe orë të gjata fshehjeje për të mos u arrestuar. Për ta ndihmuar, sipas rindërtimit të përgjimeve, është roja i një pallati, mik i një prej blerësve katanezë të drogës, që për të evituar arrestimin e merr në makinën e tij. “Ma çoi Zoti atë burrë, thotë Çelaj pasi ka shpëtuar, jam fshehur gjatë gjithë natës, pastaj kur u larguan, kapërceva kangjellat dhe jam lënduar, bëra dy-tre hapa dhe erdha këtu”. Në këtë rast Habilaj ankohet për interesin e paktë të katanezëve për organizimin e ngarkesës. “Nëse do të kisha një kallashnikov do t’i kisha vrarë të gjithë, bam bam bam”, thotë duke iu referuar karabinierëve.
Kjo është arsyeja pse, për ngarkesën e ardhshme, inspektimet janë më të kujdesshme: Monitorohen portet e Pozzillo-s, Santa Maria La Scala, Santa Tecla dhe Riposto, por edhe plazhet e Praiola-s dhe ajo e Sant’Anna-s, gjithnjë në Riposto.
Deri në muajt e parë të vitit 2017, kur organizata, vepronte ende në elementet kryesore të saj, pavarësisht sekuestrimeve të pësuara, përpiqet që të organizojë një ngarkesë të re nga deti që duhej të mbërrinte në Portopalo të Capo Passero, ku droga duhej të ruhej në një magazinë që pastaj t’iu shitej katanezëve. Një plan, i cili u prish nga arrestimet e operacionit “Rosa dei venti” që shkaktoi një tërmet të vërtetë politik në Shqipëri, ku opozita bën thirrje për arrestimin e ish-ministrit Tahiri, ndërsa kryeministri Edi Rama siguron: “Shqiptarët kanë nevojë të dinë të vërtetën, drejtësia duhet t’i shkojë deri në fund”.