Në një kompleks turistik në Gjirin e Lalzit, një grabitës ka hyrë pas mesnatës së 4 shtatorit, duke thyer derën dhe ka vjedhur 1 milion lekë të reja nga kasaforta. Policia e Durrësit ka mbledhur gjurmët dhe pas një pune hetimore intensive ka bërë të mundur të zbulojë autorin dhe vendndodhjen e parave, larg Lalzit, në Tiranë.
Autori që u arrestua është Denis Myrteza 23 vjeç, banues në Tiranë. Ai është arrestuar mesnatën e datës 5 shtator dhe gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij në Tiranë iu gjetën dhe sekuestruan 10 000 000 lekët. Dosja e tij i kaloi Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme për veprën penale “Vjedhja” parashikuar në nenin 134 të Kodit Penal.
Grabitet kompleksi turistik në Gjirin e Lalzit
Biznesmeni nxjerr në shitje bizneset për të ikur nga Shqipëria
Ideja e shqiptarëve për të lënë vendin e tyre sa vjen e shtohet. Kjo dëshirë tashmë nuk është e përhapur vetëm në shtresën e mesme apo atë të varfër, por në këtë konkluzion po arrijnë edhe shumë prej të pasurve, të cilët kanë edhe biznese të mëdha. Vetëm këto ditët e fundit, dy biznesmenë po bëhen gati që të lënë Shkodrën. Të dy janë të njohur, por në respekt të anonimatit të tyre emrat nuk publikohen. Një prej tyre, E.K ka pranuar që të tregojë për “Shkodra News” arsyet se përse ka nxjerrë në shitje bizneset për të ikur në Amerikë.
“Unë këtu përsa i përket anës ekonomike jam shumë mirë dhe shumë njerëz habiten kur u them se ka nxjerrë gjithçka në shitje dhe se dua të largohem me familjen në Amerikë. Mund të kesh para e biznese, por çdo ditë në Shkodër është një stres.
E para nis që tek punonjësit. Është vështirë të gjesh njerëz vërtetë të aftë. Pastaj tregu është vetëm drejt rënies dhe gjithmonë duhet të bëjmë ulje. Për të mos mjaftuar ka një mal me taksa e inspektoriate të ndryshme që na vijnë çdo dy ditë thua se kemi ndonjë fabrikë droge dhe jo biznes normal. Sikur ti kapërcej të gjitha këto nuk kapërcej dot të ardhmen e fëmijëve të mi. Ju tregoj momentin kur kam marrë vendimin, ka qenë krejt spontan. Djali im është 16 vjeç dhe një ditë vjen nga shkolla.
Është në një prej shkollave më të mira të qytetit. Vjen dhe më thotë, babi më gjej një shkollë tjetër ose më ndërro klasën. I them pse çfarë ka ndodhur. M’u përgjigj se të gjithë shokët e tij konsumojnë duhan, por edhe doza hashashi. Nuk kam me kë të rri tha, sepse ata s’janë djem të mirë. Të nesërmen kur djali më tha kështu kam nxjerrë në shitje të gjitha çfarë kam dhe shumë shpejt unë dhe familja do të largohemi drejt Amerikës.
Fëmijët e mi meritojnë një shkollim ndryshe dhe një shoqëri tjetër. Të nesërmen ia dhashë lajmin djalit tim dhe u përlot, madje edhe u pendua, por tashmë disa biznese i kam shitur pres të shes edhe disa shtëpi dhe të iki familjarisht. Ndjej keqardhje, por skam zgjidhje tjetër”, shprehet ai.
Taksa e re rrit deri 100 lekë për litër çmimin e karburanteve
Ndaj pikave të shitjes me pakicë të karburanteve, bashkitë pritet të arkëtojnë një tarifë të re, të cilën, Gjykata Kushtetuese e ka shpallur sakaq një herë antikushtetuese, por që qeveria e ka riprezantuar me një ndryshim kozmetik.
Pikave të shitjes së karburantit u kërkohet të paguajnë një tarifë të lartë “licencimi” nga pushteti vendor në masën 3 milionë lekë për Bashkinë Tiranë dhe 1 milion lekë për bashkitë e tjera, pasi qeveria e Kryeministrit Edi Rama anashkaloi një vendim të Gjykatës Kushtetuese duke kryer një ndryshim kozmetik në kriteret e saj të licencimit.
Vendimi fillestar i qeverisë për përcaktimin e kësaj tarife licencimi u mor në vitin 2015 në mungesë të transparencës dhe pa shpjegime nga ana e qeverisë të arsyeve që sollën këtë ndryshim. Sipas vendimit fillestar, të gjitha pikat ekzistuese të karburantit detyrohen të rilicencohen dhe për këtë, duhet të paguajnë 5 milionë lekë në rast se gjenden në territorin e Bashkisë Tiranë dhe 2 milionë lekë në rast se gjenden në territorin e bashkive të tjera.
Por edhe pse ky vendim u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese si arbitrar, kjo nuk e ka ndaluar Këshillin e Ministrave të vendosë një tarifë të re licencimi, e cila gjykohet nga shoqëritë hidrokarbure gjithashtu si shumë e lartë.
Sipas Unionit të Shoqërive të Hidrokarbureve shqiptare, një shoqatë që përfaqëson interesat e një pjese të kompanive të tregtimit të karburanteve në vend, taksa e re e licencimit e imponuar nga qeveria pritet ta rrisë çmimin e karburanteve në një masë që mund të variojë nga 1 në 10 lekë për litër, në varësi kjo të sasisë së karburantit të shitur nga njësia e taksuar.
Taksë antikushtetuese
Parimi bazë në taksim është që taksat dhe tatimet të vendosen me ligj në Parlament ose të ndryshohen po me ligj në Parlament. Ky është një parim themelor në demokraci për shkak se vetëm përmes procesit ligjvënës, qeveria mund të mbahet përgjegjëse për taksat që imponon dhe mënyrën se si i përdor këto taksa. Por qeveritë zakonisht nuk e pëlqejnë të imponojnë taksa përmes diskutimeve publike parlamentare dhe zgjedhin rrugën e dytë, atë të imponimit të tërthortë të barrës fiskale përmes akteve normative të qeverisë apo duke imponuar tarifa të larta për shërbime të supozuara publike.
Në dhjetor të vitit 2015, qeveria miratoi vendimin nr. 970, në të cilin, imponoi që çdo pikë karburanti duhet të marrë licencë për ushtrimin e aktivitetit nga një bashki dhe për këtë licencë duhet të paguajë 5 milionë lekë në rast se gjendet në territorin e Bashkisë Tiranë dhe 2 milionë lekë në rast se funksionon në territorin e një bashkie tjetër. Qeveria me të njëjtin vendim imponoi gjithashtu detyrimin që çdo tregtar lëndësh djegëse, përfshirë pikat e shpërndarjes së gazit, të detyrohen t’i paguajnë bashkive një tarifë licencimi prej 1 milion lekësh të reja për Bashkinë Tiranë dhe 200 mijë lekë për bashkitë e tjera, tarifa që natyrisht do të rëndojnë mbi konsumatorët.
Shpërndarësit e karburanteve u nënshtroheshin më herët të njëjtave kritere për licencim, por tarifa e licencimit nga njësia e pushtetit vendor ishte 50 herë më e ulët për Bashkinë Tiranë dhe 20 herë më e ulët për bashkitë e tjera.
Unioni i Shoqërive të Hidrokarbureve e dërgoi vendimin në fjalë në Gjykatën Kushtetuese dhe arriti të bindë gjykatësit se imponimi i një tarife të tillë licencimi përbën një taksë të fshehtë në kurriz të konsumatorit dhe se për rrjedhojë, kjo taksë është e paligjshme. Gjykata Kushtetuese vërejti se ndonëse ligji ia ka ngarkuar Këshillit të Ministrave detyrën e përcaktimit të nivelit të tarifës së licencimit, caktimi i tarifave në nivele të tilla përbëjnë një abuzim të së drejtës ligjore nga ana e Këshillit të Ministrave.
“Gjykata vëren se rritja e tarifës së licencimit në masën 20 dhe 50-fish është arbitrare, e paarsyeshme, e paargumentuar dhe joproporcionale. Këshilli i Ministrave nuk arriti të argumentojë pretendimet e tij për domosdoshmërinë e ndërhyrjes në rregullimin e tregut të hidrokarbureve. Ai pranoi se ndërhyrja në fjalë nuk është mbështetur në ndonjë studim paraprak dhe të thelluar”, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese ku u rrëzua rritja e tarifave.
Gjithsesi, rrëzimi i një veprimi të tillë abuziv nga Gjykata Kushtetuese duket se nuk vlejti shumë për qeverinë. Në prill 2017, qeveria mori një vendim të ri, në të cilin, pikat e karburanteve kërkohet të paguajnë një tarifë licencimi në masën 3 milionë lekë në Bashkinë Tiranë dhe 1 milion lekë në bashkitë e tjera.
Shtrenjtimi i tarifave të licencimit, jo 50 dhe 20-fish, siç qe më parë, por 10 dhe 30-fish, siç u bë me vendimin e ri të qeverisë, duket se përbëjnë njësoj shkelje kushtetuese të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, por ky abuzim nuk duket se i bën përshtypje qeverisë. Në gusht, Bashkia Tiranë vendosi të kërcënojë me bllokim pikat e karburanteve duke kërkuar tarifat e reja të licencimit. Duke mos e marrë mundimin për të fshehur faktin që kjo nuk është një tarifë licencimi, por një taksë, nënkryetari i Bashkisë Tiranë, Arbjan Mazniku deklaroi se këto të ardhura do të “shpenzohen për çerdhe, kopshte, lulishte, parqe”.
Pak ditë më parë, edhe Bashkia e Elbasanit hyri në aksion për të rrëmbyer nga pikat e karburantit të njëjtën tarifë licencimi, të cilën Gjykata Kushtetuese e ka shpallur sakaq antikushtetuese.
Aktualisht Shqipëria ka taksat më të rënda mbi karburantet në rajon, gjë që është reflektuar në çmime gati 30 për qind më të larta të naftës apo benzinës në krahasim me Kosovën apo Maqedoninë.
BIRN
Juristja me shkollë marksizmi dhe juridik nate tek Vetingu
Mimoza Pano për ata që nuk e njohin, zonja ka mbaruar marksizëm në kohën e Enverit dhe pastaj më 2000 ka bërë edhe juridik shkolle nate. Mimoza Tasi ka qenë ish-edukatore kopshti aktualisht dhe drejtoreshë në Kuvend. Zonja në fjalë nuk ka qenë në nivele drejtuese për periudhën e kërkuar taksativisht nga ligji, pasi ka qenë thjesht sekretare komisioni, më pas këshilltare komisioni në Kuvend. Pra, nuk ka qenë në nivel drejtues siç e kërkon ligji.
Kuvendi i Shqipërisë miratoi më datë 17.06.2017 me 100 vota pro dhe dy kundër listën me 27 anëtarët e komisioneve të vetingut, duke i hapur kështu rrugën zbatimit në praktikë të njërës prej hallkave më të rëndësishme të reformës në drejtësi, siç është ajo e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Më herët, komisioni ad hoc i drejtuar nga deputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko, përzgjodhi përmes votimit të fshehtë elektronik 12 anëtarët e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe dy anëtarët zëvendësues, si dhe komisionerët publikë. Fillimisht, procedura pati paqartësi të mëdha lidhur me mënyrën e votimit, por më pas gjithçka vazhdoi normalisht.
Në listën e anëtarëve të KPK është edhe emri i Mimoza Tasit, juristes nga Tirana. “Newsbomb.al” ka mundur të sigurojë listën e notave të zonjës Tasi, e cila ka mbaruar juridikun me 5-a.
Gjatë viteve 1994–2000 ka kryer studimet në Universitetin e Tiranës, në degën drejtësi në sistemin pa shkëputje nga puna (korrespondencë), në përfundim të së cilës ka marrë titullin jurist.
Moikom Zeqo: Mbulimi i Skënderbeut u manipulua, jo vepër e myslimanëve
Studiuesi i historisë dhe arkeologjisë, Moikom Zeqo tha në studion e “DritaremeRudinën” se debati i ashpër për mbulimin e Skënderbeut, gjatë faljes së Namazit në Sheshin Skënderbej, nuk ka të bëjë me myslimanët. Ai tha se reagimet në rrjetet sociale kanë qenë të tmerrshme dhe pohoi se shumë njerëz e kanë kërcënuar pas reagimeve që ai ka bërë.
Zeqo u shpreh më tej se kjo çështje është manipuluar nga media.
“Kjo çështje nuk ka të bëjë me myslimanët e Shqipërisë. Ata kanë merita të jashtëzakonshme. Një mysliman ishte ai që zgjodhi flamurin e Skënderbeut, siç ishte Ismail Qemali, ndërsa një mysliman tjetër shkroi historinë e tij, siç ishte Naim Frashëri.
Në këtë çështje ka një manipulim mediatik.
Këtu ka një alergji të madhe ndaj Skënderbeut. Çështja e Skënderbeut nuk është një çështje e thjeshtë. Kanë 500 vjet që e sulmojnë, e quajnë antihero”, tha Zeqo.
Maskat e reja të “disinformacija”-s
“Il Giornale”
Disinformacija, dizinformim… në gjuhën ruse. Termi merr një domethënie më komplekse, e nëse duam ta themi, më të …plotë. Sidoqoftë, ka nuanca që na çojnë tek Revolucioni i Tetorit, tek vitet e gjatë të Luftës së Ftohtë – i ashtuquajturi “shekulli i shkurtër” sipas Hobsbaune – tek romanet e Le Carre, tek filmat e spiunazhit… Dhe kjo, sepse “disinformacija” ishte lartësuar, në BRSS, duke u shndërruar në një shkencë të vërtetë, ose më saktë në teknikë me anë të cilës të çorientoje kundërshtarin, të fusje në krizë siguritë e tij, t’i dobësoje vendosmërinë.
Dhe natyrisht, t’i shkatërroje imazhin. “Shpifni, shpifni… diçka do të mbetet…” thuhet të jetë shprehur vetë Lenini. Një frazë për të cilën ka dyshime që ka dalë nga goja e tij, por që gjithsesi pasqyron një vizion ideologjik për të cilin nuk ekziston e vërteta e fakteve, por kjo është gjithmonë relative, e kushtëzuar prej interpretimit funksional që dikton ideologjia.
Dhe BRSS, që ishte promotori i ideologjisë marksiste-leniniste, në artin e disinformacija-s ishte për një kohë të gjatë mjeshtre, duke shfrytëzuar gjithmonë me zgjuarsi dhe në mënyrë aspak skrupuloze “simpatitë” ideologjike të intelektualëve të perëndimit kapitalist. Simpati që bëheshin gjithnjë e më të forta, duke shtyrë bijtë e borgjezisë europiane – ndonjëherë dhe asaj amerikane – që të përqafonin pa kushte kauzën e revolucionit, që pastaj në fund përkthehej në interes të Moskës. Dhe ky “sugjestionim” shkonte që nga paaftësia për të parë gjërat ashtu si ishin – e këtu i hapet rrugë apologjisë së Vietkongëve, Kmerëve të Kuq, Revolucionit kulturor Maoist, si dhe regjimeve të tjerë të tmerrshëm – deri tek “spiunazhi i vetëdijshëm për armikun”. Deri tek tradhëtia e pastër, si ndodhi në rastin e Philbyt, Burgessit dhe bij të tjerë aristokratë të Oxbridge, që u bënë spiunë të KGB-së dhe që “hodhën në erë” shërbimin e fshehtë britanik. Fushata rekrutimi dhe opinioni që Perëndimi, fronti tjetër, u përgjigjej goditje pas goditjeje, i pajisur jo me një kohezion ideologjik, por më shumë me një “vizion për jetën”, një model social, i cili në fund rezultoi fitues. Një “fuqi e butë” më pak pushtuese por që, po ta shohësh mirë, shumë më e lehtë dhe në gjendje të fitojë mendje dhe zemra. Pastaj, se si përfundoi Lufta e Ftohtë, kjo dihet.
Kjo, natyrisht është histori, ose më mirë një tërësi historish tashmë të vjetra, që pothuajse kanë hyrë në legjendat gazetareske. Por, nuk ka hyrë në histori dhe nuk është harruar instrumenti i disinformacija-s, i cili sot më shumë se kurrë përdoret në shkallë universale, duke shfrytëzuar pikërisht mundësitë e mëdha të komunikimit në këtë “Epokë të Globalizimit”.
Instrumenta komunikimi të fuqishëm, prapa të cilëve megjithatë nuk qëndrojnë më hijet e spiunëve të vjetër, agjentëve të KGB-së – apo versioni perëndimor i CIA-s, por ato më pak romantike dhe aventuriere, ndonëse paradoksalisht më misterioze, të spekulantëve, financierëve që manipulojnë informacionin për të nxjerrë, prej kësaj, fitime në dimensione të vështirë për t’u imagjinuar. Në gjendje të trondisin shtete, të shembin sisteme shtetërorë, të nxisin “revolucione” – pak a shumë të ngjyrosur – apo edhe luftëra, vetëm sepse interesat e tyre do të favorizoheshin prej këtyre trazirave. Ose, më thjeshtë, sepse një gjendje ndërkombëtare në çekuilibër dhe me tensione do të favorizonte ato qendra të pushtetit ekonomik që nuk prodhojnë asnjë pasuri reale, por që shfrytëzojnë rastësinë e instrumentave të rinj telematikë për të luajtur, me kapitale vetëm nominalë, në skenën globale, a thua bëhet fjalë për një lojë të madhe “Monopoly”.
Shembuj nga historia, ose më saktë nga kronika e kohëve të fundit mund të nxirren shumë. “Pranverat arabe” mbi të gjitha. Mediat që i paraqisnin si lëvizje madhështore dhe të lumtura të popujve për demokraci, kundër diktatorëve të përgjakshëm dhe të korruptuar… Perëndimi, opinioni ynë publik i besoi, dhe duartrokiti dëbimin e “Ben Alive dhe Mubarakëve”, duke mbyllur sytë madje edhe përpara kufomës së Gedafit. Pastaj, siç e dimë mirë të gjithë… heshtje. Heshtja mediatike, madje heshtja edhe e vetë Internetit, që aq shumë e kemi mitizuar. Dhe përtej kësaj “perdeje të re prej hekuri”, precipitimi i Maghrebit dhe Lindjes së Mesme në kaos, shfaqja e regjimeve të tjerë, të tillë që të bëjnë të zbutet kujtimi i atyre të kaluar, luftëra civile, masa imigrantësh të dëshpëruar që vijnë drejt brigjeve tanë. Askund nuk duket as hija e një demokracie moderne – ndoshta përveç Tunizisë – apo e një liberalizimi të zakoneve, të një drejtësie sociale apo shteti të së drejtës… Megjithatë, dikush ka nxjerrë dhe vazhdon të nxjerrë përfitime nga e gjithë kjo, jo vetëm duke pushtuar “fetat” e reja të tortës së madhe të gazit dhe naftës, por mbi të gjitha edhe duke i manipuluar tregjet me këto ulje-ngritje që shkakton pasiguria e përgjithshme në një zonë kritike për ekonominë dhe ekuilibrat e globit. Dhe shembuj të tjerë mund t’i nxjerrim nga e kaluara, jo shumë e largët. Bosnja, Kosova sa për të përmendur disa. Dhe besojmë se gjëja më e vështirë është të nxjerrim llogarinë, se sa kanë kushtuar ato fushata Disinformacija mediatike që janë përkthyer në zhvillime politikë dhe gjeopolitikë. Sa kanë kushtuar në terma njerëzorë dhe të përgjithshëm.
Tani, projektorët e informacionit /disinformacionit janë drejtuar nga kriza e re Rusi-SHBA. Nuk kemi më shpirtin e tifozëve dhe jetojmë në një epokë post-ideologjike. Kështu që nuk shohim arsye të përqafojmë një kauzë apo një tjetër. Vetëm si kronistë të ngjarjeve gjeopolitike, kufizohemi të vërejmë dhe rregjistrojmë se si është vënë dhe vazhdon të vihet në zbatim një fushatë “informacioni” botëror, e cila synon të nxisë krizën dhe të vërë më shumë në dukje konfliktin mes Rusisë dhe Perëndimit, apo nëse duam ta thjeshtësojmë, mes Kremlinit dhe Shtëpisë së Bardhë.
Informacione të rremë apo “pakëz të rremë”; demonizim i kundërshtarit; rithirrje e shpirtërave të Luftës së Ftohtë. E gjithë kjo synon t’i bëjë gjithnjë e më të tensionuara marrëdhëniet ndërkombëtare, pavarësisht se ndërthurja e interesave dhe lidhjeve mes Rusisë dhe SHBA do i bënte sot realisht të pamendueshëm skenarët e Luftës së Ftohtë. E megjithatë, dikush, duke zgjuar këto fantazma po fiton përsëri. Në dëm të të shumtëve. Në dëm të popujve të tërë. Duke theksuar kështu, një krizë të përgjithshme dhe epokale, për zanafillën e të cilës duhet të reflektojmë më thellë. Sepse edhe aty duket se shtrihet hija e Disinformacija-s.
565 mijë banorë të rrezikuar nga përmbytjet
Përmbytjet në Shqipëri janë një problem veçanërisht midis nëntorit dhe marsit, kur bien rreth 80% e reshjeve vjetore. Ultësirat perëndimore dhe basenet ujore të lumenjve Drin dhe Vjosë janë veçanërisht të prirur ndaj përmbytjeve për shkak të shpyllëzimit dhe mungesës së menaxhimit të shtretërve të lumenjve. Këshilli Kombëtar i Ujit vë në dukje se, shumica e përmbytjeve ndodhin përgjatë baseneve ujore të lumenjve Bunë, Drin, Vjosë dhe Seman, duke ndikuar potencialisht 24,000 ndërtesa dhe deri në 840,000 persona.
Sipas raporteve të brendshme të Ministrisë së Bujqësisë përmbytja e lumit Vjosë në janar të vitit 2016, ishte më e rënda që prej vitit 1954. Përmbytjet në basene të tjera ujore mund të ndikojnë 8,000 ndërtesa dhe deri në 50,000 persona. Puna kërkimore bazuar në skenarët tregon se afati i kthimit në nivelin e rrjedhjeve me përsëritje 1 herë në 100 vite mund të ulet në 1 herë në 50 vite ose më pak, që do të thotë se një ngjarje e lidhur me nivelin e përsëritjes 1 herë në 100 vite në periudhën 1960-1990 është shumë më i mundshëm të ndodhë në periudhën 2020-2050.
Analiza e ndikimit të përmbytjeve nga Këshilli Kombëtar i Ujit tregon se do të ndikohen në total 85,500 ndërtesa me një sipërfaqe të përgjithshme ndërtimi prej 7,900 km2 dhe 565,000 banorë.
Rritja e nivelit të ujit të detit e parashikuar në bregdete, pritet të jetë 1 deri në 2 cm deri në vitin 2025 dhe 3 deri 15 cm deri në vitin 2050, duke sjellë një përmbytje të zonave nën nivelin e detit. Komunitetet që jetojnë në këto zona pritet të zhvendosen më në brendësi të vendit. Plazhet në zona specifike (Shëngjin, Kune-Vain, Tale, Patok, Ishëm) do të ndikohen dhe toka bujqësore do të jetë më e përmbytur. Po kështu, përmbytjet mund të ndikojnë pjesërisht plazhet e ndodhura në zonat më në lartësi (Durrës, Golem, Divjakë, Himarë, Borsh).
Modelet e ndryshueshme të parashikuara të reshjeve. Temperaturat më të larta dhe thatësira mund të ndryshojnë strukturën e dherave në mënyrë të tillë që mund të humbasin në mënyrë të konsiderueshme kapacitetin për të thithur reshje, çka sjell si pasojë përmbytjet. Zonat më kritike ku toka është tashmë e dëmtuar në mënyrë serioze janë Shkodra, Tropoja, Saranda dhe Gjirokastra. Për më tepër, praktikat e menaxhimit të tokës dhe përdorimit të tokës, si ndërtimi, administrimi i pyjeve, argjinaturat, digat dhe rezervuarët, kanë pasur gjithashtu një ndikim të konsiderueshëm mbi faktorët që ndikojnë përmbytjet.
Shkalla e përmbytjeve mund të ndikohet gjithashtu nga ngjarje ekstreme të ujërave të larta bregdetare, rritja e nivelit të detit dhe stuhitë me shpeshti të rritur, sidomos në Lezhë. Këto ndikime të parashikuara të ndryshimeve klimatike kërkojnë një kuptim më të mirë dhe njohuri më të thellë, për të qenë të aftë të parashikohen përmbytjet dhe të merren masa efikase ndaj përmbytjeve, në mënyrë që të shmangen ndikime domethënëse mbi shëndetin njerëzor, ekosistemet dhe infrastrukturën. Mbrojtja nga përmbytja përfshin parandalimin e përmbytjeve, paralajmërimin e hershëm, minimizimin e dëmeve edhe reagim emergjent.
Mbrojtja nga përmbytjet është përgjegjësi publike dhe rrjedhimisht financimi i tij vjen nga buxheti i shtetit. Përmbytja është një dukuri e zakonshme në Shqipëri dhe se përmbytja shpesh çon në vdekje. Përmbytja e vitit 1905 shkaktoi numrin më të madh të vdekjeve dhe shtëpive të shkatërruara, por ka pak informacion për llojet e tjera të dëmtimeve, thuhet se përmbytjet ndodhën në rajonin e Liqenit të Shkodrës.
Pse nuk ndalet rritja e çmimeve në Shqipëri?
Rritja e kostove të prodhimit kryesisht në industrinë nxjerrëse dhe atë përpunuese kanë ndikuar në rritjen e përgjithshme të çmimeve të prodhimit në tremujorin e dytë të vitit.
INSTAT njoftoi dje se, indeksi i çmimeve të prodhimit shënoi një rritje vjetore me 1,6% në krahasim dhe u ul me 0,9% në krahasim me tremujorin e parë të vitit 2017.
Rritjen më të lartë e kanë shënuar çmimet e prodhimit në seksionin “industri nxjerrëse” me 8,2%. Brenda kësaj industrie vihet re rritja e çmimeve të prodhimit të produkteve në nxjerrjen e naftës bruto dhe gazit natyror me 12,0%.
Referuar të njëjtës periudhë krahasimi, çmimet e prodhimit në aktivitetet e industrisë përpunuese kanë shënuar rritje me 1,2%. Brenda kësaj industrie vihet re rritja e çmimeve të prodhimit të produkteve në aktivitetin e metalurgjisë me 5,3%, prodhimi i produkteve kimike me 5,1%, konfeksionimi i veshjeve me 0,6%.
Krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2016, çmimet e prodhimit të produkteve vendase shënuan rritje me 1,9%.
Çmimet e prodhimit të produkteve për eksport kanë shënuar rritje me 3,3%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm.
Në tremujorin e dytë 2017 ndryshimi tremujor i indeksit është 0,9%. Çmimet e prodhimit në seksionin “industri nxjerrëse” shënuan ulje me 4,6%, krahasuar me tremujorin e parë 2017. Uljen më të lartë e shënuan çmimet e prodhimit në aktivitetin “nxjerrja e naftës bruto dhe gazit natyror” me 6,5%.
Çmimet e prodhimit në seksionin “industria përpunuese” kanë shënuar ulje me 0,3%, krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Brenda kësaj industrie vihet re ulje e çmimeve të prodhimit të produkteve në aktivitetet: konfeksionimi i veshjeve me 0,4%, prodhimi i produkteve ushqimore me 0,1%, prodhimi i produkteve metalike të fabrikuara me 1,4%.
Indeksi i Çmimeve të Prodhimit për produktet vendase arriti 101,2% kundrejt vitit 2010, duke shënuar një ulje me 0,5% krahasuar me tremujorin e parë 2017. Vlen të përmendet ulja e çmimeve të prodhimit të produkteve në seksionet: “industri nxjerrëse” me 3,4% dhe “industri përpunuese” me 0,3%.
Indeksi i Çmimeve të Eksportit arriti 104,6% duke shënuar ulje me 1,4% krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Çmimet e prodhimit të produkteve në seksionet: “industri nxjerrëse” dhe “industri përpunuese” kanë shënuar ulje përkatësisht me 5,4% dhe 0,3%.
Huatë me probleme ulen me 400 milionë euro

Huatë me probleme kanë shënuar një rënie të ndjeshme, sidomos vitin e fundit, duke zbritur në muajin korrik në 15.28% (nga 15.58% muajin e mëparshëm) dhe duke iu larguar nivelit më të lartë prej gati 25% të totalit të kredisë, që u arrit në shtator të vitit 2014.
Të dhënat e publikuara sot nga Banka e Shqipërisë tregojnë se, rënia ka qenë e fortë sidomos nga tetori i vitit të kaluar, kur ky tregues ishte 21.35%.
Ndryshe nga 2016, kur rënia e muajve të parë e treguesi të huave që nuk kthehen prej më shumë se tre muaj në banka, nuk u arrit të mbahej, për shkak të falimentimeve të mëdha, në 2017-ën tendenca ka qenë e qëndrueshme.
Në vlerë absolute, kreditë problematike (me vonesë më shumë se 90 ditë) ishin 83 miliardë lekë, ose rreth 603 milionë euro. Në shtator të vitit 2014, kur ky tregues arriti kulmin, në gati 1 miliard euro. Pra në gati tre vjet, huatë me probleme janë reduktuar me rreth 400 milionë euro, një tkurrje e ndjeshme kjo.
Sipas Bankës së Shqipërisë, procesi i fshirjes nga bilanci të huave që kanë më shumë se tre vjet që nuk kthehen ka dhënë ndikim të dukshëm, ndërkohë që edhe sistemi është përfshirë në një proces ristrukturimi të kreditorëve të mëdhenj problematikë. Deri tre vjet më parë 35 koorporata kishin rreth 60% të huasë me probleme, por tashmë më shumë se gjysma e tyre kanë dalë nga kjo listë dhe një pjesë po shlyejnë rregullisht huatë.
Edhe bankat kanë qenë më të kujdesshme në dhënien e kredive të reja, duke bërë që dhe huatë e reja të mos rezultojnë më aq problematike sa më parë.
Bashkitë çelën tenderat për zjarrfikëse pasi ranë zjarret
Fiks Fare denoncoi situatën katastrofike në të cilën ndodhet Shërbimi i Zjarrfikësve në vend. Në njërën dorë kazmën dhe në tjetrën fshesën, heronjtë pa uniforma kundra zjarrit, dolën maleve të shuanin vatrat e zjarreve, që “mbinin” si kërpudhat pas shiut. Kjo situatë konfirmoi atë që Fiks Fare pasqyroi disa muaj më parë, degradimin total të këtij shërbimi.
Fiks Fare bëri një vëzhgim, ku pasqyroi momente të vështira me të cilat u përballën zjarrfikësit në Shkodër, Elbasan, Laç, Lezhë, Krujë, Librazhd e Prrenjas. Kudo tabloja ishte e njëjtë, automjete të dala jashtë funksionit dhe as mjetet më elementare që duhet të ketë një zjarrfikës. Armët e vetme të tyre ishin kazmat, lopatat, fshesat dhe degët e pemëve.
Flakët nuk kursyen as vendet e shenjta, teksa i afroheshin Kishës së Shna Ndout dhe dhjetëra banesave përreth, Forcat e Shpëtimit dhe Mbrojtjes ndaj Zjarrit nuk ndërhynë dot, pasi automjeti i tyre nuk kishte ujë. Zjarrfikësit në një bisedë jashtë kamerave treguan vështirësitë që has ky shërbim në dhënien e ndihmës. “Nuk kemi ujë, po presim një autobot privat të na sjellë, por sapo u njoftuam se edhe ai ka mbetur rrugës. Kjo është situata ç’të themi! Ne kemi vite që nuk marrim uniforma, imagjino të tjerat”, shprehet një prej zjarrfikësve. Zjarrfikësit pohuan gjithashtu se paguheshin me paga minimale 30 mijë lekë në muaj dhe kushtet në të cilat ata punojnë janë nën standardet minimale. “Ne kemi vite pa marrë uniforma edhe këto rroba që kam veshur i kam ble me lekët e mia, vetëm këpucët më ka dhënë shteti”, shprehet njëri prej tyre teksa janë në pritje të autobotit privat për të sjellë ujë. E ndërsa flakët shtoheshin, punonjësit e policisë dhe ushtrisë në mungesë të mjeteve për të ndërhyrë, ngrinin supet teksa qëndronin në një bar kafe, duke pritur ndihmën e kërkuar nga ajri. Situata e rënduar rrezikoi edhe kurorën e gjelbërt të qytetit të Laçit, por falë ndërhyrjes së Emergjencave Civile flakët u vunë nën kontroll pas 24 orëve.
Zjarri në rezervatin e Velipojës
Një tjetër rast i evidentuar nga Fiks Fare ishte ai i rezervatit të Velipojës. Zona e mbrojtur e kategorisë së 5-të, që përfshin pyje, kafshë dhe shpend të rralla rrezikoi të digjej. Fiks Fare vëzhgoi në vendngjarje aksionin e Zjarrfikëses së Shkodrës, e cila me dy automjete të amortizuara të viteve 70′ e pati të pamundur të përballonte e vetme situatën. Veç ndërhyrjes të kërkuar nga ajri, zjarrfikësit u ndihmuan edhe nga forcat e policisë dhe të ushtrisë, të cilët së bashku arritën ta vinin situatën nën kontroll pas nëntë orësh. Duke luftuar me kazma dhe lopata pa uniforma dhe të ndihmuar me ujë nga një autobot i Ujësjellës Kanalizimeve Shkodër u arrit të shpëtohej kjo zonë e mbrojtur, e cila njihet për shumëllojshmërinë e bimëve dhe shpendëve. “Kemi ardhur me dy automjete të vjetra të viteve 70′ si dhe me një autobot me ujë nga Ujësjellës Kanalizimet e Shkodrës. Ishte e pamundur ta vinim vetë situatën nën kontroll. Kërkuam ndihmë nga ajri si dhe nga ushtria dhe policia, pasi mund të rrezikohej gjithë rezervati prej 640 ha”, u shpreh Agim Dibra, shef i Shërbimit të Zjarrfikëses, Shkodër.
Gazetarët e Fiksit iu drejtuan Ministrisë së Punëve të Brendshme për të marrë një informacion të plotë mbi sipërfaqen e djegur në rang vendi dhe për mënyrën se si është përballuar kjo situatë. Sipas kësaj ministrie, në rang vendi ende nuk dihet sipërfaqja e saktë e hektarëve të djegur, pasi përllogaritja ende nuk është bërë nga Ministria e Mjedisit dhe Pushteti Vendor. Përsa i përket përballimit të situatës në shkresën zyrtare theksohet se, kapacitetet teknike kanë qenë të pamjaftueshme. Në shumë raste është ndërhyrë me helikopter, i cili ka kushtuar jo pak, por 2500 euro ora.
Pas shkrumbimit, çelen tenderat
Nga situata e krijuar ndodhi dhe çudia, pasi gjithçka u bë shkrumb e hi bashkitë çelën tendera.
Disa njësi të qeverisjes vendore, edhe pse mund të kenë pasur para mënjanë për të përballuar zjarret e kësaj vere, ato kanë menduar të investojnë në shërbimin zjarrfikës, vetëm pasi zjarret kanë ardhur në shtëpitë e tyre.
Janë pikërisht pesë Bashki, të cilat kanë hapur tendera vetëm në muajin gusht, pra, muajin e fundit të nxehtë të verës për të blerë zjarrfikëse dhe uniforma. Madje, disa prej tyre kanë tentuar nga dy herë.
E para që është kujtuar për mbrojtjen nga zjarret është Bashkia e Fushë Arrëzit, e cila ka tentuar dhe dy herë në korrik dhe dy herë në gusht të blejë një mjet zjarrfikës. Por në të katër rastet, asnjë subjekt nuk ka paraqitur ofertë për thirrjen e tyre.
Edhe Bashkia Prrenjas ka tentuar dy herë të blejë një zjarrfikëse, por në të dyja herët, pikërisht më 11 dhe 23 gusht, procedura është anuluar për mungesë konkurrence, ndërkohë që prej disa vitesh vuajnë mungesën e tyre.
E njëjta situatë ka ndodhur edhe me Bashkinë Divjakë, e cila ka hapur procedurën më 3 gusht, por dhe me 25 gusht. Në rastin e fundit, procedura është anuluar, pasi konkurrenti i vetëm i paraqitur, nuk plotësonte kriteret e përcaktuara në formularin e kushteve teknike.
Kurse Bashkia Këlcyrë ka hapur tenderin për mjet zjarrfikës më 23 gusht, ndërkohë që është mbajtur në fillim të muajit shtator, kur filluan edhe shirat.
Ndërkohë, Bashkia Shkodër”, pavarësisht se disponon mjete të dhuruara, ka mungesë të uniformave për zjarrfikësit, megjithëse autoritetet vendore pretenduan se nuk i veshin se është vapë.
Pavarësisht këtij pretendimi, më 29 gusht, Bashkia Shkodër ka njoftuar hapjen e tenderit për blerje uniformash për punonjësit e Drejtorisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit, duke vënë në dyshim deklaratën e drejtuesit vendor dhe ngritur pikëpyetje nëse uniformat nuk i veshin se është vapë, apo ka mungesë të tyre.