30.5 C
Tirana
E diel, 22 Qershor, 2025

Turqia, thirrje për normalizimin e marrëdhënieve me SHBA-në

Turqia bëri thirrje për normalizimin e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara, pas shtimit të tensioneve diplomatike mes dy vendeve aleate të NATO-s.
“Ne duam që marrëdhëniet mes dy vendeve tona aleate t’i kthehen shpejt normalitetit. Vendi ynë nuk do të heqë dorë nga të sjellurit me prakticitet, në një kohë kur tensionet rajonale dhe globale janë rritur”, tha kryeministri turk Binali Yildirim në një fjalim që mbajti para guvernatorëve provincialë në Ankara.
Marrëdhëniet mes të dy vendeve janë tensionuar së tepërmi pas arrestimit të një punonjësi lokal të Shteteve të Bashkuara në konsullatën amerikane në Turqi, Metin Topuz, nën akuzat për veprimtari terroriste dhe spiunazhi lidhur me grushtin e dështuar të shtetit të vitit të kaluar kundër Presidentit Recep Tayyip Erdogan. Këto tensione kanë rezultuar në kufizimin e konsiderueshëm të vizave nga të dyja palët.
Presidenti Erdogan të martën fajësoi personalisht ambasadorin e SHBA në Turqi, John Bass për tensionet. Erdogan po ashtu deklaroi se ambasadori Bass nuk do të konsiderohet si përfaqësuesi i ligjshëm i Uashingtonit. John Bass është në plan të largohet nga Turqia këtë javë, për një detyrë në re në Afganistan.
Uashingtoni i ka mbështetur me forcë veprimet e ambasadorit Bass, duke përsëritur kritikat për ndalimin e punonjësit lokal të konsullatës.
Vëzhguesit thonë se, ky qëndrim i Uashingtonit ja ka mbyllur derën shpresave të Ankarasë për t’i dhënë fund krizës, duke fajësuar ambasadorin, në vend të Uashingtonit.
Media në Turqi njoftoi se ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu ka biseduar në telefon të mërkurën me homologun e tij amerikan, Rex Tillerson, por nuk janë bërë të njohura hollësitë e bisedës mes tyre.

Zyrtarët e Turqisë dhe të SHBA-ve takohen për krizën diplomatike

Zyrtarët e Turqisë dhe të Shteteve të Bashkuara janë pajtuar për një takim, për ta zgjidhur krizën diplomatike ndërmjet tyre, pas bisedimeve “konstruktive” ndërmjet diplomatëve të tyre të lartë, tha sot zëvendëskryeministri i Turqisë, Bekir Bozgad.
Mospajtimi është shkaktuar nga arrestimi i dy punonjësve lokalë të Konsullatës së Shteteve të Bashkuara në Stamboll për akuza për sipunim, duke i nxitur Shtetet e Bashkuara, që më 8 tetor t’i suspendojnë shërbimet e vizave joimigrante për shtetasit e Turqisë.
Ankaraja është përgjigjur me masa të njëjta, duke i suspenduar menjëherë vizat për shtetasit amerikanë.
Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, ka shprehur “shqetësim të thellë” lidhur me arrestimin e dy pjesëtarëve të personelit diplomatik amerikan në Turqi, ka njoftuar mbrëmë Departamenti amerikan i Shtetit.
Në bisedën e djeshme telefonike me ministrin e Jashtëm të Turqisë, Mevlut Cavusoglu, Tillerson, po ashtu, ka kërkuar që qeveria e Turqisë të paraqesë prova lidhur me akuzat kundër të punësuarve.
Zoti Bozdag i tha transmetuesit Haberturk se biseda ishte “shumë konstruktive” dhe se “përfaqësuesit e të dy palëve kanë vendosur të takohen dhe të punojnë së bashku”.

Rama provokon konflikt në Parlament me fjalorin ordiner

Ish kryeministri Sali Berisha dhe kryeministri Edi Rama, gjate nje seance parlamentare, ku eshte debatuar ne lidhje me ceshtjen e CEZ. /r/n/r/nFormer Prime Minister Sali Berisha and Prime Minister Edi Rama, during a parliamentary session.

Parlamenti është bllokuar në seancën e djeshme vetëm pak minuta, pasi ai kishte nisur të diskutonte për ligjin e ri për minoritetet. Debatet kanë nisur mes Ramës dhe deputetit Dule dhe më pas mes ministrit të Jashtëm dhe ish-Kryeministrit Berisha. Kur gjithçka po shkonte normalisht dhe ku në podium ishte ish-Kryeministri Berisha, kryeministri me kartelë i shqiptarëve nisi një lum ofendimesh banale në drejtim të Berishës. Ish-Kryeministri nuk u përgjigj me të njëjtën gjuhë, duke u përqendruar tek tema e debatit. Më pas, fjalën e ka kërkuar për procedurë deputeti Noka. Sipas rregullores së Parlamentit sa herë një deputet kërkon fjalën për rregulloren e Parlamentit drejtuesi i seancës është i detyruar që ta japë. Ruçi ka bërë të kundërtën. Ai nuk i ka dhënë fjalën Nokës, por një deputeti tjetër. Kjo ka bërë që deputeti Noka ta kërkojë me insistim fjalën gjë që është refuzuar sërish nga Ruçi. Në këtë moment Noka ka dalë në foltoren e Parlamentit për t’i kujtuar Ruçit rregulloren, por në këtë moment drejtuesi i Parlamentit ka ndërhyrë, duke e përjashtuar nga seacca. Deputetët e PD kanë refuzuar të zbatojnë vendimin e Ruçit, ndërsa ky i fundit ka kërkuar në ndihmë edhe gardistët për të nxjerrë jashtë Kuvendit Nokën. Pas pushimit as Noka dhe as deputetët e PD nuk janë tërhequr kjo ka bërë që Ruçi të anulojë seancën dhe të thërrasë atë për në orët e pasdites. Deputetët e PD kanë qëndruar përgjatë gjithë kohës brenda sallës së Parlamentit dhe kanë refuzuar që të dalin prej saj.

Kërkesë për përjashtimin e Ramës

Opozita është bashkuar në kërkesën për të kërkuar përjashtimin e Ramës nga punimet e Parlamentit për 10 ditë për shkak të ofendimeve që ka lëshuar nga vendi në drejtim të ish-Kryeministrit Berisha. Kërkesa është firmosur nga deputetë të PD si dhe nga kreu i grupit parlamentar të LSI, Vasili, si dhe kreu i Grupit parlamentar të PR, Mediu. Kërkesa i është drejtuar Byrosë së Kuvendit për përjashtuar Ramën. Deputetët dhe gazetarët janë ndjerë të skandalizuar nga deklaratat e lëshuara nga Rama në Parlament. Kryeministri me kartelë i shqiptarëve ka përdorur në fjalor banal, ndërsa gazetarët kanë guxuar të përmendin vetëm fjalën i rrjedhur që Rama ka drejtuar ndaj ish-Kryeministrit. Ka qenë pikërisht ky fjaloar i kreut psikopat të qeverisë në drejtim të opozitës që ka sjellë edhe bllokimin e të tretës seancë rradhazi të Parlamentit brenda tre javëve të fundit.

Përse bllokohet seanca

Arsyet e një skenari qeveritar për të bllokuar seancën parlamentare kanë të bëjnë me refuzimin për të bërë një debat mbi krimin e organizuar në Shqipëri dhe lidhjet e tij me Ramën si edhe për zgjedhjet që u diktuan nga krimi. Ky debat dështon për të dytën javë rradhazi, pasi Rama dhe Ruçi kanë një skenar tipik të Sigurimit të Shtetit për të mbyllur gojën e opozitës. Fillimisht, Rama vendosi se mund të bllokonte fjalën e opozitës që të shkonte tek opinioni publik, duke i hequr të drejtën televizioneve private të kishin sinjalin e transmetimit direkt të seancave të Parlamentit. Kur kjo solli reagimin e ashpër të opozitës, atëherë Rama u tërhoq nga ky skenar dhe tani ka zgjedhur skenarin tjetër atë të provokimit dhe prishjes së seancave herë duke përjashtuar opozitën nga Parlamenti dhe rasti i fundit ai i angazhimit direkt të psikopatit në krye të qeverisë me një fjalor prej ordineri në seancën parlamentare.

Arben SHAHINI

Tillerson: “Shqetësim i thellë” për burgosjet në Turqi

Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, ka shprehur “shqetësim të thellë” lidhur me arrestimin e dy pjesëtarëve të personelit diplomatik amerikan në Turqi, ka njoftuar mbrëmë Departamenti amerikan i Shtetit.
Në bisedën telefonike me ministrin e Jashtëm të Turqisë, Mevlut Cavusoglu, Tillerson, po ashtu, ka kërkuar që qeveria e Turqisë të paraqesë prova lidhur me akuzat kundër të punësuarve.
Biseda telefonike ndërmjet dy zyrtarëve të lartë ishte e para e këtij lloji prej shpërthimit të krizës diplomatike ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Turqisë, që janë aleatë shumëvjeçar në NATO.
Sipas mediave turke, kjo bisedë ka zgjatur gati gjysmë ore.

Serbia po mbron kriminelët e luftës

Ministri serb i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiç, tha të enjten se ambasadori amerikan sikurse edhe ambasadorët e tjerë nuk duhet të përzihet në punët e brendshme të Serbisë. Ai i bëri këto komente pas reagimit të ambasadorit amerikan në Beograd, Kyle Scott, ndaj deklaratave të ministrit serb të Mbrojtjes, Aleksandër Vulin, i cili lavdëroi ditë më parë një ish-gjeneral serb për rolin e tij gjatë bombardimeve të NATO-s mbi Serbinë në vitin 1999, duke theksuar se Serbia nuk ka nevojë të turpërohet më për atë çfarë ka ndodhur në Kosovë në atë kohë.
Ministri serb Vulin fundjavën që lamë pas foli në një takim të ish-ushtarakëve të batalionit të tretë të Armatës Jugosllave në të cilin morën pjesë edhe Vladimir Lazareviç, ish-shef i Shtabit të Armatës Jugosllave në Prishtinë dhe Nikola Shainoviç, ish-zëvendëskryeministër i Jugosllavisë, që të dy të dënuar për krime lufte në Kosovë nga Gjykata Ndërkombëtare në Hagë.
Ambasadori amerikan, Kyle Scott shkroi në rrjetin social Twitter se, “për fat të keq, muaj të tërë të punës në përmirësimin e imazhit të Serbisë në Shtetet e Bashkuara, mund të dëmtohen nga një deklaratë”.
Ministri serb, Vulin, tha se Serbia “nuk ka shkaktuar luftëra” dhe se ish-gjenerali Lazareviç, është njeri i lirë.
Ish-gjenerali serb Vladimir Lazareviç dhe politikani, Nikola Shainoviç, qenë dënuar për rolin e tyre në fushatën kundër shqiptarëve të Kosovës gjatë së cilës i vranë mbi 10 mijë veta, u zhdukën mijëra të tjerë dhe u dëbuan mbi 800 mijë shqiptarë. Lufta gati dy vjeçare në Kosovë mori fund me ndërhyrjen e trupave të NATO-s.
Të enjten shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiç, tha se ambasadori amerikan nuk duhet të përzihet në punët e brendshme të Serbisë, ndërsa theksoi se deklaratat rreth të dënuarit të Hagës, Vladimir Lazareviç, nuk mund të dëmtojnë marrëdhëniet ndërmjet të dyja vendeve. Duke theksuar se ai e ka “vuajtur dënimin me burg”, ministri serb tha se, “Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj do ta vuaj atë, ndërsa Ante Gotovina është liruar nga aktakuza për krime dhe po bëhet gati të bëhet president i Kroacisë, ndërsa e patë se tash edhe Naser Oriç, u lirua nga akuzat”, tha ai.
Komentet e ministrit serb Daçiç, bën gjatë punimeve të “Forumit të Beogradit për Siguri”, në të cilin po merr pjesë edhe zëvendës/sekretarja e Përgjithshme e NATO-s, Rose Gottemoeller, për të diskutuar në temën “Partneriteti NATO-Serbi, ndihmon sigurinë në Ballkanin Perëndimorë”.
Kryeministrja serbe Ana Bërnabiç, tha në këtë forum se Serbia është partner i besueshëm i NATO-s, por, do të vazhdojë të mbetet e paanshme nga pikëpamja ushtarake.
Ajo ritheksoi synimin e Serbisë për integrime evropiane, por edhe ruajtjen e marrëdhënieve të mira me Moskën, aleate tradicionale e Serbisë, një dëshirë e nacionalistëve serb që nuk pajtohen me pavarësinë e Kosovës. Ajo tha se, sfida kryesore e sigurisë është Kosova, “të cilën Serbia e përjeton emocionalisht”.
Moska vazhdon të mbështesë pretendimet serbe mbi Kosovën dhe refuzon sikurse edhe Serbia të njohë pavarësinë e saj të shpallur në shkurt të vitit 2008. Megjithatë Beogradi është përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën në shkëmbim të afrimit me strukturat evropiane.
Shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Moghernini, tha të mërkurën se pret përparim të dukshëm në bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë deri në fund të vitit të ardhshëm.
Serbia hapi në janar të vitit 2014 bisedimet për anëtarësim si rezultat i bisedimeve me Kosovën, e cila ndërkaq nënshkroi Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me BE-në, por mbetet e fundit në rajon në proceset integruese.

Sulmi mbi trupat amerikane në Nigeri, Pentagoni fajëson IS-in

A U.S. Army carry team transfers the remains of Army Staff Sgt. Dustin Wright of Lyons, Ga., Oct. 5, 2017, at Dover Air Force Base, Del. Wright was assigned to Company E, 2nd Battalion, 3rd Special Forces Group, Fort Bragg, N.C. (U.S. Air Force photo by Staff Sgt. Aaron J. Jenne)

Pentagoni tha se luftëtarët e grupit militant Shteti Islamik janë përgjegjës për sulmin në Jugperëndim të Nigerit që la pas vetes katër ushtarë amerikanë të vrarë. Hollësitë e reja dëshmojnë se fshatarët lokalë mund të kenë luajtur rol në organizimin e pritës.
Zëdhënësja e Pentagoni, Michelle Baldanza, i tha “Zërit të Amerikës” se, militantët e IS-it u zunë pritë forcave amerikane dhe atyre të Nigerit më 4 tetor me ç’rast u vranë edhe katër pjesëtarë të personelit vendas të sigurisë.
Forcat e Posaçme të ushtrisë amerikanë, të njohura edhe si “beretat e blerta”, sapo kishin përfunduar një takim me udhëheqësit lokalë dhe po ktheheshin tek makinat e tyre kur u sulmuan, tha një zyrtar amerikan që foli me “Zërin e Amerikës” me kushtin që të mos i përmendet identiteti, meqë hetimet janë duke vazhduar.
Ushtarët thanë se takimi vajti vonë dhe disa prej tyre dyshojnë se fshatarët qëllimisht vonuan largimin e tyre, tha zyrtari.
Ministria e Mbrojtjes e Nigerisë konfirmoi se, pati shkëmbim zjarri afër fshatit Tongo Tongo në rajonin Tillaberi. Tetë pjesëtarë të trupave të Nigerit u plagosën gjatë sulmit në të cilin u plagosën edhe dy ushtarë amerikanë, të cilët u dërguan në Gjermani për trajtim mjekësor.
Sekretari i Mbrojtjes, Jim Mattis, u tha gazetarëve të mërkurën se patrulla u godit ashpër në një zonë ku forcat armike nuk vepronin dhe se avionët francez fluturuan mbi zonë brenda 30 minutash pas pritës.
“Unë i hedh tërësisht poshtë pohimet se përgjigja ishte e ngadalshme”, tha Sekretari Mattis.
Nigeri është aleat i rëndësishëm i Shteteve të Bashkuara në luftën kundër terrorizmit.

23 të vdekur nga zjarret në Kaliforni

Zjarrfikësit vazhduan të luftojnë gjatë natës ndërmjet të mërkurës dhe të enjtes me zjarret që lanë pas vetes 23 të vdekur në Kaliforninë Veriore.
Më shumë se 285 veta llogariten të zhdukur në kontenë Sonoma dhe është e paqartë nëse ata kanë pësuar nga zjarret apo janë larguar pa u regjistruar nga autoritetet.
Ndonëse ende nuk dihen shkaqet e zjarrit, ka mendime se ato mund të jenë shkaktuar nga linjat e energjisë elektrike që ishin rrëzuar nga erërat e forta.
Rreth 25 mijë veta mbeten të evakuuar, ndërsa autoritetet thanë se të paktën 3 mijë e 500 shtëpi e biznese janë shkatërruar.
Zjarret përfshinë rreth 69 mijë hektarë vreshtash të njohura botërisht për prodhimin e verës dhe një pjesë e tyre janë shkatërruar tërësisht.
Presidenti Donald Trump ka miratuar fonde federale për të ndihmuar zonat e prekura në Kaliforni.

Nga Angela Kasner tek Angela Merkel

Megjithëse Angela është një grua nga Lindja, ajo ka lindur më 17 korrik 1954 në Hamburg të Gjermanisë Perëndimore. Emri i saj i pagëzimit është Angela Dorothea Kasner, bijë e një pastori luteran që në mesin e viteve ‘50, me dëshirë, vendosi të transferohej në Gjermaninë komuniste për të themeluar një seminar luteran. Fëmijërinë e saj e kaloi fillimisht në Quitzow dhe më pas në Templin, në Veri të Berlinit, pothuajse në kufi me Poloninë. Lidhja e Angela me këtë të fundit nuk është ekskluzivisht gjeografike. Një biografi e kohëve të fundit e Stefan Kornelius, kryeredaktor i çështjeve të jashtme të “Süddeutsche Zeitung”, zbulon se gjyshi i Angela ishte me origjinë polake. Ludwig Kazmierczak ishte me origjinë nga Posen dhe në 1930 vendosi që ta ndryshojë mbiemrin e tij në gjermanisht, nga ku edhe mbiemri Kasner.
Horst Kasner, babai i Angela, kishte raporte të mira me regjimin dhe kishte një leje speciale që i mundësonte të udhëtonte lirisht edhe në Perëndim. Sipas një biografie të kohëve të fundit mbi të ashtuquajturën jetë të parë të Angela Merkel, Horst Kasner, ishte pjesë e atyre teologëve protestantë nëpërmjet të cilëve regjimi synonte të pajtonte idealet socialiste me ato të Kishës. Këta teologë protestantë shikonin tek socializmi një alternativë të mundshme ndaj kapitalizmit perëndimor, aq sa në 1958 themeluan në Pragë një lloj “internacionaleje kristiane”, Konferencën Kristiane për Paqen ku aderoi babai i Angela. Por Horst Kasner ishte pjesë edhe vëllazërisë protestante të Weißensee në Berlin, ku kryepërgjegjësi i të cilës, Hanfried Müller (edhe ai i regjistruar në Konferencën Kristiane për Paqen) kishte kontakte të mira me drejtuesit e SED-it.
Me kalimin e kohës Horst Kasner u distancua nga regjimi, por nuk ka dyshim që familja e tij jetonte në një gjendje të privilegjuar brenda Gjermanisë komuniste dhe që i mundësoi Angela të shmangte çdo formë indoktrinimi ideologjik. Sipas biografisë së Kancelares të shkruar nga Evelyn Roll, filozofia e jetës e familjes Kasner ishte e thjeshtë, por edhe shumë e përcaktuar: çifti Kasner, që vinte nga Perëndimi, konsiderohej si më të mirë se të tjerët, pasi kishin plus vlerat autentike të kristianizmit. Angela do të orientohet gjithmonë pas këtij parimi dhe do të ketë detyrën e demonstrimit se është më e mirë nga të tjerët. Gjatë jetës së saj në Gjermaninë Lindore arrin shkëlqyeshëm një diplomë në Fizikë dhe më pas Doktoraturën në të në Leipzig, që do t’i mundësojnë të udhëtojë për motive shkencore në vende të ndryshme të bllokut sovjetik.
Një fakt i habitshëm dhe që shumë e injorojnë është se në atë kohë, për të vazhduar doktoraturën, ishte e nevojshme të paraqisje një punim që të demonstronte se i kishe thelluar dhe zgjeruar dijet e tua për marksizëm–leninizmin. Angela kishte paraqitur një punim me titull “Cila është mënyra e jetesës socialiste?”. Nëse gjykimi për doktoraturën është magna cum laude, për thellimin politik merr vetëm një “mjaftueshëm”. Natyrisht, kjo nuk e pengon që të zhvillojë aktivitetin e saj shkencor. Angela u bë një shkencëtare e vlerësuar, e përmendur dhe me autoritet. Si pjesa më e madhe e qytetarëve të vendeve satelite të Bashkimit Sovjetik mëson shumë mirë edhe rusishten. Por Angela shkon përtej mesatares së qytetarëve të ish-Gjermanisë komuniste: fiton olimpiadën e gjuhës ruse fillimisht në Templin, më pas në Neubrandenburg dhe, së fundi, edhe në Berlin. Siç kujton Erika Benn, një mësuesja e saj e vjetër e rusishtes, për të përjavshmen “Cicero”, Angela ishte shumë e mirë, ishte konstante dhe vullnet të hekurt.
Në kohën e universitetit njihet me Ulrich Merkel, edhe ai student i Fizikës. U dashuruan dhe vetëm 23 vjeç (ajo) dhe 24 vjeç (ai), në 1977 u martuan me një ceremoni fetare. Martesa do të rezultojë shumë më e komplikuar nga parashikimi, ndoshta e vendosur tepër shpejt. Në atë kohë, të martuarit ishte edhe një strategji mjaft e përhapur për të përfituar lehtësira, si banesa dhe vende pune në të njëjtin qytet të bashkëshortit. Pothuajse një vit pas martese, Angela merr diplomën, transferohet në Berlin, por në 1982 ndahet nga Ulrich Merkel, por të cilit do të vazhdojë t’i mbajë mbiemrin.

“Vajza” e Kohl
Gjendja e Angela Merkel në RDGJ-në komuniste ishte e ngjashme me atë të protagonistit të romanit “I Zgjedhuri” i Thomas Mann. Shkëlqente në studime dhe në virtyte, edhe formimin e tij kristian e perceptonte prej temperamentit, cilësive dhe formimit, ndryshe nga të tjerët. Ndjehej e huaj në atë jetë akademike, e ulur mbi libra, në atë gjendje politikisht mbytëse. Si Gregori, heroi i Thomas Mann, Angela ëndërronte ndërmarrje heroike, aventura dhe gjeste. Nuk e la që t’i shpëtonte rasti për t’u çliruar nga ajo botë dhe kështu, gjatë revolucionit paqësor demonstroi se kishte një shpirt dhe nuhatje për pushtetin deri më atëhere të mbajtur të fshehur.
Por jeta e Angela Merkel në ish-Gjermaninë komuniste mbetet akoma sot në shumë aspekte mister. Sigurisht që aderoi në Freie Deutsche Jugend, lëvizjen politiko–rinore të regjimit dhe në 1981 qe edhe përgjegjëse për Propagandën dhe Agjitacionin, fakt të cilin Merkel e mohon: “Propagandë? Nuk e kujtoj absolutisht të kem bërë propagandë, kurrsesi. Isha e ngarkuar me Kulturën”. Megjithatë, nuk rezulton që Angela as të ketë qenë anëtare e SED-it, as e partive apo lëvizjeve të tjera që ju kundërvunë diktaturës. Në një biografi të kohëve të fundit të saj të shkruar nga Ralf Georg Reuth dhe Günther Lachmann, dy gazetarë respektivisht të “Bild” dhe të “Die Welt”, tentohet të demonstrohet se në realitet Angela qe shumë më e afërt me SED-in nga sa është menduar deri më tani. Sipas biografisë të Reuth dhe Lachmann nuk ishte aq e huaj me sistemin e pushtetit të Gjermanisë Lindore. Vetë Merkel e ka minimizuar rëndësinë e tezave të tilla, duke u përgjigjur se në mënyrë ciklike dalin skupe të supozuara për jetën e saj në Gjermaninë komuniste. Më shumë se tezat e Reuth dhe Lachmann duhet marrë seriozisht teza e një prej biografeve të Merkel. Sipas Jacqueline Boysen, në kuptimin e jetës në Gjermaninë Lindore të Angelas, ka një moskuptim të raportit (dhe të diferencave të dukshme kulturore) midis Gjermanive Lindore dhe Perëndimore. Vetë Merkel në një intervistë të kohëve të fundit për të përjavshmen “Stern” ka kujtuar sesi 35 vitet jetë në RDGJ janë pjesë e ekzistencës dhe e rolit politik të saj.
E sigurtë është që Angela Merkel aderon në Demokratischer Aufbruch (Zgjimi Demokratik), lëvizja e opozitës e sapokrijuar pas rënies së Murit të Berlinit dhe që frymëzohej nga kristian – demokratët (CDU) e Gjermanisë Perëndimore. Aderimi në Demokratischer Aufbruch përshkruhet kështu nga Gertrud Höhler, autore e “Sistemi Merkel”. “Si Kancelare vë në rrezik Gjermaninë dhe Europën: “E heshtur, pothuajse në inkonjito, merrte pjesë në mbledhjet e Demokratischer Aufbruch. Në ato mbledhje mundësohej më së fundi të ëndërroje me zë të lartë, por Angela heshtëte. Kush më pas do të njihte si puçiste në perëndorinë e Kohl, CDU-në e Perëndimit, nuk arrin ta besojë se bëhet fjalë për të njëjtin njeri. Tek Demokratischer Aufbruch, në vend që të mbajë diskutime, merret me instalimin e kompjuterëve. Kur mbaron punë, largohet. Mbetet, por në vende më të mira, pa rënë në sy, por gjithmonë e më e dukshme”.
Merkel ka dy sponsorë të dorës së parë: Wolfgang Schnur, kryetar i lëvizjes reformiste “Zgjimi Demokratik”, dhe Lothar de Maizière, lider i CDU-së Lindore dhe kreu i fundit i qeverisë së RDGJ-së përpara ribashkimit (si edhe xhaxhai i Thomas de Mazière, njeriu i fortë i CDU-së merkeliane). Më pas, të dy kanë rezultuar informatorë jozyrtarë të STASI-t. Falë këtyre mbështetësve, Merkel bëhet shefe e Departamentit të Komunikimit dhe Raporteve me Shtypin dhe zëdhënëse e qeverisë së Lothar de Maizière. Bëhet kështu protagoniste e heshtur e ribashkimit dhe vlerësohet nga ai që do të jetë mentori i saj: Helmut Kohl. Nuk është rastësi që do të bëjë gjithçka që ta njohë personalisht. Të dy do të takohen për herë të parë me 2 tetor të 1990, një ditë përpara ribashkimit të Gjermanisë. Është hapi i parë i lidhjes së gjatë politike midis të dyve.
Është këtu që nis ngjitja e papritur, e shpejtë dhe e rrufeshme në pushtet e Angela Merkel në Gjermaninë që pak më vonë do të ribashkohet. Zgjidhet në Parlamentin gjerman në Mecklenburg-Vorpommern, në një zonë elektorale që përfshin kolegjet e Pomerania, Rügen dhe Greisfald I. Akoma sot është zona e saj elektorale dhe “Angie”, siç quhet me simpati, është e lidhur me këtë rajon në të cilin zhvillohet një prej takimeve më të pamundura të CDU-së në ditën e së “mërkurës të gërmadhave”.
Në qeverinë e tretë Kohl, Angela Merkel u emërua Ministre për Familjen, Gratë dhe Rininë. Në 1991, Lothar de Maizière dorëhiqet nga zëvendëspresidenca e partisë pse dyshohet se ka pasur raporte me STASI-n. Kohl vendos që Angela Merkel duhet të marrë postin e de Maizière. Kancelari i vjetër gjerman duket se e ka zgjedhur si të përkëdhelurën e tij. Por nëse kemi të bëjmë me një vlerësim real apo pse Angela Merkel, grua nga Lindja, paraqitet si një spot i përkryer publicitar për Kancelarin gjerman që ka luajtur gjithçka me ribashkimin politik të Gjermanisë, nuk do ta mësojmë kurrë. E sigurtë është se vetë Merkel do të deklarojë në 1994 se ka bërë karrierë pse ishte grua dhe se në atë moment ekzistonte nevoja për një grua.
Nga 1993 deri në 2000, Merkel është edhe Presidente e CDU-së në Mecklenburg-Vorpommern, pasi Krause është denoncuar se ka paguar në të zezë një bashkëpunëtore. Edhe kësaj radhe, Angela shfrytëzon një krizë të tjerëve për të nxjerrë përfitim për vete. Nga 1994 bëhet edhe Ministre për Mjedisin dhe Sigurinë e reaktorëve Bërthamorë, ky rol i ka dhënë edhe një shikueshmëri të madhe dhe shtytjen për të ndërtuar karrierën e saj politike. Kjo përvojë si ministre do t’i shërbejë 10 vite më pas, kur si Kancelare fillimisht do të propozojë kthimin në energjinë bërthamore dhe, më pas, si pasojë e incidentit të Fukushimës në Japoni, ta braktisë sërish bërthamoren, siç kishte vendosur më parë qeveria Schröder në kohën kur Angela ishte shefe e opozitës. Tema e mjedisit do të mbesë filli përçues i karrierës së saj politike, aq sa më pas do të quhet Klimakanzlerin. Është e njohur se përsa i përket mjedisit Angela ka pak rivalë në klasën politike: arrin të bashkojë dije shkencore dhe përvojë politike.
Por le të kthehemi në 1994, vit në të cilin Merkel është ministre e qeverisë tretë Kohl. Në këtë fazë konsiderohet një prej më besnikeve të Kancelarit dhe, si ministrja më e re e qeverisë, ju vu edhe nofka simpatike das Mädchen (“vajza”). Megjithatë, të dy nuk ka sesi të mos jenë më të ndryshëm. Siç lexohet në biografinë e Angela Merkel të shkruar nga Evelyn Roll, Merkel e kishte përshkruar raportin e saj me Kohl si dy pika finale të një diagonaleje: nga njëra anë e reja që impenjohej në politikë, nga tjetra një shtetar me përvojë të madhe; nga njëra anë një Kancelar i Jugperëndimit të Gjermanisë, katolik, nga ana tjetër gruaja nga Veriperëndimi, protestante; Kohl përfaqësonte vijueshmërinë me gjeneratën e Konrad Adenauer, kurse Merkel, në të kundërt, ishte rritur në diktaturën socialiste të RDGJ-së; nga njëra anë një grua që i përkiste një gjenerate që kishte njohur vetëm një vend të ndarë më dysh, nga tjetra një burrë që i kishte përjetuar personalisht tmerret e luftës. Merkel dhe Kohl qenë krejtësisht të ndryshëm, nuk kishin asgjë të përbashkët. Por për sa das Mädchen i detyrohej jashtëzakonisht shumë Kohl (edhe pse vetëm nga një moment i vetëm i jetës së saj), ajo kishte një raport ndryshe nga besnikët e tjerë të Kancelarit që ia detyronin vetë ekzistencën e tyre politike, pasi kishin qenë mbajtës çantash dhe asistentë të tij. Merkel ishte e vetmja që kishte forcën dhe kurajën që t’i kthente fjalën, kishte një raport më të drejtpërdrejtë dhe, në një farë kuptimi, më fitimprurës. Siç do të rezultojë më pas në momentin në të cilën do të ndërpritet historia politike midis të dyve.

Shkëputja
Në 1998 zhvillohen zgjedhjet politike dhe për Kohl dhe koalicionin qeverisës perspektivat nuk duken të mira. Kancelari në fuqi nuk gëzon konsensusin e nevojshëm popullor për të fituar dhe ministri më i besuar dhe më me autoritet i tij, Wolfgang Schäuble, i propozon që të tërhiqet dhe t’ia lërë atij kandidaturën, me qëllim që të shmangë një humbje të shëmtuar, siç kujtohet nga vetë Schäuble në një intervistë për “Die Zeit” (9 shkurt 2011). Qysh atëhere raportet midis të dyve nuk do të jenë më të njëjtat. Unioni (CDU/CSU) humbet zgjedhjet dhe kështu, në 1998, përfundon era Kohl. Me 7 nëntor të po atij viti, me 93% të votave, Angela Merkel zgjidhet Sekretare e Përgjithshme e CDU-së që, më pas dhe nën drejtimin e saj, do të fillojë ta rimarrë veten nga humbja, duke siguruar fitore të shumta në zgjedhjet rajonale, duke e bërë kështu qendrën e djathtë gjermane që pas disa vitesh të ketë shumicën në Bundesrat, Dhomën e Rajoneve.
Në dhjetor të po atij viti Angela bën edhe një hap të rëndësishëm për jetën e saj private. Pas disa vitesh bashkëjetesë (gjithmonë e parë me sy të keq nga krahu më konservator i CDU-së) martohet me Joachim Sauer, një pedagog Fizike të njohur kohën e doktoraturës. Por Angela vendos të mbajë mbiemrin e bashkëshortit të parë. Lidhur me motivet që qëndrojnë prapa kësaj zgjedhjeje është folur shumë. Më cinikët e shpjegojnë vendimin me ekuivokun e mbiemrit të bashkëshortit të dytë: Sauer në gjermanisht do të thotë “i hidhur”, “i ashpër”, “i athët”. Të tjerë japin një shpjegim tjetër: Angela ishte tashmë e njohur në nivel shkencor më parë dhe politik më pas me mbiemrin Merkel, ndryshimi do ta kishte disavantazhet e tij të dukshme. Ka mundësi që e vërteta duhet kërkuar në të dy shpjegimet, por le të kthehemi në ngjitjen e saj politike.
Kthesa në karrierën e Angela Merkel vjen me skandalin financiar në vetë partinë e saj, si pasojë e të cilit shumë prej figurave historike të CDU-së qenë të përfshira, para sëgjithash Helmut Kohl, i cili refuzoi të deklarojë një shumë prej 2 milionë dojç markash. Mund të duket paradoks, por edhe një herë akoma, Angela Merkel e shfrytëzoi në favorin e saj një moment krize të të tjerëve, në këtë rast të partisë dhe të mentorit politik të saj. Në ngjitjen e saj të pandalshme drejt pushtetit, u distancua nga Helmut Kohl, e kritikoi ashpër dhe filloi një rilindje të partisë pa kryetarin e madh. Mbetet akoma sot historik artikulli me të cilin në “Frankfurter Allgemeine Zeitung” Angela Merkel sulmon ballazi ish-Kancelarin: “Fundi i erës Kohl përfaqëson një shans të ri”, “pranimet e Kohl e kanë dëmtuar partinë”, “pas një jete politike kaq të gjatë si kjo që ka pasur Helmut Kohl, ndoshta është si shumë t’i kërkosh të dorëhiqet nga të gjitha postet, të tërhiqesh përfundimisht nga politika dhe t’u lësh fushë të lirë pasuruesve, të rinjve?” dhe akoma “partia duhet të mësojë të ecë me këmbët e veta dhe, në të ardhmen, të gjejë kurajën që të vazhdojë në arenën politike dhe pa kalin e saj të betejës, siç është pagëzuar shpesh Helmut Kohl”. Nuk dihet se kush e ka shkruar praktikisht këtë artikull, por duket sikur ghost writer vjen nga vetë redaksia e “Frankfurter Allgemeine Zeitung”. Siç shkruan Evelyn Roll, artikulli konsiderohet një dokument historik për shkëputjen e CDU-së nga Helmut Kohl dhe, veç të tjerash, është dokumenti me të cilin Sekretarja e Përgjithshme e atëhershme, Angela Merkel, shpalli aspiratën e saj për të drejtuar partinë dhe, së fundi, është një thirrje vetëprerjeje koke për Kohl, siç kujton “Handelsblatt”. Me këtë artikull Angela Merkel merr përsipër rrezikun më të madh të historisë së saj politike. Mund edhe t’i shkonte keq, por gjithçka shkoi sipas planit. CDU-ja ndoqi lideren e re në ngjitje. Helmut Kohl u bë i pari i një serie të gjatë viktimash të Angela. Falë këtij pozicionimi, Merkel fitoi konsensus midis qytetarëve. Ishte e vetmja që mund të bënte një hap të kësaj natyre, të domosdoshëm dhe të dhimbshëm: bënte politikë vetëm prej pak vitesh dhe nuk i përkiste gjeneratës së lindur në krahun mbrojtës të Helmut Kohl. Në një farë kuptimi mund të themi se nuk ishte tërësisht pjesë e sistemit Kohl. Kishte ardhur nga jashtë, nga hiçi.
Në prillin e 2000, pothuajse 3 muaj pas goditjes vdekjeprurëse ndaj Helmut Kohl, das Mädchen u zgjodh Presidente e partisë për të zëvendësuar Wolfgang Schäuble, edhe ai i përfshirë pjesërisht në skandal. U bë kështu gruaja e parë presidente e CDU-së, partia më konservatore dhe më maskiliste e Gjermanisë dhe Wolfgang Schäuble është viktima e dytë e Angela Merkel. Të dy, siç do ta shohim, do të kthehen e do të bashkëpunojnë më pas. Siç ka ndodhur shpesh në historinë politike e Angela Merkel, zgjedhja e saj befasoi shumë analistë politikë. Për eksponentë të shumtë të CDU-së dhe vëzhgues duhej të ishte vetëm një lidere kalimtare, një presidente që duhej ta targetonte CDU-në e vjetër në një epokë të re. Dukshëm që askush nuk e njihte mirë dhe shumë i kishin bërë gabim llogaritjet. Megjithatë, fakti që kishte arritur në majën e partisë ishte në vetvete një fakt i jashtëzakonshëm, pasi Merkel mishëronte një personalitet me vlera referuese të paktën pjesërisht në kontrast me traditat dominuese midis kristian–demokratëve, një parti, siç e thamë më lart, konservatore dhe maskiliste. Angela, vajza e ardhur nga Lindja, ishte protestante, femër dhe nuk kishte fëmijë.

Përgatiti:
ARMIN TIRANA

Nike, këpucë speciale për derbin Inter-Milan

Nike ka prezantuar “Hypervenom GX” për të celebruar 20-vjetorin e qendrës së Montebelunës në Trevizo të Italisë, aty ku janë prodhuar këpucët e para të futbollit Nike, në vitin 1997. Bëhet fjalë për një këpucë 30% më të lehtë në krahasim me origjinalet “Air GX”. “Hypervenom GX” ruan linjat ikonike të “Air GX” dhe mbetet e njëjta edhe lidhja asimetrike e këpucës. Vetëm 2500 palë këpucë të tilla do të jenë të disponueshme, duke nisur nga data 16 tetor.

Musacchio: 11 “luanë” kundër Interit

Seria A do të rikthehet këtë fundjavë me një superndeshje, derbin e Milanos, i cili do të zhvillohet ditën e diel në orën 20:45. Dy mbrojtësit e Milanit, Romagnoli dhe argjentinasi Musacchio, për të cilin do të jetë derbi i parë, kanë folur për ndeshjen ndaj Interit.
Romagnoli është shprehur se Interi nuk është vetëm Icardi, por ata janë një skuadër që po funksionon si grup në nisje të këtij sezoni. Ai thotë më tej se, problemet fizike tashmë për të i përkasin të kaluarës, ndërsa është duke u përshtatur edhe me 3 mbrojtës siç po luan Montella në ndeshjet e fundit. “Kuptohemi mjaft mirë me Bonuccin dhe Musachion në mbrojtje. Bunucci është një mbrojtës i një niveli të lartë dhe po më mëson të përshtatem sa më mirë edhe me rreshtimin me tre mbrojtës.
Ndërkohë, Musacchio kërkon nga shokët e tij që në derbin e tij të parë të japin maksimumin. “Në derbi ne duhet të luajmë si 11 luanë. Ne do të japim gjithçka. Nuk duhet të lëmë të marrë frymë Icardi-n, por jo vetëm atë, por të gjithë kundërshtarët pasi ata janë një skuadër e mirë”, tha Musacchio. Milani do të shkojë në derbi me moral të ulët, duke qenë se vjen pas dy humbjeve, ndaj Sampdorias dhe Romës në “San Siro” dhe do të kërkojë të rikthehet te fitorja.
Nikola Kaliniç është larguar më herët nga qendra stërvitore e Milanit dhe është në dyshim për derbin kundër Interit. Sipas “Premium Sport”, sulmuesi i Kroacisë, Nikola Kaliniç, është në dyshim për derbin e së dielës “della Madonnina”, pasi ka lënë më herët qendrën stërvitore të Kuqezinjve. Lojtari nuk u stërvit as natën e kaluar dhe kjo jep sinjale negative në kampin e Kuqezinjve para ndeshjes tejet të rëndësishme për Milanin, por edhe Montellan, që rrezikon shkarkimin.