21.5 C
Tirana
E martë, 12 Gusht, 2025

Antimafia italiane: Habilaj kishte monopolin e drogës nga Shqipëria

Prokuroria italiane e qytetit të Katanias në rajonin e Siçilisë, në deklaratën e saj zyrtare për mediat ka zbardhur detaje mbi operacionin “Rosa dei Venti”, i cili çoi në shkatërrimin e bandës italo-shqiptare, e cila merrej me trafikimin e marijuanës dhe të armëve nga Shqipëria drejt Italisë.
Arrestimet janë kryer më 14 tetor 2017 dhe 7 personat e arrestuar aktualisht ndodhen në dy struktura të vuajtjes së dënimit në qytetin e Katanias.
Grupi i shqiptarëve në këtë bandë drejtohej nga Moisi Habilaj, 39 vjeç. Ai së bashku me dy shqiptarët e tjerë të arrestuar janë lokalizuar në komunat Vittoria e Modica në provincën Raguzës dhe në qytezën Palagonia në provincën e Katanias. 4 shqiptarë të tjerë anëtarë të kësaj bande janë shpallur në kërkim. Ata nuk janë lokalizuar në territorin italian e autoritetet italiane të rendit do kërkojnë ekstradimin e tyre.
Hetimet e këtij operacioni kanë qenë mjaft të ndërlikuara, duke kërkuar përdorimin e teknikave të ndryshme të përgjimeve si telefonike ashtu dhe ambientale. Gjatë viteve të fundit, kjo bandë kishte vënë në kontroll importimin e marijuanës dhe armëve nga Shqipëria drejt Italisë, duke zotëruar tregjet e trafikimit të drogës në provincën e Raguzës, Katanias e Sirakuzës me një biznes përfitimi mbi 20 milionë euro.
Hetimet e gjata e të ndërlikuara kanë çuar në sekuestrimin si nga deti ashtu dhe nga toka të rreth 3500 kg marijuane e arrestimin e rreth 20 korrierëve të drogës. Grupi kriminal kishte në zotërim armë të tipit kallashnikov e municione të ndryshme. Moisi Habilaj ka shkuar disa herë në Itali për t’u kujdesur për trafikun e drogës, pas disa rasteve të goditura nga Guarda di Finanza. Në një rast, ai shkoi në Siçili me një bashkëpunëtor të quajtur Sabi Çelaj, të cilët udhëtuan me një makinë “Audi”, që i përkiste Saimir Tahirit dhe përdorej për drogë nga kushërinjtë e tij.
Pjesë e këtij operacioni ishte dhe sekuestrimi i kryer në maj të vitit 2015 në ujërat e Komunës Riposto, të një mjeti lundrues me 900 kg marijuanë dhe të dy armëve të tipit kallashnikov, karikatorë e qindra municione. Gjatë arrestimit, anëtarëve të bandës iu sekuestruan dhe 20 mijë euro. Kanabisi ishte destinuar për në Catania, Ragusa dhe Siracusa.
Në operacionin “Rosa dei Venti” të autoriteteve italiane u identifikuan 11 anëtarë të organizatës kriminale, nga të cilët u arrestuan 3 shqiptarë dhe 4 italianë. Ata janë Moisi Habilaj 39 vjeç, Maridian Sulaj 29 vjeç dhe Fatmir Minaj 55 vjeç, ndërsa italianët Antonio Riela 46 vjeç, Vincenzo Spampinato 44 vjeç, Gianluca Passavanti 37 vjeç u sekuestruan edhe 20 mijë euro cash. Përveç drogës, anëtarët e bandës kanë transportuar kallashnikovë dhe qindra municione.
Pjesë e dosjes italiane të grupit kriminal të Habilajve janë edhe katër persona të tjerë, të cilët janë shpallur në kërkim. Ata janë Nezir Seiti, Florian Habilaj, Sabaudin Çelaj dhe Armando Sulaj. Kreu i grupit të trafikut të drogës drejt Italisë ishte Moisi Habilaj, kushëri i ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

Si Tahiri u vu në mbrojtje të Shullazit, Nikolla e nxjerr bllof

Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla dëshmoi dje në Gjykatë ndaj Shullazit, duke nxjerrë bllof ish-ministrin Tahiri. Nikolla rrëfeu para trupit gjykues se si e mësoi lajmin për kërcënimin e Mynyr Konit dhe Dhori Kules. Ajo tha se kishte pasur një takim në Gardën e Republikës, bashkë me Tahirin, Dhori Kulen, Çakon dhe Ervin Hodajn, në kohën kur ish-Kryeministri Berisha bëri denoncimin e tij në media për këtë çështje.
“Ishte Majlinda Keta që më njoftoi për ngjarjen. Mora në telefon zotin Kule dhe më shpjegoi lidhur me kërcënimin ndaj Konit dhe ndaj tij. Kam kërkuar takim me zotin Çako dhe menjëherë ai më la takim tek Garda. Aty erdhi dhe ministri Tahiri, Kule, Hodaj. Ndërsa ishim në takim me Tahirin, Berisha doli në konferencë për shtyp dhe dha detaje nga kërcënimi”, është shprehur Nikolla, që me dëshminë e saj ka nxjerrë gënjeshtrat e Saimir Tahirit në seancën e kaluar.
Ish-ministri tha se, e kishte mësuar ngjarjen nga televizori, kur Sali Berisha doli në konferencë për shtyp. Për këtë, ai kërkoi të sillej në Gjykatë Sali Berisha si dëshmitar.
“Ngjarjen e kam marrë vesh nga denoncimi publik i bërë nga ish-kryeministri Sali Berisha në konferencën për mediat”, është shprehur Tahiri në seancën e mëparshme gjyqësore në përpjekje për t’ia lënë Berishës lidhjen e Shullazit me ngjarjen. Në fakt përmendjen e Emiliano Shullazit, si autor të kërcënimeve e ka bërë Dhori Kule në takimet që ka pasur me Haki Çakon dhe drejtuesit e tjerë të policisë, kur aty ishte prezent edhe Tahiri.
Gjatë seancës së djeshme gjyqësore kanë dëshmuar edhe Mynyr Koni dhe ish-rektori Dhori Kule, si dhe drejtorit të Policisë së Tiranës Ervin Hodaj. Ata janë pyetur lidhur me kërcënimin e kandidatit Koni dhe rektorit në atë kohë Dhori Kule, në zgjedhjet e 14 prillit në Universitet. Sipas Rektorit Koni, në prill 2016, dy ditë para se të përfundonte gara është ndaluar nga disa persona me makinë, është futur në makinë dhe i është kërkuar të heqë dorë nga kandidimi.
“Me 14 prill disa persona rreth orës 20:30 më kanë kërkuar që të tërhiqem nga gara. Nuk i njoh personat që me kanë kërcënuar se ishte errësirë, një ditë më vonë paraqita dorëheqjen. Nuk e njoh Shullazin, kam dëgjuar për të vetëm nga media. Për kërcënimin kam vënë në dijeni Dhori Kulen”.
I pyetur dhe nga vetë i pandehuri, nëse personi që e kërcënoi ishte ai vetë, Koni nuk dha një përgjigje, duke u shprehur se nga media e ka marrë vesh që ka qenë Shullazi. E njëjta gjë është thënë dhe nga Dhori Kule. Ai ka treguar në Gjykatë se është vënë në dijeni të kërcënimit që ka pasur Mynyr Koni dhe ai vetë ka pasur një kërcënim të tillë. Persona me makinë e kanë ndaluar dhe i kanë thënë të mos ndikonte në dorëheqjen e Mynyr Konit. Por edhe Dhori Kule nuk ka thënë se ky person ishte Emiljano Shullazi, kur i është kërkuar ta identifikonte.
Edhe Ervin Hodaj ka thënë se është vënë në dijeni të kërcënimit nga drejtori i Policisë së Shtetit, Haki Çako gjatë një takimi që ka pasur me ministren Lindita Nikolla. Dhe aty është dëgjuar nga Dhori Kule i është thënë që personi që e ka kërcënuar ishte Emiljano Shullazi.

Shullazi i kërkon llogari ish-drejtorit të Policisë në sallën e gjyqit

Emiljano Shullazi ka marrë vetë në pyetje ish-drejtorin e Policisë së Tiranës, Ervin Hodaj në seancën e radhës në ngarkim të të akuzuarit për kërcënim të rektorit Mynyr Koni. Madje i pandehuri pyet ish-drejtuesin e lartë të policisë se mbi ç’baza dhe prova e ka vënë në pranga.
Debati
Shullazi- Ervin Hodajt: Te dëshmia në Prokurori the që emrin tim ta tha Koni në makinë, këtu po thua që e dëgjove në takim me ministrin, a ka mundësi ta ndash pak?
Hodaj: E kam dëgjur edhe te radio e policisë
Shullazi: Atë ditë që more Konin për kallëzim a më shoqërove dhe mua në polici?
Hodaj: E di që po
Shullazi: Pse s’u bë ballafaqim aty
Hodaj: Janë veprime procedurale
Shullazi: Ça thotë ky tani procedura, ky vetëm kaq ditka që më shoqëroi mua dhe mbaroi punë. Mirë, mirë vazhdo dëshminë. Si qenka kjo punë të përmendkan një emër dhe hajde ta shoqërojmë.

Rama përfituesi kryesor i parave të Habilajve

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha e cilësoi qesharak distancimin e Ramës nga përfshirja e Tahirit në trafikun e drogës, ndërsa tha se përgjimet e drejtësisë italiane dëshmojnë dhe provojnë skemën e Ramës për blerjen e zgjedhjeve me paratë e drogës. Përmes një konference për shtyp nga selia e PD, Basha solli në vëmendje të gjitha denoncimet e njëpasnjëshme të Partisë Demokratike mbi lidhjet e forta të Tahirit me trafikun e drogës dhe fuqizimin e bandës së Habilajve përmes lidhjeve të tyre me pushtetin.
“Ju keni parë sot në media me sytë tuaj, provat dhe faktet e Antimafias italiane që lidhin direkt Saimir Tahirin me trafikun e drogës dhe të armëve.
Provat e hetimit nga Antimafia italiane tregojnë se, grupi narkotrafikant i drejtuar nga Moisi Habilaj, kushëriri i Saimir Tahirit, i ka paguar shuma marramendëse në dorë Saimir Tahirit, si dhe kanë përdorur për trafik droge, Audin e Saimir Tahirit dhe skafin e tij.
Provat e hetimit tregojnë se, narkotrafikantët kanë kontribuar miliona euro në fushatën elektorale të Edi Ramës.
1400 herë Partia Demokratike e ka denoncuar Saimir Tahirin për lidhjet e tij me organizatat kriminale dhe trafikun e drogës. 1400 herë Edi Rama e ka mbrojtur Saimir Tahirin dhe ka sulmuar opozitën.
Edi Rama burgosi dhe sulmoi oficerin e Antidrogës, Dritan Zaganin, kur ai denoncoi me fakte lidhjen e Tahirit me Habilajt. Sa herë dilnin në dritë fakte për lidhjet e Tahirit me bandat, Edi Rama e ka mbrojtur, duke e quajtur Tahirin bashkëpunëtorin e tij më të ngushtë dhe ministrin e tij më të suksesshëm. Këto janë faktet.
Rama i ka dalë në krah Saimir Tahirit për çdo akuzë, ndaj sot, nuk ka njeri që të mendojë që Tahiri ka bërë në kokë të vetë”, u shpreh Basha.
Kreu i PD tha se, Tahiri është thjeshtë dhe vetëm një nga peshqit e mëdhenj të kartelit të krimit që sot drejton vendin, ndërsa paralajmëroi se të tjera fakte tronditëse do të publikohen në ditët në vijim për ministrat e tjerë të qeverisë.
“Sot, Edi Rama e shiti Saimir Tahirin vetëm për të shpëtuar lëkurën e tij.
Sepse, Tahiri ka qenë as më pak as më shumë se ndërmjetësi i Edi Ramës me Habilajt, Shullazin dhe banda të tjera mafioze në vend.
E vërteta është se, Tahiri nuk është as më shumë as më pak se një nga peshqit e mëdhenj, anëtarët e suksesshëm të organizatës kriminalo-politike. Fakte tronditëse do të dalin në ditët dhe javët në vazhdim për të tjerë ministra të Edi Ramës.
Gjithçka është bërë me dijeninë dhe bekimin e Edi Ramës, që është përfituesi kryesor i parave të drogës së Habilajve. Vetë kriminelët pohojnë në përgjimet e Antimafias se, për të fituar zgjedhjet janë përdorur miliona euro.
Kreu i PD tha se sot shqiptarët kanë të qartë skemën e Ramës për blerjen e zgjedhjeve, ndërsa tha se për aq kohë sa Rama nuk do të largohet nga qeveria, kjo e fundit do të mbetet karteli i krimit dhe drogës në Shqipëri.
“Para shqiptarëve, sot, janë provat që tregojnë skemën sesi Edi Rama ka blerë zgjedhjet.
Këto janë faktet tronditëse para shqiptarëve dhe mbarë botës. Këto janë provat që tregojnë edhe skemën se si Edi Rama ka blerë votën dhe ka dhunuar zgjedhjet.
Për çdo shqiptar është e qartë, se me Edi Ramën në qeveri dhe jo para drejtësisë, qeveria shqiptare do të vazhdojë të jetë karteli kryesor i krimit dhe drogës në Shqipëri.
Nesër, Partia Demokratike do të thërrasë një tryezë me gjithë spektrin opozitar.
Për çdo shqiptar, pavarësisht bindjeve politike po troket ora e ballafaqimit me të vërtetën. Po troket ora e vendimeve të mëdha.

Të paktën të mos e fyejmë Diasporën!

Bujar NISHANI

Shqipëria përpos të tjerave identifikohet edhe për një veçori demografike në raportin global. Ajo ndoshta është shembulli i vetëm i një shteti ku brenda territorit të vet administrativ jetojnë (afërsisht) vetëm 40% e popullsisë që i takojnë kombësisë përkatëse (shqiptare).
Veç popullsisë shqiptare që jeton në trojet e veta etnike në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi e Luginë të Preshevës, shqiptarët kanë një diasporë të madhe të përhapur në vende të ndryshme evropiane, USA, Kanada, Australi, por dhe vende të tjera. Një diasporë e krijuar nga gjenerata të ndryshme emigrantësh përfshirë ata politik dhe ekonomik. Janë disa miliona këta që kanë ndërtuar jetën atje në breza, por duke ruajtur identitetin e tyre kombëtar dhe duke krijuar njëkohësisht një thesar të kapitalit njerëzor dhe atij ekonomik e financiar. Kapacitetet e saj, por dhe energjitë janë të shumta dhe për fat të keq të injoruara dhe pa shfrytëzuara. Retorika vijon dhe nuk po ia lë vendin përgjegjshmërisë dhe angazhimeve konkrete. Shqipëria prej kohësh e ka patur të nevojshme një institucion në nivel ministrie për diasporën. Mund të mungoj vullneti për ta krijuar dhe kjo është keq, por të pretendosh se po merresh me diasporën, duke emëruar një ministër pa portofol është të tallesh me atë dhe kjo është shumë keq! Samiti i ashtuquajtur i diasporës në nëntor 2016 u shndërrua në një show partizan pa kurrfarë produkti. Kush mund të thotë sot pas një viti në prag të samitit të dytë se çfarë ka prodhuar apo ndodhur në një vit prej atij samiti. Pa dyshim është e nevojshme që të ketë edhe Kuvend të Diasporës, ku minimalja të prodhohet Senati i saj dhe platforma e angazhimeve konkrete. Pas atij samiti, buxheti i ri i vitit që u miratua vetëm një muaj më pas nuk parashikoi asnjë qindarkë për çështjet e diasporës. Në SHBA diaspora shqiptare ka njohur një rritje të jashtëzakonshme numerike, por dhe cilësore si potencial. Kam patur rastin të shoh nga afër dinamikën e Vatrës, një organizatë patriotike prej gjeneratash të shumta, e cila ende ruan këtë ndërthurje brezash. APEN, modeli i përbashkimit të identitetit kombëtar me hapësirën e mundësive që të jep ëndrra amerikane. Albanian Excellence, një bashkim i jashtëzakonshëm vlerash të grave dhe vajzave të talentuara shqiptare. Pa numëruar këtu një mori organizatash aktive në New York, Michigan (si shtet), Cikago, Florida (si shtet), Boston, etj. Askush prej pjesëtarëve të tyre nuk është ftuar të jetësoj eksperiencën dhe dijet në administratën publike shqiptare. Forumi Ekonomik Mbarëkombëtar i mbajtur në NY në shtator 2016 mblodhi me qindra biznesmenë të suksesshëm shqiptar nga diaspora. Askush prej tyre nuk ka gjetur derën hapur për incentiva investuese në Shqipëri. Shoqata e mjekëve shqiptaro-amerikan, një bashkim i mjekëve të shkëlqyer në USA ju vu në dispozicion zyrtarisht qeverisë shqiptare për të shërbyer me turne mujore në spitalet e Shqipërisë si në menaxhim të tyre ashtu dhe ushtrim profesioni, pa asnjë pagesë. U injoruan totalisht! Artikulimi i vlerave të diasporës dhe i investimit të shtetit shqiptar vetëm tek mundësimi i votimit për emigrantët është shumë larg sensit të përgjegjësisë dhe dëshirës për angazhim. Votimi nga emigrantët është një çështje e rëndësishme dhe duhet zgjidhur sa më parë. Por që të bëhet i realizueshëm, duhet të shohim së pari, largimin e grupeve kriminale nga blerja e votave dhe përfundimin e infrastrukturës së votimit elektronik. Por dimensioni i diasporës është shumë më i madh. Janë me miliona që nuk e kanë nënshtetësinë shqiptare e ata nuk janë aset votuesish. A më thotë dot kush nga qeveria shqiptare se ku është çelur një qendër kulturore shqiptare? Në New York nga autoritetet vendore me mbështetjen e Asambleistit Mark Gjonaj u mundësua dhënia e një objekti për Qendrën Kulturore Shqiptare. Por duhej një investim fillestar më pas për të. Asnjë qindarkë deri më sot nuk është vendosur nga qeveria. Janë me mijëra mësues vullnetar që u mësojnë gjuhën shqipe fëmijëve të diasporës në Amerikë, Itali, Greqi, Zvicër e deri në Kanada e Australinë e largët. Më thotë dot kush nga qeveria shqiptare, a ka një fond shtetëror për financimin e tyre dhe bazës shkollore? Jo, sigurisht asgjë. Mund të mungoj dëshira dhe angazhimi për t’i shërbyer diasporës, mund të mos jesh i aftë dhe i zoti t’i kthesh potencialet e saj në asete edhe për vendin e origjinës, por është krejt e papranueshme të fyhet ajo, duke e përdorur si subjekt i showt politik. Në këtë showbiz mund të marrë pjesë çdokush që dëshiron, por unë nuk shoh asnjë arsye që opozita shqiptare të bëhet skenografia e tij. Përtej gjithë kësaj përpjekje pa produkt, Diaspora mbetet resurs i jashtëzakonshëm. Ajo pret……

Sajme, mos i çaj kryet, plako….; fundja, ti nuk ishe vetëm!

Namir Lapardhaja

Nuk ishe vetëm Sajme, sepse ti ishe investimi më i madh i Kryeministrit të vendit tënd. Investim i drejtpërdrejtë i tij. Kush të mban mend në fillimet e ecejakes politike, i kujtohen daljet e tua me çantë serioze prej intelektuali në çdo studio televizive dhe në selinë e PS-së. Ishe i ri dhe i panjohur për kërkënd në atë kohë, mirëpo besimi që shefi yt të dha e justifikoi vetveten.
Dihet si funksionojnë punët në këtë Shqipërinë tonë, Sajme, kështu që ti nuk mund të bëje asgjë pa bekimin e Shefit të mazhorancës, Shefit tënd dhe të partisë tënde.
Ai të mbrojti deri në fund, pavarësisht akuzave të opozitës ose nga radhët e brenda policisë, për lidhjet e tua me botën e errët dhe të jashtëligjshme, ndaj as ai nuk mund të linte ty, e as ti atë.
Pavarësisht se sot ti, Sajme, ndjehesh i prerë në besë, duhet të jesh krenar, sepse ti nuk ishe vetëm dhe nuk veprove asgjë pa lejen dhe miratimin e Shefit tënd politik.
Ti nuk ishe vetëm as në radhët e institucionit tënd, Sajme, sepse nga ti varej drejtpërdrejt drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, e prej tij drejtorët e policisë së qarqeve, shefat e komisariateve, shefat e njësive të antidrogës etj.
Ishte një mekanizëm i tërë, Sajme, që ndërtuat së bashku, ndërkohë që goditët një zonë periferike si Lazarati, nga ana tjetër, ju, të gjithë bashkë, e lazaratizuat të gjithë Shqipërinë, nga Jugu në Veri, duke e shndërruar vendin tonë në eksportuesin më të madh të drogës në të gjithë Evropën (sipas raporteve ndërkombëtare).
Edhe kjo është arritje, Sajme, ndaj ji krenar edhe për këtë, por mos harro se edhe në këtë ndërmarrje kaq të madhe dhe me kaq rëndësi strategjike për Shqipërinë ti nuk ishe vetëm.
As në aksionin kundër lojërave të fatit ti nuk ishe vetëm. Ju e ndërrmorët në fillimin e mandatit tuaj qeverisës, mirëpo, ndërkohë që lojërat e fatit mbylleshin në të gjithë Shqipërinë, ashtu siç u fol në atë kohë, një miku juaj i ngushtë, ish-pronari më i madh i këtij biznesi në Tiranë, u vra në një atentat tipik mafioz.
Ti nuk ishe vetëm as në atë aksion Sajme, ndaj ji krenar, sepse, ndërkohë që disa lojëra fati mbylleshin, të tjera, edhe më të mëdha, hapeshin dhe lulëzuan në atë kohë.
Gjaku nuk mund të bëhet ujë, Sajme, pavarësisht se ç’thotë opozita dhe të tjerët, ndaj ji krenar edhe për kushërinjtë e tu, të cilët lëviznin me makinën tënde shtetërore dhe transportonin drogë, jo vetëm brenda, por edhe jashtë vendit.
Ji krenar, sepse ato 30 mijë euro që ata kërkonin për ty, sipas mediave italiane, fundja ishin thjesht një tregues i vogël i mirënjohjes së tyre dhe i asaj që gjaku nuk mund të bëhet ujë.
Sajme, ti nuk ishe vetëm, plako, sepse ti kishe mbështetjen më të madhe të Partisë Socialiste, kishe kolegë që të mbronin dhe ishin avokatët e tu më të mëdhenj publik, pavarësisht se ndonjë bibë e sotme, nxjerr inatet e së kaluarës dhe hakmerret ndaj ndonjë konkurrence të dikurshme.
Ti as nuk ishe e as nuk je vetëm, Sajme, ke pasur e ke mbështetjen më të madhe të medias. Ato kurrë nuk të lanë vetëm atëherë, duke të ndjekur nga pas, e kur nuk mund të lënë vetëm edhe sot, ku të ftojnë nga njëra studio në tjetrën, në emisione serioze e sarkastike, për të rregulluar e rehabilituar figurën tënde, ndofta të cenuar nga mos vendosja sërish ministër.
Mos i çaj kryet, plako, se në këtë vendin tonë, çudia më e madhe 3 ditë zgjat. Shefi yt do ta rregullojë edhe këtë sikletin tënd të tanishëm. Ai nuk mund të braktisë e të thyejë në besë në këtë farë feje. Fundja, ti nuk ishe vetëm e nuk punove asnjë ditë vetëm.
Ti ishe me të, me kolegë të Policisë së Shtetit, me kolegë e miq të Partisë Socialiste, me familjar, miq e të afërm.
Të gjithë ishin me ty dhe ti ishe me ta, ndaj mos i çaj kryet, plako….; fundja, ti nuk ishe vetëm!

Opozita në sfidën e përballjes me pushtetin e krimit

Sokol GJONI

Përjashtimi i njëpasnjëshëm i deputetëve demokratë si dhe precedenti i mbylljes së mikrofonëve ndaj përfaqësuesve të opozitës së djathtë në foltoren e Kuvendit, janë panorama më e qartë e nivelit akut në të cilën ka mbërritur demokracia shqiptare. Ky startim i kësaj legjislature me debate të ashpra dhe imponim “muskujsh” mes palëve, që rrezikon të kthehet në ngërç institucional, dëshmon regresin e bërë në drejtim të ecjes dhe të maturimit të demokracisë shqiptare, e cila tashmë ndodhet e tharmuar nga pushteti i interesave okulte që janë ngjizur në laboratorët e krimit dhe të klaneve mafioze në vend. Opozita në qëndresën e saj stoike përballë krimit të organizuar dhe mafias shtetërore, e cila ka shtrirë tentakulat e saj në çdo dimension të jetës politike, ekonomike dhe sociale, duhet të thërrasë popullin në mbështetjen e kauzës së saj, pasi janë qytetarët shqiptarë, ata, të cilët ndiejnë mbi kurrizin e tyre trysninë e madhe që ushtron veprimtaria kriminale e grupeve me suport dhe influencë politiko-klienteliste. Kjo fushë-betejë e opozitës, padyshim është nga më të vështirat, sepse përballja me krimin e strukturuar shtetërisht dhe qeveritarisht shënon fillimin e një beteje që s’njeh kthim prapa, ku dhe vetë politika, falë inkriminimit të një pjese të saj ka shumë pak instrumente për të luajtur një rol kyç në evoluimin pozitiv të dinamikës së zhvillimeve të pritshme. Mazhoranca politike, tashmë e damkosur botërisht për lidhjet e saj me klanet e të “fortëve” dhe për suportin elektoral që ajo merr nga këta të fundit, pasi u përpoq të inskenonte shfaqje burleske si një trupë cirkuistike ambulatore, përmes “dëgjesave…” dhe të “shpikjes së formulës bashkëqeverisëse me popullin”, përsëri nuk ia doli që të fshehë denatyrimin e vullnetit të shqiptarëve në zgjedhjet e 25 qershorit 2017. Kryeministri Rama në galopin e tij drejt rendjes së instalimit të një sistemi politik me bazë neobllokmenësh dhe me piramidë kriminale, po luan në funksion të egos së tij kartat e fundit, duke synuar asgjësimin e parlamentarizmit. Me ish-ministrin gjakatar të brendshëm, porositësin e vrasjes së katër të rinjve dhe të plagosjes së dhjetëra e qindra të tjerëve në protestën e 2 prillit të vitit 1991, sot i emëruar nga Rama si kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, debati parlamentar është në një spirale të rrezikshme, me pasoja të parikuperueshme për stadin e maturimit politik të vendit që kërkohet me aq ngulm nga organizmat ndërkombëtare dhe vendet asistuese. Nuk është e rastit, që një ish-ministër i periudhës së totalitarizmit, i cili opozitën aktuale e ka goditur që në embrionin e saj, sot drejton “atë” që duhej të ishte tempulli i demokracisë. Me Ruçin kryetar Kuvendi, Rama, përveçse ka synuar likuidimin e opozitës, ka përmbushur dhe skemën strukturore të krimit, duke e bërë piramidën shtetërore më kriminalen dhe më të njollosurën në historinë e pluralizmit në Shqipëri. Përballë kësaj situate, qëndron opozita, e cila peshën e simbiozës së grupeve kriminale të lidhura me qeverinë e ka ndjerë dramatikisht, teksa është “shkërmoqur” në zgjedhjet e fundit parlamentare, ku përmes veprimtarisë së këtyre grupeve, të hedhura në betejë si formacione paramilitariste, është bërë i mundur tjetërsimi katastrofal i vullnetit të lirë të zgjedhësve shqiptarë. Në aksionin e saj, të paraprirë dhe nga nevoja imediate e rivendosjes së dinjitetit demokratik dhe funksional të institucioneve në Shqipëri, Partia Demokratike është në natyralitetin e potencës dhe akcentit të saj politik, për të përshkallëzuar mëtejshmërisht veprimet dhe metodat parandaluese në funksion të moslejimit të instalimit të klikës neobllokmene dhe të lidhjeve të tyre me klanet e mafias. Demokracia shqiptare, kurrë në këto 27 vite rrugëtim, nuk ka qenë më në zgrip, se sa gjatë kësaj periudhe, kur në pushtet erdhi tabori klientelist i Ramës, që frikshëm ka shtrirë kthetrat e tij mbi çdo arterie ekonomike dhe strategjke të vendit, duke copëzuar dhe shkalafosur ëndrrën tonë dhe të fëmijëve tanë për një të ardhme më të mirë dhe më të begatë. Partia Demokratike, si forca politike që ka mbajtur gjithnjë qëndrime të qarta dhe të prera ndaj çdo elementi, apo strukture me lidhje dhe veprimtari të dyshimta kriminale, është padyshim, yshtja për të dalë nga ky rreth vicioz në të cilin jemi zhytur nga lidhjet e qeverisë me krimin.

Portali i ish-ministrit: Kush po e vret Tahirin?

Portali nën kontrollin e ish-ministrit të Brendshëm, “Pamfleti” flet për një komplot ndaj peshqve të vegjël për të shpëtuar “peshkaqenët”. Sipas kësaj medie të kontrolluar nga Tahiri kemi të bëjmë me një komplot ku janë përfshirë përfaqësues të mazhorancës

Shkrimi

Saimir Tahiri sapo kishte filluar të rekuperonte figurën e tij pas shkarkimit të bujshëm në pranverën e këtij viti.
Në rrafshin e partisë, ai punoi fort me strukturat e PS-së në Tiranë, duke ndikuar në një fitore të pastër të socialistëve.
Sa i përket rrafshit personal, Tahiri punoi fort për të kultivuar figurën e një politikani popullor dhe të dashur, shkruan Albeu.com.
Në lidhje me këtë mund të sjellim ndërmend daljet publike më 14 mars i rrethuar nga dhjetëra qytetarë në bulevardin qendror.
Gjithashtu, Tahiri kishte filluar të merrte pjesë nëpër emisione të njohura në televizionet më të mëdha në vend në tentativë për të rikthyer vetes shkëlqimin që iu hoq disi nga shkarkimi, por edhe në përgatitje për ndonjë sfidë të fortë politike në një periudhë afatmesme.
Pavarësisht akuzave për kanabizimin e vendit, Tahiri ia doli që të kultivonte figurën e një politikani të ri, energjik dhe i gatshëm për sfida të tjera.
Kapja e njërit prej vëllezërve Habilaj në Itali me 3.5 ton drogë si edhe furtuna që pasoi në Tiranë, ndër të tjera është edhe një aksion për “vrasjen” e tij në politikë, shkruan Albeu.com.
Aktualisht, Saimir Tahiri është në qendër të akuzave si nga opozita ashtu edhe nga segmente të caktuara të mazhorancës, të cilët duket se po u intereson që uragani i nisur të marrë fillimisht para ish-ministrin e Brendshëm.
Pse jo, kështu siç kanë nisur të zhvillohen gjëra, nuk është çudi që Saimir Tahiri për një arsye apo tjetër të jetë viktima e parë e Vettingut për të hapur më pas rrugën për “peshqit” më të vegjël, të cilët do të sakrifikohen për të shpëtuar “peshkaqenët”.

Reagimi i Ramës për Tahirin, si po e shet për të shpëtuar veten

Rama thotë se kërkon të vërtetën dhe vetëm të vërtetën për Tahirin, ndërsa i konsideron si shokuese faktet që kanë dalë përgjimet. Reagimi i Ramës tenton të distancohet nga Tahiri. Kemi të bëjmë me një shitje të pastër të Tahirit nga Rama. Arsyeja është e qartë; të shpëtojë veten nga përgjegjësia

Mesazhi i Ramës

Është e neveritshme dhe shokuese çka ka dalë prej bisedave të dy kriminelëve!
Saimir Tahirin e njoh prej vitesh dhe kam pasur vetëm fjalë mbështetjeje e inkurajimi për të, si person me qëllime të mira, aftësi dhe integritet.
Por Shqipëria dhe shqiptarët sot duan e meritojnë të dinë të vërtetën, vetëm të vërtetën dhe asgjë tjetër përveç të vërtetës. Prandaj të gjitha organet ligjzbatuese, duhet t’i shkojnë deri në fund e pa humbur kohë kësaj historie, për të hedhur dritë të plotë mbi faktet.
Vetë qeveria e re është krijuar për të mos falur e as toleruar këdo qoftë, që zgjedh rrugën e krimit në vend të rrugës së Shqipërisë që duam – Me shtet, punë, mirëqenie.
Asnjë luhatje. Asnjë rezervë. Asnjë dyshim: Lufta jonë me krimin do të vazhdojë në çdo ditë me edhe më shumë forcë. Deri në fund!

Higuain kërkon mbështetjen e tifozëve

Pas humbjes ndaj Lazio ditën e dielë në ndeshjen e fundit në Serinë A, sulmuesi argjentinas i Juventusit, Gonzali Higuain, është shprehur i zhgënjyer nga rezultati, pasi sipas tij skuadra meritonte më shumë. Sipas tij, skuadra meritonte më shumë, ndaj kërkon që të mërkurën, në Champions League, bardhezinjtë të reagojnë me një fitore ndaj Sporting. “Dua të falënderoj tifozët e Juventusit, që si do të shkojnë gjërat, janë gjithnjë në mbështetje të ekipit, duke treguar dashuri dhe respekt”, u shpreh në faqen e tij zyrtare “Instagram” sulmuesi argjentinas.
Ndaj, Higuain, kërkon mbështetjen e tyre edhe të mërkurën, në ndeshjen e radhës në Champions League, në mënyrë që bardhezinjtë të rigjejnë rrugën drejt fitores. “Në momentet pozitive është e lehtë të jesh pranë, por ne kemi nevojë për ta edhe në këto momente të vështira”, shprehet “il pipita”, që kërkon të lërë gjurmë në këtë sezon me Juventusin. Në kampionat, bardhezinjtë ndodhen në vendin e tretë, 5 pikë më pak se Napoli kryesues, por një fitore nesër në Champions mund të rikthejë harmoninë te kampionët e Italisë.
Sikur të mos ishte e mjaftueshme penalltia që i priti Paulo Dybala në fund të lojës së fituar nga Lazio, të shtunën, në stadiumin “Allianz”, Strakosha ka menduar për një “shuplakë” të dytë ndaj Juventusit. I intervistuar nga faqja e internetit të Supersport, në Shqipëri, citon “Tuttosport”, 22-vjeçari, një bardhekaltër, foli për ndjenjat emocionale dhe interesin e padiskutueshëm karshi tij nga bardhezinjtë e Torinos. “Nuk mund t’i shpjegoj emocionet që kam përjetuar pas lojës”, tha “mbrojtësi” ekstrem i Shqipërisë. Pritja e penalltisë në sekondat e fundit të ndeshjes ishte një gjë fantastike, edhe më shumë, sepse fituam në transfertë.
Nga kush më erdhën komplimentat e para? Nga familja ime. Babai im (ish-portieri, Fotaq) gjithmonë më ka thënë të pres para se të gjuhet penalltia. Hera e parë që e dëgjova, bëra mirë, sepse nuk i dhashë Dybala pikë referimi, duke garantuar fitoren për ekipin. Ne jemi një grup i madh dhe mund të bëjmë gjëra të mëdha. Sa i përket kësaj, unë pres që të rritem edhe më shumë. Unë si pasues i mundshëm i Buffonit te Juventusi? Nuk di asgjë për ndonjë interes të klubit bardhezi. Sidoqoftë, jam shumë i lumtur te Lazio. Kam besimin e trajnerit dhe të gjithë klubit. Dua të rri këtu për një kohë të gjatë”.

Lidhjet me drogën, Lalla refuzon Tahirin

Ministri i Brendshem Saimir Tahiri dhe Prokurori i Pergjithshem Adriatik Llalla, pas nje takimi mes drejtuesve te Institucioneve te Sigurise per hetimin e pasurive kriminale./r/n/r/nMinister of Interior Saimir Tahiri and General Attorney Adriatik Llalla, during a meeting between the heads of security institutions for investigation of criminal assets.

Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla ka refuzuar Saimir Tahirin dje, ndërsa ky i fundit pas shpërthimit të skandalit me dosjen e Habiljave dhe lidhjet e tij me trafikun e drogës kërkoi një takim me kreun e organit të akuzës. Ndonëse u njoftua, se Tahiri do të shkonte në Prokurori ku kishte kërkuar një takim me Prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla, kjo gjë nuk ka ndodhur. Tahiri ka lajmëruar për një konferencë për shtyp në orën 16:00. Por, një burim zyrtar në Prokurori i tha “Panorama Online” se, arsyeja pse Llalla nuk e ka pritur Tahirin është fakti se ai konsiderohet person “I dyshuar” sa i përket çështjes që po hetojnë italianët për trafikun e drogës. Gjatë paradites së sotme, mediat italiane nxorrën një përgjim të Moisi Habilajt, i afërm i ministrit, i cili teksa flet në telefon thotë “30 mijë euro i duhet t’ia japë Saimirit”. “Një lidhje farefisnie mund të thotë shumë, sidomos nëse e ke me një ish-ministër i larguar nga detyra në mars–tepër i përfolur, pasi në vendin e tij akuzohet se mbron një klan trafikantësh droge”, nis shkrimin gazeta italiane. Në një reagim në rrjetet sociale, kreu i PD, Lulzim Basha i bëri thirrje kryeprokurorit Llalla të mos takohet me të dyshuarin Tahiri, ndërsa i kërkoi atij angazhimin që i ngarkon detyra për vënien e Tahirit para drejtësisë. Faktet dhe provat tronditase ta lidhjes sa Edi Ramas dhe Saimir Tahirit me mafian e drogës dhe armëve janë para syve të çdo shqiptari. I bëj thirrje Prokurorit të Përgjithshëm të mos takohet me të dyshuarin Saimir Tahiri po të veprojë pa vonesë për ta vënë atë para përgjegjësisë penale.