23.5 C
Tirana
E hënë, 7 Korrik, 2025

Tatimi progresiv, FMN: Rëndon mbi shtresat e varfra dhe të mesme

Fondi Monetar Ndërkombëtar hedh poshtë filozofinë e qeverisjes socialiste mbi tatimin progresiv të pagës, që presupozon mbështetje për shtresat sociale duke ndihmuar të varfrit dhe shtresën e mesme e taksuar më shumë të pasurit.
Në një studim të publikuar së fundmi nga dy ekspertë të FMN-së, Ruben Atoyan dhe Jesmin Rahman, llogaritet saktësisht sesi taksohen në të vërtetë pagat e qytetarëve shqiptarë. Në këtë studim, që mban firmën e dy autorëve, Fondi Monetar Ndërkombëtar sqaron në linja të përgjithshme dhe teknike sesi taksohen realisht pagat e shqiptarëve. Duke marrë në analizë vendet e Ballkanit Perëndimor, autorët thonë se progresioni i taksave mbi pagën është i ndryshëm në të gjithë rajonin.
Ky grafik shpjegon pikërisht sesi ndryshon tatimi absolut, pra jo ai në përqindje i pagës së shqiptarëve, në varësi edhe të nivelit të pagës. Shqipëria përfaqësohet në këtë grafik nga ngjyra e kaltër, e siç duket qartë, është një ndër vendet që ka luhatjet më të mëdha të taksimit, edhe për shkak të tri fashave mbi të cilat bazohet taksa progresive.
Për shqiptarët që kanë një pagë nga 50% të pagës mesatare deri në 167% të pagës mesatare taksimi është progresiv, ose e thënë ndryshe, barra absolute e taksave rritet. Kjo do të thotë se, ata që paguhen më pak në vendin tonë, në terma absolutë, jo në përqindje, tatohen më shumë.
Taksimi vijon të mbetet në territor progresiv, paçka se në rënie deri në masën e 167% të pagës mesatare. Pas kësaj fashe, taksimi hyn në territor regresiv, çka do të thotë se, ata që fitojnë më shumë, në mënyrë absolute paguajnë më pak. Regresiv është taksimi edhe për ata që paguhen më pak në këtë vend, nga 33% deri në 50% të pagës mesatare.
Kjo për shkak të tri fashave të pagës mbi të cilat bazohet taksa progresive. Sipas këtij studimi të FMN-së, në nivel absolut, tatimi mbi pagën e shqiptarëve, është i ndryshëm nga ai në përqindje.
Kështu, e shpjeguar në përqindje nga qeveria, që nga zero deri në 30 mijë lekë paga nuk taksohet, nga 30 mijë e deri në 130 mijë lekë taksa progresive është 13% dhe nga 130 mijë e lartë norma tatuese është 23%, duket sikur barrën më të rëndë fiskale e kanë ata që paguhen më shumë.
Por pikërisht këtë teori e hedhin poshtë ekspertët e FMN-së, të cilët kanë llogaritur se, në vlerë absolute, kjo ndarje e taksës progresive mbi nivelin e pagave e ka peshën më të madhe mbi shtresën e mesme dhe të varfër të popullsisë.
Kjo do të thotë se, ata që kanë një pagë nga 50% deri në 167% të pagës mesatare, taksimi është progresiv, pra në terma absolutë taksa rritet më shumë për ata që paguhen më pak.
Taksimi vijon progresiv, ndonëse në rënie deri në masën e 167% të pagës mesatare. Dhe pas kësaj fashe, sikurse e kanë llogaritur specialistët e FMN-së, taksimi kalon në regresiv, që do të thotë se punonjësit me një pagë më të lartë në terma absolutë paguajnë më pak taksa.

Tjetër sukses spektakolar Noriega-Haki Droga në eksportin e kanabisit

Ish-Kryeministri Berisha ka reaguar pas sekuestrimit të 4 tonëve të drogës nga policia italiane. Në një postim në Facebook Berisha e cilëson si një sukses tjetër spektakolar Noriega-Haki Droga në eksportin e kanabisit! Kapet jahti me 4 tonë hashash i nisur nga Lezha!
“Të dashur miq, në një sukses të ri për rritjen e eksportit të kanabisit, Noriega dhe Haki Droga nisën nga Lezha për në gadishullin e Apenineve jahtin e mbushur me 4 tonë kanabis. Vetëm pesë ditë më parë, në kulmin e operacionit prej 1000 uniformash blu, policia italiane kapi një skaf me 2,3 tonë kanabis. Pra miq, në 5 ditë dyshja famoze Noriega-Haki Droga eksportuan 6.2 tonë kanabis. Ky është një sukses spektakolar. Bravo, aferim dyshja më famoze e drogës në Europë!”, shkruan Berisha.
4 tonelatat e drogës nga Shqipëria u sekuestruan mëngjesin e djeshëm nga policia italiane dhe Guarda di Finanza. Mediat italiane raportojnë se, vlera e drogës së sekuestruar përllogaritet mbi 20 milionë euro.

Ministria e Mbrojtjes: Çako gënjen për radarët e kontrollit të drogës

Pas publikimit të letrës së Haki Çakos, që ngrinte shqetësimin se radarët që monitorojnë hapësirën detare shqiptare nuk janë funksionalë, Ministria e Mbrojtjes nuk vonoi të reagonte, duke hedhur poshtë këtë pretendim të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.
Nëpërmjet një njoftimi për mediat, Ministria e Mbrojtjes bën me dije se sistemi i integruar i vëzhgimit të hapësirës detare është tërësisht funksional, që kur është intaluar në vitin 2009.
“Qendra Ndërinstitucionale Operacionale dhe strukturat e tjera të sigurisë kanë përmbushur detyrimet e veta ligjore, në mënyrën më të mirë të mundshme”, thuhet ndër të tjera në reagimin e Ministrisë së Mbrojtjes.
Ky reagim erdhi pasi u zbulua një letër që drejtori i Policisë së Shtetit, Haki Çako i kishte drejtuar më 31 gusht ish-ministrit teknik të Brendshëm, Dritan Demiraj, duke iu ankuar lidhur me funksionimin e radarëve që monitorojnë hapësirën detare në Shqipëri.
Çako ka bërë me dije se disa prej operacioneve nga ana e policisë për kapjen e gomoneve me drogë, kanë dështuar pasi nuk janë dhënë informacione të sakta për vendndodhjen e gomoneve që trafikojnë drogë.

Si u justifikua Çako për gomonet me drogë drejt Italisë

Më 31 gusht, drejtori i Policisë së Shtetit, Haki Çako i ka nisur një letër ish-ministrit të Brendshëm teknik, Dritan Demiraj, ku e njofton se aksionet antidrogë të policisë në det kanë dështuar falë mosfunksionimit të radarëve të vëzhgimit. Çako i sjell si shembull Demirajt dështimin e operacionit të mbrëmjes së 11 gushtit, ku policia nuk mundi të kapë një gomone që ishte nisur dy kilometra nga plazhi i Zvërnecit. Sipas Çakos, qendra kishte dhënë koordinata të pasakta të lëvizjes së gomones me drogë.
Sipas kreut të policisë, radarët janë aq problematikë, sa ka pasur raste kur gomonet e policisë viheshin në ndjekje të njëra-tjetrës. “Mosdhënia e informacionit krijoi konfuzion dhe pati raste kur mjetet që merrnin pjesë në operacion filluan të ndiqnin njëra-tjetrën në hapësirën detare”, shkruhet në letrën që ka publikuar “News24”.

Edhe 30 ditë burg për të dyshuarin për vrasjen e turistes me motor uji

Ermal Fatajt do t’i duhet të qëndrojë në burg edhe 30 ditë të tjera si i dyshuar se aksidentoi për vdekje turisten 15-vjeçare Ksenia Riok, në Ksamil, 45 ditë më parë. Laboratori i Policisë Shkencore nuk ka mundur të përfitojë një profil gjenetik nga krahasimi i fijeve të flokëve të gjetura në skafin e Fatajt, me ato të viktimës.
Në raportin e dorëzuar në limitin e afateve ligjore, ekspertët kanë sqaruar se në këtë rast duhet të kryhet analiza e ADN-së mitokondriale. Kjo analizë nuk mund të kryhet në vendin tonë, pasi laboratori nuk disponon pajisjen. Për këtë arsye, prokurori ka kërkuar zgjatjen e afateve të paraburgimit me 30 ditë të tjera, derisa të gjendet një mundësi tjetër për të bërë krahasimin.
Nuk sqarohet nëse kjo analizë mund të bëhet në një laborator privat në vend apo do të dërgohet jashtë. 31-vjeçari Fataj do të vazhdojë të qëndrojë edhe një muaj tjetër në qeli. Ai e ka mohuar autorësinë e ngjarjes dhe i vetmi dyshim që e mban në burg është që fijet e flokut, të gjetura në helikën e skafit të tij, mund të jenë të viktimës.
Ngjarja e rëndë ku hum,bi jetën turistja ruse ndodhi më 21 korrik të këtij viti. Një prej dëshmitarëve deklaroi se 15-vjeçarja ruse u godit nga një motor uji që ishte brenda zonës së ndaluar për këto mjete. Sipas të pranishmit, pasi ka çarë vajzën dhe ka parë që në ujë kanë nisur shenjat e gjakut, drejtuesi i motorit të ujit është larguar me shpejtësi, ndërsa një person me një varkë të thjeshtë ka nxjerrë në breg trupin e viktimës. Dëshmitari rrëfen se 15-vjeçarja kishte 20 minuta që nga momenti që e pa ruajtësi i varkave dhe policia është vonuar gati gjysëm ore për të ardhur në vendin e ngjarjes.
“Në tragjedinë që ndodhi në tre ishujt e Ksamilit, vajza është goditur me jetsky brenda kufirit të ishullit dhe personi me motorin e ujit është larguar sapo ka parë njollat e gjakut. Policia po e fsheh faktin që ka qenë një jetsky në ujë. Një person që rri tek varkat që marrim çdo ditë e nxori viktimën nga uji. Ajo ishte e goditur dhe kishte mbi 20 minuta nga momenti që e kishte parë ky. Ai mori në moment policinë dhe ata vonuan gati gjysmë ore, ndërkohë që jetsky u fut brenda kufirit që nuk lejohet dhe që është vetëm për pushuesit që notojnë. Ai që e ka vrarë është zhdukur dhe policia asgjë s’po bën për ta kapur. Theksoj, që nga deti vajzën e ka nxjerrë ky që transportonte njerëz për në ishull me një barkë të vogël. Ajo kishte çarje në trup dhe goditje në kokë”, u shpreh atëherë pushuesi, i cili ishte i pranishëm në vendngjarje.

Shqiptari kapet me 12 kg kokainë në Holandë

Policia holandeze ka arrestuar një shqiptar dhe një lituanez pasi u kapën me një sasi të madhe kokaine. Siç raportojnë mediat lokale, shqiptari 25-vjeçar dhe lituanezi 28 vjeç, u kapën në North Brabant, zonë jugore e Holandës. Kokaina u gjet në makinën e lituanezit, i cili po udhëtonte së bashku me të riun shqiptar. Në automjet, policia gjeti 12 kilogramë kokainë. Mbi ta është ngritur akuza e trafikut të lëndëve narkotike dhe pritet të dalin para gjykatës për masën e sigurisë.
Dy të dyshuarit janë arrestuar dhe akuzohen për trafik droge. Shqiptari dhe bashkëpunëtori i tij u kapën në North Brabant, në jug të Holandës. Mediat holandeze nuk kanë bërë të ditur identitetin e 25-vjeçarit shqiptar që u kap me 12 kg kokainë.

Kapet me 23 kg heroinë një shqiptar në Greqi

Policia greke kapi dje një sasi prej 23 kilogramësh heroinë në Athinë me vlerë 350 mijë euro, ndërsa në pranga ranë 5 persona. Tre prej tyre ishin shqiptarë, të cilët drejtonin këtë rrjet droge. Mediat greke kanë zbardhur të tjera detaje rreth të arrestuarve. Shtypi grek shkruan se njëri prej shqiptarëve të arrestuar ka pseudonimin “Maradona”. Ai është 27 vjeç kurse identiteti nuk i është bërë publik.
Dy shqiptarët e tjerë të arrestuar janë 45 vjeç dhe një grua 39-vjeçare. Në pranga ranë edhe dy grekë bashkëpunëtorë të tyre, 19 vjeç dhe 41 vjeç. Sipas hetimeve të policisë, heriona shpërndahej në qytetet e Selanikut, Patras dhe Larisës.
Heroina paketohej dhe mbi të kishte mbishkrime që korrenspondonte me destinacionet ku do të trafikohej, konkretisht me qytetet e sipërpërmendura. Gjatë operacionit antidrogë, policia e Athinës bllokoi të gjithë zonën ku shqiptarët mbanin të fshehur heroinën. Droga u gjet në laboratorin e grupit kriminal. Përveç heroinës, autoritetet sekuestruan edhe 16 kg përzierës, 38 gramë marijuanë dhe 525 euro.

Belgjikë, ekzekutohet me dy plumba kamerieri shqiptar

Një 31-vjeçar shqiptar me profesion kamerier në Saint-Denis në Forest të Belgjikës është ekzekutuar me armë zjarri natën midis të martës dhe të mërkurës. Mediat vendase shkruajnë se viktima është Kreshnik Gjini, i cili u vra rreth orës 00:30 të mëngjesit të djeshëm, pak metra larg kafenesë ku punonte prej rreth 6 muajsh.
Dy autorët e ngjarjes janë ende në kërkim. Sipas një dëshmitari, i cituar nga prokurori publik në Bruksel, viktima po shkonte në drejtim të automjetit të tij në parkingun e Forest Abbey, që ndodhej pak metra nga kafeneja.
Atje u shfaqën dy burra të maskuar dhe hapën zjarr në drejtim të tij. “Duke lënë një kafene, viktima dhe një dëshmitar ecin në parkingun e Abbey për të marrë makinën e tyre prapa. Viktima kthehet drejt automjetit dhe qëllohet nga dy burra”, detajon dëshmitari. “Autorët pastaj ikin nga parku i Abbey”, vijon ai.
“Viktima vdiq në vend pas dy plumbave që mori”, tha zëdhënësi i zyrës së prokurorit publik të Brukselit, Ine Van Wymersche, në një deklaratë. Viktima me origjinë shqiptare i njohur nga të gjithë si njeri i rregullt, është përshkruar nga shumë klientë si “i hapur, miqësor dhe bujar”.
Hetues, ekspertë të mjekësisë ligjore dhe ata të balistikës, shkuan në vendngjarje për hetimet. Autorët po kërkohen në mënyrë aktive.
Kreshnik Gjini njihej si person i rregullt në Belgjikë ku edhe punonte prej disa muajsh në një lokal të quajtur Saint-Denis në Forest. Mediat belge hedhin dyshime se vrasja mund të ketë si motive ngjarje të ndodhura në Shqipëri. Gjini më 30 gusht të vitit 2008 ka tentuar të vrasë me armë zjarri një person në Rrëshen. Në ngjarje është përfshirë edhe vëllai i tij Besmiri, i cili mbeti i plagosur aksidentalisht nga një plumb që e qëlloi në pjesën e dorës nga vëllai i tij.

 

Aksident tek Fresku, tre persona të plagosur

Tre persona mbetën të plagosur në një aksident rrugor në Tiranë. Ngjarja ndodhi pasditen e djeshme rreth orës 15:25 në zonën e Freskut në Tiranë. Sipas informacioneve të policisë, të plagosur janë dy vajza dhe një djalë, të cilët u transportuan për në spital.
“Mjeti tip ‘Volkswage’ me drejtues shtetasin E.D., është përplasur me mjetin tip ‘Fiat’ me drejtues shtetasin K.L, ku si pasojë e përplasjes është dëmtuar drejtuesi i mjetit tip ‘Fiat’, shtetasi K.L., dhe pasagjeret po në këtë mjet, shtetaset B.Ç., dhe H.B., të cilët janë jashtë rrezikut për jetën”, sqaron policia.
Forcat e zjarrfikësve ndërhynë shpejt për të nxjerrë një nga të plagosurit që kishte mbetur i bllokuar. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave dhe shkaqeve të përplasjes së mjeteve.

Shqiptari i dënuar për vrasje arratiset nga burgu në Zvicër

 

Një operacion i madh kërkimi ka nisur në Zvicër dhe më gjerë, pasi një shqiptar i dënuar për vrasje dhe me rrezikshmëri të lartë është arratisur nga burgu. Bëhet fjalë për shqiptarin nga Kosova me emrin Bashkim L., 35 vjeç i cili është arratisur gjatë natës mes së premtes dhe të shtunës së javës së kaluar nga burgu qendror i Friburgut në Zvicër.
Lajmi është bërë publik sot nga policia e Friburgut, e cila ka kërkuar nga qytetarët që të japin informacione nëse e shikojnë të arratisurin. Sipas policisë, dyshimet janë që ai të jetë larguar nga Zvicra dhe të ketë mbërritur në Kosovë, theksojnë mediat zviceriane.
Bashkim L., ishte dënuar në vitin 2013 për vrasjen e një shqiptari nga Kosova, por që jetonte në Itali, pas përplasjeve për kontrollin e territoreve të shitjes së drogës. Policia e ka shpërndarë foton e shqiptarit nëpër të gjithë Zvicrën dhe e ka shpallur në kërkim ndërkombëtar shqiptarin nga Kosova.

Banorët e Shijakut protestë kundër grumbullimit të mbetjeve spitalore

Ndërtimi i një inceneratori për grumbullimin e mbetjeve spitalore, por edhe veterinare dhe më pas asgjësimin e tyre pranë një zone të banuar në Shijak ka futur në konflikt banorët dhe bashkinë e këtij qyteti me firmën kontraktuese, por edhe me Ministrinë e Mjedisit.
Banorët shprehen kundër ndërtimit të këtij impianti, duke e akuzuar firmën se po merr përsipër asgjësimin e mbetjeve të konsideruara të dëmshme ende pa krijuar teknologjinë e duhur. “Ndotja e ajrit, gazrat ku do të çlirohen? Do të çlirohen në ambient. Po ndeze zjarr për të djegur barishte po ndotet ajri”, u shpreh një banore. Një banor tha se, “shtëpia ime është 50 metra, ja ku është. Jam kundër kësaj nuk diskutohet, nuk ikim nga këtej po nuk u rregullua ky”.
Por përfaqësues të firmës gjatë marrjes në pyetje të policisë kanë deklaruar se disponojnë një leje mjedisore nga Ministria e Mjedisit dhe se kanë kapacitetet e duhura për këtë impiant.
Vetë Bashkia e Shijakut, e cila nuk e ka dhënë miratimin për këtë impiant thotë se kompania e ka nisur aktivitetin në mënyrë të paligjshme. “Është një leje 32b që quhet, e cila është dhënë për autoklavën, asgjësimin e një pjese të mbetjeve spitalore dhe tashmë ka dashur që të marrë një leje të dytë për incenerim të mbetjeve dhe janë totalisht jashtë çdo lloj norme”, tha Valbona Mazerka.
“Kur njoftimi është bërë sot në orën 10 ishte konsultim me publikun dhe deri në këto momente kushtet që ka paraqitur subjekti të paktën tek raporti që ka marrë DRM-ja e Durrësit nuk përkon me bazën ligjore dhe me atë çka është reale brenda”, tha Albiona Mehmeti.
Akuza se gjithçka është ndërmarrë pa transparencë dhe pa zhvilluar asnjë dëgjesë publike me përfaqësues të komunitetit, ka nxitur edhe policinë të shoqërojë dhe të marrë në pyetje përfaqësuesit e firmës. Gjithsesi sipas ligjit bashkia duhet të thotë fjalën e saj nëse miraton apo jo ndërtimin e një impianti përpunimesh mbetjesh urbane që në rastin konkret nuk ka ndodhur. Pritet fundi i hetimeve për të zbardhur çështjen në fjalë.

“FAZ”: Mos besoni Ramën, Shqipëria, droga e Europës

 

“Shqipëria e vogël është kthyer në furnizuesin më të madh të marijuanës në Evropë”.
Kështu fillon një reportazh i gjatë i gazetarit David Klaubert botuar dje në gazetën kryesore gjermane “Frankfurt Allegmaine Zeitung” rreth kanabisit shqiptar dhe përpjekjeve të policisë kundër kultivimit të tij.
Klaubert ka shoqëruar një operacion të Policisë së Shkodrës për asgjësimin e disa parcelave me kanabis. Ai shpjegon se policia shqiptare merr të dhëna nga filmimet ajrore të kryera nga misioni i Guardia di Finanza dhe më pas ndërmerr aksione për shkatërrimin e plantacioneve.
Reporteri shprehet se Shqipëria është kthyer në parajsën e kultivimit të kanabisit:
Shqipëria, e shtrirë në jugperëndim të Ballkanit. Dielli shkëlqen 300 ditë në vit, ndërsa lumenjtë që rrjedhin nga malet sjellin plot ujë. Këto janë kushte të favorshme jo vetëm për florën dhe faunën e vendit, por edhe për kultivimin e bimës së kanabisit. Kanabisi rritet aq mirë në Shqipëri sa ky vend i vogël është kthyer në prodhuesin dhe furnizuesin kryesor të marijuanës në Evropë. Madje me diferencë të madhe me të tjerët, thotë Europoli.
Për të treguar përmasat e shtrirjes së trafikut të marijuanës shqiptare, autori pastaj jep një përmbledhje të marijuanës shqiptare të kapur së fundmi, nëpër Evropë:
Një pasqyrë e ngarkesave të marijuanës shqiptare të kapura në muajt e fundit: dy tonë në një jaht modern në jug të Peleponezit, 25 kg në një autobus në Vjenë, 674 kg në një furgon në Amsterdam, 2,3 tonë në një gomone të shpejtë në Pulia, 550 kg në një kamion në autostradën 9 në Hof. Kjo e fundit ishte një nga ngarkesat më të mëdha me drogë të zbuluar ndonjëherë në historinë e doganave bavareze.
Më pas reportazhi -një nga qëllimet kryesore të të cilit është të verifikojë sa “seriozisht” e ka qeveria shqiptare luftën kundër mafias së drogës- përshkruan aksionin e Policisë së Shkodrës.
Nuk kanë helikopter. Rruga për në Dukagjin është e vështirë. Makinat e amortizuara të policisë e kanë të vështirë të arrijën në zonat e thella malore. Madje gjatë rrugës për të arritur në një nga fushat e identifikuara makina e policisë e vitit 1998 mbetet në mes të rrugës, nuk përballon dot rrugën malore. “Pra, do të luftojmë kultivimin e kanabisit? Ata kanë më shumë para se ne”, tha një polic.
Klaubert shprehet se lidhjet e krimit me politikën janë arsyeja kryesore e lulëzimit të trafikut të drogës:
Krimi i organizuar ka gjetur në Shqipëri një terren pjellor. Tranzicioni nga komunizmi në demokraci, në fillim të viteve 1990 u shënua me trazira të dhunshme, paligjshmëri dhe korrupsion. Klani mafioz i lidhur me politikanë filloi të bëjë para me kontrabandën e cigareve, armëve, heroinës. E shumë shpejt përfundoi në biznesin e kanabisit.
Lazarati, një fshat afër kufirit grek, u la i lirë nga qeveria të kultivonte kanabis duke u kthyer në simbolin e këtij biznesi. Fshati prodhonte rreth 900 tonë kanabis në vit. Kjo zgjati deri në vitin 2013, kur kryeministri i sapozgjedhur Edi Rama vendosi të ndërhyjë në Lazarat duke shkatërruar bimët e mbjella. Por Kryeministri arrestoi vetëm persona të parëndësishëm dhe trafikantët e vërtetë falë lidhjeve të tyre me politikanët arritën të shpëtojnë.
Më pas gazetari tregon bisedën e zhvilluar me një djalë, i cili ka punuar në arat me kanabis në zonën e Shkodrës. Ai tregon se më parë ka punuar në lavazh makinash dhe paguhej 300 lekë në ditë, ndërsa për të punuar në fushat e kanabisit ai fitonte 3 mijë lekë në ditë.
Edhe pse policia kalonte në mal për të shkatërruar fushat e mbjella, arat e pronarit tim nuk prekeshin. “Pronari im kishte miq në politikë. Dhe kishte paguar shumë para”, shprehet djali i ri.
Lidhjet e politikës me krimin ekzistojnë, Klaubert shprehet pavarësisht thënieve të Kryeministrit për luftë të ashpër ndaj kanabisit dhe deklaratës se ky do të jetë viti i fundit i kanabisit, sasia e marijuanës shqiptare që kalon për në Evropë nuk është ulur.
Përveç se për policët e korruptuar, të cilët lejuan kultivimin masiv të kanabisit gjatë vitit zgjedhor dhe për familjet e varfra në zonat e thella malore, të cilat nuk kanë burim tjetër jetese, miliardat e trafikantëve dhe klaneve mafioze kanë bërë që këta trafikantë të kenë shumë ndikim ndaj pushtetit. Duke përdorur pushtetin që gëzojnë në nivel lokal dhe paratë, trafikantët kanë siguruar që partitë dhe përfaqësuesit e tyre të mos fusin hundët në aktivitetet e tyre të paligjshme.
Si shembull i lidhjes së krimit me politikën në reportazh jepet rasti i Klement Balilit, i cili mbante një post zyrtar dhe kishte ndërtuar një hotel luksoz.
Pavarësisht sinjalizimeve të ndryshme nga qeveritë e vendeve fqinje, Klement Balili jetonte i lirë, madje në inaugurimin e hotelit të tij morën pjesë Arben Ahmetaj, ministër i Financave dhe Ilir Meta, Presidenti aktual.
Bashkimi Evropian, drejt të cilit Rama synon të udhëheqë vendin, ka kritikuar në raportet e tij arritjet e dobëta dhe dështimin e policisë dhe drejtësisë në luftën kundër drogës.

15 tonë drogë nga Vlora me vlerë 160 milionë euro

Klaubert jep disa të dhëna mbi forcimin e organizatave kriminale në Shqipëri dhe Evropë, të financuara nga të ardhurat marramendëse nga trafikimi.
Vetëm gjatë muajit korrik u kapën në detin e Vlorës më shumë se 15 tonë marijuanë, me një vlerë në tregun e zi prej 160 milionë eurosh. Por krahasuar me sasinë e mbledhur vitin e kaluar prej 1 mijë ton, sasia e kapur nga policia nuk është asgjë për trafikantët.
Trafikantët shqiptarë kanë filluar të investojnë lekët e fituara nga biznesi i paligjshëm i drogës në hoteleri dhe pasuri të paluajtshme, agrikulturë dhe kompani në të gjitha sektorët. Vitet e fundit ato janë shtrirë edhe në biznesin e kokainës duke krijuar lidhje të forta në Amerikën Latine.
Në Mbretërinë e Bashkuar është rritur ndikimi i bandave me etni shqiptare në krimin e organizuar, sipas Agjencisë Kombëtare britanike të Krimit. Në Gjermani, raporti mbi kriminalitetin gjatë vitit 2016, dëshmon se të arrestuarit për trafik ndërkombëtar të narkotrafikantëve me etni shqiptare janë rritur me 85,4 për qind.
Në fund reportazhi përshkruan si forcat e policisë mbërritën në objektiv, prenë bimët e kanabist, bënë fotografi me to në sfond, i dogjën dhe pas 5 orësh u kthyen në shtëpi.
100 policë, gati 18 orë në shërbim. Çdo gjë mbaroi: asnjë e shtënë, asnjë të arrestuar dhe u shkatërruan të 12 fushat me kanabis. 1785 rrënjë në total. Shefi i Policisë është i lumtur. Një sasi e konsiderueshme bari u shkatërrua.