25.5 C
Tirana
E mërkurë, 27 Gusht, 2025

Nuk i pranojnë masat e sigurisë, shorti ‘zgjedh’ gjyqtaren që do të shqyrtojë ankimimin e çiftit Meta-Kryemadhi

Apeli i GJKKO ka caktuar trupin gjykues që do të shqyrtojë çështjet ndaj ish-presidenti Ilir Meta dhe ish-bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi.

Sipas shortit, trupi gjykues monokratik përbëhet nga gjyqtare Igerta Hysi.

1. Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar regjistroi çështjen penale nr. 60 akti, datë 11.11.2024 regjistrimi, mbi ankimet e personave nën hetim I.M. dhe M.K., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 125, datë 20.10.2024 dhe vendimit nr. 130, datë 23.10.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar” që ka disponuar në lëndë të masave të sigurimit personal.

Pr.buxheti prej 3.6 miliardë eurosh shqyrtohet sot në Kuvendin e Kosovës! Kush e merr pjesën më të madhe të “tortës”, ja institucionet që përfitojnë më shumë

Projektligji mbi ndarjet buxhetore për vitin 2025 shqyrtohet sot në Kuvendin e Kosovës. Projektbuxhetin në vlerë prej 3.6 miliardë eurosh, Qeveria e Kosovës e miratoi më 30 tetor.

 

Vlera e tij është për 9 për qind më e lartë se e buxhetit të vitit 2024 prej 3.3 miliardë eurosh.

Në ditën e miratimit në Qeveri, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se gjatë katër vjetëve të qeverisjes së partisë së tij, Lëvizjes Vetëvendosje, buxheti i Kosovës është rritur “vit pas viti si asnjëherë më parë”.

22

Projektbuxheti parasheh rritje gati në të gjitha kategoritë e shpenzimeve, por më së shumti në subvencione dhe transfere.

Këto janë fonde të siguruara nga shteti për të ndihmuar kompani, persona fizikë ose sektorë të veçantë të ekonomisë, si p.sh. bujqësia.

Kategoria për shpenzime kapitale do të ketë, po ashtu, rritje për 71 milionë euro, krahasuar me buxhetin e këtij viti.

2

Rritje, krahasuar me këtë vit, do të ketë edhe kategoria për paga dhe shtesa për 111 milionë euro.

Në këtë kategori, ky veprim u mor për të mbuluar rritjen e pagave dhe të pensioneve.

Në fund të muajit të kaluar, Qeveria e Kosovës mori vendim për t’i rritur pagat për rreth 90 mijë punëtorët e sektorit publik – për 55 euro nga muaji janar dhe për 55 euro të tjera nga korriku i vitit të ardhshëm.

Më 7 tetor, Qeveria e Kosovës mori vendim edhe për rritjen e pensioneve për 20 për qind.

Rritje të buxhetit, vitin e ardhshëm, do të kenë edhe disa nga institucionet qendrore të shtetit, përfshirë ato në sektorin e mbrojtjes, sigurisë, shëndetësisë dhe infrastrukturës rrugore.

Mes tjerash, të dhënat tregojnë se buxheti i Ministrisë së Financave do të jetë më i larti, i Ministrisë së Mbrojtjes do të rritet për më shumë se 54 milionë euro krahasuar me këtë vit, ndërsa i Ministrisë së Infrastrukturës për rreth 47 milionë.

Në Projektbuxhetin për vitin 2025 thuhet se gjatë vitit aktual ekonomia e Kosovës pritet të rritet për 4.5 për qind, duke vazhduar trendin e rritjes edhe vitin e ardhshëm, përkatësisht për 5.6 për qind.

Kontributi kryesor në rritjen ekonomike gjatë vitit 2025 thuhet se do të vijë nga konsumi privat, investimet private dhe publike, por edhe nga eksportet e mallrave dhe shërbimeve.

Buxheti i Kosovës zakonisht mbushet nga të hyrat e Doganës dhe të Administratës Tatimore të Kosovës.

Shqyrtimi i sotëm është i pari në Kuvendin e Kosovës.

Projektbuxheti duhet të dalë edhe në shqyrtim të dytë, ndërsa në raste të caktuara del edhe në të tretin.

Ai duhet të miratohet më së largu deri në fund të këtij viti./REL

Lufta në Gaza/ Gjermania i bën thirrje Izraelit: Lejo që të shpërndahet më shumë ndihma

Ministrja e Jashtme gjermane, Analena Berbock, e përshkroi në terma dramatik situatën humanitare në Rripin e Gazës. Në fakt, ajo i bëri thirrje Izraelit që të hapë të gjitha rrugët kufitare drejt Gazës për të lejuar shpërndarjen e më shumë ndihmave.

“Kurrë në 12 muajt e fundit nuk ka pasur kaq pak ndihma që ka ardhur në Gaza sa tani,” vuri në dukje Berbock.

Ministri i Jashtëm gjerman nënvizoi se Izraeli ka bërë vazhdimisht premtime në këtë drejtim, por më pas i ka “thyer”.

Qeveria izraelite duhet të lejojë që t’i shpërndahet më shumë ndihma popullatës civile të vuajtur në enklavën palestineze “pa justifikime”, këmbënguli ai.

Kush e ka radhën?! Emra të mëdhenj drejt dyerve të SPAK, eksperti: Do jenë të krahut të majtë

Avokati Kujtim Ibra dhe eksperti i kriminalistikës Artan Rexhepi, ishin të ftuar ditën e sotme në emisionin “Breaking”, në Top News.

Ata kanë folur për dosjet e bujshme që po heton Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ku si të pandehur janë marrë disa figura të rëndësishme të politikës. Sipas avokatit Ibra, shumë shpejt priten të tjera figura të rëndësishme në dyert e SPAK, e kjo sipas tij mund të ndodhë para hyrjes së vitit 2025.

Nëse flasim për radhë, ajo tashmë dihet. Të gjithë ata persona që kanë ushtruar funksione publike dhe kanë vjedhur, grabitur, në kurriz të shqiptarëve, nëpërmjet ushtrimit të detyrës së tyre, qoftë ministër, qoftë deputet, apo çdo funksion, ata e kanë vendin vetëm të SPAK-u. Unë besoj që disa eksponentë si nga PS, ashtu nga opozita, shumë shpejt do i shohim në dyert e SPAK-ut, mos themi deri para vitit të ri, apo edhe më pas. Por shumë shpejt do ketë arrestime të tjera.” tha avokati.

Edhe eksperti Artan Rexhepi shtoi se do të ketë të tjera “goditje” nga SPAK ,e sipas tij, këtë herë do të jenë nga radhët e Partisë Socialiste.

Emra të mëdhenj priten për hir të së vërtetës. Do jenë emra të njohur dhe në nuhatjen time, do jenë të krahut të majtë. Jo e SPAK-u bën goditje kolektive por një farë ekuilibri duhet ruajtur. Rasti i Çybrjas ishte shembulli konkret që dëshmon se politika është e ndotur. Organet ligj-zbatuese janë të ndotura në shumë sektorë. Në rasti ne tij kanë munguar filtrat e kontrollit para vendosjes së emrit në listën për deputet. SKY është një thes i madh dhe do nxjerrë shumë.”– tha ai

Në burg për koncesion 100 mln euro të sterilizimit, biznesmeni Ilir Rrapaj me pranga në duar dhe i rrethuar nga policët në Komisionin Hetimor për Shëndetësinë

Biznesmeni Ilir Rrapaj ka mbërritur me pranga në duar dhe i rrethuar nga policët në Komisionin Hetimor për Shëndetësinë.

SPAK i ka dhënë leje Ilir Rrapajt, i cili është në burg për koncesion 100 mln euro të sterilizimit, që të lirohet për pak orë nga qelia për të dëshmuar në Komisionin Parlamentar për Check Up dhe Sterilizimin.

Ilir Rrapaj1

Thirrja e dëshmitarëve për të sqaruar rrethana të ndryshme që lidhen me çështjen:

  • Ora 9.30 Ilir Rrapaj
  • Ora 14.00 Anila Denaj
  • Ora 16.00 Altin Fani
  • Ora 18.00 Umbro Staccini
  • Ora 19.00 Elisabetta Anzanello
  • Ora 20.00 Giorgio Tardioli

Në burg për koncesionin e sterilizimit janë edhe ish-zëvendësministri i Shëndetësisë Klodian Rjepaj, si edhe ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja.

Prej tre vitesh SPAK ka nisur një hetim në lidhje me kete koncesion. Ilir Rrapaj ishte një biznesmen i panjohur në qarqet e biznesit në Shqipëri deri në vitin 2013. Para se socialistët të vinin në pushtet, ai ishte pronari i një agjencie ndërmjetësimi si edhe i një kompanie modeste ndërtimi me qendër në Peruxhia të Italisë.

Një kompani që rezultonte të kishte vetëm një të punësuar në Itali, teksa arriti të fitonte në Shqipëri një tender kaq të lakmuar prej rreth 100 milion dollarësh.

Por çfarë është kontrata e sterilizimit?

Ajo është një prej katër projekteve të PPP nne mbështetje buxhetore në shëndetësi që e ka zanafillën në mandatin e parë qeverisës të kryeministrit Edi Rama. Kontrata u firmos në vitin 2015 mes ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqja dhe kompanisë koncesionare SaniService –aksionerët e së cilës janë Investital LLC dhe kompanitë italiane “Servizi Italia”, “Tecnosanimed” dhe “U.Jet S.r.l”.

Paketën më të madhe të aksioneve në këtë koncesion e zotëron Investital LLC- një kompani e vogël e themeluar me kapital 1 mijë euro në Kosovë nga Ilir Rrapaj. Sipas të dhënave të publikuar nga BIRN pak kohë më parë rezulton se Rrapaj u kthye në Shqipëri pas zgjedhjeve të vitit 2013 dhe para se të fitonte koncesionin, vendosi kontakte të shpeshta me ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj.

Elektrobisturia është pjesë e njërit prej seteve kirurgjikale, që kompania koncesionare “SaniService” i shet Ministrisë së Shëndetësisë për çmime që variojnë nga 16 mijë lekë deri në 45 mijë lekë (me TVSH) për çdo ndërhyrje.

Kontrata e Partneritetit Publik Privat për sterilizimin e instrumenteve kirurgjikale është në vitin e shtatë të operimit, dhe ka shënuar rritje të ndjeshme të kostove të parashikuara.

Anëtarët e komisionit që përgatiti studimin e fizibilitetit për koncesionin e sterilizimit i thanë Prokurorisë se qendra nuk ishte vënë në punë prej tetë vitesh për shkak të mungesës së stafit të trajnuar. Ata e përdorën atë si një argument më shumë se pse shërbimi duhej dhënë me koncesion.

Rrapaj fiton koncesionin 100 milion euro të sterilizimit

Për më shumë se një dekadë, Ilir Rrapaj drejtoi një kompani të vogël ndërtimi me vetëm një të punësuar, të regjistruar në një zonë të qetë rezidenciale në qytetin e Peruxhias të rajonit Umbria në Itali, të cilën e themeloi së bashku me dy të afërm të tij në vitin 2000 me një kapital të vogël prej 1500 eurosh.

Megjithatë, pas fitores së Partisë Socialiste në zgjedhjet e qershorit 2013, emigranti me origjinë nga fshati Rexhepaj i Vlorës u kthye në Shqipëri dhe vendosi kontakte me kreun e shëndetësisë shqiptare, Ilir Beqaj, me të cilin ka pasur takime të shpeshta ku kanë marrë pjesë edhe biznesmenë italianë, të interesuar në tregun e shërbimeve mjekësore.

Dy vjet pas rikthimit në atdhe, me anë të një kompanie të regjistruar në Kosovë, Rrapaj është shpallur fituesi kryesor i një kontrate koncesionare prej 100 milionë dollarësh në një tender të kontestuar.

Nëpërmjet kompanisë së tij Investital LLC, e cila ka një kapital prej 1000 eurosh dhe është e regjistruar në Prishtinë, Rrapaj zotëron 40 % të aksioneve të një bashkimi kompanish italiane, të cilat fituan tenderin për sterilizimin e pajisjeve kirurgjikale.

Ortakët e Rrapajt në konsorcium janë tre kompani nga rajoni i Umbrias, përfshirë “Servizi Italia”, e cila ka një eksperiencë 35-40 vjeçare në fushën e sterilizimit dhe mbetjeve spitalore, “Tecnosanimed” dhe “U.Jet S.r.l”.

Konkurrent në tender kanë qenë gjithashtu një grup tjetër operatorësh ekonomikë Italianë si:”S.S.I”, “Mario Gugliemo” dhe “Brema Ambiente”, të përfaqësuar nga kompania “Action Laundery” me qendër në Durrës.

Konsorciumi humbës pretendon që shpallja fitues e konsorciumit në të cilin Rrapaj ka shumicën e aksioneve është e paligjshme, pasi ai ka dhënë një ofertë që tejkalon fondin limit. Ajo e ka ankimuar vendimin e Komision të Vlerësimit të Ofertave, KVO të Ministrisë së Shëndetësisë në Komisionin e Prokurimit Publik, KPP.

KPP-ja ka kërkuar rivlerësimin e vendimit fillestar të KVO-së, por kjo e fundit ka marrë një vendim të dytë, duke e shpallur përsëri grupin e kompanive ku përfshihet Investital LLC si fitues.

Të dhënat e mbledhura nga BIRN sugjerojnë se konsorciumi i emigrantit shqiptar, Ilir Rrapaj ka pasur kontakte të vazhdueshme me ministrinë e shëndetësisë dhe ministrin Beqaj që nga viti 2013.

Mbetet e paqartë se çfarë roli luan kompania Invetital Ll.C në konsorcium, duke qenë që ka vetëm 1 të punësuar, kapital minimal dhe në dukje zero eksperiencë në fushën e mjekësisë.

I pyetur nëpërmjet telefonit për marrëdhënien e tij me Ilir Rrapajn, ministri Beqaj në fillim mohoi ta njihte. Pasi BIRN i dërgoi ministrit disa fotografi ku ai shfaqej me biznesmenin nga Peruxhia, Beqajt iu rifreskuar memoria, duke pranuar se “kishte njohje me z.Ilir Rrapaj.”

“Pas interesimit tuaj, nga hulumtimi i dokumentacionit lidhur me koncesionin me objekt ‘Për shërbime të integruara për ofrimin e setit të personalizuar të instrumenteve kirurgjikale…’, rezulton se z. Ilir Rrapaj është përfaqësues i një prej kompanive, pjesëtare të një prej konsorciumeve ose Operatorëve Ekonomikë (OE) që kanë paraqitur interes për këtë procedurë prokurimi,” u shpreh Beqaj.

Ndërkohë Ministria e Shëndetësisë mohon që oferta e konsorciumit ku përfshihet Rrapaj të jetë mbi fondin limit të tenderit duke i cilësuar akuzat si “shpifje.”

Rrapaj nga ana tjetër refuzoi t’i komentonte kontaktet e tij me ministrin Beqaj, duke u mjaftuar me pretendimin se procedura e dhënies së koncesionit kishte qenë sipas tij e suksesshme.

beqaj-rrapaj-561x400 (1)

Tenderi i dyshimtë

 

Procedura e koncesionit 10 vjeçar me vlerë 9.6 miliardë lekë është hapur në 13 shkurt 2015, me një vendim të ministrit Ilir Beqaj.

Objekti i kontratës së partneritetit publik-privat ka për qëllim ofrimin e setit të personalizuar të instrumenteve kirurgjikalë sterilë, furnizimin me material mjekësor steril njëpërdorimësh në sallat kirurgjikale, trajtimin e mbetjeve me rrezik biologjik dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale dhe ambienteve.

Ky shërbim parashikohet të ofrohet në spitalet universitare dhe rajonale të vendit, apo dhe spitale të tjera, sipas planit të racionalizimit spitalor në Republikën e Shqipërisë.

Vlera e fondit limit të koncesionit është arritur pas një studimi fizibiliteti të ndërmarrë nga një komision i posaçëm, i ngritur nga Ministria e Shëndetësisë.

“Është marrë në studim viti 2013 dhe është vlerësuar numri total i ndërhyrjeve kirurgjikale dhe janë përllogaritur përafërsisht shpenzimet e kryera në blloqet operatore, kryesisht në spitalet rajonale dhe ato universitare, të cilët kanë aktivitet të shkuar kirurgjikal,” tha Ministria e Shëndetësisë, në përgjigje të një kërkese për informacion nga BIRN.

“Ky koncesion do të trajtohet sipas formulës “Pay and Use,” e cila nënkupton se, kompania që do të kryejë shërbimin do të paguhet për njësi, që në këtë rast është ndërhyrja kirurgjikale,” shtoi ajo.

Ministria sqaroi më tej se analiza e situatës ishte kryer pasi kishte mbledhur informacion nëpërmjet një pyetësori dhe kishte arritur në përfundimin që sistemi i menaxhimit, sterilizimit dhe mirëmbajtjes së sallave kirurgjikale apo instrumenteve kishte probleme serioze.

Sipas ministrisë, menaxhimi ishte shumë i kushtueshëm për shkak të numrit të lartë të punonjësve të përfshirë dhe shumësisë së makinerive të përdorura në çdo bllok operator.

Me datën 4 Maj 2015, Ministria e Shëndetësisë ka zhvilluar procedurën e prokurimit për koncesionin dhe në datë 26 Maj, autoriteti kontraktues ka publikuar renditjen e operatorëve ekonomikë.

Komisioni i Vlerësimit të Ofertave ka shpallur konsorciumin e përbërë nga Investital Llc, Servizi Italia S.p.a, U.Jet S.r.l dhe Tecnosanimed të parët me 73.89 pikë dhe në vendin e dytë konsorciumin e përbërë nga “Action Laundry,” S.S.I”, “Mario Gugliemo” dhe “Brema Ambiente” me 42.83 pikë.

Sipas “Action Laundry” përllogaritet që konsorciumi i udhëhequr nga “Servizi Italia” S.p.a, që u klasifikua i pari, e ofroi shërbimin për 1 vit në vlerën e 1 miliardë lekë, kundrejt ofertës 753 milion lekë të ofruar nga grupi i operatorëve të udhëhequr nga “Action Laundry”, që u rendit e dyta.

Kompania me qendër në Durrës pretendon se diferenca për 1 vit kap vlerën 250 milion lekë, ose për 10 vjet një vlerë prej 2.5 miliardë (17.8 milionë euro).

Më 8 qershor, bashkimi i operatorëve i udhëhequr nga Action Laundry ka paraqitur një ankesë në KPP duke kundërshtuar renditjen e operatoreve në procedurën e koncesionit si dhe kualifikimin e konsorciumit tjetër, të përfaqësuar nga Servizi Italia S.p.a.

Me datë 22 qershor, KPP-ja pranon pjesërisht ankesën e Action Laundry dhe i kërkon Ministrisë së Shëndetësisë të rivlerësojë ofertat, pasi vëren se mbledhja e pikëve në vlerësimin e parë ka gabime matematikore.

Anëtarët e KPP në vendimin prej 46 faqesh argumentonin se:… “Në respekt të parimit të transparencës dhe barazisë si dy ndër parimet kryesore të zhvillimit të procedurës së dhënies së koncesionit, autoriteti kontraktor (Ministria e Shëndetësisë) ka gabuar në mbledhjen aritmetike të pikëve në total… Sa më sipër, Komisioni i Prokurimit Publik gjykon se autoriteti kontraktues në rivlerësimin e procedurës duhet të kryejë edhe mbledhjen e saktë aritmetike të pikëve dhënë operatorëve ekonomikë pjesëmarrës në këtë procedurë…”

Pas këtij vendimi detyrues, procedura e mbledhjes së pikëve është mbajtur në datën 28 shtator 2015, dhe pikërisht në atë ditë është shpallur fituesi ku sërish ka qenë bashkimi i operatorëve “Servizi Italia”. Por çuditërisht, këtë herë kjo kompani ka marrë më shumë pikë se në vlerësimin e parë.

Nga 73.98 pikë që kishte në vlerësimin e parë, tani ishte vlerësuar me 91.03 pikë. Pra me një diferencë prej 22 pikësh më tepër.

Në anën tjetër, bashkimi i operatorëve që përfaqësohej nga “Action Laundry” ka marrë 45 pikë, nga 42.83 që kishte marrë në rivlerësimin e parë.

Sipas “Action Laundry,” rivlerësimi i dytë i pikëve nga Ministria e Shëndetësisë ka qenë sërish i pasaktë dhe i dyshimtë, pasi pikët akorduar konsorciumit të drejtuar nga Servizi Italia janë rritur ndjeshëm.

“Konkretisht në rivlerësimin e dërguar, oferta e shoqërisë “Servizi Italia” SPA rezulton përsëri e renditur në vendin e parë, por nga 73.98 pikë që kishte në vlerësimin e mëparshëm, tani çuditërisht është vlerësuar me 91.03 pike,” Action Laundry i tha BIRN.

“KVO-ja ka gabuar në vlerësimin me pikë të ofertës tonë, e cila rezulton të jetë oferta fituese e procedurës, sepse në finale shoqëria jonë për të njëjtin shërbim të kërkuar nga Autoriteti Kontraktor ka ofruar vlerën 753.500.000 lekë, ndërkohë që shoqëria ” Servizi Italia” SPA ka ofruar vlerën 1.003.780.000 leke,” shtoi ajo.

Action Laundry gjithashtu nënvizon që oferta e konsorciumit të drejtuar nga Servizi Italia për një periudhë 10-vjeçare tejkalon dhe fondit limit prej 9.6 miliardë lekësh.

E pyetur nga BIRN, Ministria e Shëndetësisë i hodhi poshtë pretendimet e “Action Laundry” si të pavërteta.

“Nuk është e vërtetë që oferta e “Servizi Italia” është mbi fondin limit. Këtë spekulim, e ka bërë konkurrenti tjetër, i cili ka vendosur në mënyrë arbitrare volumet vjetore të çdo grupndarjeje të llojit të ndërhyrjes kirurgjikale,” tha Ministria në një përgjigje me postë elektronike.

“As në realitetin e shërbimit kirurgjikal në Shqipëri, dhe as në dokumentat e tenderit të garës së koncensionit nuk ekziston e dhëna se realizohen çdo vit 15 mijë ndërhyrje kirurgjikale me intesitet të lartë. Në realitet, ndërhyrjet me intesitet të lartë janë disa herë më pak. Rritja artificiale e volumit të grupndërhyrjeve me çmim të lartë për njësi është kryekëput e pasaktë,” shtoi ajo.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë konkurrenti që është ankuar, ka “shpikur qëllimisht një shpërndarje të pavërtetë të ndërhyrjeve kirurgjikale, me qëllim krijimin e një situate të paqenë në vlerën vjetore të furnizimit të set-eve të instrumenteve kirurgjikalë të sterilizuar dhe materieleve mjekësore njëpërdormëshe të ofertës fituese.”

Ajo shtoi që vlera prej 1 miliardë lekë që pretendohet se është kosto e vjetore e shërbimit të ofruar nga Servizi Italia është e pavërtetë, por nuk saktësoi se cila është kosto e këtij shërbimi.

Pas shpalljes së vendimit të KPP-së me datë 10 korrik, kompanitë Investital Llc, Servizi Italia S.p.a, U.Jet S.r.l dhe Tecnosanimed, kanë regjistruar një kompani të re për të operuar me koncesionin, të quajtur SaniService Sh.p.k.

Edhe pse me shumë pak eksperiencë se partnerët e tjerë italianë, kompania e Rrapajt, Investital Llc merr 40 % të aksioneve të kompanisë së re SaniService Sh.p.k, Servizi Italia S.p.a 30 %, Tecnosanimed 15 % dhe U.Jet S.r.l 15 %.

Investimi i Rrapajt nëpërmjet e Investital Llc për të kontrolluar 40 % të kompanisë me koncesionin 100 milionë dollarësh është vetëm 8 mijë euro.

rrapaj-beqaj2-600x400

Lidhjet midis Ilir Rrapajt dhe Ilir Beqajt

I lindur në vitin 1972, Rrapaj ka emigruar në Itali në vitet 90’ dhe është vendosur në rajonin e Umbrias. Më 17 prill 2000, ai regjistron në Peruxhia kompaninë Ali Pashë Tepelena SAS, një kompani në kategorinë e “artizanatit” me vetëm një të punësuar dhe një kapital prej 3 milionë liretash, të cilat më vonë konvertohen në 1549, 38 euro.

Ilir Rrapaj zotëron 50 % të aksioneve të kompanisë dhe 50 për qind kontrollohen nga i afërmi i tij Mitat Rrapaj, i cili në vitin 2007 ia dhuron ato shtetases Italiane Elisa Bulagna.

Lidhja e Rrapajt me fushën e shëndetësisë është e paqartë, edhe pse ai pretendon të këtë mbaruar studimet për mjekësi. Megjithatë, më 22 nëntor të vitit 2013, Rrapaj merr pjesë në nismën “Thuaj Po Shqipërisë”, të mbajtur në pallatin e Brigadave në Tiranë.

Fotot të siguruara nga BIRN tregojnë se në këtë konferencë që mblidhte profesionistët shqiptarë të shëndetësisë në vende të ndryshme të botës, Rrapaj përveç ministrit Beqaj ka takuar dhe kryeministrin Edi Rama.

Mbas konferencës në nëntor të vitit 2013 dhe shpalljes së koncesionit për sterilizimin e seteve dhe sallave kirurgjikale në shkurt të këtij viti, Rrapaj dhe përfaqësues të kompanive të tjera italiane, pjesë të konsorciumit fitues kanë pasur një numër takimesh në Tiranë dhe Itali me ministrin e shëndetësisë Ilir Beqaj.

Në dhjetor të vitit 2013, ministri Beqaj dhe zëvendës ministri i shëndetësisë Klodian Rrjepaj vizitojnë rajonin e Umbrias në Itali me ftesë Qarkut të Umbrias dhe Universitetit Shtetëror të Peruxhias.

Gjatë vizitës, Beqaj nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin e Peruxhias, po ajo që bie në sy është prezenca e Ilir Rrapajt dhe e ortakëve të tij italianë gjatë takimeve.

Beqaj e viziton disa herë rajonin e Umbrias në vitin 2014. Në dhjetor të këtij viti ai nënshkruan një memorandum bashkëpunimi me Qarkun e Umbrias, ku Rrapaj është gjithashtu prezent në takimet zyrtare, në krah të ministrit Ilir Beqaj.

“Modeli i shëndetësisë në disa rajone të Italisë, i cili është rrjedhojë e një reforme që Italia e ka filluar që në vitin 1978 na shërben si pikë referimi,” tha Beqaj gjatë nënshkrimit të Memorandumit në Tiranë me presidenten e Qarkut të Umbrias, znj. Catiuscia Marini.

Beqaj shtoi Memorandum i Bashkëpunimit është paraprirë edhe nga një Protokoll Bashkëpunimi i nënshkruar më 18 dhjetor 2013 mes :”Universitetit të Bologna-s dhe Ministrisë së Shëndetësisë së Republikës së Shqipërisë, në bashkëpunim me “Polo Biomedical Umbria” – e cila numëron më shumë se 20 kompani të Umbria-s të sektorit shëndetësor e biomjekësor – në mënyrë që të zhvillojnë bashkëpunimin dhe kooperimin në sektorët e logjistikës spitalore, të inxhinierisë klinike dhe shkencave veterinare.”

Tre kompanitë fituese të koncesionit për pajisjet kirurgjikale, Servizi Italia S.p.a, U.Jet S.r.l dhe Tecnosanimed janë pjesë e “Polo Biomedical Umbria,” por mbetet e paqartë nëse Protokolli i Bashkëpunimit ka luajtur ndonjë rol në procedurën e prokurimit.

Kompania e Rrapajt, Investital Llc është regjistrua në Prishtinë në korrik të vitit 2014. Në faqen e saj zyrtare, ajo përshkruhet si një agjenci investimesh, me interesa në sektorin e industrisë, turizmit dhe shëndetësisë.

Duke komentuar fotot ku shfaqet përkrah Ilir Rrapajt, ministri Beqaj pranoi që biznesmeni nga Peruxhia në të paktën një okazion zyrtar ishte i ftuar i ministrit të shëndetësisë.

“Fotoja e parë duhet të jetë shkrepur në restorantin “Sofra e Ariut” në Tiranë, në një darkë që Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, shtroi për nder të Ambasadorit Italian, z. Massimo Gaiani, dhe një grupi përfaqësuesish të Rajonit të Umbrias, këshillit drejtues akademik të Universitetit Shtetëror të Peruxhias (Università degli Studi di Perugia) dhe dhomës tregtare Confimi Impresa (Konfederata Italiane e Sipërmarrjeve Industriale të Vogla dhe të Mesme),” tha Beqaj.

Ai shtoi në një komunikim të dytë se nga nëntori 2013, deri në dhjetor 2014 ishte takuar katër herë më biznesmenin Ilir Rrapaj, në cilësinë e tij si përfaqësues Confimi Impresa.

I kontaktuar nga BIRN, Ilir Rrapaj u shpreh se fitues të koncesionit për setet kirurgjikale ishin shpallur kompanitë më të mira, duke përmendur “Servizi Italia”.

I pyetur mbi akuzat e Partisë Demokratike se në këtë koncesion një mik i kryeministrit Edi Rama dhe ministrit Beqaj ishte shpallur fitues, Rrapaj tha se: “nuk më interesojnë këto gjëra dhe nuk merret me politikë,” duke shtuar se ky koncesion ka për të qenë “një sukses.”/BIRN

U mor i pandehur për “shpërdorim detyre”, kryebashkiaku i PS-së paraqitet në SPAK! Ja kush e shoqëron

Kreu i Bashkisë Devoll, Eduard Duro është paraqitur në SPAK paraditen e sotme (11 nëntor)

 

Kryebashkiaku i PS-së është shoqëruar në ambientet e Prokurorisë së Posaçme nga avokati i tij.

Eduard Duro u mor i pandehur nga Prokuroria e Posaçme më 29 Tetor për akuzën e shpërdorimit të detyrës.

Kryebashkiaku socialist akuzohet për veprën penale ‘shpërdorim detyre’, pasi sipas dyshimeve, ka licencuar një pikë karburanti e cila ishte ndërtuar pa leje.

Pas marrjes si të pandehur, Duro ka reaguar duke thënë se ka firmosur çdo gjë siç e kërkon ligji.

“Sektori i tatim taksave ka dhënë autorizim për shitje karburanti brenda dhe konform ligjit.

Shtetasit J.K dhe M.K kanë bërë denoncim se ky dokument nuk duhej dhënë subjektit “Genci Petrol”.

Kam firmosur çdo gjë siç e kërkon ligji dhe nuk bëhet fjala për shpërdorim detyre por për detyrë të plotësuar në kushtet e një kryetari bashkie”, ka deklaruar Eduard Duro.

Kryeministri japonez Ishiba rizgjidhet në pushtet pas balotazhit, sfidat me të cilat përballet në krye të qeverisë

Shigeru Ishiba, kreu i Partisë Liberale Demokratike (LDP) në pushtet në Japoni, ka siguruar një mandat të ri si kryeministër i vendit pas një votimi parlamentar të hënën.

67-vjeçari u betua për herë të parë si kryeministër në shtator, pasi paraardhësi i tij, Fumio Kishida, dha dorëheqjen mes një sërë skandalesh që tronditën besimin e publikut në LDP.

Përpara seancës së posaçme parlamentare të hënën, Ishiba dhe kabineti i tij dhanë dorëheqjen për t’i hapur rrugë votimeve për kryeministër. Disa orë më vonë, ai fitoi një balotazh kundër liderit të opozitës Yoshihiko Noda.

Ai tani do të duhet përballet me armiqësitë brenda partisë së tij, problemet ekonomike dhe një periudhë fluksi në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Si udhëheqës i një qeverie të pakicës, ai gjithashtu përballet me sfidën për t’iu kushtuar vëmendje kërkesave të bllokut opozitar për miratimin e çdo projektligji ose buxheti të ardhshëm – me frikën e bllokimit të mundshëm politik në një parlament të varur.

Si ish-ministër i mbrojtjes, Ishiba fitoi reputacion në politikën japoneze për shkak se ishte kritik i hapur ndaj figurave në partinë e tij, duke përfshirë Kishida dhe udhëheqësin më jetëgjatë të Japonisë, Shinzo Abe. Ky reputacion i shënoi atij pikë në mesin e votuesve.

Ai pritet të formojë një administratë të re të hënën, e përbërë kryesisht nga të njëjtët anëtarë si kabineti i tij fillestar.

Ishiba u emërua kreu i LDP-së në pushtet të Japonisë dhe rrjedhimisht kryeministër i vendit – më 1 tetor, pas një gare të ngushtë mes kandidatëve të LDP-së.

BIRN: Kompleks vilash, transaksionet e ministrit Ulsi Manja me pronat ngrenë pikëpyetje

Dhjetë vjet më parë, Isuf Kërçiku vendosi të shpërngulej nga Kamza e zhurmshme drejt Farkës së Vogël, asokohe një fshat piktoresk në periferi të Tiranës me një liqen të vogël në qendër të tij.

Kërçiku, 78 vjeç, thotë se e zgjodhi Farkën për qetësinë, natyrën e bukur dhe ajrin e pastër. Por brenda një dekade, kjo “parajsë” e dikurshme u zhduk nga vala e ndërtimeve dhe zhurma e makinerëve të rënda.

“Shikoni vetë si është bërë, kantier,” thotë Kërçiku, duke zgjatur dorën drejt godinave në ndërtim e sipër. “Dakord, duhet t’i hapim rrugë zhvillimit, por jo çdo gjë beton. Të lemë diçka edhe për natyrën,” shtoi ai.

Farka e Vogël ndodhet vetëm 9 kilometra larg qendrës së Tiranës dhe është sot destinacioni më të ri i rezidencave dhe komplekseve të vilave për banorët e pasur të kryeqytetit. Të paktën 15 komplekse vilash dhe dy pallate gjenden aktualisht në proces ndërtimi, ndërsa të tjera projekte janë në pritje të miratimit të lejeve nga Bashkia e Tiranës.

Presioni i lartë për ndërtim ka sjellë gjithashtu një rritje të vlerës të tokës. Banorët thonë se preferojnë gjithsesi që të mos shesin, por ta japin tokën për zhvillim në këmbim të sipërfaqeve të ndërtimit.

Ky është edhe shembulli i ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja.

Pasi investoi 3 milionë lekë për blerjen e një sipërfaqeje toke prej 1 mijë metrash katrorë në vitin 2021, Manja synon që ta transformojë atë në një pasuri me vlerë qindramijëra euro brenda një kompleksi vilash me pishina dhe mure rrethuese buzë liqenit të Farkës.

Tre vjet pas blerjes së tokës, Manja dhe bashkëshortja e tij aplikuan për leje ndërtimi në Bashkinë e Tiranës për projektin e një kompleksi vilash, së bashku me pronarë të tjerë të tokave fqinje në Farkë.

Transaksionet e kryera nga ministri i Drejtësisë ngrejnë pikëpyetje, pasi ai e bleu tokën nën vlerën e tregut nga një zyrtar lokal i Partisë Socialiste dhe synon që ta zhvillojë atë përmes një kompanie fituese të një koncesioni nga qeveria “Rama”.

Të dhënat e siguruara nga BIRN nga tre agjenci imobilare dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës sugjerojnë se ministri i Drejtësisë e bleu tokën me një çmim thuajse 3-fish më të lirë sesa vlera e tregut dhe gati sa gjysma e vlerës mesatare të shitjeve të deklaruara në të njëjtën periudhë në këtë zonë.

“Transaksionet e zyrtarëve të lartë, të cilat janë jashtë kushteve të tregut, janë subjekt i dyshimit të arsyeshëm dhe e meritojnë të eksplorohen në detaje për të parë përfshirjen e personave të tretë si maskim për interesa korruptive dhe shkëmbime favoresh,” thotë Zef Preçi, ekspert i ekonomisë dhe drejtues i Institutit për Studime Ekonomike.

Ministri Manja nuk iu përgjigj pyetjeve të detajuara, por i tha BIRN përmes një zëdhënësi se ai dhe familjarët e tij i nënshtroheshin ligjit për deklarimin dhe kontrollin e pasurive nga  Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, ILDKPKI.

“Deklarimi është i disponueshëm për shqyrtim sipas procedurave të parashikuara nga ligji dhe unë jam plotësisht transparent në lidhje me pasurinë time,” tha Manja.

Kontrata me Malokun

Komplekset e vilave kanë rrethuar liqenin e vogël të Farkës në periferi të Tiranës. Foto: Ola Xama.

Toka prej 1 mijë metra katrorë në pronësinë e ministrit Ulsi Manja ndodhet në zonën kadastrale 1605 në Farkë të Vogël me numër pasurie 397/9 dhe është regjistruar në hipotekë në vitin 2014 mbi bazën e një Akti të Marrjes së Tokës në Pronësi, AMTP. Prona rezulton me kufi në jug të saj me liqenin e Farkës dhe në pjesët e tjera rrethohet nga dy pronarë të tjerë.

Manja e bleu tokën në vitin 2021 nga Arben Maloku, i cili mbante në atë kohë detyrën e administratorit të njësisë vendore të Zall Herrit, pjesë e Bashkisë së Tiranës.

Maloku njihet gjithashtu për sipërmarrjet e tij në fushën e ndërtimit si themelues i kompanisë Arb& Trans 2010; e cila u hetua në vitin 2022 për ndërtimin e kateve shtesë pa leje në një pallat në rrugën “Myslym Shyri” në Tiranë.

Dokumentet e siguruara nga BIRN tregojnë se tokën që i shiti Manjës, Maloku e kishte blerë në tetor 2019 për një çmim prej 20 mijë eurosh ose 20 Euro për metër katror. Pasi e rivlerësoi pronën, Maloku ia shiti Manjës për 3 milionë lekë ose 3 mijë lekë m2.

Tre agjenci imobiliare të kontaktuara nga BIRN e vlerësojnë këtë transaksion si anomalisht të ulët, ndërsa raportojnë çmime toke të paktën 120 Euro për metër katror ose 4 herë më të larta në të njëjtën zonë.  Agjentët theksuan gjithashtu se kërkesa për prona në Farkë të Vogël ka ardhur gjithnjë e në rritje dhe se në vijën e parë të liqenit është e pamundur që të gjenden toka në treg.

“Janë shitur të gjitha,” tha një agjent imobiliar.

Edhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës raporton çmime më të larta se sa kontrata e shitjes mes Malokut dhe Manjës në vitin 2021.

“Çmimi mesatar i shitjeve të pasurive arë në zonën kadastrale 1605 në Farkë të Vogël për periudhën janar-dhjetor 2021, sipas akteve të regjistruara rezulton 5753 lekë/m2, ndërsa çmimi i referencës është 448 lekë/m2,” tha ASHK në një përgjigje me shkrim.

Vlera është disa herë më e ulët krahasuar edhe me një tjetër tokë të blerë nga Maloku në të njëjtën zonë në vitin 2017.

Parcela ka një sipërfaqe prej 1650 m2 dhe është blerë nga Maloku për një çmim mbi 22 milionë lekësh ose 134 Euro m2 – mbi 4-fish më shtrenjtë se toka që ai i shiti Manjës.

Maloku i tha BIRN përmes një bisede telefonike se vlera e tokave në atë zonë dhe në të gjithë Tiranën ndryshon me metra, ndërsa këmbënguli se tokën e kishte shitur me të njëjtin çmim që e kishte blerë.

Ai shtoi gjithashtu se e kishte blerë atë në vitin 2019 me qëllimin për të ndërtuar një shtëpi për vete, por më pas kishte ndërruar mendje dhe kishte vendosur t’ia shiste Manjës.

Maloku e lidhi çmimin e ulët të tokës me ekzistencën e një shtylle tensioni të lartë pranë saj.

“Ajo tokë ka qenë poshtë një shtylle te tensionit të lartë, ka një shtyllë të tensionit të lartë. Është afër liqenit, me hamendje 100 metra larg liqenit dhe sipër toka ka shtyllën e tensionit të lartë, prandaj ka patur këtë çmim,” tha Maloku.

“Zotëria në fjalë nuk ka qënë as ministër kur ia kam dhënë tokën në dijeninë time. Në kohën që e kam shitur, ta them me bindje të plotë nuk ka qenë ministër,” shtoi ai.

Diferenca mes çmimit të blerjes dhe vlerës së tregut në transaksionin e kryer nga ministri i Drejtësisë krijon hapësirë për dyshim.

“Këtu mund të ketë vend për një hetim me dyshimin e një kontrate fiktive për fshehje të të ardhurave, pasi mund të lindin dyshime që pagesa tjetër të jetë bërë në cash ose me një përfitim që mund të ketë marrë shitësi në një formë tjetër nga zyrtari publik,” tha ish-prokurori Gentian Trenova, i cili punon sot si jurist.

“Vetëm me analizën e kontratës kjo lidhje është e pamjaftueshme, por ka vend për hetim të mëtejshëm,” shtoi ai.

Trajektorja e pasurisë

Kryeministri Edi Rama dhe ministri i Drejtësisë Ulsi Manja në Tiranë më 11 maj 2022. Foto: LSA

Ulsi Manja punoi për dy dekada si ndihmës-gjyqtar, prokuror dhe avokat, përpara se të përfshihej në politikë në vitin 2013 si deputet i Partisë Socialiste në Kuvendin e Shqipërisë. Manja ka shërbyer gjithashtu si anëtar i komisionit të posaçëm të reformës në drejtësi dhe si kryetar i Komisionit të Ligjeve. Prej shtatorit 2021, ai drejton Ministrinë e Drejtësisë në kabinetin “Rama”.

Manja është subjekt i deklarimit të pasurisë dhe konfliktit të interesave që prej vitit 2003, kur mbante pozicionin e prokurorit. Analiza e deklaratave të pasurisë, e kryer nga BIRN, tregon një trajektore të pasurisë familjare të nisur nga zeroja dhe që në fund të vitit 2023, kap vlerën e 46.5 milionë lekëve – me një rritje mesatare prej 2.7 milionë lekësh në vit.

Rritja e pasurisë së Manjës e ka burimin te transaksionet me pasuritë e paluajtshme.

Në vitin 2004, ai deklaron se bleu një apartament në Tiranë me vlerë 5.4 milionë lekë me ndihmën e dy huave të marra nga vëllai dhe motra e tij, ndërsa në vitin 2010 bleu një apartament të dytë në Kavajë me vlerë 30 mijë euro me të ardhurat e fituara nga puna si avokat.

Por tre vitet e fundit rezultojnë të jenë intensive në fushën e shit-blerjeve të pasurive të patundshme për ministrin Ulsi Manja.

Në vitin 2021, familja e ministrit Manja blen tokën në Farkë të Vogël, ndërsa në vitin 2022 shet apartamentet që zotëronte në Tiranë dhe Kavajë për çmimet respektive 140 mijë euro dhe 50 mijë euro, duke krijuar likujditete bankare me vlerë gati 200 mijë euro në fund të vitit 2022.

Po gjatë vitit 2022, Manja blen një tjetër apartament në Tiranë me sipërfaqe 156.7 m2 për vlerën totale 115 mijë euro, ose 734 Euro për metër katrorë. Ai deklaron se deri në fund të vitit 2022, ka shlyer 68,350 Euro për blerjen e apartamentit përmes një linje kredie, ndërsa pjesa e mbetur prej 46, 650 Euro është detyrim ndaj kompanisë së ndërtimit.

Transkasionet në pasuri të patundshme janë një burim i konsiderueshëm i të ardhurave për familjen Manja; ato përbëjnë gati 19% të të ardhurave totale në dy dekada.

Pas një kërkese për të drejtë informimi, BIRN priti tre muaj për të aksesuar deklaratat e pasurisë së ministrit të Drejtësisë nga ILDKPKI. Fillimisht, ILDKPKI refuzoi të kthejë përgjigje dhe vetëm pas një ankese të depozituar në zyrën e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe një kërkese të re i vuri ato në dispozicion. ILDKPKI nuk iu përgjigj pyetjes nëse kishte kryer ndonjëherë hetim administrativ për deklaratat e pasurisë së Manjës.

Konflikt interesi?

Një sipërfaqe toke ende e gjelbëruar buzë liqenit të Farkës. Foto: Ola Xama.

Liqeni i Farkës në periferi të Tiranës është një ujëmbledhës artificial i ndërtuar në vitet ’80 me qëllim ujitjen e tokave bujqësore që shtrihen poshtë digës së tij. Zona e ruajti karakterin e saj rural për më shumë se një dekadë pas rënies së komunizmit, por nuk i shpëtoi gjatë presionit të diktuar nga sektori i ndërtimit.

Liqeni është sot një atraksion natyror, i rrethuar nga komplekse vilash dhe rezidencash banimi, që reklamohen në faqet e agjencive imobiliare me çmime që variojnë nga 300 mijë deri në mbi 1 milion euro në varësi të sipërfaqes dhe pozicionit të tyre.

Edhe toka e blerë nga ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja duket se ka për destinacion një kompleks të shtrenjtë vilash.

Në nëntor të vitit të kaluar, Manja dhe bashkëshortja e tij aplikuan së bashku me fqinjët e tyre kufitarë, kompaninë “Brunes” dhe pronarët e saj Geront dhe Bledar Çela, për një leje zhvillimi në Bashkinë e Tiranës me qëllim ndërtimin e një kompleksi banimi dhe shërbimi me godina 1,2 dhe 3 kate, me pishina dhe mur rrethues në këtë zonë. Detajet e marrëveshjes mes pronarëve të tokës dhe kompanisë “Brunes” janë të panjohura dhe nuk rezultojnë të jenë deklaruar nga ministri Manja në ILDKPKI në vitin 2023.

Bashkia e Tiranës tha në një përgjigje për BIRN se ata kishin aplikuar për leje ndërtimi më 26 prill, kërkesë e protokolluar në bashki më 10 qershor të këtij viti. “Kërkesa ndodhet në fazën e shqyrtimit administrativ,” tha Bashkia.

Kompania “Brunes” operon prej vitit 2003 në Shqipëri në fushën e tregtisë së pajisjeve hidrosanitare dhe shtëpiake si dhe shitjes së materialeve të ndërtimit.  “Brunes” është gjithashtu përfituese e një kontrate koncesionare nga qeveria “Rama” për ndërtimin e Marinës së Vlorës si dhe pjesë e konsorciumit që përfitoi tokë publike me qira simbolike 1 Euro përmes një vendimi të Këshillit të Ministrave në tetor 2021, në kohën kur Manja ishte gjithashtu pjesë e kabinetit qeveritar.

Ministri Manja nuk iu përgjigj pyetjes mbi një konflikt të mundshëm interesi me kompaninë “Brunes”, ndërsa Këshilli i Ministrave refuzoi të vinte në dispozicion qëndrimin e Manjës gjatë mbledhjes ku u miratua dhënia me qira e tokës publike.

“Vlerësimet, debatet dhe raportimet në mbledhjet e qeverisë mbeten konfidenciale,” u përgjigj Këshilli i Ministrave.

Por për ekspertët e ligjit, një marrëdhënie e tillë ngre “flamuj të kuq”.

“Nga viti 2021 deri në momentin që është lidhur kontrata ka një flamur të kuq që të çon drejt dyshimeve për të hetuar,” tha Trenova. “Ka raste kur këto përfitime janë konsideruar forma të pagesës korruptive, sepse korrupsioni nuk është vetëm dhënia nën dorë, por edhe përfitime të tjera me leje, licensa apo leje ndërtimi, sidomos kur kemi të bëjnë me një zyrtar të lartë publik që ka influencë në institucionet e tjera,” përfundoi ai./reporter.al

“Nga opozita është lideri më me peshë në marrëdhëniet me ndërkombëtarët”/ Politologu Alban Daci: Basha nuk ka lidhje me populizmin, lider realist

Nga Alban Daci

Marrëveshjet politike duhet të kenë një kuptim, një qëllim dhe mbi të gjitha kërkesat duhet të jenë me këmbë në tokë.
Disa mendojnë ose më mirë shpresojnë se Basha është në një moment dobësie dhe marrëveshjen politike me të e konceptojnë si marrëdhënie mbi kushte në këndvështrimin e dobësisë së Bashës!

Basha është ish:

– Ministër i Jashtëm
– Ministër Transportesh
– Ministër i Brendshëm
– Kryebashkiak i Tiranës
– Kryetar i padiskutueshëm i Opozitës 2013-2021

Përtej krizës dhe sulmeve të vazhdueshme politike, Basha është i vetmi me Demokratët Euroatlantike që ka ruajtur të gjitha strukturat në gjithë territorin dhe mbulon çdo qendër votimi!
Mendoj, se Basha nuk është në një moment dobësie, por në një moment të rritjes politike për shkak të koherencës së vazhdueshme!
Në anën Opozitare, Basha është lideri më i fortë ndërkombëtarisht me peshë të konsiderueshme!
Askush sot nga Opozita nuk ka staturën Ndërkombëtare që ka Basha!
Askush sot nuk është interlekutor i rëndësishëm ndërkombëtar sa është Basha.
Askush sot ndërkombëtarisht nuk ka më shumë akses sa Basha.
Kushdo ka të drejtë të bëjë kualicion me këdo, por nëse para zgjedhjeve nuk duan të bëjnë marrëveshje politike me Bashën, nuk duhet t’a shpresojmë dhe t’a kërkojnë pas zgjedhjeve!
Basha, do të jetë në zgjedhje me çdo kusht me alternativën e tij e me skuadrën e tij, për të tjerat, le të presim zgjedhjet që nuk janë shumë larg!
Basha duhet të hyj në negociata me këdo, por harruar ato që kam shkruar me kartë!
Linjën time për PD shpesh nuk e kanë dëgjuar ose nuk e kanë vlerësuar. Optika ime për PD ose Demokratët Euroatlantike është:
– Zhvillimi i një filozofie serioze e të qëndrueshme të djathtës
– Të qëndrojë larg populizmave duke mos bashkëpunuar, sepse kështu i faktorizon mbi kurrizin e saj. Shumë lëvizje politike të qarta populiste, pa bosht ideologjik, por në thelb kanë pushtetin, synojnë të marrin vota më shumë djathtas, sepse e Fjathta nuk ka mundur të ketë një ideologji politike dhe për pasojë nuk ka arritur të ketë elektorat me orientim e identifikim ideologjike
– Populzmat mund të përceptohen si zgjidhje imediate, por shpejt kthehen në establishmente më të rrezikshme nga momenti që mund të marrin pushtetin
– Basha duhet të përfaqësojë linjën klasike institucionale politike. Kriza që ka linja institucionale politike e establishmentit nuk e prek Bashën dhe për fat ky mbetet trashëgimtari i vetëm i një opozitarizmi institucional.
– Demokratët Euroatlantik duhet të jenë alternativë zgjedhore në këto zgjedhje, por nuk duhet të largohen nga e drejta e tyre legjitime që në një të afërt jo të largët të përfaqësojnë PD, atë PD që i ka munguar realisht të djathtës që nga fillimet e viteve ’90 e deri më sot.
Ka shumë gjasa që Gjykata Kushtetuese t’a rrëzojë këtë Kod Zgjedhor.
Megjithatë, Basha ka deklaruar se do të garojë në zgjedhje me lista të hapura. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese mund të jetë një risi e rëndësishme në zgjedhjet e 2025.
Basha nuk ka asgjë të përbashkët me populizmin ose subjektet populiste, qoftë për shkak të historisë politike të tij, por edhe për mënyrën sesi e sheh të ardhmen politike të Shqipërisë.
Zgjidhja më e mirë e këshilla më e mirë e Bashës për mundësitë e marrëveshjeve politike para zgjedhore është pikërisht shprehja popullore: Më mirë vetëm, sesa i keq shoqëruar!

Pse hesht Sali Berisha për skandalin Çyrbja?

Nga Bato Kosova

Arrestimi i deputetit Jurgis Çyrbja nga ana e SPAK ka ekspozuar një nga pikat më kritike të makinerisë elektorale të Edi Ramës, duke faktuar akuzat e shumta të opozitës ndër vite për lidhjen e politikës me krimin.

Nga hetimet e SPAK rezulton se deputeti socialist i Durrësit i shërbente krimit të organizuar, duke marrë në këmbim vota dhe mbështetje politike.
Aspekti më i rëndë i kësaj dosje të nxehtë është pozicionimi i Çyrbes në pjesën fituese të listës, i treti në zgjedhjet e vitit 2021, përmes influencës së banditëve të zonës. Por nëse kjo ekspozon lidhjet e deputetit të PS me bandat, nuk lë dorëjashtë Edi Ramën, i cili është personi që nënshkruan listat e deputetëve si kryetar partie. Pra, logjika sugjeron se kur është negociuar për të vendosur të tretin në listën fituese Çyrben, marrëveshja është arritur me Edi Ramën.

Vetë kryeministri ishte kandidat në Durrës në ato zgjedhje, dhe me sisetmin aktual zgjedhor, mandati i tij në ato zgjedhje është fituar me ndihmën e krimit të organizuar, që më vonë, siç dëshmojnë përgjimet zyrtare të prokurorisë, është shpërblyer me informacione të dekonspiruara nga deputetit Çyrbja dhe personazhe të tjera brenda sferës së pushteti, të cilët kanë vepruar në shërbim të bandave.

Në kushte normale, ky skandal do të ishte një bonus domethënës për opozitën, e cila ka luftuar me vite me radhë kundër lidhjes së politikës me krimin, në veçanti për impaktin e kësaj lidhje në zgjedhje. Por konfirmimi i tezave të tyre, tani përmes një dosje zyrtare të SPAK, duket se ka vënë në lëvizje vetëm Lulzim Bashën, që ka reaguar në mënyrë të pandërprerë për këtë çështje, madje e ka bërë pjesë të bisedimeve të takimeve zyrtare që ka zhvilluar javët e kaluara në Berlin dhe Londër.

Por ajo që bën përshtypje në këtë moment është heshtja e Sali Berishës, i cili nuk përton të lëshojë thagma të pavërtetuara në rrjetet e tij sociale, ndërkohë që për arrestimin e Çyrbes, që fakton vjedhjen e zgjedhjeve dhe lidhejt e PS-së me krimin, ish-kryeministri ka kyçur gojën.

Nuk është ende e qartë pse Sali Berisha hesht, ndoshta sepse për tre vite akuzoi Bashën se kishte humbur zgjedhjet, ndërkohë që dosje si kjo e Çyrbes tregojnë se ato janë tjetërsuar nga Rama.
Apo sepse hetimi dhe arrestimi që fakton një pjesë të masakrës zgjedhore të viti 2021 është zbardhur nga SPAK, që me pa të drejtë, Berisha e quan SKAP, pasi e ka vendosur në hetim.

Sidoqoftë kjo heshtje dita-ditës, po kthehet në një akuzë për vetë Sali Berishën, sepse duket se mosbindjen civile e ndez dhe e shuan sipas qëllimeve personale që diktojne hetimet nën të cilat ndodhet, jo interesi i opozitës.

Pas bashkimit të votave me Ramën për të realizuar amnistinë e subjekteve të SPAK dhe GJKKO, si dhe bashkimin e votave për të mbyllur listat, duke mbyllur çdo mundësi për një reformë zgjedhore, Sali Berisha, po ekspozohet gjithmonë e më shumë si një aksioner i pushtetit të Edi Ramës, jo si drejtuesi i një aksioni opozitar./alfapress.al