31.5 C
Tirana
E diel, 22 Qershor, 2025

Anketimi, 31% e bizneseve: Klima për investime është përkeqësuar

Bizneset në vendin tonë janë duke kaluar një situatë të vështirë, pasi 31 për qind e të anketuarve janë përgjigjur se, ambienti për të ushtruar aktivitetin është përkeqësuar më tej në vitin 2017
Përqindja e bizneseve që vlerësuan të rënduar ambientin e biznesit këtë vit ishte më e larta ndër të gjitha vendet e Rajonit, sipas anketimit të Barometrit të Ballkanit. Madje edhe Maqedonia, e cila kaloi një krizë të rënduar politike prej zgjedhjeve të përgjithshme dhe kohëzgjatjes që pati krijimi i qeverisë së re, vetëm 13 për qind e bizneseve menduan se klima ishte më e rënduar më 2017. Gjithashtu në Bosnjë vetëm 11 për qind e bizneseve menduan se kushtet për të bërë biznes ishin më të përkeqësuara këtë vit. Rezultatet e anketimit nga Barometri tregojnë se Kosova pati rezultatet më të mira në këtë drejtim, pasi vetëm 4% e bizneseve u përgjigjen se klima e biznesit ishte përkeqësuar këtë vit. Gjithashtu më të komfort se bizneset shqiptare janë ndjerë ato të Malit të Zi dhe Serbisë, ku përkatësisht 21 dhe 24 për qind menduan se ambienti për biznes ishte përkeqësuar këtë vit. Gjithashtu Shqipëria pati nivelin më të ulët të përqindjeve ku bizneset menduan se klima e biznesit ka mbetur në vendnumëro dhe është përmirësuar. Anketimi gjeti se 33 për qind e bizneseve shqiptare mendojnë se, ambienti i biznesit është përmirësuar këtë vit. Kjo është përqindje e ulët në raport me mesataren rajonale ku 48 për qind e bizneseve të anketuara mendojnë se klima e biznesit është përmirësuar. Kosova ka marrë rezultate më të larta në këtë drejtim ku shihet se 63 për qind e biznesit kanë konfirmuar se ambienti për të ushtruar aktivitetin ka qenë më i mirë këtë vit. Optimiste kanë qenë edhe bizneset në Bosnjë, të cilat në masën 49 për qind menduan se situata ka përmirësuar. Ndërsa përqindjen më të lartë të përgjigjeve ku u tha se, situata nuk ka ndryshuar e dhanë bizneset e Maqedonisë, pasi 50% e tyre u shprehën se klima e biznesit ishte njësoj si në vitin 2016. Në Shqipëri 36 për qind e bizneseve menduan se, klima e biznesit ka qenë e njëjtë me atë të vitit të kaluar. Shqipëria ka barrën më të lartë fiskale në rajon dhe nuk aplikon politika incetivuese për investimet e huaja, teksa ndryshimi i shpeshtë i ligjeve dhe aksionet e qeverisë kundër ekonomisë informale e kanë rënduar më tej klimën e biznesit.

Monitor

Shehu mbështet Rezolutën e KiE për krimet e ISIS

Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu ka mbështetur Rzolutën e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, të miratuara sot në Strasburg, e cila i cilëson krimet e ISIS si krime kundër njerëzimit dhe genocid. Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, deputeti demokrat thekson se, vendime të tilla synojnë t’i japin fund krimeve ndaj njerëzimit, ndërsa sjell edhe fjalën e tij mbështetëse të mbajtur në Asamble. “Këta kriminelë të financuar, të organizuar, të grumbulluar në shtetin e tyre të errësirës, nuk tentojnë vetëm të vrasin mijëra njerëz, të shfrytëzojnë pasuritë, të përdhunojnë gratë, të implementojnë skllavërinë, por dhe shumë më tepër, kërkojnë të shkatërrojnë njeriun si qenie njerëzore, civile e pjesë të një shoqërie të të drejtës, të shkatërrojnë të gjithë shoqërinë tonë, kulturën tonë, vlerat tona. Pra përpara nesh nuk kemi të bëjmë vetëm me një grup kriminal, por me një mekanizëm të gjithë të krijuar e organizuar, të terrorit e aksionit, që nuk ka kufij moralë e gjeografikë, që sulmon botën mbarë, që konsideron armik për t’u vrarë ose kthyer në skllav, cilindo që nuk bën pjesë në organizatën e tyre kriminale. Ky është realiteti tragjik i këtij terrorizmi e radikalizmi, është e vërteta që më shumë dhimbje nuk mund ta mohojmë ose të bëjmë si struci që e fut kokën në rërë për të mos parë realitetin. Ne duhet ta njohim për ta përballuar e mundur atë. Në këtë kontekst unë jam krejt dakort me dokumentin e paraqitur, duke vënë në evidencë që krimet e realizuara nga ISIS, në të gjithë dimensionet e tyre, karakteristikat, përfshirjen, elementët etj, krijojnë strukturën e krimeve të luftës, krimeve kundër njerëzimit e genocidit, dhe kështu duhet të përballohen e ndëshkohen”, thotë ndër të tjera Shehu në reagimin e tij.

Shqipëria, vendi me papunësinë më të lartë në Europën Juglindore

Shqipëria është vendi me papunësinë më të lartë në Europën Juglindore. Ky është përfundimi zyrtar i vrojtimit Balkan Barometer, i cili ka hedhur poshtë statistikat zyrtare të Institutit Shqiptar të Statistikës. Sipas vrojtimit, që u publikua nga Këshilli Bashkëpunimit Rajonal, aktualisht në Shqipëri, 23 për qind e popullsisë është e papunë. Kjo është shifra më e lartë në rajon dhe në të nuk përfshihen studentët, shtëpiakët dhe pensionistët. Sipas vrojtimit, në vendin e dytë renditet Bosnja, ku pjesa e popullsisë që është e papunë raportohet 21 për qind. Në Malin e Zi dhe Maqedoni, papunësia llogaritet 20 për qind, ndërsa Serbia dhe Kroacia kjo shifër është 16 për qind. Grafiku i publikuar nga Këshilli Bashkëpunimit Rajonal, rrëzon statistikat zyrtare të papunësisë në Shqipëri. Instituti i Statistikave raporton se papunësia në Shqipëri është 13.9 për qind, por sipas Balkan Barometer shifra reale është gati dy herë më e lartë, pra 23 për qind. Prej vitesh, shifra zyrtare e papunësisë që raporton Instituti i Statistikave është komentuar me skepticizëm në publik. Shumë ekspertë hedhin dyshime mbi vërtetësinë e saj, dyshime të cilat konfirmohen edhe më shumë nga Balkan Barometer. Përveçse ka numrin më të lartë të të papunëve, Shqipëria ka dhe rekordin tjetër negativ, atë të numrin më të ulët të të punësuarve. Sipas Balkan Barometer, aktualisht vetëm 28 për qind e shqiptarëve janë të punësuar me pagesë, ndërkohë që vendet e tjera e kanë këtë tregues nga 32 për qind e sipër.

Luftë me të gjitha format për t’i rikthyer Parlamentin shqiptarëve

Nga paniku i përballjes me opozitën në Parlament pas debatit në seancën e paradites Rama urdhëroi pezullimin e punimeve të Parlamentit, punimet e të cilit pritej të nisnin rreth pasdites së djeshme. Pasi deputetët u mblodhën në seancë rreth orës 5 pasdite, Ruçi në shkelje të Rregullores njoftoi mbylljen e punimeve pa asnjë argument. Pas këtij vendimi, në një prononcim për mediat, jashtë seancës, kreu i PD, Lulzim Basha e konsideroi pezullimin e punimeve të Parlamentit dëshmi e frikës së Ramës përballë opozitës. “Shkelja e Rregullores është kthyer në normë nga Gramoz Ruçi me urdhër të Edi Ramës. Motivi për të shkelur rregulloren është për të mos lejuar debatin mbi çështjet më të rënda të qytetarëve shqiptarë që kanë të bëjnë jo vetëm me zgjedhjet dhe dhunimin e tyre, që është themeli i së keqes, por edhe me ngjarjet kriminale që kanë mbuluar Shqipërinë dhe lidhjen e drejtpërdrejtë dhe personale të Edi Ramës me bandat që sot sundojnë qytetet, që janë jashtë kontrollit të Policisë. Edi Rama i trembet këtij debati dhe do të bëjë gjithçka për ta shtyrë”, u shpreh Basha. Kreu i PD tha se, opozita do të bëjë gjithçka që debati të zhvillohet në Parlament, që shqiptarët të dëgjojnë të vërtetat tronditëse. “Shumë prej tyre e dinë. Vendi është në këtë pikë ku shumica e shqiptarëve duan të largohen, sepse ne nuk qeverisemi nga një qeveri e dalë nga vota, por qeverisemi nga bandat që e sollën Edi Ramën dhe kabinetin e tij në ato karrige ilegjitime ku ulen, dhe që i shfrytëzojnë për një qëllim; për të shkelur ligjin me të dyja këmbët, për të goditur të pafajshmit, për të mbrojtur dhe për t’ju bërë mburojë krimit dhe oligarkëve që po vrasin dhe vjedhin Shqipërinë çdo ditë. Nuk ka dëshmi më të qartë se kjo. Nuk ka asnjë arsye Gramoz Ruçi të shkelë Rregulloren, përveç ankthit të Edi Ramës për t’u përballur me këto të vërteta”, u shpreh kreu i PD. I pyetur nga mediat mbi përjashtimin e deputetit Flamur Noka nga Parlamenti dhe vendimit të Byrosë, Basha paralajmëroi një betejë të fortë të opozitës për të larguar Parlamentin nga duart e krimit dhe rikthimin me çdo mjet të tempullit të demokracisë në duart e shqiptarëve.
“Nuk ka dhe nuk mund të ketë kurrë një përsëritje të një Parlamenti kukull në duart e krimit dhe mafias e kukullave të tij që kanë zaptuar ato karrige. Ne do të luftojmë dhe do t’i rikthejmë Parlamentin shqiptarëve me të gjitha format dhe mënyrat që opozita ka në dispozicion dhe për këtë, kërkojmë ndihmën dhe aleancën e çdo shqiptari të ndershëm, së medias së pakapur, të qytetarëve, shoqërisë civile e natyrisht të aleatëve tanë ndërkombëtarë. Ky është fundi i Parlamentit, t’i mbyllësh gojën opozitës. Kemi dy javë që në këtë sallë nuk lejohet debati. Ju jeni dëshmitarë”, u shpreh Basha. Kreu i PD paralajmëroi përplasje të fortë të opozitës me Ramën dhe kastën pranë tij deri në çlirimin e vendit nga krimi, taksat, papunësia dhe keqqeverisja në tërësi.
“Çdo shqiptar e ka parë. Dy javë që nuk lejohet debati. Tepsinë e ka për vete. Timonin e ka për vete. Tani kërkon t’i mbyllë gojën Parlamentit dhe ta zëvendësojë debatin politik me shfaqje të shëmtuara të Frontit Demokratik apo të Frontit Popullor, sido që e quanin dikur. Kjo nuk mund të ndodhë dhe asgjësimi i debatit parlamentar do të çojë në krizën më të rrezikshme të demokracisë në 27 vite. Ne duam me çdo kusht që ta evitojmë këtë krizë. Ne duam me çdo kusht t’i evitojmë shqiptarëve dhe Shqipërisë koston e një përplasje, por ajo është e pashmangshme në qoftëse Edi Rama dhe masha e tij, Gramoz Ruçi e kanë vendosur qeverinë e dalë me votat e krimit në një kurs përplasje me aspiratat e shqiptarëve, për një vend të lirë nga krimi, për një vend me taksa të ulëta, ku mund të jetohet e punohet normalisht”, u shpreh kreu i PD.

A.Shahini

Njeriu me kartelë organizon protestë për vendosjen e TVSH-së biznesit të vogël

Punonjësit e administratës dhe institucioneve të tjera private që i shërbejnë Ramës kanë urdhëruar dje me ultimatum punonjësit e tyre që të lënë zyrat dhe të dalin në një protestë të stisur nga Rama me qëllim mbrojtjen e vendimit të qeverisë për rritjen e taksës ndaj biznesit të vogël.
Njeriu me kartelë në krye të qeverisë është në gjendje të rëndë. Për të parën herë në histori organizon një protestë në vendosje të TVSH për 80 mijë bizneset e vogla. Kjo nuk kishte ndodhur më parë. Sot, qeveria ka mbledhur administratën dhe i ka nxjerrë në rrugë kundër popullit. Duket që kjo është një protestë nën kujdesin e qeverisë dhe policisë për të justifikuar vendosjen e TVSH-së për biznesin e vogël, taksë që prek mbi 500 mijë familje shqiptare.
“Protestuesit” kundër informalitetit janë ata që vjedhin taksat e shqiptarëve çdo ditë, janë administratë e mbushur me militantë që sot janë urdhëruar të bëjnë këtë marshim të shëmtuar për të justifikuar vendosjen e TVSH-së për biznesin e vogël.
Nga Tatimet dhe Doganat, tek ministritë e të gjitha institucionet me radhë, e sidomos edhe nga subjektet private pranë Ramës kanë nxjerrë me dhunë punonjësit në protestë.
Sipas denoncimeve të vet punonjësve të administratës, bëhet e ditur se fushata ndaj kësaj proteste ka nisur prej disa ditësh. Madje sipas tyre, nga zyra qendrore e Kryeministrisë është lëshuar një urdhër sipas të cilit administrata duhet të angazhohej ditë para për këtë protestë, duke u përfshirë në pastrime dhe shpërndarje të njoftimit të protestës në rrjetet sociale, personale të secilit punonjës.
Ndërkohë një mesazh i përpiluar dhe i gatshëm është dërguar nga çdo drejtori e institucioneve publike me porosi të veçantë të drejtuesit apo titullarit për të nxjerrë punonjësit nga zyra.
Ndërkohë edhe bizneset e mëdha të ngritura në protestë janë kërcënuar nga Rama për mbyllje apo cënim të aktiviteteve të tyre në rast se nuk do të dilnin në protestën e organizuar prej tij.
Kjo është dëshmia e gjallë se si sot Rama po qeveris vendin, duke u përpjekur për të krijuar edhe situata të tilla të pazakonta e të padëgjuara më parë, duke tentuar të krijojë konflikte artificiale mes grupeve të interesit siç është në këtë rast biznesi i vogël e i madh, duke tentuar që të mbulojë qëllimet e tij për të zhvatur të vegjëlit e për të mbuluar me paratë e tyre gropat e vjedhjeve të të mëdhenjve në bashkëpunim me vet pushtetin.

Bllofi me stisjen e aplikimit të TVSH për të taksuar bizneset e vogla

Administrata shtetërore nuk ka infrastrukturën e duhur për të përfshirë në TVSH dhe biznesin e vogël. Ky shqetësim u ngrit gjatë një diskutimi me drejtoren e Tatimpaguesve të Mëdhenj me përfaqësues të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë. Drejtorja e Tatimeve sqaroi se kjo çështje është ende në diskutim dhe nuk ka draft përfundimtar. Përsa i përket aksionit anti-informalitet, Pipa premtoi më pak kontrolle nga tatimorët. Përfshirja e biznesit të vogël në TVSH nuk është e studiuar. Eksperti për politikat fiskale pranë Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë ngriti si shqetësim faktin, se kjo nismë do të sjellë kosto për biznesin e vogël në një kohë që Administrata Tatimore nuk është ende gati. “Për fushatën e biznesit të vogël dhe përfshirjen e TVSH kemi qenë nga të parët, kemi dy vjet që ia kemi propozuar me shkrim Ministrisë së Financave që të bëhet. Kjo nuk është as bashkëpunim me binzesin, as marrje mendimi dhe as platformë konstruktive. E tha Kryeministri dhe kemi gjithë këto ditë që ne nuk e dimë asnjëri do të ketë një prag, do përfshihen këta, ka përjashtime apo nuk ka përjashtime? Ai tha të gjithë, që në fillim. Ju vazhdoni dhe po diskutoni do ketë një prag, do jetë 2 milionë. Tani po diskutohet teknikisht dhe ne nuk e dimë”, thotë Bendo.

Noka: Në Parlament po i bëhet atentat demokracisë

Deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka është paraqitur pasditen e djeshme në mbledhjen e Byrosë parlamentare në ambientet e Kryesisë së Kuvendit, ku ka paraqitur pretendimet e tij për qëndrimin e djeshëm në Parlament. Në mbledhjen e djeshme të Byrosë diskutohej kërkesa e Partisë Socialiste për përjashtimin me 10 ditë të deputetit Flamur Noka nga punimet e Kuvendit. Pasi la ambientet e Kryesisë së Kuvendit, deputeti Flamur Noka tha para mediave se ai nuk ka shkelur Rregulloren e Kuvendit, por sipas tij ka qenë kryeministri Rama ai që ka folur me fjalor rruge. “Turpi i këtij Parlamenti sot është të përjashtosh një deputet pse kërkon fjalën për procedurë dhe institucion për një të drejtë të tij, sipas rregullores. Neni 49, pika një e Rregullores së Kuvendit, thotë se kur një deputet kërkon fjalën për procedurë, ajo jepet menjëherë. Ju e patë që deputeti Noka kërkoi fjalën për procedurë, as më pak as më shumë, e vetmja gjë që bëra tepër është që insistova. Dëgjova një kryeministër në sallë që fliste me një zhargon rruge. Kërkova fjalën për procedurë që t’i kërkoja kreut të Kuvendit që t’i tërhiqte vëmendjen kryeministrit të mos fliste me zhargon rruge, ndërsa ai në vend që ta bënte këtë, përjashtoi deputetin.
Këtë që po e them tani ia paraqita me zë e figurë para Byrosë parlamentare”, u shpreh Noka.
Deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka, ka folur për qëndrimin e mbajtur ndaj tij në seancën e djeshme plenare nga kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi. Në dalje të Parlamentit, pas mbylljes së punëve të Kuvendit, për shkak të përjashtimit të deputetit Noka, ky i fundit thotë se, “ky është një atentat që i bëhet demokracisë dhe fjalës së lirë”. “Ato komente që kam patur për të bërë, i kam bërë. Këtu është atentat ndaj demokracisë. Kanë vënë në krye të Kuvendit ministrin e Sigurimit për t’i mbyllur gojën opozitës”, u shpreh Noka. Në seancën e djeshme plenare, pas bllokimit të foltores së Kuvendit nga deputetët demokratë, kryeparlamentari Ruçi vendosi përjashtimin e deputetit Flamur Noka. Pas kësaj u ndërpre seanca për të rifilluar në orën 17:00. Por edhe rifillimi i seancës plenare, e gjeti deputetin Noka të ulur në ndenjësen e tij, duke mos pranuar të lërë sallën e Kuvendit. Kjo bëri që kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi të vendosë sërish ndërprerjen e seancës, duke e shtyrë për ditën e sotme.

Berisha: Mision për të shkatërruar Parlamentin!

Ish-Kryeministri Berisha ka akuzuar direkt ministrin e fundit të policisë kriminale të diktaturës se ka marrë si mision shkatërrimin e Parlamentit. Reagimi i Berishës erdhi menjëherë pasi Ruçi mori vendimin për të përjashtuar deputetin Noka, i cili kërkoi fjalën për procedurë dhe pasi iu mohua fjala kërkoi të flasë nga podiumi i Parlamentit.
Berisha ka kujtuar se rregullorja është e qartë se deputetit i jepet fjala për procedurë sa herë ta kërkojë.
“Siç e shihni, ministri i fundit i policisë kriminale terroriste të diktaturës hoxhiste ka marrë përsipër një mision, shkatërrimin përfundimtar të institucionit qendror të demokracisë që është Parlamenti. Ju konstatoni se ai, për herë të dytë ju mohon të drejtën e fjalës për procedurë, e cila është e drejta më bazike, jo vetëm në Parlamentin shqiptar, por në të gjithë parlamentet e botës dhe asambletë parlamentare ndërkombëtare, përfshi këtu edhe samitin botëror të OKB. E drejta e procedurës është një e drejtë që nuk mund të shkelet kurrë. E shkel vetëm një njeri që do të shkatërrojë Parlamentin shqiptar.
Këta kanë frikë dhe nga Parlamenti, por të jenë të sigurtë që çmimin më të madh do ta paguajnë ata vetë. Nuk ka ndodhur kurrë në histori që në mënyrë kaq të vendosur të mos respektohet e drejta e fjalës për procedurë si sot”, tha Berisha.

-Është e vërtetë që ju ka ofenduar Kryeministri?
Nuk kanë asnjë rëndësi ato të tjerat, sigurisht ato kanë procedurën e vetë, por kapitale është. Si ta thotë mendja që mund të më ofendojë mua Edi Rama?! Po ai të nderon çdo fjalë që të thotë. Edvin Shullazi! Problemi themelor është se kemi të bëjmë me mohimin e të drejtës së fjalës për procedurë. Ju e patë çfarë kanë bërë këta. Kanë bërë ligjin për minoritete, me të cilin jam plotësisht dakort, me të cilin plotësohet nga ana ligjore për minoritetet Kushtetuta e Shqipërisë. Kush e paraqet këtu atë ligj? E paraqet Ministria e Jashtme, a thua se minoritetet të jenë shtete të jashtme brenda territorit të Republikës së Shqipërisë. Pse e bën këtë ai? Ai e bën këtë për ta patur si trofe personale në kuadrin e dështimit total, apo të diplomacisë më të dështuar që nga koha e diktaturës deri sot. Megjithatë fjalët u thanë. Problemi themelor është mohimi i të drejtës për procedurë. E drejtë që në çdo samit ndërkombëtar, në çdo asamble ndërkombëtare kurrë nuk mohohet.

-A ka skenar opozita për të bllokuar Kuvendin?
Mazhoranca ka një skenar për të mashturar qytetarët, por ju jeni këtu, dhe konstatoni se gjithçka filloi me mohimin e të drejtës së fjalës për procedurë të deputetit Flamur Noka. Lexoni nenin përkatës të rregullores se çfarë thotë. Ajo thotë se “deputeti që kërkon fjalën për procedurë i jepet menjëherë fjala. Nëse e kërkon gjatë kohës që tjetri flet, atëherë e merr fjalën, pasi të mbarojë ai që po flet. Nëse e kërkon pas fjalës, përpara diskutimit tjetër, ai që kërkon fjalën për procedurë ka përparësi absolute”. Por këta nuk kanë përparësi funksionimin e Parlamentit, përparësi këta kanë shkatërrimin. Këta janë shumicë e drogës, e krimit, shumicë e krimit dhe ndjehen të tmerruar në në çdo moment, çdo sekondë aty ku janë.

 

Shqiptarët të mbajnë shtetësinë që duan, qeveritë të mos bëhen pengesë

Ish-Kryeministri Berisha i është përgjigjur interesit të mediave në Kosovë në lidhje me diskutimet mbi pajisjen e qytetarëve kosovarë me pasaportë shqiptare.

-Zoti Berisha, dje Presidenti Meta u përball me një kërkesë nga Presidenti Thaçi për pajisje me pasaportë shqiptare për qytetarët e Republikës së Kosovës në mënyrë që të thyhet muri shengen për qytetarët e Republikës së Kosovës
Së pari, unë përkrah dhe mbështes çdo hap që njëhson praktikat e shqiptarëve në Shqipëri dhe Kosovë. Së dyti, lidhur me problemin konkret unë mendoj se një qëllim tjetër më madhor duhet të qëndrojë prapa këtij propozimi të drejtë. Pra është e domosdoshme që qeveria e Kosovës dhe qeveria shqiptare, të firmosin si dy vende të pavarura, por që ndajnë një komb unik, të firmosin marrëveshjen mbi shtetësinë, në përputhje me të cilën çdo shqiptar që banon në Shqipëri do të ketë automatikisht në një formular dhe shtetësinë e Republikës së Kosovës dhe anasjelltas. Kjo është parashikuar në një vendim të qeverisë së mëparshme të vitit 2012, në të cilën duke studiuar me vëmendje legjislacionin…. Ju e dini që ka ekzistuar një dekret i Presidentit i vitit 1992, që i njihte shtetësinë shqiptare shqiptarëve kudo që jetonin në trevat e tyre ose në botë. Ky dekret, për fat të keq, nga pozicione albanofobike u la mënjanë dhe u bë një ligj, i cili pengonte në mënyrat më maksimale marrjen e shtetësisë shqiptare nga shqiptarët. Megjithatë, duke e studiuar atë ligj me ekspertët më të mirë arritëm që të bëjmë një vendim, në përputhje me të cilin, shqiptarët kudo që ishin, përveçse në Republikën e Kosovës, merrnin shtetësinë shqiptare kundrejt mbushjes së një formulari nëse e dëshironin atë. Për Republikën e Kosovës, duke qenë se kemi të bëjmë me një vend të pavarur, ky vendim parashikon një marrëveshje ndërshtetërore midis dy shteteve Shqipërisë dhe Kosovës, që t’u njohin qytetarëve të tyre të drejtën e shtetësisë që dëshirojnë ose të dy-shtetësive.

– Kjo garantohet me Kushtetutën e Kosovës…
Edhe me Kushtetutën e Shqipërisë plotësisht, është e stamposur në preambulën e Kushtetutës së Shqipërisë dhe ky do ishte hapi që mund të bëhej pa asnjë lloj problematike, pasi unë nuk di vend në Rajon që të mos ketë adaptuar këtë për kombin e tij si të tillë, unik. Edhe ne duhet ta adaptojmë. Uroj që propozimi i zotit Thaçi të merret në mënyrë më serioze dhe qeveritë të përgatisin marrëveshjen për të drejtën e shtetësisë së shqiptarëve kudo që banojnë. Kjo pastaj zgjidh dhe probleme të tjera, por ne nuk mund të rrimë pa u dhënë shqiptarëve këtë të drejtë një minutë e më parë.

– A mund të sjellë kokëçarje për Shqipërinë që mund t’i hiqet e drejta edhe shqiptarëve të Shqipërisë të udhëtojnë pa viza?
Nuk synon kjo çështje e Shengen. Kjo synon vendosjen e një norme kombëtare që është jetike për kombin shqiptar. Pse paskan të drejtë kombe të tjera përreth të aplikojnë të drejtën e shtetësisë për bashkëkombasit e tyre në vende të tjera dhe nuk qenka problem kjo? Nuk mund të jetë Shengen një pengesë në asnjë rrethanë. Sikundër dua të them këtu, se në mënyrë absolute Kosova është një nga vendet që ka standardet më të mira përsa u përket kritereve ose kërkesave për heqjen e vizave.
Nuk arrij të kuptoj se pse qënka demarkacioni një kriter në këtë mes. Demarkacioni mund të jetë një kriter në avancimin e procesin e integrimit, kurse heqja e vizave është një e drejtë që u është njohur dhe vendeve, të cilat ndofta dhe për 100 vitet e ardhshme nuk kanë ndërmend të integrohen në BE.

– Megjithatë nuk ishte një përgjigje pozitive me automatizëm nga Presidenti Meta.
Zoti Ermal, unë mendoj se çështja duhet kapur në themel, dhe themeli duhet të jetë marrëveshja ndërqeveritare për t’i dhënë përgjigjen e plotë dhe përfundimtare çështjes së shtetësisë së shqiptarëve në Shqipëri dhe në Kosovë. Kjo çështje duhet të marrë zgjidhje. Shqiptarët duhet të kenë të drejtë të mbajnë cilën shtetësi që të duan, t’i mbajnë të dy shtetësitë po të duan, qeveritë nuk mund të bëhen pengesë për këtë.

– Megjithatë analistët e quajnë presion të zotit Thaçi në drejtin të BE në mënyrë që të lëvizë më shpejt dhe të heqë dorë nga kërkesa apo kushti siç është demarkacioni për procesin e liberalizimit të vizave.
Unë në fakt nuk jam njeri që besoj shumë në presionet ndaj Brukselit sepse BE, mendoj unë, nuk mund të presohet nga qeveritë e vendeve të Ballkanit, por shqiptarët kanë njëmijë e një motive për t’i dhënë përgjigje përfundimtare të drejtës së shtetësisë së tyre, sepse kjo ka bërë me probleme shumë herë më themelore se sa vizat, ka të bëjë me çështje pronësie dhe garancie pronësie, ka të bëjë me çështje investimesh, ka të bëjë me një seri çështjesh që marrin përgjigje dhe zgjidhjen më të mirë. Natyrisht nuk mund të injorohet dhe problemi i vizave, por jo si formë presioni, sepse nuk mendoj se vendet periferike të Europës mund të bëjnë presione të madha në metropolet e saj.

Marrë nga Radio “Dukagjini”

Kryeministri i Spanjës kundër ndërmjetësimit me Katalonjën

Para Parlamentit, kryeministri i Spanjës Rajoy e refuzoi me vendosmëri propozimin e Katalonjës. Hapi tjetër i tij do të varet nga çështja nëse Katalonja shpall shkëputjen formale nga Spanja ose jo.
Në konfliktin për përpjekjet për pavarësi të Katalonjës, kryeministri spanjoll Mariano Rajoy e rriti presionin ndaj separatistëve. Në një fjalim para Parlamentit, ai kërkoi që të gjithë të respektojnë ligjet në fuqi. Rajoy e hodhi poshtë sërish në mënyrë kategorike mundësinë e një ndërmjetësimi midis Madridit dhe Barcelonës, të cilët e propozoi më parë presidenti rajonal i Katalonjës, Carlos Puigdemont. “Midis së drejtës demokratike dhe mosbindjes, ilegalitetit” nuk “është i mundur” një ndërmjetësim, tha ai para Parlamentit në Madrid.
Puigdemont nënshkroi të martën në mbrëmje një deklaratë pavarësie, por e shpalli atë menjëherë të pezulluar, për të mundësuar ende një dialog me Madridin. Një zëdhënës i qeverisë së Katalonjës e quajti nënshkrimin “një akt simbolik”.

Ka nisur shkarkimi i qeverisë së Katalonjës
Qeveria e Madridit kërkoi pas kësaj një sqarim. Në një mbledhje urgjente, kabineti i Rajoyt vendosi t’i dërgojë një pyetje zyrtare qeverisë së Puigdemont-it dhe vuri me këtë në lëvizje formalisht një procedurë për heqjen e të drejtave të autonomisë Katalonjës, në bazë të nenit 155 të Kushtetutës spanjolle.
Pyetja për vlefshmërinë dhe përmasat e deklaratës së pavarësisë së Puigdemont-it ka rëndësi të madhe, sepse në Kushtetutën spanjolle nuk është parashikuar shkëputja e një rajoni. Një shpallje e pavarësisë, sipas mendimit të qeverisë qendrore do të ishte një shkelje e qartë e të drejtave dhe do të kishte pasoja juridike. Deklarata “simbolike” e Puigdemont-it ndodhet në një fushë juridike të pasqaruar.

Socialistët mbështesin kursin e Rajoy-t
Në fjalimin e tij para Parlamentit, Rajoy njëkohësisht kërkoi me ngulm mbështetjen e katalanëve. Njëkohësisht, tha ai, bashkëjetesa funksionon vetëm në bazë të ligjeve, korniza për këtë është Kushtetuta, në të cilën është shkruar megjithatë pandashmëria e vendit. Lidhur me këtë Rajoy tha se një ndryshim i Kushtetutës është i përfytyrueshëm. Por për këtë duhet të vendosnin të gjithë spanjollët.
Mbështetje kryeministri konservator mori nga kryetari i partisë më të madhe opozitare në Parlamentin e Madridit, shefi i socialistëve Pedro Sanchez. Edhe ai kërkoi që Puigdemont-i të deklarojë “e zeza mbi të bardhë” nëse e shpalli pavarësinë. Veç kësaj, ai ra dakord me kryeministrin për ngritjen e një komisioni, i cili në gjashtë muajt e ardhshëm do të zhvillojë konsultime për “modernizimin e komuniteteve autonome”, si Katalonja me anë të një reforme kushtetuese, bëri të ditur Sanchez.

Autonomia mund të pezullohet
Mariano Rajoy, la të kuptohet sot se mund të pezullojë autonominë e rajonit verior rebel të Katolonias dhe të shpërndajë Parlamentin e rajonit, një vendim që mund të bëhet shkas për trazira civile. Kjo është kriza më e rëndë politike që po përjeton Spanja që nga dështimi i grushtit të shtetit katër dekada më parë.
Kryeministri spanjoll, i cili kryeson qeverinë kombëtare të qendrës së djathtë i kërkoi sqarime separatistëve katalonas lidhur me njoftimin e djeshëm se kishin fituar të drejtën për të shpallur një shtet të pavarur, por po e pezullonin shpalljen, në pritje të negociatave me Madridin.
Kryeministri spanjoll Rajoy i kërkoi zyrtarisht udhëheqësit katalan Carles Puigdemont, të sqaronte në se ka deklaruar pavarësinë, duke thënë se kjo ishte e nevojshme para se qeveria spanjolle të vendoste për hapat e mëtejshëm që duhen marrë.
Në një kërcënim gati të hapur, kryeminsitri Rahoi, tha se sqarimi ishte i nevojshëm në mënyrë që ai të kishte mundësinë të ushtronte autoritetin për pezullimin e statusit gjysëm-autonom të krahinës së Katalonias. Kjo do ta çonte rajonin në varësinë e drejtpërdrejtë të Madridit, bazuar në nenin e 155 të Kushtetutës së Spanjës.

Ky është komunizmi i vitit 2017

Vendimi i kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi për të përjashtuar nga seanca deputetin e PD-së, Flamur Noka, ndërkohë që të njëjtin standard nuk përdori për gjuhën fyese të kryeministrit Edi Rama, ka shkaktuar pakënaqësi te demokratët. Deputetja e PD, Fatbardha Kadiu e konsideron komunizëm të vitit 2017-të vendimin e Ruçit për t’i hequr të drejtën e fjalës Nokës, ndërkohë që Ramës nuk i tërheq dot vëmendjen. “Kryeministri ofendon parlamentarët, por Ruçi nuk i tërheq dot as vëmendje. Noka kërkon të flasë në Parlament, e drejtë themelore e njeriut dhe Ruçi e përjashton. Ky është komunizmi i vitit 2017”, shkruan Kadiu.