Ndeshja mes Afrikës së Jugut dhe Senegalit e vlefshme për kualifikueset e Botërorit e luajtur më 12 nëntor të 2016-ës dhe e fituar 2-1 nga afrikanojugorët do të përsëritet. Ky ka qenë vendimi i FIFA-s, që ka arritur në konkluzionin se gjyqtari kryesor i kësaj sfide, ganezi George Lamptey, tashmë i pezulluar përjetë ka influencuar në rezultatin përfundimtar të ndeshjes. Një lajm i bujshëm ky që krijon një precedent shumë të rëndësishëm. Afrika e Jugut dhe Senegali bëjnë pjesë në Grupin D kualifikues të konfederatës afrikane, ku diferenca mes ekipit të parë dhe të fundit ishte vetëm 2 pikë. Burkina Faso dhe Kepi i Verdhë kishin nga 6 pikë, Senegali 5 dhe Afrika e Jugut 4.
Në ndeshjen e luajtur në stadiumin “Peter Mokaba”, George Lamtey vërshëlleu për një 11-metërsh të paqenë për prekje të topit me dorë nga senegalezi Kulibaly në fund të pjesës së parë. Për çudi të të gjithëve kryesori ganez e drejtoi gishtin nga pika e bardhë. Më pas u zbulua se Lamptey kishte pasion bastet, sidomos ato me shumë gola, ndaj kishte bërë gjithçka që në këtë sfidë të drejtuar nga ai vetë, të shënoheshin të paktën tri gola. Protestat e Senegalit çuan në nisjen e hetimeve nga Konfederata afrikane.
Lamptey fillimisht u pezullua 3 muaj, por pasi në krye të qeverisë së futbollit afrikan u emërua Ahmad Ahmad, gjyqtari ganez u pezullua përgjithmonë. FIFA ka gjetur prova të përfshirjes së Lamptey në botën e basteve, ndërsa në ndeshjen konkrete fluksi i lëvizjes së parave për bastin me gola ka qenë anormal. FIFA-s i janë dashur plot 6 muaj për të vendosur që ndeshja duhet përsëritur.
Ndërkohë, Lionel Messi dhe Havier Mascherano rrezikojnë të mos luajnë për Barcelonën kundër një kundërshtari të fortë si Sevilla në muajin nëntor. Nëse Argjentina nuk arrin ta zërë njërin prej katër vendeve në tabelë për ndeshjet eliminatore të Kupës së Botës Rusia 2018, Lionel Messi, mund të humbasë takimin e Barcelonës kundër Sevillas në nëntor.
Vendi i pestë në Amerikën e Jugut duhet të luajë në play off dhe kjo ndeshje nga FIFA është caktuar për të hënën më 6 nëntor. Prandaj, asnjë prej lojtarëve të thirrur nga skuadra e Amerikës së Jugut nuk do të jetë në gjendje të marrë pjesë në ndeshjet e La Liga të javës së 11 pasi ato zhvillohen një ditë më herët.
Në mesin e yjeve që rrezikojnë mungesën janë edhe Messi, Luis Suarez dhe Javier Mascherano.
Rregullorja thekson se lojtarët duhet të thirren për ekipin e tyre kombëtar katër ditë para ndeshjes, ndërsa Uruguai, Kolumbia, Peru, Argjentina, Kili dhe Paraguai janë gjashtë skuadrat që mund të përfundojnë në pozitën e pestë.
Arbitri akuzohet për trukim të ndeshjes
Mbape i mbivlerësuar
Paris Shën Zhërmeni ka shpenzuar 87.4 milionë më tepër për Kiljan Mbapenë, sipas një studimi të “CIES Football Observatory”, kompanisë që stilon si çdo vit një listë me baza shkencore mbi vlerën e lojtarëve. Talenti francez ra dakord për një pagë prej 180 mijë eurosh (që do të paguhet vitin që vjen), pasi kaloi nga Monako te PSG-ja muajin e kaluar, duke kaluar i dyti në listën e futbollistëve më të paguar në moshën 18-vjeçare.
Por parisienët ndoshta kanë shkuar përtej vlerës së nevojshme, nëse marrim në konsideratë llogaritë sipas CIES-it. Shoqata, e cila merr për bazë të dhënat e lidhura me moshën e lojtarëve, rolin, paraqitjet në kompeticionet vjetore (kampionat, Ligë Kampionësh, Ligë e Europës), plus ato me përfaqësueset, si dhe kohëzgjatjen e kontratës, duke caktuar në fund një çmim, e ka vlerësuar Mbapenë 92.6 milionë euro, thuajse gjysmën e asaj çka pagoi PSG.
Mospërputhja mes çmimit të vendosur dhe pagesës është 36 milionë euro më e lartë se për çdo lojtar tjetër, me Osman Dembelenë që renditet e dyti pas kalimit të tij te Barcelona nga Borusia e Dortmundit. Nga 20 transferimet ku çmimi i llogaritur ka pasur më shumë diferencë nga totali, vetëm tre nga lojtarët janë paguar për aq sa vlenin.
Blerja e Muhamed Salah nga Liverpuli e kryeson atë listë. Egjiptiani kishte një vlerë prej 69.4 milionë eurosh dhe një kosto prej 50 milionësh, ndërsa goditja surprizë është sulmuesi Nolito.
Spanjolli, i cili ka hasur vështirësi që pas kalimit te Mançester Siti, kaloi nga Sevilja për 10 milionë më “tepër”, pavarësisht një vlere të dyshimtë prej 27.4 milionësh.
Në studim, i cili mbulonte pesë kampionatet kryesore të Europës, “CIES Football Observatory” deklaroi se shpenzimet pritet të vazhdojnë në këtë linjë, duke u rritur gjatë viteve në vazhdim, duke paralajmëruar gjithashtu nevojën e klubeve për t’u përmbajtur, për të kufizuar shpërdorimet në rast se të drejtat televizive pësojnë rënie.
Është zbuluar se klubet e Premier Ligës kanë krijuar një deficit prej 835 milionë eurosh gjatë merkatos së fundit, ndërsa shpenzimet në të pesta ligat e mëdha janë rritur për të pestin vit radhazi. Mesatarisht, klubet e Premier Ligës shpenzuan secili rreth 89 milionë € për lojtarë të rinj.
Superkupa si fillim i ri, Tiranës i kthehen tifozët
Një fillim i ri për Tiranën. Në të gjitha kuptimet. Këtë e kanë kuptuar mbi të gjithë tifozët ultras. Oksigjeni i skuadrës. Mbështetësit bardheblu pritet të rikthehen në stadium, për të qëndruar pranë ekipit. Lufta brenda llojit, që ka zgjatur për afro shtatë muaj, ka përfunduar. Asgjë nga ajo që ka ndodhur nuk është harruar, por të gjithë janë të gatshëm të shohin përpara, për ta rikthyer klubin në vendin që i takon.
Tifozët po përgatisin rikthimin në stadium, në ndeshjen e parë të kampionatit të Kategorisë së Parë, më 16 shtator, ku Tirana do të presë në “Selman Stërmasi” Ilirinë. Qëndrimi pranë skuadrës ka kohë që diskutohet në grupimin e organizuar të tifozëve, që tashmë kanë marrë edhe përgjigje nga skuadra në fushë. Finalja e fituar e Superkupës përballë Kukësit ishte konfirmimi se te Tirana ka një projekt serioz për të ardhmen. Afrime cilësore, lojë e bukur dhe një ekip që bind për të tashmen dhe mbi të gjitha për të ardhmen.
Tifozët do të bashkohen me ekipin për ta kthyer menjëherë Tiranën në elitë dhe paralelisht për të luftuar për të fituar sërish Kupën e Shqipërisë, duke siguruar një biletë në Europë.
Në fushë, lojtarët më cilësorë
Trajneri i kombëtares shqiptare, Kristian Panuçi foli në konferencë për shtyp në ambientet e FSHF, ku analizoi me detaje dy ndeshjet me Liechtenstein e Maqedoninë, si dhe komentoi shumë çështje të tjera. Ja çfarë tha tekniku italian.
– Dy ndeshjet e para me Shqipërinë, çfarë përshtypje ju ka dhënë kombëtarja?
“Tani i njoh më tepër futbollistët e mi. Duke vlerësuar momentin delikat të sezonit, sepse është vetëm fillimi dhe shumë lojtarë po luajnë me vështirësi në klubet e tyre. I trembesha shumë këtyre dy ndeshjeve, pikërisht prej gjendjes fizike të skuadrës. Siç e pamë, Franca me Luksemburgun barazoi. Mundëm Lihtenshtejnin dhe u duk gjithçka e thjeshtë, por absolutisht nuk ishte e lehtë. Në fund jam i kënaqur nga këto dy ndeshje, sepse Lihtenshtejni nuk goditi asnjëherë në portë, edhe pse kemi luajtur shumë ngadalë në 30 minutat e para, por duke patur një ide për atë që duhet të bënim në fushë. Ndërsa në pjesën e dytë skuadra e qarkulloi topin më shpejt, gjetëm avantazhin. Kemi lojtarë si Memushaj, Ajeti apo Roshi që kanë vështirësi në skuadrat e tyre dhe kishin pak minuta në këmbë.
Memushajn mu desh ta zëvendësoj, Ajeti dhe Llullaku kishin probleme nga ngarkesat. Edhe pse zhvilluam vetëm një stërvitje, arritëm të vinim në praktikë atë që kërkonim. Nuk më pëlqen të gjej justifikime nëse fiton apo humbet, por pas dy ndeshjeve duhet bërë një analizë, në respekt të të gjithëve. Këtë nuk do ta bëja në një klub, por kombëtarja është diçka tjetër.
Ndaj Maqedonisë zgjodha Lilën dhe Kukelin, edhe sepse i trembesha dëshirës së kundërshtarëve për të fituar, duke sakrifikuar disi në aspektin e lojës. Por, në të njëjtën kohë rreshtova katër lojtarë në sulm, Hyka, Roshi, Sadiku dhe Llullaku. I trembesha faktit se nëse humbisnim topin dhe do të kishim katër lojtarë në sulm, Maqedonia mund të na godiste në kundërsulm. Edhe pse në pjesën e parë nuk luajtëm mirë, nuk vuajtëm. Patëm rastin e Hysajt, katër kundër një. Në pjesën e dytë zgjodha të hedh më tepër kualitet në fushë, edhe prej karakteristikave të lojtarëve në fushë. Menjëherë erdhi reagimi psikologjik i ekipit dhe gjetëm golin. Kjo erdhi prej njohjes që kam për skuadrën. Tani që e njoh më tepër ekipin, jam i sigurt se sa më shumë kualitet të hedh në fushë, aq më mirë luan ekipi”.
– Plan për të përmirësuar lojën në sulm?
“Pas ndeshjes shikoja dhe mendoja sepse jam i fiksuar pas punës që bëj. Në disa momente të jetës do të doja të isha ndryshe. Por, kam aq shumë respekt për veten, për presidentin, për Shqipërinë, për lojtarët, për tifozët, saqë mendoj 24 orë në ditë për punën. Të gjithë i shohim ndeshjet eliminatore dhe ka dy skuadra që janë mbi të tjerat, që luajnë dhe janë më të organizuara: Gjermania dhe Spanja. Të tjerat janë ekipe që mundohen të hedhin sa më shumë kualitet në fushë, sepse nuk kemi shumë kohë për të punuar me skuadrën.
Unë dua të luaj futboll dhe jo të hedhim topin nga mbrojtja në sulm. Mendoj që është më mirë të luajmë me tre në mesfushë dhe jo me dy. Kjo është pjesë e njohjes time me skuadrën. Në të ardhmen do të provoj ta rreshtoj ekipin me sa më tepër kualitet në fushë dhe të kërkojmë sa më shumë mesfushorë dhe sulmues. Kam një listë me lojtarë, të cilët do të udhëtoj t’i ndjek dhe t’i takoj. Nuk kisha luksin e kohës në dispozicion dhe provova të hidhja më të mirët që kisha. Pak a shumë kjo do të ndodhë nga tani”.
– Cila mendoni se është forca e kombëtares?
“Kemi një grup të shkëlqyer, me lojtarë që e ndjejnë peshën e përgjegjësisë dhe kombësisë. Punojnë me seriozitet, sepse ky është profesioni i tyre. Në punë duhet të jesh serioz. Jemi të vetëdijshëm se kur Shqipëria fiton të gjithë janë të lumtur, ndërsa kur humbasim njerëzit nuk buzëqeshin”.
Në lidhje me dy sfidat e radhës, Panuçi theksoi se Shqipëria do të japë maksimumin: “Do të shkojmë në Spanjë për të parë sa të mirë janë dhe për ta bërë kundërshtarin pak më të dobët. Nëse japim maksimumin, nuk kemi çfarë t’u themi lojtarëve. Nëse janë më të mirë, do i japim dorën dhe do të kthehemi në Tiranë, por përpara se t’ia japim dorën, do të përpiqemi. Edhe kundër Italisë do të mundohemi të bëjmë maksimumin për të marrë rezultat”.
Bitcoin, piramidë apo monedha e së ardhmes?
“Tehcnology Review”
Pionieri i web-it, Marc Andreessen ka investuar 50 milionë dollarë në monedhën virtuale. Shpjegon edhe se pse Bitcoin premton një revolucion të ngjashëm me atë të personal kompjuterëve më 1975 dhe të internetit më 1993.
Lind një teknologji e re misterioze, dukshëm nga hiçi. Por në realitet është fryti i 20 viteve aktiviteti intensiv nga ana e kërkuesve të panjohur. Idealistët projektojnë mbi këtë teknologji vizionet e tyre të çlirimit dhe të revolucionit, ndërsa elitat dhe pushtetet e forta shprehin urrejtje dhe përbuzje. “Minjtë” e kompjuterëve janë magjepsur: shohin një potencial të madh në këtë teknologji dhe kalojnë netët dhe fundjavat për ta përmirësuar. Lindin kompani dhe produkte që e çojnë në treg. Efektet e saj bëhen aq të thella saqë shumë njerëz pyesin sesi ka mundësi që të gjitha këto potencialitete nuk qenë të natyrshme qysh nga fillimi. Por për çfarë teknologjie po flasim? Për personal kompjuterët më 1975, për internetin më 1993 dhe – jam i bindur – për Bitcoin më 2014.
Është vështirë të theksohet se Bitcoin është një argument për të cilin flitet pak. Megjithatë, ka një distancë të madhe midis asaj që mendojnë mjetet e informacionit dhe shumë njerëz të thjeshtë nga njëra anë dhe një numri në rritje ekspertësh nga ana tjetër. Për këtë arsye do të shpjegoj se pse shumë programues dhe sipërmarrës të Silicon Valley po i përkushtohen Bitcoin dhe cila do të jetë, sipas meje, e ardhmja e tij. Mbi të gjitha, Bitcoin është një hap përpara i shkencës informatike, fryt i 20 viteve kërkime mbi valutat kriptografike dhe i 40 viteve kërkim mbi kriptografinë.
Kjo teknologji është përgjigjja e parë praktike ndaj një problemi informatik të vështirë të njohur si “problem i gjeneralëve bizantinë”. Citoj nga dokumenti origjinal që e përshkruan: “Le të marrim një grup gjeneralësh të ushtrisë bizantine të dislokuar me trupat e tyre rreth një qyteti armik. Duke komunikuar ekskluzivisht nëpërmjet një lajmëtari, duhet të gjejnë një marrëveshje lidhur me një plan beteje të përbashkët. Por të paktën një prej këtyre gjeneralëve mund të jetë tradhtar. Problemi është të gjendet një algoritëm që t’u mundësojë gjeneralëve besnikë të arrijnë një marrëveshje”.
Problemi konsiston në gjetjen e një mënyre për të krijuar besim midis palëve të palidhura midis tyre në brendësi të një rrjeti pak të besueshëm si interneti. Pasoja praktike e zgjidhjes së tij është se me Bitcoin, për herë të parë, një përdorues i rrjetit ka mundësinë që t’i transferojë një përdoruesi tjetër një pronësi dixhitale ekskluzive me garancinë e sigurisë dhe të qartësisë së transaksionit: secila nga palët e di se transferimi ka ndodhur dhe askush nuk mund t’ia vërë në dyshim legjitimitetin. Pasojat e kësaj kthese nuk mund të nënvlerësohen.
Çfarë lloj “pronësie dixhitale” është e mundur të transferohen me këtë sistem?
Firmat dixhitale, kontratat dixhitale, çelësat dixhitalë (për drynat dhe bravat materiale apo për kasafortat online), pronësia dixhitale e të mirave materiale si makina dhe shtëpi, aksionet dhe obligacionet dixhitale, si dhe paraja dixhitale. Të gjitha këto shkëmbehen nëpërmjet një rrjeti të përhapur që nuk parashikon praninë e një ndërmjetësi, si një bankë apo një broker. Gjithçka ndodh në mënyrë të tillë që vetëm pronari i një malli mund ta dërgojë dhe vetëm një destinatar i caktuar mund ta marrë. Malli ekziston vetëm në një vend të caktuar dhe në një moment të caktuar dhe kushdo mund t’i verifikojë transaksionet dhe pronësinë e këtij malli në çdo moment.
Si funksionon? Bitcoin është një regjistër dixhital i shpërndarë nëpër të gjithë rrjetin internet. Për të hyrë në regjistër mjafton të blesh një hapësirë (numri i hapësirave është i paracaktuar) duke paguar në para apo duke shitur një produkt ose një shërbim për llogari të Bitcoin. Për të dalë shkëmbehen bitcoin-ët e tu me ndonjë tjetër që dëshiron të hyjë në regjistër. Kushdo, në çdo pjesë të botës, mund të hyjë e të dalë nga regjistri sa herë të dëshirojë, pa pasur nevojë për autorizime dhe me kosto zero ose pothuajse. Edhe “monedhat”, bitcoin-ët, nuk janë gjë tjetër veçse hapësira në regjistër, në disa aspekte të caktuara të krahasueshme me zërat e listime të bursës, vetëm shumë më të lehtë për t’u përdorur për transaksionet e zakonshme. Regjistri Bitcoin është një sistem i ri pagimi: kushdo mund t’i paguajë kujtdo çfarëdo shume, thjesht duke transferuar pronësinë e hapësirës korresponduese në regjistër. Futet një vlerë, kryhet transferimi dhe destinatari merr vlerën.
Nuk shërbejnë autorizime dhe në shumë raste, nuk paguhen komisione. Kjo veçanti e fundit është me rëndësi të jashtëzakonshme. Bitcoin është sistemi i parë i pagimit në internet ku transaksionet kryhen pa komisione ose me komisione shumë të ulëta (flitet për fraksione qindarke). Në botën e industrializuar sistemet ekzistuese të pagimit zbatojnë komisione me 2–3 për qind. Në shumë pjesë të tjera të planetit nuk ekzistojnë sisteme moderne pagimi ose përqindjet janë shumë më të larta.
Bitcoin është një mënyrë për të shkëmbyer para ose mallra midis palëve pa një lidhje fiduçare paraprake. Në rastin më të thjeshtë dërgohet me e-mail apo me sms një lidhëse numerike. Dërguesi nuk ka nevojë që ta njohë destinatarin apo t’i besojë atij dhe anasjelltas: në qoftë se je në posedim të parave ose të mallit mund të paguhet, në rast të kundërt jo. Është një risi absolute. Përpara, në formë dixhitale, nuk kishte asgjë të ngjashme.
Hipoteza mbi të ardhmen
Bitcoin është një monedhë dixhitale vlera e së cilës bazohet në dy elemente: përdorimi aktual i sistemit të pagimit (vëllimi dhe shpejtësia e pagesave në regjistër) dhe hipotezat lidhur me përdorimin e ardhshëm të tij. Ky është aspekti që i ngatërron më shumë njerëzit. Ata nuk i shkëmbejnë bitcoin-ët pse dikush u ka vënë atyre një vlerë arbitrare. Është e vërtetë e kundërta: monedha ka një vlerë sepse përdoruesit mund të bëjnë transaksione nëpërmjet teknologjisë Bitcoin (në çdo vend, pa mashtrime dhe me komisione inekzistente apo shumë të ulëta). Ndoshta është e vërtetë se në këtë moment vlera e bitcoin-ëve bazohet më shumë mbi hipoteza sesa mbi vëllimin real të pagimeve, por është po aq e vërtetë që këto hipoteza po përcaktojnë një çmim mjaft të lartë sa për të bërë të mundur në praktikë pagimet në bitcoin. Monedha elektronike duhet të ketë një vlerë të caktuar që të mund të krijojë vëllime edhe minimale pagimesh reale. Është problemi klasik “pula vezën apo veza pulën”: një teknologji e re nuk vlen shumë deri kur nuk vlen jashtëzakonisht shumë. Për këtë fakti që vlera e Bitcoin-it është rritur edhe falë hipotezave lidhur me përdorimin e ardhshëm të tij e ka përshpejtuar dobishmërinë praktike të tij.
Skeptikët nënvizojnë dobishmërinë praktike të kufizuar të tij për konsumatorët dhe tregtarët, por të njëjtat kritika i janë drejtuar në fillim pc-ve dhe internetit. Çdo ditë një numër në rritje konsumatorësh dhe tregtarësh në të gjithë botën blen, përdor dhe shet Bitcoin. Numrat e përgjithshëm janë akoma modestë, por janë në rritje të fortë dhe përmirësimi i instrumenteve dhe i teknologjive të lidhura me Bitcoin po e bën gjithnjë e më të lehtë përdorimin e këtij sistemi. Le të kujtojmë se dikur ishte një gjë e vështirë edhe të hyje në internet. Sot nuk është më kështu. Një kritikë tjetër e pabazë është se tregtarët nuk do ta adoptojnë Bitcoin-in për shkak të volatilitetit të tij. Mund të përdoret kjo teknologji edhe vetëm si sistem pagimi. Tregtarët nuk janë as të detyruar të posedojnë Bitcoin-ë, as t’i ekspozohen volatilitetit të tyre.
Çdo konsumator apo shitës mund të tregtojë në bitcoin (apo në çdo monedhë tjetër) apo të çlirohet në çdo moment. Pse një tregtar – online apo tradicional – duhet t’i pranojë bitcoin-ët si formë pagimi, duke parë se ka një numër të kufizuar konsumatorësh të gatshëm për t’i përdorur? Kohët e fundit ortaku im, Chris Dixon ka dhënë këtë shembull: “Le të themi se keni një dyqan produktesh elektronike online. Marzhi i fitimit mesatar në sektor është më pak se 5 për qind. Kështu, një komision normal prej 2.5 për qind mbi pagimet heq gjysmën e marzhit. Këto para mund të investohen në kompani, t’u kthehen konsumatorëve ose të taksohen nga shteti. Midis të gjitha mundësive, ajo e dhënies së 2.5 për qindëve bankave për të postuar bit në internet është më e keqja. Një tjetër vështirësi për tregtarët është të pranojnë pagime ndërkombëtare. Në qoftë se po pyesni se pse produkti apo shërbimi juaj i preferuar nuk është i disponueshëm në vendin tuaj, shpesh përgjigjja ka të bëjë me sistemin e pagimit”.
Tregtarët janë shumë të tërhequr nga Bitcoin-i edhe pse eliminon rrezikun e mashtrimeve me kartat e kreditit. Bitcoin-i është një instrument pagimi për bartësin, domethënë midis atij që kryen pagimin dhe atij që e pret nuk ka asnjë shkëmbim informacioni që mund të përdoret as për t’i marrë para blerësit, as nga shitësi, as nga një kriminel që përfiton. Mashtrimet me kartën e kreditit janë një problem aq i rëndë për tregtarët, menaxhuesit e kartave të kreditit dhe bankar sa që sistemet e njohjes së mashtrimeve online janë studiuar për të bllokuar çdo transaksion minimalisht të dyshimtë. Për këtë motiv, shumë tregtarë online detyrohen që t’u duhet të refuzojnë nga 5 deri në 10 për qind të porosive të ardhshme, urdhra që mund të pranohen pa frikë në qoftë se klientët do të paguanin me Bitcoin, gjë që me këtë lloj mashtrimi është i pamundur. Duke trajtuar porosi tashmë të bëra, për një kompani janë ato me marzhin e fitimit më të lartë dhe të mund t’i pranojë nënkupton që t’i rrisë ndjeshëm fitimet.
Besueshmëria e Bitcoin-it shtrihet deri në botën e dyqaneve e shitjes me pakicë. Me Bitcoin, sulmi kolosal informatik me të cilin janë marrë të dhënat e kartave të kreditit të 70 milionë klientëve të zinxhirit të supermarketeve Target nuk do të kishte qenë i mundur. Ja sesi do të mund të funksiononte me bitcoin-ët: një klient e mbush karrocën dhe shkon tek arka, por në vend që t’ia japë arkëtares kartën e kreditit, ai nxjerr smartphone dhe i bën një foto kodit Qr që shfaqet në regjistruesin e arkës. Kodi Qr përmban të gjitha informacionet e kërkuara për të dërguar bitcoin-ë tek Target, duke filluar nga shuma totale. Klienti klikon “konfirmoj” në telefon dhe transaksioni ka përfunduar (në qoftë se klienti nuk disponon bitcoin-ën, shuma e përgjithshme në dollarë apo në valutë tjetër konvertohet në bitcoin). Target është i lumtur sepse arkëton paranë në Bitcoin që, në qoftë se dëshiron, mund ta konvertojë menjëherë në dollarë. Veç kësaj, nuk ka paguar asnjë komision (ose një komision mjaft të ulët) për përpunimin e pagimit. Klienti është i lumtur sepse për hakersat nuk ka asnjë mënyrë që të vërë dorë në të dhënat personale të tij. Kriminaliteti i organizuar është më pak i lumtur (ose ndoshta jo: mund të provojë të vjedhë drejtpërsëdrejti nga sistemet informatike pak të mbrojtura të tregtarëve. Por edhe sikur operacioni të dalë me sukses, për konsumatorin nuk ka rrezik humbjeje ekonomike, mashtrimi apo vjedhjeje identiteti). Së fundi, do të doja të sqaroja një çështje të ngritur nga dikush, sipas të cilit Bitcoin do të favorizonte sjelljet kriminale, duke u mundësuar delinkuentëve dhe terroristëve që të spostojnë para në mënyrë anonime dhe në mosndëshkim total. Kemi të bëjmë me një legjendë, e ushqyer sidomos nga sensacionalizmi i mjeteve të informimit dhe nga një dije e pasaktë sesi funksionon teknologjia. Ashtu si posta elektronike, e cila është lehtësisht e gjetshme, Bitcoin është një teknologji pseudonime”, jo anonime. Veç kësaj, çdo transaksion në rrjetin e tij është i gjetshëm dhe i ruajtur në një arkiv të përhershëm të quajtur block chain, të cilin të gjithë mund ta konsultojnë. Ja pse Bitcoin është patjetër më i thjeshtë për t’u gjetur nga forcat e rendit respektivisht parave kesh, floririt dhe diamanteve.
Bitcoin është një rast klasik “efekti–rrjet”, që shkakton një rreth vicioz. Sa më shumë njerëz përdorin Bitcoin-in, aq më shumë ai fiton vlerë për atë që e përdor dhe aq më shumë rritet stimulimi i përdorjes nga një përdorues i ri. I njëjti “efekt–rrjet” karakterizon sistemin telefonik, uebin dhe disa shërbime popullore online si eBay dhe Facebook. Në të vërtetë, efekti – rrjet i Bitcoin-it është i katërfishtë. Ka katër basene përdoruesish që kontribuojnë për t’ia rritur vlerën: konsumatorët që paguajnë me bitcoin, tregtarët që pranojnë bitcoin-ët, miners (kërkues bitcoin-ësh) që menaxhojnë kompjuterët në bazën e të gjitha transaksioneve dhe të rrjetit fiduçar, zhvilluesit dhe sipërmarrësit që realizojnë produkte të reja dhe shërbime të bazuara mbi Bitcoin. Të gjithë këta komponentë janë të rëndësishëm, por i katërti ka një peshë themelore. Në Silicon Valley dhe në pjesën tjetër të botës mijëra programues po e bëjnë Bitcoin-in bazën e produkteve dhe shërbimeve që përndryshe do të ishin të pamundur. Andreessen Horowitz po regjistron një rritje të fortë të numrit të sipërmarrësve që themelojnë kompani rreth Bitcoin-it. Vetëm për këtë, konkurrentët potencialë e kanë rrugën në ngjitje. Për ta shkelmuar këtë sistem duhet të bëhen përmirësime konsistente dhe me ngut. Përndryshe efekti–rrjet do ta çojë Bitcoin-in në një pozicion dominues.
Remitancat e emigrantëve
Tregu potencial më i pasur për novacionet e bazuara mbi Bitcoin-in është ai i remitancave ndërkombëtare. Çdo ditë qindra milionë njerëz punojnë jashtë vendit për t’u dërguar para familjeve të tyre në vendlindje: sipas Bankës Botërore, dërgojnë më shumë se 400 miliardë dollarë në vit. Çdo ditë bankat dhe kompanitë që ofrojnë shërbime pagimi zbatojnë mbi këto transaksione komisione marramendëse, deri në 10 për qind dhe nganjëherë edhe më shumë. Me kalimin në Bitcoin, që zbaton komisione shumë të ulëta apo deri zero, cilësia e jetës së emigrantëve dhe e familjeve të tyre do të përmirësohej ndjeshëm. Pak gjëra, po t’i mendosh mirë, do të kishin një efekt po aq të shpejtë dhe pozitiv mbi jetën e njerëzve në vendet më të varfra.
Veç kësaj, Bitcoin mund të fusë një numër gjithnjë e më të madh njerëzish në sistemin ekonomik global. Vetëm nja 20 vende të botës kanë sisteme bankare dhe pagimi që mund të konsiderohen të evoluar. Në shumë vende shumë njerëz nuk kanë akses në produkte dhe shërbime që në Perëndim i marrim si të mirëqenë. Netflix, shërbimi për huazimin e filmave online, është i disponueshëm vetëm në 40 vende. Bitcoin, një sistem global pagimi online që kushdo mund ta përdorë në çdo vend dhe në çdo moment, mund të jetë një volan që i shtrin benefitet e sistemit ekonomik modern tek të gjithë banorët e planetit. Edhe në Shtetet e Bashkuara ekziston problemi i njohur dhe i vështirë i komisioneve shumë të larta që të ashtuquajturit unbanked – qytetarët që nuk kanë një llogari korrente bankare – duhet të paguajnë për shërbimet financiare bazë.
Bitcoin mund të jetë zgjidhja, sepse e bën më të thjeshtë ofertën e shërbimeve me komisione minimale për atë që është jashtë sistemit financiar tradicional. Një rast i tretë interesant është ai i mikropagimeve. Pavarësisht 20 vjet tentativave, mikropagimet nuk janë akoma realitet, pasi nuk është komode të kryhen pagesa të vogla (nga 1 dollar e poshtë, deri në qindarka apo në fraksione të qindarkës) nëpërmjet sistemeve ekzistuese. Komisionet e parashikuara i bëjnë të papraktikueshëm.
Me Bitcoin e gjitha kjo bëhet me një lehtësi çarmatosëse. Bitcoin-ët kanë karakteristikën dalluese të të qenit të ndashëm në infinit: aktualisht deri në 8 të mijtat pas presjes dhjetore, por në të ardhmen edhe më shumë. Kështu që është e mundur të tregohet sipas qejfit një shumë e vogël parash, për shembull një e mijta e qindarkës dhe t’i dërgohet kujtdo në botë, falas ose pothuajse. Le të mendojmë për monedhizimin e përmbajtjes. Një prej motiveve për të cilat kompanitë e sektorit botues, si puna e gazetave, kanë vështirësi që t’i paguajnë përmbajtjet është se, duhet të zgjedhin nëse të bëjnë të paguhet një abonim për të gjithë përmbajtjen apo asgjë (me proliferimin pasues të posterave të tmerrshëm publicitarë në ueb). Tani me Bitcoin-in ekziston një mënyrë ekonomikisht e mbështetshme për të paguar shuma të vogla parash sa duhet për një artikull të vetëm, për eksesin në një seksion, për 1 orë përdorim, për shikimin e një filmimi, për eksesin në arkiv, për azhurnimet.
Një tjetër avantazh potencial i mikropagimeve me Bitcoin është lufta kundër spam-it. Në të ardhmen, sistemet e postës elektronike dhe të rrjeteve sociale do të mund të refuzojnë të pranojnë mesazhe në hyrje vetëm në rast se nuk janë të shoqëruar nga një sasi minimale bitcoin-ësh, aq e vogël sa të jetë indiferente për dërguesin, por mjaft e madhe sa të dekurajojë kush sot bën spammer duke dërguar falas miliarda mesazhe. Së fundi, një rast i katërt interesant është ai i donacioneve. Është një ide që më ka ardhur në mendje disa muaj më parë duke lexuar një artikull. Një spektator i një ndeshjeje të transmetuar në televizor ka shfaqur një tabelë me një kod Qr dhe në të shkrimin “Dërgomëni!”. Në 24 orët e para ka marrë nga njerëz që nuk i kishte parë kurrë 25000 dollarë në monedhë dixhitale. Është një kthesë e paprecedent: dikush shikon një të panjohur me një tabelë (personalisht, në televizor apo në fotografi) dhe i dërgon para me dy klikime në smartphone: mjafton të fotografojë kodin Qr dhe të klikojë për të dërguar paratë.
Le të mendojmë për implikimet për lëvizjet e protestës. Sot manifestuesit dalin në televizor për të informuar qytetarët mbi arsyet e protestës së tyre. Nesër do të dalin sepse kjo do të jetë mënyra me të cilën do të mbledhin fonde: mjafton të tregojnë një tabelë dhe simpatizuesit nga e gjithë bota do të mund t’i nisin menjëherë kontributet e tyre. Nga pikëpamja e teknologjisë së aplikuar nga financa, Bitcoin është një ëndërr që do të vërtetohet edhe për aktivistët politikë më fuqimisht antikapitalistë.
Na presin vite fermentimi të madh rreth kësaj teknologjie të re. Disa ekonomistë të shquar janë skeptikë lidhur me Bitcoin, edhe pse kohët e fundit ish-Presidenti i Federal Reserve, Ben Bernanke, ka shkruar se monedhat dixhitale si Bitcoin-i “mund të rezultojnë premtuese në perspektivë, sidomos në qoftë se do të favorizojnë krijimin e një sistemi pagimesh më të shpejtë, të sigurtë dhe efikas”. Më 1999 ekonomisti Milton Friedman tha: “Një gjë që akoma nuk është, por që shpejt do të zhvillohet, është një sistem paraje dixhitale i besueshëm, një metodë me të cilën të transferohen fonde në internet nga A në B, me A dhe B që nuk njihen: unë marr 20 dollarë, t’i jap ty dhe ti i merr pa e ditur se kush jam”. Ndoshta ekonomistët që sot kritikojnë Bitcoin-in kanë të drejtë, por unë jam me Bernanke dhe Friedman. Do të ketë shumë çështje rregulluese që duhen përballuar, duke qenë se asnjë vend nuk disponon norma në gjendje që të menaxhojnë efektet e kësaj teknologjie.
Por shpresoj që t’ju kem dhënë një ide për potencialitetet e mëdha të tij. Bitcoin nuk është as një përrallë e thjeshtë libertare, as mania e fundit e Silicon Valley që pastaj plas si një flluskë sapuni. Është një dritare e hapur mbi mundësitë e mëdha të sistemit financiar në epokën e internetit, sesi mund dhe duhet të funksionojë. Është një katalizator potencial për të riorganizuar këtë sistem në mënyrën më efikase për qytetarët dhe për bizneset.
Përgatiti:
ARMIN TIRANA
Basha: Xhafa dhe Ruçi, një lojë e rrezikshme për të ardhmen, Rama inkurajon drogën e krimin
Droga e krimi i organizuar në Shqipëri janë kthyer në një problem politik për qeveritë europiane dhe BE. Kjo është arsyeja se përse Rama sipas Bashës tani po e pranon problemin dhe në të njëjtën kohë po shpall fitoren imagjinare ndaj drogës në një kohë që vendet e BE po japin alarmin për tonelatat e drogës.
“Tani që droga shqiptare dhe krimi i organizuar është kthyer në problem politik për qeveritë europiane dhe BE-në, duke rrezikuar integrimin e Shqipërisë dhe kthimin e vizave për shqiptarët, Edi Rama nuk e fsheh dot më, ndaj ka vendosur ta pranojë dhe menjëherë të shpallë fitoren e luftës imagjinare ndaj saj”, shprehet Basha në një postim në Facebook.
Kryetari i opozitës paralajmëron se, rikthimi i simboleve të krimit si Ruçi dhe Xhafa në krye të institucioneve është një lojë e rrezikshme me vendin. “Është një inkurajim për trafikantët dhe kriminelët”, thotë Basha.
“Njeriu që për tre vjet mohoi problemin e drogës në Shqipëri, duke bekuar kthimin e saj në vendin kryesor të drogës në Europë, sot befas deklaroi se e paska zgjidhur këtë problem. Askush nuk është arrestuar, asnjë drejtues i trafikut nuk është zbuluar, asnjë organizatë trafikantësh nuk është goditur, asnjë rezultat konkret nuk ka patur në asnjë drejtim. Por kryeministri ka shpallur fitoren e luftës që nuk ka ndodhur.
Por nga ana tjetër promovon Gramoz Ruçin, të cilit që nga 2005 qeveria amerikane i ka refuzuar hyrjen në SHBA për shkak të përfshirjes në krimin e organizuar dhe trafikun e drogës dhe Fatmir Xhafën e përfshirë në mbrojtjen e të vëllait të dënuar nga Italia për trafikun ndërkombëtar të kokainës.
Është një lojë e rrezikshme: inkurajim për trafikantët dhe kriminelët që vazhdojnë të patrazuar dhe shkurajim për policët e ndershëm dhe të gjithë shqiptarët që duan ta luftojnë drogën. Është një lojë që do të ketë pasoja për shqiptarët dhe të ardhmen e Shqipërisë”.
Kryetari i opozitës deklaron se opozita nuk do të ndalë për asnjë ditë të vetme betejën kundër së keqes që ka pllakosur vendin.
“Ndaj nuk do ta ndalim asnjë ditë betejën kundër kësaj të keqe që ka pllakosur vendin, demokracinë dhe ekonominë tonë”, shprehet Basha.
Si u blenë vëzhguesit europianë me paratë e korrupsionit, deklaruan: Zgjedhje si Gjermania
Një skemë e paligjshme financiare miliarda dollarëshe është përdorur nga elita e Azerbajxhanit për të blerë mbështetjen e politikanëve europianë dhe për të pastruar imazhin e korruptuar dhe autokratik të vendit.
Skema, tashmë e njohur si Lavanderia Azerbajxhanase, qarkulloi rreth 2,9 miliardë dollarë brenda dy vjetësh, nga viti 2012 deri sa u zbulua në vitin 2014.
Paratë u përdorën për të paguar lobistë, propagandistë dhe politikanë europianë për të siguruar mbështetjen e tyre për regjimin e Presidentit autokrat Azerbajxhanas Ilham Alijev, i cili qeveris vendin që nga viti 2003.
Një pjesë e madhe e parave është përdorur, gjithashtu, në favor të elitës azere për pastrimin apo qarkullimin e parave të tyre.
Skema duket se është krijuar nga vetë Presidenti Alijev, pasi si financuesit edhe përfituesit e skemës janë të lidhur me të dhe familjen e tij.
Skema e financimit
Skema është e thjeshtë: para nga Azerbajxhani u vendosën në kompani të regjistruara në Europë nga të cilat bëheshin pagesa në llogari të përfituesve europianë.
Burimi i saktë i parave nuk është i qartë, por një pjesë e madhe e tyre vinte nga kompani të regjistruara në Azerbajxhan, pronësia e të cilave nuk është e qartë për shkak të regjistrimit në parajsa fiskake të kompanive mëmë, ndërsa një pjesë e fondeve vinte direkt nga burime shtetërore. Disa nga kompanitë dërguese janë të lidhura me Presidentin Aliyev dhe familjen e tij.
Nga Azerbajxhani, paratë transferoheshin në katër kompani guackë, të regjistruara në Mbretërinë e Bashkuar (dy në Skoci dhe dy në Angli), të cilat gjithashtu ishin në pronësi të kompanive offshore të regjistruara në parajsën fiskale Ishujt Virxhin. Kjo gjë bën të pamundur identifikimin e pronarëve të vërtetë të kompanive në Angli dhe Skoci.
Me fondet e marra nga Azerbajxhani, këto kompani kryenin pastaj pagesa, përmes degës estoneze të bankës daneze Danske, për shpenzime në vende të ndryshme përfshi, Francën, Mbretërinë e Bashkuar, Gjermaninë, etj.
Qindra individë dhe biznese kanë marrë pagesa nga katër kompanitë guackë përmes Danske Bank. Mes tyre ka politikanë europianë, lobistë dhe individë të tjerë pjesë e elitës politike dhe ekonomike të Azerbajxhanit.
Përfituesit evropianë
Skema korruptive u përdor për të blerë heshtjen apo injorimin e politikës evropiane ndaj qeverisjes autokratike dhe shkeljes së të drejtave të njeriut në Azerbajxhan. Në periudhën kur funksionoi skema, Azerbajxhani arrestoi, burgosi dhe persekutoi politikisht mbi 90 gazetarë, veprimtarë të tjerë të të drejtave të njeriut dhe politikanë opozitarë, çfarë solli reagime në opinionin publik ndërkombëtar.
Për të kontrolluar reagimin e opinionit ndërkombëtar ndaj dhunës politike, regjimi i Azerbajxhanit duket se është përpjekur të përdorë skemën e mësipeërme për të blejë heshtjen e politkanëve europianë.
Ndërkohë, në vitin 2013 Presidenti Aliyev siguroi një mandat të tretë presidencial, duke fituar 85 për qind të votave në zgjedhje që në mënyrë të çuditshme Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës i cilësoi të lira dhe të ndershme.
Ende nuk dihen të gjithë ata që kanë përfituar nga Lavanderia Azerbajxhanese, por tashmë janë identifikuar plotësisht tre politikanë, një gazetar që shkruante artikuj pozitivë për regjimin dhe një biznesmen evropian që organizonte aktivitete ekonomike pro regjimit.
Emri më i bujshëm në listë është Luca Volontè, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Popullore Europiane në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës. Volontè ka marrë më shumë se 2 milonë euro për të mbështetur regjimin e Presidentit Aljev. Në vitin 2013, ai qe një nga disa parlamentarët europianë që votoi kundër një rezolute që kritikonte Azerbajxhanin për shkeljen e të drejtave të njeriut. Aktualisht, Volontè po hetohet në Itali për korrupsion dhe pastrim parash.
Një tjetër politikan është Eduard Lintner, ish deputeti i shumicës qeverisëse në Bundestagun gjerman. Një fondacion i krijuar prej tij ka marrë mbi 800 mijë euro dhurime nga Azerbajxhani. Një pagesë në shumën rreth 61 mijë euro u bë menjëherë pas zgjedhjeve në Azerbajxhan, për të cilat Lintner ishte vëzhgues. Edhe pse zgjedhjet u kritikuan gjerësisht për parregullsi dhe manipulime, Lintner i lëvdoi ato duke i cilësuar si të denja për “standardin gjerman”.
Një tjetër rast i identifikuar është Kalin Mitrev, ish-konsulent dhe tani funksionar i Bankës Evropiane për Zhvillim e Rindërtim (EBRD).
Përfituesit azerbajxhanas
Skema ka shërbyer edhe si skemë e qarkullimit apo pastrimit të parave nga elita politike dhe biznesit të lidhur me regjimin, si dhe për sigurimin e mbështetjes publike nga figura publike azere. Direkt apo indirekt në këtë skemë janë përfshirë familje të rëndësishme politike të regjimit të Azerbajxhanit, politikanë, biznesmenë, diplomatë, intelektualë publikë azerë.
Ata janë paguar për blerje apo marrje me qira apartamentesh në perëndim, pagesa shkolle për fëmijët, udhëtime e pushimë luksoze, blerje makina, blerje mobiljesh luksoze, etj.
Mes emrave më të bujshëm përfitues janë zëvendës Kryeministri i parë azer Yaqub Eyyubov dhe vetë shefi i shërbimit anti-korrupsion të qeverisë Ali Nagiye.
Si u zbulua skema
Skema u zbulua në vitin 2014 nga Banka Danske, e cila pranoi se mekanizmat e kontrollit ndaj pastrimit të parave në degën e saj estoneze ishin të dobta. Sinjalet e para të alarmit filluan kur një kompani azerbajxhanase, Baktelekom MMC, bëri një pagesë të vetme prej 1,4 miliardë dollarë në fond. Kjo derdhje ngjalli dyshime mbi kompaninë, pas të cilave banka vuri re se kompania kryente disa herë në ditë transferta në shuma të mëdha.
Mbi këto dyshime, banka filloi një hetim të brendshëm, të dhënat e të cilit iu rrodhën gazetës daneze Berlingske. Kjo e fundit, në bashkëpunim me një rrjet gazetash europiane, kreu një hetim gazetaresk mbi skemën e financimit, gjetjet e të cilit sapo janë bërë publike dhe mbi të cilat është hartuar ky artikull.
Pasojat e para politike të skandalit
Skandali i sapo bërë publik ka filluar të tronditë politikën evropiane. Në qendër të vëmendjes është vënë sidomos Këshilli i Evropës, parlamentarët e të cilit dyshohet se janë paguar për të lejuar manipulimin e zgjedhjeve në Azerbajxhan. Institucionit kryesor të të drejtave të njeriut në Evropë po i kërkohet të fillojë hetimin e brendshëm mbi sjelljen e funksionarëve dhe politikanëve që kanë vepruar në kuadër të tij.
Politikanë evropianë kanë bërë thirrje, gjithashtu, për ndryshimin e menjëhershëm të kodit të sjelljes së Këshillit të Evropës.
Ndërkohë, Skocia ka filluar përpjekjet për ndryshimin e ligjeve për regjistrimin e kompanive, për të mos lejuar kompanitë guackë me pronësi në parajsat fiskale. Duke përfituar nga ligjet liberale lokale, vitet e fundit është shumëfishuar numri i kompanive guackë në Skoci, të cilat dyshohet se përdoren nga politikanë dhe biznesmenë të korruptuar lindorë për pastrim parash. /Exit.al/
Burlesk akademik
Aurel PLASARI
Kaq seriozisht i merrni “akademitë”?! Në gjithë historinë e kulturës njerëzore akademitë janë shoqëruar me barrë të tëra humori dhe satire. Jo vetëm akademia e themeluar nga akademiku i akademikëve, shoku Enver Hoxha, me 40 akademikët e parë të miratuar me vendimin e Komiteti Qendror të PPSH, ata të cilët do të riprodhoheshin duke promovuar pjellat e gjirit të vet. As më e famshmja Akademi që qytetërimi ynë njeh, ajo franceze, nuk është dalluar vetëm për histori zulme dhe vetëm për kurora dafine. Mjafton të qëmtosh disa të bëra e të pabëra nga Akademia franceze, me gjurmët e saj të para qysh prej shek. XVI, që t’i vështrosh punët “akademike” me sy realisti.
* * *
Quhej Baif, emër sot i humbur dhe i njohur vetëm si mik i poetit Ronsard, ai të cilit në shek. XVI i shkrepi të mblidhte “mendjet e bukura” të kohës dhe ta quante atë mbledhje “akademi”: nga emri i një kopshti në Athinë kushtuar heroit Akademos, aty Platoni i jepte mësim elitës së rinisë athinjote. Kësaj akademie fillestare ia dha “tapitë e aluizmit” mbreti Charles IX. Pastaj erdhi kardinali Richelieu. Meqë Hirësia e Tij nuk kishte si t’i linte jashtë kontrollit “mendjet e bukura” të kohës e shndërroi akademinë në një institucion zyrtar. Seanca e parë e një institucioni të tillë u mbajt më 13 mars 1634 dhe një javë më vonë institucioni u pagëzua me emërtesën historike “Académie française”. Kardinali Richelieu u bë protektori zyrtar i saj: “tapitë e aluzimit” Akademisë franceze, qysh prej 2 janarit 1635, rezultojnë t’ia ketë dhënë Hirësia e Tij. Ai dhe i mikloi ata duke u ofruar emblemën e pavdekësisë: “À l’Imortalité”.
I pari vetë kardinali dha shembullin e zilisë “akademike”. Xheloz për suksesin e tragjedisë “Sidi” të Corneille-it, vuri në punë akademinë për t’ia dënuar veprën. Mirëpo publiku francez as donte t’ia dinte për profkat e “akademikëve” të Richelieu-së. Në një strofë të famshme satiriku Boileau e përqeshi kështu orvatjen e kardinalit për të dënuar, nëpërmjet “akademisë”, një kryevepër:
“Më kot të madhin Sid duan ta telendisin,
Himena, si Rodrigun, magjepsi gjithë Parisin;
Censurë akademia të vërë sa të dojë,
Publiku s’do t’ia dijë dhe vijon ta admirojë”.
Dramaturgut Pierre Corneille iu refuzua dy herë anëtarësia në atë Akademi dhe u pranua vetëm mbas dhjetë vjetësh, kur qe ndërruar gati një brez i saj.
* * *
I njohur për konsideratën e lartë që kishte për veten, Luigji XIV i vuri Akademisë franceze detyrë kryesore t’i thurte lavde atij vetë. “Ju zotërinj, – tha Luigji XIV në një fjalim para akademikëve, – mund ta kuptoni se sa nderim kam për ju përderisa ju kam besuar gjënë më të shtrenjtë në botë, lavdinë time!”. Me një platformë të tillë mund të përfytyrohet se me ç’kritere pranoheshin atëherë anëtarët e Akademisë. Si dhe të kuptohet shkaku se përse akademia në fjalë u quajt nga Guy Breto “manifakturë lajkash”: “manufacture de flatteries”.
* * *
Numri simbolik 40 i anëtarësisë, që respektohet edhe sot e gjithë ditën madje edhe në Shqipëri, u caktua më 1639, si me thënë: 40 “mendje të bukura” ka Franca, plot 40 të tilla ka edhe Shqipëria. Edhe caktimi i një numri të tillë nuk mund të mos shoqërohej me qesëndi e përqeshje. Satiriku Piron u dëftua më i hidhuri: “Katërdhjetë vetë me mendje sa për katër”. U qa atëherë shkrimtari Fontenelle, vetë anëtar i asaj Akademie:
“Po qemë tridhjetenëntë, vetëm na qajnë hallin,
Kur bëhemi dyzet, na tallin e përtallin”.
Me ironinë e tij Alexis Piron-i ua shpagoi “akademikëve” edhe mbas vdekjes duke lënë për veten epigrafin e rimuar: “Ci-gît Piron qui ne fut rien, / Pas même académicien”. Shqip: “Këtu prehet Piron-i që s’qe asgjë, / Madje as dhe akademik”.
* * *
Ata që kishin qenë akademikë të mbretit qenë bënë automatikisht akademikë të perandorit. Bonaparti u pati dhënë edhe të drejtën e mbajtjes së një shpate në brez, që akademikët frëngj nuk e heqin nga brezi as sot kur janë akademikë të Republikës. Perandori dha madje urdhër që ata të kishin një uniformë të veçantë, ndryshe nga vdekatarët e rëndomtë. Në fillim i bëri vetë skicat e uniformës së tyre, sikundër po bën sot kryeministri i Shqipërisë, i ulur në tryezë, me lapsa ngjyrash dhe letër për t’u prerë akademikëve të shkencave uniformën pas shtatit. Në skicat e para perandori pati dashur t’i vishte akademikët e tij me të verdha, por ata i shpëtoi ndërhyrja e piktorit David, ai ia korrigjoi idenë shefit. Në ditët e Republikës, që të mos bëhen qesharakë, akademikët frëngj kanë pranuar t’ia ndryshojnë ndonjë send uniformës. Për shembull nuk dalin më në publik me qillotat në trajtë benevrekësh, por i kanë zbathur ato dhe kanë sakrifikuar duke mbathur pantallona si gjithë bota.
Me tregun e sotëm të euros nuk di ta them, por kur jetoja e punoja në Francë miqtë më tregonin në tryezat e humorit që një uniformë e tillë “akademike” kushtonte më shumë se 50.000 franga, pa llogaritur kapelën dybrirëshe prej pelushi e mëndafshi, si dhe donte më shumë se gjashtë muaj për t’u konfeksionuar.
* * *
Atij që e kanë krahasuar me një “Panteon” të kulturës franceze i është dashur të ballafaqohet me një listë të gjatë emrash të spikatur të po asaj kulture që në atë Akademi nuk bënë pjesë kurrë. Ja alfabetikisht vetëm disa prej mungestarëve të mëdhenj që, së paku, edhe lexuesve shqiptarë u thonë diçka: Balzak (4 herë i refuzuar), Baudelaire, Benjamin Constant, Alphonse Daudet, Descartes, Diderot, Alexandre Dumas, Gustave Flaubert, André Gide (kandidaturë e refuzuar për “imoralitet”), Stéphane Mallarmé, Maupassant, Molière, Pascal, Marcel Proust, Jean-Jeacques Rousseau, Saint-Simon, Stendhal, Verlaine (1 herë i refuzuar), Emile Zola (24 herë i refuzuar).
* * *
Që Akademia franceze bënte edhe reforma, kjo nuk i mohohet. Një nga reformat e saj me më shumë jehonë ishte hapja për të pranuar edhe femra. Mbas vitesh e vitesh refuzimi të kandidaturave femërore, më në fund më 1980 në Akademinë franceze u bënë votat për të pranuar shkrimtaren erudite Margueritë Yourcenar. Kjo reformë u pasqyrua drejtpërsëdrejti në logjistikën e ndërtesës madhështore. Në të fill mbas këtij pranimi WC-të e Akademisë u bënë me dy palë dyer: në njërën shkruhej “Messieurs”, në tjetrën “Marguerite Yourcenar”.
* * *
Janë prandaj të kuptueshëm humori dhe satira që e kanë shoqëruar Akademinë emërmadhe në historinë e saj. Ja disa batuta të përzgjedhura ndër ato pa lojëra fjalësh, pra që mund të përkthehen në shqip:
“Akademia? Shumësia e pavdekshmëve”. Jules Renard.
“Përse thonë që janë të pavdekshëm kur nuk e kalojnë dyzetën?” Alphonse Allais.
“Ç’janë anëtarët e Akademisë franceze përveçse të fundmit të mbetur gjallë të një tribuje fort të lashtë, të cilën shteti bamirës e lejon ende të gjezdisë brigjeve të Senës me pupla majë kokës”. Jean d’Ormesson.
“Kur të më kenë mbetur vetëm një palë bythë (qu’une paire de fesses) për të menduar, do të shkoj të ulem në Akademi”. Georges Bernanos.
“Akademitë janë shoqëri komike në të cilat ruhet serioziteti”. Madame de Linange.
Etj.
Ky, mesa shihet, është një nga sekretet e kulturës frënge: të kenë edhe akademi, edhe një barrë të tërë satire dhe humori akademik.
Rreziku aktual nga armët bërthamore
Asllan BUSHATI
Kohët e fundit veprimet e Koresë së Veriut e kanë tensionuar situatën politiko-ushtarake jo vetëm në Lindjen e Largët, por në të gjithë botën. Kulmin e tij tensionimi e arriti me provën e bombës me hidrogjen të Koresë së Veriut, të datës 3 shtator 2017, e cila shkaktoi lëkundje të tokës në një hapësirë të madhe dhe në përmasat e një tërmeti 6.3 ballë të shkallës Rihter. Por ajo shkaktoi “tërmet” edhe në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe në qendrat e mëdha vendimmarrëse të planetit. Në këto kushte, pyetja më e thjeshtë shtrohet se: pse erdhi situata deri në prag të luftës bërthamore? Shpjegimet mund të jenë të shumta e nga këndshikime të ndryshme. Por pikëpamja ime si ish-ushtarak i lartë, specialist i fushës së mbrojtjes nga armët e dëmtimit në masë (ADM) dhe ish-drejtues i kësaj veprimtarie për një kohë relativisht të gjatë në Ushtrinë shqiptare, është se ajo nuk erdhi si shkreptimë (rrufeje) apo qoftë edhe brenda ditës, javës a muajit. Jo. Ajo është gatuar ngadalë-ngadalë dhe është e qëllimshme.
Periudha pas “Luftës së Ftohtë” është një tranzicion që gradualisht për gati një çerek shekulli solli një dizekuilibër ekonomik, politik dhe ushtarak në shkallë botërore. SHBA-të kanë qenë e janë në qendrën e kësaj stuhie (të dukshme e të padukshme), në fushën e ekonomisë, armatimit, inteligjencës njerëzore e kibernetike për ta minosur qenien e saj si lider i vetëm botëror. Fuqitë e reja e të vjetra ekonomike, kërkojnë ndryshimin e ndarjes së pasurisë botërore. Kërkesa për tregje të reja ekonomike në kurriz të atyre amerikane ka bërë që kontradiktat të shfaqen në qëndrimet politike e diplomatike kundërshtuese dhe në demonstrimin e “muskujve” ushtarakë.
Situata e viteve të fundit në Irak, Siri, Libi, Afganistan etj., (dhe disa politika ditore e dritëshkurtra), i kanë mbajtur amerikanët si të lidhur (fokusuar në këto rajone), duke mos qenë të lirshëm e veprues në rajonet e tjera. Madje këto politika (ndonjëherë jo të menduara mirë), kanë bërë shfaqjen edhe të disa raporteve jo të këndshme edhe me vendet e BE-së, (aleati kryesor i SHBA-së), veçanërisht për problemin e refugjatëve. Shto këtu pushtimin e Krimesë nga Rusia, nxitjen e luftës në lindje të Ukrainës, ndërhyrjen për destabilizimin e situatës në Gadishullin Ilirik (Ballkanik), ndërhyrjet e vazhdueshme me agjenturë e kibernetikë, si dhe trysninë e Kinës për hapësira të reja ekonomike e detare e bëjnë tablonë të rrezikshme shumë komplekse.
Ka politikanë, diplomatë, shtetarë të ndryshëm, (edhe këtu në SHBA) senatorë, kongresmenë, njerëz të medias, që besojnë se Kina dhe Rusia mund të luajnë një rol të rëndësishëm në uljen e tensionit në gadishullin korean. Unë absolutisht nuk besoj në një ide të tillë. Sepse në gjykimin tim, Kina si në situatën e tanishme dhe në planin afatgjatë, lufton vetëm për interesat e saj strategjike për t’u bërë superfuqi e vetme botërore. Ajo aktualisht po pushton të gjitha tregjet me mallrat e teknologjinë e saj ekonomike e ushtarake, përfshi edhe Korenë e Veriut. Në gjykimin tim, ajo është e interesuar që konflikti korean të përshkallëzohet (se ka shumë përfitime), por duke ditur mirë rrezikun e armëve bërthamore, dëshiron që konflikti me këto armë të mos zhvillohet pranë saj. Pra, shkurt situatën e tensionuar e pëlqen, por pa përdorimin e armëve bërthamore. Kina gjithashtu, është e interesuar për dobësimin e gjithanshëm të SHBA-së, veçanërisht dobësimin e përgjithshëm ushtarak të saj e mbi të gjitha të kontigjenteve në Lindjen e Largët. Prandaj unë nuk besoj në ndonjë ndihmesë të Kinës në konfliktin koreanoverior me SHBA-në.
Kurse Rusia e ballafaquar me sanksionet ekonomike amerikane, jo vetëm nuk mund të luajë një rol pozitiv, por përkundrazi unë mendoj se ajo vendos “mina” çdo ditë në situatën e krijuar. Presidenti rus Putin ashtu si Kina e dëshiron përshkallëzimin e situatës për të dobësuar amerikanët, por pa përdorimin e armëve bërthamore, madje edhe sanksionet e OKB-së kundër Koresë së Veriut, i konsideron jo dobiprurëse kur thotë se: “Konflikti do të jetë katastrofë globale… edhe pas sanksioneve mendohet se Peniani nuk do ta braktisë vijimin e provave bërthamore”. Pra, i inkurajon ata të vazhdojnë rrugën e provave në kundërshtim me idetë amerikane.
Ka qarqe të caktuara antiamerikane, që e shtyjnë Presidentin koreanoverior Kim Jong Un, jo vetëm të vazhdojë provat bërthamore, por ta përshkallëzojë situatën, duke i bërë elozhe se je me të vërtetë “trim” dhe i vetmi që “e ke mundur Amerikën” në sytë e gjithë botës. Madje qarqe të tilla ndoshta e shtyjnë atë të ndërmarrë avanturën e përdorimit i pari të armëve berthamore sepse i thonë se je më i avantazhuar. Kjo është tërësisht çmenduria më e madhe e kohës që po jetojmë. Ky qytetërim në përfundim të Luftës Dytë Botërore i provoi armët bërthamore mbi Hiroshima e Nagasaki më 6 e 9 gusht 1945, ku mbetën të vdekur 106 mijë vetë, 98 mijë të plagosur dhe mijëra të tjerë të vdekur më pas nga rrezatimi mbetës.
Por edhe europianët (përfshi ne shqiptarët), e kanë një përvojë shumë negative nga aksidenti i 1986-tës në centralin bërthamor të Cernobilit në Ukrainë. Sot askush nuk e di se sa ka qenë numri i të vdekurve me kancer nga rrezatimi mbetës i këtij aksidenti. Por për kujtesë më lejoni të jap disa shifra. Para aksidentit niveli i rrezatimit natyror në Shqipëri ishte 4-6 zbërthime në minutë për centimetër katror. Më 9 maj 1986 (në kohën e aksidentit), në Malin e Moravës në Korçë ishte 1280 zbërthime në minutë për centimetër katrorë. Kjo situatë radioaktive ishte afërsisht në të gjithë territorin e Shqipërisë. Kurse dhjetë vite pas aksidentit (më 1996) niveli i rrezatimit në Tiranë ishte 14-17 zbërthime në minutë për centimetër katrorë. Tani më lejoni të pyes secilin lexues se sa nga të afërmit tuaj kanë vdekur me kancer në 27.4 vitet pas aksidentit, pra deri më 2003-2004? Po përgjigjem unë për familjarët e mi: gjatë kësaj periudhe kam humbur vëllain, dajon, dy burrat e motrave, kurse bashkëshortja ime dy prindërit, dy dajot, djalin e dajos, burrin e tezes. Po ju të tjerët..? Pra, shtruarja e mendimit se armët bërthamore edhe mund të përdoren në raste specifike, është një absurditet i pakrahasueshëm me asgjë tjetër.
Fenomeni koreanoverior, mund të hapë (si një reaksion zinxhir), një problem të madh të sigurisë botërore, duke zhvilluar idenë e vetëmbrojtjes kombëtare nga armët bërthamore (të të tjerëve), me zhvillimin e arsenaleve bërthamore të shumë vendeve të kërcënuara. Nën pretekstin e të qenit i rrezikuar nga armët koreane (ose dikujt tjetër), në këtë rrugë mund të hyjnë: Koreja e Jugut, Japonia, Indonezia, Malajzia dhe Australia. Në kushtet e këtij reaksioni do të fillonin nga puna si të kërcënuar: Gjermania, Italia, Turqia, Irani, Arabia Saudite, Afrika e Jugut, Brazili etj., etj. Pra, shpejt do të kishim një kaos të vërtetë dhe siguria globale dhe ky qytetërim do të shkatërroheshin nga politikanë të papërgjegjeshëm, por edhe nga gabime njerëzore e teknike.
Në situatën e krijuar në Gadishullin Korean (por edhe më gjerë), një rol të dorës së parë duhet të luante OKB-ja me mekanizmat e saj. Por në gjykimin tim ky organizëm është bërë i pamanovrueshëm dhe disa herë destruktiv. Do të ishte një gjë e mirë gjetja e një forme më të përshtatshme organizimi botëror, por deri atëherë kjo që është duhet të bëjë shumë më shumë se deri tani.
Jam i mendimit se edhe një plan politik duhet shtruar një tezë në tryezat e politikëbërësve botërorë. E them këtë se që nga viti 1953 kemi dy Kore, kur atje është një popull, një komb me një gjuhë. Nuk do të ishte herezi t’u thuhej koreanoveriorëve se kalimi nga diktatura e proletariatit në demokraci shumë partiake, do të ishte një parakusht për të hedhur hapin e parë drejt bashkimit të dy Koreve në një shtet të vetëm demokratik. Kjo ide mund të duket sot si çmenduri, por më besoni se është një opsion më shumë në situatën e rrezikshme që ekziston atje.
Dhe së fundmi do t’ju lutesha strategjistëve në Uashington, të rishohin opsionet e së ardhmes në dritën e problemeve dhe dukurive të kohës që po jetojmë. T’ju bëhet me dije politikanëve të të dy krahëve të politikës, rreziku që ekziston dhe se të qenit e Amerikës e fortë politikisht, ekonomikisht dhe ushtarakisht nuk është vetëm një çështje krenarie amerikane, por është domosdoshmëri në mbajtjen e ekuilibrave botërorë. Është domosdoshmëri për ruajtjen e trashëgimisë së deritanishme botërore dhe lënien e tyre të sigurtë breznive që do të vijnë. Lereni Presidentin Trump me administratën e tij, të bëjë detyrën që ka të përcaktuar me Kushtetutë, dhe zotimet që ka marrë para popullit amerikan. Lerini presidentët e tjerë që do të vijnë ta mbajnë e ta bëjnë Amerikën “great again”.
41 milionë për një vendrojë plazhi që nuk u vendos kurrë
41 milionë lekë për një vendrojë plazhi që nuk u vendos kurrë. Tenderi u bë, lekët u morën, vendrojët nuk u vendosën, ndërsa 28 pushues u mbytën gjatë këtij sezoni turistik. Një vëzhgim i emisionit “Stop” konstaton, se përgjatë gjithë vijës bregdetare, ose mungojnë kullat e vrojtimit, ose edhe kullat edhe personat, që duhet të shpëtojnë jetë. Një VKM rregullon mënyrën e funksionimit të këtyre strukturave, por as që është vënë në jetë nga njësitë vendore.
Gazetari i emisionit “Stop” ka realizuar një vëzhgim përgjatë vijës bregdetare nga kur rezultoi se ekzitojnë vetëm kulla, por asnjëra prej tyre nuk ka vrojtues.
Gazetari: Jemi në mesin e muajit gusht në qytetin e Sarandës, një ndër qytetet më të frekuentuara nga turistët vendas dhe të huaj. Para një muaj e gjysmë emisioni “Stop” ka investiguar pjesën dërrmuese të bregdetit shqiptar ku ka evidentuar një sërë problematikash, një ndër prej tyre dhe mungesa e kullave të vrojtimit, pajisur edhe këto edhe me vrojtuesin, i cili duhet t’u vijë në ndihmë pushuesve.
28 është numri i të mbyturve në sezonin veror të 2017, ndoshta ky numër do të ishte më i vogël nëse do të ishin marrë masa dhe gjërat do të funksiononin siç duhet në Shqipëri.
Ligji shqiptar parashikon krijimin e një ambienti të sigurt për turistët e huaj dhe shqiptarë. Një VKM e dalë në 18.05.2016 në nenin 6, pika “c”, parashikohet që pushteti lokal që jep ambientet me qira bizneseve private duhet t’i detyrojë ata në bazë të VKM që të ndërtojnë një kullë vrojtimi dhe të punësojnë një vrojtues.
Gazetari i emisionit “Stop” ka bërë një investigim në qytetet bregdetare dhe asnjë prej tyre nuk ka një vrojtues që të qëndrojë në punë për t’i ardhur në ndihmë pushuesve që mund të gjenden në rrezik kur janë me pushime.
Më 27 prill të vitit 2017 është tenderuar nga Agjencia Kombëtare e Bregdetit një kullë me shumën prej 41 milionë lekësh të vjetra, adresa e dhënë është në Dhërmi.
Gazetari ka shkuar në Dhërmi për të parë, se ku është kulla, se çfarë ka ajo që kushton aq shumë.
Por edhe pse gazetari kontrolloi të gjithë vijën bregdetare në Dhërmi nuk gjeti asnjë kullë që të kishte të bënte me tenderimin e Agjencisë së Bregdetit.
E vetmja kullë që ishte në Dhërmi ishte një kullë, e cila ishte ndërtuar nga një subjekt privat.
Por gazetari nuk e ka lënë me kaq, ai ka kontaktuar me Auron Taren, kreun e Agjencisë së Bregdetit, i cili tha se publikimi i tenderit 41 milionë lekë për një kullë që nuk u bë kurrë, është lapsus. Ndërsa investimi në kulla pa njerëz, është thjesht shumë parash e hedhur dëm.
Auron Tare: “Në fakt tenderimi që është që bërë në maj dhe në qershor dhe është një tenderim i mbartur nga viti i kaluar për vendosjen e 13 kullave, të cilat janë dhe në dokumentacion me një vlerë prej 5 milionë lekësh të vjetra, nga subjekti që u fitua. Këto kulla janë vendosur në Vlorë, Lungomare, Orikum dhe plazhin e vjetër sipas kërkesës së bërë nga Bashkia e Vlorës, për arsye të fluksit të vizitorëve. Këto kulla, 13 copë brenda këtij tenderimi janë vendosur në plazhin e Vlorës”.
Gazetari: Pra, është një lapsus me të dhënat që janë nga Agjencia e Prokurimit Publik, adresa është Dhërmi dhe kullat janë bërë në Vlorë?
“Ne mund të bënim dhe 100 kulla dhe t’i shpërndanim në shumë qytete ku bashkitë kanë nevojë, por duke qenë se Bashkia e Vlorës ka bërë kërkesë me shkresë zyrtare për t’i vendosur në këto zona, i është dhënë përparësi këtyre zonave. Unë do të thoja se një kullë pa vrojtues nuk ka asnjë rol. Kullat nuk kanë vrojtues, por nuk do të thotë së nuk do të kenë”, tha Tare.