32.5 C
Tirana
E diel, 6 Korrik, 2025

Për “6 mijë trupat” e vrarë nga komunistët

Kastriot DERVISHI

Nisur nga keqinformime e keqinterpretime sistematike që po i jepen publikut në lidhje me personat që kanë humbur jetën gjatë regjimit komunist, si dhe me shifrën e “6 mijë të zhdukurve”, e quaj me vend të sqaroj të interesuarit rreth kësaj çështjeje. Së pari, duhet ndarë koncepti mbi personat që humbën jetën nga komunistët dhe atyre që nuk u janë gjetur eshtrat sepse nuk është e njëjta gjë.
Së dyti, duhet të qartësohet se bëhet fjalë për vrasje të kryera nga komunistët gjatë luftës dhe gjatë ushtrimit të pushtetit prej tyre. Siç po vërej me keqardhje, zyrtarë të institucioneve shtetërore, fillestarë të pandreqshëm në këto punë, që kujtojnë në mënyrë fëmijërore se kur i mësojnë ata dy-tri gjëra po fillon historia, nuk i ndajnë dot këto koncepte.
Shifra e përafërt e 6 mijë personave që humbën jetën nga komunistët e jo vetëm nga regjimi i tyre (pra para dhe pas lufte) është bërë e ditur prej meje në kuadër të një takimi që kemi pasur më 28.7.2011 në Ministrinë e Brendshme me znj. Kathryne Bomberger – drejtore e Përgjithshme e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur, me qendër në Bosnje-Hercegovinë. Shifra është nxjerrë mbi bazë sondazhi, domethënë nga të dhënat e grumbulluara, si dhe duke pasur parasysh mungesat e vërejtura në listën e përpiluar në vitin 1996.
Nisur nga fakti se ende sot nuk është përpiluar një listë e saktë e personave që u vranë nga komunistët, unë kam artikuluar shifrën e përafërt prej 6 mijë personash, pa shtuar asnjëherë se të gjithëve këtyre nuk u janë gjetur eshtrat. Zyrtarë, mesa duket kopjacë edhe plagjiatorë, të cilët reflektojnë anekënd amatorizëm, nuk e kanë për gjë as të marrin pohimin apo studimin e tjetrit, por artikulojnë keq shifrën për “6 mijë trupa”, a thua se të vrarët janë të ngrirë në frigorifer e po presin me durim këta shpëtimtarët e situatës për t’i “shkrirë”.
Si qëndron e vërteta? Në vitet 1992-1997 është bërë një punë e madhe, por jo e plotë (efekti njohje-kohë), në drejtim të identifikimit të personave të ekzekutuar nga komunistët, në vitet 1941-1944 dhe 1944-1991. Për këtë arsye, një komision shtetëror arriti në bazë të provave dokumentare dhe vetëdeklarimeve të familjarëve të përpilojë një listë që mban datën 17.4.1996, në të cilën përfshihen 5.157 persona të vrarë me ose pa gjyq. Në këtë listë, të hartuar sipas kriterit alfabetik, janë rreshtuar të vrarët nga viti 1941 e deri në vitin 1991.
Ekzekutimet janë kryer nga komunistët në këto raste:
– Gjatë luftës civile në vitet 1941-1944;
– Me vendim gjykate të formës së prerë;
– Në kufi në orvatje për t’u arratisur;
– Si desantë të ardhur nga jashtë;
– Si të arratisur brenda vendit;
Por, është përllogaritur edhe humbja e jetës në këto rrethana:
– Kampet tela me gjemba;
– Burgjet dhe kampet e punës së detyrueshme;
– Hetuesi, në kushtet e torturës fizike e psikologjike;
– Spitalin e burgut;
Rreth 2 mijë persona të kësaj liste i takojnë të vrarëve të viteve 1941-1943, të cilët janë varrosur qysh në atë kohë dhe nuk konsiderohen të zhdukur sepse nuk kanë qenë të tillë. Po ashtu në vitet 1992-1997 u bë e mundur gjetja e shumë vendvarrimeve dhe u organizuan ceremoni të posaçme për personat që u rivarrosën, etj. Një pjesë tjetër e të vdekurve në hetuesi apo në burgje janë varrosur pa shenja në varreza që nuk ekzistojnë më si në Tiranë (Varri i Bamit), Elbasan (parku i qytetit), etj., duke humbur përfundimisht. Në shumicën e zonave ku janë bërë pushkatime si bregu i lumit në Tiranë, zona poshtë Dajtit, Pusi i Mezinit në Vlorë, Spitalla në Durrës, etj., janë bërë ndërtime të shumta dhe këto raste konsiderohen përfundimisht të humbura.
Në këtë mënyrë, numri i personave të cilëve nuk iu gjenden eshtrat është shumë më i vogël nga ai që pretendohet në aktivitete me karakter qokash apo për t’u dukur “Kola në punë”.
Të dhënat dokumentare të trashëguara janë shumë të vogla dhe informacioni shumë i paktë. Megjithatë, i gjithë informacioni i gjetur është vënë në dispozicion të kërkuesve kur është kërkuar prej tyre dhe nuk ka ngelur asgjë pa u ditur rreth kësaj çështjeje.
Asnjë dosje hetimore-gjyqësore nuk ka skica varrimi. Me përpilimin e praktikave të tilla është marrë Policia e jo Sigurimi. Asnjë dosje formulare e Sigurimit të Shtetit nuk përmban të dhëna vendvarrosjeje, sepse këto dosje kanë karakter vetëm agjenturialo-operativ. Po ashtu nuk ka të dhëna për “persona të zhdukur”, sipas përcaktimeve që do t’i gjeni pa fantazi e mekanikisht në një ligj që shkel disa ligje, por që nuk ekzistojnë kurrkund në realitet.
Skica e parë e varrimit e trashëguar është ajo e vitit 1984. Ekzistojnë disa skica të veçuara të viteve 1984-1991 për raste të të dënuarve politikë dhe ordinerë, si dhe skica e varrezës së fshatit Panahor në Ballsh (e kampit nr. 309 të të burgosurve), në të cilën janë varrosur të dënuarit e atjeshëm.

 

Studimi që i vodhën Sabiha Kasimatit

Kastrit DERVISHI

Një prej anëve më të padukshme të komunizmit, ose një prej vjedhjeve më të padukshme të tij është vjedhja e pasurisë intelektuale. Kjo pasuri është shumë e vështirë të identifikohet sepse hajdutët dhe kriminelët pas vrasjes, zhduknin çdo gjurmë të krimit të tyre.
Sabiha Kasimati, punonjëse e Institutit të Shkencave, kjo shkencëtare e rrallë edhe për vendet e pasura, e jo më për një vend si Shqipëria, u vra nga regjimi i injorantëve më 26.2.1951, me rastin e incidentit të dinamitit në legatën sovjetike, bashkë me 21 persona të tjerë. Vepra e saj shkencore, menjëherë u vodh.
Në vitin 1958, Georgji Dimitriveç Poljakov (me tre ndihmës shqiptarë, administratorë të dokumenteve që gjetën) botoi librin “Peshqit e Shqipërisë”. Kjo vepër studimore e rrallë nuk ishte tjetër veçse puna shkencore disavjeçare e Sahiha Kasimatit. Botimi i parë i Universitetit të Tiranës u shtyp në 1535 ekzemplarë. Në parathënien e këtij libri thuhej:
“Kjo vepër mbi peshqit e Shqipërisë është fryti i punës shkencore të Sektorit të Ihtiologjisë të Institutit të Shkencave. Ky sektor, i cili filloi veprimtarinë e tij aty nga fundi i vitit 1951, u ngrit me qëllim që të kërkojë mënyrat dhe metodat më të mira të shfrytëzimit e të restaurimit të faunën ihtike të ujërave të ëmbla e të kripura, për t’i shërbyer ekonomisë së peshkut në Shqipëri”.
Në këtë studim përshihen 99 familje me 267 specie nga të cilat 30 i përkasin ujërave të ëmbla, trajtohet koha dhe vendi i prodhimit, ritmi i rritjes dhe zhvillimi, migracioni, mjetet e metodat e shfrytëzimit, përhapja gjeografike, etj.
Sipas shpjegimeve në libër bëhet e ditur se ihtilohu Georgji Dimitriveç Poljakov ka ardhur në Shqipëri fill pas vrasjes së shkencëtares Sabiha Kasimati në fund të vitin 1951, duke qëndruar deri në mes të vitit 1953. Ai u dërgua nga Bashkimi Sovjetik “për të ndihmuar” punonjësit e Sektorit të Ihtiologjisë së Institutit të Shkencave “në punën e vështirë të kërkimeve shkencore”. Sipas librit profesori sovjetik “mundi brenda një kohe të shkurtër t’i vërë sektorit të Ihtiologjisë baza të shëndosha organizative, të drejtojë me kompetencë të gjitha punimet shkencore dhe të vlerësojë si duhet problemet kyçe që preokuponin për sa i përket lidhjes së shkencës me praktikën”. Po ashtu thuhet se Poljakovi i vuri detyrë vetes të mbarojë të parën vepër të plotë për faunën ihtike të vendit tonë, detyrë të cilën “e kreu me sukses”.
Siç edhe shihet, koha prej një viti e gjysmë është krejt e pamjaftueshme për realizimin e një vepre të tillë. Autori sovjetik është tradhtuar në këtë mënyrë vetëm nga ky fat. Plagjiatura që ai ka kryer, duke përdorur si maskë disa autorë shqiptarë është e dukshme.

Inceneratori i Elbasanit, banorët japin alarmin

Kur nuk janë mbushur ende as 6 muaj nga fillimi i punës, inceneratori i Elbasanit jep shqetësimet e para tek banorët e zonës përreth.
Të gjetur përpara një fakti të kryer tashmë, atyre nuk i mbetet veçse të pranojnë këtë fat të keq, ku fillimisht ishte ndotja nga Metalurgjiku shqetësimi kryesor e tanimë ky investim gjigant që sjell një erë të pakëndshme që nga dita e parë e punës e deri më sot në shtëpitë e tyre.
Nuk është e vështirë që të gjesh banorë, të cilët ankohen pranë zonës së Katundit të Ri, buzë lumit Shkumbin ku edhe është ndërtuar ky incenerator.
“Në mëngjes kur zgjohemi vjen një erë që s’hap dot dritaret e jo më të rrish këtu. Ata bënë mirë që e bënë, por ne na prishën punë. Ne e patëm metalurgjinë gjithë këto vite, tani na futën këtë belanë tjetër. Kemi vetëm hallin e kalamajve se ne i kemi ditët e numëruara dihet”, thotë Arjani, banor i zonës.
Ky investim, i cili ndezi motorët në fillim të muajit prill të këtij viti, ka një sipërfaqe prej 21 mijë m2 dhe një kapacitet përpunues maksimal 360 mijë metër kub. Kontrata koncesionare prej 7 vitesh është firmosur nga qeveria shqiptare me “Albtek Energy shpk”, ku vlera e investimit kap shifrën 22 milionë euro.
Duket se asaj që i frikësoheshin ambientalistët po ndodh, duke mos harruar që ky investim ka shkaktuar shumë debate në kohën kur u miratua, kjo jo vetëm për shifrën e konsiderueshme, por edhe për teknologjinë që shumë nga ekspertët mjedisorë e quajtën të vjetruar dhe pa kurrfarë dobie për minimizimin e ndotjes në Elbasan.
Elbasani ka qenë dhe mbetet qyteti ku ndotja e mjedisit ka qenë aq flagrante, saqë për banorët, u bë pjesë e mënyrës së të jetuarit. Përtej ironisë, ish-Metalurgjiku e kompania që e shfrytëzoi atë, punoi pa shumë filtra mjedisorë, pa presion qeveritar, në dritë të diellit dhe duke dërguar dhuratat e duhura në xhepat e duhur. Megjithëse “Kurum” është mbyllur, aktiviteti i “Albkromit” dhe djegia e mbetjeve nuk e shpëtojnë këtë qytet nga ndotja.
Për kryetarin e Klubit Ekologjik, Ahmet Mehmeti, situata paraqitet nën kontroll përsa ndotja nuk shihet me sy të lirë nga ky incenerator, megjithëse është akoma herët për të folur.
“Plastika është ajo që dominon, pra pjesa më e madhe e mbetjeve dhe si e tillë djegia e saj nuk mund të jetë më shumë se 10%. Riciklimi i mbeturinave do të bëjë atë që ndotja të shkojë drejt 0-ës. Por ne jemi në vazhdën e monitorimeve të vazhdueshme për të dalë në konkluzione të detajuara në lidhje edhe me pretendimet e banorëve të zonës”.
Ai shton se, “‘Kurumi’ e ka ndërprerë punën, por mbetet ende ‘Albkromi’ që emeton në ajër dhe që duhet të marrin masa urgjente për filtra mbrojtës për të mos dëmtuar mjedisin”.
Banorët shprehen skeptikë mbi këtë situatë dhe zgjidhjen e saj.
“Sa të duash ka erë, shumë ndjehet. Por ku do të ankohesh? Kush ta merr për bazë? E ka qeveria në dorë atë punë, s’kemi ku të ankohemi fare, vetëm të vuajmë. Kur fryn erë sidomos s’rrihet fare këtu, aq erë e keqe vjen, megjithëse kur kanë ardhur përfaqësuesit e bashkisë, ne jemi ankuar për shumë çështje përveç kësaj, por s’kemi krahë. Ne duam një përkrahje, një mbështetje, si popull”, thotë Ylli, i cili banon prej 20 vitesh në Kantund të Ri.
Ndërsa Majlinda guxon pak më shumë, duke thënë se ndotja po i sëmur fëmijët. “Në darkë vjen shumë erë, aromë e rëndë dhe e gjitha sëmundje është. Vajzën e vogël e kam shtruar disa herë në spital me probleme në frymëmarrjen gjatë këtyre 3 muajve”, rrëfen ajo për “Citizens Channel”.
Po ç’teknika përdor firma kontraktuese për përpunimin e mbetjeve? Sipas Enid Dines, përfaqësuesit të firmës “Albtek Energy shpk”, në këtë impiant hiqen mënjanë metalet, aluminet, qelqet dhe pjesërisht plastika.
“Kemi rreth 50 punëtorë dhe 10 përfaqësues të shoqërisë italiane që prej 2 vitesh realizojnë operimin e impiantit dhe trajnimin e stafit inxhinierik tonë. Proceset e selektimit janë 2 turne nga 8 orë, ndërsa proceset e ngarkimit, pastrimit, menaxhimit dhe monitorimit realizohen me 3 turne nga 8 orë”, shpjegon ai.
Ndërsa i pyetur për shqetësimin e banorëve mbi erën e keqe, Dine thote se: “Ne nuk kemi informacion për aroma të këqija në impiant, madje kemi pritur shumë vizitorë gjatë kësaj periudhe shfrytëzimi dhe nuk është ndjerë ndonjë aromë. Gjithsesi nga organizata ambientaliste dhe Ministria e Mjedisit bëhet monitorim i rregullt si për ujërat nëntokësorë përreth impiantit ashtu edhe për ajrin dhe ka rezultuar çdo gjë brenda kritereve dhe standardeve europiane. Në këndvështrimin tonë është e qartë që ky impiant ka ndikuar drejtpërdrejtë në zhdukjen e ndotjes që gjenerohej nga djegia e hapur e plehrave te venddepozitimi i vjetër i qytetit të Elbasanit para përfundimit të këtij impianti”, përfundon ai.
Inceneratori i Elbasanit është i pari që është ndërtuar nga shtatë që ka planifikuar të ndërtojë qeveria shqiptare me përdorimin e skemës së njohur partneritet publik privat. Një javë më parë u shpall edhe fituesi i koncesionit për ndërtimin e inceneratorit të Tiranës me vlerë 140 milionë euro dhe kohëzgjatje 30 vjet.
Inceneratorët e tjerë planifikohen të ndërtohen në Fier, ku është shpalluar kompania fituese e koncesionit, por banorët e zonës ku do të ndërtohej inceneratori nuk kanë lejuar ndërtimin e tij, Sarandë, Maliq, Porto Romano dhe Shkodër.

“Citizens Channel”

Puna rraskapitëse e fëmijëve të kromit për një copë bukë

“Nuk kam ardhur për të bërë lekë këtu, kam ardhur vetëm për një thes miell”, na thotë një grua afër të 60-ave, e cila po rrëmon për krom në një stok miniere në Bulqizë.
Ky është burimi i vetëm i të ardhurave për shumicën e familjeve në qytetin e Bulqizës. Këto masive gurësh janë krijuar nga puna disa vjeçare në sektorin minerar.
Më së shumti janë gra dhe fëmijë që kërkojnë atë pak krom që mund të ketë mbetur, për ta shitur më pas tek kompanitë apo individët që merren me tregtimin e kromit.
Në ndryshim nga bashkëmoshtarët e tyre, fëmijët e varfër të Bulqizës nuk bëjnë pushime verore, por punojnë për grumbullimin e kromit. Ashtu si edhe në ditët e nxehta të muajit gusht, ku edhe pse temperaturat shënonin mbi 30 gradë celcius, “fëmijët minatorë” dhe gratë rrëmojnë nëpër stoqet e Bulqizës për të gjetur krom.
Minerali që mblidhet prej tyre blihet me 8 ose 10 lekë për kilogram, nga disa firma apo persona, të cilët më pas e rishesin mineralin me 18 ose 20 lekë kilogramin. Fitimi për një person që punon në stogjet e kromit, në të zezë dhe pa asnjë masë sigurie, varion nga 800-1000 lekë të reja në ditë. Kjo punë bëhet në një zonë ku aksidentet me pasojë vdekjen apo plagosje të rënda janë të shumta.
Ka raste që fëmijët shoqërohen edhe nga prindërit e tyre në stoqet e kromit. Këta të fundit shprehen se i dinë pasojat dhe rreziqet e një pune të tillë, por nevoja dhe gjendja e vështirë ekonomike i detyron që të vijnë dhe të punojnë.
Ndërsa fëmijët që punojnë në stoqe nuk duan të flasin. Ata kanë frikë se të nesërmen nuk do të lejohen të punojnë nga administratorët e stogut.
Një rast i tillë ishte edhe i një 17-vjeçari, që në pamundësi ekonomike nuk e kishte filluar gjimnazin dhe kishte vendosur të punonte në stoqet e kromit. Me paratë e fituara ai mund të ndihmojë sadopak familjen e tij.
Raste të tilla janë të shumta në Bulqizë. Ai është bërë një “mjeshtër” në njohjen e gurit të kromit, e dallon me të parën.
Në një stog tjetër, duken që nga larg tre fëmijë që po gërmojnë në gjetjen e gurëve të kromit. Nga momenti në moment ata rrezikohen nga rënia e gurëve mbi kokat e tyre.
Pak metra më larg, duket një furgon që merret me mbledhjen e kromit të grumbulluar nga këta “minatorë të vegjël”. Pranisë së aparatit i frikësohen duke kërkuar me ngulm që të mos filmohen.
Alfio, një 15-vjeçar, punonte në pirgun e gurëve që në orët e para të mëngjesit dhe fitimi nga mbledhja e gurëve të kromit, shkonte deri në 10 mijë lekë të vjetra në ditë.
Fshehtas, ai na tregon se jo gjithmonë arrin të gjesh krom aq sa duhet, pasi kohët e fundit firmat kanë punësuar gra që e seleksionojnë kromin që në dalje të galerisë dhe për ta nuk mbeten shumë gurë kromi.

Studimi

Deri më sot nuk është bërë një studim i mirëfilltë për punën e fëmijëve në sektorin minerar. Në vitin 2015, Avokati i Popullit dhe “Save the Children”, përgatitur nga instituti “Seda”, kanë punuar një analizë të situatës së punës së fëmijëve në Shqipëri, ku preket edhe puna në sektorin minerar në zonën e Bulqizës.
Në analizë konstatohej se në Bashkinë e Bulqizës (tek subjektet minerare të kromit), shpesh fëmijët për shkak të situatës së vështirë ekonomike apo për shkak të pamundësisë fizike apo shëndetësore të prindërve të tyre, kanë zgjedhur të shkojnë në punë, duke mbledhur krom në mënyrë informale kryesisht në dalje të minierave apo në stoqet e kromit rreth tyre.
Në analizë, për periudhën janar-gusht 2015, janë realizuar kontrolle në 248 subjekte minerare, me 4818 të punësuar, nga inspektorët e Punës së Qarkut Dibër, ku nuk është konstatuar asnjë i punësuar nën moshën 18 vjeç.
Por në këtë analizë, që trajton paksa edhe pjesën e punës së fëmijëve në sektorin minerar në zonën e Bulqizës, nuk jepet asnjë e dhënë për numrin e saktë të fëmijëve, të cilët punojnë në stoqet e kromit.

Legjislacioni

Kodi i Punës ndalon marrjen në punë të të miturve nën moshën 16 vjeç, por vetëm në rastet kur kanë një autorizim të veçantë gjatë pushimeve të verës (për moshat nga 14-16 vjeç) dhe në punë të lehta.
Puna në sektorin minerar futet në kategorinë e punëve të vështira, sipas vendimit Nr. 207, datë 9.5.2002, për përcaktimin e punëve të vështira dhe të rrezikshme.
Sipas vendimit Nr. 266, datë 12.04.2012 të Këshillit të Ministrave, ngarkohen institucionet në ngritjen e strukturave përkatëse për bashkërendimin e veprimtarisë së mekanizmave në nivel qendror dhe vendor, për çështjet që lidhen me mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve.

Ping-pongu i institucioneve, mohohet prania e fëmijëve

Nga zyra e shtypit në Bashkinë Bulqizë, në lidhje me punën e fëmijëve në sektorin minerar dhe konkretisht në stoqet e kromit, bëhet me dije se ka një person që merret me këtë pjesë, por që nuk ka asnjë studim apo të dhënë mbi numrin e fëmijëve që punojnë.
“Citizens Channel” kontaktoi edhe me Inspektoratin e Punës në Bulqizë dhe na u bë me dije se inspektorët kanë për detyrë kontrollin e territorit të subjekteve, të cilat janë të licencuara; në lidhje me sigurimin e punëtorëve, kushtet e punës etj. Ndërsa për kontrollin e fëmijëve që punojnë në stoqet pa pronësi, është detyrë e Policisë së Shtetit, për evidentimin dhe ndalimin e punës.
Gjithashtu, sipas zyrës së Inspektoratit të Punës në Bulqizë, është përgjegjësi e policisë dhe organeve të tjera ligjzbatuese për ndalimin e individëve apo subjekteve të caktuara që merren me grumbullimin dhe tregtimin e kromit nga fëmijët që punojnë në stoqe. Nga inspektorët e punës në rrethin Bulqizë, nga kontrollet e kryera në subjektet minerare, bëhet me dije se nuk është konstatuar asnjë punëmarrës nën moshën 18 vjeç.
Ne kontaktuam edhe me Policinë e Qarkut Dibër, e cila u përgjigj se duhet të jenë Inspektorati i Punës dhe Kontrolli Tatimor që duhet të sinjalizojnë policinë për veprimtarinë e këtyre subjekteve/individëve që merren me grumbullimin e kromit nga të miturit, kjo si rezultat i punës së tyre në terren dhe nëse kanë hasur pengesa në ushtrimin e detyrës.
Sa i përket punës së të miturve dhe grave në stoqe pa pronar, Policia e Dibrës bën me dije se është e pamundur të ndalohen, pasi një veprim i tillë është një zgjedhje e lirë e tyre, njësoj siç mund të punojnë në bimët medicinale.
Këto fakte tregojnë punën e dobët koordinuese ndërmjet institucioneve shtetërore, për ndalimin e punës në stoqet e kromit në Bulqizë, me dhe pa pronar, duke e kthyer Bulqizën jo vetëm qytetin e tragjedive njerëzore në minierë, por edhe qytetin e “minatorëve të vegjël”.

Sami Curri

*Autori është themelues dhe kryeredaktor i “Bulqizaime.al”

Neymar “prishi” gjithçka në futboll

Jose Murinjo rikthehet të flasë për merkaton e futbollit dhe veçanërisht për Neymar. Pasi tha pak ditë më parë, sigurisht me shaka, se vlente një stërlinë më shumë sesa ylli brazilian, “Special One” është ndalur sërish në koston e futbollistëve të blerë nga Manchester United.
Shuma prej 222 milionë eurosh e paguar nga Paris SG për blerjen e “O Ney” nga Barcelona, për portugezin përbën pikën e kthesës. “U treguam inteligjentë, pasi më 31 gusht, Lukaku mund të kishte kushtuar plot 150 milionë, ndërsa Matiç të paktën 60-70 milionë. Neymar përmbysi gjithçka”, thotë Mou.
“Djajtë e kuq” faktikisht kanë shpenzuar vetëm 85 mln për sulmuesin belg dhe 45 për mesfushorin serb, por Murinjo duket se ka pasur të drejtë një vit më parë, kur deklaronte se Paul Pogba nuk do të mbetej për një kohë të gjatë futbollisti më i kushtueshëm, pas transferimit të tij tek United nga Juventusi për 105 milionë euro.
E duke u rikthyer te merkatoja e kësaj vere, Murinjo thotë se, “nëse transferimi më i shtrenjtë do të mbetej Pogba, sot Coutinho do të ishte me siguri lojtar i Barcelonës për 101 milionë stërlina”.
Diego Costa rikthehet në Londër. Pasi kaloi një verë të tensionuar për shkak të marrëdhënieve të tij me klubin e Chelsea-t, sulmuesi ka zbarkuar sërish në Angli, ku me të gjitha gjasat do të kthehet të stërvitet nën urdhrat e Antonio Conte-s. Trajneri italian e ka përfshirë 28-vjeçarin në listën për kampionatin, por jo në atë të Champions League. Ndërkohë, sipas gazetës “Marca”, lojtari ka akord me Atl. Madrid për kalimin në Spanjë, në janar.
Presidenti i Barcelona-s, Josep Bartomeu foli për merkaton e ekipit katalanas. Numri një i blaugranave deklaroi se është i kënaqur me skuadrën që ka në dispozicion. Përsa i përket Paulo Dybala-së, 54-vjeçari tha se argjentinasi është lojtar i Juventusit dhe Barcelona ka shumë respekt për klubin bardhezi, si dhe presidentin e tyre, Andrea Agnelli.

Shtypi sulmon Mesin

Argjentina nuk shkoi dot më shumë sesa një barazim 1-1 me Venezuelën në shtëpi, duke bërë që të rrezikojë edhe vendin e pestë në grup që të çon në “play off”. Skuadra e Sampaolit nuk shkëlqeu dhe as individualitetet si Mesi, Di Maria, Dybala apo Icardi nuk dhanë atë që pritej. Gjithsesi, shtypi argjentinas shënjestroi yllin e Barcelonës pas kësaj ndeshjeje.
“Lojtari më i mirë në botë nuk mund të jetë thjesht një numër në fushë”, shkruan “Ole”. “Mesi nuk mund të luajë në një nivel kaq të ulët. Mungesa e lojtarëve të tjerë që flasin gjuhën e tij futbollistike në fushë nuk i heq përgjegjësitë. Leo luajti një pjesë të parë të pranueshme. E nisi shumë mirë dhe menduam se do të shpërthente, por nuk shpërtheu”, vazhdon “Ole”.
Argjentina rrezikon seriozisht pjesëmarrjen në Kupën e Botës 2018. Kombëtarja albiceleste dështon edhe në sfidën kundër Venezuelës duke humbur një mundësi të mirë për të fituar pozicione në klasifikimin e përgjithshëm të zonës COMNEBOL. Stadiumi “El Monumental” nuk e ndihmoi aspak ekipin e Jorge Sampaolit për të arritur fitoren, pasi Venezuela arriti të largohej me një pikë pas barazimit 1-1. Vendasit e nisën ndeshjen me treshen Icardi-Dybala-Mesi, por të parët që kaluan në avantazh ishin miqtë që në minutën e 50 zhbllokuan sfidën me Jhon Murillo.
5 minuta më vonë, një autogol i Rolf Feltscher shpëtoi Argjentinën nga turpi, por jo nga zona e rrezikut pasi bardhekaltërit mbeten në vendin e pestë me 24 pikë, një më shumë se Kili dhe në rast se gjatë dy ndeshjeve të fundit e humbasin edhe këtë pozicion, atëherë Kupa e Botës do të humbasë një nga skuadrat më të forta të planetit.
Skuadra e drejtuar nga Jorge Sampaoli nuk shkoi më shumë se barazimi 1-1 ndaj Venezuelës, duke qëndruar në vendin e pestë në klasifikimin e grupit të Amerikës Latine dhe tani i duhet që të fitojë patjetër dy ndeshjet e fundit me Perunë dhe Ekuadorin për të evituar “play off”-in.
Mbrëmje negative edhe për Kilin që u mund në Bolivi me rezultatin 1-0. Juan Carlos Arce nga pika e bardhë e 11-metërshit i dhuroi fitoren skuadrës vendase që gjithsesi nuk ka asnjë shans për të ëndërruar zonën kualifikuese.
Fitore të rëndësishme regjistroi Uruguaji në Paraguaj ku triumfoi 2-1 me gola të Federico Valverde dhe autogolin e Gustavo Gomez për t’u ngjitur menjëherë në vendin e dytë të klasifikimit me 27 pikë, 1 më shumë se Kolumbia që ndali në barazim 1-1 Brazilin. Golit të Willian në pjesën e parë iu kundërpërgjigj i përhershmi Radamel Falcao që evitoi humbjen për “Los Cafeteros”, të cilët janë gjithmonë e më pranë kualifikimit. Fitore shumë të rëndësishme arriti edhe Peruja në transfertën e Ekuadorit me rezultatin 2-1. Bardhekuqtë shënuan dy herë me Flores dhe Hurtado, ndërsa vendasit ngushtuan diferencën me Enner Valencia. 3 pikë që e ngjisin Perunë në vendin e 4 me 24 pikë dhe mbajnë të gjalla shpresat e kësaj skuadre për të siguruar një kualifikim historik në Kupën e Botës 2018.

Zidane trajneri më i mirë në Europë

Zinedine Zidane trajneri më i respektuar në La Liga. Numri një i stolit të klubit “Los Blancos” është shpallur si tekniku më i respektuar në kampionatin spanjoll, duke lënë pas Diego Simeone të Atletico Madrid dhe Eusebio Sacristan të Real Sociedad. Sondazhi i bërë u realizua nga qendra “Trajnerët Elitë”, të cilët për arritjen e këtij konkluzioni bazoheshin tek komunikimi që këta persona kishin me lojtarët. Sondazhi është kryer nga gazetarë sportivë dhe drejtues klubesh. Komunikim i qetë, i afërt dhe pasionant ishte elementi kyç në këtë studim.
Tekniku i kombëtares spanjolle, Julien Lopetegi është personi, i cili ka bërë më shumë progres në këto drejtime, sidomos në vitin e fundit. Zidane ka arritur vendin e parë me 82.9 pikë, në të dytin Diego Pablo Simeone me 74.9 pikë, ndërsa në të tretin spanjolli Eusebio Sacristan me 62.9 pikë. Në bazë të kësaj renditjeje kjo është treshja më e respektuar në La Liga. Ndërkohë përsa i përket klasifikimit në rang europian është sërish francezi i Reali të Madridit ai që mban vendin e parë, pas tij vjen Carlo Anceloti, Masimiliano Allegri dhe Antonio Conte.

“Boom” abonimesh në Serie A, Milani kryeson

Të gjithë treguesit flasin se Seria A po rritet gjithnjë e më shumë. Plot 282.683 anëtarësime janë kryer nga gjithsej 20 klubet që janë pjesë e këtij kampionati. Fushatat vazhdojnë ngado, por që tani është superuar totali i një viti më parë që u ndal në 251.895 anëtarësime. Janë plot 31 mijë abonimet e reja për këtë sezon. Në fillim të kësaj fushate besnikëria e tifozëve bardhezi nuk zhgënjeu dhe për skudeton e 7 radhazi dyert e “Allianz Stadium” u blinduan nga 29.200 abonime.
Fushata e Milanit pritet të mbarojë 10 ditë më vonë nga ajo e Juventusit, por që tashmë ka shkuar në 31 mijë anëtarësime, çka përkthehet në 39,5 për qind të kapacitetit të stadiumit të “San Siros” e që automatikisht lë pas Juventusin në këtë klasifikim. Çfarë mund të ketë ndikuar në këtë rritje kaq të ndjeshme ku diferenca me një vit më parë është shumë e madhe është pikërisht fushata e kësaj merkatoje verore që Milani kryesoi e shoqëruar edhe nga ato të ekipeve të tjera, gjithsesi llogaritë përfundimtare do të bëhen pikërisht më 14 shtator. Aktualisht Interi numëron ashtu si dhe Milani 31 mijë abonime, por mendohet se mund ta mbyllë fushatën edhe me 32 mijë abonentë, ndërkohë që edhe Roma i ka kaluar pritshmëritë me plot 20 mijë anëtarësime. Tek Roma ashtu si tek Milani abonimet do të vijojnë të jenë të hapura deri në javën e ardhshme.

Ceferin: Do shkurtojmë afatin e merkatos

“Jam në favor të shkurtimit të kohës së merkatos verore”. Ky është qëndrimi i presidentit të UEFA-s, Aleksander Ceferin në një intervistë për “The Times”. I vendosur për të revolucionarizuar ligjet e menaxhimit të futbollit europian thekson se, tashmë ka ardhur momenti që diçka të ndryshojë dhe UEFA po monitoron situatën me kujdes. “Në këndvështrimin tim nuk është normale që lojtarët ta nisin sezonin me një skuadër dhe ta vazhdojnë pak ditë më vonë me një skuadër tjetër. Në këtë pikë ka shumë paqartësi prandaj mendoj se duhet të shkurtojmë kohën e mbylljes së merkatos”, thekson slloveni.
Një deklaratë që i paraprin mbledhjes së 20 presidentëve të klubeve të Premier League, të cilët do të hedhin hapin e parë në këtë drejtim. Ata do të votojnë të enjten për të ndryshuar datën e mbylljes së merkatos në Angli. Sipas Ligës angleze të Futbollit, minimalisht 14 presidentë duhet të votojnë në favor të ndryshimeve që do ta mbyllnin merkaton e shitblerjes së futbollistëve përpara startit të Premier League. Nëse një praktikë e tillë do të ishte aplikuar edhe sezonin aktual, atëherë absurdi i rastit Alex Oxlade-Chamberlain nuk do të kishte ndodhur. Ish-sulmuesi i Arsenalit që u aktivizua në humbjen 4-0 në Liverpool, tashmë do të veshë fanellën e skuadrës së Klopp pasi finalizoi transferimin dhe në pjesën e dytë të sezonit do të sfidojë ish-skuadrën e tij me të cilën nisi rrugëtimin sezonal.

 

PSG prezanton Mbape

Kylian Mbape u prezantua zyrtarisht si lojtari i ri i Paris Saint Germain gjatë një konference për shtyp. “Është një kënaqësi e madhe për mua të jem pjesë e këtij ekipi. Parisi është një nga klubet më të mira të botës njëherazi ambicioz e me një projekt shumë të fortë”, u shpreh Mbape.
Francezi 18-vjeçar deklaroi gjithashtu se ishte shumë pranë qëndrimit tek Monaco, por më pas vendosi të transferohej tek PSG: “Në të vërtetë fillimisht isha pro qëndrimit tek Monaco. Por më pas bisedova edhe me familjen time dhe bashkë morëm vendimin e duhur për t’iu bashkuar këtij grupi kaq të rëndësishëm. Për mua vlen shumë kjo aventurë e re në Paris”, tha ai.
Sheiku Nasser Al-Khelaifi, pronar i klubit të Parisit, ishte i pranishëm në këtë konferencë për shtyp për t’i uruar sulmuesit mirëseardhjen. “Mirësevjen në shtëpi Mbape. Jam i sigurtë se bashkë do të shkruajmë faqe shumë të bukura në historinë e këtij ekipi. Ky është një moment special për Paris Saint Germain. Mbape është vetëm 18 vjeç, por që tani e njeh e gjithë bota”, tha Al-Khelaifi.
Francezi Kylian Mbape është huazuar nga Monaco dhe vitin e ardhshëm pritet që Parisi ta mbyllë blerjen e tij me shifën e 180 milionë eurove siç është rënë dakord paraprakisht, pikërisht në korrik të vitit 2018 në mënyrë që të mos penalizohej këtë vit nga rregullat e fair play-t financiar.