Milan Badelj është një nga lojtarët më të rëndësishëm te Fiorentina e Piolit, por në mënyrë paradoksale është kthyer edhe në një problem për klubin. Mesfushori kroat është në vitin e fundit të kontratës me klubin vjollcë dhe bisedimet me drejtuesit nuk kanë patur asnjë avancim për një fund të lumtur. Dhjetori do të jetë muaji deçiziv për të arritur një akord, pasi Pioli e dëshiron Badelj me çdo kusht në ekip dhe nëse nuk do të ketë marrëveshje, lojtari mund të zgjedhë ekipin e ri që në merkaton e dimrit.
E paqartë e ardhmja e Milan Badelj te Fiorentina

Carvajal, drejt shërimit nga problemet kardiake
Virusi që i shkaktori probleme me zemrën mbrojtësit të Reali të Madridit, Dani Carvahal është zhdukur. 25-vjeçari iu nënshtrua trajtimeve të specializuara, të cilat kanë dhënë efekt. Sidoqoftë trajtimi ende nuk mund të konsiderohet 100% i përfunduar pasi mjekët që po merren me Carvahal kanë vendosur që lojtari të vazhdojë të jetë nën kujdesin e tyre derisa gjendja e tij të stabilizohet. Mbrojtësi prej 30 shtatorit ka braktisur çdo aktivitet fizik. Carvahal vuan nga një lloj virusi që në rast mostrajtimi përbën rrezik të madh për lojtarin, çka do t’i shkaktonte atij aritmi, si dhe pasoja akoma edhe më të rënda. Sidoqoftë stafi mjekësor duket optimist për gjendjen shëndetësore të 25-vjeçarit dhe trajtimi po ecën me ritme të kënaqshme. Në fillim frika ishte e madhe, pasi mendohej që spanjollit do t’i duhej ta braktiste përgjithmonë futbollin në një moshë fare të re. Sidoqoftë situata tashmë duket drejt normalizimit dhe ndoshta Carvahal shumë shpejt do të ketë mundësi t’i bashkohet sërish pjesës tjetër të grupit.
Cikalleshi në orbitën e Lacios
Sulmuesi i kombëtares shqiptare dhe klubit Osmanlispor, Sokol Cikalleshi, pasi u bë blerja më e shtrenjtë për ekipin turk, tashmë duket se po vëzhgohet edhe nga ekipi kryeqytetas italian, Lacio. Në një intervistë për “Lalaziosiamonoi.it”, menaxheri Emre Gumusdograjan tha se kavajasi ndihet i nderuar për fjalët që pati thënë drejtori Igli Tare, pasi ky i fundit deklaroi se Cikalleshi është një sulmues që ia vlen të ndiqet.
“E dëgjova çfarë tha Tare dhe është një nder për ne. Ende askush nuk më ka sjellë përpara diçka zyrtare, por nëse vjen, Lacio do ishte një kulm në karrierën e Cikalleshit. Gjithsesi, ai sapo ka firmosur një kontratë të rëndësishme me Osmanlisporin dhe për momentin është i përqendruar plotësisht tek ekipi i tij”, u shpreh menaxheri. Sezonin e kaluar, Cikalleshi shënoi 10 gola dhe dha 5 asiste në 27 ndeshje për Bashakshehirin.
‘Korrupsioni, i përhapur në të gjitha nivelet e pushtetit’
Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Shaip Havolli, ka thënë se ka ngecje sa i përket luftimit të korrupsionit në vend, dhe se kjo paraqet problem sa i përket edhe çështjes liberalizimit të vizave. “Sa i përket korrupsionit janë të përfshirë të gjitha nivelet, duke filluar nga niveli lokal deri te niveli i lartë. Domethënë të gjitha profilet janë të përfshirë në korrupsion, qoftë nga e kaluara që kam pasur informacione, qoftë tash nga pozita e drejtorit që jam tash”, ka thënë Havolli në RTV “Dukagjini”. Sipas drejtorit të Agjencisë Kundër Korrupsionit, këto ngecje me korrupsionin janë nga viti në vit, dhe zyrtarë të Bashkimit Evropian dhe të tjerë po kërkojnë të luftohet korrupsioni në nivele të profileve të larta. “Të gjithë zyrtarët e lartë të BE-së kërkojnë luftimin e korrupsionit të nivele e profileve më të larta dhe kjo është një pikë shumë e rëndësishme dhe kërkojnë që prioritet të jetë luftimi i korrupsionit në nivelet më të larta”, ka deklaruar Havolli, përcjell “Telegrafi”. Sipas tij, korrupsioni mbetet sfidë për institucionet që kanë përgjegjësi për luftimin e saj dhe se kjo duhet të merret seriozisht nga të gjitha palët, sepse edhe në raportet ndërkombëtare për Kosovën problematika e luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar mbetet sfidë.
KLSH: DAP po pengon reformën në administratë
Hedhja e të dhënave në sistem pengon zbatimin e reformës në administratë. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka ngritur si shqetësim hedhjen e të dhënave të punonjësve të administratës në sistemin informatik të menaxhimit të burimeve njerëzore. Nga auditi rezulton se në sistem janë vetëm 55% e të dhënave. Njësitë e qeverisjes vendore janë ato që kanë nivelin më të ulët të plotësimit të të dhënave. Nisur nga kjo, KLSH ka rekomanduar që Departamenti i Administratës Publike të përdorë të gjithë mekanizmat ligjorë që disponon, për të detyruar institucionet të përfundojnë procesin e plotësimit të dhënave. Departamenti i Administratës Publike po pengon zbatimin e reformës në administratë. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka realizuar një auditim për periudhën prill-maj 2017 ku ka konstatuar se në Sistemin Informatik të Menaxhimit të Burimeve Njerëzore janë hedhur vetëm 55% e të dhënave të punonjësve të administratës që kanë lidhje me arsimin, kualifikimin apo trajnime të ndryshme.
Njësitë e qeverisjes vendore janë institucionet që kanë nivelin më të ulët të hedhjes së të dhënave në këtë sistem. Por ka edhe një sërë ministrish, të cilat ende nuk kanë hedhur të dhënat e plota midis të cilave Ministria e Brendshme, Ministra e Jashtme si dhe Ministria e Arsimit. Sipas KLSH-së, efektiviteti dhe efiçensa e këtij sistemi nuk është arritur dhe nuk dihet ende kur mund të arrihet. Nisur nga këto të dhëna, KLSH argumenton se DAP nuk ka kryer monitorime apo auditime të procesit të plotësimit me të dhëna nga ana e institucioneve përdoruese në sistem.
Nisur nga këto shkelje, Kontrolli i Lartë i Shtetit rekomandon që Departamenti i Administratës Publike të marrë të gjitha masat e nevojshme dhe të ushtrojë kompetencat e tij monitoruese dhe audituese për të evidentuar problematikat, me qëllim adresimin e tyre dhe formulimin e zgjidhjeve efektive dhe efiçiente. Gjithashtu KLSH rekomandon që Departamenti i Administratës Publike të marrë të gjitha masat e nevojshme dhe të ushtrojë kompetencat e tij për të evidentuar institucionet, të cilat ende nuk kanë plotësuar sistemin me të dhëna, duke u kërkuar përmbushjen e detyrimit të tyre ligjor. Bërja plotësisht funksionale e sistemit dhe lidhja e tij me Sistemin e Thesarit kanë qenë prioritete të përcaktuara edhe në Progres-Raportet e Komisionit Evropian për Shqipërinë.
Remitancat, 75% e tyre vijnë nga Italia
Prurjet e emigrantëve janë një e ardhur e konsiderueshme për vendet në zhvillim të Europës, duke përshirë edhe Shqipërinë. Sipas të dhënave të Bankës Botërore që janë përpunuar nga Banka Qendrore Europiane, Shqipëria merr 75 për qind të remitancave nga Italia. Kështu vendi ynë ka varësinë më të lartë nga një shtet i vetëm për prurjet e emigrantëve.
Nga të dhënat shihet se pjesa tjetër rreth 14 për qind vijnë nga SHBA, 6 për qind nga Gjermania, 2 për qind nga Britania. Ekonomia shqiptare ka përqendrim të lartë me Italinë fqinje si në drejtim të tregtisë së mallrave, shërbimeve dhe siç shihet së fundmi edhe të prurjeve nga emigrantët. Një ekspozim i tille rrit shanset për transmetimin më të shpejtë të krizave ekonomike në shtetin fqinjë drejt nesh.
Në vendet e tjera të Rajonit shihet se, prurjet nga emigrantët janë më të diversifikuara. Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë furnitorët kryesore të rajonit me remitanca. Bullgaria bën përjashtim, pasi rreth 58 për qind të remitancave i merr nga Turqia.
Remitancat pritet të vijojnë me rritje për vendet në zhvillim, sidomos për vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, njoftoi Banka Botërore në edicionin më të fundit mbi pritshmëritë e prurjeve te emigrantëve.
Banka vlerëson se remitancat e regjistruara zyrtarisht në vendet në zhvillim pritet të rriten me 4.8 për qind, për të arritur në 450 miliardë dollarë për vitin 2017. Në Shqipëri remitancat pritet të rriten me 1.8 për qind, duke shkuar në 1,07 miliardë dollarë në fund të vitit 2017 nga 1,05 miliardë dollarë që ishin më 2016.
Paratë që emigrantët, të cilët punojnë jashtë vendit kanë sjellë tek të afërmit në fshatrat dhe qytetet shqiptare në gjashtë muajt e parë të vitit kanë shënuar rritje të lehtë në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, prurjet e emigrantëve për periudhën janar-qershor ishin 298 milionë euro, me një rritje të lehtë prej 3% në krahasim me gjashtëmujorin e parë 2016.
Banka Botërore analizon se rimëkëmbja në fluksin e remitancave po nxitet nga një rritje relativisht më e fortë në Bashkimin Evropian, në Federatën Ruse dhe Shtetet e Bashkuara. Për pasojë, rajonet që presin edhe fluksin më të lartë të remitancave janë Afrika e Sub-Sahariane, Evropa dhe Azia Qendrore, Amerika Latine dhe Karaibet.
Në vendet e Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit (GCC), shtrëngimi fiskal, për shkak të çmimeve të ulëta të naftës dhe politikat që shkurajojnë rekrutimin e punëtorëve të huaj, do të dëmtojnë fluksin e remitancave në Azinë Lindore dhe Jugore.
Në mesin e përfituesve të mëdhenj të remitancave, India ruan vendin e parë, ku pritet të arrijnë në 65 miliardë dollarë këtë vit, pasuar nga Kina (61 miliardë dollarë), Filipinet (33 miliardë dollarë), Meksika (një rekord prej 31 miliardë dollarësh).
Shqipëria në krizë urie, në grupin e botës së tretë
Shqipëria po përjeton ditë të rënda migjeniane ku kriza e urisë duket se po përfshin gjithë vendin duke gjunjëzuar familjet shqiptare në një betejë të përditshme për bukën e gojës.
Janë shifrat e indeksit global të urisë që i përplasin në fytyrë qeverisë Rama tablonë e errët ku ka katandisur çdo familje të thjeshtë shqiptare sot.
Shqipëria në sytë e botës dhe Europës është një vend që vuan urinë, dhe vendi më problematik në kontinent në këtë drejtim.
Këto përfundime shfaqen në raportin e Institutit Ndërkombëtar të Politikave dhe Kërkimit ushqimor që ka publikuar së fundmi “Indeksin e urisë 2017”.
Raporti merr në vlerësim 119 vende, dhe Shqipëria është një ndër 10 vendet europiane të ekzaminuara.
Ndër këto 10 vende europiane, rezulton e fundit, e po ashtu rezulton e fundit në rajon, pas vendeve si Maqedonia, Bosnje Hercegovina, Mali i Zi apo Serbia.
Këtë fakt e ilustron mjaft mirë edhe harta, ku ngjyra jeshile e hapur tregon një nivel të moderuar të urisë, ndërkohë që ngjyra e gjelbërt tregon një nivel të ulët të urisë.
Në raportin e këtij viti, Shqipëria renditet e 48-ta në botë, dhe se mbetet e fundit në Europë, pranë vendeve të botës së tretë.
Pjesë e raportit janë ekonomi jo shumë të zhvilluara, ndërkohë që pjesën dërrmuese e zënë vendet e cilësuara ndryshe si të botës së tretë. Me një indeksim ku norma më e lartë tregon performancë më të dobët, Shqipëria në vitin 2017 grumbullon 11.1 pikë nga 11.8 pikë që grumbullonte në vitin 2016, por sërish kjo spërbën asnjë diferencë në atë që Shqipëria po vuan sot, krizën e urisë.
Por nuk është vetëm indeksi global. Shqipëria shpërfaqet si një nga vendet më të varfëra të Europës në çdo raport ndërkombëtar të institucioneve që merren me çështje ekonomike dhe sociale.
Oxfam, një nga institutet më prestigjioze në botë për kërkimet ekonomike, e ka renditur qeverinë shqiptare si qeverinë e katërt më të keqe të botës në luftën kundër pabarazisë. Në raportin e këtij viti, Oxfam krahason qeveritë e 154 vendeve të botës sipas angazhimit të tyre për të luftuar pabarazinë.
Qeveria shqiptare renditet në zonën e turpit, krahas vendeve si Nigeria, Bahreini dhe Mianmari. Këto janë vende, pasuria e të cilave zotërohet nga një grusht i vogël njerëzish dhe ku qeveritë, jo vetëm që nuk bëjnë asgjë për të luftuar pabarazinë, por me politikat e tyre favorizojnë oligarkët. Sipas raportit, në vendin e parë si qeveria më e angazhuar dhe më e suksesshme në luftën kundër pabarazisë renditet ajo e Suedisë. Në dhjetë vendet e para figurojnë vetëm vendet e Europës Perëndimore, përfshirë Francën, Gjermaninë dhe Austrinë. Ndërsa në 10-tëshen e fundit të tabelës, përveç qeverisë shqiptare qëndrojnë ajo e Nigerisë, Tongës, Buthanit, Panamasë etj.
Shqipëria renditet si vendi me shkallën më të lartë të varfërisë në Ballkanin Perëndimor dhe në Erupë. Banka Botërore në raportin e saj për vitin 2016, vëren se gati gjysma e popullsisë së Shqipërisë jeton në kushtet e varfërisë së moderuar.
45.5% e shqiptarëve jetojnë me më pak se 5 dollarë në ditë, citon raporti i Bankës Botërore. Kurse, vendet e tjera të rajonit si Mali i Zi, Maqedonia dhe Serbia janë në nivele shumë herë më të ulta të varfërisë, karahasuar me vendin tonë, po sipas të njëjtit raport.
Nga ana tjetër, përafërsisht, një në gjashtë shqiptarë, ka një kredi në një prej bankave tregtare në vend. Të paktën në këtë përfundim arrin Fondi Monetar Ndërkombëtar, që sapo ka publikuar anketën e aksesit financiar 2017, që është një ndër mekanizmat më të saktë dhe më të detajuar të fondit, sa i përket aksesit të njerëzve në sektorin financiar në secilën prej 180 ekonomive të ndryshme të botës.
Indikatori që mat numrin e huamarrësve për 1000 banorë, për Shqipërinë fiksohet në 157.8 për vitin 2016, dhe në rritje të ndjeshme në krahasim me vitin paraardhës, kur fiksohej në vetëm 146.94 kreditorë për çdo 1000 banorë, çka përkthehet në 1 në 7 shqiptarë përafërsisht. Të dhënat e fondit monetar ndërkombëtar për këtë indikator janë ndër vite, dhe paraqesin një situatë mjaft interesante. Rezulton se, në vitin 2005, pra 12 vite më parë, vetëm 1 në 31 shqiptarë, kishte një kredi.
Përveç viteve 2009, 2013 dhe 2015, në të gjitha vitet e tjera, indikatori ka pësuar rritje të ndjeshme në krahasim me vitin paraardhës.
Të dhënat e publikuara nga Fondi Monetar Ndërkombëtar argumentojnë me shifra nevojën në rritje për financim, lehtësinë e kredidhënies nga bankat tregtare me kalimin e viteve, paçka se bëhet fjalë për një periudhë të shkurtër kohe, afro një dekadë, si dhe evoluimin e ekonomisë shqiptare, e sidomos asaj familjare gjatë kësaj periudhe kohore.
Malaj: TVSH tek biznesi i vogël rrit informalitetin
Profesor Arben Malaj, i cili ka qenë ministër i Financave në periudhat 1997-1998, dhe 2003-2005 ka komentuar për “Monitor” lidhur me projektin e fundit të qeverisë për heqjen e pragut të TVSH-së për biznesin e vogël.
Malaj pohoi se nuk ka një përgjigje të prerë nëse është një lëvizje e mirë apo jo. “Në botë gjen praktika të ndryshme”, thotë ai.
Ndërsa nuk është bërë ende e qartë se çfarë praktike do të ndiqet, nëse është e vendosur që do të jetë TVSH që nga zero, Malaj tërheq vëmendjen që kjo çështje u shtrua për diskutim pa pasur një transparencë të qartë dhe një draft se si do të procedohet.
Ndonëse kjo praktikë po bëhet, sipas argumenteve të qeverisë për të luftuar informalitetin, Malaj e pranon se kjo është një sfidë e vështirë dhe praktika ka treguar që kur i fut të gjitha bizneset njëherësh në një skemë, kjo të çon në rritjen e informalitetit.
Ai është i mendimit që të ketë një prag dhe për pjesën tjetër, që do të hyjë në skemë, të ketë një shtrirje në kohë për të zbatuar hyrjen e këtyre subjekteve në TVSH. Mbi të gjitha, procedura për mbajtjen e kontabilitetit duhet të thjeshtohet, ndërsa kontrollet e administratës duhet të jenë lehtësuese dhe jo penalizuese. Këtë e mësuam dhe nga ajo që ndodhi me aksionin kundër informalitetit në shtator të vitit 2015, ku profesor Malaj dhe në atë kohë u shpreh hapur kundër agresivitetit dhe përqendrimit te biznesi i vogël.
Ndërsa rritja e çmimeve sipas tij nuk është shumë shqetësuese dhe nëse ndodh do të jetë e përkohshme, (siç ndodhi psh në rastin e Italisë kur u zëvendësua lireta me euron) problemi qëndron diku tjetër. “Më tremb rritja e kostos së biznesit dhe ushqimi i informalitetit, që do të vijë nga komplikimi i procedurave”.
Sot 80% e biznesit jep vetëm 15% të të ardhurave, ndërsa pjesa tjetër jep 85% të të ardhurave, ndaj pyetja shtrohet nëse ia vlen angazhimi i administratës dhe kostot që do të lidhen me kontrollin e shtuar për bizneset e vogla.
Malaj kujton se në vitin 1997, kur ai ishte ministër i Financave, FMN kërkoi rritjen e pragut të TVSH-së nga 2 në 5 milionë lekë. “Në atë kohë unë isha kundër, por FMN argumentoi, nisur nga përvoja botërore, se Shqipëria nuk mund të mbante nivele të ulët të pragut, pasi numri i madh i bizneseve që do të futej në skemë do të ushqente fenomenin e informalitetit”.
Edhe aktualisht FMN është e mendimit se nuk është eficiente ulja e pragut të TVSH-së, pasi kjo rrit kostot administrative dhe sjell shumë pak të ardhura shtesë në buxhet.
Malaj ka një mesazh të fundit që informaliteti nuk zgjidhet duke goditur biznesin, por duke e lehtësuar atë. Edhe fituesi i fundit i çmimit Nobel këtë mesazh dha, përfundon ai.
Hendeku i pabarazisë
“The Guardian”
Norma më e lartë e tatimit mbi të ardhurat për të pasurit do të ndihmonte në zvogëlimin e pabarazisë pa pasur një ndikim negativ në rritjen e ekonomisë, deklaroi Fondi Monetar Ndërkombëtar. FMN-ja me seli qendore në Uashington përdori monitorimin e saj fiskal gjysmëvjeçar për të kundërshtuar argumentin, se rritja ekonomike do të vuante nëse qeveritë e vendeve të përparuara perëndimore do ta detyronin 1 për qindëshin e të pasurve të paguante më shumë taksa. FMN-ja vazhdoi më tej, duke thënë se sipas teorisë së taksave, për personat me të ardhura shumë të larta duhet të kishte rrjedhimisht edhe norma shumë të larta taksimi, por argumenti i cili e hidhte poshtë një gjë të tillë ishte se një lëvizje e tillë do të ndikonte negativisht në rritjen e ekonomisë.
Por sipas institucionit me ndikim të lartë global “rezultatet empirike nuk e mbështesin këtë argument, të paktën për nivelet e progresivitetit që nuk janë të tepruara”. FMN-ja shtoi gjithashtu se disa lloje të ndryshme të taksave të pasurisë duhet të merreshin parasysh. Partia Laburiste është duke lobuar fort për vendosjen e taksave më të larta për të pasurit, duke theksuar edhe ndërhyrjen e FMN-së, si një dëshmi për të pasur një sistem sa më të drejtë tatimor. Kjo parti propozoi një taksë të re prej 45 për qind për të gjithë ata që fitonin më shumë se 80,000 paund dhe një taksë të re prej 50 për qind për të gjithë ata që fitonin më shumë se 123,000 paund.
John McDonnell, kancelari në hije i Laboristëve u shpreh se FMN-ja mbështet argumentin që kemi bërë në zgjedhjet e përgjithshme për një sistem më të drejtë tatimor. Nuk kemi pse të vazhdojmë të mbështesim akoma ata që kanë frikë nga fakti që të pasurit duhet të paguajnë edhe më shumë taksa. Ai shtoi se jo vetëm që Konservatorët kanë ulur normën më të lartë të taksave, por ata ende planifikojnë miliarda në dhënien e taksave për korporatat super të pasura dhe të mëdha. Pavarësisht nga pretendimet e ministrave se planet e reja mbi sistemin tatimor të Laburistëve, do të jenë të dëmshme si nga ana ekonomike ashtu edhe nga ana politike, z. McDonnell beson se vendosja e taksave më të larta për të pasurit do të gjejë mbështejte të madhe në popull.
Çdo ditë që kalon rritet edhe nevoja që Departamenti i Thesarit të Shtetit të bëjë disa ndryshime të caktuara. Në vend që të angazhohet me çështje aspak të nevojshme brenda partisë së tij, kancelari duhet të dëgjojë thirrjet e laburistëve për vendosjen e një sistemi tatimor sa më të drejtë dhe rritjen e investimeve, në mënyrë të tillë që edhe të ekzistonte mundësia që të ndërtohej një ekonomi për shumicën dhe jo për pakicën.
Theresa May ka sulmuar në mënyrë të përsëritur qasjen e Laburistëve, duke e etiketuar atë si ekstremiste dhe duke thënë se Corbyn and McDonnell janë pjesë e “Planetit tjetër në Venezuelë” dhe jo në Britani. Por kryeministrja britanike ka pranuar gjithashtu gjatë një mbledhjeje të vogël në konferencën e partisë së saj në Mançester se opinioni publik duket se mbështet më shumë disa nga idetë ekonomike të laburistëve në krahasim me ato të strategëve konservativë.
“Ne menduam se kishte një konsensus politik dhe Jeremy Corbyn e ndryshoi këtë”, tha ajo. Me Philip Hammond në prag të dorëzimit të buxhetit të tij muajin e ardhshëm, është e paqartë nëse qeveria do të shtyjë ende shkurtimet e premtuara të taksave për shtresën më të pasur, duke përfshirë plane për rritjen e pragut të normës më të lartë për tatimin me të ardhura që shkojnë deri në 50,000 paund.
Monitorimi fiskal nuk veçon asnjë shtet dhe nuk specifikon se në çfarë niveli qeveritë duhet të përcaktojnë normën e re të tatimit për më të pasurit, po tha se taksa më e lartë për të pasurit ishte e nevojshme për të zvogëluar pabarazinë në rritje të të ardhurave, argument ky i përdorur nga z. McDonnell dhe Jeremy Corbyn. Sipas FMN-së ekonomitë më të përparuara në Perëndim kishin përjetuar një rritje të konsiderueshme të pabarazisë së të ardhurave gjatë tre dekadave të fundit, të nxitura kryesisht nga rritja e të ardhurave të 1% të shtresës më të pasur.
Tradicionalisht, qeveritë kanë kërkuar që shoqëritë e tyre të jenë sa më pak të pabarabarta, duke vendosur norma më të larta të tatimit mbi të ardhurat për të pasurit dhe duke i përdorur të ardhurat që gjenerohen në ndihmë të atyre që kanë më shumë nevojë, qoftë në mënyrë të drejtpërdrejtë apo nëpërmjet shërbimeve publike. Në një blog të FMN-së, kreu i njësisë së çështjeve fiskale të FMN-së, Vitor Gaspar, tha se shkalla mesatare e tatimit mbi të ardhurat për vendet e pasura të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik ka rënë nga 62% në 1981 në 35% në vitin 2015.
“Përveç kësaj, sistemet e taksave janë më pak progresive sesa tregohen nga normat statutore, sepse individët e pasur kanë më shumë akses në lehtësimin e taksave”. Ajo çka është më e rëndësishme është se ne duhet të gjejmë se disa ekonomi të përparuara mund të rrisin progresivitetin pa penguar rritjen, përderisa progresiviteti nuk është i tepruar, tha ai më tej. Kërkimet e fundit të FMN-së zbuluan se në periudhën midis 1985 dhe 1995, rishpërndarja përmes sistemit tatimor kishte ndikuar në 60% të rritjes së pabarazisë të shkaktuar nga forcat e tregut. Por midis viteve 1995 dhe 2010, sistemet e tatimit mbi të ardhurat dështuan t’i përgjigjen rritjes së vazhdueshme të pabarazisë. Pavarësisht progresit, hendeqet e mëdha në qasjen ndaj një arsimi më cilësor dhe shërbimeve shëndetësore ndërmjet grupeve me të ardhura të ndryshme të popullsisë vazhdojnë të mbeten të shumta në shumë vende. Shpenzimet më të mira publike mund të ndihmojnë, për shembull, duke rialokuar arsimin ose shpenzimet shëndetësore nga të pasurit tek të varfërit, duke e mbajtur të pandryshuar arsimin e përgjithshëm publik ose shpenzimet shëndetësore, shtoi më tej z.Gaspar. Por raporti gjithashtu theksoi rrezikun e mbështetjes së tejzgjatur monetare, e cila mund të çojë në ndërtimin e ekseseve të mëtejshme financiare. Sipas një zëdhënësi të Thesarit të Shtetit “Një sistem i drejtë taksash është një pjesë kritike e planit tonë për të ndërtuar një shoqëri sa më të drejtë”.
Njeriu me kartelë është rëndë, organizon protestë për vendosjen e TVSH-së biznesit të vogël
Njeriu me kartelë në krye të qeverisë është në gjendje të rëndë. Për të parën herë në histori organizon një protestë në vendosje të TVSH për 80 mijë bizneset e vogla.
Kjo nuk kishte ndodhur më parë. Sot qeveria ka mbledhur administratën dhe i ka nxjerrë në rrugë kundër popullit.
Duket që kjo është një protestë nën kujdesin e qeverisë dhe policisë për të justifikuar vendosjen e TVSH-së për biznesin e vogël, taksë që prek mbi 500 mijë familje shqiptare.
“Protestuesit” kundër informalitetit janë ata që vjedhin taksat e shqiptarëve çdo ditë, janë administratë e mbushur me militante që sot janë urdhëruar të bëjnë këtë marshim të shëmtuar për të justifikuar vendosjen e TVSH-së për biznesin e vogël.