28.5 C
Tirana
E shtunë, 16 Gusht, 2025

Nuk ka pavarësi për Katalonjën

Udhëheqësit e Katalonjës u tërhoqën në minutën e fundit nga shpallja e pavarësisë, duke pezulluar zbatimin e rezultatit të referendumit për t’u shkëputur nga Spanja, dhe vendosën t’i lenë kohë negociatave me qeverinë qendrore të Madridit.
Duke folur para Parlamentit të Katalonjës, Presidenti rajonal Carles Puigdemont i bëri thirrje Madridit të hyjë në dialog. Ai tha se Katalonja ka fituar të drejtën për pavarësi.
Puigdemont mbajti një fjalim para Parlamentit rajonal, për herë të parë që nga referendumi i debatueshëm një javë më parë, i cili doli me një rezultat të thellë të katalanëve që votuan për shkëputje. Referendumi u shpall i paligjshëm nga qeveria dhe Gjykatat në Madrid.
Një numër biznesesh, përfshirë dy banka kryesore të Spanjës, një kompani e rëndësishme e telekomunikacioneve dhe një grup ndërtuesish, si dhe një protestë masive gjatë fundjavës në Barcelonë nga 350 mijë katalanë që kundërshtonin shkëputjen, filluan të ndikojnë mes të moderuarve që janë të alarmuar për perspektivën e një kolapsi ekonomik dhe trazirave civile.
Ata bënë thirrje për një pauzë dhe për më shumë përpjekje për të hapur negociata me qeverinë e qendrës së djathtë të kryeministrit Mariano Rajoy, i cili është nën presion nga partia e tij të mbajë një qëndrim të prerë me separatistët. Kryetarja e Bashkisë së Barcelonës, Ada Colau, argumentoi të hënën në mbrëmje kundër shpalljes së pavarësisë, duke thënë se do të kërcënonte bashkëjetesën sociale.

Aktivistët opozitarë protestojnë në Tbilis

AppleMark

Policia është përleshur me aktivistët opozitarë gjeorgjianë, të cilët po protestonin kundër vendimit të këshillit të qytetit të Tbilisit, për t’i dhënë një ngastër tokë kompanisë së ndërtimit, të lidhur me miliarderin, Bidzina Ivanishvili.
Tetë aktivistë janë ndaluar gjatë trazirave, afër ndërtesës së këshillit në qytetin e Tbilisit.
Qindra aktivistë opozitarë kanë protestuar afër ndërtesës, duke kërkuar të hyjnë brenda për të marrë pjesë në mbledhjen e këshillit ku do të diskutohet çështja e tokës.
Ivanishvili ka krijuar partinë “Georgian Dream” që rrëzoi partinë e Saakashvilit, duke ardhur në fuqi përmes zgjedhjeve parlamentare të viteve 2012.

Shqipëria, tjetër raund eliminatoresh

Në datën 19 tetor, Shqipëria e 17-vjeçarëve do të nisë një tjetër raund eliminatoresh pas suksesit të vitit 2014, ku arriti të kualifikohej në Elite Round. Kuqezinjtë bëjnë pjesë në Grupin 2 kualifikues të Europianit bashkë me Spanjën, Kroacinë dhe Lihtenshtejnin. Një grup shumë i vështirë, por jo i pakalueshëm për trajnerin Xhemal Mustedanagiç, i cili doli përpara gazetarëve në konferencën për shtyp i mbushur me optimizëm dhe me besim se skuadra e tij mund t’ia dalë edhe përballë superfuqive si Spanja e Kroacia. Fillimisht, ai u ndal te puna pozitive e bërë nga Panucci dhe Bushi, duke u shprehur se ndeshjet e zhvilluara nga dy skuadrat e tyre pasqyrojnë një rritje progresive të futbollit shqiptar. Në vijim, trajneri boshnjak i 17-vjeçarëve u ndal te faza eliminatore që starton në datën 19 tetor kundër Kroacisë në “Selman Stermasi” dhe vazhdon më pas me përballjet ndaj Spanjës dhe Lihtenshtejnit po në vendin tonë, pasi e gjithë kjo fazë do të luhet në Shqipëri.
“Ashtu si çdo vit tjetër kemi një grup të vështirë. Kemi luajtur më përpara me Holandën, Zvicrën, Italinë, Maqedoninë, por unë mendoj që ky aktuali është grupi më i vështirë, pasi Spanja është një skuadër me traditë dhe shumë talente. Ata bashkë me Kroacinë janë favoritë, por ne kemi një ekip të mirë dhe mund të bëjmë një surprizë në këto eliminatore. Qëllimi jonë është që të bëjmë një prezantim të mirë dhe të kualifikohemi në Elite Round. Duhet të luajmë mirë dhe do të synojmë të luajmë futboll modern, por duhet parë se sa do të na lejojë ekipi kundërshtar. Gjithsesi, qëllimi jonë është që t’i shërbejmë sa më shumë ekipit të parë. M’u bë qejfi kur pashë Ndojin me ekipin A dhe në të ardhmen duhet ta furnizojmë sa më shumë skuadrën e parë”, u shpreh Xhemal Mustedanagiç.
Me një karrierë të gjatë drejtuese, Mustedanagiç ka punuar edhe në Kroaci dhe ky mund të jetë një avantazh për kuqezinjtë në ndeshjen e parë. Trajneri boshnjak kërkon t’i bëjë një surprizë të hidhur skuadrës rivale, pasi për të kjo ndeshje ka edhe aromën e një derbi. “Kam punuar me U-17 dhe U-19 të Kroacisë, por edhe me Dinamon e Zagrebit dhe e kam vëzhguar Kroacinë, pra dëshira ime është t’i bëjmë një surprizë edhe pse nuk është e lehtë. Kam evidentuar disa pika të dobëta të Kroacisë dhe aty do të tentojmë t’i godasim”, tha ai.
Ka punuar në Kroaci, por e tashmja e tij është Shqipëria. Mustedanagiç e shikon me optimizëm të ardhmen e futbollit shqiptar, madje ai bën një parashikim befasues. “Do ta shikoni që në të ardhmen, Shqipëria do të jetë edhe në Europian edhe në Botëror. Në të ardhmen, Shqipëria për lojtarët që luajnë jashtë do të jetë zgjedhje e parë. Marr si shembull Zvicrën, ku shqiptarët do të mendojnë si zgjedhje të parë Shqipërinë”, tha Mustedanagiç.
Gjatë konferencës së shtypit, ai prezantoi edhe listën me 24 lojtarët e grumbulluar për këtë fazë eliminatore, ku bie në sy prania e një numri të madh emrash që aktivizohen në ekipet shqiptare.

54 për qind e të intervistuarve: Kemi paguar ryshfet

Me nepotizmin vjen dhe korrupsioni. 54 për qind e të intervistuarve shqiptarë raportojnë se kanë paguar ryshfet në një institucion shëndetësor në 12 muajt e fundit, ndërsa 19 për qind kanë korruptuar një gjyqtar ose prokuror dhe 14 për qind i kanë dhënë ryshfet një polici. Siç vëren raporti:
“Shqipëria duket të jetë bindshëm përpara ekonomive të tjera në rajon, kur bëhet fjalë për përhapjen e ryshfetit”.
Së fundmi, të dhënat nga Barometri Ballkanik tregojnë se pothuajse gjysma e të intervistuarve shqiptarë raportojnë se nuk janë në gjendje të mbajnë shtëpinë e tyre në mënyrë adekuate të ngrohtë, ndërsa 69 për qind nuk kanë para qoftë dhe për një javë pushimi në vit. 39 për qind e të intervistuarve nuk janë në gjendje të paguajnë qiranë e tyre ose faturat e shërbimeve.
Pra, kjo është e vërteta e qartë që del nga raporti: në krahasim me pjesën tjetër të Ballkanit Perëndimor, korrupsioni dhe varfëria qeverisin në Shqipëri dhe ekziston vetëm një zgjidhje: vendi të futet në BE dhe qytetarët të mund të largohen ligjërisht nga vendi.

Çmenduri për Kane

Real Madrid e dëshiron me çdo kusht yllin e Tottenhamit, Harry Kane dhe kërkon të bëjë çmenduri në merkaton e verës. Sipas Diario Gol, Real Madrid e ka marrë seriozisht transferimin e sulmuesit anglez, Harry Kane nga Tottenhami. Diario Gol shkruan se Los Blancos janë të gatshëm t’i sakrifikojnë tre yje për Kanen.
Thuhet se Reali do t’i ofroj Tottenhamit yjet si Gareth Bale, Luka Modriç dhe Karim Benzema për Kanen. Më herët është raportuar se kampioni i Spanjës dhe Evropës është i gatshëm t’i ofroj Tottenhamit 2000 milionë euro për sulmuesin anglez. Mbetet të shihet gjatë verës së ardhshme se çka do të ofroj Real Madrid për Kanen. Real Madridi është i gatshëm që ta shesë Gareth Bale. Sipas “El Confidencial”, Real Madrid është i gatshëm që ta shesë yllin e saj, Gathet Bale. Bale po ka probleme të vazhdueshme me lëndimet, derisa kjo po i shkakton probleme trajnerit të Los Blancos, Zinedine Zidanes. Kështu, thuhet se nëse Real Madrid merr një ofertë prej 100 milionë eurove është e gatshme ta shesë uellsianin.
Gjatë afatit kalimtar të kësaj vere, Bale ishte kërkuar nga menaxheri i Manchester Unitedit, Jose Mourinho. Ndërkohë, Real Madridi është i interesuar për blerjen e portierit të Manchester Unitedit, David De Gea, megjithëse De Gea ka rënë edhe në radarin e Paris Saint-Germain, raporton e përditshmja sportive franceze, “Le10 Sport”. PSG e ka prioritet portierin spanjoll, pasi hoqi dorë nga ai i Atletico Madridit, Jan Oblak, për shkak të çmimit të lartë, 100 milionë funte.
Ndërkohë, Barcelona nuk heq dorë nga Philippe Coutinho dhe kërkon ta transferojë që në janar. Sipas të përditshmes sportive katalane, Mundo Deportivo, Philippe Coutinho ka një marrëveshje me Liverpoolin që të largohet në janar. Coutinho shpreson që klubi nga Anfield do ta mbajë premtimin, derisa shpreson që të realizojë ëndrrën, duke u transferuar në Barcelonë.
Sipas “Mundo Deportivos”, Barcelona ende është kontakt me ish-yllin e Interit. Gjatë verës, Barcelona kishte bërë çmos që ta transferojë brazilianin, por Liverpool u ka rezistuar milionave të klubit nga La Liga. Mbetet të shihet në janar, nëse Coutinho do t’i bashkohet Barcelonës, apo ky transferim do të shtyhet deri në verën e ardhshme.
Arlind RAMA

INSTAT e konfirmon: Çmimet e librave për nxënësit u rritën

Denoncimeve të prindërve, por edhe të opozitës për rritjen e teksteve shkollore për këtë vit akademik, Ministria e Arsimit iu përgjigj menjëherë si akuza të pavërteta e madje politike. Sipas Ministrisë së Arsimit, tekstet shkollore për këtë vit akademik nuk pësuan rritje dhe vijuan me të njëjtin nivel të një viti më aprë. Por ndryshe nga sa pretendon ministria, shtatori është muaji më intensiv i blerjeve për prindërit që kanë fëmijë për të shkolluar. Thuajse 80 për qind e furniturës së shkollës me libra dhe mjete kancelarie blihen gjatë këtij muaji. Mirëpo për shkak të kërkesës së lartë të njëjtët artikuj pësojnë një rritje jo të zakontë të çmimeve gjatë shtatorit.
Sipas INSTAT ritmet vjetore të rritjes së çmimeve në librat dhe artikujt shkollor ishte 2.5 për qind në shtator, teksa në muajt e mëparshëm ky ndryshim ishte poshtë vlerës 1.
Për shkak të ndryshimit të kurrikulës, furnizimet e shkollës vit pas viti plotësohen me elementë të rinj. Çdo lëndë përveç pajisjeve bazë libra fletore, laps dhe stilolaps, ka edhe mjete të veçanta pune që aplikohen gjatë vitit.
Sipas një vëzhgimi që “Monitor” bëri gjatë ditëve të para të shtatorit në kulmin e sezonit të blerjeve u vu re se, rritja e çmimeve ka përfshirë më së shumti Tiranën, ku blerjet janë më intensive për shkak të numrit më të lartë të nxënësve dhe për rrjedhojë edhe kërkesës më të lartë për mjete shkollore. Në disa kancelari në Tiranë, rritja e çmimeve ka qenë më e lartë se 20%.
Në të kundërt, çmimet e veshjeve për fëmijë pësoi rënie të mëtejshme në shtator. INSTAT pohon se çmimet e veshjeve dhe këpucëve për fëmijë pësuan ulje përkatësisht me -2.2 dhe 2%. Në SHBA sipas një sondazhi të Deloitte, familjet i ndajnë shpenzimet për shkollën, 50 për qind për veshjet dhe 50 për qind për mjete shkollore. Ndërsa për një familje me të ardhura të ulta në Shqipëri harxhimet për mjetet dhe librat i kalojnë ato për veshjet. Shkollimi në Shqipëri po bëhet gjithnjë e më i shtrenjtë, më shumë për shkak të rritjes së çmimeve të shërbimeve arsimore sidomos në sektorin publik.
Kanë qenë vetë prindërit ata që kanë ngritur shqetësimin, ndërsa kanë deklaruar se këtë vit pavarësisht deklaratave të Ministrisë së Arsimit se çmimet do të jenë po të njëjtat, ndihet një rritje e ndjeshme e tyre. Por edhe pse çmimi i shitjes nuk ka ndryshuar për shumë prej librave krahasuar me vitin e kaluar, prindërit e nxënësve shprehen për mediat se çmimet aktuale janë të larta dhe të papërballueshme.
“Librat shkojnë 60 mijë lekë. Ka dhe shpenzime të tjera, jo fletore, jo lapsa, mjete të tjera, domethënë 100 mijë lekëshi, dhe i bie barabartë me 2/3 e pensionit tim. Është e vështirë për t’u përballuar, do rrimë pa bukë, t’i japim fëmijës librin”, shprehet një qytetar.
Çmimet e teksteve të reja, të cilat iu nënshtruan procesit të vlerësimit nga Ministria e Arsimit dhe Sportit për vitin shkollor 2017-2018, propozohen nga subjektet dhe vlerësohen nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, sipas metodologjisë së mëposhtme: Çmimet e teksteve dorëzohen nga subjektet në MAS, në zarf të mbyllur, sipas udhëzimeve përkatëse dhe i nënshtrohen procesit të vlerësimit.
Pas përfundimit të afatit të dorëzimit dhe vlerësimit të teksteve, Komisioni i Vlerësimit të Teksteve Shkollore, i ngritur në MAS, në prezencë të shtëpive botuese apo subjekteve, bën hapjen dhe leximin e çmimeve të propozuara për tekstet nga subjektet dhe një kopje të procesverbalit të hapjes e vë në dispozicion të palëve pjesëmarrëse në proces. Pas përfundimit të procesit të vlerësimit dhe renditjes së teksteve, për tekstet që rezultojnë fituese, MAS bën përllogaritjen dhe vlerësimin e çmimit mesatar aritmetik, ose çmimit tavan të teksteve të miratuara.

Memushaj në formacionin e dështimeve të Serisë A

Janë luajtur vetëm 7 javët e para në Serinë A, por megjithatë, “La Gazzetta dello Sport” ka ndërtuar formacionin me futbollistët e dështuar deri në këtë moment në kampionat. Mes emrave si Bertolacci, Cerci, Douglas Costa është edhe mesfushori i Kombëtares shqiptare Ledian Memushaj.
Një sezon më parë ishte kapiteni dhe një ndër futbollistët më të mirë të Pescara-s. Por edhe pse skuadra e tij ra në Serinë B, Memushaj u transferua në fundin e merkatosë së verës te Benevento.
Megjithatë, kur janë luajtur 7 javët e para, vlonjati ende nuk ka arritur të tregojë më të mirën e tij, ndoshta edhe për pasojë të lojës së dobët dhe pa rezultate të të gjithë skuadrës ku ai bën pjesë, pasi deri tani kanë koleksionuar vetëm humbje dhe mbajnë vendin e fundit në renditje me 0 pikë.
Edhe në Kombëtaren shqiptare, në dy ndeshjet e fundit ndaj Spanjës dhe më pas Italisë në Shkodër, Memushaj nuk arriti të ngrihej në nivelin e treguar në sezonin e kaluar.

Prodhuesit i kërkojnë qeverisë të përmirësojë klimën e biznesit

Bashkimi i Prodhuesve shqiptarë në një takim me ministren e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, kanë diskutuar rreth përmirësimit të klimës së biznesit, si dhe fokus të bisedës ka qenë edhe ulja e informalitetit.
Kërkesat e parashtruara ministres Sonila Qato, nga Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë, në kuadër të përmirësimit të sektorëve të ndryshëm të prodhimit vendas ishin:
– Përmirësimi i klimës së biznesit nëpërmjet përforcimit të mekanizmave të dialogut publik-privat, duke kërkuar përfshirjen e këtij organizmi në grupe punë, tryeza teknike, komitetet dhe këshillat që do të marrin në shqyrtim ekonominë dhe çështjet e sipërmarrjes prodhuese. Si një masë paraprake u kërkua ndërhyrja në Ligjin për Konsultim Publik, duke kërkuar vendosjen e penaliteteve për nëpunësit ose zyrtarët publik, të cilët nuk e respektojnë këtë ligj.
– Ulja e informalitetit nëpërmjet shtrirjes së inspektimeve edhe te subjektet informale. Mbështetja e futjes së skemës së TVSh-së dhe në tregun e shitjes në pakicë. Rishikimi i legjislacionit për Shoqëritë e Bashkëpunimit Bujqësor, duke formalizuar dhe përsosur më tej strukturën organizative, në nivel lokal dhe kombëtar. Hartimi dhe implementimi i regjistrit elektronik të fermës, kartës elektronike të fermerit, si dhe krijimi i Qendrës Kombëtare të Agrobiznesit.
– Rritja e standardizimit dhe konkurrueshmërisë si faktor kyç për sfidën Evropiane dhe atë Ballkanike. Analizë të situatës aktuale të ekonomisë në krahasim me rajonin dhe për të parë avantazhet krahasuese. Propozim për ngritjen e një grupi pune me ekspertë nga ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes dhe me përfaqësues nga Bashkimi i Prodhuesve shqiptarë ku të diskutojnë dhe të japin zgjidhje problematikave të hasura nga sipërmarrësit prodhues vendas në sektorë të ndryshëm. Nxitja e eksporteve me vlerë të shtuar, rishikimi i tarifave për shërbimet portuale etj.

 

33 kompani të mëdha në faliment brenda vitit

Në harkun kohor të një viti, Gjykatat kanë miratuar nisjen e procedurave të falimentit për 33 kompani. Shifra konfirmohet për “Scan” nga burime zyrtare pranë gjyqësorit. Shifra është mjaft e ulët, duke parë numrin shumë të madh të kompanive që raportojnë balance negative në tre vitet e fundit të aktivitetit.
Të pyetur nga Televizioni “Scan”, mbikëqyrësit e falimentit thonë se shkak i numrit të pakët është ndryshimi i ligjit, por edhe mungesa e njohjes së legjislacionit në përgjithësi nga vetë bizneset. Kjo edhe pse ndryshimet ligjore parashikojnë procedura më fleksibël në nisjen e procesit të falimentit dhe likuidimin e ndërmarrjeve.
Ndërkaq vetëm Administrate Tatimore deri në vitin e shkuar ka kërkuar nisjen e procedurave të falimentit për të paktën 132 kompani, një pjesë e mirë e të cilëve me emra mjaft të njohur në tregun shqiptar. Mes tyre bien në sy subjekte si “CITY PARK”, “BELLE AIR”, apo “ALBATROS AIRWAYS”.
Një pjesë e mirë e këtyre bizneseve janë në pritje që prej tre apo katër vitesh për zbatimin e procedurave të falimentit.

Pas Tiranës, Bashkitë e majta nisin rritjen e çmimit të ujit

 

Rritet me 15 lekë çmimi i ujit për qytetarët e Korçës. Rritje do të ketë për konsumatorët familjarë dhe institucionet publike, ndërsa për bizneset private nuk ndryshon.
Rritja me 10 për qind është vendosur dje në mbledhjen e radhës së Këshillit Bashkiak të Korçës. Rritja e çmimit konsiston me 7 lekë për m3 të ujit të pijshëm, ndërsa për ujërat e përdorura me 8 lekë. Propozimi për ndryshimin e planit tarifor është bërë nga Drejtoria e Ujësjellësit, kjo për faktin se treguesit ekonomikë dhe investimet që janë kryer në rrjet duhen shlyer kreditë e marra.
Kjo rritje që do të bëhet ka sjellë shqetësimin e banorëve që e quajnë rëndesë në ekonominë familjare, pavarësisht se janë të kënaqur nga shërbimi. Kryetari i Bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo, është shprehur se investimet në rrjet janë votuar nga këshilli dhe se rritja e tarifave është parashikuar që në kohen kur u bë ujësjellësi i ri i Korçës, i cili është model në të gjithë Shqipërinë. Ndryshimi i tarifave nuk është mirëpritur nga këshilltarët e djathtë, të cilët nuk e kanë votuar këtë ndryshim. Çmimet e reja do të duhet të miratohen nga Enti Rregullator i Ujit për miratim para se të zbatohen nga shoqëria.
Një muaj më parë, Enti Rregullator i Ujit ka miratuar aplikimin e Ujësjellësit të Durrësit për rritjen e tarifave të furnizimit me ujë të pijshëm për këtë qytet. Kërkesa pati marrë më parë dhe opinionin pozitiv të Këshillit Bashkikak të Durrësit. Vendimi hyn në fuqi me 1 shtator dhe do të zgjasë për 4 vite.
Sipas vendimit të Entit, rritja më e madhe është për konsumatorët familjarë, për të cilët një metër kub ujë do të kushtojë 70 lekë nga 61 lekë që ishte. Ndërkohë për bizneset dhe sektorin publik rritja është 5 lekë për metër kub. Paralelisht fatura e ujit ka pësuar rritje edhe për pjesën e kanalizimeve.
Për familjarët tarifa shkon nga 37 lekë për metër kub në 50 lekë/m3. Rritje më të moderuar ka dhe për biznesin dhe sektorin publik. Njëkohësisht çdo klient do të paguajë 100 lekë në muaj si tarifë fikse. Këto tarifa kanë si objektiv sipas Entit Rregullator të Ujit, uljen e humbjeve, një furnizim për 7 orë e gjysmë në ditë me ujë dhe rritjen e arkëtimeve.