24.5 C
Tirana
E hënë, 16 Qershor, 2025

Skandali, Mimi 97 milionë lekë çdo muaj kompanisë për radarët fantazmë

Doza e akuzave për Ministrinë e Mbrojtjes si të përfshirë në skandalin e radarëve detarë, po shtohen. Radarët, sipas vetë një raporti të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, kanë qenë jashtë funksionit dhe në këtë mënyrë kanë përfituar trafikantët e kanabisit, që dërgojnë tonelata lëndë narkotike nga brigjet shqiptare në drejtim të Italisë. Për LSI lënia e radarëve jashtë funksionit ka qenë e qëllimshme. Nënkryetari Luan Rama i vijoi akuzat sot duke publikuar dokumente, sipas të cilave, edhe pse radarët kanë qenë jashtë funksionit, Ministria e Mbrojtjes i ka paguar 97 milionë lekë çdo muaj kompanisë që ishte kontraktuar për t’i mirëmbajtur.

Akuzat e Luan Ramës

Skandali me radarët dhe gjeneralët e korrupsionit! Ministria e Mbrojtjes i paguan çdo muaj 97 milionë lekë kompanisë private për mirëmbajtjen e radarëve që nuk punojnë! Radarët e instaluar për të vëzhguar hapësirën detare të Republikës së Shqipërisë prej më shumë se dy vjet nuk punojnë! Thënë me “gjuhën” ushtarake, Sistemi i Integruar i Vëzhgimit të Hapësirës Detare (SIVHD) nuk është operacional! Mosveprimi i strukturave përgjegjëse në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura është kriminal!
Sepse lënia jashtë funksioneve operacionale e sistemit të radarëve, ka cënuar drejtpërdrejtë sigurinë kombëtare!
Instalimi i serverit të kamerave që vëzhgon veprimtarinë e institucioneve ushtarake tek kompania private e kontraktuar për mirëmbajtjen e radarëve, është cënin i rëndë e flagrant i normave më elementare të sigurisë dhe të ruajtjes së informacionit!
Në një vend normal demokratik, vetëm kaq do të mjaftonte për ta konsideruar të gjithën një skandal të madh dhe që qeveria të jepte dorëheqjen! Ministria e Mbrojtjes i paguan çdo muaj 97 milionë lekë kompanisë private që është kontraktuar të mirëmbajë Sistemin e Integruar të Vëzhgimit të Hapësirës Detare, edhe pse sistemi nuk është operacional!
Vetëm për një vit, prej korrikut 2015 deri në korrik 2016 i janë dhënë firmës private 1 miliard e 150 milionë lekë për një punë që nuk e ka kryer! Dhe si të mos mjaftonte kjo, në shkurt të këtij viti, pra në shkurt 2017, Komanda e Forcave Detare ka prokuruar një fond prej 370 milionë lekë shtesë, për punime dhe pajisje, që i janë dhënë të njëjtës firmë, e cila në fakt duhej t’i instalonte si detyrim kontraktual, pasi është paguar çdo muaj me 97 milionë lekë, për një punë të pakryer!
Por skandali i korrupsionit të gjeneralëve nuk është vetëm kaq!
Ka shpërdorim të frekuencave ushtarake, ka instalime private të pajisjeve të firmë në repartet ushtarake!
Në vlerësimin tim jemi përpara një veprimtarie kriminale; organizim mafioz për defektimin e sistemit, cënim me vetëdije të sigurisë së njerëzve në det, cënim të elementëve thelbësorë të sigurisë kombëtare! Çfarë presin institucionet e zbatimit të ligjit?!

PD i drejtohet Calaverës: ONM të mbajë në kontroll tendencën e qeverisë për të diktuar Vettingun

Partia Demokratike i është drejtuar Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit ku shpreh shqetësimin për mungesën e vullnetit nga ana e mazhorancës për oraganet e reja të Vettingut dhe përpjekjen e qeverisë për të kapur procesin. Përmes një letre, Kryetari i Grupit parlamentar demokrat, Edmond Spaho i ka kërkuar drejtueses së ONM, Genoveva Ruiz Calavera ndërhyrjen e ONM që të ketë qëndrime aktive edhe gjatë fazës së zbatimit, duke mbajtur nën kontroll veprimet tendencioze të qeverisë për të ndërhyrë dhe diktuar procesin e vettingut. PD ka argumentuar se çdo mungesë vëmendje apo reagimi nga ana e ONM, duke lejuar ndërhyrjen e qeverisë në procesin e vettingut, në çdo drejtim, do të cënonte rëndë jo vetëm rezultatet e procesit, por edhe besimin e qytetarëve shqiptarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë në organet e reja të sistemit të drejtësisë që priten të krijohen nga ky proces jetik për Shqipërinë dhe të ardhmen e saj europiane. PD tërheq vëmendjen e ONM në lidhje me shkurtimin e numrit të punonjësve të Vettingut me 40 për qind, e cila sipas tij cenon që në nisje këtë proces. Spaho i bën të ditur Calaverës se me ndryshimet e miratuara, po cenohen efikasiteti i punës së organeve të pavarura kushtetuese, të ngarkuara me detyrën e realizimit të procesit të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Marrja përsipër nga ana e Kuvendit, që të strukturojë organet e pavarura kushtetuese, duke ulur me 40 për qind numrin e punonjësve të kërkuar prej tyre, është pa asnjë dyshim cenim i parimit kushtetues të pavarësisë organizative/funksionale të këtyre organeve. Nga ana tjetër, Spaho i bën të ditur gjithashtu se mungesa e mbështetjes me burimet e mjaftueshme njerëzore do të sillte vënien përpara faktit të kryer të organeve të vettingut, nëpërmjet informacioneve të përgatitura nga institucionet e treta nën varësinë apo ndikimin e qeverisë, të cilat do të ishin të pamundura të verifikoheshin nëse ka mungesa të burimeve të nevojshme njerëzore.

OSBE: Reforma në Drejtësi duhet të jetë e besueshme

“Zbatimi i Reformës në Drejtësi do të thotë që duhet të përmirësohen procedurat, praktikat dhe qëndrimet në çdo sektor të sistemit të drejtësisë”. Kështu u shpreh dje Robert Ëilton, zëvendëskryetar i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri në një veprimtari të zhvilluar me rastin e 20-vjetorit të Shkollës së Magjistraturës. Ai bëri thirrje për zbatim serioz të Reformës në Drejtësi në mënyrë që kjo reformë të jetë e besueshme dhe me rezultatet të prekshme për qytetarët. “Nëse nuk zbatohet, reforma do të ngelet një gjurmë e vogël dhe e trishtë në historinë e Shqipërisë. Me zbatim kemi parasysh procedurat, praktikat dhe qëndrimet në çdo sektor të sistemit të drejtësisë. Reforma e vërtetë nuk bëhet në letër apo në Parlament; reforma e vërtetë bëhet në çdo sallë gjyqi dhe zyrë juridike në vend. Reforma duhet të perceptohet e duhet të besohet nga qytetarët e Shqipërisë. Për sa kohë qytetarët nuk besojnë te drejtësia e sistemit kur hyjnë në sallën e gjyqit, s’ka për të pasur reformë. Ëilton shtoi se OSBE-ja e mbështet Reformën e Drejtësisë në Shqipëri bashkë me kolegët e organizatave ndërkombëtare që kanë luajtur një rol kaq të rëndësishëm në këtë proces”, u shpreh zv/ambasadori. “Reforma ka potencialin ta transformojë vërtet këtë shoqëri, duke transformuar kështu edhe mundësitë e saj”, shtoi Ëilton. “Ne në Prezencën e OSBE-së, jemi të përkushtuar në promovimin e shtetit të së drejtës dhe japim mbështetje të vazhdueshme për një sistem drejtësie të drejtë, transparent dhe efikas. Ky është thelbi i punës sonë si mision, sepse është thelbi i vlerave të përbashkëta që ndajnë të 57 shtetet pjesëmarrëse të OSBE-së si komunitet. Ne besojmë se pavarësia, paanshmëria dhe integriteti i gjyqësorit janë themelore. Një gjyqësor i bazuar në profesionistë të drejtësisë që trajnohen dhe përzgjidhen siç duhet dhe që janë të gatshëm që, për atë integritet, të luftojnë çdo ditë të jetës së tyre profesionale. Pra, njerëz që respektojnë vlerën e drejtësisë, jo çmimin e drejtësisë”, tha zyrtari i lartë i OSBE.

Doris Pack: Shqetësim për situatën e rënduar në Shqipëri

Presidentja e Forumit të Gruas të Partive Popullore Europiane, Doris Pack, shprehet e shqetësuar për situatën e rënduar ekonomike, sociale dhe politike në Shqipëri. Duke iu referuar raportit të fundit të OSBE/ODHIR, Pack shprehu shqetësim për fenomenin e shit-blerjes së votës, të cilën raporti evidenton qartë, duke e dënuar atë me forcë. Raporti i OSBE si asnjëherë tjetër evidentoi rastet e shitblerjes së votës si një fenomen që ndikon në tjetërsimin e vullnetit të qytetarëve si dhe ndikimin në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve. Pack i bëri thirrje qeverisë në Tiranë të mos pengojë Reformat për Drejtësinë dhe zgjedhjet si dhe të bëjë hapa konkretë në luftën ndaj korrupsionit dhe krimit. Pack përcolli mbështetjen e saj, të Partisë Popullore Europiane për Partinë Demokratike, për çdo përpjekje në drejtim të reformave që do të luftonin fenomenin e shit-blerjes së votës e do t’u siguronte shqiptarëve të zgjidhnin të lirë të ardhmen e tyre”. Deklaratat Pack i bëri gjatë Forumit të Gruas të Partive Popullore Europiane. Kryetarja e Lidhjes Demokratike të Gruas së Shqipërisë, Albana Vokshi, ka sjellë nga Franca mesazhet e fuqishme të Doris Pack, presidentes së Forumit të Gruas të Partive Popullore Europiane. Vokshi mori pjesë në Akademinë e Forumit të Grave të Partive Popullore Europiane që u mbajt në Nice të Francës, nën kujdesin e Presidentes Doris Pack. Deputetja e Partisë Demokratike deklaroi se, votimi i shqiptarëve u minua nga fenomeni i shit-blerjes së votës, ndikimit të krimit të organizuar dhe përdorimit të pushtetit nga qeveritarët. “Zgjedhjet Parlamentare të qershorit 2017 u zhvilluan në një atmosferë dhune e presioni të vazhdueshëm, ndërsa Partia Demokratike ishte në aksion për të siguruar lirinë e votës. Paratë e drogës dhe aktiviteteve të tjera kriminale devijuan vullnetin e qytetarëve shqiptarë. Devijimi i dhunshëm i votës në Shqipëri mund të ketë pasoja fatale për demokracinë. Partia Socialiste e Kryeministrit Edi Rama me rekorde korrupsioni, me mbështetjen dhe të lidhur me trafikantë të drogës dhe organizata kriminale, nëpërmjet varfërimin e popullatës dhe në shkelje të të Drejtave të Njeriut, bleu rezultatin e zgjedhjeve, kërcënoi dhe trembi votuesit. Për herë të parë, OSBE/ODHIR, në raportin final për zgjedhjet Parlamentare në Shqipëri, shpreh qartë shqetësimin e madh për parregullsitë e vërejtura që ndikuan direkt në shtrembërimin e rezultatit zgjedhor: vota u ble, votuesit u kërcënuan! ‎E gjitha kjo e favorizuar edhe nga kontrolli i pothuajse të gjitha mediave nga ana e pushtetit dhe në përndjekjeve të gazetarëve. Këtë të enjte, Kryeministri bllokoi të gjitha televizionet të transmetonin edhe punimet e Parlamentit, një histori e paprecedentë në censurim të hapur të së drejtës për informim dhe lirisë së gazetarëve”, tha Vokshi.

Raporti, Shqipëria e pashpresë, e fundit në Europë për prosperitetin

 

Shqipëria është e fundit ndër 16 vendet e Europës Qendrore dhe Juglindore, sa i përket prosperitetit. Në këtë përfundim arrin një raport i publikuar pak kohë më parë nga Instituti Legatum, që publikon çdo vit edhe indeksin global të prosperitetit. Raporti në fjalë, ndërkohë i referohet vetëm vendeve të Europës Qendrore dhe Juglindore, ku nënvizohet edhe fakti se, Shqipëria është vendi me performancën më të dobët. Indeksi i përgjithshëm përpilohet mbi bazën e 9 nën-indikatorëve të tjerë, si ai i cilësisë së ekonomisë, klimës së biznesit, ambientit, qeverisjes, arsimit, shëndetësisë, sigurisë, lirisë personale dhe kapitalit shoqëror. Performancën më të dobët Shqipëria e regjistron në atë të ambientit dhe atë të kapitalit shoqëror. Performancën më të mirë ndërkohë e regjistroni nën-indikatorin që i referohet shëndetit dhe atë të lirisë personale. Ky grafik, ndërkohë tregon diferencat mes vendit të parë, Austrisë dhe të fundit, Shqipërisë, ndër vite. Ajo që duket qartë është fakti se, që nga vitit 2007, këto diferenca janë ngushtuar ndjeshëm, nga rreth 35%, në rreth 29%. Në raport nënvizohet gjithashtu fakti se, në Shqipëri dhe serbi, prosperiteti është në të njëjtat nivele me Namibinë. Nga ana tjetër, Shqipëria vlerësohet si vendi që ka bërë progresin më të madh që prej 2007-ës në drejtim të kapitalit shoqëror, ndër vendet kandidate për t`u bërë pjesë e Bashkimit Europian.

Nga sot nis Lotaria Amerikane, si të aplikoni

Duke filluar nga dita e nesërme, të gjithë të interesuarit mund të aplikojnë për Lotarinë Amerikane. Për të gjithë shqiptarët që kanë dëshirë që të hedhin lotarinë amerikane, është dhënë këshilla kryesore, që aplikimet të mos lihen për ditët e fundit. Gjatë këtij muaji janë dhënë herë pas here informacione mbi kushtet e aplikimit, në mënyrë që të mos bëhen gabime. Emily Enright dhe Lorenc Mansaku kanë dhënë udhëzimet e fundit për të gjithë të interesuarit. Ata kanë folur për detaje dhe kanë informuar rreth aplikimeve për lotarinë amerikane, që nis zyrtarisht nesër dhe do të zgjasë deri më 7 nëntor. “Nëse nuk ka shkollë të mesme ne i vëmë re dhe provojës së punës. Po në proces ka dy ndryshime të rëndësishme. Duhet të përdorni një foto të re këtë vit. Nuk duhet të përdorni një foto që është përdorur vitin më parë. Ka një ndryshim për mirë këtë vit, sepse ju keni mundësinë e verifikimit të të dhënave. Këtë vit, kjo është e mundur. Është shumë e rëndësishme se çdo person duhet ta plotësoje vetë aplikimin. Nëse anglishtja juaj nuk është në nivelin e duhur për plotësim e formularit, duhet personi të jenë përgjegjës kur tua plotësojë dikush tjetër. Të njohurit e anglishtes nuk është kriter. Për moshën nuk ka një kriter. Kriter është që duhet të kesh shkollën e mesme gjatë kohës që jepen intervista”, tha Mansaku. Departamenti i Shtetit amerikan njofton se edhe për vitin 2018 do të jenë në dispozicion 50 mijë viza për të gjithë shtetasit në botë, ku pjesë është edhe Shqipëria. Si çdo vit, edhe këtë herë përzgjedhja do të jetë në dorë të shortit kompjuterik. Aplikimi për vizat 2018-2019 fillon në datën 3 tetor 2017 dhe data e fundit e aplikimit do të jetë 7 nëntori i po këtij viti. Aplikimet e lotarisë janë falas, ndërsa çdo individ duhet të plotësojë kushtet paraprake të vendosur nga DSHA. “Departamenti i Shtetit shpërndan vizat e lotarisë midis gjashtë rajoneve gjeografike dhe asnjë vend i vetëm nuk mund të marrë më shumë se shtatë për qind të DV-ve në dispozicion”, thuhet në njoftim. Por si bëhet aplikimi: Për Lotarinë DV-2018, vendasit e shteteve të mëposhtme nuk janë të ligjshëm për të aplikuar, pasi këto shtete kanë dërguar në total më shumë se 50,000 emigrantë në SHBA në pesë vitet e shkuara: Bangladesh, Brazil, Kanada, Kinë (të lindurit në kontinent), Kolumbi, Republika Domenikane, San Salvador, Haiti, India, Xhamaika, Meksikë, Nigeri, Pakistan, Peru, Filipine, Koreja e Jugut, Mbretëria e Bashkuar (me përjashtim të Irlandës së Veriut) territoret e varura prej saj dhe Vietnam. Personat e lindur në Hong Kong SAR, Makau SAR dhe Taivan janë të ligjshëm. Ndryshime për pranueshmërinë këtë vit: Ekuadori është i pranueshëm për DV-2018. I lindur në një nga vendet kualifikuese: Në shumicën e rasteve kjo kupton vendin (shtetin) në të cilin aplikanti ka lindur. Gjithsesi, ka edhe dy mënyra të tjera, me të cilat një person mund të kualifikohet. E para, në qoftë se një person ka lindur në një vend ku vendasit e këtij vendi janë të pazgjedhshëm për të aplikuar, por bashkëshorti(ja) e tij/i saj ka lindur në një vend ku vendasit janë të zgjedhshëm për të aplikuar, ky person mund të pretendojë vendin e lindjes së bashkëshortit (es) dhe në këtë mënyrë të dyve do t’i lëshohet viza që ata të hyjnë në SHBA njëkohësisht. E dyta, në qoftë se një person ka lindur në një vend ku vendasit e këtij vendi janë të pazgjedhshëm, por as njëri as tjetri nga prindërit e tij/saj kanë lindur ose banuar atje në kohën kur personi ka lindur, një person i tillë mund të pretendojë vendlindjen në një nga vendlindjet e prindërve të tij/saj, në qoftë se ky vend është i kualifikueshëm për programin e DV-2018. Për t’u regjistruar në lotari, ju duhet të plotësoni kërkesat e edukimit ose të eksperiencës së punës të programit të lotarisë. Edukim ose punë e kualifikueshme: Ju duhet të keni një arsim të shkollës së mesme apo ekuivalentin e tij, përkufizuar si përfundim me sukses i 12 viteve edukim të plotë zyrtar 9-vjeçar dhe i mesëm; (pra të vërtetoni me bindje që keni mbaruar 12 vjet shkollë të plotë); ose të keni 2 vjet eksperiencë pune brenda 5-viteve të kaluara në një punësim që kërkon të paktën 2 vjet trajnim ose eksperiencë për ta ushtruar. Për të përcaktuar nëse pёrvoja e punës kualifikohet për lotarinë, do të përdoret Baza e të Dhënave të Departamentin amerikan të Punës O*Net OnLine. Në qoftë se ju nuk mund të plotësoni të dyja kërkesat e mësipërme, ju nuk duhet të aplikoni në Programin e Lotarisë.

75 mijë ton naftë më pak nga importet

Këtë vit gara ndërmjet prodhimit vendas dhe mallrave të importit ka spikatur në disa sektorë. Rivënia në punë e rafinerisë së përpunimit të naftës ARMO, ka ulur në mënyrë drastike importin e karburanteve, teksa importet e birrës kanë fituar terren në tregun vendas.
Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, importet e karburanteve pësuan rënie vjetore me 22 për qind gjatë tetë-mujorit. Nga 340 mijë tonë naftë të importuara në janar-gusht 2018, më 2017 janë importuar 264 mijë tonë ose 75 mijë tonë më pak. Ky hendek është mbuluar nga prodhimi i naftës në vend nga rafineria ARMO.
Sipas të dhënave që ka nxjerrë më herët Ministria e Energjetikës, nëse ARMO vendos në punë të gjithë kapacitetin përpunues, atëherë nafta e gatshme për konsumin do të jetë 375 mijë tonë në vit, duke përmbushur gati 60% të konsumit në vend, i cili vlerësohet rreth 550-600 mijë tonë në vit.
Në shtator të 2016, Jonian Refining dhe TradingCo–IRTC SH.A ka marrë në shfrytëzim rafinerinë problematike të naftës, ARMO.
Industria e prodhimit të birrës vendase është vënë në vështirësi nga rritja e importeve. Sipas të dhënave të doganave, importet e birrës janë rritur me 22 për qind gjatë tetëmujorit 2017. Në treg janë futur nga importi 4700 tonë birrë më shumë se viti i kaluar. Prodhuesit janë ankuar se birra që hyn nga Kosova po i konkurron fort ata, pasi paguan akcizë për nivelin e prodhimit nën 200 mijë hektolitra.
Importet e cigareve janë rritur me 5 për qind për janar-gusht 2017, por sasia totale e tyre është ende më e ulët se importet në vitet 2012-2013.
Ndërsa importet e kafesë kanë shënuar rënie me 5 për qind, pasi gjatë tetëmujorit janë importuar 96 tonë më pak se vitin e kaluar.
Ministria e Financave ka raportuar se të ardhurat nga akciza gjatë tetëmujorit kanë pësuar rritje vjetore me 9.5 për qind.

BB vë alarmin për Arsimin, Shqipëria dobët në “lexim”

Arsimi ndërton kapitalin njerëzor, që përkthehet në rritje ekonomike. Nëse përmirësimet janë më të shpejta, me shumë gjasë, vendet që ndërtojnë një sistem arsimor produktiv kanë më shumë shanse të përmirësojnë nivelin e tyre të jetesës, të ulin varfërinë dhe të ndërtojnë një sistem demokratik qeverisës.
Banka Botërore në një raport të fundit, “Lexo për tu edukuar” konkludon se vendet e varfëra dhe ato në zhvillim po bëjnë hapa më të avashtë në arsimin e fëmijëve se SHBA-ëe në vitet 1800-1900.
Duke analizuar njohuritë arsimore në disa vende dhe ndikimin që ato kanë në zhvillimin ekonomik te tyre, Banka ka gjetur se popullatat e varfëra gjithashtu janë të varfëra edhe në mësimnxënie.
Në vendet e Afrikës tre të katërtat e nxënësve në klasën e tretë nuk e dinin kuptimin e fjalisë “Qeni im quhet Pupi”, ndërsa në Indinë rurale tre të katërtat e nxënësve në klasën e tretë nuk mund të bënin një zbritje me dy numra.
Në vlerësimin për nivelin arsimor nëpërmjet PISA 2015 Banka Botërore pohon për Shqipërinë se, megjithëse niveli i arsimimit është rritur, veçanërisht për arsimin e lartë, ku shkalla e regjistrimit është rritur më shumë se dy herë krahasuar me fillimin e viteve 2000, cilësia e arsimit mbetet e ulët, duke çuar në zvogëlimin e përfitimeve nga arsimi dhe uljen e cilësisë së kapitalit njerëzor.
Sipas vlerësimit të Bankës Botërore në Shqipëri, më shumë se gjysma e studentëve nuk arritën aftësitë minimale në lexim dhe matematikë në testin PISA. Hendeku i aftësive është identifikuar si një problem veçanërisht i rëndë në rajon.
Banka thotë se, shkollimi zvogëlon shumicën e llojeve të krimit të kryera nga të rriturit, si dhe nivelin e krimeve në adoleshencë.
16 dhe 17-vjeçarët në Mbretërinë e Bashkuar që braktisin shkollën kanë tre herë më shumë gjasa të kryejnë krime se sa ata që qëndrojnë në shkollë. Ndërsa në Meksikë studimi gjeti se ata që kishin braktisur arsimin e mesëm ishin aktivizuar më së shumti me grupet kriminale të krimit dhe drogës.
Banka thotë se, arsimi siguron të ardhura më të larta dhe gjithashtu i zvogëlon disa fenomene negative sociale. Aborti ka shanse të jetë më i kontrolluar tek fermat e arsimuara dhe planifikimi familjar të jetë më e lartë.
Një krizë mësimi është edhe një krizë morale vlerëson BB. Edukimi shëron një mori sëmundjesh shoqërore. Për individët, ajo promovon punësimin, të ardhurat, shëndetin dhe zvogëlimin e varfërisë. Për shoqëritë, ajo nxit inovacionin, forcon institucionet dhe nxit kohezionin social. Por këto përfitime varen kryesisht në mësim. Shkollimi pa të mësuarit është një mundësi e humbur.
Korea e Jugut e kuptoi se, arsimi ishte mënyra më e mirë për t’u tërhequr nga mjerimi ekonomik. Kështu që u përqendrua në rregullimin e shkollave dhe u angazhua për edukimin e mirë të çdo fëmije. Sot jo vetëm që Koreja ka arritur rezultatet universale në arsim, por studentët e saj gjithashtu kapin nivelet më të larta në vlerësimet ndërkombëtare të të mësuarit. Është një vend me të ardhura të larta dhe një model i zhvillimit të suksesshëm ekonomik.

Shtrenjtimi i energjisë “maskohet” me tarifat e ditës dhe natës!

Qytetarët e Kosovës vazhdojnë të shprehin pakënaqësitë e tyre për çmimin e lartë të energjisë elektrike.
Sipas tyre, me uljen e temperaturave do të rritet niveli i konsumit, rrjedhimisht edhe do të “fryhen” faturat për pagesën e energjisë elektrike.
Shumë nga qytetarët nuk kanë njohuri se gjatë këtij viti, nuk do të aplikohen tarifat sezonale të energjisë verë-dimër, siç kanë qenë në zbatim për më shumë se një dekadë.
Që nga muaji prill i këtij viti, Zyra e Rregullatorit të Energjisë të Kosovës, ka marrë vendim që në Kosovë të aplikohen vetëm tarifat e ulëta dhe të larta, që nënkuptojnë tarifat e ditës dhe ato të natës.
Fetie Berisha, rreth 50 vjeç, nga Prishtina, thotë se tarifat aktuale të energjisë elektrike janë shumë të shtrenjta. Me të ardhurat familjare, thekson ajo, është vështirë të paguhen faturat.
“Çmimi është shumë i shtrenjtë. Vetëm nëse punojnë disa anëtarë të familjes mund ta përballojnë këtë çmim të energjisë, sepse katastrof është’, thekson Berisha.
Edhe Hajrë Rraci, pensionistë, vlerëson se krahasuar me pagat në Kosovë, tarifat e energjisë janë të larta.
Ndonëse me shumë rezerva, ai shpreson se me ndryshimin e strukturave dhe moslëvizjen e tarifave gjatë sezonit të dimrit, situata do jetë pak më e përballueshme.
“Për numrin më të madh të qytetarëve, çmimi është shumë i shtrenjtë e për disa ndoshta jo. Tash dimrit është edhe më shtrenjtë. Po kush u beson këtyre se nuk e rrisin çmimin. Por, nëse eventualisht nuk ndryshon tarifa verë-dimër, ndoshta do të jetë më lirë, por është vështirë t’u besohet këtyre”, thotë Rraci.
Bazuar në çmimet e reja të aplikuara nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë, do të aplikohen vetëm tarifat ditore, përkatësisht tarifa e lartë dhe e ulët (ditë-natë). Për periudhën e natës, çdo kilovat i orës do të kushtojë për 0.3 cent, kurse gjatë ditës do të kushtojë 0.7 cent.
Por, disa qytetarë konsiderojnë se ndryshimi i tarifave të energjisë elektrike, është vetëm maskim i formës së veprimit, sepse nuk është në favor të tyre.
Adil Isufi, shprehet se ndryshimi i tarifave nënkupton rritje të çmimit të këtij produkti.
“Është një formë e kamuflimit për të zbutur situatën. Struktura e re e tarifave nuk është në të mirë të qytetarëve, sepse çmimi i energjisë elektrike është shumë i shtrenjtë”, thotë Isufi.
Në anën tjetër përfaqësues të Shoqërisë Civile që merren me çështjet energjetike, theksojnë se çmimi i energjisë elektrike në përgjithësi nuk është liruar.
Rinora Gojani, menaxhere e programit në Konsorciumin Kosovar të Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm, tha për Radion “Evropa e Lirë” se aplikimi i strukturës së re, nënkupton që konsumatorët, paguajnë fatura më të larta të energjisë elektrike gjatë kohës së verës.
“Nuk mund të themi se, jemi duke paguar energjinë më lirë. Jemi duke subvencionuar në një mënyrë veten gjatë periudhës së verës, në mënyrë që të kemi shpenzime të tjera gjatë dimrit kur konsumi është më i madh”.
“Por, nuk duhet të mendojmë se çmimi i energjisë elektrike është më i lirë, në fakt produkti si produkt është më i shtrenjtë se që ka qenë në strukturën e vjetër tarifore”, thotë Gojani.
Tarifa e re e energjisë, sipas autoriteteve kompetente, do të nxisë konsumatorët që të zhvendosin një pjesë të konsumit nga koha e ditës në kohën e natës.
Nga data 1 prill deri më 30 shtator, tarifa e lartë aplikohet nga ora 08:00 e mëngjesit deri në orën 23:00. Ndërsa gjatë natës, prej orës 23:00 deri në 08:00 të mëngjesit, aplikohet tarifa e ulët.
Përderisa, nga 1 tetori deri më 31 mars, tarifa e lartë do të jetë prej 07:00 të mëngjesit deri në orën 22:00. Kurse gjatë natës, nga ora 22:00 deri në 07:00 të mëngjesit, tarifa e ulët.

Sistemi bankar në krizë, bien të ardhurat

Sistemi bankar, në pamje të parë, ka shënuar një vit të mirë në 2016-ën. Aktivet u zgjeruan me ritmet më të larta në pesë vjet, depozitat u rritën kënaqshëm, kreditimi dha sinjale gjallërimi, ndërsa huatë me probleme u ulën. Por, në brendësi, gjërat nuk janë aq mirë sa duket. Rritja e huadhënies erdhi pothuajse tërësisht nga kredia që po jepet jashtë vendit, ndërsa ajo brenda vendit është në rënie. Depozitat po rriten tërësisht nga kahu i valutës, duke bërë që Banka e Shqipërisë të japë alarmin për nivelin e lartë të euroizimit. Fitimet e sistemit u reduktuan dhe ato janë të përqendruara vetëm në pak banka. Reduktimi i kredive me probleme (NPL) erdhi tërësisht nga fshirja e huave që kanë më shumë se tre vjet që nuk u kthehen bankave, ndërsa sistemi vijoi të gjenerojë NPL të reja, edhe si rrjedhojë e falimentimeve të mëdha. Totali i aktiveve të sistemit bankar arriti në 1.4 trilionë lekë në fund të vitit 2016, sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, duke u zgjeruar me 6.8%. Këto janë ritmet më të larta të rritjes që nga viti 2011. Një vit më parë, zgjerimi i aktiveve ishte minimal, prej vetëm 1.9%. Megjithatë, pjesa më e madhe e bankave kanë raportuar rënie të të ardhurave të aktivitetit, për shkak të reduktimit të normave të interesit të kredisë, që janë burimi kryesor i të ardhurave. Banka më e madhe në vend nga qarkullimi vjetor është BKT, me rreth 17.6 miliardë lekë të ardhura, me rënie 2.7% me bazë vjetore. Banka e dytë është Raiffeisen, me të ardhura 13.9 miliardë lekë (-10%) në 2016-ën. Banka është pozitive për 2017-ën. “Duke qenë se rritja e GDP pritet të jetë afër 4%, mendoj se ky fakt do të na japë më shumë mundësi ne si bankë dhe sistemit bankar në përgjithësi”, pohon z. Christian Canacaris, drejtor i Raiffeisen Bank. Banka e tretë më e madhe në vend nga të ardhurat është Credins, me një rritje prej 1%, në 10.3 miliardë lekë, sipas të dhënave të raportuara nga Tatimet. “Credins Bank, më 31 dhjetor 2016, rezultoi me rritje në të gjithë treguesit financiarë, duke e mbyllur vitin me aktive 166.94 miliardë lekë, në depozita 143.04 miliardë lekë, në kredi 109.26 miliardë lekë dhe të diversifikojë ofertën, duke siguruar gjatë vitit 2016 pozicionimin si banka e tretë më e fuqishme në vend”, ka pohuar z. Maltin Korkuti, drejtor i Credins Bank. Intesa Sanpaolo është banka e katërt më e madhe në vend nga të ardhurat, që arritën në gati 6.5 miliardë lekë, me rënie 10%, sipas tatimeve. Zoti Silvio Pedrazzi, drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv dhe Anëtar Bordi i bankës, thotë se ai ka shumë arsye për të qenë i kënaqur, pasi banka ka arritur shumë rezultate pozitive, p.sh., reduktim domethënës të stokut të kredisë me probleme (NPL) dhe normës së NPL-së (shumë më poshtë nivelit mesatar të sistemit), një rritje të cilësisë së portofolit të kredisë, rritje të pjesës së tregut për “kredinë për rezidentët”, optimizim efektiv të kostove, si dhe fitim neto të konsiderueshëm. Societe Generale ka kaluar në bankën e pestë më të madhe në sistem sipas të ardhurave (duke i zënë vendin NBG), në një nivel prej 3.9 miliardë lekësh (3%), sipas të dhënave nga Tatimet. “Banka jonë ka treguar gatishmëri konkrete, duke qenë ndër mbështetësit më të mirë të rritjes së kredisë në vend, duke mbështetur ekonominë shqiptare në të dy kahet: kompanitë, në nevojat për likuiditet dhe investime dhe individët në planet dhe kapacitetet konsumatore”, tha z. Frédéric BLANC, drejtor ekzekutiv i Societe Generale. E gjashta është Banka Alpha, me 3.1 miliardë lekë të ardhura në 2016-ën, me tkurrje 10% me bazë vjetore. E shtata është Tirana Bank, me 2.7 miliardë lekë të ardhura duke u reduktuar me 17%. Union Bank ka deklaruar një qarkullim vjetor prej rreth 2.2 miliardë lekësh, me tkurrje rreth 5%. “Ne përsëri i arritëm dhe i tejkaluam objektivat e vendosura në të gjitha parametrat e saj: depozitat, kreditë, profitabiliteti. Vazhdojmë ritmin tonë standard të një rritjeje të kujdesshme dhe të sigurt, në të gjitha aspektet, në të gjithë treguesit”, thotë Gazmend Kadriu, drejtor i Union Bank. NBG Albania ka parë rënie të të ardhurave me 2%, në 1.9 miliardë lekë. Më pas renditet Banka Amerikane e Investimeve (ish-Crédit Agricole që në 2015-ën u ble nga NCH Capital), me 1.4 miliardë lekë të ardhura, sipas deklarimeve në bilanc, e vetmja me rritje të lartë prej 27%, teksa banka ka qenë shumë agresive në vitin e parë të plotë të aktivitetit.