17.5 C
Tirana
E hënë, 16 Qershor, 2025

Haradinaj: Brenda tre muajve pritet liberalizimi i vizave

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka përsëritur qëndrimin e tij se kufiri mes Kosovës dhe Malit të Zi vazhdon të mbetet në Çakorr dhe Kullë.
“Kufiri është në Çakorr edhe në Kullë, kështu është dhe kështu do të mbetet”, tha Haradinaj gjatë seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës.
Ai ka thënë se kjo çështje tani është në proces, dhe se komisioni i ri ka mbështetjen e qeverisë për ta vërtetuar çështjen e kufirit.
Kryeministri Haradinaj tha po ashtu se për Demarkacionin mund të “vonohemi, por punët janë në proces dhe mund të avancojnë më shumë në MSA-në për një vlerësim pozitiv”.
Haradinaj tha po ashtu se, periudha prej tre muajsh që Kosova të mund të fitojë në procesin e liberalizimit të vizave është ende opsionale.
“Po ju them se është opsion ende që në afat të tillë ke ardhur përgjigja për liberalizim. Kemi bërë përpjekje në këtë kohë që kemi filluar dhe po themi se jemi në hapin e duhur dhe ende mbaj shpresë për lajmin e duhur”, u shpreh Haradinaj.

Austria ndalon përdorimin e perçes

Gratë myslimane në Austri u detyruan nga policia të hiqnin perçet, pas hyrjes në fuqi të një ligji që ndalon mbulimin e fytyrës. Ligji ka nxitur reagimet e aktivistëve myslimanë të të drejtave të njeriut në Austri.
Ligji që hyri në fuqi të dielën ndalon përdorimin e maskave të skive në rezortet dimërore, maskat kirurgjike jashtë spitaleve dhe maskat festive në publik.
Ligji, i ngjashëm me atë në Francë dhe Belgjikë, vlen edhe për vizitorët, duke përfshirë edhe numrin e madh të turistëve arabë që pushojnë në alpet austriake.
Grupet myslimane e kanë dënuar ligjin, duke thënë se vetëm një pakicë e vogël e myslimanëve austriakë veshin perçe që mbulojnë gjithë fytyrën.
“Gratë duhet të kenë lirinë që të vishen si të duan. Ka shumë gra që nuk e kanë këtë liri dhe detyrohen të vishen në mënyrë të caktuar. Megjithatë, unë mendoj se kjo nuk është përgjigja e duhur. Ne duhet t’i fuqizojmë gratë e jo t’ua heqim liritë dhe të drejtën për t’u veshur si të duan. Pra, ne duhet t’i fuqizojmë ato”.
Përdorimi i perçes vazhdon të jetë i rrallë në Austri, pavarësisht rritjes së numrit të emigrantëve dhe refugjatëve në Evropë në vitin 2015, por ato janë në shënjestër të grupeve dhe partive politike të krahut të djathtë.
Ata që shkelin ligjin do të përballen me një gjobë prej rreth 180 dollarësh. Policia është e autorizuar të përdorë forcën, nëse është e nevojshme, kundër atyre që rezistojnë.
Qeveria thotë se ligji, i cili thotë se fytyra duhet të jetë e zbuluar nga flokët deri tek mjekrra, ka të bëjë me mbrojtjen e vlerave austriake.

 

Varfëria, 62% e shqiptarëve të mbytur në borxhe joformale

Mijëra familje shqiptare marrin bukë dhe ushqime me listë në dyqanet e lagjeve ku banojnë, ndërsa e kanë të vështirë t’i shlyejnë huatë e marra në kohë të shkurtra. Gjendja e vështirë ekonomike i ka detyruar kryefamiljarët të marrin veresie, duke hyrë në borxh përditë e më shumë
Shumica e familjeve huamarrëse rreth 78% e tyre nuk presin ndryshim të aftësisë paguese edhe në gjysmën e dytë të vitit 2017
Varfëria, skamja dhe papunësia po përball familjet shqiptare me vështirësi të shumta ekonomike, ku pjesa më e madhe e tyre ka degraduar në luftë për mbijetesë. Në kushte tejet të rënda pamundësie e vetmja shpresë e tyre për të siguruar të paktën bukën e përditshme mbeten borxhet me lista në dyqanet ushqimore. Shumë nga familjet që deri para katër vitesh merrnin asistencë ekonomike, sot nuk e marrin më atë.
Mijëra familje shqiptare marrin bukë dhe ushqime me listë në dyqanet e lagjeve ku banojnë, ndërsa e kanë të vështirë t’i shlyejnë huatë e marra në kohë të shkurtra. Gjendja e vështirë ekonomike i ka detyruar kryefamiljarët të marrin veresie, duke hyrë në borxh përditë e më shumë.
Huamarrja është një fenomen i përhapur në ekonominë shqiptare, më shumë se gjysma e familjeve shqiptare kanë aktualisht një borxh për të shlyer, ose 62 për qind e tyre, e kanë marrë atë prej burimeve informale jashtë sistemit bankar dhe kryesisht tek persona të tjerë fizikë, që mund të jenë të afërm apo të njohur.
Familjet shqiptare marrin borxhe tek të afërmit për blerje ushqimesh. Sipas vrojtimit të Bankës së Shqipërisë në 6 muajt e parë të këtij viti, kjo formë e huamarrjes zë 40% të rasteve. Në 38% të rasteve të huamarrjes, familjet i janë drejtuar burimeve formale banka dhe institucione jobankare në formën e produkteve të kredisë dhe në 62% të rasteve i janë drejtuar burimeve joformale, kryesisht në cash që i marrin tek të afërmit ose tek miqtë. Krahasuar me një 6-mujor më parë, vihet re një tendencë drejt formalizimit të borxhit.
Në raportin e stabilitetit financiar konstatohet se familjet shqiptare fitojnë më pak sesa shpenzojnë. Në 6 muajt e parë të 2017, niveli i të ardhurave të familjeve dhe niveli i shpenzimeve kanë qenë në rritje, por rritja e shpenzimeve ka rezultuar më e madhe duke sjellë ngushtim të balancës financiare të ardhura-shpenzime. Shumica e familjeve huamarrëse rreth 78% e tyre nuk presin ndryshim të aftësisë paguese edhe në gjysmën e dytë të vitit 2017.

Varfëria, 1 në 6 shqiptarë me kredi konsumatorësh

Përafërsisht, një në gjashtë shqiptarë, ka një kredi në një prej bankave tregtare në vend. Të paktën në këtë përfundim arrin Fondi Monetar Ndërkombëtar, që sapo ka publikuar anketën e aksesit financiar 2017, që është një ndër mekanizmat më të saktë dhe më të detajuar të fondit, sa i përket aksesit të njerëzve në sektorin financiar në secilën prej 180 ekonomive të ndryshme të botës.
Indikatori që mat numrin e huamarrësve për 1000 banorë, për Shqipërinë fiksohet në 157.8 për vitin 2016, dhe në rritje të ndjeshme në krahasim me vitin paraardhës, kur fiksohej në vetëm 146.94 kreditorë për çdo 1000 banorë, çka përkthehet në 1 në 7 shqiptarë përafërsisht.
Të dhënat e fondit monetar ndërkombëtar për këtë indikator janë ndër vite, dhe paraqesin një situatë mjaft interesante. Rezulton se, në vitin 2005, pra 12 vite më parë, vetëm 1 në 31 shqiptarë, kishte një kredi. Përveç viteve 2009, 2013 dhe 2015, në të gjitha vitet e tjera, indikatori ka pësuar rritje të ndjeshme në krahasim me vitin paraardhës.
Të dhënat e publikuara nga Fondi Monetar Ndërkombëtar argumentojnë me shifra nevojën në rritje për financim, lehtësinë e kredidhënies nga bankat tregtare me kalimin e viteve, paçka se, bëhet fjalë për një periudhë të shkurtër kohe, afro një dekadë, si dhe evoluimin e ekonomisë shqiptare, e sidomos asaj familjare gjatë kësaj periudhe kohore.

Skandal, Rama përze FMN për koncesionet e klientelës

FMN është larguar nga Shqipëria pa arritur marrëveshjen dhe shkak për këtë janë bërë koncesionet, borxhi i lartë i qeverisë ndaj bizneseve, bashkimi i tatimeve me doganat si dhe një sërë parakushtesh të tjera të e çojnë vendin drejt një skenari mjaft të rrezikshëm të krizës ekonomike.
FMN është kundër planit të qeverisë për bashkimin e tatimeve me doganat. Në mbyllje të vizitës në Shqipëri, Misioni i FMN-së ka ikur pa lajmëruar firmosjen e ndonjë programi bashkëpunimi dhe ka dalë me një deklaratë zyrtare, ku thekson riskun e lartë të një operacioni që bashkon tatimet me doganat.
Njoftimi për bashkimin e Administratave Tatimore dhe Doganore është mirë të rikonsiderohet edhe një herë, po të kemi parasysh risqet e larta të cënimit të mbledhjes së të ardhurave dhe reformat që po bëhen në Administratën Tatimore. Më në përgjithësi, riorganizimi i administratës së qeverisjes qendrore është mirë të zbatohet me vëmendje të veçantë tek efekti funksional, thuhet në deklaratë.
Me skepticizëm nga FMN shihet edhe strategjia e investimeve përmes Partneritet Publik Privat, ose dhënia e shërbimeve me konçesion.
Programi ambicioz i autoriteteve për investime publike nëpërmjet PPP-ve paraqet risqe të konsiderueshme fiskale. Në vitin 2018, rritja është parashikuar të bjerë paksa në 3,7 për qind, me rënien e investimeve nga projektet e mëdha të lidhura me energjetikën. Në dallim nga praktika e tanishme, ndikimi që kanë PPP të në llogaritë fiskale dhe borxhin publik duhet të reflektohet me transparencë dhe në përputhje me normat ndërkombëtare të kontabilitetit publik-thuhet më tej.
Misioni thotë se ulja e borxhit publik kërcënohet nga projekti 1 miliard dollarë për infratrikturën, të shpallur nga qeveria, e cila mbron idenë se paratë do të jepen nga bankat dhe nuk ndikojnë në borxhin publik.
Në mungesë të masave të politikës tatimore, misioni parashikon që borxhi publik të arrijë rreth 63½ për qind të PBB së deri në vitin 2021. Kjo përfshin edhe akumulimin e rezervave fiskale të matura (prej rreth 1 për qind të PBB-së), por përjashton çdo borxh apo detyrim kontigjent që lind nga investimet e financuara në formë Partneriteti Publik Privat (1 miliard euro, rreth 7 për qind e PBB-së deri në vitin 2021)
FMN kërkon edhe zgjidhjen e borxheve që institucionet publike dhe pushteti vendor ka ndaj privatëve, detyrime që kanë arritur në vlerën 120 milionë eurove dhe mirëpret zbatimin e një tatimi mbi pronën të mbështetur në vlerën e saj dhe rekomandon masa të tjera shtesë si indeksimi i akcizave sipas inflacionit. Sipas FMN çuarja përpara e programit të reformave është me rëndësi kritike për ruajtjen e stabilitetit makroekonomik, zvogëlimin e risqeve fiskale dhe rritjen e potencialit të rritjes ekonomike.

Xhihadistët marrin armë nga Bullgaria

Bullgaria mendohet se ka dërguar furnizime me armë me vlerë disa qindra milionë dollarë në zonat e luftës në Siri.
Nga ky vend nuk pret të mira, thotë me bindje Dilyana Gajtandshieva. Ajo e ka fjalën për Sopotin, ku gjendet fabrika shtetërore bullgare e armëve VMZ. Në këtë vend nuk afrohesh dot dhe xhirimet janë rreptësisht të ndaluara. Gajtandshieva mendon se shkaku për këtë është “e vërteta e hidhur se Bullgaria furnizon me armë xhihadistë në vende të ndryshme të botës”.
Në dhjetor 2016 Gajtandshieva ishte në Aleppo si reportere lufte. Me një kameraman sirian ajo xhiroi rrethimin e qytetit nga trupat besnike të qeverisë dhe nga militantët e Hezbollahut. Aleppoja kontrollohej asokohe nga Fronti El-Nusra, i afërt me Al-Kaidën. Pas marrjes së lagjes vendasit i treguan asaj një bodrum. Atje ajo zbuloi ndër të tjera predha 122 mm, prodhuar në Sopot, Bullgari.

Armë bullgare për terroristët në Siri
“Qe shok për mua kur pashë emblemat bullgare tek ato armë vrasëse. Të gjitha ato armë ishin të depozituara në një depo të Al Nusrës”, thotë gazetarja. Ajo e publikoi këtë lajm dhe fotografi, por lajmi nuk tërhoqi vëmendje të madhe.
Në vitin 2017 ajo i rinisi kërkimet e saj pasi i ranë në dorë dokumente të ambasadës së Azerbajxhanit në Sofje. “Këto dokumente tregojnë se agjencia shtetërore ajrore azerbajxhanase Silk Way Airlines ka vënë në dispozicion fluturime diplomatike për transportimin e armëve! Këto armë u shfaqën më vonë në Siri”, thotë Gajtandshieva. Sipas saj aeroplanët azerbajxhanas ishin ngarkuar me armë lufte në Bullgari dhe i transportuan ato nga atje në Arabinë Saudite dhe në Turqi. E gjitha kjo duke anashkaluar doganën bullgare dhe me lejen e Ministrisë së Punëve të Jashtme. Ajo flet për 350 raste eksporte armësh. Më pas armët janë transportuar për tek terroristët në Siri.

Gajtandshieva nën hetim
“Pak pas botimit të artikullit në këtë gazetë, më mori në pyetje Shërbimi i Sigurisë Kombëtare. Dhe vetëm pak orë pas marrjes në pyetje, gazeta ‘Trud’ ma ndërpreu kontratën e punës”, tregon Gajtandshieva. Që prej asaj kohe ajo është e papunë dhe besueshmëria e saj është publikisht në pikëpyetje.
Tihomir Bezlov nga Qendra për Studime Demokratike në Sofje dyshon se Gajtandshievën e kanë çuar me qëllim tek depoja e armëve, ndoshta për të demaskuar anëtaren e NATO-s, Bullgarinë: “Ka qenë një përpjekje ruse për të çuar me qëllim një gazetare bullgare me ekipin e saj televiziv aty dhe për t’i treguar armët. Ajo që na treguan nga Aleppo duhet diskutuar”.

Interes i madh për armë
Politikani opozitar dhe eksperti për Lindjen e Mesme, Slavko Velkov, mendon ndryshe. Sipas tij raportimet e Gajtandshievës janë të besueshme. “Nëse marrim parasysh se Al Nusra ishte forca më e rëndësishme xhihadiste në Aleppon Lindore, nuk duhet të na befasojë fakti që armë bullgare dhe të tjera u gjetën në duart e tyre. Interesi për armë është shumë i madh. Dhe vatrat e nxehta të Lindjes së Mesme nuk janë aq larg nga Bullgaria”, thotë Slavko Velkov.
Ai shton se, “sipas hulumtimeve tona Bullgaria ka eksportuar në vitin 2016 armë me vlerë një miliard euro. Një rritje prej 60 për qind krahasuar me vitin paraprak. Një pjesë e madhe e këtyre armëve duhet të jenë përdorur në Lindjen e Mesme”.

Qeveria bullgare nuk pranon të prononcohet
Qeveria bullgare nuk pranon të prononcohet për pyetjet e drejtuara nga ne në lidhje me këto njoftime. Kurse Dilyana Gajtandshieva nuk e kupton se përse nuk heton askush në bazë të lajmeve të saj dhe se ajo vetë është në qendër të kritikave. “Dëshiroj t’u them të gjithë bullgarëve që thonë se ndjek programin e dikujt që të shkojnë vetë në Siri dhe t’i shohin armët bullgare në duart e xhihadistëve ashtu si unë në Aleppo”, thotë gazetarja, që po lufton kundër lobit të fuqishëm të armëve bullgare.

Ç’do të ndodhë pas referendumit në Katalonjë

90 për qind votuan për pavarësinë e Katalonjës. Por Madridi mund t’i heqë Katalonjës autonominë. Të dielën në darkë kryeministri i Katalonjës, Carles Puigdemont shpalli në Barcelonë se me referendumin Katalonja ka fituar “të drejtën e një shteti të pavarur”. Kurse kryeministri spanjoll, Mariano Rajoy deklaroi në Madrid se në Katalonjë nuk ka pasur ndonjë referendum.
Komisioni i BE-së i kritikoi ashpër përleshjet dhe dhunën dhe kërkoi respektimin e rregullave të demokracisë duke iu adresuar si kryeministrit spanjoll edhe qeverisë së Barcelonës.
Tani shumë njerëz që nuk morën pjesë në referendum janë të shqetësuar se çfarë do të ndodhë nëse qeveria e Katalonjës shpall pavarësinë.

A mund ta humbasë Katalonja autonominë?
Në rast se ndodh kjo, qeveria spanjolle mund të zbatojë nenin 155 të Kushtetutës spanjolle, që i lejon qeverisë në Madrid t’ia heqë Katalonjës statusin e autonomisë, thotë Jesus Palomar, profesor i politologjisë në Universitetin e Barcelonës. Por për këtë Rajoy ka nevojë për miratimin e Parlamentit dhe partia Podemos dhe socialistët nuk do të votojnë pro këtij hapi, mendon Palomar. Gjithsesi ai mendon se qeveria spanjolle mund ta arrestojë kryeministrin e Katalonjës, Carles Puigdemont ose anëtarë të tjerë të qeverisë rajonale.
Frontet për një konsensus politik, për shembull përmes një zgjidhjeje financiare janë ashpërsuar dhe tani kjo nuk është më e mundur, mendon politologu. Sipas tij ajo që mund të bëhet është që të ftohet një ndërmjetësues nga jashtë, por ndoshta qeveria spanjolle nuk do ta pranojë këtë.

“Ose separatist ose fashist”
Sipas politologut Jesús Palomar policia spanjolle shkeli dje me dhunën e saj të drejtat themelore të qytetarëve dhe ai mendon se ata mund t’u drejtohen institucioneve ndërkombëtare.
Por shefi i Komisionit të BE-së, Jean-Claude Juncker, tha se ky konflikt është çështje e brendshme e Spanjës. Ditët e ardhshme në Parlamentin e BE-së do të zhvillohet një debat për Katalonjën.
A ishte referendumi një llogari politike? A u erdhën në ndihmë separatistëve pamjet e demonstruesve të përgjakur që u përhapën në mbarë botën? Sipas politologut Jesús Palomar askush nuk e kishte parashikuar një gjë të tillë.
Sidoqoftë si politologu edhe një shofer taksie, Berneti, janë të një mendjeje: dhuna e 1 tetorit e ashpërsoi polarizimin e shoqërisë. Shoferi i taksisë Berneti thotë se ka ndodhur një përçarje dhe se tani ti je “ose separatist ose fashist”.

Kumbaro shkel UNESKO-n me lejen e ndërtimit

Të gjitha qytetet, parqet apo zonat e shpallura si zonë e mbrojtur nga UNESKO në çdo vend të botës janë një aset i çmuar jo vetëm turistik, por edhe historik. Por ndryshe ndodh për Shqipërinë ku një skandal i vërtetë po ndodh në qytetin antik të Butrintit. Edhe pse është e ndaluar çdo lloj ndërhyrje në ketë Park Arkeologjik i mbrojtur nga UNESCO punëtorë ndërtimi po kryejnë punime, madje duke shtruar edhe beton.
Në zonën ku shekuj me radhë kanë shkruar historinë e Shqipërisë dhe po e bëjnë edhe sot e kësaj dite të njohur në mbarë botën sot po derdhet beton ku dyshimet e para janë ngritur mbi ngritje e një biznesi aty.
Gazetarët janë ndaluar për të hyrë në Butrint me urdhër nga drejtori i Parkut, por mediat kanë arritur të sigurojnë disa foto nga punimet, të cilat po bëhen në akropolin e qytetit pranë Kullës veneciane, ndërtesa më e lartë në Butrint. Punëtorët janë munduar ta mbulonin, duke vendosur disa barriera jeshile megjithëse kurioziteti i turistëve shuhej nga vrimat e rrjetës rrethuese.
Punëtorët janë kapur duke bërë beton me disa pajisje të vjetra dhe dukej si një kantier ndërtimi.
Kjo ndërtesë ka qenë godinë e vjetër që përdorej nga ekspeditat si vend për të grumbulluar materialet e gërmimeve të ndryshme dhe është e mbështetur tek një trakt muri prehistorik që daton në shekullin 7-8 para Krishtit. Në ketë kantier nuk ka tabelë për punimet, madje edhe punëtorët nuk dinë se për kë punojnë.
Mediat kanë ngritur dyshime se aty do të bëhet një lokal me pronar nga Tirana. Burime jo zyrtare bëjnë me dije se po planifikohet edhe një lokal mbi shkallët e Amfiteatrit antik të Butrintit, duke e çuar ne 2 numrin e lokaleve që do të ndërtohen në qytetin antik të Butrintit.
Mediat bëjnë me dije se në brendësi të zonës së mbrojtur po ndërtohet një bar-kafe për qëllime biznesi.
Siç duket edhe nga fotot e publikuara në media objekti po ndërtohet në Akropolin e qytetit të lashtë të Butrintit, pranë Kullës Veneciane, e cila është më e larta në Butrint. I pyetur nga Shqiptarja.com, Drejtori i Parkut Arkeologjik, Gjergji Mano bën të ditur se leja për ndërtimin brenda zonës së mbrojtur është dhënë nga Ministria e Kulturës.
Ndërsa firma që ka fituar tenderin për ndërtimin e këtij objekti është Hako sh.p.k. Sipas UNESCO brenda Parkut Arkeologjik nuk lejohet asnjë lloj ndërtimi, përveç punimeve për mirëmbajtje dhe restaurim. Ministria e Kulturës ka heshtur përballë këtij fakti, duke mos dhënë asnjë prononcim për skandalin e ndërtimit brenda në zonën historike të Parkut të Butrintit.
Zona rreth qytetit antik të Butrintit në Jug të Shqipërisë nuk është vetëm strehë e një sërë speciesh globalisht të rrezikuara, por ka edhe një histori kulturore të pasur që justifikon njohjen e saj si sit i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Fatkeqësisht, përmes një leje të firmosur dhe vulosur nga Ministria e Kulturës sot kjo zonë po rrezikon të pësojë fatin e shumë zonave e objekteve të tjera të vjetra në Shqipëri, siç është rasti aktual ai i betonizimit të Velierës në Durrës.
Për këtë rast, Gjykata e Durrësit ka refuzuar kërkesën e Bashkisë Durrës për vazhdimin e ndërtimit të sheshit Veliera. Gjykata e rrethit Durrës pezulloi në mars 2017 punimet për rikualifikimin urban të sheshit Veliera. Vendimi i Gjykatës erdhi pas kërkesës së Prokurorisë për pezullimin e plotë të punimeve. Në 16 shkurt, Gjykata Administrative vendosi ndërprerjen e pjesshme të punimeve me arsyetimin se gjatë gërmimeve janë gjetur themelet e një ndërtese mijëra vjeçare bizantine. Por, në shkelje të këtij vendimi, Bashkia Durrës vazhdoi me punimet në sheshin Veliera, duke betonizuar zonën ku u gjendën themelet e një ndërtese mijëra vjeçare. Punimet në shesh kanë nisur në nëntor të vitit 2016. Në qendër të projektit është një velë gjigante betoni me sipërfaqe prej 200 metra katrorë.

Denoncimi: Rama po ndërton vilë familjare brenda në Butrint!

Një banor i zonës së Butrintit i ka dërguar dje ish-kryeministrit Berisha disa foto në të cilat dukshëm dëshmohet se si po punohet në mes të Parkut të Butrintit. Banori që ka denoncuar përmes fotove gjithashtu ka bërë të ditur se sipas të dhënave të tij ndërtimi po ngrihet brenda Parkut të Butrintit është i Kryeministrit. “Përshëndetje Doktor një skandal i madh në Butrint disa media dhe portale e fshinë lajmin thuhet se ndërtimi brenda në park është i njërit nga lart, vetë kryeministrit, skandal i dyfishtë”, thuhet në denoncimin e publikuar nga Berisha.

SHBA-ja do të reduktojë stafin diplomatik në Kubë

Agjencitë e lajmeve në SHBA, po raportojnë se Shtetet e Bashkuara po planifikojnë të përjashtojnë rreth 60 për qind të stafit nga ambasada e Kubës, në Uashtington.
Kjo erdhi pas njoftimit se SHBA mund të reduktojë stafin e saj nga Havana, pas disa “sulmeve” të pashpjegueshme.
Departamenti i Shtetit amerikan ka thënë se po zvogëlon rreth 60 për qind të stafit diplomatik në Kubë, pas një vale të incidenteve misterioze që kanë lënduar 21 punonjës.
Zyrtarët amerikanë, kanë thënë se ambasada në Havana do të lihet e hapur për shërbime emergjente, por procesimi i vizave do të suspendohet.
Agjencitë e lajmeve, “Associated Press” dhe “Reuters”, duke cituar burime brenda Kongresit, kanë raportuar se njoftimi doli më 3 tetor.
Hetuesit amerikanë, përfshirë agjentë të FBI-së, janë munduar të përcaktojnë se çfarë i ka shkaktuar lëndimet e stafit.
Kuba ka hedhur poshtë përfshirjen në këto sulme.

Rusia thotë se ka vrarë qindra anëtarë të IS

epa05489363 A handout still image, grabbed from a Russian Defense Ministry video footage that was issued 16 August 2016, showing a Tu-22M3 long-range bomber releasing its payload above Syria after it took off from the Hamedan air base in the Islamic Republic of Iran while carrying out airstrikes on IS and Jabhat al-Nusra terrorist groups in the provinces of Aleppo, Deir ez-Zor and Idlib. Russia also used Su-34 tactical bombers to attack the insurgents. It was the first time Russia has used an Iranian air base in such operation. EPA/RUSSIAN DEFENSE MINISTRY / HANDOUT HANDOUT EDITORIAL USE ONLY/NO SALES

Ushtria ruse ka thënë se sulmet ajrore në Sirinë Lindore kanë vrarë më shumë se 300 militantë të Shtetit Islamik.
Ministri rus i Mbrojtjes, ka thënë se sulmet ajrore në lindje të lumit Eufrat, kanë vrarë më shumë se 304 ushtarë dhe kanë lënduar 200 të tjerë.
Ministri po ashtu ka njoftuar se sulmet kanë goditur dhe shkatërruar një qendër të trajnimeve të grupit ekstremist.
Trupat kurde të Forcave Demoratike të Sirisë, të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara, po marshojnë kundër grupit ekstremist, Shteti Islamik.
Rusia është mbështetëse e madhe e presidentit sirian, Basha Assad, trupat qeveritare të së cilës po përparojnë në provincën lindore të Deir el-Zour, me mbështetjen e sulmeve ajrore nga Rusia.

Koncesioni tjetër, 336 miliardë lekë për 34 km të rrugës së “Arbrit”

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka njoftuar sot se është mbledhur Komisioni i dhënies me koncesion të procedurës me objekt “Përmirësimi, ndërtimi, operimi dhe mirëmbajtja e rrugës së “Arbrit”.
Nga shqyrtimi i sistemit elektronik, rezultoi se kishin shprehur interes 3 (tre) operatorë ekonomikë dhe konkretisht:
1) Operatori Ekonomik Adem Pojani
Nga shqyrtimi paraprak i sistemit, rezultoi se ky operator kishte paraqitur disa dokumenta, të cilat nuk rezultojnë të mjaftueshme për tu konsideruar ofertë zyrtare;
2) Operatori Ekonomik Shoqëria “Alb-Star”sh.p.k.
Nga shqyrtimi paraprak i sistemit, rezultoi se ky operator kishte paraqitur disa dokumente, por nuk u konstatuan të dhënat e ofertës financiare.
3) Operatori Ekonomik Shoqëria “Gjoka Konstruksion” sh.a;
Nga shqyrtimi paraprak i sistemit, rezultoi se ky operator kishte paraqitur dokumentacionin teknik, financiar dhe ligjor si dhe kishte paraqitur Propozim Financiar. Nga shqyrtimi paraprak i Propozimit Financiar rezultoi se Operatori Ekonomik Shoqëria “Gjoka Konstruksion” sh.a; kishte propozuar si vlerë projekti shumën prej 33,6 miliardë lekë.
Në përputhje me përcaktimet ligjore, brenda afatit ligjor 60 ditor, komisioni do të kryejë shqyrtimin e plotë dhe të detajuar të ofertave të paraqitura dhe do të dalë me vendimmarrjen përkatëse.
Qeveria ka shpërblyer me një bonus sa dhjetë për qind të pikëve ofertën e një kompanie private për ndërtimin e rrugës së “Arbrit”. Sipas ofertës së propozuar nga kompania “Gjoka Konstruksion”, rruga do të kushtojë 33.6 miliardë lekë, ose rreth 250 milionë euro dhe ndërtimi i saj do të zgjasë 46 muaj.
Vepra do të financohet përmes një skemë të përbashkët mes kompanisë private dhe buxhetit të shtetit. Më saktësisht, kompania do të financojë rreth 190 milionë euro nga paratë e veta, ndërkohë që shteti do të paguajë 60 milionë euro të tjera nga buxheti, gjatë periudhës së ndërtimit.
Pasi të ketë përfunduar plotësisht ndërtimin, kompania do të paguhet me këste nga buxheti për një periudhë që mund të shkojë deri në 15 vjet, sipas programit 1 miliard euro të rindërtimit që është lancuar nga qeveria.
Aktualisht rruga e “Arbrit” ka përfunduar plotësisht në 20.1 kilometër, ndërkohë që 15 kilometra të tjerë janë ndërtuar pjesërisht.
Kompania private ka propozuar një variant, sipas të cilit gjatësia totale e rrugës është 69 kilometër dhe përfshin një tunel. Veç kostove të ndërtimit, në ofertë kompania ka marrë përsipër edhe mirëmbajtjen e rrugës dhe tunelit për një periudhë 10-vjeçare pas ndërtimit. Pas këtij vendimi pritet që shumë shpejt qeveria të hapë tenderin për të përzgjedhur fituesin përfundimtar për ndërtimin e rrugës, edhe pse propozimi i “Gjoka Konstruksion” tashmë është në një avantazh të fortë, edhe nëse do të paraqiten oferta të tjera.