Gazetari Flamur Vezaj ka bërë publike sot një dëshmi tronditëse në lidhje me kërcënimin e rektorit të Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni. Sipas gazetarit të kronikës, në zgjedhjet e bëra për rektorin e Universitetit ishin gërshetuar shumë interesa ekonomike, por sidomos ajo e pronësisë së fushës tek Qyteti “Studenti”.
Sipas gazetarit Vezaj, në këtë pazar është përfshirë edhe zv/rektori sot zv/ministri i Arsimit, Ervin Demo, i cili kishte premtuar se nëse Mynyr Koni nuk do të zgjidhej rektor i Universitetit të Tiranës, atëherë fusha e zezë në Qytetin “Studenti” do t’i kthehej ‘pronarëve’.
Ja çfarë shkruan Flamur Vezaj në Facebook:
Kush gënjeu në Gjykatë dhe pse u kërcënua Koni!?
Sipas dëshmive të dhëna në Prokurori të këtyre personazheve të rastit E. Shullazit!
Veç humbjes së kujtesës nga pedagogët për personazhin Shullazi të tjerat kanë qenë në sinkron!
Dhori Kule: …Pas kërcënimit fola në telefon me E. Ramën dhe ai më lidhi me S.Tahirin dhe më pas bashkë me L.Nikollën,
H.Çakon e E.Hodaj u takuam ku më premtuan që do ta zgjidhin këtë problem! Tahiri më tha do ta mbyll unë këtë problem! Dy orë pas takimit ka dalë S.Berisha në konferencë për media!…
M.Koni: …Pas kërcenimit kam fol me familjen, më pas me L.Nikollën dhe brenda pak minutash më ka marrë kancelari e më ka thënë se do takohemi me M. Brendshëm me të cilin jam takuar e i kam treguar ngjarjen ku ishte edhe L.Nikolla, H.Çako e E.Hodaj që mbanin shënime ato që thoja. Më pas kam paraqitur dorëheqjen nga kandidimi, por nuk u pranua!
Rreth dy orë më pas S.Berisha doli në media e bëri publike…
L.Nikolla: …Më mori Dh.Kule në telefon dhe më tregoi kërcënimin dhe më pas bashkë me S.Tahirin, H.Çakon e E.Hodaj kemi takuar profesorët që i premtuam se do të ndjekim rrugën ligjore!….
#Pas daljes së S.Berishës në konferencë Policia kërkon nga E.Shullazi të paraqitet në Polici e ai nuk merr mundimin dhe pas kësaj zyrtarët e lartë e dërgojnë te rruga “Kavajës” zv/drejtorin e Policisë së Tiranës dhe me qetësi e dashuri (kamerat e trupit nuk filmonin) e sjellin Shullazin te policia! Pas disa telefonatave me debate e zë të lartë nga brenda Drejtorisë, aty rreth orës 22:45 shkon urdhëri i Prokurorisë për Krime të Rënda për ndalimin e Shullazit! Edhe për këtë pjesë ka pas debate që tashmë i kam thënë dhe përfundimisht Shullazi mbeti në qeli!
#Tani kush e mori vesh i pari, kush e denoncoi e kush gënjen besoj kuptohet kur i lexoni këto reshta!!!
#Ka edhe më shumë kjo histori…pasi janë disa pyetje ende pa përgjigjie, kush kishte interes për mos zgjedhjen e M.Konit Rektor, veç kandidates tjetër K.Dibra, pse kishte refuzuar M.Koni “pazaret” për fushën në hyrje të Qytetit “Studenti”, kush i kishte premtuar “pronarëve” që nëse nuk zgjidhet Rektor M.Koni “pronën” do e merrnin, kush e “punësoi” Shullazin si “përmbarues” në këtë çështje, ç’lidhje ka me ngjarjen ky zv/ministri i ri i Arsimit dikur zv/rektor E.Demo dhe çfarë premtimesh kishte dhënë ai nëse nuk zgjidhet M.Koni Rektor, pse kjo fushë vazhdon e “bllokuar” e të shfrytëzohet nga Bashkia kur me VKM i është kthyer Universitetit të Tiranës, pse nuk realizohet Kampusi Universitar siç ishte premtuar, për çfarë “pazaresh parimore” Bordi i Rektoratit është përplas me M.Konin dhe kanë caktuar administrator, pse Rektorati funksionon me dy vula, kush i pushon kallëzimet e Rektorit në Prokurorin e Tiranës… etj… etj?!?!
Tahiri-Kules: Ta zgjidh unë problemin me Shullazin, çfarë fshihet pas kërcënimit
Hidhet në erë me tritol makina e inspektores së Arsimit në Shkodër
Makina e një inspektorje të Drejtorisë Arsimore në Shkodër është hedhur në erë me tritol. Ngjarja ka ndodhur gjatë natës së martë, ndërsa Policia ka fshehur shkaqet e hedhjes në erë të makinës së zyrtares së Arsimit në Shkodër. Sipas burimeve, mjetit me targë AA 700 IY që i përket Frida Koplikut i është vendosur eksploziv dhe nuk bëhet fjalë për shkëndijë elektrike siç u tha paraprakisht nga Policia.
Makina “Wolkswagen” ka shpërthyer në zonën e njohur ndryshe si zona e “Dollarit”. Sipas infomacionit paraprak të Policisë, shpërthimi i makinës është shkaktuar nga një problem elektrik. Por burimet bënë të ditur se makina ka shpërthyer nga tritoli.
Pas ngjajes, Kopliku ka dhënë dëshminë e saj në polici. Ajo ka deklaruar se nuk ka asnjë konflikt me askënd. Inspektorja është shprehur se nuk e ka idenë se kush ia ka vënë lëndën plasëse në makinë dhe se shpërthimin e ka marrë vesh nga mediat.
Shpërthimi ka qenë i fuqishëm, por për fat nuk ka pasoja në njerëz, por vetëm dëme materiale. Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet paraprake.
Në njoftimin e policisë thuhet se më datë 11.10.2017, rreth orës 00:50, ka ardhur një telefonatë në Sallën Operative se në lagjen “Vojo Kushi” Shkodër, në rrugë është dëgjuar një shpërthim i lehtë. “Menjëhere në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe Shërbimi Zjarrfikës ku kanë konstatur se, si pasojë e shpërthimit kishte marrë flakë mjeti tip “Wolkswagen” në pronësi të shtetases F. K. 60 vjeçe, banuese në lagjen “Vojo Kushi”, me detyrë Inspektore në Drejtorinë Arsimore Rajonale Shkodër.
Ndërhyrja në kohë e Shërbimit Zjarrfikës bëri të mundur fikjen e zjarrit. Nga veprimet e para të kryera në vendngjarje dyshohet se ka patur një shpërthim të lehtë poshtë mjetit, i cili ka qenë i parkuar dhe për pasojë mjeti ka marrë flakë.
Automjeti është dëmtuar lehtë në pjesën e prapme, dhe nuk ka patur dëme në njerëz. Po kryhen veprimet me grup hetimor, për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, bën të ditur policia.
Policia e Elbasanit pajis me pasaportë një të shpallur në kërkim
Dy punonjës Policie në Elbasan janë pezulluar nga detyra, pasi kanë pajisur me pasaportë një të shpallur në kërkim. Strukturat e Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave (SHÇBA) Elbasan në bashkëpunim me Prokurorinë, pas një hetimi disa mujor proceduan penalisht 2 punonjës policie në Drejtorinë Vendore në Elbasan me akuzën e shpërdorimit të detyrës. Nga hetimet rezultoi se, punonjësit e Policisë Inspektor F.B., me detyrë SPZ pranë Komisariatit Elbasan dhe Inspektor K.J., me detyrë SPZ pranë Stacionit të Policisë Belsh, nëpërmjet kryerjes së veprimeve në kundërshtim të hapur me ligjin, lejuan pajisjen me pasaportë biometrike të shtetasit A.D., i dënuar me vendim Gjykate dhe i shpallur në kërkim.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan caktoi ndaj dy efektivëve të Policisë masën e sigurimit personal “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, parashikuar nga neni 243 i Kodit Procedurës Penale. Hetimet vijojnë për të zbuluar nëse ka punonjës apo struktura të tjera të përfshirë në aktivitet të kundraligjshëm.
Vrasja e efektivit të FNSH, Prokuroria kërkon burg përjetë për Qosajn
Dy javë më parë, një grup ekspertësh psikiatër vlerësuan se David Qosaj, i pandehur tek Krimet e Rënda për vrasjen e një punonjësi policie, është i përgjegjshëm mendërisht. Por këtë të mërkurë, teksa Prokurori i çështjes kërkoi dënimin e tij me burgim të përjetshëm, në fytyrën e të akuzuarit nuk u vu re asnjë emocion. Ai qëndroi krejtësisht i qetë teksa përfaqësuesi i akuzës rindërtoi para Gjykatës skenën e vrasjes së efektivit të FNSH-së, Ardian Kodra në 2 shator 2016 në Torrovicë të Lezhës. Prokurori tha se shqyrtimi gjyqësor provoi tej çdo dyshimi se Qosaj është autori i vrasjes së efektivit Kodra dhe i tentativës së vrasjes së dy kolegëve të tij.
Në pretencën e Prokurorisë thuhej se ditën e ngjarjes, Qosaj u denoncua nga banorët e Torovicës pas të shtënave me armë që dëgjoheshin nga banesa e tij. Forcat e FNSH-së iu afruan godinës përmes një mjeti të blinduar. Më tej, efektivi Kodra është pozicionuar pas një peme, ku ka thirrur disa herë emrin e të pandehurit. Në këtë moment, theksoi prokurori Blerim Tominaj, duke e ndjerë rrezikun më afër, i pandehuri ka qëlluar drejt blindit dhe njëri prej plumbave i ka marrë jetën efektivit.
Gjatë procesit, dëshmitarët e palës mbrojtëse, kryesisht familjarë të Qosajt këmbëngulën në faktin se pas vdekjes së të vëllait, i pandehuri ishte njeri me humor të prishur dhe i paqëndrueshëm mendërisht.
I akuzuari Qosaj iu nënshtrua një gjykimi të zakonshëm tek Krimet e Rënda. Për këtë shkak, nëse Gjykata pranon kërkesën e Prokurorisë për mbyllje përjetë në qeli ai nuk do të fitojë ulje dënimi.
Vrasja e efektivit të RENEA në Lazarat, dëshmon efektivi
Kolegu i efektivit të vrarë në Lazarat në qershor të vitit 2015, Jetmir Isai ka dëshmuar në Gjykatën e Krimeve të Rënda për vrasjen e efektivit Ibrahim Basha. Ish-oficeri i RENEA-s, i cili mbeti i plagosur tha se grupi u nis në Lazarat pas sinjalizimit se kishte tension dhe të shtëna me armë zjarri, ndërsa Ibrahim Basha u qëllua me snajper. Seanca ku dëshmoi Jetmir Isai u zhvillua me dyer të mbyllura.
Prokuroria e Krimeve të Rënda ka paraqitur konkluzionet për të ashtuquajturin “grupin e zjarrit” në Lazarat, ku mbeti i vrarë efektivi i policisë Ibrahim Basha. Prokuroria kërkon tre burgime të përjetshme, përkatësisht për shtetasit Arbion Aliko, Bajram Bocia dhe Elvis Bocia. Në qershor të 2016, Prokurori çoi dosjen për gjykim ndaj 11 të pandehurve, për të ashtuquajturën dosja “Lazarati II”, të gjithë pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, lidhur me ngjarjet e qershorit 2015, në të cilën mbeti i vdekur efektivi i Policisë së Shtetit, Ibrahim Basha. Pesë persona akuzohen për vrasjen e punonjësit të policisë, ndërsa të tjerët për armëmbajtje pa leje dhe moskallëzim krimi.
Ndërkohë, gjashtë persona të tjerë akuzohen për armëmbajtje pa leje dhe kundërshtim i forcave të policisë. Nga hetimi i Prokurorisë për Krime të Rënda, atë kohë rezultoi se një grup të rinjsh, nën drejtimin e vëllezërve Arbjon dhe Alban Aliko, kanë planifikuar, organizuar dhe goditur forcat e policisë, të cilat gjendeshin në patrullim në zonën e Lazaratit, në datat 23-24 qershor 2015.
50% e popullsisë duan të ikin, njeriu me kartelë çmendi vendin
Mund të jetë një rast i paprecedent në historinë botërore kur në një vend në paqe gjysma e popullsisë kërkon të largohet. Kjo mund të ndodhë në vendet që janë në konflikte apo luftë, por kurrë nuk ka ndodhur në histori që gjysma e popullsisë të kërkojë të shpërngulet duke qenë në paqe. Ajo që po ndodh sot në Shqipëri është pasojë direkte e një të sëmuri me kartelë që drejton vendin dhe e ka kthyer atë në një çmendinë ku të gjithë po kërkojnë të ikin.
Gjysma e shqiptarëve po marrin në konsideratë që të largohen dhe të punojnë jashtë vendit. Tendenca për të ikur po rritet nga viti në vit sipas anketimit që ka bërë Barometri i Ballkanit.
Rezultatet e sondazhit treguan se gjatë vitit të kaluar 48 për qind e shqiptarëve dëshironin të iknin nga vendi, ndërsa këtë vit kjo kategori arriti në 50%.
Shqiptarët bashkë me boshnjakët renditen të parët në rajon me dëshirën e lartë për lënë vendin. Por ndryshe nga Shqipëria në Bosnje, ritmi i dëshirës për të lënë vendin ka rënë në tre vitet e fundit. Në vitin 2015, 58% e boshnjakëve dëshironin të jetonin dhe punonin jashtë, ndërsa më 2017 duan të largohen 50%. Në Shqipëri në vitin 2015 donin të ikin jashtë vendit 38% e shqiptarëve, ndërsa në vitin 2017, 50 për qind e tyre duan të lënë vendin.
Tendenca e shqiptarëve u rrit ndjeshëm pas heqjes së vizave. Udhëtimet në Europë u bënë të zakonshme për të gjitha shtresat, ndaj në kërkim të një jete më të mirë tendenca për të emigruar është rritur. Heqja e vizave ka pasur një efekt të ngjashëm edhe në rajon, por jo në të njëjtën masë si në vendin tonë. Shqipëria ka nivelin më të ulët të të ardhurave për frymë dhe është ndër vendet më të varfëra në rajon.
Sipas EUROSTAT në tremujorin e dytë të këtij viti 6,000 shqiptarë aplikuan rishtas për azil, duke u renditur të gjashtit pas vendeve të Lindjes së Mesme dhe atyre afrikane për numrin e lartë të azilkërkuesve.
Numri i kërkesave të shqiptareve ishte në rritje në krahasim me tremujorin e parë ku ishin shënuar 5400 të tilla. Gjithsej numri i azilkërkuesve shqiptarë në BE për gjashtëmujorin e parë 2017 arriti në 11,400 persona.
Anketimet që ka bërë Banka Botërore, INSTAT dhe organizata të tjera qeveritare, tregojnë se, arsyeja themelore e emigrimit të shtetasve shqiptarë është ajo ekonomike. Organizatat e profilizuara të fushës analizojnë se, emigracioni si fenomen masiv ndodh pas rënies së sistemeve politike, si në vitet 1990 ose pas krizave ekonomike, si ajo e vitit 1997. Por faktor kryesor i hemoragjisë sistematike është besimi i pamjaftueshëm i qytetarëve te qeveritë vendase se kushtet ekonomike do të përmirësohen në të ardhmen.
Popullsia në moshën kulmore të emigrimit do të rritet gjatë dhjetë viteve të ardhshme. Balancimi pothuaj neutral i migrimit pritet të ndodhë vetëm në vitin 2030, sipas INSTAT.
Por ekspertët shpjegojnë se gjithçka do të jetë në varësi të zhvillimit ekonomik të vendit në krahasim me vendet e tjera europiane. Parashikimet e momentit nuk presin që kjo të ndodhë para vitit 2031. Banka Botërore ka referuar se standardi i jetesës për të arritur vendet e BE-së do të zgjatet edhe më shumë, nëse vendi nuk rritet me ritmet 4%. Papunësia ndër të rinj në Shqipëri është mbi 28% aktualisht. Ndërsa niveli i pagave mesatare është shumë poshtë vendeve të BE-së, mungesa e perspektivës shihet themelore.
Grabitja, dy thasët me pensionin e mamit?
Policia pranoi dje në orët e mesditës se shtëpia e Gjiknurit në të cilin kohët e fundit jeton nëna e tij bashkë me vëllanë e vogël është grabitur. Sipas njoftimit të policisë grabitja ka ndodhur në orët e darkës së ditës së martë. Këtu kemi gabimin e parë të policisë, e cila duke u munduar të justifikojë heshtjen që shoqëroi grabitjen e shtëpisë së ministrit ka ndryshuar edhe kohën se kur ka ndodhur grabitja. Grabitja nuk ka ndodhur në orët e darkës së ditës së martë, por ka ndodhur në orët e drekës. Dëshmitarët që kanë parë ngjarjen kanë dëshmuar për Gazetën “RD” edhe skenën e plotë të grabitjes. Autorët kanë hyrë nga dritarja e banjos. Sipas tyre grabitja ka ndodhur rreth mesditës dhe ora ka qenë rreth 14-15. Gjithçka ka qenë një operacion i shpejtë dhe i mirëmenduar nga autorët e grabitjes, sepse ka zgjatur pak. Autorët janë siguruar që në shtëpi në ato momente nuk kishte njeri nga familjarët, ndërsa kanë rrezikuar shumë për shkak të hyrjes së vështirë që kanë bërë nga dritarja e banjos së apartamentit.
Policia është detyruar që të reagojë për shkak të përhapjes së lajmit në media nga “RD” si dhe numrit të madh të dëshmitarëve që kanë parë shtëpinë e Gjiknurit të rrethuar me forca të shumta policore deri në orët e vona të pasdites së ditës së martë. Të gjithë banorët e zonës e dinin arsyen se përse policia kishte rrethuar pallatin si dhe për kërkimet që po bënin.
Gabimi i dytë në deklaratën e Policisë ka të bëjë me shumën e parave që grabitësit kanë marrë në banesë. Policia thotë se është marrë shuma e 300 mijë lekëve dhe kjo shkon në sinkron me deklaratën e bërë nga e ëma e ministrit, e cila tha se i kishin marrë kursimet e pensionit të tre muajve. Po si mundet që një grup grabitësish të rrezikojnë aq shumë dhe të futen në shtëpinë e një ministri për të marrë paratë e pensionit? Kush e beson një përrallë të tillë të hartuar me kujdes në zyrën e ministrit dhe që i është servirur më pas opinionit përmes Policisë?
Dëshmitarët kanë pohuar se grabitësit kanë dalë nga shtëpia me dy thasë të mbushur dhe kanë ikur me shpejtësi përmes rrugicave të lagjes dhe më pas kanë ngarkuar thasët në një makinë që i priste në një nga rrugicat dhe janë larguar. Thasët nuk mbushen me para pensionesh dhe këtë e dinë të gjithë shqiptarët që dje kanë reaguar me ironi ndaj lajmeve dëshpëruese të qeverisë se nuk ishte vjedhur ministri, por pensioni i të emës.
Se sa është shuma e marrë në banesën e ministrit kjo ende nuk mund të thuhet saktësisht, por dy thasë të mbushur me para janë të mjaftueshëm sipas ekspertëve të bankave për të llogaritur një shumë që shkon përtej 1 milion eurove.
Nuk duhet pritur nga Policia zbardhja tërësore e ngjarjes dhe shuma reale e parave që janë grabitur në shtëpinë e ministrit. Ato fshihen dhe nuk tregohen. Kjo ka ndodhur sa herë janë vjedhur shtëpi të ministrave apo edhe të zyrtarëve të lartë që kanë pasur shuma të mëdha të parave të padeklaruara.
Pak kohë më parë pati një tjetër raportim për vjedhjen e shtëpisë së një tjetër ministri të qeverisë Rama dhe sipas raporteve në media bëhej fjalë për një shumë që arrinte shifrën e 8 milionë eurove. Në atë rast, lajmi nuk u bë publik dhe u mbajt i fshehtë.
Një rast tjetër për të kuotuar se si Policia fsheh shumat reale të parave të grabitur ka të bëjë me rastin e vjedhjes sistematike të bankave. Në asnjë rast, policia nuk ka deklaruar shumën reale, por shumë herë më të zvogëluar. E njëjta situatë përsëritet edhe tani në rastin e vjedhjes në banesën e ministrit ku jeton e ëma. Sipas dëshmitarëve, grabitësit kanë ditur se çfarë materialesh interesante monetare fshihte ministri në shtëpi ku ishte rritur dhe kishte të emën që nga kursimet tre mujore të pensionit kishte arritur të kursente 3 milionë lekë, a thua se pensionin mamaja e ministrit e paska patur 2 milionë lekë në muaj.
Reagimi i policisë, gabon me kohën kur u krye vjedhja dhe shumën
Pas shkrimit në gazetën “RD”, policia u detyrua dje të bënte publike ngjarjen që u përpoq të mbante të fshehtë mbi grabitjen e shtëpisë së ministrit Damian Gjiknuri. Dje, përmes një njoftimi publik, policia u detyrua të konfirmonte shkrimin e gazetës “RD”, mbi grabitjen e shtëpisë së Gjiknurit dhe vjedhjeve e sasive të konsiderueshme të parave. “Gjatë natës, në rrugën “Maliq Muça”, persona të paidentifikuar, kanë vjedhur banesën e shtetases L. Gj. 67 vjeçe banuese në Tiranë, ku kanë marrë shuma lekësh. Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Materialet u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Neni 134 i Kodit Penal”, thuhet në njoftimin e Policisë. Po dje, vjedhjen e ka pohuar edhe vetë nëna e Gjiknurit, e cila ka reaguar për herë të parë pas grabitjes së banesës së ministrit Damian Gjiknuri. E porositur nga i biri, Lirije Gjiknuri, ka deklaruar se autorët i kanë marrë 300 mijë lekë, të cilat i kishte mbledhur nga pensioni. “Nuk ka as miliona asgjë, grabitën 3 milionë lekë të vjetra të mbledhura nga pensioni im”, u shpreh ajo.
Arben SHAHINI
Luftë mes bandave në Lushnjë, 2 të vrarë dhe 3 të plagosur
Një përplasje me armë mes bandave në Lushnjë shkaktoi dy viktima dhe tre të plagosur, njëri në gjendje të rëndë për jetën. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 18:00 të ditës së djeshme në mes të qytetit të Lushnjës, pak metra larg Komisariatit të Policisë. Ngjarja ka ndodhur në shëtitoren kryesore dhe mjaft të populluar të qytetit dhe ka shkaktuar frikë dhe panik tek qytetarët. Autorët e maskuar mësohet se, kanë qëlluar me breshëri kallashnikovi nga një automjet, që ishte në lëvizje në drejtim të të rinjve që ndodheshin në një lokal.
Si pasojë e plumbave kanë mbetur të vdekur në vend Jurgen Hoxha, 22 vjeç dhe Zamir Latifi, 23 vjeç. Të plagosur kanë mbetur edhe tre persona, njëri prej të cilëve një kalimtar i rastit dhe pronari i lokalit, i cili ndodhet në spital në gjendje të rëndë për jetën. Fillimisht u njoftua se kishte mbetur i plagosur edhe Xhulio Shkurti, nipi i ish-kreut të bandës së Lushnjës, Aldo Bare, por bëhet e ditur se ai nuk është plagosur ndonëse ka qenë shenjestra e atentatit. Xhulio Shkurti ka qenë me dy viktimat në lokal, por i ka shpëtuar atentatit.
Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes, por efektivët sapo kanë njohur trupat e pajetë të shtrirë në tokë janë larguar me vrap. Forcat e policisë janë larguar për shkak të frikës nga bandat rivale që bëjnë ligjin në Lushnjë. Burime nga vendi i ngjarjes bënë të ditur se, dy viktimat janë lënë për rreth 30 minuta në tokë pa u afruar askush.
Dëshmitarë nga vendi i ngjarjes thanë se, personat që kanë qëlluar me breshëri automatiku nga makina në lëvizje kanë qenë të maskuar.
Burime nga grupi hetimor thanë se, kemi të bëjmë me një atentat të tipit mafioz mes bandave dhe jo me një ngjarje që mund të jetë shkaktuar nga ndonjë konflikt i çastit. Dyshimet e para për një nga autorët e krimit bien mbi Laert Haxhiun, pasi ky i fundit plagosi para disa muajsht Xhulio Shkurtin, i cili është nipi i Aldo Bares, ish-kreut të bandës së Lushnjës.
Policia bëri të ditur nëpërmjet një njoftimi për shtyp, se në atentat kanë mbetur të vdekur dy persona dhe janë plagosur dy të tjerë. “Në datën 11.10.2017 në lagjen “Loni Dhamo”, në vendin e quajtur “Ura e Përroit” Lushnjë, nga persona të paidentifikuar ende është qëlluar me armë zjarri automatik dhe si pasojë kanë ndërruar jetë 2 shtetas, ka mbetur i plagosur rëndë 1 tjetër, si dhe ka marrë dëmtim të lehtë edhe një kalimtar i rastit, i cili ndodhet në Spitalin e Lushnjës nën kujdesin e mjekëve pa probleme për jetën.
Viktimat janë shtetasit Z.L, 23 vjeç dhe J.H., 22 vjeç, banues në lagjen “Loni Dhamo”, Lushnjë. Shtetasi i plagosur rëndë është M.Xh, 26 vjeç, banues në lagjen “Loni Dhamo”, i cili po transportohet për në Tiranë. Si dhe ka marrë dëmtim të lehtë shtetasi B.T, 66 vjeç.
Gjithashtu në Sallën Operative Lushnjë ka ardhur një telefonatë se në aksin rrugor Lushnjë-Berat, po digjet një mjet. Grupi hetimor ka shkuar menjëherë ku ka gjetur në automjet tre armë zjarri automatike. Automjeti dyshohet se mund të jetë i autorëve. Është ngritur grupi hetimor, i cili po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Janë ngritur pika kontrolli në hyrje-daljet e qytetit me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve të kësaj ngjarjeje”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Kush ishte shënjestra e atentatit
Nga të dhënat paraprake mësohet se, atentati ka qenë i mirëorganizuar nga persona ende të paidentifikuar nga Policia. Sipas burimeve, shënjestër e atentatit dyshohet se ka qenë Jurgen Hoxha, nipi i njërit prej anëtarëve të bandës së Albo Bares, (i dënuar me burg përjetë), ndërsa plumbave nuk mundi t’i shpëtonte as Zamir Latifi, 23 vjeç. Bëhet e ditur se, Zamir Latifi kishte pak ditë që ishte kthyer nga Italia. Po ashtu, i plagosur rëndë mbeti edhe pronari i lokalit, Marius Xhepexhiu.
Viktimat po qëndronin pranë një lokali në lagjen “Loni Dhamo”, në vendin e quajtur Ura e Çeleve. Burimet bënë të ditur se, nga hyrja e qytetit ka ardhur një makinë ku ndodheshin dy persona me maska, njëri drejtonte makinën, ndërsa tjetri ka hapur zjarr me kallashnikov në drejtim të të rinjve. Pas atentatit, ata janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.
Nipi i Aldo Bares ishte plagosur edhe një vit më parë
Xhulio Shkurti, nipi i Aldo Bares, është plagosur para një viti bashkë me shokun e tij, Sajmo Xhelili në qendër të qytetit të Lushnjës. Antentati ndaj tij ndodhi pranë lagjes “Çlirimi”, vetëm 100 metra larg Komisariatit të Policisë. Dy të rinjtë u plagosën me pistoletë, njëri në këmbë, ndërsa tjetri në bark.
Policia nuk arriti të zbardhë dot arsyet e atentatit që ndodhi një vit më parë, në fund të muajt shtator. Pasditen e djeshme, një tjetër atentat ka ndodhur në qytetin e Lushnjës, ku mbetën të vdekur dy persona dhe u plagosën tre të tjerë.
Dy të rinj janë ekzekutuar në lagjen “Loni Dhamo” të Lushnjës, pas një atentati ndaj tyre. Zamir Latifi, 23 vjeç, mësohet se është njëri prej viktimave, ndërsa ende nuk është identifikuar personi tjetër. Nga hetimet e para raportohet, se dy viktimat kanë qenë pranë një lokali, kur pranë tyre ka ardhur një makinë nga e cila është qëlluar me armë zjarri.
Një nga të plagosurit është Xhulio Shkurti, nipi i Aldo Bares, ish- kapo i Bandës së Lushnjës, i cili vuan dënimin me burgim të përjetshëm në një nga burgjet e Sigurisë së Lartë. Ndërkohë, viktimat janë miq të familjes së Aldo Bares. Forca të shumta policore janë angazhuar për të kapur autorët, duke ngritur edhe postoblloqe në rrugët dalëse të qytetit.
Mjeti i përdorur në atentat gjendet i djegur
Pak momente nga ngjarja e rëndë në Lushnjë, ku u vranë me armë zjarri dy persona dhe u plagosën tre të tjerë, është gjetur i djegur automjeti që u përdor në atentat. Burime nga policia bëjnë të ditur se, jë automjet është gjetur i djegur në aksin rrugor Lushnjë-Berat, në vendin e quajtur “Çukas i Vjetër”, brenda të cilës ishin tre armë zjarri automatike të padjegura.
Sipas policisë, dyshohet se mjeti i përket autorëve të dyshuar të atentatit, të cilët i kanë vendosur flakën për të humbur gjurmët. Atentati ndodhi pranë komisariatit të qytetit, tek “Ura e Prroit”, teksa viktima janë Jurgen Hoxha dhe Zamir Latifi. Personi i plagosur është identifikuar si Xhuljo Shkurti, 26 vjeç, nipi i kapos të Bandës së Lushnjës, Aldo Bare.
Lushnja është tronditur dje nga një krim i rëndë mes dy bandave rivale. Dy të rinj janë ekzekutuar shumë pranë Komisariatit të Lushnjës, ndërsa kanë mbetur të plagosur tre persona, njëri prej të cilëve ndodhet në gjendje të rëndë në spital.
Nipi i Aldo Bares nuk rezulton i plagosur
Atentati mafioz i kryer pasditen e djeshme në qytetin e Lushnjës ku mbetën të vdekur dy të rinj dhe dy të plagosur, kishte në shënjestër Xhulio Shkurtin, nipin e Aldo Bares. Burimet e policisë bënë të ditur se, Xhulio Shkurti ishte i pranishëm në momentin kur një makinë u afrua dhe qëlloi mbi të rinjtë, por fatmirësisht shënjestra ka arritur t’u shpëtojë plumbave të atentatorëve.
Dy viktimat e kësaj masakre, Jurgen Hoxha dhe Zamir Latifi kanë lidhje me Xhulio Shkurtin. Jurgen Hoxha është kushëri me Xhulio Shkurtin, ndërsa Zamir Latifi është shok i tij.
Një vit më parë, Xhulio Shkurti, nipi i Aldo Bares, është plagosur bashkë me shokun e tij Sajmo Xhelili në qendër të qytetit të Lushnjës.
Antentati ndaj tij ndodhi pranë lagjes “Çlirimi”, vetëm 100 metra larg Komisariatit të Policisë. Dy të rinjtë u plagosën me pistoletë, njëri në këmbë, ndërsa tjetri në bark. Policia nuk arriti të zbardhë dot arsyet e atentatit që ndodhi një vit më parë, në fund të muajt shtator.
Vendi nën kontrollin e bandave
Lushnja ashtu si Elbasani ndodhet nën kontrollin e bandave që bëjnë ligjin pas marrjes së mandatit të dytë të qeverisë Rama. Qyteti i Lushnjës përjetoi orë tmerri dje në mbrëmje. Dy të vrarët dhe tre të plagosurit, (njëri prej të cilëve rëndë) janë dëshmia më e qartë e një beteje të re mes bandave rivale. Nga njëra anë janë mbështetësit e kapobandës Aldo Bare, i cili në vitin ’97 ka luajtur futboll me kokën e prerë të armikut të vet. I vrari Zamir Latifi, 22 vjeç, i afërm i Bares dhe i vrari tjetër Jurgen Hoxha, 23 vjeç, gjithashtu i afërm i tij, tregojnë se ata janë të lidhur direkt me grupimin e njohur si banda e Lushnjës.
Në fakt shënjestër e atentatit ka qenë nipi i Aldo Bares, Xhulio Shkurti, por ai shpëtoi mrekullisht. Edhe disa muaj më parë autorët kishin tentuar një atentat të ngjashëm. Flitet se bandat rivale janë në luftë me njëra-tjetrën edhe për trafikun e drogës. Policia e Lushnjës ka dijeni për bandat që bëjnë ligjin në qytet, por nuk guxojnë t’i godasin. Ky fakt tregon se bandat kanë mbështetje nga lart.
Krimi ka terrorizuar qytetin, pasi kalimtarët janë zhdukur me shpejtësi pas policisë që ka vrapuar e para të largohet nga vendi i krimit, dyshohet të jetë kryer nga një grupim rival tejet i njohur në shkallë vendi. “Ata që goditën dyshohet që janë një bandë po aq e rrezikshme gjë që mund të çojë në një përshkallëzim të rrezikshëm të situatës në qytet”, tha një burim i policisë.
Pikërisht kjo goditje e re tregon se, grupet kriminale kanë dalë nga kontrolli. Fakti që policia ia mbathi nga sytë këmbët është treguesi më i fortë se rendi nuk varet më nga forcat e rendit, por bandat që bëjnë ligjin në qytetet kryesore të vendit.
R.POLISI
Masakra në Butrint, si qeveria ja fshehu UNESCO-s ndërtimin
Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro e ka patur të vështirë përballjen dje në Komisionin e Medias teksa ishte thirrur për të dhënë shpjegime mbi skandalin që po ndodh brenda mureve të lashta të Butrintit, ku një ndërtim i jashtëligjshëm po ngrihet në favor të klientelës pranë qeverisë.
Në mënyrë të paturpshme, Kumbaro ka pranuar se UNESCO-n nuk e ka pyetur për çdo projekt, ndërsa për çështjen konkrete të punimeve të brendësi të parkut i është drejtuar UNESCO-s për marrje mendimi, pasi problemi është bërë publik.
UNESCO nuk aprovon projekte në sitet arkeologjike në të gjithë botën. Nëse UNESCO ka pyetje bën, nëse nuk ka pyetje s’bën. Komunikuam drejtpërdrejt me zyrën e UNESCO në Paris. Ne nuk kemi detyrim t’i dërgojmë UNESCO-s për çdo projekt. Raporti i është dërguar UNESCO-s, ia kemi dërguar edhe me email në anglisht pas publikimit të debatit”, tha Kumbaro.
Drejtuesja e komisionit, deputetja e PD, Albana Vokshi i kërkoi Kumbaros të ndërpresë menjëherë punimet. Vokshi tha gjithashtu se, Kumbaro nuk i ka vënë në dispozicion Komisionit të Medias komunikimin e Ministrisë së Kulturës me UNESCO-n.
Ndërkohë, kundër Kumbaros për atë që po ndodh në Butrint është rreshtuar edhe deputeti i PS në Sarandë, Alket Hyseni. Ai tha se ka një shqetësim real dhe të drejtë të qytetarëve për ndërtimin brenda Parkut të Butrintit. “Kjo është një çështje sensitive, prek interesin e qytetarëve”, tha Hyseni.
Debate në komision pati edhe për pengimin e mediave që të futeshin në Parkun e Butrintit. Kumbaro tha se, për filmimin e pasurive kulturore duhet leje, ndërsa Vokshi i kujtoi ministres se gazetari nuk ka pasur kamera me vete. Ajo i kërkoi ministres t’i kërkojë ndjesë publike gazetarit dhe një televizioni.
Gjatë mbledhjes së Komisionit të Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik, kryetarja Albana Vokshi i kërkoi llogari ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro nëse kishte marrë leje nga UNESCO, por ministrja tha se Organizata e OKB-së për Trashëgiminë Kulturore nuk jep leje të tilla.
Debatet në Komision
Vokshi: Llaç, tulla, beton. 400 metra katror.
Kumbaro: Më lini ta shpjegoj.
Vokshi: Më shpjego llaçin, tullën, se ligji nuk e lejon. Në zonat Arkeologjike A, është e ndaluar çdo lloj ndërhyrje me karakter ndërtimor. A është karakter ndërtimor?
Kumbaro: Jo! E gjitha ajo platformë me atë pjesë të vogël të telit me beton të varfëruar dhe me pjesën e drurit mund të zhvendoset në çdo moment dhe po kjo është e lejuar nga ligji. Ajo që ligji ndalon është ndërtimi i objekteve të reja, është gërmimi dhe ndryshimi i peizazhit.
Vokshi: E keni marrë lejen në UNESCO? Se një herë thatë po dhe një herë thatë jo. Ju ka dhënë aprovimin për këto gërmime?
Kumbaro: Më lejoni t’u shpjegoj këto dy gjëra. E para, nuk ka gërmime. E dyta, çfarë është UNESCO? UNESCO nuk jep leje për ndërtime të tilla.
Albana Vokshi: Kumbaro s’na ka sjellë komunikimin me UNESCO-n. Ndërprisni tani punimet dhe vijojmë dëgjesën për atë që po ndodh në Butrint.
Luçiano Boçi: Të ndërprisni menjëherë punimet dhe seancën dëgjimore e zhvillojmë edhe në një mbledhje tjetër, kur ju të jeni gati.
Alket Hyseni: Kjo është një çështje sensitive, prek interesin e qytetarëve.
Vokshi-Kumbaros: Nuk lejuat gazetarin e “Report Tv” të futej në Parkun e Butrintit.
Mirela Kumbaro: Ka pasur një incident me gazetarin e “Report Tv”. Për filmimin dhe fotografimin e pasurive kulturore, të kërkohet leja e autoritetit që e administron. Ne kemi dhënë pafund leje nga BBC, CNN e deri te më të vegjëlit.
Albana Vokshi: Gazetari nuk ka pasur kamera. Sot ju duhet t’i kërkonit ndjesë gazetarit dhe medias.
Mireal Kumbaro: S’kam asnjë lloj shqetësimi për këtë gjë.
Albana Vokshi: Ky është rast i paprecedentë.
Fidel Ylli: Problemi është i ndjeshëm edhe për ne. Nëse ka shkelur ligjin nuk ka ku shkon as ministri e askush. Nëse ligji është shkelur unë do jem në krahun e asaj pjese që është për informimin publik.
Ministrja Mirela Kumbaro ka raportuar sot në seancën dëgjimore për ndërtimin në Butrint. Gjatë seancës, deputetët e opozitës kanë kërkuar nga ministrja Kumbaro të japë sqarime për ndërtimet që po kryhen në Butrint. Ministrja Kumbaro tha se nuk është shkelur ligji për trashëgiminë kulturore, ndërsa sipas saj bëhet fjalë për një ndërtesë, objekt ekzistues që do shërbejë si pikë qëndrimi për turistët. Ndërkohë deputeti i PS, Fidel Ylli, i ka kërkuar kolegëve që mos ta kthejnë në shoë mediatik.
Vokshi: Shoh se nuk keni tërheqje as regres nga ajo që keni bërë dje.
Kumbaro (Bën përmbledhje të VKM-ve dhe vendimeve të marrë nga Ministria e Kulturës ndër vite)
Vokshi: Nuk kemi nevojë për histori
Kumbaro: Më keni kërkuar kuadrin ligjor. Duroni se po vij te përgjigjet konkrete
Vokshi: Dilni te Butrinti te projekti konkret.
Kumbaro: Mund të rijetëzohen po të mos të ndryshojnë funksion, pra në zbatim të legjislacionit, kemi hartuar një dokument për të arritur politikat institucionale.
Gjatë mbledhjes, kryetarja e komisionit, Albana Vokshi, kërkoi ndërprerjen e puimeveve, ndërsa shprehu shqetësimin për projektin. Ajo theksoi se Ministria e Kulturës nuk ka lejuar as median në zonë, duke mos lejuar transparencë.
Vokshi: Informacioni është i mangët. Të gjitha pikëpyetjet nuk marrin përgjigje shterruese, duke na sqaruar pse nuk ka komunikim me UNESCO-n, pasi Butrinti që nga viti 1992, për vetë vlerat kulturore dhe trashëgimore që përmban, ka vetëm një aneksë, por asnjë lloj komunikimi që Ministria mund të bëjë punime në Butrint. Për sa kohë gjërat mbeten të pasqaruara deri në fund, ju duhet të kërkoni ndërprerjen e punimeve tani për aq kohë sa të marrë informim i plotë i publikut.
Për të gjitha ato çështje që nuk do të marrin përgjigje mund ta thërrasim ministren në një rast të dytë. Është identiteti kombëtar në pikëpyetje. Është një trashëgimi botërore. I gjithë procesi është bërë në mënyrë jo transparente. Nëse ju pengoni mediat që të investigojnë të gjitha këto, ngrenë hije dyshimi në atë që ju e keni lejuar dhe disa profesionistë e quajnë krim.
Më pak nxënës, më pak shkolla, Shqipëria po rrudhet nga viti në vit
Numri i nxënësve nëpër shkollat nëntëvjeçare dhe të mesme në Shqipëri po bie në mënyrë drastike nga viti në vit si pasojë e rënies së lindshmërisë. Në shumë zona shkollat po mbyllen, ndërsa popullsia e Shqipërisë po tkurret me ritme të pabesueshme.
Në vitin arsimor 2012-2013, në Shqipëri numëroheshin 1,472 shkolla nëntëvjeçare me 25,363 mësues. Katër vjet më vonë, në vitin arsimor 2016-2017, numri i shkollave ka rënë në 1,370 ndërsa numri i mësuesve ka rënë në 24,866. Shifrat e publikuara nga Instituti i Statistikave në raportin Vjetari Statistikor Rajonal, tregojnë një Shqipëri me popullsi që tkurret me disa mijëra vetë në vit, por nëse shihen statistikat e lindjeve dhe të nxënësve më vete, vërehet se rënia e popullsisë pritet të jetë shumë më drastike në vitet dhe dekadat e ardhshme. Statistikat në seksionin e Arsimit në këtë publikim të INSTAT tregojnë se gjatë katër viteve të fundit janë mbyllur gjithsej 102 shkolla nëntëvjeçare, ose mesatarisht 25 shkolla në vit.
Rënia e numrit të shkollave, dhe rrjedhimisht të mësuesve, është në fakt pasojë dhe jo shkak. Shkaku është rënia dramatike e numrit të lindjeve dhe numrit të nxënësve. Numri i lindjeve shënoi kuotën më të ulët në një shekull në vitin 2016, në më pak se 32 mijë. Katër vjet më parë, në vitin 2012, numri i lindjeve pati qenë 35 mijë, ndërsa njëzet vjet më parë, në vitin 1996, qe 68 mijë.
Në vitin 2012, në shkollat nëntëvjeçare shqiptare kishte 391 mijë fëmijë, ndërsa sot ka 328 mijë. Brenda katër vitesh, numri i fëmijëve ka rënë me mbi 63 mijë vetë ose 15 mijë vetë në vit. Rënia kaq e shpejtë e numrit të nxënësve nuk shpjegohet dot vetëm me rënien e lindjeve. Nëse shohim pas në kohë, numri i lindjeve ka rënë me mesatarisht me 2 mijë në vit, ndërsa numri i nxënësve duket se ka rënë me ritëm shumë më të lartë se sa numri i lindjeve. Për rrjedhojë, emigrimi mund të jetë shkaku tjetër i rëndësishëm i rënies së numrit të nxënësve.
Numri i shkollave të mesme dhe i nxënësve në këto shkolla ka rënë gjithashtu, ndërsa numri i mësuesve është rritur. Në vitin 2012, në Shqipëri kishte 511 shkolla të mesme, ndërsa aktualisht ka 504. Numri i nxënësve në këto shkolla ka rënë nga 154 mijë në në 127 mijë. Numri i mësuesve qe më 2012, 8610 ndërsa është sot 9042.
Të gjitha qarqet e vendit kanë njohur rënie të numrit të nxënësve si në shkollat nëntëvjeçare ashtu edhe në shkollat e mesme. Rënia në numrin e nxënësve vërehet edhe në qarqet Tiranë e Durrës, dy qarqet për të cilat, vlerësimet e INSTAT flasin për rritje të popullsisë si pasojë e migrimit të brendshëm dhe jo rënie. Reporter.al