35.5 C
Tirana
E hënë, 11 Gusht, 2025

Armët me leje, kriteret minimale ngrejnë pikëpyetje mbi sigurinë dhe përfituesit

Pesë ditë pasi kishte fituar të drejtën e mbajtjes së armës me leje, Genti Nderjaku u arrestua nga Policia e Durrësit ndërsa ishte në shoqërinë e Marjel Fierzës- person me precedentë të mëparshëm penalë. Gjatë kontrollit të policisë në datën 3 tetor, Nderjakut iu gjet me vete pistoleta “Glock”, por verifikimet e mëtejshme zbuluan se biznesmeni durrsak ishte pajisur me një leje për mbajtjen e armës kundrejt tarifës prej 12 mijë lekësh, ç’ka solli më pas edhe lirimin e tij nga ana e gjykatës. Autorizimi ishte firmosur nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako dhe lejonte Nderjakun të blinte një armë zjarri të kategorisë “B” të kalibrit 7.62 deri në 9 mm dhe 50 fishekë, për ta mbajtur në shtëpi ose biznes. Dosja e Policisë së Durrësit për pajisjen e këtij personi me armë me leje është e pastër dhe se për Nderjakun, të gjitha informacionet e mbledhura rezultonin pozitive. Drejtori i Policisë së Durrësit, Alfred Çepe i tha “BIRN” se gjatë procedurave të kryera “nuk janë identifikuar të dhëna se ky individ ekspozohet dhe ka shoqëri me persona, që konsiderohen si kontigjent kriminal”. Megjithatë, kontrolli rutinë i Policisë së Durrësit e gjeti Nderjakun në shoqërinë e Marjel Fjerzës, i cili rezulton i dënuar më parë për tentativë vrasjeje. Fjerza po ashtu ishte dënuar me 15 vjet për vrasje nga Gjykata e Rrethit Durrës, por vendimi ishte rrëzuar në Apel. Policia thotë se ndaj tij janë kryer të paktën dy atentate.
Arrestimi i Nderjakut bashkë me Fjerzën u pasua me debat publik dhe dyshime mbi mënyrat se si pajisen me armë me leje nga policia, personat civilë dhe verifikimet që bëhen në këto raste. Ligji i vitit 2014 “Për armët”, veç disa procedurave dhe pajisjes me një raport mjekësor dhe një dosje pa precedentë në polici, nuk ka kufizime të mëdha mbi personat që mund të mbajnë armë. Ligji sanksionon se mosha minimale duhet të jetë 25 vjeç, ndërsa përpos kësaj ka dhe një tarifë financiare prej 12 mijë lekësh, ndërkohë që për armët e gjahut dhe për shoqëritë private të policisë është vetëm 2400 lekë. Veç rastit të Nderjakut, “BIRN” mësoi se nga Policia e Shtetit gjatë 10-mujorit të vitit 2017 janë lëshuar 315 autorizime për të mbajtur armë me leje në shtëpi ose në ambientet e biznesit dhe jo në rrugët e qyteteve. Sipas policisë, autorizimet në më të shumtën e rasteve janë dhënë për kategorinë e zyrtarëve si deputetë, prokurorë, gjyqtarë, avokatë, kryetarë bashkie dhe përmbarues gjyqësorë, ndërsa pjesa tjetër janë biznesmenë apo persona të thjeshtë. Ndonëse numri nuk është i vogël, armët me leje nuk janë konsideruar më parë problem nga Policia e Shtetit, e cila është përfshirë prej vitesh në fushata për mbledhjen e armëve të paligjshme apo në ashpërsimin e vazhdueshëm të Kodit Penal për këtë vepër penale. Megjithatë, ish-zyrtarë të policisë ngrenë alarmin se ndryshimet në Ligjin “Për armët” e kanë bërë më të lehtë pajisjen me leje për armë të personave me prirje kriminale. Arjan Hoxha, ish-funksionar policie i nxjerrë në lirim sugjeron që ligji ka nevojë të ndryshohet në mënyrë që të mos u lejojë personave fizikë mbajtjen e armëve të zjarrit, por vetëm të armëve të gjuetisë. “Në gjykimin tim si jurist, por edhe si person që kam shërbyer gjatë në Policinë e Shtetit, ligji bën lëshime për personat që duan të pajisen me armë me leje dhe për pasojë, sjell dhe pajisjen me armë nga vetë shteti të personave që kanë prirje kriminale”, tha Hoxha. Pas publikimit të rastit të Ndernjakut, Policia e Shtetit i tha “BIRN” se kanë filluar verifikimet e lejeve që janë lëshuar dhe po ashtu edhe po mbledh të dhëna për mbajtësit me leje të armëve. Në fakt Ligji “Për armët” i miratuar në vitin 2014 e ngarkon këtë të fundit që të mbledhë informacion të përhershëm për personat, të cilëve u është dhënë leje për armëmbajtje.

BIRN

Shifrat tregojnë dështimin e Montelës

Milani nuk po arrin më që të fitojë, tre humbje radhazi nuk vinin prej muajit shkurt, e pavarësisht se luftoi, u dorëzua edhe në ndeshjen më të rëndësishme të vitit, në derbin kundër Interit. Humbja 3-2 ka vënë në dukje akoma edhe më tepër situatën negative ku ndodhet klubi, e pavarësisht emrave të veçantë, si Bonucci, në këndin e fajtorëve po vendoset edhe Vincenzo Montela.
Montela fajtor – Ai mund të ketë shumë justifikime, por fajet janë shumë më të mëdha. Milani, jo vetëm që akoma nuk ka një stil loje, por nuk ka as edhe idetë teknike bazë mbi të cilat të punojnë.
Një Milan 50% – 4 fitore dhe 4 humbje në 8 ndeshje, qartazi tregojnë se rendimenti i Milanit është vetëm 50%. Por Milani në fushë ka fituar vetëm pak më tepër se 50% të dueleve prej fillimit të sezonit.
Nga 99 gjuajtje, vetëm 44 kanë qenë në kuadrat, me një përqindje realizime prej 12%. Por ka edhe më tepër, Milani është e vetmja nga 12 ekipet e para që kanë më shumë gola të pësuar se sa të shënuar, 13 me 12.85% është realizimi i pasave dhe nëse shtojmë edhe pasat e gjata, kjo shifër ulet në 61%. Ndër këto janë edhe kroset nga të cilat vetëm 27 nga 125 kanë mbërritur në destinacion.
Problem përgatitja fizike? – Milani lodhet edhe duke vrapuar. Problemi i përgatitjes fizike është e dukshme dhe u nënvizua edhe nga Bonaventura në një intervistë pas derbit. Ka pësuar 9 nga 13 gola në pjesën e dytë, 6 prej të cilëve pas minutës së 70.
2017-ta drithëruese për Montelën – Nëse analiza do të shtrihej në të gjithë 2017-ën, përfundimisht Milani i Montelës është në vështirësi. Nga janari 2017, Montela i ka siguruar 12 fitore nga 29 ndeshje (11 humbje dhe 6 barazime) me 42 gola të shënuar dhe 38 të pësuar.
Të dhëna dramatike për një skuadër, e cila nuk mundet që të mos synojë Champions League. Kësaj skuadre i mungon ekuilibri dhe ky, me shumë mundësi, është dështimi më i madh i Montelës.

Alegri tek Milani?

Ka vazhdimësi besimi tek Montella edhe pas humbjes në derbi që mendohej si një stacion deçiziv për qëndrimin ose largimin e teknikut në stolin kuqezi. Gjithsesi, ky besim duket të shoqërohet edhe me një datë skadence, sepse ashtu siç raporton e përditshmja “La Repubblica” klubi kuqezi synon për një emër të madh për stolin e në këtë kuadër, Conte mbetet një alternativë e lakmuar ashtu si dhe Ançeloti. Nuk përjashtohet as mundësia e një rikthimi të një emri të madh siç është ai Maximilliano Alegrit.
E ardhmja e Montellës sigurisht që lidhet edhe me rezultatet, me teknikun që duhet ende t’i japë formë skuadrës pas blerjeve të verës, por është mungesa e ideve taktike dhe mos shfrytëzimi i duhur i kualiteteve që ka struktura e Milanit, që mund të rezultojnë fatale për të. Objektivi i Champions tashmë është një detyrim. Kjo përkthehet në një arsye të bazuar për Fasonnen dhe Mirabellin që të marrin në shqyrtim profile e alternativa të reja që mund të ulen në stol, edhe pse lajmi është përgënjeshtruar nga vetë klubi.
Karlo Ançeloti është një emër i bujshëm që rikthehet në treg pas eksperiencës bavareze dhe pse pritet që interesimi për të të vijë edhe nga Kina ose sërish nga Premier League angleze. Pikërisht në Angli është edhe një alternativë tjetër e mundshme për Milanin, ajo e Antonio Contes që do të ishte njeriu ideal për t’i besuar rikonstruktimin e ekipit. Në lojë për të bindur Conten do të vihej një pagë e konsiderueshme dhe një projekt teknik bindës. Sidoqoftë mbetet për t’u vlerësuar vullneti i tij për vazhdimësinë tek Chelsea.
Hipoteza e fundit është njëherazi sa sharmante aq edhe e rrezikshme, ajo lakon pikërisht si kandidat Maximilliano Allegrin. Edhe në këtë rast, kryefjalë do të ishte bollëku, në terma financiare. Flasim për profesioninstë dhe serioziteti i Allegrit nuk mund të vihet në diskutim. Gjithsesi, këto janë lëvizje që duhet të analizohen me kujdes nga drejtuesit e shoqërisë, jo vetëm në aspektin ekonomik, ku për teknikun toskan do të flitej për një shifër që i superon 10 milionë euro. Sidoqoftë, për momentin të gjitha këto mbeten thjesht spekulime dhe hipoteza merkatoje, sepse aktualisht dëshira është që të paktën Montella të mund të lehtësojë situatën, duke treguar rendiment, çka do të bënte të zhdukeshin përkohësisht hijet e fantazmat që shoqërojnë tashmë stolin e tij.
Arlind RAMA

Tatimet dhe doganat, me nivelin më të lartë të korrupsionit në rajon

Korrupsioni është një shkak i lartë për informalitet në pagesën e detyrimeve tatimore në Shqipëri. Barometri i Ballkanit gjeti në një anketim të bërë me bizneset në rajon se kompanitë në Shqipëri bëjnë pagesa korruptive për mospagesën e taksave më shumë se vendet e tjera në rajon.
Rreth 55% e bizneseve raportuan për 2017-n se bënë pagesa korruptive gjithmonë, ndonjëherë ose vazhdimisht. 25% i tyre i bënin këto pagesa në mënyrë periodike dhe 5% e bizneseve kanë pohuar se gjithmonë u paguajnë tarifa korrupsioni inspektorëve të tatimeve dhe doganave dhe 28% paguajnë ndonjëherë.
Në vitin 2016, sipas Barometrit të Ballkanit, situata ka qenë edhe më alarmante, pasi 70% e bizneseve në Shqipëri kanë pohuar se bënë pagesa korruptive ndaj punonjësve të administratës fiskale, gjithmonë, shpesh ose ndonjëherë.
Nivel të lartë pagesash ka edhe Kosova, por pjesa më e madhe e bizneseve pohojnë se paguajnë ndonjëherë ryshfet.
Në vendet e tjera të rajonit, përqindja e bizneseve që japin ryshfet kundrejt mospagesës së taksave ka qenë më e ulët. Bosnja dhe Kroacia kishin renditjen më të mirë në këtë drejtim, ku mbi 85% e bizneseve në këto vende kanë pohuar se nuk kryejnë pagesa korruptive, kundrejt një pakice biznesesh që japin shumë rrallë ryshfet për punonjësit e fiskut.
Renditjen më të mirë e kanë pasur edhe Maqedonia dhe Mali i Zi, bizneset e të cilave kanë raportuar se bëjnë pagesa të rralla ryshfeti, kundrejt Serbisë ku një përqindje më e madhe e bizneseve raportojnë se bëjnë rregullisht pagesa korrupsioni për punonjësit e fiskut.
Edhe në anketime të tjera, biznesi ka pohuar se pagesat korruptive janë një shqetësim në aktivitetin e tyre.
Këshilli i Investimeve, në një anketim mbi perceptimin e biznesit në lidhje me shkaqet që krijojnë qasje në informalitet vitin e kaluar, gjeti se, 43% e bizneseve kanë thënë se ndikimi politik dhe korrupsioni e krijojnë informalitetin, ndërsa 39% e tyre janë përgjigjur se evazioni është nxitur nga mungesa e kapaciteteve në administratën tatimore dhe atë doganore.
Një pjesë tjetër e madhe e bizneseve, rreth 26%, mendojnë se evazioni është rezultat i taksave të larta.
Më tej, bizneset mendojnë se faktorë të tillë si cilësia e dobët e legjislacionit, konkurrenca e pandershme dhe fragmentizimi i sistemit tatimor janë nxitës të informalitetit.
Siç shihet nga rezultatet e anketimit, sistemi tatimor përbën një nga shtyllat kryesore që lehtëson ose vështirëson formalizimin e ekonomisë, por edhe bën ose jo më atraktive klimën e biznesit.
Në këndvështrimin e sistemit tatimor nga biznesi janë identifikuar si shqetësime: barra tatimore, fragmentizimi i sistemit tatimor, administrata tatimore dhe procedurat tatimore.

Shqipëri – Norvegji, më 14 nëntor në “Elbasan Arena”

Tashmë është zyrtare, Shqipëria do të përballet me Norvegjinë në sfidën e parë miqësore pas përfundimit të eliminatoreve të “Rusi 2018”, ku Shqipëria u rendit e treta në grup. Federata Shqiptare e Futbollit ka rënë dakord me homologen norvegjeze që kjo ndeshje të luhet më 14 nëntor, në “Elbasan Arena”, pikërisht ditën kur do të mësohen edhe 2 përfaqësueset e fundit europiane që do të marrin pjesë në finalet e Botërorit.
Edhe për trajnerin Christian Panuçi do të jetë testi i parë miqësor, në kuadër të përgatitjeve për eliminatoret e europianit të ardhshëm dhe Ligës së Kombeve.
Kujtojmë se Panuçi, kur u emërua trajner i Shqipërisë, si pasues i De Biasit, nuk pati kohë të zhvillonte qoftë një ndeshje miqësore, ndaj në sfidën me nordikët do të ketë mundësi të bëjë eksperimente, për të krijuar një ide më të qartë për mënyrën sesi duhet të luajë Shqipëria në kualifikueset e ardhshme.

Mahrez ndryshon skuadër në janar?

Në 31 gusht në ditën e fundit të merkatos verore, Riayd Mahrez u largua nga grumbullimi i kombëtares algjeriane për të firmosur me klubin e tij të ri, por atëherë dukej gjithçka e mbyllur, Leicster City që zotëron kartonin e lojtarit prishi marrëveshjen dhe ylli afrikan qëndroi te “Dhelpërat”. Emri i skuadrës me të cilën do të firmoste Mahrez nuk u bë asnjëherë i ditur edhe pse është e sigurtë që bëhej fjalë për një klub të madh në Premier League.
Megjithatë të ardhmes Mahrez me Leicester City-in, po i vjen fundi, pasi me shumë gjasa 26-vjeçari do të ndryshojë skuadër në merkaton e dimrit. Mahrez, i cili është një nga lojtarët kryesorë të Leicester-it në sezonin 2015-2016 ku “Dhelpërat”, bënë historinë duke fituar titullin e parë kampion në Angli, do të transferohet në një skuadër të madhe, por në të njëjtën kohë do të qëndrojë në ishull. Arsenal dhe Tottenham janë dy klubet që do të bëjnë çmos në janar për të firmosur me Mahrez.

Leicester City shkarkon trajnerin Craig Shakespeare

Craig Shakespeare nuk do të jetë më trajner i Leicester City-t në Premier League. 53-vjeçari është shkarkuar nga detyra për shkak të rezultateve të dobëta në këtë fillim sezoni. Barazimi 1-1 me West Brom, në “King Power Stadium”, i ka kushtuar vendin e punës pasuesit të Claudio Ranierit. Leicesteri aktualisht renditet në zonën e ftohtë me vetëm 6 pikë të grumbulluara në 8 ndeshje (1 fitore, 3 barazime dhe 4 humbje).
Shakespeare u caktua fillimisht trajner i përkohshëm në muajin shkurt, ndërsa në prag të sezonit të ri futbollistik mori emërimin përfundimtar, falë rezultateve pozitive, që e shpëtuan skuadrën nga rënia, pikërisht një vit, pasi u shpall kampione e Anglisë.

PSG shpërblen Neymarin për Topin e Artë

Në rast se Neymar do ta fitojë Topin e Artë, Paris Saint Germain do ta shpërblejë me 3 milionë euro. Sikur të mos mjaftonte kontrata me 30 milionë euro në sezon, por Paris Saint Germain i ka rezervuar edhe një shpërblim tjetër Neymarit. Sipas të përditshmes franceze “Le Parisien”, Neymar do të përfitojë 3 milionë euro të tjerë, nëse gjatë qëndrimit në Paris, deri në vitin 2022, do të mund të fitojë trofeun e Topit të Artë.
Deri tani, Neymar ka mundur të ngjitet në podiumin e Topit të Artë vetëm në vitin 2015, duke u renditur në vendin e tretë pas Lionel Mesit e Cristiano Ronaldos. Këtë vit, edhe pse është mes 30 kandidatëve për këtë trofe, do ta ketë shumë më të vështirë për të fituar, duke qenë se edhe këtë radhë, pertendentët kryesorë janë Ronaldo e Mesi.

Murinjo tundohet nga PSG-ja

MANCHESTER, ENGLAND - AUGUST 13: Jose Mourinho, Manager of Manchester United shows appreciation to the fans after the Premier League match between Manchester United and West Ham United at Old Trafford on August 13, 2017 in Manchester, England. (Photo by Dan Istitene/Getty Images)

Jose Mourino “i shkel syrin” Paris Saint Germain. Kështu e ka interpretuar media britanike, intervistën e dhënë nga trajneri portugez i Manchester United për televizionin francez “Telefoot”. Gjatë kësaj interviste, Mourinho nuk i ka kursyer elozhet në drejtim të skuadrës transalpine, ndërkohë që konfirmoi se nuk do ta mbyllë karrierën e tij në pankinën e “djajve të kuq”.
Pothuajse të gjitha të përditshmet britanike ishin në unison, teksa publikuan artikujt e tyre me titullin “The Special One” të përkthyer në gjuhën franceze, siç ishta rasti i “The Sun” apo “Daily Mirror”. Intervista e Mourinhos u pasqyrua edhe te “Daily Express” apo “The Times”, me këtë të fundit që publikoi artikullin me titull: Mourinho e lë veten të tundohet nga Paris Saint Germain.
Ndër të tjera, Mourinho deklaroi në intervistë se djali i tij, edhe pse jeton në Londër, shkoi në Paris për të ndjekur një ndeshje të PSG-së, e kjo për faktin se kryeqyteti francez ka diçka speciale: magji, cilësi, rini. Thjesht është fantastik.
Aaron Martin, mbrojtësi i Espanyolit, pëlqehet nga Jose Mourinho. Sipas ESPN, Manchester United është duke monitoruar mbrojtësin e Espanyolit, Aaron Martin. Thuhet se klubi nga “Old Traffrod” e ka vëzhguar Martinin gjatë ndeshjes mes Espanyolit dhe Levantes, e cila është zhvilluar javën e kaluar. Martin, mbrojtës i krahut të majtë, ka kontratë me Espanyolin deri më 2022, ndërsa ka klauzolë largimi prej 40 milionë eurove.

Kim Jong Un, “trashaluqi i vogël” në shkollën zvicerane

Roberto Antonini

Një punë e rëndë, një investigim që ka zgjatur disa vite. Titus Plattner, gazetar i celulës investigative të të përditshmeve zvicerane “Sonntagszeitung” dhe “Le Matin Dimanche” është njeri këmbëngulës. Prej vitesh ishte i bindur se në një mënyrë apo në një tjetër mund të konfirmoheshin ato informacione këmbëngulëse, krejtësisht gjysmëzyrtare, të mbështjella nga një shtresë e trashë misteri. Anëtar i Konsorciumit Ndërkombëtar të Gazetarëve Investigativë (ICIJ), bashkë me disa kolegë, ka arritur që të çmontojë diversione, të dekriptojë dokumenta, të sigurojë informacione të rezervuara për të zbuluar një prej sekreteve të ruajtura më mirë nga regjimi koreanoverior: praninë e adoleshentit të atëhershëm Kim Jong-un në Zvicër. «Dyshimet», na tregon Plattner, «kanë rënë kur në vitin 2012 sigurova rezultatet e analizave biometrike». E krahasuar, e paraqitur tri ekspertëve, midis të cilëve një francez që merret me identifikimin e fëmijëve të zhdukur, fytyra e liderit të Phenianit, në një fotografi të agjencisë së shtypit koreanoverior që i përket vitit 2012, me atë të një djali 16-vjeçar, i regjistruar me emrin Pak Un, i pavdekësuar në qershorin e vitit 1999 përkrah shokëve të klasës në shkollën publike të Liebefeld-Steinhölzli, në Kantonin e Bernës.
Biometria nuk është shkencë ekzakte me titull të plotë, por Profesor Raoul Perrot i Universitetit të Lionit është kategorik: «Pak Un dhe lideri i ardhshëm i Koresë së Veriut janë i njëjti person», ka pohuar në një intervistë të dhënë për “Le Matin Dimanche”. Një siguri që mbështetet mbi largësitë midis syve, proporcionet e kafkës, format e veshëve dhe sidomos dhëmbët. Fitografia, e bërë për anuarin e shkollës së mesme, kishte qenë e varur në korridoret e shkollës, por e hequr kur është botuar nga “Mainichi Shimbun”, një prej të përditshmeve më të mëdha japoneze, pasi kishte tërhequr ekipe televizive nga e gjithë bota. Ajo paraqet një djalë të qeshur me flokë të shkurtëra, fytyrë rrumbullake, ballin e lartë, një bluze mbi të cilën shkëlqen një varëse e praruar. Është në këmbë midis shokëve, në radhën e dytë. Djali Kim Jong-un, alias Pak Un, e rekuenton këtë shkollë nga gushti i 1998 deri në janarin e 2001. Por qëndrimi i tij në territorin zviceran nisi shumë më parë.
Investigimi i kryer nga Plattner bazohet mbi dokumenta të rrëmuara në arkivat federale zvicerane, dokumenta që nuk e përmendin asnjëherë identitetin e vërtetë të djalit, por falë të cilëve mund të rindërtohet pjesërisht qëndrimi i tij në tokën zvicerane. Gjithçka në një ambientim prej spy story klasike, me intriga, mistere të pazgjidhura dhe ndoshta edhe një viktimë të shquar: Kim Jong-nam, vëllai për nëne i diktatorit aktual koreanoverior, i vrarë në shkurtin e 2017 në aeroportin e Kuala Lumpur, i sulmuar dhe i helmuar me Vx, gazin vdekjeprurës nervor, nga dy femra, njëra vietnameze dhe tjetra indoneziane, që duket se kanë pasur raporte të ngushta me ambasadën koreanoveriore në Malajzi. Kim Jong-nam, djali i madh i Kim Jong-il, ka banuar dhe ka frekuentuar shkolla në Zvicër, njëlloj si Kim Jong-un.
Spy story që na tregon një lexim i vëmendshëm i arkivave zvicerane dhe që gjen konfirmim në informacionet që e kanë treguar Titus Plattner dhe disa kolegë të tij, sidomos nga 4 ish-agjentë të shërbimeve sekrete të ngarkuar për të survejuar qytetarë dhe diplomatë koreanoveriorë, nis një të dielë të majit të vitit 1998. Atë ditë një çift qytetarësh nga Koreja e Veriut prej vitesh në Zvicër gjejnë strehim me tre fëmijët e tyre në ambasadën amerikane të kryeqytetit federal. Dy ditë më vonë kalojnë kufirin me Gjermaninë në bordin e një makine diplomatike amerikane dhe çohen fshehurazi në bazën e US Air Force të Ramstein, në Landin e Rin–Palatinatit. Në kërkesën për azil politik, Park Nam-Cheol, shoferi në ambasadën e Koresë së Veriut në Bernë, shpjegon se gruaja e tij në realitet nuk quhet ashtu siç është në dokumentat e identifikimit, Chong Yong Hye, por Yongsuk.
Në fakt është kunata (më saktësisht motra e Ko Young-huy, e preferuara nga tri dashnoret ose, sipas disa burimeve, gruaja e fundit) e Kim Jong-il, diktatorit të Phenianit. Në kërkesën për lejen e qëndrimit, të dy të arratisurit rezultojnë zyrtarisht si primdërit e Chol, Un dhe Mi-Hyang. Por që nuk janë ata, me të cilët kanë gjetur strehim në ambasadën amerikane. Praktikisht, Chol, Un dhe Mihyang kanë qëndruar në Zvicër. Pasi në të vërtetë nuk janë fëmijët e tyre, por ato të Kim Jong-il, autokratit në pushtet. Pikërisht atë vit, në 1998, 14-vjeçari Kim Jong-un nis të frekuentojë shkollën e mesme publike të perfierisë së Bernës, duke e braktisur shkollën private, në të cilën ishte regjistruar 2 apo ndoshta 4 vite më parë. Për vite me radhë, Ko Yong-suk merret kështu me fëmijët e kunatit, liderit të Koresë së Veriut, sidomos të dy meshkujve, dhe në veçanti të Pak Un (Kim Jong-un) i destinuar që të bëhet pasuesi i «fronit».
Ka shumë të ngjarë që qëndrimet në Zvicër e diktatorit të ardhshëm, i lindur – me sa duket – në janarin e vitit 1984, fillojnë në vitin 1994. Është viti i vdekjes së Kim Il-sung, babait padron të vendit nga themelimi i tij, në vitin 1948. Djali i tij Kim Jong-il vendos që t’u japë fëmijëve një arsim europian, në fshehtësinë më maksimale. 12-vjeçari Kim Jong-un frekuenton International School of Berna, institut i mbushur me fëmijë diplomatësh. Gojë të kyçura në drejtorinë e shkollës: edhe pas 20 vjetësh as konfirmohet, as nuk hidhet poshtë. Një sekret i blinduar që as gazetarët më këmbëngulës nuk arrijnë ta thyejnë. Por në intervistën e vetme të dhënë pas arratisjes së vet, Ko Yong-suk thyen një heshtje 20-vjeçare të gjatë për t’i thënë në 2016 ndonjë veçanti “Washington Post”. Tregon për jetën e kaluar në perfierinë e Bernës, komode, por jo në luks. Një governante, një kuzhiniere, mësues privatë, Game Boy dhe lojëra të tjera elektronike për fëmijë, pushimet në lokalitetet alpine të skijimit rrotull Bernës, udhëtimet në Francë, në Euro Disney dhe në Bregun e Kaltër.
Por, mund të lexohet në “Le Matin Dimanche” mbi bazën e informacioneve të shërbimeve sekrete zvicerane, edhe pushime në resorte luksoze të Zvicrës. Shpjegohet pasioni i diktatorit të ardhshëm për avionët model. Ko Yong-suk tregon deri nostalgjinë e fëmijëve të paduruar për t’u kthyer në vendin e tyre për pushimet verore, ku lideri i ardhshëm kishte krijuar një ekip basketbolli bashkë me shokët: «Ishte më i shkurtëri midis shokëve të vet dhe e ëma i kishte thënë se po të luante basketboll do të zgjatej». Një pasion që nuk e ka braktisur asnjëherë: djali që vishte atlete basketbolli firmato Michael Jordan, që vishte fanellën me numrin 23 e idhullit të tij, yllit të Chicago Bulls, ruan sot një miqësi të veçantë me Dennis Rodman, enfant terrible i basketbollit amerikan. Shtëpia në Phenian ishte shumë më e madhe se ajo e Bernës: dhoma të mëdha, sallë kinemaje, sallë lojërash, domethënë gjithçka për të kënaqur Kim Jong-un. Që nuk harronte t’i qahej «hallës» se ai duhej t’i bindej vetëm prindërve të vërtetë të tij. E ëma, siç deklarojnë dokumentat e shërbimeve të kundërspiunazhit, vinte t’i takonte rregullisht fëmijët. I ati, Kim Jong-il, asnjëherë, ndoshta prej fobisë së udhëtimit me avion.
Gazetarë të ndryshëm, midis të cilëve Allan Hall i “Times”, referojnë sa kanë mundur të mësojnë nga ish-shokët e shkollës të Kim Jong-un. Një karakter i vendosur, i fortë (për të kundërshtuar urdhërat e së jëmës përdorte forma proteste, megjithëse brutale, si disa greva urie të pamundura), një rendiment shkollor mediokër, përjashto matematikën ku dëftesa tregon një vlerësim pozitiv, vështirësi të ndryshme gjuhësore edhe pse pas disa vitesh përfshirje të plotë në realitetin zvcieran arrinte të shprehej me një lloj lehtësie në Bärndütsch, varianti rajonal i gjuhës të folur më shumë në konfederatë, gjermanishten zvicerane. Ka që nënvizojnë pasionin e tij për filmat me kung-fu; ka që theksojnë se e kanë dëgjuar të pohojë shumë herë se nuk ishte djali i ambasadorit, por i presidentit. E thirrnin «trashaluqi vogël», kujton i gëzuar një ish shok. «Në festat që organizonim nuk pinte alkool dhe nuk interesohej për vajzat», tregon një ish-nxënës i shkollës në Liebefeld. «Nuk e pëlqente muzikën perëndimore, mund të dëgjonte edhe 1000 herë himnin koreanoverior». Kuptojmë nga dëshmi të ndryshme se i supozuari Pak Un nganjëherë shoqërohej me truproje dhe se kur të rinjtë diskutonin për çështje politike, demokracinë zvicerane, të drejtën e votës, lirinë e fjalës, ai heshtëte, bezdisej, ulte shikim përdhe.
Në vitin 2001, Kim Jong-un lë papritmas Zvicrën pa asnjë paralajmërim për shkollën dhe kthehet në Phenian, ku 10 vite më vonë do të marrë frenat e një diktature që posedon armën bërthamore. Në fakt, siç mund të lexohet në investigimin e “Le Matin Dimanche”, shërbimet sekrete zvicerane qenë shumë më të interesuar për personazhe të tjerë. Në radhë të parë ambasadorin Ri Ch’õl, një prej koreanoveriorëve më të fuqishëm, që i përkiste rrethit të ngushtë të shumë të besuarve të Kim Jong-il, që disa e konsiderojnë si kreun e vërtetë e të gjithë aparatit të spiunazhit të pranishëm në Europë. Influent, shumë i pasur dhe në qendër të një hetimi të nisur nga Prokuroria zvicerane për riciklim parashë të pista në banka të ndryshme të Gjenevës e Zyrihut dhe për trafik armësh në kuadër të një rrjeti të gjerë ilegal të orkestruar në nivel europian nga agjenti sekret Pak Chang-ok, që kishte zgjedhur të banonte në qytetin Fribourg, jo larg nga Berna. Prej vitesh, Zvicra është konsideruar qendra nevralgjike e trafiqeve financiare dhe e materialeve luftarake koreanoveriore. Hipoteza që në caveau-t e bankave zvicerane janë depozituar miliarda dollarë koreanoveriore (nga 2 në 5 miliardë sipas burimeve) nuk ka mundur të provohet kurrë. Hetimi i nisur kundrejt Ri Ch’õl – na thotë sërish Titus Plattner – do të arkivohet 6 vite më pas.

Autori është Kryeredaktor dhe Përgjegjës i Emisioneve Kulturore në Radiotelevizionin zviceran. Ka qenë korrespondent në Washington D.C. dhe i Dërguar Special në Shtetet e Bashkuara

Përgatiti
ARMIN TIRANA