Drejtori sportiv i Milanit, Masimiliano Mirabeli, në një intervistë të gjatë për “Radio Rosonera”, foli edhe për objektivin kryesor të kuqezinjve në merkaton që sapo u mbyll.
“Nuk është sekret se tentuam ta sillnim Belotin tek Milani, por për arsye të ndryshme ishte e vështirë. Ai është lojtar i fortë dhe mbi të gjitha, tifoz i Milanit. Ndoshta një ditë do ta veshë fanellën që ka ëndërruar që fëmijë”, u shpreh Mirabeli.
“Gjeli” i Torinos ka një klauzolë largimi prej 100 milionë eurosh, por kjo vlen vetëm për klubet jashtë Italisë. Edhe pse drejtuesit e djallit ofruan 70 milionë, oferta e tyre u refuzua.
“Para se të nënshkruajmë me një lojtar, interesohemi ta njohim mirë punën që është bërë me të përgjatë viteve. Duam ta shohim dhe me sytë tani performancën e tij. Jemi në bisedim të vazhdueshëm me trajnerin Montela për lojtarët që kërkojmë. Për shembull, për Kaliniç ishim të gjithë dakord dhe pasi nuk arritëm tek Beloti, vendosëm për kroatin”.
Beloti ëndërron Milanin
Strakosha përballë Buffon

I kanë mjaftuar vetëm pak muaj për të fituar jo vetëm besimin e trajnerit Simone Inzaghi, por edhe vëmendjen e kritikëve të futbollit italian. Në prag të ndeshjes Juventus-Lazio, Thoma Strakosha vlerësohet si ana tjetër e peshores ku qëndron edhe kolegu i tij, Gianluiggi Buffon. Të dy titullarë në skuadrat respektive pasi Strakosha ka arritur të mposhtë më në fund ish-numrin 1 Federico Marchetti, ndërsa këtë sezon, paraqitjet e Buffon kanë ngritur pikëpyetjet e para rreth formës së kapitenit të Italisë.
Në “Juventus Stadium” do të jetë edhe përballja personale e tyre sepse duelin e parë sezonal arriti ta fitonte pikërisht talenti shqiptar në Superkupën e Italisë ku shpëtoi Lazion me disa pritje spektakolare. Sipas mediave të vendit fqinjë, Strakosha ajo vetëm që i ka plotësuar pritshmëritë, por i ka tejkaluar ato sepse në 10 ndeshje si titullar ka pësuar 13 gola, por numri mund të ishte më i madh duke parë rastet e rrezikshme të kundërshtarëve që ka arritur të evitojë. Përveç pritjeve të pabesueshme në Superkupë, Strakosha është bërë protagonist edhe në ndeshjet kundër Veronas e Genoas.
Një portier që po tregon një pjekuri dhe siguri të pazakontë për moshën e tij dhe përballë idhullit Buffon prezantohet në momentin më të mirë të karrierës. Në Torino, të shtunën në orën 18:00, Strakosha do të zbresë në fushë që nga minuta e parë për të sfiduar sërish italianin e portës bardhezi, në një duel që pritet të konfirmojë sërish se Strakosha është në rrugën e duhur për të ndjekur gjurmët e legjendës italiane, të cilin do të ketë mundësi ta ndjekë nga afër për 90 minuta të zjarrta.
Monika-Ramës: Motrën tonë e ka marrë peng krimi
Kryeministri Rama dje e quajti LSI-në ‘motër’. Sot në foltoren e Kuvendit, kryetarja e kësaj partie Monika Kryemadhi, i ktheu përgjigje Kryeministrit, dhe tha se krimi e ka kapur dhe po e mban peng. Kryemadhi tha se, Ramës krimi në pjesë dhe nuk i del më, pasi i kërkon haraçin. Kryemadhi shtoi se pjesa më e errët e Kryeministrit Rama, del kur ai nervozohet. Pjesë nga fjala e Kryemadhit: Po e nis si motra, meqë motra e madhe ja ku është dhe ka 13 motra të tjera, dhe këtë e them si në raportin politik dhe në raportin personal. Krimi e ka kapur dhe nuk e lëshon në asnjë sekondë. Ky njeri është peng, dhe do të mbajë peng ju dhe të gjithë shqiptarët kudo që janë. Pse ka frikë ky zotëria nga fotot? Po të jetë burrë thotë: po unë jam aty, nuk e dija që ishte në kërkim, kam dalë në fotografi, kërkoj falje. Po e ka ditur shumë mirë. Në fakt më erdhi keq, kur e pashë, duke qarë që nxorri lotët, po ky është një aktor i madh. Ky do t’ju marri lotët edhe nënave që bandat ju kanë vrarë fëmijët. Ky kërkon ta kthejë Shqipërinë në një teatër eksperimental, ashtu siç janë këto projektet eksperiementale. Dje, pamë se si oligarkët bënin protestë për TVSH-në, mos u çudisni shumë shpejt do të kemi bandat që do bëjnë protestë në shesh dhe do thonë poshtë shqiptarët, të largojmë shqiptarët. Mos u çudisni, shumë shpejt. Thotë pse ne paskemi hallin e krimit dhe flasim vetëm për krimin. Ta fillojmë me shëndetësinë? Të fillojmë me koncensionet? Kemi dhe Milvën këtu, e di shumë mirë ajo si e ka bërë dhe çfarë ka bërë. Do të shikojmë dhe këto të koncesioneve të shëndetësisë dhe do dalin në protestë dhe ato dhe do thonë: protestë që të vijnë shqiptarët të bëjnë check-upin! Këtë kemi ne, Shqipëri eksperimentale. Do të flasim për ekonominë? Të flasim për TVSH-në? Të flasim për taksat? Të flasim për rritjen e çmimeve? Apo të flasim edhe për sigurimin e detyruar të pronës, sepse vëllai i tij ndan apo jeton në shtëpinë e njërit që ka pronë kompani sigurimesh. Pra, vazhdojmë dhe jemi në funksion të oligarkëve. Doni të flasim për arsimin, ku ta kapim ku ta lëmë. Një tmerr, të flasim për policinë, për ça të flasim. Kemi hallin e tullumbave, ne fakt tullumbat janë të mira, nuk janë të këqija, ëmbëlsirë janë, por kam hallin për një tullumb tjetër, i cili është shumë i rrezikshëm, është tullumbi i krimit, i cili po hyri nuk del më, sepse të mban peng dhe nuk të lëshon më kurrë. I përdori më 25 qershor si bodyguard, si ushtar, si miq, si shok, si shok tavolinash dhe sot të kërkojnë haraç. Dhe haraçi i tyre është përgjakja nëpër rrugët e Shqipërisë. Kur përmende pronësinë e fajit që ti e thua me fjalë të pahijshme si ato që përdor çdo ditë, më duket sikur flet Frojdi brenda vetes tënde, e përmende dy herë gjatë fjalimit tënd, që faji është, nuk e përmend se kam hall se më përjashton Gramozi. Qetësohu se e njohin të gjithë humbjen e qetësisë tënde, kur të dridhet ty karrigia. Qetësohu, sepse kur humb qetësinë Frojdi brenda vetes tënde të thotë gjëra të tmerrshme dhe shqiptarët do të mësojnë atë se çfarë ti je vërtet, atë që bashkëpunëtorët e tu e dinë më mirë se kushdo tjetër. ÇMENDURINË TËNDE!
Taksa e pronës do paguhet në faturën e dritave
Ministria e Financave tashmë ka hartuar vendimin për taksën e pronës. Ajo do të vendoset mbi vlerën reale të tregut që është shtëpia dhe do të vilet përmes faturës së energjisë elektrike. Për vitin 2018-të ky tatim i ri do të nisë të mblidhet fillimisht në Bashkinë e Tiranës, e cila ka edhe numrin më të lartë të pasurive të patundshme dhe njësive tregtare.
Burime zyrtare në Ministrinë e Financave thanë për Televizionin Klan se, rritja për individët do të variojë nga 20-50% të shumës që paguhet sot, ndërsa për godinat në periferi nuk do të ndryshojë. Bizneset, që aktualisht paguajnë një tatim të lartë, do të kenë një taksë më të zbutur vitin e ardhshëm.
Taksimi i ri do të variojë nga 0.076, 0.1 dhe 0.114% të vlerës së pronës. Në të gjitha variantet, një shtëpi që sot kushton 100 mijë euro dhe është 100 metra katrorë do të paguajë 76 euro, 100 euro ose 114 euro në vit. Aktualisht një apartament i tillë në Tiranë, paguan 22.5 euro, po aq sa një i ngjashëm me të për nga madhësia, por më i ulët në vlerë pasi është në zonë periferike.
Taksa e re e pasurisë do të ndryshojë edhe për bashkitë e tjera, burimet sqarojnë se në qytete të tjera, banorët paguajnë jo më shumë se 5 euro në vit, çka e bën totalisht të papërfillshëm këtë tatim.
Përsa u përket bizneseve, një dyqan 100 metra katrorë në kryeqytet sot paguan 300 euro tatim pasurie, i cili është 10 herë më i lartë se ai i individëve. Zyrtarë të Ministrisë së Financave sqarojnë se kjo është edhe një porosi e FMN-së që taksimi i bizneseve të bëhet në mënyrë të drejtë e në bazë të vlerës së qirasë që ata japin. Vitin e ardhshëm qeveria nuk do të nisë aplikimin e taksës së pasurisë në tokën bujqësore.
Basha: Front antikrim, ndërtimi, banka e koncesionet në duart e krimit
Kryetari i PD, Lulzim Basha gjatë fjalës së tij në Kuvend, hodhi akuza ndaj mazhorancës, u shpreh se, se gjysma e deputetëve të PS janë kukull dhe i ka sjellë në Parlament krimi. “I keni pasur këtu dhe i keni akoma këtu njerëzit e krimit, nuk ka nevojë të tregoj foto. Janë të dënuar për drogë, për prostitucion, për vrasje. Rama i bëri deputet dhe i solli këtu në këtë sallë. Ata për përdhunim i bëri kryetarë bashkie. E harruat Elvisin? Më pyetën ca çfarë është Griselda? I thashë që është një vajzë që i futën jastëk në bark dhe më pas thanë që ja futi në bark krimi. U vërtetua se Elvis Roshi, mik i Edi Ramës ishte një përdhunues.
E dini që nuk keni parti në Lezhë apo se dini? Qani hallin e PD-së. A e dini që shumë degë të partisë suaj i sundon krimi dhe kriminelët? Po kur iu ngrenë pistoletat në mbledhjet e kryesisë tuaj banditët, kjo ndodh edhe në degë. Këtë e keni dhuratë nga Edi Rama. Nuk ka dhënë një shpjegim se pse dy të dyshuarit kryesorë të Elbasanit ndodhen në Holandë. Pse u fsheh kërkesa e Interpol për Durim Keçin u fsheh dhe e nxorre vetëm para se të ikje në Itali dhe e dije që do haje thupra?”, tha Basha.
Dosja “Rama” e krimit
Basha denoncon foton e ministrit me kryekriminelin e kërkuar në Itali Durim Keçi të fshehur nga Rama. Kreu i qeverisë në përgjimet e partnerëve për lidhjet me krimin. Rama -Durim Keçit: Sa të jem unë në qeveri s’ka bir nëne të të arrestojë. Roli i kryebanditit në zgjedhjet në Shijak…
Kryetari i PD, Basha ka denoncuar dje me emra dhe prova lidhjet e Ramës me familjet mafioze në Shijak, të cilat ai i ka përdorur për rrëmbimin e votave në këmbim të lirisë gjatë dy zgjedhjeve të fundit. Basha ka bërë publike fotot e të shumëkërkuarit nga Interpoli dhe Policia italiane të Durim Keçit, i cili rezulton që të jetë një nga anëtarët e stafit elektoral në fushatën e fundit të Ramës për zgjedhjet parlamentare të 25 Qershorit. Në foto Keçi shfaqet në një mbledhje të shtabit elektoral. Në një foto tjetër të cilën Basha e ka bërë prezent po dje gjatë emisionit “Opinion”, Durim Keçi është me dorën në krah të ministrit Klosi, i cili tani është ministër i Mjedisit.
Në një tjetër foto Durim Keçi shfaqet në krah të Administratorit socialist të Shijakut të vendosur nga Rama dhe Dako. Po mbrëmë edhe kryetarja e LSI publikoi në Facebokun e saj foto të Ramës me kriminelë. “Të gjithë këta që ka dalë Rama janë në kërkim ndërkombëtar”, është shprehur Kryemadhi.
Denoncimi i Bashës
Faktet e paraqitura nga Kryetari i PD për lidhjet e Ramës me bandat e krimit të organizuar të kërkuara nga vendet e BE janë ndër më të rëndat e viteve të fundit dhe një tregues i qartë i realitetit kriminal në të cilin gjendet sot vendi për shkak të lidhjeve të ngushta me kreun e qeverisë.
“Durim Keçi ka vite që kërkohet nga Interpoli italian dhe Edi Rama personalisht ka hequr nga lista e të kërkuarve nga Interpoli dhe është hedhur sërish në sistem vetëm 1 apo 2 ditë para se Rama të shkojë në Romë”, tha Basha. Edhe arrestimi i Keçit në fakt ka ndodhur vetëm pas kthimit të Ramës nga vizita në Itali, ku duket se i është bërë e qartë dhe i është kërkuar në mënyrë ultimative arrestimi i Keçit. Por për Bashën, kjo nuk është arsyeja e vetme se përse Rama ka shitur Keçin. Një arsye tjetër është se në Shijak tani ka dalë një tjetër klan kriminal me mbiemrin Abdyli. “Për hesap të familjes Abdyli, Rama ka shitur Keçin”, tha Basha. Ai deklaroi se, Rama është futur në lojën e bandave. Ndaj dihet se kanë një luftë të ashpër me njëra-tjetrën për shkak të kontrollit të territorit. Llogaritë e Ramës tani janë bërë me klanin Abdyli.
Rama është futur mjaft thellë në lidhjet kriminale. Për Bashën është e qartë se pse atij i duhen këto lidhje dhe kjo bëhet vetëm në funksion të grabitjes së votës së lirë shqiptarëve. Basha ka shkuar më tej. Ai ka deklaruar se jo vetëm që bashkëpunon me krerë të krimit të organizuar, por tani edhe po ndan tenderat dhe privilegjet e tjera të pushtetit. Në fakt janë pikërisht këta kriminelë që tani vendosin edhe emrat e njerëzve që ata duan në krye të pushtetit si dhe të drejtorive.
Rama në përgjimet e shërbimeve partnere
Kryetari i PD ka bërë publik një pjesë nga përgjimet e Ramës me Durim Keçin ku ai i garanton atij lirinë e plotë. “Sa të jem unë Kryeministër, nuk ka birë nëne që të arrestojë”, u shpreh Basha, duke huazuar një pjesë të këtyre përgjimeve. Ai tha se, shërbimet partnerr kanë tabulatet e përgjimeve të Durim Keçit ku janë edhe bisedat e tij me Ramën. “Kërkojini këto tabulate dhe do të gjeni bisedat e Ramës me Durim Keçin”, u shpreh Basha. Kryetari i PD deklaroi se prej kohësh Keçi ka qenë në shërbim nga shërbimet partnere italiane. Një tjetër fakt kompromentues për lidhjet e Ramës me krimin është fshehja që Rama i bën dosjes së të kërkuarve nga Interpoli. “Pse nuk i bën ai publike emrat e listës së Interpolit? Sepse është e qartë se është vetë Rama që vendos kush duhet të jetë dhe kush duhet të hiqet nga ajo listë. E njëjta lojë është luajtur edhe në rastin me Durim Keçin. Ai është vendosur në listë vetëm një ditë përpara vizitës në Itali”, tha Basha.
Shantazhet dhe kërcënimet ndaj opozitës
Kryetari i PD, Basha ka bërë dje publik edhe një fakt tjetër të rëndë që lidhet me kërcënimet dhe shantazhet ndaj opozitës që bëhen për t’i mbyllur asaj gojën në Parlament. “Të mërkurën kërcënojnë opozitën, ndërsa të enjten i mbyllin asaj gojën përmes Gramoz Ruçit”, u shpreh Basha. Për kreun e PD është e qartë se kemi të bëjmë me një skemë të pastër kriminale që drejtohet direkt nga Rama.
Basha: Rama nuk e arreston Klement Balilin se e ka filmuar tek Santa Kuaranta
Kryetari i PD, Basha deklaroi në “Opinion” se, Rama nuk e arreston Balilin edhe pse e kërkon DEA amerikane, sepse Balili e ka filmuar Ramën në hotelin e “Santa Kuaranta”. Deklarata është një tjetër denoncim i fortë për lidhjet e Ramës me krimin e organizuar. Berisha ka denoncuar në Parlament se një qeveritar është filmuar në hotelin e Balilit me një femër, ndërsa sonte Basha ka bërë të qartë se kush fshihet pas asaj videoje.
Kryemadhi: Shqiptarët do të tërheqin zvarrë Ramën
Kryetarja e LSI, Kryemadhi deklaroi në “Opinion” se, shqiptarët do të ngrihen dhe do të tërheqin zvarrë Ramën njësoj sikurse tërhoqën zvarrë bustin e Enverit. Kryemadhi deklaroi se situata është mjaft e vështirë me krimin, por edhe me ekonominë. “Vendosja e taksës së TVSH-së biznesit të vogël do të bëjë që shqiptarët të mos kenë bukë të hanë dhe do të ngrihen të tërheqin zvarrë Ramën njësoj sikurse bënë me bustin e Enverit.
Keçi kërcënoi prokurorët e Antimafies italiane
Një person i shpallur në kërkim ndërkombëtar është arrestuar në Durrës.
Sipas të dhënave të para nga Policia lokale: Në pranga është vënë Durim Keçi, i dënuar me burg në shtetin fqinjë për disa akuza, mes tyre trafik droge e prostitucion.
Arrestimi i tij është bërë me qëllim ekstradimin drejt Italisë. Keçi lëvizte me një automjet, në të cilin iu gjet një armë zjarri pa leje.
Mafiozi
Në Itali, 40-vjeçari konsiderohet si një nga personat më të rrezikshëm të mafies shqiptare.
Madje, gjatë një seance gjyqësore, Durim Keçi, i cili ka përdorur edhe emrin Gëzim Hajidini, ka kërcënuar prokurorët e Antimafias italiane.
Duke parë nga prokurorët Francesca Nanni dhe Silvio Franz, ai tha: Atyre të dyve do t’i bëja të ma paguanin shtrenjtë!
Në vitin 2006 në Itali, ka qenë i pandehur në një proces gjyqësor, por lirohet nga qelia për një gabim burokratik dhe ndaj tij vendoset një masë më e zbutuar sigurie. Nga masa e arrestit me burg, lihet në detyrim paraqitje dhe kështu arratiset.
Persona me imunitet kërkuan lirimin e Keçit
Arrestimi i Durim Keçit duket se ka shqetësuar persona me pozicione të larta në qeverinë e Edi Ramës, por edhe persona me imunitet.
Këtë deklaratë e ka bërë mbrëmjen e sotme në emision ‘Opinion’ gazetari Artan Hoxha, i cili tha se pas arrestimit të Durim Keçit ditën e djeshme, në Policinë e Durrësit kanë mbërritur persona me imunitet dhe me pozicione të larta.
Sipas tij, ky arrestim ka ngritur shqetësim. Hoxha mbështeti deklaratën e Bashës, i cili tha se nuk dihet nëse këta persona, që njihen si bosa, do të ekstradohen në Itali.
Kush është rivali i Aldo Bares që vrau “Iriqin”
Laert Haxhiu, personi i shpallur në kërkim si autor i dyshuar për atentatin në Lushnjë, ku mbetën të vrarë dy persona, nuk është një emër i panjohur për policinë. Haxhiu, 25 vjeç, është cilësuar si pjesë e bandës rivale të Aldo Bares. Haxhiu kishte vetëm 8 muaj që kishte dalë nga burgu për vrasjen e anëtarit të bandës së Lushnjës, Gerti Lalës i njohur me nofkën “Iriqi”, kur u arrestua në 2015-ën për trafik droge. Ndonëse Haxhiu tentoi t’i shpëtonte policisë, por pasi u hodh nga 3-4 metra lartësi, theu këmbën.
Si u lirua Laert Haxhiu, ishte arrestuar për trafik droge
Në qershor të vitit 2015, Laert Haxhiu, një nga personat e shpallur në kërkim për masakrën e së mërkurës në Lushnjë është arrestuar si shitës i një sasie prej 1.2 kilogramësh heroinë. Ai është dërguar si i pandehur në Gjykatën e Durrësit për akuzën e “prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”, në bashkëpunim. Ndonëse Prokuroria ka kërkuar dënimin e tij me 8 vite burg, Gjykata ka vlerësuar se ai duhet të fajësohej vetëm për akuzën e “moskallëzimit të krimit”.
“ABC News” ka siguruar një kopje të vendimit të Gjykatës së Durrësit të datës 19 maj 2016, sipas të cilit, Haxhiu është dënuar me vetëm 17 muaj e 10 ditë burg.
I shpalluri në kërkim për masakrën është arrestuar nga policia në maj të vitit 2015, në ambjentet e lokalit të një karburanti në aksin rrugor Durrës-Rrogozhinë. Sipas Prokurorisë, ai ishte një nga dy shitësit e sasisë së heroinës, që u shkëmbye në parkingun e karburantit.
Në momentin e ndërhyrjes së policisë, ai u hodh nga një lartësi, ku edhe dëmtoi këmbën. Por në përfundim të shqyrtimit gjyqësor Gjykata vlerësonte se nuk provohej përfshirja e tij në pazarin e drogës. “I pandehuri Laert Haxhiu, duke qenë prezent në momentin e shkëmbimit të lëndës narkotike ka marrë dijeni për një krim dhe kishte detyrimin për të kallëzuar atë”, arsyetonte Gjykata.
Sipas vendimit, tre të pandehurit e tjerë të së njëjtës çështje Saimir Taullau, Kastriot Zaimi dhe Afrim Demiri u deklaruan të fajshëm për akuzën e “prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”. Në vendimin e Shkallës së Parë të Durrësit zbardhen edhe bisedat e përgjuara të të pandehurve pas arrestimit, ku ata diskutojnë për origjinën e drogës.
Mziu inspekton asfaltimin e lotit të dytë të rrugës “Demokracia”
Kryetari i Bashkisë Kamëz, Xhelal Mziu, inspektoi punimet në lotin e dytë të rrugës “Demokracia” 7 km të gjatë. Ky investim ju vjen në ndihmë jo vetëm banorëve të Kamzës dhe Paskuqanit, por dhe atyre të Tiranës, të cilët zgjedhin këtë aks rrugor për të shkuar në qytetin e Tiranës. Rruga është financuar totalisht me të ardhurat e Bashkisë Kamëz, me vlerë mbi 2.5 miliardë lekë.
Gjatë inspektimit kryebashkiaku Xhelal Mziu u shpreh: “Jemi në inaugurimin e lotit të dytë të rrugës “Demokracia” në Paskuqan. Është një investim i financuar 100% nga buxheti i Bashkisë. Janë 3 lote të financuara nga Bashkia që kanë një vlerë më shumë sesa 2.5 miliardë lekë. Ishte kërkuar për më shumë sesa katër vite financimi i investimit të kësaj rruge nga buxheti i shtetit, po pavarësisht se ishte projekti më i rëndësishëm i Bashkisë Kamëz, që kishte një impakt për Paskuqanin, për Kamzën, por edhe për Tiranën, nuk u mundësua financimi i saj për arsye politike.
Investimi i kësaj rruge, jam i sigurt, që do të japë një impakt të jashtëzakonshëm social, por edhe ekonomik në këtë zonë. Mosfinancimi nga buxheti i shtetit, por financimi i saj vetëm me të ardhurat e Bashkisë ka cunguar investimet në sektorë të tjerë të Kamzës”.
Sërish trafik droge nga Shqipëria drejt Greqisë
Policia greke sekuestron 214 kg marijuanë në një automjet në kufirin shqiptaro-grek. Mësohet se policia ishte vënë në ndjekje të mjetit që vinte nga Shqipëria në afërsi të Igumenicës, duke bërë ndalimin e saj në Agelokastro, Aitiloakarnania. Gjatë ndjekjes nga mjeti u hodhën dy çanta që më pas u vërtetua se përmbanin 20 pako me 214 kg marijuanë.
Policia bëri të mundur ndalimin e mjetit dhe arrestimin e dy trafikantëve, një shqiptar 26 vjeç dhe një grek 39 vjeç. Mësohet se ata kanë deklaruar se drogën e kishin marrë nga një shqiptar në kufi dhe do e transportonin për në Athinë.
Dy ditë më parë, policia italiane sekuestroi 1.5 ton drogë në Brindizi. Mediat e shtetit fqinj shkruanin se, droga e ardhur nga Shqipëria me gomone është shkarkuar në një zonë të mbrojtur dhe më pas është ngarkuar në kamion, që drejtohej nga një italian, i cili si rojtar kishte një shqiptar.
Sipas mediave italiane, një ton e gjysmë marijuanë e paketuar në 63 kartona të fshehura në “barkun” e kamionit, u kapën nga financierët e daljes së Torre Guaceto. Të dy trafikantët u arrestuan. Ata janë Marco Mastro, 40 vjeç, shofer, lindur në Martina Franca, në provincën e Tarantos, dhe një qytetar shqiptar, Sokol Nelaj, 32 vjeç.
Kontrolli që çoi në zbulimin e ngarkesës maksimale të drogës ndodhi natën e së dielës. Një patrullë e kishte vënë re në rrugën bregdetare të Brindisit një automjet, një “Fiat Iveco” me përmasa të mëdha, pasi dilte nga një rrugë në parkun e Torre Guaceto, zonë e mbrojtur dhe për këtë arsye i paarritshëm për mjetet e transportit, dhe shpesh vend zbarkimi për substancat narkotike që vijnë nga Shqipëria.