Pas 3 firmave të Interit në derbin e Madonnina-s, shkon në 13 numri i golave të pësuar nga Milani në 8 javët e para të kampionatit. Një fakt shqetësues për skuadrën e Vincenzo Montella-s, që fut ujë në fazën e mbrojtjes dhe jep sinjale se rrezikon të mbyllë një sezon të dështuar, ndryshe nga ç’pritej.
Nën akuzë është kapiteni Leonardo Bonucci, blerja e madhe e verës e shoqërisë kuqezi, rendimenti i të cilit deri tani është nën pritshmëritë. Bonucci-t i bashkohen edhe paraqitjet negative të Musachio-s dhe Romagnoli-t, ndërsa Zapata-s i ka munguar vijueshmëria.
Por diskutimi zgjerohet në mesfushë, e cila nuk bën filtrimin e duhur për prapavijën. Si rezultat shpesh mbrojtësit kuqezi gjenden një kundër një me sulmuesit kundërshtarë. Edhe ndryshimi i modulit të lojës, duke kaluar nga mbrojtja me 4 në atë me 3 lojtarë, duket se e ka theksuar problemin në vend që t’i japë zgjidhje. Në mbrojtjen me 4, golat e pësuar ishin 5 në 4 javët e para, 4 prej të cilëve në transfertën shumë negative të Romës me Lazio-n.
Është pikërisht ndryshimi taktik i dëshiruar nga Montella, që nuk ka dhënë fryte. Në 5 ndeshjet e tjera të kampionatit Milani ka pësuar 8 gola dhe vetëm kundër Spal në “San Siro” Donnarumma ka mundur ta mbajë të paprekur portën e tij. Në 3 ndeshjet e fundit kuqezinjtë kanë pësuar 7 gola, 9 në 4 ndeshje duke konsideruar edhe të fundit në Europa League.
Numra shqetësues, nëse merret parasysh se në 20 vitet e fundit vetëm Milani i Mihajloviç-it i sezonit 2015-2016 kishte pësuar më shumë gola në 8 javët e para të Serie A. Pas afrimit të Christian Brocchi-t në stol, skuadra në fund të sezonit e mbylli në vendin e 7. Të njëjtin numër golash kuqezinjtë kanë regjistruar edhe në 2013-2014, kur drejtoheshin nga Allegri. Më pas, “Djalli” që ndryshoi drejtimin në janar duke marrë Seedorf-in, e mbylli kampionatin në vendin e 8.
Duke analizuar sezonet më të mira të mijëvjeçarit të ri, nga 2002-2003 dhe deri në 2010-2011, golat e pësuar nga mbrojtja kuqezi nuk ka qenë kurrë një numër dyshifror në 8 javët e para. Pra, është e qartë që alarmi mbrojtje është ndezur në shtëpinë e Milanit dhe duhet menjëherë të gjendet një zgjidhje në mënyrë që të mos avullojë objektivi i sezonit, kualifikimi në Champions.
Arlind RAMA
13 gola në 8 javë
Pochettino mund të drejtojë Real Madridin
Tottenham ka arritur që të nxjerrë një barazim 1:1 ndaj Real Madridit në “Santiago Bernabeu”. Pas kësaj ndeshjeje, ish-mesfushori i Tottenhamit, Jamie Redknapp, e ka lavdëruar trajnerin argjentinas, Mauricio Pochettino. Redknapp mendon se Pochettino mund ta drejtojë Real Madridin dhe çdo skuadër të madhe në të ardhmen.
“Të gjithë po flasim për të, ai është në mesin e më të mirëve. Ai mund të menaxhojë çdo klub në botë edhe Real Madridin. Tottenham është shumë, shumë me fat që e ka Pochettinon”, tha Redknapp për “Sky Sports”.
“Tottenham ka një nga menaxherët më të mirë në aspektin e zhvillimit të lojërave, ai përmirëson futbollistët dhe gjithashtu ai është taktikisht i mirë sa kushdo tjetër”, ka theksuar Redknapp. Sipas mediave të huaja, presidenti i Real Madridit, Florentino Perez e sheh Pochettinon si pasardhës të Zinedine Zidane, i cili mund të largohet nga skuadra në fund të këtij sezoni.
Ndërkohë, Karim Benzema mori një “përshëndetje” nga ish-lojtari i Anglisë, Gary Lineker, i cili ishte gjithashtu një lojtar i Barçës. Ish-futbollisti ka shkruar në llogarinë e tij në Twitter: “Më duket mua apo Benzema është një i mbivlerësuar? Një gol ka shumë ndeshje, në një skuadër aq të fortë, si Real Madridi, nuk është asgjë e veçantë. Jo mirë”.
Otamendi “spiunon” Pep
Pas fitores së Manchester City kundër Napolit, Nicolas Otamendi foli për stacionin argjentinas “Fox Sport Radio”. Mbrojtësi tha se trajneri Pep Guardiola kujdeset për çdo detaj të “qytetarëve”. “Pas lojërave është e detyrueshme të ngrënit në klub. Ushqimi dhe pjesa tjetër janë të rëndësishme, sepse luajmë shumë shpesh. Pep është një hamës i bezdisshëm dhe gjithashtu, na detyron për të studiuar gjuhën angleze, sepse takimet janë në këtë gjuhë. Në dhjetor kam një test për gjuhën angleze, tha Otamendi, i cili ka qenë pjesë e Manchester City që nga viti 2015, një vit para mbërritjes së Guardiolës. Trajneri është gjithmonë në krye të skuadrës, edhe kur nuk flasim për futboll. Na pyet në lidhje me familjen dhe gjëra të tjera nga jeta”.
PESHKU I MADH DHE….I MADHI FARE
Lulzim BASHA
Prej dy ditësh shqiptarët janë ballafaquar me disa fakte të thjeshta dhe të kuptueshme nga të gjithë: antimafia italiane ka prova ligjore të trafikut të drogës dhe armëve të kryer nga një bandë kriminelësh shqiptarë të ndihmuar direkt nga ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri dhe drejtues e oficerë të policisë.
Të njëjtën akuzë ka bërë edhe oficeri i policisë, Dritan Zagani, me fakte dhe prova që prej dy vitesh. Të njëjtën akuzë i kanë përsëritur Edi Ramës edhe disa përfaqësues të qeverive të huaja, sikurse më kanë informuar edhe mua si kryetar i opozitës.
Edhe përballë këtyre fakteve Edi Rama sillet si përherë: i pafytyrë dhe gënjeshtar patologjik, i bindur se do ja hedhë duke mohuar e mohuar e mohuar.
Por është e vështirë tashmë të mohosh atë që e di gjithë bota: se Saimir Tahiri është bashkëpunëtor, mbrojtës dhe përfitues i krimit të organizuar dhe trafikut të drogës dhe armëve.
Dosja Habilaj-Tahiri e drejtësisë italiane ju tregon shqiptarëve dhe mbarë Europës, sesi krahu i djathtë i Edi Ramës është kapur në flagrancë në trafik droge, se si krejt shteti është kalbëzuar dhe është vënë në shërbim të trafikantëve.
Shqiptarët që në shumicë mezi mbyllin muajin shohin sesi trafikanti blen 9 mijë euro varësen për familjarët e ministrit të tij, se si Tahiri, kampioni i Ramës, merr 30 mijë euro për një ngarkesë dhe se ka bërë të paktën 5 milionë euro në muaj.
Ndërkohë që ky skandal ka tronditur nga themelet Rilindjen, ka provuar kauzat e drejta të opozitës dhe e ka nxjerrë Edi Ramën lakuriq para mbarë opinionit, ky vetë nuk ka kurajon të mbajë as më të voglën përgjegjësi, por vazhdon avazin e vjetër se fajin e ka opozita.
Edi Rama as nuk turpërohet, as nuk përgjigjet, as nuk mban përgjegjësi për një arsye të thjeshtë dhe të kuptueshme: Sepse është ai pas Saimir Tahirit, është ai pas çdo habili, është ai pas çdo shefi policie që ka ngarkuar thasët me drogë.
Ai si askush tjetër ka përfituar nga qindra milionë euro që erdhën nga droga dhe kanabizimi i krejt vendit, sepse i duheshin për të blerë votat dhe për të mbajtur pushtetin.
Shqiptarët e dinë tashmë, opinioni publik dhe media ende e pakapur e ka kuptuar. Ndërkombëtarët po ashtu: as krimi, as trafiku i drogës, as përfshirja në to dhe as ndarja e pushtetit me kupolën mafioze, nuk mund të bëheshin pa dijeninë, lejen dhe mbrojtjen e Ramës. Ai është faktuar sot si peshku më i madh. Ndaj Rama duhet të largohet. Ai duhet të japë llogari para drejtësisë.
Guardiola, fjalë të mëdha për Napolin
Trajneri i Manchester City, Pep Guardiola, ka bërë këtë analizë dhe vlerësim të ndeshjes së të tijve, të luajtur në martën ndaj Napolit, në Ligën e Kampioneve: “Unë nuk pres që të kontrolloj 90 minuta lojë, aq më tepër ndaj Napolit, që ka një ekip të jashtëzakonshëm. Në pjesën e parë ishim shumë mirë, shënuam dy gola, mund të shënonim edhe të tretin e të katërtin. Pastaj nuk mundëm t’i përfundonim kundërsulmet tona. Niveli i Napolit? Ka një aftësi të madhe për të luajtur shpejt dhe thjeshtë, me një ose dy prekje. Askush nuk e humb topin dhe askush nuk i jep tri prekje”.
Zidane: Kthimi në Londër do të jetë si një finale
Zinedine Zidane kaloi nga salla e shtypit në “Bernabeu” i mërzitur me barazimin, por duke menduar për ndeshjen e “Wembley”: “Si gjithmonë, ne nuk mund të jemi të lumtur, sepse në shtëpi gjithmonë duam të fitojmë. Ne kemi pasur shanse, por duhet të pranojmë se Tottenham ka një portier mjaft të mirë. Unë nuk jam i shqetësuar, më shumë i bezdisur, sidomos për lojtarët, sepse luftojnë në fushë. E vetmja gjë është që ne të vazhdojmë përpara. Është edhe një ndeshje atje (kthimi në Londër) dhe do të përpiqemi të marrim tri pikët. Në Londër do të jetë si një finale. Atje është fusha e Tottenhamit, që nga ana e tij do të përpiqet për ta fituar ndeshjen.
Luftë e mbyllur me paqe
Me dy skuadra të mëdha nuk mund të bësh kurrë parashikime. Ky ishte edhe rasti i ndeshjes Real Madrid-Tottenham në Champions League, e mbyllur në barazim 1-1. E gjithë bota priste goleadën e radhës nga madrilenët në “Santiago Bernabeu”, por nuk ndodhi kështu. Anglezët rezultuan një makineri e pashtershme në fushë, duke bërë presing deri në sekondat e fundit të takimit, me gjithë freskinë e zëvendësuesve të trajnerit Zinedine Zidane.
Në pjesën e parë shënuan të parët miqtë (28′). Mbrojtësi Raphael Varane, në përpjekje për të mbrojtur portën nga Harry Kane gjatë një krosi të rrezikshëm nga e majta e tij, përfundoi duke shënuar autogol. Zidane nuk u besonte syve!
“Los Blancos” nuk vonuan për të reaguar. Në të 43′ Toni Kroos fitoi një penallti, të cilën e ktheu në gol me lehtësi ylli i kampionëve të Evropës, Cristiano Ronaldo. Në pjesën e dytë priteshin gola të tjerë, por skuadrat “ngelën thatë”. Madrilenët patën më shumë raste, por Karim Benzema “mendoi” për t’i prishur.
Kreu i Grupit H tashmë vazhdon të ndahet nga këto skuadra, secila me nga 7 pikë pas tri ndeshjesh. Borussia Dortmund, ndërkohë, zhgënjeu në Nikozi, aty ku u ndal 1-1 nga Apoeli. Gjermanët këtë sezon janë një dështim i madh në Champions League. Kalimi i grupit për ta nuk është më as ëndërr.
Basha: Largimi i Ramës dhe qeveri antimafia
Deklarata e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, pas tryezës së Frontit të Bashkuar Opozitar
Fronti i Bashkuar Opozitar nga kjo tryezë ka dalë me një vendim të përbashkët dhe një qendrim të përbashkët, që sapo i është shpërndarë mediave dhe opinionit publik.
Vendimi është; krijimi i një Fronti të Bashkuar Opozitar kundër krimit, pjesë e të cilit me efekt të menjëhershëm janë të gjitha partitë politike që iu përgjigjen thirrjes time në këtë tryezë dhe ftesa qëndron e hapur për çdo parti tjetër politike dhe çdo faktor tjetër shoqëror, në veçanti për intelektualët e këtij vendi, shoqërinë civile, botën akademike, përfaqësuesit e medias.
Sepse, Shqipëria ndodhet para një gremine të vërtetë.
Si ndihet dikush që ka denoncuar 4 vite me radhë lidhjet e Edi Ramës dhe qeverisë së tij me krimin, kur këto faktohen dhe provohen, siç ndodhi me skandalin e djeshëm që është maja e ajsbergut të të vërtetave tronditëse për narko-shtetin dhe drejtuesin e këtij narko-shteti që është Edi Rama?
Këtë pyetje, nuk ia bëj thjesht vetes time, por dhjetra-qindra shqitarëve të ndershëm, që nga oficerët e ndershëm të Policisë, simboli i të cilëve sot është Dritan Zagani, tek gazetarët kurajozë dhe përfaqësuesit e tjerë të ndershëm, të organizatave joqeveritare dhe të faktorit politik që, për 4 vite me radhë, në krah të Partisë Demokratike dhe të opozitës kanë bërë betejë kryesore luftën për shembjen e kupolës mafioze-politike të drejtuar nga Edi Rama.
Sot shqiptarët kanë provat e pakundërshtueshme të kësaj marrdhënie krim dhe politikë, kanë provat e pakundërshtueshme se përfituesi kryesor i kanabizimit të vendit, i qindra-milionë eurove të drogës, është vetë Edi Ramës.
Kanë prova, se këto para janë përdorur për të kriminalizuar zgjedhjet përmes shitblerjes së votave dhe përdorimit të bandave kriminale për tjetërsimin e vullnetit të zgjedhësve.
Pyetja që i shtron vetes çdo shqiptar sot është:
Çfarë do të bëjmë më tej?
A mund të vazhdohet më kështu?
A mund ti besohet më rendi dhe siguria e përditshme e jetës së shqiptarëve dhe fëmijëve të tyre, kësaj kupole mafioze dhe kriminale në pushtet?
A mund të ketë çdo shqiptar i djathtë apo i majtë besim se është kjo qeveri dhe ky kryeministër të cilit i besohet për aq sa i takon, zbatimi i reformës në drejtësi?
A mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme me një kryeministër dhe një mazhorancë të kapur në flagrancë me prova dhe fakte të pakundërshtueshme si shkatërruesja e procesit zgjedhor në aleancë me krimin?
Përgjigja për çdo shqiptar është kjo:
Kjo është koha që të marrim sëbashku vendime të mëdha jo për partitë politike sot të pranishme në këtë tryezë, jo për fatin e Partisë Demokratike apo të partive të tjera politike të pranishëm në këtë tryezë, por për fatin e çdo shqiptari dhe fëmijëve të shqiptarëve nesër.
Fronti i Bashkuar Opozitar kërkon largimin e kryeministrit Rama si drejtuesi, si përgjegjësi dhe drejtuesi i narko-shtetit, përfituesi i drejtpërdrejtë i lidhjeve të tij mafioze dhe ministrave të tij, me narko- trafikantët dhe trafikantët e armëve.
Fronti i Bashkuar Opozitar kërkon krijimin e një qeverie anti-mafia dhe të reformës zgjedhore me qëllim shembjen e lidhjeve të krimit me politikën dhe garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, si e vetmja rrugë për t’i kthyer legjitimitetin qeverisë.
Këto janë tre vendimet e sotme të tryezës që pata kënaqësinë dhe nderin ta thërras mbrëmjen e kaluar dhe mbi bazë të këtyre tre vendimeve, të gjithë faktorët politikë të pranishëm në këtë tryezë dhe çdokush tjetër, të cilit dhe të cilës i bëjmë aktivisht thirrje të bëhet pjesë e këti fronti të bashkuar opozitar, do të vendosim axhendën dhe kalendarin e veprimeve.
Opozita e Bashkuar kërkon largimin e Ramës
Pas përfundimit të mbledhjes së partive opozitare mbi zhvillimet të fundit politike, ku në fokus është çështja ‘Tahiri’ pas publikimeve të përgjimeve të trafikantëve të drogës, fonti opozitar kërkon largimin e Ramës.
DEKLARATA
Kriminalizimi i zgjedhjeve të 25 qershorit përmes parave të drogës dhe përfshirjes së kriminelëve dhe bandave është provuar tërësisht me faktet tronditëse të ditëve të fundit të cilat janë asgjësuar dhe pa asnjë ekuivok.
Demokracia në Shqipëri ndodhet në një moment kritik dhe në një udhëkryq tepër të rrezikshëm pasi qeveria është bërë frymëzuese dhe mbështetëse kryesore e trafiqeve dhe veprimtarisë kriminale duke tronditur nga themelet sigurinë individuale të çdo qytetari dhe të shtetit në tërësi.
Ky moment shumë i vështirë që po kalon vendi dhe qytetarët shqiptarë na imponon:
Krijimin e një Fronti të Përbashkët Opozitar kundër krimit me të gjithë partitë politike, që kanë këtë vetëdije për rrezikun madhor, që po kalon vendi. Jemi të bindur se drejtuesi dhe përgjegjësi kryesor i lidhjeve të krimit të narkotrafiqeve me kupolën e lartë të shtetit dhe përfaqësuesi kryesor i interesave të oligarkisë dhe të korrupsionit është kryeministri Edi Rama.
Ky front kërkon largimin e kryeministrit nga drejtimi i qeverisë si përgjegjës kryesor i lidhjeve të krimit me kupolën qeverisëse.
Basha në Kavajë: TVSH-ja për biznesin e vogël për hesap të 10 oligarkëve
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u takua me pronarë dhe të punësuar në biznesin e vogël në Kavajë, të cilët shprehen kundër futjes së tyre në skemën e pagesës së TVSH, pasi kjo do t’i çojë drejt falimentimit për shkak të rritjes së shpenzimeve. Po ashtu kjo, do t’i detyrojë të rrisin çmimet, që do të thotë se konsumi do të bjerë dhe ata do humbin klientelën.
“Kam dalë që në 6:30, thotë Aliu, një tregtar peshku, nuk kam shitur gjë. Lek s’ka, gjë s’ka. Fukarallik dhe gazepllik gjithandej. Me na rrit taksat, do të ul qepenin. Që në ditën e parë që do thonë u miratua, do të ul qepenin dhe të iki”.
Basha: Ka edhe një rrugë tjetër.
“Rruga tjetër, të ngrihet populli atje. Ta shkundim një herë e mirë”, thotë Aliu.
Dashi ka një biznes të vogël në qendër të qytetit.
“Kontabilist po, por sigurim këtu në vend të punës. Kontabilisti nuk diskutohet se ai t’i bën të gjitha llogaritë. Plus sigurimet muaj për muaj, dy vetë të siguruar. 3 milionë në vit, nuk diskutohet”, thotë ajo.
Basha: Po për çmimet?
“Çmimet do të ngrihen se s’bën. Sepse unë do të shpenzoj, po nxora do ngrej çmimin. Eshtë fare e thjeshtë”.
Lulzim Basha i thotë Besnikut, pronarit të një picerie të vogël, se ky projekt duhet ndalur:
“Jeni shumicë. Shumica e biznesit është biznes i vogël. Këta janë pakicë, janë pakicë e qeverisë, 20% e shqiptarëve e kanë votu dhe rritjen e TVSH-së për biznesin e vogël po e bëjnë për hesap të 10 vetave, 10 oligarkëve. Këtu çelësi është bashkimi. Po u bashkuam, këta nuk kanë çfarë të na bëjnë. Do të detyrohen të zbrapsen”, thotë Basha.
Besniku e di cili është qëllimi i këtij vendimi. “Qëllimi është me mbyll biznesin e vogël, nuk ka tjetër”.
Me futjen e biznesit të vogël në skemën e pagesës së TVSH nuk janë dakord as ato biznese që paguajnë TVSH tani.
“Do të bie fuqia blerëse. Në momentin që bie fuqia blerëse do të bëjmë më pak xhiro, do të çojmë më pak të ardhura në shtëpi, do të shpenzoj më pak për fëmijët e mi, për familjen do të shtrëngoj rrypin akoma më tepër, e derisa të këputet fare”, thotë Lorenci, që ka një pikë shumice.
Paridi ka një dyqan të vogël celularësh. “Unë punoj për një rrogë me mbajt familjen, nëse ti këtë rrogë ma përgjysmon, apo më heq një pjesë nga kjo rrogë, do më detyrosh ose t’ia vë barrë klientit, ose ta mbyll, ose të iki te kryetari i Bashkisë. Se punë tjetër nuk ke çfarë të bësh”.
Kryetari i Partisë Demokratike i shpjegon Gertit, një i vetëpunësuar, projektin e tij.
“Ne duam që biznesi nën 12 milionë lekë të reja për vit të mos paguajë fare TVSH. Vër pullën tek dera, punoni, t’i shërbeni njerëzve, mallrat e konsumit t’i shisni me çmime të arsyeshme dhe të nxirrni bukën e gojës, sepse vetëm për bukën e gojës punoni apo jo?”
Do të rriten çmimet, thotë Gerti. “Tek konsumatori do të shkojë çdo gjë. Do të përplaset aty. Unë do ta blej më shtrenjtë, do ta shes më shtrenjtë, konsumatori, pagat janë po ato. Po s’pati rritje pagash, po nuk u rritën, populli i shkretë do ta vuajë”.
E mbylla që të nesërmen, i thotë Bashës një i moshuar që ka një market të vogël, nëse futet TVSH-ja.
“E mbylla që të nesërmen. Me të thënë ai, me datë 3, ula qepenin, më mirë rri. Me u rrit TVSH filloi rritja që tek blloku i TVSH-së që e blen 3 mijë lekë plus ekonomistin 100 mijë lekë. Pa ekonomist nuk i mban dot letrat. Përveç këtyre, çdo ditë ke shpenzime jashtë mase”.
Rita është krejt e qartë për pasojat që do të ketë ky plan i qeverisë.
“Tani do të shtohet TVSH, do e paguaj se s’bën. Çmim blerje dhe shitje, atë do paguaj. Se e blej 20 lekë, e shes 25, do të paguaj 5 lekëshin. Po ky 5 lekësh do të ikë nga buxheti im. Nëse unë me këtë biznes të vogël fitoj 50 lekë, ose një pagë minimale 300 mijë lekësh, këtë 300 mijë lekësh nuk e fus më në xhepin tim. Ky 300 mijë lekësh do të më ikë për shtet. Do më mbetet 100 mijë lekë, ku nuk e përballojmë dot jetesën”.
Gjatë takimeve me qytetarët, Basha ndalet nga Bajram Sereci, të cilit i kanë grabitur në shtëpi një muaj më parë, ku i kanë dhunuar edhe prindërit. Ai është i revoltuar, sepse policia ende nuk ka gjetur autorët.
“Nuk do t’ia dijë njeri a u vodh a s’u vodh. Plakun e shkretë e masakruan. I kanë gjuajtur me tytë pistolete kokës. Çfarë janë këto. Çfarë Shqipërie është kjo? Ku po e çojmë Shqipërinë? Vetëm po degjenerohet, po fëlliqet për çfarë erdhe në shtëpi, erdhe për të na vra? Për mendimin tim, edhe për lekët edhe për të na vra. Çfarë bëhet këtu me këtë qeveri. Ku jemi e ku po shkojmë. Eshtë turp”, shprehet Bajrami.