Sektori i derivateve të naftës në Kosovë konsiderohet ndër tregjet më fitimprurëse, ndonëse vazhdimisht ka pasur edhe debate të ndryshme rreth mënyrës së importit dhe efikasitetit të kontrollimit dhe cilësisë së këtij produkti në doganat e vendit.
Cilësia e dobët e derivateve të naftës, krijimi i privilegjeve për kompani të caktuara të naftës, moskontrollimi me rastin e zhdoganimit të këtij produkti, janë vetëm disa nga parregullsitë e përmendura në sektorin e derivateve të naftës.
Janë udhëheqësit e Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës ata që flasin për mungesën e kontrollit, duke kërkuar nga qeveria e Kosovës që të vërë rregull në këtë sektor.
Fadil Berjani, kryetar i kësaj shoqate, thotë për Radion Evropa e Lirë se parregullsitë në këtë sektor, janë të pranishme. Por, sipas tij, me shtimin e kontrollit dhe garantimit të cilësisë do të mund të rregullohej edhe sasia e importit që hyn në Kosovë.
“Unë nuk mund të them se si dhe nga hyn nafta në Kosovë, por kontrabanda me këtë produkt në pjesën veriore, është më e vogël se vitet e kaluara”.
“Konsideroj se me një shtrëngim më të madh gjatë importit dhe verifikimit të sasisë dhe cilësisë, do të ndikohet në shmangien e evazionit fiskal. Evazioni fiskal mund të zbritet edhe më tepër nëse vendoset që në të gjitha kompanitë e derivateve të naftës të instalohen arkat speciale fiskale”, thotë Berjani.
Debatet rreth kontrollit të tregut të naftës janë hapur edhe në Kuvendin e Kosovës. Duke qenë si një prej sektorëve më fitimprurës, janë vetë partitë politike ato që akuzojnë njëra-tjetrën për kontrollin e këtij tregu dhe parregullsitë e vëna.
Një diskutim i ashpër rreth kësaj teme është zhvilluar ndërmjet deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës dhe atyre të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Xhavit Haliti, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, ka pyetur ish-ministren e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës, se kush e kontrollon hyrjen e naftës në Kosovë.
“Rreth naftës që hyn në Kosovë, asnjë ministër nuk ka mundur të tregojë sa evazion fiskal ka Kosova përmes kontrabandës në Kosovë”, është shprehur Haliti.
Ai ka thënë se ministrat e deritashëm, përfshirë edhe Hykmete Bajramin, do të duhej të jepnin përgjegjësi për këto paqartësi.
Në vend të përgjigjes, Hykmete Bajrami kishte konstatuar se kontrollimin e naftës në Kosovë e ka Partia Demokratike e Kosovës, pjesë e të cilës është Haliti.
“Njerëzit tuaj i kanë udhëhequr doganat me vite dhe ju e dini se kush ka bërë kontrabandë dhe në xhepat e kujt kanë rrjedhur paratë nga kontrabanda”, ka deklaruar Bajrami.
Ndryshe, që nga viti i kaluar, me një vendim të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, kompetencat për inspektimin e cilësisë së derivateve të naftës janë bartur te Doganat e Kosovës.
Për të rregulluar sektorin e naftës, Fadil Berjani kërkon nga qeveria e Kosovës që të miratojë ligjin e ri për karburantin e naftës.
“Jemi shteti i vetëm në botë që paguajmë licencë për çdo dy vjet. Ka shumë kritere të rëndësishme që mund të rregullohen me ligj. Jemi shteti më i vogël për kokë banori, por shteti më i madh me pika karburanti”, thotë Berjani.
Aktualisht, Kosova nuk posedon rafineri të derivateve të naftës, kështu që ky produkt pothuajse më i kërkuari në vend, importohet nga vendet e rajonit dhe të Evropës. Sipas të dhënave zyrtare, rreth 650 milionë litra është sasia e karburanteve të naftës që brenda një viti hyjnë në Kosovë.
Kush e kontrollon tregun e naftës në Kosovë?
Inflacioni mbetet poshtë intervalit të objektivit të Bankës Qendrore
Inflacioni qëndroi në nivelin 1.6% për muajin shtator. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, inflacioni u konfirmua për të dytin muaj radhazi poshtë intervalit të objektivit të Bankës Qendrore.
Ecuria e muajve të fundit vendos në pikëpyetje projeksionet e kthimit të inflacionit në objektiv. Banka e Shqipërisë priste që për këtë vit inflacioni të rritej në nivelin 2.3%, ndërsa vitin e ardhshëm të afrohej te objektivi prej 3% i politikës monetare.
Por, me rënien e muajit gusht inflacioni mesatar vjetor ka zbritur në 2%. Ndonëse rënia e inflacionit lidhet sidomos me faktorë të ofertës, kryesisht me çmimet e lëndëve të para nga importi, sërish kjo goditje mund të ndryshojë skenarët e politikës monetare për vitin e ardhshëm.
Guvernatori Gent Sejko, tha javën e kaluar, se Banka e Shqipërisë nuk përjashton një rritje të mëtejshme të stimulit monetar. Kjo deklaratë ishte e papritur, sepse besohej që ulja e normave të interesit kishte prekur fundin në nivelin 1.25%.
Skenari bazë ishte për një kthim në rritje të normave të interesit gjatë vitit të ardhshëm. Por, goditjet e ofertës në inflacion janë të destinuara të sjellin jo vetëm një shtyrje të normalizimit monetar, por ndoshta edhe një thellim të mëtejshëm të stimulit.
Pjesërisht, rënia e inflacionit shpjegohet edhe me forcimin e lekut në kursin e këmbimit ndaj euros dhe dollarit amerikan. Leku më i fortë i bën më të lira importet dhe ul presionet inflacioniste në ekonomi.
Inflacioni në ekonominë shqiptare ngelet kryesisht i përqendruar në grupin e ushqimeve, ndërsa për grupmallrat e tjerë vlerat janë modeste, madje për disa grupe ngelen negative.
Brenda grupit të ushqimeve, rritja e çmimeve ngelet e përqendruar te produktet e freskëta bujqësore dhe blegtorale, ndërsa ushqimet e përpunuara kanë vlera modeste të inflacionit, për shkak të dobësisë së çmimeve të lëndëve të para.
Shqiptarët mbyten në kredi konsumatore
Përafërsisht, një në gjashtë shqiptarë, ka një kredi në një prej bankave tregtare në vend. Të paktën në këtë përfundim arrin Fondi Monetar Ndërkombëtar, që sapo ka publikuar anketën e aksesit financiar 2017, që është një ndër mekanizmat më të saktë dhe më të detajuar të fondit, sa i përket aksesit të njerëzve në sektorin financiar në secilën prej 180 ekonomive të ndryshme të botës.
Indikatori që mat numrin e huamarrësve për 1000 banorë, për Shqipërinë fiksohet në 157.8 për vitin 2016, dhe në rritje të ndjeshme në krahasim me vitin paraardhës, kur fiksohej në vetëm 146.94 kreditorë për çdo 1000 banorë, çka përkthehet në 1 në 7 shqiptarë përafërsisht. Të dhënat e fondit monetar ndërkombëtar për këtë indikator janë ndër vite, dhe paraqesin një situatë mjaft interesante. Rezulton se, në vitin 2005, pra 12 vite më parë, vetëm 1 në 31 shqiptarë, kishte një kredi. Përveç viteve 2009, 2013 dhe 2015, në të gjitha vitet e tjera, indikatori ka pësuar rritje të ndjeshme në krahasim me vitin paraardhës.
Të dhënat e publikuara nga Fondi Monetar Ndërkombëtar argumentojnë me shifra nevojën në rritje për financim, lehtësinë e kredidhënies nga bankat tregtare me kalimin e viteve, paçka se bëhet fjalë për një periudhë të shkurtër kohe, afro një dekadë, si dhe evoluimin e ekonomisë shqiptare, e sidomos asaj familjare gjatë kësaj periudhe kohore.
Barcelona në protestë për unitetin
Mijëra njerëz u bashkuan në një tubim në Barcelonë të dielën për të protestuar kundër shtytjes së qeverisë katalanase për shkëputje nga Spanja. Anketat kanë sugjeruar se më shumë katalanas favorizojnë të rrinë të bashkuar me Spanjën sesa të shpallin pavarësinë.
Tubimi vjen një javë pas një referendumi në të cilin katalanasit votuan me shumicë dërrmuese për pavarësinë. Në atë sondazh, që konsiderohej i jashtëligjshëm nga Madridi, 90 për qind votuan për t’u shkëputur nga Spanja, por pjesëmarrja ishte shumë më pak se gjysma e elektoratit.
Protestuesit u mblodhën në sheshin “Urquinaona” të Barcelonës, duke kënduar “Viva Espana”.
Presidenti katalanas Carles Puigdemont është zotuar të punojë për arritjen e pavarësisë.
Në një intervistë me gazetën “El Pais”, kryeministri Mariano Rajoy tha se, nuk do të përjashtojë përdorimin e kompetencave kushtetuese për të hequr statusin autonom të Katalonjës në qoftë se rajoni deklaron pavarësinë.
“Të jeni të sigurt se qeveria do të parandalojë që çdo deklaratë e pavarësisë të kthehet në diçka konkrete. Spanja do të vazhdojë të jetë Spanja dhe do të vazhdojë të jetë e njëjta për një kohë të gjatë”.
Kryeministri Rajoy i tha gazetës “El Pais” se politika katalanase ishte rrëmbyer nga radikalët dhe duhej të kthehej në një pozitë të moderuar.
“Tani ata i janë futur një rruge që nuk të çon askund, ata kanë zgjedhur radikalizmin që pengon çdokënd për të patur ndikim dhe pengon ndërtimin e diçkaje që ndihmon bindjet e tuaja. Radikalizmi ka çuar në këtë proces ndarës që po ndodh tani, ka shkaktuar shqetësim të madh tek të gjithë, madje edhe largimin e kompanive. Është vërtet e pabesueshme sa shumë kompani të rëndësishme po braktisin Katalonjan, që largohen sepse duhet të largohen, të mbrojnë bilancin e tyre, punëtorët e tyre dhe pagat e tyre. Duhet të kthehet katalanizmi i moderuar”, shtoi Rajoy.
Më parë të shtunën, mijëra protestues u mblodhën në mitingje në Barcelonë, Madrid dhe në qytete të tjera spanjolle.
Organizatorët e mitingut pro-ndarjes në Katalonja i kishin kërkuar demonstruesve të visheshin me të bardha dhe të mos shfaqnin ndonjë flamur, qoftë spanjoll ose të Katalonjas. Organizatorët e demonstratave kanë promovuar sloganin, “Le të flasim”.
Po ashtu në Madrid, kryeqytetin spanjoll, u mbajt një demonstratë për unitetin spanjoll, ku morën pjesë mijëra njerëz që valëvitnin flamuj kuq dhe verdhë të Spanjës.
Disa shtete të BE-së janë të shqetësuar se, biseda për pavarësinë katalanase mund të ushqejë ndjenjat ndarëse në pjesë të tjera të Evropës.
Shumica që hesht
Shumë vetë janë të shqetësuar se çfarë do të ndodhë, nëse Presidenti Puigdemont të martën e ardhshme shpall pavarësinë. A do të aktivizojë Spanja nenin 155 dhe do t’i heqë autonominë Katalonjës? Si do të reagojnë përkrahësit e separatistëve? Do të ketë dhunë? Të gjitha këto janë shqetësimet e pjesës tjetër të katalonasve, krahas separatistëve. Një grua e zemëruar shprehet se ne jemi “shumica që hesht. Jemi ata 60% që nuk shkuan në referendum”. “Politikanët duhet të bëjnë punën e tyre, e të vendosin për ne popullin, e jo për qëllimet e tyre politike”, thotë protestuesja e zemëruar.
Politologu Oriol Bartomeu nga Universiteti i Pavarur i Barcelonës thotë se “shumica e katalanëve duan të qëndrojnë në Spanjë, nëse pozicioni autonom i vendit forcohet”. Problematike sipas politologut është se, Madridi nuk do të lëvizë asnjë centimër, sepse “pala spanjolle ka ndjesinë se fiton, pse duhet të lëvizë ajo? Ajo mendon, ose ju dorëzoheni komplet, ose deklaroni njëanshëm pavarësinë”? Por sipas Bartomeut, kjo do të ishte me rrezik për qeverinë e Katalonjës, sepse nuk ka shumicë për këtë gjë. Si pasojë, qeveria e Spanjës do të aktivizonte nenin 155. E pas kësaj? Politologu Oriol Bartomeu thotë se “kjo do të ishte katastrofa e panjohur”.
Barometri i Ballkanit, Shqipëria e vetmja pa përmirësim, besimi tek bizneset më i ulëti në rajon
Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC) ka publikuar Barometrin e Ballkanit 2017, ku ka matur besimin e opinionit publik dhe të biznesit në vendet e Ballkanit Perëndimor: Shqipëri, Serbi, Bosnjë Hercegovinë, Kosovë, Mali i Zi dhe Kroaci. Projekti financohet nga Bashkimi Europian dhe sondazhet me bizneset dhe opinionin janë realizuar nga GFK. Për Shqipërinë, ndërsa besimi i opinionit publik është pak mbi mesataren e rajonit, rezultatet janë shumë negative për biznesin, ku besimi është më i ulëti në rajon, shumë nën mesataren, sidomos për sa i përket indeksit të situatës aktuale. Goran Svilanovic, sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal shkruan në parathënien e botimit se aftësia për të vëzhguar evolucionin e tendencave ekonomiko-sociale nëpër vite përfaqëson një mundësi të lartë për të hartuar politika të bazuara në fakte dhe për të vëzhguar efektet në rajon dhe ekonomitë individuale. “Barometri i këtij viti ka lajme të ndryshme; ndërsa ka evidenca të mëtejshme të një rimëkëmbjeje ekonomike mes ekonomive më të mëdha, papunësia mbetet shqetësimi kryesor. Në mënyrë shqetësuese barometri nënvizon shqetësimin në rritje për korrupsionin; në vitin 2015, 15% e cilësuan korrupsionin si shqetësimin kryesor. Kjo shifër u rrit në 27% në 2016-n dhe tashmë ka arritur në 32%”, shkruan Svilanovic. Ai shton se “sipërmarrësit vijojnë të përballen me atë që e quajnë një sistem kompleks taksimi dhe një mjedis jo miqësor biznesi, me një sistem ligjor të paparashikueshëm. Ashtu si në vitet e kaluara, të dyja grupet e të anketuarve shprehin më shumë besim në vetvete sesa në ekonomitë e tyre”. Raporti thekson se duke parë tendencën nga 2014 në 2016, pritshmëritë janë përmirësuar vit pas viti në rajon, por përjashtim këtu përbën vetëm Shqipëria, që nuk ka parë përmirësim. Indeksi është tashmë mbi 50% kudo, përveçse në Bosnjë Hercegovinë dhe ka shënuar rritje të ndjeshme në ekonomi që më parë nuk rezultonin me ecuri të mirë, si p.sh. Serbia. Në barometrin e vitit 2017, pikëzimi aktual i Indeksit të Besimit Publik të Ballkanit (që mat mesataren mes situatës aktuale dhe pritshmërive) ishte 41, ku niveli më i lartë i besimit është në Kosovë (56) e ndjekur nga Mali i Zi (49), Maqedonia (45), Shqipëria (43), Kroacia (42), Serbia (39) dhe e fundit është Bosnja, me 34 pikë. Për Shqipërinë, Indeksi i Situatës Aktuale është 37 (e katërta pas Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë), ndërsa Indeksi i Pritshmërive rritet në 52 (e pesta pas Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Kroacisë). Pyetjes se sa i kënaqur jeni me mënyrën si po shkojnë gjërat në vendin tuaj, për Shqipërinë, 59% janë përgjigjur “jam tërësisht i pakënaqur”, ose “kryesisht i pakënaqur”, ndërsa 22% kanë pohuar se janë kryesisht të kënaqur. Më të pakënaqurit në Ballkan janë qytetarët e Bosnjë-Hercegovinës, me 71%. Shqiptarët renditen nga fundi edhe kur pyeten se sa të kënaqur janë me situatën e tyre financiare, ku sërish 53% thonë se janë të pakënaqur (tërësisht ose kryesisht), përqindja më e lartë nga gjithë Ballkani. Edhe në lidhje me situatën ekonomike, sërish ka një nivel të lartë pakënaqësie, me 67% të të anketuarve që janë të pakënaqur (kryesisht ose tërësisht), duke lënë pas Serbinë, Kroacinë dhe Bosnjën. Shtetasit më të kënaqur me ekonominë e tyre janë malazezët. Problemet kryesore me të cilat përballen shqiptarët janë papunësia (59%), situata ekonomike (47%) dhe korrupsioni (38%).
Biznesi, sa pesimist
Ndërsa besimi i publikut është pak mbi mesataren e rajonit, ndryshe është situata për bizneset. Në indeksin tjetër të besimit të biznesit, të publikuar po nga RCC, në total Shqipëria është vlerësuar me 56 pikë, më e ulëta së bashku me Serbinë dhe Malin e Zi (nga 62 që është mesatarja rajonale). Edhe ky indeks përbëhet nga situata aktuale dhe pritshmëritë. Sa i takon vlerësimit të situatës aktuale, Shqipëria ka 49 pikë, më e ulëta në rajon, nga 57 pikë që është mesatarja rajonale. 40% e bizneseve të anketuar mendojnë se situata është përkeqësuar gjatë 12 muajve të fundit, përqindja më e lartë pas Bosnjës (45%). Vetëm 27% presin që numri i të punësuarve në kompanitë e tyre të rritet gjatë 12 muajve në vijim, sërish më i ulëti në rajon. 31% e bizneseve shqiptare u përgjigjën se situata e tyre është përkeqësuar 12 muajt e fundit (nga 17% që është mesatarja rajonale)) dhe 33% thanë që është përmirësuar (40% mesatarja rajonale).
Monitor
SHBA dhe Rusia diskutojnë për konfliktin në Ukrainën Lindore
Të dërguarit amerikan dhe rus u takuan në një përpjekje për t’i dhënë fund konfliktit në Ukrainën Lindore.
Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç tha se i dërguari i posaçëm amerikan për Ukrainën, Kurt Volker dhe këshilltari presidencial rus, Vladislav Surkov u takuan të shtunën në Beograd. Por nuk janë dhënë detaje për takimin me dyer të mbyllura.
Para takimit zoti Volker, shkruante në Twitter se takimi do të përqendrohej tek mënyrat “për t’i dhënë shtysë zbatimit të marrëveshjes së Minskut dhe për të rikthyer integritetin territorial të Ukrainës”.
Një marrëveshje paqeje e vitit 2015, nënshkruar në kryeqytetin bjellorus Minsk, parashikonte një armëpushim mes separatistëve që mbështeten nga Rusia dhe forcave ukrainase në pjesën lindore të vendit, një konflikt që ka shkaktuar vdekjen e 10 mijë vetëve. Marrëveshja është shkelur vazhdimisht.
Më herët, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskovsaid tha se, bisedimet kishin si synimi “sinkronizimin” mes dy vendeve.
Ish-ambasadori amerikan në Rusi, John Tefft tha gjithashtu se të dërguarit Volker dhe Surkov mund të diskutonin në takim për një mision paqeruajtës të Kombeve të Bashkuara në Donbas.
Ish-ambasadori amerikan në NATO, Volker kishte refuzuar të takohej me zotin Surkov në Rusi dhe ky i fundit nuk lejohet të hyjë në Bashkimin Evropian, në bazë të sanksioneve për rolin e Rusisë në Ukrainë.
Thaçi i zhgënjyer me ndërkombëtarët rreth Gjykatës Speciale
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka ngritur dyshime rreth drejtësisë që mund të vendosë Gjykata Speciale për Krime Lufte në Kosovë.
Këto qëndrime, Thaçi i ka shprehur gjatë prezantimit të raportit për perceptimin publik rreth Gjykatës Speciale, të organizuar nga disa organizata joqeveritare në Prishtinë.
“Gjykata Speciale do të jetë vetëm një pikë drejtësi në detin e padrejtësive që kanë ndodhur në Kosovë”, ka thënë ai, duke shtuar se “shqiptarëve po u rritet pakënaqësia, ndërsa serbëve dhe Serbisë po u rritet entuziazmi”.
Thaçi ka potencuar faktin se, kjo Gjykatë po shihet me shumë rezerva nga shqiptarët, pasi që do të merret vetëm me hetimin dhe gjykimin e rasteve të supozuara të krimeve të kryera nga ish-pjesëtarët e UÇK-së ndaj popullatës civile serbe.
“Të gjithë flasin dhe punojnë që askush të mos jetë mbi ligjin”, theksoi Thaçi. Por, tani, sipas tij, me krijimin e kësaj Gjykate e cila do të merret vetëm me hetimin dhe gjykimin e krimeve të supozuara vetëm të njërës palë, kjo ka nënvizuar ai, nga shqiptarët shihet me mosbesim.
Kjo Gjykatë, sipas presidentit të Kosovës, “mund të sjellë privim të disave nga liria, por jo drejtësi dhe pajtim ndëretnik”.
Sidoqoftë, Thaçi i ka vlerësuar edhe anët, sipas tij, pozitive të instalimit të kësaj Gjykate Ndërkombëtare.
“Gjykata Speciale nuk është disavantazh, por është avantazh për Kosovën. Shpesh thuhet se, për Kosovën qëndron një re e zezë që duhet ta largojmë. Por, të jem i qartë, atë re të zezë e ka krijuar Serbia”, tha Presidenti Thaçi.
Sarri: Juventus mbetet favorit

Këtij Napoli që ka magjepsur tashmë jo vetëm tifozët e saj me serinë e fitoreve dhe me sulmin më të mirë prej 25 golash e me një lojë të shkëlqyer në fushë, i qëndron me këmbë në tokë Maurizio Sarri, i cili predikon të ruhet qetësia dhe modestia, pasi pavarësisht gjithë ecurisë mbresëlënëse të skuadrës së tij favoritja e Serisë A mbetet Juventus. “Juventusi aktual është nga më të fortat e 7-8 viteve të fundit dhe mbetet favorite. Do të ishte mëndjemadhësi të krahasohesh me ta, padiskutim që janë të një niveli tjetër”, tha Sarri.
Edhe pas 7 fitoreve rradhazi në kampionat, njëherazi në vitin e dytë rradhazi pjesëmarrës në Champions, janë tregues se projekti i Sarrit po jep frytet e tij, ndaj lind pyetja nëse Napoli do të vijojë të jetë pjesë e planeve të tij. “Të flasësh që tani për kryesimin e kampionatit është diçka relative, sepse rruga që kemi përshkruar është shumë e shkurtër për t’u konsideruar si tregues”. Gjithashtu është folur shumë për klauzolën në kontratën time, është e vërtetë që ekziston, por për momentin e ardhmja nuk është prioritet në mendimet e mia. Gjithsesi, mund të them se ndihem shumë i lidhur me këtë grup dhe me këtë qytet, do të preferoja që t’i lija gjërat të ecnin në mënyrë natyrale. Një falenderim shkon edhe për Presidentin De Laurentis, i cili më mbështeti që në fillim”, u shpreh trajneri i Napolit.
Nuk entuziazmohet lehtë 58-vjeçari edhe pse për sfidën me Romën pretendon se edhe pse një skuadër e fortë, Napoli i tij ka marrë një tjetër hov krahasuar me ta. Lidhur me mundësinë se mund të kishte qenë trajneri i Milanit, nëse Berlusconi do të kishte marrë në konsideratë fjalët e Arrigo Sachit, Maurizio Sarri deklaron. “Si fillim bashkëpuinimi ynë nuk do të kishte zgjatur. Nëse gjithçka që thuhet për të si President ka qenë e vërtetë. Gjithsesi, një President që nuk di të sillet, zor se merr fitore dhe në të vërtetë sukseset e Berlusconit kanë qenë të shumta, ndaj mendoj se kjo është më shumë legjendë urbane se sa e vërteta. Sa i takon Sachit, krahasimi është fyes për Arrigon. Ai ka fituar shumë, unë asgjë. Sachi ka shkruar historinë e futbollit në rezultate dhe inovacionin që ka sjellë”, tha ai.
Lidhur me trajnerin që qëndron më shumë pranë tij në mënyrën se ai e percepton futbollin, Sarri shton. “Një trajner që ndoshta është afër mënyrës time të të menduarit është Marco Giampaolo e sa i përket sistemit Var, mund të shtoj se jam skeptik. Teknologjia i heq spontanitetin dhe entuziazmin futbollit. Jam për një përdorim të moderuar të tij”, përfundoi Sarri.
Jeta e trishtë e shqiptarëve, shpenzime vetëm për mbijetesë
Janë shifrat zyrtare të INSTAT që flasin. Shqiptarët kanë harruar se çfarë është argëtimi në familjet e tyre, ndërsa kanë ngushtuar në maksimum shpenzimet e pakta që kanë në blerje ushqimesh për mbijetesë. Pjesa më e madhe e shpenzimeve mujore për konsum nga familjet shqiptare shkon për nevoja jetësore, duke lënë shumë pak vend për shpenzime luksi dhe argëtim. Nga 12 grupet kryesore të mallrave e shërbimeve, 71,5% e konsumit mujor në rang vendi shkon për baziket si: “Ushqim dhe pije jo-alkoolike”, “Shpenzime për banesën, ujë, energji elektrike dhe qira e paguar”, “Shëndet”, “Transport” dhe “Arsim”.
Shpenzimet për ushqim përbëjnë edhe gjysmën e konsumit total mujor për familjet shqiptare. Në të gjithë vendin, për këtë grup shkojnë 48,7% e blerjeve dhe është në rritje vit pas viti për shkak të ngritjes së çmimeve. Qarku që shpenzon pjesën më të madhe për ushqime është Vlora me 53,3%, ndjekur nga Korça me 53,1% të konsumit mujor. Më pak në këtë grup shpenzojnë familjet e ndodhura në Tiranë, ku ushqimi zë vetëm 44,5% të shpenzimeve mujore.
Në Vlorë, banorët paguajnë më shumë edhe për energjinë elektrike, ujin dhe qiratë, madje dhe më shumë se në kryeqytet. Për këtë grup, shpenzimet arrijnë në 11,9% të konsumit mujor. Ndërkohë, qarku që shpenzon më pak për fatura dhe qira, është Gjirokastra. Në Gjirokastër, ky kursim kompensohet nga shpenzimet për transportin, që zë 8,4% të konsumit mujor.
Në shëndetësi, mungesa e infrastrukturës në zonat e thella bën që në Dibër, shpenzimet për ilaçe dhe mjekime të zënë vetëm 1,9% të konsumit mujor. Ndërkohë, zona ku paguhet më shumë për këtë shërbim bazik është Berati. Krahas shëndetësisë, Berati paguan më shumë edhe për arsimin, me 3,1% të kostove totale. Sa i takon mallrave dhe shërbimeve të tjera të konsideruara shpenzime luksi, në Dibër shpenzohet dyfishi në “Pije alkoolike dhe duhan”, me 10,6% të konsumit mujor; Tirana shpenzon më tepër për “Veshje dhe Këpucë” (6,2%); Gjirokastra dhe Kukësi paguajnë më tepër për “Mobilim, pajisje shtëpiake” (5,9%); Kukësi paguan më tepër për komunikim (4,1%); në kryeqytet shpenzohet më tepër për “Argëtim dhe Kulturë” (3,6%); në Berat shpenzohet më tepër në “Restorante dhe Hotele” (5%); ndërsa mallrat e tjera dhe shërbimet e mirëmbajtjes kushtojnë më tepër në Lezhë, ku zënë 7,6% të shpenzimeve mujore.
Pak kohë më parë, Forumi Ekonomik Botëror nxorri konkluzionet për nivelin e zhvillimit të të gjitha vendeve në botë. Shifrat tregojnë që në Shqipëri, familjet shpenzojnë rreth 49% të buxhetit të tyre për ushqime. Në vendet e tjera të rajonit, kjo peshë luhatet në 33-37%. Krahasimi i shifrave tregon se, vendi ynë për këtë tregues ngjan vetëm me shtetet afrikane. Ndërkohë sipas shifrave më të fundit të publikuara nga Departamenti i Shteteve të Bashkuara për Agrikulturën amerikanët shpenzojnë vetëm 6.4% të të ardhurave të tyre për ushqim.
Ringritja e Bajern
Jupp Haynckens, trajneri i ri që u ul në stolin e Bayern Mynih deri në fund të këtij sezoni, pas divorcit të klubit gjerman me teknikun italian Karlo Ançeloti, në konferencën për shtyp që zyrtarizoi emërimin e tij deklaroi se, tashmë bavarezët duhet të rigjejnë besimin e humbur në vetvete.
“Puna ime tashmë do të konsistojë në rindërtimin e skuadrës, në mënyrë që kjo e fundit të mund të superojë problemet që ka hasur deri më tani. Kam një plan të qartë për t’u përballur me këto probleme, pasi është e rëndësishme për lojtarët që të rigjejnë vetveten dhe t’i besojnë kualitetit të tyre. Ndihem mjaft mirë si në aspektin fizik ashtu edhe atë psikologjik. Kam fuqitë e një 60-vjeçari dhe do të jap maksimumin tim”, u shpreh Heynckens.
Trajneri, i cili realizoi fitoren e trefishtë me këtë skuadër në vitin 2013, shprehet se ndihet mjaft mirënjohës ndaj klubit dhe kjo ishte edhe arsyeja se pse pranoi që të rikthehej në stolin bavarez. “I jam shumë mirënjohës Bayernit dhe drejtuesve të tij. Kjo është skuadra që më bëri ky që jam sot. Bayern Mynih është një skuadër me shumë potencial dhe kualitet. Kam bindjen dhe besimin se tani skuadra do të tregojë një profil krejt të ndryshëm”, tha ai.
Kështu deklaroi 72-vjeçari, i cili gëzon besimin dhe mbështetjen e të gjithë ekipit. Tashmë në dhomat e zhveshjes së bavarezëve ka një klimë shumë më pozitive dhe optimiste, pasi të gjithë janë besimplotë tek aftësitë e ish-teknikut të tyre. Në sintoni me këtë mendim është edhe shefi ekzekutiv i bavarezëve Karl Hainz Ruminge, i cili deklaroi se Heynckens është trajneri ideal për ta. Ai e njeh Bayernin në të gjitha dimensionet e tij ndaj dhe është njeriu ideal për detyrën që i është ngarkuar.
Heynckess ka kërkuar të ketë në krah zëvendësin Peter Hermann, me të cilin ka një histori të gjatë bashkëpunimi, por ky i fundit ka ende një kontratë që e lidh me Fortuna Dusseldorf. Për ta liruar nga detyrimet që ka me klubin aktual, Bayerni duhet të paguajë rreth 1 milion euro dhe për Hoeness ky është një problem edhe pse paratë tek klubi bavarez nuk mungojnë. Gjithsesi, gjatë ditëve të ardhshme, kjo çështje mund të zgjidhet, pasi koha nuk pret.