20.5 C
Tirana
E martë, 12 Gusht, 2025

Pazaret e drogës, plagoset me armë një person në Gjirokastër

Një 25-vjeçar ka mbetur i plagosur, pasi u qëllua me armë zjarri gjatë kohës që po lëvizte me një automjet në Gjirokastër. Ngjarja ka ndodhur pasditen e djeshme në aksin rrugor rural Buz-Memaliaj pranë fshatit Xhafaj. Ai ndodhej nën shoqërinë e një personi tjetër, por ky i fundit nuk ka pësuar lëndime nga të shtënat. Burime nga Policia bënë të ditur se, i plagosuri është Denis Mema. Nga po të njëjtat burime konfimohet se i riu ka marrë një plumb në shpatull dhe tjetrin në qafë. Menjëherë 25-vjeçari është transportuar në Spitalin e Fierit për të marrë ndihmën mjekësore. Dyshohet se ngjarja të ketë ndodhur për pazare droge.
Një ditë më parë, një i ri u plagos gjatë një prite me armë në Memaliaj. Ngjarja ka ndodhur në aksin rrugor rural Buz-Memaliaj, në fshatin Xhafaj, Bashkia Memaliaj. Dy shtetasit D.H. dhe D.M., të dy banues në Memaliaj, duke udhëtuar me mjetin tip “Ford” me targa AA 275 EH janë qëlluar nga një person i paidentifikuar me armë, ku si pasojë ka mbetur i plagosur 25-vjeçari me iniciale D.M., i cili është shoqëruar në Spitalin e Fierit dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Dyshohet se edhe kjo ngjarje ka lidhje me drogën.

Miqtë e Ballës gjakosin me revole biznesmenin për tenderin e kromit

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Prrenjas dy ditë më parë, por është mbajtur e fshehtë nga policia. Dy njerëz të afërt të deputetit të PS, Taulant Balla, të dalë nga burgu para zgjedhjeve, i kanë vënë pistoletën në kokë një biznesmeni në Prrenjas për t’i marrë tenderin për shfrytëzimin e mineralit në minierën e Katjelit. Policia është njoftuar për këtë ngjarje, por nuk ka ndërhyrë për shkak të lidhjeve që ata kanë me deputetin dhe kryetarin e Grupit parlamentar të PS, Taulant Balla.
Denoncimi është bërë ditën e djeshme nga një qytetar nga Prrenjasi, i cili i është drejtuar me një mesazh ish-Kryeministrit Berisha. “Ja sesi banditët e pushtetit fitojnë tenderat me qytë të revoles! Lexoni denoncimin e qytetarit dixhital!”, shkruan Berisha në një postim në Facebook.
“Doktor të përshëndes! Parmbrëmë miqtë e Taulant Ballës, Leonard Llapushi nga Prrenjasi, i dalë nga burgu para zgjedhjeve dhe Fadil Tërnava nga Bulqiza, edhe ky i dalë nga burgu para ca vitesh, i dënuar për vrasje, kërcënojnë dhe godasin duke gjakosur me qytë pistolete biznesmenin Gëzim Balla, për t’i marrë këtij të fundit tenderin për shfrytëzimin e mineralit në zonën e Katjelit, tashmë të fituar nga ky”, shkruan qytetari.
Kjo ngjarje ka ngjallur reagime të ashpra tek qytetarët në Prrenjas, por policia nuk ka ndërhyrë për të ndaluar dy personat që gjakosën biznesmenin me pistoletë në kokë. Këta njerëz kanë bërë fushatë për Taulant Ballën në zgjedhjet e qershorit dhe u është premtuar nga Balla për marrjen e tenderit të shfrytëzimit të kromit në minierën e Katjelit. Për këtë arsye, ata kanë mbrojtjen e policisë.
Taulant Balla është akuzuar nga mediat për kontrabandën e lëndës drusore. Njerëzit e Ballës prenë pyjet në Stravaj dhe zhvilluan kontrabandë të lëndës drusore edhe gjatë fushatës elektorale të qershorit nën hunën e policisë.
Në Librazhd, Taulant Balla i ka dhënë mbrojtje nga ligji kushëririt të tij Shaqir A. I gjithë druri që shikoni ju me kamiona shkon në pikën e grumbullimit në Laknas. Drurët priten pa leje dhe jo pak raste kanë ndodhur përplasje fizike deri në përdorimin e armëve me banorët që nuk i lejonin të hynin. Shaqir A., së bashku me 3 vëllezërit e tij po pret pyjet e Librazhdit pa iu trembur qerpiku se të gjithë kamionat shoqërohen me makina civile, të cilat janë të armatosur me armë nga më të ndryshmet.
Prerja e pyjeve dhe kontrabanda e lëndës drusore vijon pa ndërprerje në Librazhd. Më datën 16 shtator kamionë me dru kaluan mes për mes Librazhdit në mesantë, ndërsa policia nuk i ndaloi. “Nisma Thurrje” publikoi foton e kamionit plot me dru të prera, kaloi para furgonit të Tatimeve dhe të Antikontrabandës dhe nuk u ndalua fare.
“U shua Librazhdi nga pyjet. Na rroftë moratoriumi. Këtu zbatimi i ligjit është një shaka. Këtu ligji është për të vobektit. Edhe moratoriumin mos kujtoni se e kanë vendosur për të ndaluar prerjen e pemëve. Moratoriumi është vendosur që pemët të priten, por jo nga të gjithë, por vetëm nga një njeri. Që ai personi të kontrollojë gjithë tregtinë e drurit dhe që të rritet çmimi i drurit. U vendos moratoriumi për ta kthyer drurin monopol në duart e një deputeti. E kuptoni pse ligji është shaka? Këta duan hedhur në kazan plehrash dhe t’ju mbyllësh kapakun. Dhe siç po sillen po e afrojnë momentin”, shprehej një qytetar për “Nisma Thurrje”. Po ashtu u publikua edhe videoja ku kamioni me dru kalonte para Policisë së Rendit dhe asaj Tatimore në Librazhd dhe nuk u ndalua.

Enton DOÇI

Trafiku i drogës nga Shqipëria, kapen dy drejtuesit shqiptarë

Shtatë persona, midis tyre katër shqiptarë, dy italianë dhe një rumun janë arrestuar nga policia italiane si pjesë e një bande që shpërndanin lëndë narkotike. Hetimi ka filluar 6 muaj më parë, kur policia u vu në ndjekje të Flori Gomës 36 vjeç dhe Ndec Prekës 32 vjeç që konsideroheshin si “truri” i bandës. Ata u vunë nën vëzhgimin e autoriteteve për shkak të lëvizjeve të tyre dyshuese drejt Xhenoas dhe Milanos.
Arrestimi i parë është kryer në qershor, kur në pranga ka rënë Xhuljo Prendi, me 57 kilogramë marijuanë që sipas autoriteteve vinte nga Shqipëria. Prendi ishte shofer i një kamioni dhe donte t’ia çonte sasinë narkotike Prekës, që e priste në autostradë dhe që arriti t’iu arratisej forcave policore në atë operacion.
Në hetimet e mëtejshme u zbulua se, Goma dhe Preka, përdornin disa të njohur të tyre për të transportuar drogën. Në këtë mënyrë Policia arriti në gjurmët e Kujtim Memës, që u arrestua me katër kilogramë marijuanë dhe Cristian Florz Rogoz, rumun që mbante 1.7 kilogramë marijuanë.
Rrjeti i shpërndarjes së drogës nga kjo bandë kishte kaluar edhe kufijtë e provincës Novi. Policia arrestoi Jars Stennaro dhe Daniele Picone që mbanin 2 kilogramë marijuanë.
Rreth 70 kilogramë marijuanë është sasia e lëndës narkotike që është bllokuar nga policia italiane gjatë operacionit të koduar “Back Hole 2”, ku fitimet mund të shkonin në mijëra euro.

Masakra në Lushnjë, për trafikun e drogës drejt Italisë e Holandës

Vrasja e dyfishtë mbrëmjen e të mërkurës në Lushnjë ishte e paralajmëruar, por Policia nuk mori masa për të parandaluar gjakderdhjen. Një ditë pas masakrës së Lushnjës, Policia bëri të ditur se ka identifikuar dy autorët. Sipas Policisë autorët e dyshuar të masakrës ku mbetën të vrarë janë Zamir Latifi dhe Jurgen Hoxha janë Laert Haxhiu dhe Orges Bilbili. Policia bëri të ditur se, Laert Haxhiu është i shpallur në kërkim, pasi është dënuar në mungesë me 35 vjet burg për vrasjen e Gerti Lalës, në korrik të 2011-ës. Edhe pse ishte i shpallur në kërkim, ai lëvizte lirisht në qytet dhe i armatosur pa asnjë problem për Policinë. Dy bandat rivale zhvillonin trafikun e drogës drejt vendeve të BE dhe një nga shkaqet e luftës mes tyre ka qenë edhe zona e influencës për trafikun e drogës.
Burime nga grupi hetimor bënë të ditur se, po hetohet në dy pista, atë të pazareve të drogës dhe e konflikteve që lidhen me familjen e ish-kapobandës Aldo Bare. “Ndonëse autorët janë identifikuar, ngjarja e së mërkurës tregon se hesapeve të vjetra kriminale po i shtohen ato të reja, të lidhura me pazaret e drogës. E kjo, për fat të keq është premisë për ngjarje të tjera të rënda, e jo vetëm në këtë qytet”, bënë të ditur burime nga grupi hetimor. Sipas grupit hetimor, pista kryesore është përplasja për çështje droge në Itali dhe Holandë mes viktimave dhe ekzekutorëve të tyre.
Në fakt, dy autorët e krimit të rëndë janë të shpallur në kërkim policor prej një viti, pasi kanë tentuar të vrasin në shtator të 2016-ës nipin e Aldo Bares, Xhulio Shkurti. Dyshohet se edhe të mërkurën në mbrëmje shënjestër ka qenë nipi i Aldo Bares, Xhulio Shkurti, por u vranë dy shokët e tij.
Në një njoftim për mediat Policia e Shtetit thotë: “Nga analiza e ngjarjes dhe informacioneve që ka mbledhur grupi hetimor, pjesë e të cilit ishin edhe drejtues nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, rezulton se ngjarja e djeshme ka lidhje me ngjarjen e datës 25.09.2016 ndodhur në qytetin e Lushnjës ku është tentuar të vriten me armë zjarri nipi i Aldo Bares, Xhulio Shkurti dhe shoku i tij, Sajmo Xhelili.
Po sipas Policisë: “Autorët e dyshuar të ngjarjes së shtatorit të 2016 janë shtetasit L.H dhe O.B të shpallur në kërkim për kryerjen e veprave penale “Vrasje e mbetur në tentativë e kryer në bashkëpunim” dhe “Mbajtje pa leje e armëve të zjarrit dhe municioneve”. Po këta dy persona dyshohet se janë autorët e mundshëm të ngjarjes së djeshme me dy viktima dhe dy të plagosur.
Ngjarja e rëndë ndodhi të mërkurën rreth orës 18:00 në mes të qytetit të Lushnjës. Dy të rinj mbetën të vrarë dhe 2 persona të tjerë u plagosën pranë shëtitores së qytetit të mbushur plot me kalimtarë për shkak të orarit të shëtitjes. Dëshmitarët thanë se, 3 persona hapën zjarr nga një makinë tip “Benz”, ndërsa një i katërt qëndronte në timon. Të gjithë ishin të maskuar. Nga ky atentat mbetën të vrarë Zamir Latifi 23 vjeç dhe Jurgen Hoxha 22 vjeç.
I plagosur rëndë ka mbetur edhe djali i pronarit të lokalit, Marjus Xhepexhiu 26 vjeç që është transportuar me urgjencë drejt Tiranës. Ngjarja ndodhi përpara lokalit që ka babai i Xhepexhiut.
Dy plumba ka marrë edhe një kalimtar 66-vjeçar i identifikuar si Bujar Turku, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën në Spitalin e Lushnjës.
Sapo është afruar makina nga ku u hap zjarr me kallashnikov është dëgjuar zëri i Zamir Latifit që thirri: çuna na vranë! Të gjithë u ngritën nga karriget, por pa shpëtim. Njëri nga autorët doli jashtë “Benz”-it dhe qëllonte me breshëri kallashi. Autori i dytë qëllonte nga brenda makinës.
Në trupin e Latifit u gjetën 35 plumba, kurse në trupin e Hoxhës, 7 të tillë. Në vendin e ngjarjes ekspertët mblodhën edhe 41 gëzhoja. Banorët u panë të largoheshin me vrap. Qyteti u përfshi në panik. Në Lushnjë, ishin rikthyer krismat vdekjeprurëse.
Masakra ndodhi vetëm në pak minuta dhe mjeti i autorëve u largua me shpejtesi për të përfunduar i djegur pranë fshati Çukas, në rrugën e vjetër Lushnjë-Berat. Dy policë, të parët në vendin e ngjarjes, nxorën jashtë tre automatikët. Ndoshta me idenë për të shpëtuar gjurmë.

Basha: Të mërkurën Rama ndërsen cubat të kërcënojë opozitën, të enjten Ruçin ti mbyllë gojën

Kryetari i PD, Basha ka denoncuar sonte në emisionin “Opinion” një fakt skandaloz sipas të cilit Rama ndërsen bandat me kërcënime ndaj opozitës të mërkurën në mbrëmje para Parlamentit, ndërsa të enjten në Parlament është Gramoz Ruçi që i mbyll gojën opozitës. Basha ka bërë prezente fotot e kriminelit të Shijakut, Durim Keçi me ministrin e Ramës, Klosi, i kërkuar nga Interpoli dhe Italia për krime të rënda.

Biznesi i vogël, ilegali i radhës që duhet zhdukur

Jorida Tabaku

Dikur Fronti Demokratik dërgonte ankesa në Komitetin Qendror se beteja kundër kulakëve nuk qe në nivelin e duhur, sot shoqatat qeveritare të bizneseve angazhohen gjoja në protesta edukative për të shtyrë qeverinë në vendosjen e masave anti-informalitet. Një vijë e hollë ndan hipokrizinë e djeshme me atë të sotmen. Që të kuptohemi, Partia Demokratike është kategorikisht kundër informalitetit, por ne problemin nuk e shohim tek biznesi siç qeveria dhe shoqatat e qeverisë e shohin. Për ne informaliteti në ekonomi lindi dhe erdhi si rezultat i rritjes së taksave, represionit policor, korrupsionit e ndryshimit të shpeshtë të ligjeve që vështirësojnë rregullat tatimore. Të gjithë këto faktorë mbyllën bizneset, ulën konsumin, larguan investitorët dhe prodhuan besimin më të ulët të bizneseve në rajon. Ndryshe nga ne dhe shumica mendon qeveria socialiste, e cila ka gjithë këto ditë që përpiqet të na bindë që taksat e larta dhe shtrëngimi tek bizneset e vogla do të prodhojë parajsën ekonomike që ajo propagandon.
Duan t’i vendosin TVSH-në biznesit të vogël, një kioske që mban me jetë dhe me para një familje apo më saktësisht 100 mijë bizneseve të vogla që ofrojnë produkte dhe shërbime që sot për sot janë përjashtuar nga TVSH. Në kundërshtim me çdo vend të rajonit, qeveria dëshiron të ulë pragun e TVSH-së në 0 lekë për biznesin e vogël që prodhon 0.5% të ardhurat e PBB-së. Duan t’i heqin bukën e gojës 40% të punësuarve në vend vetëm e vetëm për të kënaqur një sektor të caktuar të bizneseve. Ne nuk jemi dakord! Kjo nuk është një masë formalizuese dhe as nuk do të prodhojë më shumë të ardhura për buxhetin e shtetit, në të kundërt do të rrisë më shumë shpenzimet administrative për Drejtorinë e Tatimeve. Gjithashtu do të rëndojë edhe xhepat e qytetarëve të cilët do të duhet të paguajnë më shtrenjtë për produktet e tyre që do të blejnë. Por, mbi të gjitha, kjo taksë deformon tregun dhe nuk lejon incentivën e lirë të qytetarëve.
Beteja e qeverisë Rama ka qenë përherë e drejtuar jo ndaj informalitetit, por ndaj biznesit të vogël. Beteja e tij ka qenë e fokusuar në interesa të ngushtë personalë që janë fshehur përherë nga gjoja kauzat e drejta, pretendimi se kjo masë do të rrisë mbledhjen e të ardhurave është gënjeshtra e radhës e një staliniste me petkun e liberalit, i cili në katër vite i rriti taksat me 1.5 mld USD për shqiptarët dhe mblodhi të ardhura njësoj sa qeverisja e taksës së sheshtë, 26% e PBB. Duke qenë niveli më i ulët i mbledhjes së taksave në rajon edhe sipas FMN-së. Asnjë vend nuk ka mundur ta formalizojë ekonominë me dhunë e me dajak! Biznesi i vogël duhet konsideruar si bashkëpunëtor dhe jo si armik, si punëdhënës dhe jo si ilegali i radhës që duhet zhdukur.

KiE: Reforma Zgjedhore dhe çdo reformë tjetër me konsensusin e opozitës

Këshilli i Europës kërkon dialog dhe konsensus për realizimin e Reformës Zgjedhore. Shefi i Zyrës së KE-së në Shqipëri kërkoi nga partitë politike zbatimin e rekomandimeve të Komisionit të Venecias, por edhe OSBE/ODHIR. Deklaratat u bënë në workshopin me temë “Struktura e mbikëqyrjes së financimit të partive politike dhe të fushatave zgjedhore”. Këshilli i Europës do të mbështesë Shqipërinë në realizimin e Reformës Zgjedhore, por kërkon nga partitë politike implementimin e plotë të rekomandimeve të OSBE/OHIR dhe Komisionit të Venecias. Në workshopin e zhvilluar me temë “Struktura e mbikëqyrjes së financimit të partive politike dhe të fushatave zgjedhore”, shefi i zyrës së KE-së, Claus Neukirch, kërkoi që reformat të zhvillohen nën frymën e dialogut dhe kompromisit. Claus Neukirch: Dëshirojmë të shohim një proces reformash të ushqyer nga dialogu dhe kompromisi, duke marrë parasysh rekomandimet e Këshillit të Evropës, OSBE-ODHIR dhe Komisionit të Venecias. Përkundër ndryshimeve ligjore të paraqitura në maj pas marrëveshjes politike, rekomandimet duhet të zbatohen plotësisht. Këshilli i Evropës është shumë i përkushtuar për të mbështetur Reformën Zgjedhore. Ne do të kontribuojmë në forcimin e legjislacionit për Partinë Politike dhe Financave të Fushatave Zgjedhore. Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Klement Zguri, parashtroi nevojën e përmirësimit të kuadrit ligjor për financimin e partive politike, ndërsa siguroi se rekomandimet e Këshillit të Europës dhe OSBE-ODIHR janë prioritet i institucionit që drejton. “Sigurisht, që ne që jemi mbledhur këtu nuk mund të na lënë indiferent, por, së pari, nuk duhet të lënë indiferent ata që në fushatë hidhnin “gurë” mbi njëri-tjetrin, partitë politike. Tani nuk është koha për të hedhur “gurë”. Tani është koha për të ndërtuar “mur”. Tani “muratorët” e reformës nuk mund ta konsiderojnë përmirësimin rrënjësor të kuadrit ligjor për financimin, çështje të dorës së dytë. Tani është koha që lidershipi politik të tregojë shtetari dhe ta deklarojë reformën e financimit dhe transparencën e fondeve e të shpenzimeve çështje prioritare. Cilësia e reformës së ardhshme zgjedhore, përfundoi Klement Zguri, matësin e vet e ka tek transparenca financiare, por edhe shpenzimet e fushatës që do të pasqyrojë”.

135 mijë biznese paralajmërojnë protesta deri në grevë urie

Nga vendosja e TVSH-së pritet të preken rreth 135 mijë biznese. Shoqata e Bizneseve të Vogla paralajmëron protesta e madje dhe grevë urie nëse do të miratohet vendosja e TVSH-së për këto subjekte. Albert Nasto, kreu i Shoqatës së Biznesit të Vogël thotë se përfshirja në TVSH do t’i çonte drejt falimentit, pasi do të rriste kostot. Nasto paralajmëron se një masë e tillë do të ndikojë edhe në rritje çmimesh. Por për ekspertët e ekonomisë, vendosja e TVSH-së është e domosdoshme për të shmangur evazionin, ndërsa apelojnë për miradministrim. Sotiraq Dhamo pranon se vendosja e TVSH-së mund të ndikojë në falimentin e një numri të vogël biznesesh. Bizneset e vogla kundërshtojnë vendosjen e TVSH-së me argumentin se do t’i rriten kosot dhe kjo do t’i çojë drejt falimentit. Albert Nasto, kryetar i Shoqatës së Biznesit të Vogël, paralajmëron se do të protestojnë nëse një vendim i tillë do të hyjë në fuqi. “Që nga protesta, greva, mbyllje dyqanesh, greva urie. Së pari do t’i kërkojmë qeverisë, kryeministrit shqiptar në rradhë të parë të mendohet mirë, sepse kjo është një reformë, një ndryshim sistemi nga më të fortët në Shqipëri, ose nga më të rrezikshmet për ne që do të çojë në mbyllje të mijëra bizneseve”, thotë Albert Nasto. Pavarësisht se ekspertët e vlerësojnë përfshirjen e biznesit të vogël në TVSH edhe ata e pranojnë mundësinë e falimentit të disa subjekteve, ndërsa bëjnë apel për miradministrim. “Nëse një biznes i vogël me xhiro diku tek 3.5-4 milionë lekë ka një marzh 1-1.5 milionë lekë, afërsisht në vit do të duhet të paguajë 20% të kësaj shifre, 200-250 mijë lekë në buxhetin e shtetit. Kjo do të ulë marzhin e tyre. Nëse ky 20% do të sjellë apo jo falimentim të bizneseve të vogla, numri i këtyre do jetë mjaft i vogël, nëse qeveria do të marrë dhe masat që ta administrojë në mënyrë të përshtatshme”, shprehet Sotiraq Dhamo. Bizneset paralajmërojnë se do të ketë rritje të çmimeve për një sërë produktesh. “Në 1 mijë lekë të vjetra duhet të shtojmë 200 lekë të vjetra. Duhet të shtosh 200, 300 ose 400 lekë kjo varet nga tregu. Por që do të rriten çmimet”, thotë Nasto. Por sipas ekspertëve një gjë e tillë nuk pritet të ndodhë, pasi çmimet vendosen nga tregu. “Nëse do të rriten çmimet do t’i rrisin të gjitha ato biznese të vogla që aktualisht i kanë më pak, sepse konkurojnë bizneset që janë me TVSH, TVSH nuk e deklarojnë. Këta mund ta rrisin çmimin, por do ta rrisin deri në nivelin e çmimit të tregut jo më shumë. Se nuk e rrisin dot më shumë dhe po të duan”, thotë Dhamo.

Anketimi, 31% e bizneseve: Klima për investime është përkeqësuar

Bizneset në vendin tonë janë duke kaluar një situatë të vështirë, pasi 31 për qind e të anketuarve janë përgjigjur se, ambienti për të ushtruar aktivitetin është përkeqësuar më tej në vitin 2017
Përqindja e bizneseve që vlerësuan të rënduar ambientin e biznesit këtë vit ishte më e larta ndër të gjitha vendet e Rajonit, sipas anketimit të Barometrit të Ballkanit. Madje edhe Maqedonia, e cila kaloi një krizë të rënduar politike prej zgjedhjeve të përgjithshme dhe kohëzgjatjes që pati krijimi i qeverisë së re, vetëm 13 për qind e bizneseve menduan se klima ishte më e rënduar më 2017. Gjithashtu në Bosnjë vetëm 11 për qind e bizneseve menduan se kushtet për të bërë biznes ishin më të përkeqësuara këtë vit. Rezultatet e anketimit nga Barometri tregojnë se Kosova pati rezultatet më të mira në këtë drejtim, pasi vetëm 4% e bizneseve u përgjigjen se klima e biznesit ishte përkeqësuar këtë vit. Gjithashtu më të komfort se bizneset shqiptare janë ndjerë ato të Malit të Zi dhe Serbisë, ku përkatësisht 21 dhe 24 për qind menduan se ambienti për biznes ishte përkeqësuar këtë vit. Gjithashtu Shqipëria pati nivelin më të ulët të përqindjeve ku bizneset menduan se klima e biznesit ka mbetur në vendnumëro dhe është përmirësuar. Anketimi gjeti se 33 për qind e bizneseve shqiptare mendojnë se, ambienti i biznesit është përmirësuar këtë vit. Kjo është përqindje e ulët në raport me mesataren rajonale ku 48 për qind e bizneseve të anketuara mendojnë se klima e biznesit është përmirësuar. Kosova ka marrë rezultate më të larta në këtë drejtim ku shihet se 63 për qind e biznesit kanë konfirmuar se ambienti për të ushtruar aktivitetin ka qenë më i mirë këtë vit. Optimiste kanë qenë edhe bizneset në Bosnjë, të cilat në masën 49 për qind menduan se situata ka përmirësuar. Ndërsa përqindjen më të lartë të përgjigjeve ku u tha se, situata nuk ka ndryshuar e dhanë bizneset e Maqedonisë, pasi 50% e tyre u shprehën se klima e biznesit ishte njësoj si në vitin 2016. Në Shqipëri 36 për qind e bizneseve menduan se, klima e biznesit ka qenë e njëjtë me atë të vitit të kaluar. Shqipëria ka barrën më të lartë fiskale në rajon dhe nuk aplikon politika incetivuese për investimet e huaja, teksa ndryshimi i shpeshtë i ligjeve dhe aksionet e qeverisë kundër ekonomisë informale e kanë rënduar më tej klimën e biznesit.

Monitor

Shehu mbështet Rezolutën e KiE për krimet e ISIS

Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu ka mbështetur Rzolutën e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, të miratuara sot në Strasburg, e cila i cilëson krimet e ISIS si krime kundër njerëzimit dhe genocid. Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, deputeti demokrat thekson se, vendime të tilla synojnë t’i japin fund krimeve ndaj njerëzimit, ndërsa sjell edhe fjalën e tij mbështetëse të mbajtur në Asamble. “Këta kriminelë të financuar, të organizuar, të grumbulluar në shtetin e tyre të errësirës, nuk tentojnë vetëm të vrasin mijëra njerëz, të shfrytëzojnë pasuritë, të përdhunojnë gratë, të implementojnë skllavërinë, por dhe shumë më tepër, kërkojnë të shkatërrojnë njeriun si qenie njerëzore, civile e pjesë të një shoqërie të të drejtës, të shkatërrojnë të gjithë shoqërinë tonë, kulturën tonë, vlerat tona. Pra përpara nesh nuk kemi të bëjmë vetëm me një grup kriminal, por me një mekanizëm të gjithë të krijuar e organizuar, të terrorit e aksionit, që nuk ka kufij moralë e gjeografikë, që sulmon botën mbarë, që konsideron armik për t’u vrarë ose kthyer në skllav, cilindo që nuk bën pjesë në organizatën e tyre kriminale. Ky është realiteti tragjik i këtij terrorizmi e radikalizmi, është e vërteta që më shumë dhimbje nuk mund ta mohojmë ose të bëjmë si struci që e fut kokën në rërë për të mos parë realitetin. Ne duhet ta njohim për ta përballuar e mundur atë. Në këtë kontekst unë jam krejt dakort me dokumentin e paraqitur, duke vënë në evidencë që krimet e realizuara nga ISIS, në të gjithë dimensionet e tyre, karakteristikat, përfshirjen, elementët etj, krijojnë strukturën e krimeve të luftës, krimeve kundër njerëzimit e genocidit, dhe kështu duhet të përballohen e ndëshkohen”, thotë ndër të tjera Shehu në reagimin e tij.