28.5 C
Tirana
E martë, 12 Gusht, 2025

Skandal, “Çunat e krimit” kanë dërguar jashtë vendit vrasësin Suel Çela!

Ky është mesazhi që ka postuar ish-Kryeministri Berisha nga “qytetari dixhital” që gjurmon krimin.
Lexoni mesazhin e oficerit dixhital! sb
“Pershendetje doktor jam oficer policie,nje punonjese aeroportit me informon se Suel Çela ka ikur i percjelle nga policia qe ne date 18 nga Rinasi
Prokuroria ka ardhur per te marre filmimet e kamerave. Gje qe nuk i ka pelqyet policise. Nuk e di nese eshte i rregjistruar ne TIMS”.

Ish-ministri i Brendshëm: Grupi kriminal i Elbasanit ka mbështetje politike

Ish-ministri i Brendshëm Dritan Demiraj, ka reaguar pas deklaratës së fortë të ambasadorit amerikan Donald Lu.
Në një intervistë për Tpz.al, Demiraj hodhi akuza duke thënë se bandat janë në mbështetje të hapur të Partisë Socialiste, dhe se interesi mes njëra-tjetrës, është i ndërsjelltë.
“Prej kohësh, Shqipëria, jo sot, por prej 4 vitesh, e vërteta është se në territorin e Shqipërisë komandojnë disa banda, të cilat dolën haptazi në mbështetje të Partisë Socialiste gjatë fushatës zgjedhore. Ngjarje, të cilat janë identifikuar nga ne dhe janë raportuar në të gjitha raportet, por dhe në raportet e OSBE ODHIRi-t, i cili doli 4 ditë përpara. Në bashkëveprim me Policinë e Shtetit, disa drejtues të Policisë së Shteti, të cilët haptazi e kanë mbështetur Partinë Socialiste, këto banda kanë pasur lirinë e veprimit, pasi dihet që prej kohësh një pjesë e tyre ka siguruar një sasi jo të vogël votash për Partinë Socialiste.” , u shpreh Demiraj.
Demiraj cilëson Komisariatin e Dibrës, Shkodrës, Lezhës dhe Pukës, si më problematikët në mos ushtrimin e kontrollit të territorit dhe mos zbatimin e ligjit.
“E në këtë kontekst, do vinte një ditë që sot, Ministri i Brendshëm z.Xhafa ka filluar të shtrëngojë masat dhe krimi duke qenë nën presionin e Policisë së Shtetit, ka filluar të reagoje. Kemi pasur komisariate, si komisariatet e Dibrës, komisariatet e Shkodrës, Lezhës, Komisariatin e Pukës, të cilat në kuptimin e keq të fjalës, janë shquar në raport me komisariatet e tjera për mos ushtrimin e kontrollit të territorit, mos zbatimin e ligjit, mos arrestimit.”, deklaron ish Ministri i Brendshëm.
Ish-ministri Demiraj, e dënon heshtjen e policisë në lidhje me ngjarjen e Elbasanit dhe rasteve kur grupet kriminale kanë përkrahje politike.
“Kemi probleme në qytetin e Elbasanit, e kemi bërë prezent në disa raste, të cilët kanë mbështetje politike. Nuk ka asnjë lloj shansi, as një person, asnjë grup kriminal në Shqipëri që të dale mbi Policinë dhe Shtetin. Në asnjë rast, nuk mundet, që grupe të tilla kriminale, të veprojnë në rast se nuk kanë mbështetje politike. Unë nuk mund të them konkretisht nga kryeministri, por kryeministri ka për detyrë, që të urdhërojë policinë, të urdhërojë Ministrin e Brendshëm, që të ushtrojë kontroll të territorit. Kemi disa ngjarje që nuk ka persona të ndaluar, madje, madje një pjesë të rasteve dhe emra konkret. Kjo është e pafalshme”, përfundon Dritan Demiraj.

SHBA: Nëse qeveria nuk ju përgjigjet, atëhere rrëzojeni

Ambasadori amerikan ka ndryshuar thirrjet gjatë tre ditëve të fundit. Mesazhet e tij të drejtpërdrejta janë për qeverinë. Ai tashmë nuk po i drejtohet më vetëm qeverisë, por për të parën herë pas shumë kohësh, ai po i drejtohet qytetarëve. Qeveria dhe kreu i saj heshtën ndaj deklaratës së bërë të ambasadorit amerikan gjatë ditës së shtunë. Ambasadori i kërkoi të rinjve të shtunën se, nëse nuk i përgjigjet kërkesave të saj të ligjshme, atëherë ajo rrëzohet nga rinia.
Ambasadori amerikan ka kujtuar një detaj të vogël nga fillimi i vitit të ri shkollor, ku qeveria u tregua indiferente ndaj thirrjeve të opozitës për të siguruar libra shkollor falas për nxënësit. Ambasadori i ka bërë thirrje për ndërgjegjësim qytetar, kur u ka kujtuar qeveritarëve ndërtesat e luksit, makinat luksoze dhe udhëtimet e shtrenjta jashtë vendit.
“Ju jetoni në një demokraci. Nëse e kërkoni atë, qeveria juaj duhet të përgjigjet. Ose do t’i rrëzoni. Për shembull, në fillim të vitit shkollor, shumë njerëz, përfshirë edhe opozitën, kërkonin libra falas për studentët.
Ky është një vend i vogël. Nuk është një vend i pasur. Por është e arsyeshme që qytetarët të kërkojnë që qeveria të sigurojë para për të blerë libra për studentët e saj. Dhe kur qeveria ju tregon se nuk mund ta përballojë atë, ju duhet të pyesni se si ata janë duke paguar për ndërtesat e tyre qeveritare, makinat e tyre luksoze dhe udhëtimet e tyre jashtë vendit”, tha Lu.

Ikën “Buldozeri Yee”, si ndryshon politika amerikane

Dy personalitete të politikës së jashtme të SHBA-së janë emëruar ditën e sotme si përfaqësues për Europën dhe Euro Azinë.
Siç edhe kanë bërë të ditur burime diplomatike Ëess Mitchell është emëruar si Asistent Sekretar i Shtetit për Europën dhe Euroazinë. Mitchell ka zëvendësuar në këtë post, Victoria Neuland, e njohur në Shqipëri për arritjen e konsensusit për Reformën në Drejtësi.
Një tjetër lëvizje e rëndësishme e administratës së re Trump është edhe emri i personalitetit që do të zëvendësojë Hoyt Brian Yee i njohur edhe si ‘buldozeri’, njeriut që ndërmjetësoi marrëveshjen mes Ramës dhe Bashës në maj të këtij viti.
Në vend të Yee është emëruar Jonathan Moore, i cili do të mbajë postin e zëvendësasistent i Sekretarit të Shtetit për Europën.
Moore së fundmi ka mbajtur detyrën e ambasadorit të OSBE-së në Bosnje Hercegovinë.
Burimet diplomatike kanë shpjeguar se bëhet fjalë për dy personalitete në fushën e marrëdhënieve me jashtë, pasi të dy kanë shërbyer prej vitesh në rajonin e Europës dhe i njohin problematikat e tij dhe të Ballkanit, ku bën pjesë edhe Shqipëria.
Gjithashtu ata njihen si mbështetës dhe miq të mirë e të vërtetë të Shqipërisë.

Një harresë nga deklarata amerikane

Bledi KASMI

Ka një detaj në dy fjalimet e ambasadorit amerikan të këtyre 72 orëve, që ka kaluar në heshtje të plotë. Ndoshta nga moskuptimi siç duhet i mesazhit të tij politik ose nga trullosja e opinionit me përmendjen e emrave të krimit që bëjnë sot ligjin në vend. Kjo e fundit nuk është një risi në qëndrimet e mbajtura nga ambasadori amerikan.
Edhe herë të tjera ai i ka përmendur me emra kriminelët në daljet e tij publike. Ka përmendur Shullazin dhe sot është në burg. Ka përmendur Balilin dhe ai u shpall në kërkim (sepse qeveria e fshihte deri në atë moment). Ka përmendur Elvis Roshin dhe ai u shkarkua si kryebashkiak. Ka përmendur vëllezërit Frroku dhe sot të dy ata janë në burg. Të gjitha këto edhe falë presionit dhe këmbënguljes të opozitës pa pasur në krah mediat që i bëjnë fresk pushtetit.
Risia e dy deklaratave të fundit të ambasadorit amerikan është krejt ndryshe nga zhurma e djeshme mediatike dhe është pika që e bën më të fortë se kurrë më parë mesazhin politik të lëshuar nga Shtetet e Bashkuara. Gjatë këtyre dy ditëve SHBA përmes ambasadorit të saj nuk i është drejtuar kriminelëve për t’i futur atyre frikën, nuk i është drejtuar as qeverisë, por si asnjëherë më parë i është drejtuar popullit shqiptar.
Nga e shtuna në të hënë janë tre thirrje që Shtetet e Bashkuara po adresojnë direkt tek shqiptarët. Deklarata e parë ishte një thirrje e hapur për rininë ku paralajmërohej se “qeveria mund të rrëzohej nëse kërkesat e tyre të ligjshme nuk përmbusheshin prej saj”.
Në deklaratën e dytë, ambasadori kërkonte një zgjim qytetar kundër qeverisë; “Eshtë e arsyeshme që qytetarët të kërkojnë që qeveria të sigurojë para për të blerë libra për studentët e saj. Dhe kur qeveria ju tregon se nuk mund ta përballojë atë, ju duhet të pyesni se si ata janë duke paguar për ndërtesat e tyre qeveritare, makinat e tyre luksoze dhe udhëtimet e tyre jashtë vendit”, tha Lu.
Pa kaluar jehona e deklaratës së ditës së shtunë erdhi apeli tjetër drejtuar shqiptarëve dje. Pasi parashtroi realitetin e njehsuar të shtetit me krimin e organizuar, ambasadori amerikan kërkoi që “populli shqiptar duhet të kërkojë veprim”.
Kur Shtetet e Bashkuara i drejtohen popullit, atëherë mund të konsiderohet i ezauruar kapitulli i pushtetit si mjet për të arritur qëllimet. Kjo ndodh në kushtet e një mungese të thellë besimi ndaj qeverisë dhe kur krisja është aq e fortë sa detyron diplomacinë të kërkojë ndryshimin, duke u nisur nga lëvizjet popullore si mjet presioni.
Rastet kur Shtetet e Bashkuara u drejtohen qytetarëve dhe jo qeverive bëhen rrallë. Kështu ka ndodhur në përmbysjen e madhe të diktaturës, kur SHBA i drejtohej shqiptarëve dhe jo diktaturës, tek e cila shihte armiken e aspiratave për liri. Kështu po ndodh edhe sot, kur vendi është në darën e fortë të diktaturës së krimit.
Ka pasur edhe një rast tjetër kur ambasadori amerikan i është drejtuar shqiptarëve dhe kjo ka qenë në prag të zgjedhjeve lokale. Ai bëri thirrje publike që të mos votohen kriminelët dhe megjithatë Rama i zgjodhi ata me pahir në krye të bashkive.
Ndryshe nga atëherë, thirrja e tanishme e ambasadorit amerikan drejtuar shqiptarëve nuk bëhet në prag të zgjedhjeve, por kur zgjedhjet janë mbyllur. Duke mos qenë në prag të zgjedhjeve, atëherë nuk bëhet fjalë për adresim votash. Thirrjet e fundit të Shteteve të Bashkuara po paralajmërojnë se ndryshimi që nuk lind nga vullneti politik, lind nga vullneti popullor.

Përse Rama po hesht, në axhendë largimi tij?

Shtetet e Bashkuara i tregojnë vijën e kuqe Ramës për krimin e organizuar dhe trafikun e drogës. Uashingtonit i ka sosur durimi me njehsimin e pushtetit me krimin dhe rënien e vendit në duart e krimit të organizuar dhe ka vendosur të reagojë fort duke paralajmëruar një fortunë në ditët dhe javët e ardhshme, e cila nuk do të kursejë më as qeverinë. Eshtë e pakuptimtë se si Rama ka heshtur pas mesazheve të forta amerikane përmes ambasadorit Lu. Burime nga mazhoranca flasin për një afat që i është vendosur Ramës për të neutralizuar emrat kryesorë të krimit të organizuar dhe nëse plani nuk arrihet brenda këtij afati që besohet të jetë tre deri në katër muaj, atëhere në axhendë është largimi i Ramës.
Ambasadori amerikan Donald Lu tha dje se është koha që qeveria shqiptare t’i shpallë luftë krimit të organizuar. Duke folur në ceremoninë e 20-vjetorit të Shkollës së Magjistraturës, ambasadori Lu tha se “drejtuesit e krimit në Shqipëri rrallë arrestohen dhe pothuajse kurrë nuk ndiqen penalisht”.
Ambasadori Lu, citoi raportin e Departamentit amerikan të Shtetit, kur tha se “Shqipëria është qendër e aktivitetit të krimit të organizuar që përfshin trafikun e drogës, armëve dhe prostitucionit. Katër klane kryesore kontrollojnë 20 familje kriminale që manaxhojnë operacione kriminale, ku përfshihen trafiku njerëzor, shantazhi, vjedhja e makinave dhe pastrimi i parave. Shqipëria ka një treg të zi jo të vogël për mallrat kontrabandë. Vendi ndihet në rrezik domethenës nga pastrimi i parave për shkak të një korrupsioni të kudogjendur dhe një sistemi ligjor të dobët”.
Ambasadori amerikan theksoi se, Shqipëria ka bërë përparim domethënës vitet e fundit, duke përmendur procesin e rivlerësimit të gjykatësve dhe prokurorëve që do të nisë javën e ardhshme, apo në luftën kundër kultivimit të marijuanës, por “sfida më e madhe dhe më e vështirë është ende përpara”, nënvizoi ai.
Sipas ambasadorit amerikan “derisa peshqit e mëdhënj të arrestohen, të ndiqen penalisht dhe të futen në burg, kanabisi do të kthehet, gjyqtarët do të marrin ryshfet dhe zyrtarët qeveritarë do të korruptohen”. Ai solli dhe raste konkrete të emrave të njohur kriminelësh që në një mënyrë ose një tjetër i kanë shpëtuar sistemit të Drejtësisë, apo drejtojnë aktivitetet kriminale dhe kur janë të arrestuar. “Trafikanti i drogës si Emiljano Shullazi, për të cilin media pretendon se vazhdon të bëjë trafik droge dhe armësh nga qelia e paraburgimit. Apo Lulzim Berisha, kreu i bandës së dhunshme të Durrësit që u lirua gabimisht herët nga zyrtarët e burgut. Kjo çoi në arrestimin e drejtorit dhe juristit të burgut, por në mënyrë të mistershme, Lul Berisha gjendet i lirë. Dhe së fundi, Klement Balili, një trafikant droge i kërkuar nga Greqia dhe DEA, por që ja ka dalë t’i shpëtojë Drejtësisë shqiptare për 18 muaj, falë paaftësisë së prokurorëve, policisë, dhe Ministrisë së Drejtësisë. Ka shumë Shullazë, Lul Berisha e Klement Balilë në Shqipëri”, u shpreh ambasadori.
Zoti Lu, kujtoi gjithashtu se “në vitin 2016 policia arrestoi 1346 persona për kundërvajtje të lidhur me trafikimin e drogës. Më pak se 100 nga këto arrestime çuan në dënime për trafik droge në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Më shqetësues është fakti se kishte zero arrestime, zero dënim, zero ndjekje penale për ndonjë peshk të madh për furnizim, financim apo drejtim të organizatave kriminale të trafikut të drogës gjatë vitit 2016”.
Ambasadori amerikan u shpreh se, “është me rëndësi kritike që policët, prokurorët dhe shërbimet inteligjente të punojnë më ngushtë për të luftuar krimin e organizuar. Nuk ka për të qenë e lehtë. Me gjasë do të jetë shumë e egër. Të arrish rezultate në luftën kundër krimit të organizuar kërkon durim, guxim dhe sakrificë”.

Fortuna që paralajmëron ambasadori i SHBA

Nga Donald LU

Sot në këtë sallë shoh dy grupe. Grupi i parë është afër skenës, ata janë disa të huaj dhe disa, me respekt, të moshuar me shumë përvojë në sistemin e drejtësisë. Për mua, grupi i dytë është më interestant. Grupi i dytë, ata janë të rinjtë, larg skenës, me fytyrat plot me optimizëm dhe plot vetëbesim. Ata të gjithë japin shpresë për të ardhmen e Shqipërisë. Kjo duartrokitje është për ju.
Si të gjithë ju, edhe unë jam këtu për të njohur rolin e rëndësishëm të Shkollës së Magjistraturës në përgatitjen e brezit të ardhshëm të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Por nëse më lejoni, dëshiroj të shtoj diçka specifike për të diplomuarën tuaj, të ndjerën Fildes Hafizi, si dhe diçka për sfidën e ardhshme madhore të sistemit gjyqësor shqiptar – krimin e organizuar.
Pata mundësinë të merrja pjesë në ceremoninë e diplomimit në Shkollën e Magjistraturës vitin e kaluar. Atje, pata kënaqësinë të bisedoja me Fildes Hafizin për përkushtimin e saj për ta bërë më të mirë sistemin gjyqësor shqiptar. Si të gjithë të diplomuarit, ishte një e re e shkëlqyer dhe e talentuar që donte t’i shërbente vendit të saj.
Sistemi gjyqësor i Shqipërisë e la në baltë Fildesin. Sistemi dështoi ta mbante të shoqin e saj të rrezikshëm në burg. Dështoi ta mbronte kur ai u lirua. Fildesi, si të tjera gra në Shqipëri që janë viktima të dhunës në familje, meritojnë diçka më të mirë nga sistemi i drejtësisë.
Vdekja e Fildesit nuk duhet të shkojë dëm. Ajo duhet të jetë frymëzim për të gjithë të diplomuarit e Shkollës së Magjistraturës për të vazhduar punën e saj për t’i dhënë drejtësi të vërtetë popullit shqiptar. Ajo e la këtë përgjegjësi për të gjithë ne.
Ndërkohë që festojmë 20-vjetorin e Shkollës së Magjistraturës sot, kjo na ofron një çast për të reflektuar mbi zhvillimin e bërë dhe rrugën përpara.
Të gjithë shqiptarët duhet të jenë krenarë për hapat përpara që kanë ndërmarrë gjatë viteve të fundit. Vetingu i gjyqtarëve dhe prokurorëve do të fillojë javën që vjen. Ka qenë rrugë e gjatë për të arritur deri këtu, por ky proces do të bëhet si duhet dhe me profesionalizëm, duke iu dhënë shpresë shqiptarëve se do mund të gjejnë drejtësi në gjykatat e tyre.
Shqiptarët duhet të jenë krenarë që kanë larguar kriminelët nga Parlamenti. Në këtë drejtim, Kuvendi i 2017-ës është më i mirë se Kuvendi i 2013-ës. Më në fund, shqiptarët, në qeveri dhe në opozitë, duhet të jenë krenarë për përparimin domethënës kundër kultivimit të kanabisit.
Por sfida më e madhe dhe më e vështirë është ende përpara Shqipërisë – lufta kundër krimit të organizuar. Derisa peshqit e mëdhenj të arrestohen, ndiqen penalisht dhe të futen në burg, kanabisi do të kthehet, gjyqtarët do të marrin rryshfet dhe zyrtarët qeveritarë do të korruptohen.

-Çfarë dimë lidhur me problemet e krimit të organizuar në Shqipëri?

Sipas raporteve të Departamentit të Shtetit të SHBA, Shqipëria është qendër e aktivitetit të krimit të organizuar që përfshin trafikun e drogës, armëve dhe prostitucionit. Katër klane kryesore kontrollojnë 20 familje kriminale që menazhojnë operacione kriminale ku përfshihen trafiku njerëzor, shantazhi, vjedhja e makinave, dhe pastrimi i parave. Shqipëria ka një treg të zi jo të vogël për mallra kontrabandë, në radhë të parë duhan, bizhuterì, makina të vjedhura dhe telefona celularë. Vendi mbetet në rrezik domethënës nga pastrimi i parave për shkak të korrupsionit të kudogjendur dhe një sistemi ligjor të dobët.
Janë disa emra të famshëm kriminelësh shqiptarë, si trafikanti i dënuar i drogës Emiljano Shullazi, për të cilët media pretendon se vazhdon të kryejë trafik droge dhe armësh nga qelia e paraburgimit. Ose Lul Berisha, kreu i bandës së dhunshme të Durrësit që gabimisht u lirua herët nga zyrtarët e burgut. Kjo çoi në arrestimin e drejtorit dhe avokatit të burgut, por në mënyrë të mistershme, Lul Berisha mbetet i lirë. Dhe së fundi, magjistari Klement Balili, një trafikant ndërkombëtar droge, i kërkuar nga Greqia dhe Agjencia e Zbatimit Anti-Drogë (DEA) e SHBA, por që ia ka dalë t’i shpëtojë drejtësisë shqiptare për 18 muaj falë paaftësisë së prokurorëve, policisë dhe Ministrisë së Drejtësisë.
Ka edhe shumë Shullazë, Lul Berisha dhe Klement Balilë të tjerë në Shqipëri. Pyesni cilindo oficer policie dhe ai apo ajo do të tregojë edhe një duzinë tjetër drejtuesish të krimit që meritojnë të jenë në burg.

-Si do t’i mundim drejtuesit e fuqishëm të krimit të organizuar?

Drejtuesit e krimit në Shqipëri rrallë arrestohen dhe pothuajse kurrë nuk ndiqen penalisht. Në vitin 2016, policia arrestoi 1,349 persona për kundravajtje të lidhura me trafikimin e drogës. Më pak se 100 nga këto arrestime çuan në dënime për trafik droge në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Edhe më shqetësues është fakti që kishte zero dënime, zero arrestime, zero ndjekje penale për ndonjë peshk të madh për organizim, drejtim apo financim të organizatave të trafikut të drogës gjatë vitit 2016. Edhe në vitin 2015 ishin zero.
Në Shtetet e Bashkuara në vitet ‘20 dhe ‘30 pati një epidemi të krimit të organizuar. U krijuan task-forca elitë të agjencive të ndryshme për të vënë në shënjestër drejtues të mafias si Al Capone. Kishin prokurorë, policë, dhe ekspertë të krimit financiar që punonin së bashku. Është me rëndësi kritike që policët, prokurorët dhe shërbimet inteligjente shqiptare të punojnë më ngushtë për të luftuar krimin e organizuar.
Nuk ka për të qenë e lehtë. Me gjasë do të jetë luftë e egër. Në vitin 2014, Shqipëria pati 72 bomba në makina dhe shumica besohet se ishin rezultat i dhunës mafioze. Populli shqiptar duhet të kërkojë veprim, por duhet të dijë se të arrish rezultate kundër drejtuesve të fuqishëm kriminalë kërkon durim, guxim dhe sakrifica.
Besojmë se është koha që qeveria e Shqipërisë t’i shpallë luftë krimit të organizuar.
Besojmë se disa nga ushtarët më të rëndësishëm në këtë luftë do të jenë të diplomuar të Shkollës së Magjistraturës.

Vasili: Kryebanditi ka emër, ai që nuk i lufton bandat

Në një dalje për mediat nga selia e LSI-së pas mbledhjes së Grupit parlamentar, Petrit Vasili foli në lidhje me deklaratat e forta që bëri sot ambasadori i SHBA-ve, Donald Lu për sa i përket situatës kriminale në vend.
Vasili tha se LSI mbështet qëndrimet e ambasadorit Lu, pasi situata kriminale në vend është shqetësuese jo vetëm për imazhin, por edhe për sigurinë e qytetarëve. Shqyrtuam me shumë vëmendje qëndrimet e sotme të ambasadorit amerikan Donald Lu të problematikës lidhur me krimin.
Ndajmë të njëjtin shqetësim me çështjen që po kompromenton jo vetëm imazhin e vendit, por edhe sigurinë e qytetarëve.
U kemi kërkuar ambasadorëve kthimin mbrapsht të veprimeve të mazhorancës për kapjen e procesit të vettingut.
Ambasadori pati guximin e madh të tregonte krerët e bandave me emra, ndërsa kryebanditi që nuk i ndalon bandat, dihet se kush është.
Gjithçka që është investuar për Vetingun, ka qenë për të investuar një Vetting tërësisht të pavarur, me integritet të lartë, profesional, moral dhe ligjor, e cila do të garantonte këtë proces dhe të ardhmen e shqiptarëve. Është akoma në kohë që të rishikohen dhe të kthehen mbrapsht këto veprime të turpshme dhe skandaloze, provë e një kapje të pacipë të Vettingut nga mazhoranca. Nuk ka më kohë as për të heshtur, nuk ka më kohë as për të qëndruar pasiv. Në rast se, kjo nuk do të ndodhë, ne nuk do të bënim asgjë tjetër, por Shqipërinë do ta linim në dorë të këtyre bandave, të cilat janë në dritën e diellit dhe të cilat sot ambasadori amerikan pati meritën e madhe që t’i tregojë me gisht.
Ai tregoi të gjithë banditët me radhë, u kujdes të mos nominonte vetëm Kryebanditin, i cili dihet se cili është. Pasi kryebanditi ka emër dhe është pikërisht ai që nuk i lufton bandat, i cili e inkurajon policinë që të mos merret me punën e saj, por të mbledhë vota, që të mos luftojë trafikun e drogës, por ta inkurajojë dhe ta drejtojë atë. Dhe pikërisht për këtë arsye, sot jemi më të shqetësuar se kurrë.
Ky shqetësim tashmë është i qartë se ka kaluar dukshëm kufijtë e Shqipërisë, ka kaluar dhe oqeanin dhe ndodhet më së fundmi në një vëmendje shumë të madhe të vendeve mike, por edhe të shërbimeve partnere, të cilët unë e nënvizova edhe në sallën e Kuvendit, për t’i dhënë njëherë e përgjithmonë kësaj situate nga më të rëndat që vendi ka përjetuar ndonjëherë, dhe që e cila mund të zgjidhet dhe mund të marri rrugën e duhur vetëm kur instrumentat ligjor, ku Vettingu është një i tillë, mund të funksionojnë të pavarur dhe të pakapur as nga qeveria dhe as nga krimi i organizuar.

Ish-ministri Demiraj: bandat në mbështetje të hapur të PS

Ish-ministri i Brendshëm, Dritan Demiraj ka reaguar për ngjarjet e fundit kriminale në Elbasan, Vlorë e disa qytete të tjera të vendit. Në një intervistë ekskluzive për Tpz.al, Demiraj hodhi akuza të forta, duke thënë se bandat janë në mbështetje të hapur të Partisë Socialiste, dhe se interesi mes njëra-tjetrës, është i ndërsjelltë. Dritan Demiraj gjatë 4 muajve që qëndroi si ministër i Brendshëm arriti të kuptojë të gjithë skemën, sesi mbijetojnë grupet kriminale në vendin tonë.
“Prej 4 vitesh, e vërteta është se në territorin e Shqipërisë komandojnë disa banda, të cilat dolën haptazi në mbështetje të Partisë Socialiste gjatë fushatës zgjedhore. Ngjarje, të cilat janë identifikuar nga ne dhe janë raportuar në të gjitha raportet, por dhe në raportet e OSBE-ODHIR, i cili doli 4 ditë përpara. Në këtë kontekst kemi pasur disa mbledhje të Tass-Forcës unë i kam raportuar zv/kryeministres dhe pjesëtarëve të tjerë të Task-Forcës për përfshirjen e tyre në afera politike. Në bashkëveprim me Policinë e Shtetit, disa drejtues të Policisë së Shteti, të cilët haptazi e kanë mbështetur Partinë Socialiste, këto banda kanë pasur lirinë e veprimit, pasi dihet që prej kohësh një pjesë e tyre ka siguruar një sasi jo të vogël votash për Partinë Socialiste”, u shpreh Demiraj për Tpz.al.
Demiraj evidenton edhe katër komisariatet më problematike në vend, aty ku krimi ka dorë të lirë dhe është mbi forcën e ligjit. Ish-ministri pohon gjithashtu se, ai ka marrë rolin e efektivit të policisë, duke arrestuar në flagrancë, persona me armë. “E në këtë kontekst, do vinte një ditë që sot, ministri i Brendshëm zoti Xhafa ka filluar të shtrëngojë masat dhe krimi duke qenë nën presionin e Policisë së Shtetit, ka filluar të reagojë. Kemi pasur komisariate, si komisariatet e Dibrës, e Shkodrës, Lezhës, e Pukës, të cilat në kuptimin e keq të fjalës, janë shquar në raport me komisariatet e tjera për mos ushtrimin e kontrollit të territorit, mos zbatimin e ligjit, mos arrestimit”, deklaron ish-ministri i Brendshëm.
“Madje në disa raste kam qenë i detyruar vetë, me pjesëtarët e sigurimit eskortës që të bëjnë ndalimin e personave me armë”, shton ai më tej.
Aksioni “Vjeshtë 2017” u pompua me sukses nga Policia e Shtetit, ku u sekuestruan 84 makina luksoze në gjithë Shqipërinë, por sipas ish-ministrit të Brendshëm, vetëm në qytetin bregdetar të Durrësit, 64 persona mbajnë makina të blinduara. Ndërkohë, në qytetin më të madh në Veri, Shkodër, fenomeni i gjobëvënies është i dukshëm.
“Kemi situatë problematike në rrethin e Durrësit, kemi rreth 64 persona me makina të blinduara. Kemi situatë problematike në qytetin e Shkodrës, ku disa klane të caktuara, vendosin gjoba tregtarëve dhe një pjesë e mirë e tregtarëve, nuk guxojnë të mos paguajnë haraçe”, thekson Demiraj.
Duke folur për ngjarjet e fundit në Elbasan, ish-ministri i Brendshëm, deklaron grupet kriminale në këtë qytet kanë pasur gjithmon mbështetje politike. Kjo është parë tek kryeministri, thotë Demiraj, i cili nuk ka urdhëruar asnjëherë kontrollin e territorit.
“Kemi probleme në qytetin e Elbasanit, e kemi bërë prezent në disa raste, të cilët kanë mbështetje politike. Nuk ka asnjë lloj shansi, as një person, asnjë grup kriminal në Shqipëri që të dalë mbi Policinë dhe Shtetin. Në asnjë rast, nuk mundet që grupe të tilla kriminale, të veprojnë në rast se nuk kanë mbështetje politike. Unë nuk mund të them konkretisht nga kryeministri, por kryeministri ka për detyrë, që të urdhërojë policinë, të urdhërojë ministrin e Brendshëm, që të ushtrojë kontroll të territorit. Kemi disa ngjarje që nuk ka persona të ndaluar, madje një pjesë të rasteve dhe emra konkretë. Kjo është e pafalshme”, shprehet Demiraj. Sipas tij, të gjitha grupet kriminale në Elbasan, kanë qenë gjithë kohës në vëzhgim, por problemet kanë filluar të dalin këto tre javët e fundit.