23.5 C
Tirana
E shtunë, 16 Gusht, 2025

Italiani në Prokurori: Fola me Edi Ramën për tenderin e TAP!

Me ose pa dijeninë e tij, Edi Rama është përfshirë në skandalin e mashtrimit të një shtetasi italian nga Eduart Ndocaj, ish- deputeti socialist i Lezhës.
Burime nga Policia e Lezhës për Lapsi.al thanë se, biznesmeni italian e ka takuar Eduart Ndocajn në Milano, gjatë kohës që ky ishte deputet. Në bisedën që kanë bërë në Milano, “kaubojsi” i premton italianit se do ta ndihmonte, që ai të fitojë tenderin për shtrimin e tubave të gazsjellësit TAP. Por për këtë “nder”, Ndocaj kërkoi 50 mijë euro. Italiani tregon se ka paguar dy herë nga 25 mijë euro, por një tender i tillë nuk u zhvillua kurrë. Pasi priti t’i kthehen parate, bëri kallëzim në Prokurori për Eduart Ndocajn.
Burime nga Policia e Lezhës thanë për Lapsi.al se, Ndocaj ka arritur t’i sigurojë biznesmenit italian edhe një takim me kryeministrin Edi Ramën. Nuk dihet kur dhe ku është zhvilluar takimi, por italiani e ka hapur bisedën e tenderit të tubave të TAP edhe me Edi Ramën.
Duke qenë se kishte paguar paratë tek Eduart Ndocaj, italiani nuk ka pasur komplekse të flasë për një aferë korruptive edhe me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën. Nuk dihet nëse Rama është habitur nga biseda apo nëse kishte dijeni paraprakisht për premtimet e Eduart Ndocajt, por sipas deklarimit të biznesmenit në Prokurori, Edi Rama i ka thënë që për këtë çështje të takohet me ministrin e Energjisë, Damian Gjiknuri.
Eduart Ndocaj u bë deputet i Partisë Socialiste, pasi shpenzoi gati 500 mijë euro në fushatë. Këtë e ka pranuar vetë në një intervistë në televizion. 500 mijë eurot që investoi për Rilindjen e Lezhës, në një formë ose tjetër, biznesmeni Eduart Ndocaj duhej t’i rifitonte. A e dinte kryeministri përse po e takonte biznesmenin italian? Apo Ndocaj e mashtroi edhe shefin, njësoj si italianin?
Afera sapo ka shpërthyer dhe ngre shumë pikëpyetje. I takon kryeministrit, Edi Rama të sqarojë çështjen dhe nëse mundet, të dalë nga kazani, ku e ka futur “Kaubojsi”.
Ish-deputeti i Kuvendit të Shqipërisë, Eduard Ndocaj është ndaluar mbrëmjen e së martës nga policia, pasi ndaj tij ka ngritur kallëzim një shtetas italian dy ditë më parë. Italiani ka bërë denoncim në Policinë e Lezhës, duke deklaruar se, Eduard Ndocaj i ka vjedhur një shumë të konsiderueshme eurosh nëpërmjet mashtrimit në Itali. Paraprakisht flitet se bëhet fjalë për një shumë prej 78 mijë eurosh, përballë një tenderi që Ndocaj i ka premtuar italianit, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur, për shtrimin e një gazsjellësi në Shqipëri. Menjëherë pas këtij njoftimi, Ndocaj është ndaluar nga Policia në pikën kufitare të Portit të Durrësit më 9 tetor, ndërsa rezultonte i shpallur në kërkim prej datës 7 tetor. Policia e Lezhës ka kryer veprimet në komisariat me ish-deputetin, dhe në përfundim të verifikimeve, është vendosur që Ndocaj të hetohet në gjendje të lirë, dhe dosja me materialet proceduriale në ngarkim të tij të kalojë për hetim të mëtejshëm në Prokurori. “Më datë 09.10.2017, në PKK Port, Durrës, u kap shtetasi në kërkim E.N, vjeç 42, banues në Manati Lezhë, pasi dyshohet se nëpërmjet mashtrimit në Itali, i ka vjedhur një shtetasi italian një shumë eurosh. Në përfundim të veprimeve të kryera nga D.V.P Lezhë ndaj shtetasit E.N u referuan materialet në Prokurori dhe ndiqet në gjendje të lirë për veprën penale parashikuar nga neni 143/2 i Kodit Penal”. thuhet në njoftimin e Policisë.

Kush është Carles Puidgemont?

Emri: Carles Puidgemont
Shtetësia: Spanjolle
Ditëlindja: 29 dhjetor 1962
Roli: President i Generalitat de Catalunya

Carles Puigdemont i Casamajó është Presidenti në fuqi i Katalonjës nga 12 janari i vitit 2016. Emri i tij është ngjitur në faqet e para e kronikave ndërkombëtare midis fundit të shtatorit dhe fillimit të tetorit 2017, periudhë në të cilën në Spanjë janë intensifikuar tensionet dhe polemikat në pritje të referendumit për pavarësinë e Katalonjës, kjo e fundit e njohur si rajoni më i begatë dhe më i industrializuar i vendit iberik.
Puigdemont ka studiuar për Filologji Katalanse pranë Kolegjit Universitar të Zhironës dhe ka avancuar një karrierë diskrete gazetareske, e konsumuar fillimisht pranë gazetës “El Punt”, ku u bë kryeredaktor. Presidenti katalanas ka qenë edhe drejtor i Agjencisë Katalanase të Komunikimit (ACN) dhe drejtor i Përgjithshëm i “CataloniaToday”, një e përditshme katalanase në gjuhën angleze që ka kontribuar në shpërndarjen në rajon.
Puigdemont është impenjuar aktivisht në politikë nga nëntori i vitit 2006, moment në të cilin është zgjedhur si deputet i Parlamentit të Katalonjës. Si anëtar i Parlamentit katalanas, ai ka kryesuar Komisionin për Kulturën dhe Gjuhën Katalanase dhe ka qenë anëtar i Komisionit të Veprimit të Jashtëm dhe i Bashkimi Europian, i Politikës Rinore dhe i Departamentit të Arsimit.
Në vitin 2007, Puigdemont ka garuar në zgjedhjet lokale të Zhironës si kandidat i “Convergenza e Unione”, por nuk ka arritur suksesin e dëshiruar dhe ka mbetur në opozitë. Megjithatë, në zgjedhjet e mëpasme lokale, në vitin 2011, ka arritur që të thyejë hegjemoninë e Partisë së Socialistëve të Katalonjës që zgjaste prej më shumë se 30 vjetësh dhe të zgjidhet kryebashkiak, post i mbajtur në vijim të zgjedhjeve të vitit 2015.
Gjatë mandatit të tij ka qenë zëvendëspresident i Shoqatës së Komunave (ACM), anëtar i Komitetit Ekzekutiv të Shoqatës së Komunave për Pavarësinë (AMI) dhe President i “Komisionit të Monumenteve Historiko–Kulturore” të Federatës Spanjolle të Komunave dhe Provincave (FEMP).
Puigdemont ka dhënë dorëheqjen nga posti i kryebashkiakut në janarin e 2016 për të mbuluar rolin e Presidentit të Katalonjës. Pavarësisht përkushtimit të tij të plotë ndaj politikës, komunikimi vazhdon që të jetë një aktivitet që ai kërkon ta lidhë me përgjegjësitë publike. Presidenti katalanas ndjek me vëmendje evolucionin e sektorit të komunikimit, duke rezultuar veçanërisht i interesuar ndaj ndryshimeve kulturore, sociale dhe teknologjike që ndodhin në fushën e sipërpërmendur.
Puigdemont rezulton sidomos shumë i interesuar ndaj komunikimit lidhur me projeksionin ndërkombëtar të Katalonjës, duke ju përkushtuar kësaj tematike qysh nga fundi i viteve ‘80. Në vitin 1994 ka botuar librin “Cata … què? … Katalonja e parë nga shtypi ndërkombëtar” (Shtëpia botuese “La Campana”, Barcelonë).
Në vijim të polemikave që kanë pasuar referendumin për pavarësinë e Katalonjës dhe pozicionimit të ashpër të Mbretit të Spanjës Filipi i VI-të, që ka akuzuar autoritetet katalanase për pandershmëri kundrejt Spanjës dhe se ka prishur paktin kushtetues e demokratik me referendumin, Presidenti katalanas ka pohuar se: “Mbreti ka bërë një diskutim të mbështetur mbi politikën e qeverisë Rajoy, e cila ka qenë katastrofike për Katalonjën, dhe ka injoruar qëllimisht miliona katalanasit që nuk mendojnë si ai. Po i drejtohem drejtpërsëdrejti Madhërisë së Tij në gjuhën që kupton, njeh dhe flet: Jo. Me pozicionin tuaj Ju keni zhgënjyer shumë katalanas që ju çmonin: njerëz që shpresonin nga Ju një ton tjetër dhe një apel ndaj dialogut dhe mirëkuptimit”.

Bombardues të rëndë supersonikë, raketa ndaj gadishullit korean

Ndërsa Presidenti Donald Trump shqyrton veprime të mundshme ushtarake ndaj Koresë së Veriut, ushtria amerikane demonstroi forcën që mund të shihej qartë nga Koreja e Veriut.
Bombardues të rëndë supersonikë amerikanë ju bashkuan avionëve luftarakë japonezë dhe koreanojugorë, në një demonstrim force gjatë një manovre ushtarake, ku u qëllua me raketa në brigjet lindore edhe perëndimore të gadishullit korean.
Manovrat u zhvilluan, ndërsa Presidenti Trump u takua me këshilltarët e tij, si dhe pati një takim me ish-Sekretarin e Shtetit Henry Kissinger. Gjatë takimit, Presidenti Trump foli për një qëndrim të ri ndaj Koresë së Veriut.
Këto komente të zotit Trump vijnë pas disa javë tensionesh dhe replikash me udhëheqësin koreanoverior. Presidenti madje kërcënoi se “do ta shkatërronte plotësisht” Korenë e Veriut, në se do të ishte e nevojshme për të mbrojtur Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre, në rastin e një sulmi nga Pheniani.
Koreja e Veriut ka kryer një numër provash bërthamore dhe me raketa, përfshirë kalimin e raketave mbi Japoni.
Diplomatë të lartë amerikanë, japonezë dhe koreanojugorë kanë në plan të takohen më 18 tetor në Seul, për të diskutuar mbi kërcënimet e vazhdueshme bërthamore të Koresë së Veriut.

Ofensiva ekonomike e Erdoganit në Serbi

Nemanja Rujevic

Xhaketa blu të errët dhe me kuadrata, duket se kjo veshje u solli fat dy burrave të fuqishëm të shtetit në prill. Me këtë veshje Aleksandar Vuçiç mori votën në zgjedhjet presidenciale në Serbi, të cilat në fakt ai i fitoi qysh në raundin e parë. Me të njëjtën veshje u shfaq edhe homologu i tij, Taip Erdogan në qendrën e votimit, kur ia doli të aplikojë sistemin presidencial përmes referendumit. Eshtë një copë simbolike e veshjes, që i bën dy të fuqishmit të duken modernë. Komuniteti serb i Twitter-it madje ka gjetur edhe një nofkë për këtë: xhaketa e diktatorëve.
Por, Erdoganin dhe Vuçiçin i bashkon më shumë se sa vetëm stili. Ndonëse për shkak të madhësisë së vendeve të tyre, ata luajnë në kategori të ndryshme, që të dy preferojnë pushtetin absolut si dhe nënçmimin e opozitës dhe të mediave kritike. Ata preferojnë të inskenohen si shpëtimtarë, që pa u lodhur punojnë për popullin për vende pune dhe zhvillim.
Pikërisht kjo synohet nga Erdogan i shoqëruar nga delegacioni i tij me investitorë i përbërë nga 150 bosë të ekonomisë viziton Beogradin. Nuk është e pazakontë për Erdoganin të udhëtojë i shoqëruar nga një delegacion investitorësh. Por për qeverinë serbe ky është një event, me të cilin ajo synontë fitojë pikë në popull. Mesazhi është: paratë po vijnë me thasë.

…e të gjithë janë të kënaqur

Arsyeja ekonomike e qeverisë turke harmonizohet lehtë me atë serbe, thonë ekonomistët. Fjala magjike në Ankara është eksport. Vetëm nëse rritet edhe më tej eksporti, mund të arrihet rritja e premtuar çdo vit me 5,5 për qind. Ballkani Perëndimor ofron mjaft forca të lira pune për investitorët turq si dhe lehtësi për aksesin në tregun e BE-së. “Praktikisht tani procesi i bisedimeve të anëtarësimit BE-Turqi është i vdekur. Ndaj është një avantazh deçiziv, nëse ndërmarrjet turke prodhojnë në vende, që janë më pranë BE-së e madje edhe brenda unionit”, mendon ekonomisti nga Stambolli dhe analisti politik Atilla Yeşilada.
Vuçiç në të kundërt i var shpresat tek paratë dhe vendet e reja të punës, ai është madje i gatshëm për këtë, që t’u paguajë investitorëve rreth 10.000 euro subvencion për çdo vend pune. Sundimtari i vetëm serb vazhdimisht deklaron, se do të jetë numri 1 europian për zhvillimin ekonomik. Por deri tani shifrat janë asgjësuese për të. Në tre vitet e fundit me një rritje 1,6 për qind vendi ishte i fundit në rajon (Mali i Zi me 7,7%, Kosova me 9,1% dhe Maqedonia me 10,2%). Paga mesatare me më pak se 400 € në muaj është ndër më të ulëtat në Europë.
Megjithatë paratë turke kryesisht do të derdhen në të ashtuquajturën industri me vlerë të pakët shtesë, pra atje ku ka nevojë më shumë për forca të thjeshta pune e jo për inovacion, thotë Yeşilada. Qysh tani më shumë se 1.000 punëtorë në Serbi prodhojnë pantallona Jeans të lira për firmat turke, dhe sipas qeverisë serbe kjo shifër do të rritet në 3.000. Përveç kësaj në opinionin serb përfliten edhe interesat turke ndaj industrisë së drurit dhe të qumështit. Kjo do të ishte me avantazh për të dyja palët: “Në të tilla degë në vendet e Ballkanit mund të arrihet menjëherë hopi ekonomik dhe njëkohësisht kjo shërben si bazë për ekonominë turke të eksportit”, thotë Yeşilada për DW.

Ëndrra neo-osmane
“Invazioni i biznesit: turqit sërish pushtojnë Serbinë”, kështu e titullonte gazeta bulevardeske “Blic” vitin e kaluar një artikull të saj, duke aluduar për sundimin pesëqindvjeçar të Perandorisë Osmane në Serbi. Por kjo hiperbolë kuptohet që aktualisht kishte konotacion pozitiv. Biljana Stepanoviç do të preferonte të ishte më realiste, sepse deri tani investimet turke në rajon kanë qenë të moderuara, thotë kryeredaktorja e revistës ekonomike të Beogradit “Nova ekonomija”.
Eksporti drejt gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, që ndodhen në sallonin e pritjes të BE-së për anëtarësim (Serbia, Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi) me gjithsej 20 milionë banorë, ka një volum vjetor nën dy miliardë dollarë amerikanë. Më shumë produkte prodhuesit turq i shesin në Azerbajxhan apo Izrael, të dy vende këto me më pak se 10 milionë banorë. Ndaj thekson Stepanoviç, duhet pritur një herë, të shihet, se sa seriozisht e kanë turqit.
Shumë vëzhgues megjithatë hamendësojnë, se Turqia nuk synon vetëm ekonominë në Ballkan. Qysh tani, kryesisht në vendet me shumicë myslimane si në Bosnje-Hercegovinë apo Shqipëri financohen xhami, shkolla e organizata humanitare. “Ne kemi të bëjme edhe me neo-osmanizmin. Turqit jetojnë me iluzionin, se ish-kolonitë po i presin ata me krahë hapur”, thotë Atilla Yeşilada. Në fakt, nuk është kështu, megjithatë turqit kanë arsye të forta që të jenë të interesuar edhe politikisht për këtë rajon. Nga njëra anë duhet stabilitet në këtë pjesë të fqinjësisë, nga ana tjetër edhe pse “qeveria e AKP-së beson – gjë që për mua është gabim – se për një periudhë afatmesme BE-ja do të jetë më shumë rivale se sa partnere”, thotë Atilla Yeşilada.

A janë vërtetë miq Putin dhe Erdogan?

Turqia është anëtare e NATO-s. Që megjithë këtë ajo blen armë ruse, kjo është më se e pazakontë. A po përvijohet një miqësi e re midis Ankarasë dhe Moskës?
Të dy e ndiejnë veten se i kanë trajtuar në mënyrë të padrejtë. Me të dy Perëndimi sillet rregullisht ftohtë. Të dyve u pëlqen që të paraqiten si burra të fortë dhe në publik e quajnë veten “miq”. Ata kanë shumë të përbashkëta, Presidenti i Rusisë dhe i Turqisë.
Javët e fundit u shtuan shenjat, se Vladimir Putini dhe Rexhep Tayyip Erdogani mund të lidhin një partneritet: tregtia e tyre bilaterale po rritet, ushtarakët dhe shërbimet e tyre të fshehta bashkëpunojnë në Siri. Njëkohësisht, ata zhvillojnë luftën e vet përkatëse diplomatike me BE dhe me SHBA: Uashingtoni dhe Ankaraja nuk i japin viza palës tjetër. Turqia burgos gazetarë gjermanë dhe veprimtarë të të drejtave të njeriut dhe injoron si protestat nga Berlini, ashtu edhe të drejtën në fuqi. Ushtarë të mbështetur nga Moska luftojnë në Lindje të Ukrainës. Kremlini as nuk pranon të flasë për aneksimin, por kërkon heqjen e sanksioneve perëndimore.

Armiku i armikut tim është miku im?
Meqenëse Putini dhe Erdogani kanë – për t’u shprehur në mënyrë të sjellshme – probleme me Perëndimin dhe me të drejtën ndërkombëtare, çfarë mund të ishte më afër mendsh, se lidhja e një aleance të përbashkët? Për t’ua treguar tamam vendin partnerëve të NATO-s, që bëjnë si të ditur, Erdogani madje vendosi të blejë sistem antiraketor rus – megjithë protestat e Uashingtonit dhe të Brukselit.
Por çfarë i solli Erdoganit zemërimi i manifestuar publikisht, revoltimi i ekspozuar kundër Perëndimit ose miqësia e supozuar me Rusinë? Asgjë. Politikanët e politikës së jashtme, qoftë në Berlin, qoftë në Uashington tregohen të paimpresionuar nga kërcënimet e Erdoganit se në njëfarë mënyre, ai mund të kalojë në anën tjetër, me marrëdhënie më të mira me Rusinë. Ata besojnë se Erdogani do të qetësohet herët a vonë dhe do t’i vërë interesat e vendit mbi egon e tij.
Sepse, edhe sikur marrëdhëniet me Rusinë të bëhen edhe më të ngushta: ekonomikisht, Turqia nuk mund të fitojë në Moskë as një të dhjetën e asaj që mund të humbasë në Perëndim. Bursa i ndëshkoi menjëherë ashpër manovrat e kthesës në politikën e jashtme të Erdoganit. Rritja ekonomike turke ka kohë që financohet, duke shtypur para të reja. Që kur shumë turistë perëndimorë i rrinë larg Turqisë, në pazarin e famshëm të Stambollit mbyllet një stendë pas tjetrës.
Një pamje e ngjashme në Moskë. Edhe nëse ekonomia gjermane po investon atje sërish më fort: tregtia bilaterale është tepër larg nivelit të 2014-ës. Sanksionet kanë efekt.

Koha punon për Perëndimin
Në mundjen me Rusinë dhe Turqinë, koha është në anën e Perëndimit. Sepse edhe kaq i ngushtë nuk është partneriteti midis Rusisë dhe Turqisë. Përkundrazi. Moska është e zhgënjyer, sepse gjatë vizitës së tij në Kiev, Erdogani e quajti Krimenë pjesë të Ukrainës. E sigurtë është: sistemin antiraketor rus Erdogani tani e porositi, por deri tani ka paguar vetëm një pagesë paraprake. Kjo marrëveshje mund të përfundojë edhe pa sukses.
Sepse, Presidenti turk e shtrëngon edhe më tej grushtin në xhep, që Rusia ndalon edhe më tej importin e domateve turke dhe të produkteve të tjera. Interesa të kundërta të dyja palët ndjekin edhe në Siri: Moska mbështet Presidentin Assad, Ankaraja kërkon ta rrëzojë. Dikur, Assadi dhe Erdogani qenë miqtë më të mirë, madje i kalonin bashkë edhe pushimet me familjet e tyre. Por që atëherë ka kaluar shumë kohë. Siç venë punët me miqësitë politike.

Merkeli dhe Macroni apel për diversitetin kulturor

Në hapje të Panairit të librit në Frankfurt, Emmanuel Macron dhe Angela Merkel premtuan se do të nxisin këmbimet kulturore dhe unitetin evropian.
“Sa më e varfër do të ishte Gjermania pa ndikimin e kulturës franceze, dhe sa më e varfër do të ishte Franca pa gjermanët?” Kancelarja gjermane, Angela Merkel e shtroi këtë pyetje në hapje të Panairit të Librit në Frankfurt, të martën në mbrëmje.
Ajo u bëri jehonë e fjalëve të folura nga Presidenti francez, Emmanuel Macron, më herët në mbrëmje, që tha se “identiteti i gjuhës jeton përmes konfrontimit me gjuhë të tjera”. Franca është këtë vit e ftuara e nderit në Panairin e Librit të Frankfurtit, në panairin më të madh të librit në botë. Kjo është hera e dytë për Francën. 28 vjet më parë, kur Franca luajti një rol të rëndësishëm në panair, Evropa qe modeste dhe e ndarë, Muri i Berlinit ende nuk qe rrëzuar. Këtë e kujtoi Kancelarja Merkel, kur me goditjen e çekanit e hapi Panairin.
Merkeli theksoi më tej rëndësinë e bashkëpunimit gjermano-francez për Evropën, duke theksuar solidaritetin dhe miqësinë midis të dyja vendeve, që forcohet dhe përmes letërsisë. “Autorët mund të jenë krijues idesh dhe ndërtues urash”, tha ajo.
Kancelarja gjermane përmendi më tej “shkëmbimin kulturor” tradicional midis Gjermanisë dhe Francës, duke përmendur Hugenotët që erdhën në Berlin dhe faktin që poeti gjerman, Heinrich Heine jetonte më të shumtën e kohës në Paris.

Librat si armë
Në fjalën e tij, Presidenti francez Emmanuel Macron kundërshtoi populizmin në rritje dhe nacionalizmin në Evropë. Macroni foli për fuqinë bashkuese të letërsisë. “Ne luftojmë për librat tanë dhe për kulturën”, tha ai. “Pa kulturë, nuk ka Evropë. Librat janë arma më e mirë”, shtoi ai. “Asgjë nuk është më efektive se sa libri. Është gjëja më e vlefshme që kemi në botë”.
Presidenti francez me njohuri filozofike hoqi një hark të gjerë në histori, pas deri te Johann Wolfgang von Goethe dhe përkthyesi i tij tepër i ri francez, dhe theksoi miqësinë midis fqinjëve Gjermani dhe Francë. “Gjuha bëhet më e fortë, kur pranon botë përfytyrimi nga kultura të tjera”, tha ai në fjalën e tij prej gjysmë ore.
Duke theksuar rëndësinë e fjalës së shtypur, Macroni dhe Merkeli shtypën faqen e parë të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut me një shtypshkronjë replikë të Gutenbergut, që u shpik rreth 600 vjet më parë në Mainz, pranë Frankfurtit. Kancelarja gjermane tha se na “nevojiten impulset intelektuale dhe krijuese që vijnë nga letërsia në të gjitha situatat”. “Një libër na fton të ëndërrojmë dhe na zgjeron horizontin”.
Merkeli e falenderoi Macronin, që në veprimet e para të tij pas marrjes së mandatit ai rihapi sërish në Francë gjimnazet bilinguale. Edhe kancelarja Merkel e hodhi vështrimin pas në histori dhe kujtoi Konrad Adenauerin, ish-kancelarin gjerman, i cili e quajti solidaritetin dhe miqësinë midis Gjermanisë dhe Francës si parakusht për një Evropë në paqe.
Macroni tha se të rinjtë duhet të jenë të lirë që të qarkullojnë midis vendeve dhe gjuhëve, se duhet të ekzistojnë universitete evropiane, të cilat të përpiqen të riafirmojnë Evropën mbi bazën e gjuhëve të ndryshme.
Për temën e unitetit evropian, të kërcënuar nga Brexit-i dhe forcimi i partive euroskeptike të djathta si Alternativa për Gjermaninë, Merkeli e mbylli fjalën e hapjes të panairit me fjalët: “Çdo autor i panairit kontribuon për ta bërë Evropën më të fortë”.

SHBA, qëndrim të ri ndaj Koresë së Veriut

Ndërsa Presidenti Donald Trump shqyrton veprime të mundshme ushtarake ndaj Koresë së Veriut, ushtria amerikane demonstroi forcën që mund të shihej qartë nga Koreja e Veriut.
Bombardues të rëndë supersonikë amerikanë ju bashkuan avionëve luftarakë japonezë dhe koreanojugorë, në një demonstrim force gjatë një manovre ushtarake, ku u qëllua me raketa në brigjet lindore edhe perëndimore të gadishullit korean.
Manovrat u zhvilluan, ndërsa Presidenti Trump u takua me këshilltarët e tij, si dhe pati një takim me ish-Sekretarin e Shtetit, Henry Kissinger. Gjatë takimit Presidenti Trump foli për një qëndrim të ri ndaj Koresë së Veriut.
Këto komente të zotit Trump vijnë pas disa javë tensionesh dhe replikash me udhëheqësin koreanoverior. Presidenti madje kërcënoi se “do ta shkatërronte plotësisht” Korenë e Veriut, në se do të ishte e nevojshme për të mbrojtur Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre, në rastin e një sulmi nga Pheniani.
Koreja e Veriut ka kryer një numër provash bërthamore dhe me raketa, përfshirë kalimin e raketave mbi Japoni.
Diplomatë të lartë amerikanë, japonezë dhe koreanojugorë kanë në plan të takohen më 18 tetor në Seul, për të diskutuar mbi kërcënimet e vazhdueshme bërthamore të Koresë së Veriut.

OKB ndalon anijet e mallrave për në Korenë e Veriut

Kombet e Bashkuara ndaluan katër anije që po transportonin mallra të ndaluara për Korenë e Veriut, që të mos hyjnë në asnjë port në botë. Hugh Griffiths, kreu i komisionit të OKB-së që mbikëqyr zbatimin e saksioneve ndaj Koresë së Veriut, e bëri të njohur këtë masë dje në një konferencë shtypi në Nju Jork. Ai tha se vendimi për portet ka hyrë në fuqi të enjten e kaluar.
Anijet e ndaluara janë “Petrel 8”, e regjistruar në ishujt Komoros, “Hao Fen 6”, që lundron me flamur të ishujve Shën Kit dhe Nevis, “Tong San 2”, anije koreano-veriore dhe anija e katërt është “Jie Sun”, e paregjistruar në ndonjë vend.
Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi një rezolutë në muajin gusht, e cila e ndalon Korenë e Veriut të eksportojë qymyr, hekur, plumb dhe prodhime deti, si përgjigje ndaj provës së suksesshme të Phenianit me një raketë balistike ndërkontinentale. Një raund i ri sanksionesh u miratua në shtator, pasi Koreja e Veriut kreu provën e gjashtë bërthamore.

Berisha me Granoff, diskutohet për krimin e investimet

Ish-Kryeministri Berisha priti në një takim Presidentin e Fondit shqiptaro – amerikan të Ndërmarrjeve, zotin Michael Granoff. Zoti Berisha shprehu vlerësimin e tij më të madh për suksesin e projekteve të Fondit shqiptaro – amerikan të Ndërmarrjeve në tërësi në Shqipëri si dhe investimet serioze që janë bërë në të gjitha fushat nga ky Fond. Ai shprehu kënaqësinë që projekti i rindërtimit të qëndrave urbane, një inisiativë e nisur që në vitin 20011, është projekti i vetëm që ecën në Shqipëri dhe kjo falë financimit dhe ekspertizës së Fondit. Presidenti Granoff e informoi zotin Berisha se, projekti më i fundit në këtë drejtim do të jetë Vlora, ku Fondi do të investojë një shumë të madhe për rindërtimin e qendrës së Vlorës. Gjithashtu në takim u diskutua për projektin e Fondit në arsim dhe në fusha të tjera. Në këtë kontekst, zoti Berisha i shprehu mirënjohjen më të thellë presidentit Granoff, bordit dhe punonjësve të Fondit, që me përkushtimin e tyre të madh, dashurinë për Shqipërinë e shndërruan Fondin shqiptaro-amerikan të Ndërmarrjeve në historinë më të suksesshme në të gjitha vendet ish-komuniste. Në takim zoti Berisha dhe zoti Granoff diskutuan për problemet kryesore në Shqipëri që janë krimi dhe korrupsioni dhe pamundësinë totale për t’i luftuar, për shkak të lidhjeve të Ramës dhe qeverisë me to, çka po largon investimet e huaja. Biseda ishte e hapur dhe miqësore.

Thaçi kundër Gjykatës Speciale kërkon vizat

Pendimi i Kreut të Shtetit të Kosovës për themelimin e Gjykatës Speciale për Krimet e Luftës në Kosovë, nuk mund të prodhojë asnjë efekt në raport me vet Gjykatën, por as ndonjë reagim të opinionit karshi kësaj Gjykate, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike dhe të aspekteve juridike në Kosovë.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë prezantimit të një raporti për perceptimin publik rreth Gjykatës Speciale, të organizuar nga disa organizata joqeveritare në Prishtinë, e ka cilësuar themelimin e Gjykatës Speciale, “proces të padrejtë historik ndaj Kosovës”. Ai ka theksuar se ka pranuar ta udhëheqë këtë proces, si kompromis, me premtimet e faktorëve ndërkombëtarë, për liberalizim të vizave, për formimin e ushtrisë, pranimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, si dhe rritjen e numrit të njohjeve nga vendet e ndryshme.
Politologu Ramush Tahiri, duke folur për Radion “Evropa e Lirë”, ka theksuar se reagimi i Presidentit Thaçi, vjen si pasojë e zhgënjimit me faktorët e caktuar ndërkombëtarë, që nuk realizuan kompromiset, për të cilat opinioni vendor nuk ka pasur informacione në kohë reale. Por, siç thotë Tahiri, pendimi i Kreut të Shtetit lidhur me çështjen e Gjykatës Speciale, nuk do të mund të ketë asnjë ndikim në punën e kësaj të fundit.
“Kjo Gjykatë nuk mund të abrogohet, sepse nuk pritet që Kuvendi të rishqyrtojë dhe të marrë vendim tjetër, megjithëse kishte disa përpjekje në të kaluarën, para disa muajve në Kuvendin e Kosovës. Kjo është thjeshtë një lloj, ndoshta, shfajësimi – që kjo Gjykatë po punon – i Hashim Thaçit, tash në funksionin e Presidentit. Por, nuk mendoj që do të ketë ndonjë ndikim praktik, përveç që do të ketë ndikim në marrëdhëniet e Kosovës ose të vet presidentit me faktorin ndërkombëtar”, thotë Tahiri.
Por, eksperti i çështjeve juridike – kushtetuese, Mazllum Baraliu, profesor në Universitetin e Prishtinës, thotë për Radion “Evropa e Lirë” se është krejtësisht e parëndësishme nëse janë penduar ose jo drejtuesit e institucioneve të Kosovës lidhur me Gjykatën Speciale. Sipas tij, Presidenti Thaçi, i cili në kohën e nisjes së procesit për themelimin e Gjykatës Speciale ishte në pozitën e kryeministrit, është dashur t’i bëjë publike kompromiset.
“Është pendim ose jo, kjo është jorelevante. Si zakonisht, eksponentët e institucioneve tona, kanë qenë vazhdimisht në funksion të kërkesave të bashkësisë ndërkombëtare. Ndërkaq, kjo që tash ai (Thaçi) po thotë se ka pasur një kompromis, për këtë kompromis ne nuk kemi ditur. Është dashur që atëherë, ata dhe ky vet, të këmbëngulin që kur bëhen marrëveshje të tilla, kompromisi të ketë mekanizma garantimi, që ato të realizohen dhe jo që Kosova vazhdimisht të humbë”.
Por, a mund të krijojnë efekte në opinionin publik deklaratat e Presidentit Thaçi, lidhur me Gjykatën Speciale?
Politologu Tahiri shpreh mendimin se kjo deklaratë mund ta nxisë opinionin, por mendimi dhe reagimi eventual i opinionit nuk mund të ndikojë në punën e Gjykatës Speciale.
“Reagime të opinionit do të ketë, sepse askush, duke përfshirë edhe vet presidentin, nuk janë të amnistuar nga hetimi i kësaj Gjykate dhe nga procesi i drejtë dhe i ndershëm që do të mundësohet, varësisht prej dispozitave ligjore që janë paraparë me këtë ligj. Mirëpo, kjo punë nuk ndihmon, sepse opinioni dhe ndikimi i opinionit në proceset gjyqësore është i pavarur prej punës së vet Gjykatës”.
Profesor Baraliu nuk pret reagim nga opinioni, për shkak se sipas tij, reagimi i Presidentit është i vonuar.
“Ndoshta është reagim i vonuar edhe i vet Presidentit, për shkak se atëherë është dashur të veprojë dhe të mos lejojë kompromise të tilla që të mos realizohen edhe në dobi të Kosovës, që të përfitojë diçka edhe Kosova dhe jo vetëm të humbë, siç është rasti me Gjykatën Speciale, e cila me të vërtetë është e padrejtë”.
Presidenti Thaçi, megjithatë ka deklaruar se Gjykata Speciale “do të jetë vetëm një pikë drejtësi”, siç ka thënë ai, “në detin e padrejtësive që kanë ndodhur në Kosovë”. Ai ka ngritur pikëpyetjen se “a do ta nxjerrë të vërtetën dhe a do të sjellë pajtim ndëretnik”, Gjykata Speciale, e cila pritet që në një të ardhme shumë të afërt të procedojë me rastet e para.