31.5 C
Tirana
E hënë, 16 Qershor, 2025

Vasili: Kryebanditi ka emër, ai që nuk i lufton bandat

Në një dalje për mediat nga selia e LSI-së pas mbledhjes së Grupit parlamentar, Petrit Vasili foli në lidhje me deklaratat e forta që bëri sot ambasadori i SHBA-ve, Donald Lu për sa i përket situatës kriminale në vend.
Vasili tha se LSI mbështet qëndrimet e ambasadorit Lu, pasi situata kriminale në vend është shqetësuese jo vetëm për imazhin, por edhe për sigurinë e qytetarëve. Shqyrtuam me shumë vëmendje qëndrimet e sotme të ambasadorit amerikan Donald Lu të problematikës lidhur me krimin.
Ndajmë të njëjtin shqetësim me çështjen që po kompromenton jo vetëm imazhin e vendit, por edhe sigurinë e qytetarëve.
U kemi kërkuar ambasadorëve kthimin mbrapsht të veprimeve të mazhorancës për kapjen e procesit të vettingut.
Ambasadori pati guximin e madh të tregonte krerët e bandave me emra, ndërsa kryebanditi që nuk i ndalon bandat, dihet se kush është.
Gjithçka që është investuar për Vetingun, ka qenë për të investuar një Vetting tërësisht të pavarur, me integritet të lartë, profesional, moral dhe ligjor, e cila do të garantonte këtë proces dhe të ardhmen e shqiptarëve. Është akoma në kohë që të rishikohen dhe të kthehen mbrapsht këto veprime të turpshme dhe skandaloze, provë e një kapje të pacipë të Vettingut nga mazhoranca. Nuk ka më kohë as për të heshtur, nuk ka më kohë as për të qëndruar pasiv. Në rast se, kjo nuk do të ndodhë, ne nuk do të bënim asgjë tjetër, por Shqipërinë do ta linim në dorë të këtyre bandave, të cilat janë në dritën e diellit dhe të cilat sot ambasadori amerikan pati meritën e madhe që t’i tregojë me gisht.
Ai tregoi të gjithë banditët me radhë, u kujdes të mos nominonte vetëm Kryebanditin, i cili dihet se cili është. Pasi kryebanditi ka emër dhe është pikërisht ai që nuk i lufton bandat, i cili e inkurajon policinë që të mos merret me punën e saj, por të mbledhë vota, që të mos luftojë trafikun e drogës, por ta inkurajojë dhe ta drejtojë atë. Dhe pikërisht për këtë arsye, sot jemi më të shqetësuar se kurrë.
Ky shqetësim tashmë është i qartë se ka kaluar dukshëm kufijtë e Shqipërisë, ka kaluar dhe oqeanin dhe ndodhet më së fundmi në një vëmendje shumë të madhe të vendeve mike, por edhe të shërbimeve partnere, të cilët unë e nënvizova edhe në sallën e Kuvendit, për t’i dhënë njëherë e përgjithmonë kësaj situate nga më të rëndat që vendi ka përjetuar ndonjëherë, dhe që e cila mund të zgjidhet dhe mund të marri rrugën e duhur vetëm kur instrumentat ligjor, ku Vettingu është një i tillë, mund të funksionojnë të pavarur dhe të pakapur as nga qeveria dhe as nga krimi i organizuar.

Ish-ministri Demiraj: bandat në mbështetje të hapur të PS

Ish-ministri i Brendshëm, Dritan Demiraj ka reaguar për ngjarjet e fundit kriminale në Elbasan, Vlorë e disa qytete të tjera të vendit. Në një intervistë ekskluzive për Tpz.al, Demiraj hodhi akuza të forta, duke thënë se bandat janë në mbështetje të hapur të Partisë Socialiste, dhe se interesi mes njëra-tjetrës, është i ndërsjelltë. Dritan Demiraj gjatë 4 muajve që qëndroi si ministër i Brendshëm arriti të kuptojë të gjithë skemën, sesi mbijetojnë grupet kriminale në vendin tonë.
“Prej 4 vitesh, e vërteta është se në territorin e Shqipërisë komandojnë disa banda, të cilat dolën haptazi në mbështetje të Partisë Socialiste gjatë fushatës zgjedhore. Ngjarje, të cilat janë identifikuar nga ne dhe janë raportuar në të gjitha raportet, por dhe në raportet e OSBE-ODHIR, i cili doli 4 ditë përpara. Në këtë kontekst kemi pasur disa mbledhje të Tass-Forcës unë i kam raportuar zv/kryeministres dhe pjesëtarëve të tjerë të Task-Forcës për përfshirjen e tyre në afera politike. Në bashkëveprim me Policinë e Shtetit, disa drejtues të Policisë së Shteti, të cilët haptazi e kanë mbështetur Partinë Socialiste, këto banda kanë pasur lirinë e veprimit, pasi dihet që prej kohësh një pjesë e tyre ka siguruar një sasi jo të vogël votash për Partinë Socialiste”, u shpreh Demiraj për Tpz.al.
Demiraj evidenton edhe katër komisariatet më problematike në vend, aty ku krimi ka dorë të lirë dhe është mbi forcën e ligjit. Ish-ministri pohon gjithashtu se, ai ka marrë rolin e efektivit të policisë, duke arrestuar në flagrancë, persona me armë. “E në këtë kontekst, do vinte një ditë që sot, ministri i Brendshëm zoti Xhafa ka filluar të shtrëngojë masat dhe krimi duke qenë nën presionin e Policisë së Shtetit, ka filluar të reagojë. Kemi pasur komisariate, si komisariatet e Dibrës, e Shkodrës, Lezhës, e Pukës, të cilat në kuptimin e keq të fjalës, janë shquar në raport me komisariatet e tjera për mos ushtrimin e kontrollit të territorit, mos zbatimin e ligjit, mos arrestimit”, deklaron ish-ministri i Brendshëm.
“Madje në disa raste kam qenë i detyruar vetë, me pjesëtarët e sigurimit eskortës që të bëjnë ndalimin e personave me armë”, shton ai më tej.
Aksioni “Vjeshtë 2017” u pompua me sukses nga Policia e Shtetit, ku u sekuestruan 84 makina luksoze në gjithë Shqipërinë, por sipas ish-ministrit të Brendshëm, vetëm në qytetin bregdetar të Durrësit, 64 persona mbajnë makina të blinduara. Ndërkohë, në qytetin më të madh në Veri, Shkodër, fenomeni i gjobëvënies është i dukshëm.
“Kemi situatë problematike në rrethin e Durrësit, kemi rreth 64 persona me makina të blinduara. Kemi situatë problematike në qytetin e Shkodrës, ku disa klane të caktuara, vendosin gjoba tregtarëve dhe një pjesë e mirë e tregtarëve, nuk guxojnë të mos paguajnë haraçe”, thekson Demiraj.
Duke folur për ngjarjet e fundit në Elbasan, ish-ministri i Brendshëm, deklaron grupet kriminale në këtë qytet kanë pasur gjithmon mbështetje politike. Kjo është parë tek kryeministri, thotë Demiraj, i cili nuk ka urdhëruar asnjëherë kontrollin e territorit.
“Kemi probleme në qytetin e Elbasanit, e kemi bërë prezent në disa raste, të cilët kanë mbështetje politike. Nuk ka asnjë lloj shansi, as një person, asnjë grup kriminal në Shqipëri që të dalë mbi Policinë dhe Shtetin. Në asnjë rast, nuk mundet që grupe të tilla kriminale, të veprojnë në rast se nuk kanë mbështetje politike. Unë nuk mund të them konkretisht nga kryeministri, por kryeministri ka për detyrë, që të urdhërojë policinë, të urdhërojë ministrin e Brendshëm, që të ushtrojë kontroll të territorit. Kemi disa ngjarje që nuk ka persona të ndaluar, madje një pjesë të rasteve dhe emra konkretë. Kjo është e pafalshme”, shprehet Demiraj. Sipas tij, të gjitha grupet kriminale në Elbasan, kanë qenë gjithë kohës në vëzhgim, por problemet kanë filluar të dalin këto tre javët e fundit.

Bllokohet në Otranto gomonia me 7 kuintalë drogë nga Vlora

Guardia di Finanza italiane bllokoi dje në Otranto një gomone me 7 kuintalë drogë të nisur nga brigjet shqiptare. Mediat italiane shkruajnë se, gomonia është ndjekur në det nga Guarda di Finanza italiane, ndërsa tre trafikantët nga Vlora, kur kanë para që po ndiqeshin nga Guardia di Finanza e hodhën drogën në det për arsye që t’i shpëtonin ndjekjes.
Guardia di Finanza e Puglias, ka bërë të mundur që në orët e para të mëngjesit në afërsi të Otrantos të ndalojë mjetin lundrues tip gomone me tre shtetas shqiptarë në bord konkretisht: L.B, 38 vjeç, H.M, 23 vjeç dhe Xh.H 24 vjeç. Guardia di Finanza ka gjetur e sekuestruar në bordin e gomones 712 kg lëndë narkotike kanabis sativa.
Mediat italiane shkruajnë se, gomonia 8 metra e gjatë me dy motorë të fuqishëm u braktis nga trafikantët dhe u sekuestrua nga financierët e Guarda di Finanza. Droga ishte e ndarë në 31 koli me dimensione të ndryshme me peshën totale 712 kg, e cila nëse do të hidhej në treg do të kishte vlerën e 7 milionë eurove. Të tre skafistët nga Vlora u arrestuan për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Po vijon shkëmbimi intensiv i informacionit mes policive për zbardhjen e plotë të këtij rasti, si dhe për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë trafik.
Ministri Xhafaj flet për masa, për strategji, por trafikantët e drogës vijojnë punën e tyre. Guarda di Finanza italiane sekuestroi ditën e djeshme në Otranto një gomone me 712 kg lëndë narkotike kanabis sativa. Mediat italiane shkruajnë se droga është nisur nga brigjet e Vlorës.
Trafiku i drogës drejt Italisë vijon pa ndërprerje, ndonëse policia thotë se janë marrë masa për goditjen e trafikut. Policia shqiptare reagon vetëm në ato raste kur droga bllokohet në Adriatik nga Guarda di Finanza, duke mashtruar se gjoja operacionet janë zhvilluar në bashkëpunim me policinë shqiptare. Nëse policia shqiptare do ta kishte seriozisht luftën kundër trafikut të drogës, atëherë duhet ta godasë atë që në nisje nga brigjet shqiptare dhe të mos mburret me operacionet e Guarda di Fanaza italiane.
Ata që drejtojnë trafikun e drogës nga Shqipëria janë njerëz të fuqishëm që kanë lidhje me qeverinë, ndërsa deri tani janë arrestuar vetëm transportuesit e drogës dhe jo krerët e bandës që trafikonin drogë drejt Italisë.
Para dy javësh, policia italiane sekuestroi 2.3 ton drogë që ishte nisur nga Shqipëria. Sipas mediave italiane, droga është kapur në San Benedetto në Tronto, Itali. Sasia më e madhe e drogës e kapur në këtë zonë ishte ngarkuar në Shqipëri, ka bërë të ditur zv/prokurori i Ascoli Pieno, Cinzia Piçioni.
Operacioni është organizuar nga Guardia di Financa. Droga e nisur nga Shqipëria dhe e mbërritur natën në Itali, mësohet se ishte shkarkuar në deltën e lumit Tronto dhe më pas e ngarkuar në një furgon. Policia kishte marrë informacione për këtë ngarkesë droge dhe i ka bërë pritë furgonit, ku udhëtonin edhe të arrestuarit. Brenda tij janë gjetur 40 pako me kanabis sativa. Më pas, motovedetat e Guardia di Financës të nisura nga Ancona dhe Tronto kanë gjetur në det edhe 73 pako të tjera me kanabis që ishin hedhur nga trafikantët.
Gomonia e drogës ishte larguar me shpejtësi dhe italianët e kanë ndjekur deri në kufirin e ujërave territoriale kroate, ku edhe kanë ndërprerë ndjekjen. Pranë vendit ku ishte shkarkuar droga janë gjetur edhe 25 bidona benzinë për të furnizuar gomonen.
Nga janari i 2017 e deri në shtator në rajonin e Puglias janë sekuestruar rreth 28 tonë marijuanë e trafikuar nga Shqipëria përmes detit kundrejt 22 tonë marijuanë të sekuestruar përgjatë gjithë vitit 2016.

R.POLISI

Vëllai i ministrit Xhafa me kallash në spitalin e Vlorës për të mbrojtur të plagosurin

Atentati që ndodhi ditën e dielë në Vlorë, ku mbetën të plagosur tre persona, mes tyre edhe një fëmijë, është shoqëruar me një tjetër skandal. Llanaj është marrë në mbrojtje nga persona të armatosur, ku mes tyre ka qenë dhe vëllai i ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafajt. Denoncimi është bërë nga një qytetar nga Vlora, i cili i është drejtuar me një mesazh ish-Kryeministrit Berisha. Sipas qytetait nga Vlora, Agron Xhafaj, i cili është shpallur në kërkim ndërkombëtar për trafik droge, ishte mes personave të armatosur që mbronin të plagosurin, ndërkohë që policia nuk ka marrë asnjë masë.
“Noriega Vlorën jua ka besuar narkobandave! Lexoni mesazhin e qytetarit dixhital për famozin Gon Xhafa & kompani”, shkruan Berisha.
“Përshëndetje doktor! Dje në Vlorë, pasi ndodhi ngjarja që u plagosën në Transballkanike, në spitalin e Vlorës ishin mbi 100 vetë të armatosur që ruanin të plagosurin. Policia rrinte bashkë me ata kriminelë. Në vend që ministri të urdhëronte t’i arrestonin të gjithë ashtu siç ishin, por rinin e bënin sehir se në mesin e tyre ishte dhe Goni Xhafa, që rrinte në pritje për mikun e tij”, shkruan qytetari.

Raporti i Amnesty International: Qeveria na pengoi të bënim detyrën

Amnesty International, lëvizja globale që sigurohet të zhbëjë padrejtësitë që u bëhen më shumë se 7 milionë njerëzve nga institucionet ligjëvënëse, duket e pakënaqur përsa i përket ecurisë së Shqipërisë në këtë drejtim.
Në raportin e fundit, Amnesty International World për vitin 2016, zbulon se vendi ynë shikohet akoma në një optikë të errët për shkak të nivelit të lartë të të inkriminuarve që vijojnë të jenë pjesë e organeve drejtuese.
Raporti, sjell në vëmendje çështjen e komunitetit romë dhe egjiptianë në Shqipëri, të cilët vazhdojnë të jetojnë në kushte të varfëra banimi dhe ishin disa herë gjatë kësaj kohe në rrezik të dëbimeve me forcë.
Shqetësuese pasqyrohet dhe situatën e azilkërkuesve, pasi mbi 20,000 shqiptarë kërkuan asistencë sociale në vendet BE-së.
Amnesty Internatiol, kthen prozhektorët në çështjen e Remzi Hoxhës, për të cilën autoritetet nuk bënë asnjë përparim në sjelljen para drejtësisë të atyre që ishin përgjegjës për zhdukjen e tij me forcë në vitit 1995.
“Fati dhe vendndodhja e tij mbeten të panjohura”, shkruan raporti.
TË DREJTAT E STREHIMIT – VEPRIMET E FORCUARA
Në qershor, autoritetet lokale në Tiranë kërcënuan të dëbojnë me forcë mbi 80 familje, kryesisht rome dhe egjiptiane, që jetonin në zonën e Bregut të Lumit, me pretendimin se është një zonë që rrezikon të përmbytet nga lumi i Tiranës.
Autoritetet nuk arritën të japin njoftim adekuat, apo konsultim të mirëfilltë dhe strehim alternativ.
Pas intervenimit të aktivistëve të strehimit, dëbimet u pezulluan përkohësisht në fund të shtatorit.
Si pjesë e një “plani ndërhyrjeje”, të propozuar nga Kryetari i Bashkisë së Tiranës, familjeve iu dha mundësia për dëbimin dhe rivendosjen e tyre.
Por, mbetet e paqartë nëse të gjitha familjet do të ishin në gjendje të pranonin risistemimin dhe nëse alternativat e ofruara ishin adekuate dhe të qëndrueshme.
SISTEMI DREJTUES
Në qershor 2016, një gjyqtar pezulloi Drejtorin e Policisë për shpërdorim të pushtetit dhe pjesëmarrje në vendosjen e pajisjeve të përgjimit në stacione policore.
Në përgjigje, Kryeministri dhe ministri i Punëve të Brendshme akuzuan gjyqtarin se i shërbente opozitës dhe se po minonte pavarësinë e gjyqësorit.
Në korrik, një Reformë Drejtësie u miratua në Parlament.
Reforma ndryshoi dhjetëra nenet e Kushtetutës dhe paraqiti legjislacion të ri për të siguruar pavarësinë dhe paanshmërinë e gjyqësorit dhe për të parandaluar politikat e keqtrajtimeve të tjera, kundër-terrorizmit, zhdukjes me forcë dhe lirive të asociacion dhe tubim paqësor.
Autoritetet gjithashtu vazhduan të parandalojnë organizatat ndërkombëtare, përfshirë Amnesty International, që të kryejnë vizita për gjetjen e fakteve për të mbrojtur të drejtat e njeriut. /Hashtag.al/

Gjyqtari tërhiqet nga dosja e bosit të heroinës

Gjyqtari Petraq Curri ka deklaruar pasditen e djeshme se dorëhiqet nga çështja e Alket Hatisë, të akuzuarit për trafikun e 540 kg heroinë e kokainë në Italinë fqinje. Alket Hatija, cilësuar nga mediat italiane “La Reppublica”, “Il fatto quotidiano”, “Il Giorno” , Agjensia Ansa, si një nga bosët më të mëdhenj të trafikut të drogës nga Shqipëria drejt Italisë, u arrestua në fillim të korrikut të vitit 2017 në Durrës.
Por në datë 11 korrik gjyqtari i çështjes, Petraq Curri, e liroi të pandehurin Hatija nga masa e arrestit, duke e rrëzuar kërkesën e prokurorit për ta mbajtur atë në qeli. Gjykata e Durrësit e la të lirë. Ndërkohë, në prill të këtij viti (2017), Gjykata e Milanos e dënoi në mungesë me 20 vite heqje lirie për trafikun e drogës gjatë viteve 2003-2004.
Gjyqtari Curri sot ka deklaruar se është tërhequr, pasi nuk dëshiron të paragjykohet mbi vendimet që mund të japë mbi çështjen e 45-vjeçarit Alket Hatija.

Shqiptari kapet në Itali me 32 kg heroinë, i zbulohet arsenal armësh

Një operacion bliz i Guardia di Finanza në Como ka çuar në sekuestrimin e një sasie prej 32 kg heroinë dhe arrestimin e një shqiptari. Droga është zbuluar nga policia gjatë një kontrolli normal rrugor. Punonjësit e policisë kanë ndaluar një shtetas shqiptar që duke iu përgjigjur pyetjeve rituale ka treguar një nervozizëm të tepruar, duke dhënë edhe informacione fragmentare.
Pasi kanë gjetur një kaçavidë në kroskotin e makinës, policët kanë menduar se mund të kishte një fund të dyfishtë dhe janë thelluar në një kontroll më të imtësishëm të makinës. Ata kanë zbuluar dy funde të dyfishta në brendësi të makinës, njëri nën kambio, ku nuk ka pasur gjë dhe tjetri pas kroskotit. Në brendësi ishte një revolver me municione që nga kontrolli rezultoi e vjedhur në vitin 2010.
Më pas, ushtarakët kanë gjetur një tufë me çelsa të shtëpisë së shqiptarit në një lagje në Brembate, në provincën e Bergamos. Aty kanë zbuluar një laborator të vërtetë droge. Në brendësi janë gjetur 63 pako me heroinë, në total mbi 32 kg. Po kështu u gjetën edhe dy pistoleta, nga të cilat njëra e përshtatur me silenciator dhe me matrikull gjysmë e gërvishtur; 108 fishekë të kalibrit të ndryshëm, mbi 40 kg substancë përzierës dhe të gjitha mjetet e përdorura për drogën.
Gjithashtu policia ka sekuestruar edhe 2 autovetura të shqiptarit që ka rezultuar me precedentë penalë për armëmbajtje.

Dhunohet në derën e shtëpisë ish-kreu i SHIK në Berat

Ish-kreu i SHIK në Berat, Artan Dauti, është sulmuar dhe goditur mbrëmjen e sotme nga dy persona ende të paidentifikuar. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 18:30 pranë banesës së tij. Mësohet se Artan Dauti ishte kthyer në Shqipëri para pak ditësh, pasi jeton jashtë vendit bashkë me familjen e tij. Nuk dihen ende autorët dhe shkaqet e këtij sulmi, ndërsa Dauti është dërguar në spitalin e Beratit për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.
48-vjeçari, sapo dilte nga makina që e kishte parkuar poshtë banesës së tij kur dy persona e kanë qëlluar me mjete të forta. “Më goditën sapo zbrita nga makina, dyshoj që ishin dy persona”, ka thënë ai në dëshminë e parë për policinë nga shtrati i spitalit ku ndodhet pas sulmit fizik.
Dauti ka shërbyer si shef i SHIK-ut në Berat në vitet 1993-1996, ndërsa prej vitesh jetonte në Itali bashkë me familjen. Prej tre ditësh, ai ishte kthyer në vendlindje, ndërsa janë ende të paqarta shkaqet e këtij sulmi. 48-vjeçari Artan Dauti ka ushtruar detyrën e kreut të SHIK në Berat në vitet 1993-1996.

Atentati në Vlorë, policia ende nuk ka zbuluar autorët

Asnjë i ndaluar për atentatin e Vlorës, ku u plagosën dy burra dhe një fëmijë. Deri tani, policia nuk ka të dhëna për autorët e krimit, por hetuesit vazhdojnë me dyshime se ngjarja ka lidhje me masakrën e vitit 2015 në Çole dhe me atentatin 27 majit të këtij viti ku u ekzekutuan drejtori i OSHEE Roland Saliu, i cili ndodhej rastësisht me shënjestrën Mirvjen Hyseni drejtori i një televizioni privat në Vlorë. Shënjestra e atentatit me pseudonimin Robit, Ferdinant Llanaj sipas burimeve nga spitali ka marrë 10 plumba, në kokë dhe në trup. Personi tjetër Dritan Begaj u qëllua me katër plumba, kurse fëmija tetëvjeçar u dëmtua fizikisht, por jo nga plumbat. Ngjarja ndodhi paraditen e së dielës në rrugën Transballkanike, një zonë e populluar.
Një orë më vonë, policia gjeti një BMW të shkrumbuar në rrugën “Kafaraj”, që lidhet me autostradën Levan-Tepelenë, poshtë një nënkalimi. Brenda makinës së djegur është gjetur edhe një automatik. Mjeti u gjet poshtë një nënkalimi. Nga kjo makinë dyshohet se u qëllua me breshëri automatiku në drejtim të Ferdinant Llanajt, që po udhëtonte me një “Benz” gri.
Policia e Vlorës deklaroi dje se janë siguruar prej bizneseve pranë kësaj zone, të gjitha kamerat, të cilat mund të ndihmojnë në zbardhjen e fakteve dhe sqarimin e dokumentimin e plotë të ngjarjes.
Në vendngjarje policia ka sekuestruar gjithashtu një armë zjarri tip Pistoletë, një predhë arme zjarri model 56-kalibër 7.62mm, automjetin tip ”Mercedes Benz”, dhe një tjetër mjet “Renault Klio”, disa aparate celular dhe një shumë prej 1.600.000 lekësh.
Në lidhje me ngjarjen janë kryer edhe veprime të tjera proceduriale dhe po vazhdon puna për identifikimin, dokumentimin dhe kapjen e autorëve të plagosjes me armë zjarri të Ferdinand Llanajt, djalit të tij B.Ll., dhe Dritan Bega. Atentat me armë zjarri që ka tronditur qytetin bregdetar të Vlorës ndodhi mëngjesin e të dielës në rrugën Transballkanike pranë një karburanti ku u plagosën dy burra dhe një fëmijë.

Bomba e FMN: Si Rama ka çuar vendin në gropë

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) në njoftimin konkludues të Artikullit IV, publikuar sot, ka rishikuar për lart rritjen ekonomike për vitin 2017, nga 3.7% në 3.9%. Rritja e kërkesës së brendshme, projektet e mëdha të lidhura me investimet e huaja, turizmi në rritje dhe një rimëkëmbje e partnerëve tregtarë të BE-së janë faktorët që e bëjnë FMN-në optimiste për rritjen ekonomike.
Megjithatë, në deklaratën përmbyllëse të Artikullit 4, që është e para pasi marrëveshja trevjeçare e zgjeruar e mekanizimit të Fondit (EFF), që i mundësoi qeverisë shqiptare të merrte një hua prej 377,3 milionë euro, përfundoi në shkurt, fondi shfaqet mjaft i ashpër, duke shprehur hapur shqetësimin për uljen e angazhimit të qeverisë në kuadër të konsolidimit fiskal, borxhet e fshehura që mund të lindin nga PPP-të, rikthimin e detyrimeve të prapambetura dhe ngadalësimin e ekonomisë vitin e ardhshëm, pas përfundimit të projekteve të mëdha. FMN është shprehur hapur edhe kundër bashkimit tatime dogana, pasi ai do të ndikonte në rendimentin e mbledhjes së të ardhurave.

PPP-të mund ta rrisin borxhin me 7 pikë përqindje të PBB-së

Teksa qeveria është angazhuar për një projekt investimesh të Partneritetit Publik Privat (PPP), që mund të arrijë deri në 1 miliard euro, Fondi, në deklaratën e tij tërheq vëmendjen për rreziqet domethënëse fiskale që përmbajnë këto projekte.
Fondi kërkon që ndikimi i këtyre projekteve, ndryshe nga sa veprohet aktualisht, të reflektohet në llogaritë fiskale dhe borxhin publik në mënyrë transparente dhe në linjë me normat ndërkombëtare.
Aktualisht, qeveria e reflekton borxhin vetëm si detyrim korrent të vitit kur ndodh, ndërsa standardet ndërkombëtare kërkojnë dhe llogaritjen e pjesës së detyrimit të shtetit në totalin e borxhit publik. FMN e ka shprehur më parë se është e rëndësishme që çdo projekt PPP të bëhet transparent, të ketë një analizë të qartë kosto përfitime dhe një analizë të plotë rreziku.
Në deklaratën zyrtare FMN vlerëson se borxhi ose detyrimi i mundshëm që vjen nga investimet e financuara nga PPP-të mund të arrijë deri në 7% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Ky borxh i mundshëm nuk është marrë parasysh nga qeveria, në parashikimin e saj që borxhi publik të zbresë në 63% të PBB-së deri në vitin 2021.
“Programi ambicioz i autoriteteve për investime publike nëpërmjet PPP-ve paraqet risqe të konsiderueshme fiskale. Është me rëndësi parësore fuqizimi i zbatimit të kuadrit të PPP-ve dhe fillimi i shfrytëzimit të kompetencave ligjore të zgjeruara rishtazi të Ministrisë së Financave për vlerësimin dhe monitorimin e projekteve PPP. Në dallim nga praktika e tanishme, ndikimi që kanë PPP-të në llogaritë fiskale dhe borxhin publik duhet të reflektohet me transparencë dhe në përputhje me normat ndërkombëtare të kontabilitetit publik”.
Sipas FMN, “Forcimi i menaxhimit të investimeve publike bëhet edhe më kritik në kuadër të rritjes së planifikuar të investimeve publike, në veçanti proceset e vlerësimit dhe përzgjedhjes së projekteve, në mënyrë që të pakësohen çuarjet dëm dhe shpërdorimet. Respektimi i programit buxhetor afatmesëm është me rëndësi për uljen e rrezikun e angazhimeve të pafinancuara dhe të detyrimeve të prapambetura. Edhe në kuadrin e shpenzimeve të rritura në buxhetin e vitit 2018, projektet e reja të planifikuara po lënë më pak hapësirë për angazhimet ekzistuese”.

Angazhimi për konsolidim fiskal është zbehur

Angazhimi i qeverisë për konsolidim fiskal ishte një nga pikat që ka marrë vlerësimin më të madh të FMN-së vitet e fundit. Por tashmë FMN paralajmëron se pavarësisht forcimit të rimëkëmbjes, konsolidimi fiskal pritet të ngadalësohet në 2017-ën. Bazuar në buxhetin e rishikuar, misioni pret që balanca primare e buxhetit të përkeqësohet nga një suficit prej 0.2% e PBB-së në 2016-ën, në 0.1% të PBB-së në 2017-ën, si rrjedhojë e detyrime të papaguara për TVSH-në, garancitë e energjisë dhe shpenzimet e qeverisë lokale.
“Megjithatë, deficiti i përgjithshëm i qeverisë pritet të bjerë modestisht në 2 për qind të PBB-së për shkak të kursimeve nga interesat. Borxhi publik (përfshirë detyrimet e konsiderueshme të prapambetura të qeverisjes vendore dhe qendrore) gjithashtu pritet të bjerë modestisht nga 73,3 për qind në 71½ për qind të PBB-së në fund të vitit 2017?, thuhet në raport.

Detyrimet e prapambetura rriten sërish

Ndonëse FMN e ka paralajmëruar vazhdimisht qeverinë që të bënte kujdes për të mos krijuar detyrime të reja të prapambetura, ato janë rritur sërish.
Sipas deklaratës, deri në fund të qershorit, qeveria lokale dhe qendrore ka akumuluar detyrime të prapambetura që arrijnë në 1.1% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, që përfshin 0.3% të PBB-së si TVSH e parimbursuar.
Teksa PBB është rreth 1.5 trilionë lekë, në vlerë absolute, detyrimet e prapambetura arrijnë në rreth 16.5 miliardë lekë, ose rreth 120 milionë euro (shënim i Monitor).
“Për të parandaluar krijimin e detyrimeve të prapambetura, autoritetet duhet të përmirësojnë procesin e rimbursimit të TVSH-së, të fuqizojnë masat kontrolluese për angazhimet kontraktuale, sidomos në Ministrinë e Energjetikës dhe Infrastrukturës, të shtrijnë aksesin në sistemin informatik të Thesarit edhe në njësitë e qeverisjes vendore, të regjistrojnë të gjitha angazhimet e pabuxhetuara dhe të regjistrojnë faturat e papaguara”.

Rritja do të ngadalësohet në 2018-ën

FMN pret që rritja ekonomike të ngadalësohet në 3.7% në vitin 2018, pasi investimet e mëdha të lidhura me projektet e energjisë do të përfundojnë.
Megjithatë, në afatin e gjatë, rritja ekonomike do të kalojë 4%, i nxitur nga reformat drejt integrimit në BE dhe rimëkëmbjen e partnerëve tregtarë.
“Risqet për këtë parashikim janë të balancuara. Në aspektin pozitiv, rritja e besimit pas zgjidhjes së paqartësisë politike dhe efektet nga projektet e mëdha në energjetikë dhe infrastrukturë mund të çojnë në investime më të mëdha dhe në një rimëkëmbje më të fortë të kredisë. Në aspektin negativ, vijimi i kushteve të motit të thatë mund të ketë ndikim në prodhimin e energjisë elektrike dhe të paraqesë risqe pothuaj-fiskale. Një ngadalësim i ritmit të reformave dhe shkarjet fiskale mund ta ulnin besimin, të rrisnin primet e riskut dhe të rrisnin risqet e përhapjes së efekteve. Vështirësitë në sistemin bankar në Evropë ose ulja me shpejtësi e levës financiare nga bankat në BE mund të çonin në stres të sektorit financiar”, thuhet në deklaratë.
“Në këtë kuadër, prioritetet kryesore për politikat janë i) ruajtja e stabilitetit makroekonomik dhe ii) thellimi i reformave strukturore për ta përmirësuar klimën e investimeve dhe për të arritur nivelet e të ardhurave si në BE. Politikat të synojnë t’u japin zgjidhje vështirësive që lindin nga borxhi i lartë publik, niveli i ulët i kreditimit dhe institucionet e dobëta, që i frenojnë investimet”.

Të rishikohet plani për bashkimin e tatimeve e doganave

FMN thotë në deklaratën zyrtare se, plani i deklaruar për bashkimin e tatimeve e doganave duhet të rishikohet, duke pasur parasysh rrezikun e lartë që ky proces mund të ketë në mbledhjen e të ardhurave dhe në reformën që po zbaton Administrata Tatimore. “Njoftimi për bashkimin e administratave tatimore dhe doganore është mirë të rikonsiderohet edhe një herë, po të kemi parasysh risqet e larta të cënimit të mbledhjes së të ardhurave dhe reformat që po bëhen në administratën tatimore. Më në përgjithësi, riorganizimi i administratës së qeverisjes qendrore është mirë të zbatohet me vëmendje të veçantë tek efekti funksional”, theksoi FMN.

FMN mirëpret taksën e pronës

FMN thekson se nevojiten masa shtesë për të mobilizuar burime për shpenzimet e rritura prioritare në shëndetësi, arsim dhe infrastrukturë. Efikasiteti tatimor është i ulët në krahasim me vendet fqinje, duke pasqyruar pragje të larta tatimore dhe nivel të ulët të përmbushjes së detyrimeve nga tatimpaguesit. Mbështetja shumë e lartë në tatime të veçanta ka çuar gjithashtu në elasticitet të ulët tatimor në raport me PBB-në. Misioni e mirëpret zbatimin e planifikuar të një tatimi mbi pronën që mbështetet në vlerën e pronës dhe përmirësimin e përmbushjes së detyrimeve tatimore dhe rekomandon masa të tjera shtesë si indeksimi i akcizave sipas inflacionit për të ruajtur vlerën reale, taksën e transferimit të pronësisë si hap tranzitor drejt futjes tatimit të bazuar në vlerën e pronës, akcizat mjedisore dhe zgjerimin e bazës tatimore. Autoritetet nuk duhet të japin më përjashtime të reja tatimore, trajtime preferenciale apo të ulin shkallët tatimore. Struktura e TVSH-së dhe e tatim-fitimit për bizneset
e vogla duhet të marrë në konsideratë një regjim të thjeshtuar për ta minimizuar barrën për Administratën Tatimore.