26.5 C
Tirana
E enjte, 19 Qershor, 2025

Jeta e trishtë e shqiptarëve, shpenzime vetëm për mbijetesë

Janë shifrat zyrtare të INSTAT që flasin. Shqiptarët kanë harruar se çfarë është argëtimi në familjet e tyre, ndërsa kanë ngushtuar në maksimum shpenzimet e pakta që kanë në blerje ushqimesh për mbijetesë. Pjesa më e madhe e shpenzimeve mujore për konsum nga familjet shqiptare shkon për nevoja jetësore, duke lënë shumë pak vend për shpenzime luksi dhe argëtim. Nga 12 grupet kryesore të mallrave e shërbimeve, 71,5% e konsumit mujor në rang vendi shkon për baziket si: “Ushqim dhe pije jo-alkoolike”, “Shpenzime për banesën, ujë, energji elektrike dhe qira e paguar”, “Shëndet”, “Transport” dhe “Arsim”.
Shpenzimet për ushqim përbëjnë edhe gjysmën e konsumit total mujor për familjet shqiptare. Në të gjithë vendin, për këtë grup shkojnë 48,7% e blerjeve dhe është në rritje vit pas viti për shkak të ngritjes së çmimeve. Qarku që shpenzon pjesën më të madhe për ushqime është Vlora me 53,3%, ndjekur nga Korça me 53,1% të konsumit mujor. Më pak në këtë grup shpenzojnë familjet e ndodhura në Tiranë, ku ushqimi zë vetëm 44,5% të shpenzimeve mujore.
Në Vlorë, banorët paguajnë më shumë edhe për energjinë elektrike, ujin dhe qiratë, madje dhe më shumë se në kryeqytet. Për këtë grup, shpenzimet arrijnë në 11,9% të konsumit mujor. Ndërkohë, qarku që shpenzon më pak për fatura dhe qira, është Gjirokastra. Në Gjirokastër, ky kursim kompensohet nga shpenzimet për transportin, që zë 8,4% të konsumit mujor.
Në shëndetësi, mungesa e infrastrukturës në zonat e thella bën që në Dibër, shpenzimet për ilaçe dhe mjekime të zënë vetëm 1,9% të konsumit mujor. Ndërkohë, zona ku paguhet më shumë për këtë shërbim bazik është Berati. Krahas shëndetësisë, Berati paguan më shumë edhe për arsimin, me 3,1% të kostove totale. Sa i takon mallrave dhe shërbimeve të tjera të konsideruara shpenzime luksi, në Dibër shpenzohet dyfishi në “Pije alkoolike dhe duhan”, me 10,6% të konsumit mujor; Tirana shpenzon më tepër për “Veshje dhe Këpucë” (6,2%); Gjirokastra dhe Kukësi paguajnë më tepër për “Mobilim, pajisje shtëpiake” (5,9%); Kukësi paguan më tepër për komunikim (4,1%); në kryeqytet shpenzohet më tepër për “Argëtim dhe Kulturë” (3,6%); në Berat shpenzohet më tepër në “Restorante dhe Hotele” (5%); ndërsa mallrat e tjera dhe shërbimet e mirëmbajtjes kushtojnë më tepër në Lezhë, ku zënë 7,6% të shpenzimeve mujore.
Pak kohë më parë, Forumi Ekonomik Botëror nxorri konkluzionet për nivelin e zhvillimit të të gjitha vendeve në botë. Shifrat tregojnë që në Shqipëri, familjet shpenzojnë rreth 49% të buxhetit të tyre për ushqime. Në vendet e tjera të rajonit, kjo peshë luhatet në 33-37%. Krahasimi i shifrave tregon se, vendi ynë për këtë tregues ngjan vetëm me shtetet afrikane. Ndërkohë sipas shifrave më të fundit të publikuara nga Departamenti i Shteteve të Bashkuara për Agrikulturën amerikanët shpenzojnë vetëm 6.4% të të ardhurave të tyre për ushqim.

Ringritja e Bajern

Jupp Haynckens, trajneri i ri që u ul në stolin e Bayern Mynih deri në fund të këtij sezoni, pas divorcit të klubit gjerman me teknikun italian Karlo Ançeloti, në konferencën për shtyp që zyrtarizoi emërimin e tij deklaroi se, tashmë bavarezët duhet të rigjejnë besimin e humbur në vetvete.
“Puna ime tashmë do të konsistojë në rindërtimin e skuadrës, në mënyrë që kjo e fundit të mund të superojë problemet që ka hasur deri më tani. Kam një plan të qartë për t’u përballur me këto probleme, pasi është e rëndësishme për lojtarët që të rigjejnë vetveten dhe t’i besojnë kualitetit të tyre. Ndihem mjaft mirë si në aspektin fizik ashtu edhe atë psikologjik. Kam fuqitë e një 60-vjeçari dhe do të jap maksimumin tim”, u shpreh Heynckens.
Trajneri, i cili realizoi fitoren e trefishtë me këtë skuadër në vitin 2013, shprehet se ndihet mjaft mirënjohës ndaj klubit dhe kjo ishte edhe arsyeja se pse pranoi që të rikthehej në stolin bavarez. “I jam shumë mirënjohës Bayernit dhe drejtuesve të tij. Kjo është skuadra që më bëri ky që jam sot. Bayern Mynih është një skuadër me shumë potencial dhe kualitet. Kam bindjen dhe besimin se tani skuadra do të tregojë një profil krejt të ndryshëm”, tha ai.
Kështu deklaroi 72-vjeçari, i cili gëzon besimin dhe mbështetjen e të gjithë ekipit. Tashmë në dhomat e zhveshjes së bavarezëve ka një klimë shumë më pozitive dhe optimiste, pasi të gjithë janë besimplotë tek aftësitë e ish-teknikut të tyre. Në sintoni me këtë mendim është edhe shefi ekzekutiv i bavarezëve Karl Hainz Ruminge, i cili deklaroi se Heynckens është trajneri ideal për ta. Ai e njeh Bayernin në të gjitha dimensionet e tij ndaj dhe është njeriu ideal për detyrën që i është ngarkuar.
Heynckess ka kërkuar të ketë në krah zëvendësin Peter Hermann, me të cilin ka një histori të gjatë bashkëpunimi, por ky i fundit ka ende një kontratë që e lidh me Fortuna Dusseldorf. Për ta liruar nga detyrimet që ka me klubin aktual, Bayerni duhet të paguajë rreth 1 milion euro dhe për Hoeness ky është një problem edhe pse paratë tek klubi bavarez nuk mungojnë. Gjithsesi, gjatë ditëve të ardhshme, kjo çështje mund të zgjidhet, pasi koha nuk pret.

Joao Mario: Ndaj Milanit duam fitore

Joao Mario paralajmëron Milan. Mesfushori i zikaltërve në prag të derbit të Madoninës shfaqet entuziast dhe i karikuar. Në një intervistë, portugezi deklaron se skuadra në krahasim me sezonin e kaluar është më e organizuar dhe se ndaj Milanit misioni i tyre i vetëm është të fitojnë. Gjatë intervistës Joao Mario nuk harron të komplimentojë dhe teknikun Luciano Spalletti që sipas portugezit deri më tani, ai ka arritur të bëjë një punë shumë të mirë.
“Po kalojmë një moment të mirë dhe duam të fitojmë përballë Milanit. Shpresoj që dhe tifozët të na ndihmojnë në arritjen e këtij objektivi. Në krahasim me sezonin e kaluar, Inter ka ndryshuar shumë jemi më të organizuar. Spalletti i ka dhënë një tjetër imazh ekipit dhe puna e tij është forcë për ne. Kam biseduar me të dhe sigurisht që dhe dëshira e tij është që të fitojmë në derbi”, u shpreh Joao Mario.
Më pas, mesfushori tregoi se ka patur dhe një bisedë me shokun e tij të skuadrës në Kombëtaren portugeze, që njëkohësisht është dhe sulmuesi i Milanit, Andre Silva, me të cilin në derbi do të jenë rivalë. Joa Mario u shpreh se dhe dëshira e 21-vjeçarit është të fitojë në derbi, por momentalisht fokusi i tyre është kombëtarja.
Parqitjet e Geoffrey Kondogbia kanë bindur drejtuesit e Valencias, ku është i huazuar nga skuadra e Interit, ta blejnë përfundimisht kartonin e futbollistit. Spanjollët do të derdhin në arkat e zikaltërve shumën e 25 milionë eurove, ndërsa lojtarit do t’i ofrojnë një kontratë 4-vjeçare. Gjithsesi nëse ky operacion nuk shkon në mënyrën e duhur, Liverpool e Tottenham janë gati të futen në garë për të siguruar shërbimet e 24-vjeçarit.

Danny Rosse sërish në “lupën” e Mourinhos

MANCHESTER, ENGLAND - JANUARY 21: Danny Rose of Tottenham Hotspur during the Premier League match between Manchester City and Tottenham Hotspur at Etihad Stadium on January 21, 2017 in Manchester, England. (Photo by Robbie Jay Barratt - AMA/Getty Images)

Man.United nuk i ndahet Danny Rosse. Gjatë merkatos që lamë pas, emri i mbrojtësit të skuadrës së Tottenham ishte një ndër më të kërkuarit nga ana e teknikut portugez. Bisedimet ishin konkrete, por palët nuk arritën të gjenin gjuhën e përbashkët. Sidoqoftë drejtuesit e “Djajve të Kuq” nuk janë dorëzuar, pasi ashtu edhe siç raportojnë mediat britanike gjatë merkatos dimërore, United do të hidhet sërish në sulm për të siguruar shërbimet e 27-vjeçarit. Gara nuk duket edhe aq e thjeshtë, pasi në ndjekje të Rosse është edhe Chelsea. Mes dy klubeve do të jetë një garë se cili prej tyre do të ofrojë më shumë dhe se cili prej tyre do të arrij të bindi drejtuesit e Tottenham për ta lënë të lirë Rosse, ndërkohë që nga ana e tjetër duhet marrë në konsideratë dhe dëshira e mbrojtësit, i cili në disa raste e ka lënë të hapur mundësinë për t’u larguar nga skuadra. Në janar Chelsea dhe Man.United do të jenë përballë njëri-tjetrit në një tjetër betejë, jashtë fushës së blertë.

Douglas Costa, asi nën mëngë i Juves

Douglas Costa asi nën mëng i Juventusit. Tetë paraqitje në 10 takime, nga ku vetëm katër prej tyre si titullar. Ky është bilanci i sulmuesit brazilian që prej momentit kur është transferuar në radhët e bardhezinjve. Gradualisht Douglas Costa po arrin të fitojë terren, mjafton të thuash se në Champions League ka qenë në fushë që prej minutës së parë. Iu desh pak kohë për t’u ambjentuar me futbollin italian dhe tashmë nuk është e largët dita kur 27-vjeçari do të jetë titullarë absolut në pjesën më të madhe të takimeve. Zhgënjimi i vetëm për të është mos grumbullimi me kombëtaren e Brazilit dhe tashmë e gjithë vëmendja e tij do të jetë tek Juventus në sfidat midis kampionatit dhe atyre europiane. Nuk ka arritur dot të lerë shumë gjurmë, zero gola si dhe zero asist, por pvarësisht kësaj shpejtësia e tij në krahët e sulmit, driblimet dhe goditjet potente janë detaje që e bënë teknikun Alegri të kërkonte me çdo kusht transferimin e tij dhe sigurisht nuk është e largët dita ku të gjithë këto elementë do të vijnë.

Juve, 8 mungesa ndaj Lazio

Juventus në gjendje alarmi. Situatë aspak e favorshme paraqitet në kampin e bardhezinjve, një pjesë e mirë e lojtarëve pritet të mos jenë të gatshëm për sfidën e së shtunës së ardhshme ndaj Lazios. Mario Mandzukiç dhe Andrea Barzagli janë dy emrat e fundit që i bashkohen listës së të dëmtuarve. Sulmuesi kroat pësoi një dëmtim në takimin ndaj Finlandës edhe pse nuk kishte asgjë serioze, gjasat janë që ndaj Lazios, ai të mos jetë në gjendje për të luajtur.
Situata paraqitet kritike edhe në repartin e mesfushës. Marchisio pas operacionit është duke u stërvitur i veçuar, por faza e rikuperimit për të pritet të zgjasë. Khedira gjithashtu vazhdon të ndjejë shqetësime në pjesën e gjurit, ndërkohë i sapoardhuri Howedes ka nisur të vrapojë, por fizikisht mbetet prapa me përgatitjet. Pjanic dhe Barzagli me shumë mundësi do të jenë të aftë për të luajtur vetëm në ndeshjen e Champions League ndaj Sporting Lisbona. Në “boxe” do të qëndrojë dhe De Sciglio, ndërsa rikthimi i kroatit Pjaca do të jetë i mundur në nëntor. Trajneri i Juventusit, Massimiliano Alegri ndodhet në pozita të vështira. Tetë emra të formacionit bazë të dëmtuar me kampionatin që rifillon fundjavën e ardhshme. Deri atëherë numrit një të bardhezinjve nuk i ngelet gjë tjetër veçse të shpresojë që të paktën disa prej këtyre emrave të jenë të gatshëm për sfidën ndaj Lazios.

Pirlo: Në dhjetor mbyll karrierën

Andrea Pirlo i jep fund karrierës si futbollist. Një prej mesfushorë më të mirë që ka njohur bota e futbollit. Fitues i shumë titujve kampion me fanellën e Milanit dhe atë të Juventusit. Kampion bote me Kombëtaren e Italisë, gjithçka e mundshme për t’u fituar Andrea Pirlo i ka arritur. Ashtu siç ndodh edhe në shumë sporte të tjera, mosha nuk të lejon të luash përgjithmon. Sot, 38 vjeç, Andrea Pirlo është gati të varë këpucët në gozhdë. Është vetë italiani ai që e ka dhënë lajmin, duke deklaruar se në dhjetor ai do të tërhiqet nga futbolli.
“E kupton vetë që ka ardhur momenti për t’u tërhequr. Çdo ditë t’i ke probleme fizike dhe nuk arrin dot të stërvitesh siç t’i do doje, sepse ka gjithmonë diçka që të pengon. Në moshën që jam unë është mirë të thuash stop. Nuk mund të luash futboll deri në moshën 50-vjeçare. Do të merrem me diçka tjetër. Kam dhënë kontributin tim maksimal, është momenti për të dhënë hapësirë moshave të reja. Në dhjetor skadon dhe kontrata ime me New York deri në atë muaj do të jem duke luajtur, më pas do të nisë diçka të re”, u shpreh Pirlo.
Shumë futbollistë në momentin kur tërhiqen nga futbolli i luajtur, nisin karrierën e tyre si trajnerë, në rastin e Andrea Pirlo ky opsion nuk vlen. “A mendoj të bëhem trajner? Nuk është e thënë që të jesh një lojtar i mirë detyrimisht mund të jesh dhe një trajner i zoti. Aq më tepër që duhet të kesh dhe një lloj shkëndije për t’u bërë pjesë e këtij profesioni dhe një gjë e tillë tek unë nuk ka ndodhur”, tha ai.
Në total në karrierën e tij, Andrea Pirlo regjistron 755 ndeshje të luajtura dhe 75 gola të realizuar. Fitues i dy titujve kampion me Milanin si dhe dy Champions League po me fanellën e kuqezinjve, ndërsa Juventusin arriti të fitonte katër kampionate radhazi. Në vitin 2006 kampion bote me kombëtaren e Italisë.

PSG nuk ndalet!

Lufta midis Barcelonës dhe Neymar e PSG vijon ende, por kësaj radhe në merkato. Katalanët shohin tek miliarderët francezë pengesën më të madhe për të arritur tek mesfushori brazilian Coutinho, dëshira më e madhe e tyre gjatë merkatos që sapo lamë pas. Liverpool fiksoi një çmim shumë të lartë për yllin 25-vjeçar gjatë verës dhe për këtë arsye blaugranat u stepën disi për të arritur këtë marrëveshje.
Megjithatë, mediat spanjolle dhe në veçanti e përditshmja “Sport” bën të ditur se tashmë në garë për fantazistin është edhe PSG, një konkurent për t’u patur frikë në garën e merkatos. Mendohet që afrimi i Coutinhos të jetë një kërkesë ekskluzive e Neymar, që dëshiron një futbollist të kombëtares të zbarkojë nën kullën Eifel. Madje mendohet që drejtuesit e parizienëve të kenë nisur kontaktet direkte me kolegët e Liverpool për të mbyllur sa më shpejt këtë marrëveshje, në mënyrë që të shmangin garën me Barcelonën për afrimin e Coutinhos.
Në kryeqytetin francez paratë nuk duket të jenë problem, edhe pse gjithçka mund të mbulohet me largimet e verës së ardhshme, ku emrat në qarkullim janë të shumtë, duke nisur me uruguajanin Edinson Cavanin. Goleadori i PSG nuk gëzon më simpatinë e Neymar që tashmë ka ndikim shumë të madh tek presidenti Al Kelaifi, që është gati t’i plotësojë një tjetër dëshirë brazilianit, atë të afrimit të Coutinhos, që më shumë sesa një nevojë për skuadrën duket si një hakmarrje ndaj Barcelonës nga ana e numrit 10.
Ndërkohë, Barcelona është duke monitoruar Andre Silvan. Sipas asaj që raporton “Mundo Deportivo”, Barcelona është duke monitoruar sulmuesin e Milanit dhe Portugalisë, Andre Silvan për ta transferuar në të ardhmen. 21-vjeçari kontribuoi me një gol dhe një asist për Cristiano Ronaldon në fitoren 2:0 të Portugalisë kundër Andorrës.
Në tribuna ishte drejtori sportiv, Robert Fernandez, duke rritur edhe më shumë spekulimet. E përditshmja katalanase raportoi se ai ishte atje për të shikuar nga afër Andre Silvan dhe talentin e Sporting Lisbonës, Gelson Martins. Milani transferoi Silvan nga Porto verën e kaluar për 38 milionë euro plus bonuse.
Edhe De Gea ka rënë në radarin e PSG-së. Portieri i Manchester Unitedit, David De Gea, që kërkohet tash e një kohë nga Real Madridi, ka rënë edhe në radarin e Paris Saint-Germain, raporton e përditshmja sportive franceze, “Le10 Sport”. PSG e ka prioritet portierin spanjoll, pasi hoqi dorë nga ai i Atletico Madridit, Jan Oblak, për shkak të çmimit të lartë, 100 milionë funte.
Arlind RAMA

Egjipti në festë, pas 28 vitesh në Kupën e Botës

Kupa e Botës ishte kthyer në mallkim gjatë dekadave të fundit për një nga ekipet më të titulluara të Afrikës. 28 vjet mungesë në një Botëror, por më në fund, Egjipti ia doli të rikthehet mes më të mirëve të planetit dhe do të jetë një prej 32 finalisteve që do të udhëtojnë drejt Rusisë gjatë verës së ardhshme. Njeriu i finaleve të mallkuara Hector Cuper, por edhe sulmuesi i Liverpoolit, Mouhamed Salah, janë heronjtë e Egjiptit në mbrëmjen tragjike të Aleksandrisë në praninë e 85 mijë spektatorëve, ku brenda pak minutave “Faraonët” kaluan nga Ferri në Parajsë, pasi mundën vetëm në kohën shtesë Kombëtaren e Kongos 2-1.
Në “Borg el-Arab Stadium”, Egjipti duhej të arrinte një fitore për të siguruar matematikisht kualifikimin, pasi kryesojnë me 12 pikë, 4 më shumë se Uganda e vendit të dytë, kur kanë mbetur edhe 90 minuta nga fundi i eliminatoreve. Ndeshja u zhbllokua në minutën e 63, pasi Salah u tregua i saktë përpara portës, duke ndezur festën, por Moutou 3 minuta nga fundi bëri që në stadium të pllakoste heshtja.
Gjithsesi, Egjipti nuk u dorëzua dhe në minutat shtesë gjeti një tjetër gol me Salah që nga pika e bardhë e 11-metërshit nuk fali, duke çelur zyrtarisht festën për rikthimin e “Faraonëve” në Kupën e Botës. Menjëherë pas përfundimit të ndeshjes, rrugët e qyteteve kryesore u mbushën me njerëz që festuan gjatë orëve të natës këtë arritje të skuadrës kombëtare. Një rezultat historik dhe shumë i vyer për një vend që gjatë viteve të fundit ka qenë në prag të luftës civile. Për një natë të vetme, futbolli bëri atë që politika nuk arriti ta realizonte për shumë vjet, bashkimin e një populli të përçarë.

Polonia shkon në botëror

Polonia bëhet skuadra e 14 që kualifikohet në Botërorin Rusi 2018, ndërsa Danimarka dhe Irlanda e Veriut shkojnë në fazën Play Off. Në orën 18:00 u luajtën sfidat e grupeve E dhe F, aty ku u zgjidhën edhe dilemat përfundimtare.
Në Grupin E ashtu siç pritej Polonia eviton surprizat, pasi triumfon ndaj Malit të Zi, duke vendosur emrin në turneun e vitit të ardhshëm. Ashtu siç pritej Lewandowski mbetet lideri i vendasve edhe pse golat e avantazhit të dyfishtë u realizuan nga mesfushorët Maczinki në minutën e 6 dhe Grosicki 10 minuta më vonë. Dy goditje të shpejta për Malin e Zi që arrin të marrë veten në pjesën e dytë, duke barazuar rezultatin me një supergol në minutën e 78 nga Mogusa dhe 5 minuta më vonë me Vukçeviç. Por polakët ndezin motorrët, duke u rikthyer në epërsi me anë të Lewandowskit 5 minuta përpara fundit, me rezultatin që vuloset nga një autogol i Stojkoviç në minutën e 87.
Në Kazakistan vendasit ndajnë një pikë me armenët në barazimin 1-1. Henri Mkhitarian, kaloi në epërsi miqtë e 26, ndërsa në pjesën e dytë në minutën e 61, Turisbek është ai që vulos rezultatin.
Në Kopenhagen, Danimarka nuk arrin të mposhtë Rumaninë, në një sfidë të zhbllokuar me penallti në minutën e 59 nga Eriksen, pas faullit të shkaktuar ndaj Bendtner. Me 10 futbollistë në fushë që nga minuta e 63, rumunët barazojnë me anë të Deac dy minuta përpara fundit.
Në Grupin F, llogaritë për kreun ishin të mbyllura me Anglinë që udhëtoi drejt Lituanisë si fituese e grupit. Me shumë ndryshime në formacion 3 luanët zhbllokuan sifdën me anë të penalltisë së kthyer në gol nga Hery Kane në minutën e 27, gol që i dha fitoren e 8 në grup Anglisë.
Ashtu siç pritej, Sllovakia bën detyrën ndaj Maltës në shtëpi, me një triumf të pastër 3-0. Me nga një gol për çdo pjesë Nemec bëhet heroi i vendasve, ndërkohë që Duda shënon golin e 3 të mbrëmjes në minutën e 70.
Emocione në Ljubjanë, ku Sllovenia ndal në barazim 2-2 Skocinë. Grifith në minutën e 32 kaloi në avantazh britanikët, por dy ndryshimet në pushim nga Katanec rezultuan decizive me Bezjak, që i ardhur nga stoli shënon dy herë në minutat 52 dhe 72. Dy minuta përpara fundit, Snodgrass i ardhur nga stoli vulos barazimin që nuk i vlen Skocisë për të shkuar në Play Of.
Në Grupin C, Gjermania tashmë e kualifikuar arriti një sukses të lehtë ndaj Azerbajxhanit me rezultatin 5-1. Leon Goretzka hapi serinë e golave që në minutën e 7, por Azerët barazuan me Sheyedaev, duke shkuar në dhomat e zhveshjes pas një pjese të parë pozitive. Gjithsesi, skuadra e Low nuk toleroi në pjesën e dytë, ku fillimisht teknologjia i akordoi një gol Sandro Wagner dhe më pas Antonio Ruediger dhe sërish Leon Goretzka, por edhe Emre Can vulosën suksesin e 10 në po kaq ndeshje për Gjermaninë që nuk la asnjë pikë në këto kualifikuese. Në duelin tjetër, Norvegjia u imponua 1-0 ndaj Irlandës së Veriut, që gjithsesi e ka siguruar fazën Play Off. Në minutën e 71, autogoli i Chris Brunt vendosi fatin e këtij takimi. Republika Çeke bëri detyrën në Pragë ku shkatërroi San Marinon me rezultatin 5-0. Michael Krmencik shënoi dy gola të menjëhershëm që u pasuan edhe nga realizimet e Jan Kopiç, Filip Novak dhe Vaclav Kadlec që mbylli serinë e golave.