23.5 C
Tirana
E hënë, 7 Korrik, 2025

7256 shqiptarë kërkesë zyrtare për azil në Francë

Pas Holandës, edhe Franca mund të kërkojë rivendosjen e regjimit të vizave me Shqipërinë. Por ndryshe nga Amsterdami, që këtë hap e kërkon për të ndalur organizatat kriminale shqiptare që veprojnë kryesisht në trafikun e drogës, për Parisin shkak janë kërkesat e larta për azil që vijnë nga Shqipëria.
Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Brendshme franceze tregojnë se Shqipëria mban vendin e parë të numrit të azilkërkuesve për vitin 2017.
Në tabelën e publikuar në të përditshmen “Le Figaro”, nga janari deri në gusht, 7 256 shqiptarë kanë paraqitur kërkesë zyrtare për azil në Francë.
Kërkesat janë 178.9% më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2016.
Në vend të dy renditet Afganistani me 3 566 kërkesa, më pak se gjysma e Shqipërisë.
Pasojnë Haiti, Sudani dhe Siria.
“Për kontrolluar situatën, Parisi është i detyruar të kërkojë për Shqipërinë të njëjtat klauzola mbrojtëse që kërkoi për Gjeorgjinë dhe Ukrainën: një rivendosje të vizave në rast të abuzimit me mikpritjen”, shkruan gazeta “Le Figaro”.
Sipas gazetës, të paktën 3 avionë kanë mbërritur nga Franca në Paris këtë verë, me shqiptarë që u është refuzuar kërkesa për azil.
Situata është aq shqetësuese saqë Ministri i Brendshëm francez, Gerard Collomb, organizon çdo javë videokonferenca me prefektët e zonave që kanë probleme me kërkesat për azil që vijnë nga shqiptarët, veçanërisht ata nga pjesa e lindjes së Francës.
Deri tani Franca ka regjistruar 4 911 kerkesa të reja zyrtare për azil, një numër që shkon në 7 256 duke shtuar edhe minorenët që i shoqërojnë azilkërkuesit.
Numri është dukshëm më i lartë se ai i azilkërkuesve sirianë që vijnë nga një vend në luftë.

4 tonë të tjera drogë nga Shqipëria kapen në Itali

Një sasi rekord droge është sekuestruar mëngjesin e djeshëm nga policia italiane dhe Guarda di Finanza. Mediat italiane raportojnë se, policia italiane dhe Guardia di Finanza e Barit kanë kapur 4 tonë marijuanë të ndarë në 185 pako dhe kanë arrestuar tre shqiptarë, që po e transportonin atë me një jaht. Mediat italiane raportojnë se, vlera e drogës së sekuestruar përllogaritet mbi 20 milionë euro.
Sipas policisë italiane, jahti ishte me flamur të SHBA. Si rezultat i ndjekjes nga skuadrat e GdF dhe me suport ajror u bë i mundur bllokimi i mjetit lundrues. Në ekuipazhin e jahtit u arrestuan tre shtetas shqiptarë të moshave, 54, 28 dhe 26 vjeç. Mjeti lundrues u kap në ujërat territoriale italiane në zonën e Garganos.
Mediat italiane njoftuan se agjentët e Guardia di Finanza e kanë ndaluar jahtin në brigjet e Gargano-s dhe kanë sekuestruar në të një ngarkesë rekord marijuane. Ky operacion është kryer nga Guardia di Finanza në koordinim me rojen bregdetare të Taranto-s. Të tre personat që u gjetën në bord janë arrestuar.

ashtrimi i policisë shqiptare

Pas publikimit të lajmit nga mediat italiane për kapjen e 4 tonelatave të drogës dhe arrestimit të tri shqiptarëve, Policia e Shtetit doli me një njoftim për shtyp duke deklaruar se, në operacionin e Policisë italiane dhe të Guarda di Finanzës ka marrë pjesë edhe policia shqiptare. “Mjeti lundrues u kap në ujërat territoriale italiane në zonën e Viestes. Hetimet paraprake tregojnë se ky mjet lundrues nuk ka shkelur ujëra shqiptare. Rezervohemi për të tjera informacione për shkak të sekretit hetimor. Policia e Shtetit po bashkëpunon ngushtë me Guardia di Finanza dhe Policinë italiane, si dhe po shkëmben informacione intensivisht me Policinë malazeze për zbardhjen e këtij trafiku”, thuhej në njoftimin e Policisë së Shtetit.
Por në fakt, policia italiane nuk përmend në asnjë rresht të deklaratës përfshirjen e policisë shqiptare në operacion. Policia italiane bën të ditur se, operacioni u krye nga policia italiane dhe Guardia di Finanza e Barit.
Burime nga grupi hetimor bënë të ditur se, lënda narkotike është ngarkuar në një zonë mes Lezhës dhe Shkodrës. Është e vërtetë që jahti nuk është futur në ujërat tona territoriale, por kanabisi është transportuar me gomone nga brigjet e Lezhës dhe Shkodrës dhe më pas është kaluar në ujërat ndërkombëtare, ku edhe është ngarkuar skafi.
Policia italiane ende nuk i ka dhënë informacione policisë shqiptare në lidhje me identitetin e plotë të tri personave të arrestuar në jahtin me flamur amerikan, ku gjatë natës u kapën rreth 4 tonë kanabis. Nga të dhënat e deritanishme, dyshohet se lënda narkotike është transportuar me skaf nga brigjet e detit në zonën mes Lezhës dhe Shkodrës dhe më pas ajo është ngarkuar në bordin e jahtit, në ujëra ndërkombëtare.

Shqiptarët e jahtit me drogë, banues në Durrës e Tiranë

3 shqiptarët që u kapën me 4 tonë drogë në një jaht në brigjet italiane rezultojnë banues në Durrës dhe Tiranë. Bëhet e ditur se 3 personat në fjalë kanë hyrë në territorin malazez ditën e hënë. Pikërisht nga ky shtet dyshohet të jetë nisur edhe mjeti lundrues luksoz, i mbushur me drogë, i cili mendohet të jetë marrë me qira. Jahti me flamurin amerikan është pikasur nga Guardia di Finanza italiane në ujërat territoriale në zonën e Viestes dhe pas ndjekjes dhe me suport ajror është bërë i mundur bllokimi i tij në det.
Para pesë ditësh, policia italiane sekustroi edhe 2.3 tonë kanabis që sapo ishte shkarkuar nga një gomone oqeanike, e cila humbi gjurmët në ujërat malazeze dhe ato kroate. Pritësi i kësaj sasie ishte sërish një shqiptar që u arrestua ndërsa nga analizat e zhvilluara mes policisë italiane dhe asaj shqiptare rezulton se trafikantët janë duke shfrytëzuar rrugë alternative, jo më nga territori dhe ujërat shqiptare drejt Pulias, por në pjesën e sipërme të Adriatikut.

R.POLISI

Harrojeni arsimin falas

Beta, me profesion mësuese, e ka shumë të vështirë të planifikojë buxhetin e familjes së saj sa herë që vjen shtatori. Ka tre fëmijë në moshë shkollore dhe blerja e librave zë një pjesë të konsiderueshme të shpenzimeve.
“Librat e fëmijëve më shkuan 20 mijë lekë (të reja) dhe kjo nuk është asgjë se tani do të nisim blerjen e mjeteve didaktike, fletore, lapsa, ngjyra, etj., që janë histori më vete… Vetëm librat e vajzës që futet në klasë të shtatë më shkuan 7.500 lekë, që janë tmerrësisht shumë… Dhe për familjen tonë, që jemi të dy në punë, kjo është një tarifë shumë e kripur për t’u paguar”, na shpjegon Beta.
Në fakt Beta nuk është e vetmja, për të cilën blerja e librave shkollorë është një “barrë” më shumë në buxhetin modest të familjeve shqiptare. Janë me mijëra familjet shqiptare që rrudhen në maksimum sa herë nis shkolla.

Libra falas

Shqipëria është thuajse i vetmi vend në rajon që librat jo vetëm janë me pagesë për arsimin e detyruar, që sipas ligjit të arsimit parauniversitar është falas, por shiten me çmime shumë të kripura.
Ndriçim Mehmeti, ish këshilltar i ministres teknike të Arsimit, Mirela Karabina, për arsimin parauniversitar, thotë se jemi shumë vonë për të nisur reformën e vërtetë në arsim, që është shpërndarja e librave falas.
“Ne jemi një vend që rreth 70% të popullsisë e kemi të varfër dhe sigurisht që librat duhet të jenë falas. Ne po flasim për shkollë komunitare, por shkolla nuk ka shkuar ende te nxënësi. Ne themi që e kemi arsimin publik falas, por në të vërtetë u japim vetëm mësuesin falas sepse librat i blejnë vetë, rojen e paguajnë vetë, mjetet didaktike i blejnë vetë… Them që duhet të nisë sa më parë, si fillim me arsimin fillor dhe pastaj të kalojë edhe në sistemin 9-vjeçar. Librat të jenë falas dhe për familjet në nevojë të jepen edhe çantat falas, dhe po ashtu fëmijët të qëndrojnë në shkollë deri në orën 4 të pasdites, të bëjnë detyrat dhe mundësisht t’u sigurohet edhe një vakt. Në këtë mënyrë do të zbutet në mënyrë të ndjeshme edhe fenomeni i braktisjes së shkollës dhe e bën shkollën të jetë në shërbim të komunitetit. Por sigurisht kjo ka kosto dhe buxheti i arsimit duhet të shkojë minumumi në 5% të GDP-së”, na shpjegon Mehmeti, i cili e ka mbajtur këtë post në Ministrinë e Arsimit edhe gjatë periudhës 2005-2013.
Sipas tij ka plot formula si mund të zgjidhet situata. Ai na jep shembullin e Maqedonisë, ku librat jepen falas me të drejtë kthimi në fund të vitit shkollor, Italisë që jep një çek në varësi të të ardhurave që kanë prindërit apo Anglisë që nuk i ka librat falas, por i jep çdo fëmije 80 paund në muaj për të mbuluar shpenzimet e shkollës.

Debati për çmimet

Sa i takon debatit që po zhvillohet për rritjen e çmimeve të teksteve shkollore, mes kreut të PD-së Lulzim Basha dhe ministres së Arsimit që pritet të mandatohet të hënën, Lindita Nikolla, Mehmeti thotë që ajo nuk mund t’i faturohet ministres teknike.
“Formula e çmimeve të teksteve shkollore është përcaktuar në kohën kur kjo ministri drejtohej nga Nikolla dhe në bazë të ligjit ai është çmimi i një viti më parë, shto 2% që është inflacioni. Dhe kjo nuk është një faturë që duhet ta mbajë ministrja teknike”, na shpjegon Mehmeti.

Sindikata e Arsimit

Kreu i Sindikatës së Pavarur të Arsimit, Nevrus Kaptelli, thotë se është urgjente që librat shkollorë të jepen falas, të paktën për arsimin e detyrueshëm.
“Unë ka kohë që e kam ngritur këtë shqetësim, madje edhe një vit më parë kur ishim në komisionin e edukimit këmbëngulëm që të fillonim e të merreshin masat për librat falas. Por kjo ka kosto dhe nuk bëhet me buxhetin që i jepet aktualisht arsimit që është vetëm 2.6% të GDP-së, duhet që së paku buxheti për arsimin të jetë 5%”, thotë Kaptelli për “Citizens Channel”.
Por duket se apeli i sindikatës për libra shkollorë falas ka rënë në vesh të shurdhër. “Nuk kemi pse shkojmë larg. Marrim vetëm Maqedoninë që e ka rregulluar shumë mirë këtë pjesë. Përse ne nuk e bëjmë dot? Se Maqedonia nuk është një vend shumë më i zhvilluar se ne, por këtu mungon vullneti për ta bërë këtë gjë”, na thotë Kaptelli.

Shoqatat kërkojnë libra falas për fëmijët

Ndërkohë Koalicioni për Arsimin në Shqipëri (ACE) ka bërë një thirrje publike, ku i kërkon qeverisë dhe në mënyrë të veçantë Ministrisë së Arsimit, të marrin masa të menjëhershme për të siguruar falas për të gjithë fëmijët e arsimit publik parauniversitar tekstet shkollore.
“Ne mendojmë se një ndër aktet e para publike të qeverisë së re të Shqipërisë duhet të jetë dhënia e teksteve dhe mjeteve mësimore falas për të gjithë fëmijët anembanë vendit pa dallim, në mënyrë që ata të gëzojnë të drejtën e tyre për arsim publik falas”, thuhet në deklaratën e shpërndarë për mediat nga ACE.
Sipas koalicionit, “blerja e librave nga nxënësit e arsimit parauniversitar bie ndesh me Ligjin Nr. 69/2012 ‘Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë’, i cili në nenin 5/2 përcakton se, ‘Në shkollat publike arsimi i detyrueshëm dhe arsimi i mesëm i lartë janë falas’”.
E drejta për arsim falas nënkupton edhe krijimin e kushteve të nevojshme dhe të domosdoshme për t’u arsimuar. Një nga këto kushte është edhe pajisja falas me libra, fletore dhe mjete mësimore e ҫdo fëmije që ndjek arsimin publik.
“Mospërmbushja e këtij detyrimi është një shkelje e të drejtave të fëmijëve dhe në kundërshtim të hapur me nenin 28 të Konventës së OKB-së për të Drejtat e Fëmijëve”, thuhet në deklaratën e ACE.

Pas Teksasit vjen uragani Irma në Florida

Uragani Irma kaloi mbi pjesën veriore të Ishujve Leeward dje, duke sjellë erëra të forta, ngritje të nivelit të detit me dallgë të larta dhe përmbytje në Barbuda. Në Florida banorët e disa komunave kanë marrë urdhër për evakuim të detyrueshëm megjithëse nuk dihet trajektorja e saktë e uraganit që pritet të godasë këtë shtet brenda 72 orësh.
Irma kaloi mbi ishujt Leeward si një uragan i kategorisë 5, ose më i fuqishmi në shkallën e klasifikimit të uraganëve. Qendra Kombëtare e Uraganëve në Shtetet e Bashkuara tha se, meteorologët parashikojnë që fronti atmosferik më aktiv i uraganit të kalojë mbi Antigua, Ishujt e Virgjër britanikë dhe amerikanë ose pranë tyre, para se të mbërrijë sonte në Porto Riko.
Një avion që ndoqi itinerarin e uraganit regjistroi pamje të dëmeve të shkaktuara nga era me shpejtësi deri në 297 km/orë. Këto janë erërat më të forta të regjistruara ndonjëherë gjatë një stuhie në Oqeanin Atlantik.
Dje ka filluar evakuimi i detyruar në disa komuna në shtetin e Floridas.
“Individët në nevojë do të evakuohen nga Gjiri i Majamit të mërkurën në mëngjes; zyrtarët lokalë kanë këshilluar banorët që jetojnë në zona të ulëta të fillojnë evakuimin. Të gjithë duhet të ndjekin udhëzimet e zyrtarëve në lidhje me evakuimet e detyrueshme dhe ato në baza vullnetare. Nëse në zonën tuaj ka ardhur urdhri për evakuim, nuk di si ta theksoj më mirë: ndiqeni atë urdhër. Shtëpitë mund t’jua rindërtojmë, por jetët nuk i kthejmë dot”, tha të martën guvernatori i Floridas, Rick Scott.
Është thuajse e pamundur të parashikohet trajektorja e saktë e uraganit Irma, por sipas meteorologëve, bregdeti i Floridas, nga ana e Oqeanit Atlantik ose nga ana e Gjirit të Meksikës, pritet të goditet nga uragani brenda 72 orësh.

Philips: SHBA të ndërhyjë në debatin mes Serbisë e Kosovës

Një raport i ri për dialogun Prishtinë-Beograd bën thirrje për njohjen e Kosovës nga Serbia. Autori i raportit, David Phillips, thotë se Shtetet e Bashkuara duhet të rrisin profilin në negociatat mes dy vendeve, si pjesë e interesave strategjike për t’i bërë ballë ndërhyrjeve ruse në rajon. Prof. Phillips, drejtor i Programit për Paqen dhe të Drejtat në Universitetin Columbia të Nju Jorkut, rekomandon për rolin e të dërguarit evropian, politikanin gjerman Wolfgang Schaeuble dhe për atë amerikan, ish-sekretaren e Shtetit, Condoleeza Rice. Eksperti i Ballkanit, që ka shërbyer si këshilltar për Departamentin e Shtetit gjatë administratave Clinton, Bush dhe Obama, thotë në intervistën me kolegen Keida Kostreci, se Kosova dhe Serbia duhet të futen në të njëjtën kohë në BE dhe se negociatat duhet të kenë një afat të caktuar që të jenë efektive.

– Zëri i Amerikës: Prof. Phillips, le të fillojmë me zhvillimet e fundit politike në Kosovë, ku Aleanca Kosova e Re iu bashkua koalicionit fitues, gjë që i hap rrugën formimit të qeverisë. Cili është mendimi juaj për këto zhvillime të fundit?
David L. Phillips: Është diçka pozitive që qeveria e Kosovës do të krijohet. Ka kaluar një kohë tepër e gjatë. Qeveria do të gjykohet nga ajo që do të bëjë dhe jo nga vonesat në formimin e saj, prandaj është e rëndësishme që qeveria e re të përqendrohet tek dialogu mes Kosovës dhe Serbisë dhe ajo do të ishte prova për suksesin e saj.

– Çfarë mendoni për pjesën e marrëveshjes, sipas së cilës zoti Pacolli do të ishte presidenti i ardhshëm i Kosovës?
U takon shqiptarëve të Kosovës që të vendosin se si i ndajnë postet. E rëndësishme është që qytetarët e Kosovës të jenë të bashkuar në objektivat për një qeveri të pastër, për të luftuar korrupsionin, për të forcuar demokracinë dhe për të zgjidhur plotësisht dhe në mënyrë përfundimtare mosmarrëveshjet që ekzistojnë mes Kosovës dhe Serbisë.

– Le të flasim për raportin tuaj të fundit për zbatimin e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit. Ju sillni shumë sugjerime, por më i rëndësishmi është ai ku ju i bëri thirrje Serbisë që të njohë pavarësinë e Kosovës. Cila është baza për argumentin tuaj që Serbia duhet të njohë Kosovën që të bëjë përpara, kur nuk e ka bërë një gjë të tillë deri sot?
Për çfarë ka qenë dialogu deri tani? A nuk ka qenë për hapa të vegjël dhe marrëveshje të parëndësishme? Në qendër të tij duhet të jetë njohja reciproke. Kështu do të zgjidheshin përfundimisht marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë. Dialogu duhet të përqendrohet tek njohja e Kosovës nga Serbia. Nëse Serbia do që të hyjë në Bashkimin Evropian, kapitulli i 15-të është shumë i qartë: nuk do të bëjë dot përparim drejt anëtarësimit në BE pa e njohur Kosovën, që është baza për normalizim. Kosova dhe Serbia duhet të negociojnë me Brukselin kushtet për anëtarësimin në BE dhe të dy vendet duhet të hyjnë në Bashkimin Evropian së bashku dhe në të njëjtën kohë.

– Një nga arsyet që deri tani dialogu ka qenë kryesisht për gjëra të vogla është se ata që negociuan për ta filluar atë, e kuptonin që do të ishte e vështirë që të bihej dakord për çështjet madhore, si njohja e Kosovës. A mendoni se kushtet janë përmirësuar aq sa kjo të mund të realizohet tani?
Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç u ka bërë thirrje serbëve që të përballen me realitetin, të zgjidhin situatën me Kosovën. Sigurisht që është e vështirë që të negociohet për njohjen e Kosovës nga Serbia, por duhet të ndodhë. E vetmja mënyrë për të ecur përpara është nëse Serbia njeh Kosovën. Kjo është thelbësore për të shënuar përparim.

– Cilat duhet të jenë hapat që duhet të ndërmarrin Beogradi dhe Prishtina, që dialogu të jetë më efektiv?
Qeveria e Kosovës duhet të ndërmarrë hapa gjithëpërfshirëse për integrimin e serbëve të Kosovës, të garantojë mbrojtjen dhe nxitjen e plotë të të drejtave të tyre, por mbi të gjitha, komuniteti ndërkombëtar duhet të angazhohet më shumë dhe të bëjë më shumë. Bashkimi Evropian ka qenë aktori kryesor në këtë ndërmjetësim. Ne rekomandojmë një rol më të madh të Shteteve të Bashkuara. Ne e dimë që diplomacia është më efektive kur Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara punojnë së bashku. Është e rëndësishme që Uashingtoni të jetë më thellësisht i angazhuar dhe që ndërmjetësit ndërkombëtarë të punojnë drejt një zgjidhjeje. Ne propozojmë që dialogu të jetë në nivel më të lartë, të ndryshojë formati, të zhvillohet një strategji, të përcaktohen qartë temat e negociatave dhe të vendoset një afat, sepse negociatat nuk mund të kenë një fund të hapur. Duhet të punojmë drejt një marrëveshjeje të plotë dhe përfundimtare, me anë të së cilës Serbia ta njohë Kosovën dhe të dyja vendet të ecin përpara drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Sigurisht Beogradi do diçka që quhet “automaticitet”. Ata duan të zgjidhin mosmarrëveshjet me Kosovën dhe pastaj BE-ja të veprojë me shpejtësi dhe automatikisht për të integruar Serbinë në Bashkimin Evropian. Një propozim i tillë ka një kurth. A mundet Serbia të premtojë se Rusia do të binte dakord që Kosova të bëhet anëtare e BE-së? Çfarë qëndrimi do të mbajnë anëtaret e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën, ndaj saj? Dhe nëse Serbia bëhet anëtare e BE-së, a do ta përdorë atë pozicion për të bllokuar anëtarësimin e Kosovës?
Historitë e Serbisë dhe Kosovës janë të lidhura, ashtu si edhe e ardhmja e tyre. Të dyja vendet duhet të ecin përpara së bashku dhe të hyjnë në Bashkimin Evropian në të njëjtën kohë.

– Për Kosovën dhe Serbinë, është e qartë se çfarë i motivon për të përshpejtuar përpjekjet për të zbatuar dialogun dhe bëhet fjalë për integrimin euroatlantik. Por në një botë me burime të kufizuara dhe kriza të shumta, cili është motivimi për Shtetet e Bashkuara dhe BE-në, që të rrisin angazhimin dhe profilin e dialogut?
Aktualisht Rusia ka vendosur një vijë të re fronti në Luftën e Ftohtë me Perëndimin dhe është në Ballkanin Perëndimor. Sipas njoftimeve, ka ngritur një bazë zbulimi në Nish, ka dërguar armë të sofistikuara në Serbi. Shtetet e Bashkuara dëshirojnë t’i forcojnë partneritetet me vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën dhe Serbinë. Nëse Shtetet e Bashkuara kanë interesa strategjike në atë pjesë të botës, mund ta ushtrojnë ndikimin e tyre, përmes një roli më të madh në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Vetëm me angazhimin amerikan, ky proces do të mund të ecë përpara.

– Çfarë rreziqesh shihni nga ndikimi rus në rajonin e Ballkanit dhe për Perëndimin në përgjithësi?
Vladimir Putin flet për unitet sllav, unitet ortodoks, por në fakt Rusia nuk e vret mendjen për popullin e Serbisë. Thjesht po e manipulon këtë çështje, si mënyrë për të sabotuar ndikimin perëndimor, duke u përpjekur të kufizojë rolin e NATO-s në Ballkanin Perëndimor. Qytetarët në Serbi duhet ta kuptojnë se e ardhmja e tyre është me Evropën dhe Perëndimin, se ata mund të ecin përpara me aspiratat e tyre euroatlantike nëse i zgjidhin mosmarrëveshjet me Kosovën. Rusia nuk do të ndihmojë Serbinë, thjesht po i manipulon serbët dhe populli serb duhet ta kuptojë këtë dhe të afrohet me Perëndimin.

– Ju folët për përcaktimin e afatit. Për çfarë afati bëhet fjalë dhe kur thoni një nivel më të lartë angazhimi, profili dhe pjesëmarrjeje, për çfarë e keni fjalën, sa i lartë duhet të jetë?
Ne e dimë nga procese të tjera negociatash si marrëveshja e së Premtes së Mirë mes irlandezëve, që duhet të kesh një afat për të imponuar marrjen e vendimeve. Ne sugjerojmë një afat prej 18 muajsh me mundësinë për ta zgjatur atë afat edhe për gjashtë muaj të tjerë, por jo më shumë. Përsa i takon formatit, është e rëndësishme që Bashkimi Evropian ta ngrejë nivelin e pjesëmarrjes. Deri tani dialogu ka qenë më shumë një mundësi për fotografi për shtypin dhe për përshtypje të mira, në vend që të ishte për çështje thelbësore dhe përparim. Kështu që BE-ja duhet të emërojë një të dërguar të posaçëm për ndërmjetësimin. Federica Mogherini mund të vazhdojë të luajë një rol ceremonial, por duhet të ketë një negociator me përvojë për të drejtuar procesin. Ne rekomandojmë që këtë pozicion ta marrë Wolfgang Schaeuble. Ne gjithashtu sugjerojmë që Shtetet e Bashkuara të caktojnë një përfaqësues të posaçëm dhe ne besojmë se Condoleezza Rice që ka përvojë në Ballkan dhe gëzon respekt, do të punonte me efektivitet me Wolfgang Schaeuble të punonin së bashku si ekip për t’i çuar këto negociata deri në fund.
BE dhe SHBA duhet të diskutojnë së bashku dhe të dalin me një plan për ta rritur profilin e formatit, të vendosin afate dhe të krijojnë një mekanizëm monitorues në mënyrë që ato marrëveshje që janë arritur, të zbatohen. Nëse nuk shënohet përparim, atëherë nuk duhet të ketë kapituj të rinj për Serbinë. Nëse krijojnë pengesa për procesin e negociatave, atëherë nuk ka rrugë për anëtarësim në BE. Pa një mekanizëm monitorues, është e mundur që mund të vazhdohet me shmangien e detyrimeve. Është momenti që Beogradi të vihet para përgjegjësisë dhe që qeveria serbe të bëjë atë që ka premtuar.

Gjermania me të gjitha bateritë kundër afrimit të Turqisë në BE

Barbara Wesel

Kur u hapën bisedimet për anëtarësimin e Turqisë, BE ndodhej ende në një epokë të shpresave të mëdha të pafajësisë. Ishin kryesisht socialdemokratët evropianë që e nxitën atëherë këtë projekt, me besimin se procesi i anëtarësimit mund të bënte njëkohësisht një efekt zbutës dhe demokratizues ndaj një vendi, që deri atëherë kishte marrë pjesë vetëm kalimthi në zhvillimet e pasluftës të Evropës.
Debati u përqendrua atëherë para së gjithash te çështja, nëse Turqia mund të llogaritet në Evropë, në bazë të ndonjë përcaktimi gjeografik dhe politik. Dyshimet për qëndrueshmërinë e zhvillimit demokratik të vendit dhe për Recep Tayyip Erdoganin që atëherë konsiderohej modernizues atëherë ishin të pakta. Dhe kundërshtimet tek partitë konservatore, si te kristiandemokratët gjermanë, bazoheshin para së gjithash te antipatia instinktive përballë pranimit të një vendi me popullatë kaq të madhe dhe myslimane.
Dyshimet qenë që atëherë me vend: ai që e dëgjonte Erdoganin me vëmendje, ishte në gjendje që t’i dallonte formulimet që atëherë arrogante, sipas devizës: jo ne do të hyjmë në BE, por BE do të hyjë në Turqi. Dhe shkaqet që e shtynë kryeministrin e atëhershëm britanik, Tony Blair të ishte njëri ndër mbështetësit kryesorë të anëtarësimit të Turqisë, i gjen në traditën britanike: ai ishte kundër thellimit politik të Bashkimit Evropian dhe kërkonte nga ky shkak zgjerimin pa kufi si aleancë tregtare. Kurse Kancelari socialdemokrat, Gerhard Schröder donte të zgjidhte premtimet që kishte bërë që herët, për hir të vazhdimësisë evropiane, paraardhësi i tij Helmut Kohl, pa pasur parasysh aktorët.

Ëndrra u thërmua
Por ndërkohë ky projekt i shpresës ka shpërthyer së brendshmi dhe ka ardhur koha që të ndahemi prej tij. Padyshim që ka edhe kundërargumente. Tërheqja e vëmendjes te filli i bisedimeve me Ankaranë, që duhet ruajtur pa dyshim, si dhe te shpresat e opozitës ka peshë. Vetëm se: si mund t’i ndihmojnë evropianët opozitarët turq, kur merren si pengje politike edhe qytetarët evropianë dhe kur Berlini me sa duket mund të bëjë pak për ta. Dhe bisedime konstruktive me Erdoganin, i cili vazhdon të shfaqet si sundimtar i vetëm dhe që vepron pa kufi, i rrethuar vetëm nga klika e oborrtarëve të tij, prej muajsh nuk ka më. Në vizitën e fundit Angela Merkeli duhet të duronte që ta trajtonin me shpërfillje. Por BE në vitet e fundit nuk ka mundur të pengojë asnjë pjesë të vogël të marrjes antidemokratike të pushtetit prej Erdoganit.

Ruajtja e fytyrës është e nevojshme
Prandaj ka ardhur koha që të shkëputemi nga iluzioni, se në njëfarë mënyre mund të jemi forcë që të ushtrojë ndonjë efekt pozitiv. Një vështrim drejt Polonisë tregon veç kësaj se sa e vështirë është kjo madje edhe brenda kampit tënd, kur një shtet e dëmton demokracinë e tij. Një konflikt tjetër me Turqinë, që rregullisht çon në sharje të pabazuara të kryetarëve të qeverive evropiane dhe të vendeve të tyre, ndërkohë është më e dëmshme se sa e dobishme. BE nuk duhet të lejojë të bëjnë çfarë të duan me të. Tani është fjala për ruajtjen e fytyrës tënde dhe të vlerave evropiane. Përndryshe, zgjuarsia politike kthehet në dobësi.
Turqia do të mbetet në NATO, sepse nga pikëpamja gjeopolitike nuk ka thuajse asnjë alternativë. Dhe marrëveshja për refugjatët ndërkohë është eliminuar në një masë të madhe vetvetiu. Vërshimi i sirianëve dhe irakianëve ka rënë dhe migrantët nga Lindja më e largët ndërkohë e dinë se do të ngecin në kampe në Greqi.

Çelësi është te ekonomia
Ka mundësi të ndryshme evropianëve, që t’i tregojnë Erdoganit kartonin e kuq. Hapi tjetër në takimin e nivelit të lartë të BE në tetor do të ishte suspendimi normal i bisedimeve të anëtarësimit. Ky vendim mund të merret vetëm me shumicë të kualifikuar dhe argumentohet me gjendjen aktuale në vend. Me këtë do të bllokohen edhe ndihmat e paraanëtarësimit, për të cilat deri më 2020 gjithsesi janë në dispozicion rreth nëntë miliardë euro. Këtu bën pjesë edhe bllokimi i linjave të tjera të kreditit dhe i garancive kreditore, si dhe paralajmërimet për udhëtimet në Turqi, për aq kohë sa qytetarë të tjerë gjermanë dhe të tjerë kthehen në të burgosur politikë. Dhe as mund të diskutohet më për një zgjerim të bashkimit doganor.

Gjykata Evropiane e Drejtësisë vendos detyrim për emigrantët

epa05515133 A handout photograph released on 30 August 2016 by the Italian Navy showing migrants on a boat during rescue operations in the Mediterranean Sea, off the Libyan coast. Italian Navy ships Fasan, Sfinge, and Cigala Fulgosi rescued on 29 August almost 2500 migrants. Over 6000 migrants, mostly from Eritrea and Somalia, were rescued off the coast of Libya in the Mediterranean Sea. The joint operation involved several Italian and International agencies. EPA/MARINA MILITARE / HANDOUT HANDOUT EDITORIAL USE ONLY/NO SALES/NO ARCHIVES

Gjykata më e lartë e Bashkimit Evropian deklaroi se shtetet anëtare mund të detyrohen t’i pranojnë azilkërkuesit në vendet e tyre.
Gjykata Evropiane e Drejtësisë hodhi poshtë pretendimet e Hungarisë dhe Sllovakisë për të qëndruar jashtë planit që Bashkimi Evropian filloi të zbatojë dy vjet më parë.
Plani për risistemimin e refugjatëve u miratua nga Këshilli Evropian megjithë kundërshtimin e disa vendeve të Evropës Lindore.
Sistemi synon sistemimin e 160 mijë refugjatëve që kanë arritur në Greqi dhe Itali, për të lehtësuar barrën e këtyre vendeve. Deri tani janë risistemuar vetëm 24,000 njerëz.
Gjykata Evropiane e Drejtësisë deklaroi dje se Këshilli nuk kishte arsye ta miratonte planin njëzëri dhe se ishte e drejta e tij të reagonte “në mënyrë efektive dhe të shpejtë në një situatë emergjence”.
Hungaria dhe Polonia kanë refuzuar të pranojnë refugjatë, ndërsa Sllovakia ka pranuar vetëm një pjesë.

Putin kërkon bisedime me Korenë e Veriut

Presidenti rus, Vladimir Putin u bashkua me komunitetin ndërkombëtar në dënimin e provës së fundit bërthamore të Koresë së Veriut. Presidenti rus, i cili dje zhvilloi një takim me homologun e tij koreanojugor, tha se sanksionet dhe trysnia diplomatike nuk janë të mjaftueshme për zgjidhjen e krizës në Gadishullin Korean.
Duke folur pas takimit me Presidentin e Koresë së Jugut, Moon Jae-inin në portin rus të Vladivostokut, zoti Putin bëri thirrje për bisedime me Korenë e Veriut, duke thënë se sanksionet nuk janë një zgjidhje për çështjen e programit bërthamor dhe raketor të Phenianit:
“Në të njëjtën kohë është e qartë se është e pamundur të zgjidhësh problemet e Gadishullit Korean vetëm me sanksione dhe presione. Ne nuk duhet të biem pre e emocioneve dhe ta vendosim Korenë e Veriut në një situatë pa rrugëzgjidhje. Të gjithë duhet të veprojnë me gjakftohtësi dhe të shmangin hapat që çojnë në shkallëzimin e tensioneve. Është shumë e vështirë të bëhet përparim në situatën aktuale pa mjete politike dhe diplomatike, në fakt unë besoj se në këto kushte përparimi është i pamundur”.
Ndërkohë, sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres dje tha se programi bërthamor i Koresë së Veriut është një nga kërcënimet më serioze të botës dhe bëri thirrje për gjetjen e një zgjidhjeje politike për krizën:
“Duhet të nxisim dialogun dhe komunikimin e nevojshëm për të shmangur kalkulimet e gabuara dhe keqkuptimet. Retorika konfrontuese mund të sjellë pasoja të paparashikuara. Zgjidhja duhet të jetë politike. Pasojat e një veprimi ushtarak janë shumë të tmerrshme”.
Presidenti i Koresë së Jugut, Moon Jae-inin po i bën thirrje Moskës të mbështesë vendosjen e sanksioneve më të ashpra ndaj Phenianit.
Rusia dhe Kina, partneri kryesor tregtar i Koresë së Veriut, pajtohen se ashpërsimi i sanksioneve kundër Phenianit nuk do të ulë tensionet në Gadishullin Korean.

Rrënjët e urrejtjes së Koresë së Veriut ndaj SHBA

Në Korenë e Veriut ka shumë gjëra që mungojnë. Por një gjë ky vend e ka: një makineri efektive të propagandës. Që në kopshte dhe në librat e shkollës ushqehet urrejtja ndaj SHBA, e lidhur me frikën prej “agresorit imperialist nga Uashingtoni”. Propagandën e ndihmon fakti që mund të bazohet në përvojën kolektive të Luftës së Koresë. Kjo luftë lë gjurmë në botën e njerëzve sot, edhe sepse ajo nuk ka marrë fund. Nuk ekziston një marrëveshje paqeje. Që prej më shumë se gjashtë dekadash, në paralelin 38 sundon vetëm një armëpushim.
Kjo luftë – për ta thënë qartë – nisi nga vetë Koreja e Veriut. Trupat e Koresë së Veriut ishin ato që e kaluan më 25 qershor 1950 paralelin e 38-të. Me forcën e armëve Pheniani donte të impononte ribashkimin e gadishullit të ndarë që prej Luftës së Dytë Botërore.
Megjithatë: kur Presidenti i SHBA, Donald Trump kërcënon tani me zjarr, zemërim dhe me pushtet të pafrenuar dhe lë të kuptohet se Koresë së Veriut “do t’i ndodhnin gjëra, të cilat nuk i ka konsideruar kurrë të mundura”, atëherë kjo përshtatet si me historitë që tregon Pheniani, ashtu edhe me përvojën historike. Kur ministri i Mbrojtjes, James Mattis e paralajmëron udhëheqjen e Koresë së Veriut për rrezikun e “asgjësimit të popullit”, trauma nacionale që ushqehet vazhdimisht rigjallërohet nga propaganda. Sepse asgjësim koreanoveriorët kanë përjetuar – midis viteve 1950 dhe 1953.

Tri vjet bombardim mbi sipërfaqe
Për tri vjet me radhë u mbulua atëherë Koreja e Veriut me bombardime mbi sipërfaqen e vendit nga avionët luftarakë të SHBA. Pa e ruajtur fare popullatën civile, siç shkruan historiani i SHBA, Bruce Cumings. Cumings e karakterizon këtë si krim lufte.
Në këtë kohë mbi Korenë e Veriut u hodhën më shumë bomba dhe napalm se sa u hodhën kundër Japonisë në hapësirën e Paqësorit në të gjithë Luftën e Dytë Botërore. Vlerësohet se jetën e humbën prej tyre 20 për qind e popullatës.
Ish-ministri i Jashtëm i SHBA, Dean Rusk – që në kohën e luftës së Koresë qe përgjegjës për Azinë Lindore në Ministrinë e Jashtme – deklaroi se “midis paralelit 38 dhe kufirit kinez ne kemi bombarduar çdo tjegull, që qëndronte mbi një tjetër, gjithçka që lëvizte. Ne kishim epërsi të plotë ajrore dhe e bombarduam rëndë Korenë e Veriut”.
Në të vërtetat e pakëndshme historike, që harrohen në Perëndim, por kujtimi i të cilave mbahet gjallë në Korenë e Veriut bëjnë pjesë edhe masakrat. Të tilla si masakra e No Gun Ri, e kryer nga ushtarët e SHBA vetë. Nën një urë, u vranë qindra civilë që kishin marrë arratinë, siç u bë e ditur në vitin 1999.
Edhe më të këqija qenë spastrimet antikomuniste të forcave të armatosura të Koresë së Jugut. Menjëherë pas fillimit të luftës, në jug u ekzekutuan simpatizantë të vërtetë ose të supozuar të Veriut, me dijen dhe në sytë e oficerëve të SHBA. Për to u akuzua Koreja e Veriut.