Një studim i Universitetit prestigjioz të Harvardit ka dalë në përfundimin se niveli i lartë i korrupsionit qeveritar është duke penguar zhvillimin ekonomik të Shqipërisë.
Deklarata vjen pas një vrojtimi të kryer drejtpërdrejtë mbi bizneset shqiptare në tetor të vitit të kaluar.
Vrojtimi është kryer nga Qendra për Zhvillim Ndërkombëtar, Departamenti kryesor i Universitetit të Harvardit që merret me kërkime për zhvillimin e qëndrueshëm ndërkombëtar.
“Intervistat tona tregojnë se, korrupsioni shihet si i kudogjendur nga bizneset shqiptare dhe ndodh në të gjitha nivelet e qeverisjes”, thuhet në vrojtim.
Sipas Universitetit të Harvardit, bizneset kanë treguar një sërë kanalesh përmes të cilave preken nga korrupsioni, duke përfshirë rregulloret e paqarta dhe marrëdhëniet e shpeshta mes zyrtarëve dhe biznesit.
“Në mënyrë të ngjashme firmat raportojnë se zyrtarët u kërkojnë ryshfet edhe për funksionet themelore të qeverisë si aprovimi i standardeve të cilësisë”, thuhet në vrojtim.
Ndërsa rastet më të shpeshta të ryshfetit vihen re në procedurat e prokurimit ose kur bizneset aplikojnë për grante shtetërore.
Ai i Harvardit nuk është vrojtimi i vetëm që tregon se biznesi paguan taksë të rëndë ryshfeti në Shqipëri. Një tjetër vrojtim i financuar nga Bashkimi Europian në fund të vitit të kaluar, gjeti se niveli i korrupsionit në Shqipëri është rritur ndjeshëm gjatë dy viteve të fundit.
Sipas vrojtimit, gati gjysmës së popullsisë mbi 18 vjeç në Shqipëri i është kërkuar të paguajë ryshfet dhe 40 për qind e saj është detyruar të paguajë. Kjo shifër është përkeqësuar me 5 pikë përqindje krahasuar me dy vjet më parë, që do të thotë se niveli i korrupsionit në vend është rritur ndjeshëm.
Studimi i Harvardit: Korrupsioni qeverisë në nivele të frikshme
Tenderat për kulla pa vrojtues të gjitha në Vlorë
28 është numri i të mbyturve në sezonin veror e 2017, ndoshta ky numër do të ishte më i vogël nëse do të ishin marrë masa dhe gjërat do të funksiononin siç duhet në Shqipëri.
Ligji shqiptar parashikon krijimin e një ambienti të sigurt për turistët e huaj dhe shqiptar. Një VKM e dalë në 18.05.2016 në Nenin 6. Pika c, parashikohet që pushteti lokal që jep ambientet me qira, bizneseve private duhet t’i detyrojë ata në bazë të VKM që të ndërtojnë një kullë vrojtimi dhe të punësojnë një vrojtues.
Gazetari i emisionit Stop ka bërë një investigim në qytetet bregdetarë dhe asnjë prej tyre nuk ka një vrojtues që të qëndrojë në punë për t’i ardhur në ndihmë pushuesve që mund të gjenden në rrezik kur janë me pushime.
Në 27 prill të vitit 2017 është tenderuar nga agjencia Kombëtare e Bregdetit një kullë me shumën prej 41 milion lekë të vjetra, adresa e dhënë është në Dhërmi.
Gazetari ka shkuar në Dhërmi për të parë, se ku është kulla, se çfarë ka ajo që kushton aq shumë. Por edhe pse gazetari kontrolloi të gjithë vijën bregdetare në Dhërmi nuk gjeti asnjë kullë që të kishte të bënte me tenderimin e Agjencisë së Bregdetit.
E vetmja kullë që ishte në Dhërmi ishte një kullë e cila ishte ndërtuar nga një subjekt privat.
Por gazetari nuk e ka lënë më kaq, ai ka kontaktuar me Auron Taren kreun e Agjencisë së Bregdetit, i cili tha se publikimi i tenderit 41 milionë lekë për një kullë që nuk u bë kurrë, është lapsus. Ndërsa investimi në kulla pa njerëz, është thjesht shumë parash e hedhur dëm.
Auron Tare: Në fakt tenderimi që është që bërë në Maj dhe në Qershor dhe është një tenderim i mbartur nga viti i kaluar për vendosjen e 13 kullave të cilat janë dhe në dokumentacion me një vlerë prej 5 milion lekësh të vjetra, nga subjekti që u fitua. Këto kulla janë vendosur në Vlorë, Lungomare, Orikum dhe plazhin e vjetër sipas kërkesës së bërë nga Bashkia e Vlorës, për arsye të fluksit të vizitorëve. Këto kulla, 13 copë brenda këtij tenderimi janë vendosur në plazhin e Vlorës.
Drogë në vilat qeveritare tek Uji i Ftohtë në Vlorë
Policia e Shtetit njoftoi dje se ka sekuestruar 250 kg drogë në një vilë tek Uji i Ftohtë në Vlorë, por ish-Kryeministri Berisha u shpreh se kjo sasi droge është gjetur në një nga vilat qeveritare. Në një postim në Facebook, Berisha shkruan se, droga është gjetur te “vilat qeveritare”, dhe është fshehur nga një i afërt i qeverisë.
“Drogë në vilat qeveritare te Uji i Ftohtë, Vlorë! Policia njoftoi se ka sekuestruar në një vilë në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë, 250 kg drogë. Dihet botërisht se zona e vilave të Ujit të Ftohtë është zonë rezidenciale e vilave të qeverisë ndaj dhe mesa duket, një i afert i qeverisë ka zgjedhur zonën rezidenciale të vilave të qeverisë, duke ditur dhe tolerancën dhe vlerësimin e madh të Noriegës për drogën, për të fshehur në një vilë të asaj zone sasi kolosale droge.
Pas mbushjes me drogë të tuneleve të ushtrisë, magazinave të Rezervave Shtetërore, tani radha duket se u ka ardhur edhe vilave e rezidencave qeveritare, natyrisht me qira të majme për bosët e tyre me pushtet te zona e Ujit të Ftohtë”, shkruan Berisha.
Policia shpërndau një lajm dje se ka bërë një operacion në vilën në Ujin e Ftohtë dhe ka sekuestruar 211 kg kanabis. Një operacion policor është zhvilluar në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë, ku policia ka mësyrë tek një vilë dykatëshe, për të cilën dyshohej se ishte bazë për grumbullimin dhe shitjen e kanabisit.
Operacioni policor antidrogë i koduar “Fillim Vjeshte” solli arrestimin në flagrancë të Dilaver Pecajt, një 41-vjeçari nga fshati Trevllazër, që ishte i dyshuari kryesor si dhe nisjen e kërkimeve për dy persona të tjerë: F.P dhe A.M. Vila në të cilën ndërhyri policia rrezikon të sekuestrohet, pasi kjo pronë dyshohet se është përfituar nga aktiviteti kriminal, prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike.
Në njoftimin e policisë thuhet se, operacioni është zhvilluar në lagjen Uji i Ftohtë”, në një banesë 2 katëshe, ku në një nga dhomat e kësaj banese është konstatuar dhe sekuestruar nga policia një sasi lënde narkotike kanabis sativa, me një peshë totale rreth 211 kg e 700 gramë.
“Si rezultat i operacionit është arrestuar në flagrancë shtetasi: Dilaver Pecaj, 41 vjeç, banues në Trevllazër, Vlorë. Gjithashtu të përfshirë në këtë aktivitet kriminal, kanë rezultuar edhe shtetasit F.P., 47 vjeç dhe A.M. 34 vjeç, të cilët janë shpallur në kërkim policor.
Njëkohësisht po vijojnë verifikimet dhe veprimet, me qëllim sekuestrimin e banesës për të cilën dyshohet se është përfituar nga aktiviteti kriminal në fushën e narkotikëve. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprën penale të ”Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”, parashikuar nga neni 283/2 i Kodit Penal”, thuhet në njoftimin e policisë.
Policia e Shtetit bëri të ditur se, ka nisur një operacion masiv për kontrollin e zonës bregdetare, me qëllim goditjen e trafikut të lëndëve narkotike që mund të kryhen nëpërmjet kufirit detar. Në fakt ky superoperacion nuk ishte gjë tjetër veçse show i radhës i Ramës dhe Çakos për t’i hedhur hi syve shqiptarëve se gjoja po goditet trafiku i drogës. Policia tha se në këtë operacion kanë marrë pjesë 1140 forca policore dhe janë arrestuar 32 persona, por nuk publikoi asnjë emër apo iniciale të personave të arrestuar. Ky fakt tregon se ky operacion nuk ishte gjë tjetër, por një farsë.
Dy ditë pasi policia nisi operacionin antidrogë, 2.3 ton drogë u trafikuan nga brigjet shqiptare për në Itali. Sipas mediave italiane, droga është kapur në San Benedetto në Tronto, Itali. Operacioni është organizuar nga Guardia di Financa. Zv/prokurorja e Ascoli Pieno, Cinzia Piçioni bëri të ditur se, sasia më e madhe e drogës të kapur në këtë zonë ishte ngarkuar në Shqipëri. Sipas zv/prokurores në pranga për këtë sasi të madhe droge janë vënë një shqiptar dhe një italian.
R.POLISI
Vrasja e turistes ruse në det, drejt lirimit skafisti
Edhe pak orë mund t’i duhen Ermal Fatajt për të provuar sërish aromën e lirisë. 45 ditë pasi u vu në pranga si autor i dyshuar për vrasjen aksidentale në plazhin e Ksamilit të 15-vjeçares ruse Ksenia Riok, dosja ndaj Fatajt nuk përmban provën kryesore; ekspertizën e ADN-së për fijet e flokëve të gjetura në helikën e skafit të tij. Që prej korrikut, Laboratori i Policisë Shkencore ende nuk ka kthyer përgjigje nëse qimet e gjetura në pjesën e poshtme të mjetit lundrues të 31-vjeçarit Ermal Fataj, i përkasin apo jo 15-vjeçares ruse. Mungesa e një raporti për përgjigjet e ADN-së mbi fajësinë e Ermal Fataj, mund të ndikojë në lirimin e tij nga burgu.
31-vjeçari u arrestua pas një aksidenti të ndodhur në korrik në plazhin e Ksamilit, ku mbeti e vdekur 15-vjeçarja Ksenia Riok. Gjykata e Sarandës kishte vendosur masën e sigurisë atë të arrestit me burg 45 ditor ndaj autorit të dyshuar. Por mesa duket Prokuroria nuk po arrin të provojë fajësinë ndaj të dyshuarit kryesor të saj për këtë ngjarje.
E mërkura e 6 shtatorit pritet të jetë afati i fundit i qëndrimit në izolim për Ermal Fatajn. Deri në këtë fazë të hetimeve Laboratori i Policisë Shkencore nuk ka arritur të krijojë një raport të plotë mbi përgjigjet e analizave të gjetura në helikën e skafit të 31-vjeçarit, për të përcaktuar se të kujt ishin fijet e flokut. Një element thelbësor ky, për vijimin e hetimit.
Pa këtë akt-ekspertimi dhe pa një kërkesë për shtyrjen e afateve të mbajtjes pas hekurave të biznesmentit, atëherë ndaj këtij të fundit prevalon pafajësia dhe mund të ndiqet në gjendje të lirë. Gjatë deklarimit në polici, Fataj kishte theksuar se ka qenë duke lundruar në momentin kur ka ndodhur ngjarja dhe nuk ka ndjerë asnjë goditje. Në të kundërt, kishte pohuar ai do t’i kishte dhënë ndihmën e parë 15-vjeçares Kseniya Ryok. Nëse edhe biznesmeni 31-vjeçar do të dali i pafajshëm, atëherë ky do të jetë rasti i dytë që kjo ngjarje regjistrohet për autor. Një vit më parë, për një histori të ngjashme u akuzua edhe Fatmir Kuçi, për aksidentin me vdekje të një tjetër turisti rus, ngjarje kjo e ndodhur në zonën e livadhit në Himarë. Fatmir Kuçi mori pafajësinë në apel dhe çështja u pushua.
Ngjarja e rëndë ku hum,bi jetën turistja ruse ndodhi më 21 korrik të këtij viti. Një prej dëshmitarëve deklaroi se 15-vjeçarja ruse u godit nga një motor uji që ishte brenda zonës së ndaluar për këto mjete. Sipas të pranishmit, pasi ka çarë vajzën dhe ka parë që në ujë kanë nisur shenjat e gjakut, drejtuesi i motorit të ujit është larguar me shpejtësi, ndërsa një person me një varkë të thjeshtë ka nxjerrë në breg trupin e viktimës. Dëshmitari rrëfen se 15-vjeçarja kishte 20 minuta që nga momenti që e pa ruajtësi i varkave dhe policia është vonuar gati gjysëm ore për të ardhur në vendin e ngjarjes.
“Në tragjedinë që ndodhi në tre ishujt e Ksamilit, vajza është goditur me jetsky brenda kufirit të ishullit dhe personi me motorin e ujit është larguar sapo ka parë njollat e gjakut. Policia po e fsheh faktin që ka qenë një jetsky në ujë. Një person që rri tek varkat që marrim çdo ditë e nxori viktimën nga uji. Ajo ishte e goditur dhe kishte mbi 20 minuta nga momenti që e kishte parë ky. Ai mori në moment policinë dhe ata vonuan gati gjysmë ore, ndërkohë që jetsky u fut brenda kufirit që nuk lejohet dhe që është vetëm për pushuesit që notojnë. Ai që e ka vrarë është zhdukur dhe policia asgjë s’po bën për ta kapur. Theksoj, që nga deti vajzën e ka nxjerrë ky që transportonte njerëz për në ishull me një barkë të vogël. Ajo kishte çarje në trup dhe goditje në kokë”, u shpreh atëherë pushuesi, i cili ishte i pranishëm në vendngjarje.
Ai shton më tej se situata në Ksamil është me të vërtetë e frikshme, duke qenë se as 200 metra larg bregut të detit lundrojnë me shpejtësi motorë uji, të cilët rrezikojnë seriozisht jetën e të gjithëve dhe askush nuk bën as një gjë për të ndalur këtë rrëmujë të madhe.
Kush qëndron pas trafikut të 2.3 tonëve të drogës në Itali?
Shqiptari i arrestuar në Itali gjatë një operacioni të Guardia di Finanza-s, ku u sekuestruan 2.3 tonë marijuanë që vinte nga Shqipëria, ka kyçur gojën para gjykatës italiane. Mediat italiane raportonin dje se, shqiptari me iniciale K.D., 24 vjeç, dhe italiani Andrea Reccia, 63 vjeç (i arrestuar gjithashtu gjatë operacionit) nuk kanë folur para gjykatëses së Ascoli Piceno, Rita De Angelis. Për të dy, gjykata vendosi që të qëndrojnë në burg për arsye hetimore.
Gjatë natës duke u gdhirë e shtunë, në San Benedetto në Tronto, u kap sasia e konsiderueshme e drogës që sipas zv/prokurores të Ascoli Pieno, ishte nisur nga Shqipëria, raportuan mediat italiane.
Droga e nisur nga Shqipëria dhe e mbërritur natën në Itali, mësohet se ishte shkarkuar në deltën e lumit Tronto dhe më pas e ngarkuar në një furgon. Policia kishte marrë informacione për këtë ngarkesë droge dhe i ka bërë pritë furgonit, ku udhëtonin edhe të arrestuarit.
Brenda mjetit janë gjetur 40 pako me kanabis sativa. Më pas, motovedetat e Guardia Di Financës të nisura nga Ancona dhe Tronto kanë gjetur në det edhe 73 pako të tjera me kanabis që ishin hedhur nga trafikantët.
Gomonia e drogës ishte larguar me shpejtësi dhe italianët e kanë ndjekur deri në kufirin e ujëra territoriale kroate, ku edhe kanë ndërprerë ndjekjen. Pranë vendit ku ishte shkarkuar droga janë gjetur edhe 25 bidona benzinë për të furnizuar gomonen.
Shqiptarit kapet në Itali me 8 kg kokainë në makinë
Një 30-vjeçar shqiptar është arrestuar në Itali, pasi është kapur me 8 kilogramë kokainë. Arrestimi është bërë të enjten e kaluar, kur policia rrugore e Veronës ndaloi një makinë “Peugeot 407” me targa belge, e cila drejtohej nga shqiptari.
Kontrolli zbuloi shtatë “bukë” kokaine, me peshën totale 8 kilogramë që e kishte fshehur pas sinjaleve të pasme të makinës. 30-vjeçari me iniciale I.X., u arrestua dhe të shtunën në mëngjes u paraqit para gjyqtarit, i cili vendosi masën e sigurisë arrest në burg.
Tre shqiptarë kapen me heroinë dhe euro në Athinë
Gjatë një operacioni të zhvilluar nga policia greke në Athinë është zbuluar një magazinë droge dhe janë vënë në pranga 5 persona, 3 prej tyre shtetas shqiptarë. Sipas mediave greke në një magazinë në Aspropirgo të Athinës janë sekuestruar 23 kg heroinë; 38.8 gramë marijuanë; 16.5 kg përzierës; 1 karabinë dhe 525 euro. Mësohet se droga magazinohej në Athinë dhe shitej në Selanik, Patra dhe Larisa. Për sa i përket të arrestuarve ata janë dy meshkuj shqiptarë 27 dhe 45 vjeç, një femër shqiptare 39 vjeçe dhe dy grekë 19 dhe 41 vjeç.
Policia greke ka asgjësuar një laborator të përpunimit të drogës, ndërsa ka sekuestruar dhe një sasi të madhe heroine. Përfundimi i operacionit është komunikuar të martën në mesditë, nga drejtori i sigurimit publik të Atikës, gjeneral major Christos Papazafeiris. Sipas tij, në pranga janë vënë pesë persona, tre shtetas shqiptarë, njëra prej të cilave femër, si dhe dy shtetas grekë. Të arrestuarit janë të moshës nga 19 deri 45 vjeç.
Laboratori funksiononte në një kamp romësh, në pjesën perëndimore të Athinës. Por nuk është thënë nëse edhe të vetë të arrestuarit ishin romë. Policia ka sekuestruar më shumë se 23 kg heroinë, të ambalazhuar në 49 paketa me peshë afërsisht 500 gramë secila.
Gjithashtu është dhe një sasi prej 16,5 kg lëndë stimuluese që përdoret në përpunimin e heroinës, si dhe një sasi e vogël kanabisi, e paketuar në doza të vogla gati për shitje. Sipas policisë, heroina e përpunuar në atë laborator, trafikohej në zona të ndryshme të Greqisë dhe kryesisht në Selanik, Patra dhe Larisa. Madje janë gjetur dhe qese plastike bosh, por që kishin etiketa ku shkruheshin emrat e këtyre qyteteve. Janë sekuestruar gjithashtu një furgon, një armë gjahu, një sasi e vogël parash, tetë celularë, etj.
Vëllezërit paralajmëruan Ramën: Kryeministër, ndaloje tragjedinë
Ditën e djeshme dy vëllezër hipën në tarracën e një pallati 5-katësh nga ku kërcënuan me vetëvrasje. Ata argumentonin se shtëpia e tyre, me dokumente të rregullta do t’i kalojë padrejtësisht ish-pronarëve. Një ngjarje e tillë ka alarmuar shumë qytetarë dhe policinë, e cila ka arritur të negociojë me dy vëllezërit Bejko.
Ndërkohë, pasi zbritën nga pallati, njëri prej vëllezërve Bejko, Damini tha në një lidhje telefonike me “Ora News” se po u vidhen banesat. Damin Bejko deklaroi se e kishte njoftuar Kryeministrin Rama një ditë më parë për këtë çështje. Ai zbuloi mesazhin ku ia kishte parashtruar të gjithë problemin e familjes së tij dhe të vëllait, sikundër e apelonte të ndalonte tragjedinë e radhës.
“Mund të ndodhë si te ai prindi i Korçës para 6 muajve, ia kam cilësuar dhe Kryeministrit në mesazh, mund të ndodhë ai veprim. Nuk kam ku t’i çoj dhe shkolloj fëmijët. Një fëmijë e kam 4 vjeç dhe tjetrin 13. Po gëzohesha këtë vit që t’i çoja në bankat e shkollës dhe të kopshtit, por këta njerëz nuk më lënë, duan të shkatërrojnë familjet, nuk pyesin për njerëzit e thjeshtë.
Janë bërë avokatë të çështjes dhe mbrojnë pisllëkun, hajdutllëkun, falsifikimin. Çertifikata që zotërojnë zotërinjtë është blerë me para në dorë në korridoret e hipotekës. Është e vërtetuar në gjyq para prokurorit, para gjykatësve.
Gjykatësi Rexhep Bekteshi që në mënyrë të prerë vendosi: Është shkelur vendimi i Gjykatës së Lartë dhe çertifikata ka dalë 6 muaj me vonesë. Çështjen ia kaloi direkt Prokurorisë. Prokuroria fle gjumë. Ne endemi sipër tarracave për t’u flijuar.
Në rast se do të ndodhë përsëri ju them jo ky rast, por do të jetë edhe më ekstrem. I kam marrë parasysh të gjitha. Derisa unë do të dal në rrugë të madhe me familjen, nuk kam asnjë lloj zgjidhje apo mundësie për strehim, unë do të detyrohem të marr një akt të tillë”, shprehet Damian Bejko.
Dy vëllezërit Bejko në Durrës hipën në majën e një pallati dhe kërcënuan se do të hidhen nga aty. Ngjarja ndodhi në lagjen nr.11 të qytetit bregdetar. Nga hetimet e para të policisë mësohet se shkak është bërë kthimi i banesave të tyre tek ish-pronarët. Ata hipën në tarracën e pallatit ku jetojnë pasi Përmbarimi do t’i nxjerrë nga shtëpia dhe kërcënuan me vetëvrasje për vendimin e gjykatës. Policia shkoi menjëherë në vendngjarje, dhe pas negociatave dy vëllezërit zbritën nga tarraca e pallatit.
Shpërthen në flakë makina në Vlorë, shpëton shoferi
Një makinë është djegur mesditën e djeshme në fshatin Panaja të Vlorës. Burime nga policia lokale kanë bërë të ditur se rreth orës 14:10, në Sallën Operative Vlorë ka ardhur një telefonatë se në aksin rrugor Novoselë-Vlorë, tek mbikalimi në Panaja, ka marrë flakë një makinë. Policia së bashku me shërbimin zjarrfikës kanë shkuar në vendngjarje, duke bërë të mundur fikjen e zjarrit.
Nga verifikimi paraprak i policisë ka rezultuar se ka qenë mjeti tip ”Ford Focus”, me targë AA 875 NV, i djegur pothuajse pjesërisht, me drejtues mjeti shtetasin E.A., 22 vjeç, banues në Risili, Vlorë. Nga zjarri në automjet nuk ka persona të dëmtuar. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të shkakut të rënies së zjarrit në automjet.
Aksident me vdekje në Lushnjë, shoferi zhduket
Një aksident me vdekje ka ndodhur mëngjesin e djeshëm pranë rotondos së Kolonjës në autostradën Fier-Lushnjë. Një banor i zonës, 72-vjeçari Kimet Hoxha nga fshati Ardenicë ka humbur jetën i përplasur nga një makinë. Autori nuk ka ndaluar për t’i dhënë ndihmën e parë, por është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Policia e Lushnjës tha se, ngjarja ka ndodhur rreth orës 05:40, në fshatin Ardenicë, ndërsa nuk është identifikuar mjeti që shkaktoi aksidentin dhe se ka nisur hetimet. Mjeti që ka shkaktuar aksidentin është larguar nga vendi i ngjarjes. Grupi hetimor po punon për identifikimin e mjetit dhe të personit që e drejtonte si edhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Po ashtu një aksident i rëndë ka ndodhur mesditën e me në aksin rrugor Lezhë-Laç ku janë përplasur dy automjete. Për pasojë kanë mbetur të plagosur disa persona. Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes, ndërsa nuk bëhen të ditura shkaqet e aksidentit.
320 euro për një çertifikatë, nën hetim administratori
Një person i akuzuar për korrupsion është vënë nën hetim nga Policia e Tiranës. Miratim Mezini, 34 vjeç, banues në Tiranë u ndalua gjatë ditës së djeshme, pas videos së publikuar gjatë së hënës në emisionin investigativ “Stop” të Televizionit “Klan”. Ndalimi i tij u bë, pasi duke qenë me detyrë administrator i një shoqërie punësimi, duke i marrë një shumë prej 320 euro një personi e ka pajisur atë me çertifikatë trajnimi për përfundimin e kursit profesional, ndërkohë që nuk i është nënshtruar testimit teorik dhe praktik.
Nga hetimet e kryera rezulton se çertifikata e lëshuar nuk është pasqyruar në regjistrat e Amzës. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 70 çertifikata kursi profesional dhe dy regjistra Amze. Ndaj të dyshuarit, materialet iu referuan Prokurorisë së Tiranës për veprat penale “Korrupsion pasiv në sektorin privat” dhe “Falsifikim i dokumenteve”.
Kamera e fshehtë e emisionit investigativ u ndal në Agjencinë Shqiptare të Punësimit, e licencuar për trajnime në profesione të ndryshme. Administratori Miratim Mezini siç mund të shihni në videon më poshtë negocion me qytetarin dhe pas disa bisedave pranon që qytetari në fjalë të marrë një çertifikatë 3-mujore trajnimi për “punime dekorative dhe gipsi”.
Pasi paguan 320 euro, shtetasi i interesuar është “i trajnuar” në punimet e gipsit dhe gati për tregun gjerman të punës, edhe pse nuk ka bërë asnjë ditë të vetme trajnim.