Pjesë nga përgjimet e dosjes italiane Habilaj-Tahiri. “Minimumi bën 5 milionë euro në muaj. Nuk i dalin 20 milionë euro në muaj në një muaj në fushatë… Thasët me drogë i ngarkojnë vetë shefat e policisë… Rrëfimi i Habilajt për takimin në zyrën e Tahirit: “Kishte filluar të dridhej…” Basha paralajmëron dosje të reja të ministrave të tjerë. A do të reagojë Prokuroria shqiptare? Cilat do të jenë hapat e ardhshëm të opozitës?
Jo Saimiri, por Rama!
Ylli MANJANI
Gabimi i madh që bëhet është fokusi tek i vogli që kapet mat! Kanabizimi i vendit ishte projekt politik i Edi Ramës, pa asnjë dyshim!
Saimiri do ti duhet të paguajë haraçin e të qenit luajaj ndaj Ramës. Po të kisha gjë në dorë do isha gati tja falja atë haraç, vetëm që të shkojë “haka te i zoti”. Dhe i zoti i drogimit të vendit të tij është KRYEMINISTRI!
Kjo nuk më tundon aspak që të heq petkun e juristit dhe të bë thirrje për arrestime! Jo nuk bërë ky ligjërim publik! Kam bindje se sado e dobët të jetë drejtësia, është prap më e mirë kur funksion e pavarur!
Por një lutje publike e kam, për Kryeministrin: zotëri DORËHIQU! Nuk ka asnjë të vërtetë të besueshme me autorin e drogimit të vendit në detyrën e Kryeministrit! Bëje këtë gjë edhe në emër të sa ke thënë deri më sot për të tjerët!
Që të jem edhe më i qartë. Nuk jam për ndërprerje të mandatit qeverisës të PS. Jo! PS duhet ta mbyllë këtë mandat që ka fituar, pavarësisht se si! Por Edi Rama duhet të largohet nga detyra publike! PS të zgjedhë një qeveri tjetër, por pa Edi Ramën.
Nëse nuk largohet duhet hequr! Opozita ka një moment të artë për tu vënë në krye të popullit! Me protesta dhe me çadra në çdo anë të kryeministrisë deri sa Edi Rama të jetë larguar nga detyra!
Unë nuk di rrugë tjetër! Çdo gjë që ky Kryeministër bën, ska më legjitimitet! Moral jo e jo!
Është e kotë të bërit politikë opozitare për çdo gjë tjetër! Ai është në anën e të keqes!
Minimumi 5 milionë euro në muaj, 20 milionë me fushatën
Gjykata e Katanias në dosjen prej më shumë se 400 faqesh që vulosi fatin e Moisi Habilajt dhe bandës së tij, përmend edhe emrin e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.
Sipas gjykatësve dhe prokurorëve italianë, Habilaj përmend Tahirin si kushëririn e tij, si mbështetës të veprimtarisë në shkëmbim edhe të parave për fushatë.
Grupi i trafikantëve të arrestuar nga policia italiane për 3.5 tonë hashash ishte vënë prej kohësh nën përgjim. Moisi Habilaj, bashkëpunëtorët e tij shqiptarë dhe italianë kanë tashmë një dosje prej 416 faqesh me fakte dhe biseda të përgjuara, ku ata përmendin emra dhe para dhe që është baza e vendimit të Gjykatës së Katanias për burgosjen e tyre.
Pjesë e kësaj dosje është një përgjim i datës 16 dhjetor të vitit 2013 i një bisede mes Moisi Habilajt dhe Sabaudin Çelajt, kur ata sipas vlerësimit të prokurorëve dhe gjykatësve italianë, përmendin ministrin e Brendshëm të asaj kohe, Saimir Tahiri.
Hetuesit italianë bëjnë një përmbledhje të kësaj bisede.
“Të dy flasin për një person me pushtet me emrin “Saimir Tahiri” (deputet i Shqipërisë) njeri i politikës. Moisiu thotë: Çfarë ka më shumë se ne ai? Por Sabi (Sabaudini) i përgjigjet duke i thënë që Saimiri ka vetëm emrin (në kuptimin e famës, pozitës), por nuk beson që ka më shumë para se ata. Moisiu bën llogaritë sipas të cilave Saimiri në një muaj ka bërë minimumi 5 milionë euro. Sabi i thotë që të gjitha ato para ai i harxhon në fushatën elektorale. Por Moisiu i thotë që atij nuk i mjaftojnë as 20 milionë euro në një fushatë elektorale”, thonë hetuesit italianë.
Në përgjimin e datës 2 mars të vitit 2014 mes Habilajt dhe Çelajt përmendet automjeti me targë AA 003 GB, me të cilin të dy personat kanë udhëtuar drejt Siçilisë. Kjo makinë ishte në emër të Saimir Tahirit.
Emri i ministrit del gjithashtu edhe në një tjetër bisedë të përgjuar mes Moisi Habilajt dhe Sabaudin Çelës, ose Sabi.
“Mendo, veç borxheve që kemi, veç atyre që kemi marrë, kemi 75 mijë që janë automatikisht të caktuara. 30 mijë “xhaxhait”, 30 mijë duhet t’ja çoj Saimirit, bëjnë 60, 15 anija që na duhet patjetër, bëjnë 75 mijë, plus 100 që janë: 72 të atyre në Fier, 20 të Arsenit, 170 mijë lekë heqim dhe këta të shtetit që kemi”, thuhet aty.
“Atij nuk i mjaftojnë as 20 milionë euro në një fushatë elektorale”. Kjo fjali e shkëputur nga dosja hetimore e drejtësisë italiane mbi bandën e drogës që drejtonin Habilajt dëshmon me fakte dhe prova mbi përfshirjen e drejtpërdrejtë të Saimir Tahirit në trafikun e drogës gjatë kohës që ai drejtonte Ministrinë e Brendshme. Dosja prej 416 faqesh tregon për hetimet dhe përgjimet e bandës së Habilajve, në të cilën përmendet edhe emri i Saimir Tahirit në kohën kur ishte ministër i Brendshëm, ndërsa dëshmohet se si krerët e bandës, kushërinjtë e Tahirit diskutonin për emrin e tij dhe shumat që do t’i jepnin për garantimin që ai përmes strukturave policore i bënte trafikut të drogës drejt Italisë. Dosja e bërë publike dje nga kreu i PD, Lulzim Basha tregon për një bandë të mirorganizuar të trafikut të drogës, e drejtuar nga kushërinjtë e Tahirit dhe e fuqizuar përmes pushtetit të dhënë prej tij. Zbardhja e përgjimeve të drejtësisë italiane tregon se si Rama përmes Tahirit ngriti bandat e vjedhjes së zgjedhjeve përmes parave të drogës.
Një pjesë e zbardhur e dosjes italiane mbi bandën e Habilajve
Përgjimet në ambjent në bordin e autoveturës “Fiat Bravo” me targa DG 826 NA, në pronësi të Moisi Habilajt-RIT 1246/13-Regjistrimi në ambjent 560 në orën 12:23 datë 16.12.2013.
Makina në lëvizje me Moisi Habilajn në bord dhe Sabaudin Çelaj, i thirrurr me emrin Sabi. Sabi flet me Moisiun. Ky i fundit thotë se ka disa gjëra që duhen marrë më seriozisht, sepse nuk po shkojnë mirë.
Moisiu: Shpresojmë t’i marrim dorën….do bëjmë panik! (në kuptimin që do mbyllin punë të mira)
Në orën 12:26:33 Mosiu i kërkon Sabit se çfarë dite është sot! Sabi përgjigjet se është data 16 dhe i kërkon “atëherë të ikim”.
Moisiu: Të presim sot…sepse ka thënë që e do gjatë periudhës së vitit të ri dhe datës 6 janar.
Ora 12:27:53
Sabi: Ai e ka të gjithë territorin për vete.
Përgjimet në ambjent në bordin e autoveturës “Fiat Bravo” me targa DG 826 NA, në pronësi të Moisi Habilajt-RIT 1246/13-Regjistrimi në ambjent 561 në orën 12:30 datë 16.12.2013.
Mosiu: Do ketë kapur ndonjë gjë Pipo
Sabi: Eh…po se pretendojnë ta përpunojnë këta?….Këtu kam ngatërruar rrugën njëherë
Moisiu: Eh…ka edhe një magazinë këtu
Sabi: Eh po, aty ka një frigorifer të madh
Moisiu: Natën e fundit që ngarkuam….herën e fundit
Sabi: Eh…po
Moisiu: Shkojmë të marrim ndonjë kostum (veshje) të mirë për vete
Sabi: Jo, jo…jemi kushërinj apo jo (të dy qeshin)…sa kanë mbetur 1000 euro?…i shpenzojmë edhe ato…Dua të blej ndonjë gjë për Artanin
Moisiu: Po jo se kemi lekë….do të blesh ndonjë gjë për vete?
Sabi: Një kostum serioz
Të dy flasin për një burrë me pushtet me emrin “Saimir Tahiri (deputet në Shqipëri), njeri i politikës”. Moisiu thotë “ka më shumë se ne ai”. Sabi replikon dhe thotë se Saimiri ka vetëm emrin (në kuptimin e famës), por nuk beson se ai (Tahiri) ka më shumë para se ata. Sabi thotë që ai paratë i lë në fushata elektorale. Moisiu thotë që atij nuk i mjaftojnë as 20 milionë euro në një fushatë elektorale.
Sabi thotë që ai (Tahiri) ka thënë që për nipin e tij mjaftonë 10 mijë euro në muaj për “punën” që bën dhe shton “ai do na hynte në punë ne….por është tip i keq ai nip”.
Moisiu i thotë se nuk i intereson nëse është apo jo një tip i keq. Sabi i thotë se e rëndësishme është që mos të përzihet e të mos përmendë emra dhe se me rëndësi është që të mos dalë emri i njeriut që ata i kanë dhënë para (Tahirit). Mosiu përgjigjet “Jo” dhe se nuk beson se do të ndodhë gjë. Sabi shprehet se ka merak se nipi do përmendë emra, duke e bërë bisedën me të tjerë që i ka dhënë para atij (Saimir Tahirit).
Ora 12:38:10
Sabi: Ai do dyfishin e asaj….
Moisiu: Ai nuk është nga ata që do problem dhe t’i futet diskutimeve mbi shumën…ndërkohë, ai mendonte për thasët me 20…ishin me nga 20 thasët…
Sabi: Po ti i likuidove të parat?
Përgjimet në ambjent në bordin e autoveturës “Fiat Bravo” me targa DG 826 NA, në pronësi të Moisi Habilajt-RIT 1246/13-Regjistrimi në ambjent 562 në orën 12:39 datë 16.12.2013.
Moisiu: Edhe për paketimin duhet ajo 5X5
Sabi:…I paketojmë me nga pesë kile…sepse pastaj presohen
Moisiu: I bëjmë me nga 20
Sabi: Pastaj vete unë tek karburanti, do t’i them që do vemi nesër…e vendosim në garazh.
Moisiu: Ç’do bëjmë sot???
Sabi: …Do ikim….
Përgjimet në ambjent në bordin e autoveturës “Fiat Bravo” me targa DG 826 NA, në pronësi të Moisi Habilajt-RIT 1246/13-Regjistrimi në ambjent 567 në orën 13:52 datë 16.12.2013.
Në makinë lëvizin Moisi Habilaj, Sabaudin Çelaj, i thërritur Sabi.
Ora 13:53 Moisiu thotë se edhe Sabi i ka pjesë-pjesë (e ka për paratë). Sabi komenton (32.000 lekë (Euro) dhe thotë që po i shtrëngon gjërat në mënyrë që lekët t’i marrë brenda muajit. Moisiu i thotë ta lërë rehat, sepse duhen tre muaj.
Moisiu: Ja ku është zotëria
Sabi: Shkojmë e marrim tek Kiko
Mosiu: Eh.
Përgjimet në ambjent në bordin e autoveturës “Fiat Bravo” me targa DG 826 NA, në pronësi të Moisi Habilajt-RIT 1246/13-Regjistrimi në ambjent 575 në orën 14:57 datë 16.12.2013.
Sabi: …keni dy kallashnikov…tha…ja…”flisni vet/vendosni vet…kështu thanë…”I merr ky”…tha…”dhe i ndan në dy vende”…për të qenë më të sigurtë …shiheni vet…(heshtje)…për këtë ai është një b.r k…e, sapo e merr atë që do të thotë shiheni vet pastaj punën.
Mosiu: Transparent…
Sabi: Nuk fsheh asgjë… “jemi çuna të pastër”…(të dy qeshin)
Përgjimet në ambjent në bordin e autoveturës “Fiat Bravo” me targa DG 826 NA, në pronësi të Moisi Habilajt-RIT
1246/13-Regjistrimi në ambjent 598 në orën 17:21 datë 16.12.2013.
Moisiu: E di si thonë andej nga anët tona?…(Mosiu përmend një thënie të pistë për atë që kur e ke përballë sillet ndryshe dhe prapa krahëve sillet ndryshe)…
Sabi: S’kemi asnjë gjë në vijë me këtë ne
Moisiu e konfirmon.
Sabi: Po pse ti shpreson për 20?
Moisiu: Do t’i jap ndonjë makinë…për të hequr qafe ata
Sabi: Po edhe makinën….të paktën të fillojmë…dreqin
Moisiu: E marrim edhe pak…..
Sabi: Sikur ta kishte nisur atë m.t, po hajd varja
Moisiu: Sot nisemi me Grimaldin nesër?
Sabi: Në orën 7:00 niset?
Moisiu: Po në 7:00…shkojmë takojmë atë Angelon dhe të shohim njëherë se çfarë do
Sabi: E shkojmë e takojmë
Moisiu: Shkojmë në shtëpi
Sabi: E mban mend shtëpinë?
Moisiu: Shkojmë me Sebin…si vëlla…ashtu jam ndarë me atë
Sabi: Por edhe po e takuam ….po hajd se do ta takojmë…por edhe sikur ta takojmë edhe të na thotë që “e kam anijen gati”…prapë, s’bëjmë dot asgjë….se ky (ndoshta i referohet Antonios) nuk të liron…kupton?
Moisiu: I themi pas vitit të ri vëlla
Sabi: Për momentni e kupton
Moisiu: Pas Vitit të Ri, sepse aty në Shqipëri janë pak keq (nënkuptojnë që të marrin kohë)
Sabi: Po i them Danit që të dalë në ndonjë anë…për të sqaruar…për të shkuar atje (në Katania)
Moisiu: Dani do vijë këtu…mbarojmë këtu dhe shkojmë në Katania…
Në sfond ndihet muzikë greke. Në vijim flasim se ku do të shkojnë për të ngrënë.
Përgjimet në ambjent në bordin e autoveturës “Fiat Bravo” me targa DG 826 NA, në pronësi të Moisi Habilajt-RIT 1246/13-Regjistrimi në ambjent 600 datë 16.12.2013.
Sabi: Atëherë çfarë do bëjmë nesër…ti themi Danit të vijë…
Moisiu: Jo, jo ç’po thua, Dani thotë më blini një makinë e më lini të bëj xhiro:
Sabi: Ka shumë plane ai, atij duhet t’i blejmë një furgon.
Moisiu: Duhet ta përgjysmosh këtu…po të vish gjithmonë këtu do shpenzosh më shumë para
Sabi: Eh po, duhet ardhur e ikur
Moisiu: Të bën 3 mijë euro një rrugë (nënkuptojnë që sa herë që vijnë shpenzojnë nga 3 mijë euro për rrugën).
Mosiu: E di.
Sabi: Duhet ardhur një herë në muaj
Sabi: Të paktën të jemi brenda datës 20
Moisiu: Eh po, pas Vitit të Ri, pas datës 27
Sabi: Pas datës 27.
Moisiu: Edhe Antonion ta sinjalizojmë që ka dhënë 260 mijë euro… në rregull?
Sabi: I ka marrë?
Moisiu: Po.
Sabi: 150+110 bëjnë 260…po…i ka dhënë…
Moisiu: Po.
Sabi: Pra këtyre duhet t’u heqim vijën, t’i lëmë me shënjë…kështu edhe me letrat mund të ballafaqohesh….edhe pse ai nuk gabon kurrë
Moisiu: Normal.
Sabi: Nuk bën gabime ai
Ora 17:44:29
Sabi: 270…20 i dha në fund
Mosiu: Po….janë 260 o Sabi
Sabi: 150
Moisiu: Po…90 të tjera…jo…na ka dhënë 100 (mijë euro)…jo…na ka dhënë 100…
Sabi: Eh
Moisiu: Po po…270 janë….kshu do ia fusim kot!
Ora 17:47:02
Moisiu: Do Zoti vjen ajo, në kuptimin që të sjellim një ngarkesë tjetër…le të shpresojmë!
Sabi: Herët e tjera është vetëm tona… dhe bëhen llogaritë me njerëzit e tjerë..
Moisiu: Më jep një dhe….
Sabi: Po ta kishin lënë atë do kishim marrë edhe 200
Moisiu: Po ….shumë
Sabi: Po të kishin lënë një (ngarkesë) me 200 do ishin pastruar të gjithë personat…edhe po të mos e bënin punën…po të paktën kemi një bazë.
Moisiu: Si thua… ishim për tokë…ishte rasti ynë i vetëm dhe nuk patëm mundësi të bënim asgjë
Sabi: Na dha mundësinë ta mbanin… të shohim çmund të bëjmë me këtë
Moisiu: Po nuk kishim më mundësi të blinim, jo “punën”
Sabi: S’kishim fare shpresa
Mosiu: Do kishim vazhduar me 20 apo 30….
Sabi: Jo mo mirë tani…por ishim pa shpresa
Moisiu: Po të mos na vinte kjo “punë”
Sabi: Eh…por nëse nuk na jepte asgjë ky
Moisiu: Po mirë…. Të paktën kemi “punë” tani,…. të kujtohet herën e fundit që shkuam, isha copë copë…na ndihmoi Zoti!
Sabi: Kemi llogari të hapura ne me ata…. Ky është problem….kemi problemin me “Lufin”, ndërkohë Renatua nuk është problem (Janë personat të cilëve duhet t’i paguajnë)
Moisiu: Jo…pastaj s’kemi probleme të tjera…Luli është “take tuke” i kemi parë….
Tahiri priti Habilajn në zyrë, rrëfimi: Kishte filluar të dridhej
Një tjetër skandal rezulton nga përgjimet italiane të bandës së Tahirit. Kjo ka të bëjë me një takim që Tahiri ka bërë në zyrën e ministrisë së Brendshme me Habilajn e arrestuar në Itali. Habilaj i ka rrëfyer bisedën që ka bërë me të “madhin” në ministri, ndërkohë që ishte në përgjim nga italianët
Në dosjen e përgjimit të vëllezërve Habilaj dhe të arrestuarve të tjerë për trafik droge në Itali publikuar dalin detaj të shumta rreth emrit të Saimir Tahirit. Në nja nga faqet e dosjes me 416 faqe që disponon edhe lapsi.al del edhe një bisedë mes Moisi Habilajt me të vëllanë Florianin. Ky i fundit i rrëfen për takimin me “shefin e madh” ku folën për “situatën”.
PERGJIMI:
Moisi: Ç’thuhet tjetër?
Florian: Asgjë, dje mbrëma u nisa për në Tiranë dhe sapo mbërrita, këtu në Fier (qytet rreth 35-40 km larg Vlorës)
Moisi Habilaj: Po ç’ne?
Florian: Më kërkoi “shefi i madh”
Moisi: Çfarë donte?
Florian: Asgjë, Për këto… për situatën.
Moisi: Ah, fole “kokë më kokë” me të? (fole ballë për ballë)
Florian: Po, me priti në 11.30, më paguan/ dërguan taksinë
Moisi: Po çfarë të tha?
Florian: Më tha, “çfarë janë këto”… çfarë…. Si janë punët? I thashë “kështu, kështu” (nëkupton që i ka shpjeguar gjithçka fill e për pe)
Moisi: Që do të thotë?
Florian: I thashë që ne nuk… mos u dëshpëro /mos u shqetëso….. është çështje orësh (në kuptimin që nuk zgjat shumë ), mos e mendo më gjatë.
Moisi: Ah, po, por duhej t’i thoje që ne nuk kemi faj. Këtë duhej t’i thoje.
Florian: Po i a thashë që ne nuk… por hiç…. Më tha: “ata e kanë bërë qëllimisht, që unë (shefi) t’i thërrisja, shpjegoi.
Moisi: Po… edhe ne e kuptuam…. Ndaj nuk e shqetësuam (bezdisëm shefin)
Florian: Edhe ne e morëm vesh.. dhe më tha.. “unë e thërrita dhe i thashë: nuk duhet të përfshiheshe ne lojërat e (çështje) fatit”
Moisi: E kishte thirrur atë (nënkupton një person të tretë)?
Florian: E kishte thirrur ky? … “shefi i madh” e kishte marrë në tel… më dëgjon?
Moisi: Po, më thuaj , vëlla
Florian: E kishte marrë ne telefon dhe i kishte thënë se nuk duhet te ishte përfshirë (nënkupton ndoshta para’, kapitale të përbashkëta) në lojërat e fatit.
Moisi: Po
Florian: Ai i ishte përgjigjur duke u justifikuar, jo këtej e jo andej…. “janë për të tjera gjëra (biznese, flet gjthm për para ) … “përsa i përket gjërave të tjera (në kuptimin për të ecur shpejt,’’… I kishte thënë (shefi) .-atë që ke për të bërë , bëje shpejt…
Moisi: Sepse ka humbur kohë… Po… e pastaj?
Florian: Asgjë, …. Ai kishte filluar të dridhej dhe kishte ulur zërin
Moisi : Blasfemi
Florian: “Megjithatë nuk duhet të shqetësohesh për asgjë”- më tha në fund ( shefi)… “shko dhe mos e vrit mendjen”.
Përgjimet, Habilaj: I bleva dy byzylykë 9 mijë euro nënës dhe gruas së Saimirit
Gjenden me dhjetëra përgjime në dosjen me 416 faqe të prokurorisë italiane për grupin e Habilajve ku del disa herë emri i ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Fillimisht flitet mes Moisi Habilajt dhe Sabaudin Çelajt që thonë se “çfarë ka Tahiri më shumë se ata përveç emrit dhe pozicionit”.
Habilaj thotë në përgjime se Tahiri nuk ka më shumë para se ata megjithëse llogarit se në një muaj Tahiri, ka bërë rreth 5 milionë euro. Ndërsa Sabaudini thotë se, ato para shkojnë për fushatë elektorale për të cilën, në fakt sipas tyre, Tahirit i duhen 20 milionë euro.
Në një tjetër përgjim, Habilaj thotë se rreth 30 mijë euro duhen si pagesë për Tahirin.
Në një pasazh tjetër Moisiu thotë se, “u ka blerë byzylykë gruas së Saimirit dhe nënës së tij”.
PERGJIMI
“Moisiu futet në makinë dhe i tregon Sabit se kishte marrë dy byzylukë, njërin për nusen e Saimirit dhe tjetrin për nënën e tij. Sabi e pyet nëse kishin kushtuar shumë’.
Moisi: Bënë goxha
Sabi: 1000 euro?
Moisi: Sa?
Sabi: 2000 euro…
Moisiu tregon se të dy bënin 18 mijë euro, por i kishte marrë për gjysmën e lekëve.
Sabi: I pagove 9 mijë euro me lekë në dorë?
Moisi: Po.
Sabi: Nuk kishte ndonjë telekamer?
Moisi: Jo.
Kryemadhi: Koka e krimit dhe drogës është Rama, mbështetje betejës së Bashës
Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, në konferencën për mediat theksoi se, Saimir Tahiri është vetëm njëra hallkë që lidh Ramën me kriminelët, pasi janë dhe shumë hallka të tjera. Ajo ju bëri thirrje qytetarëve që të rrinë të bashkuar dhe t’i thonë jo krimit dhe kriminelëve, të cilët tashmë janë në pushtet. LSI do të jetë pjesë e tryezës opozitare që thirri Basha për ditën e mërkurë. Nga selia e LSI, kryetarja Monika Kryemadhi tha se mbështet Bashën në luftën kundër krimit. Për dosjen Habilaj, Kryemadhi tha se, Tahiri është vetëm një nga hallkat që lidh Ramën me krimin dhe drogën. “Krimi është ulur këmbëkryq në Shqipëri. Situata është nga më të rëndat që ka përjetuar vendi. Çdo qytetar, i ri dhe e re, burrë, grua, ndihen më të rrezikuar se kurrë në vendin e tyre. Shteti i kriminalizuar i kryeministrit ka kompromentuar shumë rëndë dhe rolin e Policisë dhe Politikës. Përpara këtij momenti shumë të vështirë, të gjithë qytetarët janë bashkë dhe nuk ka më asnjë dallim mes tyre, pasi të gjithë janë të rrezikuar. LSI është pjesë e frontit të qytetarëve të bashkuar kundër bandave dhe krimit dhe do t’i shërbejë deri në fund vullnetit për një Shqipëri pa kriminelë në rrugë dhe në pushtet. Saimir Tahiri është një nga hallkat që lidh Edi Ramën me krimin, por ka edhe shumë hallka të tjera që janë ende aty e që i drejton Edi Rama. Janë hallkat e krimit e trafikantëve, por edhe të oligarkëve që me bekimin e Edi Ramës po pastrojnë paratë e krimit të organizuar. Mund të ketë pika që ndajnë LSI me Partinë Demokratike dhe partitë e tjera. Por çështja që na bashkon në një front të përbashkët kundër krimit dhe bandave është më e fortë se çdo ndasi mes nesh. Bashkëpunimi politik është një detyrë që na e kanë dhënë qytetarët, është vullneti ynë dhe ne do e çojmë deri në fund dhe pa kompromis misionin tonë. Këtë do ta bëjmë në emër të së ardhmes së fëmijëve, për të cilët vendi ynë duhet të jetë një vend i sigurt dhe i dashur. Atdheu ynë i përbashkët është më i rrezikuar se kurrë dhe koha nuk pret. Të mblidhemi të gjithë së bashku kundër kësaj të keqe shumë të madhe që ka gllabëruar Shqipërinë. Mbështes qëndrimin dhe propozimin e kryetarit të PD z. Lulzim Basha, për tryezë të gjerë politike që do të përgjigjet me një aksion intensiv dhe pa kompromis në luftën ndaj bandave dhe krimit në pushtet”, u shpreh Kryemadhi.
Kokëdhima: Rama të dorëhiqet, Tahiri të arrestohet
Kreu i Partisë “Zgjidhja”, Koço Kokëdhima, ju ka bërë thirrje autoriteteve që të arrestojnë menjëherë ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, emri i të cilit është i përfshirë në trafikun e drogës. Përmes një reagimi në Facebook, Kokëdhima kërkon që edhe Kryeministri Edi Rama të japë menjëherë dorëheqjen, pasi ishte ky i fundit, i cili edhe kur Tahiri akuzohej, dilte dhe e merrte në mbrojtje. “Saimir Tahiri deklaronte publikisht në “Top Story” në shtator 2015: “Pse duhet të jap dorëheqjen, se ma kërkon opozita, se del një punonjës i policisë, që sot duhet të ishte në arrest, se paskam ca kushërinj të largët, të cilëve iu kam shitur makinën dhe kjo qenka problem? Nëse zotërinjtë për të cilët bëhet fjalë gjenden fajtorë nga Prokuroria dhe rezulton që janë trafikantë, po atëherë do i kërkoj falje publikut se iu paskam shitur makinën ca trafikantëve!”. Dje u arrestua Moisi Habilaj, kushëriri në fjalë i Saimir Tahirit. Shërbimet italiane kanë një dosje me 416 faqe përgjime, ku rezulton se Saimir Tahiri është i përfshirë direkt si mbështetës dhe përfitues milionash nga trafikantët e hashashit. ZGJIDHJA nuk pret asnjë ndjesë nga ish-ministri i kartelit të drogës, që kanabizoi vendin, mbushi me drogë mbarë Europën, fuqizoi krimin e organizuar dhe e la vendin në dorën e bandave që lajnë hesapet rrugëve të qyteteve dhe fshatrave të terrorizuara të Shqipërisë. Çmontimi i kartelit shumë të rrezikshëm të drogës, që është në pushtet prej 4 vitesh duhet të nisë nga dorëheqja e Edi Ramës dhe arrestimi i Saimir Tahirit dhe dhjetëra drejtuesve të lartë të policisë që u vunë në shërbim të trafikantëve, me dhe pa lidhje farefisnore, por me lidhje të fuqishme interesash për të nxjerrë milionat nga ekonomia kriminale e kanabisit. Agjensitë e huaja partnere të Shqipërisë i kanë të dokumentuara plotësisht se çfarë i bënë Shqipërisë dhe Europës këta trafikantë të veshur me pushtet. ZGJIDHJA e ka denoncuar me qindra herë se pas trafikut të marijuanës qëndrojnë Edi Rama dhe Saimir Tahiri dhe se mafia e marijuanës ka kapur gjithçka dhe drejton vendin. ZGJIDHJA inkurajon Prokurorinë që të çojë deri në fund hetimet e nisura mëse dy vite më parë, t’i vlerësojë akuzat e ish-punonjësve të ndershëm të Policisë së Shtetit që u tradhëtuan, u shkarkuan apo u detyruan të lënë vendin dhe të kërkojnë azil politik në Europë, pasi mbetën në mëshirë të trafikantëve. ZGJIDHJA do punojë për qetësimin e vendit, rikthimin e rendit dhe të sigurisë, drejtësisë dhe shtetit ligjor, për çmontimin përfundimtar të kartelit të drogës, që nis nga Kryeministria dhe përfundon te trafikantët e mëdhenj. ZGJIDHJA do ngrejë ekonominë legale të kanabisit në favor të shtetit, do e dekriminalizojë përdorimin, do lirojë nga burgjet dhe do amnistojë të dënuarit si përdorues dhe do e zhdukë mafien e hashashit në Shqipëri. Rama, në vend të spektaklit mediatik, me të cilin ua shplan trurin përditë shqiptarëve të mjerë, të cilët jetojnë nën regjimin e bandave të drogës dhe oligarkisë së krimit dhe të korrupsionit, duhet të paguajë çmimin për uzurpimin dhe rrënimin e shtetit, për shkatërrimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, të institucioneve, qeverisë dhe interesave të larta ekonomike e shtetërore, për kriminalizimin e çdo qelize të shoqërisë dhe të shtetit, për shkatërrimin e lirive politike dhe ekonomike dhe për vendosjen e sundimit të plotë të oligarkisë së krimit dhe të korrupsionit në Shqipëri”.
Dritan Zagani: Suksese në jetë Saimir Tahiri, marrsh me vete edhe Ramën
Dritan Zagani, ish-shefi i Antidrogës në Fier dhe Vlorë që denoncoi i pari publikisht lidhjen e Saimir Tahirit me klanin e Habilajve, ka reaguar sërish. “Po lexoj gjithandej në media që kusho i Moisiut paska folur live mbi të “vërtetat”, që pret të verifikohen nga drejtësia. Mirë që e di se një ditë drejtësia me apo pa dëshirë do ta bëjë punën e saj për këdo. Po lexoj që kusho i gradës së 10 i Moisiut, Lolos dhe Artanit që merret me biznes fruta-perimesh qenka ndjerë shumë keq para asaj që sot lexojnë për të në shtyp e media familja e tij, djali i tij i pafajshëm etj., etj., si këto fjali plot diplomaci që Saja di më mirë se unë dhe se shumë kush t’i formulojë….dhe ka pak të drejtë i ziu nga ana njerëzore. E di shumë mirë se si ndjehesh në këto momente, e di Saje, sepse jam akoma me atë ndjenjë që ma bëre dhuratë ti me sejmenët e t’u servil me pa të drejtë dhe e gjitha vetëm e vetëm që këta kushot e 10-të që na i shpalle kriminelë të rëndomtë më në fund, të ishin të lumtur dhe të lirë në biznesin e tyre me “djersën” e ballit siç e thoje deri para ca kohësh ti!
Ti që me megallomaninë tënde diletante fryheshe në intervista live, duke u mburrur se, me arrestimin tim po bëje shtet, ti që çfarë nuk sajove me sejmenët e t’u servilë për mua, vetëm e vetëm që të kënaqje këta që sot m’i quan kriminelë…!
Por unë edhe pse ndjehem keq nga ajo, ndjej sot të përçmoj Saje, ashtu siç përçmoja kur isha në punë kushot e t’u që ishin trafikantë të rëndomtë… Suksese në jetë Sajmir Tahiri dhe marsh me vete këdo që është si ti, edhe këtë që të shiti de fakto, se de jure ka kohë që ta ka fut…!”, shkruan ndër të tjera Zagani.
Në nëntor të vitit 2015, kur ishte në kërkim nga drejtësia shqiptare, pasi u akuzua se “shiste informacione” te italianët, Zagani deklaroi në një intervistë për gazetarin Basir Çollaku se, Habilajt i kishte denoncuar me kohë tek eprorët e tij në polici. Dhe për këtë, dijeni kishte marrë edhe Saimir Tahiri. Një pjesë e intervistës u publikua nga “News24” në atë kohë, por u ndërpre pas presionit të qeverisë.
Saimir Tahiri mohonte në atë kohë, që Habilajt të ishin trafikantë. Habilajt, sipas Dritan Zaganit ishin në përdorim të një skafi dhe një makine private të Saimir Tahirit; një “Audi” me targë AA 003 GB, që kishte kryer disa udhëtime nga Shqipëria në Greqi. Dje, mediat italiane shkruajtën se “Audi” i famshëm i ministrit kishte trafikuar drogë edhe në Siçili, nën drejtimin e Moisi Habilajt.
Antidroga greke jep alarmin: Shqipëria mbushi Greqinë me drogë
Trafiku i madh i drogës nga Shqipëria bëhet problem për vendet fqinje. Është shefi i Luftës kundër Drogës në Policinë e Athinës, ai që jep alarmin se organizata kriminale shqiptare janë ato që furnizojnë Greqinë me lëndë narkotike.
“Problemi më i madh në Greqi në lidhje me trafikimin e drogës, janë kryesisht organizatat kriminale shqiptare, të cilat kanë marrë në dorëzim në një shkallë të lartë, tregtimin e të gjitha llojeve të drogës”, tha për zougla.gr, Shefi i Luftës kundër Drogës në Policinë e Athinës, Konstantinos Panagiotopoulos.
Gjatë 3 viteve të fundit, 2014-2017, vetëm në Athinë janë sekuestruar 484 kg kokainë, 800 kg heroinë, 9 ton 900 kg marijuanë, 387 kg hashash dhe 12.950 rrënjë “kanabis sativa”. Natyrisht që sasitë e sekuestruara janë më të mëdha, sepse operacione kryen dhe Policia Kufitare Detare dhe Krimi Ekonomik.
Në Ballkan, shkruan zougla.gr, vendi kryesor i prodhimit të marijuanës është Shqipëria, e cila furnizon gjithë Europën ose nga kufijtë e saj veriorë ose përmes linjës Greqi-Itali. “Lidhur me trafikimin e drogës, nga arrestimet e kryera, faktohet që dorë kanë organizatat shqiptare”, shprehet Panagiotopoulos.
“Nga të dhënat që kemi, shqiptarët mbeten drejtues të trafikut të kokainës në Greqi. Pas tyre vijnë grekët, serbët dhe maqedonasit, kryesisht pranë kufirit. Edhe në trafikimin e heroinës, drejtues janë shqiptarët”, thotë Shefi i Antidrogës.
Kapet me 2 kg kokainë shqiptari në Itali
Një shqiptar është kapur me 2 kg kokainë dhe është vënë në pranga nga policia italiane. Arrestimi është bërë në Bergamo, pasi në makinën e të riut shqiptar karabinierët gjetën 2 kilogramë kokainë të pastër. Bëhet fjalë për një 33-vjeçar shqiptar, me disa precedentë të vegjël kriminalë. Siç shkruajnë mediat italiane, ai ishte ndaluar nga karabinierët në rrugë.
Por menjëherë i riu kishte nisur të nervozohej, duke ngritur dyshimet tek karabinierët. Këta të fundit kishin vendosur që të kontrollonin më imtësisht makinën. Gjatë kontrollit i janë gjetur edhe 2 kilogramë kokainë e pastër. Droga ishte fshehur në fundin e sediljeve.
Shoqata e punonjësve të policisë: Tahiri, Padrino i krimit të organizuar
“Shoqata e punonjësve të policisë në lirim-2013”, reagoi pas arrestimit të Moisi Habilajt në Itali dhe publikimin e përgjimeve ku përmendej ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri. “Padrino i krimit të organizuar Saimir Tahiri sot ra edhe de fakto!”, thuhet në njoftimin e punonjësve të policisë në lirim. Policët kujtojnë shpërfilljen e fakteve që implikojnë Saimir Tahirin në trafikun e drogës përgjatë viteve kur ai ishte ministër i Brendshëm. Sipas policëve në lirim skandalet për Tahirin lidhen me kanabizimin e gjithë territorit të vendit, instalimin e laboratorit të kokainës në Elbasan, fshehjen e dokumenteve të INTERPOL-it në zyrën e tij, djegien e provave në laboratorin e Policisë Shkencore dhe të dhënat e sistemit TIMS për përdorimin e makinës personale të ministrit të Brendshëm nga Habilajt.
7 denoncimet e Berishës për mafien Rama-Tahiri-Habilaj
Ish-Kryeministri Berisha ka publikuar disa nga statuset e denoncimeve nga qytetarët dixhitalë gjatë viteve të fundit të bandës Rama-Tahiri për trafikun e drogës. “Ja vetëm disa nga statuset e denoncimeve të bandës Rama-Tahiri nga qytetarët dixhitalë gjatë viteve të fundit!!”, shkruan Berisha në një postim në Facebook, duke publikuar disa nga mesazhet e qytetarëve dixhitalë.
1- “Të dhëna të reja mbi familjarët kontrabandist dhe trafikant e parelarës të Saimir Shullazit, tezakët Habili dhe përdorimin e veturës zyrtare të tij, me targë AA 003 GB
Më 01.10.2013 Florian Habilaj është proceduar penalisht në Vlorë për “Heqje të paligjshme të lirisë (pengmarrje e një shtetasi) dhe vetëgjyqësi”.
Më 25.01.2012 Artan Habilaj është proceduar penalisht në Portin Durrës, pasi janë kapur 86.500 euro të padeklaruara
Tabelat e mëposhtme tregojnë:
-pronësinë e Saimir Shullazit mbi automjetin e trafikut AA 003 GB
-se kush ka hyrë e dalë jashtë shtetit me atë mjet. Aty vihet re se me atë mjet kanë dalë jashtë shteti në data të ndryshme, familja Habilaj, familja Tahiri si dhe vetë ministri. Pra ky mjet përdoret nga të gjithë këta sipas deklaratës së Zaganit. Ndërsa tabela tjetër është çertifikata familjare e vëllezërve Habili”.
2- “Fundi i turpshëm i një gangsteri me pushtet
4 shtator 2015
“Skafi dhe fuoristrada e Tahirit përdoreshin nga Habilët, por ishin me GPS nga partnerët!
Intervistën e Zaganit jua dorëzuan mediave ata që e zhdëpën në Kryeministri Saimir Shullazin!!
Të dashur miq, përveç megaaferës shumëmilionëshe të Metës, një megaaferë tjetër në trafikun e drogës të kushërinjve, skafit dhe fuoristradës së Saimir Shullazit, ka shpërthyer fuqishëm këto dy ditë në media.
Ish-shefi i Antitrafikut Zagani u arrestua para 6 muajve me akuza të montuara për spiunim për një vend mik, me një dëshmi rrënqethëse tregon se shkaku i vetëm i arrestimit ishte ndjekja me vendosmëri nga ana e tij e grupit të trafikantëve, kushërinjve të parë të Tahirit, Habilaj, të cilët duke përdorur për në Itali dhe Greqi skafin dhe fuoristradën e kushëririt ministër trafikant, çanin çdo kontroll policor dhe kufitar se dhe bënin të gjitha emetimet në Antitrafikun e Vlorës.
Prej kohësh unë kam denoncuar në Parlament skafoministrin dhe përdorimin e skafit të tij personal për trafik droge nga tezakët që gjoja e kishin në roje. Reagimi i Saimir Shullazit në Parlament ishte i denjë për një halabak ordiner. E vërteta vonon, por nuk harron.
Tani janë ata, të cilët e zhdëpën për qëllime të tyre Tahirin në Kryeministri, që kanë dorëzuar në media tashmë jo akuzat e mia, por dëshminë tronditëse të njërit prej oficerëve më të aftë të Antitrafikut në Shqipëri. Ky është fundi i turpshëm i një gangsteri me pushtet, prindërit e të cilit u arrestuan për kontrabandë ilaçesh, ndërsa me tezakët e tij udhëheq trafikun e Vlorës dhe shndërron qytetin në portin kryesor të trafiqeve në rajon!!sb”
3-18 shtator 2015
“Ja cili është Saimir Shullazi: Makinën time që përdorej nga tezakët Habilaj për trafik droge e kam shitur në të zezë, por paratë i mbaj të fshehur?!?!
Të dashur miq, Saimiri i krimit, në përpjekje për të larë duart nga makina e përdorur për trafik ndërkombëtar droge, dje në mbrëmje deklaroi se “e ka shitur makinën, por se nuk e ka deklaruar shitjen” se ka frikë se ia merr Shkëlzen Berisha paratë sipas vendimit të gjykatave të të dy shkallëve të gjyqësorit që e gjetur dhe dënuar si shpifës ordiner të paguar nga Edi Rama për të sharë njerëzit pa paraqitur asnjë fakt. Tha se e kishte kontratën e shitjes nga noteri, por se e kish mbajtur të fshehtë. Kjo deklaratë e turpshme dhe inkriminuese nuk është e Shullazit bandit, por e Shullazit ministër.
Edhe kjo deklaratë është mashtrim në vetvete, pasi që kontratat tek noteri duhen shpallur në regjistrin noterial dhe si të tilla publike, por edhe sikur ta pranojmë për të vërtetë këtë pretendim prapë ky bie nga shiu në breshër.
Se Shullazi ministër i Brendshëm i qeverisë së qelbësirave tregon se pushtetin e përdor për të qëndruar mbi ligjin ndaj dhe nuk pranon të respektojë vendet e formës së prerë të gjykatave. E konsideron veten mbi gjykatat dhe nuk pyet për vendimet e gjykatave të të dy shkallëve dhe nuk i respekton. Vendimet e gjykatave janë të detyrueshme për të tjerët, por jo për Tahirin. Ky është tregues i respektit që kanë për shtetin ligjor.
Së dyti, Shullazi ministër pohon vet se ka shkelur edhe ligjin e Deklarimit të Pasurive, duke mos deklaruar të ardhurat, sepse njëlloj si Shullazi bandit e di veten edhe mbi ligjet e shtetit! Ligjet janë të detyrueshme për të tjerët, por jo për Saimir Shullazin.
Së treti fotot nga sistemi TIMS nga sistemi TIMS (po i vendos bashkëngjitur) që provojnë se me makinën e trafikut të drogës është lëvizur nga Habilaj, më pas nga Tahiri dhe më pas prapë nga Habilaj me dhjetëra herë jashtë shtetit. Nëse shet makinën atëherë pse e përdorin njëherë Habilajt e akuzuar nga oficeri i policisë si trafikantë, pastaj nga i ati i Saimirit, e ëma e tij dhe familjarë të tjerë dhe më pas prapë nga Habilajt? Pra duket qartë që makina është e përbashkët qarkullon si makina e ministrit dhe nuk guxon njeri ta kontrollojë.
“Këtu kam fotografi të nxjerra nga sistemet e kontrollit kufitar. Vetura me targë AA 003 GB me datën 5/9 është përdorur nga Emiljano Pirro Habilaj, me datën18/1 është përdorur nga Moisi Ciko Habilaj, me datën 28/7 është përdorur nga Artan Ciko Halilaj, me datën 12/6 nga Zenebe Brahim Habilaj, me datën 30/10 nga Saimir Bashkim Tahiri, me datën 1/5 nga Fatlinda Urhan Tahiri, me datën 29/1 nga Bashkim Lutfi Tahiri, etj”, pjesë e marrë nga fjala në Parlament më 08 shtator 2015.
Pra, kemi një tentativë për mashtrim mesa duket pas frikës nga zbulimi i përdorimit të makinës së tij për trafik narkotikësh që është ndër rastet e rralla në botë që ministri i Brendshëm të përdorë makinën private të tij dhe skafin e tij për trafiqe. Por në përpjekje për të vënë vetulla për t’u mbrojtur Saimir Shullazi nxorri sytë kur deklaroi me gojën e tij se ai shpërfill vendimet e Gjykatave, por edhe Ligjet e vendit. Dhe të mendosh që ky njeri del e thotë se ka diplomë Juridiku!!! Diploma e tij është krimi dhe droga!sb”.
4- 30 dhjetor 2015
Vila qeveritare në Dhërmi, qendër trafiku droge
Qytetari dixhital denoncon përdorimin e vilës qeveritare të Dhërmiut për trafik droge nga një rrjet qeveritar narko-trafikantësh!! sb
“Zoti ish-kryeministër dua t’ju informoj se Vila qeveritare e Dhërmiut prej disa muajsh më konkretisht së paku që nga mesi i muajt gusht është bërë qendër e trafikut të lëndëve narkotike. Tek kjo vilë, në Dhërmi përgjithësisht 1 herë në javë, më së shumti ditën e premte një skaf “Perla Blu”, shumë i fuqishëm me 4 motorë, vjen nga Veriu (Kroaci), dhe ankorohet aty tek Vila. Furnizohet me hashash, normalisht 1-1.5 tonë dhe vazhdon në drejtim të Italisë. Jam i informuar gjithashtu se për shkak të këtij trafiku fiket gjithmonë për “defekt” radari i Llogarasë. Informacioni vjen nga QNOD (Qendra Ndërkombëtare Operacionale Detare). Fjala është se ky trafik e ka kokën shumë lart në qeveri dhe bëhet me dijeninë e plotë, madje si të thuash ndën mbrojtjen e policisë së Postës Kufitare të Dhërmiut!”.
5- 3shtator 2015
“Qytetari dixhital denoncon: Familjarët e ministrit dhe drejtuesit e policisë janë bosët e trafikut të drogës në Vlorë Tepelenë!!
Respekte zoti Berisha, duke ju përshëndetur me respekt dua të ju informoj se njerëzit e Tahirit në Vlorë kushërinjtë e tij vëllezërit Artan, Florian, Moisi Habilaj, të cilët kanë marrë në dorë për të mbjellë gjithë zonën e Vlorës dhe janë ura lidhëse për Tepelenë e Delvinë. Para 2 javësh, ata kanë lëvizur në gjithë Vlorën me një prej automjeteve të eskortës së Tahirit për të dhënë siguri e për të blinduar të mbjellat e tyre në hashash, të cilat nuk guxon t’i prekë njeri dhe janë gjithsej 68.000 rrënjë.
Drejtori i Qarkut me zv/shefin e Komisariatit Vlorë, Hysen Bajrami, organizojnë gjithë terrenin dhe bashkëpunojnë ngushtë me vëllezërit e lartpërmendur. 30% e vlerës së shitjes është pjesa që drejtori Qarkut nëpërmjet Hysen Bajramit marrin tek të tjerat që nuk administrohen nga vëllezërit e përmendur më lart. Po ashtu Bajrami është personi i dërguar nga partia për të mbajtur nën kontroll indirekt dhe drejtorin. Me besim se do të mbetem anonim për informacionin, me respekt për ju”.
6 – 30 korrik 2016
“Polici dixhital denoncon: Saje qorri me tezakët e tij famozë, latifondist i Kanabisit!!S.B
Përshëndetje doktor ju bëj me dije se Artan Habilaj e Moisi Habilaj kushërinjtë e Saimir Tahirit..në bashkëpunim me Robi Bato Llanaj, i cili është kushëriri i Gëzim Zhupës, drejtorit të Policisë të Kufirit në Vlorë nga Salaria që është dhe nipi i deputetes Valentina Leskajt në bashkëpunim këta persona në Selenicë kanë të mbjella 4 hektarë me hashash dhe mbajnë aty në çadra pa lëvizur 60 punëtorë…Robi i Batos është vrasës, person me precedent të rëndë kriminal…këta persona në bashkëpunim janë autorë të nisjes së gomones të kapur me 12 kuintalë hashash në Itali…gomonia e kapur është pronë e Robit të Batos dhe e Habilajve dhe është nisur nga grykëderdhja e Semanit..hashashi i nisur me gomone është i gjithi i përpunuar në Selenicë në …me garanci të Gëzim Zhupës, drejtorit të Kufirit…për çdo ngarkesë drejtori i Kufirit merr 40 mijë euro për kuintal..të hetojë Prokuroria këtë informacion, pasi policia merr paratë dhe është pjesë e trafikut…”
7- 21 gusht 2016
“Qytetari dixhital informon:
Shkaku i zjarrit në Bish Poro ishte rivaliteti i klaneve të drogës, konkretisht i tezakëve të Saje qorrit dhe dy të tjerëve! Me hollësi lexoni mesazhin e tij. sb
Para pak ditësh ra zjarr në pyllin e Pish Poros në Vlorë. Po zjarri nuk ra për arsye natyrale si tha merhumi Leli në tv. Zjarrin e vunë A.H dhe T.H. Shkakun po jua tregoj unë. Pylli i Pish Poros është mbushur me parcela hashashi në pronësi të Moisi Habilajt dhe Erjonit të Pepos si quhet në Vlorë burri i prefektes Etjona Hoxha. Me urdhër të Moisiut dhe Erjonit, policia preu para ca kohësh në pyll gati 2500 rrënjë hashash në pronësi të T dhe A dhe lanë pa prekur gati 50 mijë rrënjë që ishin parcelat ngjitur në pronësi të Moisiut dhe Erjonit. Atëherë T.H dhe A.H i vunë zjarrin pyllit që të digjnin mallin e Moisiut dhe Erjonit nga inati i asaj që u bën. Habilajt ju i njihni po kohët e fundit janë fuqizuar shumë në parcela edhe burri i prefektes së Vlorës, Erjoni dhe shoferi i prefektes Iliri, që është shok i tij bashkë me Pepon vëllain e madh të Erjonit. Këta njihen prej kohësh si kontigjent i vjetër xhepist, skafsit, grabitës dhe përdhunues në grup që nga 1998. Erjoni i Pepos dhe Iliri bëjnë transport malli me makinën e Prefekturës”.