32.5 C
Tirana
E diel, 6 Korrik, 2025

Wenger kundër çmimeve të merkatos

Arsene Wenger e pranon se Arsenali do të paguajë një çmim shumë të lartë për Alexis Sanchez. Sakrifikimi i tij duke e lënë të lirë me kosto zero në fund të sezonit do të përkthehet në humbje për këtë klub, por gjithsesi, Wenger qëndroi i palëkundur deri në ditën e fundit të merkatos duke mos pranuar as ofertën e Manchester City për yllin e Topçinjve, kjo pas dështimit në tentativën për të marrë Thomas Lemar të Monacos si zëvendësues të tij.
Menaxheri francez llogarit se do t’i kushtojë plot 70 milionë paund zëvendësimi i Sanchez ose ndoshta edhe më shumë kur sulmuesi kilian të largohet verën e ardhshme. Për mosarritjen e transferimit të Lemar në Angli Arsenali pretendon se ishte vetëm faktori kohë ai që i penalizoi, por ka sugjerime se 21-vjeçari francez Lemar, nuk ka dashur të transferohet në një klub që është jashtë Champions League. Gjithsesi, Mesut Ozil është një tjetër nga yjet e Wenger kontrata e të cilit përfundon këtë vit. Alex Oxlade-Chamberlain ishte në të njëjtat pozita para transferimit te Liverpooli për 35 milionë, ditën e fundit të merkatos, arsyeton Wenger, i cili është kundër marrëveshjeve qindra milionëshe si ajo e Dembele-së tek Barcelona, që i konsideron jashtë çdo realiteti.
“Aktualisht kemi në Angli plot 107 lojtarë, kontratat e të cilëve përfundojnë brenda një viti, shton 67-vjeçari. Në një pikë të tillë lojtarët e shohin veten e tyre shumë më superiorë, për këto arsye. E para, kur kontratat e lojtarëve afrojnë drejt skadimit ata presin që t’u ofrohen automatikisht paga më të larta, e dyta është faktori merkato, që e ka rritur tavanin me çmime stratoferike për futbollistë që vërtet janë shumë të mirë, por që në fund të fundit asnjë klub nuk do të donte t’i pagunte aq shumë, vijon Wenger. Shifrat që luhen sot në botën e futbollit janë të frikshme, kanë kaluar çdo parashikim duke u distancuar tërësisht nga realiteti dhe e vërteta ku jetojmë”.
Në këtë drejtim Wenger jep shembullin e Dembele, një vit më parë vlente 15 milionë euro, sot 150. Sado mirë të punojë futbollisti dhe trajneri me të askush nuk shkon nga 15 në 150 milionë, shton 67-vjeçari. Llogaritë që bënin dikur klubet midis asaj që investon dhe atë që do të marrësh mbrapsht sot kanë rënë. Gjithë çështja është ke apo jo fonde, blen dot apo jo, përfundon Arsene Wenger.

Iniesta trondit Barçën

Andres Iniesta suprizon gjithë ambientin mediatik me deklaratën e tij përgënjeshtruese lidhur me rinovimin e kontratës, siç bëri të ditur vetëm një ditë më parë Presidenti Josep Maria Bartomeu. Iniesta ka hedhur poshtë deklaratat e presidentit të Barcelonës se, ai ka arritur marrëveshje në princip për ta rinovuar kontratën. 54-vjeçari gjatë një deklarate të tij lajmëroi se mes Barcelonës dhe Iniestës do të kishte një marrëveshje të re që parashikonte një kontratë pa afat, e cila do të rinovohej automatikisht çdo vit.
Këtë lajm e hedh poshtë pikërisht mesfushori 30-vjeçar, i qartë dhe konçiz pasi ka përdorur vetëm një fjalë: “JO”, kështu e ka mohuar lojtari i blaugranave këtë lajm. Tashmë dyshimet lidhur me të ardhmen e tij në klubin katalanas bëhen edhe më të mëdha. Deri më tani Barcelona ka qenë objektiv i kritikave dhe polemikave nga tifozët dhe largimi i Iniestës mund të trazojë edhe më shumë klimën e krijuar në këtë ekip që pas largimit të Neymar. Iniesta është pjesë e programit të Ernesto Valverdes dhe deri më tani ka luajtur në dy ndeshje të kombëtares spanjolle për kualifikueset e Botërorit 2018, 72 minuta ndaj Italisë dhe plot 90 minuta përballë Liechtensteinit.
Aktualisht, kontrata e Iniestës rinovohet automatikisht pasi ai t’i ketë luajtur 60% të ndeshjeve. Iniesta dëshiron të largojë këtë klauzolë dhe të vendosë lirshëm. Po ashtu, ai konsideron se duhet t’i ofrohet shpërblim për rinovim, siç ndodh me pjesën tjetër të bashkëlojtarëve të tij.
Neymar e ka kritikuar presidentin e Barcelonës, Josep Maria Bartomeu, për shkak të komenteve të kreut të Barcelonës rreth yllit brazilian dhe babait të tij. Neymar e ka quajtur Bartomeun president qesharak. Neymar kaloi nga Barça te PSG këtë verë pasi francezët e paguan klauzolën e tij prej 222 milionë eurosh, duke u bërë transferimi më i shtrenjtë në histori.
Bartomeu kishte mbetur i tronditur nga sjelljet e Neymarit, babait dhe agjentit të tij, Neymar Santos Sr., i cili ishte forca shtytëse pas kalimit të tij te PSG. “Bëmë gabim që i besuam shumë Neymarit dhe babait të tij”, ka thënë Bartomeu. Por, kur deklarata e tij u postua në Instagram, Neymar u përgjigj në koment duke thënë: “Presidenti është qesharak”.
Ndërkohë, mesfushori i Barcelonës Rafinha është duke u përgatitur për të kaluar në Premier Ligë në afatin kalimtar të janarit. “Mundo Deportivo” raporton se braziliani është duke u rikuperuar nga lëndimi i gjurit dhe është i etur të luajë futboll të rregullt për t’ia rritur shanset vetes për të qenë pjesë e Brazilit për Kupën e Botës në Rusi më 2018.
Dhe me mundësi të kufizuara në “Camp Nou”, një kalim në Premier Ligë mund t’i ndihmojë kauzës së tij, me Liverpool, Arsenal dhe Tottenham në mesin e ekipeve të interesuara për shërbimet e tij.

Skënderbeu nuk heq dorë: 150 mijë euro për Dokën

Orë të nxehta për Albi Dokën. Skënderbeu nuk heq dorë nga mbrojtësi i djathtë i kombëtares Shpresa dhe është gati të paguajë 150 mijë euro për kartonin e lojtarit. Korçarët synojnë të shfrytëzojnë orët e fundit të afatit të transferimeve për transferimet brenda vendit, që përfundojnë më datë 6 shtator.
Nëse Tirana do të bindej dhe do të pranojë ofertën, pagesa do të ndahet në dy këste nga 75 mijë euro. Pjesa e parë e shifrës do të paguhet menjëherë, ndërsa gjysma e mbetur në janar të vitit 2018.
Në rast të transferimit në Korçë, Doka nuk do të regjistrohej për ndeshjet e fazës së grupeve në Europa League. Kjo zgjidhje shpjegohet nga fakti që lojtari është aktivizuar një herë me bardheblutë në arenën ndërkombëtare dhe do të ishte e pamundur të shitej në merkaton e dimrit në rast të një oferte të kënaqshme. Për të kompensuar këtë vendim, bardhekuqtë do t’i garantonin futbollistit aktivizimin në të paktën 15 ndeshje, gjatë gjysmës së parë të sezonit.
Albi Doka cilësohet si një investim i rëndësishëm për Skënderbeun, që gjatë dy viteve të fundit është konfirmuar si klubi më i suksesshëm shqiptar përsa i përket transferimit të futbollistëve, pas milionave të fituara nga Olainka, Berisha dhe Latifi.

Stadiumi i Kamzës gati, Lushnja në tetor

Standardi i vendosur nga Zyra e Licencimeve në FSHF ka ndikuar jo pak në përmirësimin e infrastrukturës së futbollit shqiptar. Skuadrat që luajnë në Kategorinë Superiore duhet të plotësojnë kushtet e nevojshme për të pritur ndeshjet e shtëpisë dhe kjo i detyron debutuesit të përmirësojnë infrastrukturën. Kështu ndodhi me Luftëtarin sezonin e shkuar dhe kjo po ndodh aktualisht me Kamzën dhe Lushnjën. Skuadra nga periferia e kryeqytetit është gati për t’u rikthyer në shtëpi në një stadium të transformuar pas punimeve intensive të kryera gjatë verës.
Klubi ka përfunduar punimet dhe tashmë në stadiumin e Kamzës është gati gjithçka. Zyra e Licencimeve konfirmon se në datën 18 shtator, kur të luajë edhe ndeshjen e parë si pritëse, Kamza me shumë mundësi do të presë në stadiumin e saj Skënderbeun. Detaji i vetëm që duhet të plotësojë klubi është rruga hyrëse e autobusit të skuadrës mike, por kjo çështje do të zgjidhet brenda pak ditësh. Por nëse në Kamëz gjithçka është gati, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për Lushnjën. “Roza Haxhiu” ishte një stadium pothuajse tërësisht i amortizuar dhe si pasojë koha në dispozicion të klubit për përfundimin e punimeve ishte më e vogël. Lagunarët do ta nisin sezonin në “Loni Papuçiu” të Fierit, por gjatë muajit tetor pritet që punimet të përfundojnë dhe ata ta rikthehen përfundimisht në shtëpinë e tyre për të luajtur pjesën e mbetur të sezonit.

Jashanica-Nimaga, 1 milion euro

Pasi ka shitur Liridon Latifin për një shifër rekord, Skënderbeu mendon që tani për të tjera lëvizje në merkato që pritet të sjellin përfitime të mëdha në arkat e klubit. Në periudhën e janarit klubi korçar do të tentojë të tjera lëvizje, pasi janë projektuar shitjet e Bakary Nimagës dhe Bajram Jashanicës. Këto dy emra nuk janë një risi, pasi lojtarët janë lakuar edhe më parë për largime të mundshme, por tek Skënderbeu kanë idetë e qarta duke kërkuar të mos shpërbëjnë menjëherë grupin.
Mesfushori nga Mali është përfolur edhe gjatë kësaj vere, me skuadrat ruse që kanë vëzhguar nga afër futbollistin që në muajin dhjetor do të mbushë 23 vjeç. Forma e mirë, vizioni për lojën, por mbi të gjitha mosha e re e kthejnë Nimagën si një nga më të lakuarit tek Skënderbeu. Madje numri 8 i korçarëve pavarësisht moshës së re mund të konsiderohet një futbollist me eksperiencë, duke qenë se aktivizohet me bardhekuqtë prej 5 sezonesh dhe ky që nis është i 6. Nimaga ka fituar eksperiencë edhe në kompeticionet e UEFA-s, pasi me Skënderbeun ka luajtur 22 ndeshje midis Champions Leagues dhe Europa Leagues.
Emri i Jashanicës rikthehet të lakohet pas një periudhe pauze në merkato, kjo ndoshta ndikuar nga forma e mirë që ka treguar qendërmbrojtësi nga Prishtina. Grumbullimi me kombëtaren e Kosovës në dy sfidat e fundit me Kroacinë dhe Finlandën është një tregues i qartë për formën në rritje dhe kuotat për një largim të mundshëm të 27-vjeçarit në merkaton e janarit janë rritur ndjeshëm. Madje në Korçë kanë gjetur edhe zëvendësuesin e tij, pasi në rast largimi të numrit 5 do të afrohet Amir Bilali, ish-mbrojtës i përfaqësueses së 19-vjeçarëve, i Bylisit në Kategorinë Superiore dhe tashmë aktivizohet tek Rabotnicki në Maqedoni. Nga shitja e Nimagës dhe Jashanicës, Skënderbeu pritet të përfitojë rreth 1 milion euro, pasi klubi i vlerëson futbollistët jo më pak se 500 mijë euro.

Rrëfimi i parë i Putin: Pse KGB më thirri në detyrë?

Në qershor të 1991 Presidenti i ardhshëm rus, Vladimir Putin shkoi të punojë për kryebashkiakun e Leningradit: ishte shef i Komitetit për Marrëdhëniet e Jashtme i administratës të Anatoly Sobchak. Pas disa muajsh dha një prej intervistave të para (ndoshta të parën absolute) të jetës së tij gazetares të gazetës lokale “Cas Pik”, Natalja Nikiforova. Në të Putini tregoi sesi kishte përfunduar në KGB, si ishte larguar prej saj dhe pse nuk kishte gjë për të cilën të pendohej. Uebsajti “Meduza” boton tekstin e plotë e intervistës me Vladimir Putinin, deri më tani e pabotuar ndonjëherë.

– Vladimir Vladimiroviç, është e vërtetë se ke punuar për Komitetin e Sigurisë Kombëtare (KGB)? Nëse po, ishte në dijeni Sobchak kur ta ofroi postin?
Unë nuk e fsheh dhe nuk e kam fshehur kurrë se kam punuar 17 vite për inteligjencën e jashtme të KGB-së. Problemi është një tjetër: nuk jam mburrur kurrë. Por Anatolij Aleksandroviç e dinte këtë punësim timin të mëparshëm. I thashë se do të dorëhiqesha nga komiteti. Lidhur me këtë, në atë kohë (ftesën e Sobchak e kam marrë vetëm kësaj vere), ia kisha paraqitur tashmë dhe kisha firmosur një deklaratë timen dhe dhashë dorëheqjen si nënkolonel.

– E si ju është propozuar puna për zyrën e kryebashkiakut? Keni marrë ndonjë telefonatë nga Sobchak?
Më telefonuan disa miq të mi të juridikut për të më thënë se Anatolij Aleksandroviç më kishte parë gjatë eventit, ishte kujtuar për mua (kam qenë student i tij në universitet) dhe duke qenë se i duhej një këshilltar për çështjet e jashtme ekonomike, kishte kërkuar referenca lidhur me mua. Në juridik i folën mirë për mua dhe kështu mora propozimin për punë, të cilit iu përgjigja menjëherë. Duke pasur parasysh gjithçka që po bënte e po thonte Sobchak në atë periudhë si deputet i Bashkimit, pranova plotësisht.

– Tani nuk është kështu?
Ai nuk ka vetëm një detyrë shtetërore: vendos për çështje ekonomike, për fatin e njerëzve dhe gjendet në kushte jashtëzakonisht të vështira. Rigjallërimi i ekonomisë të një rajoni të vogël në një moment ku e gjithë ekonomia e vendit ecën keq është e pamundur. Gabimi është njerëzor. Edhe Sobchak është njeri. Do të ishte false të thuhej se unë dhe Sobchak jemi dakord gjithmonë dhe për gjithçka. Çfarë dreq bashkëpunëtori je? Sikur të varesha nga buzët e tij, mendoj se nuk do t’i pëlqeja.

– Pavarësisht kësaj, ju jeni kreu i një enti të rëndësishëm dhe në asnjë mënyrë nuk mund ta mohoni se kryebashkiaku ka një raport të shkëlqyer me të dhe se e dëgjon me vëmendje opinionin tuaj. Duke njohur natyrën tuaj, e gjitha kjo nuk ka sesi të mos mrekullojë.
Nuk do të doja të diskutoja tani për natyrën apo për manierat e Sobchak edhe pse dëgjoj nga shumë të thonë se ai nganjëherë është i ashpër. Kurse mua më thonë se jam shumë i butë me njerëzit. Por e kuptoj kur dikush e humbet komplet. Tani ndodhemi duke jetuar me ujin në fyt dhe nganjëherë mungon durimi për të thelluar një pyetje. Nuk ka më forca. Për sa i përket raporteve me Anatolij Aleksandroviç, po, në punë jemi në të njëjtën gjatësi vale.

– Ndoshta do t’i keni dëgjuar zërat që thonë se Putini është autori i gjithçkaje të arsyeshme që ndodh në këtë bashki. Nuk di se sa nga e gjitha kjo mund të merret si kompliment, duke qenë që një opinion i tillë është bërë në ekrane televizive.
Një pohim i tillë është thjesht naiv. Ka një numër të madh problemesh me të cilën merren kryebashkiaku dhe rrethi i tij për të cilat unë nuk e kam aspak idenë. Nga ana tjetër, është thënë diçka edhe lidhur me oficerët e rezervës aktuale të KGB-së. Edhe kjo është gënjeshtër: unë jam nxjerrë në listë pritjeje nga KGB-ja. Unë nuk punoj dhe nuk paguhem. Në KGB kam hyrë në mënyrë të ligjshme dhe transparente nëpërmjet seleksionimit pas mbarimit të universitetit.

– Edhe për ju qe një gjë e papritur?
Jo, më kishin informuar tashmë muaj më parë. Pranova. Për pak kohë pata funksione të ndryshme: pastaj më ofruan të punoja në inteligjencën e jashtme. E pranova një propozim të tillë dhe përfundova studimet respektive. Gjatë gjithë këtyre viteve kam punuar në inteligjencë. Edhe jashtë vendit.

– Pse pranuat të punonit për KGB-në?
Shiko, unë doja të punoja aty. Jetonim të gjithë në një sistem referimi të ndryshëm. Nuk shkova të punoj për një organizatë politike. Mund të thuhet se u shtyva nga motivacione të tjera; mendoja se aty mund t’i përdorja në maksimum forcat e mia dhe në avantazh të komunitetit.

– Duke e vënë dorën në zemër, sipas jush, pse 17 vite më parë KGB-ja ju thirri pikërisht ju?
Këto janë gjëra me të cilat merret zyra e personelit të KGB-së. Nuk kam punuar kurrë në këtë zyrë dhe nuk jam në dijeni sesi punojnë. Por dihet se një zyrë e tillë ka një listë të gjatë cilësish që duhet të posedojnë punonjësit e inteligjencës: aftësi analitike, studim të gjuhëve të huaja, interes ndaj një lloji të caktuar aktivitetesh, ndaj problemesh të caktuara. Unë, më duhet ta them, jam interesuar gjithmonë për problemet e ekonomisë së jashtme.

– Doni të thoni se ju kishin stërvitur më përpara pa e ditur?
Sigurisht. Agjentët e shërbimeve sekrete stërviten pa u dyshuar aspak nga këta të fundit. Në rast se do ta dinin, do të fillonin të përshtateshin dhe të shfaqnin ato anë të karakterit dhe të personalitetit të dëshiruara nga përfituesi i informacioneve.

– Ju e dini se midis studentëve është përhapur koncepti se propozime si ajo e marrë nga ju u detyrohen informatorëve (të KGB-së)?
E kuptoj se çfarë doni të thoni. Ndoshta për punën e zyrës së personelit kjo do të kishte qenë rruga më e lehtë. Vendosja e lidhjeve me dikë në universitet apo në një kompani e më pas, kur i shërben personelit, ta drejtojë vëmendjen në radhë të parë drejt njerëzish që njihen. Është e mundur të veprohet kështu. Ama kjo nuk është qasja e përgjithshme për zgjidhjen e çështjeve të tilla: nëse do të merreshin vetëm njerëzit me të cilët ekzistojnë tashmë raporte, shpejt nuk do të mbetej më asnjë të cilit t’i besosh. Humbja e njerëzve të tillë do të thotë të humbasësh sytë dhe veshët.

– Ju keni qenë pjesë e personave të tillë?
Doni të dini nëse kam pasur lidhje me KGB-në përpara se të punësohem? Përgjigjja është jo.

– Na thoni. Letra juaj e dorëheqjes nuk qe e lidhur me motivacione politike apo të zhgënjimit?
Jo. Unë doja të kisha një post shkencor, të shkruaja një temë që gjithmonë më kishte qenë interesante dhe tërheqëse. Domethënë mbi të drejtën private ndërkombëtare. Kisha filluar tashmë të jepja provimet për doktoraturën kërkimore dhe isha lidhur me një profesor të LGU-së (Universiteti Shtetëror i Leningradit) me qëllim që të më merrte si asistent. Kur u thirra nga Sobchak praktikisht isha sistemuar tashmë në këtë punë në universitet. Doja të bëhesha avokat dhe të merresha me rregullime juridike në marrëdhëniet e jashtme ekonomike. Do të shtoja edhe një gjë jo më pak të rëndësishme. Për të vazhduar për të punuar për KGB-në në një nivel të caktuar duhej të transferohesha në Moskë. Të blija një apartament kooperative apo të shpenzoja 300 rubla qira në muaj. Unë kam dy fëmijë të vegjël dhe prindër të moshuar. Janë më shumë se 80 vjeç, jetojmë bashkë. Janë blokadniki (njerëz që kanë përjetuar rrethimin nazist të Leningradit gjatë Luftës së Dytë Botërore), ku duhet t’i çoja nga qyteti i tyre i lindjes? Nuk mund t’i braktisja. Kurse këtu e kisha një punë, por le të themi se nuk ishte maksimumi. Atëherë vendosa që të lija gjithçka. Me arsye më të madhe kur m’u bë propozimi për të punuar në bashki.

– Interesant. Për sa i përket ardhjes tuaj në bashki, shumë njerëzve ju duket se KGB-ja do të donte të fuste një njeri të sajin brenda administratës shtetërore.
Si do t’ia arrinte KGB-ja të më fuste, duke qenë se kisha dhënë dorëheqjen? Për më tepër, tani nuk është më ajo monstra siç qemë mësuar të flisnim në të kaluarën.

– Edhe ju e konsideroni monstër KGB-në?
Sigurisht, është një e dhënë faktike që aparati i komitetit ka pushuar krejtësisht së marri me ato detyra për të cilat ishte krijuar. Është e nevojshme të rindërtohet dhe po e bëjnë. Veç kësaj, unë kam punuar në inteligjencën e jashtme, nuk kam pasur të bëj aspak me probleme të politikës së brendshme.

– Inteligjenca e KGB-së përbën një elitë?
Po. Është bërë e tillë. Deri në nivel territorial është vendosur në Moskë aq larg nga dikasteret e tjera, saqë praktikisht nuk ka asnjë raport me to. Dhe kjo nuk është inkurajuese.

– Nuk pendoheni për të kaluarën tuaj?
Jo, nuk pendohem. Njeriu pendohet vetëm për krime. Unë nuk kryer asnjë dhe nuk kam pse të kërkoj falje. Edhe pse kërkimi i fajit është gjithnjë më i lehtë sesa të bësh një hap të rëndësishëm, të cilin unë e kam bërë.

– E keni bërë edhe duke pranuar që të bëni këtë bashkëbisedim. Pavarësisht kësaj, as ju nuk e mohoni: shembulli juaj konfirmon zërat që thonë se Sobchak merr në ekipin e tij ish-komunistë dhe ish-agjentë të KGB-së. Cili mendoni se duhet të jetë reagimi i partnerëve tanë të huaj nëse do të mësonin punën tuaj të vjetër? Nuk do të ishte diçka e bezdisshme?
Presidenti aktual amerikan është një ish-drejtor i CIA-s. Përbën kjo ndonjë element të bezdisshëm për ju? Edhe unë jam një ish. Një ish-bashkëpunëtor, një ish-komunist. Pse kjo duhet të jetë bezdi në punën time?

– Mendoni se e bëni me sukses detyrën tuaj, se keni mjaftueshëm dije dhe forca?
Gjithsesi, detyra ime aktuale hyn në sferën e interesave të mia profesionale. Jam marrë gjithmonë me lidhje ndërkombëtare. Deri edhe në tezën time të diplomës me titull “Parime për një treg të jashtëm më të favorizuar”. Vetë puna në inteligjencë, në KGB, më ka dhënë shumë. Në kuptimin pastërtisht formues. Njoh mirë gjermanishten, kuptoj anglishten. Informacionet që disponoj më ndihmojnë shumë në punë. Ndjehem absolutisht i sigurtë. Edhe për çështje të biznesmenëve tanë. Jo rastësisht, pasi kam pushuar së punuari për KGB-në, kam bashkëpunuar si avokat në struktura të ndryshme ekonomike. Nuk gjej asnjë vështirësi në kryerjen e funksioneve të mia aktuale. Por për sa më përket janë pastaj kryebashkiaku dhe nënkryebashkiaku ato që i përcaktojnë dhe për momentin punojmë në dakordësi.

– Sa arrinit të siguronit nevojat tuaja materiale me punën tuaj të vjetër?
Posedoj gjërat bazike. Kam një makinë, por fatkeqësisht nuk është edhe aq e mirë: një “Volga” të ‘72. Jetoj në një apartament 54 metra katrorë me time shoqe, fëmijët dhe prindërit e mi. Në një fond të vjetër naesor.

– A mendoni se është e vështirë t’ju korruptojnë, por është e mundur t’u shantazhojnë. Unë për shembull kam dëgjuar se dikush ka provuar ta bëjë. Janë përmendur emra. Cilat janë raportet tua me deputetët?
Nuk do të doja të flisja për situata shantazhi, por nuk e mohoj. Me mua u ka shkuar keq. Kanë provuar të më shantazhojnë pikërisht prej përkatësisë time në KGB. Ka edhe shembuj të llojit tjetër: është një deputet që ka dashur të kalojë gjithmonë këtë apo atë projekt. Ka pasur edhe herë në të cilat anëtarë të këshillit bashkiak kanë nënshkruar një kontratë milionëshe me një kompani austriake. Askush nuk e kishte autorizuar që të bëhej, askush nuk i kish diskutuar kushtet e kontratës, asnjeri nuk ishte në dijeni të propozimit të kompanisë…
Pavarësisht kësaj, unë besoj se këshilli bashkiak duhet të ekzistojë për të ndihmuar dhe drejtuar aktivitetet e administratës. Duhet shkuar drejt ndarjes së pushteteve: praktika botërore ja treguar sesi një gjë e tillë është pozitive. Ne bindemi për këtë falë përvojës tonë. Janë në zhvillim disa marrëveshje me Estoninë. Vendosen çështje jashtëzakonisht të dhembshme rreth fatit të popullsisë rusishtfolëse. Ja që anëtari i Këshillit të Petërburgut dhe deputeti i Rusisë Jurij Mihajloviç Nesterov, person jashtëzakonisht i arsyeshëm, po ndihmon shumë në këtë çështje. Janë ndërtuar marrëdhënie të mira me Komisionin për Planifikimin e Bilancit të këshillit bashkiak, ku ka njerëz të zotë dhe me dëshirë për të punuar. Kemi përgatitur së bashku një pozicion mbi fondin monetar dhe për të qenë të sinqertë, puna jonë është kjo. Kemi rutinën tonë të punës së përditshme, por ata magjepsen nga linja e përgjithshme e zhvillimit të një sektori të tillë. Njerëzit janë të ndryshëm, edhe në këshill bashkiak.

– Njerëzit janë absolutisht të ndryshëm dhe në mënyra të ndryshme reagojnë ndaj së kaluarës tuaj të afërt. Kam dëgjuar kërkesa të shprehura nga “Memorial” për t’ua ndaluar disa profesione dhe poste ish-çekistëve?
Atëherë pse nuk ngrihet problemi i largimit nga bashkia dhe nga këshilli bashkiak i të gjithë komunistëve dhe ushtarakëve? Jo shumë kohë më parë, ushtria dhe kjo parti kanë provuar të realizojnë një komplot. Logjika është njëlloj. Apo në disa raste flasim konkretisht dhe në të tjera e bëjmë të gjithë qimen tra? Nëse flasim për oficerët aktualë në rezervë, atëherë bashkëpunëtorët e KGB-së kanë punuar dhe punojnë në institucione bashkiake. Kështu bëjnë të gjithë shërbimet speciale të botës. Diferenca e vetme është se tanët janë të njohur nga të gjithë. Kolegët e tyre perëndimorë nuk arrini t’i individualizoni, punojnë në kushte fshehtësie të lartë. Bërja e kësaj tek ne do të ishte e pamundur (për shkak financimi) dhe jo e përshtatshme (ose të paktën deri në kohët e fundit). Në një sistem totalitar do të mjaftonte të thuhej “Qepeni gojën!”. Kurse tani, në rast se nuk rrinë urtë, gjithçka del. Por, e përsëris, asnjë shërbim sekret në botë nuk funksionon pa agjentë të tillë. Kështu ka qenë, kështu është dhe kështu do të jetë. Ama kjo nuk më përket më: siç e kam thënë, jam dorëhequr nga KGB-ja…

Përgatiti:
ARMIN TIRANA

Shqipëria ia doli në një stadium jo shumë të përshtatshëm

Barazim me Maqedoninë

Shqipëria doli ball lartë nga Maqedonia, pas një barazimi 1-1 në përfundim të një odiseje të gjatë vështirësish në Strumicë, ku Roshi na çoi shumë pranë fitores me golin e tij, me kuqezinjtë që dolën mbi problemet e një stadiumit jo shumë të përshtatshëm apo dhe vërshëllimës së himnit, si për të treguar se jo, shqiptarët nuk mund të dorëzohen kaq lehtë.
Maqedonasit i gëzohen një 11-metërshi të Trajkovskit, që ishte e vetmja mënyrë për të mposhtur një Super Berisha që ruajti me fanatizëm një rezultat që ishte deri diku i merituar për kuqezinjtë dhe që pothuajse sjell dhe zyrtarizimin e vendit të 3-të në grup, që do të ishte një rezultat historik për Shqipërinë në eliminatoret e një Botërori.
Në ndryshim nga ndeshja e Elbasanit, Panucci ndryshoi katër emra në formacionin titullar me Kukelin, Lilën, Hykën dhe Sadikun që u preferuan nga minuta e parë. Në dukje një formacion sulmues por që në pjesën e parë vuajti disi lojën e maqedonasve, me Alioskin që rrezikoi që në të dytën, ndërsa përgjigja e kuqezinjve erdhi me Llullakun në të 21-tën por që nuk filtroi dot në qendër. Në të 23-tën dhe 24-trën dy reagime të Berishës nuk lejuan disavantazhin, ndërsa në të 25-tën Shqipëria pati shansin e madh në një kundërsulm 4-1 por Hysaj gaboi pasimin. Pjesa e parë u mbyll me dy penalizime për kuqezinjtë me Mavrajn e Kukelin që u ndëshkuan me të verdhë duke humbur ndeshjen me Spanjën. Në pjesën e dytë, Panucci ndryshoi emrat duke hedhur në fushë Memushajn dhe Bashën, për Lllullakun dhe Kukelin. Lëvizje që i dhanë më tepër freski ekipit, aq sa në të 53-tën Sadiku dhuroi asistin e artë për Roshin, që depozitoi në rrjetë me një goditje me spondën e shtyllës mu përpara tifozëve kuqezi.
Goli bëri me krahë Shqipërinë por jo me gol të dytë, pasi në të 55-tën Sadiku gjeti gati Dimitrevskin, ashtu si dhe Memushaj në të 56-tën. Në të 59-tën Sadiku pati mundësinë për të mbyllur ndeshjen por nga dy hapa dërgoi jashtë. Goli i munguar për pak sa nuk solli golin e pësuar në të 70-tëbn por Hysaj largoi mbi vijën fatale, ndërsa në të 77-tën ishte Berisha që nuk lejoi golin. 1 minutë më pas 11-metërshi i maqedonasve, të cilin Trajkovski nuk e gaboi. Goli i dha zemër vendasve që në të 80-tën ishin sërish të rrezikshëm por dora e Berishës ndali Alioskin, ashtu si në të 85-tën Berisha u bë Super Berisha me një tjetër reagim fantastik. U mbyll 1-1 pas një ndeshje të luftuar, ku humbëm Roshin, Mavrajn dhe Kukelin, që nuk do të jenë me Spanjën për karton të verdhë ndërsa solli dhe debutimin e Memollajt por dhe konsolidimin e vendit të 3-të në grup pas një ndeshje që ishte paqe në të gjitha drejtimet.
Edhe pse ishin maqedonasit ata që e kërkuan më shumë golin, pas avantazhit që do t’i mbyllte përfundimisht diskutimet për vendin e tretë në grup, pas Spanjës e Italisë, kombëtarja kuqezi u duk se u tërhoq në mbrojtje të rezultatit.
Futbollistët e maqedonisë, që nuk kishin më se çfarë të humbisnin, u hodhën në sulm duke rrezikuar disa herë portën kuqezi, por Berisha mbeti i pathyeshëm, deri në minutën e 77, kur një krosim nga e majta e maqedonasve përfundoi në dorën e Odise Roshit, edhe pse në mënyrë të pavullnetshme, por arbitri suedez Ericsson akordoi 11-metërsh për vendasit.
Nga penalltia, Trajkovski nuk gaboi, duke e hedhur në krah të kundërt portierin Berisha dhe duke barazuar shifrat në 1-1, rezultat me të cilin mbyllet krejt takimi. Minutat e fundit ishin drithëruese për kuqezinjtë, që mbrojtën me të gjitha forcat rezultatin, që gjithsesi konsiderohet pozitiv, pasi në një fushatë kaq të vështirë kualifikuesesh, arrijmë të mbajmë vendin e tretë në grup.

Rama e kishte planifikuar shkrirjen e Akademisë së Shkencave

Me dy postime në Facebook, të publikuara para dhe pas zgjedhjeve në Akademinë e Shkencave, Edi Rama paralajmëroi dje (të hënën) se do t’ia hiqte të gjitha fondet këtij institucioni dhe do t’i linte akademikët pa zyra, duke u marrë godinën. Rrjedhimisht, pa financim dhe pa seli, Akademia do të shkrihej.
Arsyeja e këtij vendimi, shpjegoi vetë kryeministri siç mund ta shihni në statuset e tij më poshtë, ishte procesi zgjedhor. Rama e quajti farsë votimin për kryetarin (Gudar Beqiraj) dhe nënkryetarin (Myzafer Korkuti).
Qëndrimet e kryetarit të qeverisë dhanë përshtypjen se diçka e madhe po kurdisej me zgjedhjet. U duk sikur paralajmërimet për ta shkrirë Akademinë ishin pasojë e një zemërimi të madh të atypëratyshëm.
Por një dokument i publikuar nga Luan Rama i LSI zbulon se pas mërzisë së kryeministrit me akademikët qëndron një mashtrim i madh.
Dokumenti i publikuar flet për një plan të qeverisë, të hartuar disa javë më parë, për ta shkrirë Akademinë e Shkencave.
Akademia, sipas planit të Edi Ramës, do të jetë pjesë e Qendrës Kombëtare të Kërkimit Shkencor, e cila do të përfshijë edhe Qendrën e Studimeve Albanologjike dhe shumë institute për kërkim shkencor.
Projekti është pjesë e Ministrisë së re të Arsimit, Kulturës, Inovacionit, Rinisë dhe Sporteve.
Dokumenti zbulon se Edi Rama e kishte vendosur më parë ta shkrinte Akademinë dhe se ajo e djeshmja ishte një pjesë teatrale që luhej në sytë e publikut për të fshehur arsyet e vërteta të vendimit.
Pra, projekti i Ministrisë së Arsimit tregon se kryeministri nuk e mori vendimin si rrjedhojë e “farsës së zgjedhejeve” që bënë kryetar nënkryetarin dhe kryetarin e mëparshëm nënkryetar, por që ai e përdori procesin për qëllime që s’ia ka sqaruar ende opinionit publik.
Përballë këtij dokumenti, mbi arsyet e zhurmës së madhe të së hënës lindin dyshime të mëdha.
Disa zëra kundërshtarë të Ramës folën që dje për një projekt të tij për ta shkrirë Akademinë me qëllim për t’i marrë ndërtesën.
Të tjerë e akuzuan publikisht në shtypin e shkruar se është vetë Rama që ka bllokuar prej 3 vjetësh projektin për reformimin e këtij institucioni.

Ekstradimi i “Ballist” Morinës në dorën e ministrit kroat

Gjykata Supreme e Kroacisë ka konfirmuar vendimin e Shkallës së Parë të një gjykate lokale për të ekstraduar në Serbi Ismail Morinën, të njohur si “Ballist” Morina, personin i cili fluturoi mbi Stadiumin e Beogradit dronin me flamurin me simbole shqiptare. Morina kërkohet në Serbi për nxitje të urrejtjes etnike dhe raciale.
Media serbe “B92” thotë se, vendimi është publikuar në websajtin zyrtar të Gjykatës Supreme të Kroacisë. Në të thuhet se është refuzuar apelimi i avokatit të Ismail Morinës. Ky është vendimi përfundimtar i Gjykatës dhe sipas procedurës ligjore, tashmë do të jetë në dorë të ministrit kroat të Drejtësisë për të dhënë vendimin përfundimtar. Morina ndodhet në paraburgim në qytetin kroat të Dubrovnikut.
Media serbe po ashtu raporton se, mbrojtja e Morinës ka paraqitur një mocion për “mbrojtje ndërkombëtare” tek autoritetet kroate dhe institucionet europiane për parandalimin e ekstradimit të tij në një shtet të tretë. Megjithatë është Ministria e Drejtësisë që do të japër verdiktin për “Ballist” Morinën.
Gjykata e Qarkut e Dubrovnikut lejoi ekstradimin e tij në Serbi që në korrik të këtij viti, kur u konstatua se janë përmbushur kushtet gjyqësore, por pas ankesës së Morinës në Gjykatën Supreme e anuloi këtë vendim dhe rastin e ktheu për rigjykim.
Edhe në procedurën e ripërsëritur Gjykata e Dubrovnikut lejoi ekstradimin. Por, Morina sërish u ankua, ndërsa Gjykata Supreme vendosi që ankesa e tij ishte e pabazë, përkatësisht se janë përmbushur të gjitha kushtet ligjore për ekstradim. Por, vendimin përfundimtar e merr ministri i Drejtësisë, thekson Hina.
“Pjesa më e madhe e ankesës së personit për ekstradim në thelb ka të bëjë me vërtetimin e gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike meqë nga përmbajtja e ankesës del se ai konsideron se Gjykata e Shkallës së Parë, gabimisht ka vërtetuar se janë përmbushur kushtet ligjore për ekstradim dhe se nuk ka vërtetuar se ka pengesa për ekstradim. Mirëpo, Gjykata e Shkallës së Parë të gjitha faktet vendimtare i ka vërtetuar drejt dhe plotësisht”, thuhet në vendimin e fundit të Gjykatës Supreme të publikuar sot në faqen e internetit.
Gjykata ka gjetur po ashtu se nga pohimi që ka parashtruar Morina në ankesën e tij “se nuk mund të supozohet me arsye se personi për ekstradim në Republikën e Serbisë, vetëm pse është shqiptar dhe për shkak të bindjeve të veta politike do të jetë i diskriminuar gjatë gjykimit, përkatësisht se për këtë shkak do të ketë pozitë të vështirësuar”.
Vendimin e tij, Gjykata Supreme duhet t’ia përcjellë Gjykatës së Shkallës së Parë në Dubrovnik, e cila pastaj duhet ta informojë për çdo gjë ministrin e Drejtësisë, që ai të ndërmarrë vendimin përfundimtar. Sipas një informate jozyrtare, Morina ndërkohë ka kërkuar azil në Kroaci, që do të mund të ndikonte në vendimin përfundimtar për ekstradim.
Në tetor të vitit 2014, Morina fluturoi një dron me një flamur me simbole shqiptare mbi stadiumin e Partizanit të Beogradit, ku po luhej ndeshja për kualifikueset e Kampionatit Europian Euro 2016 mes Shqipërisë dhe Serbisë.
Përdhosja e flamurit nga ana e një futbollisti serb solli reagimin e futbollistëve shqiptarë, teksa më pas hynë në fushë edhe tifozët ultras të Serbisë, duke u përplasur me futbollistët e Kombëtares shqiptare.