Shpresat e Shqipërisë nuk mundën të merrnin më shumë se një pikë në ndeshjen ndaj Islandës në “Elbasan Arena” edhe pse i kishim mundur në ndeshjen e parë 2-3 në transfertë. Skuadra e drejtuar nga trajneri Alban Bushi e pati gjatë gjithë kohës lojën nën kontroll, por nuk mundi të realizonte në portën e Islandës. Raste të shumta për shënim nga 21-vjeçarët shqiptarë u shpërdoruan në portën e Islandës, ku mund të veçohet rasti i humbur nga Abazaj në pjesën e dytë, i cili u gjend i vetëm me portierin kundërshtar. Sulmuesi shqiptar e kaloi topin mbi portierin, por e dërgoi jashtë kuadratit. Pas 4 ndeshjeve të para, Shqipëria ka arritur të grumbullojë 5 pikë, duke u renditur në vendin e katërt, në grupin e kryesuar nga Irlanda e Veriut me 7 pikë.
Turneu i ri starton në 2018
UEFA ka zyrtarizuar formatin përfundimtar të Ligës së Kombeve, me Shqipërinë që do të jetë e pozicionuar në Divizionin C. Mbyllja e kualifikueseve, Konfederata Europiane e Futbollit konfirmoi pozicionimin e skuadrave për turneun më të ri që do të startojë në vitin 2018.
Në bazë të koeficientit, Shqipëria e sheh veten në Divizionin C, aty ku në shortin e 24 janarit të ardhshëm në Luzanë do të jetë në vazon e dytë. Kjo bën që të evitohen sfidat e nxehta me Greqinë dhe Serbinë, ndërsa evitohet edhe përballja me Norvegjinë.
Përsa i takon skuadrave që cilësohen koka-serie, rivalët e mundshëm në vazon e parë janë Hungaria, Rumania, Skocia dhe Sllovenia. Nga rivalët më të dobët në letër, kuqezinjtë mund të përballen me Malin e Zi, Izraelin, Bullgarinë dhe Finlandën në vazon e tretë, ndërsa në vazon e katërt pozicionohen Qipro, Estonia dhe Lituania.
Në bazë të shortit, ekipet do të ndahen në një grup me tre skuadra dhe tre grupe me nga katër. Katër fituesit e grupeve do të fitojnë të drejtën të ngjiten në Divizionin B në edicionin e vitit 2020, ndërsa katër ekipet e vendeve të fundit zbresin në Divizionin D.
Skema e turneut të ri parashikon gjithashtu që në rast se katër skuadrat fituese të grupeve nuk arrijnë të sigurojnë një vend në Europianin 2020 nëpërmjet kualifikueseve, ato do të luajnë shansin në ndeshjet “play-off” ku në lojë është një “biletë” drejt evenimentit.
Sipas kalendarit të UEFA-s, ndeshjet e javës së parë në grupe luhen nga data 6 deri më 8 shtator 2018, ndërsa sfidat do të mbyllen në harkun e tre muajve, me ndeshjet e javës së gjashtë që do të luhen nga data 18 deri më 20 nëntor 2018. Grupet me nga tre skuadra do të luajnë vetëm 4 nga gjashtë datat e përcaktuara.
Përsa i takon Kosovës, ecuria larg pritshmërive ka bërë që përfaqësuesja më e re në botë në kualifikueset e Botërorit, ku morën vetëm një pikë, është shoqëruar me pozicionimin në vazon e fundit të Divizionit D. Kosova lë mbrapa vetëm San Marinon dhe Gjibraltarin, ndërsa kundërshtarët më të rrezikshëm me të cilët mund të përballet do të jenë Azerbajxhani, Maqedonia, Bjellorusia dhe Gjeorgjia në vazon e parë dhe Armeni e Letonia në vazon e dytë.
Përsa i takon ekipeve më të mëdha europiane, në Divizionin A të Ligës së Kombeve, 12 skuadra janë ndarë në tre vazo, ku Gjermania, Portugalia, Belgjika dhe Spanja janë koka-serie. Italia pozicionohet në vazon e dytë përkrah Francës, Anglisë dhe Zvicrës, ndërsa befasia e momenteve të fundit ishte ngjitja e Holandës, që i rrëmbeu vendit Uellsit në vazon e tretë të divizionit elitar. Spektakli do të jetë i garantuar me përballje të mëdha në katër grupe me nga tre skuadra, ndërsa fitueset e secilit grup do të luajnë për të fituar trofeun e Ligës së Kombeve me finalen që do të zhvillohet në qershor të vitit 2019.
Mjaft interesant do të jetë edhe Divizioni B, në të cilin luajnë skuadra me peshë si Austria, Uellsi, Suedia apo Ukraina, Bosnja, Danimarka e Turqia. Edhe në Divizionet A dhe B, fitueset e grupeve që nuk do të arrijnë të sigurojnë kualifikimin në Euro 2020 do të kenë shansin të sigurojnë një vend në fazën finale të turneut.
Kosovë, 400 milionë euro borxhe të falura
Nga borxhi prej 730 milionë euro ndaj institucioneve shtetërore dhe ndërmarrjeve publike, personat fizikë dhe juridikë, kanë shlyer rreth 400 milionë euro, bëjnë të ditur përfaqësuesit e Ministrisë së Financave në qeverinë e Kosovës.
Për faljen e borxheve, qeveria e Kosovës pati marrë vendim në muajin shkurt të vitit 2015, kurse në muajin shtator të po atij viti, kishte miratuar edhe Ligjin për faljen e borxheve publike. Afati për shlyerjen e borxheve është mbyllur në shtator të këtij viti. Zëdhënësi i Ministrisë së Financave, Muharrem Shahini tha për Radion “Evropa e Lirë” se i gjithë procesi i faljes së borxheve ka rrjedhur mirë dhe tani janë në përmbyllje të raporteve finale.
“Bazuar në të dhënat e raportuara nga institucionet shtetërore dhe ndërmarrjet publike gjatë procesit të faljes së borxheve, janë falur afërsisht 400 milionë euro. Jemi duke pritur raportet e fundit nga institucionet shtetërore dhe ndërmarrjet publike. Pas pranimit të tyre do të hartohet një raport përmbledhës me të dhëna të detajuara për të gjitha institucionet bazuar në raportimet e tyre”, thotë Shahini.
Borxhet më të mëdha të cilat janë falur, shton ai, kanë qenë ndaj Korporatës Energjetike të Kosovës, Administratës Tatimore dhe ndërmarrjeve publike. “Nga falja e borxheve më së shumti kanë përfituar subjektet/bizneset, të cilat kanë pasur detyrime ndaj Administratës Tatimore të Kosovës, qytetarët të cilët kanë pasur detyrime ndaj Korporatës Energjetike të Kosovës, pastaj qytetarët – tatimpaguesit, të cilët kanë pasur detyrime ndaj komunave për tatimin në pronë dhe ata (qytetarë), të cilët kanë pasur detyrime ndaj ndërmarrjeve publike, kryesisht ndaj atyre, të cilat operojnë në komunat – qytetet më të mëdha të Kosovës”, thotë Shahini. Falja e borxheve publike për personat juridikë dhe fizikë në Kosovë, të akumuluara deri më datën 31 dhjetor 2008, sipas përfaqësuesve të bizneseve ka hasur në vështirësi për shkak të disa kushtëzimeve që ka paraqitur ligji që rregullon këtë çështje.
Sipas Ligjit për faljen e borxheve, për periudhën deri më 31 dhjetor 2008, përfitojnë të gjithë personat, të cilët kanë obligime të pashlyera ndaj institucioneve shtetërore dhe ndërmarrjeve publike, me kusht që të njëjtit të kryejnë pagesën e plotë të obligimeve për periudhën nga 1 janar 2009 deri më 31 dhjetor 2014. Xhevat Kastrati qytetar nga Prishtina thotë të mos ketë aplikuar për falje të borxheve, pikërisht për shkak të kushtëzimeve që ka pasur ligji. “Sa i përket faljeve të borxheve, unë nuk kam aplikuar, pasi që nuk kam pasur mundësi të paguajë shumën që kemi qenë të obliguar”, thotë ai.
Derisa, Naseri, po ashtu qytetar nga Prishtina, i cili ka pasur një borxh të akumuluar prej 400 eurove, thotë se t’i ketë ndihmuar ky ligj. “Po një vendim i tillë nga qeveria e kaluar për falje të borxheve ka qenë i qëlluar. Ne kemi kryer obligimet tona dhe tani jemi më të rregullt në kryerjen e obligimeve për shërbimet që i marrim”, thotë ai. Në kohën kur ishte miratuar Ligji për faljen e borxheve, kjo iniciativë nga Shoqëria Civile ishte konsideruar e padrejtë për konsumatorët e disiplinuar, të cilët kanë paguar të gjitha detyrimet gjatë asaj periudhe. Ata patën theksuar se, me këtë masë janë shpërblyer qytetarët dhe bizneset që nuk kanë respektuar pagesat dhe borxhet, duke shmangur tatimet dhe duke mos paguar për shërbimet publike, kurse janë dënuar të gjithë qytetarët e ndërgjegjshëm, të cilët i kanë shlyer vetë dhe me kohë këto borxhe.
Australia kualifikohet me vështirësi
Ëndrra e Sirisë për një vend në fazën finale të botërorit të ardhshëm mori fund pas golit të shënuar në kohën shtesë nga veterani Tim Cahill, gol që kualifikon për në fazën tjetër të play off-it Australinë, me rezultatin e përgjithshëm 3-2. Omar Al Somah i dha shpresë për të shkuar në Rusi kombëtares që përfaqëson një vend të shkatërruar nga lufta civile, kur realizoi që në 6′ në stadiumin e Sidneit. Gabimi i Mark Milligan i dha mundësi sulmuesit të klubit saudit Al Ahli për të zhbllokuar ndeshjen me të majtën, që në start, duke mbajtur të gjalla shpresat për të kualifikuar Sirinë për herë të parë në fazën finale të një botërori, por 37-vjeçari Tim Cahill barazoi shifrat vetëm shtatë minuta më vonë, pas krosimit perfekt të lojtarit të Hertës Mathew Leckie.
Për habinë e të gjithëve Aaron Mooy e nisi takimin nga stoli, megjithatë trajneri i Australisë Ange Postecoglou reflektoi menjëherë duke futur në fushë pikërisht dy minuta para golit mesfushorin e klubit të Premier League-s Huddersfield Town. Ky ishte edhe momenti që ktheu ndeshjen, pasi Siria shpëtoi vetëm falë pritjeve heroike të portierit Ibrahim Almeh, që evitoi më pas në pjesën e dytë gola të sigurtë ndaj Tom Rogic dhe Mathew Leckie-t. Siria që të enjten e kaluar në Malajzi barazoi në takimin e parë po me rezultatin 1-1 u reduktua me 10 futbollistë, pas daljes me karton të kuq në fillimin e shtesës së parë të Mahmoud Al Mawas.
Kartoni i kuq natyrisht influencoi ndjeshëm dhe pas rezistencës që bënë në shtesën e parë sirianët pësuan edhe golin e dytë, kur ish-lojtari i Evertonit Tim Cahill shënoi për herë të dytë me kokë, duke realizuar njëkohësisht edhe golin e tij të 50 me fanellën e përfaqësueses. Ndonëse me një futbollist më pak miqtë për pak sa nuk e çuan takimin te penalltitë, kur gjuajtja e lirë e ekzekutuar nga Al Somah në minutë 121 u ndal nga shtylla dhe Australia përfundimisht fitoi sfidën me rezultatin 2-1, duke prenotuar kështu edhe përballjen finale të play off-it me vendin e katërt të Konfederatës CONCACAF, pra Amerikës së Veriut, Amerikës Qendrore si dhe Zonës së Karaibeve.
Kili mbetet jashtë
Botërori 2018 fiton Lionel Mesin, por humbet Alexis Sanchez dhe Arturo Vidal. Kapiteni, numri 10 dhe frymëzimi i Argjentinës vendosi diktatin në një nga ndeshjet më të rëndësishme të karrierës së tij, duke marrë për dore skuadrën albiceleste në një 90 minutësh që mund të kishte rezultuar dramatik në rreth 3 mijë metra mbi nivelin e detit në Quito të Ekuadorit. 3-1 e mbylli ndeshjen e jetës Argjentina me tregolëshin e 5 herë fituesit të Topit të Artë, që në momentin më të vështirë pas pësimit të golit të parë që në fillim të takimit, nuk u dorëzua, por gjeti forcat dhe frymëzoi kombëtaren e tij me një gol të shpejtë që e riktheu Argjentinën në lojë.
Kombinim 1-2 me të përhershmin Di Maria dhe topi u ndal në rrjetë. Një gol që i dha kurajo dhe e bëri më të pakapshëm atë që nga shumë njerëz konsiderohet si futbollisti më i madh i të gjitha kohërave. Në stadiumin “Atahualpa” ai bëri të heshtnin të gjithë të pranishmit, ku shtoi një tjetër perlë gjatë pjesës së parë për të kaluar në avantazh ekipin bardhekaltër që për të parën herë arriti të merrte frymë lirisht edhe pse në një ambient mbytës.
Vendasit u shthurën taktikisht pas këtij goli duke kërkuar me çdo kusht ta prishnin festën argjentinase, por tentativat e tyre rezultuan të pasuksesshme, ndërsa Mesi u rishfaq vendimtar edhe në pjesën e dytë me golin që largoi çdo hije frike. 3-1, një fitore që mundonte në Ekuador që prej 16 vjetësh dhe 61 gola të Mesit me fanellën e Argjentinës, duke u ngjitur edhe në vendin e tretë të klasifikimit të Amerikës së Jugut pas Romarios dhe Ronaldos. Statistika dhe një paraqitje që ndoshta i kanë vënë përfundimisht kapak dyshimeve të tifozëve argjentinas për impenjimin e numrit 10 me kombëtaren.
Sulmuesi i Juventusit, Paulo Dybala, ndihet me fat që ka pasur mundësinë që të jetë pranë Lionel Mesit, i cili i siguroi Argjentinës kualifikimin në Botërorin “Rusia 2018”. “Unë jam me fat që e shoh dhe e kam aq afër”, ka shkruar ylli i Juventusit në Twitter. Lionel Messi shënoi tri gola në fitoren e Argjentinës ndaj Ekuadorit (1:3). Kjo fitore i mundësoi Argjentinës që të kualifikohet në Botërorin “Rusia 2018”.
Por në mbrëmjen e fundit eliminatore të zonës Comnebol nuk ka vetëm lotë gëzimi, por edhe lotë hidhërimi. Kili u thye 3-0 në Brazil ku dy herë Gabriel Jesus dhe një herë Paulinho nuk bënë skonto për kampionët e Kupës së Amerikës, duke i lënë ata jashtë Kupës së Botës. Në stadiumin “Allianz Parque” të San Paolos nuk pati histori sepse Brazili edhe pse me vendin e parë të siguruar, tregoi se në fushën e blertë nuk do të bëjë llogaritë me asnjë kundërshtar, duke i shkaktuar Kilit një humbje të hidhur që do ta mbajë jashtë Botërorit 2016. Buzëqeshje edhe për Uruguajin që kaloi 4-2 Bolivinë për të betonuar pozitat në vendin e dytë me një biletë në dorë, ndërsa Kolumbia barazoi 1-1 në Peru dhe u kualifikua falë disfatës së papritur të Paraguajit në shtëpi 1-0 nga Venezuela. Vendi i pestë që siguron përballjen e dyfishtë të play off me Zelandën e Re, shkon për surprizën e këtyre eliminatoreve, Perunë.
Holanda, Robben i jep lamumirën kombëtares
Ikona e futbollit holandez, Arjen Robben i ka dhënë lamtumirën kombëtares holandeze në ndeshjen ndaj Suedisë, ku shënoi dy golat e fitores edhe pse ky triumf ishte i papërfillshëm për kombëtaren dhe tifozët që tashmë kanë një humbje të dyfishtë, largimin e Robben e mbi të gjitha faktin që nuk do të jenë pjesëmarrës në Kupën e Botës, diçka që nuk ndodhte që në vitin 2002. Tulipanëve iu nevojiteshin plot 7 gola që të prisnin biletën për në Rusi, një mision që rezultoi i pamundur. Robben ka qenë një ndër lojtarët më të rëndësishëm për përfaqësuesen e tij që kur debutoi në të në vitin 2003, asokohe vetëm 19 vjeç.
Që atëherë ai ka marrë pjesë në tri kompeticione të Kupës së Botës dhe tri kampionate europiane. 33-vjeçari u pa shumë i emocionuar dhe gati duke lotuar në përfundim të takimit në “Amsterdam Arena”, ku deklaroi se tashmë është koha për t’i kaluar stafetën gjeneratës tjetër. Padyshim që karriera e tij ndërkombëtare e shtrirë në këto 14 vite ka qenë e mbushur me suksese. Ai ka shënuar një total prej 37 golash e ka dhënë 29 asist në 96 prezencat që numëron me fanellën e përfaqësueses. Arjen Robben ishte protagonist në finalen e Botërorit 2010, me Spanjën që u shpall kampione me rezultatin e ngushtë 1-0. 4 vite më vonë ishte pjesë e ekipit të Louis van Gaal në Botërorin e Brazilit, ku kombëtarja e tij u rendit e treta. Para se cikli i tij të mbyllej kolegë e tifozë e kanë cilësuar Robben si Messin e Holandës.
Masakra e radhës në kanionin e rrallë të Dibrës, protestojnë banorët
Shqipëria po shndërrohet në një pllakë të vërtetë betoni. Çdo pasuri natyrore, kombëtare e madje edhe nga ato të mbrojtura nga UNESKO po shkatërrohen me firmën dhe vulën e qeverisë me qëllim favorizimin e klientëve pranë tyre.
Lejet për ndërtimin e HEC-ve në kanionin e Setës në Dibër, kanë zemëruar banorët. Ata thonë se nuk janë kundër investimit, por nuk duhet të lejohen projekte të dyshimta, që do të çojnë në shkatërrimin e kanionit më të madh dhe më të bukur në vend. Dy mijë metra mbi nivelin e detit ndodhet Seta, është kanion në Dibër dhe ndoshta nga më të mëdhenjtë dhe më të bukurit në vend. Fillon nga lumi Drin dhe përfundon tek liqenet e Lurës. Denoncimet e banorëve janë të shumta. Ata shprehet se ndërtimi i Hec-ve në këtë zonë do të rrezikojë shkatërrimin e këtyre kanionëve, të cilët aktualisht janë një thesar natyror jo vetëm i Dibrës, por i gjithë Shqipërisë.
Faqet shkëmbore arrijnë deri në pesëqind metra lartësi. Këtu janë me qindra burime ujore dhe ujëvara. Prej tre vitesh është dhënë leja për ndërtimin e disa HEC-ve të vogla në zonë, por banorët po kundërshtojnë fuqishëm projektin Seta 4, i cili sipas tyre shkatërron dhe zhduk kanionin. Bëhet fjalë për një Hec, i cili do të fusë në tubacion për rreth 1,2 km gjithë sasinë e ujërave të kanionit dhe për rreth 800 metra me tunel. “Ju lutemi aman, të gjitha forcave dhe të gjithë njerëzve, nëse doni që ta zhvilloni turizmin malor në këtë zonë, ju lutemi ndaloni”, shprehet një prej banorëve. “Prej tre vjetësh vazhdojnë përpjekjet tona për të ndaluar ndërtimin e një vepre shkatërrimtare për këtë zonë”, shprehet një tjetër. “Ky vend është strategjik, historik, arkeologjik. Në këtë vend janë strehuar gjatë luftërave me serbin afro 12 mijë vetë, 9 fshatra janë strehuar”.
Në të vërtetë, banorët nuk janë kundër investimeve, por janë kundër këtij projekti, i cili nuk është konsultuar me banorët e zonës ku firmat janë mbledhur nëpër kafene. “Qysh atë ditë kur janë vendosur i ka firmosur letrat këshilli i komunës, i ka firmosur në lumin e Setës, matanë komunës, nuk i ka firmosur në Zije”, thotë një banor. “25 fshatarë të këtij vendi jemi të proceduar në organet e Prokurorisë sepse pengojmë zhvillimin e punimeve. Nëse kjo firmë do të vazhdojë ta ndërtojë këtë hidrocentral me këtë tubacion ky vend është i shkatërruar”. Me vendim të qeverisë në vitin 2002, në këtë kanion u shpallën 2 monumente natyre të mbrojtura; shpella dhe burimi i Sopanikës, dhe gryka e ngushtë e Setës.
Vitet e fundit po eksplorojnë grupe studentësh vendas dhe plot turistë të huaj, kryesisht çekë, polakë, gjermanë dhe nga Skandinavia. “ABC News” rastisi në dy turistë gjermanë, të cilët kur kuptuan se në kanion do të ndërtohej një tjetër HEC u shokuan.
Shkatërrimi i lumenjve Valbonë e Vjosë
E njëjta masakër ndodhi edhe nga HEC-et e ndërtuara mbi lumin Valbonë. Lumenjtë e Alpeve, Cemit, Vermoshit, Lëpushes, Shalës, Gashit, Tropojës, ruajnë deri më sot karakteristika të forta natyrore të pacënuara dhe përbëjnë një aset të jashtëzakonshëm për ruajtjen e biodiversitetit dhe zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm, por ndërkohë lumi i Valbonës më i madhi mes tyre po e humbet këtë natyralitet për shkak të HEC-ve që kanë nisur të ndërtohen tashmë.
Vlerësuar si mrekullia e alpeve shqiptare, Parku Kombëtar i Valbonës, në rrethin e Tropojës, shtrihet përgjatë Luginës së Valbonës, me një sipërfaqe prej 8000 hektarësh.
Pejsazhi malor, ujërat e lumit të Valbonës dhe ekosistemi i parkut, vitet e fundit po tërheqin gjithnjë e më shumë turistë vendas dhe të huaj, kjo edhe falë përmirësimit të rrugës automobilistike, furnizimit me energji, dhe investimeve të vetë banorëve për pritjen e pushuesve. Por banorët janë të shqetësuar se, Parku Kombëtar do të dëmtohet nga ngritja e tre hidrocentraleve në luginën e Valbonës.
Në Shqipëri ambientalistët dhe qytetarët janë ngritur kundër ndërtimit të hidrocentraleve të reja në lumenjtë e vendit. Ujërat e fundit natyrore në Evropë janë rrezik, e bashkë me to dhe habitate të rrallë.
Një grup prej 30 shkencëtarësh nga 4 shtete bënë studime në prill të këtij viti mbi lumin Vjosa në zonën e hidrocentralit të Poçemit.
Ata zbuluan në atë zonë 300 lloje gjallesash, mes të cilave edhe 2 lloje të panjohura gjallesash, një lloj të ri peshku dhe një insekt të veçantë, të cilit i vunë emrin e lumit Vjosa. Shkencëtarët e huaj gjetën për herë të parë aty edhe 40 lloje të tjera speciesh të pandeshura më herët në Shqipëri. Por që falë projekteve dhe synimeve të qeverisë mund këto asete të natyrës mund të zhduken.
SHBA jashtë Botërorit, Panamaja kualifikim historik
Për herë të parë që nga viti 1986 Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do të marrin pjesë në një Botëror. Dy ishuj të mëdhenj e disa të tjerë më të vegjël, me më pak se 1 milion e gjysmë banorë dhe me atletikën si sportin kombëtar, Trinidad e Tobago u kthyen në macen e zezë që ndëshkoi ashpër, madje shumë ashpër, yeenkit amerikanë që këtë humbje e quajnë një vetëvrasje. 2-1 rezultati i ndeshjes që i dha fitoren përfaqësueses së Trinidad e Tobago, e skualifikuar automatikisht për Botërorin e Rusisë pas 8 humbjeve radhazi, por që çuditërisht e aftë për të mundur amerikanët, të cilët shënonin 7 prezenca radhazi në kompeticionin e Kupës së Botës. Çudira në grupin e Concacaf, ku nga ana tjetër përveç Meksikës dhe Costa Rikës që e kanë prerë biletën e tyre, Panamaja shënoi një fitore historike ndaj Costa Rikës, pasi për herë të parë merr pjesë në një Botëror. Ka gisht në këtë sukses edhe disfata e amerikanëve, por kjo pak rëndësi ka pasi i gjithë kombi ka nisur festimet zyrtare. Roman Torres është kthyer në hero pasi ishte ai që vetëm dy minuta para vërshëllimës së fundit, i dhuroi Panamasë golin që i siguroi biletën për në Rusi. Nga 1-1 rezultati u fiksua në 2-1 për Panamanë ndaj Costa Rikës. Nga tre takimet e zhvilluara në këtë grup Honduras tashmë shkon në fazën e play off ku do të përballet me Australinë.
Portugalia e Franca në Botëror
Portugalia në Botërorin Rusi 2018 me avionin e parë bashkë me Francën, ndërsa Zvicra duhet të presë në tranzit për të marrë një përgjigje nga play off-i i muajit nëntor. Skuadra e Cristiano Ronaldos dhe trajnerit Fernando Santos nuk zhgënjyen në sfidën vendimtare të Grupit B, ndërsa Franca bëri detyrën ndaj Bjellorusisë për të siguruar botërorin, por duke dërguar në play off Suedinë.
Kampionët e Europës dominuan në “Da Luz” të Lisbonës 2-0 skuadrën e Vladimir Petkoviç për të prerë menjëherë biletën e Kupës së Botës dhe duke mos rrezikuar në 180 minutat e 4 dueleve të fundit europiane. Një mbrëmje pothuajse perfekte për luzitanët në shtëpi që duhej thjesht të fitonin për të kaluar dhe edhe pse me një ndeshje të kujdesshme, Portugalia arriti të fitonte me lehtësi. Goli që zhbllokoi sfidën erdhi në minutën e 41 kur Johan Djourou shtyu topin në rrjetën e tij, ndërsa në pjesën e dytë, Andre Silva vulosi suksesin e skuadrës së Santos. Po në këtë grup, Letonia shkatërroi Andorrën 4-0, ku Davis Ikaunieks dhe Valerijs Sabala me nga dy gola e mbyllën këtë fazë eliminatore me një fitore morali. Në takimin tjetër, Hungaria barazoi pa gola ndaj Ishujve Faroe.
Në “Stade de France”, blutë u imponuan me vështirësi 2-1 ndaj Bjellorusisë. Antoine Griezmann dhe Olivier Giroud në pjesën e parë krijuan iluzionin se Franca mund të arrinte një fitore të lehtë, por Anton Saroka shkurtoi diferencën në minutën e 44. Në Amsterdam, Holanda arriti një fitore të hidhur 2-0 ndaj Suedisë, duke u eliminuar zyrtarisht nga gara për një vend në play off, çka do të thotë se tulipanët nuk do të marrin pjesë në Botërorin 2018. Skuadra e Dick Advocat triumfoi 2-0 me gola të Arjen Robben, por diferenca prej 7 golash që duhej të rikuperonte ndaj Suedisë ishte e paarritshme dhe në këtë mënyrë, një prej emrave më të mëdhenj të futbollit botëror nuk do të jetë mes 32 më të mirëve verën e ardhshme në Rusi. Përballja tjetër mes Luksemburgut dhe Bullgarisë e vlefshme thjesht sa për statistika u mbyll në barazim 1-1.
Nuk kishte asnjë interes në Grupin H, ku Belgjika tashmë e kualifikuar fitoi 4-0 ndaj Qipros. Familja Hazard me Eden dy herë dhe Thorgan Hazard një gol vendosën fatin e këtij takimi, ndërsa Lukaku në minutën e 78 realizoi edhe rrjetën e katërt. Në Athinë, Greqia tashmë në play off, kaloi 4-0 Gjibraltarin modest. Mitroglu në formë mjaft të mirë shënoi dy herë, ndërsa golat e tjerë u regjistruan nga Gianniotas dhe Torosidis. Ndërkohë, Bosnje-Hercegovina fitoi 2-1 në transfertën e Estonisë.
Berisha-Ramës: Mashtrove për të mbuluar fytyrën e xhelatit të diktaturës
Sali BERISHA
Të dashur miq, në seancën e djeshme plenare kushtuar nderimit të 16 deputetëve dhe intelektualëve të kombit, të ekzekutuar nga Enver Hoxha, më 10 tetor 1947, Edvin Kristaq Rama me fjalimin dhe qëndrimet që mbajti i vrau, për së dyti, martirët e lirisë, dhe kjo, për disa arsye:
Së pari, në fjalimin e tij prej 1260 fjalësh, si krytar i një partie që pasi ndryshoi emrin nga PPSH në PS, shpalli vehten trashigimtare juridike të partisë së Enver Hoxhës që kreu krimin terrorist, ai, mund dhe duhej të kërkonte një ndjesë ex oficio. Për më tepër Edi Rama, ndonëse nuk ka përgjegjësi personale, duhet të kërkonte ndjesë publike edhe për shkak të lidhjeve të tij të forta familjare me xhelatët që urdhëruan dhe firmosën varjet, pushkatimet, burgosjet, internimet politike gjatë diktaturës hoxhiste. Ai, duhet ta dijë se, përgjegjësia, në rastin e tij morale, për krimet e paparashkrueshme, genocidin dhe krimet kundër njerëzimit, të etërve të tij shpirtërorë dhe bilogjikë, do ta ndjekë gjithë jetën si një detyrim moral për të kërkuar ndjesë, pavarësisht nga ndërrimi i emrave të forcës politike që ai drejton apo funksionet që ai do të kryejë.
Së dyti, Edi Rama në seancën e djeshme, vrau edhe një herë parlamentarët e lirisë dhe bashkëpunëtorët e tyre, sepse ai me cinizëm esktrem në krye të seancës përkujtimore, vendosi ish ministrin e fundit të Sigurimit të Shtetit, Gramoz Ruçi, dhe si për t’ju thënë atyre “mirë ua kanë bërë”, nuk e zëvendësoj atë me një nga nënkryetarët, në drejtimin e seancës. Përveç kësaj, Rama gjatë seancës, mbante në krahë një ish-hetues që ka thyer nofulla në hetuesinë politike gjatë diktaturës, Fatmir Xhafën.
Së treti, Edi Rama i ekzekutoi dje, edhe një herë në varre, ata burra të shquar të kombit, sepse në fjalimin e tij prej 1260 fjalësh, nuk shqipëroj as dhe njëherë të vetme një fjalë dënuese e madje as dhe emrin e Enver Hoxhës, Hitlerit Shqiptar të pas luftës, kryxhelatit të krimit monstruoz të rradhës kundër njerëzimit, të datës 10 tetor 1947.
Përkundrazi, Edi Rama për të mbrojtur atin e tij shpirtëror, manipuloi dhe fallsifikoi dje historinë. Kështu ai, në parlament, mashtroi trashë dhe me cinizëm kur deklaroi se: “Një major me dy kapitenë ushtrie, të asistuar nga një aspirancë, janë autorët e eliminimit të 15 deputetëve që përbënin 20% të parlamentit në atë kohë, ….”.
Të paraqesësh këtë krim monstruoz si akt të një majori dhe dy kapitenëve të ushtrisë, është njëlloj si të shkrehje breshëri kallashi dje, në parlament, mbi kujtimin dhe veprën e martirëve të opozitës shqiptare.
E vërteta historike është se, vendimi për dënimin e tyre me vdekje është marrë dhe firmosur nga vetë Enver Hoxha dhe Byroja Politike, para zhvillimit të gjygjit. Kështu që, majori dhe kapitenët kriminelë dhe terroristë në atë proces farsë, zbatuan thjesht vendimin e kryexhelatit Hoxha, të cilit Rama në 1260 fjalë nuk i përmend qoftë dhe njëherë të vetme emrin, por kërkon të mashtrojë shqiptarët se, fajin e kishte një major dhe dy kapitenë ushtrie.
Përveç kësaj, kërkesa e martirëve për faljen e jetës u refuzua dhe zbatimi i vendimit të ekzekutimit u miratua me shpejtësi të rrufeshme, po nga diktatori stalinist Enver Hoxha, pra edhe plumbat mbi gjoksin e tyre, mbanin firmën e Enver Hoxhës, të cilit Edi Rama me kujdes i fshehu veprën terroriste dhe genocidin ndaj opozitës.
Së katërti, Edvin Kristaq Rama i vrau për së dyti martirët e lirisë sepse, ai, dje në 1260 fjalë nuk shqipëroj një herë të vetme një fjalë për Sigurimin e Shtetit, Policinë terroriste Sekrete të Enver Hoxhës që, me porosi direkte të tij, i torturoi gjer në vdekje, vari, pushkatoi e burgosi ata burra dhe dhjetra mijëra shqiptarë të tjerë, gjatë 46 viteve të kalvarit komunist. Rama nuk përmendi dot dje Sigurimin e Shtetit sepse, ai, me shumicën e tij miratoi ligjin e dosjeve që ju garantoi terroristëve të Sigurimit, emërimin në çdo funksion, në të gjithë lartësinë e piramidës së maxhorancës aktuale. Ndërkohë që, Rama dhe partia e tij, rrëzuan me angazhimin e tij direkt personal ligjin tjetër që i nxirrte kriminelët e Policisë Sekrete të rregjimit hoxhist, njëherë e përgjithmonë nga administrata, organet e zgjedhura dhe ato gjyqësore të shtetit shqiptar.
Edi Rama me fjalën e tij mashtroi shqiptarët dhe manipuloi të vërtetën kur, në mënyrë të përsëritur, deklaroi se ishim mbledhur aty për shkak të miratimit nga mazhoranca e tij të ligjit të dosjeve, ligj që mbronte xhelatët e Sigurimit të Shtetit, ndërkohë që memorja e parlamentit dhe dokumentat e këtij shteti faktojnë se, parlamenti ka mbajtur më pare sesione komemorative në nderim të martirëve të 10 tetorit 1947, natyrisht jo i kryesuar nga Ministri i Policisë terroriste Sekrete të Enver Hoxhës, Gramoz Ruçi, por nga një përfaqësuese e denjë e shtresës së tyre, Zj. Jozefina Topalli, si dhe vite më parë ata janë shpallur “Martirë të Lirisë”.
Si përfundim, dua t’i them Edi Ramës se, as me një apo tridhjetë majorë apo kapitenë kriminelë e terroristë, nuk mund të mbulosh fytyrën prej xhelati të Enver Hoxhës, Hitlerit shqiptar të pas Luftës së Dytë dhe të gjithë atyre që urdhëruan, firmosën, edhe si puna e babait tënd bilogjik, varjen, ezkekutimin, torturimin apo burgosjen e viktimave të genocidit komunist.