Dosje më parë të klasifikuara të Mossadit, rreth përpjekjeve të pasuksesshme të agjencisë së spiunazhit për të kapur nazistin famëkeq, Dr. Josef Mengele do të vihen në dispozicion të publikut në fund të kësaj jave.
Raportet, fotografitë dhe harta nga dosja me emrin e koduar “Meltzer File” për ndjekjen që iu bë të ashtuquajturit “Engjëlli i vdekjes” janë midis tri vëllimeve të mbledhura nga njësia e historisë e Mossadit, rreth operacioneve për të kapur kriminelët nazistë të luftës, që shtrihen nga viti 1959 deri në vitin 1991.
Kjo do të jetë hera e parë që agjencia e inteligjencës së Izraelit do të nxjerrë publikisht dosje të tilla, një konfirmim ky i rëndësisë historike të përmbajtjes së tyre.
Autori i studimit është Yosef Chen, 81 vjeç, një i mbijetuar i holokaustit i lindur në Poloni, i cili erdhi në Izrael në anijen Exodus në vitin 1947 dhe u bashkua me Mossadin në vitin 1976. Ai kaloi shtatë deri në tetë vitet e fundit duke punuar për këtë libër.
Një nga dokumentet përmban përfundimin e mbledhjes së fshehtë të kabinetit, të thirrur nga kryeministri i atëhershëm, Menachem Begin, në vitin 1977: “Ne vendosëm të udhëzojmë Mossadin që të vazhdojë kërkimin për kriminelët nazistë të luftës, sidomos Joseph Mengele, me qëllim që t’i sjellin para gjyqit në Izrael. Nëse ata nuk mund të sillen në gjyq – të vriten!”.
Dosja e Mossad për “Engjëllin e vdekjes”
Uragani Irma me pasoja katastrofike

Uragani Irma ka një fuqi rekord. Ai ka një fuqi rreth dy herë më shumë se të gjitha bombat e përdorura në Luftën e Dytë Botërore, thonë ekspertët.
Louis Uccellini, drejtor i Shërbimit Kombëtar të Motit, tha se ishte i shqetësuar për Floridën deri në bregun lindor të Karolinës së Veriut, duke filluar nga Florida Keys.
Ai paralajmëroi se, “të gjitha risqet që lidhen me këtë stuhi” do të jenë të frikshme.
Eksperti i uraganëve Kerry Emanuel i MIT llogarit se Irma mban rreth 7 trilionë watt – dy herë më shumë se energjia e të gjitha bombave të përdorura në Luftën e Dytë Botërore.
Deri tani, stuhia ka vrarë të paktën tetë vetë dhe ka lënë 23 të plagosur në territoret e ishujve francezë, ka thënë ministri i Brendshëm francez.
“Kjo nuk është, deri tani, një shifër definitive … nuk kemi kontrolluar të gjitha pjesët e ishullit”, tha prefekti Guadeloupe Eric Maire, duke shtuar se numri i të vdekurve do të rritej në orët e ardhshme.
Qendra e uraganit Irma po zhvendoset përtej Republikës Domenikane, si një stuhi e kategorisë 5 që mund të ketë pasoja katastrofike.
Qendra Kombëtare amerikane e Uraganëve thotë se megjithëse syri i stuhisë është larg nga brigjet e vendit, erërat e Irmës, fryrja e ujërave dhe reshjet e shiut vazhdojnë të jenë vdekjeprurëse për Republikën Domenikane. Të njëjtat kushte priten edhe në Ishujt Turks dhe Caicos dhe në Bahamas.
Irma shkaktoi vdekjen e të paktën një personi në Barbuda dhe tetë të tjerëve në St. Martin, pasi përshkoi ata ishuj si një stuhi e kategorisë 5 me erëra që kapën shpejtësinë maksimale prej 285 kilometrash në orë. Qendra e Uraganëve thotë se Irma do të mbetet një stuhi e kategorisë 4 ose 5 për disa ditë.
Irma kaloi në Porto Riko gjatë natës, duke lënë pa energji elektrike rreth 1 milion vetë. Kreu i kompanisë elektrike në këtë territor amerikan tha se mund të duhen katër deri në gjashtë muaj derisa energjia të rikthehet plotësisht.
Presidenti amerikan, Donald Trump ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në Porto Riko. Ky veprim e autorizon Agjencinë Federale të Menaxhimit të Emergjencave, për të koordinuar përpjekjet kundër katastrofave në ishull.
Të shtunën, Irma pritet të prekë Floridën. Parashikimet më të fundit tregojnë se uragani do të shkojë pranë Majamit dhe do të kalojë në bregun lindor të shtetit.
Zyrtarët në pjesën jugore të Floridës kanë urdhëruar evakuimin e banorëve në zonat pranë bregut. Të mërkurën kishte radhë të gjata në qendrat e karburantit dhe dyqanet e ushqimeve, ndërsa njerëzit largoheshin për të shkuar në zona më të sigurta ose donin të furnizoheshin me ushqime të mjaftueshme sa të kalonte stuhia.
Guvernatori i Floridës, Rick Scott u tha banorëve që të përgatiteshin tani dhe të mos shpërfillin urdhrat për evakuim të detyrueshëm.
“Shtëpitë mund t’i rindërtoni, por jetën nuk e ktheni dot”, tha ai.
Dosja e Trump, në gjyq FBI e Departamenti i Drejtësisë
Komiteti për Inteligjencë i Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA ka lëshuar thirrje të detyrueshme për gjyq për Departamentin e Drejtësisë dhe FBI-në, në lidhje me një dosje, në të cilën pretendohet se Rusia ka mbledhur informacione komprometuese për Presidentin amerikan, Donald Trump.
Demokrati i Komitetit, Adam Schiff, tha se ai dhe demokratët e tjerë i kundërshtojnë thirrjet për gjyq, të cilat, sipas tij, republikanët i kanë bërë në përpjekje për të diskredituar autorin e dosjes, Christopher Steele, ish-oficer britanik i inteligjencës.
Republikanët, që kanë shumicën në të gjitha komitetet e Kongresit, thonë se duan të dinë origjinën e dosjes dhe nëse ajo është krijuar për të sabotuar Trumpin, gjatë fushatës presidenciale, vitin e kaluar.
Në letrën dërguar Departamentit të Drejtësisë, e cila është parë nga agjencia e lajmeve “Associated Press”, Komiteti sqaron se thirrjet për gjyq janë lëshuar më 24 gusht.
Departamenti i Drejtësisë dhe FBI nuk e kanë respektuar afatin fillestar për paraqitje në gjyq më 1 shtator dhe ky afat tani është shtyrë për 14 shtator.
Letra është nënshkruar nga kryetari i Komitetit për Inteligjencë, Devin Nunes, i cili është tërhequr nga hetimet e Rusisë muaj më parë, pasi është parë si i afërt me Shtëpinë e Bardhë.
Republikani Mike Conaway ka marrë përsipër rolin udhëheqës të hetimeve, por si kryetar, Nunes e ka fuqinë për të lëshuar thirrje të detyrueshme për gjyq.
Sipas letrës, në thirrjet për gjyq kërkohen të gjitha dokumentet që lidhen me dosjen, si dhe informacione nëse Departamenti i Drejtësisë ka qenë i përfshirë në prodhimin e saj.
Nëse dokumentet e kërkuara nuk dorëzohen, Komiteti do të detyrojë prokurorin e Përgjithshëm, Jeff Sessions dhe drejtorin e FBI-së, Christopher Wray, të dëshmojnë në seancë të hapur.
Edhe Sessions, në muajin mars, është detyruar të tërhiqet nga hetimet për Rusinë, sepse është konstatuar se ka gënjyer në lidhje me kontaktet e tij me Rusinë.
Christopher Wrayn, Trump e ka emëruar në postin e drejtorit të FBI-së pasi në muajin maj ka shkarkuar drejtorin e deriatëhershëm, James Comey, i cili ka refuzuar kërkesën e Trumpit për të ndaluar hetimet mbi lidhjet e fushatës së Trumpit me Rusinë.
Dosja ka tërhequr vëmendjen e publikut në muajin janar, kur është zbuluar se Comey e ka informuar Trumpin, pak përpara inaugurimit të tij si president, se Rusia ka grumbulluar akuza personale dhe financiare për të.
Nuk është e qartë se çfarë saktësisht përmbajnë akuzat në dosje dhe nëse ato janë verifikuar nga FBI.
Komiteti i Inteligjencës i Dhomës së Përfaqësuesve është njëri prej disa paneleve që heton akuzat për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale në SHBA vitin e kaluar dhe për bashkëpunimin e mundshëm të Moskës me fushatën e Presidentit Trump.
Rusia e ka hedhur poshtë përzierjen, ndërsa Trump e ka kundërshtuar çfarëdo bashkëpunimi me Moskën.
Ushtria moldave i bashkohet NATO-s pa Presidentin
Ushtria e Moldavisë do të marrë pjesë në provat multinacionale më 8 dhe 23 shtator në Ukrainë, përkundër kërkesës së presidentit pro rus, Igor Dodon që Moldavia të mos marrë pjesë në këto stërvitje.
Ministria e Mbrojtjes së Moldavisë ka thënë se, ushtria do të marrë pjesë në manovrat që do të mbahen në Rapid Trident, ku do të marrin pjesë 1.800 trupa nga 14 shtete të ndryshme, shumica anëtare në NATO.
Dodon ka paralajmëruar në rrjetin social Facebook se ai e ka refuzuar kërkesën e Ministrisë së Mbrojtjes për të dërguar trupat ushtarake në prova, duke thënë se “përfshirja e Moldavisë në manovra ushtarake jashtë kufijve kombëtarë” është e papranueshme.
Qeveria e Moldavisë ka refuzuar vendimin e presidentit, Igor Dodon.
Manovrat ushtarake në Rapid Trident, në veri të Ukrainës, në afërsi me kufirin polak, kanë për qëllim të përmirësojnë ndërveprimin në mes të forcave anëtare të NATO-s dhe partnerëve të tyre të Programit të Paqes.
Bomba me hidrogjen më shkatërruese se atomikja, dëmet e saj
Koreja e Veriut tha se testoi me sukses një bombë termobërthamore, një bombë hidrogjeni, e cila shkaktoi një tërmet me 6.3 ballë. Po çfarë është një bombë me hidrogjen? Dhe pse, nëse konfirmohet, ky shpërthim i ri do të ishte veçanërisht shqetësues?
Edhe më shkatërrimtare
Bomba me hidrogjen ose Bomba-H është arma më shkatërruese bërthamore e krijuar ndonjëherë nga njeriu. Në aspektin ushtarak, konsiderohet një evolucion i bombës atomike “të thjeshtë” dhe funksionon me një reaksion të fuzionit termobërthamor, jo shumë ndryshe nga ajo që ndodh brenda Diellit.
Kjo armë është shumë më e fuqishme se bombat atomike që goditën Hiroshimën dhe Nagasakin.
Një bombë “tradicionale” atomike është e bazuar në procesin e ndarjes në zinxhir të bërthamës atomike të një materiali të zbërthyeshëm (si urani 235 apo plutoni 239), e cila ndodh në mënyrë të pakontrolluar dhe lëshon një sasi të madhe energjie.
Një fazë e mëtejshme
Në Bombën-H shtohet edhe një fazë: zbërthimi atomik përdoret për të krijuar një shpërthim të parë dhe për të shkaktuar reaksionet e fuzionit bërthamor (më i dhunshëm) që gjenerojnë temperaturat dhe trysni, në gjendje për të transformuar hidrogjenin që përbahet në një serbator brenda bombës në helium, në një mënyrë të ngjashme me atë që ndodh me Diellin. Prandaj Bomba-H shpesh quhet një bombë atomike “me dy faza”.
Krahasimi
Janë pikërisht dy fazat e shpërthimit që e bëjnë edhe më të rrezikshme se një bombë atomike: në qoftë se një pajisje konvencionale bërthamore ka një fuqi shpërthyese prej 15-20 kilotonë, bomba me hidrogjen e testuar më 1 nëntor 1952 nga amerikanët në ishullin Elugelab, në Paqësor (i ashtuquajturi “Mike Test”), i pati një fuqi prej 11 megaton, 800 herë më shumë se bomba e Hiroshimës dhe një valë të nxehti që arriti një rreze 56 km. Në fakt, elementi më shkatërrues dhe i rrezikshëm në rastin e një bombe me hidrogjen është shpërthimi, jo rrezatimi.
Nëse teknologjia për një bombë termonukleare është e njohur – Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Sovjetik dhe Britania e kanë zhvilluar atë në vitet 1960 – pak më pak të ditura dhe më komplekse janë ndërtimi dhe gjetja e hidrogjenit të nevojshëm.
Historia e Bombës-H
Në vitet ‘50 zhvillimi i bombës atomike nga ana e sovjetikëve u dha krahë fajkonjve në Amerikë për të promovuar një armë edhe më shkatërruese bërthamore: bombën me hidrogjen ose Bombën-H.
Avokati i saj ishte fizikani i lindur në Hungari, Eduard Teller, i cili edhe u përpoq të bënte komplot kundër Robert Oppenheimerit, babait të bombës atomike amerikane. Ky i fundit, në fakt, besonte se bomba atomike ishte tashmë një pengesë e mjaftueshme për të dekurajuar çdo sulm ndaj SHBA. Por udhëheqësit ushtarakë dhe politikë të Uashingtonit tashmë kishin vendosur ta “hiqnin qafe”, si pengesë.
Pra, projekti i ri iu besua një grupi të përbërë nga dy fizikantë amerikanë, Richard Garuin dhe Eduard Teller, si dhe një matematikan polak, Stanislav Ulam. “Po të mos kishim punuar ne”, tha Garuin, “shkencëtarët ushtarakë do ta kishin bërë vetë. Dhe gjithçka do të përfundonte në duart e ushtrisë, pa asnjë mundësi kontrolli të jashtëm”.
Ishulli i shkatërruar
Më 1 nëntor 1952, Shtetet e Bashkuara kryen testin “Mike”, i cili zhduku plotësisht Elugelabin, një ishull të Paqësorit. Një vit pas u erdhi radha rusëve. Më shumë se armë ishin, në fakt, instrumente të shfarosjes: nëse atomikja e Hiroshimës kishte shkatërruar një qytet dhe vrarë 200,000 njerëz, një megabombë me 11 megatonë mund të fshijë një metropol me 20 milionë banorë.
Sakharov, babai i bombës-H sovjetike
Ka një histori brenda historisë së bombës me hidrogjen dhe ka të bëjë me një shkencëtar me reputacion, Andrej Sakharov (1921-1989). Kur ishte vetëm 27 vjeç, ai ndodhej tashmë në Arzamas-16, një qytet i fshehtë ku sovjetikët ndërtuan arsenalet e tyre bërthamore. Ai ishte babai i Bombës-H sovjetike, që u zhvillua për të mbrojtur atdheun e tij. Por në vitin 1961, ai ndryshoi mendje. Së pari planifikoi një test në atmosferë me një bombë prej 100 megaton, pastaj kuptoi se ky test do të shkaktonte një kontaminim radioaktiv dhe përgjysmoi fuqinë e bombës. Në fund, ai nisi të mbrojë të drejtat e njeriut dhe u bë disident: u arrestua, u izolua në Gorkij, i mbikëqyrur nga KGB. Ai fitoi Çmimin Nobel për Paqe në vitin 1975, por nuk mundi ta tërhiqte atë. U lirua në vitin 1986 falë Gorbaçovit.
“Focus”
Blitz nga futbolli
Presindenti i Lyon, Aulas, në një intervistë për “Gazzetta dello Sport”, foli për mostransferimin e Tolisso te Juventusi, me lojtarin që në fund kaloi në formë huazimi te Bayern Munich. Numri një i klubit francez tha se 23-vjeçari sezonin e kaluar ishte shumë pranë kalimit te bardhezinjtë, por këtë vit nuk shfaqën interes, pasi “Zonja e Vjetër” kishte ndryshuar objektivat në merkato.
Trajneri i Arsenalit, Arsene Wenger shpjegoi impaktin ekonomik që do të ndikojë te “Topçinjtë” mbajtja në skuadër e Alexis Sanchez. Francezi tha se mbajtja e kilianit deri në fund të kontratës së tij, kërkon një sakrificë prej 60-70 milionë stërlinash dhe në fund të sezonit duhet të blesh një tjetër lojtar, me po të njëjtën shifër.
E ardhmja e Sosa pritet të jetë në Turqi. Lojtari i Milan-it mund të veshë shumë shpejt fanellën e Trabzonspor. Për të bindur mesfushorin argjentinas, që të largohet nga kuqezinjtë, ishte vendimi i klubit turk, për të rritur ofertën në drejtim të tij. 32-vjeçarit do t’i garantohen rreth 5 milionë euro për 3 sezone, ndërsa në arkat e Milanit do të derdhen 6 milionë.
Chelsi do të përdorë Costën
Chelsea ka gati planin për transferimin e Antoine Griezmann. Gjatë kësaj vere “Blutë e Londrës” tentuan të transferonin sulmuesin e Atletico Madrid. Tratativat vazhduan për javë të tëra, por ishte francezi ai që i dha fund bisedimeve, pasi vendosi që të mos braktiste “Los Colchoneros” deri në përfundim të pezullimit të vendosur nga UEFA për zhvillimin e merkatos. Menjëherë pas këtij momenti rrugët e dy të palëve u ndanë, të paktën për momentin, pasi siç raportojnë mediat britanike transferimi i Griezmann tek Chelsea është ende i mundur.
Për t’ia arritur qëllimit do të përdoret njeriu, i cili tekniku Conte nuk e konsideron si pjesë të planeve të tij, Diego Costa. Në fakt sulmuesi ishte objektivi kryesor për Man.United, ndërkohë që tani janë drejtuesit e klubit londinez që kërkojnë me çdo kusht transferimin e tij. Klauzola e 26-vjeçarit kap shifrën e 100 milionë eurove, shumë që mund të reduktohet, pasi do të shfrytëzohet sulmuesi Diego Costa, me këtë të fundit që e ka shprehur hapur dëshirën e tij për t’u rikthyer tek Atletico. Ardhja e Antoine Griezmann tek Chesea mund të realizohet për shumën 75 ose 80 milionë eurove përfshirë edhe sulmuesin me pasaportë spanjolle. Sidoqoftë për t’u arritur akordi duhet marrë parasysh dëshira e lojtarit. Në janar, muaj që përkon dhe me hapjen e merkatos dimërore palët do të takohen për të parë mundësitë në arritjen e kësaj marrëveshjeje.
Dua Championsin
Të fitojë edhe një herë tjetër trofeun e Uefa Champions League dhe të mbyllë karrierën me Bayern Munich. Janë këto dy ëndrrat e Franck Ribery përpara se të varë këpucët në gozhdë. Në moshën 34-vjeçare francezi është ende një futbollist shumë i rëndësishëm për kampionët e Gjermanisë, me trajnerin Carlo Ancelotti që beson shumë te aftësitë e ish-lojtarit të Marseilles. Sezonin e kaluar pavarësisht disa dëmtimeve, Ribery zhvilloi në total 32 ndeshje me Bayernin në të gjithë kompeticionet duke realizuar dhe 5 gola. 34 vitet mbi supe peshojnë, por mosha nuk është aspak problem për francezin, i cili dëshiron të japë ende kontributin e tij tek skuadra bavareze.
“Unë gjithmonë dua të luaj, jam shumë i uritur dhe gjithmonë dua të fitoj. Por në moshën që jam është normale që të kem nevojë për pushim prandaj trajneri më ka zëvendësuar në 3 nga takimet e para. Nëse Ancelotti mendon se jam ende i rëndësishëm për skuadrën unë do të jap më mirën time për t’ia shpërblyer besimin. Ai është një trajner i madh dhe ne të dy kemi marrëdhënie të shkëlqyera. Cilat janë dëshirat e mia përpara se t’i jap fund karrierës? Dua të fitoj sërish Championsin me Bayernin, kjo është ëndrra ime. Ideja se mund t’ia arrij qëllimit më motivon më tepër”, u shpreh Ribery.
Franck Ribery është në skandencë kontrate me Bayernin, por francezi nuk e përjashton mundësinë për të rinovuar me kampionët e Gjermanisë. “Nuk kam folur ende me drejtuesit për rinovimin. Ka akoma kohë. Do të dëshiroja ta mbyllja karrierën time me Bayernin, por nuk jam unë i vetmi ai që vendos. Do të jetë klubi që do të thotë fjalën e fundit”, përfundoi francezi i Bajernit.
Raportohet se Inter do të tentojë të nënshkruajë me Jerome Bateng nëse mbrojtësi nuk e rifiton vendin e titullarit në skuadrën e Bayern Munich. Sipas “Tuttomercatoweb”, koordinatori teknik i Interit, Walter Sabatini do të takohet me drejtuesit e skuadrës gjermane Bayern Munich në ditët në vazhdim për të diskutuar rreth planeve për transferimin e Boateng te skuadra italiane në afatin kalimtar dimëror.
Boateng, 29-vjeçar, ka qenë startues i padiskutueshëm në Bayern gjatë viteve 2011-2015, por lëndimet kanë bërë që ai të paraqitet vetëm në 32 ndeshje për Bayern në dy sezonet e fundit.
Juventus është në mesin e klubeve që duan ta rrëmbejnë sulmuesin e Bayern Munich, Thomas Muller. Sipas “Tuttosport”, Muller është i palumtur nën urdhrat e Carlo Ancelottit dhe mund të largohet nga Bayern verën e ardhshme, nëse situata nuk përmirësohet.
Inter “blindon” Perisiç, rinovon deri më 2022
Pas një fillim kampionati për t’u duartrokitur, Ivan Perisiç është gati për të zgjatur bashkëjetesën me zikaltërit e Interit deri në vitin 2022, me një pagë që tashmë kap shifrën e 4.5 milionë eurove, por që nuk ka të përfshirë asnjë klauzolë. Një pagë e njëjtë me atë të Icardit, që i shkon për shtat lojtarëve të mëdhenj e që e trajton si një super futbollist kroatin Perisiç. Këta dy lojtarë janë emra të rëndësishëm që Interi ka dashur t’i barazojë edhe në çështje financiare.
Një gol e një asist ndaj Fiorentinës, dy asist në ndeshjen me Romën, Perisiç është një vlerë e shtuar në Interin e Spalletit, që tashmë ka si objektiv ta sintonizojë 28-vjeçarin me frekuencat zikaltër për të krijuar me të një pikë të fortë të projektit të tij e që lë kështu në hije edhe thirrjen që Mourinho e Manchester United prej kohësh i bëjnë sulmuesit të krahut. Në vend të largimit kroati zgjodhi të qëndrojë, duke firmosur kontratën e zgjatur që i njeh atij meritat si një element shumë i rëndësishëm. Inter e vlerësonte Perisiç me të paktën 55 milionë, por progresi i tij konstant ia rrit automatikisht vlerën e kartonit. Italianët i dërgojnë kështu edhe një mesazh Mourinhos që edhe pse u dogj në verë në tentativën për të marrë shërbimet e kroatit, sërish insiston për të arritur tek ai. Perisiç është interist deri në vitin 2022.
Rikthehet Seria A
Pas pauzës së bërë për shkak të impenjimit me kombëtaret, kampionati italian rinis garën e saj këtë fundjavë, ku spikasin 4 nga 5 ekipe të mëdha, të cilët kanë arritur të sigurojnë pikë të plota në dy javët e para. Juventus, Inter, Milan dhe Napoli e kanë nisur në mënyrën më të mirë, ndërkohë Roma ka pësuar humbjen e parë përballë Interit. Sidoqoftë rifillimi i kampionatit i gjen disa prej këtyre skuadrave me mungesa të rëndësishme.
Tekniku i Juventusit, Masimiliano Allegri i kërkoi skuadrës së tij 2 fitore radhazi në dy javët e para. Misioni u përmbush, por tani duhet të bëjë kujdes, pasi mbrojtja nuk është më ajo e dikurshmja dhe si të mos mjaftojë ky detaj, atij do t’i duhet të bëjë dhe pa liderin e repartit të prapavijës, Giorgo Chiellini, i cili është i dëmtuar. Për t’u verifikuar është edhe gjendja e Paulo Dybala, njeriu deçiziv në dy javët e para, i cili ka qenë i angazhuar me kombëtaren e Argjentinës. Nuk janë shfrytëzuar pothuajse fare dy blerjet e reja, Bernadeschi dhe Bentacur. Titullarë në mesfushë pritet të jetë Matuidi, duke parë formën jo të mirë të Claudio Marchisios dhe Khedirës, me këtë të fundit që edhe me kombëtaren e Gjermanisë nuk dha më të mirën. Higuain është njeriu, i cili në sfidën përballë Chievos në fundjavë duhet të dërgojë bardhezinjtë drejt fitores së tretë radhazi.
Me moralin e ngritur vjen Interi. Një start fantastik nga ana zikaltërve. Sfida e tyre e fundit përballë Romës mund të vlerësohet me notën 10. Kërkohet vazhdimësi dhe ndalesa e radhës për ta do të jetë Spal, një rival i lehtë në letër dhe një mundësi e artë për të garantuar edhe një tjetër trepikësh. Spalleti duhet të ndihet mirë teksa ka parë lojën e Candrevës me kombëtaren e Italisë, bashkë me të edhe Ivan Perisiç. Krahët e sulmit zikaltër janë në gjendje optimale. Galiardini është prapa me përgatitjen fizike, ndërsa blerja më e re Karamoh duket i vendosur për t’u integruar sa më shpejt në skemat e teknikut Spalleti. Inter nuk do të ketë sërish në dispozicion Cancelon për shkak të dëmtimit, ndërkohë Dalbert pritet të jetë titullar duke zënë vendin e Nagatomos.
Entuziazëm të madh ka në shtëpinë e Milanit. Gjashtë fitore radhazi midis Europa League dhe kampionatit, janë një garanci e madhe për teknikun Montella, i cili duhet të ndihet i kënaqur që në dispozicion ka një skuadër solide. Lucas Biglia pritet të bëjë debutimin e tij me fanellën e “Djallit”, pikërisht kundër ish-skuadrës së tij, Lazios. Angazhimet me kombëtaret i kanë mirë repartit të sulmit. Cutrone ka rikonfirmuar formën e tij duke gjetur golin me kombëtaren italiane U-21, të njëjtën gjë ka bërë edhe Andre Silva me Portugalinë. Ndaj Lazios Montella ka në dispozicion një skuadër të karikuar, të cilët janë gati për fitoren e radhës.
Napoli gjithashtu po gëzon një moment të mirë. Ekipi i teknikut Sarri do të udhëtojë në transfertën drejt Bolognës, ku sigurisht vijnë me ide të qarta. Pas suksesit të arritur në Champions dhe në javët e para në kampionat, skuadra jugore do të kërkojë vazhdimësinë në arritjen e rezultateve pozitive.
Mes të mëdhenjve i vetmi ekip që u shkëput ndaj katër skuadrave të sipërpërmenduara është Roma.
Ndërkohë, James Pallotta do të zbarkojë në Romë, për të ndjekur nga afër çështjen që lidhet me stadimin e ri të verdhekuqve, por sipas mediave italiane, ardhja e presidentit të klubit nga kryeqyteti, mund të zhbllokojë edhe një tjetër çështje të rëndësishme. Bëhet fjalë për rinovimin e kontratës së Manolas. Bisedimet mes Monchi e agjentit të lojtarit grek kanë nisur dhe palët janë optimiste për gjetjen e akordit.