23.5 C
Tirana
E martë, 8 Korrik, 2025

Ministri për Europën, jo më Ministri e Jashtme

Një risi në strukturën e qeverisë. Burime zyrtare i thanë “Top Channel” se në Presidencë ka mbërritur e firmosur kërkesa e Kryeministrit Rama për dekretimin e qeverisë së re.
Të njëjtat burime treguan për një risi në emërtimin e Ministrisë së Jashtme. Tanimë dikasteri i drejtuar nga Ditmir Bushati do të quhet Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme.
Mesa duket, Edi Rama ka reflektuar në këtë ndryshim, njëfarë shqetësimi që ngjalli mungesa jo vetëm e shkrirjes së Ministrisë së Integrimit Europian, po edhe thjesht mungesa e termit “integrim europian” në përbërjen e kabinetit të ri, shqetësim që u shpreh dhe nga ambasadori i BE në Tiranë.
Por njëkohësisht, Kryeministri e ka plotësuar këtë boshllëk semantik në ballinën e qeverisë së re, duke zgjedhur emërtimin Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme.
Por nga ana tjetër, emërtimi i ri i Ramës duket sikur thotë se Shqipëria është në Europë, ka një ministri për Europën dhe Integrimi nuk është më një shtojcë ministrore apo semantike, po një aspekt i përkatësisë europiane të Shqipërisë.

Azilantët e kthyer: Do të ikim prapë sepse këtu nuk rrihet

Hekuran Koçi është babai i katër fëmijëve, të cilit iu refuzua azili në Gjermani. U kthye me katër fëmijët dhe bashkëshorten më 27 korrik nga autoritetet gjermane. Në sytë e tij ka shumë dëshpërim për të ardhmen e fëmijëve. Jo vetëm me shqetësimin e regjistrimit të fëmijëve në shkollë, por me një sërë shqetësimesh të tjera po përballet familja e tij. Hekurani shprehet për “Ora News” se, po mundohet që të ikë bashkë me familjen prapë në Gjermani sepse këtu nuk rrihet.
Të dy familjet kanë qëndruar për dy vjet në Dusseldorf dhe kanë disa ditë që janë riatdhesuar. Të parët burrë e grua, prindër të tri fëmijëve, thonë se kanë ardhur të pajisur me të gjithë dokumentacionin e fëmijëve dhe janë në pritje të regjistrimit, por nuk janë të sigurtë a do u njihen vitet e shkollimit atje.
“Kërkoj regjistrimin e kalamanjve që ka dalë si procedurë nga MAS që kur vijnë fëmijët nga jashtë të regjistrohen pa probleme. Bëra gati një javë që vij këtu. Po pres. Dy djemtë i kam 8 dhe 9 vjeç dhe vajza 13. Ndenjëm 2 vjet në Gjermani që fëmijët të mbaronin semestrin e plotë. Na rikthyen me dëftesa dhe të gjitha të rregullta. I kemi dorëzuar, të shohim. Këta në Parlament na thonë: Kemi kushtet e Gjermanisë. Nuk i afrohen. Është budallallëk. Krahason hënën me diellin”, thotë bashkëshorti.
Ndërkohë bashkëshortja u shpreh: “Ne e morëm rrugën për më mirë, do të donim të jetonim atje, por ishte e pamundur sepse azili ekonomik nuk merrej parasysh, nuk kishte shanse. E mira ishte se fëmijët u shkolluan”.
Dëshpërimi në sytë e tyre dallohet qartë. Hekuran Koçi së bashku me bashkëshorten dhe tre fëmijët do të largohej nga Shqipëria në korrik të 2015 për t’u kthyer 2 vite më pas, por tani baba i katër fëmijëve. Fajëson qeverinë shqiptare për kthimin, pasi sipas tij, për faj të tyre shteti gjerman i deportoi. Të ardhmen nuk e sheh këtu, duke deklaruar se pret mundësinë më të parë për t’u larguar sërish. Koçi tregon se është i papunë dhe se po mbahen me ato pak kursime nga asistenca sociale që kanë marrë në shtetin gjerman.
Hekuran Koçi: Kam ikur më 20 korrik të 2015 dhe jam kthyer më 20 korrik 2017 me avion. Ika me tre fëmijë, u ktheva me katër. Të jepnin lekë po të lindje fëmijën atje, 600 euro. Mbaroi azili na kthyen. Flasin këta tanët, se të ishte për shtetin gjerman nuk ishim këtu. Thonë i kanë të gjitha kushtet këtu. Çfarë kushtesh? Unë pa punë, vetë i gjashti. Erdha në DAR për të regjistruar fëmijët në shkolla. Duhen përkthyer dëftesat, duhen noterizuar. Shkova i përktheva, 40 mijë lekë për përkthimin. I kam sjellë tani, të shohim a i pranojnë pa i noterizuar. Kam qëndruar në Dusseldorf. Kushtet atje si nata me ditën. Çova këtu vaksinat që i ka bërë fëmija 8 vjeç, më thanë i ka bërë deri në moshën 14 vjeç”.
“Goca deri në moshën 18 vjeç, çuni po ashtu, tjetri. Këtu nuk ka vaksina, vaksinat që i kanë bërë atje nuk i sheh as në ëndërr këtu. Bëri një operacion në kockë se nuk hapte dot dorën, pati dhe një ndërhyrje tjetër, por na kthyen mbrapsht. Operacionin e bëri falas. Nuk bëhej fjalë as për shkollën, as shëndetësinë, asnjë lekë. Jepte 1600 euro rrogën mujore që hanin fëmijët. Tani akoma s’e kemi marrë veten, pa punë. Lekët e kursyera atje po i harxhojmë këtu. Po bëmë ndonjë gjë me ik prapë se këtu nuk rrihet. Ku të mundemi, derisa vendi yt nuk përgjigjet për asgjë. Këtu duan vetëm votat. Gocën e kam 16 vjeç, çunin 15, tjetrin 8 vjeç, të voglin 1 vjeç e tre muaj. Kam ardhur tre herë këtu në DAR, jo noterizoje, jo përktheje. Shkova me marr ujin, nuk e jepnin. Baba ka kush e di sa vite që ka vdekur. Kam paguar 120 mijë lekë vetëm për të marrë kontratën e ujit. Nuk e jepnin. U dhashë lekët më sollën ujin. Kështu është në Shqipëri, korrupsion. Jam mërzitur”, përfundon ai.

Radhë për librat shkollorë, prindërve u bie të fikët

Në prag të vitit të ri shkollor, qytetarët sërish nuk u kanë shpëtuar radhëve për të marrë tekstet mësimore. Frika se nuk do të arrijnë të marrin setin e plotë të librave ka detyruar prindërit të mbajnë radhë me orë të tëra në sportelet e librarive. “Fiks Fare” bëri një vëzhgim në disa pika të shitjes së librit në Tiranë. Qytetarët thanë se kishin lënë ditën e punës dhe kishin pritur në radhë të gjata për të marrë setin e plotë të librave për fëmijët e tyre. Ata pohuan se nuk munguan as rastet kur dikujt i ka rënë të fikët në radhë.
“Kemi që në ora 07:00 në radhë dhe tani që është ora 12:00 të paktën 2 personave u ka rënë të fikët. Për të mos u shtyrë në radhë kemi ndarë vetë bileta të improvizuara me numra, gjë që duhet ta bënin punonjësit e librarisë”, u shpreh një prind. Ata theksuan njëzëri se për të shmangur radhët librat duhet të ndahen në shkolla siç bëhej më parë. Ndërkohë, gazetarët e “Fiks Fare” iu drejtuan dhe shpërndarësit të librave për radhët e krijuara, i cili deklaroi se libra ka për të gjithë.
“Prindërit kanë maninë që t’i marrin që ditët e para librat dhe kjo sjell radhë. Nga ana tjetër, çdo libër do të kalojë në kasë dhe kjo do të kohën e vetë”, tha librashitësi. Por për Ministrinë e Arsimit procesi i shpërndarjes së librit shkollor vijon normal, madje me orare të zgjatura. Për përgjegjësin e sektorit të arsimit të mesëm në ministri, Dritan Sallaku, një fluks të shtuar ka patur vetëm në dy ditët e para. “Botuesit kanë operuar me orare të zgjatura deri në orën 20:00. Furnizimi me tekste është i sigurt”, tha zyrtari.

Mister zjarri që shkaktoi dëme në Bibliotekën Kombëtare

Gjashtë muaj pas rënies së zjarrit në një nga katet e nëndheshme të Bibliotekës Kombëtare, institucioni nuk jep një përgjigje për dëmin material të shkaktuar. Drejtuesit e Bibliotekës nuk japin asnjë informacion se sa është numri i gazetave apo revistave të djegura, titujt dhe cilës periudhë i përkasin, por nuk mori asnjë përgjigje. Informacioni i fundit nga Biblioteka Kombëtare për dëmet e shkaktuara nga zjarri është ai i fundit të marsit, ku thuhej se janë djegur tri rafte me libra, krijimtari në shqip e gjuhë të huaj pas viteve 2000, por jo i konfirmuar zyrtarisht.
Nga hetimet e kryera nga policia mësohet se ende nuk ka një inventar të plotë të botimeve të djegura. Burime nga policia thonë se Prokuroria e Tiranës nuk i ka deleguar policisë detyra për të kryer veprime që lidhen me inventarin.
Në paraditen e 15 marsit, për herë të parë në historinë e Bibliotekës Kombëtare, në një nga sektorët e katit të tretë të nëndheshëm u përpi nga zjarri. Nga këqyrja paraprake e ekspertëve u tha se shkak mund të jetë bërë një shkëndijë elektrike, por nuk përjashtohet mundësia e një gabimi njerëzor që çoi në flakë shtëpinë më të madhe të ruajtjes së librit. Edhe sot pas gjashtë muajsh ndeshesh me të njëjtin njoftim, Biblioteka Kombëtare nuk ofron asnjë shërbim nga katet e nëndheshme, duke bërë që frekuentimi në 3-mujorin e dytë të 2017 të kapte shifrën më të ulët në vitet e fundit, nga mbi 50 mijë një vit më parë shkoi në 26 mijë frekuentues.

Dhunohet mjekja në qendrën shëndetësore

Një mjeke është goditur me sende të forta në qendrën shëndetësore në qytetin e Durrësit. Sipas policisë, A.SH., 28 vjeçe u qëllua në vendin e punës së saj nga një 36-vjeçare T.M. Policia ka referuar materialet në Prokurorinë e Rrethit Durrës për 36-vjeçaren, e cila dyshohet se e ka goditur mjeken për shkak të detyrës.
Policia bën të ditur se një mjeke është goditur nga një grua gjatë orarit të punës në Durrës. Ngjarja ka ndodhur në qendrën shëndetësore në lagjen numër 4, ku është goditur mjekja me iniciale A.Sh., 28 vjeç, banuese në Durrës. Ka qenë 36-vjeçarja me inicialet T.M., banuese në Durrës, që e ka goditur doktoreshën me sende të forta. Sipas policisë, 36-vjeçarja ka qëlluar mjeken me sende të forta, për shkak të detyrës.

4 tonelatat e drogës të kapur në Itali u ngarkuan në det të hapur

Katër tonelatat e drogës së bllokuar tri ditë më parë nga Guardia di Finanza dyshohet se janë ngarkuar nga trafikantët shqiptarë në det të hapur. Ende nuk dihet se në ç’rrethana është ngarkuar lënda narkotike e kapur në jahtin e drejtuar nga Flamur Mema.
Ky i fundit është pronar i një peshkarexhe në Durrës. Në mjetin lundrues që ai drejtonte u kapën 4 tonë kanabis, ndërsa hetuesit dyshojnë se ajo mund të jetë transportuar në det të hapur me mjete lundruese si gomone apo skafe. Bashkë me Memën, u kapën Erinaldo Mezhika dhe Elidon Vladi.
Pala italiane është shumë e rezervuar për të dhënë më shumë informacion për homologët e tyre shqitarë nga frika e mundshme e dekonsperimit të aksionit, i cili vijon ende. Po kështu edhe hetimet vijojnë paralelisht edhe në vendin fqinj të Malit të Zi, pasi edhe aty ka persona të dyshuar se mund të jenë implikuar në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Vlera në total e drogës, e cila do të shitej përtej brigjeve të Adriatikut do të mbërrinte në shifrën e 40 milionë eurove.
Një ditë më parë, Guardia di Finanza shpërndau pamjet filmike të ndjekjes së jahtit me 4 tonë drogë sekuestruar prej tyre. Pasi u ndoqën për disa orë 3 shqiptarët u dorëzuan. Mjeti u ankorua në Bari ku u shkarkua lënda narkotike nga policia italiane.
Analizat laboratorike të marijuanës kanë vërtetuar se sasia e drogës së sekuestruar është e një cilësie mjaft të mirë. Edhe pse sasia e sekuestruar është vlerësuar të ketë një vlerë rreth 40 milionë euro, cilësia e lartë e saj mund të sillte për organizatat e trafikantëve një përfitim prej 100 milionë eurosh. Prokurorja Francesca Pirrelli në konferencën për shtyp ka deklaruar se, “po hetohet mbi pronarin e jahtit të sekuestruar, i cili rezulton me kalime të ndryshme pronësie mes Shqipërisë e Malit të Zi”.
Sasia e drogës ishte e konfeksionuar në pako me ngjyra të ndryshme që sipas financiarëve italianë ka të bëjë me klientët e klaneve të ndryshme që do të merrnin në dorëzim lëndën narkotike. Për autoritetet italiane kjo sasi e madhe droge e sekuestruar është një tregues se ky është një biznes jo në nivel province, por shumë më i gjerë.
Autoritetet italiane thonë se kanë nisur hetimet për zbardhjen e bashkëpunëtorëve të këtij grupi kriminal trafikantësh. Sipas autoriteteve italiane që nga fillimi i 2017 janë sekuestruar 28 tonë lëndë narkotike.
Pak ditë më parë, policia italiane sekustroi edhe 2.3 tonë kanabis të tjera që ishin shkarkuar në brigjet e Pulias, ndërsa skafistët mundën t’i shpëtonin prangosjes së rojes bregdetare italiane.

Zharrëza pa dëmshpërblim, banorët sërish në protesta

Gjashtë muaj më parë, dhjetëra banorë të Zharrëzit marshuan më këmbë drejt Tiranës dhe u ngujuan para Ministrisë së Energjetikë për banesat e tyre. Protesta u shua kur ata morën premtimin e kryeministrit për dëmshpërblimet.
Rreth 500 banesa në Zharrëz të Fierit vazhdojnë të jenë në gjendje të mjerueshme, madje një pjesë e tyre të braktisura si pasojë e dëmtimeve nga lëkundjet disa vjeçare. Procesi po ndiqet nga pushteti vendor dhe ai qendror dhe çështja ka mbetur tek Emergjencat Civile. Drejtues të Emergjencave thonë se, nga Enti Kombëtar i Banesave nuk është sjellë dokumentacioni i plotë për vlerësimin e dëmeve dhe vetëm pasi të sillen të kompletuara do të fillohet nga procedura e likuidimit.
Ndërkohë mbetet ende enigmë se çfarë i shkakton këto lëkundje në Zharrëz. Për të dalë në një konkluzion nëse janë shkaqe natyrore apo pasojë e teknologjisë që përdor Bankers Petroleum, është ngritur një grup ekspertësh, por që ende nuk ka dalë në një konkluzion.
Vetë banorët thonë se që kur kompanisë së naftës iu dha urdhër nga Ministria e Energjisë për ndërprerjen e operacioneve të injektimit me presion të lartë të ujit teknologjik në puset e lokalizuara, përreth fshatit Zharrës nuk ka pasur asnjë lëkundje. Banorët paralajmërojnë t’u rikthehen protestave nëse nuk do të marrin dëmshpërblimet para ardhjes së dimrit.
Siç tregojnë banorët e prekur, edhe pse kanë kaluar tre muaj që nga marrja e vendimit të Këshillit të Ministrave, banorëve ende nuk u janë shlyer dëmet e shkaktuara në shtëpitë e tyre. Duke qenë se tanimë ka nisur vjeshta dhe në zonë kanë filluar shirat, banorët e mbetur në qiell të hapur kërkojnë marrjen e masave, që së paku me ato para të kenë mundësi të gjejnë banesa me qira.
“Kjo sjellje nuk është serioze fare. Jemi në qiell të hapur. Kam disa kohë që po qëndrojmë nëpër miq e të afërm se s’kemi shtëpi. Tani erdhi edhe dimri. Në verë flinim edhe para oborrit, por tani nuk mundem t’i lë fëmijët jashtë. Shteti të na japë një ndihmë se jemi në hall të madh. S’dimë ku të shkojmë më e ta kërkojmë të drejtën tonë”, shprehet Lutfi Grema, një banor i zonës. Ndërkohë, edhe të tjerë që kanë të njëjtin fat, tregojnë se në fshat kanë shkuar për t’i vlerësuar dëmet, por askush nuk u ka kthyer një përgjigje më pas për t’u treguar se çfarë do të bëhet me kërkesat e tyre.
“Erdhën një grup me përfaqësues nga të gjitha institucionet dhe na vlerësuan dëmet. Edhe pse nuk ishin realistë, pasi na dhanë shumë pak nga ajo çfarë ishte dëmtuar, ne pranuam. Ata nuk na dhanë as ato pak. Tani ia hedhin topin njëri-tjetrit e askush nuk di të na thotë se çfarë po bëhet e kur do t’i marrim lekët. Nuk kemi më durim. Jemi mbledhur të gjithë dhe së shpejti do të nisim prapë protesta”, shprehet Enver Aliaj.
Zgjidhja e çështjes për banorët e Zharrëzës po zvarritet për shkak se institucionet po ia kalojnë topin njëra-tjetrës. Odiseja me banesat e Zharrëzës ka nisur prej vitesh. Banorët akuzuan kompaninë e naftës “Bankers” se po u dëmtonte banesat nga shfrytëzimi pa kriter i nëntokës. Këtë fakt e pohuan më vonë edhe ekspertë të naftës, të cilët thanë se injektimit i ujit në puse, që sillte përfitime të mëdha të naftës, trondiste tokën fort.
Kjo shkaktonte lëkundje te banesat e banorëve, të cilët kanë protestuar me dhjetëra herë dhe asnjëherë nuk gjetën zgjidhje. Ndërkohë banorët kanë kërkuar edhe që kompania të largohej, ndërsa në shkurt të këtij viti, ata nisën një marshim në këmbë drejt Tiranës si protestë për plotësimin e kërkesave të tyre. Pas negociatave erdhi dhe një vendim i Këshillit të Ministrave që ngriti grupin e ekspertëve për të vlerësuar dëmet.

Çfarë po ndodh me shqiptarët, me mijëra po ikin edhe nga Kosova

Jo vetëm nga Shqipëria ikja masive e shqiptarëve, por edhe nga Kosova. Me fëmijë para duarsh që i ka zënë gjumi, Fatime Feta të mërkurën mbrëma priste bashkë me bashkëshortin autobusin e linjës Prishtinë-Beograd.
Afër tyre janë edhe dhjetëra qytetarë të tjerë që presin autobusët e së njëjtës linjë, duke synuar më pas ilegalisht kalimin e kufirit drejt Hungarisë.
Për shkak të kushteve të vështira ekonomike ata nuk dëshirojnë të qëndrojnë më në Kosovë, por synojnë të arrijnë në një shtet të Bashkimit Evropian, ku edhe do të kërkojnë azil.
“Populli po e lëshon Kosovën, po ikën për një euro”, thotë Fatimja për “Zërin”, derisa rrëfen se deri te vendimi për të ikur jashtë vendit e shtyu mungesë e punësimit.
Ajo thotë se më parë kishte punuar si pastruese, por ishte larguar nga puna padrejtësisht.
“Me gjashtë fëmijë po largohem, të voglin e kam katër vjeç, për këta fëmijë po e bëj këtë sakrificë”, thotë ajo.
Bashkëshorti i saj Fetahu thotë se kanë paguar 15.5 euro për një biletë për në Beograd.
“Veç mos pastë vend se sonte kam mu nis, biletat i kam”, thotë ai derisa shpreh mllefin në qeverinë që, sipas tij, nuk po krijojnë vende pune.
Drejtori i Stacionit të Autobusëve Ylber Çitaku, ka bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë se përkohësisht kanë ndërprerë të gjitha linjat e relacionit Prishtinë – Beograd.
Ky vendim, sipas tij, është marrë pasi që siç thotë Çitaku, ‘individë të papërgjegjshëm së fundi kanë blerë bileta dhe gjatë rrugës kanë kërkuar të zbresin nga autobusi’.
“Për shkak të gjendjes së krijuar dhe sjelljeve të pa përgjegjshme të disa individëve të cilët blejnë bileta futen në autobusë dhe gjatë rrugës kërkojnë të zbresin ose nuk futen fare në autobus, me që rast krijojnë situata joserioze, shkaktojnë çrregullim, krijojnë edhe humbje për operatorët transportues”, thotë Çitaku.
Vendimi për ndërprerjen e linjës së autobusëve Prishtinë – Beograd, thotë ai, fillon së zbatuari që nga sot dhe do të zgjasë deri në një njoftim të radhës.

Traseja e gazsjellësit kushton 618 milionë euro

Gazsjellësi Jonian-Adriatik ka mbledhur në Tiranë palët e përfshira direkt në këtë projekt siç janë vendet që do të ndërlidhë, si dhe ambasadorë dhe donatorë. Në fjalën e tij ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri ka vënë theksin tek gazifikimi dhe rritja e sigurisë energjetike të vendit.
Në takim morën fjalën edhe ambasadorët Donald Lu i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Romana Vlahutin e Delegacionit të BE në Tiranë, të cilët vlerësuan ecurinë e deritanishme të projektit TAP, si dhe projektet e gazifikimit për të cilat Shqipëria ka shprehur ambicie.

Projekti IAP

Projekti i gazsjellësit Jonian-Adriatik (Projekti IAP), synon të lidhë sistemin ekzistues të transmetimit të gazit të Republikës së Kroacisë, nëpërmjet Bosnje-Hercegovinës (në det), Malit të Zi dhe Shqipërisë me sistemin e gazsjellësit Trans Adriatic (Projekti TAP).
Sipas Studimit të Fizibilitetit traseja përfundimtare e projektit IAP ka një gjatësi prej 511 km dhe shpenzimet totale të investimit për zhvillimin e projektit IAP parashikohen në shumën 618 milionë euro. Po sipas studimit, gjatësia e pjesës së projektit IAP në Shqipëri dhe Malin e Zi është rreth 162 km, ndërsa investimi në total llogaritet në rreth 288 milionë euro.
Ndërtimi i këtij gazsjellësi transmetimi do të bëjë të mundur gazifikimin e Shqipërisë dhe Malit të Zi, si dhe zgjerimin e sektorit të gazit në Kroacinë Jugore dhe Bosnjë e Hercegovinë, duke siguruar një furnizim të larmishëm dhe të besueshëm të gazit natyror.
Ky projekt transmetimi për furnizim me gaz natyror parashikohet që të ketë një kapacitet vjetor në rreth 5 miliardë m3 gaz (ose 5 bcm). Llogaritet për 1 bcm për Shqipërinë, 0,5 bcm për Malin e Zi, 1 bcm për Bosnje dhe Hercegovinën dhe 2,5 bcm për Kroacinë.
Nga Fieri, Shqipëri, tubacioni shkon në drejtim të veriut duke arritur Tiranën, duke vazhduar më tej në drejtim të kufirit me Malin e Zi afër Shkodrës. Në kufi, tubacioni kalon lumin Buna dhe shkon në drejtim të Tivarit (Bar). Së fundi, nga Plloçe në Kroaci, rruga vazhdon në drejtim të veriperëndimit, duke arritur Dugopolje pranë qytetit të Splitit (Kroaci).
Ministria e Ekonomisë e Malit të Zi dhe Ministria e Energjisë dhe Industrisë e Shqipërisë, në bashkërendim edhe me DG ENERGY, kanë përgatitur dhe kanë paraqitur një propozim të përbashkët për financim nga WBIF (Raundi 15) për projektet kryesore teknike të pjesës Shqipëri dhe Mali i Zi të projektit IAP.

 

Trump surprizon republikanët, kompromis me demokratët

Republikanët në Kongres po reagojnë me pakënaqësi pasi Presidenti Donald Trump i zuri në befasi udhëheqësit e tyre, duke rënë dakord me demokratët për një zgjatje tre muaj të afatit të tavanit të borxhit, gjë që e vendos partinë e tij në pozitë të vështirë vetëm pak më shumë se një vit para zgjedhjeve të Kongresit.
Reagimi i republikanëve ndaj marrëveshjes u shndërrua nga habi në zemërim dhe më pas në një mbështetje hezituese për një pakt për të cilin ata mendojnë se përfitojnë demokratët.
“Është një tradhtim i çdo gjëje që ne jemi përpjekur të bëjmë si republikanë prej vitesh”, tha ish-senatori republikan, Jim DeMint në një intervistë me gazetën “Politico”.
Anëtari i Kongresit, Mark Meadows përdori një ton më të matur. Ai tha se Presidenti Trump i kishte thënë se e kishte bërë marrëveshjen që të mund të përqendrohej tek reforma e taksave.
Marrëveshja i vuri në pozitë të vështirë udhëheqësit republikanë, përfshirë kreun e shumicës në Senat, Mitch McConnell dhe kreun e Dhomës së Përfaqësuesve, Paul Ryan. Vetëm disa orë para shtyrjes së afatit për tavanin e borxhit, zoti Ryan e kishte quajtur “qesharake” idenë e kësaj shtyrjeje.
Por shumë përkrahës të zotit Trump e përshëndetën këtë lëvizje. Ish-guvernatori i Arkansas, Mike Huckabee, e quajti marrëveshjen, një hap të mprehtë që sipas tij kishte si synim të ushtronte presion ndaj partisë së tij për të siguruar fitore legjislative që votuesit kishin kërkuar kur u dhanë republikanëve kontrollin e dy dhomave të Kongresit.
Demokratët ishin të entuziazmuar me marrëveshjen. Udhëheqësi i pakicës në Senat, Chuck Schumer e quajti një “hap pozitiv përpara” që do të shmangte skadimin e borxhit dhe do të siguronte miratimin e shpejtë të fondeve për viktimat e uraganit në Teksas dhe Luiziana.