Eliminatoret e Amerikës së Jugut, me 3 skuadra dhe vendi në play off që u përcaktuan në ndeshjet e fundit kanë krijuar jo pak dyshime sa i përket tolerimeve të mundshme, pagesave për skuadrat e mbetura jashtë gare, por dhe pakteve mes lojtarëve në fushën e lojës në përballjet direkte mes ekipeve që pretendonin për një vend në botërorin rus. Nën akuzë kanë përfunduar pothuajse të gjitha sfidat, ku më e përfolura është ndeshja mes Perusë dhe Kolumbisë e luajtur në Lima, ku futbollisti i Monacos, Radamel Falcao u kap disa herë nga kamerat, duke i folur nën zë lojtarëve peruanë, pasi barazimi 1-1 ishte rezultati më i mirë për të dyja kombëtaret, sepse lejonte Kolumbinë të kalonte direkt dhe Perunë të shkonte në play off, ku nuk pritet ta ketë shumë të vështirë ndaj Zelandës së Re, duke kërkuar rikthimin në botëror për herë të parë që prej 1982. Marrëveshja në fushë u arrit, pasi u mësua se Brazili nuk po lëshonte aspak ndaj Kilit, me Selecaon që fitoi 3-0 sfidën e saj, ndërkohë që dhe Ekuador-Argjentinë gjithashtu përflitet si e toleruar nga ana e vendasve që nuk kishin asnjë objektiv. Që përpara ndeshjes, në media të ndryshme u shkruajt se, lojtarët e Ekuadorit po paguheshin me valixhe me para, gjë që u mohua kategorikisht nga trajneri i vendasve Horge Seliko. Gjithashtu dhe trajneri i Venezuelës, Dudamel përpara ndeshjes me Paraguajin akuzoi vendasit se po përpiqeshin të korruptonin lojtarët e tij nëpërmjet favoreve seksuale. Gjithsesi, Venezuela bëri detyrën, duke fituar 1-0 në transfertë e duke mos lejuar Paraguajin të shkonte në Botërorin rus.
Manchester City, Aguero thërret Mesin
Sergio Aguero ëndërron Lionel Mesin si partner sulmi tek Mancehster City. Argjentinasi është i vetëdijshëm se klauzola prej gati 300 milionë eurosh që parashikon kontrata e Mesit me Barcleonën me qëllim parandalimin e largimit të tij, është një mur i vështirë për t’u kapërcyer, por jo i pamundur për klubin e tij:
“Do të ishte fantastike të ishim shokë skuadre tek Manchester City edhe pse është shumë e komplikuar. Gjithsesi, problemi nuk mendoj se do të ishte financiar, pasi paratë nuk janë një problem për këtë klub, por mendoj se Mesi ashtu si dhe Ronaldo është një lojtar ikonë, simbol tek klubi i tij dhe largimin ndoshta do ta mendonte me kosto morale”, tha Aguero.
Në fakt është përfolur shumë gjatë kohëve të fundit mundësia e një aventure të re për yllin argjentinas me anglezët e Manchester Cityt dhe Aguero nuk do të ishte i vetmi që do të lumturohej me praninë e gjigantit 30-vjeçar, i cili i vetëm i siguroi suksesin dhe kualifikimin e Kombëtares së tij në Botërorin Rusi 2018. Mbetet për t’u parë, pasi çdo gjë mund të ndodhë.
Murinjo, rinovim “faraonik”

Manchester United kërkon të blindojë portugezin Jose Mourinhon me mega kontratën prej 75 milionë eurosh deri në vitin 2022. Tekniku i djajve të kuq nuk duket të ketë kundërshtime dhe pritet të firmosë kontratën që do të përkthehet në ndalesën më të gjatë të karrierës së tij. Manchester United ka fluturuar këtë sezon në drejtimin e Mourinhos, me klubin e “Old Trafford” që ndan vendin e parë të klasifikimit të Premierës Leagues me Manchester City.
54-vjeçari portugez është trajneri më mirë i paguar në botën e futbollit, përkrah kolegut dhe rivalit të Manchester Cityt, Pep Guardila, me të dy teknikët që respektivisht fitojnë plot 250 mijë paund në javë. Kjo pagesë pritet të mbetet e njëjtë për Mourinhon, por shpërblimi, i tij në rast trofesh dhe fitoresh do të ngjitet në stratosferë. Detajet e fundit të kontratës janë ende duke u përpiluar.
Në verën e vitit 2016, Mourinho firmosi kontratën trevjeçare me United, por si drejtuesit e klubit anglez ashtu edhe vet tekniku janë të bindur se kanë një partneritet ideal, ndaj palët janë shumë të kënaqura për zgjatjen e afatit kohor të bashkëpunimit. Progresi i Mourinhos me këtë ekip në vetëm 1 vit e gjysëm ka impresionuar drejtuesit anglez si dhe ka bërë që të fitojë afeksionin e tifozëve, të cilët do ta kenë teknikun edhe për 5 vitet e ardhshme.
Deulofeu drejt rikthimit te Milani
Gerard Deulofeu mund të rikthehet në Serinë A, në ekipin ku shkëlqeu vitin e kaluar. Pavarësisht se u rible nga Barcelona në verë, sulmuesi spanjoll nuk gjen hapësira te katalanasit dhe për të luajtur titullar mund të rikthehet te Milani. Mësohet se drejtuesit e Barcelonës kanë fiksuar në 20 mln euro çmimin e 23-vjeçarit spanjoll, teksa Milani po përgatit ofertën. Operacioni mund të përshpejtohet që në janar nga ana e kuqezinjve për të mos rritur konkurrencën për Deulofeun në verën e ardhshme.
Handanoviç gati për derbin
Samir Handanoviç gati për derbin e Madoninës. Gardiani i Interit ka folur në lidhje me supersfidën e fundjavës atë kundër Milanit. Slloveni është shprehur se ekipi ka vetëm një objektiv, të fitojë dhe një gjë e tillë është e arritshme pasi skuadra po kalon një moment të mirë. Handanoviç gjithashtu shtoi se Inter ka arritur të bëjë hapa para gjatë këtyre muajve, por thekson se duhet të qëndrojnë me këmbë në tokë pasi kampionati është i gjatë.
“Derbi është një ndër takimet më speciale. Gjatë këtyre muajve kemi ecur përpara, por ende nuk kemi arritur asgjë. Ka vend për përmirësim. Ndaj Milanit duhet të bëjmë kujdes, pasi kanë formuar një skuadër me elementë cilësorë që mund të ndëshkojnë në çdo moment. Duhet të jemi të vëmendshëm dhe të japim maksimumin nëse duam të fitojmë përballë tyre. Jemi një skuadër më e fortë në krahasim nga sezoni i kaluar, këtë e them jo vetëm për shkak të renditjes, por edhe për mënyrën se si luajmë”, u shpreh ai.
Më pas gardiani zikaltër foli për teknikun Spalleti, por edhe për të ardhmen e tij. Dëshira e tij është të luajë deri në moshën 40-vjeçare, ndërsa për trajnerin u shpreh se i ka dhënë një tjetër imazh skuadrës dhe se është njeriu i duhur për të çuar Interin përpara.
“Spalleti është trajner fantastik. Po bën një punë shumë të mirë me të gjithë ne. Performanca e Interit në këto javë të para në kampionat sigurisht që është merita e tij. Personalisht dëshiroj të luaj deri në moshën 40-vjeçare, ku dhe se tek kush ekip, kjo mbetet për t’u parë. Ky është objektivi im personal”, tha Handanoviç.
Drejtuesit e Interit po përgatisin rinovimin e kontratës për sllovenin që do të zgjasë deri më 2021. Pritet që në ditët në vazhdim palët të ulen për të biseduar, si dhe për të gjetur gjuhën e përbashkët.
Reagon Muller!
Sulmuesi i Bajern Mynihut, Thomas Muller insiston se, Karlo Ançeloti nuk duhet të shihet si “kurban” pas shkarkimit nga Bajern. Italiani u shkarkua para dy javësh, për shkak të rezultateve të dobëta në fillim të këtij sezoni. “Skuadra, e cila ishte në fushë nuk ka performuar ashtu siç do të duhej. Ne duhet të jemi realistë rreth kësaj dhe nuk duhet të themi se Karlo Ançeloti u flijua për këtë skuadër”, u shpreh Muller.
Bayern tashmë në vend të Ançelotit ka emëruar trajnerin gjerman, Jupp Heynckes, i cili u kthye nga pensionimi pas katër vite e gjysmë, duke nënshkruar kontratë deri në fund të këtij sezoni. “Shumë nga problemet me të cilat Bajerni përballet i ka krijuar vetë ekipi që nuk ka treguar aspak nivelin që pritej prej tij, për këtë arsye nuk duhet të fajësojmë Karlo Ançelotin e ta cilësojmë atë si idhullin e rremë”, tha Muller.
Deklarata vjen pikërisht nga Thomas Muller, një prej veteranëve të Bajern Mynih, por që shtypi gjerman dhe italian e etiketoi si një prej përgjegjësve që u bënë shkak për largimin e trajnerit Ançeloti.
Prononcimi publik i 28-vjeçarit gjerman krijon polemika sepse ai bashkë me Robben, Riberi dhe Boateng, ishte padyshim një prej të pakënaqurve gjatë menaxhimit të Karlo Ançelotit. Fakti që prej kohësh sulmuesi ishte lënë në stol, ishtë shoqëruar edhe me komente negative të shtypit gjerman, të cilit Ançeloti i ishte përgjigjur se nuk mund t’i garantonte vendin askujt, madje as Thomas Mullerit.
Mbi këtë trajektore të re në të cilën ecin mendimet e gjermanit Muller pas largimit të Ançelotit, ai shton se shpreson që ndyshimi i trajnerit të shoqërohet gjithashtu edhe me ndryshimin e rezultateve. “Shpresojmë që ndryshimi i trajnerit të shoqërohet gjithashtu edhe me ndryshimin e rezultateve. Në fund të fundit për këtë u bë dhe ndryshimi. Ruajmë kujtime shumë të mira nga Heynckes, me të cilin arritëm fitoren e trefishtë. Gjithsesi, duhet të jemi të ndërgjegjshëm se përformancat tona sërish mund të kritikohen sepse problemi kemi qenë vetë ne. Duhet t’i bëjmë, hapat një nga një. Nuk mund të presim katapultimin e ecurisë tonë”, përfundoi Muller.
Arlind RAMA
Etrit Berisha ëndërron trofeun e Europa League
Etrit Berisha po kalon një moment pozitiv në aspektin personal, pasi ka arritur të transformohet në një lider të padiskutueshëm te Atalanta pas 3 sezoneve në dritëhije te Lazio. Tashmë portieri i lindur në Prishtinë është i gjithi në pronësi të skuadrës bergamaske, ku synon të vazhdojë një rrugë të gjatë dhe të suksesshme. Pas rikthimit në Bergamo për shkak të ndalesës së kombëtareve ku ai luajti titullar me Shqipërinë në Spanjë dhe kundër Italisë, tashmë është radha e ekipit zikaltër. Në një intervistë për “Corriere dello Sport”, Berisha thekson se vendi i katërt sezonin e kaluar është një arritje e jashtëzakonshme, por Berisha nuk kënaqet me kaq pasi synon që bashkë me Atalantën të regjistrojnë arritje edhe më të mëdha.
“Fillimi në kampionat ka qenë pozitiv, ndërsa në Europa League kemi grumbulluar 4 pikë në 2 ndeshje. Nuk jemi mësuar të luajmë ndeshje çdo 3 ditë, por falë trajnerit Gasperini kemi arritur të familjarizohemi me këtë kalendar. Ai të lejon të pushosh, por në të njëjtën kohë të lejon të japësh maksimumin sepse kujdeset për çdo detaj. Fitorja ndaj Evertonit na bëri të kuptonim se jemi në rrugën e duhur dhe mund të përballemi si të barabartë edhe me kundërshtarë si Everton apo Lyon. Ëndrra ime është fitorja në Europa League. I kemi të gjitha mundësitë për ta kaluar grupin, por duhet të mendojmë vetëm për ndeshjet e radhës”, thekson numri 1.
Në vijim ai përqendrohet te penalltia që i priti Dybalasë duke e pranuar me modesti se nuk bëri asgjë më shumë se herët e tjera kur ka pritur të tjera penallti. Berisha shton më tej se futbolli italian është shumë i ndjekur në Shqipëri, madje zbulon një detaj duke e pranuar se shumë tifozë të Napolit në vendin tonë e falënderuan për atë penallti që i priti argjentinasit.
Liverpool, Mane 6 javë pushim
Lajme aspak të mira për Liverpool dhe kombëtaren e Senegalit. Sadio Mane ka pësuar një dëmtim serioz në ndeshjen e fundit me kombëtaren në eliminatoret e Botërorit dhe kontrollet konfirmuan se mesfushori me tipare sulmuese duhet të qëndrojë 6 javë pushim. Për Klopp kjo është një goditje e rëndë, pasi Mane do të humbasë 10 ndeshje me Liverpoolin, por edhe Senegali humbet një lojtar të rëndësishëm për dy sfidat eliminatore të Botërorit ndaj Afrikës së Jugut.
E paqartë e ardhmja e Milan Badelj te Fiorentina

Milan Badelj është një nga lojtarët më të rëndësishëm te Fiorentina e Piolit, por në mënyrë paradoksale është kthyer edhe në një problem për klubin. Mesfushori kroat është në vitin e fundit të kontratës me klubin vjollcë dhe bisedimet me drejtuesit nuk kanë patur asnjë avancim për një fund të lumtur. Dhjetori do të jetë muaji deçiziv për të arritur një akord, pasi Pioli e dëshiron Badelj me çdo kusht në ekip dhe nëse nuk do të ketë marrëveshje, lojtari mund të zgjedhë ekipin e ri që në merkaton e dimrit.
Carvajal, drejt shërimit nga problemet kardiake
Virusi që i shkaktori probleme me zemrën mbrojtësit të Reali të Madridit, Dani Carvahal është zhdukur. 25-vjeçari iu nënshtrua trajtimeve të specializuara, të cilat kanë dhënë efekt. Sidoqoftë trajtimi ende nuk mund të konsiderohet 100% i përfunduar pasi mjekët që po merren me Carvahal kanë vendosur që lojtari të vazhdojë të jetë nën kujdesin e tyre derisa gjendja e tij të stabilizohet. Mbrojtësi prej 30 shtatorit ka braktisur çdo aktivitet fizik. Carvahal vuan nga një lloj virusi që në rast mostrajtimi përbën rrezik të madh për lojtarin, çka do t’i shkaktonte atij aritmi, si dhe pasoja akoma edhe më të rënda. Sidoqoftë stafi mjekësor duket optimist për gjendjen shëndetësore të 25-vjeçarit dhe trajtimi po ecën me ritme të kënaqshme. Në fillim frika ishte e madhe, pasi mendohej që spanjollit do t’i duhej ta braktiste përgjithmonë futbollin në një moshë fare të re. Sidoqoftë situata tashmë duket drejt normalizimit dhe ndoshta Carvahal shumë shpejt do të ketë mundësi t’i bashkohet sërish pjesës tjetër të grupit.