32.5 C
Tirana
E mërkurë, 13 Gusht, 2025

“Që në fillim duhet t’u fusnim plumbin”

Përgjimet e bëra nga autoritetet italiane japin të dhëna të shumta lidhur me funksionimin e bandës. Aty tregohet edhe mënyra sesi i zgjidhnin çështjet apo problemet me ata që u prishnin punë në trafikimin e lëndëve narkotike.
Përgjimi 1
Sabah (Z): Sa mirë që shpëtuam… sa mirë!
Maridian: Ça thua?!
Sabah (Z): Sepse, nëse ai do të kishte lajmëruar në heshtje, do të na kishin kapur aty.
Maridian: Pastaj ku do të kishim ikur… vetëm të mbyteshim… (shan)… për atë i lutesha Zotit sot: “Zot, të paktën na shpëto ne, sepse ajo (i referohet mallit) iku, të paktën mendo për ne”, i thoja.
Sabah (Z): Çfarë na bëri ai qelbësirë!
Maridian: Na shkatërroi çdo gjë, na ka dëmtuar.
Sabah (Z): Lëre çfarë dëmi.
Maridian: Po kur e shihja atë punë (i referohet mallit ndr) që përfundoi ashtu… Xhaxha… nuk e di… më vinte keq si të ishte një fëmijë.
Sabah (Z): 1 ton e 300 mijë kile ishin.
Maridian: Më vinte shumë keq sikur të bëhej fjalë për një fëmijë… e kupton?… që e kapën ata.

Përgjimi 2
Në makinën “Fiat Brava”, me targa DG826NA në përdorim nga Moisi Habilaj janë Habilaj, Mariglen Alimuçaj, thirrur Geni dhe Bushi.
M: Sot do vijnë ata këtu. Pastaj do iki tek ai trapi tjetër, kapo i familjes.
U: Nuk ka marrë njeri në telefon?
M: Jo.

Përgjimi 3
Në makinën “Fiat Brava”, me targa DG826NA në përdorim nga Moisi Habilaj janë Habilaj, Mariglen Alimuçaj (G).
M: Tani do marrin gradat ata trapat tani.
G: Atij trapit, Ciakut duhet t’i japim një “kastravec”, trapi.
M: Jo, jo.
G: Vari l…t’i vëmë dinamiti, të zhduken.
M: Pse kemi kohë ne tani të merremi me dinamite?
G: Trapi. Ai është pronari apo kujdestari i shtëpisë?
M: Po jo kujdestari, jo, pronari i shtëpisë.
G: Më tha se pronari i shtëpisë nuk donte, po vari l… edhe atyre. Që në fillim duhet t’u fusnim plumbin dhe t’u thonim, jam unë këtu.
M: Çfarë fati ky Dani, çfarë fati, çfarë fati, çfarë fati.

Përgjimi 4
Mariglen Alimuçaj: Qelbësirat që na kanë…
Moisi: Na varrosën e na lanë fëmijët në rrugë!… Ua q… do t’i kishim parë kalamajtë tanë burra 20-vjeçarë (nëse do t’i kishin kapur ndr.)… unë kam për të marrë akoma 160 mijë euro nga ky që (inc.le)…
Mariglen Alimuçaj: Ku e ke makinën?
Moisi: Këtë ku do të shkojmë ne poshtë… dhe do i them Anxhelos (e ka për Busacca Angelo, ndr) t’i marrë ato 160 mijë euro ashtu siç janë dhe i dua të vdekur të tre… të betohem mbi dy fëmijët e mi… i dua të masakruar… 160 plus 100… 260… plus 40… 300… 400 mijë euro… nuk mund t’i bësh asgjë….
Më pas Moisi Habilaj imiton disa persona me siguri me origjinë kataneze duke thënë: Mana Mirere i me figghii… ma morere kistu… ma morere kiddu”! (Duhet të vdesin fëmijët e mi… duhet të vdesë ky… duhet të vdesë ai).
Mariglen Alimuçaj: Duhet të mendosh për këta qelbësira… po këta qenkan qelbësira!

 

Shifrat zyrtare: Rritet frikshëm kriminaliteti në ekonomi

Kriminaliteti në ekonomi në tremujorin e tretë të vitit 2017 ka shënuar rritje të ndjeshme në vend, duke kaluar për herë të parë në histori si krimi kryesor në vend, raportoi INSTAT.
Në tremujorin e tretë 2017 janë kryer 9.900 vepra penale, rreth 10,3% më shumë, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2016. Gjatë kësaj periudhe janë regjistruar 10.068 autorë të veprave penale, të cilët janë 23,8% më shumë krahasuar me tremujorin e tretë 2016.
Pjesën më të madhe të veprave penale e zënë “Krimet kundër pasurisë dhe në sferën ekonomike” me 40,3%, “Krimet kundër autoritetit të shtetit” me 38,3%, dhe “Krimet kundër personit” me 19,0%.
Në vlerë absolute, numri i veprave të evidentuara në grupin penal “Krimet kundër pasurisë dhe në sferën ekonomike” në tremujorin e tretë arriti në gati 4 mijë, me një rritje prej 47% në krahasim me tremujorin e tretë 2016, ku rritjen më të fortë e kanë ndërtimet e paligjshme dhe ato në fushën e tatimeve dhe taksave.

Vepra penale kundër pasurisë dhe në sferën ekonomike
Në tremujorin e tretë 2017 janë kryer 3.993 vepra penale “Krime kundër pasurisë dhe në sferën ekonomike”, duke pësuar rritje me 46,8%, krahasuar me tremujorin e tretë 2016.
Autorët e tyre janë 3.506, rreth 53,6% më shumë se në të njëjtën tremujor të një viti më parë dhe përbëjnë 34,8% të totalit.
Në këto vepra penale, Vjedhjet e pasurisë zënë 36,4% të totalit. Krahasuar me tremujorin e tretë 2016, gjatë këtij tremujori vjedhjet e pasurisë kanë pësuar rritje me 3,3%.
Tabelat e INSTAT tregojnë se në vlerë absolute rritjen më të lartë e kanë ndërtimet e paligjshme (nga 286 në 862 raste), shkatërrimi i pronës, mashtrimet, veprat në lidhje me tatimet dhe taksat (nga 96 raste në 236 raste).

Vepra penale kundër personit
Sipas INTAT, gjatë tremujorit të tretë 2017 janë kryer 1.884 vepra penale kundër personit, duke pësuar rritje me 5,5%, në krahasim me tremujorin e tretë 2016.
Numri i autorëve të krimeve kundër personit, në këtë periudhë është 2.212 dhe përbën 22,0% të totalit të autorëve. Gjatë tremujorit të tretë 2017, numri i autorëve të kësaj vepre penale është rritur me 8,5%, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Veprat penale kundër autoritetit të shtetit
Në tremujorin e tretë 2017 janë kryer 3.798 vepra penale, me një rënie prej 12,4%, në krahasim me tremujorin e tretë 2016. Numri i autorëve gjatë tremujorit të tretë 2017, është 4.093, duke shënuar një rritje me 12,7%, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Veprat penale kundër rendit dhe sigurisë publike, përbëjnë përqindjen më të madhe të veprave kundër autoritetit të shtetit, me rreth 78,7%, duke regjistruar një ulje prej 19,6%, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Masat e sigurisë
Gjatë tremujorit të tretë 2017, numërohen 10.068 masa sigurie për autorë të veprave penale, nga 8.129 që ishin në të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke pësuar rritje me 23,9%. / Monitor

Maqedoni, Gruevski u mposht!

Gruevski nuk do ta përcaktojë më fatin e Maqedonisë, ajo që do të ndodhë në Maqedoni mund ta përcaktojë fatin e Gruevskit. Detyra tani është të ndërtohet një sistem, në të cilin Gruevski nuk do të përsëritet më.
Me kokë të ulur, të dielën, me 15 tetor Nikolla Gruevski paralajmëroi dorëheqjen e tij nga skena politike në Maqedoni. Gruevski nuk e shqiptoi fjalën “dorëheqje”, por edhe nuk e kishte të domosdoshme. Dorëheqja qëndronte mbi të si hije dhe vërehej në tentimin e pasuksesshëm për të përçuar vendosmëri dhe fuqi. Tentimi që humbjen e thellë ta arsyetonte me akuza për parregullsi dhe presione ndaj votuesve, ishte sa për sy e faqe ndaj simpatizantëve të vet dhe anëtarëve të partisë, para raundit të dytë të votimit më 29 tetor, kur do të vuloset fati i tij.
Por, nëse rrëzimi i Gruevskit është tanimë temë e mbyllur, çështje e hapur mbetet: çfarë do të bëhet me sistemin që ai la pas vetes në shtet, pas plot dhjetë viteve të sundimit të tij? Bëhej fjalë për sistemin dhe jo për një paraqitje të shkurtër, pasojat e të cilit nuk mund të evitohen aq lehtë me formimin e qeverisë së re dhe fitores, pavarësisht nëse bëhet fjalë për fitore të madhe, siç ndodhi në zgjedhjet e fundit lokale. Sistem, në të cilin mbretëroi korrupsioni, nepotizmi, klientelizmi, nacionalizmi, kontrolli ndaj gjyqësorit, frika dhe ngulfatja e lirisë së mediave dhe qytetarëve.
Sistem, tmerret e të cilit dolën në sipërfaqe me 27 prill të këtij viti me hyrjen në Parlament. Sistem për çmendurinë e të cilit dëgjuam në “aferat e bombave”, të cilat i publikonte opozita e atëhershme tani në pushtet. Sistem, i cili e hidhëroi vendin me fqinjët dhe bashkësinë ndërkombëtare. Sistem i cili prodhoi “projektin Shkupi 2014”, me të cilin kryeqyteti hyri në fushën e kiç-it, duke e shndërruar atë në objekt talljeje para opinionit botëror.

Deziluzionim në vend të euforisë
“Nikollë, nga burgu i Shutkës nuk shpëton dot!”, thërisnin simpatizantët e LSDM-së në natën e fitores së madhe të zgjedhjeve lokale. Emocionet nga më të ndryshmet, për shkak të humbjes përfundimtare të rivalit, dhe euforia nga fitorja e madhe e papritur e partisë së tyre, për momentin i vënë në plan të dytë të gjitha problemet me të cilat ballafaqohet shteti, si brenda ashtu edhe jashtë. Pjesërisht fjalimi i përmbajtur i Zaevit, i cili paralajmëroi se, “tani duhet t’i përveshim mëngët”, i dha një notë deziluzionimi momentit festiv. Pa marrë parasysh nëse do të përfundojë Gruevski apo jo në burgun e Shutkës, të Idrizovës apo Belizes, Zaevi duhet ta ketë të qartë se ai dhe partia e tij gjenden para një detyre historike, në të cilën nuk ka shumë hapësirë për gabime.
Përgjegjësia është e madhe, sikurse edhe pritja e qytetarëve. Gruevski nuk do ta përcaktojë më fatin e Maqedonisë, por në të kundërtën, ajo që do të ndodhë në Maqedoni mund ta përcaktojë fatin e Gruevskit ose të të ngjashmëve të ardhshëm si Gruevski.
Drejtësi gjithsesi duhet të ketë. Por atë mund ta sjellë vetëm një sistem i reformuar gjyqësor dhe për ekzistimin dhe funksionimin e pavarur të tij, politika duhet të krijojë kushte. Nuk është e rastësishme që në raportin e dytë të grupit të ekspertëve të Komisionit Evropian të udhëhequr nga Rajhnard Pribe, theksohej rreziku “që një shtet i kapur si Maqedonia të zëvendësohet me tjetër”.
Brukseli dhe përkrahësit e tjerë ndërkombëtarë të Maqedonisë, gjatë 25 viteve të kaluara panë dhe dëgjuan shumë “fillime të reja”, premtime të shumta të parealizuara, rilindje dhe jetë…për të mos folur për ato që dëgjuan qytetarët e Maqedonisë. Që Maqedonia të bëhet shtet me të gjitha “simbolet” nuk është e mjaftueshme që Zaevi të ulet në fronin e Gruevskit, ndërsa socialdemokratët t’u zënë vendin e kryebashkiakëve të VMRO-së.
Punët, që e presin në të ardhmen prekin thellë themelet e shoqërisë: sistemin arsimor, i cili që grupmoshat e vogla i mësonte për bindje, në vend të mendimit krijues dhe kritik, në shëndetësi, e cila të bënte të sëmurë, në vend që të të shërojë, në administratën publike, në të cilën avancoje me librezë partiake në vend të cilësisë, në të menduarit i cili pushtetin e sheh si shans për pasurim në vend të shërbimit, edhe në raportin me mjedisin jetësor.
Reformat, të cilat duhen të realizohen në Maqedoni duhet patjetër të kalojnë sipas vertikales, por jo si projekte teoriko-ligjore, të cilat askush nuk i zbaton në praktikë, por si një shembull nga maja te qytetari i rëndomtë, për një sjellje pak më ndryshe. Ndërtimi i kultit personal të një lideri si dhe përbuzja duhet të ndryshohet me kritikë dhe dialog.

Eliminimi i sistemit Gruevski
Nuk do të kalojë shumë kohë, kur do të dalin lajmet e para, për shembull, për ndarjen e tendereve në baza partiake ose private, si në pushtetin qendror, ashtu edhe në atë vendor. Një gjë e tillë ndodh kudo në botë. Dallimi është në atë që dukuri të tilla dënohen atje ku dëshiron të shkojë Maqedonia. Nëse mosndëshkimi vazhdon të vlejë si parim për funksionarët në vend, të gjitha premtimet do të mbeten fjalë boshe. Tentimi për kompensimin eventual të pakënaqësisë së qytetarëve me klientelizëm të ngjyrave të reja partiake, vetëm se do ta përshpejtojë shkatërrimin e shtetit dhe do t’i kthehet si bumerang partisë në pushtet. Gjithashtu edhe ngulfatja e mediave. Sfida që të prekej apo shfrytëzohej së paku edhe një pjesë nga sistemi i vjetër për partinë apo për përfitim personal, shumë shpejt do ta vinte partinë e re në pushtet në binarët e “Gruevizmit”.
Nëse nuk eliminohet tërësisht sistemi i Gruevskit, atëherë kjo situatë nuk do t’i sjellë asgjë të mirë, as shtetit e as partisë në pushtet. Atë sistem nuk e ka shpikur Gruevski ose VMRO-DPMNE-ja, ata vetëm e materializuan atë që lanë trashëgimi socialdemokratët në vitin 1990. Prandaj, detyra nuk do të jetë as e lehtë e as e thjeshtë. Detyra është e qartë, duhet të ndërtohet një sistem në të cilin Gruevski nuk do të përsëritet më.
Kjo do të jetë e mundur vetëm me gjyqësi të pavarur, me administratë profesionale, me media të lira dhe shoqëri të fuqishme civile. Do të duhet shumë guxim dhe punë cilësore që të fillojë ndryshimi i gjërave në Maqedoni. Se a ka vendosmëri dhe përkushtim LSDM-ja dhe Zaevi ta bëjnë një gjë të tillë, këtë do ta kuptojmë së shpejti. Nga ajo që kemi parë deri tani, ka hapësirë për optimizëm dhe shpresa të matura, por jo edhe për eufori.

Pentagoni nis kërkimet për rekrutë nga vendet e huaja

Departamenti Amerikan i Mbrojtjes po ndryshon një program që ua mundëson rekrutëve të huaj ushtarakë marrjen më të shpejtë të shtetësisë amerikane.
Udhëzimet e reja të njoftuara të premten do të ndikojnë tek personat me kartë të gjelbërt dhe rekrutët e regjistruar në programin e Interesit Kombëtar (MAVNI), që filloi në vitin 2009.
“Në bazë të udhëzimit që tashmë ka hyrë në fuqi, të gjithë personat me kartë të gjelbërt duhet të kalojnë me sukses një hetim paraprak përpara fillimit të shërbimit aktiv në forcat rezervë ose në gardën kombëtare”, thuhet në një deklaratë të Departamentit të Mbrojtjes.
Për t’u kualifikuar për programin e përshpejtimit të marrjes së shtetësisë, personat me kartë të gjelbërt, ose rekrutët tani duhet të plotësojnë kushtet fillestare të trajnimit për shërbimin ushtarak, të kenë shërbyer në ushtri për të paktën 180 ditë rresht, ose të paktën një vit shërbimi në forcat rezervë dhe kalojnë me sukses një kontroll të hollësishëm të biografisë.
Ky është një ndryshim nga praktika e tanishme, sipas së cilës një rekrut ushtarak do të kualifikohej për “procesin e përshpejtuar të marrjes së shtetësisë” pas vetëm një dite shërbimi.
Megjithëse programi promovon përshpejtimin e marrjes së shtetësisë amerikane, rekrutët duhet të kenë kartën jeshile për të paktën dy vjet para se të aplikojnë. Normalisht, një person i pajisur me kartë të gjelbërt, duhet të jetë banor i përhershëm për pesë vjet, para se të ketë të drejtë të aplikojë për marrjen e shtetësisë, ose së paku tre vjet për ata që kanë marrë kartën e gjelbërt përmes martesës me një shtetas amerikan.

Dorëhiqet ministrja e Brendshme e Portugalisë, pas zjarreve vdekjeprurëse

Ministrja e Brendshme e Portugalisë, Constanca Urbano de Sousa, ka dhënë dorëheqje të mërkurën, pas zjarreve që vranë më shumë se njëqind njerëz gjatë muajve të fundit. Ministria e Brendshme është përgjegjëse për zjarrfikësit, policinë dhe agjencinë e mbrojtjes civile, që janë përballur me kritika pas zjarreve.
“Nuk kisha kushte politike dhe personale për të vazhduar në postin tim”, ka thënë në letrën e saj të dorëheqjes ministrja Sousa. Kryeministri Antonio Costa, ka thënë përmes një kumtese se ai ka pranuar dorëheqjen e ministres. Qindra zjarre kanë shpërthyer në të gjithë Portugalinë veriore dhe qendrore që nga e diela, pas verës më të thatë në gati 90 vjet, duke vrarë të paktën 41 vetë. Zjarret e këtij viti kanë djegur në total 350,000 hektarë tokë.

Përse kanë ngecur mekanizmat ndërkombëtarë për Kosovën?

Kosova ka ngecur në procesin e njohjeve të reja dhe anëtarësimit në mekanizmat ndërkombëtarë, si pasojë e kapaciteteve të vogla të udhëheqjes diplomatike dhe kundërshtimit të fuqishëm diplomatik të Serbisë në organizata ku ajo ka ndikim, vlerësojnë analistë të çështjeve politike.
Problemet me anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, sipas analistëve, ndërlidhen edhe me mosnjohjen e saj nga pesë shtetet anëtare të Bashkimit Evropian.
Analisti i çështjeve politike, Ramush Tahiri tha për Radion “Evropa e Lirë” se, ka disa rrethana, të cilat ndikojnë në ngecjet e Kosovës, si në procesin e njohjeve të reja, ashtu edhe të anëtarësimit të saj në mekanizma ndërkombëtarë.
“Janë disa rrethana që ndikojnë në këtë stagnim. Kosova është shtet i vogël dhe ka kapacitete të vogla të udhëheqjes diplomatike në planin ndërkombëtar. Njohja e 114 shteteve duket që është e bollshme për një shtet të vogël siç është Kosova”, tha Tahiri.
“Hendikep i Kosovës është se nuk është pranuar në organizata ndërkombëtare dhe nuk është pranuar në Kombet e Bashkuara dhe në këtë bazë nuk shkon vendosja e marrëdhënieve diplomatike me automatizëm, por me secilin shtet duhet lobuar, e me secilin shtet Kosova nuk ka kapacitet të vendosë marrëdhënie diplomatike”, theksoi Tahiri.
Të kontaktuar nga Radio “Evropa e Lirë”, përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Jashtme nuk janë prononcuar rreth kësaj çështjeje.
Që nga shpallja e pavarësisë më 17 shkurt të vitit 2008, Kosovën e kanë njohur 114 shtete. Ndërkohë, është bërë anëtare e shumë organizatave ndërkombëtare, përfshi edhe organizatat më të rëndësishme financiare dhe sportive.
Por, nuk ka arritur të rrumbullakojë subjektivitetin e saj ndërkombëtar, pasi që nuk është bërë pjesë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe organizatave të tjera, që ndërlidhen me OKB-në.
Kurse në raportet me Bashkimin Evropian, mbetet ende larg liberalizimit të vizave dhe procesit të anëtarësimit.
Përderisa e arritura kryesore në raportet me BE-në, mbetet Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit, e cila ka filluar të zbatohet nga prilli i vitit 2016.
Dy vitet e fundit, përkundër paralajmërimeve të zyrtarëve më të lartë të shtetit, Kosova nuk arriti të bëhet anëtare e UNESCO-s (Agjencisë për Kulturë, Shkencë dhe Arsim e Kombeve të Bashkuara), Këshillit të Evropës dhe as INTERPOL-it (Policisë Ndërkombëtare).
Ndërkohë, për analistin e çështjeve politike Artan Muhaxhiri, njohjet e Kosovës kanë stagnuar gati krejtësisht në muajt e fundit.
Sipas tij, për të lëvizur nga kjo gjendje, aktualisht nuk ka as iniciativa as fuqi politike nga përfaqësuesit e Kosovës, ndërkohë që mungon edhe përkrahja nga partnerët ndërkombëtarë, siç ishte dikur.
“Për ngecjet në njohje dhe anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, fajtor janë qeveritarët tanë, të cilat jo vetëm që nuk kanë pasur fuqi që vetë të bëjnë diçka më të madhe, por edhe nuk kanë pasuri fuqi të reagojnë ndaj fushatave të egra të Serbisë, e cila ka qenë penguesja kryesore për mospranimin e Kosovës në këto organizata”, thotë Muhaxhiri.
Sipas Muhaxhirit, në procesin e lobimit, ka shumë rëndësi qasja e institucioneve të Kosovës ndaj vendeve veç e veç.
“Më i rëndësishëm është stagnimi i anëtarësimit në organizata ndërkombëtare, siç janë UNESCO, INTEROPL-i dhe mekanizmat e tjerë, pasi që këto anëtarësime do t’i jepnin Kosovës një imazh tjetër në spektrin ndërkombëtar politik, por edhe do ta fuqizonin shtetësinë e saj”, thotë Muhaxhiri.
Në anën tjetër, Ramush Tahiri thotë se, pas përfundimit të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, që po ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, mund të priten njohje të reja dhe rrjedhimisht edhe anëtarësime të Kosovë në organizatat ndërkombëtare.
Sipas Tahirit, disa shtete kanë probleme të brendshme apo të ngjashme me rastin e Kosovës, ndërsa disa shtete të tjera kanë marrëdhënie të mira me Serbinë dhe ato presin që të këtë njohje nga Serbia dhe në atë bazë ta njohin një ditë edhe Kosovën.

Infektimi me HIV problem në Europën Lindore

Sida-n shumë e konsiderojnë si një temë, që prek kryesisht Afrikën dhe vende të tjera në zhvillim. Por sinjalet e alarmit po vijnë nga një drejtim tjetër: Ka një rritje dramatike të infeksioneve HIV në Europën Lindore.
OKB-ja u ka bërë thirrje shteteve europiane, që t’i kundërvihet bashkarisht përhapjes së sëmundjes së dobësimit të imunitetit Sida dhe virusit HIV. Europa ndodhet sot para një sfide më të madhe se Afrika, kur është fjala për luftimin e HIV dhe të Sida-s, tha zëvendësdrejtori i Programit të OKB-së për Sida-n (UNAIDS), Luiz Loures, në Berlin. Në këtë kontekst, ai iu referua rritjes së jashtëzakonshme të infeksioneve të reja në Europën Lindore dhe në Azinë Qendrore, veçanërisht në Rusi.
Eksperti u shpreh në hapje të konferencës së ekspertëve, që po zhvillohet në Berlin. Veprimet e mëvetësishme në nivel kombëtar në sfondin e valës së migracionit brenda Europës nuk mund ta kufizojnë këtë problem, theksoi Loures.

“Një katastrofë”
Sylvia Urban, nga kryesia e Aleancës së Aksionit kundër Sida-s në Gjermani, shtoi: “Ne po përjetojmë në rajon, ndërkohë një katastrofë”. Në Rusi, vendi më i prekur i rajonit, vitin e kaluar numri i infeksioneve e tejkaloi shifrën e 100.000. Krahasuar me këtë në Gjermani vitin e kaluar numri i rasteve të reja me infeksionin HIV është 3200. Rritja e infeksioneve të reja dhe e rasteve të vdekjeve nga Sida në Europën Lindore dhe në Azinë Qendrore është përkundër tendencës mbarëbotërore. “Qeveria gjermane duhet të kujdeset, që Europa Lindore të mund të përfitojë nga përvoja e Gjermanisë”, theksoi Sylvia Urban. Duhet gjithashtu të punohet, që diskriminimi të mos vazhdojë të pengojë aksesin e grupeve më të prekura tek masat e profilaksisë dhe trajtimit. “Përndjekja e homoseksualëve, e konsumatorëve të drogës dhe të tjera pakica është një katastrofë njerëzore dhe e bën të pamundur parandalimin e HIV”, tërhoqi vëmendjen Urban.

 

Forcat irakiane marrin kontrollin e fushave të naftës nga kurdët

Forcat irakiane përparuan me shpejtësi në pjesën veriore të vendit, duke rimarrë territorin dhe dy fushat më të mëdha të naftës nga kurdët, duke i dhënë fund shpresave të tyre për një shtet të pavarur.
Një ditë pas marrjes nën kontroll të Kirkukut, një qytet me një milion banorë, trupat e Bagdadit hynë nëpër qytete dhe fshatra të tjera të rajonit, dhe kryengritësit kurdë u tërhoqën pa luftë.
Fushat e naftës Bai Hasan dhe Avana prodhonin rreth 250,000 fuçi nafte në ditë. Rreth 650,000 fuçi janë eksportuar për të financuar operacionet e këtij rajoni autonom kurd. Humbja e tyre është një goditje ekonomike ndaj përpjekjeve kurde për të shpallur pavarësinë nga qeveria qendrore në Bagdad. Kurdët votuan në një referendum muajin e kaluar për një shtet të veçantë, por Bagdadi e shpalli të paligjshëm votimin.
Ministri irakian i naftës, Jabar al-Luaibi tha se, Bagdadi tani do të përpiqet të rrisë prodhimin në fushat e naftës në Kirkuk në më shumë se një milion fuçi në ditë.
Shtetet e Bashkuara kanë trajnuar si forcat irakiane, ashtu edhe luftëtarët kurdë peshmerga, duke u bashkuar me ta në luftën kundër xhihadistëve të Shtetit Islamik. Presidenti i amerikan Donald Trump tha të hënën se, Shtetet e Bashkuar nuk kanë marrë anën e askujt në këtë konflikt.

Trump: SHBA mbështesin Greqinë të rimëkëmbet nga kriza

Presidenti amerikan Donald Trump tha se, Shtetet e Bashkuara mbështesin Greqinë, ndërsa ky vend rimëkëmbet nga kriza ekonomike.
Presidenti Trump u takua të martën në Shtëpinë e Bardhë me Kryeministrin grek Alexis Tsipras. Pas takimit, të dy udhëheqësit mbajtën një konferencë të përbashkët shtypi në oborrin e Shtëpisë së Bardhë.
Presidenti Trump tha në konferencën e shtypit se, të dy krerët diskutuan mbi mbrojtjen, energjinë, ekonominë dhe tregtinë.
Zoti Trump vlerësoi Greqinë për shpenzimet e saj në fushën e mbrojtjes si anëtare e NATO-s dhe tha se Shtetet e Bashkuara mund t’i shesin Athinës avionë luftarakë F-16, me një vlerë prej 2.4 miliardë dollarësh, një veprim që sipas Presidentit do të krijonte mijëra vende pune në Shtetet e Bashkuara.
Nga ana e tij, Kryeministri Tsipras tha se vendi i tij ka bërë përparime ekonomike, dhe se bashkëpunimi i Greqisë me Shtetet e Bashkuara po bëhet “gjithnjë e më i rëndësishëm”.

Totti: Ja pse Ronaldo është përpara të tjerëve

Francesco Totti ka thënë se Cristiano Ronaldo meriton të fitojë çmimin e lojtarit më të mirë të FIFA-s për meshkuj, përpara Lionel Mesit dhe Neymar. Ish-futbollisti i Romës dhe Italisë i përshkruan të tre ata si “alienë të futbollit”, por thotë se ylli portugez, i cili është fituesi në fuqi i “Topit të Artë”, duhet ta rifitojë çmimin si lojtar i shquar i kësaj loje gjatë 12 muajve të fundit. Totti thotë se, faktori vendimtar ishte aftësia e Ronaldos për të udhëhequr Real Madridin në lavdinë e brendshme (La Liga) dhe atë europiane (Champions). “Ne po flasim për tre alienë të futbollit, i tha ai “FIFA.com”.
Mendoj se, në fund, Ronaldo është përpara të tjerëve. Ai pati një sezon të mahnitshëm dhe, gjithashtu, i realizoi golat e tij kundër ekipeve më prestigjioze”. Në të vërtetë, ai ka mbështetur Zinedine Zidane për ta bërë atë një Real Madrid të dyfishtë në ceremoni, duke tërhequr çmimin e trajnerit më të mirë të FIFA-s, përpara Antonio Conte dhe Masimiliano Alegri. “Mendoj se Zidane është favoriti për të njëjtat arsye, si Cristiano Ronaldo: ai fitoi gjithçka në sezonin e fundit”, shpjegoi Totti, megjithëse tha se bashkëatdhetarët e tij kishin bërë “punë të jashtëzakonshme” te Chelsea dhe Juventus.
Ndërkohë, ai e sheh çmimin e portierit më të mirë të FIFA-s si një “shkëmbim zjarri” midis Gianluigi Buffon dhe Keylor Navas, edhe pse beson se bashkatdhetari i tij e meriton atë. “Portierët kanë një ndikim të madh në lojë, megjithëse nuk njihen sa duhet. Ndikimi i tyre në rezultatin përfundimtar të ekipit është gjithmonë vendimtar, vuri në dukje Totti. Mendoj se Gianluigi Buffon ka një shans shumë të mirë për ta fituar atë çmim. Ai ka qenë më i miri në mënyrë individuale, por edhe skuadra e tij arriti në finalen e Ligës së Kampionëve, njësoj si Keylor Navas. Në fund, mendoj se të dy do të konkurrojnë për të”.